VOAL

VOAL

Marin Mema: “Vini në Shqipëri e mendoni se do flemë? Këtu do t’iu thyhen dhembët!”

 

Gazetari Marin Mema ka reaguar pas deklaratës së deputetes Eleni Teocharus.

Ai ka përdorur gjuhë të ashpër duke thënë se “mund t’iu thyhen dhembët nëse i kërcisni shumë në vendin tonë”.

Ja reagimi i plotë i Memës:

Nje Eurodeputete greke nga Qipro erdhi ne Tirane ne emer te PBDNJ ( e cila ne leter duhet te jete nje parti qe bashkon , mbron, pa paragjykim te drejtat e njeriut) e tha se tashme na qenka momenti te mbrohen te drejtat e Vorio Epirit,per te mos perfunduar ne nje tragjedi siç ka ndodhur sipas saj me helenizmin qipriot. Nga krahu tjeter ministri i mbrojtjes grek kercellit dhembet nga kufiri perballe nje tjeter vendi antar te Natos siç eshte Shqiperia….

Ore te dashur fqinje a ju ndodh ndonjehere ne jete te lini menjane ekstremizmin e te jeni qytetare te thjeshte ?

Te mendoni se nuk eshte e drejte qe mijera njerez , popullesi civile te masakrohen , te vriten, tu hapet barku, te dhunohen gra e femije ? A ju ndodh te mendoni se ata femije kishin nena e baballare ? Se ata femije kishin prinder, gjysher ? A ju ndodh te mendoni se njeriu nuk eshte nje cope guri qe mund ta rrahesh me çekiç e ta gjysmosh e te mos ndjeje dhimbje ??? A mundet njehere te vetme te jeni njerez te thjeshte pertej politikes e te kujtoni mijera njerez te vdekur rrugeve sepse nuk ju la zgjidhje tjeter ? Po femijet qe nuk mundet te shikojne varrin e prinderve a i mendoni ? A ju duket e drejte kjo si qytetare, si nena e baballare, si njerez te thjeshte ?

Ju vini ne Shqiperi hyni e dilni e mendoni se ne do te fleme ? Do te vazhdojme te pranojme ? Do te ulim koken e do te krrusim shpatullat pa klithur ? Jo, pra jo !! Nuk ka me histori te tille. Ne kemi te drejten e zotit te klithim, te flasim , te tregojme, te ulurasim, sepse ata mijera njerez sot nuk kane as nje varr te prehern.

Ju flisni per te drejta te njeriut me Vangjel Ziun (shtate standartesh ne krye), por nuk thoni kurre sesi mundet te keni frike nga nje gazetar , qe mund te mos jete Marin Mema, por do te jete kushdotjeter qe kerkon te tregoje te vertetat.

Ju flisni per te drejta njeriu, por nje shkolle per shqiptaret ne Filat, Margelliç, Gumenice, Paramithi, Preveze, Parge, Arte, Negovan, Konice, Bellkamen, Plikat etj nuk e hapni. Bile ju as nuk i lejoni te ndihen shqiptare sikurse jane nga rrenjet. Ju nuk lejoni nje kamera e jo me nje shkolle. Ju flsni per te drejtat e njeriut , por kurre nuk pranoni nje varreze per çamet e masakruar, se pertej mendesive dhe justifikimeve tuaja, nuk besoj se femijet ne barke te nenes, ishin bashkepuntore me nazistet.

E pra ne nuk kemi frike nga e verteta, aspak, e aq me pak nga nje ekstremist qe fle gerxheve me ushtrite si per te treguar se jeni te fuqishem. Nuk kemi frike se jemi me te drejten e te verteten, nuk kemi frike sepse ne kurre s’kemi patur frike nga ekstremistet qe qarraviten sikur tu kene çjerre fytyren e tu kene vjedhur buzkuqin.

Nuk dua aspak ti futem çeshtjes se pronesise e perplasjeve ne Himare edhe pse familjes sime dikur pronat ne Libohove e Gjirokaster na i morri me para nen dore ne gjykata nje biznesmen i madh e i njohur grek qe ne fillim vitet 1990 kishte para te madhe ndryshe nga fisi yne. E pra ne kishim te drejte te nginim gjithçka ne kembe sepse na morren te drejten, por ne shqiptaret shpesh here kemi qene te tille, te urte, te permbajtur, duke pranuar edhe vendime te tilla. Ne nuk gerthitem se po na cenonin te drejtat, as se po na grabisnin, por pranuam korrupsionin e imponuar nga greku para-madh.

Ne kete rast nuk dua te futem ne debatet e Himares, edhe pse besoj se nuk eshte ndryshe Himara nga Tropoja, Kukesi, Durresi, Tirana, Vlora apo tjeterkund. E ne rradhe te pare ç’pune ka nje eurodeputete qipriote qe boll probleme ka ne ishullin e saj te merret me problemet shqiptare ? E keshtu gjithelloj figurash edhe nga ata qe dikur mbronin pronat e shqiptareve himariote , por qe sot per nje post deputeti kane shitur edhe breçkat bashke me rrenjet ???

Te dashur fqinje kohet e presioneve kane shkuar, kohet e ekstremizmave po ashtu, e bashke me to edhe kohet kur kercellitjet e dhembeve na shtangnin….

Nese doni Shqiperia ketu eshte, ka burra, ka djem, ka gra, ka femije, ka shqiptare, ju siguroj shume me europiane sesa ju , qe dine te duan e mbrojne kete vend. E pra ne do te kerkojme çdo te drejte tonen. Nuk ju pelqen ???? Ky eshte problemi juaj. Mund t’ju them veç keq; hapni syte, ngrini ura te verteta bashkepunimi, pranoni te bashkejetoni si europiane, te ecni bashke me ne ne Ballkanin e trazuar, e mos kercellisni fort dhembet se rrezikoni ne kete vend t’ju thyhen. E ne nuk jemi dentiste.

Skandali – Eurodeputetja greke në Tiranë: Jam mes greqizimit të Vorioepirit

Eurodeputetja greke e Qipros, Eleni Theocharous deklaroi dje nga Tirana se, “gjendem mes greqizmit të Vorioepirit, i cili prek këto toka të shenjta të një vendi grek të lashtë, që ka ngelur jashtë kufijve të shtetit grek”.

 

Eurodeputetja mori pjesë dje në takimin “Jo grabitjes së pronave, pro zhvillimit dhe integrimit në BE”, organizuar nga PBDNJ, Organizata Omonia, Aleanca për Mbrojtjen e Pronës së Bregdetit, Bashkimi himarjot i Amerikës dhe Bashkimi himarjot i Athinës. Ajo tha në fjalën e saj se sjell mesazhin e shpresës, luftës dhe fitores. Eleni Theocharous, i ka zhvendosur kërcënimet greke nga Parlamenti Evropian drejt Tiranës.

Ajo ka vlerësuar se ka ardhur momenti për rezistencën e fundit që grekët mund të bëjnë, duke sjellë në vëmendje tragjedinë e helenizmit qipriot. “Që atëherë kur kemi formuar frontin për Epirin kanë kaluar gjithë këto vjet dhe asgjë. Ne ndiejmë detyrim të mbrojmë të gjitha të drejtat e Vorioepirit. Greqizimi i Voriepirit do ishte ‘OK’, nëse qeveritë do i jepnin rëndësinë e duhur dhe duhet të ndodhë pa pretendime për territoret greke që ndodhen këtu. Pa rezistencën dhe irredentizmin e myslimanëve”, citon Ora News.

Duke rikujtuar raportin e Fleckenstein për integrimin e Shqipërisë, për të cilin u fol të martën e kaluar në PE, eurodeputetja theksoi: “Greqia e nxituar ka miratuar që Shqipëria të vazhdojë me integrimin, sepse ky vend kalon në nivel shumë të lartë të krimit dhe korrupsionit, ushtron presion me minoritetet dhe është një vegël e Turqisë, duke lejuar shkollat e myslimanëve”.

Eurodeputetja greke, Eleni Theocharous tha se Shqipëria duhet të lejojë të drejtën e shprehjes, të drejtën e qarkullimit të librave. Ndërsa shtoi se Greqia e ka ndihmuar Shqipërinë, ndaj asnjë shqetësim nga shqiptarët nuk është i justifikuar. Deklaratat e forta të eurodeputetes u bënë gjatë aktivitetit, ku pjesë ishte edhe kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule. Ai ka deklaruar se nuk mund të shkëputen pronat e Himarës tani, për aq kohë sa nuk i janë shkëputur në shekuj. Dule akuzoi kryeministrin Rama se po ndjek politika selektive në Himarë duke favorizuar interesat klienteliste.

“Nuk mund t’i shkëputej prona Himarës, se nuk ka ndodhur në shekuj dhe nuk mund të ndodhë tani”, tha Dule. “Janë 19 objekte në qendër të Himarës, pronarët e të cilëve kanë marrë njoftim se do t’i shkatërrohen pronat. Pikë së pari, janë himarjotët. Është Himara ajo që kërkon zhvillim. Janë investuar kursimet, kanë zhvilluar pronën. Gjendemi përballë spekulimeve të Ramës, i cili thotë se po shemben mbi 9000 objekte në gjithë republikën. Politikat në Himarë janë selektive dhe u shërbejnë interesave klienteliste”, tha Dule.

Berisha: “Rama ka muaj që kërkon takim, Putini është gati ta presë në Moskë”

Ish-kryeministri Sali Berisha, përmes një statusi në “Facebook” shkruan se kryeministri Rama ka kërkuar prej muajsh takim me Presidentin rus Vladimir Putin.

Këtë dëshirë, Rama e shprehu edhe dje në “Top-Story” në “Top-Channel”, duke thënë se Shqipëria nuk ka armiqësi me Rusinë.

Por për ish-kryeministrin, diçka fshihet pas këtij takimi. Ai përmend edhe të famshmen dosje “Mitrokin”, ku ish-zyrtari i KGB-së me të njëjtin emër, zbuloi para disa viteve të gjitha materialet sekrete dhe përgjimet e KGB-së, ku përmendej edhe Kadri Hazbiu, ish-ministër i Brendshëm, si edhe Zoi Themeli, kreu i Sigurimit të Shtetit, që mbanin lidhje me Moskën.

STATUSI

A kushtezohet takimi i Rames me Putin nga trashegimia e tij direkte aterore, pra dosja Mitrokin?!

Ta dashur miq, te vetmin lajm qe mediat arriten te veçojne nga monologu dy oresh i Rames me Ballen ishte deshira e tij per te takuar Vladimir Putinin.

Analistet e interpretojne kete si nje forme presioni ndaj BE per ndikimin e faktorit te trete ne Shqiperi ne rast te mos hapjes se negociatave nga BE. Kjo mund te jete e vertet, ndonese nje presion i tille mund te ndikoje ne te kundert.

Te tjere mendojne se i ati i Rames, i shkolluar dhe me shume se shkolluar ne Rusi eshte nje kalores i zi ne seksionin per Shqiperine te dosjes Mitrokin. Madje e marrin kete si te vertet te mirefillte.

Nuk mund te them se çfare fshihet ne deshiren e Rames per te takuar Putinin por e verteta eshte se prej shume muajve Rama kerkon takim me Putinin dhe ky i fundit ka rene dakord te presi Ramen sapo ky te plotesoj ca gjera te “vogla”! sb

U masakrua dhe më pas u dogj, ekspertiza për teknologun e Uzinës së Ballshit

Zbulohen detaje të tjera nga vdekja e teknologut të Uzinës në Ballsh, Shefo Duraj.

Ky i fundit u gjet i vdekur dhe me shenja në trup disa ditë më parë, dhe ishte shpallur i humbur që prej më shumë se dy javësh.

Kështu, sipas burimeve të “Panorama.al” brenda Policisë, thuhet se Duraj është masakruar dhe më pas është djegur dhe hedhur në pyll.

Dyshohet se ai është vrarë më 14 nëntor, teksa linte punën në turnin e tretë. Fillimisht policia e Fierit deklaroi se Duraj kishte vdekur në rrethana aksidentale, por u desh ekspertiza që të zbardhej se bëhej fjalë për një krim të mirëfilltë dhe të mirëpërgatitur.

Burime nga policia e Fierit thanë se, Duraj ishte goditur me mjete të forta fillimisht e më pas me thikë. Duket se autorët e kanë neutralizuar duke e qëlluar në kokë 57-vjeçarin e më pas e kanë qëlluar me thikë. Mjekët ligjorë konstatuan edhe faktin se vrasësit kanë dashur ta djegin trupin e viktimës, për të humbur çdo gjurmë.

Deri tani dyshimet janë për një konflikt të viktimës me banorë të fshatit, të cilët kanë ditur lëvizjet e tij dhe e kanë sulmuar ndërsa kthehej nga puna.

Sandër Lleshi: “Më 1974, 130 tonë libra bëhen karton, bibliotekat mbushen me veprat e Hoxhës”

NGA FATMIRA NIKOLLI

Ushtria moderne e Shqipërisë së re duhet të mbështetet në një filozofi të re, jo atë marksiste; në një strategji të re, jo atë të ngujimit; në një doktrinë të re, jo atë të bunkerizimit; në një arsimim të ri, jo atë të indoktrinimit; në një frymë të re, jo atë të mosbesimit; në një organizim të ri, jo atë të centralizimit; në një mision të ri – misionin e lirisë, jo atë të robërisë”. Për Sandër Lleshin, që ka marrë në shqyrtim veprimtarinë e ushtrisë shqiptare në vitet 1966-2011, ky është konkluzioni. Gjenerali që e ka nisur karrierën e tij ushtarake në vitin 1978 dhe ka qenë pjesë me detyrën e Zëvendësshefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura në vitin 2013, ka sjellë tanimë një studim me titull “Udhëheqja ushtarake, globalizmi dhe Rasti i Shqipërisë”(Onufri).

Sipas tij, periudha pas Luftës së Ftohtë dhe rrugëtimi i suksesshëm drejt integrimit në NATO nuk kanë mjaftuar për një ndryshim të mirëfilltë të sistemit në rrënjët e tij. “Ende sistemi shqiptar mbetet në thelb një sistem që nuk ka lidhje të mirëfilltë me drejtimin nëpërmjet misionit. Ndonëse gjatë 20 viteve të fundit është folur jashtëzakonisht shumë, është shkruar shumë dhe është zhvilluar jo pak mësim për drejtimin nëpërmjet misionit, në realitetin e funksionimit të Forcave të Armatosura ai ende mbetet një koncept i pakuptuar mirë, gjerë dhe thellë”, – nënvizon Lleshi në konkluzionet e studimit.

Po aty, si për ilustrim, ai vëren se “nëse në vitin 1966 rregullorja e brendshme e Ministrisë së Mbrojtjes u jepte detyra dhe kompetenca drejtorëve të Ministrisë dhe të Shtabit të Përgjithshëm, rregullorja e vitit 2011 u jepte atyre vetëm detyra, por jo kompetenca”. Në këtë pikë, ai shton se tendenca drejt një centralizimi përherë në rritje ka shoqëruar zhvillimin e FA në periudhën që analizohet në këtë studim. “Centralizimi në rritje paraqet një zhvillim të dëmshëm, për faktin se është një zhvillim që ka ardhur në kundërshtim me tendencën historike botërore, e cila jo vetëm në fushën ushtarake, por edhe në fusha të tjera si ekonomia, politika etj., ka njohur në vijimësi një tendencë decentralizuese”. Mbasi ka shqyrtuar “strategji” a urdhra komikë, në këtë pjesë të tretë që “GSH” boton nga libri, ndalemi te koha kur literatura e huaj asgjësohej e kthehej në karton, dhe bibliotekat ‘mbusheshin’ me historinë e Partisë dhe veprat e shokut Enver.

IZOLIMI NGA BOTA
Qëllimi për të ruajtur “çdo pëllëmbë tokë” duket më shumë si një deklaratë metaforike. Shndërrimi i tokës në qëllim final jo rrallë mund të kthehet në një qëllim në vetvete. Por në luftën moderne qëllimi i vërtetë është fitorja përfundimtare. Në funksion të këtij qëllimi, vihen në lojë përkohësisht edhe jetë njerëzish, burime të tjera, madje edhe “pëllëmbë të cak-tuara” të territorit. Me anë të tyre bëhen manovrat taktike, operacionale dhe strategjike, pa të cilat nuk ka luftë të suksesshme. Në kushte të kufizimeve të përmendura më sipër, dhe të shumë të tjerave që nuk janë përmendur, çdo strateg ushtarak do ta kishte të vështirë, që duke vënë përballë forcat e veta dhe ato të kundërshtarëve të gjente formulën e fitores.

Truri që duhej të zgjidhte ekuacionin e stërndërlikuar përfaqësohej nga ushtarakë të formuar në shkollat e vendit apo në shkollat lindore, kryesisht sovjetike. Nga mesi i viteve ’70 edhe numri i ushtarakëve me formim në shkollat ushtarake lindore pësoi ulje të thellë për shkak të goditjeve të rënda politike që pësoi lidershipi ushtarak. Klima e përgjithshme e krijuar në ushtrinë shqiptare në mesin e viteve ’70, pas goditjes së Beqir Ballukut dhe Petrit Dumes, ishte thellësisht diskriminuese për ushtarakët e formuar jashtë vendit. Vetëm për ilustrim meriton vëmendje citimi i Mehmet Shehut në Aktivin e Partisë së Ministrisë së Mbrojtjes Popullore, të zhvilluar në Durrës më 13.07.1974: “Është interesante, shokë, që të dy bashkëpunëtorët e Beqir Ballukut janë me akademi italiane. ‘Mama mia! U frikësuat ju, por aq më tepër kur ju tha ministri i Mbrojtjes. Ju s’jeni armiq, por frikacakë. Por që të dy ju, do të bëheni trima, sepse partia do t’ju ndihmojë.

Edhe ata që kanë mbaruar në Bashkimin Sovjetik kanë mbeturina të asaj shkolle. Ai që thotë se jo, mua më duket se gënjen. Edhe unë, sa herë mendoj për çështjet ushtarake, them se mos më kanë mbetur mbeturina të akademisë sovjetike”. Duket qartë se e vetmja gjë që kërkohej prej atyre që ishin formuar në shkolla të huaja ishte të harronin ato çfarë kishin mësuar. Duke qenë se kjo nuk ishte shpeshherë e mundur, kuptohet se largimi i tyre nga ushtria ishte rruga më e sigurt. Vendin e tyre filluan ta zënë drejtues të formuar në vend, e për më tepër, pa asnjë lloj formimi ushtarak, që vinin nga “radhët e klasës punëtore” apo të “fshatarësisë kooperativiste”.

Izolimi apo eliminimi i elitës solli si pasojë që planifikimi strategjik dhe zgjidhjet strategjike të kryheshin nga një trupë e re drejtuese, e cila ishte krejtësisht e izoluar nga zhvillimet moderne. Në rastin më të mirë kjo trupë drejtuese zotëronte një nivel rudimentar mendimi strategjik që i referohej Luftës së Parë Botërore. Është në interes të ilustrimit të këtij konkluzioni fakti se një referat voluminoz, i mbajtur nga Zëvendësministri i Mbrojtjes Popullore në Komitetin Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë në vitin 1979, që trajton strategjitë ushtarake të kundërshtarëve potencialë, me të cilët Shqipëria llogariste një përballje të mundshme ushtarake dhe që u ishte dërguar akademive ushtarake si referencë e rëndësishme, mbështetej vetëm në këtë bibliografi: 1. D.O. Smith, “Doktrina ushtarake e SHBA-së”, botim rusisht, 1956 2 .”Strategjia ushtarake” (sovjetike), botim rusisht, 1963, 3. “Mbi shkencën ushtarake sovjetike”, botim rusisht, 1964, 4. “Taktika”, botim rusisht, viti 1966, 5. “Kurs i filozofisë m-I”, botim rusisht, 1974.

Shembulli i mësipërm evidenton se cili ishte niveli njohjes së strategjive të kundërshtareve me të cilët planëzohej ballafaqimi ushtarak nga udhëheqja më e lartë e vendit. Referenca më e “re” ushtarake ishte e viteve ’60, në një kohë që në realitet, siç mund të verifikohet edhe nga ky studim, SHBA edhe Bashkimi Sovjetik i kishin modernizuar në vijimësi mendimin strategjik, teknikën, taktikën, teknologjinë etj. Do të mjaftonte vetëm shembulli i mësipërm për të mbyllur argumentin e shkëputjes dhe izolimit total të mendimit strategjik shqiptar nga rrjedhat botërore. Të gjitha zgjidhjet që lindnin në kushtet e izolimit total, fizik dhe mendor nga bota, ishin të mirëfillta autentike, e kësisoj të “dënuara” për dështim. Vaniteti i lindur në një mjedis të izoluar e çonte, për shembull, Mehmet Shehun deri aty sa të pohonte se “Jugosllavia ka vjedhur tezat tona për luftën popullore dhe duke u bërë disa korrigjime, sipas kushteve të terrenit të saj të gjerë ka organizuar një mbrojtje të mirë”.

SPASTRIMI I BIBLIOTEKAVE
“Spastrimi” i udhëheqjes politike dhe ushtarake të Forcave të Armatosura në vitin 1974, ndër të tjera, ishte pasuar edhe nga një “spastrim” radikal i bibliotekave nga fondet e literaturës së huaj. Izolimi përherë në rritje, paranoja ideologjike dhe dogmatizmi ekstrem kishin inkurajuar bindjen se vendi nuk kishte më nevojë për diturinë dhe përvojën që vinte nga bota. Dukej se mesi i viteve ’70 ishte edhe viti i shkëputjes edhe për fijet e vetme që kishin mbetur. Tashmë dukej se edhe për librat apo revistat profesionale të huaja nuk kishte më vend në Shqipëri. Në zbatim të orientimeve politike të Komitetit Qendror të PPSH dhe të urdhrit përkatës të ministrit të Mbrojtjes Popullore në vitin 1974, zhvilloi veprimtarinë e tij një “komision qendror” dhe disa komisione të tjera të ngritura pranë strukturave të FA. Pas një pune të gjatë dhe shumë voluminoze, literatura e seleksionuar u dërgua për asgjësim “pranë Fabrikës së Kartonit në Tiranë dhe asaj të Letrës në Lushnjë”.

