VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Whitaker: Së shpjeti presim raportin e Prokurorit Mueller

By | January 29, 2019
blank

Komentet

blank

Në Florida një kullë anti-pandemi

VOAL – Do të quhet “Legacy Tower” (“Kulla e Trashëgimisë”), do të ketë 55 kate dhe do të kushtojë rreth 460 milionë franga. Në shtetin e Floridës, puna sapo ka filluar për të ndërtuar një nga ndërtesat e para pandemike në botë. Një kullë e futur në një kompleks ndërtimi të gjerë që do të përfshijë mbi 300 apartamente luksoze, por edhe qindra dhoma hoteli dhe shërbime mjekësore të shpërndara në dhjetë kate.

“Projekti lindi para ardhjes së koronavirusit,” thotë Daniel Kodsi, CEO i Legacy Miami Worldcenter, “por më pas e përshtatëm atë. Përveç shërbimeve mjekësore, kemi shtuar pjesën e hotelit dhe më pas kemi shtuar shumë veçori për të siguruar mirëqenien e banorëve ”.

Kulla do të ketë një sistem të veçantë ventilimi dhe do të përdoren materiale antimikrobike. Sidoqoftë, do të ketë gjithashtu robotë të aftë për të vrarë bakteret dhe shumë pajisje që do të punojnë pa kontakt, për shembull për të thirrur ashensorin dhe për të hapur dyert. rsi-eb

blank

Kongresi amerikan miraton projekt-ligjin për heqjen e kufirit të borxhit deri në fillim të dhjetorit

Washington DC

Dhoma e Përfaqësuesve të SHBA-së të martën miratoi projekt-ligjin që do të rrisë përkohësisht kufirin e borxhit me 480 miliardë dollarë deri në fillim të dhjetorit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Duke shmangur një dështim të mundshëm, legjislacioni u miratua sipas linjave partiake me 219 vota ‘për’ dhe 206 ‘kundër’. Tani projekt ligji shkon tek presidenti Joe Biden, i cili pritet ta nënshkruajë atë.

Javën e kaluar, Senati miratoi një rritje afatshkurtër të kufirit të borxhit federal në një votim 50 ‘për’ dhe 48 ‘kundër’ pas diskutimeve disa javore.

Të dielën, Sekretarja e Thesarit, Janet Yellen paralajmëroi për një “sasi të madhe” nëse Kongresi nuk arrin të bëjë një marrëveshje tjetër.

“Një dështim për të rritur kufirin e borxhit ndoshta do të shkaktonte një recesion dhe madje mund të rezultonte në një krizë financiare. Do të ishte një katastrofë”, tha Yellen në programin “This Week” të ABC.

Sipas demokratëve, ngritja e kufirit të borxhit është një përgjegjësi dypartiake dhe republikanët duhet ta favorizojnë atë pasi përfshin shpenzimet që burojnë nga administrata e ish-presidentit Donald Trump.

blank

Zëri i Amerikës: Blinken niset për në Francë për të rigjallëruar Aleancën Transatlantike

Nike Ching

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken po shkon në Paris, udhëtimi i tij i parë në Francë pas krijimit të një partneriteti të zgjeruar trepalësh të sigurisë mes Australisë, Britanisë së Madhe dhe Shteteve të Bashkuara (AUKUS) që rriti tensionet mes aleatëve transatlantikë.

Ekspertët thanë se presin që Sekretari Blinken, i cili ka lidhje të forta personale me Francën, të përdorë udhëtimin e ardhshëm për të përmirësuar marrëdhëniet SHBA-Francë.

Diplomati më i lartë amerikan do të kryesojë takimin e Këshillit Ministror të Organizatës për Bashkëpunimin Ekonomik dhe Zhvillimin që është planifikuar të mbahet më 5-6 tetor dhe do të përkujtojë 60 vjetorin e organizatës.

Sekretari Blinken do të ketë një takim dypalësh me Ministrin e Jashtëm Francez Jean-Yves Le Drian në Paris. Franca do të mbajë presidencën e Këshillit të Bashkimit Evropian nga 1 janari-30 qershor 2022.

“Sekretari Blinken gjithashtu do të takohet me homologët francezë për të vazhduar diskutimet mbi forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve vitale SHBA-Francë për një sërë çështjesh përfshirë sigurinë në rajonin Indo-Paqësor, krizën klimatike, rimëkëmbjen ekonomike nga pandemia COVID-19, marrëdhëniet transatlantike, dhe punën me aleatët dhe partnerët tanë për të adresuar sfidat dhe mundësitë globale”, tha Departamenti i Shtetit në një deklaratë të premten.

Tensionet mbi marrëveshjen AUKUS

Administrata e Presidentit amerikan Joe Biden njoftoi më 15 shtator një pakt të ri sigurie me Australinë dhe Britaninë e Madhe. Sipas marrëveshjes, Australia do të marrë të paktën tetë nëndetëse me energji bërthamore që do të ndërtohen në vend duke përdorur teknologjinë amerikane. Marrëveshja erdhi pasi Australia u tërhoq nga një marrëveshje e mëparshme me Francën për nëndetëset me naftë, duke zemëruar Parisin.

Franca tërhoqi ambasadorët e saj në SHBA dhe në Australi brenda dy ditëve pas njoftimit. Ministri Le Drian deklaroi se ka një “krizë besimi” tek Shtetet e Bashkuara.

