VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Profesori Serwer: Kosova të largohet nga një marrëveshje e keqe me Serbinë, të përmirësojë raportet me Kinën

By | July 21, 2021
blank

Komentet

blank

Identifikohen dy viktima nga Rahoveci në aksidentin tragjik në Kroaci

Dy nga dhjetë viktimat e aksidentit tragjik në Kroaci janë nga komuna e Rahovecit.

Kështu ka bërë të ditur kryetari i kësaj komune, Smajl Latifi i cili ka marrë rrugën për në Kroaci.

“Kujtim Kastrati nga Malësia e Vogël dhe Anjeza Bellanica nga Krusha e Madhe, janë dy viktimat e konfirmuara nga komuna e Rahovecit, për të cilët lumturia e ardhjes në atdhe u kthye në një hidhërim për gjithë të afërmit, të njohurit, dhe të gjithë ne”, ka shkruar Latifi në Facebook.

Postimi i plotë:

Me të marrë lajmin tronditës, për humbjen e jetëve të dy bashkëqytetarëve tanë nga aksidenti i sotëm, kam marrë rrugën për në Kroaci, që të solidarizohem me familjarët e bashkëatdhetarët tanë në këto momente të rënda.

Kujtim Kastrati nga Malësia e Vogël dhe Anjeza Bellanica nga Krusha e Madhe, janë dy viktimat e konfirmuara nga komuna e Rahovecit, për të cilët lumturia e ardhjes në atdhe u kthye në një hidhërim për gjithë të afërmit, të njohurit, dhe të gjithë ne.

Familjeve Kastrati dhe Bellanica u shpreh ngushëllime të sinqerta dhe solidaritetin tim më të thellë, i lutem Zotit të gjejnë forcë për të përballuar dhimbjen e kësaj humbjeje të tmerrshme për ndarjen nga jeta të fëmijëve të tyre të dashur dhe uroj që shpirti i viktimave të gjejë paqen e merituar!

Poashtu, më lejoni të ju njoftoj se gjatë tërë ditës kam qenë në kontakt të vazhdueshëm me ambasadorin e Kosovës në Kroaci, z. Gëzim Kasapolli, dhe Kolonel, Atashe Ushtarak i Mbrojtjes në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Kroaci, z.Skënder Hoxha, të cilët i falënderoj për kujdesin dhe interesimin e tyre!

Kjo dhimbje duhet të na forcojë kujtimin për ata që humbën jetën, dhe për idealet e tyre dhe perspektivën për një jetë më të mirë!

Shërim të shpejtë të lënduarve!

Kujtimi dhe Anjeza, pushofshin në paqe!

Ngushëllime të gjithë familjarëve të viktimave për humbjen e më të dashurve të tyre!

blank

E mbijetuara e aksidentit mes lotësh tregon si rodhi ngjarja në tragjedinë e Slovonski Brod

Marta Roshaj është një nga udhëtaret e mbijetuar në tragjedinë e autobusit që u përfshi në një aksident trafiku në autostradën afër Slavonski Brodit në Kroaci.

Në momentin e aksidentit, Roshaj thotë se ishte duke u lutur.

“Isha duke u lutur. Po kërkoja se ku është djali im dhe nipi. Ata ishin të gjithë brenda, ishin tre persona: një grua dhe burri im mbi ta. Ata e nxorën jashtë burrin tim dhe gruan, pastaj nxorën djalin e saj”, shprehet Roshaj mes lotësh.

Ajo nuk e dinte se çfarë po ndodhte menjëherë pas aksidentit.

“Ishte diçka e tmerrshme, nuk mund të flas. Ndodhi brenda një minute. Nuk e dija se çfarë ndodhi. Zoti u jep të tjerëve forcë. Unë as nuk mund të flas”, shton ajo.

Kujtojmë se 10 persona kanë humbur jetën dhe mbi 40 të tjerë janë lënduar në një aksident trafiku sot në afërsi të Slavonski Brod të Kroacisë, kur një autobus nga Kosova doli nga rruga duke shkaktuar aksident.

Shoferi i autobusit është arrestuar dhe sipas dëshmisë së tij dhënë policisë kroate, atë në momentin tragjik e kishte zënë gjumi.

Autobusi po vinte nga Frankfurti i Gjermanisë për në Kosovë.

Në autobus ishin 69 pasagjerë.

blank

Është prishur kohezioni social. Duhet të përgatitemi për shpërthimin e trazirave në mbarë botën – Nga Elise Labott, “Foreing Policy”

 

Ta quash 2021-in si“verën e pakënaqësisë” do të ishte një nënvlerësim i madh. Nga Kuba në Afrikën e Jugut, nga Kolumbia në Haiti, protestat e dhunshme po përfshijnë gjithnjë e më shpesh çdo cep të globit, ndërsa qytetarët e zemëruar po dalin nëpër rrugë.

Secili vend ka histori dhe realitete të ndryshme në terren, sidomos Haiti, ku vitet e dhunës dhe korrupsioni qeveritar arritën kulmin dy javë më parë me vrasjen e presidentit Jovenel Moïse. Por të gjithë u përballën me një stuhi të përsosur të vështirësive para-ekzistuese sociale, ekonomike dhe politike, të cilat pandemia e Covid-19 vetëm sa i rëndoi akoma më tej.

Dhe ato janë thjesht një paralajmërim i trazirave globale post-koronavirus që po afrojnë, teksa tensionet ekzistuese në vendet anembanë botës po shndërrohen në trazira më të gjera civile, dhe rebelime kundër vështirësive ekonomike dhe pabarazisë së thelluar më tej nga pandemia.

Pandemia e koronavirusit ishte dikur një krizë që godiste një herë në një shekull. Ajo tronditi jo vetëm sistemet shëndetësore të vendeve, por kërkoi edhe një reagim që ndikoi – dhe u formësua nga konsideratat ekonomike, politike dhe ato të sigurisë.

Përpjekjet për ta frenuar atë, mund të kenë frenuar vdekjet masive në një periudhë afatshkurtër, por ato kanë thelluar pa dashje dobësitë, të cilat kanë hedhur bazat për dhunë, konflikte dhe trazira politike afatgjata. Ato duhet të shërbejnë si një shenjë rreziku për udhëheqësit botërorë kur të rihapen vendet, përfshirë Shtetet e Bashkuara.

Historia është plot me shembuj të pandemive si inkubatorë të trazirave shoqërore, nga Vdekja e Zezë deri tek Gripi Spanjoll, apo shpërthimi i madh epidemik i kolerës në Paris, i përjetësuar në romanin “‘Të mjerët” të Victor Hugo.

Thelbi i saj gjatë gjithë kësaj kohe është një pabarazi e përhapur. Covid-19 ka thelluar ndarjet e hapura ekonomike, dhe e ka bërë jetën më të vështirë për grupet tashmë të rrezikuara, përfshirë gratë, vajzat dhe pakicat. Po ashtu ai ka nxjerrë në pah dobësitë në sigurinë ushqimore, dhe ka rritur në mënyrë dramatike numrin e njerëzve të prekur nga uria kronike.

OKB vlerëson se rreth 1/10 e popullsisë globale – 720 deri në 811 milionë njerëz – ishin të keq-ushqyer vitin e kaluar. Ndikimet e ndryshimit të klimës dhe degradimit të mjedisit vetëm sa e kanë shtuar dëshpërimin. Vende si Etiopia dhe Sudani në Afrikë, po përjetojnë krizat më të këqija humanitare në botë, me nivele katastrofike të urisë.

Thatësira dhe karkalecat po vijnë në një kohë kritike për fermerët që janë ti gati të vjelin të korrat. Mungesa globale e vaksinave po e nxit më tej destabilitetin. Shumica e vendeve në Afrikë po mbetet shumë prapa pjesës tjetër të botës me vaksinimet.

Kjo do të thotë se Covid-19 do të vazhdojë që të kufizojë ekonomitë kombëtare, dhe nga ana tjetër, të bëhet një burim i paqëndrueshmërisë së mundshme politike. E njëjta gjë është e vërtetë për pjesën më të madhe të Amerikës Latine dhe Azisë, ku vendet që nuk kanë vaksina të mjaftueshme për të mbrojtur popullsinë e tyre dhe burimet e protestës – si rritja e kostove të jetesës dhe thellimi i pabarazive – me shumë gjasa do t`i shtojnë pakënaqësitë.

Kompania e vlerësimit të riskut “Verisk Maplecroft”, paralajmëron se deri në 37 vende të botës mund të përballen me lëvizje të mëdha proteste nga tani deri në 3 vitet e ardhshme.

Një studim i ri nga “Mercy Corps” që shqyrton ndërlidhjen midis Covid-19 dhe konflikteve,zbuloi tendencat që paralajmërojnë shpërthimin e konflikteve të reja, thellimin e atyre ekzistuese, si dhe përkeqësimin e nivelit të pasigurisë dhe paqëndrueshmërisë së shkaktuar nga reagimi ndaj pandemisë.

Grupi identifikoi rënien e besimit të publikut tek qeveritë dhe institucionet, si një faktor kryesor të destabilitetit. Njerëzit në shtete të brishta, që vuajnë tashmë nga besimi i zvogëluar ndaj qeverisë së tyre, janë ndjerë më të braktisur, teksa po përballen me krizën e shërbimeve publike, rritje të çmimeve të ushqimeve dhe vështirësi të mëdha ekonomike, si papunësia dhe ulja e pagave.

Ndërprerja e zinxhirëve të furnizimit gjatë pandemisë, ka sjellë rritjen e çmimeve të ushqimeve, ndërsa për shkak të recesionit global po shkurtohen buxhetet e ndihmës humanitare, duke i sjellë shumë vende të varfra në pragun e urisë masive.

Për herë të parë në 22 vitet e fundit, varfëria ekstreme -me njerëz që jetonin me më pak se 1.9 dollarë në ditë – ishte në rritje vitin e kaluar. Oxfam International vlerëson se“mund të duhet më shumë se një dekadë, që më të varfrit në botë ta marrin veten nga ndikimet ekonomike të pandemisë”.

Goditjet e shkaktuara nga pandemia e kanë prishur kohezionin social, duke shkatërruar më tej marrëdhëniet midis komuniteteve, dhe duke e thelluar polarizimin. Kjo është veçanërisht e vërtetë në Shtetet e Bashkuara, ku presionet sociale dhe politike e thelluan krizën shëndetësore dhe u përkeqësuan prej kësaj të fundit.

Kjo duhet të shërbejë si një zile alarmi për vendet, se ato nuk mund të përgatiten, apo të reagojnë si duhet ndaj krizave të ardhshme shëndetësore mbi një vakum. Përkundrazi, ato duhet ta parashikojnë një krizë ekonomike, politike dhe sociale.

Dhe kjo gjë është e vërtetë për çdo goditje të rëndë, e cila bart me vete potencialin për një prishje të rendit publik. Bllokimet dhe shfaqjet e unitetit kombëtar të nxitura nga kriza, e kanë maskuar disi efektin e plotë të pandemisë, që do të bëhet më i dukshëm me rihapjen e plotë të ekonomive.

Ndikimet jo-shëndetësore të Covid-19 do të tejkalojnë dëmet nga sëmundja. Është kjo arsyeja pse ndihma për parandalimin e konflikteve duhet të jetë pjesë e përpjekjeve të rimëkëmbjes nga Covid-19, në mos pjesa më thelbësore për to.