Sipas një dokumenti të kohës, ushtria shqiptare kishte kthyer në karton rreth 130 tonë libra e revista që përfaqësonin 133 tituj, ose 123.256 ekzemplarë. Nga e gjithë literatura ishin ruajtur vetëm nga 2 kopje për Arkivin Qendror të Ushtrisë. Duket si ironi fakti se këtë aksion të pashembullt asgjësimi e shoqëronte procesi i “pasurimit” të bibliotekave me literaturë vendase.

Në një dokument të Drejtorisë Politike, i cili i drejtohej ministrit të Mbrojtjes Popullore më 04.12.1974 shkruhej: “Për të shtuar fondin e bibliotekave të ushtrisë me Historinë e Partisë dhe veprat e shokut Enver, me fondet e Drejtorisë Politike, kohët e fundit, u blenë dhe u dërguan në njësi e reparte 680 copë tekste të Historisë së Partisë dhe 9.065 copë vepra të shokut Enver Hoxha. Gjithashtu iu dhanë fonde plotësuese të gjitha njësive të ushtrisë për të blerë të tilla vepra në libraritë e rretheve”. Procesi i izolimit total, jo vetëm në fushën e politikës, të ekonomisë, të ushtrisë etj., por edhe në fushën e mendimit, ishte me pasoja të jashtëzakonshme për të gjitha zhvillimet që do të pasonin edhe në fushën e mbrojtjes. Në kushte të një izolimi të plotë dhe të mungesës së një zbulimi të mirëfilltë strategjik, mendimi ushtarak kishte gjetur gatishmërinë e përhershme si “zgjidhje” për përballimin e befasisë së sulmit të kundërshtarit.

Sherr mes Ditmir Bushatit dhe vëllait të ministrit të LSI, “Të q*fsha ropt”, dalin SMS-të (Foto)

Voal – Një sherr ka ndodhur brenda mazhorancës. Vëllai i ministrit të Mjedisit, Lefter Kokës, Leonard Koka ka patur përplasje të ashpra me Ministrin e Jashtëm, Ditmir Bushati.

Kështu, “Syri.net”, publikoi disa SMS ku Leonard Koka bënte sherr me SMS me ministrin Bushati për emërime në këtë dikaster. Në një moment, madje ai edhe e shan ministrin Bushati. I kontaktuar nga “Panorama.al”, Leonard Koka ka pranuar se SMS-të janë autentike.

Ai ka thënë se biseda me ministrin në “whatsapp” është bërë rreth 1 orë para publikimit të lajmit mbi përplasjen. Koka ka thënë se ministri Bushati është person i korruptuar dhe se merr para për emërimet në trupin diplomatik dhe nëpër ambasada dhe konsullata. Ai tha gjithashtu se do ta denoncojë ministrin Bushati. Kujtojmë se Leonard Koka është një nga personat që ka ndërmjetësuar mes Metës dhe Ramës për marrëveshjen e 1 prillit që u finalizua me koalicionin PS­-LSI që fitoi zgjedhjet në vitin 2013, shkruan “Panorama”

Image

Policia italiane sekuestron 1 ton marijuanë nga Shqipëria

Policia italiane njoftoi operacione të reja ndaj trafikantëve të marijuanës nga Shqipëria.

Sipas burimeve zyrtare policore nga Leçe, zonës kufitare detare me Shqipërinë, forcat e antidrogës kanë bllokuar rreth një tonë marijuanë duke arrestuar edhe katër shtetas shqiptarë.

Sasitë e narkotikëve dyshohet se mbërritën nga Shqipëria në Itali përmes hapësirës detare ndërkohë që rrjetit të trafikantëve i janë bllokuar edhe armë. Operacione ndaj narkotikëve janë kryer edhe në territorin shqiptar.

Dy ditët e fundit policia shqiptare ka bllokuar në operacione kontrolli rreth 300 kilogramë marijuanë në Portin e Durrësit, Pikën Kufitare të Kakavijës dhe Fier.

Rastet e shtuara të trafikut të marijuanës kanë nxitur Prokurorin e Antimafias së Leçes Kataldo Motta të takohet në Tiranë me autoritete prokurorisë shqiptare dhe Policisë për të bashkërenduar hetimet ndaj trafikut në hapësirën detare mes të dy vendeve. Autoritetet shqiptare po përballen me raste të shtuara të trafikut pas përmasave të kultivimit të narkotikëve në shumë zona të Shqipërisë.

700 kg kanabis, arrestohet në Rinas biznesmeni Kacjolin Zefi

Biznesmeni nga Shkodra, Kacjolin Zefi është arrestuar nga policia dy ditë pasi në Portin e Durrësit u kap një kamion i firmës së tij u kap me 700 kg kanabis. Arrestimi i 51-vjeçarit u bë në aeroportin e Rinasit, ndërsa po kthehej nga Italia.Më 27 nëntor, në Portin e Durrësit, gjatë kontrollit të ushtruar në vijën e dytë në automjetin tip kamion “Iveko” me targa AA 475 LO  që drejtohej nga shtetasi L.S., u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës material 497 pako me peshë rreth 700  kg lëndë narkotike e dyshuar e llojit kanabis sativa.

Në Shqipëri shënohet 72-vjetori i Çlirimit

Ceremonia qendrore është organizuar në Varrezat e Dëshmorëve në Tiranë, ku drejtuesit më të lartë të shtetit shqiptar kanë vendosur kurora me lule tek monumenti “Nënë Shqipëri”

TIRANË – Në Shqipëri sot shënohet 72-vjetori i Çlirimit të vendit nga pushtuesit nazi-fashistë dhe me rastin e kësaj dite që kremtohet si festë zyrtare janë zhvilluar disa ceremoni në të gjithë vendin.  Ceremonia qendrore është organizuar në Varrezat e Dëshmorëve në Tiranë, ku drejtuesit më të lartë të shtetit shqiptar kanë vendosur kurora me lule tek monumenti “Nënë Shqipëri”.

I pranishëm në ceremoninë e homazheve ishte kryeministri Edi Rama, kryetari i Kuvendit Ilir Meta, ministra të kabinetit qeveritar veteranë të luftës nacional-çlirimtare, si dhe qytetarë të ardhur nga disa qytete të vendit.

Zyrtarët e lartë të vendit kanë bërë homazhe tek Varrezat e Dëshmorëve, për të përkujtuar të gjithë dëshmorët e rënë në luftën për çlirimin e vendit. Ndërkohë pas ceremonisë së homazhe, Rama dhe Meta kanë zhvilluar një takim në Tiranë me veteranët.

Ceremoni të ngjashme janë organizuar në të gjitha qytetet e vendit, ndërsa Bashkia e Tiranës siç edhe është bërë tradite prej shumë vitesh do të organizojë “Natën e Bardhë”, e mbushur me disa aktivitete artistike.

Kujtojmë se 72 vite më parë, Shqipëria u çlirua nga pushtuesit nazi-fashistë pas një lufte 5 vjeçare.

Ndërsa me rastin e festave të nëntorit, në hollin kryesor të Muzeut Historik Kombëtar është hapur ekspozita me temë: “104-vjetori i shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë”, e cila organizohet si një bashkëpunim i Muzeut Historik Kombëtar me Qendrën Mbarëkombëtare të Koleksionistëve Shqiptarë.

Në ekspozitë prezantohen flamuj kombëtarë, bustet e disa prej anëtarëve të Qeverisë së Përkohshme të Vlorës, vula të administratës së kohës, periodikë, materiale etnografike me simbole kombëtare, fotografi origjinale të kohës, libra, etj.

Rreth Flamurit të përbashkuar – Hymni i Flamurit Nga Asdreni

Rreth flamurit të përbashkuar

Me një dëshir` e një qëllim,

Të gjith` atij duk` ju betuar

Të lidhim besën për shpëtim.

Prej lufte veç ay largohet

Që është lindur tradhëtor,

Kush është burrë nuk frikohet,

Po vdes, po vdes si një dëshmor!

Në dorë armët do t`i mbajmë

Të mbrojmë atdhenë më çdo kënd,

Të drejtat tona ne s`i ndajmë;

Këtu armiqtë s`kanë vënt.

Se Zoti vetë e tha me gojë

Që kombe shuhen përmi dhe,

Po Shqipëria do të rrojë;

Për të, për të luftojmë ne!

O flamur, flamur, shenj` e shenjtë,

Te ty betohemi këtu,

Për Shqipërin` atdhen` e shtrenjtë,

Për nder` edhe lavdimn` e tu.

Trim, burrë quhet dhe nderohet

Atdheut kush iu bë theror;

Për jet` ay do të kujtohet

Mbi dhe, nën dhe si një shenjtor!

Himni i Flamurit është himni kombëtar i Shqipërisë që nga shpallja e pavarësisë më 1912. Himni, shkruar nga Aleksander Stavre Drenova, njihet zyrtarisht në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë si Himni I Flamurit.

Sipas Lagush Poradecit, ky u zgjodh si himni i Shqipërisë sepse: “… kjo ngjau se populli e gjeti të pëlqyer; vetë e dëshiroi ai ashtu, nga gjiri i tij i dha trajtën dhe frymën, vetë e shënjtëroi, duke e dashur me zemër gjer në therori dhe më shumë e përtej vetëtherorisë. Me të luftuan çetat e kryengritjes që ishin nëpër gjithë viset e Atdheut, dhe vdiqën vdekjen e ëmbël dëshmorët e lirisë. Me të u ngrit Flamuri në Vlorë…”. Me pak fjalë, kjo do të thotë që ngritja e flamurit nën tingujt dhe fjalët e “Betimit mbi flamur” ishte vetëm një akt formal nga ana e Ismail Qemalit për ta njohur këtë këngë si këngën tonë kombëtare.

“Himni i Flamurit” ështe i vetmi himn në botë që i kushtohet simbolit të flamurit.

albania-flag-15

BERND FISCHER – GJERMANI I FUNDIT U LARGUA NGA SHQIPËRIA MË 4 DHJETOR 1944

Voal –  Në prag të kremtimit të 100-vjetorit të Pavarësisë dhe Ditës së Çlirimit të vendit nga pushtimi nazist, historianët nxjerrin fakte të reja të cilat risjellin sërish në vëmendje debatin politik mbi datën e çlirimit.

Historiani Bernd Fisher tha se ekzistojnë dy raporte për Shqipërinë të publikuara në vitin 1945, njëri i shkruar nga misioni diplomat amerikan që ndodhej në atë periudhë në Shqipëri dhe tjetri i përpiluar nga gjermanët.

Sipas raportit të shkruar nga gjermanët thuhet se gjermani i fundit u largua nga territori shqiptar më 4 dhjetor.

“Ushtria gjermane kishte në Shqipëri përfaqësuesin e tij i cili përpilonte raporte të hollësishme mbi situatën. Të dyja raportet, ai amerikan dhe gjerman ndryshojnë shumë nga njëri-tjetri.Në raportin amerikan, flitet me nota pozitive për regjimin e Hoxhës, për shqiptarët dhe luftën e tyre, ndërsa raporti gjerman kuptohet se përdor një gjuhë krejt ndrshe për shqiptarët.Por në raportin gjerman dalin fakte të reja historike që mund t’i shërbejnë debatit tuaj mbi datën e clirimit të vendit pasi në të thuhet qartë se ushtari i fundit gjerman është larguar nga Shqipëria në datën 4 dhjetor”, tha Fisher.

Drejtori i Institutit të Historisë Beqir Meta tha se historianët shqiptarë kanë nxjerrë fakte e analiza të reja mbi historinë e Shqipërisë nga Periudha e Rilindjes dhe deri në Periudhën e Komunizmit.

Këto deklarata u bënë gjatë Konferencës Ndërkombëtare për 100-vjetorin e Pavarësisë, ku morën pjesë historianë të njohur shqiptarë dhe të huaj.

Botohet ‘Ballkani Faustian’, libër i ri diplomatit Shaban Murati

 

Doli nga shtypi libri i ri i diplomatit, studiuesit dhe analistit të mirënjohur diplomatik, Shaban Murati, “Ballkani Faustian”, botim i Fondacionit Kulturor “Alsar”. Është një vështrim i thellë analitik për zhvillimet më të rëndësishme politike dhe diplomatike të rajonit tonë gjatë dhjetë viteve të fundit, nga një prej ekspertëve më të mirë shqiptarë të Ballkanit, të diplomacisë dhe të çështjeve ndërkombëtare.
Autori ka përqendruar analizat e tij në çështjet më të rëndësishme, më tipike dhe më interesante në vendet e rajonit dhe në krejt rajonin. Është hera e parë që në një botim antologjik deshifrohen zhvillimet e reja rajonale në një interpretim dhe në një këndvështrim diplomatik. Kemi një optikë shqiptare, një mendim diplomatik shqiptar të zbërthimit të ngjarjeve, prapaskenave, prirjeve, personaliteteve, marrëdhënieve dypalëshe dhe shumëpalëshe në rajon dhe kjo e bën librin tepër interesant për lexuesit shqiptarë në të gjitha trevat. Kjo optikë shqiptare zhbiron në ngjarjet rajonale në kohën kur ato janë në zhvillim e sipër dhe jo kur ato janë bërë histori. Analiza dhe interpretimi i zhvillimeve në lëvizje është gjinia dhe modeli më i vështirë i kërkimit dhe kjo i jep librit peshën dhe vlerën e një manuali tepër të dobishëm diplomatik.
Në të gjitha analizat e tij për zhvillimet në vende të veçanta apo në raportet e vendeve të Ballkanit me njëri-tjetrin apo me fuqi jashtë Ballkanit, autori është nisur gjithmonë nga këndvështrimi i efekteve që kanë apo mund të kenë këto zhvillime për interesat e Shqipërisë dhe të kombit shqiptar. Ndaj dhe në libër dominojnë analizat për marrëdhëniet aktuale të Shqipërisë me Serbinë dhe me Greqinë, dy fqinjët problematikë të historisë dhe të interesave jetike shqiptare. Në këtë linjë tematike autori analizon me çështjet, tezat dhe tensionet më të reja në raportet shqiptaro-serbe dhe shqiptaro-greke, siç janë ato për formulën franko-gjermane si model për Shqipërinë dhe Serbinë, për pajtimin midis shqiptarëve dhe serbëve, përplasjet e interesave dhe rivalitetet midis dy shteteve në ditët e sotme, etj. E njëjta hapësirë u jepet raporteve me Greqinë, ku trajtohen problemet dhe përplasjet e reja me qeverinë e Aleks Ciprasit, etj. Spektri i tematikës së gjerë të librit përfshin zhvillimet e brendshme në Serbi, Greqi, Rumani, Bullgari, Bosnjë, etj., ashtu dhe marrëdhëniet dypalëshe të shteteve ballkanike me njëra-tjetrën, etj. Në analizën e problemeve të brendshme të shteteve ballkanike, autori zgjedh ato me karakter përgjithësues, që hasen jo vetëm në shtetin përkatës, por në krejt rajoin siç
është korrupsioni, çështja e spiunëve të Sigurimit, çështja e pronave, etj. Në libër janë të analizuara
edhe raportet dhe taktikat aktuale politikës së fuqive të mëdha si Rusia dhe Kina në Ballkan. Tematika diplomatike është krejtësisht të re dhe e parrahur në literaturën politike e diplomatike të Shqipërisë. Libri “Ballkani Faustian” në 100 analizat e tij diplomatike synon të zbërthejë enigmën e prapambetjes shtetërore ballkanike dhe të zvarritjes së integrimit europian dhe perëndimor të Ballkanit. Fryt i një përvoje unike dhe të gjatë prej disa dekadash në fushën e politikës së jashtme dhe të diplomacisë, libri ka vlerë të veçantë, sidomos për rekomandimet e mprehta dhe mësimet e qarta, që nxjerr nga zhvillimet në marrëdhëniet dypalëshe dhe shumëpalëshe të rajonit.
Janë mësime, të cilat marrin vlera udhërrëfyese për diplomacinë tonë, për institucionet dhe shtetin
shqiptar, në planetin e komplikuar ballkanik. Libri përbën një kontribut të ri të diplomatit dhe studiuesit Shaban Murati në mendimin diplomatik shqiptar. (Gazeta Shqiptare)

Kardinal Ernest Troshani kryen shërbesën e parë

 

Në shërbesën e tij të parë në Shqipëri si Kardinal, dom Ernest Troshani, bekoi sot varrezën e përbashkët në Shkodër, ku gjatë regjimit komunist u pushkatuan dhjetra martirë të fesë dhe atdheut.

Kardinal Troshani tha se kishte përjetuar pushkatimet e disa prej figurave më të njohura të klerit, ndërsa apeloi për paqe, begati dhe ndihmë për njerëzit në nevojë.

Të shtunën, në Vatikan, në një ceremoni të veçantë, Papa Françesku pranoi zyrtarisht si kardinal priftin shqiptar, dom Ernest Troshanin, i cili është kardinali i dytë shqiptar.

Homazh për shkrimtarin dhe poetin e mirënjohur Novruz Xh.Shehu – Nga Keze Kozeta Zylo

Jeta është e mbushur me plot të papritura që mbart natyrshëm gëzimin dhe hidhërimin brenda saj…  Dhe vjen një dite si kjo sot, kur përballesh me një lajm shumë të hidhur që ta kanë servirur në tryezën e ekranit të përbashkët përreth globit si kupë helmi me ndarjen e parakohshme nga jeta të shkrimtarit dhe poetit të mirënjohur të ndjerin Novruz Xh.Shehu.  Lajmin trishtues e ka shpërndarë me pikëllim i biri I tij, një lajm që përhapet si vetëtimë me shpejtësi, sepse është një lajm që lajmëron ikjen nga kjo botë të një Njeriu, ikjen nga kjo botë të një babai, ikjen nga kjo botë të një studjuesi dhe shkrimtari…

Kur përballesh me keto lajme tejet trishtuese dhe sidomos kur personin e njeh direkt, nga se ke komunikuar, ke ndarë së bashku mendime të ndryshme, ke realizuar projekte të dobishme, lajmi bëhet dhe më i dhimbshëm, më gërryes si gjëmimet në kohë me vranësira të labërisë tepelenase që përplasen ethshëm dhe thyejnë kokën në malet hijerënda të Salarisë, aty ku i ka rënë koka Heroit legjendar Selam Musait, aty ku lindi biri dhe poeti i saj Novruz Shehu.

Në mënyrë marramendëse me shpejtësi drite më enden në kokë si fijëza të arta gjithë krijimtaria letrare dhe gjithçka të vyer që i la botës së letrave shqip, dhe kjo është tejet ngushëlluese për bashkëshorten e tij fisnike, fëmijët e tij, të afërmit e shtrenjtë dhe lexuesit e shumtë që krijoi nëpërmjet penës së tij serioze.

Kujtova poezinë “Meridianët i mjekon bukuria” në librin e poetit Novruz Xh. Shehu “Të vdekurit na përgjojnë” për të cilën kam shkruajtur esenë me titull: “E bukura e Dheut kreh flokët me vargjet e poetit tepelenas” botuar në gazetën “Dielli”, “Illyria” si dhe në librin “Diaspora krah shqiponje” dhe për pak çaste s’do ta mendosh kurrë shkrimtarin Shehu se ka ndërruar jetë, pasi shpirti I Tij mjekohet me bukurinë, me bukurinë që poetët e kësaj race e duan shumë.

Nëpërmjet poezive të tij aq të ndjera na shfaqet kudo e Bukura e Dheut, në gjokset e saposythura, apo në odat e gjetheve të virgjëra të nusërisë, që lajnë dhe fshijnë sytë, duke e veshur ajrin me një cipë të mëndafshtë laureshash.

Autori Shehu ka një kod krejtësisht të veçantë lirizmi, një lirizëm të hollë që vjen pikërisht nga mënyra se si e percepton dhe e shijon ai të bukurën, me një etje të përjetshme, ndaj dhe vargu i tij këndon:

Natyrisht e pashë/ Rrrinte mes nesh e Bukura e Dheut!

Ai mjeshtërisht di ta vesh vargun me një fustan të bukur nusërie, duke hedhur në breg dallgë me valë ku dhe foletë e pranverës së blertë mbushen me vezë zogjsh, nga dashuria për të Bukurën e Dheut!

Dhe të ngjit kjo ndjesi e ëmbël ngase ka çelur në plagë poetësh, në buronjat e dhembjes të cilat me llambat e shpirtit i djegin ngadalë, fare ngadalë, ndërsa e Bukura e Dheut varet në degëzat lotues të vështrimeve të poetit, ku sytë e tyre së bashku notojnë në valëza të kaltra dhe buzë të vesta…

Brenda palcës së fjalës shprehet se nuk mund ta konceptojë dot jetën njerëzore pa atë perëndeshë bukurie ndaj dhe vargëzon:

“Hamall akullnajash përzënë nga ajsbergët/ do të isha/ pentagram/ me solin të humbur/ do të isha/ shpellë (gojë e hapur kufome)/ kambanë e zhveshur nga jehonat/ zog me flatra të rëna nga rebelimi do të isha/ nën këtë qiell me dashuri ulëritëse”.