Pas një telefonate mes Presidentit Biden dhe Presidentit Francez Emmanuel Macron më 22 shtator, që synonte të zbuste tensionet mbi marrëveshjen e nëndetëseve, të dy udhëheqësit vendosën të “hapnin një proces konsultimesh të thelluara” për të siguruar “besimin”. Macron gjithashtu vendosi që ambasadori francez Philippe Etienne të kthehej në Uashington javën pasuese.

Të enjten, këshilltari amerikan i sigurisë kombëtare Jake Sullivan u takua me ambasadorin Etienne në Shtëpinë e Bardhë për të “vazhduar përparimin e agjendës së përbashkët”, përpara takimit të Presidentit Biden me Macronin në Evropë në fund të tetorit. Të dy janë planifikuar të marrin pjesë në samitin e Grupit të 20-shes në Romë.

“Ne duhet të sigurohemi që besimi s’ka ndryshuar,” tha Karen Donfried, ndihmës sekretarja e shtetit për çështjet evropiane dhe euroaziatike, e sapo konfirmuar në këtë post.

Ndërsa marrëdhënia SHBA-Francë mbetet një marrëdhënie e rëndësishme për të dyja palët, James Goldgeier në Institutin Brookings me qendër në Uashington, tha se administrata Biden “duket se është befasuar pak nga reagimi i zemëruar francez” për marrëveshjen AUKUS.

“Është mirë që dy presidentët po kërkojnë mënyra për të ecur përpara. Nuk ka dyshim se administrata Biden e sheh Indo-Paqësorin si fokusin e saj kryesor. Politika e Shteteve të Bashkuara ndaj rajoneve si Evropa shihet përmes këtij këndvështrimi”, tha për Zërin e Amerikës zoti Goldgeier.

Departamenti i Shtetit tha në një deklaratë se delegacioni amerikan në takimin ministerial të OECD-së përfshin gjithashtu të Dërguarin Special të Presidentit për Klimën John Kerry dhe Përfaqësuesen amerikane të Tregtisë Katherine Tai.

blank

United Airlines do të përjashtojë nga puna afro 600 punonjës që refuzuan të vaksinohen

New York

Linja ajrore amerikane United Airlines njoftoi se ka nisur procedurat për të përjashtuar nga puna 593 punonjës të cilët kanë refuzuar të vaksinohen kundër koronavirusit (COVID-19), transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një e-mail nga drejtuesit e kompanisë drejtuar punonjësve thuhet se ky ishte një vendim jashtëzakonisht i vështirë, por që ata duhej të garantonin sigurinë e ekipeve të tyre.

United Airlines, kompania kryesore ajrore në SHBA, e cila e ka bërë të detyrueshme që të gjithë punonjësit e saj në vend të vaksinohen kundër COVID-19, gjithashtu deklaroi se e kanë shtyrë planin për pushime të papaguara nga 2 tetori në 15 tetor për shkak të një padie në vazhdim.

Kompania me mbi 67 mijë punonjës tha se 99 për qind e punonjësve tashmë kanë përfunduar vaksinimin, duke shtuar se personat që do të përjashtohen nga puna përbëjnë 1 për qind.

Në fillim të gushtit, United Airlines vendosi të pushojë punonjësit e pavaksinuar, më së voni deri në pesë javë pasi vaksina mori miratimin e plotë nga Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA).

blank

Gjenerali i lartë e quan tërheqjen dhe evakuimin nga Afganistani, një “dështim strategjik”

Carla Babb

Zyrtarë të lartë të ushtrisë amerikane po vazhdojnë sot të japin dëshmi në Kongres mbi tërheqjen dhe evakuimin e ushtrisë amerikane nga Afganistani. Në seancën e djeshme në Senat, gjenerali Mark Milley e cilësoi evakuimin si “një sukses logjistik, por edhe si një dështim strategjik”.

Gjenerali i lartë amerikan të martën e vlerësoi prerazi misionin e evakuimit në Afganistan …

“Ishte një sukses logjistik, por një dështim strategjik”.

Ndërsa për përfundimin e luftës në përgjithësi….

“Një dështim strategjik. Armiku është në krye të Kabulit. Nuk ka asnjë mënyrë tjetër për ta përshkruar – kjo është pasojë e gabimeve të akumuluara në 20 vjeteve, jo 20 ditë”.

Gjenerali Milley, së bashku me shefin e Komandës Qendrore, Gjeneral Frank McKenzie, thanë se ata personalisht kishin kërkuar që të mbaheshin minimumi 2.500 trupa në Afganistan.

“Vlerësimi im daton në vjeshtën e 2020-ës dhe mbeti i pandryshuar gjatë gjithë kohës. Ne duhet të mbanim një prani të qëndrueshme prej 2.500 trupash, që mund të shkonte deri në 3.500, për të shkuar më pas drejt një zgjidhjeje të negociuar”, tha general Milley.

“Unë rekomandova që të mbanim 2,500 trupa në Afganistan. Dhe gjithashtu rekomandova më herët në vjeshtën e vitit 2020 që të mbanim 4.500 në atë kohë. Këto janë pikëpamjet e mia personale. Unë gjithashtu kisha mendimin se tërheqja e atyre forcave do të çonte në mënyrë të pashmangshme në kolapsin e forcave ushtarake afgane dhe përfundimisht të qeverisë afgane”, tha gjenerali Frank McKenzie.

