VOAL

VOAL

Çfarë përmban raporti Nunes?

Një dokument i diskutueshëm i përgatitur nga anëtarët republikanë të Kongresit akuzon zyrtarët e zbatimit të ligjit të në Shtetet e Bashkuara për abuzim të autoritetit të tyre të përgjimit gjatë hetimit për ndërhyrjen e Rusisë.

Një raport i klasifikuar prej tre faqe e gjysmë, i shkruar nga republikanët në Komisionin e Zbulimit në Dhomën e Përfaqësuesve, u publikua të premten pasi Presidenti Donald Trump autorizoi deklasifikimin e tij.

Çfarë pohon raporti

Pretendimi kryesor i raportit është se Departamenti amerikan i Drejtësisë dhe FBI-ja kanë marrë në mënyrë të gabuar një sërë urdhërash përgjimi elektronik për ish-bashkëpunëtorin e fushatës Trump, Carter Page, si pjesë e hetimit për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet e vitit 2016 në Shtetet e Bashkuara.

Carter Page, a foreign policy adviser to Donald Trump’s 2016 presidential campaign, speaks with reporters briefly following a day of questions from the House Intelligence Committee, on Capitol Hill in Washington, Thursday, Nov. 2, 2017. (AP Photo/J. Scott Applewhite)

Zoti Page shërbeu si këshilltar i politikës së jashtme për fushatën Trump dhe u vu nën dyshimin e zbulimit amerikan pasi udhëtoi për në Moskë dhe u takua me zyrtarët rusë.

Përgjimi nga FBI-ja i spiunëve të huaj dhe objektivave të tjera të huaja në Shtetet e Bashkuara mbikqyret nga një gjykatë sekrete e njohur si Gjykata e Vëzhgimit të Inteligjencës së Huaj (FISC). Për të marrë një urdhër nga gjykata, FBI-ja duhet të japë dëshmi se objektivi është një autoritet i huaj ose një agjent i një qeverie të huaj.

Në rastin e zotit Carter, raporti pretendon se FBI-ja u mbështetet kryesisht në informacionin nga një dosje kërkimore e përpiluar nga një ish-oficer i inteligjencës britanike për fushatën zgjedhore të rivales së zotit Trump, Hillary Clinton. Byroja e përdori informacionin në kërkesën e saj fillestare për të marrë lejen e përgjimit në tetor 2016, pasi zoti Page ishte larguar nga fushata si dhe tre kërkesa të mëvonshme të rinovimit për përgjim.

Sipas raportit, autori i dosjes, Christopher Steele, ishte një burim i vjetër i FBI-së, i cili u pagua nga fushata Klinton dhe Komiteti Kombëtar Demokrat, nëpërmjet firmës ligjore Perkins Cole dhe firmës kërkimore Fusion GPS, për të “marrë informata dëmtuese për lidhjet e Donald Trumpit me Rusinë “.

Ai është akuzuar gjithashtu për mbajtjen e një qëndrimi të njëanshëm anti-Trump gjatë fushatës, duke i thënë një zyrtari të lartë të Departamentit të Drejtësisë dy muaj përpara zgjedhjeve se ai “dëshironte shumë që Donald Trumpi të mos zgjidhej president”. Presidenti Trump i ka quajtur akuzat e dosjes për lidhjet e tij personale dhe financiare me Rusinë një “Grumbull Plehrash të Trilluara nga Hillary”.

Por, ndërsa dosja përbënte një “pjesë thelbësore” të kërkesave për përgjimin e zotit Page, zyrtarët e FBI-së dhe të Departamentit të Drejtësisë nuk deklaruan se informacioni kryesor ishte financuar nga demokratët “edhe pse origjina politike e dosjes së Steele-it ishte e njohur për zyrtarët e lartë të Departamentit të Drejtësisë dhe të FBI-së.”

Qeveria “kishte të paktën katër mundësi të pavarura përpara gjykatës FISC për të dhënë me saktësi faktet relevante”, thuhet në raportin e republikanëve. “Megjithatë, përfundimet tona tregojnë se … informacioni i rëndësishëm dhe relevant nuk u përmend.”

Për të mbështetur pretendimin e tyre se dosja ishte elementi kryesor për marrjen e urdhërave të përgjimeve, republikanët përmendën një dëshmi të dhjetorit 2017 nga ish-zëvendësdrejtori i FBI-së Andrew McCabe se “pa informacionin e dosjes”, nuk do të ishte kërkuar ndonjë urdhër përgjimi.

Demokratët në Komisionin e Dhomës së Përfaqësuesve, të cilët u përpoqën pa sukses të bllokonin publikimin e raportit, e kritikuan dokumentin për “gabime serioze”.

Në një deklaratë, Adam Schiff, demokrat i lartë në Komisionin e Zbulimit, tha se FBI-ja “nuk do të kishte përmbushur përgjegjësinë e saj për të mbrojtur vendin nëse nuk do të kishte kërkuar një urdhër FISA (Ligji për Vëzhgimin e Zbulimeve të Huaja)”.

Çfarë nuk thotë raporti

Ndërsa raporti thotë se kërkesa për urdhërat e përgjimit mbështetej në informacione të pabazuara nga dosja e ish-agjentit Steele, ai nuk thotë pjesën tjetër të provave që FBI-ja mund të ketë paraqitur për të marrë urdhërat. Një kërkesë për të siguruar një urdhër përgjimi FISA zakonisht përmban burime të shumëfishta informacioni të klasifikuar për të përcaktuar “kauzën e mundshme” që objektivi i një përgjimi të propozuar punon për një qeveri të huaj.

Ish-Prokurori i Përgjithshëm Alberto Gonzales tha se një pyetje kyçe që mbetet pa përgjigje në raport është nëse ka patur të dhëna të tjera të përdorura në kërkesë që ishin të mjaftueshme për të justifikuar miratimin e përgjimit.

“Ka shumë pyetje të ngritura nga informatat që unë do të doja të merrja përgjigje,” i tha zoti Gonzales Zërit të Amerikës.

Përpara publikimit të raportit Presidenti Trump shkruante në Twitter: “Udhëheqja e lartë dhe hetuesit e FBI-së si dhe Departamenti i Drejtësisë e kanë politizuar procesin e shenjtë hetimor në favor të demokratëve dhe kundër republikanëve, gjë që, vetëm pak kohë më parë do të kishte qenë e pamendueshme.”

Por, raporti nuk akuzon drejtpërsëdrejti drejtuesit e lartë të FBI-së dhe Departamentit të Drejtësisë për ndonjë shkelje megjithëse thotë se zyrtarë të lartë, përfshirë ish-drejtori i FBI-së James Comey, ish Zëvendës Prokurorja e Përgjithshme Sally Yates dhe Zëvendës Prokurori i Përgjithshëm Rod Rosenstein kanë nënshkruar kërkesat për përgjime.

Zoti Gonzales tha se zyrtarët e lartë që nënshkruajnë kërkesat e FISA-s nuk lexojnë gjithmonë çdo fakt të përfshirë në to.

Presidenti Trump: “plotësisht i shpaguar” pas publikimit të raportit të klasifikuar

Presidenti amerikan Donald Trump u shpreh sot se një raport i debatueshëm i republikanëve, ku pretendohet se hetuesit e FBI-së abuzuan me detyrën gjatë hetimeve për Rusinë, e ka bërë të ndjehet “plotësisht i shpaguar”, megjithëse demokratët kanë shprehur ndërkohë perceptim të kundërt.

Presidenti shkruajti sot në Twitter se: “Ky raport e shpagon plotësisht Trumpin në procesin hetimor. Por, gjuetia për shtrigat ‘ruse’ vazhdon sërish. Nuk ka patur Bashkëpunim dhe nuk ka patur Pengim të drejtësisë (kjo është fjala që përdorin tani, pas gati një viti kërkimesh pa fund dhe pasi nuk gjetën ASGJË, fjala “bashkëveprim” ka vdekur). Ky është një turp amerikan!.

Komisioni i Zbulimit i Dhomës së Përfaqësuesve bëri dje publik një raport ku paraqiten pretendimet e ligjvënësve republikanë se hetuesit e FBI-së kanë tejkaluar autoritetin e tyre në hetimet për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.

Publikimi u bë pasi Presidenti Trump miratoi çklasifikimin e raportit, i cili ishte shkruar nga kreu i komisionit, Ligjvënësi republikan Devin Nunes.

Departamenti i Drejtësisë konfirmon se hetimet e Muellerit janë të ligjshme

Departamenti amerikan i Drejtësisë ka përkrahur këshilltarin special, Robert Mueller, pasi një padie që është ngritur kundër tij nga Paul Manfort, ish udhëheqësi i fushatës së presidentit amerikan, Donald Trump, transmeton Reuters.

Manafort pati deklaruar se ka vepruar kundër hetimeve të Muellerit sepse sipas tij ai ka tejkaluar autoritetin ligjor.

Mueller dhe ekipi i tij janë duke hetuar nëse ka pasur ndonjë bashkëpunim në mes të fushatës së Trumpit dhe Rusisë.

“Këto pretendime janë të pavlefshme”, ka deklaruar Departamenti i Drejtësisë.

“Hetimet e këshilltarit special dhe ndjekjet penale janë plotësisht të ligjshme”.

Sipas tij, ky rast duhet hedhur poshtë.

Zyra e Muellerit ka akuzuar Manafort-in dhe partnerin e tij biznesor, Rick Gates ndër të tjera për pastrim parash dhe konspiracion kundër Shteteve të Bashkuara.

Republikanët bëjnë publik raportin që akuzon FBI-në dhe Dept. e Drejtësisë për njëanshmëri

Republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve bënë publik një raport që më parë ishte i klasifikuar sekret, ku pretendohet se zyrtarët e lartë të zbatimit të ligjit janë treguar të njëanshëm kundër presidentit Donald Trump. Dokumenti u publikua i plotë dhe pa redaktime, pasi presidenti Trump e autorizoi publikimin e tij.

Dokumenti iu shpërnda gazetarëve pak pasi Presidenti Trump autorizoi publikimin e tij. Raporti ishte shkruar nga kryetari i Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Zbulimin, republikani Devin Nunes.

Si Byroja Federale e Hetimeve ashtu edhe Departamenti i Drejtësisë ishin shprehur kundër publikimit të dokumentit.

Dje herët në mëngjes, Presidenti Trump shkruante në Twitter: “Udhëheqja e lartë dhe hetuesit e FBI-së si dhe Departamenti i Drejtësisë e kanë politizuar procesin e shenjtë hetimor në favor të demokratëve dhe kundër republikanëve, gjë që, vetëm pak kohë më parë do të kishte qenë e pamendueshme.”

“Shumë njerëzve duhet t’u vijë turp nga vetja madje edhe më shumë se kaq”, tha zoti Trump të premten.

I pyetur nga një gazetar nëse nëse dokumenti i shtonte gjasat që zëvendës Prokurori i Përrgjithshëm Rod Rosenstein të shkarkohej, Presidenti Trump u përgjigj “Gjejeni vetë përgjigjen”.

Zoti Rosenstein mbikqyr hetimin për ndërhyrjen ruse dhe emëroi prokurorin e posaçëm Robert Mueller për të drejtuar hetimin.

Sipas raportit, për të cilin FBI-ja thotë se ka pasaktësi dhe i mungon konteksti, ish-drejtues të lartë dhe drejtues të lartë aktualë të FBI-së dhe Departamentit të Drejtësisë kishin miratuar disa herë një leje përgjimi për të ndjekur komunikimet e ish-këshilltarit të fushatës të Presidentit Trump, Carter Page.

Sipas dokumentit, informacionet e kërkimit të opozitës, kryer nga Christopher Steele, një ish-agjent britanik financuar pjesërisht nga Komiteti Kombëtar Demokrat dhe fushata e ish-kandidates për presidente, Hillary Clinton, përbënin një bazë kritike për akuzat që u përdorën si argument për lejen e përgjimit.

Dokumenti pretendon se kur e kishte përdorur informacioni për lejen e përgjimit, FBI-ja nuk kishte kishte përmendur se dosja ishte financuar nga zonja Clinton dhe Komiteti Kombëtar Republikan.

Sipas raportit të republikanëve, zyrtarë të lartë qeveritarë kishin favorizuar demokratët ndaj republikanëve.

Publikimi i dokumentit e intensifikon luftën politike mes Presidentit Trump dhe aleatëve të tij republikanë nga njëra anë dhe demokratëve dhe zyrtarëve të lartë të FBI-së nga ana tjetër lidhur me faktin nëse hetimi për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale ishte ndikuar nga njëanshmëria politike e hetuesve.

Zoti Nunes lëshoi një deklaratë të premten duke shprehur shpresën se veprimet e republikanëve të Komisionit të Zbulimit do të “hidhnin dritë” mbi atë që ai e quajti “një sërë zhvillimesh alarmante”.

“Komisioni zbuloi shkelje serioze të besimit të publikut dhe populli amerikan ka të drejtë ta dijë kur zyrtarët në institucione kyçe abuzojnë me autoritetin e tyre për synime politike. Agjencitë tona të zbulimit dhe të rendit ekzistojnë për të mbrojtur popullin amerikan, jo për t’u përdorur që të godasin një palë në emër të tjetrës”, tha ai.