Ai është në Qiell me penën e tij që është një bisturi shpirti, dhe lëshon pikëza dielli poezie, për të thurur tantella si shkumë e bardhë në maja malesh Labërie dhe Shqipërie aty ku Perënditë kanë fronin.

Të vdekurit na përgjojnë…/I veshur me pushtetin e ajërt/ Në poltronmortin qëndron/ Mediton, vëzhgon/ Faik Konica!

Në poezinë “Faik Konica”, poeti Shehu duket gati si shenjt, sjell botën e përtejme pranë nesh, nga se amanetet e tyre jane akoma të pakryera dhe sipas filozofisë së popullit: “Amanetet nuk i tret dheu”

Pena e tij pikon dhimbje dhe brenga për ata që ikën papritur nga kjo botë, aksidentalisht ose me tmerr.

Autori ka parë një kafkë dhe era luan me zgavrën e saj si fëmija në lisharëse, ndërsa një miush bën aerobi në këtë godinë fosforeshente.

Çuditërisht me emrin kafka lidhet shkrimtari i famshëm Kafka, por me ndryshimin se ne jemi të divorcuar me famën dhe emrin e tij.

Poezia sjellë një monolog nga bota e përtejme, një monolog që e bëjmë ne me veten, sepse kafka jemi ne thotë autori, prekshëm…

Shkrimtari dhe Poeti Shehu mjeshtërisht sjellë dhe respekton ne gjak figurat e ndritura kombëtare si tek poezia: “Shën Tereza”, lexuesi mjekohet nga duartë e saj si fashot e buta të mëndafshta, e cila shëron plagët e shkaktuara nga të verbërit e pasurive.

Ajo ecën bashkë me Skënderbeun, krah nesh thotë poeti, si ëngjëllore duke mbajtur diellin në dorë dhe Gjergj Kastrioti e arrin mbi kalin prej tingulli dhe i jep shpatën: Për ty e mpreha – i thotë/ për ty i lashë pas vdekatarët/ për ty i mblodha të gjitha këngët që m’u kënduan/ Shën Tereza e puthi/ shkriu shpatën dhe thirri Paqen/ që t’ia bekojë botës unazën më të bukur!

Eshtë e pamundur të shpreh në këtë shkrim homazh gjithë krijimtarinë e Tij, por arti I fjalës është si tek Ansambli i Deave/ sërish i kthen shpejtë tek detet/ me porosinë e vetme/ të tregojnë brigjet/ Këngëtarja Elena Mërkuri/ pi një filxhan diell/ dhe nxjerr nga gjiri/ vajzën e porsazgjuar të valëve…

Pena e autorit duket sikur merr butësi dhe mirësi Vaisliqie, nga gruaja e Ali Pashë Tepelenës, bukuri hëne të Haidesë, bijës së tij, dhe ndriçim nga ylli i Jataganit…

Vasliqia shprehet autori me nje puthje e vuri në gjumë Janinën, dhe mbi kuaj hipi detin e shtrirë…

Si familje kujtimet me autorin janë të shumta dhe ajo që na lidhi më së shumti së bashku ishte ardhja në këtë botë e mbesës tonë Dea, I cili u frymëzua ndjeshëm ashtu sic dine të frymëzohen shkrimtarët dhe njerëzit e vërtetë, si dhe hapja e Shkolles Shqipe “Alba Life” në New York.

Konceptimi i shkrimtarit me njerëzit që ikën nga vendi, dhe mosharrimi I rrënjëve të të parëve, I dhanëpoetit fuqinë e Muzës, perëndeshen e frymëzimit dhe dërgoi si dhuratë nga më të cmuarat librin “Letrat Deas në New York”.  është një komunikim I magjishëm midis një shkrimtari dhe fëmijëve me prindër shqiptarë që lindin matanë oqeanit.  Poezitë në libër janë mesazhe tejet emocionuese, drithëruese, patriotike, që Dea kur të rritet dhe do të dije të lexojë shqip të ndjejë historinë shqiptare dhe atë tepelenase, atje ku I kanë rrënjët gjyshërit e saj shkruan autori.

Në prologun e librit Ai i drejtohet bebes Dea ne menyrën më poetike dhe më të ngrohtë:

Ashtu si udhëtarët që, në herëshmërinë e banorëve të këtij planeti, preferonin yllin e mëngjezit si pikë referimi për të mundësuar rrugën e duhur, preferova  pikërisht Dean që disa ditë mbas lindjes. Unë kështu arrita të komunikoj me një kontinent tjetër me lexuesit e denjë dhe njëkohësisht në një kohë tjetër, kur Dea të rritet e të mund të asimilojë e artikulojë historitë e vendit nga kanë rrënjët mamaja dhe gjyshët e saj. Ati i saj amerikan me prejardhje angleze dhe gjermane bëri dasmën në Shqipëri e pikërisht fotot tek lokali pranë Varrit të Ashikut, duke realizuar kështu në një farë mënyre portretin e dashurisë universale, ndersa dasmen tek .  Këtë ndodhi do ta përshkruaj ,në një libër tjetër, por ishte pikërisht kjo ndodhi një pikë tjetër referimi artistik njerëzor dhe historic për t’i dhënë hapësira mbarënjerëzore ndjesësië, dashurisë,b ujarisë, humanizmit, paqes dhe mbi të gjitha Lirisë.

Ai frymëzohet nga ardhja e një bebeje shqiptare dhe ja si i këndon: “Mirëseardhe! Uaaa! Paske ardhur/ si maket i Hënës ke zbritur në New York/ Ti erdhe befas, kur se prisnim/ me gjithë floririn e botës mbi flokë”!

Shkrimtarin Shehu i cili ushtroi tërë jetën profesionin e mësuesisë e patëm së bashku me një delegacion vitin e kaluar pranë nxënësve të Shkollës Shqipe “Alba Life” në New York, të ftuar nga drejtori dhe themeluesi e kësaj shkolle z.Qemal Zylo.  Anëtarët e delegacionit ishin znj.Nora Malaj, z/v ministre e arsimit dhe e sporteve, znj.Ermioni Cekani drejtore e arsimit të Bashkisë së Kamëzës, drejtori i gjimnazit të Kamëzës z.Sherif Koldashi, znj.Albana Muhametaj z/v drejtore e shkollës në Paskuqan si dhe vajza simpatike, më e reja e ekipit zonjusha Klestia Cekani.  Ata vizituan shkollat shqipe “Alba Life” në Staten Island, Brooklyn dhe në Manhattan.

Me shkrimtarin Shehu dhe skulptorin Vladimir Llakaj, stafin e TV “Alba Life”  patëm fatin të merrnim vleresimin e merituar për regjisorin e famshëm hollivudian me origjinë nga Dragoti I Tepelenës dorëzuar nga kryetarii I Bashkisë së Tepelenës z.Tërmet Peci dhe më vonë shkuam pranë shtëpisë së regjisorit të famshëm hollivudian në Dragot për të parë dhe prekur nga afër portën e “argjendtë” të këtij Burri të madh të Kombit.  Më duhet të shtoj se ideja e hedhur nga Shkrimtari Shehu në bashkëpunim me TV “Alba Life” dhe Bashkinë e Tepelenës për ta vlerësuar Stan Dragotin me çmimin më të lartë “Nderi I Kombit” u bë realitet në muajin Shtator ku presidenti I Repbulikës së Shqipërisë z.Bujar Nishani ia dorëzoi z.Zylo në emër të Stan Dragotit, në mjediset e “Russian Tea Room” në Manhattan.

Jam e sigurtë se pena me krijimtarinë e Tij do të udhëtojë lumit të Vjoses që kthehet herë i kthjellët dhe herë i trazuar dhe që derdhet deteve të thinjur, detyrimisht do të trokasë si kambanë mureve të kalasë së Aliut, do të çeli si manushaqez Naimi tokës së ringjallur, do te çajë mjegullnaja kokëfortë dhe pastaj Shpirtin e Tij si Dritëz do ta lerë të prehet qetëisht dhe hyjnisht në botën e përtejme, ashtu siç e meritonte.

 

Amen!

 

Staten Island, New York

24 Nentor, 2016

noke2anoke3anoke4anoke5noke6noke7noke8noke9noke10a

REPLIKAT E PLOTA/ Ato që nuk u dëgjuan nga sherri Balla-Berisha

Sali Berisha ka refuzuar dje të dëshmojë përballë Komisionit parlamentar të ngritur për çështjen e CEZ-it.

Ai ka shkëmbyer replika me Taulant Ballën, pasi për shkak të akuzave të vazhdueshme të këtij të fundit ndaj tij dhe familjes, Berisha kërkonte që pyetjet t’ja drejtonte dikush tjetër.

Gjë që nuk është pranuar, çka ka sjellë dështimin e marrjes së dëshmisë së Berishës.

Më poshtë replikat e plota të shkëmbyera dje.

Arben Ristani: Duke qenë se sot është thirrur për të dëshmuar z. Berisha, unë mendoj që në kushtet kur ky Komision ndjek rregullat e procedurës penale. Në këtë kod, neni 17, ka të bëjë me heqjen dorë të gjyqtarit kur ka konflikt interesi.

(Hyn Berisha në mbledhje)

Taulant Balla: Nuk e kemi thirrur akoma dëshmitarin.

Sali Berisha: S’ka nevojë.

Taulant Balla: Dëshmitar, zër vend se po flet nënkryetari i Komisionit.

Arben Ristani: Atëherë në rastin konkret midis kryetarit të Komisionit dhe anëtarëve familjarë të z. Berisha ka pasur çështje penale që janë zgjidhur me vendim gjykate ku ju jeni deklaruar fajtor për shpifje ndaj të afërme. Jeni në kushte të konfliktit të interesit. Do t’ju kërkoj që në pyetjen e z. Berisha të jepni dorëheqjen dhe të mos e drejtoni ju.

Taulant Balla: Për këtë çështje mund t’i drejtoheni një institucioni tjetër që ka emëruar përbërjen e Komisionit, pra Kuvendit. Meqë dëshmitari është paraqitur, ta pyesim.

Arben Ristani: Edhe një herë ju kërkoj të hiqni dorë nga drejtimi i Komisionit, se jeni i dënuar nga gjykata për shkak të një konflikti me të afërmin e z. Berisha dhe për shkak të këtij konflikti ju nuk mund ta drejtoni këtë seancë.

Balla: Mbledhjen e drejtoj unë. Me duar në xhep në Komision nuk vihet. Dua të sqaroj se unë nuk kam asnjë vendim gjykate të humbur me vendim përfundimtar. Bini vendimet e gjykatës.

Berisha: Mashtrim. Mashtrim. Je dënuar me vendim të formës së prerë. Do sjell vendimet e gjykatave.

Balla: Sillni vendimin. Z. dëshmitar, mos e prishni këtë seancë. Na lini të bëjmë punën parlamentare njëherë.

Berisha: Është i dënuar me vendim të prerë.

Balla: Mos e prishni seancën.

Berisha: Unë nuk e dija që duhej ta sillja këtë dokument, por nuk mund të gënjesh që nuk je i dënuar. Je i dënuar dhe nuk ke paguar gjobën.

Balla: Z. dëshmitar, përpara se të merrni fjalën, betohuni se do të thoni të vërtetën dhe vetëm të vërtetën.

Ristani: Jepni përgjigje për atë që të thashë. Ka një problem, nuk mund të vazhdojë seanca kështu.

Balla: Seanca do të vazhdojë.

Sali Berisha: Je mashtrues ordiner.

Taulant Balla: Të lutem, z. dëshmitar, atësinë, gjeneralitetet…

Arben Ristani: Komisioni nuk mund të vazhdojë me prepotencë. Kërkesa e dorëheqjes paraqitet nga ju.

Taulant Balla: Nuk kam asnjë konflikt interesi me dëshmitarin. Dëshmitarin e kam kundërshtar, vazhdojmë punën.

Ulsi Manja: Ftoj kolegët të jemi racionalë. Dispozitat e Kodit Penal aplikohen në komisionet parlamentare për aq sa është e mundur. Z. Berisha është një nga 27 dëshmitarët e thirrur.

Arben Ristani: Zbato Kodin e Procedurës Penale. Duhet të jemi objektivë dhe jo të njëanshëm. Fakti që ju keni qenë në konflikt me familjarë të z. Berisha dhe keni një vendim…

Taulant Balla: S’ka asnjë vendim.

Berisha: Të formës së prerë.

Arben Ristani: Kjo tregon se ju nuk mund të jeni i paanshëm. Paraqitni dorëheqjen e kryetarit të Parlamentit.

Balla: Jemi në Komision Hetimor parlamentar. Kryetari drejton mbledhjet e komisionit. Do të kisha dashur shumë të isha një gjyqtar dhe të kisha të pandehur zotërinë përballë (Berishën), por nuk plotësohet kjo dëshirë.

Arben Ristani: Zotëri, zbato Kodin e Procedurës Penale.

Balla: Mos e prishim mbledhjen. E lexojmë shumë ndryshe ligjin.

Berisha: Propozimi im është ky.

Balla: Zoti dëshmitar, ta jap unë fjalën.

Berisha: Je në konflikt interesi. Shërbimet e Kuvendit të zbardhin vendimin.

Balla: Z. dëshmitar, do ta bëjnë shërbimet atë dhe do ta sjellin.

Berisha: Pasi ta bëjnë shërbimet e Kuvendit atë, atëherë do flas unë.

(Çohet në këmbë).

Balla: Ja çfarë frikacaku që je. Je një frikacak që ke frikë të përgjigjesh. Komisioni ka për detyrë të zbardhë të gjitha përgjegjësitë e tua, po u shmangesh përgjegjësive.

Berisha: Shërbimet e Kuvendit të zbardhin vendimin.

Balla: Kjo është dosja hetimore. Qëndro, ulu.

Berisha: Ti je i pafytyrë. I pafytyrë je.

Balla: Ky është një teatër që po bën ai nga frika për çështjet për të cilat është thirrur dëshmitar. Ruani qetësinë. Harroje se mund të largohesh nga mbledhja, se mund t’i fshihesh deponimit para këtij Komisioni Hetimor.

Elmazi: Po pse ka frikë Berisha nga ty që t’i fshihet deponimit?

Balla: Po të kujtoj rregulloren e Komisionit. Nëse nuk do të deponosh, do shoqërohesh me forcë. Ulu dhe dëshmo.

Berisha: Pusho, ore rrugaç. Pa interpretuar shërbimet e Kuvendit vendimin e formës së prerë, nuk mund të vazhdohet.

Balla: Ulu aty dhe dëshmo.

Berisha: Unë e dija kush je ti. Ti je një përdhunues ordiner. Unë kam ardhur këtu për shkak të Parlamentit. Por nëse ti nuk zbaton rregulloren. Unë kam ardhur këtu me vullnetin më të plotë.

Ristani: Po bën teatër tani.

Balla: Jo, teatrin po e bëni ju. Teatrin nuk e bëni dot këtu në Komision. Është teatër nga frika që ka ai përballë për të deponuar për çështjet. Bëni betimin dhe ju jap fjalën që të flisni. Komisionet parlamentare janë një mjet i rëndësishëm në duart e Parlamentit për të qartësuar lidhjet dhe përgjegjësitë në lidhje me aferën 414 milionë euro.

Berisha: Unë nuk kam ardhur këtu të dëgjoj një përdhunues. Nuk kam ardhur t’i jap llogari një përdhunuesi, por kam ardhur për shkak të Parlamentit. Zbato rregulloren.

Balla: Cila rregullore? Atëherë hapi veshët mirë. Rregullorja thotë: Mbledhjen e drejtoj unë, nuk e drejton ti këtu. Ke bërë ç’ke bërë në sallën e Parlamentit, këtu fjalën ta jap unë.

Berisha: Rregullorja thotë se ti je në konflikt interesi.

Balla: Nuk kam asnjë konflikti interesi me ty.

Berisha: Ti je një mashtrues ordiner.

Balla: Ky Komision Hetimor do të jetë një histori suksesi për komisionet hetimore. Zotëria këtu më ka njoftuar që ti do të vish, minimalisht mund të më thoshte se jam në konflikt interesi. Tani na qenke trembur zotrote se drejtoj unë mbledhjen. Ta thashë po të jetë se gjykoj unë dhe po të isha unë gjyqtar dhe ti i pandehur, e di ti se çfarë dënimi do merrje. Tani më lër të bëj punën që shqiptarët më kanë ngarkuar të bëj.

Berisha: Do bësh punën në përputhje me ligjet.

Balla: Mos paragjyko. Ti për fat të keq je ende dëshmitar. Nëse ky Komision do të gjejë fajtor, ne do ta çojmë në Prokurori.

Elmazi: Ooo na trembe tani.

Balla: Vazhdojmë komisionin.

Berisha: Ne do vazhdojmë dhe unë nuk do largohem. Por jo nëse ti i gënjen shqiptarët dhe u thua që nuk jam dënuar me vendim të formës së prerë.

Balla: Unë e di që ti kishe frikë të vije në Komision. U lexua rregullorja.

Berisha: Jo, jo, prevalon ligji.

Balla: Zoti dëshmitar, të tërheq vëmendjen, po të them fjalën ta jap unë.

Berisha: I cili është një mashtrues ordiner.

Balla: Jam shumë i qetë që ke ardhur me synimin që duke më fyer, të bëj të njëjtën gjë ndaj teje. Je i vetmi njeri në këtë botë që nuk më provokon fare.

Berisha: Nuk e kam atë qëllim. Çështja është këtu, je i dënuar?

Balla: Nuk jam fare.

Berisha: Atëherë mbledhja mbaron këtu. Nëse ky këtu nuk është i dënuar me vendim të formës së prerë, unë dorëzoj mandatin. Hajt mirupafshim!

Balla: Ju bëj thirrje, nëse nuk riktheheni, do të përdor argumentet dhe forcën që më jep ligji që t’ju shoqëroj me forcë. I bëj thirrje sekretarit të Komisionit të hartojë shkresën drejtuar Policisë së Shtetit që dëshmitari të risillet me forcë në punimet e këtij Komisioni.

Krichbaum: Shqipëria nuk i ka plotësuar kriteret

Deputeti i parlamentit gjerman Gunther Krichbaum, tha në Tiranë se Bundestagu do të votojë kundër hapjes së negociatave për antarësim të plotë me Shqipërinë, sepse ajo nuk i ka plotësuar 5 kriteret paraprake, që kanë të bëjnë me forcimin e shtetit ligjor.

Kryetari i grupit parlamentar të CDU/CSU-së, Krichbaum, tha gjatë një takimi me mediat se “reforma në drejtësinë shqiptare duhet të zbatohet sa më parë. Po ashtu, ligji për dekriminalizimin duhet të zbatohet në mënyrë të qëndrueshme”, shtoi ai. “Negociatat me Shqipërinë”, tha zoti Krichbaum, “do të hapen vetëm kur të plotësohen parakushtet”. Ai shtoi se ende nuk po shihet bashkëpunim mes forcave politike për të zbatuar reformat.

Zoti Krichbaum është kryetar i Komisionit Parlamentar për Çështjet e BE-së në parlamentin gjerman.

Shqipëri, marijuana zbulon arsenalin e armëve

Në Shqipëri, kronikat e operacioneve të policisë vetëm në tre ditët e fundit, krahas bllokimit të dhjetëra kilogramëve marijuanë, flasin për një numër të madh armësh dhe municionesh të bllokuara. Automatikë model 56, armë “Zastava”, pistoleta të tipeve te ndryshme, armë gjahu dhe municione janë arsenali që trafikantët e narkotikëve kanë përdorur për ruajtjen e sasive të mëdha të marijuanës.

Në tre operacione të fundit kundër narkotikëve, ku janë sekuestruar rreth 150 kilogramë marijuanë në zona të ndryshme të Shqiëprisë, policia ka zbuluar 13 armë zjarri dhe municione dhe ka arrestuar katër persona për armëmbajtje pa leje. Oficerët shqiptarë të antidrogës vlerësojnë se pothuajse në të gjitha operacionet policore kundër kultivimit dhe trafikimit të narkotikëve, policia ka zbuluar edhe armë të tipeve të ndryshme.

Vlerësimet e agjentëve të policisë flasin se kontigjeti më i madh i armëve të gjetura u përket atyre që u grabitën nga kazermat e ushtrisë shqiptare në trazirat e vitit 1997. Sipas hetimeve paraprake armët kanë qenë në gjendje të papërdorur prej vitesh dhe janë rikthyer nga trafikantët si arsenal mbrojtës i sipërfaqeve të mbjella me marijuanë, kryesisht në zonat e thella malore.

Policia nuk ka njoftuar deri tanë për përplasje të armatosura mes saj dhe trafikantëve, por në disa raste janë shënuar incidente mes vetë grupeve rivale.’

Fushatë për dorëzimin vullnetar të armëve‘

Policia në jug të Shqipërisë ka nisur ditët e fundit një fushatë për dorëzimin vullnetar të armëve e cila po përqëndrohet në mesazhe ndërgjegjësuese për komunitetet e banorëve.

Këto zona kanë qenë mjaft të prekura nga armatimi i paligjshëm, pasi jo të gjitha armët dhe municionet që u grabitën nga depot e ushtrisë gati 20 vite më parë u dorëzuan gjatë këtyre viteve.

Shembulli më i qartë ishte Lazarati ku dy vite më parë gjatë operacionit për marrjen nën kontroll të zonës së njohur për kultivimin e marijuanës u zbuluan nga policia 426 armë zjarri duke përfshirë në këtë arsenal pistoleta, automatikë e mitralozë, antitankë, mortaja e granathedhës si dhe mijëra fishekë të kalibreve të ndryshme.

