VOAL

VOAL

Partia Demokratike në SHBA padit Rusinë dhe fushatën e Trumpit

Hilary Clinton dhe Donal Trump

Partia Demokratike në Shtetet e Bashkuara ngriti padi kundër Qeverisë ruse, fushatës zgjedhore të presidentit amerikan, Donald Trump, dhe organizatës WikiLeaks, duke i akuzuar për konspiracion për të përçarë fushatën e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016 në SHBA dhe për ta lëvizur atë kah zgjedhja e Trumpit.

Padia, e ngritur në një gjykatë federale në Menhetën, thotë se zyrtarët e fushatës së Trumpit kanë bërë konspiracion me Qeverinë ruse dhe agjencinë e saj të spiunimit për të dëmtuar kandidaten demokrate, Hillary Clinton, dhe për të ndihmuar Trumpin duke i pirateruar kompjuterët e Partisë Demokratike.

Padia nuk e përmend Trumpin si të pandehur, por disa ndihmës të tij që besohet se kanë takuar njerëz të lidhur me Rusinë gjatë fushatës zgjedhore.

Shtëpia e Bardhë nuk e komentoi ende padinë.

Presidenti Trump ka mohuar vazhdimisht se fushata e tij ka bashkëpunuar me Rusinë, ndërsa akuzat i ka cilësuar si “gjueti shtrigash”.

Disa hetime për këtë çështje janë në zhvillim e sipër.

Dalin shënimet e ish-drejtorit të FBI-së, Comey

Shënimet që ish-drejtori i FBI-së, James Comey mbajti pas disa takimeve vitin e kaluar me Presidentin Donald Trump, dolën në media pasi u lëshuan nga Departamenti i Drejtësisë.

Zoti Comey tha se i kishte shkruar dokumentet pak pas bisedave me presidentin sepse nuk kishte pasur ndjesi të mirë nga takimet e tij me udhëheqësin amerikan.

Në shënimet e tij, zoti Comey shkruante se presidenti ishte i shqetësuar lidhur me pretendimet se ai kishte bashkëpunuar me Rusinë për ta ndihmuar të fitonte zgjedhjet presidenciale dhe se mund të kishte video të zotit Trump me prostituta ruse.

Zoti Trump e shkarkoi zotin Comey në maj ndërsa kreu i FBI-së po drejtonte një hetim për akuzat për ndërhyrje ruse në zgjedhjet presidenciale dhe bashkëpunim të mundshëm mes zyrtarëve të fushatës së zotit Trump dhe rusëve.

Presidenti Trump sulmoi zotin Comey në Twitter të enjten në mbrëmje, duke thënë se “shënimet e James Comey-t sapo dolën dhe tregojnë qartë se nuk kishte BASHKËPUNIM dhe JO PENGIM TË DREJTËSISË”. Zoti Trump akuzoi gjithashtu zotin Comey se kishin nxjerrë informacion sekret.

Rusia ka mohuar çdo ndërhyrje në zgjedhjet presidenciale amerikane.

Astronautja: “Njeriu i parë që do të ecë në Mars duhet të jetë grua”

Të gjithë personat që kanë udhëtuar në hapësirë dhe ecur në Hënë kanë qenë meshkuj.

Por, ka ardhur koha që gjërat të ndryshojnë dhe të ketë një lloj balancimi, të paktën duke filluar nga planeti Mars.

Kështu deklaron një prej shkencëtareve më të zëshme të Agjencisë Hapësinore Amerikane.

“Kemi astronaute, por nuk kemi dërguar asnjë grua në Hënë. Unë mendoj se njeriu i parë që duhet të ecë në Mars duhet të jetë një grua”, thotë Allison McIntyre, inxhiniere e NASA-s në Johnson Space Center, në Houston.

Deri më tani janë regjistruar më shumë se një herë udhëtime të grave astronaute në hapësirë, megjithëse numri i tyre është shumë herë më i vogël se ai i burrave.

‘Kemi prostitutat më të bukura në botë’, ish-shefi i FBI nxjerr bisedat sekrete të Putinit dhe Trumpit

“Kemi prostitutat me te bukura ne bote”. Kjo eshte nje nga deklaratat e fshehta qe Putini ia ka thene presidentit amerikan Donald Trump, sipas nje dokumenti sekret te nxjerre nga ish-drejtori i FBI James Comey, shkruan FT.

 

Shkresa, e botuar nga Associated Press, erdhi pas takimit që Comey kishte me presidentin amerikan në Shtëpinë e Bardhë në shkurt 2017, pak javë pas inaugurimit të tij si president.

“Ai nuk tha se ne cfare takimi ia kishte thene saktesisht Putini kete gje”- shkuan Comey në memo, pjesët e të cilave janë redaktuar.

Botimi i shkreses vjen pasi Departamenti i Drejtësisë i ka dhënë kopje Kongresit pas kërkesave të ligjvënësve republikanë.

Trump e ka quajtur vazhdimisht ish shefin e FBI-së një gënjeshtar dhe ka kundërshtuar përmbajtjen e memorandumeve, të cilat Comey ka thënë se i ka shkruar menjëherë pas takimeve me presidentin. Më parë këtë javë, Trump shkroi ne twitter se gjithe shkresat e pretenduara ishte “fake”.

Shtëpia e Bardhë nuk ka kthyer pergjigje per ndonje koment lidhur me keto akzua dhe pretendime. Dokumentet merren me ngjarjet që Comey ka detajuar në dëshminë e tij për Kongresin.

Boltoni i tregon Rusisë kushtet për rregullim të raporteve me SHBA-në

Këshilltari i ri për Siguri Kombëtare në Shtetet e Bashkuara, John Bolton i ka thënë ambasadorit amerikan në Rusi, Antony Antonov, se Moska duhet të adresojë shqetësimet amerikane për ndërhyrje në zgjedhje, sulmin me agjent nervor në Britani dhe situatën në Ukrainë dhe Siri, para përmirësimit eventual të marrëdhënieve.

Në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë më 19 prill është thënë se John Bolton, që ka fituar pozitën pas largimit të H.R McMaster më 9 prill, i ka bërë këto komente gjatë takimit në Uashington me ambasadorin amerikan në Rusi, Anatoly Antonov.

Administrata amerikane ka njoftuar që Bolton t’i ketë thënë Antonovit se marrëdhëniet më të mira do të ishin në interes të të dyja vendeve, mirëpo dallimet shumë të shprehura janë duke bllokuar përmirësimin e raporteve.

Disa çështje globale kanë rritur tensionet në mes të Uashingtonit dhe Moskës, pavarësisht deklaratave të presidentit amerikan, Donald Trump se synon të përmirësojë lidhjet mes dy vendeve.

Komuniteti i inteligjencës amerikane akuzon Rusinë për krime kibernetike dhe fushatë propoganduese me qëllim të ndërhyrjes në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 në SHBA.

Shtetet e Bashkuara dhe Evropa kanë nisur një varg sanksionesh ndaj Rusisë për vendimin e saj për aneksimin e Krimesë nga Ukraina më 2014.

Ushtria amerikane ka akuzuar Rusinë për mbështetjen e saj për presidentin sirian Bashar al-Assad, të cilën e mban përgjegjës për sulmin me armë kimike në Siri.

SHBA po ashtu mbështet Britaninë në konfliktin që ka me Moskën lidhur me helmimin e ish-spiunit rus, Sergei Skripal dhe vajzës së tij Yulia në Sallsbëri.

Britania fajëson Rusinë për këtë sulm.

Moska kundërshton ndërhyrjen në zgjedhjet amerikane, deklaron se nuk të bëjë asgjë me helmimin e Skripalëve dhe pretendon se supozimet për sulm me armë kimike në Siri janë të rreme.

Seancë dëgjimore për Ballkanin në Kongresin Amerikan

Shtetet e Bashkuara duhet të vazhdojnë angazhimin për të ndihmuar vendet e Ballkanit Perëndimor, u shprehën pjesëmarrësit në një seancë dëgjimore të zhvilluar dje në Nënkomisionin për Evropën të Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan. Pjesëmarrësit theksuan se njëzet e tre vjet pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Dejtonit, qëndrueshmëria e rajonit po kërcënohet nga ndikimi i dëmshëm nga faktorë të jashtëm, mungesa e përparimit në procesin e integrimit euroatlantik dhe konfliktet e pazgjidhura.

Matthew Palmer, Drejtor i Departamentit të Shtetit për Evropën Jugore dhe Qendrore, i ftuar për të dëshmuar në seance, tha se Rusia është kërcënimi më i madh i jashtëm ndaj vendeve të Ballkanit.

“Aktori i jashtëm, për të cilin jemi të shqetësuar në këtë kohë është Federata Ruse. Qëllimet e tyre, jo vetëm në Bosnje, por në të gjithë rajonin, në thelb janë në kundërshtim me qëllimet tona. Ne po punojmë për të integruar vendet e Ballkanit Perëndimor në institucionet euroatlantike, ndërsa në të njejtën kohë, rusët po punojnë për mbjellur mosbesim dhe konflikt. Kjo është shqetësuese për ne. Ne jemi të shqetësuar në lidhje me fushatën ruse të dezinformimit dhe mbështetjen ruse për grupet në Bosnje që po punojnë në shkatërrimin e identitetit të vendit”.

Pavarësisht se rajoni nuk është aktualisht i kërcënuar nga një konflikt i dhunshëm, mosangazhimi i Shteteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian për t’iu kundërvënë ndikimit të jashtëm dhe për të trajtuar problemet e tjera mund të krijojë kushtet për konflikt në të ardhmen, thanë pjesëmarrësit.

Amerika ka një përgjegjësi të vazhdueshme për të ndihmuar vendet e rajonit për të zgjidhur problemet e mbetura, tha ligjvenësi republikan Dana Rohrabacher, Kryetar i Nënkomisionit për Evropën.

“Nuk mund të rrimë mënjanë dhe të presim që Bashkimi Evropian të zgjidhë problemet. Përvoja ka treguar se Evropës i mungon vendosmëria politike për të udhëhequr dhe angazhimi ynë aktiv tani, do të pakësonte shanset për ndërhyrje më sfiduese në të ardhmen”, tha ligjvënësi Dana Rohhabacher, kryetar i nënkomisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Marrëdhëniet me Jashtë.

Ndërsa, ligjvënësi demokrat Gregory Meeks theksoi se mbështetja e Komisionit Evropian për hapjen e negociatave për anëtarësim për Shqipërinë dhe Maqedoninë është një zhvillim inkurajues. Por, sipas tij, rajoni përballet me një ngadalësim të përparimit në procesin e integrimeve euroatalntike dhe me një rritje të ndikimit negativ nga jashtë.

“Banorët e vendeve të Ballkanit Perëndimor nuk janë më aq të bindur mbi përfitimet nga anëtarësimi në BE dhe Nato, si dikur, dhe aktorët e jashtëm si Turqia dhe Rusia janë gjithnjë e më të interesuar dhe më të gatshëm për të ndërhyrë në mënyrë të dëmshme, duke rrezikuar investimet që Shtetet e Bashkuara kanë bërë drejt paqes demokratike në rajon”.

Shirley Cloye DioGuardi nga Lidhja Shqiptaro-Amerikane, theksoi para ligjvënësve nevojën për zgjidhjen e konflikteve të mbetura etnike, sidomos atij në Maqedoni. Ajo tha se Shtetet e Bashkuara duhet të vënë theksin tek respektimi i të drejtave të komuniteteve.

“Politika e Jashmte amerikane në Ballkan në 20 vitet e fundit është përqëndruar në arritjen e stabilitetit me çdo kusht, në vend që të vendosim parandalimin e konfliktit dhe respektimin e të drejtave të njeriut në qendër të angazhimit tonë me rajonin. Si rezultat, pas marrëveshjes së Dejtonit konflikti në Ballkan mbetet ende i pazgjidhur”.

Korrupsioni dhe institucionet e dobëta janë një sfidë tjetër e vendeve të Ballkanit Perëndimor, që thekson nevojën për një angazhim më të madh amerikan dhe evropian për të ndihmuar rajonin në trajtimin e këtyre sfidave, thanë pjesëmarrësit.

Merkel viziton sërish Shtëpinë e Bardhë

Presidenti amerikan, Donald Trump dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, foto nga arkivi.

Qeveria amerikane dhe ajo gjermane kanë njoftuar se më 27 prill kancelarja gjermane, Angela Merkel do të zhvillojë udhëtimin e saj të dytë drejt Shtëpisë së Bardhë, nën udhëheqjen e presidentit amerikan, Donald Trump.