Anëtarët e pakicës demokrate në komision lëshuan një deklaratë të gjatë, duke kritikuar ashpër vendimin e zotit Nunes për ta publikuar atë, duke thënë se përmban “akuza keqinformuese kundër Departamentit të Drejtësisë dhe FBI-së dhe është një përpjekje e turpshme për të diskredituar këto institucione, dhe për të minuar hetimin e Prokurorit të Posaçëm dhe sabotuar hetimet e Kongresit”.

Në deklaratën e tyre, demokratët akuzuan republikanët se po vendosnin “një precedent të tmerrshëm” duke bërë publik informacion të klasifikuar që do të shkaktojë një dëm afatgjatë për komunitetin e zbulimit, vetëm për të mbrojtur presidentin Trump nga akuzat e mundshme të hetimit për ndërhyrjen ruse.

Demokratët dhe kritikët e tjerë të dokumentit thonë se ai në mënyrë selektive përdor informacionin e klasifikuar të zbulimit për të arritur në përfundimin se hetimet mbi ndërhyrjen e Rusisë janë politikisht të njëanshme.

Dy demokratët kryesorë në Kongres, udhëheqësi i Pakicës në Senat, Charles Schumer dhe udhëheqësja e Pakicës në Dhomën e Përfaqësuesve Nancy Pelosi, e dënuan dokumentin dhe kritikuan udhëheqësit republikanë se po vendosnin interesin partiak përpara sundimit të ligjit.

Në vorbullën e zhurmës partiake ishte përfshirë edhe FBI-ja, e cila kishte publikuar një deklaratë të pazakontë, ku thuhej se ajo ka “shqetësime të mëdha” në lidhje me saktësinë e dokumentit.

Presidenti Trump ka thënë në mënyrë të përsëritur se nuk ekziston “asnjë bashkëpunim i fshehtë” mes fushatës së tij dhe Rusisë. Javën e kaluar, ai tha gjithashtu se hetimit për Rusinë nuk i ishte nxjerrë “asnjë pengesë”.

Autorizohet publikimi i memorandumit republikan për FBI-në

Pamje e pjesës veriore të Shtëpisë së Bardhë në Uashington

Raportet thonë se Shtëpia e Bardhë planifikon autorizimin e publikimit të memorandumit kundërthënës lidhur me agjencinë FBI dhe hetimin që po vazhdon, për kontaktet ndërmjet zyrtarëve rusë dhe ndihmësve të presidentit, Donald Trump.

Ky memornadum ishte shkruar nga anëtarët republikanë të Komitetit të inteligjencës së Dhomës Përfaqësuese të Kongresit të Shteteve të Bashkuara, që është njëri prej tri paneleve, të cilët e hetojnë përzierjen ruse në zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2016 dhe nëse ka pasur marrrëveshje të fshehtë të bashkëpunëtorëve të Trumpit me rusët.

Raportohet se në këtë dokument është vënë në pikëpyetje mënyra se si agjencia FBI e ka zhvilluar hetimin penal të ndihmësve të Trumpit, gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2016.

Veçanërisht, një seksion i këtij memorandumi merret me arsyetimin për zgjerimin e përgjimit të urdhëruar nga gjykata të personit, Carter Page, ish-këshilltar i Trumpit.

Ligjvënësit demokratë kanë thënë se ky memorandum i ka zgjedhur në mënyrë selektive faktet dhe e përjashton kontekstin e rëndësishëm.

Drejtori i agjencisë FBI, njëherësh, ka ndërmarrrë hap të pazakonshëm, duke kërkuar publikisht që dokumenti të mos publikohet, duke thënë se mund të keqpërdoret dhe mund t’i rrezikoj burimet dhe metodat e inteligjencës.

Ky memorandum ishte burim i debatit intensiv në Uashington.

Shefi i CIA-s: Asgjë e papërshtatshme në takimin me rusët

Drejtori i CIA-s Mike Pompeo tha të enjten se nuk kishte asgjë të papërshtatshme përsa i përket takimit të tij me shefat e spiunazhit rus. Ai shtoi se megjithëse Rusia mbetet një vend kundërshtar, të mos përfitosh nga mundësia për të bashkëpunuar në çështjet e sigurisë, kjo do të rrezikonte jetën e qytetarëve amerikanë.

Zoti Pompeo i dërgoi një letër të enjten udhëheqësit të pakicës në Senat Chuck Schumer, i cili kishte ngritur pikëpyetje rreth takimit. Senatori Schumer ishte shprehur se takimi ishte i dyshimtë, pasi vinte vetëm pak ditë para vendimit të administratës Trump për të mos ndërmarrë tani për tani sanksione të reja kundër politikanëve dhe oligarkëve rusë rreth ndërhyrjes ruse në zgjedhjet e 2016-s.

Zoti Pompeo i shkruante senatorit Schumer se zyrtarët amerikanë të zbulimit takohen periodikisht me homologët e tyre rusë për të diskutuar tema të ndryshme, duke përfshirë antiterrorizmin, sigurinë e aviacionit dhe moslejimin e luftëtarëve të huaj për t’u kthyer në SHBA apo Rusi.

Drejtori i CIA-s nuk i identifikoi me emër rusët me të cilët u takua në Uashington javën e kaluar, por dy zyrtarë amerikanë thanë se ata ishin Sergei Naryshkin, kreu i Shërbimit të Zbulimit të Jashtëm dhe Alexander Bortnikov, i cili drejton Shërbimi Federal të Sigurisë, pasardhëse e KGB-së. Zyrtarët folën në kushte anonimiteti.

Dy zyrtarët e zbulimit rus ishin objekt sanksionesh në vitin 2014 në përgjigje të agresionit rus në Ukrainën lindore, Naryshkin nga SHBA dhe Bortnikov nga Bashkimi Evropian.

Senatori Schumer tha se sanksionet ndaj Naryshkin përcaktonin ndëshkime të rënda financiare dhe ndalonin hyrjen e tij në SHBA pa një heqje dorë.

CIA tha se çdo ndërveprim me zyrtarët e huaj të shërbimeve të fshehta kryet në përputhje me ligjin dhe në konsultim me departamentet dhe agjencitë përkatëse.

Fillojnë hetimet ndaj firmës OSIS për kontratën e Rapiscanit në Shqipëri

Kompania amerikane OSIS, njoftoi të enjten se Komisioni i Shkëmbit të Aksioneve në Bursë (SEC) ka filluar hetimet ndaj saj lidhur me dyshimet për shkelje të ligjit që i ndalon ushtrimin e praktikave të biznesit duke korruptuar zyrtarë të huaj.

(SEC është një agjenci e pavarur federale, detyra e së cilës është të mbrojë investitorët dhe të sigurojë funksionimin e drejtë dhe të rregullt të tregjeve të aksioneve (bursave). SEC është krijuar nga Kongresi në vitin 1934 si agjencia e parë rregullatore e qeverisë federale për tregjet e aksioneve. SEC nxit transparencën e firmave dhe mbron investitorët ndaj praktikave mashtruese në bursa.)

Kompania po ashtu bëri të ditur se Departamenti i Drejtësisë, përmes zyrës së Prokurorit Federal të Distriktit Qendror të Kalifornisë ka kërkuar informacione nëse OSIS i është përmbajtur ligjit që ndalon praktikat korruptive.

Firma OSIS bëri të ditur se agjencitë federale po hetojnë bazuar mbi raportin e firmës investuese Muddy Waters, që e akuzon kompaninë për pagim ryshfetesh zyrtarëve shqiptarë për konçesionin që ka fituar në këtë vend.

OSIS e bëri publik njoftimin për hetimet të enjten, gjatë dhënies së informaconit për gjendjen financiare të kompanisë. Çmimi i aksioneve të saj ra menjëherë ndjeshëm me rreth 20% pas mbylljes së bursës. Në Shqipëri OSIS vepron përmes firmës Rapiscan.

Në dhjetor të vitit të kaluar, Carson Bloc, drejtori i firmës investuese Muddy Waters dhe autori i raportit që ngre akuzën se OSIS e ka fituar kontratën konçesionare në Shqipëri përmes korrupsionit, i tha Zërit të Amerikës se në bazë të hetimeve të saj, kontrata konçesionare me Shqipërinë, që kapte një vlerë prej 150 – 250 milionë dollarë, ishte siguruar duke e shitur gjysmën e vlerës së kontratës, 49% të saj, për vetëm 4.5 dollarë, tek një kompani shqiptare, ICMS, gjoja për kontributin e saj, kryesisht në ndërtim, për aktivitetet e kompanisë.

Historiku i konçesionit në Shqipëri fillon në vitin 2013. Në atë kohë qeveria e Shqipërisë miraton një kontratë konçesionare me vlerë deri në 250 milionë dollarë për skanimin e kontenierëve. Firma fituese e kontratës është kompania amerikane Rapiscan, degë e firmës “OSI Systems”, ose OSIS, sipas inicialeve të tregëtimit në bursë.

Në Shqipëri, Rapiscani, është regjistruar me emrin S2 Albania. Por vetëm disa muaj pas nënshkrimit të konktratës, Rapiscani, ose S2 Albania, i kalon 49 për qind të kuotave, një firme shqiptare të njohur me inicialet ICMS, në pronësi të Olti Peçinit, me profesion mjek. Partneriteti, në bazë të ligjeve këtu në Shtetet e Bashkura, duhej të pasqyrohej në dokumentet financiare të firmës OSIS, si një kompani që shkëmbehet në bursë.

Kontrata u kritikua në Shqipëri si nga biznesi për tarifat e larta për skanimin e ngarkesave, por edhe nga opozita e asaj kohe. Kjo tërhoqi vëmendjen e firmës investuese Muddy Waters Research, e cila filloi hetimet e veta dhe zbuloi se firma OSIS e kishte mbajtur të fshehtë kalimin e 49 për qindësisht tek firma ICMS dhe për më tepër, ky 49 përqindësh, me një vlerë mbi 100 milionë dollarë, ishte blerë për vetëm 4 dollarë e gjysmë.

Pas hetimeve të mëtejshme, Muddy Waters, në një raport të botuar javën e kaluar, arrin në përfundimin se firma OSIS e ka fituar kontratën në Shqipëri përmes korrupsionit, duke u dhënë ryshfet zyrtarëve shqiptarë.

Në një intervistë të gjatë për Zërin e Amerikës, nga San Francisko, ku janë zyrat e kompanisë, shefi i firmës “Muddy Waters”, Carson Block, shpjegon arësyet se përse është i bindur se marrëveshja e Rapiskanit është një rast korrupsioni.

Intervista është zhvilluar më 15 dhjetor 2017.

Zëri i Amerikës: Z. Blok, në raportin juaj lidhur me kompaninë OSI Systems thuhet se ajo është “e kalbur deri në rrënjë”. Si shembull ju sillni konçesionin e kësaj kompanie në Shqipëri. A mund të na përmblidhni shkeljet kryesore të OSIS-it në Shqipëri?

Carson Block: Në vitin 2013 OSI fitoi konçesionin për skanimin e ngarkesave me mallra që hynin e dilnin nga Shqipëria. Kur shohim të dhënat lidhur me këtë konçesion dhe ato që kanë ndodhur më pas, për ne bëhet e qartë se OSI ka paguar rryshfete në shkëmbim të fitimit të konçesionit. Kjo është me pak fjalë për Shqipërinë. Ne analizuam aspektet e tjera të kësaj veprimtarie, pasi kompania kryen 100 përqind të procesit të skanimit dhe na lindën disa dyshime. Ish punonjës të kësaj kompanie, po ashtu na treguan, duke vërtetuar kështu dyshimin tonë, se kultura e kompanisë përsa i përket zbatimit të ligjeve, ishte shumë e dobët.

Zëri i Amerikës: Në përgjigje të akuzave tuaja, OSIS-i thotë se kontrata në Shqipëri po zbatohet në partneritet me ICMS-në, një kompani ndërtimi vendase. Sipas zyrtarëve të OSIS-it, ICMS-i ka kryer gjithë aktivitetin e ndërtimit. Ndonëse duket si e pakuptimtë që 49% të interesave të kompanisë, ose një vlerë prej të paktën 100 milionë dollarësh, të shitet për vetëm 4.5 dollarë, mendoni se ekziston mundësia që ky interes prej 49 për qindësh, të jetë dhënë në këmbim të punës ndërtimore ose për çdo shërbim tjetër që ICMS-ja ka ofruar për Rapiscan-in? A mundet të ketë ndodhur kështu?

