VOAL

VOAL

Bashkëshortja e Trump Jr. dorëzon kërkesën për divorc

Bashkëshortja e djalit të Presidentit Trump, Donald Trump Jr. dorëzoi dje kërkesën për divorc, nën klasifikimin “divorc i pakontestueshëm”.

Kjo do të thotë që kërkesa për divorc e Vanessa Trumpit në Gjykatën e Lartë të Nju Jorkut nuk është një dokument që mund të shihet nga publiku.

Çifti Trump, që të dy 40-vjeçarë, bënë një deklaratë të përbashkët përmes “Organizatës Trump”, ku thuhej: “Pas 12 vjet martese, ne vendosëm të ndahemi. Ne kemi një respekt shumë të madh për njëri tjetrin dhe familjet tona. Kemi bashkë 5 fëmijë të mrekullueshëm, të cilët janë përparësia jonë”. Çifti kërkonte që t’i respektohet privatësia.

SHBA akuzon Rusinë për sulme kibernetike në rrjetin e energjisë dhe sistemin e ujit

Shtetet e Bashkuara janë duke akuzuar për herë të parë Qeverinë ruse për një fushatë të vazhdueshme të sulmeve kibernetike, për të cilën kanë thënë se është duke shënjestuar rrjetin e energjisë, sistemin e ujit dhe pjesën tjetër të infrastrukturës.

Ky njoftim i sigurisë amerikane është publikuar më 15 mars, derisa në të thuhet se hakerët e Qeverisë ruse janë duke synuar që të ndërhyjnë në disa sektorë për të cilët konsumatorët amerikanë kanë nevojë çdo ditë.

Industritë e sulmuara nga marsi i vitit 2016 përfshijnë energjinë, sistemin bërthamor, ujin, aviacionin dhe fushën e prodhimit, është thënë në njoftim.

Këto shkelje të hakerëve rusë janë përmendur nga Departamenti amerikan i Thesarit si një nga arsyet e vënies së pakos së re të sanksioneve ndaj Rusisë më 15 mars.

Zyrtarët amerikanë po ashtu kanë thënë se besojnë që ushtria ruse ka kryer sulmet kibernetike me virusin “NotPetya” në qershor të vitit 2017, i cili ka shkaktuar dëmet më të mëdha financiare në historinë e biznesit global.

Virusi NotPetya është shpërndarë në gjithë botën, duke paralizuar punën e shumë pajisjeve kompjuterike.

Ky sulm ka rezultuar me humbje të miliarda dollarëve në industritë e anijeve, tregtisë, kujdesit shëndetësor dhe industrive të tjera, ka shtuar Departamenti amerikan i Thesarit.

Katër të vdekur nga shembja e urës në Florida

Pamje nga shembja e urës në Florida

 

 

Katër persona kanë vdekur pasi rrëzimit të një ure për këmbësorë në Universitetin Ndërkombëtar të Floridas më 15 mars, kanë njoftuar autoritetet në Florida.

Tetë makina kanë mbetur të bllokuara nën rrënojat e urës derisa nëntë persona janë dërguar në spital, kanë njoftuar zyrtarët në një konferencë për media.

Ura 53 metra e gjatë, që lidh universitetin me qytetin e vogël Sweetwater në zonën e Majamit, është vendosur më 10 mars.

Ajo ka peshë 950 tonë, kanë thënë zyrtarët.

Senatori amerikan nga Florida ka thënë më herët se gjashtë deri në 10 persona kanë vdekur në incident.

Ura ka pasur qëllim për të krijuar hapësirë një vendkalim në një nga rrugët më të ngarkuara në Floridën Jugore.

Studentët në universitet janë në pushimi pranveror andaj edhe ka pasur më pak persona në momentin kur është shembur ura.

Mueller i kërkon dokumente organizatës së Trumpit lidhur me çështjen ruse

Këshilltari special, Robert Mueller i ka nisur Organizatës së Trumpit kërkesë për dokumente, duke përfshirë disa që janë të lidhura me Rusinë, ka raportuar The New York Times, duke cituar dy persona që kanë njohuri për këtë çështje, transmeton Reuters.

Detajet e kërkesës nuk janë bërë të ditura, ka raportuar Times, mirëpo kjo është hera e parë që Mueller ka kërkuar materiale të lidhura drejtpërdrejt me biznesin e presidentit amerikan, Donald Trump.

Mueller është duke hetuar ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 në Shtetet Bashkuara dhe bashkëpunimin e mundshëm me fushatën e Trumpit.

Moska mohon të dy supozimet.

Presidenti Trump pritet të zëvendësojë Këshilltarin e Sigurimit Kombëtar McMaster, sipas shtypit amerikan

Presdenti Trump duket se ka vendosur të zëvendësojë Këshilltarin e tij të Sigurimit Kombëtar McMaster, sipas shtypit amerikan. Njoftimin e dha fillimisht gazeta “Washington Post” dhe më pas u konfirmua edhe nga rrjeti CNN.

Sipas gazetës “Washington Post”, presidenti e ka marrë tashmë vendimin dhe ka filluar të kërkojë për kandidatë të mundshëm për zëvendësimin e tij. Sipas gazetës, presidenti është i bindur për ta larguar gjeneralin McMaster, me të cilin ai nuk ka patur marrëdhënie të mira, por nuk do të nxitojë në shpalljen e vendimit për të mos e vënë në pozitë ish gjeneralin me tre yje dhe për të gjetur një kandidat të fortë për zëvendësimin e tij.

Dy prej emrave të mundshëm, që gazeta Washington Post përmend për zëvendësimin e gjeneralit McMaster, janë John Bolton, ish ambasador në OKB dhe Keith Kellogg, shefi i tanishëm i personelit të Këshillit të Sigurimit Kombëtar.

Pas shkarkimit të Sekretarit të Shtetit Rex Tillerson, ka patur zëra të shumtë se zyrtarë të tjerë të lartë të administratës së presidentit Trump do të zëvendësoheshin.

Të enjten, duke folur me gazetarët, presidenti Trump la të kuptohej se priten ndryshime të tjera: “Gjithmonë do të ketë ndryshime. Besoj se edhe ju doni të shihni ndryshime. Unë dua të shoh mendime të ndryshme”.

SHBA vendosin sanksione ndaj Rusisë

Administrata Trump po vendos sanskione të reja ndaj 19 rusëve, të cilët mendohet se kanë ndërhyrë në zgjedhjet e vitit 2016 në Shtetet e Bashkuara. Mes tyre janë 13 rusë ndaj të cilëve është ngritur padi nga prokurori special, Robert Mueller.

Sanksionet po ashtu përfshijnë ushtrimin e parë nga Kongresi, të autoritetit për të ndëshkuar Moskën për ndërhyrje në zgjedhjet amerikane. Objekt ndëshkimi janë edhe zyrtarë që punojnë për agjencinë ruse të zbulimit për ushtrinë, GRU.

Departamenti i Thesarit tha se agjencia GRU dhe ushtria ruse kanë ndërhyrë në zgjedhjet amerikane dhe se kanë qenë drejtpërdrejt përgjegjëse për sulmet kibernetike të njohura si NotPetya, që goditën bizneset në mbarë Eruopën në qershor të vitit 2017.

Ndër personat e përfshirë në aktpadinë e Robert Muellerit, është edhe Yevgeny Prigozhin, i cili njihet si kryekuzhinieri i Presidentit rus Vladimir Putin. Sanksionet e reja të administratës amerikane prekin edhe Agjencinë e Kërkimeve në Internet, për të cilën zoti Mueller thotë se ka drejtuar në një masë të konsiderueshme ndërhyrjen kibernetike ndaj zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara.

Mes 8 prototipeve Trumpi zgjedh murin e duhur

VOAL – “Nëse nuk do të kishte një mur, nuk do të ishte as një vend”. Kështu tha presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, duke vizituar prototipat e murit në kufirin me Meksikën dhe nga ana e barrierës ekzistuese.

Trumpi ka theksuar kështu se modeli i murit që ai do të zgjedhë duhet të ketë një lloj pajisjeje që i lejon agjentët e kufirit të shohin atë që është në anën tjetër.

“Ne do të ndërtojmë murin me Meksikën, 100%,” përsëriti më 11 mars Trump gjatë një tubimi fushate në Pensilvani, duke siguruar se nuk do të heqë dorë “në asnjë mënyrë” nga përcaktimi tij që për këtë të paguajë Meksika.

Ndërkohë, marrëdhëniet midis Trumpit dhe presidentit meksikan Pena Nieto mbeten të tensionuara. Ky i fundit ka anulluar një vizitë në Shtëpinë e Bardhë për herë të dytë më 25 shkurt, pas një bisede telefonike në të cilën (sipas burimeve meksikane) presidentit amerikan do të ketë “humbur kontrollin.”

ATS/SDA

 

Trumpi: SHBA “do të dënojë këdo që është fajtor” për helmimin e Skripalit

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se SHBA-ja do të dënojë “Rusinë ose këdo” që qëndron prapa helmimit të ish-spiunit rus, Sergei Skripal, në Britani, sapo të ketë fakte për këtë.

Duke folur për gazetarët në Uashington, Trump tha se do të flasë me kryeministren britanike, Theresa May, për helmimin me agjent nervor të Skripalit dhe vajzës së tij Yulia, në qytetin Sallsbëri, më 4 mars.

“Më duket se është Rusia, në bazë të provave që kanë ato”, tha Trump, duke iu referuar autoriteteve britanike.

“Sapo t’i kemi faktet dhe nëse pajtohemi me to, do të dënojmë Rusinë ose këdo që të jetë përgjegjës”, tha Trump.

Autoritetet britanike thonë se sulmi kundër Skripalit ka qenë i qëllimshëm dhe se për kryerjen e tij është përdorur një agjent nervor shumë toksik, i cili është zhvilluar në Rusi.

Trumpi vizitë në kufirin SHBA-Meksikë për çështjen e murit

Vizita të martën e Presidentit amerikan Donald Trump në kufirin me Meksikën po rihap tensionet e nxehta lidhur me çështjen e murit mes të dy vendeve.

Një aktivist emigrant e karakterizoi një tallje vizitën e zotit Trump për të parë modelin paraprak të murit që pritet të ndërtohet në kufi me qytetin meksikan të Tihuanës.

Modeli paraprak i murit që pritet të ndërtohet është vendosur pranë gardhit egzistues që shënon kufirin ndërkombëtar mes qytetit amerikan të San Diegos dhe Tihuanës.

Të hënën në mbrëmje më shumë se 200 protestues marshuan në qendër të San Diegos. Sot priten protesta të tjera pro dhe kundër murit.