Analistët gjermanë më 18 prill kanë thënë se lufta në Siri, marrëdhëniet me Rusinë, çështjet e tarifave dhe e ardhmja e marrëveshjes bërthamore me Iranin do të jenë disa nga temat e diskutimit.

“Pasi Qeveria gjermane, beson se përballja me këto sfida është interes i përbashkët i Gjermanisë dhe SHBA-së, natyrisht se ka kuptim që të takohemi dhe të bisedojmë për këto gjëra”, ka thënë zëdhënësja e Qeverisë, Ulrike Demmer.

Shtëpia e Bardhë ka njoftuar më 5 prill se vizita e Merkelit pritet të ndodhë, mirëpo nuk ka specifikuar ndonjë datë.

Takimi në mes të Trumpit dhe Merkelit do të vijë tetë ditë pasi kancelarja Merkel të ketë pritur në Berlin presidentin francez, Emmanuel Macron.

Të dy liderët pritet të diskutojnë për pozicionin e përbashkët në reformimin e Bashkimit Evropian, para mbajtjes së samitit të bllokut më 28-29 qershor.

Trump: Stormy Daniels po qarkullon “një trillim”

Presidenti i SHBA, Donald Trump sulmoi sot besueshmërinë e aktores së filmave për të rritur, Stormy Daniels.

Zonja Daniels po qarkullon një skicë të një personi që ajo thotë se e kërcënoi, duke i kërkuar që të mos fliste për marrëdhënien e dyshuar seksuale me zotin Trump.

Në një koment në Twitter, Presidenti Trump e quajti skicën “një trillim” për një njeri që nuk ekziston.

Avokati i zonjës Daniels, Michael Avenatti, ka ofruar një shpërblim prej 131,000 dollarësh për informacione që mund të çonin në identifikimin e personit.

Sipas zonjës Daniels, personi në skicë i ishte afruar në një parkim të Las Vegasit dhe e kishte kërcënuar. Ajo thotë se në vitin 2006 kishte patur një takim intim me zotin Trump.

Avokati i Presidentit Trump, Michael Cohen, i pagoi zonjës Daniels 130 mijë dollarë për të mos folur, nga frika se kjo çështje mund të dëmtonte shanset e zotit Trump për të fituar zgjedhjet e vitit 2016.

Disa ekspertë ligjorë thonë se pagesa mund të interpretohet si një kontribut i paligjshëm i fushatës së zotit Trump.

Presidenti Trump mohon të ketë patur dijeni për mpagesën. Ai gjithashtu ka mohuar se ka patur marrëdhënie me zonjën Daniels.

Raportohet se Pompeo është takuar me liderin verikorean

Drejtori i CIA-së, Mike Pompeo (majtas) dhe lideri verikorean, Kim Jong Un

Raportimet e mediave kanë njoftuar se i nominuari i presidentit amerikan, Donald Trump për Sekretar të Shtetit, Mike Pompeo është takuar me liderin verikorean, Kim Jong Un në kohën kur Trump dhe Kim pritet të takohen me njëri-tjetrin.

Raportimet për takimin në mes të Kimit dhe Pomepos janë bërë të ditura më 17 prill nga The Washington Post, e cila ka thënë se të dy janë takuar në një vizitë sekrete në Korenë Veriore gjatë uikendit të Pashkëve.

Raporti ka cituar dy individë “me njohuri të drejtpërdrejtë për udhëtimin”.

Agjencia e lajmeve Reuters ka cituar më pas një zyrtar të lartë amerikan duke konfirmuar se Pompeo është takuar me Kimin.

Trump, që ka nominuar Pompeon për ta zëvendësuar ish-Sekretarin e Shtetit, Rex Tillerson ka thënë më 17 prill se Uashingtoni dhe Phenjani kanë zhvilluar bisedime direkte “në nivelit tejet të lartë”.

Një samit në mes të Kimit dhe Trump pritet të ndodhë në muajt vijues në kuadër të përpjekjeve të vazhdueshme diplomatike nga shumë vende botërore për të zgjidhur konfliktin për programin bërthamor të Koresë Veriore.

Xhaçka, thirrje për prani ushtarake të SHBA në Shqipëri

Sekretari amerikan i Mbrojtjes James Mattis falenderoi sot Shqipërinë për angazhimin e saj në NATO si një vend aleat, kontributi i së cilës shkon përtej madhësinë si shtet. “Shqipëria ka treguar se madhësia e saj gjeografike ka shumë më pak rëndësi, se sa angazhimi i saj në aleancë. Si një aleate e vendosur, Shqipëria godet më fortë se sa pesha e saj”, tha Sekretari Mattis gjatë takimit me Ministren e Mbrojtjes të Shqipërisë Olta Xhaçka.

Ai vlerësoi edhe rolin e Shqipërisë për të mos lejuar, siç u shpreh ai “ndikimin e dëmshëm rus në rajon”. “Angazhimi i Shqipërisë për pjesën e barrës që i takon vjen në një kohë kur Rusia po kërkon të përçajë aleacën tonë. Gjithashtu, pak vende në rajon kanë qëne më vigjilente se Shqipëria lidhur me ndikimin e dëmshëm rus në rajon dhe unë ju përgëzoj për punën tuaj për të ruajtur integritetin e institucioneve shqiptare”, tha sekretari Mattis.

Shqipëria ofron baza ushtarake

Gjatë takimit të martën në Pentagon, Ministrja e Mbrojtjes e Shqipërisë, Olta Xhaçka bëri thirrje për një prani ushtarake të Shteteve të Bashkuara në Shqipëri.
Ajo tha se Shqipëria po paraqet disa ide për të vënë në dispozicion baza tokësore, ajrore dhe detare por edhe aftësi të tjera, qoftë në mënyrë dypalëshe me SHBA ose në suazën e NATO-s.

Zonja Xhaçka u sugjeroi zyrtarëve amerikanë të mbrojtjes të shikojnë mundësinë që Shqipëria të shërbejë si vend kontakti në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Sipas saj, një prani e SHBA ose e NATO-s mund të ishte një demonstrim i qartë se ky rajon nuk është harruar nga aleatët.

Ajo propozoi konkretisht baza dhe kantiere detarë të Shqipërisë, një aeroport ushtarak për furnizimin me karburant në ajër dhe zonën e stërvitjes në Bizë të Elbasanit si ide që mund të eksplorohen.

Ajo shprehu dëshirën që SHBA të shtojnë praninë e industrisë ushtarake në Shqipëri. Zonja Xhaçka tha se në Shqipëri mund të ketë zona të gjera ku SHBA mund të investojnë. Ajo tha se në një takim me firmën Lckheed-Martin në Uashington, i kishte ofruar firmës të angazhohet më shumë në shtimin e aftësive të vëzhgimit ajror dhe detar të Shqipërisë.

Zonja Xhaçka tha se krahas qëllimeve të Rusisë për t’u shtrirë në rajon dhe veprimeve të tyre destabilizuese vihen re edhe një shtim i synimeve dhe interesave nga vende të tjera si Kina, Irani apo edhe Turqia. Ajo tha se nevojitet të dërgohet një mesazh i fortë se vendet e Ballkanit perëndimor janë të orientuara nga perëndimi.

Zonja Xhaçka tha se “fati i Ballkanit Perëndimor është ai euro atlantik dhe kjo është përgjigjja më e mirë ndaj nacionalistëve ekstremistë fetare dhe ndërhyrjes ruse.”

Komentet e Sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Mattis:

“Që nga anëtarësimi i saj në NATO në 2009, Shqipëria ka treguar se madhësia e saj gjeografike ka shumë më pak rëndësi, se sa angazhimi i saj në aleancë. Si një aleate e vendosur, Shqipëria godet më fortë se sa pesha e saj, duke kontribuar me trupa në misonet e NATO-s, duke u bërë vendi i parë që ka dhuruar armë dhe municione për të mposhtuar koalicionin e IS-sit. Gjithashtu ju keni punuar për të luftuar kundër përhapjes së ekstremizmit në Ballkan dhe më tej nëpërmjet Qendrës suaj të Ekselencës së NATO-s për luftëtarët terroristë të huaj. Faleminderit! Të gjitha këto tregojnë se Shqipëria është e përgatitur për të luajtur rol udhëheqës në Ballkanin Perëndimor, siç tregon edhe angazhimi juaj për të shtuar buxhetin e mbrojtjes në 2 për qind të PPB deri në vitin 2024. Faleminderit për rolin udhëheqës duke dhënë shembull për këtë. Angazhimi i Shqipërisë për pjesën e barrës që i takon vjen në një kohë kur Rusia po kërkon të përçajë aleacën tonë. Gjithashtu, pak vende në rajon kanë qëne më vigjilente se Shqipëria lidhur me ndikimin e dëmshëm rus në rajon dhe unë ju përgëzoj për punën tuaj për të ruajtur integritetin e institucioneve shqiptare. Amerikanët dhe shqiptarët kanë lidhje të forta. Programi i partneritetit me Gardën Kombëtare të Nju Xhersit pasqyron një lidhje më të thellë mes dy vendeve. Gjithashtu sot është dhe një moment mjaft i rëndësishëm për vendin tuaj.”

Ndahet nga jeta Barbara Bush, ish-Zonja e Parë e SHBA

U nda nga jeta në moshën 92-vjeçare Barbara Bush, bashkëshortja e një presidenti amerikan dhe nëna e një tjetri.

Njoftimin e dha zyra e bashkëshortit të saj, ish presidentit George H.W. Bush, pa bërë të ditur shkakun e vdekjes.

Ish zonja e parë ishte mjaft e sëmurë kohët e fundit dhe kishte hequr dorë nga trajtimi i mëtejshëm mjekësor. Sipas njoftimeve, ajo vuante nga zemra dhe një sëmundje kronike pulmonare.​

Barbara Pierce Bush ishte zonja e parë e Shteteve të Bashkuara në fillim të viteve 1990 kur bashkëshorti i saj ishte presidenti i 41-të i vendit. Ajo më pas u bë nëna e një presidenti, kur një nga gjashtë fëmijët e saj, George W. Bush, u zgjodh në vitin 2000.

“Kam pasur probleme kur isha e martuar me presidentin. Dhe tani tek shoh të njëjtën fytyrë që dikur e shëtisja me makinë për ta çuar nëpër ndeshje sportive dhe i bërtisja të pastronte dhomën, pra kur e shoh president, kjo është vërtet e mahnitshme,” ishte shprehur ajo.

Zonja Bush njihej për besnikërinë e saj të pashtershme.

“Nuk më pëlqente kur dikush kritikonte burrin tim të shkëlqyer dhe inatosesha kur më kritikonin djalin,” thoshte ajo.

Shpesh e cilësuar si e përulur, trashëgimia e saj më e madhe është avancimi i arsimimit, thotë profesorja e historisë në Universitetin e Hjustonit, Nancy Beck Young.

“Ajo argumentoi rëndësinë e leximit dhe të shkrimit dhe që secilit t’i jepen këto mundësi. Ajo argumentoi në shumë raste në Shtëpinë e Bardhë se aftësia për të lexuar dhe shkruar përcakton suksesin e çdo individi në shoqëri.”

Fondacioni Barbara Bush për Arsimimin Familjar që ajo themeloi tre dekada më parë ka grumbulluar më shumë se 110 milionë dollarë për të krijuar dhe zgjeruar programe arsimore në mbarë Shtetet e Bashkuara. Ajo ka botuar edhe libra.

“Ndërsa ishte në Shtëpinë e Bardhë ajo shkroi librin “Millie’s Book” historia e treguar nga vështrimi i qenit të saj Millie për jetën në Shtëpinë e Bardhë. Ajo i dhuroi të ardhurat nga libri që ishin gati një milion dollarë për programet arsimore”, thotë Nancy Beck Young.

Ajo ishte e drejtpërdrejtë, thotë zonja Young.

“Ajo kurrë nuk u përpoq të dilte jashtë vetes. Gjithmonë ka qenë e vërtetë me veten. Ajo ia u shpjegoi këtë sekretarëve të shtypit se çdo gjë që ajo thotë është e vërtetë. Ajo thoshte nëse e thashë, e thashë”

Barbara Bush lindi më 8 qershor 1925. Ajo qëndroi e martuar për 73 vjet me njeriun, me të cilin u fejua para se ai të nisej për në luftë.

“Qëndroja aty dhe shihja qiellin e zbrazët, dhe mendoja për miqtë që kam humbur, për vendin e dua dhe një vajzë me emrin Barbara”, kujton presidenti George H.W.Bush.