Carson Block: Unë kam qënë në këtë biznes, të investimit në bursë duke fituar nga rënia e çmimit të aksioneve të firmave, (short selling) prej 8 vjetësh. Përgjigja e firmës OSI, duke përdorur këtë justifikim, që ICMS ishte një partner i çmuar për zbatimin e këtij konçesioni, është një nga përgjigjet më të këqija që kam dëgjuar. Unë jam një ekspert i çështjeve që lidhen me korrupsionin. Ne shikojmë kulturën e korrupsionit të korporatave në mbarë botën. Unë kam jetuar dhe kryer biznes në Kinë për 6 vjet. I njoh mirë mënyrat si funksionon korrupsioni. Ndërtimi është një nga sektorët që përdoret më shpesh për të fshehur korrupsionin, pasi ndërtimi është një sektor i kushtueshëm dhe në vendet ku ka korrupsion, nuk është e pazakontë, që kostoja e ndërtimit të fryhet. Ne kemi katër arësye pse besojmë se justifikimi që ICMS-ja është një partner legjitim nuk qëndron dhe se kjo ka qënë një aferë korruptive.

Së pari, OSI qartësisht nuk donte që asnjë prej aksionerëve të saj të kishte njohuri për veprimtarinë në Shqipëri. Para se të nxirnim raportin, ne e pyetëm OSI-n, në se kishte ndonjë partner në Shqipëri, ata nuk pranuan ta bënin të ditur. Një ish drejtues i lartë i kompanisë, që duhej të ishte në dijeni të këtij informacioni, kur bisedoi me analistët tanë, që po kryenin hetimet dhe e pyetën direkt se përse OSI shiti 49% të konçesionit për vetëm 4.5 dollarë, u përgjigj “nuk kam ndonjë njohuri për këtë”. Pra duket se kompania është përpjekur fort t’ua fshehë këtë fakt aksionerëve, ndërsa nga ana tjetër mburrej me faktin se kishte siguruar një koncesion prej 150 – 250 milionë dollarësh, pa përmendur se gjysmën e kishin falur.

Së dyti, edhe në se do të kishin zgjedhur kompaninë më të mirë të ndërtimit në Shqipëri, edhe në se do të kishin zgjedhur kompaninë më të mirë të ndërtimit në botë, çfarë vlere sjell ajo për të merituar gjysmën e çmimit të konçesionit? OSI ka teknologjinë e vet të skanimit, që mesa duket vetëm OSI dhe Rapiscani e bëkan shumë mirë dhe askush tjetër nuk e bën dot, por prapë lind pyetja, sa firma ndërtimi në Shqipëri janë në gjendje të hedhin bazat prej betoni, ku do të vendoset makineria për skanimin, ose të ngrenë ndonjë ndërtesë të nevojshme? Fakti që kjo kompani merr 50 për qind vetëm për ndërtimin nuk ka llogjikë. Kjo na çon në arsyen e tretë.

Së treti, nga gjithë kompanitë e ndërtimit në Shqipëri, ju zgjidhni këtë? ICMS është një kompani konsulence dhe duket se nuk ka patur ndonjë aktivitet të madh para 2016. Por ICMS ka edhe një filial tjetër, të quajtur “ICMS Construction”. A mos është kjo dega e tyre e biznesit të ndërtimit? Por kjo kompani u krijua vetëm disa muaj para se Rapiscani të fitonte konçesionin. Kjo në fakt ishte një blerje nga aksioneri kryesor i ICMS dhe ICMS Construction për 100 mijë Lekë, rreth 850 dollarë amerikanë. Zor se mund ta quash firmë e madhe ndërtimi që mund të shtojë vlerë tek konçesioni.

Arësyeja e katërt përse ne mendojmë se kemi të bëjmë me korrupsion, janë afatet kohore. Normalisht kur një firmë e njohur ndërtimi konkuron për tender në partneritet, kjo është njohuri publike dhe thuhet hapur, që filan firmë dhe Bechtel, ose filan firmë dhe Hochtief. Por mesa dimë ne, në konçesionin e Shqipërisë ka qënë gjatë gjithë kohës vetëm OSI ose Rapiscani, nuk është përmendur ndonjë kompani ndërtimi. Por pasi fitohet konçesioni dhe pikërisht ditën e fundit të punës të ministrit të financave të qeverisë së mëparshme dhe ditën kur fillon punën ministri i ri, atëhere ndodh miratimi i transferimit të 49 përqindëshit. Kjo duket se ishte menduar që të mos bëhej kurrë publike, as këtu, por as në Shqipëri. Kur doli në dritë në Shqipëri, kur dolën tituj shkrimesh se ishte një “konçesion mafioz”, apo “vjedhja e shekullit” nuk pati ndonjë kundërargument serioz të dilte në atë kohë në shtyp. Unë kam besim të lartë se kemi të bëjmë me korrupsion.

Zëri i Amerikës: Si e vlerësoni ju faktin që menjëherë pas formimit të këtij partneriteti me blerjen e 49 për qind të aksioneve, ICMS-ja i depozitoi ato në një bankë, si kolateral për të marrë një hua prej rreth 2 milionë dollarësh?

Carson Block: Me sa kuptojmë ne, ICMS-ja nuk do të kishte qenë në gjendje t’i transferonte aksionet në S2 Albania pa një miratim nga ministria e Financave. Prandaj, siç e shikoj unë, ICMS-ja mori hua para nga një bankë, por ra dakord me bankën se do të merrte miratimin e ministrisë para se të transferonte aksionet. Pra, ishte një premtim me kushte të buta. Në dokumentet e ICMS-së kjo është e vetmja herë që përmendet fakti se asetet e lidhura me këtë kredi kanë të bëjnë me aksionet në S2 Albania. Kjo e përforcon pikëpamjen tonë se ICMS-ja nuk ishte gjë tjetër veçse një aset i S2 Albania. Pra e përsëris, ishte një zgjedhje shumë e çuditshme e bërë nga një partner kaq i madh për të fituar konçesionin.

Zëri i Amerikës: Ju e konsideroni veten një ekspert në zbulimin e praktikave korruptive dhe keni publikuar praktika jo-ligjore nga kompani të tjera në të kaluarën. Në rastin e Rapiscan-it, cilat ishin dyshimet kryesore, që ju bënë ju të besoni se Rapiscani u ka dhënë rryshfet autoriteteve shqiptare?

Carson Block: Pikërisht, kur shohim këtë transaksion të pazakontë, në të cilin OSIS na duket se përpiqet t’ua mbajë të fshehtë aksionerëve të saj faktin që vërtet kishte fituar një konçesion të madh në Shqipëri, për të cilin folën me shumë entuziazëm, mirëpo kur njoftuan vlerën e konçesionit, ata nuk përmendën se zotëronin vetëm gjysmën e tij dhe se gjysmën tjetër ua kishin dhënë të tjerëve me një çmim të papërfillshëm. Këtu për mua ka një fshehje të qëllimshme. Nuk arsye që diçka të fshihet kur gjërat bëhen me transparencë të plotë. Oferta të këtij lloji për operacione të përbashkëta bëhen gjithmonë në rastet e kontratave dhe tenderave qeveritarë, prandaj nuk kishte asnjë arsye për ta fshehur këtë, nëse gjërat do të ishin bërë në dritë të diellit.

Zëri i Amerikës: Disa firma ligjore në SHBA po përpiqen të ngrenë ndaj kompanisë OSIS, një padi që njihet si “class action lawsuit”, ku njëra prej palëve, që në fakt është një grup njerëzish, përfaqësohet kolektivisht nga një pjesëtar i atij grupi. Si funksionon ky proces?

Carson Block: Nuk është e pazakontë që avokatë të këtyre lloj çështjeve të kërkojnë paditës dhe të përpiqen të ngrejnë padi ndaj kompanive të ndryshme aksionere kur ka ankesa për praktika të parregullta apo për rënie në çmimin e aksioneve. E kemi parë këtë shumë herë në të kaluarën. Shumë kompani për të cilat ne shkruajmë, bëhen objekt i padive të tipit “class action”. Në fakt, pjesa më e madhe e këtyre padive zgjidhen përpara se të shkohet në gjyq, ose ndonjëherë nuk ndiqen më tej. Kjo ndoshta mund të ndodhë edhe në rastin për të cilin po flasim. Ka gjasa që të mos i shohim fare faktet, sepse çështja mund të zgjidhet pa gjyq. Por, nëse do të kemi gjyq, do të ishte interesante.

Zëri i Amerikës: Si ratë në gjurmë të shkeljeve të OSIS-it?

Carson Block: Ne flasim me investitorë në të gjithë botën, me njerëz që kuptojnë se ne nuk jemi në kërkim thjesht të kompanive për të cilat mund të vemë bast se aksionet e tyre do të bien, por edhe të kompanive, menaxhmenti i të cilave bën shkelje. Përmes këtyre bisedave na ra në sy diçka që në Shqipëri ishte me sa duket një sekret i hapur. Për këtë konçesion ka patur shumë mbulim nga media në Shqipëri si dhe akuza për veprime të parregullta, por aksionerët amerikanë nuk kanë qenë fare në dijeni të këtyre. Kur e mësuam këtë, na u duk me interes. Po ashtu, edhe pjesa meksikane e çështjes ishte me shumë rëndësi për aksionerët. Ne dimë se edhe me Meksikën ishte lidhur një kontratë mjaft e madhe, ku pala tjetër përfitonte 15 për qond të të ardhurave, por vlerësimi ynë është se bëhet fjalë për 50 për qind të OIBDA, që mat fitimin operacional. Kjo është një përqindje që analistët financiarë i kushtojnë vemendje të madhe. Kur ne pamë se kontrata ishte me aq fitim dhe se do të rinovohej vitin tjetër, kjo ngjalli interesimin tonë. Ne menduam se, nëse do të hidhnim dritë mbi atë që ndodhi në Shqipëri dhe do të ngrinim pikëpyetje rreth caktimit të përqindjes në rastin e Meksikës, kjo ndoshta do t’i bënte autoritetet meksikane ta shihnin më me kujdes kontratën para rinovimit të saj, duke bërë ndoshta që OSIS të mos merrte më një kontratë si ajo e para.

Zëri i Amerikës: Në fokusin e punës së Muddy Waters Research qëndron përpjekja për të ulur vlerën e aksioneve të një kompanie në bursë me informacione që dëmtojnë reputacionin e tyre. Ia keni dalë në disa raste të jeni të suksesshëm. Por a keni gabuar ndonjëherë?

Carson Block: Të kesh të drejtë dhe të bësh para janë dy gjëra të ndryshme. Në rastin tonë, ne kemi patur të drejtë dhe kemi dalë me fitim në një përqindje mjaft të madhe të rasteve kur kemi parashikuar rënien e aksioneve. Por sigurisht, ka situata kur e dimë se kemi të drejtë e megjithatë në fund nuk kemi dalë me fitim. Kjo ndodh zakonisht në rastet kur kompania në fjalë blihet nga një tjetër me një çmim të mirë. Një rast i tillë ka qenë me kompaninë e quajtur Autonomy të regjistruar në Britani. Ne nuk kishim të bënim me rastin në fjalë. Pati shumë investitorë që investuan me pritshmërinë se aksionet e kësaj kompanie do të binin, pasi ajo kishte mashtruar. Në këtë moment del firma Hewlett Packard, e cila e ble kompaninë Autonomy me çmim të lartë dhe ata që kishin investuar dolën me humbje. Një vit pas blerjes, Hewlett Packard ngriti padi për mashtrim kundër ish-menaxherëve dhe ish-bordit të kompanisë Autonomy. Ky është një shembull kur mund të kesh patur të drejtë në parashikim por mund të humbësh para. Megjithatë, ne bëjmë më të mirën për të analizuar një kompani, e nxjerrim informacionin në treg dhe pastaj varet nga investitorët të vendosin nëse informacioni është i saktë. Nëse ata mendojnë se është i saktë, aksionet bien, përndryshe aksionet rriten.

Zëri i Amerikës: Çmimet e aksioneve të OSIS-it ranë 30 për qind kur u publikua raporti juaj. A e keni nxjerrë ju fitimin? Apo mendoni se çmimi do të shkojë edhe më poshtë? Cili është vlerësimi juaj sot për OSIS-in?

Carson Block: Teoria jonë nuk ka ndryshuar. Ne jemi po aq të bindur, në mos më shumë sot, se kur botuam raportin. Mendimi ynë për kompaninë nuk ka ndryshuar.

Zëri i Amerikës: Dhe së fundi, gjatë hetimeve për koncesionin e OSIS-it në Shqipëri, a keni patur kontakte me qeverinë shqiptare, a keni marrë informacione prej saj?

Carson Block: Jo. Ne nuk kemi folur me ndonjë zyrtar të qeverisë shqiptare, por një gjë për të cilën e përshëndes Shqipërinë, është fakti që një pjesë e mirë e informacionit është elektronik. Ne rishikuam debatet për miratimin e konçesionit, ishte koha kur një deputet, Erion Braçe, pati një fjalim të gjatë rreth konçesionit, pamë pa dyshim dokumentet në Qendrën Kombëtare të Biznesit, por nuk kemi folur me ndonjë në qeveri, nuk kemi folur me ndonjë që lidhet me partitë politike. Po ashtu kemi patur hetuesit tanë në Shqipëri për të parë se mos kishte informacione të tjera shtesë. Mesa dimë ne, askush nuk ka folur me zyrtarët në pushtet.

Aeroplani rus bën aterim emergjent në SHBA

Ilustrim

Një aeroplan rus i udhëtarëve, në fluturimin e tij prej Moskës për në Havanë të Kubës, ka ateruar në Nju Xhersi të Shteteve të Bashkuara, pasi papritmas ka mbetur me nivel të ulët të karburantit, kanë thënë zyrtarë amerikanë dhe kompania ajrore.

