VOAL

VOAL

Trumpi mban përgjegjës Putinin, Rusinë për sulmin në Siri

Presidenti Trump fajësoi Presidentin rus Vladimir Putin dhe Iranin për “sulmin e palogjikshëm kimik” në Siri që la 40 të vrarë, duke u betuar se “do të paguhet çmim” për këtë akt.

Në një akt të rrallë kritikash të forta në adresë të udhëheqësit rus, presidenti amerikan deklaroi “Presidenti Putin, Rusia dhe Irani janë përgjegjës” për mbështetjen që i japin “kafshës Asad,” president i Sirisë.

Përmes postimeve në Twitter, presidenti amerikan tha “Hapni menjëherë zonën për personelin mjekësor dhe verifikues. Një tjetër katastrofë humanitare pa asnjë lloj arsyeje. E neveritshme”.

Presidenti nuk tha se si do të përgjigjet Amerika. Por këshilltari për sigurinë kombëtare Thomas Bossert tha për rrjetin ABC News, “Asnjë opsion nuk mund të përjashtohet,” duke lënë hapur mundësinë për goditje me raketë si goditja që urdhëroi Presidenti Trump një vit më parë pas sulmit sirian me armë kimike.

Më herët të dielën, zëdhënësja e Departamentit të Shtetit Heather Nauert tha përmes një deklarate se Shtetet e Bashkuara po ndjekin me vëmendje njoftimet shqetësuese se ka pasur një tjetër sulm me armë kimike në Siri, këtë radhë në një spital në Douma.

Deklarata tha se “Me mbështetjen e saj të palëkundur për regjimin sirian, Rusisë i bie përgjegjësia për këto sulme brutale që kanë në shenjestër civilë të panumërt dhe që po mbysin komunitetet më të pambrojtura siriane me armë kimike”.

Kryengritësit thonë se forcat qeveritare hodhën bomba me kimikate helmuese dje, duke vrarë dhjetëra vetë ndërkohë që Siria vazhdon ofensivën kundër qytetit të fundit të kontrolluar nga opozita në Gutan lindore.

Media shtetërore siriane i hodhi poshtë pretendimet e kryengritësve, ndërkohë që ushtria ndërmori sulme kundër Doumas që ndodhet pranë kryeqytetit.

Sipas organizatës Vëzhguesi Sirian për të Drejtat e Njeriut, një bombë me gaz klorin goditi spitalin në Douma, megjithëse drejtori i organizatës tha se nuk mund të konfirmonte përdorimin e armëve kimike.

Kulla Trump përfshihet nga zjarri, vdes një person

Kulla Trump, foto nga arkivi

Autoritetet në Nju Jork kanë thënë se një burrë 67-vjeç ka vdekur, pasi zjarri ka shpërthyer në Kullën Trump në qytetin e Nju Jorkut.

Ende nuk është e qartë nëse viktima ishte banor në këtë ndërtesë. Ai vdiq nga zjarri që shpërtheu në mbrëmjen e 7 prillit në një apartament në katin e 50-të të kësaj ndërtese.

Zyrtarët thanë thënë se edhe katër zjarrfikës kanë pësuar lëndime të lehta.

Presidenti Donald Trump ka shkruar në Twitter se zjarri është shuar dhe ka falënderuar zjarrfikësit “për punën e mirë”.

Biznesi i presidentit Trump është i vendosur në këtë Kullë dhe ai ka ka jetuar në këtë ndërtesë. Por, prej se është zgjedhur president në janar të vitit 2017, Trump ka kaluar shumë pak kohë në Nju Jork.

Zyrtarët kanë thënë se asnjë anëtar i familjes së Trumpit nuk ka qenë në ndërtesë, në momentin kur ndërtesa është përfshirë nga flakët.

SHBA vendos sanksione ndaj oligarkëve rusë

Administrata e Presidentit Donald Trump shpalli të premten sanksione të gjera kundër 38 individëve dhe kompanive ruse, në kuadrin e një asaj që zyrtarët e lartë të administratës e cilësuan si përgjigje ndaj “prirjes ruse për aktivitete keqdashëse” në gjithë botën.

Sanksionet do të vendosen ndaj shtatë oligarkëve rusë, përfshirë Oleg Deripaskën, një manjat të aluminit dhe aleat i afërt i presidetit rus Vladimir Putin dhe 12 kompanive që ata kanë në pronësi ose i kontrollojnë. Në shënjestër të tyre do të jenë gjithashtu edhe 17 zyrtarë të lartë rusë dhe një kompani shtetërore për tregëtimin e armëve.

Zyrtarët amerikanë thonë se sanksionet “nuk janë në përgjigje të një veprimi apo çështjeje të vetme”, por kanë si objektiv të jenë kundërpeshë ndaj “prirjes së vazhdueshme dhe gjithnjë e më arrogante të veprimtarive të qeverisë ruse në gjithë botën”.

Duke informuar gazetarë, zyrtarën përmendën pushtimin e Krimesë nga Rusia, destabilizimin e Ukrainës lindore, mbështetjen për qeverinë siriane të Bashar al-Assadit, “aktivitetin e vazhdueshëm keqdashës kibernetik” të Moskës dhe “sulmet e vazhdueshme të Rusisë për të sabotuar demokracitë perëndimore”.

“Elitat nuk janë të zhveshura nga përgjegjësia për veprimet e qeverisë ruse”, tha një zyrtar amerikan, duke shtuar se oligarkët rusë duhet ta përdorin ndikimin e tyre “për t’i dhënë fund ciklit të destabilizimit të aktivitetit rus në gjithë globin”.

Zyrtari tha se oligarkët kanë “nxjerrë përfitime masive nën regjimi e Putinit dhe luajnë një rol kyç në programin e tij keqdashës”.

Sanksionet do të bllokojnë të gjitha pronat e oligarkëve që janë nën juridkiksionin amerikan dhe amerikanëve do t’u ndalohet në përgjithësi që të bëjnë biznes me kompanitë dhe personat mbi të cilët po vihen sanksione, thanë zyrtarët.

Kjo lëvizje vjen pasi Britania, Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera të NATO-s dëbuan mbi 150 diplomatë rusë, në shenjë solidariteti për helmimimin me një agjent nervor të ish-spiunit rus Sergei Skripal dhe vajzës së tij, Yulia në Britani.

Britania ka fajësuar Rusinë për helmimin. Rusia ka mohuar të ketë rol dhe ka dëbuar një numër të njëjtë diplomatësh perëndimorë.

70 vjet nga hyrja në fuqi e Planit Marshall

Në 70 vjetorin e hyrjes në fuqi të Planit Marshall, diplomatë dhe akademikë amerikanë dhe evropianë, vlerësuan kontributin e tij për rindërtimin e Evropës dhe folën për mësimet e tij për ditët e sotme. Më 3 prill 1948, Presidenti Harry Truman nënshkroi në ligj Programin për Rimëkëmbjen Evropiane, që jepte mbi 13 miliardë dollarë për rindërtimin e kontinentit.

Plani ishte paraqitur disa muaj më herët nga Presidenti Truman.

“E konsideroj të një rëndësie të jashtëzakonshme që Kongresi të autorizojë mbështetjen për Programin për Rimëkëmbjen e Evropës për periudhën 1 prill 1948 deri më 30 qershor 1952”, u shpreh ai ndërsa i kërkoi Kongresit që të vepronte “me urgjencë për këtë masë jetike për politikën tonë të jashtme për këtë kontribut vemdimtar për paqen botërore”.

Programi njihet gjerësisht me emrin e gjeneralit George C. Marshall, që ishte në atë kohë Sekretar Shteti.

“Amerika ka ofruar të ndihmojë në mënyrë të konsiderueshme të gjitha vendet e lira, paqedashëse të Evropës që kanë vullnetin të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën në një program të gjerë të rindërtimit ekonomik”, tha gjenerali Marshall ndërsa e shpaloste këtë Plan në një fjalim në Univeristetin Harvard. Ishte diçka e papritur që ai zgjodhi pikërisht atë rast për të folur për të.

Plani Marshall kishte si synim rindërtimin e një kontinenti që ishte rrënuar nga lufta dhe ishte në prag të urisë, pas gjashtë vjetësh luftë për përmbysjen e nazizmit. Ai e siguronte Evropën për mbështetjen amerikane, jo vetëm si akt altruizmi por për të frenuar përhapjen e komunizmit në atë kontinent.

Në një diskutim për 70 vjetorin e nënshkrimit të tij në ligj nga Presidenti Truman organizuar Qendra Amerikane për Diplomacinë dhe Fondacioni “George C. Marshall”, Dan Hamilton, Profesor i Fondacionit për Planin Marshall Austriak, tha se marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Evropës janë karakterizuar gjithmonë nga cikle angazhimi dhe tërheqjeje. Ai tha se suksesi i Planit Marshall tregoi se vetëm ndihma financiare ishte e pamjaftueshme, për të ruajtur interesat dhe vlerat e Amerikës.

“Amerika do të mbështeste financiarisht rimëkëmbjen e Evropës, Amerika do të qëndronte në krah të Evropës, por vendet evropiane duhet të punonin së bashku për të projektuar rrugën drejt së ardhmes”, tha ai.

Por zoti Hamilton tha se nuk ishin paratë që e bënë Planin dhe trashëgimia e tij e vërtetë ishte ajo për një të ardhme më të mirë për Evropën”.

Për studiuesin Benn Steil, autor i librit “Plani Marshall: Agimi i Luftës së Ftohtë”, 70 vjet nga inaugurimi i Planit Marshall, ndoshta trashëgimia e tij më e qëndrueshme është dëshira e pashtershme për ta përsëritur atë dhe se fakti që kjo nuk është realizuar, flet për rrethanat e pashembullta historike në kohën kur filloi Plani Marshall.

“Filozofia në themel të saj ishte se siguria ekonomike dhe fizike e Amerikës varej nga ekzistenca e aleatëve të fortë dhe të pavarur që të mos ishin koloni apo vasalë apo të varur ekonomikisht, por aleatë të fortë dhe të pavarur dhe kjo ishte jetike në mënyrë që Shtetet e Bashkuara të mbronin interesat e tyre ekonomike dhe të sigurisë, jo thjesht me forcë ushtarake”, tha ai.

Sfidat transatlantike 70 vjet pas Planit Marshall

Por zoti Hamilton tërhoqi vëmendjen se sot nuk duhet rënë në vetëkënaqësi, sepse Evropa nuk është ende e bashkuar, e lirë dhe në paqe, duke e vënë theksin tek zona e trazuar që shtrihet në Lindje dhe në Juglindje ku siç tha ai, njerëzit thjesht nuk e dinë se ku ta shohin të ardhmen e tyre, në një kohë kur bashkimi me perëndimin ishte i paqartë, pasi ai përballet me sfida të shumta.

“Kur Evropa është e ndarë, Amerika humb. Përvjetori i sotëm, duhet të na detyrojë të kemi nderin dhe detyrimin që na ka përçuar Harry Truman, George C. Marshall dhe Kongresi amerikan, që të sigurohemi që të mos ketë më zona gri të Evropës. Pavarësisht nga turbullirat transatlantike, Amerika duhet të qendojë me Evropën, por ashtu si në ditët e Marshallit, Evropa duhet të udhëheqë”, tha ai.

“Paratë janë të rëndësishme, por në fund të fundit ajo që ka më shumë rëndësi është aftësia për t’i përdorur burimet për një vizion, që lë mënjanë ndasitë në partneritetin tonë dhe vullnetin për ta zbatuar atë vizion”, shtoi zoti Hamilton, i Qendrës për Marrëdhëniet Transatlantike në Universitetin Johns Hopkins.