SHBA ka në dispozicion një mjet të gatshëm për të ndihmuar:Aktin Global të Brishtësisë 2019. Ky ligj konsensual nxit një përpjekje bashkëpunimi midis agjencive ligj-zbatuese rreth parandalimit të konfliktit në vende të paqëndrueshme, dhe e drejton ndihmën e huaj drejt parandalimit të dhunës, duke investuar dhe mbështetur programe të zhvillimit humanitar

dhe të ruajtjes së paqes, për t’i ndihmuar vendet të largohen nga kriza dhe për të ndërtuar një qëndrueshmëri dhe stabilitet afatgjatë.

 

Shënim: Elise Labott është ndihmës profesore në Shkollën e Shërbimit Ndërkombëtar të Universitetit Amerikan. Si korrespondente e CNN për dy dekada, ajo ka raportuar nga më shumë se 80 vende të botës. Përktheu: Alket Goce

blank

Regjisori serb: Ne vepruam në Kosovë si nazistët, 1500 kufoma shqiptarësh u dogjën në furrat e Trepçes

Nga Çedomir Petroviç

A thua në kohët e krimeve që i kemi bërë në Kosovë, kishim larguar dallimin dhe kemi bërë ata të cilët gjatë Luftës së Dytë Botërore vrisnin 50 veta nga njerëzit tanë për një gjerman të plagosur dhe 100 të vrarë për një pushtues të vrarë.

 

Dallimi është se Gjermania menjëherë pas përfundimit të luftës është distancuar nga të gjitha krimet e veta, i ka pranuar ato, ka paguar dëmshpërblim, ka kërkuar falje, ndërsa ne pas shpërbërjes së Jugosllavisë u sulëm në luftërat dëshpëruese për mbajtjen e të pamundshmes.

 

Nisja drejt krimeve

 

U nisëm drejt krimeve që na sollën aty sa që tash të mos e kemi askënd rreth vetes, as me veten. Dhe vetë po e lëmë e veten. Disa thyerje e pastrime duhet të ndodhin në kokën tonë. Duhet ta rrëfejmë rrëfimin e tmerrshëm për ne. Ai është shumë më i rëndësishëm se sa vitet e humbura dhe ndërmjetësimet e dështuar në Bruksel.

 

Me këmbëngulje u përpoqëm që gjitha atë të mirë që na e lanë amanet paraardhësit, ta shkatërrojmë dhe në vend të popullit të dashur e të çmuar në botë, të bëhemi sinonim për shkatërrim e vrasje.

 

Tash s’është rëndësishme nëse populli e kupton ose nuk dëshiron ta kuptojë të vërtetën për veten . Tash më e rëndësishmja është ta rrëfejmë rrëfimin për atë pjesë të vogël të popullit, i cili ka edhe pak kohë ta ndryshojë e ta rrëfejë, jo në kishë, sepse faji tij në këtë rrëfim është i madh, por para vetes dhe para atyre ndaj të cilëve kemi bërë krime të tmerrshme dhe gjenocid.

 

Gjithmonë kemi qenë në kërkim të një diçkaje të humbur e edhe tash kur zotërojnë robotët dhe fluturaket zbresin në Mars, ne thirremi në ca kohë të shkuara dhe vëmë kapelat ushtarake të vojvodëve tanë të ndershëm serbë në kokat e kriminelëve që bëhen heronj të popullit e të shtetit, mendja fillon të na turbullohet, shohim ëndërr syhapur e na zgjohen ca gjene që kaherë është dashur të jenë të vdekur ose të futur diku thellë nën ndërdije për ta pritur vetëm një zë e një klithmë: Të gjithë serbët në një shtet … Dhe të fillojë çmenduria e të bëhemi bisha.

 

Juve, zotëri Vuçiq, në zgjedhjet e ardhshme kjo opozitë nuk mund t’iu mundë. Por ekziston mundësia që veten tuaj ta mundni që është pafalshëm më e rëndë .

 

Populli nuk e do Vuçiqin

 

Populli ju ka zgjedhur, por jo edhe ata përreth jush, të cilët vetë i keni zgjedhur dhe të cilët do të ndikojnë mjaft në disfatën tuaj. Po i mbani me këmbënguljen vendet nga ku po shkatërrojnë çdo gjë, janë bërë të urryer e irritues. Artisti kryesor, po deshi që shfaqja të jetë e mirë, përreth vetes duhet të katër artistë që të paktën janë të barabartë me të. Ju iu keni frikuar kësaj, keni statistë në rolet kryesore dhe për këtë arsye shfaqja doli e keqe.

 

Ju jeni me tërë forcën kundër vullnetit dhe bindjes suaj, jeni përpjekur të ndryshoni, por nuk ia keni dalë. Ndërdymja në ju, ndërmjet asaj që e dini se ç’është mirë të bëni për popullin tuaja dhe asaj që kurrë nuk do të mund ta bëni, është e vështirë edhe për arsyen se bie ndesh me bindjet dhe idetë tua, ajo u sjell në situatën që të mos mund të funksiononi drejt.

 

Kurrë nuk keni thënë se keni gabuar, e këtë populli nuk e do. I do ata që i ka afër e jo ata që gabojnë shpesh. Po silleni me prepotencë ndaj disa gazetarëve që nuk janë rreth jush dhe u bëjnë pyetje të vështira e të pa përgjigje nga ju. Ky është tamam profesionalizëm dhe nuk bën të ketë dallime ndërmjet përfaqësuesve të medieve. Unë kam njohur artisët që nuk kanë folur tridhjetë vjet, ndërsa në shfaqje kanë udhëhequr dialogë dhe kanë qenë të shkëlqyeshëm në ato skena.

 

Jeni tepër shumë të pranishëm në publik. Populli nuk ka dëshirë të pyesë më: Ku është Vuçiqi ? Ç’u bë me të? Ka një kohë që s’është, por thotë: Ama deri kur ky Vuçiq? Është bërë i mërzitshëm për Zotin dhe për robin.

 

Nuk ka temë ku ju s’e keni mendimin tuaj. E shpenzoni forcën në përmbajtje të panevojshme dhe çdo ditë qëroni hesape me opozitën dhe përfaqësuesit e medieve.

 

Po bëheni, si themi ne: Piper në çdo çorbë.

 

Në fjalimet tua janë të pranishme shumë përqindje, numra, emra fshatrash e qytetesh, gjatësi rrugësh, mbledhje, zbritje, premtime, krahasime me të tjerët …Populli e do më shumë fjalimin e rëndomtë, atë të kuptueshmin.

 

Kur erdhët në pushtet, nuk gjetët asnjë të mirë. Trashëguat krime të mëdha që i bënë pjesëtarët e populli tonë e të cilat assesi nuk deshët t’i pranoni e të kërkoni falje për to.

 

Krime të tmerrshme ndaj popullit shqiptar

 

Krime të tmerrshme në luftërat ballkanike para dhe pas Luftës së Dytë Botërore kemi bërë ndaj popullit shqiptar.

 

Forcat ushtarake e policore serbe gjatë viteve 1998 dhe 1999 kanë bërë shkatërrime të mëdha,masakra, djegie, helmime bunarësh, përdhunime, plaçkitje, vrasje civilësh …

 

Ushtria dhe policia e RFJ-së atëhershme, me udhëheqje të kreut shtetëror, kanë dëbuar nga Kosova mbi 700 mijë shqiptarët Kosovës.

 

Millosheviq ka urdhërua që të gjitha kufomat në Kosovë, që mund të ishin në interes të Tribunalit të Hagës, të mënjanohen.

 

Në furrat e Trepçës u dogjën më shumë se 1.500 kufoma.

 

Dolën nga Danubi ftohtë frigoriferët me gra e fëmijë shqiptarë. Varreza masive në poligonet e policisë nëpër gjithë Serbinë.

 

Në vend e qitjen me armë të policisë në Batajnicë te Beogradit u gjetën trupat e 980 shqiptarëve e shqiptareve të vrara.

 

Deri në vitin 2008, janë gjetur rreth 800 mbetje mortore të shqiptarëve të vrarë të varrosur në varrezat masive në Serbi, janë ekshumuar dhe u janë kthyer familjeve.

 

Në varrezat e Rudnicës dhe te Rashka rreth 250 trupa të shqiptarëve të Kosovës.

 

Në vitin 1998, në Prekaz, në rajonin e Drenicës, forca të mëdha ushtarake e policore serbe , të armatosura me tanke, autoblinda e artileri, rrethuan shtëpinë e familjes Jashari dhe tri ditë e tri net kanë shtënë, pa bërë dallime, edhe në gra e fëmijë dhe civilë të tjerë. Helikopterët dhe automjetet ushtarake kanë lëshuar breshëri rafalësh nëpër kulme e pastaj forcat policore kanë hyrë në fshat duke shtënë nëpër shtëpi.

 

Forcat serbe të sigurisë me ndihmën e ushtrisë serbe likuiduan 56 anëtarë të familjes Jashari . Në mesin e tyre edhe 18 gra e 10 fëmijë. Aty u bë gjenocid ndaj një familjeje.

 

Rreth 10 mijë shqiptarë e shqiptare të Kosovës janë vrarë gjatë atyre tre muajve të çmendur të vitit 1999.

 

Çdo kafshë dhe çdo njeri në këtë botë të trishtë ka të drejtë të mbrohet kur sulmohet. Sikur dhe populli i çdo vendi.

 

Shqiptarët kanë qenë ithtarë të politikës paqësore, jo të dhunës, pas kësaj ata filluan rezistencën e armatosur.

 

Duhet nënshkruar marrëveshjen me Kosovën

 

Një numër i madh policësh që kanë marrë pjesë në aksionet kundër shqiptarëve të Kosovës, në Serbi ende konsiderohen heronj të luftës. Hetimet në Serbi ecin ngadalë sepse disa nga ekzekutorët e veprave penale janë ende në radhë të policisë.

 

Ka ende krime, ose ndoshta edhe këta mjaftojnë që të nënshkruhet ajo marrëveshje juridike e detyrueshme e shkërdhyer.

 

Ndoshta të gjitha krimet që serbët i kanë bërë në Kosovë serbët ndaj shqiptarëve mund të “paguhen” me njohjen e pavarësisë së saj? Ndoshta ky është çmimi më i lirë për ne?

 

Dhe duhet të rrëfehet rrëfimi, i vërteti, për krimet që s’ merren me mend të një populli ndaj tjetrit.

 

Nuk do të mbeteni në kujtesë të mirë as për pensionistët. Ua keni zvogëluar pensionet që i kanë pritur tërë jetën dhe që është i vetmi që e kanë. Ata nuk do ta pranonin këtë, por nuk kanë pasur kujt t’i ankohen dhe u bënë heronj me zor dhe i ndihmuan shumë Serbisë ta kalojë krizën e madhe. Kanë qenë dega më e zhvilluar ekonomike e atyre viteve në shtet.

 

I keni frikësuar me opsionet e luftës në tavolinë. Kosovën, Kroacinë, B e H-në . I frikëson gjithnjë ai flamurtari pa sens nga Republika serbe. Njerëzit janë në frikë. Pleq e të sëmurë…

 

Besimi im te ju ka qenë pasojë e dëshirës së vrarë që pas aq kaq vitesh me ndryshimin tim do të ndryshojë edhe Serbia.