Autoritetet amerikane thanë mbrëmë se aeroplani, Azur Air, me 294 udhëtarë dhe 14 anëtarë të ekuipazhit, ka bërë aterim emergjent në Nju Xhersi në orën 3:45 të mëngjesit, sipas kohës lokale.

Pas aterimit, inspektorët kanë zbuluar se ka pasur rrjedhje të karburantit në makinë dhe nuk kanë lejuar që aeroplani ta vazhdonte udhëtimin.

FBI, “shqetësime të mëdha” mbi memorandumin për hetimin mbi Rusinë

FBI-ja tha të mërkurën se ka shqetësime të mëdha lidhur me saktësinë e një memorandumi mbi hetimin për Rusinë, të cilin Presidenti Donald Trump do ta bëjë publik.

Përmes një deklarate të pazakontë për publikun, FBI-ja tha se i ishte dhënë në dispozicion vetëm një mundësi e kufizuar për ta rishikuar memorandumin prej 4 faqesh, që u hartua nga ligjvënësit republikanë të Komisionit të Zbulimit në Dhomën e Përfaqësuesve.

Republikanët thonë se memorandumi zbulon survejimet e papërshtatshme nga FBI-ja dhe Departamenti i Drejtësisë në hetimin për Rusinë. Por FBI-ja të mërkurën shprehu shqetësimin se faktet e rëndësishme janë lënë jashtë memorandumit.

Kjo deklaratë e FBI-së e shkallëzon më tej konfliktin brenda administratës lidhur me memorandumin. Sipas burimeve të brendshme, Drejtori i FBI-së dhe Zëvendës Prokurori i Përgjithshëm i kanë thënë Shtëpisë së Bardhë se publikimi i dokumentit mund të vendosë një precedent të rrezikshëm.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Sarah Huckabee Sanders i tha të mërkurën CNN-it se dokumenti po rishikohet në se bien ndesh me aspektin ligjor dhe të sigurisë kombëtare.

Shefi i personelit i Shtëpisë së Bardhë, John Kelly, tha të mërkurën në Radion “Fox News” se shpresonte që memorandumi të publikohej “shumë shpejt.”

Memorandumi u çua në Shtëpinë e Bardhë të hënën në mbrëmje, pasi republikanët në Komsionin e Zbulimit të Dhomës së Përfaqësuesve votuan në favor të publikimit të tij. Sipas rregullores së Kongresit, Presidenti ka 5 ditë në dispozicion për ta kundërshtuar atë.

Sipas republikanëve, në memorandum thuhet se ka patur survejime jo profesionale në fazat e para të hetimit të FBI-së për lidhje të mundshme mes fushatës së zotit Trump me Rusinë.

Por demokratët e kanë cilësuar memorandumin si një përpjekje të republikanëve për të tërhequr vëmendjen nga hetimi i vetë Komisionit të Zbulimit lidhur me ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale të 2016-ës.

Ligjvënësi Adam Schiff, Kryetari demokrat i Komsionit të Zbulimit tha të mërkurën se asnjë pikë e memorandumit nuk e shfajëson zotin Trump dhe se republikanët janë duke u përpjekur ta devijojnë çështjen.

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Paul Ryan e mbështet publikimin e memorandumit, duke thënë se ai tregon se “mund të jenë bërë gabime nga disa individë të FBI-së.” Ai nuk dha hollësi të tjera, por shtoi se “ka pikëpyetje legjitime, në se ka patur shkelje të lirive të individit gjatë procesit të Aktit të Survejimit të Zbulimit të Huaj.”

Por zoti Ryan shtoi se memorandumi nuk duhet të minojë punën e Prokurorit Special Robert Mueller, i cili udhëheq hetimin lidhur me ndërhyrjen ruse në zgjedhjet e vitit 2016 dhe në se fushata e zotit Trump ishte përfshirë në të.

Votimi në Komisionin e Zbulimit të Dhomës së Përfaqësuesve është pa precedent në historinë e këtij komisioni. Zakonisht Komisioni i Zbulimit i del në mbrojtje ruajtjes së informacioneve sekrete, me synimin për të mbrojtur burimet dhe metodat e zbulimit.

Disa orë para votimit të së hënës në Dhomën e Përfaqësuesve, Zëvendës Prokurori i Përgjithshëm Rod Rosenstein dhe Drejtori i FBI-së Christopher Wray e paralajmëruan shefin e personelit të Shtëpisë së Bardhë, zotin Kelly, se publikimi i memorandumit mund të krijojë një precedent të rrezikshëm, sipas komenteve të një personi në brendësi të çështjes. Sipas tij, Rosenstein i ka thënë gjithashtu zotit Kelly, se memorandumi nuk karakterizon siç duhet praktikat investigative të FBI-së.

Një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë tha se Këshilli i Sigurimit Kombëtar po kryen rishikimin e memorandumit. Në se Presidenti Trump vendos ta publikojë atë, kjo mund të ndodhë të mërkurën pasdite, tha zyrtari, duke folur në kushtet e anonimitetit.

Republikanët thanë se kanë bindjen se publikimi i memorandumit nuk dëmton sigurinë kombëtare.

Përplaset treni me ligjvënës republikanë, një i vdekur

Shtëpia e Bardhë njoftoi të mërkurën se si pasojë e përplasjes së një kamioni me një tren me të cilin po udhëtonin ligjvënës republikanë, një person ka humbur jetën dhe një tjetër është plagosur rëndë.

Konfirmohet vdekja e një personi dhe plagosja e një tjetri. Nuk ka dëmtime serioze mes anëtarëve të Kongresit, apo stafit të tyre”, tha sekretarja e shtypit Sarah Hakebee Sanders.

Përplasja ndodhi rreth 30 kilometra jashtë Sharlotsvillit të shtetit të Virxhinias.

Pas aksidentit një nga ligjvënësit, Bradley Byrne, i cili ndodhej në tren, postoi në tuiter se ai dhe gruaja e tij Rebecca nuk ishin plagossur: “Treni me anëtarë të Partisë Republikane u përplas, por Rebecca dhe unë jemi mirë. Punonjësit e sigurisë dhe mjekët po ndihmojnë në trajtimin e të lënduarve“.

Edhe ligjvënësi Greg Walden njoftoi në tuiter se nuk ishte plagosur dhe tha se personeli i urgjencës po ndihmonte personat që ndodheshin në kamion.

Ne jemi mirë; treni ynë goditi një kamion plehrash. Personeli mjekësor po ndihmon personat që ndodheshin në kamion“.

Ligjvënësit republikanë ishin drejtuar për në vendpushimin e Greebrier-it në shtetin e Virxhinias perëndimore, për diskutime lidhur me ligjin e tyre të ri për taksat dhe riparimin e infrastrukturës së shkatërruar të vendit.

Presidenti Donald Trump është në plan t’u bashkohet ligjvënësve të enjten.

Reforma në emigracion në fjalimin mbi gjendjen e vendit

Në fjalimin e tij presidenti Trump i kushtoi një vëmendje të madhe reformimit të sistemit të emigracionit. Në Kongres, tema e emigracionit vazhdon të jetë thelbi i një debati të ndezur mes demokratëve dhe republikanëve.

Presidenti e prezanton reformën e tij si një plan që i shërben interesave më të mira të familjeve amerikane dhe punëtorëve amerikanë. Ai tha se Amerikës i duhet një sistem funksional emigracioni që nuk minon mirëqënien e amerikanëve dhe sigurinë e vendit e rendin në komuniteti.

Reformat e propozuara nga presidenti ndahen në katër shtylla ku veçohen politikat specifike. Në shtyllën e parë është statusi i rreth 2 milion të rinjve të sjellë në moshë të mitur ilegalisht në Amerikë.

Presidenti propozoi një rrugë drejt shtetësisë për ata individë që përmbushin standarde arsimimi dhe punësimi, një kompromis që ka zemëruar shumë përkrahës që e cilësojnë këtë politikë si amnisti për shkeljen e ligjit federal. Por me këtë lëshim, presidenti shpreson ta ketë më të lehtë arritjen e kompromisit me demokratët.

Fryma e përgjithshme e reformës së administratës është një emigracion që nuk dëmton, por ndihmon ekonominë amerikane, nuk cënon, por forcon sigurinë e vendit apo rendin në komunitete.

Presidenti kishte ftuar në sallën e Kongresit prindërit e dy vajzave të vogla të vrara brutalisht nga anëtarë të bandës MS-13.

Në sallë ishte i ftuar edhe një agjent i strukturave federale të anti-emigrancionit të paligjshëm, oficeri CJ. Administrata Trump e ka theksuar si përparësi të politikave të saj të brendshme luftën kundër rrjeteve kriminale që ai thotë se në shumë raste ushqehen nga elementë kriminalë që futen ilegalisht përmes kufirit. Presidenti kërkon nga Kongresi fondet për një barrierë mbrojtëse përgjatë kufirit me Meksikën:

“Kjo kërkon ndërtimin e një muri në kufirin jugor, kërkon punësimin e heronjve si CJ për të mbrojtur komunitetet tona. Ajo që ka rëndësi: plani ynë mbyll të çarat e tmerrshme që kanë shfrytëzuar kriminelët dhe terroristët për t’u futur në vendin tone, si dhe i jep fund praktikës së tmerrshme ‘kap e lësho’ (të elementëve kriminalë)”, tha Presidenti Trump.

Presidenti tha se politika të tilla ndihmojnë edhe mirëqënien e punëtorit amerikan, pasi ai thotë se emigrantët e pakualifikuar ushtrojnë presion negative mbi pagat, duke dëmtuar shanset e punësimit të amerikanëve.

Po në lidhje me ekonominë dhe aftësinë konkurruese të Amerikës, presidenti ka propozuar: eliminimin e lotarisë së vizave, duke e zëvendësuar atë me një sistem të bazuar tek meritat e aplikantit në raport me nevojat e tregut amerikan të punës. Plani i administratës parashikon ndryshime edhe në emigracionin familjar, apo emigracionin zinxhir, që u lejon emigrantëve të rinj të sjellin një rreth të gjerë të të afërmve pasi marrin shtetësinë. Presidenti ka propozuar një reduktim të këtij sistemi zinxhir.

Demokratët, në përgjigjen e tyre, nuk i kursyen kritikat edhe në lidhje me politikat e administratës lidhur me emigracionin. Ligjvënësi Joseph Kennedy III kishte zgjedhur si skenë nga ku mbajti fjalimin një qytet në Masaçusets, të ndërtuar nga emigrantë.

Ai iu drejtua emigrantëve me fjalët: ju jeni pjesë e historisë sonë; ne do të luftojmë për ju”. Ishte një fjalim që u përpoq të përcillte kredon amerikane, si një tokë e premtuar për të gjithë ata që vuajnë, që duan e që përpiqen për më shumë.

Por pavarësisht nga pathosi i fjalimit të ligjvënësit Kennedy, apo sa zymta apo të frikshme janë skenaret që prezantoi Presidenti Trump në fjalimin e tij, e që ai i lidhur me politikat aktuale të emigracionit, reforma do të kërkojë mendje të ftohta dhe një vullnet të mirë për të arritur kompromis.

Por do të kërkojë edhe punë intensive, pasi po afron afati i 8 shkurtit, dhe nëse nuk është arritur një marrëveshje brenda kësaj date, ka rrezik që të ketë një mbyllje tjetër të qeverisë federale.

Jerusalemi – Trump kërkon ndërprerjen e ndihmave për vendet që votuan kundër SHBA

Shqipëria është një nga vendet që votoi kundër SHBA në OKB për njohjen e Jerusalemit si kryeqytet i Izraelit. Pas votimit në OKB në dhjetor, Trump kërcënoi se do të ndërpresë ndihmën financiare ndaj vendeve që mbështetën rezolutën e Kombeve të Bashkuara kundër njohjes së Jerusalemit si kryeqytetin e Izraelit.

Pikërisht një nga prioritetet e administratës Trump këtë vit është miratimi i ligjit për ndërprerjen e ndihmës financiare për vendet “armike” qe nuk mbështetën SHBA ne OKB për njohjen e Jerusalemit si kryeqytet te Izraelit. Presidenti Trump e pohoi vete ketë prioritet para Kongresit ne fjalimin e “State of Union”, qe është mesazhi kryesor i Presidentit, ku ai shpreh pikëpamjet për gjenden e vendit dhe propozon programin vjetor te nismave ligjore. Presidenti Trump tha ne fjalim se “në vitin 2016, taksapaguesit amerikanë me bujari i dërguan vendeve qe cituan kundër te drejtës sovrane te SHBA për njohjen e Jerusalemit, më shumë se 20 miliardë në ndihmë.”

“Kjo është arsyeja pse sonte po I kërkoj Kongresit të miratojë legjislacionin për të siguruar që dollarët amerikanë të ndihmës së huaj t’u shërbejnë gjithmonë interesave amerikane dhe të shkojnë vetëm tek miqtë e Amerikës, e jo armiqtë e Amerikës”-u shpreh Presidenti Trump para Kongresit, shkruan timesofisrael.