Armët në duart e civilëve janë, sipas ekspertëve të sigurisë, edhe një rrezik për rritjen e kriminalitetit ndaj jetës. Në raportin vjetor mbi kriminalitetin në vend të vitit 2015, publikuar në prill të këtij viti nga Prokuroria e Përgjithshme shqiptare ishin evdientuar 604 raste të armë-mbajtjeve të paligjshme, ku rreth 343 persona ishin dënuar.

Sipas raportit, Prokuroria kishte regjistruar edhe 69 raste të mbajtes së paligjshme të armeve të gjuetisë ku 68 persona ishin dënuar. Armët e gjuetisë kanë nisur të përdoren gjithnjë e më shumë edhe nga trafikantët e narkotikëve pasi përmes tyre arrijnë të maskohen si gjuetarë në terrene malore dhe t`u shpëtojnë dënimeve më të rënda nëse kapen nga policia.

Tiranë, shoqëria civile protestë kundër importit të mbetjeve

Protesta e organizuar nga Aleanca Kundër Importit të Plehrave ka mbledhur dhjetëra aktivistë dhe qytetarë të cilët kërkojnë anulimin e ligjit të ndryshuar “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”

TIRANË – Përfaqësuesit e organizatave të shoqërisë civile, qytetarë, si dhe aktivistë të mbrojtjes së mjedisit kanë protestuar përsëri sot në Tiranë për të kundërshtuar importin me ligj të mbetjeve në Shqipëri.

Protestuesit janë mbledhur para selisë së Kuvendit të Shqipërisë, ndërsa një pjesë e tyre kanë qëndruar edhe gjatë natës jashtë. Ndërkohë mes protestuesve dhe policisë fillimisht në orët e para të mëngjesit ka patur përplasje, ku janë shoqëruar edhe dy aktivistë, ndërsa janë liruar pas disa orësh.

Protesta e organizuar nga Aleanca Kundër Importit të Plehrave ka mbledhur dhjetëra aktivistë dhe qytetarë të cilët kërkojnë anulimin e ligjit të ndryshuar “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”.

Në shtator të këtij viti Kuvendi i Shqipërisë, miratoi ndryshimin e ligjit “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, ndërsa Presidenti i vendit, Bujar Nishani, nuk e dekretoi ligjin duke e rikthyer për rishqyrtim në Parlament. Ndërkohë ky dekret ende nuk është paraqitur për shqyrtim në punimet e seancës së sotme parlamentare.

Sipas ndryshimeve të reja ligjore, në Shqipëri importohen vetëm mbetjet e ngurta jo të rrezikshme, si lëndë e parë dytësore, për të plotësuar nevojat dhe kërkesat e industrisë ricikluese të vendit. Ndërkohë përfaqësuesit e shoqërisë civile kërkojnë ndalimin e importit të mbetjeve në Shqipëri, duke pretenduar se importi i tyre nuk kontribuon për ekonominë e vendit dhe shkakton ndotjen e mjedisit pavarësisht mekanizmave të kontrollit në pikat kufitare.

Lidhur me këto ndryshime ligjore, përfaqësuesi e shoqërisë civile dhe aktivistë të mbrojtjes së mjedisit kanë organizuar disa protesta, duke bërë thirrje për mos lejimin e importit me ligj të mbetjeve në Shqipëri. aa

Në Tiranë mbahet forumi për zhvillimin e medias

Në hapje të forumit mbajti një fjalë përshëndetëse ambasadori i OSBE-së në Shqipëri, Bernd Borchardt, i cili u shpreh se është i njohur me zhvillimet dinamike të medias në Shqipëri

TIRANË – Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) ka organizuar në Tiranë forumin për zhvillimin e medias, një tryezë e rrumbullakët për të diskutuar çështjet më të rëndësishme të medias shqiptare. Në hapje të forumit mbajti një fjalë përshëndetëse ambasadori i OSBE-së në Shqipëri, Bernd Borchardt, i cili u shpreh se është i njohur me zhvillimet dinamike të medias në Shqipëri.

“Nevoja për rregullimin e internetit, medias sociale apo rrjeteve sociale ngre një debat të natyrshëm dhe të nevojshëm në shkallë vendi. Çështje si vetërregullimi, privatësia, siguria dhe përmbajtja kanë dalë tashmë në plan të parë. Mbajtja në vazhdim e një interneti të lirë, të hapur dhe të sigurt për të gjithë mbetet një nga sfidat kryesore”, ka theksuar ambasadori Borchardt.

Sipas tij përmirësimi i situatës ekzistuese mediatike në vend kërkon angazhim politik të qartë e të gjerë, si edhe angazhim dhe pjesëmarrje të plotë të gazetarëve dhe të shoqërisë civile.

Forumi organizohet për të dytin vit radhazi nga Prezenca e OSBE-së, në bashkëpunim me organizata të huaja dhe vendase dhe këtë vit përqendrohet te temat: Zhvillimet dhe nismat ligjore në fushën e lirisë së medias; sfidat e RTSH-së (Radio Televizioni Shqiptar)-transformimi i transmetuesit publik në një transmetues të pavarur, të qëndrueshëm dhe të përgjegjshëm; media, zgjedhjet, transparenca dhe aksesi në informacion, etj. aa

Ky ishte miku i Ergit që vdiq bashkë me të në aksident (fotot)

Mbrëmë tagjikisht bashkë me fituesin e ‘X Factor’ Ergi Dinin ndërroi jetë edhe miku i tij Kejdi Halili.

Vdekja e tyre erdhi si pasojë e humbjes së kontrollit dhe përplasjes me motor. Ata u dërguan menjëherë në spital por plagët ishin të pa përballueshme, shkruan lajmi.net

Ergi Dini njihet për të gjithë si fitues i ‘X Factor’, por kush ishte Kejdi Halili?

Klejdi Halili ishte djali i vetëm i gazetares, poetes dhe pedagoges së Universitetit të Tiranës, Erenestina Halilit. Erenestina e ka treguar edhe në media raportin që ka pasur me djalin e saj duke e konsideruar si fëmijën më të mirë në botë.

Kjo është një nga intervistat ku Erenestina Halili ka folur për djalin e saj të ndjerin Klejdi Halili, marrë nga Shqipëriaime:

Nga aksidenti tragjik mbrëmjen e djeshme humbën  jetën dy të rinj këngëtari Ergi Dini dhe shoku i tij Klejdi Halili 21 vjeç. Por kush ishte Klejdi Halili?

Klejdi Halili ishte djali i vetëm i gazetares, poetes dhe pedagoges së Universitetit të Tiranës, Erenestina Halilit. Erenestina e ka treguar edhe në media raportin që ka pasur me djalin e saj duke e konsideruar si fëmijën më të mirë në botë.

Kjo është një nga intervistat ku Erenestina Halili ka folur për djalin e saj të ndjerin Klejdi Halili.

Periudha e adoleshencës e vështirëson raportin nënë-fëmijë. Këtë nuk e thonë vetëm psikologët, por e pranojnë edhe nënat që e përjetojnë dhe prekin nga afër momentin e hedhjes pas të kësaj faze. Të njëjtën gjë na e rrëfen edhe Erenestina Halili. Në raportin e saj më të birin 15-vjeçar, Kejdin, dhe në përballjen me kërkesat apo dëshirat e moshës së tij, ajo shpesh gjendet e papërgatitur ose në konfrontime për shkak të pamundësisë për t’i thënë “JO”, ose për ta bindur djalin për të kundërtën.

Si do ta etiketonit marrëdhënien me Kejdin?

Ndonjëherë më duket se për gjithçka ka faj ai, më pas se për gjithçka fajin e kam unë. Herë të tjera se është fëmija më i mirë në botë, herë të tjera i shoh një mijë dobësi. Por, kur ai shtrihet e mbyll sytë e bukur me qerpikë të gjatë, unë e puth dhe mendoj se ashtu e kam ëndërruar që ditën që u ngjiz. Kejdi po burrërohet shpejt, në shtat e në mendje. Dhe raporti im është ai i një nëne që fëmijët e saj i ka në dritë të syrit, edhe pse kjo sjell bezdisje për ta, shpesh apo ndonjëherë.

Bezdisje? Pse, cilat janë ato gjëra për të cilat Kejdi rrudh buzët apo që ju bëjnë të konfrontoheni me të?

Nuk jam fort liberale. Kërkoj disiplinë në shkollim dhe edukim. Jemi në fazën e diskutimeve të zjarrta për nivelin tjetër arsimor, unë kërkoj të njëjtën shkollë, ai është i mëdyshur, babi abstenon (më liberal). Në shtëpi, mami është kërkuesja, babi zgjidh “konfliktet”. Duke qenë se shpesh tutem nga ngjarjet e lajmet që dëgjojmë, kërkoj ta kem nën kontroll. Sigurisht, e lë të lirë, por telefonoj pak para se të skadojë afati i kthimit në shtëpi. Vetëm një rregull nuk mund të shkelet assesi në shtëpinë tonë: pa leje, pa adresë dhe pa orar nuk mund të dilet. Gjatë shkollës është e premtja pasdite deri në orën 20:30. Këtë verë kemi vendosur që ai të punësohet part– time (kohë të pjesshme). Do t’i vlejë!

Dhe cilat janë ato situata në të cilat lëshoni pe?

Kur ai shfaq një dëshirë të re, kur ka takim me një shoqe, kur ka një film në kinema. Sigurisht im bir nuk është ende burrë, edhe pse i ka dirsur mustaqja. Por kam shpresë, se nesër do të jetë një individ i mirë.

Për çfarë ju qorton më tepër djali juaj?

Një ditë po lyeja me pambuk disa njollëza në mure (për dreq nuk kisha as furçë). Më sheh im bir e më thotë: “O ma, lodhesh ndonjëherë ti?” Ja, për këtë më qorton, se i hap gjithnjë punë vetes. Kjo, sipas tij, ndodh gjithnjë kur nuk duhet, sepse duket sikur pengoj atë gjatë argëtimit, sidomos kur ai po çaton, sepse po sheh një film, ka futboll, ose dokumentarë shkencorë, preferenca e tij.

Fëmijët në adoleshencë shfaqin për herë të parë prirjen e theksuar për pavarësi. Çfarë ofron eksperienca juaj?

Besoj se ajo ditë po vjen më shpejt seç e kisha menduar. Por, jam e pafuqishme ta mendoj, ndjej edhe dhimbje. Më tremb ideja që të mos e kem Kejdin në shtratin dhe jastëkun me erën e tij. Dikur edhe unë kërkoja pavarësi…

Përballë dëshirës së djalit tuaj për të frekuentuar jetën e natës, apo për të kaluar pushime vetëm me shoqërinë si ndiheni? A e pengoni?

Tendencat janë të përditshme, por përgjigja ime është e prerë: Kur të bëhesh 18 vjeç. Nëse ka njeri që e dëshiron më shumë këtë moshë ai është im bir. Tani është verë, ai ka shokë e shoqe plot, në gjithçka të organizuar e lejojmë, por gjithnjë me kushtin që unë si nënë dhe im shoq duhet të dimë vendin ku ai shkon, orën kur do të kthehet dhe personat me të cilët shoqërohet. Ende nuk ka kërkesa për wikende apo pushime veç. Tani kemi party, kinema, kanë filluar baret dhe bashkë me këto të fundit edhe “sherret me mamin”. Qëllon kur e telefonoj që t’i kujtoj orarin. Ndodh dhe që unë marr një telefonatë nga bashkëshorti im, të cilit i është lutur: “Ba, thuaj një çikë mamit!” Kjo ndodh edhe kur ai nuk e di se unë jam me babin.

A flisni lirshëm me djalin tuaj? Cila është tematika qendrore e bisedave tuaja?

E konsideroj këtë pikë një nga sukseset tona. Kejdi e di që unë jam mami, nuk jam shoqja e tij. Dua të them se ai mban sekretet e tij dhe më kënaq mençuria me të cilën selekton ato që thuhen. Sigurisht, është i hapur pa qenë unë detyruese. Ndërsa, me Nikun (babin) ka një marrëdhënie perfekte komunikimi e këshillimi. Të dy bashkë mundohemi që Kejdi të mos ketë tabu, por të marrë informacionin e nevojshëm për këtë moshë. Informacion që shpesh ai e merr edhe nëpërmjet moshatarëve me të cilët shoqërohet.

Me aq sa kuptova nga biseda bashkë, ju përpiqeshit t’i zinit kohën djalit me aktivitete jashtëshkollore, me kurse artistike. E bëni që atij të mos i mbetet në dispozicion shumë kohë e lirë, apo që ai ta shfrytëzojë në të mirë të formimit të tij gjithçka që ju investoni për të?

E bëj e bindur se ai do të më falënderojë një ditë. Kejdi është 1.78cm, ka luajtur basketboll, kitara i duhet si mjet i shpirtit, mësimet për të ardhmen, gjuhët e huaja për të qenë realisht qytetar i botës, noti si gjimnastika më e mirë. Dhe puna në verë për ca pika djerse më shumë.

Sa e pranishme jeni ju në jetën e djalit tuaj? A ka gjëra për të cilat vendosni ende në emër të Kejdit?

Mundohem të jem gjithë kohën e pranishme. Disa nga vendimet e jetës së tij të përditshme duhet t’i marrin prindërit, me pëlqimin e tij. Duke e bindur për alternativat dhe duke i treguar aspekte të panjohura për të nga jeta jonë. Të tjerat i përkasin atij.

A ka pasur ndonjë zhgënjim deri më sot tek ju, ndonjë shqetësim a mërzi që ai jua ka “dhuruar” qoftë edhe pa dashje!

Prindërit janë idealistë dhe perfeksionistë për pasardhësit e tyre, e kjo sjell zhgënjime, kokëçarje. Jemi ende në fazë të mirë në këtë aspekt, përveç rrëmujës dhe dembelizmit në ndonjë rast.

Botuar në revistën Psikologji, nr.39

kejdi1kejdi2kejdi3

Kush ishte Ergi Dini, këngëtari që humbi jetën mbrëmë në Tiranë (Fotot)

Këngëtari Ergi Dini, 22 vjeç lindur në Shkodër, humbi jetën tragjikisht mbrëmë në Tiranë, gjatë një aksidenti rrugor me motor.

Edhe pse i ri në skenën muzikore shqiptare, që në moshë të re ai ka spikatur me zërin dhe talentin e tij në të kënduar.

Aq sa kur ishte vetëm 20 vjeç, do të shpallej fitues i konkursit muzikor të famshëm “X Factor”. Pas një konkurimi nën tutelën e Altuna Sejdiut, Ergi do të arrinte që në shkurt të vitit 2014, të fitonte “X Factor”.

Një vit më vonë ai do të konkuronte në “Kënga Magjike” me këngën “Pa frymë”, por që nuk do të arrinte të fitonte. Megjithatë për të karriera sapo kishte nisur. Në 2016, këngëtari do të sillte dy këngë të shoqëruara me videoklipe, përkatësisht “Morphine” dhe “Asnji gram”.

Nga burime pranë këngëtarit mësohet se ai ishte gati për një project të radhës, që tragjikisht tashmë është ndërprerë në mes së bashku me jetën dhe ëndrrat e tij.

ergi3ergi4ergi6ergi7

Mbrëmë humbi jetën në aksident tragjik Ergi Dini fituesi i ‘X Factor Albania

Një aksident i rëndë me motor i ka marrë jetën dy të rinjve.

Rreth orës 21:20 mbrëmë në bulevardin “Bajram Curri” pranë urës së “Bllokut” drejtuesi i një motori me targa “AP 105” ka humbur kontrollin dhe për pasojë mjeti është rrëzuar. Express mëson se personat që kanë humbur jetën janë Kejdi Halili, 21 vjeç dhe Ergi Dini, 22 vjeç.

Ky i fundit është këngëtar, dhe fitues i edicionit të X Factor Albania në vitin 2014.

Shoferi dhe një person i dytë që ndodhej pasagjer, kanë marrë plagë të mëdha dhe janë dërguar në gjendje të rëndë shëndetësore në qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Por pavarësisht trajtimit mjekësor të marrë, ata nuk kanë mundur t’i mbijetojnë plagëve dhe kanë ndërruar jetë rreth orës 21:50.

Policia thotë zyrtarisht se grupi hetimor në vendin e ngjarjes po kryen veprimet hetimore.

Bunkeri- Ja çfarë gjendet në nëntokën e Ministrisë së Brendshme

Bunkeri muze, i cili është pagëzuar me emrin “Bunkart 2”, është ngritur në ambientet e ish-strehimit antiatomik të Ministrisë së Brendshme, ndërtuar në vitin 1982-1986, i cili në atë kohë njihej me emrin e koduar “Objekti Shtylla”.

Protestat e opozitës më 8 dhjetor të vitit 2015 kanë lënë shenjat e tyre në këtë bunker, të cilat kuratorët kanë zgjedhur t’i lënë ashtu siç ishin pa i ndryshuar.

Objekti ka imazhin e një kupole me drita të cilat reflektohen në portretet e mbi 100 martirëve që u ekzekutuan me gjyq e pa gjyq gjatë viteve të regjimit komunist.

Në dhomat e para të muzeut janë të ekspozuara foto, video dhe dokumente të kohës, nga krijimi dhe funksionimi i xhandarmërisë dhe policisë në vitet para Luftës së Parë Botërore, dhe pas saj deri në shpalljen e mbretërisë.

Ndërkohë, në vazhdim gjenden të ekspozuara imazhe të historisë së Policisë Popullore në vitet ‘44-‘91. Një nga dhomat e këtij muzeu u është kushtuar martirëve që dhanë jetën si kundërshtarë të regjimit komunist.

Objekte të tjera si aparate përgjimi, radio apo edhe deri në dhoma që do të përdoreshin për rregullime estetike, janë ajo çka është ofruar në bunkerin muze në oborrin e Ministrisë së Brendshme.

JUXHIN MUSTAFARAJ

Replikat Samiti i Diasporës: Shqipëria është varr për idealistët

REPLIKAT/ “Dua të kthehem në Shqipëri por më thonë është varr”. Ja si përgjigjet Rama

Në samitin e diasporës shqiptare nuk kanë munguar edhe batutat e famshme të kryeministrit Edi Rama. Por ama një përgjigje diplomatike ka dhënë ky i fundit edhe për një shqiptare që jeton jashtë shtetit, e cila i kërkoi argumentet Ramës për t’i mbushur mendjen për të kundërtën e asaj që të rinjtë shqiptarë i thonë se Shqipëria është “varr për idealistët”.

 

“Frikë e kemi pasur se mund të dështonim dhe deri në momentin e fundit kemi ndenjur duke numëruar konfirmimet reale, pasi morëm mbi 1 mijë konfirmime përmes uebsajtit por prisnim t’i shikonim, të bëheshin reale këtu. Unë u çlirova kur më thanë s’ka më vend ku të hedhësh një kokërr kumbull në Pallatin e Brigadave mbrëmë. Atëherë thashë unë jam më i madh se një kumbull por do ta gjej mënyrën që të gjej një vend atje.

Faktikisht kemi vendosur le të themi gurin e parë kilometerik por s’e kemi bërë kilometrin e parë. Të jemi në gjendje ta mbajmë gjallë këtë proces. Pastaj edhe paratë do gjenden për të bërë gjërat që na duken bashkarisht të nevojshme për t’u bërë’.

‘Dua të kthehem në Shqipëri por më thonë është varr’

Pyetja: Zoti kryeministër dua të kthehem në Shqipëri, por 90% e të rinjve shqiptarë më këshillojnë të kundërtën, je idealiste dhe Shqipëria është varr për idealistët. Më jepni argumente për të kundërtën.

Rama: Nëse do më gjesh në ndonjë vend që shumica nuk i thotë një idealisti e ke kot këtë muhabet atëherë hajde dhe të gjykojmë Shqipërinë.

Kush vendos për të ikur apo për t’u kthyer e bën vetë dhe s’ka nevojë të marri këshilla majtas apo djathtas ndërkohë që e vërteta është që ka njerëz që ikin por edhe që vijnë, ata që ikin zënë më shumë vend në lajm e debat, ata që vijnë s’përbëjnë lajm.

Statistikë nga një studim i Universiteti i Harvardit se në vitet 2011-2014 forca e punës për shkak të njerëzve që janë kthyer nga Greqia për të punuar në Shqipëri është rritur me 7.9 %.

Cili nga vendet e reja të BE nuk ka përfituar nga mundësia e lëvizjes së lirë të njerëzve të vet? 6 milionë polakë kanë ikur nga Polonia për të punuar në tregun e përbashkët të BE. Ka humbur Polonia?

“Më kërkoi selfie, pastaj punë”

Rama ka sjellë edhe një shembull: Më erdhi para ca kohësh një djalë në një lokal e më tha “bëjmë një selfie”, mirë i thashe, “por na gjej një punë o burr” më tha.

I thashë ca shkolle ke mbaruar? “Po jurist si gjithë shqiptarët”.

“Ambasada e konsullata të njëjta me Kosovën, le të mërziten fqinjët”

Kryeministri Edi Rama duke i dhënë përgjigje një shqiptareje që jeton në Australi, ka hedhur idenë e ambasadave dhe konsullatave të njëjta të Shqipërisë dhe Kosovës jashtë shtetit.

“S’ka arsye që ne dhe Kosova të kemi ambasada dhe konsullata të ndara. Çfarë arsye ka të paguajmë dy palë godina, detyrime, të kemi dy palë adresa. Pse të mos jenë në të njëjtën godinë. Do shpenzojmë vetëm një flamur më shumë, atë blu me të verdhë. Ka projekt edhe në Australi”

E ndërsa tha këtë, Rama nuk përjashtoi mundësinë që mund të mërziten fqinjët. Duke etiketuar fqinjët grekë, Rama tha se ata nuk kënaqen kurrë.