 

Na keni mashtruar dhe na keni zhgënjyer . Kemi humbur pa kthim shumë vite, falë politikës suaj gjunjëzuese e të gabuar duke u mbështetur në zvarritje kohe, e cila assesi nuk ka punuar për ne.

 

Shumë nga Evropa kanë dashur të na ndihmojnë, Gjermania e sidomos kancelarja e saj Angela Merkel, por i keni humbur të gjitha, me qasjen e papërgjegjshme në negociata, të cilat, nëse i keni kuptuar, nga fillimi kanë qenë të organizuar vetëm për shkakun që të njihet pavarësia Kosovës. Sërish mbetëm të vetmuar dhe tjetërsuar nga vetja jonë.

 

Keni deklaruar: E, tash duhet prisni pak kur sërish do të shkoj në Bruksel?! Ky nuk është nivel i një kryetari të Republikës, të cilitdo vend, e as i tonit.

 

Mbetet që vetëm të jepni dorëheqje nga vendi i presidentit të Republikës së Serbisë. Kjo është më vogla që m und ta bëni. E dini se opozita është e dobët dhe përçarë dhe aktualisht nuk ka kush të vijë në vendin tënd.

 

Shesheli ka ndikim të madh te Vuçiqi

 

The King is dead, long live the King! Mbreti vdiq, rroftë mbreti. Kanë klithur anglezët. Te ne kjo i bie: Vdiq Vuçiqi, rroftë Vuçiqi

 

Dorëheqja nuk do të miratohet dhe ju do të vazhdoni sundimin tuaj. Pas gjithë këtyre, është e pamundur të ktheni atë besim që e keni pasur në popull. Si do t’ua sqaroni britmat tuaja: Kosovën kurrë nuk do ta njoh?

 

Nuk ua them se do ta njihni Kosovën . Kjo është e vetmja gjë e mundshme . Kritikën ua bëra për vitet e çmueshme që i humbëm. E çdo gjë dihej që nga herët.

 

Janë të thella rrënjët radikale të ndikimit të Sheshelit e NIkoliqit te ju . Te ju gjenden ide e qëndrime që vetëm ju i mendoni të mundshme e që janë të këqija për Serbinë e që assesi nuk mund të pranohen në botë.

 

Kemi arritur në atë gjendje sa që shtetet përreth nesh, ma ato që dikur kemi jetuar bashkë, po bashkohen kundër nesh, vetëm për ta ruajtur veten nga ne .

 

Kemi humbur arsyen dhe vetëm vringëllojmë dhe godasim me shpatë rreth vetes, duke mos parë se kë mundemi , pos vetes, ta lëndojmë.

 

Po lejoni nënçmimin dhe turpin e madh për Serbinë, në të cilën një figurë po shkon nëpër vende të vogla e pa kurrfarë ndikimi për t’i lutur që të tërhiqet njoha e Kosovës. As ata e dinë ku është Kosova e Serbia dhe as ne dimë kush janë ata.

 

Ju jeni i mençur dhe e dini se çfarë do të thotë kur në këtë moment të vështirë për ne, BE hap kapitullin për statistikë?! Kjo është një lamtumirë e rafinuar me ne dhe me shumë që kanë dëshiruar që Serbia të bëhet anëtare e BE-së. Kush është fajtor për këtë, ju më së miri e dini.

 

Rrëfimi duhet treguar deri në fund. kësaj here i vërteti. Koha po ikën pa kthim …

 

Nuk mund të mbesim ushtarakisht neutralë, si thoni ju zoti Vuçiq. Të gjitha shtet në rrethin tonë janë ose do të bëhen anëtarë të Aleancës veriatlantike.

 

Ne prapë jemi vetëm, sikur të kemi defekte dhe ndaj i frikësohemi shoqërisë sonë.

 

Serbia është si kërcell misri në lendinë, pa tramakë. Edhe era më e vogël do të na thyejë, do ta shkatërrojë shtalbin dhe do të mbete vetëm talla dhe asgjë.

 

(Autori është regjisor dhe aktor serb. Shkrimi me titullin “Si më tradhtoi besimi te Vuçiqi” është marrë nga gazeta “Danas”. Titulli dhe mes titujt janë të redaksisë-Koha.net)

blank

Meta e Kryemadhi vizitë në SHBA, lobisti libanez nxjerr fotot nga takimi

Presidenti i Republikës Ilir Meta dhe bashkëshortja e tij, kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi kanë qenë në një vizitë në SHBA pak ditë më parë. Ndonëse nuk ka pasur njoftim zyrtar për këtë udhëtim, ka qenë mikpritësi i tyre që ka publikuar foto nga takimi.

Bëhet fjalë për lobistin libanez Safi Kaskas, i cili ka publikuar foto në ‘facebook’ nga takimi më 20 korrik me Presidentin Meta dhe bashkëshorten e tij Monika Kryemadhi si dhe bashkëshorten e tij, teksa i ka dhuruar librin e tij Kur’ani me Referencat në Bibël.

Kaskas, i cili është shumë aktiv në rrjetet sociale, shkruan në postimin e tij se është ftuar nga çifti presidencial për të vizituar Shqipërinë.

“Unë dhe gruaja ime patëm një vizitë shumë produktive këtë mëngjes me Presidentin e Shqipërisë, Shkëlqesinë e Tij Ilir Meta dhe gruan e tij Monika Kryemadhi. Ne u dhuruam atyre një kopje të librit tim Kur’ani me Referencat në Bibël. Zonja e Parë e Shqipërisë e donte librin dhe u angazhua për ta përkthyer atë në shqip me një grup studiuesish. Ata gjithashtu na ftuan t’i vizitojmë ata në Shqipëri për të festuar fillimin e përkthimit të librit”, shkruan Kaskas.

Po kush është Safi Kaskas?
Amerikano-Libanezi është lobist i njohur me bazë në SHBA e Arabinë Saudite, shkruan Hashtag. Nga një kërkim në google mund të gjesh edhe një CV të tijën ku flitet për një veprimtari të pasur dhe një njeri të dashur në Uashington.
Dr. Safi Kaskas është një menaxher ekzekutiv dhe një strateg me më shumë se 40 vjet përvojë me bazë të gjerë në planifikimin strategjik, udhëheqjen dhe etikën e biznesit, me një theks në menaxhimin strategjik në korporatat dhe botët akademike. Ai ka udhëhequr korporata të mëdha dhe kompani tregtare dhe ka pionieruar angazhime të shumta të suksesshme këshilluese fillestare për klientët në fushat e tregtisë dhe industrisë si në Shtetet e Bashkuara dhe Arabinë Saudite.

Kaskas është një bashkëthemelues i Universitetit East West në Chicago, Illinois dhe u zgjodh si president i bordit të tij të drejtorëve nga 1979 në 2005. Nën udhëheqjen e bordit të tij, Universiteti East West fitoi akreditimin nga Shoqata Qendrore e Veriut dhe zhvilloi një mbledhje të fortë fondesh, rrjet që ndërtoi një themel të fortë për rritjen e tij të vazhdueshme. Kaskas vazhdon të shërbejë si anëtar i bordit të drejtorëve të Universitetit. Si themelues dhe president i Strategjisë së Menaxhimit të Edge Strategic, Kaskas ndihmoi shumë korporata të nivelit të mesëm dhe të madh në zhvillimin me sukses të portofoleve të tyre të biznesit.

Firma e tij konsulente u përqendrua në zhvillimin strategjik brenda industrisë së kujdesit shëndetësor dhe themeloi Kompaninë Amerikane të Menaxhimit Strategjik të Shëndetësisë (ASHM), e cila zotëron qendra diagnostikuese dhe planifikon të blejë institucione të kujdesit shëndetësor në Jeddah, Arabia Saudite. Ai ka organizuar, marrë pjesë dhe moderuar qindra seminare biznesi dhe leksione mbi menaxhimin strategjik dhe etikën e biznesit dhe një larmi temash të ngjashme. Përveç përqendrimit të tij në shkencat e menaxhimit strategjik, Kaskas ka studiuar fetë Abrahamike dhe ligjëroi në të gjithë SHBA për tema që lidhen me Islamin, zhvillimin e Myslimanëve Amerikanë dhe të ardhmen e Islamit në SHBA.

Ai ka investuar 30 vjet të jetës së tij në dialog dhe ndërtimin e urave midis ithtarëve të feve Abrahamike. Kaskas shërben si anëtar bordi i Trac5, një organizatë që punon për zgjidhjen e konflikteve të bazuara në besim dhe është i ftuar të flasë rregullisht në Mëngjesin Kombëtar të Lutjeve në Uashington, DC për tema të tilla si pajtimi, Kurani dhe mësimet e Jezusit.
Kohët e fundit, Kaskas shkroi si bashkëautor librin “Kurani – me Referenca në Bibël, Një Kuptim Bashkëkohor”, një përkthim i ri, i papërfunduar kurrë më parë i Kur’anit në anglishten bashkëkohore që përmban më shumë se 3,000 referenca paralele në Bibël.

blank

Duke lexuar fjalën e Ramiz Alisë , viti 1989! Nga Alma N. Liço

Do të doja të mos ishte i vërtetë ai fjalim që të mbush me mllef, dëshpërim dhe zhgënjim. Madje kam dëshiruar me gjithë shpirt që udhëheqësi i fundit i barbarisë diktatoriale komuniste dhe shpura e tij, të mos ishin vizionarë dhe projektues të një strategjie ogurzezë, që është implementuar me efikasitet dhe në mënyrë impresionuese në drejtimin e Shqipërisë së pas viteve 90. Në kujtesën kolektive, doja që ata të mbeteshin kriminelë, gjakatarë, primitivw, injorantw, ashtu siç e dëshmuan në gjysëm shekulli të sundimit absolut, dhe pa ndonjë rol në ndërtimin e Shqipërisë postkomuniste. Madje duhej t´i nënshtroheshin gjykimeve për genocidin e pashembullt që u shkaktuan bashkëqytetarëve të tyre.

Por nga ana tjetër, nuk mundem të mos analizoj atë që është shkruar aty. Bilanci i këtij rrugëtimi cinik dhe tragjik është rezultati që jetojmë sot. Për më tepër, e mbështes atë edhe mbi përvoja individuale dhe familjare.

Ashtu siç është parashikuar në atë dokument, në spektrin politik të Shqipërisë bëjnë pjesë dhjetra parti politike, në shumicë të drejtuara nga pinjollë të familjeve komuniste. Veçanërisht, ato që kanë qenë ose janë në pushtet. Gjatë viteve të para të pseudodemokracisë, u përdorën vuajtjet e të persekutuarve të regjimit, për të fituar mbështetjen e tyre dhe atë të faktorit ndërkombëtar. Por, me pseudoreformat e bëra në vite, hap pas hapi, ata, banditët e kuq dhe shpura e tyre, gllabëruan ekonominë, grabitën me ligj e pa ligj pronat e ish pronareve dhe të gjithë shqiptarëve. Siç është parashikuar dhe shkruar në atë dokument të kobshëm, ata të gjorë sorollaten në dhjetra vjeçarë, të lodhur e të zhgënjyer me dosje e harta nëpër duar, në gjykatat e korruptuara. Eshtë impresionues dhe gati i pabesueshëem fakti që ky rrugëtim i pështirë, dhunues dhe i padrejtë është bërë dhe me bekimin e përfaqësuesve të Institucioneve ndërkombëtare.