Trumpi largon Sekretarin e Shtetit Tillerson, në vend të tij drejtori i CIA-s Pompeo

VOAL – UASHINGTON – Presidenti i SHBA Donald Trump tha të martën (sot) se ai kishte zëvendësuar Sekretarin e Shtetit të SHBA Rex Tillerson me Drejtorin e Agjencisë Qendrore të Inteligjencës Mike Pompeo dhe kishte emëruar Gina Haspelin për të udhëhequr CIA-n.

“Mike Pompeo, drejtor i CIA-s, do të bëhet sekretar i ri i Shtetit, ai do të bëjë një punë fantastike. Faleminderit Rex Tillersonit për shërbimin e tij. Gina Haspel do të bëhet Drejtore e re e CIA-s dhe gruaja e parë e zgjedhur. Urime për të gjithë! ” Kështu tha Trump në Twitter. (Reuters)

Republikanët thonë se nuk ka pasur bashkëpunim në mes të Rusisë dhe Trumpit

Demokrati Adam Schiff dhe republikani Mike Conaway

Republikanët në Komitetin e Inteligjencës së Dhomës së Përfaqësuesve kanë thënë se paneli ka përfunduar hetimet mbi përfshirjen e Rusisë në zgjedhjet e vitit 2016, dhe ka ardhur në përfundim se nuk ka pasur bashkëpunim në mes të Kremlinit dhe fushatës së presidentit Donald Trump.

Draft-raporti që u publikua në media më 12 mars, u prit mirë nga Trumpi por u hodh poshtë menjëherë nga përfaqësuesit demokratë të komitetit.

Në raport, republikanët thanë se janë pajtuar që Rusia ka kërkuar që të ndikojë në zgjedhje, duke përhapur propagandë dhe lajme të rreme në lajme dhe media sociale.

Përfaqësuesi republikan, Mike Conaway, që ka udhëhequr hetimet e këtij paneli, i ka prezantuar para mediave të gjeturat e raportit.

“Nuk kemi gjetur asnjë dëshmi të bashkëpunimit”, u ka thënë ai gazetarëve, duke shtuar se “gjykimi i papërshtatshëm i takimeve” me rusët ka qenë i vetmi gabim që ka bërë stafi i fushatës së Trumpit.

Ndërkaq, demokrati Adam Schiff, ka thënë se kundërshton fuqishëm raportin, duke shtuar se hetimi i komitetit nuk është i përfunduar, por, sipas tij, të dhënat e deritashme tregojnë “qartë” se Rusia është munduar të ndihmojë Trumpin dhe të dëmtojnë rivalen e tij demokrate, Hillary Clinton gjatë zgjedhjeve presidenciale.

Slogani i Trumpit për zgjedhjet 2020: Ta mbajmë Amerikën të madhe!

Trumpi tha se nëse rikandidohet nuk do të mund të përdor sloganin e njëjtë “Ta bëjmë Amerikën të madhe!”, ndërsa arsyeja sipas tij është se tashmë për një kohë ka kaluar në postin e presidentit

UASHINGTON – ”Ta mbajmë Amerikën të madhe!”, do të jetë slogani i fushatës së presidentit amerikan Donald Trump nëse vendos që të rikandidojë në zgjedhjet të cilat janë planifikuar të mbahen në vitin 2020.

Gjatë një tubimi në Pennsylvani, presidenti amerikan deklaroi se nëse rikandidohet, nuk do të mund të përdor sloganin e njëjtë ”Ta bëjmë Amerikën të madhe!”, ndërsa arsyeja, sipas tij, është se tashmë për një kohë ka kaluar në postin e presidentit amerikan.

Ai theksoi se slogani i tij i ri do të ketë një pikëçuditëse në fund.

Zgjedhjet e ardhshme presidenciale në SHBA do të duhet të mbahen në fillim të nëntorit të vitit 2020. aa

Trumpi: “I besoj Kimit”

VOAL – Donald Trumpi beson tek përkushtimi i Phenianit për të pezulluar provat e raketave bërthamore çka e shoqëronte ftesën e diktatorit verikorean Kim Jong-un në një takim.

“Koreja e Veriut nuk ka kryer asnjë provë raketore nga 28 nëntori 2017 dhe është përkushtuar të mos bëjë prova të tilla gjatë takimeve tona. Besoj se do ta nderojnë këtë përkushtim!”, ka shkruar në Twitter presidenti i SHBA pak pasi të premten zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders, i kishte ulurtinet mbi takimin mes liderëve të dy vendeve, kërkuar nga diktatori verikorean: “Nuk do të ketë takime deri kur Koreja e Veriut nuk do t’i shndërrojë fjalët në vepra.”

Ndërkohë Hillary Clinton paralajmëron: administrata Trump “nuk e shikon rrezikun diplomatik” të diskutimeve që mendon të hapë me Korenë e Veriut mbi çarmatimin bërthmor. Ish Sekretarja e Shtetit e SHBA dhe ish rivale e Trump në garën presidenciale, na kolonat e së përditshmes hollandeze Algemeen Dagblad, i shton dozat: “Nëse dëshiron të diskutosh me Kim Jong-un për armë e tij bërthamore ke nevojë për diplomatë me përvojë”, për “njerëz që e njohin mirë dosjen dhe dinë të deshifrojnë verikoreanët dhe gjuhën e tyre,” shpjegon Clinton, duke shtuar: “nuk mund të bëhet diplomaci pa diplomatë”.

Tone krejt të tjera përdor ish kampioni i basketbollit Dennis Rodman, si gjithmonë vlerësues ndaj liderit verikorean dhe ndoshta i vetmi në botë që është takuar me të një për një. Ai ka manifestuar kënaqësinë e tij në një tweet: “Të lumtë, presidenti Trump. Dërgoja përshëndetjet e mia mareshallit Kim Jong-un e familjes së tij. Ju jeni në rrugën e duhur për një takim historik të cilin asnjë president amerikan nuk e ka bërë ndonjëherë.

(ANSA)

SHBA: publikohet emri i pengmarrësit dhe viktimave në një shtëpi veteranësh

Zyrtarët e Kalifornisë kanë publikuar identitetin e personit të armatosurit dhe tre pengjeve që ai vrau të premten në një shtëpi veteranësh në Kaliforninë Veriore.

I dyshuari është identifikuar si 36-vjeçari Albert Wong, i cili u gjet i vdekur të premten në mbrëmje në ndërtesën ku ndodhi ngjarja.

Pengjet e vrarë ishin të gjitha punonjëse të shëndetit mendor të shtëpisë së veteranëve të luftës që vuajnë nga çrregullime të stresit post-traumatik. Ato janë Christiane Loeber 48 vjeç, Jen Golick 42 vjeç dhe Jennifer Gonzalez 29 vjeç.

Në një mesazh në twiter të shtunën Presidenti Donald Trump shprehu pikëllimin për atë që e cilësoi ngjarje tragjike. “Jemi në zi për humbjen e tri grave të jashtëzakonshme që kujdeseshin për veteranët tanë“, tha ai.

Zyrtarët thonë se Albert Wong-ut i ishte kërkuar kohët e fundit të largohej nga programi i shtëpisë së veteranëve Pathway. Arsyet për largimin e tij nuk janë ende të qarta.

Sipas autoriteteve personi i armatosur vuante çrregullime të stresit post-traumatik dhe kishte shërbyer në Lindjen e Mesme.

Trupat e pajetë u zbuluan rreth tetë orë pasi Wong hyri në godinë ndërsa stafi po zhvillonte një mbledhje.

Nuk dihet ende se kur ka vdekur personi i armatosur dhe pengjet e tij. Autoritetet kishin tentuar ta kontaktonin pengmarrësin gjatë gjithë ditës.

Tillerson anulon aktivitetet në Afrikë për arsye shëndetësore

Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson ka anuluar takimet e planifikuara për ditën e sotme, në ditën e dytë të vizitës së tij në Kenia, sepse nuk është ndjerë mirë, ka thënë zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Steve Goldstein.

“Sekretari nuk është ndjerë mirë, pas disa ditëve që ka punuar gjatë në çështje madhore sa ka qenë në SHBA siç është Koreja Veriore dhe ka anuluar takimet e ditës së sotme”, u ka thënë Goldstein gazetarëve, pasi është duke shoqëruar Tillersonin në vizitën e tij.

“Disa organizime do të vazhdojnë pa të, ndërsa të tjerat jemi duke shikuar nëse mund t’i planifikojmë sërish”, ka thënë ai.

Më vonë zëdhënësi ka treguar se është përmirësuar shëndeti i Sekretarit.

“Sekretari është duke u ndjerë mirë dhe do të vazhdojë normalisht aktivitetet e tij nesër”, ka shtuar ai.

Tillerson, 65 vjeçar është në udhëtimin e tij të parë diplomatik në Afrikë.

Takimi Trump-Kim dhe rreziqet që mbart

Takimi i propozuar ndërmjet Presidentit amerikan Donald Trump dhe udhëheqësit të Koresë së Veriut Kim Jong Un, e ka rritur vëmendjen ndaj ngërçit bërthamor mes Uashingtonit dhe Phenianit. Ndërsa nuk dihet ende nëse takimi do të zhvillohet, pyetja që ngrihet është nëse do të sjellë një zgjidhje diplomatike apo gjërat do të mbesin njësoj.

Presidenti Trump pritet të takohet me udhëheqësin koreano-verior, të cilin e ka quajtur “njeriu i vogël raketë”.

Takimi u njoftua nga zyrtarët e Koresë së Jugut, ditën e enjte në Shtëpinë e Bardhë.

“I shpjegova Presidentit Trump se këto rrethana u krijuan falë udhëheqjes së tij dhe politikës së presionit maksimal dhe solidaritetit ndërkombëtar”, u tha gazetarëve Chung Eui-Yong, Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i Koresë së Jugut.

U krijua kështu mundësia e një zgjidhjeje diplomatike të ngërçit për armët bërthamore të Koresë së Veriut.

“Kanë premtuar eliminimin e armëve bërthamore, ndalimin e testimit të raketave dhe armëve bërthamore si dhe kanë pranuar që stërvitjet e rregullta ushtarake mes Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Jugut do të vazhdojnë”, njoftoi Sarah Huckabee Sanders, Sekretare Shtypi e Shtëpisë së Bardhë.

Por, nuk është hera e parë që Koreja e Veriut bën premtime të tilla.

“Deri më tani kemi dëgjuar vetëm fjalë nga Kim Jong Un-i. Ka thënë se do takohen, se do të ulë armatimin dhe se është dakort me stërvitjet ushtarake. Fjalët i merr era. Tani do të shohim nëse Kim Jong Un-i do të ndërmarrë veprime”, thotë Bruce Bennet, studiues për çështjet e mbrojtjes në “Rand Corporation”.