Sipas votës se dhjetorit ne OKB kundër interesave amerikane, Shqipëria është rreshtuar ne listën e “armiqve te Amerikës”. Kjo çështja mbetet akoma e nxehte, pasi Partia Demokratike ne opozite ka paraqitur një projektrezolute ku i kërkon qeverise te rishikoje votën ne OKB dhe te deklaroje një qëndrim jo miratues për rezolutën qe dënon ShBA.

Trumpi nënshkroi vendimin, burgu Guantanamo mbetet i hapur

Në adresimin e tij për kombin nga Kongresi amerikan, Trump, konfirmoi se burgu në ishullin Guantanamo do të mbetet i hapur. “Sot kam mbajtur edhe një premtim”

UASHINGTON – Presidenti amerikan, Donald Trump, nënshkroi vendimin për vazhdimin e punës të burgut ushtarak amerikan Guantanamo.

Në adresimin e tij për kombin nga Kongresi amerikan, Trump, konfirmoi se burgu në ishullin Guantanamo do të mbetet i hapur. “Sot kam mbajtur edhe një premtim.

Nënshkrova vendimin me të cilën sekretarit të Mbrojtjes, James Mattis, i jap urdhër të mbaj të hapur burgun në Guantanamo dhe të shqyrtojë politikën amerikane për të burgosurit e luftës”, tha Trump, i cili kërkoi nga Kongresi përkrahje që sipas nevojës të përdor forcën në luftën kundër ISIS-it dhe Al Kaedës, ndërsa paralajmëroi vazhdimin e luftës kundër terrorizmit.

Paraardhësi i Trumpit, Barack Obama, nuk arriti të përmbushë premtimin për mbylljen e Guantanamos në të cilin aktualisht ndodhen 41 të burgosur. Obama në fillim të mandatit të tij të parë, tha se do të mbyllë Guantanamon, dhe në vitet që pasuan nga ky burg u lanë të lirë qindra persona.

SHBA hapi burgun e Guantanamos në vitin 2011 në kuadër të luftës kundër terrorizmit.

Raporti: Shefi i spiunëve rusë është takuar me zyrtarë amerikanë

Shefi i shërbimit të inteligjencës ruse, SVR, Sergey Narushkin, i cili është nën sanksione të Shteteve të Bashkuara, është takuar javën e kaluar afër Uashingtonit, me zyrtarë të inteligjencës amerikane, ka raportuar agjencia Reuters, duke i cituar dy burime amerikane të afërta me këtë çështje.

Narushkin ishte konsultuar me Drejtorin e inteligjencës kombëtare, Dan Coats, dhe me zyrtarët e tjerë, i thanë burimet agjencisë Reuters, por ato nuk kanë zbuluar se për çka ishte diskutuar.

Agjencia shtetërore e lajmeve e Rusisë, TASS, duke e cituar një intervistë për televizionin rus, nga ambasadori i Rusisë në Uashignton, Anatoly Antonov, po ashtu, ka raportuar se zyrtarët ishin takuar dhe se Narushkin dhe kolegët amerikanë kishin diskutuar për “betejën e përbashkët kundër terrorizmit”.

Antonov nuk i ka identifikuar zyrtarët e inteligjencës amerikane me të cilët është takuar.

Agjencia CIA ka refuzuar të bëjë komente.

Zyra e zotit Coats nuk i është përgjigjur kërkesës për koment.

SHBA publikon “listën e zezë” të politikanëve shqiptarë

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj nuk është politikani i vetëm që i është refuzuar viza dhe nuk ka mundur dot që të udhëtojë drejt SHBA-së.

Zyra Amerikane për Kontroll të Aseteve të Huaja, që funksionon në kuadër të Thesarit Amerikan, ka përditësuar listën e personave të cilëve u ndalohet hyrja në SHBA.

Në këtë listë vazhdon të mbetet emri i zëvendëskryeministrit të Kosovës, Fatmir Limaj, si person i padëshirueshëm në këtë shtet.

Veç tij, pjesë e kësaj liste janë edhe dy deputetë të kësaj legjislature, vëllai i kryeministrit, Daut Haradinaj nga AAK, si dhe Rexhep Selimi nga Vetëvendosje.

Ndërkaq, nuk mungojnë as emra kryetarësh të komunave, ku ndër ta është Ramiz Lladrovci, kryetar i Komunës së Drenasit, ish-kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, si dhe ish-deputetët e PDK-së, Azem Syla e Rrustem Mustafa.

Në këtë listë janë të përfshirë edhe emra të tjerë shqiptarësh të Maqedonisë.

Klan Kosoava ka publikuar listën eplotë me emra që nuk u lejohet të udhëtojnë drejtë SHBA-ve.

Lista

Fatmir Limaj

Daut Haradinaj

Rexhep Selimi

Sami Lushtaku

Rrustem Mustafa

Azem Zyla

Ramiz Lladrovci

Emrush Xhemajli

Gafurr Elshani

Sabit Gashi

Skënder Habibi

Avdyl Jakupi

Ismet Kryeziu

Isak Musliu

Maliq Ndrecaj

Emrush Suma

Sami Ukshini

Muhamet Xhemajli

Haradin Bala

Besnik Kelmendi

Elvis Kelmendi

Liridon Kelmendi

Naser Kelmendi

Safet Durguti

Albert Berisha: Më mirë në burg padrejtësisht sesa duart me gjak

I dënuari për pjesëmarrje në organizata terroriste, Albert Berisha do të vuajë dënimin prej 3 vjet e gjysmë. Në një intervistë për Radion Evropën e Lirë, ai ka thënë se ky vendim është i padrejtë.

“Ideja është që më mirë është të vuajmë disa vite në burg sesa të shkojmë dhe ta kemi ndërgjegjen e lënduar, duke i përlyer duart me gjakun e ndonjë personi të pafajshëm, qoftë ai mysliman apo jomysliman”, ka thënë Albert Berisha.

Përkundër kësaj, ai ka thënë se edhe pas vuajtjes së dënimit, do të vazhdojë të luftojë radikalizmin.

Ai u ka bërë thirrje të rinjve nga Kosova që të mos shkojnë në luftërat e huaja në Siri e Irak, kurse ata që janë ende në vatrat e luftës, Berisha i ka ftuar që të kthehen në Kosovë, pavarësisht se në bazë të ligjit, mund të dënohen për veprat që ndërlidhen me terrorizmin.

Pompeo: Rusia do të synojë ndërhyrjen në zgjedhjet afatmesme amerikane

Drejtori i CIA-s, Mike Pompeo ka thënë, se Rusia do të ketë cak zgjedhjet afatmesme amerikane në nëntor, si pjesë të përpjekjeve të Kremlinit për të ndikuar politikën e brendshme të Perëndimit.

“Nuk kam parë ndonjë ulje të dukshme në aktivitetin e tyre”, ka thënë Pompeo në një intervistë për BBC.

I pyetur nëse Rusia do të tentonte për të ndikuar në këto zgjedhje, shefi i CIA-s ka thënë, “natyrisht, kam shumë pritshmëri se ata do të vazhdojnë ta bëjnë atë”.

“Mirëpo jam i bindur se Amerika do të jetë e gatshme të mbajë zgjedhje të lira dhe të drejta, të cilat nuk do të jenë të ndikuara nga këto tentime”, ka shtuar ai.

Agjencitë e inteligjencës amerikane kanë thënë në janar të vitit të kaluar, se presidenti rus, Vladimir Putin ka urdhëruar krijimin e një fushate të propagandës me qëllim të ndikimit në zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar në SHBA.

Më këtë rast fushata ka pasur cak denigrimin e kandidates demokrate, Hillary Clinton dhe rritjen e mundësisë së fitores për presdentin aktual, Donald Trump.

Departamenti amerikan i Drejtësisë, këshilltari special, Robert Mueller dhe tri panele kongresionale janë duke hetuar ndërhyrjen e supozuar dhe atë nëse ka pasur ndonjë bashkëpunim në mes të fushatës së Trumpit dhe Rusisë.

Trump ka kundështuar ndonjë bashkëpunim me Putin, ndërsa ky i fundit ka hedhur poshtë akuzat për ndërhyrje, pavarësisht deklaratave të zyrtarëve amerikanë për të dhëna të mjaftueshme.

Pompeo po ashtu i ka thënë BBC-së, se përpjekjet kineze për të ndikuar në Perëndim kanë qenë po aq shqetësuar sa çështje ruse.

Departamenti i Thesarit publikon listën e rusëve të pasur, të lidhur me Kremlinin

Departamenti amerikan i Thesarit ka publikuar një listë të politikanëve dhe biznesmenëve rusë, të cilët janë të afërt me qeverinë e Presidentit rus Vladimir Putin, ku bëhet e njohur marrëdhënia e tyre me udhëheqësit e lartë rusë, si dhe pasuria e tyre. Lista u publikua pas kërkesës së Kongresit amerikan ndaj administratës Trump, për vënien e sanksioneve ndaj Rusisë.

Lista me më tepër se 200 emra nuk përmban sanksione të reja, megjithëse një numër i figurave të përfshira në të kanë qenë objekt sanksionesh të mëparshme.

Një masë e nënshkruar me hezitim nga Presidenti Trump gushtin e kaluar, i kërkonte administratës së tij të vendoste sanksione ndaj çdo individi që angazhohet në transaksione të konsiderueshme me sektorët e mbrojtes, apo të zbulimit të qeverisë ruse.

Demokratët e kritikuan presidentin që nuk vendosi sanksione të reja, apo që nuk paraqiti një plan i cili do të frenonte më tej ndërhyrjen ruse, pasi agjencitë amerikane të zbulimit thanë se Moska pati ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2016.

Shefi i CIA-s: Kina, një kërcënim po aq i madh për SHBA-në sa dhe Rusia

Përpjekjet e Kinës për të ushtruar ndikim të fshehtë mbi Perëndimin janë po aq shqetësuese sa dhe ndikimi rus, tha drejtori i CIA-s

Mike Pompeo, tha për BBC se gjurmët e Kinës në këtë lloj ndikimi janë madje më të mëdha se ato të Rusisë.

Si shembuj, ai citoi përpjekjet për të vjedhur informacionin e tregut të SHBA si dhe infiltrimin e shkollave dhe spitaleve.

Ndërhyrja ruse ka qenë fokusi i debatit politik në Uashington me pohimet për hakmarrje dhe dhënie informacioni. Por shefi i CIA-s tha se Kina ka bërë një ndryshim akoma më të madh në aftësinë për të pasur impakt me influencën e saj.

SHBA publikon Raportin e Kremlinit

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, (majtas) dhe zëdhënësi i tij, Dmitry Peskov.

Departamenti amerikan i Thesarit publikoi një listë të shumëpritur të rusëve që besohet se kanë lidhje të afërta me presidentin Vladimir Putin dhe që mund të jenë shënjestra të mundshme të sanksioneve të SHBA-së.

I ashtuquajturi Raport i Kremlinit përfshin emrat e 114 figurave politike të Rusisë dhe të 96 oligarkëve, të cilët, sipas autoriteteve amerikane, kanë bërë pasuri ose kanë fituar pushtet nga shoqërimi me Putinin.

Jozyrtarisht, raporti është cilësuar si “Lista e Putinit”.

Ai përfshin 43 ndihmës të Putinit, përfshirë zëdhënësin e Kremlinit, Dmitry Peskov, 31 ministra të kabinetit, në mesin e tyre kryeministri Dmitry Medvedev dhe ministri i Jashtëm, Sergei Lavrov, si dhe zyrtarë të lartë të agjencive ruse të inteligjencës.

Shefat ekzekutivë të shumë kompanive shtetërore, përfshirë gjigantin e energjisë Rosneft dhe bankën Sberbank, janë po ashtu në listë, së bashku me disa nga rusët më të pasur, si manjati Roman Abramovich.

Miliarderi rus, Roman Abramovich.

Miliarderi rus, Roman Abramovich.

Megjithatë, administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, e ka njoftuar Kongresin se, tash për tash, nuk do të vendosë sanksione të reja kundër Rusisë.

Raporti i Kremlinit u dorëzua në Kongres më 29 janar, ashtu siç është kërkuar me Aktin e Luftimit të Kundërshtarëve të Amerikës përmes Sanksioneve.

Trump e ka nënshkruar këtë akt në muajin gusht, pasi i njëjti ka kaluar në të dyja dhomat e Kongresit, si përgjigje e ndërhyrjes së dyshuar të Rusisë në zgjedhjet presidenciale në SHBA, më 2016.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha të hënën se SHBA e shfrytëzon raportin si përpjekje për të ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale në Rusi, më 18 mars, të cilat pritet t’i fitojë Putini.

“Ne vërtet besojmë se kjo është përpjekje e drejtpërdrejtë dhe e qartë për të ushtruar ndikim në zgjedhje”, u tha Peskov gazetarëve.

Por, agjencitë e inteligjencës amerikane kanë konstatuar se Rusia ka ndërhyrë në zgjedhjet në SHBA, në favor të zgjedhjes së Trumpit president përballë rivales demokrate, Hillary Clinton.