Pohimet e gjeneralëve ishin në kontrast me ato të Presidentit Joe Biden, i cili ka thënë se nuk i kujtohej asnjë këshilltar i tij që e kishte nxitur të mbante një forcë të vogël ushtarake amerikane në Afganistan.

Shtëpia e Bardhë të martën mbrojti përsëri vendimin për të larguar të gjitha trupat nga Afganistani.

“Nëse do të kishim mbajtur 2,500 trupa atje, do të kishim rritur numrin e tyre, do të kishim luftuar me talebanët, do të kishim më shumë viktima. Ky ishte një realitet i qartë për të gjithë”, tha zëdhënësja Jen Psaki.

Si republikanët ashtu edhe demokratët kritikuan ashpër administratën që la pas amerikanë dhe aleatë afganë edhe pasi presidenti tha se nuk do ta bënte një gjë të tillë.

Ata gjithashtu bënë pyetje të mprehta mbi të ardhmen e luftës kundër terrorizmit atje.

A është bërë më e vështirë detyra e ushtrisë për të mposhtur kërcënimet terroriste nga Afganistani?, pyeti senatorja republikane Joni Ernst.

-Po, u përgjigj gjeneral Milley.

A kanë talebanët dhe partnerët e tyre terroristë më shumë aftësi për t’u stërvitur dhe përgatitur në Afganistan tani që jemi larguar?

Milley: Po.

“A jeni të sigurt se ne mund t’u mohojmë organizatave si al-Kaida dhe ISIS-i aftësinë për ta përdorur Afganistanin si bazë për aktivitetet terroriste?”, pyeti senatori demokrat Mark Kelly.

“Kjo mbetet ende për t’u parë”, u përgjigj gjenerali Frank McKenzie.

Ushtria është vënë nën kritika të ashpra për sulmin e saj të gabuar me dron në ditët e fundit të tërheqjes që vrau 10 civilë, një sulm për të cilin gjenerali McKenzie ka marrë përgjegjësinë.

Zyrtarët e lartë të mbrojtjes gjithashtu përsëritën faktin se inteligjenca amerikane kishte dështuar të parashikonte rënien e shpejtë të Kabulit.

Por në mësimet e nxjerra, ata kishin një mesazh për udhëheqësit civilë të Amerikës.

“Unë do të këshilloja çdo udhëheqës: Mos vendosni data të caktuara ose data përfundimi për operacionet. Bëjini gjërat të bazuara në kushtet në terren dhe tdy presidentë rradhazi [Trump dhe Biden] vendosën data të caktuara”, tha gjenerali Mark Milley.

…dhe për udhëheqësin e larguar afgan Ashraf Ghani.

“Kur presidenti i vendit largohet papritmas në mes të fushatës për të mbrojtur kryeqytetin, mendoj se i jep fund çdo shansi për të patur sukses”, tha gjenerali Frank McKenzie.

blank

Gazeta prestigjioze zvicerane NZZ: “Muaji i mjaltit i Europës me Joe Biden ishte jetëshkurtër. – Politikat e Biden po vënë në rrezik marrëdhëniet SHBA-Europë –

voal.ch – Gazeta prestigjioze zvicerane NZZ ka botuar sot një opinion nga Markus Ziener, Washington me titull “politikat e Biden po vënë në rrezik marrëdhëniet SHBA-Europë”. Autori shkruan se “SHBA duan që t’i forcojnë lidhjet me aleatët Europianë, por ata janë të zhgënjyer me Presidentin Biden. Më tutje autori në opinionin e tij në NZZ, nënvizon faktin se “Muaji i mjaltit i Europës me Joe Biden ishte jetëshkurtër. Tërheqja e nxituar e Amerikës nga Afganistani, pa u këshilluar me aleatët, i ka zemëruar liderët Europian. Për shembull, Biden do ta ketë të vështirë të gjejë mbështetje për qëndrimin e tij të ashpër ndaj Kinës, për shembull.”

“Kur Presidenti amerikan Joe Biden njoftoi në Konferencën e Sigurisë në Mynih në shkurt se “Amerika është kthyer”, psherëtima e lehtësimit ishte e dukshme. Pas katër vitesh të Donald Trump, të shënuar nga mosinteresimi në rastin më të mirë dhe shpesh nga shpërfillja e hapur për Evropën, kjo periudhë e ftohtë tani dukej se kishte marrë fund.

“Unë e di se vitet e fundit kanë tensionuar dhe testuar marrëdhënien tonë transatlantike,” u tha Biden pjesëmarrësve të konferencës në Mynih. Por ai tha se Shtetet e Bashkuara tani ishin të vendosura të ribashkoheshin me Evropën dhe se donin të rimerrnin pozicionin e tyre si një udhëheqës i besuar. Vëzhguesit ishin të prirur ta besonin fjalën e presidentit amerikan me këtë angazhim, duke ardhur nga dikush me një njohje kaq të thellë me marrëdhëniet trans-atlantike.

Kjo kishte ndodhur gjashtë muaj më parë. Ndërsa sot zhgënjimi ka zënë vend gjithnjë e më shumë. Shumë nga të dy anët e Atlantikut e kishin imagjinuar kthimin e Amerikës krejt ndryshe.