Nuk është e qartë nëse Kim Jong Un-i është i gatshëm të braktisë arsenalin e tij bërthamor si dhe nuk dihet se çfarë pret në këmbim nga Presidenti Trump.

Nuk dihet gjithashtu se çfarë do të lëshojë Presidenti Trump, i cili e përshkruan veten si një mjeshtër të negocimit.

“Ndoshta në të kaluarën, ai ka braktisur negociatat që nuk do të sillnin rezultatin që ai priste. Por, nesë kjo ndodh kur je President i Shteteve të Bashkuara dhe jo më kreu i një kompanie private ka shumë më tepër pasoja domethënëse”, thot P.J. Crowley, ish-Ndihmës Sekretar Shteti.

Nëse një takim i tillë i nivelit të lartë nuk del me sukses, rreziqet janë të mëdha.

Në një editorial, personi që ishte përzgjedhur në të kaluarën nga Presidenti Trump për postin e ambasadorit në Korenë e Jugut thotë se dështimi i takimit “mund t’i çojë të dyja vendet në pragun e luftës”.za

Një i armatosur po mban peng disa persona në Amerikë

Një person i armatosur ka marrë 3 persona peng në një bujtinë veteranësh lufte në Kaliforni.

E kanë njoftuar lajmin edhe policia lokale që thotë se ngjarja është në zhvillim. Policia ka izoluar bujtinën në Yountville, e cila është një institutet më të mëdha të këtij lloji dhe që mikpret mbi 1000 persona.

Autoritetet thonë se autori është i armatosur me një pistoletë dhe mban të veshur një jelek antiplumb.

Nju Jork, Martin Shkreli dënohet me 7 vjet burg

Biznesmeni amerikan Martin Shkreli, i cili njihet më shumë për bujën që shkaktoi rritja prej tij shumëfish e çmimit të një ilaçi mjaft të kërkuar, u dënua me shtatë vjet burg të premten.

Një gjykatë federal në Bruklin të Nju Jorkut e shpalli fajtor 34 vjeçarin Shkreli për mashtrim të investitorëve, duke i dhënë atij dënimin me shtatë vjet burg. Ndërkohë që gjykatësja federale, Kiyo Matsumoto po i lexonte dënimin, Shkreli filloi të qante.

Shkreli akuzohej se kishte manipuluar paratë në fondet e investimeve Elea Capital, MSMB Capital dhe MSMB Healthcare, si dhe kur ishte shef ekzekutivi i firmës Retrophin, që ai e kishte themeluar në vitin 2011. Pala mbrojtëse këmbënguli se investitorët i kishin marrë paratë e tyre, madje kishin dalë me shumë fitim.

Ish-ekzekutivi i firmës bioteknologjike, Retrophin bëri shkaktoi bujë të madhe në vitin 2015, kur e rriti me 5,000 për qind çmimin e ilaçit shumë të kërkuar, Daraprim. Ai njihej edhe për komentet fyese që u bënte kritikëve në mediat sociale.

SHBA: Miliona pa energji elektrike, pas stuhisë dimërore

Afro një milion vetë në Shtetet e Bashkuara janë pa energji elektrike pas një stuhie dimërore në brigjet lindore të vendit që ka sjellë rreshje dhe akumulim bore deri në 60cm.

Kjo është stuhia e dytë brenda një jave dhe pritet që të pasohet javën e ardhshme me reshje të reja bore.

Akumulimi i borës dhe ngricat që kanë mbuluar rrugët kanë detyruar autoritetet të mbyllin shkollat dhe të anulojnë ose shtyjnë mijëra fluturime komerciale.

Guvernatorët e shteteve Nju Xhërsi dhe Pensilvania kanë shpallur gjendjen e jashtëzakonshme, duke lejuar lëvrimin e fondeve qeveritare për operacionet e pastrimit dhe rimëkëmbjes pas stuhisë.

Fondet e PD për lobim, Ristani në Prokurori

Armand Mero

Në Shqipëri, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Arben Ristani dha sot shpjegime pranë prokurorëve lidhur me fondet që kjo parti ka paguar për lobim në Shtetet e Bashkuara. Një artikull i revistës amerikane “Mother Jones” si dhe të dhënat e publikuara nga kompania e lobimit Muzin Capitol ngrejnë paqartësira mbi këto fonde që kapin shumën e 675 mijë dollarëve në favor të PD. Ndërkohë që vetë Pd pranon se i ka paguar kompanisë Muzin Capitol vetëm 25 mijë dollarë

Verifikimet e prokurorisë shqiptare lidhur me fondet e Partisë Demokratike nisën që në fund të muajit nëntor 2017 kur për herë të parë u bënë publike nga rrjeti ballkanik i gazetarisë investigative, Birn, financimet që kishte marrë kompania Muzin Capitol për aktivitetet në favor të PD. Çështja është rikthyer në vëmendje këto ditë pas një tjetër publikimi këtë herë nga revista amerikane “Mother Jones”. Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Arben Ristani, shpjegoi sot për mediat, pas daljes nga Prokuroria se kishte dëshmuar mbi pagesat e PD për lobim, duke shtuar se prokurorët sipas tij, kishin marrë indicje nga kontratat e publikuara në SHBA. Zoti Ristani ka theksuar se “PD nuk ka asgjë për të fshehur” dhe se ajo “ka zbatuar me përpikëri kontratat”, ndërsa ka saktësuar se “të gjitha pagesat për këto kontrata janë kryer përmes rrugëve bankare”.

Sipas kompanisë ‘Muzin’, e cila plotësoi me informacione shtesë deklarimet e saj të detyruara me ligj për Departamentin e Drejtësisë, rezulton se ajo ka marrë tre pagesa, në një shumë prej 675 mijë dollarësh, për punën e saj në favor të Partisë Demokratike në vitin 2017: pagesa e parë është e datës 24 mars 2017 dhe është bërë nga firma ‘Biniatta Trade LP”, me një vlerë prej 150 mijë dollarësh, dy pagesat e tjera janë kryer nga Partia Demokratike, njëra më 27 mars, për 25 mijë dollarë, dhe tjetra më 9 qershor për 500 mijë dollarë.

Nga këto deklarime të firmës Muzin, vetëm ajo prej 25 mijë dollarësh, është pranuar nga kryetari i PD-së, Lulzim Basha, që është paguar nga Partia e tij. Dy të tjerat janë ato që mbeten ende të paqarta. Mbrëmë në emisionin “Opinion” në Tv Klan, zoti Basha theksoi disa herë se PD, “ka paguar vetëm aq sa ka deklaruar dhe asgjë më shumë”.

Lidhur me kompaninë Biniatta Trade, zoti Basha mohoi çdo lloj lidhjeje, duke theksuar se në kontratën që kjo kompani kishte me Muzin Capitol, nuk përmendet fare Partia Demokratike. Por vetë Muzin Capitol ka shpjeguar në dokumentat e dorëzuar në Departamentin e Drejtësisë se me shumën 150 mijë dollarë ajo është “kompensuar nga “Biniatta Trade LP” për aktivitetet e organizuara në emër të Partisë Demokratike për të promovuar lidershipin konservator shqiptar pranë biznesve dhe udhëheqësve politike në Shtetet e Bashkuara”.

Çfarë ka bërë lobuesi dhe si e ka bërë lobuesi e di ai. Janë marrëdhënie të firmës Muzin me palë të treta”, këmbënguli disa herë mbrëmë zoti Basha, duke dhënë të njejtin arsyetim dhe për shumën prej 500 mijë dollarësh e cila në dokumentat e Muzin rezulton e paguar nga PD. “Nuk është bërë asnjë pagesë e tillë nga Partia Demokratike”, theksoi zoti Basha, ndërsa në nëntor e kishte shpjeguar këtë shumë me pagesën e kryer falë një mbledhje fondesh nga një numër i madh shqiptaro amerikanësh, por që nuk kishte kaluar përmes partisë.

Por ndërsa PD pranon që ka paguar vetëm 25 mijë dollarë, nga ana e saj Muzon ka deklaruar se vetëm shpenzimet e saj për nënkrontraktorët e angazhuar për aktivitetetet në favor të partisë shqiptare, shkojnë mbi 100 mijë dollarë.

Presidenti Trump do të takohet me udhëheqësin e Koresë së Veriut

Presidenti Trump njoftoi se do të takohet me udhëheqësin e Koresë së Veriut Kim Jong Un para muajit maj për bisedime mbi çështjen bërthamore.

Njoftimi i papritur u bë nga delegacioni i Koresë së Jugut, i cili u takua të enjten me Presidentin Trump në Shtëpinë e Bardhë.

Njoftimi u konfirmua më pas nga sekretarja e shtypit e zotit Trump, Sarah Sanders në një deklaratë me shkrim, e cila shtoi se vendi dhe koha e takimit nuk janë përcaktuar dhe se deri në mbajtjen e takimit të gjitha sanksionet dhe presioni maksimal do të mbeten në fuqi.

Këshilltari i sigurisë kombëtare i Koresë së Jugut, Chung Eui-Yong, i njoftoi gazetarët jashtë Shtëpisë së Bardhë se Kim Jung Un kishte shprehur dëshirën për t’u takuar sa më parë me zotin Trump dhe se Presidenti amerikan e kishte pranuar ofertën.

Delegacioni koreanojugor u takua në fillim të kësaj jave me udhëheqësin koreanoverior në Phenian dhe më pas u njoftua se Kim Jung Un i kishte dhënë një letër konfidenciale për Presidentin Trump.

Sipas zotit Chung, udhëheqësi koreanoverior i kishte thënë se “ishte i përkushtuar për çnuklearizimin” dhe kishte premtuar se Koreja e Veriut do të përmbahej nga kryerja e provave të mëtejshme bërthamore ose raketore.

Presidenti Trump komentoi të enjten mbrëma në Twitter: “Kim Jong Un foli për çnuklearizim me përfaqësuesit koreanojugorë, jo thjesht për ngrirje. Gjithashtu, nuk do të ketë prova raketpre nga Koreja e Veriut gjatë kësaj periudhe kohe. Po bëhet përparim i madh por sanksionet do të mbeten në fuqi deri sa të arrihet një marrëveshje. Takimi po planifikohet!”

“I shpjegova Presidentit Trump se roli i tij udhëheqës dhe politika e tij e presionit maksimal, krahas solidaritetit ndërkombëtar, na solli në këtë rezultat,” u tha zoti Chung gazetarëve.