Këshilltari i posaçëm, Robert Mueller, dhe së paku tre komitete të Kongresit amerikan janë duke hetuar ndaras përfshirjen ruse në procesin zgjedhor.

Kremlini i ka mohuar akuzat dhe Trump vazhdimisht ka thënë se nuk ka pasur bashkëpunim të fshehtë midis ekipit të tij dhe Rusisë.

Javën e kaluar, Shtetet e Bashkuara kanë shpallur sanksione kundër 21 personave dhe nëntë kompanive që kanë lidhje me konfliktin e mbështetur nga Rusia në lindje të Ukrainës.

Qysh në vitin 2014, kur Rusia ka aneksuar gadishullin ukrainas të Krimesë dhe kur ka nisur konflikti në lindje të Ukrainës midis forcave qeveritare dhe separatistëve pro-rusë, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë sanksionuar disa njerëz dhe kompani në Rusi, ashtu si dhe liderë separatistë, duke iu ngrirë asetet dhe duke iu ndaluar udhëtimin.

Përgatiti: Valona Tela

Trumpi mban sot fjalimin e parë drejtuar kombit

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, do të mbajë sot fjalimin e parë drejtuar kombit.

Trump do të flasë në Kongresin amerikan, pas një viti në detyrë.

Zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë thanë se temë e fjalimit do të jetë “ndërtimi i një Amerike të sigurt, të fuqishme dhe krenare”.

Presidenti republikan pritet të lavdërojë rritjen ekonomike, kalimin e legjislacionit për shkurtimin e taksave, si dhe të bëjë thirrje për politika më të ashpra kundër emigracionit.

Në politikën e jashtme, Trump pritet të theksojë mposhtjen e militantëve të Shtetit Islamik në Irak dhe Siri, të qenët i ashpër ndaj programit bërthamor të Koresë së Veriut dhe njohjen e Jerusalemit kryeqytet të Izraelit.

Trumpi: Statuset në Twitter i postoj shtrirë nga krevati

Donald Trump ka përdorur intervistën e tij me Piers Morgan për të pohuar se ai është shumë popullor në Britani të Madhe dhe zbuloi se statuset në Twitter i shkruan teksa është në krevat.

Presidenti amerikan, në intervistën e parë ndërkombëtare televizive, këmbënguli se ai ishte popullor në Britani të Madhe, pavarësisht thirrjeve për protesta masive nëse ai pranon ftesën e Theresa May për një vizitë shtetërore.

Morgan, i cili gjithashtu është redaktor US Mail Online, intervistoi  Trump në Forumin Ekonomik Botëror në Zvicër këtë javë.

“Unë mendoj se jam shumë popullor në vendin tuaj. Unë e di dhe e besoj atë. Unë marr shumë email-e mbështetëse nga njerëz të shtetit tuaj” u shpreh Trump.

Ai shtoi se “Ata e duan ndjenjën e sigurisë, e duan atë që po them për shumë gjëra të ndryshme. Ne kemi mbështetje të jashtëzakonshme nga njerëzit në Britani të Madhe. ”

Trump, nëna e të cilit lindi në ishullin Hebridean të Lewis, gjatë intervistës u shpreh se : “Vetja ime e vërtetë është dikush që e do Britaninë, e do Mbretërinë e Bashkuar. E dua Skocinë. Një nga problemet më të mëdha që kam me fitimin, është se nuk do të mund të kthehem kaq shpesh. Do të doja të shkoj atje “.

Jep dorëheqje zëvendësdrejtori i FBI-së

Zëvendësdrejtori i Byrosë Federale të Hetimeve në SHBA (FBI), Andrew McCabe, ka dhënë dorëheqje, raportojnë mediat amerikane.

“Është pritur që McCabe të largohet nga agjencia federale e zbatimit të ligjit në muajin mars, por ai do të jetë në pushim deri në datën e daljes në pension”, raportoi NBC.

Presidenti amerikan, Donald Trump, e ka akuzuar atë për njëanshmëri politike.

Dorëheqja e McCabe nga FBI-ja vjen një javë pas një raporti se Trump e ka kërkuar largimin e tij.

McCabe për kohë të shkurtër është bërë ushtrues i detyrës së drejtorit të FBI-së në maj të vitit të kaluar, pasi Trump e ka shkarkuar shefin e mëparshëm, James Comey.

Comey ka mbikëqyrur hetimet e FBI-së mbi ndërhyrjen e dyshuar të Rusisë në zgjedhjet presidenciale në SHBA, në vitin 2016.

Trump e ka emëruar Christopher Wray për drejtor të FBI-së dhe ai është konfirmuar nga Senati në muajin gusht.

Uashington: anëtarë të KS, drekë pune me Presidentin Trump

Anëtarët e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara po vizitojnë sot Uashingtonin për një drekë pune me Presidentin amerikan Donald Trump, si dhe për të parë pjesë që dyshohen t’i përkasin raketave iraniane.

Anëtarët e Këshillit do të kenë mundësinë të shohin pjesë të mëdha mbetjesh të raketave me rreze të shkurtër veprimi, të cilat i prezantoi në muajin dhjetor ambasadorja Nikki Haley gjatë një konference për shtyp në një bazë ushtarake në Uashington. Zonja Haley tha se ato ishin prova “të pamohueshme” se Irani po armatoste ilegalisht rebelët Houthi në Jemen.

Uashingtoni kërkon që Irani të mbahet përgjegjës nga Kombet e Bashkuara për shkelje të një embargoje ndërkombëtare të armëve ndaj rebelëve të Jemenit.

Kjo është pjesë e një strategjie më të madhe të administratës Trump për t’i qëndruar marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 me Iranin, por duke u përpjekur që qëndrimet e tjera negative në rajon të Teheranit t’i sjellin atij pasoja, siç është mbështetja për grupe si Houthi në Jemen dhe Hezbollahu në Liban.

Në muajin dhjetor zonja Haley akuzoi Teheranin se po fshihet pas marrëveshjes bërthamore.

Presidenti Trump i ka ftuar anëtarët e Këshillit të Sigurimit për një drekë pune sikurse bëri një vit më parë.

Trumpi: BE është shumë e “padrejtë” në praktikat tregtare me SHBA-në

Presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë se Bashkimi Evropian bën tregti “shumë të padrejtë” me Shtetet e Bashkuara dhe ka paralajmëruar “se mund të shndërrohet në diçka shumë të madhe”.

Komentet e Trumpit kanë ardhur pas publikimit të intervistimit të tij nga Piers Morgan, që është realizuar më herët, mirëpo është publikuar dje.

“Bashkimi Evropian e ka trajtuar SHBA-në në mënyrë shumë të padrejtë kur është puna te tregtia”, ka thënë presidenti amerikan.

“Ne nuk mund të vendosim produktet tona brenda. Është shumë shumë e vështirë. Derisa ata dërgojnë produkte te ne, pa taksa, apo shumë pak taksa”, ka thënë ai.

Trump thënë se Bashkimi Evropian nuk ka qenë i padrejtë vetëm në tregti, “mirëpo e gjithë BE-ja ka qenë e tillë ndaj SHBA-së. Dhe mendoj se kjo do të jetë në dëm të madh të tyre”.

Trump po ashtu ka thënë se do të ketë qëndrim më të “ashpër” përballë negociatave për Brexit.

“A do të ishte kjo mënyra se si do të negocioja? Jo, nuk do të negocioja në këtë mënyrë, do të kisha një qasje tjetër”, ka thënë ai.

Kryeministrja britanike, Theresa May është e përfshirë negociatat e komplikuara me BE-në, në kuadër të planifikimeve që deri në mars të vitit 2019, Britania të largohet nga Bashkimi Evropian.

Trump po ashtu ka thënë se do të vizitojë Britaninë gjatë këtij viti, duke shtuar se beson që është “shumë i popullarizuar” në këtë shtet.

Në komentet e raportuara më herët, Trump ka thënë, se ka mundësi të kthimit në Marrëveshjen e Parisit për Klimën, mirëpo vetëm nëse bëhen ndryshime të mëdha.

“Nëse ata krijojnë një marrëveshje të mirë, ka gjithmonë një mundësi për t’u kthyer”, ka thënë Trump.

“Nëse dikush do të thotë “Shkoni prapë në Marrëveshjen për Klimën”, do të duhej të ishte një marrëveshje plotësisht e re, sepse e kaluara ka qenë e tmerrshme, ka shtuar ai.

Në qershor të vitit 2017, Trump ka njoftuar se është duke larguar SHBA-në nga ky pakt, duke e konsideruar “marrëveshje të keqe” për ekonominë amerikane.

Aktualisht SHBA është vendi i vetëm jashtë paktit, i cili është nënshkruar nga paraardhësi i Trumpit, Barack Obama.

Senatorët i kërkojnë Trumpit të përmbahet nga komentet për çështjen ruse

Senatorët republikanë, Lindsey Graham dhe Susan Collins, i kanë bërë thirrje presidentit amerikan, Donald Trump të mënjanojë komentet publike lidhur këshilltarin që po heton çështjen ruse.

Këto deklarata janë bërë ndaras në studio televizive, pas raportimeve, se Trump ka tentuar të shkarkojë këshilltarin special, Robert Mueller, i cili aktualisht është duke hetuar nëse ka pasur ndonjë lindhje eventuale në mes të fushatës së Trumpit dhe Rusisë.

Trump, i cili ka bërë një varg komentesh në Twitter lidhur me këtë çështje, i ka kundërshtuar raportimet e mediave amerikane, duke i cilësuar “lajme të rreme”.

Të gjithë hetimin ai e konsideron “gjueti shtrigash”.

“Mendoj se do të ishte më së miri, që presidenti të mos e përmend më asnjëherë hetimin, madje as në postime në Twitter, përveç bisedave private me avokatin e tij”, ka thënë Collins në CNN.

Raportimet e mediave, fillimisht nga The New York Times, kanë thënë se Trump ka udhëruar këshilltarin Donald McGahn të shkarkojë Muellerin, mirëpo e ka tërhequr këtë vendim, pasi McGahn ka kërcënuar me dorëheqje.

Graham dhe Collins po ashtu kanë thënë se Kongresi duhet të konsiderojë një legjislacion për mbrojtjen e Muellerit në rast të shkarkimit të padrejtë nga ana e presidentit.

Graham dhe tre senatorë demokratikë kanë prezantuar gushtin e kaluar një legjislacion, sipas së cilit do t’i kërkohej panelit të gjyqtarëve federalë për të shqyrtuar ndonjë vendim për të shkarkuar këshilltarin special.

“Unë kam legjislacionin për mbrojtjen e zotit Mueller dhe do të isha i lumtur nëse e miratojmë atë nesër”, i ka thënë Graham në programi në ABC.

Përfaqësues të rëndësishëm republikanë, mbështetje për Prokurorin Mueller

Dy senatorë republikanë shprehën sot mbështetje për menaxhimin nga prokurori i posaçëm Robert Mueller të hetimeve për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2016, por mbajtën qëndrime të ndryshme për sa i përket çështjes nëse Kongresi duhet të miratojë një legjislacion që do të bllokonte shkarkimin e Prokurorit Mueller nga Presidenti Donald Trump.

Senatorët Lindsey Graham dhe Susan Collins, në dallim nga kolegët e tyre republikanë, deklaruan në emisione të veçanta lajmesh se do të mbështesin një legjislacion të kërkuar nga demokratët, ku do të parashikohej një shqyrtim gjyqësor i një vendimi të mundshëm të Presidentit Trump për shkarkimin e zotit Mueller.

Dy ligjvënës kryesorë republikanë, Kevin McCarthy dhe Trey Gowdy, gjithashtu thanë se ata mbështesin punën e zotit Mueller në hetimin penal që po vazhdon. Sidoqoftë, ligjvënësi McCarthy shtoi se ai nuk e shikon të nevojshme miratimin e një ligji që do të mbronte Prokurorin Mueller, ish-drejtor i FBI-së.

Fati i prokurorit Mueller është në qendër të hetimit për ndërhyrjen e Rusisë pas njoftimeve të lajmeve ditët e fundit se presidenti Trump urdhëroi avokatin e Shtëpisë së Bardhë, Don McGahn, të shkarkonte nga detyra zotin Mueller qershorin e kaluar, por se ai u tërhoq pasi McGahn kërcënoi të jepte dorëheqjen. Presidenti Trump ka mohuar në disa raste në muajt e fundit se kishte menduar edhe rreth shkarkimit të zotit Mueller dhe e quajti informacionin e raportuar javën e kaluar, fillimisht nga The New York Times, si “lajme të rreme”, shprehja e tij e preferuar për njoftimet që nuk i pëlqejnë.

Pritshmëritë nga fjalimi i Presidentit Trump për gjendjen e kombit

Presidenti Donald Trump do të mbajë të martën fjalimin e tij të parë mbi gjendjen e vendit, gjatë një sesioni të përbashkët të dy dhomave të Kongresit. Ligjvënësit dhe një audiencë televizive në mbarë botën presin të dëgjojnë prioritetet e politikës së brendshme dhe të jashtme për vitin 2018. Presidenti Trump synon të marrë mbështetje publike pas një viti të parë të debatueshëm në detyrë, gjatë të cilit arriti një fitore me uljen e taksave, por pati edhe shumë shpërqëndrime dhe debate që kanë sjellë nivelin më të ulët historikisht të miratimit të një presidenti të ri.