“Do na mërzitet ndonjë nga fqinjë, do thonë e bashkuan këta Shqipërinë…po fqinjë të të lumtur s’ka, se e kemi shembullin tek fqinjët tanë”,- shtoi ai.

“E dini zoti kryeministër se si janë katandisur shkrimtarët në Shqipëri?”

Teksa një tjetër shqiptar që jeton në Gjermani e pyeti Ramën “a e dini si janë katandisur shkrimtarët në Shqipëri?”

“S’kam ku trokas, s’di ku ta jap mendimin, ka një derë ku ne shkrimtarët që jetojmë jashtë të mund të trokasim dhe të biem ato mendimet tona?”

Rama iu përgjigj: Unë them s’do të jap përgjigjen që do të pëlqej por si e mendoj unë.
Unë them shyqyr që s’ka më një shtëpi botuese të shtetit dhe një lidhje shkrimtarësh
se e kemi kaluar kohën kur kishte një derë por asaj kohe s’kemi pse ja kemi zilinë për këtë pjesë. Meqë je nga Gjermania edhe në Gjermiani s’ka një derë ku shkojnë trokasin, ka shumë dyer shtëpish botuese nëse e pëlqejnë e botimin e botojnë, nënse jo shtrëngo dhëmbët se s’ke ça bën.

“Ndërhyn edhe Berisha, Rama: Një pyetje se ju Berishat flisni gjatë”

Edhe një shqiptar me banim në Kanada me mbiemrin Berisha e ka ngacmuar paksa kryeministrin Rama.

Rama: Bëj pyetjen se ju Berishat keni një gjë që filsni gjatë shumë

Berisha: Pyetja është kështu, sa është në gjendje qeveria shqiptare të forcojë sundimin e rendit dhe ligjit në raport me investimet e diasporës, dhe posacerisht ca mund të bëjë kryeministri shqiptar që binzesi i diasporës të investojë në Shqipëri, e para…

Rama: Jo, e para, s’ka tjetër dhe ulu tani se kam edhe të tjerë…Më thanë që në orën 7 keni një koncert dhe në gjithë rastet pavarësisht respektit që e tregoni për mua, zërat në koncert janë shumë më të bukur se zëri im. Sa i përket rendit dhe ligjit e para po bëjmë një reformë në drejtësi që është shumë cilësore….

Hapet në Tiranë muzeu kushtuar viktimave të komunizmit

Në ceremoninë e hapjes ishte i pranishëm Kryeministri Edi Rama, ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, diplomatë dhe të ftuar të tjerë

TIRANË – Është inauguruar sot nëpërmjet një aktiviteti muzeu kushtuar viktimave të komunizmit në Shqipëri, i njohur edhe si Bunkart 2. Në ceremoninë e hapjes ishte i pranishëm Kryeministri Edi Rama, ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, diplomatë dhe të ftuar të tjerë.

Kryeministri Rama u shpreh gjatë fjalës së tij se hapja e këtij bunkeri ka një mision, sipas tij kujtesën dhe nderimin e viktimave të regjimit komunist. “Është një muze për ata që lindën ditën kur u shemb bunkeri i diktaturës dhe që e kanë të pamundur të krijojnë një ide të qartë duke dëgjuar historitë e të tjerëve”, tha Rama.

Në fjalën e tij gjatë inaugurimit ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Saimir Tahiri u shpreh së është shumë e rëndësishme që qytetarët, veçanërisht të rinjtë ta shfrytëzojnë këtë mundësi për t’u përballur me të shkuarën dhe me kujtesën kolektive.

“I konceptuar si streha e zyrave në rast lufte, ndërtimi i këtij bunkeri ka nisur në vitin 1981. Është një investim gjigand, misterioz, i cili të lë pa frymë kur e sheh. Sepse, bëhet realisht fjalë për një kompleks të tërë infrastrukture zyrash i konceptuar për të pasur, siç pretendohet, siguri edhe ndaj sulmeve atomike. Ne sot kemi debat mbi të shkuarën. Ndodh shumë shpesh që të ndahet shoqëria, aq më shumë politika mbi të shkuarën. Ndaj kjo që shohim sot, mundësia që iu japim qytetarëve për të vizituar këtë bunker është mundësia unike për të parë të vërtetat reale, jo ato që prodhojmë rishtaz ne”, u shpreh Tahiri.

Bunkeri-muze është vendosur para godinës së Ministrisë së Punëve të Brendshme në Tiranë, ndërsa në të janë ekspozuar fakte, fotografi dhe dëshmi të ndryshme nga regjimi komunist. Bunkeri shërben gjithashtu edhe si hyrje për në tunelet e nëndheshme. aa

Dënimi i shoferëve në Greqi, reagon Tirana

Ministria e Jashtme e Shqipërisë reagoi sot për ngjarjen e të dielës së shkuar ku dy shoferë të saj u ndaluan nga autoritetet greke në kufi, ndërsa dje u dënuan me burgim tridhjetë muaj secili, nga një gjykatë në Janinë. Altin Tafa dhe Agim Asllani, u shpallën fajtorë, pasi të dielën e shkuar u ndaluan në Pikën Kufitare të Kakavijës, kur në mjetin që ata drejtonin u gjetën disa tekste në gjuhën shqipe që po dërgosheshin në Ambasadën shqiptare në Athinë për mësimin e gjuhës amtare nga fëmijët e emigrantëve.

Ministria e Jashtme e Shqipërisë shpjegoi sot se ministri Ditmir Bushati ka qenë në kontakt me homologun e tij grek Nikos Kotzias, që prej ditës së incidentit “duke kërkuar që kjo çështje të trajtohet në bazë të akteve të së drejtës ndërkombëtare dhe praktikave diplomatike në fuqi”. Ministria nënvizoi se ka ofruar asistencë konsullore dhe juridike për punonjësit e ndaluar duke mundësuar lirimin e tyre. Ndërsa “shpreh keqardhjen që procedura e ndjekur nga autoritetet greke bie në kundërshtim të plotë me rregullat e së drejtës ndërkombëtare, duke cënuar njëkohësisht klimën e miqësisë dhe të besimit mes dy shteteve tona”. Ministria shtoi në deklaratën e saj se “do të vijojë të ndjekë në rrugë diplomatike trajtimin e mëtejshëm të kësaj çështje duke uruar në të njëjtën kohë për një reflektim të shpejtë të palës greke në lidhje me këtë ngjarje”.

Në seancën gjyqësore, prokurori grek, sipas mediave vendore, deklaroi se librat e gjetur në pjesën e pasme të automjetit ishin objekt i një misioni jo diplomatik pasi nuk ishin paketuar sipas proçedurave diplomatike. Edhe lidhur me përmbajtjen e librave, prokurori tha se “ky është një material me përmbajtje anti-greke, dhe kjo mund të rrezikojnë marrëdhëniet mes dy vendeve”. Sipas palës greke në tekstet e librave që po transportoheshin kishte harta të së ashtuquajturës Shqipëri e Madhe. Ambasada shqiptare në Athinë nga ana e saj ka shpjeguar se nuk bëhet fjalë për diçka të tillë, por për një hartë ku tregohen vendet ku ka përqëndrim të popullsisë shqiptare, jo vetëm në rajonin e Ballkanit. Por gjykata vendosi dënimin me tridhjetë muaj burgim me kusht për tre vjet për secilin nga dy shoferët. Gjykata vendosi gjithashtu konfiskimin e librave dhe materialeve ilustruese që u gjendën nga policia greke, si dhe të automjetit.

Diasporë apo emigrantë turistë -Nga ROLAND QAFOKU

Ka kohë që emri diasporë pothuajse është hequr nga fjalori i përditshëm i gjuhës shqipe.Kjo fjalë ngjan sikur të jetë përdorur në librin e Buzukut, kur në fakt nuk ka më shumë se 1 shekull kur është shqiptuar për herë të parë në brigjet e përtejme të Oqeanit Atlantik. Ishte koha kur formohej shteti shqiptar dhe pa diasporën e Amerikës ne sot nuk do ta kishim këtë shtet, që e gëzojmë prej 104 vjetësh.

U ngjall dhe ringjall me çështjen e Kosovës dhe tashmë prej afro 1 dekade duhet të themi se diaspora nuk është më ajo e para. Ajo duket sikur ka rënë në gjumë, sikur nuk ka më kauzë, nuk ka më organizime dhe ka kohë që për median tonë prej andej nuk vijnë më lajme. Ajo është në rastin më të mirë është indiferente ndaj Shqipërisë dhe në rastin më të keq e përçarë dhe e përdorur politikisht nga Shqipëria. Lidhja e diasporës me Shqipërinë ka nisur të shkëputet dhe nuk janë të pakta rastet kur shqiptarët kanë humbur fare kontaktet, ose janë asimiluar në rrjedhën e jetës në tokë të huaj.

Aktualisht, fjala diasporë është zëvendësuar me fjalën emigrant, ose më së shumti në bashkësi e shoqata emigrantësh, që arritjen e tyre më të madhe e kanë reklamimin e disa abetareve dhe mësimeve falas për fëmijët apo ngritjen e flamurit shqiptar në ndonjë ndërtesë shtetërore, a thua se jemi ende në vitin 1912. Pjesa tjetër për ta vlen kur vijnë në gusht për të bërë plazh dhe ndonjë nevojë personale që në Shqipëri u del më lirë. Aq e theksuar është kjo situatë me diasporën emigrante sa në një “talk show”, humoristi i njohur Elvis Pupa thotë se emigrantët tanë vijnë në Shqipëri vetëm për dy arsye: Për të bërë pushime dhe për të rregulluar dhëmbët.

Thjesht fare, emigrantët vijnë në atdhe për turizëm veror dhe turizëm dentar. Por ç’ndodhi me faktin që për herë të parë në historinë e shtetit shqiptar që mbahet një samit i posaçëm për diasporën? A ishte Kryeministri Rama ai që kërkoi që ta ngrinte realisht emrin e emigrantëve në diasporë, apo ai kërkon t’i përdorë ata politikisht, siç janë shprehur kritikët ndaj tij. Dhe më e rëndësishmja fare: Pas formimit të shtetit shqiptar dhe shtetit të Kosovës, a quhet i përfunduar misioni i diasporës, apo ajo ka çështje të tjera kombëtare që duhet t’i kthejë në kauza?

Së pari, pavarësisht qëllimit, idesë dhe se kush e organizon dhe si e organizon, është e rëndësishme të themi se nisma për mbajtjen e këtij samiti duhet të përshëndetet.

Së dyti, përpos historisë së fillim viteve ’20-të, ku diaspora kishte deri deputetët e saj në Parlamentin shqiptar, autoriteti i diasporës në raport me shtetin shqiptar ka ardhur në rënie. Edhe ato përpjekje dhe mbështetje të kauzave kombëtare, individë të ndryshëm më shumë kanë dëshirë t’i bëjnë të shkëputura nga shteti shqiptar sesa të bashkëpunojnë me një takëm politikanësh, që për ta janë të korruptuar dhe që kërkojnë t’i përdorin. Mjafton që të bëjmë disa krahasime me të kaluarën për ta kuptuar se në cilën situatën jemi: A ka sot krahasim ajo që ka bërë për Shqipërinë shoqata “Vatra” për dekada me radhë me korifejtë e saj Mihal Grameno, Fan Noli, Kristo Dako, Parashqevi Qiriazi, Kristo Kirka, Kostaq Kotta e të tjerë dhe që i dhanë Shqipërisë pjesën më të mirë të bijve të vet dhe që e deshën Shqipërinë atëherë kur nuk kishte fare Shqipëri, duke sjellë pavarësinë, formimin dhe ndërtimin e shtetit shqiptar? A krahasohen sot bëmat dhe dobitë e diasporës më atë që bëri Spiridon Ilo, korçari idealist që shkriu pasurinë e vet në SHBA dhe Rumani për ta vënë në dispozicion të pavarësisë?

A ka sot një rast të dytë me atë të Pandeli Evangjelit, që bashkë me vëllezërit lanë pasuri e katandi në Bukuresht dhe u vunë në dispozicion të shtetit shqiptar, duke kontribuar në administratën e tij deri kryeministër? A mund të krahasohet diaspora aktuale me atë që kanë bërë shqiptarët e Amerikës Antony Athanas, Ekrem Bardha, Van Christo e të tjerë për pavarësinë e Kosovës? Është shumë e gjatë lista e atyre që e deshën Shqipërinë që në krahasim me fodullëkun, kapardisjen dhe indiferencën e disave, që sot e quajnë edhe ata veten diasporë, zgjodhën idealizmin dhe kontributin konkret për tokën që e lanë pas. Por a është ky momenti kritik kur kjo diasporë e përgjumur duhet të zgjohet dhe të rinisë punën për një kauzë të re: Atë të ndihmës ekonomike, duke investuar në atdheun mëmë që prej 25 vjetësh vazhdon të jetë shteti më i varfër në Europë?

Besoj se çdo aplikant dhe pjesëmarrës në këtë samit duhet t’i bëjë vetes një pyetje të madhe: Çfarë ka bërë për Shqipërinë? Vetëm dhënia e përgjigjes së kësaj pyetjeje do të thotë shumë për atë vetë dhe për të gjithë. Ndonëse jozyrtare, sipas llogarive, sot në të gjithë botën jetojnë afro 15 milionë shqiptarë, autoktonë, shtetas, apo dhe ata me orgjinë. Pra, është rast unikal në botë që numri i atyre që jetojnë jashtë shtetit është pothuajse pesëfish më i madh se ata që jetojnë brenda tij. Dhe ashtu si në Shqipëri, shqiptarët e diasporës janë të mirë, të zotë që kanë bërë emër. Por ka edhe nga ata që si cilësi kanë të kundërtat e këtyre.

E mbyllim këtë koment me disa vargje therëse të Faik Konicës, një prej përfaqësuesve më “high class” të diasporës shqiptare. Për koincidencë, në start të Samitit, 270 libra nga biblioteka e tij e famshme mbërrijnë nga SHBA-të si një dhuratë e madhe. Me kulturën e vet, me formimin e vet, me diplomacinë që ushtroi në SHBA, është nga ata që ka bërë më shumë se shumica e diasporës për Shqipërinë afro 100 vjet më parë dhe që e tregoi pikërisht në këtë mënyrë atë që bëri për Shqipërinë.

“Ma shanë Atdheun, ma shanë nga nëna, Në një bar, mbushur me të bardhë e negër… Shtrëngova dhëmbët të mos më çahej zëmra, E mbi ta të lëshohej si bishë e egër…

Ma shanë Atdheun buzë detit Egje. Si m’u mbyll goja e nuk volla mallkime!? Po për kë t’i shaja!? Ata s’kishin Atdhe… Ma shanë Atdheun, në gjuhën time.” – Faik Konica, SHBA

Kosova dhe Shqipëria së shpejti me konsullatë të përbashkët në Turqi dhe Danimarkë

“Misioneve tona të përbashkëta konsullore, do t’u shtohen së shpejti edhe dy të tjera në Danimarkë dhe në Turqi”, ka deklaruar Hoxhaj

PRISHTINË – Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, po qëndron në Tiranë ku po merr pjesë në Samitin e Diasporës, i cili ka mbledhur rreth një mijë pjesëmarrës nga 40 vende të ndryshme të botës. Në një njoftim zyrtar nga MPJ e Kosovës bëhet e ditur se gjatë fjalimit të tij ministri Hoxhaj ka theksuar rolin e diasporës shqiptare në zhvillimet në Kosovë dhe Shqipëri.

Hoxhaj ka theksuar se arritjet e shqiptarëve kanë qenë edhe mision i diasporës shqiptare, të cilët kanë qëndruar historikisht pranë bashkëkombasëve që nga formimi i shtetit shqiptar. Ai vuri në dukje se këto përpjekje kulminuan me pavarësinë e Kosovës, në vitin 2008.

Ministri Hoxhaj po ashtu konfirmoi se Prishtina do të jetë nikoqire në Samitin e ardhshëm të Diasporës dhe bëri të ditur se së shpejti, do të hapen edhe dy konsullata të përbashkëta të Kosovës dhe të Shqipërisë në Turqi dhe në Danimarkë.

“Misioneve tona të përbashkëta konsullore, do t’u shtohen së shpejti edhe dy të tjera në Danimarkë dhe në Turqi”, ka deklaruar Hoxhaj.

Duke u shprehur se ndjehet i lumtur me rrjedhën e zhvillimeve në vitin 2016, Hoxhaj ka shtuar se “Me një diasporë të shpërndarë mirë gjeografikisht, mund të themi që ekziston faktori shqiptar në Ballkan dhe në botë”. aa

Pse sot, këtu, një Samit për diasporën – Nga EDI RAMA*

 

Fort i dashur President i Republikës së Kosovës, miku im i shtrenjtë, Hashim Thaçi! Fort të dashur bashkatdhetarë dhe bashkatdhetare!

… Zonja dhe zotërinj!
Nga zemra, të gjithëve, pa përjashtim, faleminderit që keni ardhur, faleminderit që keni folur rretherrotull jush për këtë takim të parë të shtegtarëve të shqipes në vendin amë, për t’u parë sy më sy dhe për t’u dëgjuar, duke këmbyer shqetësime dhe ide për ku jemi e ku duam të vemi së bashku, të ndarë nga gjeografia, por të bashkuar në truallin e Shqipërisë sonë shpirtërore.

Shqipërisë së stërgjyshërve tanë dhe të fëmijëve që do të bëjnë fëmijë, këtu apo anembanë një bote, e cila sot na jep mundësinë fantastike të komunikimit e të ndërveprimit në rrjete të pafundme dixhitale që e zerojnë distancën fizike nga mëmëdheu, kur është fjala për t’i çuar njëri-tjetrit fjalë, projekte e plane pune.

Faleminderit dhe atyre që, të pamundur të vijnë, janë me ne shpirtërisht, apo mund të jenë me ne edhe virtualisht, falë teknologjisë së lartë të komunikimit e ndërveprimit. Shumë prej jush nuk e njohin këtë Pallat, Pallatin e Brigadave apo pallatin e vetmisë së madhe, një lloj narcisti që në izolimin e tij kundroi vetveten deri në një përmbytje trishtimi, qysh prej ditës së parë kur përfundoi së ndërtuari e ashtu për shumë e shumë vite, kur Shqipëria ndërkohë, nga mbretëri u kthye në diktaturë e më pas, kur doli prej diktaturës për t’u kthyer në demokraci.

Ky është i fundmi pallat mbretëror i ndërtuar në Europë, çka e bën krejt unikal mes sivëllezërve të vet, qoftë në arkitekturë e qoftë në dizajnin e brendshëm, falë dhe një ustai të madh, Gio Ponti-t, të cilit mbreti nismëtar i kërkoi shërbimin dhe i cili sot konsiderohet botërisht si një nga baballarët e dizajnit modern. Por ky është dhe i vetmi pallat mbretëror në botë, ku asnjë natë nuk ka fjetur asnjë mbret. Histori më vete kjo, brenda historisë së vetë mbretërisë shqiptare, që u krijua nga vullneti i një ish-ministri të Brendshëm dhe më pas kryeministër, mu në kohën kur ideologjia e botës së re kërcënonte ta kthente në gërmadhë botën e vjetër.

Prej pak vitesh, ne ua kemi hapur dyert e këtij Pallati, atyre që mishërojnë forcën e një ëndrre; nxënësve të shkëlqyer, profesionistëve të dalluar, artistëve të spikatur, njerëzve të zotë e të respektuar të kësaj bashkësie shqiptare, ku shembujt e mirë janë rëndom të nënçmuar, apo të harruar në morinë e protagonistëve, apo shprehjeve të përditshme të banalitetit që kanë pushtuar skenën virtuale ku pasqyrohet jeta publike e shqiptarëve të sotëm.

Ky Pallat i bërë nga mbreti, u pagëzua nga pronarët e rinj të vitit 1944 si Pallati i Brigadave, e në fakt qëndroi i kyçur si të ishte burgu i botës së vjetër që u përmbys bashkë me klasën reaksionare të shpallur armiq të diktaturës së proletariatit, të cilët morën arratinë nga sytë këmbët e shumëkush prej tyre iu bashkua diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara apo gjetkë nëpër Europë e në botë.

Mbledhja juaj sonte në këtë Pallat, po aq sa ç’ishte e paimagjinueshme me sytë e së shkuarës, është dhe frymëzuese me sytë e së ardhmes. E meqë ju keni ardhur sonte këtu në këtë Pallat që është ende i fshehtë për shumëkënd, – keni ardhur për të qenë nesër e pasnesër, bashkë me ne që të mendojmë, të flasim, të shkëmbejmë opinione, të debatojmë e të vendosim se si mund ta bashkojmë fuqinë e ëndrrave, të ideve, por dhe të parave, për ta bërë më të mirë, më të fortë, më të begatë, Shqipërinë e gjeneratës tjetër, – më lejoni t’ju rrëfej një të fshehtë të vogël.

Në shtatorin e 2015-s, unë gjendesha në New York për të marrë pjesë në sesionin e radhës të Kombeve të Bashkuara. Kremtohej me bujë 70-vjetori i asaj organizate, më përbashkuesja në botë dhe në të njëjtin moment, gjendej po aty në New York, edhe mishërimi më shembullor i diasporës më të madhe europiane në Amerikë, asaj italiane, Jorge Mario Bergoglio, ose siç e njohim më mirë, Papa Françesku.

Mundësia m’u dha në atë ditë intensiteti të veçantë emocional që të takohesha me plot shqiptarë, qoftë kolektivisht, falë rrjeteve të tyre të organizuara, qoftë individualisht, me miq apo me shqiptarë të panjohur në rrugët e New York-ut, apo qoftë edhe në sofrën botërisht të mirënjohur shqiptare në New York, të Brunos, bashkë me Presidentin e Kosovës Hashim Thaçi.