Zhvillimi i fundit vjen pas një shkrirjeje të marrëdhënieve gjatë disa javëve të fundit mes Koresë së Veriut dhe të Jugut, pas pjesëmarrjes së Koresë së Veriut në Lojrat Olimpike Dimërore të Pjongçangut në Korenë e Jugut.

Në Ballkan, Slobodan Millosheviçi fliste shumë për mbrojtjen e Europës së krishterë! NGA Bill J.CLINTON

Si përdoret besimi fetar për pushtet personal

Gjatë kohës që Madeleine Albright ishte Sekretare e Shtetit, bota mësoi atë që unë ndërkohë e dija: ajo nuk druhet të marrë përsipër çështje të vështira apo të thotë atë që mendon.

Në librin “Të Fuqishmit dhe i Plotfuqishmi”, ajo shkruan me një sinqeritet të pazakontë dhe një logjikë të shëndoshë për rolin ndërkombëtar të Amerikës, për fenë, etikën dhe gjendjen aktuale të përçarjes dhe pështjellimit të botës.

Në dijeninë time, asnjë Sekretar i mëparshëm Shteti nuk ka shkruar diçka të ngjashme me të. Është një libër befasues, i shkruar mes këshillave të miqve të shqetësuar se mos tema të tilla nuk mund të diskutohen pa shkaktuar dhimbje. Në përvojën time, e vetmja mënyrë për të mos shkaktuar dhimbje është të rrish duarkryq.

Madeleine Albright është mishërimi i lëvizjes përpara. Pas bisedës sonë të parë rreth këtij projekti, i telefonova Madeleine-s për të diskutuar më tej për të, duke mos e ditur se ku ndodhej në atë çast. Doli se ishte në Gdansk të Polonisë, duke kremtuar njëzetë e pesë vjetorin e Solidaritetit, lëvizjes për demokraci që i dha fund Luftës së Ftohtë dhe solli lirinë në Europën Qendrore dhe Lindore. Kur i rashë telefonit, Madeleine ndodhej në mesin e një turme ku ishte edhe ish-presidenti çek, Vaclav Havel, dhe presidentët aktualë të Ukrainës dhe Polonisë.

Ajo ua kaloi telefonin atyre dhe kështu pata rastin e paparashikuar, por të mirëpritur, të bisedoja me disa miq të vjetër. Ndërkohë, Madeleine vendosi një buqetë me lule në përkujtim të Solidaritetit dhe mori pjesë në një meshë të hapur në kremtim të lirisë, që zgjati tri orë. E kisha kapur në një moment dhe në një vend kur Zoti dhe demokracia ndodheshin përkrah njëri-tjetrit, në qendër të vëmendjes.

Një nga temat e këtij libri dhe burim polemikash të vazhdueshme në jetën publike, ka të bëjë me marrëdhënien midis tyre. “Elementi fetar është themeli i demokracisë”, do të shkruante Walt Whitman, “Të gjitha fetë, të vjetra dhe të reja, janë aty”. Unë besoj se të gjithëve na ka ndodhur që të takojmë njerëz që do të ishin të gatshëm të përqafonin fjalinë e parë të Whitman-it dhe të shpërfillnin të dytën, duke i bërë kështu të dyja fjalitë të pakuptimta. Në më të mirën e tyre, të dyja, feja dhe demokracia, respektojnë barazinë dhe vlerën e çdo qenieje njerë- zore: ku të gjithë jemi shëmbëlltyra të Krijuesit, ku secili është pajisur me të drejta të patjetërsueshme. Këto doktrina rrinë mirë përbri njëra-tjetrës; ato janë njëjtësuese dhe përfshirëse. Problemet dalin kur interpretimin tonë orvatemi ta vëmë përpara atij të Whitman-it, duke argumentuar se ata që kanë të njëjtën ide të caktuar si ne rreth universit, janë më me vlerë se të tjerët. Të kesh një fe, është të besosh në ekzistencën e të vërtetës absolute.

Por, të pohosh se qeniet njerëzore, sikundër janë, të papërsosura, mund ta zotërojnë plotësisht këtë të vërtetë apo se ideologjia jonë politike është plotë- sisht e vërtetë dhe na lejon të penalizojmë, shtypim, apo abuzojmë ata që kanë një besim të ndryshëm prej nesh, është një gjë krejtësisht tjetër. Kushtetuta e Shteteve të Bashkuara krijoi diçka vërtet të re: një sistem qeverisjeje, në të cilin besimi më i madh nuk u jepet zyrtarëve të lartë, pushteti i të cilëve kufizohet nga një sistem mjeshtëror kontrollesh dhe ekuilibrash, por popullit, si një i tërë. Ndër kufizimet që etërit tanë u vendosën atyre që janë në pushtet, është pamundësia për të vendosur një fe zyrtare shtetërore apo për të kufizuar të drejtën e gjithkujt për të qenë i lirë në zgjedhjen e besimit. Etërit themelues e kuptuan nga historia se përqendrimi i autoritetit politik dhe fetar në të njëjtat duar mund të ishte helmatisës. Sigurisht, ne e dimë se shpesh, pushteti i fesë shfrytëzohet nga ata që kërkojnë të forcojnë pushtetin e tyre personal në dëm të të tjerëve.

Në Ballkan, Slobodan Millosheviçi fliste shumë për mbrojtjen e Europës së krishterë, por interesi i tij i vërtetë ishte ta përdorte fenë dhe përçarjen ekstreme për forcimin e pushtetit të tij. Osama bin Ladeni hiqet si mbrojtës i Islamit, por gatishmëria e tij për të vrarë njerëz të pafajshëm, duke përfshirë edhe myslimanë të tjerë, nuk është një interpretim i drejtë i Kuranit dhe nuk është besnik ndaj atij besimi. Në duar të gabuara, feja shndërrohet në një levë që përdoret për të armiqësuar një grup njerëzish ndaj një grupi tjetër, jo për shkak të ndonjë besimi të thellë shpirtëror, por sepse mund të ndihmojë këdo që kërkon të ngjallë armiqësi. Mos vallë kjo do të thotë se politikëbërësit duhet të përpiqen që fenë ta mbajnë të izoluar nga jeta publike?

Sikundër argumenton Madeleine Albright, përgjigja e kësaj pyetjeje është një “Jo” kumbuese. Ne duhet jo vetëm të mos e bëjmë këtë, por edhe nëse do ta provonim ta bënim, nuk do t’ia dilnim mbanë. Bindjet fetare, kur janë bindje, nuk mund të vishen e zhvishen si të ishin një palë galloshe. Ne i mbartim ato me vete ngado që shkojmë, skeptikë dhe ateistë, përkrah besimtarëve. Një president apo një sekretar shteti duhet të marrë vendime, duke pasur parasysh besimet e tij fetare dhe ndikimin që këto vendime kanë te njerëzit e besimeve të ndryshme. Gjithsesi, sikurse Madeleine Albright vë në dukje, vlerësimi i këtij ndikimi nuk është punë fort e lehtë. Gjatë vizitës sime në Indi në vitin 2000, disa radikalë të zemëruar do të shfrenin tërbimin e tyre, duke vrarë me gjakftohtësi tridhjetë e tetë sheikë.

Nëse nuk do ta kisha ndërmarrë atë udhëtim, viktimat me siguri do të ishin ende gjallë. Nëse nuk do ta kisha bërë atë udhëtim nga frika e asaj që mund të bënin ekstremistët, nuk do të kisha kryer detyrën si President i Shteteve të Bashkuara. Natyra e Amerikës është e tillë që shumë njerëz e përcaktojnë veten – ose një pjesë të saj – në lidhje me të, ose pro ose kundër. Kjo gjë është pjesë e realitetit, në të cilin ne si udhëheqës duhet të veprojmë.

Kur imamët radikalë orvaten të shkatërrojnë mënyrën e të menduarit të disa të rinjve të tjetërsuar, të pakënaqur, ndër të cilët jo të gjithë janë të varfër dhe të paarsimuar, përmes ofrimit këtyre besimtarëve një udhëtim të ashtuquajtur të menjëhershëm në parajsë, në këmbim të gatishmërisë së tyre për të vrarë civilë dhe njëherazi për të hedhur në erë edhe vetveten, si duhet të reagojmë ne? Ne mund të përpiqeshim t’i kapnim ose vrisnim ata, por gjithsesi, të gjithë nuk do të mundnim t’i zinim. Mund të përpiqeshim t’i bindnim të hiqnin dorë nga dhuna, por kur argumentet tona nuk kanë asnjë lidhje me përvojat e tyre, nuk do të mund t’ia dilnim dot mbanë.

Mundësia më e mirë që kemi është të punojmë së bashku me ata njerëz në botën myslimane, të cilët përpiqen të kapin mendjet e të njëjtëve njerëz si edhe radikalët, duke predikuar një Islam më të plotë dhe jo një Islam të shtrembëruar, të copëtuar, me thepa. Unë besoj vërtet se një gjë e tillë mund të bëhet jo duke dobësuar besimet shpirtërore, por duke u futur në thellësi të këtyre besimeve.

Të tre besimet e Abrahamit kanë më shumë ngjashmëri se sa dallime, ku secili bën thirrje për nderim, zemërgjerësi, modesti dhe dashuri. Asnjë prej tyre nuk është i njohur plotësisht prej nesh. Sfida e udhëheqësve tanë është të përdorim atë që kemi të përbashkët si bazë për të mposhtur elementët më ekstremistë dhe për t’i hequr mbështetjen terrorizmit. Kur njerëzit e pranojnë humanizmin e tyre të përbashkët, atëherë bëhet më e vështirë të dejonizojnë dhe shkatërrojnë njëri-tjetrin.

Është shumë më e lehtë të gjesh kompromise parimore me njërin nga “ne”, se sa me njërin nga “ata”. Besimi fetar mund të na ndihmojë të zhdukim vijën ndarëse të vjetër sa koha. Nuk ka detyrë më të rëndësishme, por siç e bën të qartë edhe libri i Madeleine Albright-it, kjo është një detyrë që – katër vjet e gjysmë pas 11 shtatorit – ne pothuaj as që e kemi zënë me dorë.

“Sundimtarët” e qiellit amerikan, shumë shpejt edhe mbi qiejt e Europës (Videot)

Baza në lumin Patuxent në stacionin ajror të Maryland në Shtetet të Bashkuara rrallë pret vizitorë nga jashtë portave, sidomos gazetarë. Para se të hynin në bazë gazetarët u “çarmatosën” nga kamerat, laptopët, celularët, aparatet fotografikë, tabletët dhe çdo mjet tjetër elektronik. Kështu janë rregullat dhe askush nuk përjashtohet! Departamenti i Shtetit Amerikan mundësoi një vizitë jo të zakontë në këtë bazë për grupin e gazetarëve europian, i cili vizitoi bazën dhe bisedoi me drejtuesit e programit më të kushtueshëm në historinë e Amerikës.