Ajo u përball me tragjedinë kur një nga dy vajzat e saj vdiq nga leuçemia në moshën 3 vjeçare. Një nga mbesat e saj tha se bota është një vend më i mirë për shkak të zonjës Barbara Bush.

Presidenti Trump në kundërsulm, pas intervistës së zotit Comey

Ndërsa filloi të shitet sot në libraritë amerikane libri i ish-drejtorit të FBI-së, James Comey, Shtëpia e Bardhë vazhdoi ofensivën, vetëm një ditë pasi zoti Comey e përshkroi Presidentin si “moralisht të papërshtatshëm” për postin, siç u shpreh ai gjatë një interviste me kanalin ABC News. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Jim Malone, administrata është hedhur në kundërsulm ndaj zotit Comey, përmes Twitter-it dhe përfaqësuesve të Shtëpisë së Bardhë.

Presidenti Trump ishte dje në Florida ku vuri në dukje shkurtimin që u bëri taksave, si dhe duke paralajmëruar se demokratët do të mundohen t’i zhbëjnë arritjet.

“Duan t’jua rrisin prapë taksat, por ne nuk do ta lejojmë këtë, pasi vendi dhe bizneset po rimëkëmben mirë. Gjithçka po ecën shkëlqyeshëm”, deklaroi Presidenti Trump.

Presidenti vazhdoi ofensivën në Twitter kundër ish-drejtorit të FBI-së që ai e shkarkoi vitin e kaluar.

Zoti Comey i tha kanalit ABC se Presidenti mund të ketë penguar drejtësinë kur i kërkoi të favorizonte ish-këshilltarin e tij të sigurisë kombëtare, Michael Flynn.

“Po më kërkonte të pushonim një hetim penal të këshilltarit të tij të sigurisë kombëtare… Unë e mora si një udhëzim. Ai më tha: shpresoj se do ta lësh këtë çështje të kalojë”, tha zoti Comey.

Zoti Comey i tha kanalit ABC se Presidenti Trump nuk është i përshtatshëm për postin. Ai e përsëriti këtë disa herë gjatë intervistës një-orëshe me “USA Today”.

“Nuk mendoj se është mendërisht i papërshtatshëm… Duket si një person me inteligjencë mbi mesataren. Dmth ndjek dhe analizon bisedat, etj. Nuk e kam për këtë aspekt. Mendoj se ai është moralisht i papërshtatshëm për të qenë president”, tha zoti Comey.

Ndër personat që po mbrojnë Presidentin dhe po sulmojnë kredibilitetin e zotit Comey është këshilltarja e Shtëpisë së Bardhë, Kellyanne Conway.

“Ai po jep një version të ndryshuar të historisë. Presidenti as nuk arriti ta njohë si person”, tha zonja Conway.

Kundërsulmi i Shtëpisë së Bardhë ndaj zotit Comey ka ngjallur shqetësime mes demokratëve dhe disa republikanëve se Presidenti mund të jetë pranë shkarkimit të prokurorit të posaçëm Robert Mueller, që drejton hetimet për Rusinë.

Disa ligjvënës duan që Kongresi ta mbrojë prokurorin Mueller.

“Nëse Presidenti do të ndërmerrte ndonjë veprim për të ndërhyrë apo dëmtuar hetimin që po zhvillon prokurori i posaçëm, do të dukej si dikush që e di se është fajtor dhe se nuk mund të përballet me një hetim të ndershëm”, tha ligjvënësi demokrat Jerrold Nadler.

Analistët thonë se ndëmarrja e ndonjë veprimi kundër prokurorit Mueller mund të shkaktojë një furtunë politike.

“Ka sigurisht argumente ligjore që Presidenti mund ta bëjë këtë gjë. Por, mendoj se ai gjendet në një situatë kur edhe anëtarët e partisë së tij, shumica e ligjvënësve, do ta këshillonin të mos ndërmarrë ndonjë hap. Nëse do ta bënte, mendoj se do të shkaktohej një krizë”, thotë analisti John Fortier, i Qendrës për Politikat Dypartiake.

Anketimet e fundit tregojnë se një shumicë e konsiderueshme e amerikanëve dëshirojnë që prokurori Mueller ta përmbushë hetimin e tij për bashkëpunimin e anëtarëve të ekipit elektoral Trump me Rusinë, për të ndikuar tek zgjedhjet e vitit 2016.

Seancë për avokatin Cohen, shfaqet emri i personalitetit televiziv Hannity

Një jurist në Nju Jork ka zbuluar faktin se avokati personal i Presidentit Trump, Michael Cohen, i cili është nën hetim penal për çështje të bizneseve të tij, ka ofruar në mënyrë të fshehtë këshilla ligjore për personalitetin e njohur televiziv dhe mbështetësin e zotit Trump, Sean Hannity.

Ky fakt u zbulua të hënën nga avokati i zotit Cohen gjatë një seance në gjykatën federale të Nju Jorkut.

Seanca u mbajt sepse avokatët që përfaqësojnë zotin Cohen dhe Presidentin Trump, i kishin kërkuar gjykatëses leje për të parë dokumentet që agjentët e FBI-së sekuestruan javën e kaluar nga zyra, shtëpia dhe dhoma e hotelit e zotit Cohen, si pjesë e hetimit që po i bëjnë financave të tij.

Hetimi lidhet me akuzat se Cohen mund të ketë paguar aktoren e filmave pornografikë Stormy Daniels dhe modelen Karen McDougal që ato të mos flisnin për marrëdhëniet intime me zotin Trump.

Avokati i zonjës Daniels, Michael Avenatti, komentoi kështu për nxjerrjen në seancë të emrit të zotit Hannity:

“Mendoj se kjo flet shumë. Sean Hannity u la në baltë nga avokati i zotit Michael Cohen, i cili është më i shqetësuar për mbrojtjen e presidentit sesa për mbrojtjen e zotit Hannity, por ata le t’i zgjidhin vetë punët er tyre.”

Menjëherë pas largimit të zotit Cohen nga gjykata, Sean Hannity u vu nën kritika për faktin që nuk i kishte zbuluar marrëdhëniet e tij me avokatin Cohen. Ndërkaq, në emisionet e tij në radio dhe televizion, ai kritikoi ashpër FBI-në për bastisjen që i bëri zyrave të avokatit Cohen.

Hannity, i cili ka një emision mjaft të ndjekur në televizionin Fox News, tha se nuk ishte klient i zotit Cohen, por se ky i fundit thjesht i kishte dhënë këshilla për disa çështje ligjore.

Avokati i zotit Cohen i ka quajtur bastisjet një incident i pashembullt. Ai nuk ka pranuar që materialet e konfiskuara të shqyrtohen nga një grup i veçantë prokurorësh për të vendosur se cilat mund të përdoren nga hetuesit dhe cilat hyjnë në kategorinë e privilegjit avokat-klient.

Por gjykatësja e hodhi poshtë kërkesën. Prokurorët do t’i vendosin dokumentet në një bazë të dhënash, pa i lexuar ato, por ku mund të kërkosh sipas fjalëve kyçe. Kjo bazë të dhënash do të ndahet me avokatët e zotit Cohen dhe të presidentit.

Ndërkaq, palët do të kthehen në gjykatë pas disa javësh.

NYT, WP fitojnë Pulitzerin për raportimin e “lidhjeve” Trump-Rusi

Presidenti rus, Vladimir Putin, dhe presidenti amerikan, Donald Trump – foto arkivi.

Gazetat New York Times dhe Washington Post fituan Çmimin Pulitzer për raportimin kombëtar të hetimeve të SHBA-së mbi ndërhyrjen e dyshuar të Rusisë në zgjedhjet presidenciale në Amerikë, më 2016, dhe lidhjet e mundshme midis Rusisë dhe bashkëpunëtorëve të presidentit amerikan, Donald Trump.

Çmimi më prestigjoz i gazetarisë në Shtetet e Bashkuara u nda në Universitetin Kolumbia në Nju Jork.

Bordi i Pulitzerit tha se Times dhe Post e ndajnë çmimin për “raportim të thellë dhe të pandërprerë në interesin publik”.

Presidenti Trump vazhdimisht e ka mohuar bashkëpunimin me Rusinë, ndërsa raportimet për ndërhyrjen e saj në zgjedhje i ka cilësuar si “gjueti shtrigash” dhe “lajme të rreme”.

Gazetat New Yorker dhe New York Times, ndërkaq, morën çmim të përbashkët Pulitzer për raportimin e tyre mbi akuzat për ngacmime seksuale në Hollywood.

Ish-Zonja e Parë amerikane “e dobët nga shëndeti”

Ish-Zonja e Parë amerikane, Barbara Bush

Ish-Zonja e Parë e Shteteve të Bashkuara, Barbara Bush, është “e dobët nga shëndeti” dhe nuk do të kërkojë trajtim mjekësor, tha zëdhënësi i familjes.

“Pas disa hospitalizimesh në kohët e fundit dhe pas konsultimit me familjen dhe mjekët, zonja Bush, tani 92 vjeçe, ka vendosur të mos kërkojë trajtim shtesë mjekësor”, tha Jim McGrath.

Barbara Bush është gruaja e George Bushit, presidentit që ka shërbyer nga viti 1989 deri më 1993, dhe nëna e George W. Bushit, i cili ka shërbyer dy mandate presidenciale, nga 2001 deri më 2009.

Zëdhënësi McBrath nuk dha detaje për problemet shëndetësore të zonjës Bush.

Barbara dhe George Bush kanë gjashtë fëmijë dhe janë të martuar që nga viti 1945 – më gjatë se çdo çift presidencial në historinë amerikane.

Trump do tërheqjen e trupave nga Siria

Presidenti amerikan, Donald Trump

Shtëpia e Bardhë ka thënë se misioni i Shteteve të Bashkuara në Siri nuk ka ndryshuar, duke përsëritur qëndrimin e presidentit Donald Trump se dëshiron që trupat amerikane të kthehen në shtëpi “sa më shpejt që është e mundur”.

Këto deklarata vijnë pas sulmeve ajrore që Shtetet e Bashkuara, Britania dhe Franca kryen në Siri, në kundërpërgjigje ndaj një sulmi të dyshuar kimik në Duma më 7 prill, ku u vranë dhjetëra persona.

Sulmet ajrore ishin parë si sinjal të përfshirjes më të thellë të SHBA-së në konfliktin 7-vjeçar sirian.

Por zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sara Sanders ka thënë se Trump “e ka bërë të qartë se ai dëshiron që forcat e SHBA-së të kthehen në shtëpi sa më shpejt që të jetë e mundur”.

“Ne jemi të përkushtuar që të shkatërrojmë plotësisht grupin militant Shteti Islamik dhe të krijojmë kushte që ata të mos kthehen më”, ka thënë ajo përmes një deklarate.

“Prandaj, ne presim që aleatët tanë rajonalë dhe partnerët, të marrin përgjegjësi më të mëdha, si në aspektin ushtarak dhe atë financiar, për të siguruar rajonin”, ka thënë Sanders.

Komentet e Sanders vijnë pasi ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara, Nikki Haley ka thënë se SHBA nuk do të tërheqë trupat menjëherë, duke thënë se përfshirja e SHBA-së në Siri “nuk ka përfunduar”.

“Në një pikë, ne duam që të shohim trupat tanë të kthehen në shtëpi. Sigurisht ky është qëllimi. Por, janë tri gjëra që ne duhet të bëjmë atje. E para, presidenti Trump e ka bërë shumë të qartë se nuk mund të kemi përdorim të armëve kimik dhe ne do të vazhdojmë ta luftojmë këtë, në mënyrë që të mbrojmë interesat amerikane”.

“E dyta, ne duam të siguriohemi që ata ta kuptojnë se IS duhet të mposhtet dhe të shkatërrohet plotësisht, në atë mënyrë që ne të dijmë se e kemi stabilizuar rajonin. Kemi bërë përparim fantastik në këtë aspekt. Por, ne nuk do të ndalemi derisa të kemi larguar IS-in nga kjo zonë.E treta, ne duam të sigurohemi se ndikimi i Iranit nuk shpërndahet në këtë zonë. Ata vazhdojnë të shkaktojnë probleme përgjatë rajonit dhe ne duam të sigurohemi që kjo të ndalet. Presidenti u ka kërkuar aleatëve që të nëjnë më shumë kur vjen puna për Sirinë. Prandaj, të gjitha këto po bëhen në emër të kthimit të ushtrisë sonë në shtëpi”, ka thënë Haley.

Deklarata e Shtëpisë së Bardhë vjen pasi presidenti francez, Emmanuel Macron ka thënë se ai e ka bindur Trumpin që të vazhdojë të jetë i përfshirë në Siri “për një periudhë të gjatë kohore”.