Ndërsa histriani Steil tha se ka një mësim më të gjerë historik:

“Ne e kujtojmë Planin Marshall sepse ishte vizionar, por ishte gjithashtu kokëfortë. Dhe unë dua të argumentoj me forcë se kjo ishte arsyeja që ishte i suksesshëm. Po të kishim vendosur si objektiv për sukses për shembull përfshirjen e Rumanisë dhe Çekosllovakisë në Planin Marshall, do të kishim dështuar sepse do të na ishte dashur të shkonim në luftë për ta arritur këtë dhe një nga ambicjet e Planit Marshall ishte që të mos hynim përsëri në luftë”.

Zoti Steil, Drejtor i Ekonomisë Ndërkombëtare në Këshillin për Marrëdhëniet me Jashtë, e bëri këtë vëzhgim duke e vënë në kontekstin e e marrëdhënieve të mëpasshme të Shteteve të Bashkuara me ish-Bashkimin Sovjetik dhe Rusinë, që ai argumenton se pësuan goditje nga synimi për zgjerim i organizatave transatlantike, sidomos NATO-s drejt Lindjes.

“Akte të mëdha të aftësisë politike i kanë bazat në realizëm dhe jo vetëm idealizëm dhe besoj se ky është një mësim që duhet ta rimësojmë”, tha ai.

SHBA: Evropa nuk duhet të presë nga Amerika të bëjë më shumë se vetë ajo për sigurinë e vet

Në aktivitet foli edhe Ndihmës Sekretari Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Wes Mitchell, i cili tha se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të kontribuojnë në aleancën me Evropën, por theksoi se “aleatët tanë duhet të kenë vullnetin të bëjnë më shumë”.

“Nuk duhet të pritet nga Amerikanët që të interesohen dhe të paguajnë më shumë për sigurinë e Evropës sesa vetë udhëheqësit e Evropës. Nuk duhet të pritet nga ne që të jemë më shumë kundër tubacioneve të gazit që e bëjnë Evropën më të ekspozuar ndaj ndërprerjeve të furnizimeve në dimër sesa vetë evropianët. Dhe nuk duhet të pritet nga ne që ta marrim më seriozisht rrezikun në rritje në kufijnë jugorë dhe lindorë të Evropës sesa vetë Evropianët”.

Ai tha se Amerika dhe Evropa duhet të tregohen të përgjegjshëm për të punuar së bashku për t’u përballur me sfidat e përbashkëta.

“Ceremoni si e sotmja janë kujtesë për të dyja anët e Atlantikut se kohezioni i aleancës ka një vlerë të paçmuar, por edhe që duhen sakrifica për ta ruajtur”.

Në Planin Marshall përfshiheshin Austria, Belgjika, Danimarka, Franca, Gjermania Perëndimore, Britania e Madhe, Greqia, Islanda, Italia, Luksemburgu, Holanda, Norvegjia, Suedia, Svicra dhe Turqia. Shpallja e strategjisë për rimëkëmbjen e Evropës u quajt si Doktrina Truman. Studiuesit theksuan se suksesi i Planit ishte falë efektit psikologjik që Amerika nuk do ta linte mënjanë Evropën por edhe falë objektivit të tij që të mos synonte hyrjen përsëri në luftë.

Jetonte prej 17 vitesh në SHBA, deportohet drejt Shqipërisë babai i 3 fëmijëve

Vitor Pukri, baba i tre fëmijëve me banim në Clifton, New Jersey, u deportua për në Shqipëri, ndonëse kishte 17 vite që jetonte në SHBA. Dy muaj më parë ai kishte pranuar të takohej me oficerë të emigracionit duke menduar se po e intervistonin për të ndrequr statusin e tij në SHBA.

Pukri bëhet kështu shqiptari i radhës që deportohet nga SHBA për shkak të mungesës së një statusi të ligjshëm.

Ai jetonte që nga viti 2001, në SHBA, dhe në 2011 ishte vendosur në Clifton. Avokati i tij tha se Bordi i Apelit ia refuzoi kërkesën për të ndaluar deportimin dhe brenda pak orësh e hypën në avion. “Është e pabesueshme që ndodhi në kohë rekord”, tha ai. “Nuk kam parë ndonjë rast që ta dëbojnë brenda 24 orëve”.

Një zëdhënës për emigracionin tha se bashkëshortja e tij, Neta Pukri dhe një nga djemtë, Mikel Pukri u arrestuan sepse u përpoqën të pengonin me forcë deportimin duke sulmuar në aeroport oficerët e emigracionit.

Avokati tha se do të kërkonte lirimin e Neta Pukrit për arsye humanitare, sepse ka një vajzë 11-vjeçare që ka nevojë për praninë e një prindi dhe e cila është nënshtetase amerikane.

Përveç Mikelit, 21-vjeçar, familja Pukri ka edhe një djalë tjetër 26-vjeçarin, Bepin. Nuk dihet se cili do të jetë tani fati i tyre./Illyria.

Identifikohet sulmuesja në selinë e YouTube

Policia del në vendngjarje pas sulmit në selinë e YouTube

Një grua ka plagosur tre persona në zyret qendrore të kompanisë YouTube në Kaliforni dhe më pas ka vrarë vetën, ka thënë policia amerikane.

Zyrtarët shëndetësorë kanë thënë se një burrë dhe dy gra janë në gjendje kritike, pas të shtënave në San Bruno, në afërsi të San Franciskos më 3 prill.

Policia e ka identifikuar sulmuesen e dyshuar si 39-vjeçarja Nasim Aghmad nga San Diego dhe ka thënë se janë duke hetuar për motivet e sumit.

Disa media kanë raportuar se sulmuesja e dyshuar është me prejardhje iraniane.

Ismail Aghdam, babai i të dyshuarës, i ka thënë mediave lokale se vajza e tij “urrente” YouTube-in, pasi kompania nuk i kishte paguar asaj për videot që kishte postuar në këtë platformë.

YouTube ka mbyllur llogarinë e Aghdam, pas incidentit në San Bruno.

Një i vdekur dhe tre të plagosur nga të shtënat në selinë e YouTube

Një grua hapi zjarr të martën në selinë e YouTube, afër San Franciscos duke plagosur të paktën tre persona para se të vetëvritej.

Policia nuk dha më shumë informata rreth të dyshuarës dhe nuk spekuloi për motivet e mundshme të sulmit në zyrat e YouTube, që janë pronë e Alphabet Inc’s Google.

“E kemi gjetur viktimën femër me plagë të vetë shkaktuara”, tha shefi i policisë në San Bruno, Ed Barberini, në një konferencë me gazetarë, duke përshkruar personin që polica beson se ishte sulmuesja.

Një nga të plagosurat e moshës 36 vjeçare është në rrezik jete, një tjetër 32 vjeçare është me plagë të rënda, ndërsa një 27 vjeçare ne gjendje të mirë. Autoritetet nuk dhanë emrat e të plagosurave.

Todd Sherman, një nga menaxherët në YouTube. përshkroi në twitter vrapin e njerzve duke menduar fillimisht se bëhej fjalë për tërmet para se t’i thoshin se dikush po qëllonte me armë.

Google tha se po bashkërendohej me autoritetet lokale.

Një stacion lokal televiziv shfaqi pamjet e punonjësve në YouTube derisa po dilnin jashtë ndërtesës me duart lartë.

Muajin e kaluar, YouTube shpalli se do të ndalojë përmbajtjet që nxisin shitjen e armeve dhe pajisjeve sikurse edhe videot që mësojnë prodhimin e tyre.

Dënohet personi i parë në hetimet Trump-Rusi

Alex van der Zwaan duke shkuar në gjykatë në Uashington.

Avokati holandez, Alex van der Zwaan, është personi i parë që është burgosur në kuadër të hetimeve të FBI-së për bashkëpunimin e supozuar të ekipit të fushatës së Trumpit dhe Rusisë, raporton BBC.

Avokati 33 vjeçar është dërnuar dhe 30 ditë burgim për deklarata të rrejshme përballë hetuesve sa i përket kontakteve me ish-ndihmësin e Trumpit, Rick Gates.

Ai e ka pranuar fajësinë në muajin shkurt.

Van der Zwaan është dhëndrri i një prej personave më të pasur në Rusi ndërsa ka qenë personi i 19-të në listë për t’u akuzuar nga këshilltari special, Robert Mueller.

Në padinë kundër avokatit nuk është përmendur fushata e vitit 2016.

Trump nuk është akuzuar për ndonjë keqbërje.

Në muajin mars, Shtetet e Bashkuara u kanë vënë sanksione 18 rusëve, duke përfshirë 13 persona që janë akuzuar në hetimet e Muellerit, lidhur me ndërhyrjet e vitit 2016 dhe sulmet e supozuara kibernetike.

Van der Zwaan është gjobitur po ashtu me 20,000 dollarë dhe është dënuar me dy muaj lirim të mbikqyrur.

Karvani i emigrantëve drejt Shteteve të Bashkuara

Michael Brown

Presidenti Trump ishte ankuar për një varg të gjatë prej 1100 personash që po marshonin përmes Meksikës për t’iu larguar varfërisë dhe dhunës në Amerikën Qendrore, me shpresën se mund të fitojnë azil në Shtetet e Bashkuara.

Presidenti Trump po akuzon gjithashtu demokratët se nuk bashkëpunojnë me republikanët për t’u dhënë një zgjidhje personave të sjellë ilegalisht nga prindërit e tyre, kur ishin në moshë të mitur.

Ish-përfituesit e preogramit DACA, të krijuar nga Presidenti Obama, vazhdojnë të ngrenë zërin e tyre, megjithëse Presidenti Trump tha se programi DACA nuk ekziston më, pasi demokratët nuk kanë më interes. Presidenti hoqi kështu çdo përgjegjësi nga partia e tij republikane.

Presidenti Trump u shpreh se: “Demokratët i lanë në baltë. Patën një mundësi të mrekullueshme dhe demokratët i braktisën. Tashmë po shfrytëzohet DACA. Është turp. Nuk duhet të kishte ndodhur kështu”.

Vendimet e gjykatave kanë bllokuar përkohësisht deportimin e këtyre emigrantëve, shumë prej të cilëve kanë njohur vetëm Shtetet e Bashkuara si atdheun e tyre. Por Presidenti Trump dhe ligjvënësit demokratë nuk arritën në një zgjidhje ligjore të përhershme.

Ligji i buxhetit që financon qeverinë amerikane deri në muajin shtator nuk e përfshin këtë çështje.

Nesër është 50 vjetori i vrasjes së Martin Luther Kingut

Arash Arabasadi

Më 4 prill është 50 vjetori i vrasjes së Martin Luther Kingut, njeriut që mobilizoi miliona njerëz për të mbrojtur të drejtat civile në Amerikë.

Nëpërmjet një filozofie që kundërshtonte dhunën, Martin Luther Kingu ndihmoi që Shtetet e Bashkuara të miratonin dy ligje të rëndësishme të shekullit të 20-të: Aktin për të Drejtat Civile të vitit 1964 dhe Aktin për të Drejtat e Votës një vit më vonë.

Martin Luther King ishte një udhëheqësi me mjaft ndikim, por herë-herë hezitues i Lëvizjes Amerikane për të Drejtat Civile.

Më 4 prill 1968 ai do të vritej në ballkonin e një moteli pranë qytetit Memphis të shtetit Tennessee. Njeriu i akuzuar për vrasjen ishte James Earl Ray, i cili më vonë u dënua me burg.