CV DT-III
CF-5 FLT 218 piloted by CDR Ted Dyckman.
USS George Washington on 18 Aug. 2016
Photography by Todd R. McQueen

CV DT-III
CF-5 FLT 218 piloted by CDR Ted Dyckman.
USS George Washington on 18 Aug. 2016
Photography by Todd R. McQueen

Në stacionin ajror të Maryland-it punojnë rreth 900 persona me tre turne, shtatë ditë të javës. Këtu nuk ka ndarje midis ditës dhe natës. Forca e integruar e testimeve në lumin Patuxent fsheh me fanatizëm “bizhutë më të çmuara e më speciale të ushtrisë amerikanë”. Me të drejtë këta avionë quhen edhe “kompjuter fluturues”, për saktësinë dhe precizionin e lartë. Avionët luftarakë F-35 B dhe F-35 C konsiderohen si aviacioni i gjeneratës së pestë.

F-35 C është avioni luftarak më i kushtueshëm i prodhuar ndonjëherë në botë me vlerën 121.2 milionë dollar. Programi, është në fazën finale dhe rezultatet sipas drejtuesve më të lartë të bazës kanë tejkaluar pritshmëritë. Lockheed Martin F-35 Lightning II është një familje e aeroplanëve gjuajtës me një ulëse, një motor dhe të mbushur me armatim për të kryer sulme në tokë, zbulim dhe misione të mbrojtjes ajrore me aftësi të qëndrojë i fshehtë.

F-35 ka tre modele kryesore: F-35A, i cili është një variant me ngritje dhe ulje konvencionale, F-35B është variant me ngritje të shkurtër dhe ulje vertikale, dhe F-35C është një variant për aeroplanmbajtëse. Shtetet partnere janë ose anëtare të NATO-s ose aleatë të ngushtë të SHBA-së. Tetë shtete kanë bashkëfinancuar zhvillimin e kësaj arme, Britania e Madhe, Italia, Turqia, Kanadaja, Australia, Danimarka, Norvegjia dhe Holanda. Ata do të blejnë disa qindra njësi së bashku. Izraeli dhe Japonia kanë nënshkruar ndërkohë marrëveshje për të blerë njësi të tjera.

Përveç aftësisë së fluturimit, F-35 është e pajisur edhe me teknologjinë më të fundit të mbledhjes së informacionit dhe ka aftësinë për të “vjedhur” informacion, duke depërtuar aty ku nuk është e mundur depërtimi. I quajtur “Rrufeja II” në nder të luftëtarit supersonik të fluturimit britanik gjatë epokës së hershme të Luftës së Ftohtë, F-35 mund të fluturojë pothuajse dyfishi i shpejtësisë së zërit dhe aftësia e tij “grabitqare” i mundëson të depërtojë thellë në territorin e armikut pa u gjurmuar nga radarët e tij. “Faktori i marifetit do të thotë që ju mund të zbuloni avionët e armikut, por ata nuk mund t’ju zbulojnë”, tha kryeinxhinieri.

“I testojmë këta avionë për të qenë të pathyeshëm. Praktikisht janë ndërtuar me dorë. U bëjmë të gjitha manovrat dhe simulimet e nevojshme. Këta avionë janë të pajisur me sensorë unik, motori i tyre është i jashtëzakonshëm dhe shumë i fuqishëm, do të numëroni 11 vende nga ky del armatimi” shton kryeinxhinieri plot krenari amerikane.

Këta avionë përfshijnë një helmet të projektuar posaçërisht që i jep pilotit një pamje me kënd 350 gradë rreth avionit thjesht duke e përkulur kokën, ndërkohë që kabineti është i mbushur me multiekrane që i mundësojnë pilotit të mbledhë dhe vlerësojë inteligjencën e mbledhur nga sensorë të avancuar të avionit të cilat përcaktojnë se cilat shënjestra do të sulmojnë. Përmban rreth tetë milionë rreshta të kodit të software, me shumë nga të gjithë avionët më të avancuar luftarakë të fluturuar ndonjëherë nga ushtria amerikane dhe britanike.

Kompania Lockheed Martin po teston gjeneratën e pestë të avionëve F-35 në këtë bazë ajrore. Bëhet fjalë për modelin F-35C, një “monster” qiellore që pritet t’i shtohet flotës ajrore amerikane këtë vit. Avioni është i pajisur me “receptorë” që nuhasin dhe paralizojnë kërcënimin shumë më shpejt se avionët e tjerë.

Avioni F-35C është në gjendje që përmes një sistemi të përparuar teknologjik të futet në sistemin e avionëve kundërshtarë dhe që aty të lexojë gjithë veprimet.

Ndërkohë që Evropa është e ekspozuar ndaj kërcënimeve të reja, është më e rëndësishme se kurrë që Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e NATO të përdorin avionët unikë të gjeneratës së pestë të tipit F-35C.
Ndërsa çdo avion është dizajnuar në mënyrë unike për të vepruar në mjedise dhe klimë të ndryshme, të treja variantet kanë vendosur standarde të reja në sistemet e misionit të mundësuara nga rrjeti, bashkimi i sensorëve dhe mbështetja. F-35 i jep një kuptim tjetër luftëtarit multidimensional. Këta avionë për herë të parë në historinë e aviacionit në SHBA, kanë aftësinë e shmangies nga radari dhe vjedhurazi ulen në kuvertën e transportuesit.

Variantet e transportuesit F-35C përcaktojnë standarde të reja në integrimin e sistemit të armëve, mirëmbajtjes, dhe ngarkesës që sjell fuqi të vërtetë multimisionare me aftësi projektimi nga deti. Jo vetëm kaq, por ky avion u dërgon avionëve të tjerë “miq” të dhënat mbi kërcënime të mundshme duke krijuar kështu një përparësi thelbësore në një betejë ajrore” Kështu u shpreh para gazetarëve europianë kryeinxhinieri i grupit të punës së programit F-35 Lightning II, Andrew Maack. Maack shtoi se kanë përfunduar të gjitha testimet për uljen vertikale të avioni F-35B, i cili ka aftësinë të shkëputet në pista në kohë rekord dhe të bëjë ulje në të edhe në kushte ekstreme të motit.

“Avionët tanë provojnë çdo “torturë”, bëjmë gjithçka në lidhje me testet e uljes vertikale madje edhe në kushte të ndryshme klimaterike”. Aktualisht numërohen mbi 265 avionë supersonik F-35 B dhe F-35 C, të cilët janë tashmë janë pjesë e Forcave ajrore të Shteteve të Bashkuara dhe pjesë e Marinës Mbretërore Britanike së fundmi edhe Italisë. “Bishat e qiellit” pilotohen nga 560 pilotë të përzgjedhur profesionalisht, të cilëve iu besohen “makineritë” më të shtrenjta të ajrit. Në total të tre variantet e avionëve F-35 numërojnë mbi 120.000 orë fluturimi. “Nëse je pilot dhe fluturon me një variant të avionit F-35 atëherë je plotësisht i aftë të drejtosh të tre variantet e tij”, thotë kryeinxhinieri Maack.

Tashmë nuk është më sekret. Të paktën shtatë vende europiane po planifikojnë të blejnë avionët e gjeneratës së pestë F- 35. Mbi 500 avionë të tillë do të blihen nga aleatët. Vlerësohet se avionët e rinj do i japin Europës kapacitet të rëndësishëm luftarak që do i mundësojë kontinentit të luajë një rol më të madh përballë strategjisë ruse të quajtur “A2AD”.

Kostoja e prodhimit të njërit prej tyre shkon për F-35 A, në rreth 95.3 milionë dollarë, ndërsa programi në total edhe për vitet pasaardhëse kap vlerën e 1.508 trilionë dollarëve. Sipas planit të modernizimit të zyrtarëve më të lartë të Pentagonit, synohet që brenda vitit 2040, ky avion të jetë avioni kryesor në ushtrinë e SHBA-së. Me implementimet dhe përmirësimet e fundit, qëllimi i kompanisë Lockheed Martin është reduktimi i kostos së avionit luftarak F-35A në 80 milionë dollarë deri në vitin 2020.

Investimi në perfeksionim të avionëve luftarakë është investim në sigurinë e së ardhmes. Kostoja për F-35B shkon në rreth 122.4 milion $; ndërsa vlera për avionin F-35C është 121.2 milion $. Kompania “Lockheed Martin” ka një shtrirje mbarë botërore në 14 baza ajrore me rreth 5600 vetë si staf teknik dhe mirëmbajtës.Të ashtuquajturit “Avionë fenomenale” F-35 B dhe F-35 C do “shkruajnë” historinë e sigurisë të së ardhmes së qiejve të Amerikës dhe të kontinentit Europian.

Shtëpia e Bardhë hedh poshtë raportin për shkelje ligji nga këshilltarja

Shtëpia e Bardhë hodhi poshtë një raport të pavarur që arrin në përfundimin se Kellyanne Conway, një ndër këshilltarët kryesorë të presidentit, ka shkelur ligjin federal gjatë dy intervistave që dha vitin e kaluar.

Zyra e Këshilltarit Ligjor për qeverinë federale shkruan në raport se gjatë një interviste në nëntor për televizionin Fox News zonja Conway bëri thirrje që njerëzit të mos votonin për një kandidat për Senat në zgjedhjet e mes-mandatit në Alabama, duke nënkuptuar mbështetje për një kandidat tjetër. Në një intervistë në dhjetor për rrjetin CNN, ajo u shpreh se duhej mundur në zgjedhje një kandidat, duke folur në favor të kandidatit tjetër.

Zyra e Këshilltarit Ligjor shprehet se në dyja këto raste përbëjnë shkelje të ligjit Hatch, i cili nuk lejon që punonjës të qeverisë federale të përdorin autoritetin e postit për të ndikuar tek zgjedhjet. Kjo zyrë ia dorëzoi raportin presidentit që ai “të marrë masat e nevojshme disiplinore”.

“Kellyanne Conway nuk foli pro apo kundër zgjedhjes së ndonjë kandidati të caktuar. Ajo thjesht ka shprehur qëndrimin e hapur të presidentit se i duheshin persona të caktuar në Dhomën e Përfaqësuesve dhe në Senat për të mbështetur axhendën e tij,” shkruan Shtëpia e Bardhë në përgjigjen e saj përmes një deklarate.

Në të dyja intervistat, zonja Conway po diskutonte garën zgjedhore mes kandidatit demokrat Doug Jones dhe republikanit Roy Moore që po garonin për të zënë vendin e Jeff Sessions në senat, pasi zoti Sessions mori postin e Prokurorit të Përgjithshëm.