Është një ritual i demokracisë amerikane, një fjalim presidencial në Kongres që ka substancë, por edhe madhështi.

Presidenti Trump foli vitin e kaluar gjatë një sesioni të përbashkët të Kongresit, por nuk u konsiderua si një fjalim për gjendjen e vendit pasi ai kishte qenë në detyrë për vetëm pak javë.

“Jam sot këtu për të dhënë një mesazh uniteti dhe fuqie, një mesazh që vjen nga thellësia e zemrës time”, tha Presidenti Trump.

Këtë vit, Presidenti Trump pritet të theksojë ekonominë e fortë amerikane.

“Do të thoja se vendi ynë po ecën shumë mirë. Ekonomia është ndoshta më mirë se ndonjëherë. Shikoni shifrat e punësimit, investimet që vijnë nga vende të tjera, bursën që është në nivelin më të lartë”, është shprehur Presidenti Trump.

Megjithatë, rritja ekonomike nuk ka mjaftuar deri më tani për të rritur nivelin e miratimit të publikut për Presidentin Trump.

Demokratët ankohen se ai nuk i bën të qarta prioritetet e tij.

“Udhëheqësit republikanë nuk duan të lëvizin vetë. I frikësohen Presidentit Trump. Duan të dinë se çfarë do të bëjë, por ai nuk u thotë asgjë. Dhe kështu paralizohemi”, shprehet Senatori demokrat Chuck Schumer.

Fjalimi do të jetë një shans për presidentin që të rrisë mbështetjen e publikut, thotë republikani Morton Blackwell:

“Kam besim se anketimet do të ndryshojnë dhe se popullariteti i Presidentit do të rritet”.

Megjithatë, Presidenti Trump përballet me një vend të ndarë, thotë demokrati Jim Kessler:

“Këto fjalime të japin mundësinë për t’iu riparaqitur votuesve. Por, shumë votues e kanë mbledhur mendjen”.

Hetimi për Rusinë do të jetë një sfond kryesor, në veçanti njoftimet se Presidenti urdhëroi shkarkimin e prokurorit të posaçëm Robert Mueller vitin e kaluar dhe u tërhoq vetëm pasi këshilltari ligjor i Shtëpisë së Bardhë kërcënoi se do të largohej.

Hetimi do të jetë një temë edhe për zgjedhjet e këtij viti në Kongres, thotë analisti John Hudak:

“Hetimi i Prokurorit Mueller është një re që qëndron vazhdimisht mbi kokën e administratës dhe që do të ndikojë tek këndvështrimi i votuesve për Partinë Republikane”.

Krahas ekonomisë, tregtisë dhe emigracionit, Presidenti Trump pritet të trajtojë sfidat e politikës së jashtme, ndër to Korenë e Veriut, Iranin dhe Afganistanin.

Trumpi i gatshëm për kërkim falje

Presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë se ai do të kërkonte falje për ripostimin e videove kundër myslimaneve, të postuara fillimisht nga liderja e një grupi të së djathtës ekstreme në Britani të Madhe.

Duke folur në një televizion britanik që është transmetuar sot, Trump ka thënë se nuk ka synuar të shkaktojë fyerje në Britani duke e shpërndarë atë video.

Trump po ashtu ka thënë se “nuk ka ditur asgjë” për grupin.

Trump që aktualisht ka 47 milionë ndjekës në Twitter, ka ngjallur pakënaqësi në Britani kur ka shpërndarë videon kundër myslimanëve nëntorin e vitit të kaluar.

Kur është pyetur nga prezantuesi nëse ai do të kërkonte falje për këtë gjë, ai ka thënë se “nëse më tregoni se ata janë njerëz të tmerrshëm, racistë të tmerrshëm unë do të kërkoja falje nëse ju do të më kërkonit një gjë të tillë”.

Të tri videot ishin publikuar fillimisht nga zëvëndësliderja e organizatës Britania e Para, Jayda Fransen, e cila më 2016 ishte dënuar për ngacmime të rënda fetare ndaj një gruaje myslimane.

Trumpi ka synuar shkarkimin e hetuesit të çështjes ruse

The New York Times ka raportuar se presidenti amerikan, Donald Trump ka udhëruar shkarkimin e këshilltarit special, Robert Mueller në muajin qershor, mirëpo e ka kthyer mbrapsht vendimin pasi këshilltari i Shtëpisë së Bardhë, Donald McGahn ka kërcënuar me dorëheqje.

Në raportin e Times të publikuar më 25 janar janë cituar katër persona të paidentifikuar që janë të afërt me ngjarjen.

Sipas gazetës ende nuk ka komente nga Shtëpia e Bardhë.

Times ka raportuar, se pasi Trump ka urdhëruar shkarkimin e Muellerit, këshilltari McGahn, ka thënë se ai do të dorëhiqet në vend të përcjelljes së një udhri të tillë.

Agjencitë e inteligjencës amerikane kanë ardhur në përfundim se Rusia ka ndikuar në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 në Shtetet e Bashkuara në favor të Trumpit dhe në dëm të rivales së tij, demokrates, Hillary Clinton.

Mueller dhe të paktën tre panele kongresionale janë duke hetuar ndërhyrjen e supozuar dhe lidhjet në mes të fushatës së Trumpit dhe Rusisë.
Administrata amerikane kundërshton se ka pasur ndonjë bashkëpunim me Rusinë.
Ka pasur shumë spekulime për synimet e Trumpit për të shkarkuar Muellerin, derisa po vazhdojnë hetimet e këtij të fundit.

Trump i ka cilësuar më herët hetimet se “gjueti shtrigash”.

Sipas raportimeve të gazetës, Trump ka argumentuar në qershor se Mueller ka tri konflikte të interesit, të cilat e diskualifikojnë atë për të kryer hetime.

Në mesin e atyre për të cilat ka pretenduar Trump, në gazetë është përmendur edhe një konflikt vite më parë për taksa në Klubin Trump të Golfit në Virxhinia, i cili ka detyruar Muellerin të heqë dorë nga anëtarësia.

Trumpi i gatshëm t’u japë nënshtetësi “ëndërrimtarëve”

Ky pohim i Trumpit, paraqet herën e parë në të cilët ai flet afirmativisht për programin i cili mbron nga dëbimi qindra mijëra emigrantë që kanë hyrë në vend ilegalisht kur ishin fëmijë

UASHINGTON – Presidenti amerikan Donald Trump, deklaroi se është i hapur ndaj idesë për t’u dhënë nënshtetësi amerikane qindra mijëra personave të cilët kanë hyrë ilegalisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA).

“Do të ndryshojmë qasjen ngadalë. Do të ndodhë dikur në të ardhmen”, tha Trump para nisjes për në Davos.

Ky pohim i Trumpit, paraqet herën e parë në të cilët ai flet afirmativisht për programin i cili është një urdhër ekzekutiv i nënshkruar nga ish-presidenti amerikan, Barack Obama, në vitin 2012 dhe si i tillë mbron nga dëbimi qindra mijëra emigrantë që kanë hyrë në vend ilegalisht kur ishin fëmijë.

Numri i tyre përllogaritet të jetë rreth 800 mijë. Megjithatë, DACA, asnjëherë nuk u dha nënshtetësi amerikane këtyre personave, ndërkohë që vitin e kaluar Trump i dha fund programit duke i bërë thirrje Kongresit që kjo gjë të rregullohet me ligj. Sipas presidentit amerikan, procesi i marrjes së nënshtetësisë amerikane do të zgjasë mes 10 dhe 12 vjet.

Tani u mbetet kongresistëve që deri më 5 mars të arrijnë një marrëveshje e cila do të mbajë gjallë DACA-n, në mënyrë që parandalohet deportimi i personave nga programi në fjalë. Paraprakisht, Trump ka thënë se përkrahja e tij për një ligj që ka të bëjë me emigrantët përfshinë financimin e murit të shumëpremtuar përgjatë kufirit me Meksikën, i cili siç kishte thënë, do të paguhet nga Meksika. aa

Trumpi: “Pres me kënaqësi” të intervistohem nga Prokurori i Posaçëm

Presidenti Donald Trump tha të mërkurën në mbrëmje se “pret me kënaqësi” të intervistohet në kuadër të hetimeve lidhur me ndërhyrjen ruse në zgjedhjet amerikane dhe lidhur me mundësinë që ai të ketë penguar drejtësinë për shkak të shkarkimit të drejtorit të FBI-së.

Presidenti Trump tha se ai është i gatshëm t’u përgjigjet pyetjeve, nën betim, gjatë intervistës që ka kërkuar të zhvillojë me të Prokurori i Posaçëm Robert Mueller.

“Pres me kënaqësi, në të vërtetë”, u përgjigj presidenti, i pyetur nga gazetarët e Shtëpisë së Bardhë. Përsa i përket kohës se kur, “besoj se ata po flasin brenda dy, tri javëve të ardhshme, por do ta bëja me shumë dëshirë”, tha ai.

Presidenti theksoi, ashtu siç ka pohuar më parë, se “nuk ka patur asnjë bashkëpunim” me rusët dhe absolutisht “asnjë pengim të drejtësisë”.

Pistat e plota të hetimeve të zotit Mueller, të cilat përfshijnë qindra mijëra dokumente dhe dhjetra intervista me dëshmitarë, nuk janë të njohura.

Por tani që ekipi i Prokurorit të Posaçëm pothuajse i ka përfunduar intervistat me zyrtarë aktualë dhe ish zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë dhe pasi ka shprehur interes për të intervistuar vetë presidentin, duket se fokusi i hetimeve duket të jenë zhvillimet në Shtëpinë e Bardhë pas inaugurimit të presidentit. Kjo përfshin shkarkimin e drejtorit të FBI-së James Comey dhe diskutimet që i paraprinë shkarkimit të Këshilltarit të Sigurisë Kombëtare, Michael Flynn.

Koha dhe logjistika e intervistës me presidentin nuk janë vendosur ende. Por kur të ndodhë, presidentit do t’i duhet të shpjegojë se si veprimet e tij nuk përbëjnë pengim të drejtësisë.

Prokurori Mueller po heton në se presidenti pengoi drejtësinë, kur, ashtu siç pretendon ish drejtori i FBI-së Comey, presidenti i kërkoi atij në fillim të vitit 2017 të ndërpriste hetimet për kontaktet e zotit Flynn me ish ambasadorin e Rusisë në Uashington, në javët para se zoti Trump të merrte detyrën. Disa muaj më pas, presidenti e pushoi Comey-n nga puna, që në atë kohë drejtonte hetimet për Rusinë.

FILE - President Donald Trump (2-R) shakes hands with then-FBI Director James Comey (R) in the Blue Room of the White House in Washington, Jan. 22, 2017, as Vice President Mike Pence (L) and Secret Service Director Joseph Clancy look on. Trump fired Comey in May of that year.

FILE – President Donald Trump (2-R) shakes hands with then-FBI Director James Comey (R) in the Blue Room of the White House in Washington, Jan. 22, 2017, as Vice President Mike Pence (L) and Secret Service Director Joseph Clancy look on. Trump fired Comey in May of that year.

Presidenti Trump e ka mohur t’i ketë kërkuar Comey-t të pushojë hetimet, duke i quajtur pohimet e tij “gënjeshtra”.

Në bazë të ligjit është krim të pengosh drejtësinë, ose të pengosh “procedurat zyrtare”.

Ekspertët ligjorë thonë se ndërsa prokurorët federalë nuk mund të ngrejnë akuzë ndaj një presidenti në detyrë për pengim të drejtësisë, ose ndonjë vepër tjetër penale, Kongresi mund të vendosë ta gjykojë presidentin (Dhoma e Përfaqësuesve ngre akuzat) dhe të fillojë procedurat (gjykimi zhvillohet në Senat) për shkarkimin e tij.

Në vitin 1998, Kongresi akuzoi dhe hapi gjyqin ndaj ish presidentit Bill Klinton, ndër të tjera, për pengim të drejtësisë. E njëjta gjë ndodhi me ish presidentin Nixon në vitin 1974, ku një ndër akuzat e ngritura nga Kongresi ishte pengimi i drejtësisë. Presidenti Klinton u shpall i pafajshëm në gjyqin e zhvilluar në Senat, ndërsa presidenti Nixon dha dorëheqjen, mes skandalit të korrupsionit në të cilin ishte përfshirë.

Prokurori i Posaçëm Mueller shqyrton mundësinë të intervistojë Presidentin Trump

Prokurori i posaçëm, Robert Mueller po shqyrton mundësinë të intervistojë Presidentin amerikan Donald Trump lidhur me shkarkimin e ish-drejtorit të FBI-së, James Comey dhe ish-këshilltarit të Sigurisë Kombëtare, Michael Flynn si pjesë e hetimit të tij për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.