Macron ka thënë se “dhjetë ditë më parë, Presidenti Trump dëshironte të tërhiqej nga Siria. Ne e kemi bindur që të qëndrojë”.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron dhe ai i SHBA-së, Donald Trump
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron dhe ai i SHBA-së, Donald Trump

Ai ka shtuar se Franca dëshiron të nisë një iniciativë diplomatike për Sirinë, ku do të përfshiheshin fuqitë Perëndimore, Rusia dhe Turqia.

Ndërkaq, Trump më 15 prill e ka informuar me shkrim Kongresin për vendimin e tij për të kryer sulme ajrore në Siri.

Sipas ligjeve në SHBA, presidenti duhet të mbajë të informuar Kongresin për veprime të tilla.

Trump u ka thënë ligjvënësve se ai ka vepruar për të “promovuar stabilitet në rajon, për të penguar përdorimin dhe përhapjen e armëve kimike dhe për të shmangur një përkeqësim të katastrofës humanitare në rajon”.

Përgatiti: Mimoza Sadiku

Trump: James Comey duhet futur në burg

Presidenti Donald Trump komentoi të dielën se ish-drejtori i FBI-së James Comey, të cilin zoti Trump e shkarkoi nga detyra, duhet të futet në burg pasi ka nxjerrë informata sekrete dhe ka gënjyer Kongresin. James Coemy sapo ka botuar një libër me kritika të forta në adresë të presidentit.

Disa orë para një interviste të shumëpritur me zotin Comey, Presidenti Trump postoi një barazh sulmesh ndaj ish-drejtorit të FBI-së. Libri i zotit Comey, i titulluar “Një Besnikëri më e Lartë” do të dalë në treg të martën dhe është aktualisht shumë i kërkuar, siç dëshmojnë porositë në sitet elektronike që e shesin.

A copy of former FBI Director James Comey's new book, "A Higher Loyalty: Truth, Lies and Leadership," is on display, Apr. 13, 2018, in New York.
A copy of former FBI Director James Comey’s new book, “A Higher Loyalty: Truth, Lies and Leadership,” is on display, Apr. 13, 2018, in New York.

Në libër, zoti Comey e krahason Donald Trumpin me një “bos të mafias” dhe thotë se presidenca e tij ka marrë tiparet e “zjarrit në pyll”.

“Pyetjet qendrore për librin e kritikuar të Comey-t mbeten pa përgjigje. Si ka mundësi që ai nxori informata sekrete (të burgoset)”, shkruan presidenti në Twitter. Siç duket këto komente i referohen shënimeve që ka mbajtur zoti Comey për bisedat që ka zhvilluar me presidentin. Por në fakt këto shënime nuk përbëjnë informacion sekret. Nuk është e qartë se për çfarë e ka fjalën presidenti kur thotë se Comey ka gënjyer Kongresin gjatë dëshmisë së tij.

The big questions in Comey’s badly reviewed book aren’t answered like, how come he gave up Classified Information (jail), why did he lie to Congress (jail), why did the DNC refuse to give Server to the FBI (why didn’t they TAKE it), why the phony memos, McCabe’s $700,000 & more?

— Donald J. Trump (@realDonaldTrump) April 15, 2018

“Kurrë nuk i kam thënë Comey-t të më betohej për besnikëri personale. Nuk e njihja personalisht. Kjo është një nga gënjeshtrat e tij. Shënimet që ka mbajtur janë thjesht për interes të tij dhe janë të SAJUARA!” shkruan presidenti në Twitter.

I never asked Comey for Personal Loyalty. I hardly even knew this guy. Just another of his many lies. His “memos” are self serving and FAKE!

— Donald J. Trump (@realDonaldTrump) April 15, 2018

“James Comey dredharak, një njeri që gjithmonë përfundon keq dhe s’ia ka idenë (nuk është i zgjuar!) do të hyjë në histori si drejtori MË I KEQ i FBI-së!”

Slippery James Comey, a man who always ends up badly and out of whack (he is not smart!), will go down as the WORST FBI Director in history, by far!

— Donald J. Trump (@realDonaldTrump) April 15, 2018

Në librin e tij, zoti Comey shkruan: “Ky president nuk ka etikë, nuk do t’ia dijë për të vërtetën dhe vlerat kushtetuese. Stili i tij udhëheqës bazohet tek transaksionet, tek egoja dhe besnikëria personale”.

Zoti Comey fillon një turne për të publikuar librin ndërsa të dielën në darkë jep një intervistë për rrjetin ABC News.

Opinione amerikane mbi sulmet në Siri

Shtetet e Bashkuara, Britania dhe Franca të shtunën kryen sulme ushtarake kundër qeverisë së presidentit Asad për shkak të përdormit të armëve kimike nga Siria kundër banorëve të saj. Sulmet kishin objektiv reduktimin e aftësisë së Sirisë për përdorimin e armëve kimike në të ardhmen. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Jill Craig bisedoi me banorë dhe turistë në Uashington, për të mësuar se çfarë mendojnë rreth sulmeve.

Grupe njerëzish u mblodhën dje para Shtëpisë së Bardhë për të protestuar kundër sulmeve ushtarake amerikane, britanike dhe franceze që goditën godinat e armëve kimike siriane.

“Unë mendoj se ky sulm ndaj Sirisë është thjeshtë pjesë e trashëgimisë së imperializmit amerikan, e bindjes se ne mund të diktojmë dhe kontrollojmë ato që ndodhin në mbarë botën. Dhe kjo, në mënyrë të pashmangshme, gjithmonë rrit mundësinë e konfliktit, shkatërrimit, vuajtje dhe humbje jete” thotë Michael Pappas, një student i mjekësisë.

Të tjerë thonë se mbrojtja e civilëve duhet të jetë prioritet.

“Për sa u përket goditjeve dhe shkatërrimit të armëve kimike, e shoh si diçka pozitive, nëse këto armë po lëndojnë civilët sirianë. Por shqetësohem nëse në këto sulme u plagosën ose u vranë civilë sirianë në terren. Nëse kjo ndodh, është e tmerrshme” thotë Zach Jones.

…dhe ai nuk është i vetmi banor i Uashingtonit që ndihet në mëdyshje…

“Kam mendime kontradiktore në lidhje me këtë. Mendoj se është e nevojshme, jam e kënaqur që po përpiqemi të bëjmë diçka për të mbrojtur njerëzit që jetojnë në Siri, por jam edhe e shqetësuar, sepse bombardimi nuk është domosdoshmërisht zgjedhja ime e parë,” thotë Beth.

Ndërsa të tjerë këtu në Uashington besojnë se veprimi ushtarak ishte i domosdoshëm ndaj presidentit sirian Assad.

“Dikush duhet të përpiqet të mbrojë popullin e Sirisë, sepse sulmet me gaz helmues kanë vranë shumë fëmijë dhe mendoj se është veprimi i duhur” thotë një turist nga Karolina e Veriut.

Sekretari i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara Jim Mattis tha se këto sulme nuk do të përsëriten, nëse Presidenti Assad nuk do të përdorë më armë kimike.

Shumë njerëz shpresojnë se kjo është e vërtetë.

“Epo, ishte një surprizë e madhe e të premtes mbrëma. Shpresa ime tani është se gjërat nuk do të përshkallëzohen deri në atë pikë ku zhvillimet nuk diktohen më nga njerëzit e matur”.

Presidenti Trump akuzoi Rusinë dhe Iranin, dy nga aleatët kryesorë të Sirisë, se kanë mbështetur “diktatorë vrasës” dhe i kërkoi Moskës të ndryshonte drejtim. Ambasadori i Rusisë në Shtetet e Bashkuara foli kundër sulmeve dhe paralajmëroi se do të ketë pasoja.

Aleatët: sulmi ndaj Sirisë i ligjshëm dhe i justifikuar

Shtetet e Bashkuara, Britania dhe Franca thonë se sulmi i tyre ajror ndaj objekteve të programit të armëve kimike të Sirisë ishte i bazuar në ligjin ndërkombëtar. Duke folur gjatë takimit të jashtëzakonshëm të Këshillit të Sigurimit, të kërkuar nga Rusia, përfaqësuesit e tre vendeve aleate thanë se sulmi ishte i nevojshëm për të parandaluar përdorimin e mëtejshëm të armëve luftarake të paligjshme dhe çnjerëzore. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Margaret Besheer, njofton nga selia e Kombeve të Bashkuara.

Ambasadori i Rusisë në OKB shprehu revoltimin e Moskës për sulmin e koordinuar ndaj depove të armëve kimike të Sirisë dhe të qendrave të saj kërkimore.

“Kërkojmë të ndalojë menjëherë agresioni dhe të hiqet dorë nga përdorimi i forcës së paligjshme në të ardhmen”, tha ambasadori rus në OKB, Vassily Nebenzia.

Dje, një ekip inspektorësh i Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike mbërriti në Damask për të hetuar në qytetin Douma. Zoti Nebenzia kritikoi tre fuqitë perëndimore për kryerjen e sulmeve ajrore përpara se ekipi i inspektorëve të përmbushte detyrën dhe të nxirrte konkluzionet.

“Kështu i doni të zhvillohen tashmë marrëdhëniet ndërkombëtare? Ky është huliganizëm në marrëdhëniet ndërkombëtare, dhe jo huliganizëm i vogël, pasi bëhet fjalë për fuqi kryesore bërthamore”, deklaroi ambasadori rus.

Tre fuqitë perëndimore iu përmbajtën pikëpamjes se sulmet ishin të justifikuara, legjitime dhe proporcionale.

“Mbrëmë, goditëm me sukses në zemër të sistemit të armëve kimike të Sirisë dhe jemi të sigurtë se kemi dëmtuar programin sirian të armëve kimike. Jemi të gatshëm ta ruajmë këtë presion, nëse regjimi sirian do të testojë me pamendësi vullnetin tonë”, tha ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në OKB, Nikki Haley.

Rusia u shpreh gjithashtu se sulmet bien në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar dhe Kartën e OKB-së. Ambasadori i Francës nuk ra dakord.

“Do ju kujtoja se ajo kartë nuk u hartua për të mbrojtur kriminelë”, tha ambasadori francez në OKB, Francois Delattre.

Ambasadorja e Britanisë tha se veprimi ushtarak ishte i kufizuar dhe shmangu viktimat në radhët e civilëve.

“Mbretëria e Bashkuar mendon se ishte e drejtë dhe e ligjshme ndërmarrja e veprimit ushtarak, së bashku me aleatët tanë më të afërt, për të lehtësuar vuajtjet e mëtejshme njerëzore duke degraduar aftësitë e regjimit sirian për armë kimike dhe duke parandaluar përdorimin e tyre”, tha ambasadorja e Britanisë në OKB, Karen Pierce.

Rusia dështoi në përpjekjen për të miratuar një rezolutë që do të dënonte sulmin, duke marrë vetëm 3 vota pro, nga 15 vendet anëtare të Këshillit të Sigurimit.

Stuhi bore në disa pjesë të SHBA-ve, tre të vdekur

Për shkak të stuhisë janë anuluar së paku 400 fluturime në aeroportin ndërkombëtar në Minneapolis, në shtetin federal Minnesota, ku dje janë matur rreth 33 centimetra borë

MINNEAPOLIS – Stuhi e fuqishme me borë, shi, breshër dhe erë të fuqishme ka përfshirë pjesët qendrore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), duke shkaktuar vdekjen e së paku tre personave, mes të cilëve edhe të një fëmije dy vjeçar.

Për shkak të stuhisë janë anuluar së paku 400 fluturime në aeroportin ndërkombëtar në Minneapolis, në shtetin federal Minnesota, ku dje janë matur rreth 33 centimetra borë.

Reshjet e borës shkaktuan anulimin edhe të disa ndeshjeve të futbollit.

Autoritetet amerikane mbyllën disa rrugë në jugperëndim të Minnesota-s për shkak të kushteve të rënda në rrugë.

Për shkak të kushteve të këqija klimatike aeroporti në Siouz Falls, Dakota Jugore, është mbyllur tashmë dy ditë.

aa

Avokati amerikan djeg veten duke protestuar kundër ndryshimeve klimatike

Një avokat i mirënjohur amerikan ka vdekur pasi ka djegur veten në një park në Nju Jork në shenjë proteste kundër ndryshimeve klimatike.

Trupi i David Buckel, 60 vjeçar është gjetur në një park në Brukllin.

Përmes një letre pasi ka kryer vetëvrasje ai ka thënë se ka djegur veten duke përdorur karburante për të simbolizuar siç ka thënë dëmin që po i bëjnë njerëzit, botës.