Sidoqoftë, është mënyra se si Shtetet e Bashkuara trajtuan tërheqjen nga Afganistani që është provuar të jetë një goditje më e madhe për marrëdhëniet trans-atlantike. Biden nuk ishte i gatshëm të rinegociojë marrëveshjen katastrofike të Dohas me talebanët që paraardhësi i tij arriti në shkurt 2020. Në këtë marrëveshje, Uashingtoni de facto kishte rënë dakord për një tërheqje të pakushtëzuar. Për më tepër, karakteri i tërheqjes së trupave amerikane u diktua nga Shtetet e Bashkuara, duke i lënë aleatët e saj të përballonin sa të mundnin.

Në një gjykim të gabuar të plotë të aftësisë luftarake të ushtrisë afgane, SHBA bëri një dalje të nxituar nga angazhimi 20-vjeçar në Afganistan që bëri që partnerët e NATO-s të dukeshin pak më shumë se shtojcat e Amerikës. Ndërsa vendet aleate kishin bërë vetë gabime të shumta, tërheqja kaotike në fund la një pasqyrë shkatërruese në vazhdën e saj. A thua se “Amerika është kthyer” – me të vërtetë?” (Source NZZ)/EB

blank

Zyrtari amerikan jep dorëheqje: DASH po fut hundët në punët e brendshme të Haitit, rezultatet janë katastrofike

I dërguari i posaçëm i SHBA për Haitin ka dhënë dorëheqjen, duke shkaktuar një ‘tërmet’ në vend

Daniel Foote ka publikuar një letër ku dënon trajtimin çnjerëzor që po u bëhet emigrantëve nga Haiti.

BBC, që e ka lajm të parë letrën, shkruan se akuzat e Foote janë bombastike.

Ai shkruan se Haiti është një shtet në kolaps, kurse SHBA vazhdon të deportojë emigrantët.

Pamjet e haitianëve në këto kampe të deportimit kanë tronditur botën dhe kanë sjellë kritika të forta ndaj administratës së Biden.

Në letrën e dorëheqjes që Foote ia dërgon kreut të Departamentit të Shtetit, Antony Blinken, thuhet Haiti është në gjendje katastrofike për shkak të ndërhyrjes së SHBA në punët e brendshme.

Sipas tij, amerikanët kanë deklaruar mbështetje për një kryeministër të pavotuar.

“Krenaria që na bën të besojmë se duhet të zgjedhim fituesin – përsëri – është mbresëlënëse.  Ky cikël i ndërhyrjeve politike ndërkombëtare në Haiti ka prodhuar vazhdimisht rezultate katastrofike,” shkruan Foote.

blank

Pikëpyetje mbi qëndrimin e administratës Biden ndaj migrantëve haitianë

Deana Mitchell

Administrata e Presidentit Biden po përdor një politikë të debatueshme si bazë për dëbimin masiv të më shumë se 12,000 haitianëve që kanë mbërriur në kufirin jugor amerikan me Meksikën në përpjekje për të kërkuar azil.

Këta emigrantë haitianë janë me fat. Ata janë ndër të paktët që do të qëndrojnë në Shtetet e Bashkuara – tani për tani – ndërsa qeveria po dëbon shumicën e mbi 12,000 emigrantëve që kanë arritur në këtë pikë kufitare.

Mbështetësit thonë se duket se emigrantët më të rrezikuar nuk po dëbohen. Emigrantja hatitiane Micheline Bautiste tregon për Zërin e Amerikës përpjekjet për mbërritur në Shtetet e Bashkuara.

“Kaluam në këmbë kodra, lugina e lumenj. Ishte shumë e vështirë por falë Zotit jam këtu.”

Duke lënë djalin 13-vjeçar në Haiti, ajo jetoi në Kili për tre vjet duke shitur nëpër rrugë. Kur dëgjoi se njerëzit po shkonin në Shtetet e Bashkuara, ajo vendosi të nisej me ta.

E nisur nga Brazili, Mariange Verna eci për dy muaj. Gjashtë ditët e fundit nën urën që lidh Amerikën me Meksinën, thotë ajo, kanë qënë tejet të vështira.

“Në tre ditët e fundit kam ngrënë vetëm një herë.”

Guerline Jozef drejton grupin që mbështet migrantët “Aleanca e Urës Haitiane” me qendër në San Diego të Kalifornisë. Ajo shkoi në Teksas për të ndihmuar.

“Gratë po lindin nën urë – është e tmerrshme. Si një nënë, si një grua, si një haitiane, si një Amerikane, si një grua me ngjyrë, ajo që po shikoj është e papranueshme”.

Mbështetësit e emigracionit po e kritikojnë si diskriminues përdorimin nga ana e administratës Biden të një urdhri të debatueshëm shëndetësor të vendosur nga administrata Trump.

Urdhri mbështetet tek një ligj i shëndetit publik dhe lejon dëbimin e migrantëve si rezultat i pandemisë. Joseph Makhandal Champagne është avokat për çështjet e imigracionit.

“Urdhri po i jep qeverisë amerikane liri të plotë për t’i dëbuar ata njerëz pa dëgjuar kërkesat dhe lutjet e tyre”.

Administrata Biden po sfidon urdhërin e një gjykatësi federal për të ndaluar përdorimin e urdhrit për kthimin mbrapsht të familjeve me fëmijë. Urdhri përcakton një afat dyjavor për veprimin e administratës. Sekretarja e shtypit Jen Psaki shprehu qendrimin e Shtëpisë së Bardhë.