Më shumë se 100 mijë njerëz u rreshtuan në rrugët e Atlantës, vendlindja e Martin Luter Kingut, për t’i dhënë lamtumirën e fundit.

Funerali i tij mblodhi disa nga njerëzit më të njohur të Amerikës: senatorin Robert Kennedy; Presidentin e ardhshëm Richard Nixon dhe aktivistin e të drejtave civile, Jesse Jackson.

Xhekson u intervistua nga Zëri i Amerikës në gusht të vitit 2011 me rastin e përurimit të një përmendoreje kushtuar Martin Luter Kingut në Uashington:

“Ai ishte një simbol i fuqisë dhe drejtësisë, i paqes dhe pajtimit, por na u desh të fitojmë disa beteja të mëdha për të arritur pajtimin. Beteja e Montgomerit, për shembull, ku pati edhe konfrontime.”

Betejat në Alabama ishin për të drejtat e votimit që u mohoheshin afrikano-amerikanëve në shumë pjesë të jugut amerikan. Ato u pasuan nga dhuna policore në qytetin Selma, që hyri në histori si “E diela e përgjakshme”.

Kongresmeni John Lewis ishte një nga udhëheqësit e protestave të studentëve:

“Ata na u vërslën duke na rrahur me shkopinj dhe duke na shkelur me kuaj; Unë u godita në kokë nga me kamzhik. Mendova se do të vdisja. Mu duk sikur pashë vdekjen.”

Dhuna në televizion shkaktoi një protestë kombëtare.

“Duhet që bota ta dijë se është e nevojshme të protestohet për këtë të keqe të trefishtë; që nga mohimi i të drejtës për të votuar e deri te dhuna e egër policore,” u shpreh Martin Luther King,

Pak ditë më vonë, një urdhër i gjykatës i dha leje Martin Luther Kingut të udhëhiqte me dhjetëra mijëra demonstrues, për të marshuar nga Selma deri në Montgomeri, kryeqytet i Alabamës.

John Lewis kujton këtë episod:

“Martin Luther Kingu erdhi për të më vizituar në spital dhe tha: “John, mos u shqetëso. Ne do ta bëjmë marshimin dhe Akti i të Drejtave të Votimit do të miratohet.”

Një vit pasi Presidenti Lyndon Johnson, nënshkroi Ligjin mbi të Drejtat Civile, strategjia e Martin Luther Kingut për protesta paqësore çoi në nënshkrimin e Aktit të të Drejtave të Votimit në vitin 1965.

“Martin Luther Kingu besonte tek procesi ligjor. Por ai mendonte se ky proces ishte tepër i ngadalshëm, prandaj duhej demonstruar, duhej edhe procesi legjislativ. Ai besonte në veprimin masiv për të transformuar kulturën që ekzstonte në atë kohë,” thotë Jesse Jackson.

Më i famshmi ishte marshimi i marsit 1963 në Uashington.

Rreth 250 mijë njerëz u mblodhën në lëndinën qendrore të kryeqytetit për të dëgjuar fjalimin e Martin Luther Kingut.

Ishte fjalim për ëndrra e lirisë dhe të barazisë në një vend që u ndërtua mbi shpinat e skllevërve.

Gazetari i New York Times-it Earl Caldwell u dërgua në Memphis për të mbuluar aktivitetet e Martin Luther Kingut:

“Martin Luther Kingu më tha se do të mblidhte njerëz të varfër nga i gjithë vendi, do t’i sillte në Uashington dhe do të ndalte punën e qeverisë derisa ajo të trajtonte çështjen e varfërisë veçanërisht mes afrikano-amerikanëve.”

Miratimi i Ligjit për të Drejtat Civile vërtet solli ndryshime ligjore në vitet 1960, por ndryshimi i vërtetë shpesh është i ngadaltë.

“Ne sot jemi një vend i ndryshëm dhe më mirë në kuptimin që ligjet barbare të aparteidit racor kanë marrë fund, por ende ka një hendek ekonomik. Ne jemi të lirë, por më pak të barabartë”, thotë Jesse Jackson.

Trashëgimia e Martin Luter Kingut si udhëheqës i protestës paqësore vazhdon. Kohët e fundit, rreth 800 mijë njerëz u mblodhën në Uashington për të kërkuar kontrolle më të forta mbi armët e zjarrit. Mes tyre ishte edhe mbesa e Martin Luter Kingut, Yolanda:

“Gjyshi im kishte një ëndërr që katër fëmijët e tij të vegjël nuk do të gjykoheshin nga ngjyra e lëkurës, por nga karakteri”.

Para vrasjes në vitin 1968, Martin Luter Kingut iu dha Çmimi Nobel i Paqes për fushatën e tij të padhunshme për barazi. Sot më shumë se 100 shkolla dhe mbi 900 rrugë në Shtetet e Bashkuara mbajnë emrin e tij.

SHBA shqyrton ekstradimin e Gülenit për vrasjen e Karlovit

“Do të shqyrtojmë secilin material të cilin do të na e dorëzojë qeveria e Turqisë dhe në këtë drejtim do të marrim vendim për ekstradimin e tij”, thonë autoritetet amerikane

WASHINGTON – SHBA-të thonë se do të vendosin mbi një ekstradim të mundshëm në Turqi të udhëheqësit të organizatës terroriste FETO, Fetullah Gülen, lidhur me vrasjen e ambasadorit rus në Ankara në vitin 2016, atëherë kur Turqia do të dorëzojë dokumentet përkatëse.

“Do të shqyrtojmë secilin material të cilin do të na e dorëzojë qeveria e Turqisë dhe në këtë drejtim do të marrim vendim për ekstradimin e tij në bazë të fakteve dhe ligjeve përkatëse që kanë SHBA-të”, deklaroi zëdhënësi i Departamentit amerikan të Drejtësisë, Nicole Navas Oxman, për agjencinë shtetërore ruse të lajmeve, TASS.

Kujtojmë se ambasadori rus në Ankara, Andrey Karlov, u vra në një atentat më 19 dhjetor të vitit 2016 në Qendrën e Arteve Bashkëkohore në Ankara. Sulmuesi 22 vjeçar, Mevlut Mert Altintas, i cili pas atentatit është ngjitur në katin e dytë të godinës është goditur nga forcat speciale të policisë turke pas rreth 15 minutash.

Vrasja e tij ndodhi në kohën kur marrëdhëniet mes Turqisë dhe Rusisë filluan të përmirësohen, pas një acarimi nga shkaku i rrëzimit të avionit luftarak rus në hapësirën ajrore turke.

Një hetim ka zbuluar se atentatori ka pasur lidhje me FETO-n, e cila u mundua që vrasjes t’i mveshë petkun ekstremist.

Prokurorët turq thanë se Altintas ka njohur personalisht Gülenin.

Organizata terroriste FETO në vitin 1970 të besuarit e saj filloi t’i infiltrojë në institucionet e sigurisë në Turqi, pas çka në vitet e 80-ta në mënyrë të konsiderueshme forcoi piramidat e saj paralele në këto institucione.

Më 15 korrik të vitit 2016, organizata terroriste FETO kreu tentim të dështuar për grusht shteti, me qëllim të përmbysjes së rendit kushtetues dhe pushtetit të zgjedhur në mënyrë demokratike në Turqi.

Të paktën 249 persona humbën jetën gjatë tentimit për grusht shteti, ndërsa mijëra të tjerë u plagosën. aa

Trumpi fton Putinin në Shtëpinë e Bardhë

E bëjnë të ditur disa media amerikane, zëdhënësi i Kremlinit e konfirmon

VOAL – 2 PRILL – Donald Trumpi gjatë një bisede telefonike me Vladimir Putinin e ftoi udhëheqësin e Kremlinit në Uashington, duke propozuar një takim SHBA-Rusi në Shtëpinë e Bardhë. Kjo është transmetuar nga disa media amerikane dhe lajmi është konfirmuar nga një nga zëdhënësit e presidentit rus, Yury Ushakov, cituar nga Interfax. Burimet e administratës amerikane nuk e mohojnë, por theksojnë se ende nuk ka ngjarje të planifikuara. Ftesa e Trumpit për Putinin erdhi gjatë telefonatës midis dy liderëve më 20 mars.

(ANSA)

Raportohet se Trumpi ka pezulluar ndihmën për Sirinë

Zyrtarët amerikanë thonë se presidenti Donald Trump ka urdhëruar Departamentin e Shtetit të suspendojë mbi 200 milionë dollarë ndihma për Sirinë, teksa administrata e tij po rivlerëson rolin e Shteteve të Bashkuara në konfliktin atje.

Udhëri për ngrirjen e fondeve fillimisht është raportuar nga Wall Steet Journal më 30 mars, një ditë pasi Trump ka thënë se SHBA do të “tërhiqet nga Siria shumë shpejt”. Disa media në SHBA dhe media ndërkombëtare më 31 mars, duke cituar zyrtarë të paidentifikuar kanë konfirmuar dhënien e këtij urdhëri.

Sekretari i Shtetit në largim, Rex Tillerson, kishte premtuar 200 milionë dollarë ndihma shtesë gjatë shkurtit, në mbledhjen e koalicionit global kundër grupit militant Shtetit Islamik, mbledhje kjo që ishte mbajtur në Kuvajt.

Tillerson ka argumentuar se SHBA duhet të mbetet e përfshirë në Siri, në mënyrë që të parandalojë kthimin e luftëtarëve të IS-it dhe Al-Kaidës, dhe t’ia pamundësojë Iranit mundësinë që të “forcojë më tejë pozitën në Siri”.

Rusia dhe Irani mbështesin presidentin sirian Bashar al-Assad, ndërkaq Uashingtoni dhe aleatët, mbështesin grupet rebele në këtë konflikt.

Aplikuesve për viza amerikane do t’iu kërkohet historia në mediat sociale

Ilustrim

Qeveria e Shteteve të Bashkuara planifikon të kërkojë historinë në mediat sociale nga gati secili që do të kërkojë të hyjë në Shtetet e Bashkuara.

Propozimet e Departamentit amerikan të Shtetit, të publikuara të premten, janë pjesë e politikës së presidentit Donald Trump për “verifikim ekstrem”.

Shumica e aplikuesve për viza emigrante dhe jomigrante do të duhet të listojnë në aplikacion të gjitha identitetet që kanë përdorur në mediat sociale në pesë vjetët e fundit.

Zyra për Menaxhim dhe Buxhet e SHBA-së ka 60 ditë kohë për t’i komentuar dhe miratuar propozimet.

Nëse miratohen, aplikuesve do t’iu kërkohet të tregojnë edhe numrat e telefonit që kanë përdorur në pesë vjetët e fundit, adresat e emaileve dhe udhëtimet ndërkombëtare.

Propozimet i mbështesin zotimet e Trumpit për të goditur migrimin e paligjshëm, për shkaqe të sigurisë. rel

Ambasadori amerikan: Rusia të ndryshojë qëndrim

“Nuk mund të luash teatër dhe as të dish kohën ideale”, thotë me të qeshur ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Rusi, Jon Huntsman.

Me këto komente, ai po i referohej një bisede telefonike të presidentit amerikan Donald Trump, javën e kaluar, me presidentin Vladimir Putin, gjatë së cilës ai e uroi udhëheqësin rus për rizgjedhjen.