Përfaqësuesit e së djathtës tradicionale nuk u lejuan asnjëherë të përfaqësohen politikisht me partinë e tyre. Çdo iniciativë e tillë është minuar që në embrion, duke i shpërbërë ata dhe përçarë në dhjetra shoqata. Vërtet antikomunistët e persekutuar dolën të raskapitur e të paarsimuar nga regjimi, por vite më pas u arsimuan fëmijët e tyre. Administrata shtetërore e drejtuar në shumicë absolute nga pinjollët e bllokut komunist, është përjashtuese për këtë kategori, duke mos u lënë asnjë alternativë tjetër, përveçse t´ja mbathin nga Shqipëria.

Po aq i gënjeshtërt është dëmshpërblimi i të burgosurve politike apo familjarëve të tyre. Një tjetër tallje cinike. Shpërndarja selektive dhe e stërzgjatur në kohë e këtyre lëmoshave, ka bërë që shumë syresh të mos marrin asnjë qindarkë për vuajtjet çnjerëzore të shtrira në disa dhjetra vjeçarë. Për shkaqe biologjike, çdo ditë me dhjetra humbin jetën, pa prekur për asnjë moment të vetëm një farë kompesimi për gjakun dhe djersën e derdhur, si dhe të drejtat e tyre të dhunuara brez pas brezi.

Vërtet Shqipërinë, ashtu sic shkruan Ramiz Alia, do ta gëzojmë ata dhe fëmijët e tyre. Komunistët janë të aftë të mbrojnë fitoret e arritura me çdo çmim, qoftë edhe me grykën e pushkës. E kanë bërë dhe mund ta bëjnë sërish, sa herë do t´ua lypë nevoja, për përjetësimin e pushtetit të tyre të ngritur mbi pabëesinë, mashtrimin, cinizmin, dhe makutërinë. Ndërsa ne apo fëmijët tanë, për sa kohë do lejojmë që këto të ndodhin, do përpiqemi ta mbushim jetën tonë larg atdheut, duke bërë analiza dhe bilançe të dëshpëruara.

blank

Nuk kuptohet, pse ne, idiotët vullnetarë, duhet të paguajmë taksat – Nga Enida Bozheku

Nuk kuptohet, pse ne, idiotët vullnetarë, duhet te paguajme taksat 13% mbi te ardhurat ne vit, sigurime shoqerore 90 mije ne muaj per cdo punesim, bashkine 135 mije ne vit – rritur nga pandemia (keto me minimalet), kur me taksat tona, mbahen: kurtizanet e politikanëve; paguhen borxhet publike per kapriçot e politikaneve; paguhen tenderat miliona euroshe per xhepat e politikaneve dhe shokeve te tyre biznesmena riciklues; paguhet lluksi i politikaneve (makina, hotele, darka e eskorta) dhe, nderkohe:
– pensionet, si del per buke e ilaçe;
– rrogat mizerabel, aq sa rinia po zhduket nga syte kembet;
– sherbimet si ne uganda, tangerlliku si ne Versaje;
Nisur nga keto pse duhet ne te vazhdojme te paguajme taksat, kur taksat tona ushqejne pangopesine e mostrave?! Nese ne, mbare popull, do te refuzonim ti paguanim taksat – siç bejne shume biznese te medha – e te perdornim pasurite e vjedhura nga ata, do kishte kontestime vallë?! Spaku, Soreca, Yuri, çmendim keni per kete problemin “taksa”?! Ne jemi popull i pasur ne parim, i zhvatur deri ne qindarken e fundit ne praktik!
blank

Ndalohet dhe ndëshkohet mohimi i gjenocidit në Bosnje

Valentin Inzko, përfaqësuesi i lartë i komunitetit ndërkombëtar në Bosnje e Hercegovinë. Fotografi nga arkivi.

RFE/RL

Përfaqësuesi i lartë ndërkombëtar në Bosnje e Hercegovinë, Valentin Inzko, duke i përdorur kompetencat e Bonit, vendosi ndryshime në Kodin Penal të këtij shteti, me të cilat ndalohet dhe dënohet mohimi i gjenocidit dhe madhërimi i kriminelëve të luftës.

Kompetencat e Bonit i japin atij të drejtë për të shtyrë përpara vendime, për të cilat, akterët e tjerë politikë nuk shfaqin vullnet për një gjë të tillë. Inzko e mori këtë vendim, disa ditë para përfundimit të mandatit të tij në Bosnje.

“Së pari, theksoj se pajtimi nuk mund të ndodhë pa njohjen e krimeve dhe pa përgjegjësi. Gjuha e urrejtjes, madhërimi i kriminelëve të luftës dhe revizionizmi, pra mohimi i hapur i gjenocidit dhe krimeve të luftës, parandalojnë shoqëritë nga përballja me të kaluarën e tyre kolektive, përfaqësojnë poshtërim të përsëritur të viktimave dhe të dashurve të tyre, dhe në të njëjtën kohë, zgjasin padrejtësinë dhe rrezikojnë marrëdhëniet paqësore shoqërore”, tha Inzko përmes një letre, ku ka arsyetuar vendimin e tij.

Përfaqësuesi i lartë deklaroi se mohimi i gjenocidit dhe mohimi i krimeve të tjera të luftës janë veçanërisht të rrezikshme në një vend si Bosnja, e cila në të kaluarën e saj të afërt, ka përjetuar fushata të tmerrshme të spastrimit etnik dhe krimeve masive të kryera gjatë një konflikti brutal dhe të përgjakshëm.

“Njëzet e pesë vjet pas nënshkrimit të Marrëveshjes së paqes të Dejtonit, Bosnja është ende një shoqëri e copëtuar që po lufton ende me trashëgiminë e së kaluarës. Gjuha e urrejtjes, madhërimi i kriminelëve të luftës dhe revizionizmi, pra mohimi i hapur i gjenocidit dhe krimeve të luftës, janë dukuri të shpeshta në ligjërimin politik, pavarësisht vendimeve të institucioneve gjyqësore ndërkombëtare “, deklaroi ndër të tjera Inzko.

Anëtari serb i Presidencës trepalëshe të Bosnjës, Millorad Dodik, tha të premten, pas vendimit të Inzkos, se Republika Sërpska “duhet të fillojë procesin e shpërbërjes”.

Çka parasheh vendimi?

Ky vendim parashikon burgim nga tre muaj deri në tre vjet, për të gjithë ata persona që publikisht nxisin dhunë ose urrejtje ndaj një grupi personash ose ndaj një anëtari të një grupi racor, fetar apo që ka kombësi e origjinë tjetër etnike.

Ndërkaq, dënim deri në gjashtë muaj deri në pesë vjet, do t’iu shqiptohet të gjithë personave që publikisht mohojnë, minimizojnë apo përpiqen të justifikojnë një krim të gjenocidit, krimet kundër njerëzimit apo krimet e luftës, thuhet në vendim.

“Nëse vepra është kryer në atë mënyrë që do të mund të prishë rendin publik ose është kërcënuese, abuzive dhe ofenduese, kryesi do të dënohet me burgim në një afat jo më pak se tre vjet”, thuhet më tej në vendim.

Vendimi, sipas Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë (OHR), përcakton që kushdo që jep mirënjohje, çmim ose ndonjë privilegj të ngjashëm për një person të dënuar për gjenocid apo për ndonjë krim lufte, ky akt do të dënohet të paktën me tri vjet burgim.

Kjo vlen edhe nëse emërtohet një objekt publik siç është rruga, sheshi, parku, ura, institucioni,komuna ose qyteti, vendbanimi, me një emër të një personi të dënuar për gjenocid, një krim kundër njerëzimit ose krim lufte ose në ndonjë mënyrë tjetër madhëron një person të dënuar me gjykim të formës së prerë për këto vepra penale.

Ky ligj do të hyjë në fuqi tetë ditë pas botimit në faqen zyrtare të internetit të Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë ose një ditë pas botimit në “Gazetën Zyrtare të Bosnjë dhe Hercegovinës”, cilado që ndodh më shpejt. Ndërkaq, vendimi i Inzkos hyn menjëherë në fuqi.

Dodik: Republika Sërpska duhet të fillojë procesin e shpërbërjes

Pas njoftimit të vendimit të Përfaqësuesit të Lartë, Milorad Dodik, anëtar i Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, në një konferencë për media të premten tha se Valentin Inzko nuk ka të drejtë të imponojë një ligj që ndalon mohimin e gjenocidit, duke shtuar se ky vendim është “i pabazuar”.

“Republika Sërpska e hedh poshtë këtë vendim. Në Srebrenicë nuk ka pasur gjenocid. Serbët nuk guxojnë ta pranojnë këtë vendim, kjo është një gozhdë e ngulur në arkivolin e Bosnje e Hercegovinës. Pas kësaj, Bosnje e Hercegovina nuk mund të funksionojë. Do të thërrasim një seancë të Asamblesë së Republika Sërpskës javën e ardhshme”, tha Dodik.

“Republika Sërpska duhet të fillojë procesin e shpërbërjes, nuk ka dialog në Bosnje e Hercegovinë”, shtoi ai.

Xhaferoviq: Inzko përmbushi detyrimin ndaj viktimave

Anëtari boshnjak i Presidencës së Bosnjës, Shefik Xhaferoviq në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë tha se përfaqësuesi i lartë, me këtë vendim, përmbushi detyrimin e tij ndaj viktimave.

“Sipas ndërgjegjes së tij, por edhe sipas Marrëveshjes së paqes të Dejtonit, sepse mohimi i gjenocidit dhe madhërimi i kriminelëve është një mekanizëm që minon seriozisht besimin midis kombeve dhe rrezikon paqen,” tha Xhaferoviq.

Ai shtoi se vendimi i përfaqësuesit të lartë bëri një hap të fortë përpara në drejtim të civilizimit.

Izetbegoviq: Vendimi, në favor të familjeve të viktimave të gjenocidit

Presidenti i Partisë së Veprimit Demokratik (SDA), Bakir Izetbegoviq deklaroi se vendimi i përfaqësuesit të lartë është një vendim civilizues, në favor të familjeve të viktimave të gjenocidit.

“Me këtë vendim, përfaqësuesi i lartë ndihmoi qytetarët e Bosnjës dhe Hercegovinës, forcoi autoritetin e pasardhësit të tij dhe e përfundoi me dinjitet mandatin e tij në Bosnje”, tha Izetbegoviq.

Komshiq mirëpret vendimin për dënimin e mohimit të gjenocidit

Ndërkaq, anëtari kroat i Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Zhelko Komshiq përshëndeti vendimin e Përfaqësuesit të Lartë për të ndryshuar Kodin Penal, që ndalon dhe dënon mohimin e gjenocidit.

“Ky vendim bazohet në një seri vendimesh të gjykatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), do të thotë Tribunalit Penal për ish-Jugosllavi, i cili, përtej çdo dyshimi të arsyeshëm, vërtetoi ekzistencën e krimit të gjenocidit në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe gjenocidit në Srebrenicë, ” tha Komshiq, në një deklaratë me shkrim për Radion Evropa e Lirë.