Ai ka thënë se shumë persona marrin ajër të keq dhe disa prej tyre përballen me vdekje të hershme.

Buckel është njohur për punën e tij në të drejtat e komunitetit LGBT, ndërsa më vonë është angazhuar në shumë grupe për mbrojtjen e ambientit.

“Vdekja ime e hershme me karburante reflekton atë që po i bëjmë vetes”, ka shkruar ai.

SHBA, mbahet festivali i lules së qershisë

Çdo mars dhe prill, qindra mijëra njerëz dynden në Washington për të parë lulëzimin e qershive, për çka që nga viti 1935 organizohet festivali i lules së qershisë

UASHINGTON – Në kryeqytetin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Uashington, po mbahet festivali tradicional i lules së qershisë, ku janë organizuar një sërë manifestimesh.

Të pranishmit kanë mundur të shohin tullumbacet gjigante me figurat e heronjve të filmave të animuar të cilat i mbanin pjesëmarrësit e kolonës së parakaluesve, ndërkohën për nder të festivalit u mbajt edhe një paradë nga anëtarët e organizatave joqeveritare, ndërsa për argëtimin e të pranishmëve u përkujdesën disa orkestra të angazhuara.

Çdo mars dhe prill, qindra mijëra njerëz dynden në Washington për të parë lulëzimin e qershive, për çka që nga viti 1935 organizohet festivali i lartpërmendur me qëllim të afrimit të njerëzve në periudhën më të mirë të vitit, të cilës padyshim i kontribuon edhe lulëzimi i qershive.

Në festivalin në fjalë, hapësirë e veçantë i kushtohet prezantimit të kulturës japoneze, vendi nga ku kjo qershi ka mbërritur në SHBA.

Qershia japoneze (Prunus serrulata), të cilën në Japoni e quajnë sekura, është simbol kombëtar i atij vendi.

Japonia në vitin 1910, intensifikoi raportet diplomatike me SHBA-të, ndërsa në vitin 1912, Tokio u vëllazërua me Washingtonin, ku në shenjë të vullnetit të mirë dhe miqësisë, u dhuruan amerikanëve disa pemë qershie të cilat atëherë u mbollën në parkun rreth liqenit Tidal në Washington.

Me kohë, pemët e qershisë u përhapën edhe në pjesë tjera të qytetit, ndërsa nga viti 1930, llogariten ndër simbolet kryesore të qytetit. aa

Pentagoni: Sulmet në Siri goditën të gjitha objektivat

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara po zhvillon një takim urgjent të thirrur nga Rusia, e cila ka propozuar një rezolutë ku dënohen goditjet e ndërmarra sot në mëngjes nga tre aleatë perëndimorë ndaj objektivave siriane.

Ambasadorja amerikane në OKB, Nikki Haley tha se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të vazhdojnë presionin ndaj regjimit sirian, nëse Siria bën marrëzinë të kryejë sulme të tjera me armë kimike. “Koha e fjalëve mbaroi mbrëmë. Amerika qëndron në gatishmëri. Kur presidenti ynë cakton vijën e kuqe, ai e zbaton”.

Ambasadori rus në OKB akuzoi Shtetet e Bashkuara për huliganizëm në politikën e jashtme dhe për shkelje të rëndë të ligjit ndërkombëtar.

Pentagoni deklaroi se operacioni i ndërmarrë në Siri ka goditur me sukses objektivat e synuara me qëllimin për të dobësuar kapacitetet e armëve kimike të regjimit

Shtetet e Bashkuara, Franca dhe Britania ndërmorën sulme ajrore të shtunën në mëngjes, duke lëshuar 105 raketa mbi tre objekte siriane të armëve kimike, një në Damask, dy të tjerë pranë Homsit në afërsi të kufirit me Libanin.

Zyrtarët ushtarkë amerikanë thanë se të gjitha raketat goditën objektivat pak minuta njëra pas tjetrës, duke i shkatërruar objektet.

“Kemi goditur zemrën e programit sirian të armëve kimike,” tha Gjeneral Lejtnanti në një konferencë për shtyp të shtunën në Pentagon.

Presidenti Donald Trump vlerësoi rolin e Britanisë dhe Francës për angazhimin në operacionet e bashkërenduara ajrore mbi Siri. Zoti Trump postoi para pak orësh një koment në Twitter ku shkruan se u realizua një goditje e ekzekutuar në mënyrë perfekte dhe falenderon dy vendet aleate si dhe forcat e armatosura amerikane. Presidenti kishte paralajmëruar se Shtetet e Bashkuara do të përgjigjeshin ndaj sulmit me armë kimike të javës së kaluar në Siri. Mbrëmë Donald Trump iu drejtua amerikanëve me një fjalim të drejtpërdrejtë ku njoftoi vendimin për të goditur objektiva të ushtrisë siriane:

“Pak më parë u dhashë urdhër forcave të armatosura të Shteteve të Bashkuara të ndërmarrin goditje të përqëndruara tek objektiva që kanë lidhje me kapacitetet për sulme kimike të Presidentit sirian Bashar al-Asad,” tha Presidenti Trump.

Presidenti Trump iu drejtua vendit mbrëmë me një fjalim të transmetuar përmes televizionit dhe medias sociale, pak sekonda para se të fillonin goditjet ajrore, që tronditën me shpërthime dhe gjëmime të zhurmshme Damaskun.

Administrata i prezantoi goditjet si një veprim që synon t’i jepë një mesazh të qartë regjimit të Presidentit sirian Bashar al-Assad për sulmin me armë kimike ndaj civilëve të zhvilluar javën e kaluar, si dhe për të parandaluar sulme të tilla në të ardhmen.

“Është e qartë se regjimi i Assadit nuk e mori mesazhin vitin e kaluar. Këtë radhë, ne dhe aleatët goditëm më fort. Së bashku i dërguam një mesazh të qartë Assadit dhe ithtarëve të tij vrastarë se nuk duhet të zhvillojnë të tjera sulme kimike, për të cilat do të mbajnë përgjegjësi”, tha Sekretari Mattis.

Sekretari Mattis, i cili dha një konferencë për shtyp pak pas fillimit të sulmit, tha se objektivat u përzgjodhën për të shkaktuar degradim afatgjatë dhe dëm maksimal ndaj rezervave të armëve kimike të Sirisë, si dhe shtoi se gjatë sulmeve ajrore, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët bënë të pamundurën për të shmangur viktima në radhët e civilëve dhe shtetasve të huaj.

Sekretari Mattis tha se u përdor gaz klorin gjatë sulmit kimik në qytetin Douma javën e kaluar që la pas të paktën 40 viktima dhe qindra të tjerë në gjendje të rëndë shëndetësore. Siria mohon me forcë këto akuza.

“Jam i sigurtë se regjimi sirian kreu një sulm kimik ndaj njerëzve të pafajshëm javën e kaluar. Kemi gjithashtu edhe nivelin e duhur të të dhënave të besueshme të zbulimit për goditjen ajrore”, tha Sekretari Matties.

Gjenerali Joseph Dunford, shefi i shtabit amerikan, tha se më shumë detaje për sulmin ajror do të bëheshin të ditura në vazhdim.

Presidenti Donald Trump ishte shprehur paraprakisht se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të ruajnë presionin ndaj Assadit derisa ai t’i japë fund, asaj që Presidenti Trump e quajti një vazhdimësi kriminale e vrasjes së popullit të tij me armë kimike të ndaluara nga ligji ndërkombëtar.

Presidenti Trump fajësoi dy nga vendet që mbështesin Sirinë, Rusinë dhe Iranin, se nuk ndaluan përdorimin nga regjimi sirian të këtyre armëve të ndaluara.

“Në vitin 2013, Presidenti Putin dhe qeveria e tij i premtuan botës se do të garantonin eliminimin e armëve kimike të Sirisë. Sulmi më i fundit i Assadit dhe kundërpërgjigja e sotshme janë rezultat i drejtpërdrejt i dështimit të Rusisë për ta mbajtur fjalën. Rusia duhet të vendosë nëse do të vazhdojë në këtë rrugëtim të errët, apo nëse do t’u bashkohet kombeve të civilizuara si një forcë stabiliteti dhe paqeje”, deklaroi Presidenti Trump.

Rusia njoftoi se sistemet siriane të mbrojtjes ajrore, të prodhuara gjatë epokës sovjetike, rrëzuan 71 nga 103 reketat e lëshuara nga aleatët. Rusia thotë se ka monitoruar me radarët e saj sulmet. Zëdhënës të forcave ruse thonë se nuk ka pasur lëndime në personelin ushtarak sirian dhe se dëmet materiale kanë qenë minimale:

“Sistemet tona mbrojtëse në bazat ushtarake në Khmeimim dhe Tartus pikasën dhe i kishim nën vëzhgim të gjitha raketat e lëshuara nga mjetet detare dhe ajrore të Shteteve të Bashkuara dhe të Mbretërisë së Bashkuar. Pjesëmarrja e reklamuar e Francës nuk u evidentua”, tha Gjeneral Sergey Rudskoy, shef i operacioneve në shtabin qendror të Rusisë.

Kryeministri italian Paolo Gentilioni përshëndeti sot sulmet ajrore të aleatëve.

“Operacioni ishte një përgjigje e motivuar nga përdorimi i armëve kimike në Douma dhe fatkeqësisht nuk është hera e parë që regjimi sirian përdor armë kimike gjatë këtij konflikti. Besoj se një shekull pas Luftës së Parë Botërore nuk mundemi të pranojmë idenë e përdorimit të armëve kimike gjatë konflikteve të tanishme”, tha Kryeministri Gentilioni.

Mesazhe mbështesëse u dhanë gjithashtu nga Kanadaja, Japonia, Turqia…..

Sipas agjensisë franceze të lajmeve AFP, shpërthime të shumta u dëgjuan menjëherë në kryeqytetin sirian, ndërkohë që Presidenti amerikan Donald Trump po njoftonte për sulmin ajror.

Sipas Observatorit Sirian për të Drejtat e Njeriut, me seli në Britani, u godit një laborator kërkimor në Damask, si dhe një sërë bazash ushtarake siriane përreth kryeqytetit.

Pentagoni: Më shumë se 100 raketa u lëshuan në Siri

Pentagoni ka njoftuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës së bashku me Britaninë e Madhe dhe Francën kanë lëshuar më shumë se 100 raketa nga anijet dhe aeroplanët në sulmin kundër regjimit të Bashar al Assadit.

SHBA-të nuk kanë konfirmuar se sa raketa kanë goditur caqet derisa media siriane pro-Assadit ka raportuar se 30 raketa janë lëshuar mbi Sirinë dhe se një e treta e tyre ishte shkatërruar nga ushtria siriane.

SHBA, avokati privat i presidentit Trump nën hetim penal

Në SHBA, prokurorët federalë zbuluan të premten se avokati privat i Presidentit Donald Trump është nën hetim kriminal.

Cohen ndodhet nën hetim prej muajsh, thanë prokurorët gjatë një paraqitjeje në gjykatën federale të Manhatanit në Nju Jork.

Prokurorët thanë se hetimi përqendrohet tek marrëdhëniet e tij personale të biznesit “dhe jo te puna si avokat”.

Ata i bënë komentet si përgjigje ndaj përpjekjes së zotit Cohen për të mos lejuar prokurorët të shqyrtojnë dokumentet që ata sekuestruan gjatë bastisjes së shtëpisë dhe zyrës së tij ditën e hënë.

Përpjekje dypartiake për të mbrojtur nga shkarkimi prokurorin special Mueller

Anëtarë të Kongresit nga të dyja partitë po bëjnë përpjekje të reja për të mbrojtur nga shkarkimi prokurorin special Robert Mueller. Zoti Mueller drejton procesin hetimor lidhur me rolin e Rusisë në zgjedhjet presidenciale të 2016. Në Uashington po shtohet shqetësimi mbi të ardhmen e tij, pasi presidenti shprehu kritika të forta për bastisjen që urdhëroi këtë javë prokurori special Mueller tek zyra dhe banesa e avokatit të tij personal, Michael Cohen.

Presidenti Trump sulmoi hetimet mbi Rusinë, pasi FBI-ja bastisi shtëpinë, zyrën dhe dhomën e hotelit të avokatit të tij personal, Michael Cohen:

“Është e turpshme, vërtetë e turpshme. Është sulm ndaj vendit tonë në kuptimin e plotë të fjalës; sulm ndaj parimeve që mbrojmë”.