Thirrja telefonike i kapi të papërgatitur këshilltarët e Shtëpisë së Bardhë, të cilët i kishin sugjeruar zotit Trump të mos nxitonte për ta uruar zotin Putin dhe nga ana tjetër, ngriti shpresa të rreme në Moskë se Shtetet e Bashkuara, mund të mos t’i bashkoheshin përpjekjes së bashkërenduar të dhjetra vendeve perëndimore, që u hakmorrën ndaj Rusisë për helmimin e ish-agjentit rus në Britani, për të cilin Londra fajëson Kremlinin.

Në një intervistë ekskluzive për Zërin e Amerikës, duke vlerësuar gjendjen e tanishme të marrëdhënieve midis Uashingtonit dhe Moskës, ambasadori Huntsman thotë se Presidenti Trump nuk e ka ndryshuar strategjinë e tij ndaj Rusisë.

FILE - U.S. President Donald Trump and Russia's President Vladimir Putin talk as Vietnam's President Tran Dai Quang, right, looks on, during the photo session at the APEC Summit in Danang, Vietnam, Nov. 11, 2017.
FILE – U.S. President Donald Trump and Russia’s President Vladimir Putin talk as Vietnam’s President Tran Dai Quang, right, looks on, during the photo session at the APEC Summit in Danang, Vietnam, Nov. 11, 2017.

“Mund t’ju them se, përsa kohë kam diskutuar me presidentin rreth Rusisë, që kur më kërkoi të bëhesha ambasador në Moskë, ai ka patur të njëjtën strategji, vazhdimin e dialogut, megjithë sfidat, dëshira e tij është ta mbajë gjallë dialogun”, thotë ambasadori Huntsman për Zërin e Amerikës.

Por, ai shton se presidenti Trump e ka bërë të qartë se “….pret që dialogu dhe takimet në nivel krerë shtetesh të bazohen në përparimin për çështjet më të rëndësishme. I ardhur nga sektori privat – dhe unë kam punuar me presidentë si Demokratë edhe Republikanë – mund t’ju them se ai është i prirur drejt arritjes së rezultateve. Ai do të dijë se ku po shkojmë, çfarë është bërë, çfarë përparimi është arritur, për shembull për Ukrainën, dhe për çështje të tjera si kjo. Ai është i orientuar drejt rezultateve dhe marrëdhëniet po ecin në këtë drejtim”.

Për një ambasador në qendër të një stuhie si të Luftës së Ftohtë, ai mbetet optimist.

Ai është i përgatitur për përgjigjen e Kremlinit për të dëbuar diplomatë amerikanë. “Pres që ata të përgjigjen me masa simetrike”, thotë ai. Dhe vetëm disa orë pas intervistës, ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov njoftoi se Rusia do të dëbojë një numër të njëjtë diplomatësh amerikanë.

Vazhdimi i Dialogut

Ambasadori Huntsman thotë se cilidoqoftë reagimi i Kremlinit, “është përgjegjësi e të dy vendeve të vazhdojnë dialogun, sado të vështira të jenë marrëdhëniet dypalëshe, ose çështjet e sigurisë rajonale”.

Dhe dialogu duhet të vazhdojë edhe pas zgjedhjeve të fundit në Rusi, për të cilat Ambasadori Huntsman thotë se nuk i ngjajnë aspak zgjedhjeve normale. “Nuk jam i sigurtë nëse ato mund të quhen zgjedhje”, thotë ai. “Unë kam kandiduar disa herë për poste publike dhe arrij t’i dallojë zgjedhjet kur ka të tilla, ku dominon debati intensiv, shtypi që i mbulon gjerësisht, ku flitet për çështjet kryesore. Nuk vura re dialog të madh këtu për çështjet më të rëndësishme”.

Zoti Huntsman thotë se ballafaqimi me Rusinë nuk do të përfundojë edhe nëse Kremlini i kufizon kundër-masat në një përgjigje simetrike. Çështjet që ndajnë Perëndimin nga Lindja nuk kanë të bëjnë vetëm me helmimin e ish-spiunit rus Sergei Skripal dhe vajzës së tij 33-vjeçare Yulia.

“Varet se çfarë nënkupton me rezultatin përfundimtar”, thotë ai. “Por një rezultat i suksesshëm do të ishte, që Rusia të tërhiqej nga aktivitetet keqdashëse dhe të bëhej një partner i përgjegjshëm”. Ai citon si shembull Sirinë, duke u ankuar se Rusia votoi pesë herë në Këshillin e Sigurimit kundër zhvillimit të hetimeve për përdorimin e armëve kimike nga Siria.

A police officer stands at a cordon around the bench where former Russian intelligence agent Sergei Skripal and his daughter Yulia were found after they were poisoned, in Salisbury, Britain, March 11, 2018.
A police officer stands at a cordon around the bench where former Russian intelligence agent Sergei Skripal and his daughter Yulia were found after they were poisoned, in Salisbury, Britain, March 11, 2018.

Besimi tek Britania

Në intervistat për shtypin rus, ai pyetet shpesh se përse Shtetet e Bashkuara i besojnë Britanisë, që pas përpjekjes për atentat ndaj Skripalit qëndron shteti rus.

Në intervistën për Zërin e Amerikës, ambasadori Huntsman thotë se “Besimi nuk është marrje e një vendimi, kë të besosh e kë jo. Ne jemi demokraci të pjekura. Ne kemi shoqëri të fuqishme civile, ne jemi vende të hapura, transparente, si Shtetet e Bashkuara edhe Britania. Në vendet tona nuk ndodh që të kryesh hetime pa patur shumë sy të interesuar që të ndjekin në çdo hap dhe gjatë tërë procesit. Ky është mjedisi në të cilin veprojmë ne. Barra i bie Britanisë të hetojë në këtë rast dhe të dalë me përfundimet e veta. Dhe pa dyshim që ka patur shkëmbim të ngushtë informacioni, kjo është mënyra si funksionojnë shërbimet e rendit”.

Ai beson se në të ardhmen do të mësohet shumë më tepër.

Por, edhe mes këtij ballafaqimi diplomatik, që shumë njohës me përvojë e krahasojnë me pikat më të ulta të marrëdhënieve gjatë viteve të Luftës së Ftohtë, ambasadori Huntsman thotë se Shtetet e Bashkuara duhet të vazhdojnë angazhimin me Rusinë sa më mirë që të munden, duke kërkuar ndryshime dhe përmirësime. “Për ata që mendojnë se nuk ka mbetur asgjë, kjo nuk është e vërtetë”, thekson ai.

Ai shton se do të ishte papërgjegjshmëri e madhe nëse nuk do të vazhdonte dialogu me Rusinë për çështje të tilla të stabilitetit strategjik, si kontrolli i armëve, paqja dhe stabiliteti në Lindjen e Mesme, dhe konflikti në Siri, i cili, thotë ai “….duhet të zgjidhet, si nga ana e luftimeve, edhe nga formimi i qeverisë më pas”.

Por, ai e pranon se një zgjidhje e shpejtë nuk është realiste. “Shpresat shuhen, marrëdhëniet prishen, e kemi parë këtë skenar shpesh herë. Vëmendja duhet të përqëndrohet tek interesat e përbashkëta, aty ku ato takohen dhe mbi to të fillojë dialogu”.

Ndihmësi i Trumpit “në kontakt të vazhdueshëm me ish-spiunin rus”

Rick Gates, zyrtar i lartë i fushatës së presidentit amerikan, Donald Trump.

Një zyrtar i lartë i fushatës së presidentit amerikan, Donald Trump, ka qenë në kontakt të vazhdueshëm, gjatë javëve të fundit të garës presidenciale më 2016, me një bashkëpunëtor biznesi, i cili ka qenë ish-zyrtar i inteligjencës ruse.

Lidhja midis ish-zëvendësudhëheqësit të fushatës së Trumpit, Rick Gates, dhe ish-zyrtarit të inteligjencës ruse u zbulua në dokumentet e gjykatës, të paraqitura nga këshilltari i posaçëm, Robert Mueller. Ky i fundit e identifikon rusin vetëm si “personi A” dhe thotë se ai ka punuar për fushatën e Trumpit.

Gazeta New York Times, duke cituar, siç thotë, një person të afërt me çështjen, e identifikoi “personin A” si Konstantin Kilimnik, bashkëpunëtor i ish-udhëheqësit të fushatës së Trumpit, Paul Manafort, edhe gjatë fushatës zgjedhore, edhe gjatë kohës kur Manafort ka punuar për Qeverinë e presidentit pro-rus të Ukrainës, Viktor Yanukovych.

Dokumentet e gjykatës thonë se Gates ka pranuar thirrje të shpeshta telefonike nga “personi A” në shtator dhe tetor të 2016-ës, disa javë përpara zgjedhjeve të nëntorit.

Sipas dokumenteve, FBI beson se “personi A” ka pasur lidhje aktive me shërbimet e spiunimit në Rusi në atë kohë.

Manafort e ka mohuar se Kilimnik ka pasur lidhje me inteligjencën ruse. Por dokumentet e gjykatës thonë se Gates i ka thënë një bashkëpunëtori se “personi A” ka qenë oficer i inteligjencës ushtarake ruse.

Mueller ka akuzuar edhe Gatesin, edhe Manafortin për krime të dyshuara, por që nuk lidhen me kontaktet e tyre me ish-operativin e inteligjencës ruse.

Gates, muajin e kaluar, ka pranuar se ka gënjyer FBI-në dhe se ka bërë konspiracion për të mashtruar Shtetet e Bashkuara. Ai tani është duke bashkëpunuar me ekipin e Muellerit, i cili po heton lidhjet midis Rusisë dhe fushatës së Trumpit.

Paul Manafort
Paul Manafort

Kilimnik, vendndodhja e të cilit aktualisht nuk dihet, ka mohuar se ka pasur lidhje me inteligjencën ruse.

The Washington Post, Associated Press dhe media të tjera kanë raportuar vitin e kaluar se Kilimnik, gjatë fushatës presidenciale në SHBA, ka vepruar si ndërmjetës midis Manafortit dhe manjatit rus të aluminit, Oleg Deripaska, aleat i afërt i presidentit rus, Vladimir Putin.

Mediat kanë raportuar se Manafort i ka ofruar Deripaskas informacione në lidhje me përparimin e fushatës së Trumpit.

Manafort nuk e ka pranuar fajësinë për akuzat, disa prej të cilave lidhen me punën e tij për qeverinë e Yanukovychit, i cili është përmbysur nga protestat dhe ka ikur në Rusi në vitin 2014.

Përgatiti: Valona Tela

Presidenti Trump reagon për Amendamentin e Dytë të Kushtetutës

Në një postim në twiter Presidenti Donald Trump tha sot se “Amendamenti i Dytë i Kushtetutës amerikane nuk do të shfuqizohet!

Ai tha se megjithë dëshirën e demokratëve që kjo të ndodhë dhe pavarësisht fjalëve të ish-anëtarit të Gjykatës së Lartë John Stevens, kjo nuk ka për të ndodhur. “Kemi nevojë për më shumë republikanë në vitin 2018 dhe duhet ta mbajmë Gjykatën e Lartë“, tha zoti Trump.

Një ditë më parë. ish anëtari i Gjykatës së Lartë John Paul Stevens, bëri thirrje për shfuqizimin e “Amendamentit të Dytë”, duke përmendur si shtysë për këtë, protestat në përgjigje të ngjarjes vdekjeprurëse në një shkollë të mesme në Parkland të Floridës.

Në një shkrim në gazetën New York Times të publikuar dje, 97-vjeçari Stevens shkruante se një amendament kushtetues për këtë çështje, do të ndihmonte më shumë në drejtim të dobësimit të aftësive të Shoqatës Kombëtare të Armëve (NRA) për të penguar debatin legjislativ dhe bllokuar legjislacionin lidhur me kontrollin e armëve.