Familjarët e viktimave: Vendim i duhur, por i vonuar

Presidentja e Shoqatës “Nënat e Srebrenicës”, Fadila Efendiq i tha agjencisë Fena se do të dëshironte të ndante lumturinë e saj me dikë pas këtij vendimi.

“Inzko bëri atë që premtoi, megjithëse duhej ta kishte bërë më parë, por nuk është kurrë vonë. Vendimi është i mirë, nëse respektohet”, tha ajo.

Presidentja e Shoqatës së “Gratë e Srebrenicës”, Hajra Qatiq, që 26 vjet është në kërkim të eshtrave të djalit të saj, Nino. Ajo thotë se vendimi i përfaqësuesit të lartë është shumë i rëndësishëm për të dhe shpreson që do të respektohet.

“Ai duhet ta kishte bërë këtë shumë kohë më parë, por nuk është kurrë vonë. Unë jam e kënaqur që ai mori një vendim të tillë për të ndaluar mohimin e gjenocidit dhe madhërimin e kriminelëve të luftës”, tha ajo.

Ambasada e SHBA-së: Vendimi i Inzkos, i rëndësishëm për stabilitetin e Bosnjës

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Bosnje e Hercegovinë tha se mohimi i gjenocidit dhe madhërimi i kriminelëve të luftës janë të papranueshme dhe minojnë besimin e ndërsjellë, që është i nevojshëm për përparimin e këtij shteti drejt Bashkimit Evropian.

“Akti i përfaqësuesit të lartë në largim tregon se sa rëndësi i kushton kësaj çështjeje, e cila është e rëndësishme për stabilitetin në Bosnje e Hercegovinë dhe thekson domosdoshmërinë e vazhdueshme që të gjithë në Bosnje të kontribuojnë në pajtimin. Ligji mbi ndryshimet në Kodin Penal të Bosnje e Hercegovinës është pika fillestare për biseda dhe hapa më konkretë të cilat duhen të ndërmerren nga akterët lokalë në lidhje me zbatimin praktik të tij”, “tha Ambasada amerikane në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë.

Ambasada amerikane tha se gjenocidi në Srebrenicë nuk është një temë për diskutim, por një fakt historik.

“Njësojë po aq e rëndësishme është të theksohet se këto krime të tmerrshme nuk janë reflektim ose dënim i një kombi të tërë. Madhërimi i kriminelëve të luftës në të dyja palët ose mosrespektimi i vuajtjeve të ndonjë komuniteti në Bosnje e Hercegovinë, degradon kujtesën e viktimave dhe minon pajtimin. Është koha të ktheheni, me të vërtetë, në një të ardhme që do të bazohet në paqe dhe besim të ndërsjellë”, shtoi Ambasada amerikane.

Në Bosnje e Hercegovinë këtë vit u shënua 26-vjetori i masakrës së Srebrenicës, në të cilën forcat serbe vranë mbi 8.000 burra dhe djem myslimanë.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë konstatoi në vitin 2007 se këto vrasje kanë përbërë gjenocid.

Deri më tani, 47 persona u dënuan me më shumë se 700 vjet burgim për masakrën në Srebrenicë.

Ish-udhëheqësi i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiq, u dënua me burgim të përjetshëm, ashtu si edhe ish-udhëheqësi ushtarak në Bosnje, Ratko Mlladiq.

Roli i përfaqësuesit të lartë në Bosnje

Ndryshe, diplomat austriak, Valentin Inzko në muajin maj dha dorëheqje nga posti i përfaqësuesit të lartë në Bosnje, post që e ka mbajtur që nga viti 2009.

Nga 1 gushti, atë do ta zëvendësojë gjermani, Christian Schmidt.

Posti i përfaqësuesit të lartë, me statusin e misionit diplomatik në Bosnje dhe Hercegovinë, është formuar në pajtim me kornizën e Marrëveshjes së paqes në Bosnje dhe Hercegovinë, që njihet si Marrëveshja e Dejtonit, që është arritur më 21 nëntor, 1995, në bazën ushtarake në Dejton të Shteteve të Bashkuar. E njëjta u nënshkrua më 14 dhjetor, 1995 në Paris të Francës.

Përfaqësuesi i lartë në Bosnje dhe Hercegovinë ka autoritetin për “interpretimin final” të Marrëveshjes për zbatimin e aspekteve civile të Marrëveshjes së Dejtonit.

Nga 2009, kur Inzko u bë kreu i Zyrës së përfaqësuesit të lartë (OHR), deri në 2014, ai mori gjithsej 76 vendime, duke përdorur kompetencat e Bonit.

Kompetencat e Bonit i lejojnë Zyrës së përfaqësuesit të lartë të shkarkojë zyrtarët që e shkelin Marrëveshjen e Dejtonit ose ligjet në Bosnje si dhe mund të vendosë ndalesa të caktuara ndaj tyre.

Këto kompetenca u miratuan nga Këshilli i Zbatimit të Paqes (PIC) në Bosnje e Hercegovinë, gjatë një takimi në Bon të Gjermanisë, në dhjetor të vitit 1997.

blank

Heronjtë e defaktorizimit dhe të varfërimit të shqiptarëve! – Nga Kim Mehmeti

Mediat e Tiranës bëjnë me dije se Shqipëria ka humbur në gjykatën e Arbitrazhit nga shtatë kompani dhe se duhet të paguajë një borxh i cili kap vlerën e mbi 445 milionë eurosh. Sikur këto para t’u ishin ndarë shqiptarëve, çdonjëri nga ata do fitonte nga mbi njëqind euro, aq sa tani do duhet të paguajë për teket e Kryeministrit, i cili vetveten e ndjen si epiqendër të shqiptarisë, e vendin e vet si periferi të pavlerë me të cilën mund të bësh ç’të duash.

Ndërkohë, thuajse të gjithë ish-burrështetasit e Kosovës, i hidhërohen Kryeministrit aktual të vendit si të ishin zyrtarë të Beogradit, edhe atë vetëm pse ai tregohet aq kokëfortë ndaj Serbisë dhe asaj ia rikujton krimet e deritanishme që i ka bërë mbi shqiptarët. Dhe ata i hidhërohen sepse ai i përballë me turpin e tyre të deridjeshëm, kur paaftësinë e vet ata e mbulonin me kapotën Properëndimore dhe lëshimet ndaj Serbisë. Dhe kur verbëria zhvatëse nuk i lejonte të shohin se, nëpërmjet dialogut me Kosovën, Serbia vetëm  blenë kohë për t’u armatosur e për t’u bërë gati që ta realizojë ‘Botën Serbe’, siç ndryshe tani emërohet projekti i ‘Serbisë së madhe, e drejtë së cilës çon edhe ‘mini shengeni ballkanik’ aq i përkrahur nga Piktori.

Siç duket vetëm shqiptarëve të Maqedonisë u ndodhin të papritura të ‘këndshme’: shtohet numri i sllavo-maqedonasve që u rikthehen rrënjëve dhe të cilët, për t’u punësuar nëpër institucionet  shtetërore, deklarohen si shqiptarë. Me çka ‘rritet’ përqindja e shqiptarëve të punësuar neper institucionet e shtetit sipas ‘konceptit’ politik të kryetarit to BDI-së: më mire të punësohet një shqiptarë i përkohshëm i partisë maqedonase në pushtet se sa një shqiptarë i vërtetë që nuk e ka librezën e partisë së tij.

Por sidoqoftë edhe në Tiranë, edhe në Prishtinë e Shkup, flitet për anëtarësimin tonë në BE. Dhe  Brukselin e kemi shpallur kryeqendër tonë njësoj si dikur Beogradin, Moskën e Pekinin, e me çka edhe njëherë tregojmë se kemi jetuar dhe jetojmë në kohë për të cilat nuk kemi qenë, e nuk jemi të përgatitur.

Po pra, shumë nga burrështetasit tan ngjajnë në heronj të defaktorizimit dhe varfërimit tonë. E ndërkohë ata flasin për të ardhëm tonë më të mirë dhe për luftën kundër krimit e hajdutërisë. Me çka ta rikujtojnë të vërtetën se çdonjëri flet për atë që i mungon: i burgosuri për lirinë, prostituta për virgjërinë, e burrështetasit e ‘Shqipërive’ tona për ndershmërinë!

blank

Mirëbesimi i palëkundur midis Ankarasë dhe Beogradit

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan dhe presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq. Beograd, tetor, 2019.

Iva Martinoviq

“Në qoftë se kushdo sjell vendim për njohjen e Kosovës si të pavarur, në të njëjtin moment ne do të nisim fushatën për tërheqjen e njohjeve”, ka deklaruar, më 22 korrik, presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq.

Vuçiqi në këtë mënyrë i është përgjigjur paralajmërimit të presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, i cili ka thënë se do të punojë për njohjet e reja të Kosovës.

“E respektoj mjaft presidentin turk Erdogan dhe dëshirojmë marrëdhëniet më të mira me Turqinë, por ne e kemi vendin dhe interesat tona dhe ne do të sillemi në harmoni me to”, ka thënë Vuçiq gjatë një vizite në Kragujevc, qytet në Serbi.

Një ditë më herët, presidenti i Serbisë është thirrur në Marrëveshjen e Uashingtonit, të cilën, në shtator të vitit 2020, e ka nënshkruar me kryeministrin e atëhershëm të Kosovës, Avdullah Hoti, nën përkujdesjen e ish-presidentit amerikan, Donald Trump.

“Beogradi dhe Prishtina kanë obligim që të përmbahen nga fushata e tërheqjes dhe lobimit për njohjen e pavarësisë së Kosovës”, ka thënë Vuçiq, më 21 korrik, si dhe ka shtuar që lidhur me paralajmërimin e Erdoganit, do “të përpiqet që të bisedojë” me kolegun turk.

“Kjo nuk është turke”, ka thënë Vuçiq gjatë vizitës në manastirin Manasija, në lindje të Serbisë.

Çfarë ka thënë Erdogan?

Siç ka transmetuar, më 19 korrik, agjencia Reuters, Erdogani ka deklaruar që “shpreson të ketë mundësinë të flas me presidentin e SHBA-së, Joe Biden në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, lidhur me njohjen ndërkombëtare të Kosovës, në mënyrë që të punojmë së bashku që edhe më shumë shtete të njohin Kosovën”.

“Ne përpiqemi që sa më shumë vende në botë të njohin Kosovën”, ka thënë presidenti turk në prag të vizitës së tij në pjesën turke të Qipros.

Sipas listës së publikuar në faqen e internetit të Ministrisë së Jashtme dhe Diasporës të Kosovës, janë 117 vende që e njohin pavarësinë.

A do t’i luhatë, një paralajmërim i tillë, marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Turqisë, të cilat, gjatë viteve të fundit janë intensifikuar në planin politik dhe ekonomik?

Një gjë të tillë nuk e beson analisti politik Firat Hamdi nga organizata think-tank Feniks Politik.

“Vuçiqi do të thotë se diçka e tillë do të jetë e keqe, ndërkaq Erdogan do të thotë që do ta mbështesë pavarësinë e Kosovës, por kjo nuk do ta ndryshojë situatën e bashkëpunimit të tyre në terren. Turqia gjithmonë e ka mbështetur pavarësinë e Kosovës dhe nuk jam i sigurt se kjo është diçka e madhe”, ka vlerësuar Hamdi për Radion Evropa e Lirë.