“Kemi thënë se kjo nuk është koha për të ardhur. Nuk bëhet fjalë vetëm për njerëzit në Shtetet e Bashkuara, por edhe për mbrojtjen e migrantëve që do të vinin në grupe masive”.

Disa thonë se urdhëri po përdoret në mënyrë selektive. Profesoresha e drejtësisë në Universitetin Vanderbilt, Karla McKanders thotë se kohët e fundit disa migrantëve venezuelianë u është lejuar intervista për azil. Ajo foli me Zërin e Amerikës përmes rrjetit Zoom.

“Njerëzit po pyesin se pse shtetasit haitianë nuk kanë të njëjtën të drejtë.”

Pamjet befasuese të punonjësve të kufirit mbi kuaj shkaktuan kritika. Një zëdhënës i administratës Biden ka thënë se kjo është e papranueshme dhe se autoritetet do të zhvillojnë hetime. Imazhet janë veçanërisht të dhimbshme duke pasur parasysh historinë racore të Shteteve të Bashkuara, thotë zonja Guerline Jozef me organizatën “Haitian Bridge Alliance”

“Njerëz mbi kuaj që përpiqen të kapin njerëzit me ngjyrë në kufi, kjo nuk është barazi racore.”

Ndërsa ky grup i vogël ishte në gjendje të qëndronte në Shtetet e Bashkuara tani për tani, shumë të tjerë po kthehen atje nga janë nisur.

blank

Kamxhiku kundër emigrantëve

Disa orë pas debutimit të Joe Biden para Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, një rast vë në siklet administratën e tij, politikën e tij të migracionit dhe në veçanti ministrin Alejandro Mayorkas, ndër të tjera bir i refugjatëve Kubanë: janë ato fotografi të lëshuara nga media në SHBA që tregojnë oficerët e policisë kufitare mbi kalë duke përdorur kamxhikun për të larguar emigrantët në kufirin meksikan pranë Del Rio, Teksas.

Një krizë e re humanitare është duke u zhvilluar atje, me ardhjen e mbi 10.000 njerëzve, kryesisht haitianë.

Sipas Mayorkas, rreth 4,000 prej tyre të pastrehë u transferuan në strehimore.

Imazhe “të tmerrshme për t’u parë”, pranoi zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki.

“Unë kam parë vetëm disa, por nuk e kam kontekstin e plotë, por nuk mund ta imagjinoj se çfarë konteksti do t’i bënte ata të përshtatshëm,” tha ajo.

Reagimet erdhën gjithashtu nga disa parlamentarë demokratë.

Sekretari i Shtetit Anthony Blinken diskutoi situatën të hënën me kryeministrin Haitian Ariel Henry dhe homologun e tij meksikan Marcelo Ebrard.

Sipas Mayorkas, haitianët kanë marrë informacion të rremë në lidhje me mundësinë e qëndrimit në Shtetet e Bashkuara, pasi “kufijtë nuk janë të hapur dhe ata do të riatdhesohen”./RSI.ch/eb

blank

blank

 

blank

Shtëpia e Bardhë reagon pasi Franca e tërhoqi ambasadorin

Shtëpia e Bardhë ka reaguar pas vendimit të Francës për ta tërhequr ambasadorin nga Uashingtoni për shkak të pakënaqësisë së Parisit rreh një pakti trepalësh të ShBA-së me Britaninë e Madhe e Australinë.

Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë tha të premten se Shtetet e Bashkuara shprehin keqardhje për vendimin e Francës për tërheqjen e ambasadorit dhe do të vazhdojnë që të angazhohen në ditët në vijim për t’i zgjidhur dallimet mes dy shteteve, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.

Franca i tërhoqi ambasadorët nga Shtetet e Bashkuara dhe Australia, pasi kjo e fundit bëri marrëveshje me Britaninë e Madhe dhe ShBA-në për prodhimin e nëndetëseve me energji bërthamore.

Ky pakt i dha fund marrëveshjes që Australia e kishte nënshkruar më parë me një kompani franceze për të njëjtin qëllim. Vlera e marrëveshjes ishte 40 miliardë dollarë.

Ministri i Jashtëm i Francës, Jean-Yves Le Drian, pas marrëveshjes e krahasoi presidentin amerikan, Joe Biden, me paraardhësin e tij, Donald Trump, dhe tha se pakti trepalësh është “thikë pas shpine” për Francën, vendim absurd dhe i njëanshëm.

Në anën tjetër, Shtetet e Bashkuara janë munduar që ta zbusin zemërimin e Francës. Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, tha se Franca mbetet partnere jetike në rajonin e Indiano-Paqësorit.

blank

SHBA pranon se sulmi me dron në Kabul ishte një “gabim tragjik”

Jeff Seldin

Një sulm me dron i kryer gjatë orëve të fundit të evakuimit të Shteteve të Bashkuara nga Afganistani nuk vrau një terrorist të prirur për të sulmuar aeroportin ndërkombëtar në Kabul, dhe në vend të tij vrau deri në 10 civilë, përfshirë një punonjës të ndihmave dhe shtatë fëmijë.

Pranimi i së premtes nga komandanti i trupave amerikane në rajon pasoi një hetim ushtarak të nxitur nga pretendimet e njerëzve në terren, si dhe njoftimet e mediave, se objektivi i goditur më 29 gusht nga një raketë e llojit Hellfire nuk përbënte një kërcënim.