Zyra e Këshilltarit Ligjor tha se i ka dhënë mundësi zonjës Conway t’u përgjigjej argumenteve të raportit, por ajo nuk ka pranuar.

Zyra e Këshilltarit Ligjor nuk ka lidhje me Prokurorin Special Robert Mueller, i cili po heton ndikimin e Rusisë në zgjedhjet presidenciale të 2016.

Sulmet kimike në Siri, SHBA shqyrton mundësinë e sulmit ndaj regjimit

Presidenti amerikan Donald Trump vitin e kaluar kishte vendosur që të sulmohet baza ajrore Shayrat në Siri e përdorur gjatë një sulmi kimik ndaj Han Shejhun të Idlibit

UASHINGTON – Drejtori i Inteligjencës Kombëtare të SHBA-ve, Daniel Coats, tha se administrata amerikane është duke shqyrtuar për të zhvilluar një sulm të ngjashëm si ai i vitit të kaluar kundër sulmeve kimike të regjimit të Bashar al-Asadit.

Coats, në seancën e emërtuar kërcënimet globale të Komitetit të Shërbimeve të Armatosura të Senatit iu përgjigj pyetjeve të senatorëve.

Coats në lidhje me pyetjen e një senatori se vallë do të vlerësohet përdorimi i gazit klorin të regjimit të Asadit gati çdo ditë në Siri, si armë e shkatërrimit në masë, iu përgjigj duke thënë:

“Edhe këtë e vlerësojm si armë e shkatërrimit në masë. Atje përdoret gazi klorin se ai sarin. Sulmet e fundit gjithashtu i vlerësojmë. Ende nuk kemi informacione lidhur me këtë. Palët i akuzojnë njëri tjetrin. Ende skemi përfunduar vlerësimin por jemi shumë të shqetësuar nga çështja. E keni parë reagimin e presidentit për sulmin e vitit të kaluar. Kjo tani në këtë moment derisa ne jemi duke folur është duke u biseduar por e përsëris se kjo duhet të shqyrtohet në një sesion të mbyllur”.

Presidenti amerikan Donald Trump vitin e kaluar kishte vendosur që të sulmohet baza ajrore Shayrat në Siri e përdorur gjatë një sulmi kimik ndaj Han Shejhun të Idlibit. Nga raketat e shkrepura nga anijet amerikane të vendosura në Detin Mesdhe ishin goditur 59 pika në këtë bazë. aa

Trumpi: Përparim i mundshëm për Korenë e Veriut

Presidenti Donald Trump foli sot për një “progres të mundshëm” pas njoftimit të Koresë së Jugut se Veriu ka rënë dakord të ndalë provat me armë bërthamore dhe raketa balistike nëse zhvillon bisedime me SHBA për çnuklearizimin e gadishullit korean.

Por Presidenti amerikan tha gjithashtu se kjo mund të jetë një “shpresë e rreme”.

Presidenti Trump i bëri komentet në Twitter si përgjigje ndaj një serie njoftimesh të Koresë së Jugut pas kthimit në atdhe të emisarëve të saj nga një vizitë e pazakontë në Korenë e Veriut.

Koreja e Jugut njoftoi se kishte rënë dakord me Korenë e Veriut për të zhvilluar një takim të nivelit të lartë me Veriun në fund të prillit.

“Për herë të parë në shumë vite, po bëhet një përpjekje serioze nga të gjitha palët e interesuara,” shkruante Presidenti Trump në Twitter. “Bota po vëzhgon dhe është në pritje. Mund të jetë shpresë e rreme, por SHBA janë të gatshme të veprojnë fort në cilindo drejtim.”

Koreja e Jugut njoftoi sot se Pheniani u kishte thënë të dërguarve të Seulit se nuk ka arsye të posedojë armë bërthamore nëse merr një garanci sigurie dhe se Veriu kishte premtuar të mos përdorte armë bërthamore dhe konvencionale kundër Koresë së Jugut. Dy Koretë kishin rënë dakord gjithashtu të vendosnin një “linjë të drejtpërdrejtë telefonike” mes udhëheqësve për të ulur tensionet ushtarake.

Ndërkohë, Presidenti i Koresë së Jugut, Mun Jae-In, tha të martën se vendi i tij duhet të vazhdojë dialogun me Korenë e Veriut, duke theksuar në të njëjtën kohë se Seuli duhet të jetë i përgatitur ndaj kërcënimeve bërthamore dhe atyre me raketa të Koresë së Veriut.

Zoti Moon i bëri komentet gjatë një ceremonie diplomimi në Akademinë Ushtarake të Koresë.

“Do të zhvilloj fuqimisht një qëndrim të përbashkët mbrojtës me SHBA dhe do të vazhdoj përpjekjet për të gjetur mbështetjen e plotë nga bashkësia ndërkombëtare dhe vendet fqinje për paqen në gadishullin Korean. Kam filluar një rrugë të gjatë drejt paqes dhe begatisë, me besimin se ato mund t’i arrijmë vetë,” tha zoti Moon.

Është e paqartë se çfarë diskutoi Kim Jong Un dhe kreu i delegacionit koreanojugor në një darkë dhe një takim të mëvonshëm. Por televizioni shtetëror i Koresë së Veriut tha më pas se të dyja palët kishin arritur një marrëveshje për bisedime të tjera.

“Udhëheqësi ynë suprem Kim Jong Un kishte dëgjuar synimin e Presidentit Moon Jae-in për një takim me të dërguarit e posaçëm të Koresë së Jugut. Ai shkëmbeu pikëpamje me ta dhe arritën një marrëveshje të kënaqshme. Udhëheqësi ynë suprem u dha udhëzime palëve përkatëse për të ndërmarrë shpejt hapa praktikë,” thotë kjo folëse e Koresë së Veriut.

Të dërguarit e posaçëm të Koresë së Jugut pritet tani të udhëtojnë në Shtetet e Bashkuara për të informuar zyrtarët amerikanë.

Netanyahu: Frenimi i Iranit, sfidë e përbashkët për Izraelin, SHBA-në

“Irani duhet të frenohet; kjo është sfida jonë e përbashkët”, i tha kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu presidentit amerikan Donald Trump të hënën në Shtëpinë e Bardhë.

Dy udhëheqësit diskutuan në Dhomën Ovale për mënyrat e frenimit të përparimit ushtarak të Iranit në Lindjen e Mesme dhe marrëveshjen ndërkombëtare të vitin 2015 që kishte si synim reduktimin e zhvillimit e armëve bërthamore të Teheranit. Si presidenti Trump, ashtu edhe kryeministri Netanyahu e kanë konsideruar të papërshtatshme.

Zoti Trump nuk ka arritur të sigurojë mbështetjen nga vendet e tjera që kanë nënshkruar paktin: Britania, Franca, Gjermania, Bashkimi Evropian, Kina dhe Rusia, për të rinegociuar marrëveshjen.

“Irani nuk ka hequr dorë nga ambicjet bërthamore”, tha zoti Netanyahu, duke shtuar se Teherani “përfitoi nga kjo marrëveshje duke u fuqizuar dhe pasuruar më shumë. Po përdor agresionin kudo, përfshirë në kufijtë tanë”.

Rritja e pranisë së forcave iraniane në Siri për të mbështetur Presidentin Bashar al-Assad është veçanërisht shqetësuese për udhëheqësin izraelit, që ka akuzuar Tehereanin se po përpiqet të ketë një bazë të përhershme në Siri.

Presidenti Trump, në komentet e tij, nuk e përmendi Iranin me emër por tha se Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli “janë shumë, shumë pranë përsa i takon ushtrisë dhe terrorizmit dhe të gjitha aspektet e tjera për të cilat duhet të punojmë së bashku. Kjo marrëdhënie s’ka qenë asnjëherë më mirë”.

Zoti Trump tha se mund të udhëtojë në Jeruzalem për të hapur ambasadën amerikane atje para 70 vjetorit të deklaratës së pavarësisë së Izraelit më 14 maj, 1948.

Zoti Netanyahu e vlerësoi lart Presidentin Trump për vendimin e debatueshëm për të zhvendosur ambasadën nga Tel Avivi në Jeruzalemin që shumë vende e shohin si territor të debatueshëm de objekt të negociatave me palestinezët.

Trumpi përshëndet hapin e Kinës për heqjen e kufizimit të mandatit presidencial

Presidenti amerikan, Donald Trump, foto nga arkivi

Presidenti amerikan, Donald Trump ka përshëndetur hapin e Partisë Komuniste në Kinë, që presidenti Xi Jingping të jetë udhëheqës i vendit për tërë jetën, ka raportuar CNN, duke u bazuar në disa incizime tonike.

“Ai tani është president përjetësisht, president për tërë jetën. Kjo është fantastike”, është raportuar të ketë thënë Trump, në incizimin që CNN e ka siguruar në një organizim me dyer të mbyllura në Florida.

“Dhe shikoni, ai ishte në gjendje ta bënte këtë. Unë mendoj që është shumë mirë. Ndoshta edhe ne mund ta provojmë një ditë”, u ka thënë Trump mbështetësve të tij.

Nuk është bërë e qartë nëse Trump ka qenë duke bërë shaka lidhur me deklaratat për dhënien fund të kufizimit të mandatit në Shtetet e Bashkuara.

As Shtëpia e Bardhë nuk u është përgjigjur kërkesave të mediave për të komentuar deklaratën.

Sipas një amendamenti të Kushtetutës amerikane më 1951, presidentët në Shtetet e Bashkuara nuk mund të udhëheqin në më shumë se dy mandate të njëpasnjëshme.

Në mbledhjen vjetore që do të mbahet më 4 mars, parlamenti kinez pritet të ratifikojë votimin e parlamentit të njoftuar më 25 shkurt për t’i dhënë fund kufizimit të mandateve të presidentit në Kinë.

Një javë kaotike për Presidentin Trump

Jim Malone

Presidenti Trump mori pjesë në funeralin e evangjelistit të njohur Billy Graham në Karolinën e Veriut Kjo shënoi fundin e një jave tjetër të ngarkuar dhe ndonjëherë kaotike për presidentin në një mori çështjesh.

“Duhet të bëjmë diçka për këtë. Duhet bërë diçka. Duhet të veprojmë.”

Presidenti u takua me ligjvënës në Shtëpinë e Bardhë për të diskutuar dhunën nga armët. Ai sfidoi republikanët që të shkëpusnin lidhjet me Shoqatën Kombëtare të Armëve.

“Nuk ka kuptim që një pistoletë nuk mund ta blesh pa mbushur 21 vjeç, por një 18 vjeçar mund të blejë këtë armë në internet. Jam kurioz ta di se çfarë keni hartuar në këtë projektligj.”