Zoti Stevens u largua nga gjykata në vitin 2010, pas më shumë se 35 vjetësh në detyrë.

Ndërkohë sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Sarah Huckabee Sanders tha se administrata Trump është përqendruar në heqjen e armëve nga individë të rrezikshëm, “pa u hequr të gjithë amerikanëve të drejtën e tyre kushtetuese”.

Shfuqizimi i “Amendamentit të Dytë” do të ishte shumë i vështirë. Një amendim i kushtetutës mund të propozohet vetëm nga Kongresi me dy të tretat e votave të të dyja dhomave ose me një Konventë Kushtetuese të kërkuar nga dy të tretat e ligjvënësve të të gjithë shteteve. Në mënyrë që të hyjë në fuqi, amendimi duhet të miratohet nga tre të katërtat e shteteve.

Përpjekje për dëshmi rreth marrëdhënies së Presidentit Trump dhe aktores pornografike

Në SHBA, avokati i aktores së filmave pornografikë Stormy Daniels po i kërkon një gjykate federale që ta detyrojë Presidentin Donald Trump të deponojë nën betim rreth aferës së dyshuar që ajo thotë se ka patur me zotin Trump gjatë një nate të vitit 2006.

Avokati Michael Avenatti e paraqiti kërkesën sot në një gjykatë të Kalifornisë. Ai kërkoi deponim edhe nga avokati personal i zotit Trump, Michael Cohen, i cili në prag të zgjedhjeve të vitit 2016 i pagoi aktores 130 mijë dollarë që ajo të mos fliste rreth marrëdhënies, për të cilën Daniels thotë se ndodhi gjatë një turneu golfi në Nevada.

Avenatti thotë se dëshiron të dijë nëse zoti Trump kishte dijeni për pagesën dhe nëse kishte rënë dakord që pagesa të bëhej.

Seanca dëgjimore për të shqyrtuar kërkesën e tij është caktuar për në datën 30 prill.

Zoti Trump, i cili komenton shpesh në Twitter për çështje nga më të ndryshmet, nuk ka folur rreth zonjës Daniels, edhe pse ndihmësit e tij thonë se ai i mohon të gjitha akuzat, duke përfshirë edhe akuzën se në vitin 2011 aktorja dhe vajza e saj u kërcënuan pas një interviste që ajo dha për çështjen në fjalë.

Shtëpia e Bardhë nuk ka pranuar t’u përgjigjet pyetjeve në lidhje me pagimin e 130 mijë dollarëve, duke i referuar gazetarët te avokati Cohen. Zoti Cohen thotë se i ka paguar paratë nga një linjë personale krediti.

Kritikët e Presidentit Trump thonë se pagesa për zonjën Daniels përbënte në fakt një donacion të paligjshëm fushate, për shkak se u bë shumë pranë zgjedhjeve dhe se shuma i kalonte kufijtë e lejuar në fushatat politike. za

Trump: Kim mezi po pret të takohet me mua

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump ka thënë se takimi historik në mes të liderëve të Kinës dhe Koresë së Veriut ka shkuar “shumë mirë” dhe se lideri verikorean, Kim Jong Un i etur të mbajë samit me Trumpin.

“Kam pranuar mesazh mbrëmë nga presidenti i Kinës, Xi Jingping se takimi i tij me Kim Jong Un ka shkuar shumë mirë dhe se Kim po pret të takohet me mua”, ka shkruar Trump në Twitter.

“Në ndërkohë, fatkeqësisht, maksimumi i sanksioneve dhe presionit duhe të vazhdojë”, ka shtuar Trump.

Pas disa ditësh spekulimesh është konfirmuar se udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un ka vizituar Kinën.

Ai është takuar me liderin kinez, Xi Jingping në Pekin, ka raportuar agjencia kineze e lajmeve Xinhua.

Kina është aleatja kryesore ekonomike e Koresë së Veriut.

Kjo është vizita e parë e Kim jashtë vendit, prejse ai ka marrë detyrën më 2011.

Rusia “synoi ta ndajë” Perëndimin

Helmimi i një ish-spiuni rus në Britani është pjesë e strategjisë së Kremlinit për të ndarë Perëndimin, duke kryer operacione të fshehta dhe pastaj duke nxitur dyshime dhe mosmarrëveshje rreth asaj se kush është përgjegjës, tha sekretari amerikan i Mbrojtjes, James Mattis.

Një ditë pasi dhjetëra qeveri në gjithë botën njoftuan për dëbimin e 144 diplomatëve rusë për shkak të helmimit, Mattis tha se mohimi i përgjegjësisë nga ana e presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, për “tentim-vrasjen” e Sergei Skripalit dhe vajzës së tij, Yulia, në Sallsbëri të Anglisë, nuk mund të merret seriozisht.

Mattis tha se incidenti në Sallsbëri ka përfshirë përdorimin e qartë të një “arme të shkatërrimit në masë”, të cilën Qeveria britanike e ka identifikuar si agjenti nervor Novichok, i prodhuar në Rusi gjatë Luftës së Ftohtë.

Sipas zyrtarit amerikan, strategjia e Rusisë ka nisur të shihet qysh në vitin 2014 në Ukrainë, kur Moska ka dërguar njerëz të armatosur në Krime pa shenja identifikimi.

Rusia, shtoi Mattis, ka vazhduar më pas me përpjekjet e fshehta për të ndikuar zgjedhjet presidenciale në SHBA, më 2016.

“Ajo i heq shenjat e uniformave të ushtarëve dhe hyn në Krime. Ajo thotë se nuk ka të bëjë asgjë me separatistët në lindje të Ukrainës”, tha Mattis, duke iu referuar Rusisë.

“Nuk jam i sigurt se si mund ta thonë këtë pa i ndryshuar shprehjet në fytyrë, por bëjnë gjëra që besojnë se mund t’i mohojnë”, tha Mattis.

NATO iu bashkua dhjetëra qeverive që kanë dëbuar diplomatët rusë nga ambasadat dhe misionet e tyre.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se dëbimet do t’i dërgojnë mesazh Rusisë se ka “kosto dhe pasoja për sjelljen e papranueshme”.

Udhëheqësit britanikë thanë se dëbimi i diplomatëve rusë “është një pikë e mundshme kthese”, ndërsa Rusia tha se e gjithë kjo është rezultat i presionit “kolosal” nga Shtetet e Bashkuara dhe u zotua se do të përgjigjet.

Stoltenberg tha se NATO do të mbetet “e hapur për dialog me Rusinë”, ndërsa Mattis tha se Rusia “ka ende potencial që të jetë partner me Evropën”.

Përgatiti: Valona Tela

SHBA dënojnë ngjarjet e së hënës në Mitrovicë

Shtetet e Bashkuara thanë se dënojnë me forcë ngjarjet e së hënës në Mitrovicë, që sipas tyre rrisin në mënyrë të panevojshme tensionet dhe kërcënojnë stabilitetin rajonal.

Në një deklaratë të lëshuar të martën nga zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit Heather Nauert, SHBA u bëjnë thirrje të gjitha palëve “që të shmangin përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës si dhe të veprojnë me qetësi për t’i zgjidhur mosmarrëveshjet në mënyrë paqësore.”

“Për të krijuar paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm në Ballkan, – thuhet në deklaratë, – Kosova dhe Serbia duhet të përqëndrohen në normalizimin e marrëdhënieve nëpërmjet Dialogut të udhëhequr nga Bashkimi Evropian.”

“Shtetet e Bashkuara, – përfundon deklarata e Departamentit të Shtetit, – janë të gatshme të mbështesin të gjitha palët në bisedimet e Dialogut.”

Ndërkohë, presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç, tha nëpërmjet një komunikate se ka biseduar në telefon me ndihmës sekretarin amerikan të shtetit Wess Mitchell për zhvillimet e djeshme.

“Të dy bashkëbiseduesit janë pajtuar se ruajtja e paqes është parakusht për vazhdimin e çfarëdo bisedimesh për të ardhmen e rajonit”, thuhet në një komunikatë të zyrës së presidentit serb.

Të hënën, njësitë e policisë së Kosovës ndërhynë në veri për të shpërndarë një tubim ku merrnin pjesë zyrtarë serbë që kishin hyrë në Mitrovicë me gjithë ndalesën nga autoritetet e Prishtinës.

Policia arrestoi dhe e dërgoi në Prishtinë shefin e zyrës serbe për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, i cili bashkë me sekretarin e përgjithshëm të presidentit të Serbisë, Nikola Selakoviç, kishin hyrë në Mitrovicë jashtë rrugëve të ligjshme.

Policia përdori gazin lotsjellës për të shpërndarë të tubuarit.

Mark Zuckerbergu ftohet të dëshmojë para senatit amerikan

Komiteti Gjyqësor i Senatit amerikan ka thënë të hënën se ka ftuar shefat ekzekutivë të Facebookut dhe Twitterit për të dëshmuar më 10 prill në një seancë për privatësinë e të dhënave, transmeton Reuters.

Udhëheqësi i komitetit, senatori, Charles Grassley, ka thënë se ka ftuar kryesuesin e Facebookut, Mark Zuckerberg, “për të dëshmuar në gjykatë që të diskutojë për politikat e të kaluarës dhe të ardhmes së këtij rrjeti social duke marrë parasysh mbrojtjen dhe vëzhgimin e të dhënave të konsumatorëve”.

Facebook është duke u përballur me presion nga reklamuesit pas skandalit se një firmë politike konsulente ka pasur qasje në të dhënat e rreth 50 milionë përdoruesve.

Një zëdhënës i Facebook ka thënë se kompania ka pranuar ftesën dhe është duke e shqyrtuar atë.

Trumpi autorizon dëbimin e 60 agjentëve të dyshuar rusë nga SHBA

Presidenti amerikan Donald Trump autorizoi dëbimin e 60 agjentëve të dyshuar rusë nga Shtetet e Bashkuara në përgjigje të një sulmi me agjent nervor ndaj një ish-spiuni rus në qytetin anglez të Salisburyt.

Zyrtarët e lartë të administratës thanë se 48 “oficerë të njohur të zbulimit” në konsullatën ruse në Seattle dhe 12 të tjerë në misionin rus në Kombet e Bashkuara kanë shtatë ditë afat për t’u larguar nga vendi.

Shtetet e Bashkuara e ndërmarrin këtë veprim së bashku me aleatët dhe partnerët tanë në gjithë botën, si përgjigje ndaj përdorimit nga ana e Rusisë të armëve kimike për përdorim ushtarak në tokën Britanike“, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Sarah Sanders.

Polonia, Gjermania dhe Lituania njoftuan gjithashtu se edhe ato po dëbojnë diplomatë rusë lidhur me helmimin në Britani.

Irani: I turpshëm emërimi i Boltonit

John Bolton

Irani ka kritikuar vendimin e presidentit amerikan, Donald Trump për të emëruar ish-ambasadorin në OKB, John Bolton në postin e këshilltarit për siguri kombëtare, përderisa një zyrtar ka thënë se ky emërim është “i turpshëm” dhe është shenjë se Uashingtoni dëshiron që të rrëzojë Qeverinë në Teheran.

Një zëdhënës i Boltonit i ka quajtur këto deklarata si “propagandë”.

Ali Shamkhani, sekretar i Iranit në Këshillin për Siguri Kombëtare, ka bërë një referencë se Bolton ka marrë pjesë në një takim të grupit opozitar iranian më 2017, grupit Muxhahedinët e Popullit iranian (MEK). Ky grup është në ekzil dhe mbështet rrëzimin e udhëheqësisë së Iranit.