“Kjo goditje u ndërmor me besimin e sinqertë se do të parandalonte një kërcënim të menjëhershëm për forcat tona dhe personat që po evakuoheshin në aeroport”, u tha gazetarëve në Pentagon gjenerali Kenneth “Frank” McKenzie, komandanti i Komandës Qendrore të Shteteve të Bashkuara, nëpërmjet një lidhjeje videofonike. “Hetimi ynë tani arriti në përfundimin se goditja ishte një gabim tragjik”, tha ai.

“Ne tani vlerësojmë se nuk ka gjasa që automjeti ose ata që vdiqën të ishin të lidhur me ISIS-K”, shtoi Mckenzie, duke përdorur një akronim për filialin e grupit terrorist të Shtetit Islamik në Afganistan, i njohur gjithashtu si IS-Khorasan.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin gjithashtu kërkoi falje për sulmin e gabuar.

Lloyd Austin

Lloyd Austin

“Në emër të burrave dhe grave të Departamentit të Mbrojtjes, unë shpreh ngushëllimet e mia më të thella për anëtarët e familjeve të atyre që u vranë”, tha Sekretari Austin në një deklaratë. “Ne kërkojmë ndjesë dhe ne do të përpiqemi të mësojmë nga ky gabim i tmerrshëm”.

Ndjesa është një kthesë dramatike për ushtrinë amerikane, e cila ka mbrojtur sulmin ajror prej javësh të tëra.

Vetëm disa ditë pas sulmit, oficeri ushtarak më i lartë amerikan, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Mark Milley, e mbrojti sulmin si “të drejtë”.

“Ne e dimë nga një sërë mjetesh të tjera se të paktën një nga ata njerëz që u vranë ishte një koordinator i ISIS-it”, u tha zoti Milley gazetarëve në Pentagon më 1 shtator. “Procedurat u ndoqën në mënyrë korrekte”.

Edhe atëherë, rrëfimet nga terreni po tregonin një histori të ndryshme – se në vend që të vriste një koordinator të IS-Khorasan, sulmi amerikan me dron në fakt kishte hedhur në erë Ezmarai Ahmadin, një punonjës ndihmash në organizatën Nutrition and Education International me qendër në Kaliforni, i cili kishte aplikuar për t’u zhvendosur në Shtetet e Bashkuara.

Anëtarët e familjes thanë se viktimat e tjera përfshinin vajzën e Ahmadit, si dhe nipërit dhe mbesat.

Hetime të tjera nga gazetat The New York Times dhe The Washington Post hodhën dyshime të mëtejshme ndaj qëndrimit amerikan se goditja kishte eliminuar një terrorist të grupit IS-Khorasan.

Hetimi i gazetës Times përcaktoi se makina, një Toyota Corolla e bardhë, për të cilën zyrtarët amerikanë menduan se ishte e mbushur me eksploziv, në të vërtetë mbante kanistra uji. Dhe ndalesat e dyshimta që kishte bërë Ahmadi ndërsa Shtetet e Bashkuara e vëzhgonin nga qielli, ishin ndalesa për të marrë kolegë dhe për të bërë furnizime me ujë.

“Ne nuk e ndërmorëm goditjen sepse menduam se kishim gabuar. E bëmë goditjen sepse menduam se kishim një objektiv të mirë”, tha Gjenerali McKenzie i Komandës Qendrore (CENTCOM) të premten, duke vënë në dukje atë që ai tha se ishin “mbi 60 raporte të nivelit shumë të lartë për kërcënimin e afërt për forcat tona në Kabul dhe përreth tij”, shumë prej tyre të përqëndruara tek përdorimi i një makine Toyota Corolla të bardhë.

“Është e qartë se të dhënat tona të zbulimit ishin gabuar me këtë Toyota Corollan e bardhë në fjalë”, tha ai.

Zyrtarët ushtarakë amerikanë thanë se ata ende besojnë se kishte një komplot të IS-Khorasan për të sulmuar aeroportin me atë lloj makine nga një nga vendet ku u pa Toyota e Ahmadit. Por, ata tani besojnë se sulmi mund të jetë ndërprerë nga një sulm ajror amerikan ditë më parë që kishte në shënjestër operativët e grupit terrorist në provincën Nangarhar.

McKenzie tha se Shtetet e Bashkuara tani po shikojnë të bëjnë të ashtuquajturat pagesa ex gratia për anëtarët e familjeve që mbijetuan, megjithëse ai pranoi se dorëzimi i dëmshpërblimeve mund të ishte i vështirë pa një prani të Shteteve të Bashkuara në terren.

Komandanti i CENTCOM-it nuk pranoi të thoshte nëse do të ndërmerrej ndonjë masë disiplinore kundër atyre të përfshirë në kryerjen e goditjes, duke thënë se përgjegjësia përfundimtare i takonte atij.

Stema e Komandës Qendrore (CENTCOM)

Stema e Komandës Qendrore (CENTCOM)

Organizatat për të drejtat e njeriut po kërkojnë më shumë.

“Shtetet e Bashkuara tani duhet të angazhohen për një hetim të plotë, transparent dhe të paanshëm për këtë incident”, tha Brian Castner, një këshilltar i lartë për krizat në Amnesty International.