Kishte kohë në fakt që ne përpiqeshim që të gjenim rrugë të reja për ta përfshirë më shumë diasporën në jetën e vendit tonë, por me siguri ajo kornizë e posaçme rrethanash në zemër të atij vullkani ëndrrash që janë Shtetet e Bashkuara, e tamam në New York, që është kryeqyteti i të gjitha diasporave, e shtyu Lindën, gruan time, që ishte me ne në tryezë, të hidhte idenë fillestare të këtij Samiti.

Nuk është sekret që unë jam njeri kokëfortë, por, duke parë suksesin e fillesës së kësaj nisme, nuk dua që të jetë më e fshehtë e vërteta se idetë e gruas më pëlqejnë nganjëherë më shumë se ato të miat. Prandaj do të më falni që, si burrë atipik shqiptar, në këtë rast, ta falënderoj Lindën që nuk ishte dot këtu, sepse duhet të kujdeset për “Shqipërinë e gjeneratës tjetër” që kemi në shtëpi dhe falënderoj shumë vëllazërisht edhe mikun tim Hashimin, që menjëherë sapo ajo ide u hodh, më tha “Go for it”.

Dokumentari që sapo u shfaq më kujtoi shprehjen paksa të perifrazuar të Gustav Mahler-it, “Kujtesat dhe traditat që e mishërojnë, nuk janë adhurim i hirit, por përkujdestaria ndaj flakës së gjallë që kurrë nuk duhet të shuhet”. Gustav Mahler-i, kompozitor gjenial, thellësisht romantik dhe europian, ishte një hebre, i cili prej fuqisë së estetikës së krishterë ishte vetëkthyer në katolik e thoshte shpesh se ishte tre herë apatrid, pra, pa atdhe; bohemian në Austri, austriak në Gjermani dhe hebre në mbarë botën.

E për çudi, përparimi e vokacioni për integrim dhe përshtatja e shqiptarëve i ka bërë prej kohësh të aftë e të hapur ndaj tri dhuntive që duken sikur janë thuajse të lindura; të kenë një atdhe birësimi, një tjetër atdhe të përzgjedhur si destinacion i ëndrrës për vetë atdheun e tyre, dhe njëkohësisht të ruajnë e të kultivojnë atë që do ta quaja jo atdheun e zemrës, se fundja, zemra ka të përpjeta e të tatëpjeta, por atdheun e rrënjëve.

E më pëlqen ta risjell përpara jush atë personazhin enigmatik të murgeshës te filmi “La Grande Bellezza”, e cila ushqehej vetëm me rrënjë, e pyetjes pse e bënte këtë, ajo i përgjigjej “sepse rrënjët janë të rëndësishme”. Rrënjët që mbajnë sot themelin e dy shtëpive tona në mes të Europës, Shqipërisë dhe Kosovës, kanë krijuar tashmë prej shekujsh atë kurorë të gjelbër e të pamatë që vetëm ndërthuret e ndërthuret edhe më shumë për të dhënë fryte të reja brezash, përpos fryteve që gjeneratat e shkuara kanë dhënë.

Po të kishte pasur këtu, sot, në këtë mbrëmje që është ekskluzivisht e juaja, në këtë Pallat që ju përket të gjithëve ju, po aq sa ç’i përket historisë së tij, diplomatë të huaj, kam frikë se do të kishte filluar paniku se mos unë, përmes përshkrimeve të rrënjëve dhe gjelbërimit shqiptar, po evokoj tinëzisht Shqipërinë natyrale, apo ca më keq, Shqipërinë e Madhe.

Por, në fakt, ja ku jeni ju të gjithë sot, këtu, afro një mijë vetë nga 40 shtete të botës, nga Shtetet e Bashkuara në Australi, nga e Egjipti në Skandinavi, nga Lugina e Preshevës në Greqi, nga Maqedonia në Mal të Zi, jo si shtegtarë të fantazmës së dy koncepteve boshe, që e mbushin aq shumë propagandën ultranacionaliste “pro” apo “kundër” Shqipërisë, por si mishërimi më autentik i asaj që unë dua ta quaj dhe ta shoh me shumë shpresë si Shqipëria e përmbushur prej bijsh e bijash, që pavarësisht se ku banojnë në këtë tokë, ushqehen me rrënjët e saj, e kësaj pjese të vogël të tokës që quhet atdheu i shqiptarëve. Sepse rrënjët janë të rëndësishme.

Prej më se dy shekujsh e ca, qysh se revolucioni francez dhe ai industrial vunë mbi shinat e progresit lokomotivën njerëzore, jehon thirrja e famshme e një intelektuali dhe statisti liberal francez, Guizot, i cili thoshte: “Enrichissez-vous”/pasurohuni, kamuni.

Për këtë dhe shkrimtar e historian, ca kohë dhe kryeministër, i cili radhiti Francën mes vendeve më të hapura ndaj zhvillimit, kjo thirrje kishte brenda mesazhin drithërues të kundërvënies ndaj mendësisë që në emër të të varfërve e thërret në luftë njerëzinë kundër të pasurve.

Ndërkohë që vendet pasurohen duke u krijuar njerëzve liri dhe konkurrencë të drejtë për t’u pasuruar dhe jo duke luftuar ata që pasurohen falë talentit, kurajës dhe vullnetit të tyre. Sepse problemi i vendeve të varfra nuk mund të jenë kurrë të kamurit, të talentuarit, të diturit, kurajozët, vullnetfortët, që e çajnë me sukses rrugën e tyre, por është varfëria. Dhe rrënjët e varfërisë janë mungesa e lirisë dhe e diturisë.

Diaspora shqiptare me një mijë vështrime, një mijë histori personale dhe kolektive, është rrënja e një trungu të lartë eksperiencash fantastike, të mundësuara pikërisht nga liria dhe dituria. Dhe, duke u afruar më shumë me diasporën dhe duke bërë më shumë për diasporën, Shqipëria dhe Kosova mund të bëhen trualli ku eksperiencat fantastike të diasporës të lulëzojnë edhe në dy shtëpitë tona, me liri dhe me dituri.

Pa diasporën, Shqipëria është më e cunguar se një territor i copëtuar në mijëra pjesë. Pa secilin prej jush dhe atyre që ju përfaqësoni këtu, ne jemi një bashkësi e papërmbushur, e paplotë dhe e pazhvillueshme në potencialin e saj. Prandaj, t’ju jesh mirënjohës që keni marrë rrugën për të ardhur deri këtu nga 40 vende të botës, është pak të thuhet.

Duke iu përgjigjur një thirrjeje që ne e lëshuam si ato shishet në det të hapur, ju u bëtë, ndoshta deri sot, i vetmi përgënjeshtrim i gjallë i babait të madh të kombit në diasporë, i cili, megjithëse ishte shumë cinik, për hir të së vërtetës kishte fatkeqësisht, pothuajse gjithmonë, të drejtë kur fliste për ne shqiptarët. Në një letër drejtuar anëtarit të shquar të kolonisë së Bukureshtit, Visar Dodanit, në 1897-n, Faik bej Konica shkruante:

“S’kam shpresë të bëhet kurrgjë kafshë dhe jam i sigurt se të gjithë ata që mendohen pak, me mendjen time janë. Që të kishim shpresa, duhej shqiptarët sot të kishin në njëmijë vende komitete të shëndosha, të kishim propagandistë për të vajtur fshat më fshat nëpër tërë Shqipërinë, të kishin gazeta nëpër tërë viset e Europës, po s’kanë asgjëkafshë dhe ç’është më e keqja, të pasurit nuk ndihen, të papasurit nuk punojnë”.

Në shekullin e 19-të, Shqipëria nuk i kishte ende plotësisht krah, bijtë e saj, të shpërndarë nga mjerimi dhe shtypja. Ata luftonin thjesht për mbijetesë. Ai ishte brezi i parë i diasporës shqiptare, që sidoqoftë kishte një vetëdije kombëtare.

Në 25 vitet e fundit pas rënies së diktaturës ishte Shqipëria që në vobektësinë e saj, jo dhe aq materiale sesa morale dhe në një amulli politike që desh u kthye një lëngatë kombëtare, u shndërrua për diasporën në një lloj destinacioni pa fryt. Në një lloj ngrehine pa katandi, në një lloj trashëgimie të kushtëzuar nga borxhet.

Ndërkohë që dërgesat e parave, investimet tuaja, mbështetja pa kufi dhe lobingu fantastik që ju të gjithë dhe të gjithë ata që ju përfaqësoni keni bërë për vendin amë, ku më e shkëlqyera në histori mbetet mbështetja për Kosovën e lirë, pa i kërkuar thuajse asgjë në këmbim, nuk janë vetëm ndihma më e drejtpërdrejtë që mund t’u keni dhënë të afërmeve tuaj në Shqipëri, Kosovë dhe shoqërive të tyre në rrugën e mundimshme drejt rimëkëmbjes, por janë shembulli më kuptimplotë i asaj që shqiptarët mund të bëjnë, nëse arrijnë të bëhen bashkë.

Dhe të gjitha këto e shumë e shumë të tjera që mund të sillen në vëmendje dhe që pa dyshim do të fliten gjatë këtyre dy ditëve, janë mësime dhe pësime për ne, që duhet të na ndërgjegjësojnë njëherë e mirë sem po aq sa është e jona Shqipëria, është edhe e juaja.

Ndërkohë që po të shohim se çfarë ata që kanë ikur, kanë bërë për Shqipërinë, duket sikur Shqipëria ka qenë më shumë e tyrja sesa e jona, në dashuri, në përkushtim dhe në besnikërinë e pakushtëzuar ndaj saj. Nuk është turp, por është një ngushëllim jo i vogël të thuash se prej jush, prej mënyrës se si ju veproni, sesi ju jetoni, se si ju e përjetoni atdheun, ne duhet të kuptojmë këtu në Shqipëri, se si dhe se sa më shumë akoma mund dhe duhet ta duam vendin tonë.

Diaspora shqiptare është në fakt, një shkollë e vërtetë jete. Ka qenë një shkollë e vërtetë jete për të gjitha ata që kanë ikur më pas dhe janë marrë atje përdore nga ata që kanë gjetur, por është një shkollë e vërtetë jete për ne që jemi këtu dhe, ashtu sikundër ata që ju keni gjetur atje, janë gjendur dhe ju kanë marrë për dore për t’ju ndihmuar në hapat e parë drejt suksesit, ashtu dhe diaspora duhet t’i gjendet dhe ta marrë përdore Shqipërinë, për ta ndihmuar që të hedhë hapa të tjerë drejt suksesit.

Jua them me shumë sinqeritet, mbase ne praktikisht nuk kemi asgjë për t’ju mësuar, por e kemi organizuar këtë Samit, sepse jemi të vetëdijshëm që kemi shumë për të mësuar nga ju. Dhe ne duam, unë ëndërroj që ky Samit i Diasporës të kthehet në një universitet sezonal, ku nuk janë më të gjithëditurit e një shoqërie që rri dhe vetëm flet, por janë historitë e suksesit, janë historitë njerëzore të atyre që mund të jenë bërë shumë të famshëm, apo të atyre që askush nuk i njeh, por që së bashku, pa dallim na bëjnë të ndihemi krenarë që jemi bashkatdhetarë dhe bashkatdhetare të tyre. Të atyre edhe këtu ndër ju që janë krejt të panjohur për publikun, por që në rrugën e tyre të jetës, në vendet ku jetojnë kanë bërë si shqiptarë shumë më tepër seç mund të kenë bërë shumë të tjerë që i bien gjoksit këtu në Shqipëri, televizor më televizor e tribunë më tribunë.

Dhe synimi ynë për këtë Samit është i thjeshtë, sepse është i drejtpërdrejtë. Ne nuk kemi një recetë të parashkruar, nuk kemi as një projekt të bërë gati dhe nuk duam që samiti të jetë një teatër ku ne të bëjmë sikur u mblodhëm, sikur folën, sikur vendosëm dhe në fund fare, ju largoheni pa lënë pas gjurmën e eksperiencës suaj. Jo, ne duam që të ulemi, të flasim hapur, ta shikojmë njëri-tjetrin në sy, për të kuptuar më mirë se çfarë mund të bëjmë më shumë së bashku dhe natyrisht, për të planifikuar më mirë së bashku, atë që mund të investojmë në dije dhe në para për Shqipërinë e gjeneratës tjetër. Dhe këtë do të përpiqemi ta bëjmë edhe gjatë këtyre dy ditëve, edhe në vazhdim.

Dua t’i kërkoj ndjesë kujtdo që duke na ndjekur mund të ndihet i dëshiruar për të qenë këtu dhe mund të mos i ketë mbërritur ftesa. Dua t’i kërkoj ndjesë kujtdo që e ka marrë ftesën dhe mund të mos ta ketë kuptuar këtë qëllim të pastër tonin. Dua t’i kërkoj ndjesë dhe kujtdo që në momentin e fundit ka vendosur të mos vijë, sepse ka thënë ‘s’po shkoj atje të ngatërrohem me komunistët’. Sepse të gjithë këtyre iu takon ndjesa, pasi në fund të fundit është një mungesë e madh besimi që është krijuar në shumë vite ndaj pushtetit këtu në Tiranë, për shkak se, sa herë politikanët janë shfaqur përpara diasporës, e kanë bërë më shumë për të dalë në televizion në Shqipëri, sesa për të dëgjuar çfarë kanë pasur për të thënë ata që kanë takuar atje.

Nga ana tjetër dua t’i siguroj të gjithë që, nëse kemi gabuar me ndonjërin që nuk kemi mundur t’i çojmë dot ftesë, nëse kemi gabuar me ndonjë tjetër që mund t’ia kemi bërë ftesën, por nuk i kemi dhënë mundësinë të flasë, nëse kemi gabuar me ndonjë të tretë, për nuk e di për çfarë arsye, të gjitha këto kanë qenë gabime të pafajshme e jo të qëllimshme.

E do t’ju lutesha shumë të gjithëve që, nëse do të shikoni defekte gjatë organizimit të këtij samiti, të na ndjeni. Ndjesën po jua kërkoj që përpara, sepse është një organizim shumë i vështirë, pasi është hera e parë dhe e vërteta është që në 20 e kusur vite, askush nuk u kujtua as t’i regjistrojë shqiptarët se ku janë. Nuk kemi trashëguar asnjë statistikë mbi ku janë, çfarë bëjnë, në cilat fusha operojnë. Dimë pak ose në mënyrë sporadike mbi disa talente që janë shfaqur në sytë e gjithë botës, e për këtë shkak i kemi njohur edhe ne. Por faktikisht është koha dhe ne kemi nisur ta bëjmë, që të regjistrojmë çdo frymë njeriu që flet shqip në çdo cep të kontinentit tonë, dhe kjo është edhe baza për t’u dhënë të gjithë atyre që jetojnë jashtë vendit tonë, të drejtën që të marrin pjesë në procesin demokratik, duke votuar pa qenë nevoja të vijnë dhe të paraqiten në qendrën e votimit këtu, te shtëpia e vjetër e babës, apo te shtëpia e vjetër e vjehrrës.

Duke e mbyllur, të dashur miq, dhe duke ju siguruar që kurrë ky Pallat nuk ka qenë kaq i ngrohtë, edhe pse këtu, ngrohja qendrore nuk punon mirë, sepse sot është mbledhur grupi më i madh njerëzor këtu dhe me gjithë këtë flakë që secili ka brenda, jemi bërë gati që edhe pak e të dalim me mëngë të shkurtra, nëse dëshirojmë. Por nuk po shtyhem më tutje, se duke më parë mua, mund t’ju kujtohet ndonjë gjë më shumë se mëngët e shkurtra.

Po e mbyll me të vërtetën, që ka ardhur koha të rigjendemi rreth asaj ushtime historike që vjen që nga piramidat e Gizeut, prej të cilave, siç thoshte Bonaparti në kulmin e sipërmarrjes së tij rinore, “40 shekuj na kundrojnë”, po aq sa diasporat sot, të përfaqësuara këtu. Dhe këtë ushtim, Thimi Mitko, pionieri i kolonisë shqiptare të Egjiptit, e përshkruan kështu, në një letër të vitit 1888:
“Mblidhi vëllazërisht të gjithë, çkathtoi sa t’mund, për të dëftuar se rron Shqipëria e nuk u tret; gjithë vllëzërve u falemi me shëndet dhe i lutemi Zotit të jetës t’u japë zemër të gjerë e të mirë për këtë punë të shenjtë që kemi zënë.”
Rroftë Shqipëria! Rroftë Kosova! Rrofshin shqiptarët, kudo ku janë, jetojnë dhe punojnë!

* Fjala e kryeministrit Edi Rama në çeljen e Samitit të parë të Diasporës Shqiptare

Të ashtuquajturit “çlirimtarë” dhe krimet e tyre – Nga BESIM NDREGJONI

Sot mbas 72 vjetëve të Luftës së Dytë Botërore shoqëria shqiptare ndodhet e ndarë. Komunistët barbarë të vetëquajtur “çlirimtarë” vranë pa asnjë faj brenda muajit nëntor 1944 mbi njëmijë qytetarë të Shqipërisë së mesme. Në mes të cilëve janë dhe 39 intelektualët e Tiranës që ne po i nderojmë sot, ku përpara pafajësisë së tyre ndihemi të turpëruar se akoma nuk u kemi gjetur eshtrat që t’u ndërtojmë një varr ku familjarët t’i përkujtojnë dhe shoqëria të përulet përpara veprës së tyre kombëtare.

Ne përulemi sot përpara pafajësisë së gazetarit Nebil Cika, Dr. Isuf Allamanit, prof. Lorenc Rashës, deputetit Deliallisi, bisnesmenit Panariti, avokatit Kokalari, patriotit Ismail Agë Petrela, ushtarakëve Sakici, Liku, Saraçi, Stërmasi, Cuka, Shtejfni, Greblleshi, Tërshana, Kalenja, Fekeqi e deri te student Selaudin Ali Korça, ndërsa pushteti politik, trashëgimtarë të barbarëve të vetëquajtur “çlirimtarë” nderojnë vrasësit e këtyre intelektualeve, duke manipuluar me termin “çlirim”.

Përkujtimi i vrasjes së 39 intelektualëve të Tiranës u çjerr maskën, mashtrimit të historiografisë së gënjeshtërt komuniste. Një ndër manipulimet më të rënda e dramatike që ka bërë historiografia komuniste është manipulimi me të ashtuquajturën Luftë Antifashiste Nacionalçlirimtare, e cila ka prodhuar kaq shumë ngatërresa, përçarje e gjenocide mes shqiptarëve, saqë efekti i saj zor se do të zhduket për një kohë ende të gjatë.

Lufta Nacionalçlirimtare krijoi aq shumë përçarje dhe armiqësi mes klasave, kastave, kulturës, religjioneve, sa pasojat e saj edhe sot mbas 72 vjetësh vazhdojnë të përthellojnë natyrën anarkike të tyre. Futja e diskurseve tona në qorrsokak pas viteve ‘90 ka një origjinë të hershme, që na çon te rrënjët e atij fondamenti të tradhtuar, mbi të cilën u hodhën themelet e ngrehinës sonë shoqërore. Prandaj kthimi ynë dhe verifikimi i të vërtetave që lidhen me Luftën Nacionalçlirimtare ka qenë një mision i pa përmbushur i demokracisë shqiptare.

Rishikimi i historisë së Shqipërisë në një masë të madhe është rishikimi i situatës që krijuan komunistët shqiptarë e jugosllavë pas 26 korrikut 1943 në Tapizë, e njohur si “Marrëveshja e Mukjes”. Gjithsesi, pa i gjykuar ashpër të ashtuquajturit dëshmorë të Luftës Nacionalçlirimtare, mund të them me bindje se idealet e tyre u manipuluan dhimbshëm dhe sakrificat e tyre nuk u drejtuan në altarin e shenjtë të interesave kombëtare.

Dhe për këtë para gjyqit të historisë duhet të japin llogari komunistët, qoftë për partizanët e vrarë, të cilët në vend që të vriteshin si luftëtarë të lirisë kundër okupatorit, u dërguan të vriteshin në një luftë të pamoralshme civile kundër vëllezërve të një gjaku e të një gjuhe. Rikthimi i syve nga ato krime që kanë ndodhur në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe me vendosjen e diktaturës nga “çlirimtarët”, është thirrja për të kuptuar se përveç përpjekjes për dije, na duhet edhe të kthejmë sytë nga njeriu, nga vetja, nga vlerat, që të mos rrëzohemi sërish.

Leximi i së djeshmes është njëkohësisht thirrja që të mos dorëzojmë para asnjë oferte lirinë tonë për të besuar, për të folur, për të guxuar. Antikomunistët shqiptarë që dhanë jetën nga plumbat e barbarëve të quajtur çlirimtarë luftuan për një Shqipëri të lirë, ne t’u lëmë brezave një Shqipëri të lumtur.

Si u gjet i pajetë biznesmeni në Kashar, pistat ku po heton policia

TIRANË- Trupi i pajetë i një 48-vjeçari u gjet sot në Kashar, ndërsa pak orë pas krimit detaje të reja zbulohen në lidhje me viktimën. Eduard Lleshi, 48 vjeç është biznesmen, ka në pronësi një hotel në autostradën Tiranë- Durrës.

Trupi i tij u gjet i pajetë nga kalimtarët pranë rezervave të ujësjellësit të fshatit Kashar pasi ishte qëlluar nga një automatik kallashnikov, nga i cili ishin shkrehur tri predha me breshëri. Lleshi dyshohet të jetë vrarë rreth orës 6 të mëngjesin e të enjtes, kur edhe banorët kanë dëgjuar të shtënat, ndërsa dëshmitarët thonë se përkrah trupit të tij është gjetur edhe arma.