“Nuk e trajtuam këtë çështje, zoti President”, ishte reagimi i senatorit republikan Pat Toomey.

“Ju nuk e trajtuat. E di pse? Sepse jeni të frikësuar nga NRA, apo jo?”,ju përgjigj Presidenti Trump.

“Jo, Jo”, ishte reagimi ngaSenatori Pat Toomey.

Përkrahja e dukshme nga zoti Trump për ligje më të rrepta për armët shtoi shpresat mes demokratëve. Chuck Schumer është një prej ligjvënësve demokratë më të njohur në Senat.

“Shpresa është burim i përjetshëm. Vendi ka nevojë për këtë dhe presidenti e di se ai mund të tregojë një udhëheqje të vërtetë duke ju kundërvënë NRA që mbështet republikanët, dhe për të bërë diçka.”

Por interesi i presidentit për t’u hequr armët atyre që konsiderohen të rrezikshëm ndezi shqetësim mes republikanëve.

“E dua presidentin. E Kam mbështetur dhe ende e mbështes. Por ai dhe unë nuk pajtohem në idenë e procesit të duhur”, u shpreh senatori republikan John Kennedy.

Të nesermen, presidenti trazoi tregjet financiare duke njoftuar tarifa për importet e hekurit dhe aluminit, veprim që shkaktoi kritika nga të dy partitë.

“Do të rindërtojmë industrinë e hekurit dhe të aluminit”, tha Presidenti Trump.

Çrregullimi nuk është diçka e re për Shtëpinë e Bardhë të zotit Trump dhe mesa duket një faktor për vlerësimet e tij historikisht të ulta, thotë Tim Malloy.

“Vërtitet mes 30 përqindëshit. Pati një rritje pas fjalimit drejtuar vendit, diçka që pritej. Dhe që aty filloi rënia.”

Por zoti Trump është i mësuar për të qënë një humbës, thotë Michael Barone me Institutin Amerikan Entreprise.

“Vetëm 38 përqind e të anketuarve thanë se e favorizonin atë. Kjo do të thotë se mund të jetë një bllok i konsiderueshëm njerëzish që nuk e pëlqejnë zotin Trump, por votuan për të.”

Trazirat u shtrinë deri në Shtëpinë e Bardhë ku ndihmësja e hershme Hope Hicks njoftoi largimin. Po ashtu ka patur spekulime në rritje rreth së ardhmes së këshilltarit të sigurisë kombëtare H.R. McMaster.

Një person qëllon veten pranë Shtëpisë së Bardhë

Shërbimi Sekret amerikan tha të shtunën se iu përgjigj të shtënave në mes të ditës jashtë Shtëpisë së Bardhë.

“Personeli i Shërbimit Sekret po i përgjigjet njoftimeve të një personi i cili dyshohet se ka qëlluar veten dhe është plagosur përgjatë vijës së gardhit në krahun verior të Shtëpisë së Bardhë,” tha agjencia, e cila është e ngarkuar me mbrojtjen e qeverisë dhe udhëheqësve të tjerë të vendit.

Presidenti Donald Trump dhe Zonja e Parë Melania Trump ishin në vendpushimin e tyre Mar-a-Lago në West Palm Beach, të Floridas në kohën e të shtënave të raportuara dhe priten të kthehen në Uashington më vonë gjatë ditës.

Agjencitë e shumta të lajmeve thanë se Shtëpia e Bardhë ishte e rrethuar dhe e bllokuar si rezultat i të shtënave të njoftuara.

Vendi është i përfshirë në një debat intensiv mbi ligjet federale dhe shtetërore të kontrollit të armëve pas masakrës së 14 shkurtit, që solli vrasjen e 17 personave në një shkollë të mesme në Parkland të Floridas.

Arrestohet personi që i dërgoi pluhur të bardhë djalit të Presidentit Trump

Një amerikan i akuzuar se i ka dërguar me postë një zarf me pluhur të bardhë djalit të madh të Presidentit Donald Trump është arrestuar. Ai akuzohet se ka përdorur postën si mjet për të kërcënuar njerëzit.

Daniel Frisiello nga shteti i Masaçusetsit mendohet se i ka dërguar me postë zarfe me pluhur të bardhë dhe me letra kërcënuese 5 personave, mes tyre edhe djalit të Presidentit Trump.

Bashkëshortja e Donald Trump të riut, Vanessa, pasi hapi zarfin, u ankua për të përzjera dhe kollë dhe u çua menjëherë në spital.

Zarfi u analizua dhe doli se përmbante niseshte, por shoqërohej me një letër ku thuhej se ishte substancë e rrezikshme.

Avokati i Daniel Frisiellos tha se klienti i tij nuk do të pranojë fajësinë dhe se ai merr mjekime për një sëmundje të paidentifikuar.

Rritet eksporti i heroinës nga Meksika për në SHBA

Një raport i ri për drogën në botë tregon se heroina dhe eksportet e fentanilit nga Meksika drejt Shteteve të Bashkuara janë në rritje.

Duke folur në Meksikë, Presidenti i Bordit Ndërkombëtar të Kontrollit të Narkotikëve, Raul Martin del Campo, vuri në dukje rritjen e madhe të përdorimit të drogës në mbarë botën. Ai theksoi sidomos trafikimin e drogave të paligjshme në Amerikën e Jugut si dhe drejt Shteteve të Bashkuara nga këto vende:

“Mbledhja e opiumit që shihni në kaq shumë vende kudo në Amerikën e Jugut, si dhe në Meksikë gjatë rrugës drejt Shteteve të Bashkuara është rritur në sasi të konsiderueshme, siç regjistrohet edhe në raport. Janë zbuluar gjithashtu të hyjnë në vend sasi fentanili dhe kjo po sjell pasoja në përbërjen e këtyre barnave që po eksportohen ilegalisht”.

Meksika është nën trysni në rritje për të luftuar trafikun e drogës. Vitin e kaluar në të gjithë vendin u regjistruan më shumë se 25 mijë vrasje të lidhura me drogën. Ndërkohë, bandat rivale të drogës janë copëzuar gjithnjë e më shumë në grupe më të vogla dhe më të dhunshme.

Trumpi propozon dënim më të lartë për shitësit e drogës

Presidenti Trump tha se problemi i drogës në SHBA nuk mund të zgjidhjet kurrë pa treguar forcë dhe vendosmëri, duke shtuar se shitësve të drogës duhet t’u jepet dënimi më i madh

UASHINGTON – Presidenti i SHBA-ve Donald Trump tha se problemi i drogës në shtetin e tij nuk mund të zgjidhjet kurrë pa treguar forcë dhe vendosmëri, duke shtuar se shitësve të drogës duhet t’u jepet dënimi më i madh.

Në një mbledhje të mbajtur në Shtëpinë e Bardhë me temën “Epidemia e opiumit”, hapjen e së cilës e bëri Zonja e parë e SHBA-ve, Melania Trump, presidenti amerikan mbajti një fjalim me ç’rast theksoi se shumica e shitësve të drogës të cilët vrasin qindra persona nuk hyjnë as në burgje.

“Nëse e vritni një person ju dënoheni me burgim të përjetshëm apo me dënim me vdekje. Ndërsa nuk po ndodh asgjë me këta persona të cilët mund të vrasin 2.000, 3.000 persona. Disa shtete kanë dënime shumë strikte, dënimin më të lartë. Meqë ra fjala, në këto vende ka probleme shumë më të vogla me drogën. Pra, edhe ne do të jemi më të ashpër ndaj çështjes së dënimeve”, tha Trump.

Ai edhe më parë ka potencuar nevojën për dhënien e dënimit me vdekje ndaj shitësve të drogës, duke shtuar se e di zgjidhjen por që dyshon se shteti nuk është ende i gatshëm për këtë.

Melania Trump tha se shumë persona i humbasin të dashurit e tyre si pasojë e drogës. “Duhet ta ndryshojmë këtë”, porositi ajo.

Sipas Qendrës së Kontrollit dhe të Parandalimit të Sëmundjeve në SHBA, 42 mijë persona e kanë humbur jetën në vitin 2016 për shkak të opiumit, heroinës dhe fentanilit.aa

SHBA, reagime për fjalimin e Vladimir Putinit drejtuar vendit

Ligjvënësit amerikanë po e kritikojnë si një kërcënim për përdorimin e forcës ushtarake fjalimin, ku Presidenti rus Vladimir Putin, deklaroi se Moska ka zhvilluar prova me disa armë bërthamore strategjike, të cilat mund të godasin thuajse çdo objektiv në botë dhe nuk mund të interceptohen nga kundërshtarë huaj.

Në fjalimin e tij të përvitshëm drejtuar vendit, zoti Putin foli për arritje të mëdha në fushën e teknologjisë, që mund t’i japin ushtrisë ruse një pozicion të ri ushtarak në botë. Gjatë fjalimit ai bëri një demonstrim videosh me armët e reja, shfaqja e të cilave u shoqërua me duartrokitje të vazhdueshme nga të pranishmit.

Senatori republikan i Karolinës së Veriut, Thom Tillis, i tha Zërit të Amerikës: “Unë e shoh zotin Putin si një kriminel ordiner. Kur ata thonë diçka, ndoshta gënjejnë, por duhen marrë shumë seriozisht.”

Zëdhënësja e Pentagonit Dana White tha se Departamenti amerikan i Mbrojtjes nuk çuditet nga deklarata e zotit Putin për ndërtimin e armëve të reja bërthamore. Ajo tha se ushtria amerikane është e përgatitur për të mbrojtur vendin.”Ne jemi duke e ndjekur nga afër Rusinë. Për armët për të cilat po flitet tani është punuar prej një kohe të gjatë. Populli amerikan duhet të qëndrojë i sigurtë se ne jemi të përgatitur”, tha zonja White.

Zëdhënësja White i tha gazetarëve në Pentagon se mbrojtja amerikane nga raketat nuk ka patur kurrë si synim Rusinë.

Shtetet e Bashkuara vazhdimisht kanë argumentuar se sistemet për mbrojtjen nga raketa të vendosura në Europe nuk synojnë Moskën, por ato kanë si objektiv mbrojtjen nga kërcënimet që vijnë nga Irani, Koreja e Veriut dhe nga vende të papërgjegjshme.

Megjithatë, disa analistë janë skeptikë për deklaratën e Moskës. Ata thonë se kapacitete bërthamore ruse nuk janë në gjendje pune.

Trumpi propozon ndryshime të ligjit për armët

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i tha një grupi të ligjvënësve që “të mos frikësohen shumë” nga lobi i fuqishëm i Shoqatës Kombëtare të Pushkëve.