Siç njoftohet, hetuesit po analizojnë se çfarë roli ka luajtur avokati i presidentit në pagesat që morën dy gra, aktorja e filmave pornografikë, Stormy Daniels dhe modelja e revistës erotike Playboy, Karen McDougal, të cilat kanë thënë se kanë pasur marrëdhënie intime me zotin Trump para se ai të bëhej president.

Shtëpia e Bardhë po ndjek trajektoren që po merr hetimi, tha zëdhënësja Sarah Huckabee Sanders:

“Presidenti e ka thënë qartë se është shumë i shqetësuar nga drejtimi që po merr hetimi i prokurorit special”.

Presidenti u revoltua nga bastisja e zyrës dhe banesës së avokatit të tij Cohen, thotë Jonathan Lemire i agjencisë së lajmeve Associated Press.

Jonathan Lemire, Agjencia e Lajmeve Associated Press

“Mund të themi ndoshta se që kur u bë president, zoti Trump nuk ka qenë kurrë më i revoltuar se në këtë rast. Bastisjet në banesën e zyrën e Michael Cohen e zemëruan shumë”.

Njerëz të afërt me presidentin si ish-guvernatori Chris Christie po e nxisin të tregojë maturi:

“Presidenti është shumë i revoltuar nga këto zhvillime, këtë e ka shprehur vetë. Por nuk mund ta shkarkojë prokurorin special”.

Disa demokratë dhe disa republikanë, ndër ta udhëheqësi i demokratëve në Senat, Chuck Schumer, po mbështesin një projektligj për ta mbrojtur zotin Mueller.​

“Kongresi duhet të shprehet qartë dhe prerazi, me një zë të vetëm duke miratuar ligjin për të garantuar se presidenti nuk do të arrijë të shkarkojë prokurorin special Mueller, apo Zëvendës Prokurorin e Përgjithshëm Rosenstein”.

Shkarkimi i Muellerit nuk do të thotë përfundimi i hetimeve mbi Rusinë, thotë Chris Edelson, profesor në Universitetin Amerikan.

“Nuk mendoj se Donald Trumpi mund të ndalë kollaj procesin që ka arritur deri në këtë pikë. Janë ngritur padi ndaj një numër njerëzish, disa prej tyre kanë pranuar fajësinë. Procesi do të vazhdojë. Nuk do të ndalet me shkarkimin e Muellerit”.

Pasojat politike për presidentin do të ishin serioze thotë analisti John Fortier.

“Kongresi do të ishte shumë i pakënaqur, sidomos demokratët. Pa diskutim që do të çonte në pasoja më të rënda sepse mendoj që Kongresi do të reagonte me forcë kundër një veprimi të tillë”.

Shtëpia e Bardhë e Presidentit Trump tani po përgatitet për nxjerrjen në treg javën e ardhshme të librit të ish-drejtorit të FBI-së James Comey. Shkarkimi i zotit Comey vjet nga Presidenti Trump u bë shkas për emërimin e prokurorit special, Mueller.

Trumpi sulmon ashpër ish-drejtorin e FBI, Comey për librin e ri

Mbështetësit e Presidentit të SHBA, Donald Trump kanë filluar një fushatë në internet për të diskredituar një libër me kujtime të ish-drejtorit të FBI-së James Comey, që pritet të botohet së shpejti.

Libri me titull “Një besnikëri më e lartë: Të vërtetat, gënjeshtrat dhe lidershipi”, pritet të dalë në qarkullim më 17 prill.

Siç njofton agjencia e lajmeve Associated Press, në libër zoti Comey nuk i kursen sulmet e ashpra në drejtim të Presidenti Trump.

“Ai e quan presidentin ‘joetik’ dhe të shkëputur nga e vërteta. Comey e përshkruan stilin e tij të udhëheqjes si diçka të shtyrë nga allishverishet dhe nga egoja, diçka që lidhet me besnikërinë ndaj tij.Kjo temë përshkon gjithë librin, kur autori na jep takimet e tij me presidentin e zgjedhur në Kullën Trump, pastaj më vonë disa herë në Shtëpinë e Bardhë dhe më pas në telefon kur Comey ishte akoma në postin e tij. Ai shpesh e krahason zotin Trump me atë të një bosi mafioz, duke thënë se presidenti në një farë mënyre dukej sikur po drejtonte një familje krimi në Nju Jork”, thotë Jonathan Lemire, gazetar i agjencisë së lajmeve Associated Press.

Libri me kujtime premton të japë një vështrim të thellë në marrëdhënien e tensionuar të zotit Comey me presidentin Trump, i cili e shkarkoi, duke e akuzuar për ndërhyrje në pavarësinë e FBI-së.

Presidenti Trump reagoi sot në Twitter, duke e quajtur ish-drejtorin e FBI-së një “rrjedhës informacioni dhe gënjeshtar të provuar”.

“Thuajse çdo njeri në Uashington mendonte se ai duhej shkarkuar për punën e tmerrshme që kishte bërë, deri sa në fakt u shkarkua. Ai nxori informacione sekrete, gjë për të cilën duhet të ndiqet penalisht. Ai gënjeu para Kongresit nën betim,” shkruan Presidenti Trump në komentin e tij në Twitter, ku mes të tjerash e quan zotin Comey të “neveritshëm.”

Publikimi i librit vjen në një moment veçanërisht të ndjeshëm për zotin Trump dhe Shtëpinë e Bardhë. Zyrtarë në Shtëpinë e Bardhë thonë se ai është zemëruar së tepërmi për një bastisje të ndërmarrë kohët e fundit nga FBI-ja në shtëpinë dhe zyrën e avokatit të tij personal, duke shtruar mundësinë që ai të shkarkojë nga detyra zëvendës Prokurorin e Përgjithshëm Rod Rosenstein, i cili emëroi njeriun që kryen hetime rreth lidhjeve të mundshme të fushatës Trump me Rusinë, Robert Mueller, ose që të përpiqet t’i japë fund hetimit të zotit Mueller.

Komiteti Kombëtar Republikan hapi të enjten një faqe të re në internet me titull Lyin’Comey.com, që përmban citime nga demokratë të njohur që kanë kritikuar ish-drejtorin e FBI-së në të kaluarën.

Fox News njofton se Partia Republikane ka në plan të bëjë një verifikim të fakteve që parashtrohen në librin e zotit Comey dhe ta përdorë këtë faqe interneti si një mjet të kundërpërgjigjes së shpejtë për vënë në dukje “keqinterpretimet” apo “kontradiktat”, siç i quan ajo.

Ish-drejtori i FBI-së e krahason Trumpin me “shef të mafias”

Ish-drejtori i FBI-së, James Comey në librin e tij më të ri e akuzon presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump se është “joetik” dhe është i pavërtetë, duke e krahasuar atë me një “shef të mafias” që kërkon besnikëri absolute nga vartësit e tij.

Në librin i cili pritet të dalë në shtyp më 17 prill, por që disa media amerikane kanë arritur ta sigurojnë atë, Comey, të cilin Trump e shkarkoi rreth një vit më parë, thotë se presidenti amerikan jeton në një “realitet alternativ” dhe përpiqet që t’i tërheq aty të gjithë përreth tij, ka raportuar Washington Post.

Comey ka shkruar se takimet me Trumpin i kanë rikthyer në kujtesë ““karrierën time të mëparshme si prokurorë kundër organizatave mafioze”.

Comey ka shkruar se sipas tij, Trump nuk e ka ndenjën e asaj se çfarë është e drejtë dhe çfarë e gabuar, ka raportuar New York Times.

“Presidenti është joetik dhe nuk është i lidhur për të vërtetën dhe vlerat institucionale”, ka shkruar ai.

“Udhëheqja e tij është transanksionale, e shtyrë nga egoja dhe lidhet me besnikërinë personale”, ka shkruar tutje Comey.

Shtëpia e Bardhë: Trumpi po vlerëson opsionet për Sirinë

“Tani kemi disa opsione, ne po i vlerësojmë ato dhe të gjitha këto opsione janë në tryezë. Vendimi përfundimtar ende nuk është marrë”

WASHINGTON – Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders, ka theksuar se presidenti amerikan, Donald Trump, nuk ka dhënë ende vendimin e tij të fundit në lidhje me regjimin e Bashar al Asadit në Siri.

“Tani kemi disa opsione, ne po i vlerësojmë ato dhe të gjitha këto opsione janë në tryezë. Vendimi përfundimtar ende nuk është marrë për atë pikë”, është shprehur Sanders, duke folur gjatë një konferencë për media në Shtëpinë e Bardhë në lidhje me sulmin me armë kimike të ndërmarrë nga regjimi i Asadit në Siri.

Duke vënë në dukje se Trump po vlerëson opsionet për Sirinë, Sanders tha se “Presidenti Trump nuk ka vendosur për afatin kohor dhe të gjitha opsionet po vlerësohen”.

Trump nga llogaria e tij në rrjetin social Twitter me mesazhin “Rusi bëhu gati” për operacion në Siri ishte shprehur se, “Raketat po vijnë. Nuk duhet të bëheshit partner me kafshën që vret popullin e tij dhe vrasësin që kënaqet kur përdor gazin helmues”.

Pompeo me politikë të ashpër ndaj Rusisë

Drejtori i CIA, Mike Pompeo pritet që të marrënjë qëndrim më të fortë kundrejt Rusisë, gjatë seancën konfirumuese për postin e Sekretarit të Shteitt, thuhet në disa fragmente të dëshmisë së tij.

“Rusia vazhdon të veprojë në mënyrë agresive, që është mundësuar nga politikat e buta kundër këtij agresioni për vite me radhë”, ka thënë Pompeo, në transkriptin e fjalimit të tij të publikuar para seancës konfirmuese.

“Kjo do të mbarojë tash”, ka thënë tutje Pompeo.

Pompeo në dëshmin e tij me shkrim, nuk i referohet ndërhyrjes ruse në zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2016, por kjo çështje me gjasë do të ngritet nga ligjvënësit, disa prej të cilëve e akuzojnë presidentin Donald Trump se ka dështuar të jetë i ashpër sa duhet mbi këtë çështje.

Trump e ka nominuar Pompeon për Sekretar të Shtetit, pasi më 13 mars e ka shkarkuar Rex Tillersonin nga kjo pozitë.

Seanca dëgjimore do të jetë një test nëse Pompeo është i përgatitur për të kundërshtuar qëndrimet e Trumpit mbi disa çështje, thonë disa ligjëvënës.

Trump ka pasur raporte të mira me Pompeon në takimet që ka zhvilluar që prej se është zgjedhur president dhe mendon se Pompeo ka qëndrime më të përafërta me të sesa që kishte ish-sekretari Tillerson.

Në dëshminë e tij, Pompeo do të tregojë masat që ka miratuar administrata ndaj Rusisë, përfshirë edhe sanksionet dhe dëbimin e 60 diplomatëve rusë, për shkak të sulmit me agjent nervor ndaj ish-spiunit rus në Britani.

“Veprimet e kësaj administrate e kanë bërë të qartë se strategjia për siguri kombëtare e Trumpit, me të drejtë e ka identifikuar Rusinë si rrezik për shtetin tonë”, thuhet në dëshminë e tij.

Megjithatë, Pompeo ka lënë mundësinë e hapur për dialog me Moskën, për të zgjidhur mospajtimet.

“Përpjektjet tona diplomatike me Rusinë do të jenë sfiduese, por ballafaqimet me Moskën, duhet të vazhdojnë”, thuhet në dëshminë me shkrim të Mike Pompeo.

Aleatët i bashkohen SHBA, por nuk duan një kundërpërgjigje të nxituar në Siri

Aleatët e Amerikës deklaruan se do t’i bashkohen një reagimi të mundshëm ushtarak ndaj sulmit me armë kimike në Siri që dyshohet se është ndërmarrë nga forcat besnike të Presidentit Bashar Al-Assad.

Por ata po i kërkojnë Uashingtonit të shmangë një kundërpërgjigje të nxituar, duke thënë se para se të nisë ndëshkimi, nevojiten më shumë prova se sulmi kimik vërtet është kryer nga qeveria siriane.

Me fjalë mjaft të drejtpërdrejta, Presidenti i SHBA Donald Trump paralajmëroi në Twitter të mërkurën se reagimi ushtarak po vjen.

Ai shkruante: “Rusia ka deklaruar se do të qëllojë çdo raketë që do të hidhej kundër Sirisë. Përgatitu Rusi, sepse ato do të vijnë, të bukura, të reja dhe ‘inteligjente’!” Ju nuk duhet të jeni partnerë me një kafshë që vret popullin e vet me gaz dhe kënaqet duke e bërë këtë!”