Agjencia e lajmeve Fars ka cituar Shamkhanin të ketë thënë më 25 mars se për “për një superfuqi, është e turpshme që këshilltari për siguri kombëtare merr pagë nga grupe terroriste”. Megjithatë, ai nuk ka ofruar asnjë dëshmi për pretendimet e tij dhe MEK ka mohuar se ka financuar Boltonin apo ndonjë zyrtar tjetër amerikan.

Gjithashtu, Hossein Naghani Hosseini, zëdhënës në komitetit parlamentar për siguri kombëtare dhe politikë të jashtme, i ka thënë agjencisë ISNA se emërimi i Boltonit, si dhe i ish-shefit të CIA-s, Mike Pompeo në postin e Sekretarit të Shtetit, “dëshmon se qëllimi final i SHBA-së është që të rrëzojë Qeverinë iraniane”.

Ai ka pretenduar se SHBA-ja do të përdorë grupin MEK për të tentuar që të rrëzojë nga pushteti lidershipin teokratik në Teheran. Megjithatë, edhe ai nuk ka ofruar asnjë dëshmi për pretendimet e tij.

Zëdhënësi i Bolton, Garret Marquis, ka thënë se Bolton “nuk i përgjigjet propagandës që vjen nga një Qeveri që për një kohë të gjatë është në listën e SHBA-së për shtetet që sponzorisojnë terrorizmin”.

Në Paris, zëdhënësi i MEK-ut,Shahin Ghobadi ka thënë se pretendimet se grupi i tij “ka financuar ambasadorin Bolton apo ndonjë zyrtar tjetër amerikan, janë thjesht gënjeshtra dhe shaka”.

Bolton në të kaluarën ka avokuar për ndryshim të regjimit në Iran dhe ka kundërshtuar ashpër marrëveshjen bërthamore me Iranin, përmes së cilës, Teheranit i lehtësohen sanksionet, në këmbim të kufizimit të programit bërthamor.

Në fjalimin e tij në korrik në mbledhjen e MEK-ut, Bolton kishte shprehur shpresën e tij se Qeveria e Iranit do të rrëzohej “më 2019”.

Presidenti Trump ka njoftuar më 22 mars se Bolton do të emërohet këshilltar për siguri kombëtare në vend të H.R. McMaster.Bolton, 69-vjeç, ka qenë kritikues i madh i politikave të jashtme të Partisë Republikane. Ai ka avokuar për sulme ushtarake parandaluese kundrejt Koresë së Veriut dhe sulme në Iran.

Ai ka shërbyer në administratën e Ronald Reagan, George Bush dhe George W.Bush.

Qëndrimet e tij mbi marrëveshjen e Iranit duket se janë në një linjë me ato të Trumpit, i cili është kritikues i madh i marrëveshjes.

Trump vazhdimisht ka thënë se marrëveshja bërthamore e arritur më 2015 është e keqe dhe ka kërkuar që ajo të “rregullohet” deri më 12 maj, në të kundërtën, Uashigtoni do të tërhiqet nga ky pakt.

Përgatiti: Mimoza Sadiku

Trumpi mund të dëbojë diplomatët rusë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump mund të jetë në pragë të marrjes së vendimit për të dëbuar të paktën 20 diplomatë rusë, në kundërpërgjigje ndaj helmimit të ish-spiunit rus në Britani, kanë raportuar mediat.

CNN dhe Reuters kanë thënë se vendimi mund të merret më 26 mars dhe se ky vendim me gjasë mund të varet nga lëvizjet e aleatëve evropianë, në përgjigje ndaj sulmit me agjent nervor në qytetin Salisbury të Britanisë.

Ish-spiuni rus, Sergei Skripa dhe vajza e tij Yulia, ishin gjetur pa ndjenja më 4 mars dhe vazhdojnë të jenë në gjendje kritike.

Zyrtarët britanikë thonë se “ka gjasa të mëdha” që Moska qëndron pas këtij sulmi, qëndrim të cilin e ka shprehur edhe Bashkimi Evropian.

Londra ka dëbuar 23 diplomatë rusë në përgjigje të helmimit. Moska ka mohuar çdo përfshirje dhe është kundërpërgjigjur duke dëbuar 23 diplomatë britanikë nga Rusia.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Raj Shah ka thënë se Uashingtoni po e konsideron mundësinë e dëbimit të diplomatëve, por nuk ka dhënë më shumë detaje.

“Shtetet e Bashkuara qëndrojnë përkrah Mbretërisë së Bashkuara në dënimin e veprimeve të Rusisë. Presidenti gjithmonë e konsideron mundësinë për të mbajtur përgjegjëse Rusinë për veprimet keqdashëse”, ka thënë ai.

Agjencitë e lajmeve kanë cituar më 20 mars një burim në Departamentin amerikan të Shtetit të ketë thënë se Këshilli për Siguri Kombëtare i Trumpit i ka dhënë presidentit një sërë masash që mund të marrë kundrejt Rusisë. Mediat kanë raportuar se Moska pritet që të kundërpërgjigjet në të njëjtën mënyrë, nëse SHBA-ja dëbon diplomatët.

Çdo lëvizje e SHBA-së do të ishte në kundërthënie të dëshirës së shprehur të Trumpit për të përmirësuar marrëdhëniet me Rusinë.

Javën e kaluar, Trump kishte telefonuar presidentin rus, Vladimir Putin për t’i uruar fitoren në zgjedhje, por gjatë kësaj bisede ai nuk kishte përmendur helmimin në Britani.

SHBA në 19 vite e ka ndihmuar Kosovën me 1.8 miliard dollarë

Në ditën e fundit të vizitës së saj zyrtare në Washington, ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj, u prit në takime të ndara nga zyrtarë të lartë të Departamentit për Marrëdhënie me Evropën Jugore dhe Qendrore, zyrtarë të lartë të Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit si dhe të Byrosë për Burimet e Energjisë.

 

Reshitaj, në takimin e parë u prit nga DepHan Goodman, zyrtar i Lartë për Kosovë, Louis Crishock, zyrtar për Diplomaci Energjetike pranë Byrosë për Burimet e Energjisë si dhe Justin Heung, zyrtar Ekonomik pranë Departamentit për Marrëdhënie me Evropën Jugore dhe Qendrore.

Në këtë takim, Reshitaj ka shprehur vizionin e saj për mjedisin dhe prioritetet qeverisëse, angazhimin për të bërë publikun të vetëdijshëm për rëndësinë e energjisë së ripërtërishme.

Ajo falënderoi shtetin amerikan për përkrahjen e vazhdueshme për Kosovën dhe kërkoi përkrahje në fushën e promovimit dhe subvencionimit të ekonomisë së gjelbër, miqësore me mjedisin.

Nga ana tjetër, zyrtarët e lartë të DASH-it deklaruan se SHBA-ja i ka dhënë Kosovës për 19 vitet e fundit 1.8 miliard dollarë.

“Kjo ndihmë do të vazhdojë edhe në të ardhmen në shumë fusha duke përfshirë programin e shkencëtareve të rinj ku përmes Ambasadës Amerikane vitin e ardhshëm do të sjellim në Kosovë ekspertë për fusha të caktuara që pala Kosovare i identifikon si të nevojshëm”, deklaruan ndër të tjera zyrtarët amerikanë.

Në fund të takimit palët u zotuan që do të intensifikojnë veprimet e përbashkëta në nxitjen e investimeve kapitale në zhvillimin e qëndrueshëm të vendit dhe mbrojtjen e mjedisit në veçanti.

Në takim me zyrtarët e Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit, ministrja Reshitaj kërkoi përkrahje për Agjencinë e Kosovës për Mbrojtjen e Mjedisit, në ngritjen e kapaciteteve, ruajtjen e ekosistemeve, florës e faunës.

Gjatë vizitës zyrtare të saj në Washington, Reshitaj mori përkrahje nga zyrtarë të lartë të SHBA-së në fushën e mjedisit dhe planifikimit hapësinor.

Trump: Të ashpërsohet lufta kundër ISIS-it

Presidenti amerikan Trump tha se në botë ekziston “aq guxim i madh” në luftën kundër DEASH-it (ISIS), por se “janë të domosdoshme masa më të rrepta, kryesisht në kufi”

TREBES – Presidenti i SHBA-së Donald Trump ka thënë se sulmi i fundit vdekjeprurës në jug të Francës ka treguar nevojën për masa më të rrepta në luftën kundër organizatës terroriste DEASH.

Trump ka shkruar sot me rastin e nderimit të oficerit Arnaud Beltrame në Francë, i cili dha jetën e tij për të shpëtuar një peng gjatë sulmit terrorist të premten.

Trump në llogarinë e tij në Twitter shkroi se në botë ekziston “aq guxim i madh” në luftën kundër DEASH-it, por se “janë të domosdoshme masa më të rrepta, kryesisht në kufi”.

Beltrame të premten iu ofrua sulmuesit të armatosur 25-vjeçar, Redouane Lakdim, në këmbim të një gruaje penge. Ai me sukses la telefonin e tij celular të hapur, ashtu që policia të mund të dëgjonte jashtë se çfarë po ndodhte në market.

Zyrtarët thanë se kur dëgjuan të shtënat në market, ata vendosën të sulmonin Lakdim duke e vrarë atë me armë zjarri.

Beltrame u plagos rëndë dhe vdekja e tij rriti numrin e viktimave në katër, ndërsa 15 persona u plagosën.

Organizata terroriste DEASH mori përgjegjësinë për sulmin më të përgjakshmen që kur Emmanuel Macron u bë president i Francës në maj të vitit të kaluar. aa

Në SHBA kundërshtohet plani për nderimin e pilotëve sovjetikë

Ilustrim i forcave amerikane dhe atyre sovjetike në luftën kundër nazistëve.

Në një qytet të Karolinës Veriore është anuluar plani për vendosjen e një monumenti në shenjë nderimi për pilotët sovjetikë të Luftës së Dytë Botërore.

Ministria e Mbrojtjes në Rusi është duke synuar vendosjen e monumentit 25 tonësh në qytetin Elizabetë, i cili gjendet afër selisë së misionit sekret të Luftës së Dytë Botërore të ashtuquajtur “Projekti Zebra”.

Në këtë projekt kanë qenë pjesëmarrës qindra pilotë sovjetë në të cilin janë trajtuar forcat amerikane dhe ato sovjetike kur kanë qenë aleate në luftën e tyre kundër nazistëve.

Mirëpo qyteti ka votuar kundër një memorandumi mirëkuptimi i cili ishte nënshkruar më herët, duke thënë se ky hap është marrë për shkak të konflikteve në mes të dy shteteve.

“E kuptoj ky është gjest nderimi për heronjtë e Luftës së Dytë Botërore dhe ne kemi amerikanë që kanë luftuar në këtë kohë që janë varrosur në Rusi. Mirëpo koha ka qenë ndryshe atëherë”, ka thënë anëtarja e këshillit, Anita Hummer.

Këshilli paraprak i qytetit ka miratuar vitin e kaluar në mënyrë unanime vendosjen e monumentit.

Mirëpo këshilli i ri ka refuzuar një gjë të tillë.

“Ne jemi në luftë me Rusinë. Ne jemi duke u përballur me luftë kibernetike. Ata kanë ndërhyrë në zgjedhjet tona”, ka thënë një banore që është deklaruar kundër planit për vendosjen e monumentit.

Në projektin Zebra që ishte informacion i klasifikuar deri më 2013, janë trajnuar rreth 300 pilotë sovjetikë në kuadër të misionit për të gjetur dhe bombarduar nëndetëset gjermane.