Ndërsa policia në deklaratën e saj zyrtare thotë se ka dyshime të forta që biznesmeni mund të jetë vetëvrarë. Këtë gjë e përforcojë deklaratat e familjarëvë të tij, që thonë se prej khësh biznesmeni vuante nga problemet e shëndetit mendor.

Policia e Tiranës me anë të një njoftimi zyrtar bën me dije se është njoftuar se “në numrin e emergjencave 112, se në Kashar tek ish reparti ushtarak afër Xhamisë, ndodhet një person e seksit mashkull i shtrirë, i cili dyshohet i vdekur. Menjëherë janë nisur Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr 6, të cilët në vendin e ngjarjes kanë gjetur një person të pajetë të seksit mashkull si dhe në krahë të tij një armë zjarri automatike. Grupi hetimor në vendin e ngjarjes ka bërë të mundur identifikimin e viktimës, shtetasi E. Ll., i cili është dërguar në ambientet e Mjeksis Ligjore. Nga hetimet paraprake dyshohet të jetë vetëvrasje.

Nga të dhënat paraprake të familjarëve, është konfirmuar se ky person është konstatuar se kishte probleme të shëndetit mendor dhe kurohej rregullisht. Vazhdojnë hetimet në lidhje me këtë ngjarje.

Ndërsa po heton pistën e vetëvrasjes, policia nuk e përjashton as mundësinë e pistave të tjera.

Votohet Autoriteti për hapjen e Dosjeve – Ja kush do të hapë dosjet e sigurimit

Kuvendi miraton 5 anëtarët e Autoritetit për hapjen e Dosjeve; opozita bojkoton votimin

Voal.ch shkruan se  Kuvendii Shqipërisë miratoi të enjten me votim te fshehte elektronik pesë anëtarët e Autoritetit për Informim për Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit, duke i çelur rrugën zbatimit te ligjit “Për hapjen e dosjeve”. Opozita e bojkotoi votimin, pasi e cilësoi veten të përjashtuar nga ky proces, sipas ATSH.

Gentjana Sula, Altin Hoxha, Maringlen Kasmi, Daut Gumen dhe Simon Mirakaj, do të përbejnë trupen që do të hape dosjet e ish-Sigurimit, gjatë diktaturës komuniste. Kandidatura e Selami Zallit, e propozuar nga Partia Demokratike nuk mori votat e mjaftueshme duke mos u bëre pjesë e ketij institucioni.

Kandidatura e Gentjana Sulës, e propozuar nga Këshilli i Ministrave mori 77 vota pro, 1 votë kundër dhe 1 abstenim.

Kandidatura e Altin Hoxhës, e propozuar nga grupi parlamentar i LSI-së mori 76 vota pro, 1 votë kundër dhe 3 abstenime

Maringlen Kasmi i propozuar grupi i PS-së u miratua me 77 vota, pro, 3 vota kundër dhe asnjë abstenim.

Ndërsa kandidatura e Selami Zallit, i propozuar nga grupi i PD-se u rrëzua, duke marrë vetëm 9 vota pro, 67 vota kundër dhe 4 abstenime.

Me 76 vota pro, 3 kundër dhe asnjë abstenim u miratua kandidatura e Daut Gumenit, i propozuar nga shoqatat e të përndjekurve politike dhe e mbështetur nga 28 deputetë.

Ndërsa kandidatura e Simon Mirakajt, e propozuar nga Shoqata për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe e mbështetur grupi i PD-së u miratua me 75 vota pro, tre vota kundër dhe asnjë abstenim.

Miratimi i kesaj strukture, te votuar sot ne Kuvend, i hap rrugën zbatimit te ligjit ‘për hapjen e dosjeve”, i miratuar në prilll 2015 ne parlament, dhe që i garanton të drejtën çdo individi për t’ u njohur me informacionet dhe dokumentacionin e ish-Sigurimit të Shtetit.  Shqipëria në këtë proces do të ndjekë modelin gjerman, i cili ka rezultuar i suksesshëm.

Bledar Skënderi zgjidhet anëtar i ri i KQZ-se

Seanca e sotme miratoi me 74 vota pro, 4 vota kundër dhe 2 abstenime  Bledar Skënderin për postin e anëtarit të ri të KQZ-se. Ai konkuroi përballë kandidatit tjetër Erik Skendaj.
Ndërsa votimi i ‘Kodit hekurudhor’, i vetmi projektligj i séancës së sotme, u shty për javën e ardhshme. /a.g/

Ish-kryetari i PD Osman Stafa: Kjo parti është e kapur nga sigurimsat, luftë për listat e deputetëve për 2017-n

 

Kryetari i shkarkuar i degës së Partisë Demokratike në Durrës, Osman Stafa, shprehet se vendimi i kryetarit Lulzim Basha për të komanduar deputetin Oerd Bylykbashin në krye të PD në Durrës, është produkt i influencave të disa individëve dhe përplasjeve për listën e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 2017.

Sipas tij, se sa e efektshme është kjo lëvizje, do ta tregojnë zgjedhjet e ardhshme parlamentare. I pyetur mbi përgjegjësinë e tij për humbjen e Grida Dumës, në Durrës, përballë Vangjush Dakos, Stafa kujtoi se gjithë lidershipi i PD është përgjegjës për humbjen në Dibër, pasi e gjithë partia u zhvendos dhe u angazhua në Dibër.

Ai ka kërkuar se nëse do të ndiqej I njëjti standard, duhet të mbajnë përgjegjësi edhe drejtuesit e fushatës në Dibër për humbjen.

Osman Stafa gjatë një interviste për Shqiptarja.com, ka artikuluar edhe një akuzë të fortë, ku sipas tij, eksponentë të Partisë Demokratike kanë qenë bashkëpunëtorë të ish­Sigurimit të Shtetit. Sipas tij, në radhët e PD ka njerëz të Sigurimit dhe të krimit. Në këtë kuadër, Stafa bëri thirrje për hapjen e dosjeve të ish­Sigurimit të Shtetit.

Stafa, kryetari i opozitës, Lulzim Basha, ka komanduar deputetin Oerd Bylykbashin në krye të PD së Durrësit, duke zyrtarizuar kësisoj largimin tuaj. Si e vlerësoni këtë lëvizje?

E para, komandimet nuk janë në parim dhe në themel të Partisë Demokratike. E dyta, është një vendim totalisht i detyruar, për të rikuperuar nxitimin dhe gabimin që u bë me nxjerrjen e udhëzimit, për një ndërhyrje në strukturat e Partisë Demokratike.

PD, në themel të saj nuk ka komandimet dhe emërimet, por ka votën e demokratëve dhe të qytetarëve. Unë uroj që ky vendim t’i shërbejë forcimit të strukturave të PD. Shpejt do të kemi mundësi që të shikojmë se sa i drejtë dhe i padrejtë ishte kjo therje e sforcuar.

E jap me shumë qetësi mendimin për këtë çështje dhe si një kryetar i zgjedhur me votën e demokratëve. Kam një qëndrim politik, por edhe një qëndrim moral, i një njeriu, i cili në PD nuk është as prurje dhe as artificë, por jam pjesë e themelimit të PD që në lindjen e saj.

Unë deklaroj dhe konfirmoj që, korrektësia ime dhe opozitarizmi pa kompromis ndaj kundërshtarit politik, ka cenuar dhe ka frikësuar individë të caktuar në Partinë Demokratike, të cilët kanë ndërhyrë dhe kanë prodhuar një rezultat të tillë.

Këta individë në PD kur kanë ndërhyrë dhe për çfarë interesash?

Ata kanë një kohë të gjatë që kanë ndërhyrë për interesa të kandidaturave për zgjedhjet e 2017. Duke parë forcën, jo të Osmanit si individ, por të kryetarit të zgjedhur nga demokratët, marrëdhëniet e shkëlqyera të mia me demokratët, kjo ka frikuar segmente të caktuara të PD, të cilat e shohin veten jashtë këtij modeli që prezantova unë si kryetar I opozitës në Durrës.

Pra, ju e shihni komandimin e Bylykbashit produkt i një përplasje të brendshme dhe luftë e ftohtë për listat e 2017?

Normalisht që po, sepse po të shikojnë udhëzimin e nxjerrë nga Kryesia e PD dhe të konfirmuar nga kryetari Basha, të paktën ky udhëzim duhet të ishte zbatuar që në qershor. U shty për në korrik dhe sot ne jemi në mesin e nëntorit.

Nëse ky udhëzim apo ai qëndrim i Kryesisë së PD dhe i kryetrarit Basha do të kishte gjetur mbështetjen dhe përkrahjen nga strukturat e PD, dega Durrës, kjo do të ishte të ishte realizuar, duke zbatuar afatet që kishte parashikuar udhëzimi. Por, kur panë, u njohën dhe u bindën se udhëzimi binte ndesh me mendimin dhe qëndrimet e strukturave të PD, u detyruan të bëjnë një therje dhe ndërhyrje të tillë, që nuk është pjesë dhe model i Partisë Demokratike.

Modele të tilla nuk janë në frymë të PD nga lindja e saj deri më sot. E gjithë kjo situatë ka ardhur për shkak të humbjes në Durrës në zgjedhjet e 2017.

A i njihni ju vetes një pjesë të përgjegjësisë për humbjen e zonjës Duma?

Nëse ndërhyrja e Kryesisë së PD do të ishte realizuar në shtator të 2015, do të isha plotësisht dakord, pavarësisht se jam personi që nuk kam aspak përgjegjësi politike dhe morale, për çfarë ka ndodhur në 2015, me kandidaturën e zonjës Grida Duma në Durrës.

Nëse do të qëndronte kjo, e kujt është përgjegjësia për një humbje drastike në Dibër?

Kush e drejtoi fushatën e PD në Dibër? A u vendos e tërë PD në Dibër? Unë kam qenë kundër hyrjes së degës së PD në Durrës në zgjedhjet e 2015. Dhe kanë qenë pikërisht kryetari Basha, Edmond Spaho dhe zonja Duma, të cilët kanë qenë dakord për të hyrë në zgjedhje.

Sepse në Durrës nuk është kryer një masakër zgjedhore, në Durrës, me votën e qytetarëve durrsakë është kryer një krim. E kam denoncuar me fakte dhe dokumente, të cilat i ka njohur prokuroria, gjykata, KQZ dhe Kolegji Zgjedhor. Mjafton të shikosh denoncimet e kryetarit të PD, dega Durrës, ndaj pushtetit lokal dhe pushtetit qendror, atëherë do të shikosh se kush është parimi, mënyra dhe forma e të bërit opozitë.

Nga unë dhe nga bashkëpunëtorët e mi janë bërë 136 denoncime referuar pushtit lokal dhe pushtetit qendror. Pra, disa individë të caktuar, me influencë tek kryetari Basha, nuk ju ka pëlqyer modeli i të bërit opozitë i Osman Stafës. Unë jam një model jo i kapur, as nga krimi dhe as nga Sigurimi i Shtetit. Unë nuk jam model Enno Bozdo, unë jam model tjetër dhe përfaqësoj idealet e Dhjetorit ’90.

Pse ju mendoni se në PD ka elementë të kapur apo të lidhur me Sigurimin e Shtetit?

Kam kërkuar me këmbëngulje që të hapen dosjet. Edhe para se të bëhesha kryetar i PD, edhe pasi u bëra kryetar i PD, kam kërkuar që PD duhet të këmbëngulë urgjentisht për hapjen e dosjeve. Për aq kohë sa PD nuk këmbëngul për hapjen e dosjeve dhe të procesit të lustracionit, PD ka një sërë bashkëpunëtorësh të ish­Sigurimit të Shtetit nëradhët e saj.

Ja dëshmia që fundos ish-deputetin Mark Frroku

Dëshmia e oficerit belg te policisë gjyqësore Steven Van Deneste, mund te fundose ish-deputetin Kristian Demokrat Mark Frroku. I thirrur nga Prokuroria, zyrtari i larte i policisë se Brukselit, ishte vete këtë te marte ne Gjykatën e Tiranës, për te dëshmuar mbi hetimin e tij për vrasjen Aleksandër Kurtit ne Belgjike, 17 vjet me parë.

Ai shoqërohej nga forcat speciale te policisë. Ne dosjen e policisë belge tregohet se autori i krimit është edhe ish-deputeti Mark Frroku. Por keto te dhëna prokuroria kërkon qe t’i bëhen te ditura Gjykatës nga vete hetuesi i çështjes. Pjesë e hetimit në cilësinë e dëshmitarit te thirrur nga Prokuroria, ishte edhe qytetari belg, Josef Overdeen.

Për arsye sigurie, seanca gjyqësore u zhvillua me dyert të mbyllura. Autoritetet belge kërkuan ekstradimin e Mark Frrokut vitin e shkuar, çka çoi edhe në arrestimin e tij. Mbi ish-deputetin rëndojnë 4 akuza. Akuza e parë, ajo e vrasjes, lidhet me ekzekutimin me thike te Aleksandër Kurtit. Sipas palës belge, ai u qellua pranë një stacioni treni nga Frroku dhe 3 bashkëpunëtorë te tij, pas konfliktit për kontrollin e një rrjeti prostitucioni.

Akuza e dytë është ajo e evazionit fiskal. Prokuroria thotë se Frroku nuk justifikon dot pasurinë prej më shumë se 2 milionë dollarësh. E treta është akuza për trafik droge, pasi ne vitin 2002 Frroku është dënuar ne mungese ne Holande me tre vjet burg për trafik droge. Por Mark Frroku duhet te përgjigjet edhe për një ndërtim ne Tirane, qe konsiderohet pa leje.

Burimi: Vizion+

E SHTUNA SPORTIVE – ME TEPRI POLITIKE E POLICORE – Nga Ramiz LUSHAJ

 

1.
Të shtunën, në Shqipëri, ishin dy ndeshje: në futboll me Izraelin – fisin ma të madh të botës dhe në politikë me Vetveten – kombi ynë, i ndamun në gjashtë shtete ballkanike. Hupëm në të dyja: në stadiumin sportiv “Arena” të Elbasanit dhe në “Arenën politike” të Tiranës zyrtare. Donim të tregonim forcë të kultivuar, por nuk kishim fuqinë e duhun. Fituam duke humbur. Edhe në Politikë. Edhe në Sport. U treguam lojacak…!
Topin e bamë Glob e Globin si top. Na ndodh shpesh kjo. Edhe kohët e fundit. Duket kjo në qëndrimet e Kryeministrit të Shqipërisë ndaj Presidentit Amerikan Donald Trump; ndaj Greqisë; në ecejaket drejt Beogradit; në krahaqafjet me Turqinë; në lozdrimet me Malin e Zi, etj. Me “top-politikën” në Beograd, në Shkodër, për të dyten herë në Elbasan…Me “politikën e topit” në Parlamentin shqiptar në dy anët e Lanës; në mes Pozitës e Opozitës; në mes PS dhe LSI, tashti dhe PDIU, etj.
Dje, vërtet luajtëm futboll politik e sportive në qendrën “kthizen” e Shqipërisë Londineze, në Shqipërinë e Mesdheut, po nuk jena “qendra” e Botës së sodit. Politika e mazhorancës ban sikur nuk e dinë këtë fakt historik, diplomatik, politik.
 
 
2.
Ajo çka ndodhi dje–në harkun e një dite, në hapat kilometrik diplomatik, politik e sportiv nga metropoli ynë -Tirana zyrtare e deri në Elbasan, mendoj se nuk ishte një “Hark Triumfi”.
Kjo, tue nistue tek e keqja ma e vogël: nuk ka asnji arsye që një Qeveri si kjo e jona në Tiranë, antare në NATO e në hapje negociatash për në BE, të “prodhojnë” gjithkund e gjithkahit kaq shumë politikë përtej mediatike e me “ditë policore”, kaq shumë presion psikologjik, kaq tepri stresi për popullin e vet, për kombin e vet, ndërkohë që e ka për detyrë diçka tjetër madhore: sigurimin e lumturisë popullore. Nuk luftohet “Terrori” i të Tjerëve (në kërcenim apo praktikë) ndaj Shtetit Tand, si në rastin Shqipëria, duke e “terrorizuar” Popullin Tand me propogandë refrendare mediatike, me forca të shumta e të shumëllojta policiore, me kontrolle, etj. në rrugë e lokale të Tiranës e të Ebasanit, tek tifozët e stadiumit “Arena”, tek shtetasit shqiptarë edhe pranë ekraneve të televizoneve, etj. Çështja shtrohet edhe kështu, kësisoj: A dinë të punojnë ndryshe në Sigurimin e Jetës e të Qetësisë Publike kjo Qeveri e Vendit Tim, kjo Qeveri e Kohës Sonë?!
 
 
        E, në koft se flasim për të keqen ma të madhe, ajo dihet, aq ma tepër nga politikbërësit shqiptarë, nga figura politike drejtuese të shtetit shqiptar. Kjo ka të bajnë me faktin e njohur: shumkush e shpeshherë në masmedia e deri në organizma e institucione të ndryshme ndërkombëtare e ka sulmue Shqipërinë si “një vend islamik”, e për ma keq, don ta cilësojnë dhe si një vend “vatër terrorizmi” me ushtarë vullnetarë të shkuar në ISIS, me direktiva e porosi për akte terroriste nga ISIS, etj.
Faktikisht, “Dita Policore” e të shtunës sportive; çvendosja e ndeshjes së futbollit nga stadiumi i Shkodrës në atë të Elbasanit; mbi 100 arrestime edhe tejet propogandistike në Shqipëri me akuzën për lidhje me ISIS, për plane kryerje të akteve terroriste të tyre; arrestimet në Kosovë për lidhje me ISIS e me të dyshuarit në Shqipëri; kontrolli kordonor vertikal e horizontal i tifozëve që shkonin rrugës e hynin në shkallët e stadiumit “Arena” të Elbasanit; qarkullimi i forcave policore të shumfishta të blinduara, etj. dhanë deri-diku një imazh ndërkombëtar sikur “Shqipëria qënka vatër e ISIS-it” apo “vatër e rrezikut islamik, të akteve terroriste”, etj. Pra, deri-diku, nëse donim të tregonim se jemi të fortë në luftën kundër terrorizmit, u tregue dhe e kundërta: jemi vend me rrezik terrorizmi për të tjerët. Kjo nuk i ban nder Shqipërisë euro-atlantike.
Çështja shtrohet kështu: nëse brenda një dite apo një dekade Shqipëria do të largohej nga besimi i vet islam e do të ktheheshin në besimin e vet të origjinës – në të krishterë apo dhe në protestanë, etj. kjo (ndoshta, mendoj) nuk do t’iu interesonte as NATO-s, as BE-së, as Këshillit të Europës, as OSBE, etj. Kjo për faktin e (pa)njohur se, veçmas në dekadat e fundit, e duan Shqipërinë një “vend islamik” (me shumicë popullsie të besimit islam), me një “islam modern” (si ky i derisotmi në Shqipëri), një unitet fetar model (siç e ka manifestue ndërkombëtarisht Shqipëria), etj.
Kjo i duhet edhe vet Shqipërisë për shumçka fetare-diplomatike-politike në udhëtimin e vet historik dhe euro-atlantik. Shqipëria duhet të ruajë këtë masë e këto parametra dhe të mos i tejkalojë ato e për ma tepër e ma keq të luajnë politikisht me to si kësaj të shtune sportive të planifikuar në Shkodër e të luejtun në Elbasan, me përforcime e sforcime policore, etj.
E treta, e kësaj historie të së shtunës sportive me kombëtaren e Izraelit, ka të bajnë me faktin se “rreziku i sulmit terrorist” (ISIS) dhe “mbrojtja prej rrezikut të sulmit islamik” (ISIS), institucionalizimi propogandistik i saj dhe organizimi i “Ditës Policore”, etj. u kryen në një “kohë të artë politike” kur Shqipëria po ecën drejt hapjes së negociatave me Bashkimin Europian në Bruksel dhe kur kryeministri shqiptar Edi Rama hapi një ekspozitë vetjake pikture në Manhatan të Nju Jorkut në SHBA. Kjo u krye kësisoj, mbarë e mbrapsht, edhe për këto dy arsyena, për me i tregue Brukselit e Amerikës, dhe lobit të fuqishëm hebre në Izrael, Amerikë e Europë, se Shqipëria dinë të mbrohet nga terrorizmi ndërkombëtar (ISIS, etj), por nga ana tjetër, u dëshmue dhe kjo tjetra: Shqipëria rrezikohet me u kthye në një “vatër të importimit apo eksportimit të terrorizmit ndërkombëtar” (ISIS, etj).
 