“Kushdo që dyshohet për përgjegjësi penale duhet të ndiqet penalisht në një porces të drejtë gjyqësor”, tha zoti Castner në një deklaratë zyrtare. “Të mbijetuarit dhe familjet e viktimave duhet të mbahen të informuar për përparimin e hetimit dhe të marrin dëmshpërblim të plotë”.

Unioni Amerikan i Lirive Civile (ACLU) tha se sulmi me dron në Kabul duhet të jetë “një thirrje zgjimi”.

“Në këtë goditje, ne shohim jehonën e shumë jetëve të tjera civile të humbura dhe të dëmtuara rëndë, qoftë në luftëra si në Afganistan, apo jashtë tyre, si p.sh. në Somali”, tha Hina Shamsi nga ACLU në një deklaratë.

Disa ligjvënës amerikanë po bëjnë thirrje që të bëhet më shumë.

“Departamenti i Mbrojtjes ka hedhur hapin e parë drejt transparencës dhe llogaridhënies”, tha Ligjvënësi Adam Schiff, kryetar i Komisionit të Zbulimit të Dhomës së Përfaqësuesve, në një deklaratë me shkrim. Ai e quajti sulmin vdekjeprurës me dron “një dështim shkatërrues”.

“Ne duhet të dimë se çfarë shkoi keq në orët dhe minutat para fillimit të goditjes për të parandaluar tragjedi të ngjashme në të ardhmen”, shtoi ai.

“Komisioni i Forcave të Armatosura do të dëgjojë nga zyrtarët e administratës në javët në vijim për tërheqjen kaotike dhe vdekjeprurëse nga Afganistani”, tha senatori James Inhofe, anëtar i lartë i komisionit, në një deklaratë me shkrim.

“Goditja e 29 gushtit tregon se sa të vështira dhe komplekse mund të jenë operacionet kundër terrorizmit, dhe për fat të keq nënvizon se një strategji e llojit ‘mbi horizont’ vetëm do të rrisë kompleksitetin dhe vështirësinë”, tha ai.

Ekzistojnë gjithashtu pikëpyetje në lidhje me të ardhmen e çdo sulmi amerikan kundër terrorizmit në Afganistan, kundër grupeve si IS-Khorasan ose al-Kaida, të cilat tani për tani do të kryheshin “mbi-horizont” – nga bazat amerikane që gjenden orë larg në Lindjen e Mesme.

Por McKenzie tha se rregullat e përfshirjes për sulme të tilla ajrore do të ishin të ndryshme.

Gjenerali Kenneth McKenzie

Gjenerali Kenneth McKenzie

“Ne do të kemi shumë më tepër mundësi se sa kishim nën këtë presion ekstrem kohor për t’i hedhur një sy objektivit … për ta studiuar objektivin me platforma të shumta për të pasur një mundësi për të zhvilluar modelin e zgjatur të jetesës”, tha ai. “Asnjë nga këto gjëra nuk ishte në dispozicion për ne duke pasur parasysh natyrën urgjente dhe të ngutshme të kërcënimit të menjëhershëm për forcat tona.”

Komandanti amerikan tha gjithashtu se përkundër garancive dhe angazhimeve të tyre të përsëritura, talebanët kishin bërë pak për të ndihmuar evakuimin, përveç krijimit të një perimetri të jashtëm të sigurisë rreth aeroportit të Kabulit, i cili “gjithashtu i lejoi ata të kontrollonin njerëzit që përndryshe do të kishin arritur në aeroport”.

Për sa i përket ndonjë ndihme tjetër kundër IS-Khorasan, “nuk di të jenë duke bërë ndonjë gjë për ne tashmë”, tha Gjenerali McKenzie.

blank

Milley: Telefonatat me Kinën ishin “plotësisht” të përshtatshme

Marrë nga Associated Press

Komandanti më i lartë ushtarak amerikan tha të premten se telefonatat që kishte bërë me homologun e tij kinez në muajt e fundit kaotikë të presidencës së Donald Trumpit ishin “plotësisht brenda detyrave dhe përgjegjësive” të punës së tij.

Në komentet e tij të para publike mbi bisedat, Gjeneral Mark Milley tha se telefonatat ishin “rutinë” dhe ishin bërë “për të qetësuar si aleatët ashtu edhe kundërshtarët në rastin në fjalë me qëllimin, që të sigurohet stabiliteti strategjik.” Shefi i Shtabit të Përgjithshëm foli me agjencinë Associated Press dhe një gazetar tjetër që udhëtonin me të në Evropë.

Gjeneral Milley ka qenë në qendër të debateve mes njoftimeve se kishte bërë dy telefonata me gjeneralin Li Zuocheng të ushtrisë kineze për ta siguruar atë se Shtetet e Bashkuara nuk do të hynin në luftë me Kinën.

Përshkrimet e telefonatave të bëra tetorin e kaluar dhe në janar ishin pjesë e fragmenteve nga libri i ri “Peril” i gazetarëve të “Washington Post-it”, Bob Woodward dhe Robert Costa. Sipas librit, gjeneral Milley i tha gjeneralit Li se do ta paralajmëronte atë në rast të një sulmi.

Të premten gjenerali Milley bëri vetëm disa komente të shkurtra në mbrojtje të telefonatave, duke thënë se ai ka në plan të japë një shpjegim më të detajuar për këtë çështje para Kongresit kur të dëshmojë në një seancë nga fundi i shtatorit.