Turqia e ka njohur Kosovën më 18 shkurt të vitit 2008, vetëm një ditë pasi që Prishtina e shpalli pavarësinë e vendit.

Hamdiu thekson që Erdogani dhe Vuçiqi janë “liderë pragmatikë”, të cilët fokusohen në pikat e bashkëpunimit.

“Ata e dinë se në cilat çështje mund të bashkëpunojnë dhe në cilat jo. Ata i injorojnë temat, në të cilat nuk mund të punojnë së bashku. Kosova është një prej atyre temave”, tha Hamdi, duke vlerësuar që Vuçiqi dhe Erdogani janë partnerë të mirë, të cilët janë orientuar, para së gjithash, në bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar të dy vendeve.

“Ata gjithashtu kanë vendosur që të mos fokusohen në problemet historike, në nacionalizmat turk dhe serbë, në mbështetjen (e Turqisë) për boshnjakët ose për mbështetjen serbe ndaj Republikës Serbe (entitet i Bosnjë e Hercegovinës)”, ka thënë Hamdi.

Pse Erdogani foli tash për Kosovën?

Drejtori ekzekutiv i organizatës joqeveritare Fondi BFPE për shoqëri të përgjegjshme, Marko Savkoviq, vlerëson që çështja e pranimit të Kosovës sërish do të jetë në rend të ditës në vjeshtë.

“Prandaj, secili vend ka arsyet e veta të brendshme për shkak të së cilave e njeh ose nuk e njeh Kosovën”, theksoi Savkoviq, duke potencuar vendin, në të cilin Erdogan dërgoi porosinë lidhur me Kosovën.

“Ai e tha këtë në Qipro dhe ai këtu e vendos Kosovën dhe Qipron Veriore në të njëjtin rrafsh, si shtete, gjegjësisht si entitete që luftojnë për njohje të shtetësisë. Do të shohim nëse kjo ka qenë vetëm për përdorim të brendshëm, për të inkurajuar turqit që jetojnë në Qipron Veriore dhe që mbështesin Erdoganin apo ka disa implikime më të gjera”, tha Savkoviq.

Erdogani, gjatë vizitës së tij dyditore në Qipro, ka deklaruar se rruga e vetme drejt paqes së qëndrueshme në atë ishull të Mesdheut Lindor, të ndarë etnikisht, është pranimi i zgjidhjes me dy shtete, si dhe ka paralajmëruar prani më të madhe të Turqisë në pjesën veriore të Qipros. Kjo deklaratë, siç kanë raportuar mediat botërore, e ka pakësuar shpresën për bashkimin e ishullit të ndarë.

Gjatë kohës së vizitës së Erdoganit në Qipron Veriore, autoritetet e turqve qipriotë kanë paralajmëruar hapjen e sërishme të pjesës së braktisur të qytetit Varosh për zhvendosje të mundshme, duke nxitur kështu kundërshtimin e Perëndimit, por edhe një qortim të ashpër nga grekët qipriotë, të cilët thonë se bëhet fjalë për rrëmbim të organizuar të tokës, ka transmetuar agjencia Reuters.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, e ka quajtur këtë paralajmërim si “provokues” dhe “të papranueshëm”, ndërkaq që brengosjen e ka shprehur edhe shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell.

“Përmirësimi” i marrëdhënieve me Perëndimin

Si një prej arsyeve të paralajmërimit të fushatës për njohjen e Kosovës nga Erdogan, analisti politik Firat Hamdi e thekson edhe tentimin e tij “për të kuruar marrëdhëniet e luhatura me Perëndimin”.

Bashkimi Evropian është ndërmjetësues në dialogun e Kosovës me Serbinë, në të cilin, si qëllim të fundit e pret arritjen e marrëveshjes gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve dhe njohjen e ndërsjellë të Kosovës dhe Serbisë.

Viteve të fundit, për sa i përket çështjes së Kosovës, Erdogan ka qenë “i qetë”, vlerëson Hamdi.

“Kjo ka ndodhur për shkak të marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Ankarasë, por Erdogan, gjithashtu, ka dashur që t’i intensifikojë marrëdhëniet e tij me Moskën. Turqia ka blerë nga Rusia sistemin raketor S-400”, përkujton Hamdi.

Për shkak të këtij veprimi, Uashingtoni ka vendosur sanksione ndaj Ankarasë, ndërkaq që Zëvendëssekretarja amerikane e Shtetit, Victoria Nuland ka deklaruar më 21 korrik se presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, është i vendosur që të mos i heq ato sanksione.

Nuland ka thënë se Biden mund të vendosë sanksione të tjera në rast se Turqia vazhdon të blejë armatim nga Rusia.

Kontesti rreth blerjes së sistemit mbrojtës rus S-400, kritikat e Shtëpisë së Bardhë për shkak të shkeljes së të drejtave të njeriut në Turqi, si dhe situata në Siri, janë vetëm disa nga pikat e kontestit ndërmjet Uashingtonit dhe Ankarasë.

Çfarë ka thënë Erdogan për Kosovën?

Në prag të vizitës në Beograd, në tetor të vitit 2019, presidenti i Turqisë, Erdogan, ka deklaruar për gazetën Politika se arritja e marrëveshjes lidhur me çështjen e Kosovës, e cila i kënaqë të gjitha palët e interesuara, është me rëndësi vitale për stabilitetin afatgjatë në Ballkan, në kuadër të së cilit, siç ka thënë ai, hyn edhe Turqia.

“Prandaj, mbështesim vazhdimin e procesit të dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, si dhe arritjen e marrëveshjes së qëndrueshme gjithëpërfshirëse, të bazuar në vullnetin e lirë dhe konsensusin e të dyja palëve”, ka thënë Erdogan për gazetën Politika.

Gjatë vizitës në Prizren, në tetor të vitit 2013, Erdogan, atëherë si kryeministër, në një tubim prej disa mijëra qytetarëve të Kosovës, kishte thënë që Kosova është vendi i tij i dytë.

“Të dashur vëllezër dhe miq, kemi historinë e përbashkët të kulturës dhe qytetërimit. Mos harroni, Turqia është Kosovë dhe Kosova është Turqi. Ne jemi aq të afërt, kështu që edhe autori i himnit turk, Mehmet Akif Ersoj, është nga Kosova, nga Peja”, ka thënë Erdogan në tubim, ku ishin të pranishëm edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi.

blank

Erdogan gjatë vizitës në Prizren në tetor të vitit 2013.

Në atë kohë, Qeveria e Serbisë kishte thënë që komentet e Erdoganit paraqisnin “shkelje të rëndë të së drejtës ndërkombëtare dhe ndërhyrje në punët e brendshme të Serbisë”.

U tha gjithashtu se deklaratat e tilla “dëmtojnë marrëdhëniet e Beogradit me Ankaranë dhe i pengojnë përpjekjet që Serbia i ka investuar për normalizimin e situatës në rajon, veçanërisht në Kosovë”.

Aleksandar Vuçiq, atëherë si zëvendëskryeministër i parë i Qeverisë së Serbisë, pati porositur që Kosova nuk është Turqi dhe pati kërkuar që Erdogan të kërkojë falje urgjentisht.

Si janë marrëdhëniet e sotme me Serbinë?

Erdogan ka qenë në Serbi dy herë, më 2017 dhe më 2019, ndërkaq që presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka qëndruar për vizitë në Turqi, në shtator të vitit 2020.

“Do ta ruajmë miqësinë”, kishte porositur Erdogan në vitin 2017, në Novi Pazar, qytet në jugperëndim të Serbisë, në rajonin e Sanxhakut.

Presidenti turk kishte theksuar që ai rajon, i banuar me popullatë shumicë boshnjake, është një nga urat më të rëndësishme që lidhin Serbinë dhe Turqinë dhe se ajo lidhje e fortë më së miri është reflektuar edhe në marrëdhëniet bilaterale të dy vendeve.

Ndaj konstatimeve të gazetarëve se Turqia e ka njohur Kosovën, presidenti i Serbisë, gjatë vizitës së Erdoganit, në vitin 2019, deklaroi se Ankaraja është udhëhequr me interesat e veta.

“Të mos i shesim mend Turqisë sepse nga kjo nuk ka kurrfarë dobie. Interesat tonë lidhur me atë çështje, janë ende të ndryshme. E falënderoj Erdoganin që pranoi që zgjidhja që do të arrijmë me shqiptarët, të jetë e pranueshme edhe për Turqinë”, kishte deklaruar atëbotë Vuçiqi.

Erdogani tha se Vuçiqi e dha përgjigjen më të përshtatshme.

Presidenti i Serbisë shumë herë i ka cilësuar marrëdhëniet e Serbisë me Turqinë, si “shumë të mira”.

“Duke iu falënderuar angazhimit të Erdoganit, është vendosur një mirëbesim i madh ndërmjet Serbisë dhe Turqisë dhe duke iu falënderuar atij, jemi duke ndërtuar marrëdhëniet më të mira, në historinë bashkëkohore, ndërmjet Serbisë dhe Turqisë. Kjo bëhet për interesat e të dy popujve dhe dy vendeve”, kishte thënë Vuçiq gjatë vizitës së Erdoganit, në vitin 2019.

“Turqia e vështron këtë hapësirë dhe ka fuqinë e saj të butë, të cilën e realizon pa ndonjë konfrontim. Ajo për të cilën ata kanë pasur sukses këtu, në njëfarë mënyre, është shumë më tepër nga ajo që Rusia pati sukses”, vlerësoi Marko Savkoviq.

Në dhjetor të vitit 2017, Serbia ia dorëzoi Turqisë, kurdin Cevtet Ayaz, pavarësisht rekomandimit të Komitetit të Kombeve të Bashkuara kundër torturës, që Serbia të përmbahet nga ekstradimi, sepse ekzistonte rreziku që ai mund t’u nënshtrohej torturave ne vendin e tij amë.

Shtetasi turk, kurdi Cevtet Ayaz, u dënua në Turqi me 15 vjet burg, për shkak të shkeljes së rendit kushtetues.

Ministrja e atëhershme e Drejtësisë e Serbisë, Nela Koburoviq, e kishte arsyetuar vendimin e Serbisë duke thënë që rekomandimi i Komitetit të OKB-së, kishte arritur pasi që ishte marrë vendimi për ekstradim.

Fokusi në ekonomi

Që nga ardhja në pushtet e Partisë Përparimtare Serbe të Aleksandar Vuçiqit, Turqia i ka rritur investimet në Serbi, si dhe praninë e kompanive të saj.

Në faqen e internetit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Serbisë thuhet që në këtë vend bëjnë biznes mbi 899 kompani turke, të cilat punësojnë rreth 10.000 njerëz.

Shkëmbimi tregtar ndërmjet dy vendeve, në vitin 2020, arriti në 1.19 miliard euro, ka thënë Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë.

Serbia dhe Turqia kanë nënshkruar 76 marrëveshje bilaterale, ndër të cilat janë: Marrëveshja për tregti të lirë e vitit 2009, Marrëveshja për bashkëpunim ekonomik, e po atij viti, Marrëveshje ndërmjet qeverive për bashkëpunim në fushën e projekteve infrastrukturore, Deklarata e përbashkët politike për vendosjen e Këshillit të lartë për bashkëpunim, në vitin 2017.