 
3.
E kam shkrue dhe herë tjetër, në fund të shekullit të kaluar, se në vitet 1998-’99 kur ishte koha e eksodit masiv të spastrimit etnik të shqiptarëve të Kosovës dhe koha e Luftës së Kosovës disa masmedia edhe me emër e famë ndërkombëtare i nisnin kronikat e tyne televizive me pamje nga xhamitë. Donin ta paraqitnin Kosovën pro-perëndimore si një vend islamik, me prirje e kahje islamike, me fytyrë e hap lindor euro-aziatik, etj. Po, bash aty, në kryeqëndren e Kosovës, në Prishtinë, ishte dhe lideri epokal i Koosvës, dr. Ibrahim Rugova. Ai ishte arkitekti i propogandës e veprimit pro-perëndimor euro-atlantik. Ai, në zyrën e tij, mbante dhe dy foto emblematike, krejt të veçanta, të Papa Gjon Palit të Dytë dhe të Nanë Terezës. Këto dy ndër figurat simbolike të Perëndimit e të Krishtërimit ishin dhe dy nga personalitetet ndërkombëtare me kontribute për Lirinë e Pavarësinë e Kosovës.
E përmenda këtë fakt historik të liderit të shquar të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, për ta pasë si shembull e shembullim dhe figurat e larta politike të Shqipërisë për ta paraqitë fytyrën frymen, kahjen e imazhin perëndimor të Shqipërisë. Nuk mjaftojnë vetëm Politika e Tepruar dhe Policia e Sforcuar si në të shtunën sportive të ndeshjes me Izraelin dhe të mbrojtjes nga rreziku i ndonjë sulmi të mundshëm terrorist nga ISIS, etj.
Natyrisht, duhen dhe marrja e masave mbrojtëse nga ISIS, nga terrorizmi islamik, etj. për cka edhe duhet faleminderue struktura e forca të Policisë së Shtetit, por jo me veprue me kaq propogandë të pa fre dhe me veprimtarim policor publik e mediatik pa kufi, etj. Të gjithë ata që kanë në tentativë apo krye akte terroriste, që janë antarë të organizatave terroriste, etj. duhen të denohen sipas ligjit shqiptar, por jo vetëm në evente të caktuara e me kaq politikë të madhe, presion psikologjik e stres popullor, etj.
Njëherash, duhet të merren masa ma të forta e të drejta për të mos lejue disa vende arabe, që t’i kushtëzojnë investimet e veta në shtetet shqiptare në Shqipëri e në Kosovë dhe në treva shqiptare në Ballkan me ngritje të xhamive gjithkund e në pandalshmëri, edhe kur ato mbeten objekte pa personel fetar apo me personel të pakualifikuar, që nuk janë as të lindur, as të shkolluar dhe as të sakrificës për kryerjen e kësaj detyre misionare për besimtarët e vet.
Klasa politike e Shqipërisë dhe e shqiptarëve në Kosovë e në Ballkan duhet të bajnë ma shumë e ma mirë me i dëshmue Europës dhe Botës se figura të shquara iliro-arbnore-shqiptare kanë dhanë kontribute kolosale për Njerëzimin, për Perëndimin, për Krishtërimin, për Kulturën Botërore, si Konstandini i Madh – që e shpalli fe zyrtare Krishtërimin; Justiniani i Madh – Kodi i të cilit është në themele të Jurispondencës së Europës së sotme; Shën Jeromini – përkthyesi i parë i Bibles në latinisht; Shën Niketë Dardani – i himnores së njoftun “Te Deum, laudeamus” – “Ty o Zot të lëvdojmë”; Papa Klementi XI – Albani, e dhjetra të tjerë, që ende nuk po i vlerësojmë sa e si duhet as në shek. XXI. Askund nuk gjen as ndonjë shtatore apo buste të tyre as në Metropolin Shqiptar, në Tiranë, ndërkohë që grekët e sllavët harxhojnë miliona euro për t’i ba pjesë të kulturës e besimit të tyre fetar, për t’i pasë si figura emblematike të shteteve të tyre.

Berisha “U bëj thirrje shqiptarëve që ta bllokojnë Edi Ramën në aeroport”

Ish-Kryeministri Sali Berisha e ka cilësuar cinike vizitën e Kryeministrit Edi Rama në New York në një kohë kur shumë zona në Shqipëri janë përmbytur nga moti i keq. Berisha thotë se përveç kësaj, Rama fyen qytetarët duke thënë se u flet shqiptarëve të përmbytur nga Facebook-u.

Në fund, ish-Kryeministri për këtë sjellje përbuzëse ndaj qytetarëve, duhet reaguar duke e bllokuar Ramën në aeroport.

Postimi i Berishës:

Rama qytetareve te permbytur: Une jam ne Nju Jork por Facebookun e kam ne krye te detyres!

Te dashur miq, moti i madh i diteve qe kaluan shkaktoi ne te kater anet e vendit permbytje te medha, tre qytetarevhumben jeten, mijra hektare toke por dhe mijra banesa ne zonat rurale por dhe ne qytete te medha u mbuluan nga ujrat e lumenjve, perronj qe dolen nga shtreterit e tyre. Shtoj ketu se vershimi i eger i lumenjve dhe perrenjeve ne te gjitha anet e vendit ka shkaterruar rende infrastrukturen e ketyre zonave duke hedhur qindra mijra tonelata dhe e gure si dhe bllokuar rruget e tyre, apo marre me vete urat e tombinat, dhe bere rruget te pakalueshme.

Ne te gjithe kete situate katastrofe natyrore, Edvin Kristaq Rama ne nje akt te paimagjinueshem per nje kryeminister qe ndjen minimumin e pergjegjesise per detyren e tij:

1-Nuk ka dhene asnje qindarke per zonat e permbytura madje nuk ka shqiptuar nje fjale te vetme dhe nuk ka ngushelluar apo dhene asnje ndihme per familjet e viktimave. Po rikujtoj ketu se ai me deputetet e tij gjate shqyrtimit te buxhetit ne shtatorin qe kaloi, shkurtoi me 60% fondin e emergjencave dhe jo vetem kaq por ai vet,

2- çau ferren per Nju Jork per te hapur ekspoziten e zhgaravinave te tij personale duke marre me vete edhe punonjes te shtetit ne shkelje flagrante te çdo ligji.

3-I pa penduar per aktin e tij te shemtuar cinik, perçmues ndaj qindra mijra qytetareve qe u perballen me egersine e motit, te braktisur nga mender kryeministri i tyre, arrin deri aty sa t’iu drejtohet shqiptareve me FB nga Nju Jorku se, une vertet jam per hesape te mia ne Nju Jork por ja ku e keni facebookun tim si deshmitar qe une jam ne krye te detyres, ose te pakten facebooku im eshte, sepse ju kaq meritoni.

Ne cdo vend te botes qytetaret do reagonin me se paku duke e bllokuar ne aeroport nje kryeminister cinik, armiqesor, perbuzes gjer ne mohim te njerezve ne fatkeqesi po te guxonte ti braktiste per te hapur ekspozita personale.

Ju bej thirrje shqiptareve ti rezervojne po kete qendrim pinjollit te eterve xhelat te shqiptareve, Edvin Kristaq Rames! sb

Sekuenca mediatike post-elektorale nga zgjedhjet në SHBA! – Nga Qamil Gjyrezi

Pardje në drekë ndoqa emisionin televiziv “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu në televizionin kombëtarë Klan në Shqipëri. Në fillim po e ndiqja pa zë emisionin për arësye objektive, me gjeste dhe gjuhën e “lëvizjeve të duarve” dhe temën e emisionit e kuptova nga titrat televizive.
Pjesmarrës ne panel ishin opinionistë dhe gazetarë të medias, përfaqësues të partisë në pushtet dhe opozitës dhe miq të drejtuesit të emisionit Fevziut.

Nuka kam asgjë personale as me pjemarrësit, as me drejtuesin e emisionit, por me “hipokrizinë” e mediave në Shqipëri, që nuk janë në nivelin e duhur, për të bërë avokatinë e publikut për problematikat që përballohen njerëzit dhe prezantimin e vërtetë të zhvillimeve politike dhe shoqërore në Shqipëri dhe në Botë.
Pjesmarrësit në panel flisnin argumentonin dhe i “lëviznin duart” shumë bukur. Unë e mora mesazhin për temën e emisionit, sic shkruajta më lart nga titrat televizive dhe “lëvizja e duarve” të tyre me plot pasion dhe “sharm” mediatik.

A e dini për ke po diskutonin këto opinionistë të politikës së jashtme?!
Për presidentin e SH.B.A.-ve, Zotin Trump, shtetit më të fuqishëm në botë, që mendoj se nuk ka nevojë për këto modele “opinionesh”! O.K. Opinionistët kishin të drejtën e tyre të diskutonin, mbasi ishin të ftuar nga drejtuesi i emisionit!

Në parantezë, dicka duhet theksuar fort! SH.B.A i ka lënë klasës sonë politike të vetmen detyrë, dekriminalizimin, luftën kundër korrupsionit dhe sistemin e drejtësisë të pavarur, Vetingun. Mendoj që do të ishte me vend që panelet mediatike duhet të trajtonin më mirë temat, se si klasa jonë politike po “tallet” ose i anashkalon rekomandimet e amerikanëve. Ky është një mendim personal nga ajo cfarë lexoj, shikoj, dëgjoj, kuptoj dhe logjikoj. Problematikat e post-zgjedhore në U.S.A., i trajtojnë analistët dhe opinionistët amerikanë, pse jo edhe neve!? Kjo është në të drejtën dhe interesat e drejtuesve të paneleve dhe e pronarëve të televizioneve.

Por dekriminalizimin, sistemin e drejtësisë të pavarur dhe Vetingun në Shqipëri do ta kërkojë edhe administrata e Donald Trumpit! Ky kriter është i panegociushëm! Nuk e ka kërkuar “Sorosi” shtetin e së drejtës, Vetingun në Shqipëri, por administrata amerikane, qeveria amerikane, Zonja Nuland, Z/V sekretraja e shtetit e presidentit Obama! Për këtë duhet të jemi të gjithë të qartë! Mediat, partitë politike dhe opinionistët në Shqipëri, kanë punën dhe imagjinatën e tyre.

Në emision po ndiqja sekuencat jo-verbale të opinionistëve (duart, fëtyra, veshje të modës, flokë modern, orë dore të shtrenja, teatër terapi pa fjalë).

Niveli intelektual i bisedës jo-verbale ishte “shumë” i lartë, nga ana formale! Brendia, përmbajtja verbale e emisionit nuk ishte në nivelin e duhur, mbasi më vonë fillova ta ndjeki emisionin me zë. Opinionistët mbronin interesat e partive dhe të pronarëve të tyre, ose interesant e tyre personale, duke “abuzuar” me parashikimet për zgjedhjet e fundit në Sh.B.A. Këto tema nuk ndikojnë shumë në nivelin e demokracisë, shtetit ligjorë dhe problematikave sociale dhe politike që kemi neve! Këto tema që flasin për ngjarje me përmasa botërore, promovojnë të ftuarit në publik dhe rrisin rëndësinë e tyre tek drejtuesit e tyre politikë dhe pronarët e tyre dhe natyrisht shuajnë edhe  kuriozitetin e publikut.

Formati i “Opinionit” te Fevziut, ka prezantuar modele të mira. Ky fakt nuk duhet mohuar.
Sipas meje gjithmonë, opinione për këto tema nuk duhet të japin partitë politike, grupet e interesit dhe opinionistët e “paguar”, mbasi politizohet dhe “kompromentohet” tematika e emisionit.

Po Vetingu kur do të bëhet?! Kjo është një temë e  rëndësishme për tu trajtuar mga media, për të gjithë shqiptarët! Nuk kanë faj amerikanët, as Zoti Obama as Zoti Trump, që klasa jonë politike është e korruptuar deri në “palcë” dhe “tallet” me rekomandimet për reformat serioze të partnerëve tanë strategjik prej 26 vitesh!

Suksese Zoti Donald Trump! Suksese SH.B.A.! Paradokset tona nuk kanë të mbaruar.
Shqipërisë tonë i duhet një model si zoti Donald Trump, e që mendoj se nuk do të vijë shpejt!?
Por shqiptarët kudo që janë nuk duhet te harrojnë kurrë mbështetjen e qeverisë Amerikane dhe të Zotit Bill Klinton në krizën e Kosovës!
Ku kemi neve forcë dhe argument, të kuptojmë e të merremi me modelet zhvilluese dhe politike te Klintonëve, Dick Cenei, Bushëve, Trumpeve, Sorosit, Rock-Felereve, etj, etj dhe politikën e demokracinë amerikane, neve kemi me bollëk problematikat tona!? Zhvillimet e fundit në zgjedhjet në Sh. B. A. e patën të vështirë ti kuptojnë dhe parashikojnë edhe kancelaritë europaine me traditë qindvjecare demokracie në politikë, si Holland në Franë, Merkel në Gjermani dhe Renzi në Itali etj?!

Po sjelli një lajm të një dite mbas emisionit “Opinion”, që vërteton pretendimin tim: “Presidenti amerikan Barack Obama thotë se pati një bisedë “të shkëlqyer” dhe “të gjithashme” me Donald Trumpin, në vizitën e parë të Presidentit të zgjedhur në Shtëpinë e Bardhë. Duke folur në Zyrën Ovale, zoti Obama theksoi se përparësia e tij numër një, është transferimi i rregullt i pushtetit. Zoti Trump tha se e pret me kënaqësi bashkëpunimin me Presidentin Obama në të ardhmen, duke e quajtur një “nder të madh”. Kjo asht një deklaratë shumë domethënëse si funksionon demokracia në U.S.A.! Jo si tek neve në formën më të shpifur dhe mashtruese dhe media ka rol të madh, mbasi shpesh e mbështet klasën tonë poltike në bëmat e saj!

Zgjedhjet e fundit ne Amerikë, treguan fëtyrën e vertetë të mediave të “shitura”.

Fushata në Amerikë mbaroi dhe filloi jeta e përditshme, pavarësisht kontestimeve pasionante.

Po prezantoj disa sekuenca mediatike elektorale nga zgjedhet e fundit në Sh.B.A. që i ndoqa në media!

1. Disa opinionistë të “pavarur” debatojnë në emisionin “Opinion” për zgjedhjen e Zotit Donald Trump.

2. Një foto e Zotit Donald Trump që shkoi dhe takoi Zotin Obama në zyrën ovale. 3. Një foto e vitit 1999, në martesën e fundit të Zotit Trump, ku mori pjesë Zoti Bill Klinton dhe Zonja Klinton.

Të nderuar opinionistë, politikanë dhe gazetarë!

Kjo është politika! Kjo është Amerika!

Greqi, vritet brenda në makinë 32-vjeçari shqiptar

 

Vritet një shqiptar në Athinë, në rrethana ende të paqarta. Burime nga policia greke bëjnë me dije se ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit në Keratsini. Mediat greke pohojnë se 32-vjeçari shqiptar, identiteti i të cilit nuk dihet ende ishte gjetur i plagosur me armë zjarri në makinën e tij, ndërsa kishte ndërruar jetë gjatë kohës që po transportohej në spital.

Po ashtu, raportohet se në këtë zonë ka ndodhur një tjetër ngjarje, pasi policia u njoftua për grabitje të një banese. Bëhet e ditur se sapo forcat policore mbërritën në vendin e ngjarjes, ata u përballën me grabitësit, të cilët hapën zjarr ndaj tyre. Sakaq, po hetohet nëse këto ngjarje kanë lidhje me njëra-tjetrën apo jo.

KUR FLET SOVRANI TE TJERËT HESHTIN! – Nga AZGAN HAKLAJ*

 

MIRËNJOHJE PER BUSHËT DHE KLINTONËT, SUKSESE PRESIDENTIT DONALT TRUMP

 

 

 

I nderuar z President!
Sovrani me voten e lirë e dha verdiktin e tij. Ai i besoj fuqisë së fjalës tuaj uitmaniane per ndryshim , populli amerikan ju mandatoj si president i 45-tê i SHBA. Edhe liderët më të medhenj politik mund te gabojnë por kombet e lira janë të pagabueshem ne verdiktin e tyre.

Ju premtuat solemnisht se do të jeni president i gjithë amerikanëve duke dhenë mesazhin e madh të bashkimit të kombit. Kjo u konfirmua dhe nga kanditatja Klinton dhe presidenti në detyrë Barak Obama. Ketu qendron sekreti i mrekullisë së demokracisë amerikane dhe i lidershqipit të saj politik.z President Amerika pati fatin te  udhehiqet prej dy shekujsh e gjysëm nga burra mendjendritur e vizionarë si Uashingtoni, Xhefersoni, Frenklini, Linkolni, Uillsoni Ruzvelti e Kenedi ( mbreti Artur i kohërave moderne)
250 vjet me parë kur po hartohej deklerata e pavarsisë Xhefersoni,Medisoni e Hamiltoni shpreheshin: Jemi mbledhur nje ansambël gjysëm perendishë qe po projektojmë të ardhmen e Amerikës. Benxhamin Franklin na meson kush nuk lufton për lirinë nuk e meriton atë.
Ne kulmin e krizës amerikane dhe botërore te viteve 30-të Ruzvelti ju drejtua bashkëkombasve te tij: Ajo qe duhet te kemi me tepër frikë eshtë vete frika Amerika e tejkalojë ketë krizë dhe u ba fitimtare e luftës dytë botërore dhe frymëzim për të gjitha kombet qe luftonin për liri dhe demokraci.

 

Natyrshëm Franca, atdheu i lirisë toka ku lindën korifejtë botërorë si Karli i Madh, Luigji i 14-të, Napoleoni dhe Degoli, Rusoi,Volteri, Balzaku e Hygoi i dhuroj atdheut tuaj statujēn e lirise, Perendeshën mbrojtëse të Amerikës e cila do te mbajë perjetësisht të ndezur pishtarin e lirisë me moton e revolicionit francez; Liri, barazi , vllazëri.
I nderuar z President!
Xhorxh Uashingtoni lindi dhe u edukua me vlerat e larta të lirisë dhe drejtësisë nga një nanë shqiptare bija e Kosovës Marije Balaj. Testamenti i tij për të gjithë presidentët pasardhës permblidhet ne fjalët hyjnore : Amanet po ju le Shqipërinë , kombin e nanës time. Luftoni për lirinē dhe te drejtat e tij sepse eshtë kombi me fisnik i cili i dha njerëzimit 23 perandor, Konstadinin e Madh çertifikuesin e Krishtërimit, Justinianin arkitektin e te drejtës romake Shën Jereminin , Niketë Dardanin,Papa Klementin e 11-të Albani atletin e krishtërimit Gjergj Kastrioti.

 

 

I nderuar z. President

Zoti e deshi qe ju të kurorëzoheni ditën kur 6 shekuj me parë prelati katolik Pal Engjëlli shkruajti pë herë të parë ne shqip formulën e Pagëzimit: Unë ju pagëzoj në emer të Atit, te Birit, e të Shpirtit të shenjtë. Ne zjarrin e luftës e të betejave për jetë a vdekje me pushtuesit turq baballarët dhe nanat shqiptare i shqiptonin keto fjale femijëve te porsalindur që ata të mos vdisnin te paemër dhe të pa pagëzuar sipas traditës së lashtê shqiptare.

 

Zoti president ,

 

Shen Tereza, Mbretëresha e dashurisë njerzore i kerkoj presidentit Klinton :Beni diçka per çlirimin e Kosovës. Edhe ne vitet e terrorit komunist qe Shqiperia u dogj dhe u vranë mijra vetë te pafajshem nanë Tereza pak muaj para se të takohej me Zotin shkruante;

 

Lutem për vellezrit shqiptarë që aty te mbretërojë paqja dhe dashuria dhe Satanai te debohet nga Atdheu im.

 

Para 600 vjetēsh heroi legjëndar i shqiptarëve i cili mbrojti me armë mbreterinë e Napolit dhe Papatin i shkruante princit Orsini: Jam mik i vyrtytit dhe jo i fatit.
Ju fituat ne saje te virtytit, besimit te bashkëkombasve tuaj dhe vendosmërisë per te ndermarre reforma te mēdha për një Amerikē me te fortë, me tē bashkuar me besimin tek e nesermja.

 

Shkrimtari Viktor Hygo thotë : I lutem Zotit qe të me japē jetë sa te baj një vepër te dobishme ne sherbim të Atdheut.

 

 

I nderuar Zoti President!

 

Kombi im eshtë i coptuar barbarisht ne 5 shtete nga fuqitë e medha të shekullit 19-të. Shën Agostini , filozofi i madh thotē: Nje ligj qe nuk ka moral nuk edhte ligj. Amerika duke perçuar vlerat me te larta të lirisë nuk ra ne kete kurth.

 

Presidenti Uillson ne vitin 1919 e mbrojti Shqipërinë nga coptimi.

 

Presidenti Klinton mbrojti 2 miljon shqiptarë të Kosovës nga genocidi dhe spastrimi etnik i kasapit te Ballkanit Millosheviç.

 

Presidenti Xhorxh Bush Junjor konfirmoj nga Tirana vendosmerinē pēr ta shpallë pavarsinē e Kosovēs.

 

Keto janë arsyet që shqiptarët janë aleatët më besnikë të SHBA dhe ndajmē sëbashku fatin e të ardhmes dhe vlerat e mēdha të lirisë demokracisë dhe humanizmit.

 

Në emër të ketyre vlerave ju kerkojmë te luftoni fort per të zgjidhur kauzën shqiptare ne respekt të kartës së Atlantikut ku theksohet se çdo komb vendos vetē për fatet e tij.

 

Zoti President,  shqiptarët janë të ndarë nga intrigat e diplomacisë e politikës së te medhenjëve. Para një shekulli ministri i jashtem i Austrohungarisë konti Bertolt e mbrojti me drejtesi e heroizëm çeshtjen shqiptare.

 

Ju kerkojmë zoti President qe ashtu si Aleksandri i Madh 2300 vjet me parē te prisni me shpatën e drejtësisē nyjen gordiane të diplomacisë dhe intrigave antishqiptare dhe ti bashkoni ata ne një shtet e njē flamuë të vetëm sipas të drejtës hyjnore, historike dhe parimeve të kartës së Atlantikut.

 

Ne do te jemi me ju dhe kombin tuaj ne mijëvjeçarët e ardhshëm. Armiqtë e Amerikës dhe lirisë ,goliatët e lindjes përpara se te përballen me Amerikën do te kenë perpara davidët shqiptarë

 

Zoti e bekoftë Amerikën dhe Kombin Shqiptar.

 

 

AZGAN HAKLAJ

Mjeshter i Madh

ish deputet i rrethit te Tropojes ne Parlamentin e Shqiperise

President i Unionit Artistik te Kombit Shqiptar


Send this to a friend