“Mendoj se është më mirë që t’i kem të rezervuara komentet derisa ta bëj një gjë të tillë para ligjvënësve që kanë përgjegjësinë ligjore të ushtrojnë mbikëqyrje ndaj ushtrisë amerikane,” tha gjeneral Milley. “Do të ofroj gjithë informacionin që Kongresi do të më kërkojë pas dy javësh.”

Gjeneral Milley dhe Sekretari Amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin janë planifikuar të dëshmojnë më 28 shtator para Komisionit të Senatit për Shërbimet e Armatosura, në një seancë që ishte parashikuar të përqendrohej tek tërheqja e ushtrisë amerikane nga Afganistani dhe evakuimi kaotik i amerikanëve, afganëve dhe të tjerëve nga ai vend.

Megjithatë tani zoti Milley pritet të përballet me pyetje të ashpra lidhur me telefonatat të cilat u bënë gjatë muajve të fundit të mandatit të Presidentit Trump, ndërsa ai sfidonte rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2020.

Telefonata e dytë, më 8 janar, u bë dy ditë pasi një turmë e dhunshme sulmoi Kapitolin e SHBA-së në një përpjekje për të parandaluar Kongresin të certifikonte fitoren e Presidentit Joe Biden.

Një komision i posaçëm i Dhomës së Përfaqësuesve, që po heton trazirat e 6 janarit në Kapitol, ka kërkuar detaje rreth telefonatave të gjeneralit Milley.

Ligjvënësit amerikanë, demokrati Bennie Thompson dhe republikania Liz Cheney, drejtues të komisionit, kanë kërkuar gjithashtu informacione në lidhje me zgjedhjet e nëntorit, transferimin e pushtetit nga zoti Trump tek zoti Biden dhe trazirat.

Gjenerali Milley u emërua shef i shtabit të përgjithshëm nga ish-presidenti Trump në vitin 2019 dhe ka mbetur në atë post në administratën e zotit Biden. Në këtë post, ai është këshilltari kryesor ushtarak i presidentit dhe sekretarit të mbrojtjes.

Shtëpia e Bardhë dhe shefi i Pentagonit kanë thënë se ata vazhdojnë të kenë besim të plotë te gjenerali Milley.

Sipas librit të ri, zoti Milley, i frikësuar nga veprimet e Presidentit Trump në fund të mandatit të tij, telefonoi dy herë homologun e tij kinez për ta siguruar atë se SHBA nuk do të sulmonte Kinën. Njëra telefonatë u bë më 30 tetor, katër ditë para zgjedhjeve. E dyta ishte më 8 janar, më pak se dy javë para inaugurimit të zotit Biden dhe dy ditë pas kryengritjes në Kapitol nga mbështetësit e Trump.

Disa ligjvënës amerikanë kanë thënë se Milley ka tejkaluar autoritetin e tij dhe kanë bërë thirrje që zoti Biden ta shkarkojë atë. Zoti Trump e quajti gjeneralin Milley si tradhtar, dhe “krejtësisht të çmendur” dhe tha se zoti Milley “nuk ia kishte përmendur asnjëherë telefonatat me Kinën.”

Presidenti Biden u tha gazetarëve pasi u bënë të njohura fragmentet e librit se “kam besim të madh te gjeneral Milley.”

Zyra e gjeneralit Milley, në një deklaratë këtë javë, tha se telefonatat kishin për qëllim të përçonin një ndjenjë “sigurie” tek ushtria kineze dhe ishin në përputhje me përgjegjësitë e tij si kreu i shefave të përgjithshëm.

Në deklaratën e zëdhënësit të zotit Milley, thuhej gjithashtu se thirrjet ishin bërë “në koordinim dhe komunikim” me Pentagonin dhe agjencitë e tjera federale.

Sipas librit, një kopje të të cilit e ka agjencia AP, Milley siguroi homologun e tij kinez në telefonatën e parë se “qeveria amerikane është e qëndrueshme dhe gjithçka do të jetë në rregull”. Aty thuhet se ai i tha gjeneralit Li, se “ne nuk do të sulmojmë ose kryejmë ndonjë operacion kinetik kundër jush.”

“Nëse do të sulmojmë, do t’ju telefonoj paraprakisht. Nuk do të jetë surprizë,” citohet të ketë thënë Milley.

Gjenerali Milley foli me një numër udhëheqësish të tjerë ushtarakë në të gjithë botën pas trazirave të 6 janarit; ato përfshinin udhëheqës nga Mbretëria e Bashkuar, Rusia dhe Pakistani. Një përshkrim i telefonatave në janar përmend “disa” homologë të tjerë me të cilët zoti Milley shkëmbeu mesazhe të ngjashme, se qeveria amerikane ishte e fortë dhe në kontroll.

Telefonata e dytë kishte për qëllim të qetësonte Kinën për ngjarjet e 6 janarit. Por sipas librit, nuk kishte qenë aq e lehtë që të qetësohej gjenerali Li, edhe pasi gjenerali Milley i premtoi atij se “ne jemi 100 për qind të qëndrueshëm. Gjithçka është në rregull. ”

Në përgjigje të librit, senatori republikan Marco Rubio, i kërkoi presidentit Biden të shkarkonte gjeneralin Milley, duke thënë se gjenerali punoi për të “sabotuar në mënyrë aktive” ish-presidentin Trump, që ishte komandant i përgjithshëm.


blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
Send this to a friend