Zyrtarët rusë nuk vonuan të përgjigjen, duke thënë se nëse do të ketë një goditje amerikane, atëherë Rusia do t’i rrëzojë raketat dhe do të vërë në shënjestër pozicionet nga ku ato janë lëshuar.

“Raketat inteligjente duhet të fluturojnë drejt terroristëve, jo drejt qeverisë së ligjshme që lufton terrorizmin ndërkombëtar prej disa vitesh në territorin e saj”, tha zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova në Facebook.

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitri Peskov tha të mërkurën se të gjitha palët e përfshira në Siri duhet të përmbahen nga veprimet që mund të destabilizojnë rajonin.

Në klimën e shkëmbimeve të nxehta në mediat sociale, me kërcënime dhe paralajmërime, ku flitet për një konfrontim ushtarak mes SHBA dhe Rusisë, Britania, Franca dhe Australia kanë ofruar mbështetje për një sulm amerikan me raketa, por duke e kushtëzuar mbështetjen e tyre.

Ata po vënë në pikëpyetje efektin parandalues të sulmeve me raketa, duke theksuar se kundërpërgjigjja ushtarake amerikane një vit më parë ndaj një sulmi me gaz sarin në provincën veriore siriane të Idlibit, nuk e ka ndalur Assadin të ndërmarrë sulme të tjera kimike, kryesisht me bomba thërrmuese me klor, të hedhura nga helikopterët e regjimit sirian.

Në një bisedë telefonike me Presidentin Trump të martën vonë, kryeministrja britanike Theresa May ofroi mbështetjen e saj, por sipas zyrtarëve britanikë, u shpreh se Britania kërkon më shumë dëshmi se kush fshihet pas sulmit të dyshuar kimik të shtunën në një zonë në periferi të Damaskut që mbahet nga kryengritësit. Sulmi ka lënë të paktën 40 të vdekur dhe deri në 500 të plagosur.

Inspektorët e Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike (OPCW) përgatiten të vizitojnë periferinë e Doumës, ku ndodhi sulmi, aleatët e tjerë perëndimorë thanë se nuk duhet të ndërmerren veprime pa u sqaruar fakte të tjera.

Presidenti francez Emmanuel Macron ka thënë se Franca është gati të angazhohet për veprime ndëshkuese, nëse konfirmohet se Presidenti Assad ka kaluar vijën e kuqe dhe ka përdorur armë kimike. Por duket se ai dëshiron që goditjet e kundërpërgjigjes të kufizohen vetëm ndaj objekteve siriane të armëve kimike.

Ndërkohë që SHBA dhe aleatët e tyre perëndimorë po sinjalizojnë një përgjigje të mundshme ushtarake, analistët thonë se është humbur elementi i befasisë dhe se qeverisë siriane dhe mbështetësve të saj ushtarakë, Rusisë dhe Iranit, po u jepet kohë e mjaftueshme për t’u përgatitur.

“Sigurisht, problemi është se efekti i befasisë është plotësisht i humbur. Gjithashtu, regjimit sirian, Rusisë dhe Iranit i është dhënë kohë e mjaftueshme për t’u përgatitur me bateri kundër-ajrore dhe për të zbrazur objektivat e mundshme”, thotë Olivier Guitta, drejtor menaxhues në GlobalStrat, një firmë konsulence për sigurinë dhe rrezikun gjeopolitik.

Ai thotë se situata tani është ndryshe nga viti 2013, kur paraardhësi i zotit Trump, Barak Obama kërcënoi të godiste Assadin për një sulm kimik ndaj kryengritësve dhe civilëve në një periferi të Damaskut.

“Në atë kohë, pasojat do të kishin qenë shumë më të vogla, sepse Irani dhe Rusia ishin fare pak të pranishëm në Siri”, thotë ai. “Megjithëse një goditje kundër Assadit është më se e vonuar që nga viti 2013, tani ekziston rreziku i shpërthimit, shkallëzimit dhe luftimeve të para reale mes Rusisë dhe Perëndimit duke i hapur derën një konflikti më të gjatë,” paralajmëron ai.

Kjo frikë mesa duket po ndikon te qeveritë europiane aleate me Shtetet e Bashkuara, përfshirë disa anëtarë të Partisë Konservatore në pushtet të Kryeministres Theresa May, të cilët shqetësohen se administrata Trump nuk ka një strategji të përgjithshme për Sirinë.

Presidenti francez Emmanuel Macron tha se një vendim do të merrej “në ditët e ardhshme” dhe se çdo sulm ajror do të synonte objektet kimike të qeverisë siriane.

Ministrja e Jashtme australiane Julie Bishop bëri të ditur sot mbështetjen e vendit të saj për çdo veprim ushtarak që “do të ketë një objektiv të përcaktuar, do të jetë i kalibruar dhe proporcional.”

Organizata Botërore e Shëndetësisë tha të mërkurën se sipas raporteve nga partnerët e saj, 500 njerëz që kërkuan trajtim mjeksor të shtunën shfaqën shenja dhe simptoma të ekspozimit ndaj kimikateve toksike. Organizata shprehu zemërim për përdorimin e dyshuar të armëve kimike dhe kërkoi qasje të menjëhershme në zonë për të ofruar kujdes shëndetësor.

Të martën në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Rusia i vuri veton një plani të hartuar nga Shtetet e Bashkuara që parashikonte ngritjen e një komisioni për të hetuar dhe përcaktuar përgjegjësinë e sulmit me armë kimike.

Situata në Siri është tensionuar më shumë pas një sulmi të dyshuar me armë kimike të shtunën në Gutën lindore, ku u vranë të paktën 40 vetë.

Shtetet e Bashkuara dhe disa aleatë të tyre kanë fajësuar forcat siriane për sulmin, ndërsa Siria dhe Rusia i kanë mohuar akuzat se sulmi me armë kimike është ndërmarrë nga ushtria e presidentit Bashar al-Asad.

Ambasadori i Rusisë në Liban, Alexander Zasypkin, paralajmëroi mbrëmë në televizionin al-Manar të Hezbollahut, se një goditje amerikane ndaj Sirisë do të shkaktonte një shkallëzim të madh të luftës atje.

Më herët, Presidenti Trump paralajmëroi se personat përgjegjës do të paguanin një “çmim të lartë” dhe bisedoi disa herë në telefon me homologët e tij britanikë dhe francezë për një përgjigje të mundshme ndaj sulmit kimik.

“Jemi duke kërkuar një përgjigje të koordinuar, pavarësisht se cila mund të jetë kjo përgjigje,” tha të martën zëdhënësja e Departamentit të Shtetit Heather Nauert.

Përveç fajësimit të Sirisë, Presidenti Trump fajësoi më tej përkrahësit e Asadit në Iran dhe Rusi për sulmin në Ghoutan lindore. Një organizatë ndërkombëtare për mbikëqyrjen e armëve kimike tha se do të dërgojë një ekip për të hetuar incidentin.

“NUK KA ZGJIDHJE TË LEHTË”

sipas analistëve, një reagim tepër i fuqishëm ndaj sulmit të fundit kimik rrezikon shkallëzimin e luftës civile në Siri dhe shtimin e tensioneve ushtarake midis fuqive të mëdha botërore, të cilat kanë të gjitha aleatë në terren.

“Këtu nuk ka asnjë përgjigje të lehtë,” i tha Zërit të Amerikës admirali në pension Michael Mullen. “Është delikate dhe e rrezikshme. Jam i shqetësuar se kjo mund të zgjerohet mjaft shpejt”, shtoi ai.

Rusia ka paralajmëruar për “pasoja të rënda” nëse Shtetet e Bashkuara sulmojnë Asadin.

Shtëpia e Bardhë tha se zoti Trump anuloi një udhëtim në Amerikën Latine, që ishte planifikuar të premten, në mënyrë që të “mbikqyrte përgjigjen amerikane ndaj Sirisë”. Sekretari i Mbrojtjes Jim Mattis gjithashtu anuloi planet e udhëtimit brenda vendit.

Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë refuzuan të thoshin nëse këto lëvizje pasqyronin mundësinë e veprimeve të zgjatura ushtarake në Siri, ose nëse ky veprim do të përbënte më shumë se një sulm të vetëm ajror.

Në Siri ndodhen më shumë se dy mijë trupa amerikane. Një koalicion i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara ndërmori mijëra sulme ajrore, kryesisht ndaj Shtetit Islamik dhe kryengritësve të tjerë ekstremistë.

Pothuajse një vit më parë, SHBA lëshoi 59 raketa kruz Tomahawk ndaj një baze ajrore siriane si kundërpërgjigje ndaj një sulmi tjetër me armë kimike.

Moska tha se do qëllonte çdo raketë amerikane, Trumpi merr vendimin e madh: Bëhu gati Rusi!

Donald Trump ka reaguar ashpër me një postim në rrjetet sociale pas deklaratës dhe kërcënimit rus se do të rrëzojnë raketat e Shteteve të Bashkuara te Amerikes, ne nje sulm te mundshem ne Siri dhe do te hakmerret kundër cdo vendi nga i cili do te nisen raketat. Deklaraten e forte e ka bere ambasadori i Rusisë në Liban.

Por Trump e paralajmëron Rusinë që të “bëhet gati”.

“Rusia zotohet për të qëlluar çfarëdo dhe të gjitha raketat që godasin në Siri. Bëhu gati Rusi, sepse ato do të vijnë, të bukura, të reja dhe “të zgjuara”! Ju nuk duhet të jeni partnerë me kafshe që vret popullin e tij dhe gëzon për këtë!”, shkruan Trump.

TRUMP FLET

Postimi në Twitter duket të jetë një njoftim jozyrtar i “vendimeve të mëdha” që Trump tha Uashingtoni së shpejti do të bënte të ditura lidhur me sulmin e dyshuar kimik në Siri.

Derklarata vjen pasi Rusia u zotua për të qëlluar mbi çfarëdo rakete amerikane që synon të godasë Sirinë.

“Nëse ka një sulm amerikan, atëherë ne … do të rrëzojmë raketat dhe do të targetojmë pozicionet nga ku ata u nisën”, tha të mërkurën Alexander Zasypkin, i dërguari rus në Bejrut.

“Në ditët e fundit, ne kemi parë një përshkallëzim drejt një krize të rëndësishme”, tha ai.

Përktheu Panorama

Shtëpia e Bardhë: Trumpi mund ta shkarkojë prokurorin e posaçëm por nuk do ta bëjë tani

Shtëpia e Bardhë thotë se Presidenti Donald Trump mendon se mund ta shkarkojë prokurorin e posaçëm Robert Mueller, por nuk do ta ndërmarrë këtë hap tani.

Kjo sipas sekretares së shtypit Sarah Huckabee Sanders, e cila u tha të martën gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë se zoti Trump “sigurisht që beson se e ka kompetencën ”për ta shkarkuar zotin Mueller”, i cili po heton për një bashkëpunim të mundshëm të fshehtë të fushatës së zotit Trump me Rusinë dhe rreth ndërhyrjes ruse në zgjedhjet presidenciale të 2016-s.

Zonja Sanders tha se Presidenti beson se hetimi i prokurorit të posaçëm Mueller “ka shkuar tepër larg” pas bastisjes nga agjentët federalë të zyrave të avokatit të tij personal Michael Cohen. Bastisja u krye të paktën pjesërisht bazuar në një referim që ekipi i zotit Mueller i dërgoi një prokurori federal në Nju Jork.

Sipas rregulloreve të Departamentit të Drejtësisë, vetëm Zëvendës Prokurori i Përgjithshëm Rod Rosenstein, i cili mbikëqyr hetimin për Rusinë, mund ta shkarkojë zotin Mueller.

Numri dy i republikanëve të Senatit, John Cornyn i Teksasit, thotë se është i bindur se Presidenti Donald Trump nuk do ta shkarkojë prokurorin e posaçëm Robert Mueller.

Ai tha se ligjvënësit i kanë lënë të kuptohet Shtëpisë së Bardhë se shkarkimi i zotit Mueller do të ishte gabim. Senatori Cornyn thotë se pret që zoti Mueller do të jetë në gjendje ta përfundojë hetimin e tij rreth ndërhyrjes së Rusisë në zgjedhjet e vitit 2016 dhe se shkarkimi i tij “do të kishte pasoja”, që as presidenti nuk mund t’i parashikonte dot.”

Kryetari i Komisionit Juridik të Senatit Chuck Grassley tha se do të ishte “vetëvrasje” politike për presidentin Donald Trump nëse e shkakron prokurorin e posaçëm.