Ndryshe nga qëndrimi i partisë së tij për kontrollin e armëve, Trump u bëri thirrje ligjvënësve që të dalin me një projektligj të ri për armët.

Ai sugjeroi rritjen e kontrollit për blerësit e armëve dhe rritjen e moshës ligjore për të blerë pushkë nga 18 vjeç sa është tani, në 21.

Trump po ashtu tha se policisë duhet t’i lejohet të konfiskojë armët nga personat që i konsideron të rrezikshëm, pa urdhër të gjykatës.

Presidenti mbajti takimin disa ditë pas të shtënave vdekjeprurëse në një shkollë në Florida, ku kanë mbetur të vrarë 17 persona.

Partia Republikane e Trumpit e mbështet të drejtën e individëve për të mbajtur armë, ndërsa shumicën e kufizimeve i sheh si shkelje të amendamentit të dytë të Kushtetutës së SHBA-së.

Shoqata Kombëtare e Pushkëve, në anën tjetër, është ndër grupet më të fuqishme lobuese në SHBA. Ajo ka buxhet të konsiderueshëm për të ndikuar anëtarët e Kongresit rreth politikës për armë.

Presidenti Trump kritikon përsëri Prokurorin e Përgjithshëm Jeff Sessions

Presidenti Donald Trump të mërkurën kritikoi përsëri Prokurorin e Përgjithshëm Jeff Sessions, duke e cilësuar sjelljen e tij “të papranueshme”, që kërkoi zhvillimin e një hetimi se si zyrtarët u përpoqën të siguronin miratim për një mbikqyrje të fshehtë ndaj një ish zyrtari të fushatës së zotit Trump.

Zoti Trump e qortoi zotin Sessions, të cilin ai vetë e caktoi si kreun e Departamentit të Drejtësisë, se i kishte kërkuar inspektorit të përgjithshëm të agjencisë “të hetonte për mundësinë e shkeljeve masive” në aplikacionet e vëzhgimit për Gjykatën e Vëzhgimit të Zbulimit Federal.

Republikani Trump tha se hetimi i prokurorit të përgjithshëm “do të vazhdonte për shumë kohë” dhe theksoi se Inspektori i Përgjithshëm i Depatamentit të Drejtësisë Michael Horowitz “nuk ka fuqi për ndjekje penale” dhe se ai ishte emëruar në atë post nga Presidenti demokrat Barack Obama. Trump tha se Horowitz “ishte i vonuar” me përfundimin e një raporti lidhur me akuzat për sjellje të papërshtatshme nga ish drejtori i FBI-së James Comey, për mënyrën se si e trajtoi hetimin e vitit 2016 lidhur me praktikat e emaileve të rivales demokrate të zotit Trump në zgjedhjet presidenciale, Hillary Clinton.

“Përse të mos përdoren juristët e Departamentit të Drejtësisë? E turpshme”- shkruante në Twitter Presidenti.

https://twitter.com/realDonaldTrump/status/968856971075051521

Sulmi i zotit Trump vjen pasi zoti Sessions tha të martën se zyra e Horowitz-it do të zhvillonte një hetim në se agjentët e FBI-së kishin bërë shkelje gjatë procesit për të marrë miratimin e gjykatës për survejimin e ish ndihmësit të zotit Trump, Carter Page, dhe lidhjet e tij me Rusinë.

Survejimi i zotit Page ishte pjesë e hetimit të gjatë kriminal mbi mundësinë e lidhjeve mes fushatës së zotit Trump me Rusinë gjatë fushatës së tij elektorale.

Survejimi i zotit Page pati shkaktuar për disa javë debate në Uashington në mesin e ligjvënësve të të dyja partive.

Trump ka shprehur disa herë zemërim ndaj zotit Sessions, por nuk e ka shkarkuar atë, që nga koha kur vitin e kaluar Sessions nuk u përfshi në hetimin e agjencisë për çështjen e Rusisë, ngaqë ai vetë kishte patur kontakte me ish-ambasadorin rus në Uashington, Sergei Kislyak, në mesin e fushtaës elektorale në vitit 2016.

Ish senatori i Alabamës, Jeff Sessions, ishte figura më e rëndësishme politike që mbështeti kandidaturën e zotit Trump në fazat e para të garës presidenciale. Por Trump pati thënë se Sessions “ishte dorëzuar” dhe se nuk kishte për ta caktuar prokuror të përgjithshëm, në se do ta kishte ditur që ai do të shmangej nga hetimi për Rusinë.

Manafort deklaron pafajësinë ndaj akuzave të reja

Ish menaxheri i fushatës së Presidentit Donald Trump, Paul Manafort tha se nuk është fajtor për disa akuza të reja të ngritura ndaj tij javën e kaluar nga Prokurori Special Robert Mueller, i cili është duke zhvilluar hetime për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet amerikane.

Gjyqi ndaj zotit Manafort është caktuar për më 17 shtator.

Sipas akuzave të reja, Manafort, me ndihmën e ish partnerit të biznesit dhe ndihmësit të fushatës së zotit Trump, Rick Gates, ishin angazhuar në pastrimin e parave me vlerën e 30 milionë dollarëve, në llogari bankare jashtë vendit dhe se “i kishin përdorur pasuritë e fshehura jashtë vendit për të patur një jetë luksoze në Shtetet e Bashkuara, pa paguar taksën mbi të ardhurat.”

Ata akuzohen se i kanë fituar paratë nga bizneset e tyre në Ukrainë dhe i kanë paraqitur ato si “hua”, për të shmangur taksat. Në aktpadi thuhet se ata i kanë përdorur paratë për të blerë pasuri të patundshme, për rinovime në shtëpi dhe në rastin e zotit, Gates, se i ka përdorur ato për të paguar për shkollën e fëmijëve.

Javën e kaluar Gates pranoi se ishte fajtor për mashtrime financiare dhe se i kishte gënjyer hetuesit lidhur me përpjekjet e tij lobuese për qeverinë e mëparshme ukrainase pro-Moskës, para se të merrte rolin e zyrtarit të fushatës së zotit Trump.

Fajin se nuk kanë treguar të vërtetën gjatë hetimit nga zoti Mueller, po ashtu e kanë pranuar ish këshilltari i zotit Trump për sigurinë kombëtare Michael Flynn, ish këshilltari për çështjet e jashtme George Papadopoulos dhe ish juristi holandez Alex van der Zwaan.

Zyrtari i zbulimit: Trumpi nuk ka dhënë udhëzime për të ndalur ndërhyrjen ruse

Një zyrtar i lartë amerikan i zbulimit tha se Presidenti Donald Trump nuk i ka dhënë udhëzime specifike për t’iu kundërvënë përpjekjeve ruse për ndëhyrje në zgjedhjet e këtij viti për në Kongres, që u ngjajnë përpjekjeve ruse gjatë zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016, që synonin të ndihmonin zotin Trump të fitonte.

Admirali Mike Rogers, drejtor i Agjencisë së Sigurimit Kombëtar, tha gjatë dëshmisë së tij në Kongres se atij nuk i kishin dhënë autoritet shtesë në prag të zgjedhjeve të këtij viti. Ai tha se mendimi i tij është se nuk është bërë sa duhet për të marrë masa të gjithanshme për t’iu kundërvënë ndërhyrjes ruse, në fushën diplomatike, ekonomike dhe kibernetike.

Sipas admiralit, presidenti rus Vladimir Putin ka arritur në përfundimin se kostoja që i duhet të paguajë për ndërhyrjen në zgjedhjet amerikane është e vogël. Pas dëshmisë së admiralit Rogers, sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Sarah Huckabee Sanders, nuk komentoi se për çfarë autoriteti e kishte fjalën admirali, por shtoi se Presidenti Trump po përpiqet të gjejë mënyra për të mos lejuar ndërhyrjen ruse.

Uashington: Një rrugë me emrin Boris Nemtsov, udhëheqësit të vrarë të opozitës ruse

Një rruge pranë ambasadës ruse në Uashington iu vendos emri i Boris Nemtsovit, një udhëheqës i opozitës ruse, i cili u vra tre vjet më parë në Moskë. Korrespondetja e Zërit të Amerikës Elizabeth Cherneff sjell më shumë detaje.

Një grup i vogël njerëzish u mblodh në Uashington në ceremoninë e emërtimit të një rruge pranë ambasadës ruse, Boris Nemtsov. Ish zëvendës kryeministri rus dhe një nga kritikët e mëdhenj të presidentit Vladimir Putin u vra në vitin 2015 në një urë pranë Kremlinit.

Në ceremonisë e zhvilluar dje, zyrtarët e qeverisë së qytetit dhe ligjvënësit amerikanë nderuan punën e udhëheqësit të vrarë të opozitës ruse.

Për vajzën e Boris Nemtsov-it, kjo ishte hera e parë që nga vrasja, që babai i saj nderohej.

“Është shumë e vështirë të përshkruaj atë që ndjej tani, kemi luftuar për shumë kohë që kjo të ndodhë. Shumë njerëz ishin të përfshirë. Ndoshta një ditë do të jem në gjendje ta analizoj, por kur shoh rrugën “Boris Nemtsov”, ndihem krenare”, tha Zhanna Nemtsov, vajza e Boris Nemtsovit.

Kur u vra në vitin 2015, ish udhëheqësi i opozitës po punonte mbi një raport mbi rolin e Rusisë në konfliktin e Ukrainës.

I pyetur lidhur me ceremoninë për nder të tij, zëdhënësja e Departamentit të Shtetit iu referua trashëgimisë së Boris Nemtsovit, për t’i dërguar një mesazh të qartë Rusisë.

“I bëjmë thirrje qeverisë ruse t’i përmbahet detyrimeve për të mbrojtur të drejtat universale të njeriut, përfshirë lirinë e shprehjes, tubimin paqësor dhe lirinë për krijimin e grupimeve. I bëjmë thirrje qeverisë ruse të sigurojë, që të gjithë ata që kanë patur rol në vdekjen e tij, përfshirë ata që e organizuan apo që urdhëruan vrasjen, të dalin përpara drejtësisë”, tha Heather Nauert.

Të dielën e kaluar në Moskë, mijëra rusë u mblodhën për të shënuar përvjetorin e vdekjes së Boris Nemtsovit. Ata vendosën lule dhe nderuan ish udhëheqësin opozitar në një memorial të improvizuar në qytet.

“Ai ishte një njeri i madh, guximtar, i ndershëm dhe me parime. Ai do të kujtohet gjatë dhe me kalimin e kohës, kësaj urë do t’i vendoset emri i tij, sikurse do të vendoset dhe një monument”, thotë Yevgeny Yavistky, arkitekt.


Send this to a friend