Prokurori Mueller po heton nëse zoti Trump pengoi drejtësinë. Hetimet kanë në bazë deklaratën e zotit Comey, se në fillim të vitit 2017, presidenti i kishte kërkuar të mbyllte hetimin për kontaktet e zotit Flynn me ambasadorin e atëhershëm rus në Uashington. Kontaktet kishin ndodhur disa javë para se zoti Trump të merrte detyrën. Disa muaj pas ardhjes në pushtet, presidenti e shkarkoi ish-drejtorin e FBI-së i cili në atë kohë kryesonte hetimet për Rusinë.

Sipas njoftimeve në mediat amerikane, nuk dihet nëse Presidenti Trump do të bjerë dakord të intervistohet, kur mund të bëhet intervista dhe nëse po, në çfarë formati: me shkrim apo personalisht.

Ai i ka hedhur vazhdimisht poshtë sugjerimet se ka patur bashkëpunim të fshehtë midis këshilltarëve të tij gjatë fushatës dhe zyrtarëve rusë për ta ndihmuar atë që të fitonte në zgjedhje.

Para disa muajsh, zoti Trump tha se do të ishte “100 për qind” dakord të takohej me hetuesit e ekipit të zotit Mueller, por së fundmi ka ngritur pyetje se pse do të ishte e nevojshme një intervistë, derisa nuk ka patur “bashkëpunim”.

Kërkesa e zotit Mueller ndaj avokatëve të zotit Trump për ta pyetur presidentin lidhur me shkarkimin e zotit Flynn, për shkak se gënjeu nënpresidentin Mike Pence lidhur me kontaktet e tij me ambasadorin Sergey Kislyak; bisedat me zotin Comey, për të hequr dorë nga hetimi i ish-këshilltarit Flynn dhe shkarkimi më pas i zotit Comey, lënë të kuptohet se Prokurori i Posaçëm Mueller po fokusohet tani tek çështja e pengimit të drejtësisë.

Presidenti Trump ka mohuar t’i ketë kërkuar zotit Comey që të heqë dorë nga hetimin i zotit Flynn, duke e quajtur këtë pohim “një gënjeshtër”.

Dënohet për abuzim seksual me gjimnastet ish-mjeku i ekipit olimpik amerikan

Ish mjeku i ekipit kombëtar amerikan të gjimnastikës Larry Nassar u dënua me deri në 175 vjet burg, pasi pranoi fajësinë për abuzim seksual me gjimnastet, disa të moshës 10 vjeç.

Një gjykatëse e shtetit të Miçiganit e dha dënimin të mërkurën. Nassar kishte pranuar fajësinë në nëntor të vitit të kaluar për 10 akuza për sulme seksuale të shkallës së parë.

Ai aktualisht po vuan një dënim me 60 vjet për pornografi me fëmijët.

Sapo firmosa urdhrin për dënimin tend me vdekje”, tha gjykatësja Rosemarie Aquilina pas njoftoi dënimin, që erdhi pasi më shumë se 150 viktima dhanë dëshmi të dhimbshme të abuzimit me to nga ish doktori i skuadrës. “Ti nuk e meriton të dalësh nga burgu kurrë më”, tha gjykatësja.

Atlete amerikane fituese të medaljeve të arta në lojrat olimpike si Simone Biles, Gabby Douglas dhe McKayla Maroney ishin ndër ato që dëshmuan se pak muaj më parë ishin përdhunuar nga Nassar gjatë trajtimit mjekësor.

Shumë viktima kanë akuzuar “Federatën Amerikane të Gjimnastikës”, për injorim të ankesave të tyre dhe trupën drejtuese të saj për fshehje të ankesave, në një përpjekje për të shmangur publicitetin negativ.

Si pasojë e kritikave tre anëtarë të lartë të bordit dhanë dorëheqjen të hënën, që pasojnë dorëheqjet e marsit të kaluar të presidentit dhe shefit ekzekutiv të organizatës.

54 vjecari Larry Nassar shërbente si mjek për ekipin amerikan të gjimnastikës në katër Lojëra Olimpike. Ai ishte gjithashtu mjeku i ekipit të gjimnastikës për universitetin shtetëror të Miçiganit dhe profesor i asociuar në Kolegjin universitar të Mjekësisë Osteopatike.

CIA: Vetëmbrojtja dhe frikësimi, synim i programit bërthamor të Phenianit

Drejtori i CIA-s Mike Pompeo tha të martën se programi raketor dhe bërthamor i Koresë së Veriut nuk është i projektuar vetëm për vetëmbrojtje, por edhe për frikësim.

“Mund ta quani shtrëngues”, tha zoti Pompeo në një aktivitet të organizuar në Uashington nga organizata konservatore, Instituti “American Enterprise”.

Zoti Pompeo tha gjithashtu se CIA beson se udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong Un do të përdorte armët bërthamore jo vetëm për të ruajtur pushtetin, por edhe si kërcënim për ribashkimin e Gadishullit të ndarë të Koresë nën regjimin e tij autokratik.

Zoti Pompeo shtoi se Pheniani është më pak se një vit larg rrezikimit të amerikanëve dhe tha se lëvizja tjetër e dukshme e vendit do të ishte zhvillimi i aftësive për të hedhur raketa të shumta në të njëjtën kohë.

“Hapi i ardhshëm logjik do të ishte zhvillimi i një arsenali armësh që është i aftë të lëshojë jo vetëm një raketë ose të shërbej si një demonstrim forceje, por aftësia për të hedhur raketa të shumta në të njëjtën kohë”.

Drejtori i CIA-s tha se Presidenti amerikan Donald Trump është i përqendruar në gjetjen e një zgjidhjeje diplomatike për krizën e Koresë së Veriut, por CIA po punon për t’i dhënë atij një sërë alternativash të tjera.

Koreja e Veriut ka zhvilluar në mënyrë agresive programet e saj të armëve bërthamore dhe balistike në kundërshtim me sanksionet ndërkombëtare.

SHBA, merr fund mbyllja e përkohshme e qeverisë

Pas tre ditë negociatash të vështira, Senati dhe Dhoma e Përfaqësuesve e Kongresit amerikan votuan të hënën mbrëma për t’i dhënë fund mbylljes së pjesshme të qeverisë federale që filloi të shtunën.

Demokratët në Kongres ranë dakord t’i besojnë premtimit të udhëheqësit të shumicës republikane të Kongresit Mitch McConnell se ai do të adresojë pa vonesë shqetësimet e tyre lidhur me programin DACA, i cili mbron nga deportimi emigrantët e sjellë në SHBA që fëmijë nga prindërit e tyre.

Programi përfundon më 5 mars.

Bëhet fjalë për rreth 700 mijë të ashtuquajtur “ëndërrimtarë”, e ardhmja e të cilëve në SHBA është e pasigurt.

Ndikimi që pati mbyllja e agjencive qeveritare ishte minimal. Qindra mijëra punonjës të qeverisë që u prekën nga mbyllja qëndruan vetëm një ditë në shtëpi.

Të hënën pasdite, demokratët pranuan një kompromis mbi projektligjin e shpenzimeve, pas premtimit të zotit McConnell

Udhëheqësi i pakicës demokrate të Senatit Chuck Schumer njoftoi të hënën se anëtarët e partisë së tij do të votonin bashkë me republikanët për t’i dhënë fund mbylljes së qeverisë.

Por ai paralajmëroi zotin McConnell se pret që republikanët të mbajnë premtimet lidhur me programin DACA.

Nëse ai nuk e bën këtë, por unë sigurisht pres që ai ta bëjë, do të shkelë jo vetëm mbi besimin e senatorëve demokratë, por edhe të anëtarëve të partisë së tij“, tha senatori Schumer.

Ngërçi, i pari i këtij lloji që nga viti 2013, mjegulloi përvjetorin e parë të inaugurimit të Presidentit Donald Trump që u shënua të shtunën.

Sessions merret në pyetje nga zyra e Prokurorit të Posaçëm

Prokurori i Përgjithshëm amerikan Jeff Sessions është marrë në pyetje nga zyra e prokurorit të posaçëm Robert Muller, e cila po heton ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 si dhe mbi një bashkëpunim të mundshëm të fshehtë mes njerëzve të fushatës së Presidentit Donald Trump dhe zyrtarëve rusë.

Lajmi u njoftua sot nga gazeta New York Times që citon një zëdhënëse të departamentit të Drejtësisë. Sipas gazetës, zëdhënësja Sarah Isgur Flores, konfirmoi se intervista u bë javën e kaluar.

Kjo është hera e parë që një anëtar i kabinetit të Presidentit Trump merret në pyetje nga Prokurori i Posaçëm Mueller.

SHBA nis zbatimin e politikës tregtare “Amerika e para”

Shtetet e Bashkuara miratuan tarifa të reja mbi lavatriçet e importuara dhe tablotë diellore.

Ky veprim është në përputhje me politikën tregtare “Amerika e para” të presidentit Donald Trump, e cila synon të mbrojë prodhuesit vendas nga konkurrenca e huaj.

Prodhuesit kinezë të tablove diellore dhe prodhuesit e lavatriçeve në Korenë e Jugut do të preken më së shumti nga tarifat e reja.

Të dyja vendet i kanë kritikuar ato.

Tarifat, sidomos për lavatriçet dhe pjesët e tyre, në disa raste do të jenë më të larta për 50 përqind.

Por, tarifat e reja shihen si lëvizja më e rëndësishme në tregti e presidentit Trump prejse ai ka tërhequr SHBA-në nga Marrëveshja Partneriteti Trans-Paqësor dhe prejse ka vendosur të rinegociojë Marrëveshjen për Tregti të Lirë me Amerikën e Veriut.

Tarifat e reja u miratuan nga presidenti Trump pasi Komisioni i Tregtisë Ndërkombëtare i SHBA-së konstatoi se prodhuesit vendorë po dëmtohen nga importet më të lira.

Administrata Trump mbush një vit

Më 20 janar, Presidenti Donald Trump shënoi vitin e tij të parë në detyrë. Viti i parë i Presidentit Trump ishte plot ngjarje dhe shumë i ndryshëm nga çdo president tjetër në historinë politike amerikane të dekadave të fundit. Viti 2018 mund të ofrojë pak a shumë të njëjtën gjë. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Jim Malone na jep këtë vështrim.

Presidenti i 45-të i Amerikës e nisi me një fillim të guximshëm.

“Duke filluar nga kjo ditë do të jetë vetëm Amerika e para, Amerika e para,” tha ai.

Pa humbur kohë, ai filloi punën për të shfuqizuar urdhrat ekzekutivë të paraardhësit të tij Barak Obama dhe plotësoi vendin e mbetur bosh në Gjykatën e Lartë.

Fitorja e tij më e madhe, një ligj gjithëpërfshirës për shkurtimin e taksave erdhi në dhjetor, pas 11 muajsh në detyrë.

“Pra, ja ky këtu është ligji dhe ne jemi shumë krenarë që ia dolëm. Do të jetë diçka e jashtëzakonshme për popullin amerikan; do të jetë fantastike për ekonominë,” tha Presidenti Trump.

Miratimi i ligjit për taksat mund të ndihmojë republikanët në zgjedhjet e mesmandatit në nëntor të këtij viti, thotë analisti John Fortier:

“Republikanët arritën ta miratojnë ligjin për taksat, një ligj i rëndësishëm. Kjo për ta ishte një arritje e madhe, që i ka vënë në udhë më të mirë”.

Viti i parë për Presidentin Trump ishte me shumë pengesa, siç ishte dështimi i përpjekjeve për të shfuqizuar ligjin shëndetësor të Presidentit Obama, shpërthimet e shumta në Twitter dhe, nganjëherë, retorika fyese, siç ishin komentet e fundit vulgare për Haitin dhe vendet afrikane.

Kjo nxiti zemërimin e demokratëve, si senatori Cory Booker:

“Këto fjalë nuk treten si mjegulla në ajër. Ato ngjisin, kthehen në helm dhe janë pasaportë për fanatizëm dhe urrejtje në vendin tonë”.

Stili polemik dhe ndonjëherë polarizues i zotit Trump vazhdon ta dëmtojë atë në sondazhe, pavarësisht nga ekonomia e fortë, thotë analisti John Hudak:

“Mendoj se njerëzit e gjykojnë zotin Trump nga shumë aspekte, jo thjesht nga ekonomia dhe kjo shpjegon vlerësimin e tij të ulët në sondazhe.”

Niveli historikisht i ulët i vlerësimit për presidentin Trump mund t’u japë dorë demokratëve të marrin më shumë vende në zgjedhjet e mesmandatit për Kongres, thotë analisti Larry Sabato.

“Kur vjen vala, uji të merr me vete dhe nuk bën dallim mes atyre që e identifikojnë veten me një president jopopullor dhe atyre që u përpoqën të mbajnë distancë me të.”

Për vitin 2018, zoti Trump shpreson se një ekonomi e fortë do të përmirësojë sondazhet në favor të tij.

Por, mundësia e humbjeve në zgjedhjet e nëntorit dhe hetimet për çështjen e Rusisë që nuk po njohin fund, mund ta bëjnë vitin e dytë të Presidentit Trump edhe më sfidues se i pari.


Send this to a friend