Presidenti Trump përballet me sfida ligjore dhe politike nga akuzat e grave

Stormy Daniels

Aktorja e filmave pornografikë, Stormy Daniels, pritet të flasë sot rreth marrëdhënies me Presidentin Donald Trump, në emisionin “60 minuta” të kanalit CBS. Presidenti Trump ka mohuar të kenë patur marrëdhënie që sipas zonjës Daniels ndodhi në vitin 2006. Ajo është një nga tre gratë që gjenden tashmë në procese gjyqësore rreth marrëdhënieve me zotin Trump, të cilat mund të shkaktojnë shpërqëndrim të mëtejshëm për Shtëpinë e Bardhë, të përfshirë në turbullira politike në disa fronte.

Njihet si Stormy Daniels, por emri i saj i vërtetë është Stephanie Clifford.

Ajo kërkon shfuqizimin e një marrëveshjeje të nënshkruar me një avokat të zotit Trump ku i ndalohet të tregojë rreth marrëdhënies.

“Dëshiron që t’i tregojë popullit amerikan historinë e saj, versionin e saj të fakteve”, thotë avokati i saj, Michael Avenatti.

Edhe ish-modelja e revistës Playboy, Karen McDougal, ka filluar një proces gjyqësor ku kërkon mundësinë që të flasë rreth marrëdhënies së saj 10-mujore me zotin Trump, të filluar në vitin 2006.

Presidenti Trump përballet edhe me një padi për shpifje nga Summer Zevos, ish-pjesëmarrëse në spektaklin e drejtuar prej tij, “The Apprentice”. Ajo e ka akuzuar zotin Trump për qasje të padëshiruara seksuale në vitin 2007.

Gjatë fushatës presidenciale në vitin 2016, zoti Trump mohoi akuzat e rreth 12 grave për sjellje të papërshtatshme seksuale.

“Nuk ja kam idenë se kush janë këto gra. Nuk e di fare. Mendoj se e kuptoni, pasi më keni kuptuar prej vitesh. OK?”, deklaroi atëherë zoti Trump.

Ai fitoi presidencën pavarësisht se u bë publike kaseta e “Access Hollywood” vetëm pak javë përpara zgjedhjeve. Në kasetë pati komente të shumta vulgare për gratë, për të cilat zoti Trump kërkoi ndjesë më vonë.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë është përballur me pyetje të shumta për shkak të padive gjyqësore dhe intervistave të Stormy Daniels.

“Presidenti e ka bërë të qartë drejtpërsëdrejti se asnjë nga aludimet nuk janë të vërteta”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Huckabee Sanders.

Nëse paditë gjyqësore vazhdojnë, Presidenti do të përballet me sfida ligjore dhe politike.

“Me vazhdimin e proceve gjyqësore, ose duhet mohuar gjithçka duke ulur besueshmërinë, ose duhet të pranosh që pati diçka për të cilën nuk duhet folur; të dyja janë të dëmshme”, thotë David Abraham, i Universitetit të Majamit.

Zonja e Parë, Melania Trump, e shoqëroi Presidentin gjatë një vizite rishtazi në New Hampshire, por ajo nuk është prononcuar për paditë gjyqësore.

“Marshojmë Për Jetët Tona” – tubim në Uashington

Qindra mijëra vetë pritet të marrin pjesë në tubimin “Marshojmë Për Jetët Tona” në sot në Uashington.

Tubimi është organizuar nga nxënësit e shkollës së mesme Marjory Stoneman Douglas në Parkland të Floridës, ku 17 persona u vranë më 14 shkurt në ngjarjen e fundit të vrasjeve masive në shkollat amerikane.

Organizatorët po kërkojnë që jeta e fëmijëve të bëhet prioritet për vendin. Ata po kërkojnë gjithashtu t’i jepet fund epidemisë së incidenteve me armë në shkollat amerikane.

Më shumë se 800 marshime të ngjashme janë planifikuar në secilin prej 50 shteteve të Shteteve të Bashkuara dhe në mbarë botën.

Jennifer Smith, një amerikane që jeton në Australi dhe një organizatore e manifestimit “Marshojmë për Jetën Tonë” në Sidnei, tha të shtunën: “Kur i dërgoj fëmijët e mi në shkollë nuk kam pse të shqetësohem se do t’u duhet të bëjnë praktikë për rastin e një sulmi me armë … Ne ende kemi familje dhe miq në Shtetet e Bashkuara dhe kjo është shpresa ime për të gjithë ata, që të gjithë, pavarësisht nëse janë nxënës që ndjekin shkollën ose thjesht një koncert, nuk duhet të kenë frikë për jetët e tyre“.

Amerikanët kanë hezituar të heqin dorë nga armët dhe ka pasur pak ndryshime në ligjet e armëve në përgjigje të të shtënave masive.

Një sondazh i ri i kryer nga Associated Press dhe Qendra për Kërkime të Marrëdhënieve Publike -NORC, tregon megjithatë se kjo ndjenjë mund të ndryshojë. Sondazhi tregon se 69 për qind e amerikanëve të anketuar mendojnë se ligjet e tanishme të armëve duhet të jenë më strikte, nga 61 për qind në tetor të vitit 2016 dhe 55 për qind në tetor të vitit 2013.

Në përgjithësi, anketimi tregoi se 90 për qind e demokratëve, 50 për qind e republikanëve dhe 54 për qind e pronarëve të armëve tani favorizojnë ligje më të rrepta të kontrollit të armëve.

Por, sipas sondazhit, gati gjysma e amerikanëve, nuk presin që politikanët e tyre të ndërmarrin veprime drejt ndryshimit të ligjeve të armëve.

Nxënësit aktivistë, megjithatë, kanë filluar të përqëndrohen në regjistrimin e votuesve për zgjedhjet e mesmandatit në Kongres që zhvillohen në vjeshtë.

Faqja e internetit “Marshojmë për Jetën Tonë” njofton se ka arritur pothuajse qëllimin e saj për të grumbulluar 3.8 milion dollarë fonde.

Aktori George Clooney dhe bashkëshortja e tij, Amal Clooney, një avokate, i dhanë organizatorëve të aktivitetit “Marshojmë për Jetët Tona një donacion prej 500,000 dollarë, i cili u përputh nga aktorja dhe personaliteti televiziv Oprah Winfrey, regjisori Steven Spielberg dhe producenti Jeffrey Katzenberg. Komediania Ellen DeGeneres dhe kompania fotografike Shutterfly njoftoi një donacion të përbashkët prej 50,000 dollarësh. Modelja Chrissy Teigen dhe bashkëshorti i saj muzikant John Legend, premtuan 25,000 dollarë.

Çifti Clooney, komediani Jimmy Kimmel, këngëtarët Ariana Grande, Miley Cyrus, Demi Lovato, dhe Bebe Rexha si dhe aktoret Jennifer Hudson, Sofia Vergara dhe Julie Bowen kanë shprehur synimin për të ndjekur marshimin e sotëm në Uashington.

Trumpi ndalon transgjinorët në ushtri

Presidenti Donald Trump ka nxjerrë një urdhër që ndalon shumicën e transgjinorëve që të shërbejnë në ushtri, me përjashtim të “rrethanave të kufizuara”.

Në një deklaratë të premten në mbrëmje nga Shtëpia e Bardhë thuhet se sekretarët e mbrojtjes dhe sigurimit “kanë arritur në përfundimin se aderimi ose mbajtja e individëve me një histori ose diagnozë të disforisë gjinore – ata që mund të kërkojnë trajtim të konsiderueshëm mjekësor, paraqesin rrezik të konsiderueshëm për efektivitetin ushtarak “.

Presidenti premtoi vitin e kaluar të bllokonte transgjinorët të shërbenin në ushtri, një lëvizje që përmbyste politikën e presidentit Barak Obama për pranimin e tyre.

Lëvizja e presidentit Trump megjithatë është bllokuar nga disa sfida ligjore, dhe Pentagoni filloi të lejonte rekrutët transgjinorë që të regjistroheshin në ushtri në janar.

“Disforia gjinore”, e njohur dikur si çrregullim i identitetit gjinor, përcaktohet nga ndjenjat e forta dhe të qëndrueshme të identifikimit me gjininë e kundërt, gjë që rezulton në shqetësime apo dëme të konsiderueshme.

Trumpi firmos ligjin për buxhetin

Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi të premten se ka nënshkruar projekt-ligjin e Kongresin që parashikon 1.3 trilonë dollarë shpenzime duke financuar qeverinë deri në 30 shtator dhe duke shmangur një orë mbyllje të qeverisë.

Nënshkrimi erdhi disa orë pasi zoti Trump kishte kërcënuar të vendoste veton ndaj projekt-ligjit duke fajësuar demokratët. Në një mesazh në twiter më herët gjatë ditës presidenti shkruante se projekt-ligji nuk ofronte mbrojtje për emigrantët e rinj pa dokumente të cilët kanë mbërritur në SHBA kur kanë qenë fëmijë dhe se nuk financon plotësisht murin kufitar me Meksikën.

Ligji i ri i buxhetit parashikon rritje të mëdha të shpenzimeve ushtarake dhe atyre jo-ushatarake. Ai i jep fund përpjekjeve të gjata të Kongresit që nga vjeshta e kaluar për të financuar agjencitë federale dhe u lejon ligjvënësve të përqëndrohet në zgjedhjet e Kongresit që mbahen në muajin nëntor.

Në fjalimin e lamtumirës, Tillerson bën thirrje për integritet

Sekretari Tillerson duke dalë nga hyrja kryesore e Departamentit të Shtetit

Sekretari i Shtetit në largim Rex Tillerson mbajti një fjalim lamtumire për stafin e Departamentit të Shtetit. Sekretari Tillerson largohet zyrtarisht nga detyra më 31 mars, pasi u shkarkua papritur në përfundim të një vizite në Afrikë. Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi nëpërmje Twitter-it mëngjesin e 13 marsit, se po e zëvendësonte zotin Tillerson me drejtorin aktual të CIA-s, Mike Pompeo. Sekretari Tillerson nuk e përmendi Presidentin Trump në fjalimin e tij, ndërsa vëzhguesit thanë se kritika e tij i drejtohej qartësisht Presidentit dhe administratës së tij.

Sekretari Tillerson falenderoi punonjësit e Departamentit të Shtetit për kontributin e tyre për suksesin e diplomacisë amerikane.

“Asgjë nuk do të kishte qenë e mundur pa kontributin tuaj të përditshëm, që nga shpërndarësi i postës dhe deri tek kati i shtatë i zyrës ekzekutive”, tha Sekretari Tillerson.

Ish-drejtuesi i kompanisë Exxon nga Teksasi, nënvizoi rëndësinë e ruajtjes së integritetit personal.

“Vetëm ju mund ta braktisni apo të lejoni të kompromentohet. Nëse ndodh kështu, integriteti është tepër e vështirë të rifitohet. Ruajeni, pra, si gjënë më të shtrenjtë që keni”, tha Sekretari Tillerson.

Kjo deklaratë u kuptua si një shuplakë për elitën politike me sjellje të debatueshme në jetën private dhe atë publike. Sekretari Tillerson u përpoq të mos linte vend për keqinterpretim.

“Ky qytet mund të bëhet shumë zemërlig… Por nuk është e thënë që të bëheni me doemos pjesë e kësaj klime. Çdonjëri prej nesh mund të zgjedhë se çfarë njeriu dëshiron të jetë, mënyrën se si dëshiron të trajtohet, si dhe mënyrën si do të trajtojë të tjerët”, tha Sekretari Tillerson.