Gjatë vizitës së Erdoganit në Serbi, në vitin 2019, është nënshkruar Marrëveshja për mirëkuptim mbi patrullat e përbashkëta policore, e cila rregullon patrullat e përbashkëta të policisë serbe dhe turke.

Presidentët e Serbisë dhe Turqisë dhe anëtarët e Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës – Zhelko Komshiq, Milorad Dodik dhe Shefik Xhaferoviq – po atë vit kanë qenë të pranishëm në hapjen e punimeve për ndërtimin e një pjese të autostradës Beograd – Sarajevë. Erdogan dhe Vuçiq ishin nikoqirë të Samitit trelateral të Serbisë, Turqisë dhe Bosnjë e Hercegovinës, në të cilin ishin të pranishëm të tre anëtarët e Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës.

Konsorciumi amerikano-turk merr pjesë në ndërtimin e një pjese të autostradës në Serbi.

Në prill të vitit 2018, Erdogan bëhet qytetar nderi i Novi Pazarit, qytet ky më i madhi në rajonin e Sanxhakut, në Serbinë Jugperëndimore. Në këtë qytet, i cili është i banuar me shumicë boshnjake, Turqia financon rinovimet dhe ndërtimin e infrastrukturës.

Erdogan, gjithashtu, është presidenti i parë i Turqisë që ka vizituar Sanxhakun.

Në prill të këtij viti është hapur edhe konsullata turke në Novi Pazar.

Përgatiti: Bekim Bislimi
blank

Përgjimet e operacionit “Shpirti”/Gazetari shqiptar paguhej për denoncimin e grupeve rivale në media

Hetimet e SPAK dhe Anti-Mafias janë zgjeruar në Shqipëri në kuadër të operacioni ‘Shpirti’.

Burime për Report Tv bëjnë me dije se i dyshuar si pjesë e grupit është edhe një gazetar shqiptar, që lobonte për llogari të aktivitetit kriminal të të arrestuarve.

Gazetari dyshohet se ka marrë disa mijëra euro nga grupet kriminale për të denoncuar në media parcelat me kanabis të kundërshtarëve të tyre.

Gjithçka është zbuluar nga ‘i penduari’ i drejtësisë, i cili ka folur dhe ka rrëfyer.

Nga përgjimet e SPAK e Anti-Mafias rezulton se mes pjesëtarëve te grupit kriminal flitet për pagesa të konsiderueshme në euro që do paguhej në emisione dhe për gazetarët.

 

blank

Koha që vendburimet e naftës t’i “vjelë” shteti shqiptar – Prof. dr. ILIA FILI

Profesor- Doktor i NAFTES ngre ALARMIN: ALBPETROL me tejkalim objektivash? Eshtë koha që vendburimet t’i “vjelë” shteti shqiptar, ja çfarë duhet të bëhet


Para disa ditëve, si specialist në fushën e naftës dhe të gazit, më tërhoqi vëmëndjen një njoftim, në një portal, që evidentonte tejkalimin e objektivit të prodhimit të naftës nga kompania Shqiptare Albpetrol.

Shifrat e raportuara janë relativisht  të vogla, por ishte pozitiv fakti që pas shumë kohe po raportohej jo vetë realizim objektivash, por dhe tejkalim i tyre, që i përkthyer në gjuhen ekonomike do të thotë rritje e të ardhurave financiare si për vet kompaninë por dhe për detyrimet ndaj shtetit.

Më erdhi mire, që ky njoftim vinte mbas emërimit, por jo të plotë, në drejtim të Albpetrolit të një grupi specialistësh, me eksperiencën e nevojshme në sektorin e naftës, ndryshe me si ishte vepruar më parë kur stafi drejtues në qëndër dhe në bazë nuk i përgjigjej me formimin e tyre kërkesës për një drejtim tekniko profesional të kompanisë, por që i shërbente me mjaftë zell shefave që i kishin emëruar.

Albpetroli aktualisht ushtron aktivitetin e tij prodhues në disa fusha naftëmbajtëse, të cilat ju rikthyen në gjendje tejet të amortizuara, nga shfrytëzimi jo normal nga ai i kompanive konçensionare.

Rritja e prodhimit të naftës nga këto fusha, është pozitive dhe kështu duhet vazhduar. Duke shmangur ngjyrat politike, si specialist i fushës të naftës, dua të paraqes disa nga objektivat që duhet të realizoj Albpetroli për të kapur shifra reale të prodhimit të naftës nga vëndburimet e disponushme.

Por cilat duhet të jenë objektivat reale të Albpetrolit?  Mendoj se vetë kënaqësia mund të sjelli stanjacion, kur mundësitë janë reale që nga këto fusha të mund të merret një prodhim jo vetëm i stabilizuar, por dhe vazhdimisht në rritje.

Pikërisht si specialist i fushës të naftës, i nxitur nga njoftimi i më sipërmë, me dëshirën e mirë për rritjen e prodhimit nga fushat  ekzistuese naftë mbajtëse, mendova të parashtroj disa drejtime të mundëshme teknike e shkencore.

Koleg të mi, që kanë punuar në sektorin e naftës, i kanë shprehur në portale të ndryshme apo në publikime në gazeta, për rrugën që duhet ndjekë sektori hidrokarbur Shqiptar e veçanërishtë kompania shtetërore Albpetrol.

Së pari, mbështes vazhdimin e aktivitetit prodhues të naftë nxjerjes nga vet kompania Albpetrol, si një lëndë e parë strategjike ekonomike mjaftë e nevojshme dhe shumë fitim prurëse.

Ridhënia me konçension e këtyre vëndburimeve të mos vazhdojë.  AdministrImi i tyre nga Albpetroli,   do të sjelli përfitim ekonomik më të lartë, duke zgjidhur dhe shumë probleme sociale, të cilat aktualisht janë mjaftë të mprefta në dy qytetet naftëtare të Kuçovës dhe Patosit.

Vazhdimi i aktivitetit si kompani shtetërore, si shumë të vënde të tjera, e shoh si nevojë dhe domosdoshmëri nacionale e strategjike.  Albpetroli në programin e tij duhet të parashikoj investime si afat mesem por dhe afat gjatë, investime këto mjaft të nevojshme për rikthimin e këtyre fushave naftë mbajtëse në kushte normale pune, e me një infrastrukturë të ristrukuruar e të kompletuar si sipërfaqësore dhe të thellësisë.

Në këtë stad të gjendjes të Albpetrolit,  investimi duhet të sigurohet si nëpërmjet të ardhurave  aktuale “modeste” të  kompanisë, por kryesisht nëpërmjet kredive  bankare të cilat do të shlyhen nga rritja e stabilizimi i prodhimit të naftës nga fushat disponuese, eksperiencë kjo që tashmë ekziston në vëndin tonë.

Ky investim nuk mund të realizohet pa një staf të pregatitur si në aspektin teknik por dhe ekonomik në kupol dhe në bazë.

Së dyti, investimi në fushat naftë mbajtëse duhet të jetë i argumentuar dhe i mbështetur në studime e analiza teknike e shkencore të plota.

Personeli inxhinjerik është dhe duhet të jetë mjeku diagnostikus dhe shërues i fushave naftëmbajtëse.

Çdo fushë naftëmbajtëse ka problematikat e saja specifike, të cilat duhet ti specifikoj ky personel duke dhënë dhe recetat përkatëse.

Studimi i fushave duhet të jetë i vazhdueshëm dhe koherent duke i marrë si në tërësinë e tyre, në parcela  e deri në puse të veçantë. Kjo kërkon një staf të pregatitur teknik e shkencorë e të përgjegjshëm  si dhe angazhimin e mundshëm të forcave shkencore disponuese në vënd kudo ku ata ndodhen. Ky angazhim do të evidentojë dhe dokumentojë me përgjegjësi fenomenet dhe problematikat që shfaqin sektor e puse të veçantë. Analizimi i tyre me përgjegjësi do të sjelli pa dyshim dhe zgjidhjen e drejt dhe operative me objektiv ruajtjen dhe rritjen e fondit të puseve aktiv.

Në fushat naftë mbajtëse ekziston një numur i konsiderushëm pusesh jo aktiv, historia e punës të së cilëve është një objekt i veçantë studimi për rikthimin e tyre ne jetën aktive prodhuese.

Studimi dhe analiza shkencore e fenomeneve që pasqyrohet në jetën e çdo pusi dhe shtrirja në gjithë hapësirën e fushës naftë mbajtëse është dhe do jetë objektivi primar i punës  të çdo specialisti në sektorin ku punon apo në kupolën e Albpetrolit.

Stafi drejtues ka për detyrë dhe duhet të kordinojë dhe orientojë drejt gjithë punën shkencore, duke shfrytëzuar të gjitha kapacitetet njerëzore brënda dhe jashtë kompanisë, të gatshëm dhe të aftë,  si dhe duhet të realizojë një bashkëpunim shumë të ngusht me Universitetin si në realizimin e studimeve të përbashkëta teknike e shkencore,  por dhe në kualifikimin dhe pregatitjen e personelit të ri inxhinjerik, i cili lë shumë për të dëshiruar.

Kam patur mundësinë të shikoja bashkëpunimin e frutshëm, si më sipër trajtova të Institutit Francez të Naftës (IFP) me Universitetin Pierr e Marri Kyrri në Paris, eksperiencë kjo mjaftë me vlera dhe për ne.

Fushat tona naftë mbajtëse, e veçanërisht ato në karbonate, kanë problem kryesor inondimet nga ujrat fundor mjaft aktiv, përball një fluidi nafte asfalto bituminoze, që aktualisht  ka dhe një faktor gazor të ulët, në raport me fazën fillestare të zbulimit dhe vënies në punë të tyre.

Gjate fazave të ndryshme të përpunimit janë aplikuar regjime të ndryshme teknologjike në puse, ne varësi të kushteve konkrete të krijuara gjatë shfrytëzimit të vendburimit. Fillimisht puset janë vënë në shfrytëzim me fontanë, duke marrë sasira të konsiderueshme nafte, me debit mbi debitin kritik të lejuar.

Me rënien e energjise së shtresës dhe uljen e konsiderueshme të debiteve është kaluar gradualisht ne shfrytezimin me pompe thellësie. Kalimi nga puset me fontane, në puse me regjim teknologjik me pompë thellesie është reflektuar direkt në ndryshimin e depresionit të shfrytëzimit të puseve, duke e ulur atë.

Depresioni i lartë i shfrytëzimit të puseve në fazat fillestare të shfrytëzimit të vendburimit ka ndikuar negativisht në parametrat e përpunimit të vendburimit. Eksperienca jonë  e shfrytezimit të vendburimeve karbonatike flet per nevojën e kategorizimit të puseve ne vendburim sipas vendndodhjes së pusit, katit naftëmbajtës, debiteve, koha e përmbytjes etj. Prandaj, në varësi të këtyre kushteve, duhej pershtatur edhe regjimi teknologjik i shfrytëzimit të puseve.

Në disa raste, në puset me % të lartë uji, është zbatuar regjimi ciklik i shfrytëzimit, me pompë thellësie. Fakti i aktivizimit të disa puseve pas një periudhe qetesie dëshmon për një mundësi tjetër shfrytëzimi, në kushtet e puseve të përmbytur, sepse numuri i këtyre puseve rritet vazhdimit me kalimin e kohës.