Shkarkimi i zotit Tillerson pritej të ndodhte kohë më parë. Por, mënyra se si ai u shkarkua, ngjalli pikëpyetje. Zëvendësi i tij, Steve Goldstein, tha se zoti Tillerson mësoi se ishte shkarkuar nëpërmjet një mesazhi të Presidentit Trump në Twitter. Shtëpia e Bardhë tha se zoti Tillerson ishte informuar paraprakisht nga shefi i stafit, John Kelly. Në vijim, Nënsekretari i Shtetit Goldstein u shkarkua për shkak se hodhi poshtë variantin e Shtëpisë së Bardhë.

Sekretari Tillerson u bëri thirrje diplomatëve dhe të tjerëve që të trajtojnë njëri-tjetrin me respekt.

“Në mbyllje, dua t’ju kërkoj që secili prej jush të ndërmarrë një gjest mirësie çdo ditë ndaj të tjerëve”, tha Sekretari Tillerson.

Presidenti Trump nuk komentoi pas fjalimit të Sekretarit Tillerson. Por, një ditë pasi e shkarkoi, ai shkruajti se ndjehet më mirë me Mike Pompeon.

Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Heather Nauert, falenderoi zotin Tillerson për shërbimin ndaj vendit.

“Është shumë të lësh familjen, një punë të mirë, nipërit dhe fermën ku banonte. Të gjitha këto dëshmojnë për sakrificën që ai bëri”, tha zonja Nauert.

Gjatë pothuajse një viti në detyrë, Sekretari Tillerson udhëtoi jashtë SHBA-së për 90 ditë dhe vizitoi 38 vende.

SHBA, Bolton emërohet këshilltar i sigurisë kombëtare

Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi në Twitter se ka zëvendësuar gjeneralin H.R. McMaster me ish ambasadorin e SHBA në OKB, John Bolton.

Presidenti shkruante në Twitter se Bolton do ta marrë zyrtarisht postin më 9 prill.

John Bolton ka qenë ambasador i SHBA në OKB, nga viti 2005 deri në 2006, i emëruar nga Presidenti George W. Bush dhe njihet si një diplomat i vijës së fortë. Ai është shprehur fuqimisht kundër marrëveshjes bërthamore me Iranin dhe ka shfaqur opinione po aq të forta lidhur me politikën ndaj Koresë së Veriut, duke u cilësuar si një “skifter” nga disa analistë.

Në të kaluarën zoti Bolton është shprehur kundër pavarësisë së Kosovës.

Largimi i gjeneralit McMaster nga posti i këshilltarit të sigurisë kombëtare vjen në një kohë ndryshimesh të mëdha në ekipin e sigurisë së Presidentit Trump. Vetëm para rreth një jave, Presidenti Trump shkarkoi sekretarin e tij të shtetit Rex Tillerson, me një njoftim të bërë po me anë të Twitterit.

Në njoftimin e tij të enjten, Presidenti Trump shkruante: “I jam shumë mirënjohës Gjeneralit McMaster për shërbimin e tij, i cili ka bërë një punë të shkëlqyer dhe do të jetë gjithmonë miku im.”

Gjenerali McMaster do të tërhiqet nga ushtria, thanë zyrtarët, sipas të cilëve, ai kishte disa javë që e kishte diskutuar largimin e tij me Presidentin Trump.

Zyrtarët thanë gjithashtu se zoti Trump synonte ta plotësonte ekipin e tij të sigurisë kombëtare para takimit me udhëheqësin e Koresë së Veriut, Kim Jong-un.

Ata theksuan se largimi i Gjeneralit McMaster ishte një vendim i ndërsjelltë dhe miqësor.

Z. Bolton është takuar rregullisht kohët e fundit me zotin Trump për të diskutuar mbi politikën e jashtme dhe ishte në listën e kandidatëve për këshilltarë të sigurisë kombëtare.

Presidenti Trump nënshkruan sanksione të reja ndaj Kinës

Presidenti Donald Trump nënshkroi të enjten një dokument, që i hap rrugën tarifave të reja me vlerën e 60 miliardë dollarëve ndaj importeve kineze, që mund të çojnë në një luftë tregare me Pekinin. Kjo masë kundër Kinës është pjesërisht në përgjigje të vjedhjes dhe transferimit jo të ligjshëm të teknologjisë amerikane tek kompanitë kineze.

“Po ndodh një vjedhje e jashtëzakonshme e pronës intelektuale”, tha Presidenti Trump.

Ai tha se Shtetet e Bashkuara duan që të zhvillohet tregti reciproke dhe të ketë një marrëveshje për tarifat me Kinën dhe me vende të tjera.

“Në se ata na bëjnë të paguajmë, të njëjtën gjë do bëjmë edhe ne”- komentoi Presidenti Trump në Shtëpinë e Bardhë.

22 mars, 2018.
22 mars, 2018.

Gjatë presidencës së tij 14-mujore, Trump e ka vlerësuar shpesh Presidentin kinez Xi Jinping, duke cituar marrëdhëniet e mira që ka me të. Por Trump vazhdimisht është ankuar për deficitin vjetor tregtar të Shteteve të Bashkuara me Kinën, me vlerën e 375 miliardë dollarëve, si arsye për vendosjen e kufizimeve të reja. Ai tha se me rritjen e tarifave tregtare, ai shpreson ta shkurtojë deficitin tregtar me Kinën, me 100 miliardë dollarë në vit.

Pekini thotë se askush nuk i fiton luftërat tregëtare, por nuk po tërhiqet nga kjo sfidë.

“Kina nuk dëshiron luftë tregtare me askënd. Por nëse dikush na detyron të luftojmë, nuk do të frikësohemi e as do të fshihemi. Nëse Shtetet e Bashkuara ndërmarrin veprime që dëmtojnë interesat kineze, atëherë Kina do të duhet të ndërmarrë hapa të domosdoshme dhe të nevojshme për t’u përgjigjur dhe mbrojtur interesat tona legjitime”, tha Hua Chunying, zëdhënëse e Ministrisë së Jashme kineze.

Në janar, presidenti Trump vendosi tarifa mbi industrinë e paneleve diellore të dominuar nga kompanitë kineze.

Grupet tregtare që përfaqësojnë gjigandët amerikanë të shitjes me pakicë, si Walmart dhe kompanitë e teknologjisë, përfshirë Apple, paralajmërojnë se tarifat e reja do të rrisnin çmimet për konsumatorët në Shtetet e Bashkuara dhe mund të mos bëjnë sa duhet për të pakësuar deficitin tregtar.

Sessions udhëzon dënim kapital për drogën

Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara Jeff Sessions po u bën thirrje prokurorëve federalë që të kërkojnë dënim me vdekje për disa raste që lidhen me drogat.

Direktiva e zotit Session, e përfshirë në një memorandum që ai i ka dërguar 93 prokurorëve, orjenton dënimin me vdekje për të ashtuquajtur “bosa të drogës”.

Po ashtu, atje theksohet kërkesa e Presidentit Trump për dënim me vdekje, si pjesë e fushatës së tij kundër epidemisë së opioideve në Shtetet e Bashkuara.

Ekzekutimet Federale janë diçka jashtëzakonisht e rrallë në Shtetet e Bashkuara, që nga viti 1960 ka patur vetëm tri të tilla.

Shkëmbime dhe thumba mes Trumpit dhe Biden

Një debat në distancë mes Presidentit Donald Trump dhe ish nënpresidentit Joe Biden, të dy në të shtatëdhjetat, po i ngjan një zënke mes dy nxënësve adoleshentë për nga toni dhe përmbajtja.

Zoti Biden, i cili thuhet se synon të garojë kundër zotit Trump në zgjedhjet presidenciale të 2020-s, u shpreh me këto fjalë të martën: “Më kanë pyetur nëse do të isha i gatshëm të dilja në debat me këtë zotëri dhe unë jam përgjigjur ‘Jo. Por, të isha në shkollë të mesme do ta kisha marrë prapa palestrës dhe do t’i kisha dhënë një dru të mirë.’”

Është hera e dytë që ai përdor një gjuhë të ngjashme ndaj rivalit të tij të mundshëm.

Presidenti Trump u përgjigj sot në Tweeter: “Joe Bideni i çmendur përpiqet të duket si burrë i fortë. Në fakt ai është i dobët, si mendërisht edhe fizikisht. E megjithatë më kërcënon për herë të dytë me sulm fizik. Ai nuk më njeh mua, por do të ishte rrëzuar shpejt dhe keq dhe do të ikte duke qarë. Mos i kërcëno njerëzit, Joe.”

Dorëhiqet avokati i presidentit në hetimin mbi Rusinë

Në Shtetet e Bashkuara, avokati kryesor që përfaqëson Presidenti Trump në hetimin që po zhvillohet nga Prokurori Special lidhur me ndërhyrjen ruse në zgjedhjet amerikane të 2016-ës, ka dhënë dorëheqjen.

Ai është John Dowd, njëri nga avokatët kryesorë personalë të Presidentit. Ai citohet të ketë thënë se “unë e dua Presidentin dhe i uroj atij çdo të mirë”.

Largimi i zotit Dowd nga ekipi i avokatëve të zotit Trump vjen disa ditë pasi Presidenti shtoi në ekip një tjetër avokat, Joseph diGenova, i njohur për nxitjen e një strategjie ligjore më agresive në ekipin e juristëve të zotit Trump.

Kandidatura e Peter Lumajt për ambasador në Tiranë – reagon Shtëpia e Bardhë

Administrata e presidentit te SHBA-se, Donald Trump nuk bere komente, as e ka pranuar dhe as e ka mohuar deklaraten e bere pak dite me pare nga shqiptari Peter Lumaj, republikani qe njoftoi se kishte refuzuar oferten e bere nga SHBA per te qene ambasadori amerikan ne Tirane.

“Nuk mund të komentojmë vendimet personale, që mund ose nuk mund të kenë ndodhur,” tha Helen Aguirre Ferre, drejtorja e Shtëpisë së Bardhë për çështjet e mediave.

Lumaj tregoi me entuziazëm interesin e administratës Trump dhe oferten qe i ishte bere teksa ishte ne nje aktivitet para komunitetit republikan të qytetit në West Hartford.

“Më be ofreta. Unë jam verifikuar”- tha Lumaj, duke refuzuar komentin e mëtejshëm, duke thënë se ai nxitonte per nje tjeter aktivitet.

Ai premtoi se do t’u përgjigjet pyetjeve te marten, duke u siguruar që gazetarët të kenë edhe numrin e tij të telefonit celular.

Por Lumaj nuk pranoi te pergjigjej as te marten e as nje dite me pas, duke këmbëngulur që të gjitha pyetjet të dërgoheshin me email. “Thjesht mi nismni me shkrim,” tha ai.

CT Mirror i dërgoi disa pyetje dhe mori kete pergjigje me një mesazh në celular.

“Administrata Trump kontaktoi me mua pas zgjedhjeve të 2016, për të parë nëse isha i interesuar për pozicionin dhe unë i refuzova. Procesi ishte një veting në vetvete. Nuk iu nënshtrova procedurave zyrtare, sepse nuk kisha asnjë interes për ta pranuar postin” shkruante Lumaj.

CT Mirror e përshkruan Donald Lu një diplomat karriere që njeh 7 gjuhë dhe që është i diplomuar në marrëdhënie ndërkombëtare. Duke komentuar Lumajn shkruan se ka një diplomë në juridik që e lejon të marrë pjesë në gjyqet e emigrantëve.


Send this to a friend