Kalimi i vendburimit në faza të ndryshme shfrytëzimi ka nxjerr si domosdoshmeri ripërcaktimin herë pas here të regjimit teknologjik te puseve. Analiza e drejt dhe studimi i  plotë i fluideve që vjen nga pusi, si në sasi dhe cilësi, do të na ndihmoj të përcaktojmë drejt parametrat e shfrytëzimit të parcelave  e çdo pusi në veçanti. Përcaktimi i drejt i raporteve të fluideve duke marrë në konsideratë dhe cilësinë e naftave, me siguri do të sjelli dhe ritjen e prodhimit dhe uljen e marjes të ujrave nga këto vëndburime.

Naftat tona asfalto rëshinore, me viskozitete të larta nuk pranojnë marje me tempe të larta të fluideve, sic dhe janë rekomanduar dhe aplikuar në vëndburimet tona karbonatike nga disa specialistë e kryesisht të huaj. Tempet e larta të marjes sjellin rritjen e ndjeshme të ardhjes të ujrave fundor dhe uljen e pa dëshiruar të prodhimit të naftës. Nuk po  përmënd këtu dhe problemet si të trajtimit të fluideve, shpenzimeve të pa nevojshme të transportit por dhe të ri injektimit të këtyre ujrave në shtresë për të shmangur problemet mjedisore.

Eksperienca tashmë e vëndburimit të naftës në Visokë, ku nga një vëndburim gati i përmbytur, e ku ishte konsoliduar mendimi se vëndburimi ishte në ditët e fundit të jetës të tij, u rikthye në një punë normale dhe ku sasia e ujrave që trajtohet tani është shumë më e vogël.

Problemi tjetër që duhet analizuar dhe studjuar në kompleks është dhe përcaktimi drejt i tipit të rezervuarit  kjo në raport me pozicionin struktural.

Rezervuaret karbonate njihen si rezervuar shumë të vështirë për të karakterizuar vetitë kolektore të tyre. Vështirësia qëndron në faktin e pranisë se dy lloj porozitetesh: poroziteti i matriksit dhe poroziteti i çarjeve.

Për të kuptuar dhe interpretuar më mirë vetitë e shkëmbinjeve karbonate është e domosdoshme të njihet lidhja midis porozitetit të çarjeve dhe porozitetit të matriksit, e cila gjithmone ka qenë një sfidë e vështirë për gjeoshkencetarët.

Me i rendesishem, për të siguruar komunikim, është poroziteti i çarjeve. Në vlerësimin e aftësive magazinuese, dhe filtruese të shkëmbit karbonat, duhen marrë parasysh vlerat e të dy llojeve të porozitetit, të përmendura më sipër. Pranohet nga të gjithë studjuesit dhe është reale  se në vëndburimet karbonatike rolin kryesor në grumbulimin dhe lëvizjen e fluideve e luan sistemi i çarshmërisë, përcaktimi i drejt i të cilit ka një rëndësi të madhe por dhe që është një problem i vështirë.

Studimi i tij kërkon dhe prezencën e specialistëve të kualifikuar në këtë fushë, ku duhen analizuar gjithë treguesit e përfituar që nga etapa e shpimit e deri në ditët e sotme të shfrytëzimit.

Ky studim ka vlera jo vetëm për të përcaktuar parametrat e punës të çdo pusi por dhe për të gjykuar se cfarë ndodh në hapësirën midis puseve. Prezenca e dominimit të sistemit të çarshmërisë vertikale sjell dhe inondimin e shpejt të puseve por dhe varosjen e sasirave të konsiderushme të naftës në hapësirën midis puseve vertikal ekzistues, e vërtetuar kjo tani në vëndburimin e Visokës.

Gjithë informacioni i marrë gjatë shpimit, përvehtesimit, dhe shfrytëzimit të puseve në vendburimet karbonatike vërteton ndryshimin e vetive petrofizike të shkëmbit karbonate, jo vetëm nga një pus në tjetrin, por në disa raste, edhe në dy puse dublor te njëri- tjetrit. Këto ndryshime janë të pranishme kudo, në çdo pjesë të struktures si ne shtrirje, edhe në vertikalitet. Kjo e bën shumë të vështirë aplikimin e një regjimi shfrytëzimi ne puse të ndryshëm, të vendosur në pjesë të ndryshme të strukturës.

Ndryshimi i vetive kolektore nga një pus në tjetrin bën që të merren rezultate të ndryshme ne prodhimin e naftës, në ardhjen e ujit, dhe përmbytjen e puseve, në mos stabilizimin e regjimit të puseve, si edhe në shterpësinë e tyre.

Studimi i kujdesshëm i parametrave të fluideve si dhe evidentimi i sa më real i parametrave të rezervuarit  për parcela dhe puse të veçantë, do të na ndihmoj të përcaktojmë dhe dy drejtime themelore të veprimit në këto fusha naftëmbajtëse:

– aplikimi i metodave për frenimin e ujrave fundor dhe rritjen e prodhimit të naftës i aplikuar gjërësishtë sot në vëndburimet e naftës në botë me injektimin e polimereve të përshtatshëm me tipet e fluideve tona.

– mundësinë e shpimit të puseve të rinj vertikal apo dhe të orjentuar për shfrytëzimin e naftave në hapësirën midis puseve ekzistues, eksperiencë kjo mjaftë pozitive dhe e aplikuar me sukses në vëndin tonë, krahas asaj botërore.

Shpimi i puseve të orjentuar është i rëndësishëm, por që kërkon dhe kujdesin maksimal në përcaktimin e trajektores se tyre, për të shmangur prekjen e sektorëve të inonduar, probleme këto të ndeshura në aplikimin e tyre në vëndburimin e Visokës. Intensifikimi dhe rritja e prodhimit të naftës nga vëndburimet ekzistuese kërkon dhe një rivlerësim të potencialit ekzistues të rezervave të naftës në kushtet aktuale duke ballafaquar rezervat e vlerësuara në fazën e vënies në shfrytëzim me rezervat e nxjera. Natyrisht në kushtet e një avancimi të “dhëmbëzuar” të kontaktit naftë ujë dhe krijimit të konuseve vertikal të ujrave fundor e vështirsojnë shumë vlerësimin e rezervave aktuale ekzistuese.  Shpërndarja e puseve aktiv në vëndburime si në pjesën kulmore apo dhe ato periferike tregon kjart se tashme kemi një kontakt naftë ujë mjaftë të shregullt

Duke ju referuar shëmbullit të vëndburimit të Visokës, ku autori ka studjuar me shumë vëmëndje, rezulton se rezervat e llogaritura në fazën e zbulimit të vëndburimit janë konsumuar, ndërkohë që fusha vazhdon aktivitetin normal të punës. Ky është problem për gjithë vëndburimet tona e që aktualisht administohen nga Albpetroli e që kërkon vëmëndjen dhe  studime të  veçanta. Vëndburimet ranore të naftës shtrojnë problematika të tjera. Kështu vëndburimi i naftës në Patos, si vëndburim i vjetër ruan një numur të lartë pusesh jo aktiv.

Rishikimi dhe vlerësimi i çdo pusi është imediat jo vëm për të rivlerësuar objektin të cilin ai ka shfrytëzuar por dhe mundësinë e evidentimit të objekteve të tjerë naftë mbajtës.

Eksperienca e pusit 518, i cili mbas rivlerësimit dhe ndërhyrjes për eleminimin e problemeve teknike që ai kish, tregoi potencialin naftëdhënës të tij në vlera shumë të larta e me vetë ardhje, duke prezantuar dhe ekzistencën e kapeles gazore, që nuk njihesh deri në atë kohë për pjesën jugore të suitës Driza.

Fakti që shpimi i tyre është realizuar para 70 viteve, kur mungonin matjet e plota gjeofizike në puse, mbështetur tashmë në eksperiencën e fituar, kërkon rivlerësim të çdo pusi dhe të gjithë vëndburimit në tërësi. Një studim kompleks i gjithë fushës është një domozdoshmëri për riaktivizimin e tij.

Publikimin e mendimeve të mija që parashtova më sipër ma nxiti dhe një ftesë që më erdhi para do kohësh nga Albpetroli, për të marë pjesë në një konferencë teknike e shkencore, që u organizua nga Albpetroli dhe kompania konçensionare që ka marrë vëndburimin e Delvinës dhe që organizohej në vëndburim.

Të themë të drejtën ftesa më befasoi se ishim mësuar që në diskutime të tilla të asistonin vetëm specialistë të vet spektri politik që drejton Albpetrolin. Në këtë konferencë u prezantuan ide dhe projekte me mjaftë vlerë për këtë vëndburim nga të dy palët dhe nga pjesëmarsit e ftuar. U realizua  një debat teknik dhe shkencor, që me siguri do të ndihmoj sado pak kompaninë konçensionare por që do i krijoj  premisa mjaftë të mira dhe vet Albpetrolit për monitorimin e aktivitetit të kompanisë konçensionare.  Realizimi i konferencave shkencore për çdo vëndburim nafte e gazi pa dyshim ka vlera të veçanta, por veçanërisht për vëndburimet që disponon Albpetroli ka shumë vlera. Në këto konferenca do të diskutohen debatohen dhe do hidhen mendime të ndryshme teknike e shkencore që mund të marrin vlerë reale në aplikimin e tyre.

Tërheqja e mendimeve nga gama e gjërë e specialistëve të naftës, kudo ku ata janë sot, merrë vlera të veçanta për një shfrytëzim racional të vëndburimeve dhe rritjen e prodhimit të naftës e gazit, objektivi të cilit është sot para Albpetrolit.

Albpetroli, aktualish krahas sa trajtova më sipër,  është dhe para dhe një detyre sa të rëndësishme po dhe aq me përgjegjësi, si ajo e monitorimit të aktivitetit tekniko ekonomiko financiar të kompanive konçensionare, që ushtrojnë aktivitet në disa fusha naftë mbajtëse, për të cilën mendoj dhe sugjeroj një rishikim të zbatimit të termave të Marveshjes Hidrokarbure dhe të programeve ekonomiko financiare  të miratuara.

Zbatimi me konseguencë i programeve të miratuara dhe detyrimeve ndaj shtetit dhe Albpetrolit është detyrë e rëndësishme dhe imediate.

Kjo është detyrë primare e departamentit të Marveshjes Hidrokarbure dhe e stafit drejtues të Albpetrolit dhe AKBN, detyrë kjo që nuk mund të realizohet pa një staf të kompletuar të fushave teknike, ekonomike e juridike.

Eshtë domozdoshmëri dhe me mjaftë përgjegjshmëri përzgjedhja dhe vlerësimi i këtij stafi, për të realizuar objektivat që ka parashtruar shteti dhe Albpetroli kur ka dhënë me konçensione këto vëndburime.

Personalisht kam mendimin se këto kompani kanë detyrime të mëdha ndaj shtetit dhe për të cilat mund dhe duhet ndalur në një analizë mjaftë të detajuar, pasi kemi të bëjmë me një pasuri kombëtare e cila duhet të ketë peshën e saj të rëndësishme në buxhetin e shtetit dhe të mos ngelet thjesht në vjeljen e rentës minerale.

Ing.  ILIA FILI

Prof. Doktor i shkencave të naftë


Send this to a friend