PRESIDENTI, I ZEMËRUAR ME PROKURORIN E POSAÇËM

Mueller shkaktoi zemërimin e Presidentit me nxjerrjen e një autorizimi nga gjykata për të kontrolluar zyrën e avokatit personal të zotit Trump, Michael Cohen. Të hënën, gjatë bastisjes së zyrës së tij FBI-ja konfiskoi dokumente, përfshirë ato që lidhen me marrëdhënien e dyshuar të zotit Trump me një aktore filmash pornografikë.

Zoti Trump e quajti bastisjen me miratimin e zotit Mueller, në zyrën e avokatit Michael Cohen, “një situatë të turpshme, sulm ndaj vendit dhe një nivel të ri ku ka arritur padrejtësia“.

“Përse nuk e shkarkoj Mueller-in? Mendoj se është një turp ajo që po ndodh. Është me të vërtetë një situatë e trishtuar kur sheh se çfarë po ndodh. Shumë njerëz më kanë thënë se duhet ta shkarkoj. E përsëris, ata nuk gjetën asgjë ”, tha Presidenti Donald Trump.

Por hetimi vazhdon dhe Prokurori i Posaçëm nuk ka bërë komente publike ndaj zotit Trump, sa i takon hetimit mbi ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhje.

Sipas gazetës “The Washington Post” të hënën vonë, zoti Cohen “ndodhet nën hetim federal për mashtrim të mundshëm bankar, transferta elektronike të paligjshme si dhe shkelje të ligjit për financimin e fushatës, bazuar tek të dhënat e marra nga një person që ka dijeni mbi çështjen“.

FBI-ja bastisi dje zyrën e zotit Cohen në Nju Jork dhe konfiskoi dokumente, përfshirë ato që lidhen me marrëdhënien e dyshuar të zotit Trump me një yll filmash për të rritur.

Ditë përpara zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016, zoti Cohen i pagoi aktores Stormy Daniels 130 mijë dollarë me qëllim garantimin e heshtjes së saj për një lidhje të dyshuar me zotin Trump në vitin 2006. Por presidenti Trump thotë se nuk ishte në dijeni të pagesës.

Gazetari: A ishit në dijeni të pagesën prej 130 mijë dollarësh për Stormy Daniels?

Zoti Trump: Jo!

Gazetari: Atëherë pse e pagoi Michael Cohen atë shumë, nëse akuzat nuk janë të vërteta?

Zoti Trump: Duhet të pyesni Michael Cohen-in. Michael është avokati im. Duhet të pyesni atë!

Disa ekspertë ligjorë besojnë se pagesa e bërë nga zoti Cohen mund të ketë qenë një kontribut i paligjshëm për fushatën me qëllimin për të garantuar heshtjen e Stormy Daniels-it, komentet e së cilës ndoshta mund të shkatërronin shanset e zotit Trump për t’u zgjedhur./ za

Jep dorëheqjen këshilltari i lartë i Presidentit për Sigurinë e Vendit

Tom Bossert, këshilltari i lartë i Presidentit Trump për Sigurinë e Vendit, dha dorëheqjen papritmas të martën, një tjetër zyrtar i lartë që i shtohet listës së gjatë të atyre që largohen nga administrata Trump.

Nuk është dhënë asnjë arsye për dorëheqjen e tij, por ajo vjen një ditë pas fillimit të detyrës së konservatorit John Bolton në postin e këshilltarit të sigurisë kombëtare, i treti që merr këtë post gjatë 15 muajve të presidencës Trump. Si Bloomberg News ashtu edhe CNN njoftojnë se Bossert largohet me kërkesë të zotit Bolton.

Bossert, 43-vjeçar, shërbente në Shtëpinë e Bardhë të zotit Trump që nga inaugurimi i tij. Ai ishte një këshilltar kryesor i presidentit për sigurinë kibernetike. Bossert u dallua gjithashtu për trajtimin e përgjigjes së qeverisë ndaj uraganeve shkatërruese në Teksas, Porto Riko dhe Ishujt Virgin vitin e kaluar.

Ai është shfaqur shpesh në emisionet televizive të lajmeve për të përfaqësuar pikëpamjen e administratës Trump mbi kërcënimet e terrorizmit.

Por kandidatura e tij për t’u bërë këshilltar i sigurimit kombëtar u la mënjanë në favor të zotit Bolton, ish-ambasador në Kombet e Bashkuara, i cili i zë vendin gjeneralit H.R. McMaster që u largua nga kjo detyrë./za

Sulmi kimik në Siri, Trumpi anulon udhëtimin në Amerikën e Jugut

Një organizatë ndërkombëtare për mbikëqyrjen e armëve kimike tha të martën se do të dërgojë një ekip në qytetin sirian të Dumës për të hetuar një sulm të dyshuar me gaz helmues që vrau dhjetra njerëz fundjavën e kaluar pranë Damaskut.

Organizata për ndalimin e armëve kimike (OPCW) tha se do të shkojë në Duma pas kërkesave për të hetuar rreth incidentit të dyshuar.

“Kjo përkon me kërkesën e Republikës Arabe të Sirisë dhe Federatës Ruse për të hetuar mbi akuzat për përdorimin e armëve kimike në Duma,” tha organizata. “Ekipi është duke u përgatitur për shkuar në Siri së shpejti.”

Shtëpia e Bardhë njoftoi të martën se presidenti Donald Trump do të anulojë një udhëtim të planifikuar në Amerikën Latine dhe do të qëndrojë në SHBA për të “mbikqyrur përgjigjen amerikane ndaj Sirisë”.

Zoti Trump tha se administrata e tij ka gjasa të njoftojë “pas faktit” se si ka vendosur t’i përgjigjet sulmit të dyshuar kimik.

“(Sulmi) do të marrë përgjigje dhe do të marrë përgjigje të fortë,” tha zoti Trump para takimit me udhëheqësit e lartë ushtarakë të hënën mbrëma.

Ai vuri në dukje fuqinë e SHBA për të ndalur mizoritë si sulmi i së shtunës në Ghoutan lindore të mbajtur nga kryengritësit, ku u vranë së paku 40 vetë.

“Ne kemi shumë alternativa ushtarake,” tha ai, duke mos dhënë hollësi. Vitin e kaluar, ai urdhëroi sulme ajrore ndaj një aeroporti sirian që u përdor për të ndërmarrë një sulm tjetër kimik.

SHBA kishin kërkuar gjithashtu që Këshilli i Sigurimit i OKB-së të hidhte në votë të martën pasdite një rezolutë që bën thirrje për një hetim të ri rreth përdorimit të armëve kimike në Siri. Për miratimin e një rezolute do të duheshin nëntë vota dhe asnjë abstenim nga Rusia, Britania, Kina apo SHBA. Rusia thotë se nuk është dakord me draftin e paraqitur nga SHBA.

Ndërkohë, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres tha se është i indinjuar nga njoftimet e vazhdueshme për sulme me armë kimike në Siri. Ai bëri thirrje për një hetim të paanshëm me OPCW duke i lejuar organizatës qasje të plotë.

Ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov tha të martën se Rusia do të paraqiste një rezolutë në Këshillin e Sigurimit me propozimin për dërgimin e hetuesve në Siri.

Kjo pason komentet e emisarit të Moskës Vassily Nebenzia, i cili tha se ekspertët rusë kanë vizituar tashmë vendin, kanë mbledhur mostrat e tokës, kanë intervistuar dëshmitarët dhe personelin mjekësor dhe se nuk ka pasur ndonjë sulm me armë kimike.

Ambasadorja e SHBA Nikki Haley i tha Këshillit të Sigurimit të hënën se Rusia dhe Irani mund ta ndalin “shkatërrimin vrasës” të qeverisë siriane, duke shtuar se duart e Moskës janë “të lyera me gjakun e fëmijëve sirianë”.

Britania thotë se Sekretari i Jashtëm Boris Xhonson foli në telefon me ndihmës sekretarin amerikan të shtetit, John Sullivan dhe të dy “ranë dakord se, bazuar në raportet e medias dhe raportet nga terreni, ky sulm mban shenja të sulmeve të mëparshme kimike nga ana e regjimit të Asadit.”

Presidenti francez Emmanuel Macron ka folur në telefon disa herë me zotin Trump për të koordinuar reagimin e tyre ndaj sulmit të së shtunës.

Kriza e raketave, nxirret në ankand harta e sulmit amerikan në Kubë

Në Boston do të nxirret në ankand një hartë e Kubës, ekspozimi i së cilës është një rikthim në ditët e errëta të Luftës së Ftohtë. Ishte presidenti i atëhershëm amerikan, John Fitzgerald Kennedy, i cili konsultoi hartën që  tregon dhjetra objektiva ushtarake në vendin komunist. Harta është një prej dokumentave nga kriza e raketave kubane. Një konfrontim që shpërtheu në tetor të vitit 1962 mes SHBA-së dhe Bashkimit Sovjetik dhe që zgjati 13 ditë pasi raketat balistike sovjetike u instaluan në Kubë.

Domethënia historike e hartës qëndron në faktin se ajo solli dy superfuqitë e epokës shumë afër një lufte bërthamore. Kriza erdhi pas instalimit të raketave sovjetike me mbushje bërthamore në territorin e Kubës, si kundërpërgjigje ndaj  SHBA-ve për instalimin e raketave bërthamore në territorin e Britanisë së Madhe, Italisë dhe veçanërisht Turqisë.

Kriza filloi kur një avion spiun amerikan fotografoi zbuloi ekzistencën e raketave sovjetike në Kubë. Më 22 tetor, John Kennedy në fjalën e tij foli për rrezikun global të luftës bërthamore dhe njoftoi se Marina e SHBA do t’i imponojë një bllokadë detare të Kubës, për të kapur anijet sovjetike që do të përpiqeshin për t’u afruar në Kubë.

Udhëheqësi sovjetik Nikita Hrushov foli për shkelje të ligjit ndërkombëtar, duke sugjeruar tërheqje reciproke, Bashkimi Sovjetik nga Kuba dhe Shtetet e Bashkuara nga Evropa dhe Azia. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, U Sithou Thandie ndërhyri personalisht, duke u dërguar mesazhe John Kennedy-t dhe Nikita Hrushov-it. Më 28 tetor u bë e ditur se instalimi i raketave në Kubë do të ndalej, dhe raketat e vendosura do të ktheheshin në Bashkimin Sovjetik.

Nga ana tjetër Kennedy u zotua se Shtetet e Bashkuara nuk do të pushtonin Kubën, ndërsa pranoi fshehurazi se raketat amerikane ishin në territorin turk. Tani, pas rreth gjysmë shekulli më vonë  harta që vlerësohet në 20,000 dollarë  mësohet se mbështetet në shënimet e ministrit të atëhershëm të Mbrojtjes, Robert Mc Namara. Pas krizës, presidenti amerikan thuhet se i riktheu hartën përsëri ministrit, duke e quajtur atë një “hartë të fitores”./dita

 

FBI-ja konfiskon dokumente të avokatit personal të zotit Trump

Agjentët e Byrosë Federale të Hetimeve, të pajisur me autorizime të gjykatës, konfiskuan dokumente të avokatit personal të presidentit Donald Trump, Michael Cohen, në zyrën e tij në Mahatan të Nju Jorkut.

Kjo u bë e ditur në një deklaratë të avokatit të zotit Cohen, Stephen Ryan.

Ai tha se urdhrat për kërkimin e dokumenteve u ekzekutuan nga zyra e avokatit amerikan për qarkun jugor të Nju Jorkut, por ato kanë lidhje vetëm “pjesërisht” me hetimet e prokurorit të posaçëm Robert Mueller.

Presidenti Trump reagoi mbrëmjen e së hënës, duke thënë se “kjo është një situatë e turpshme, është një sulm kundër vendit tonë”.

Ai i bëri komentet gjatë një takimi të këshillit të sigurisë kombëtare të mbledhur për të diskutuar mbi reagimin e SHBA ndaj sulmit me armë kimike në Siri.

Presidenti Trump tha se “kjo është një gjueti e pastër shtrigash”, duke iu referuar tërthorazi punës së prokurorit të posaçëm Robert Mueller, i cili po heton rreth një bashkëpunimi të mundshëm të fshehtë të fushatës Trump me Rusinë.

Presidenti Trump tha se deri tani nuk është gjetur asnjë bashkëpunim i tillë i fshehtë.

I pyetur nëse do ta shkarkonte zotin Mueller, ai nuk u përgjigj drejtpërsëdrejti por tha se “këtë do ta shohim”.

Ai u ankua se ndërkaq nuk ka patur asnjë hetim rreth rivales së tij në zgjedhje, Hillary Clinton, duke iu referuar “33 mijë emaileve të saj të zhdukura”.

Avokati i zotit Cohen tha më herët të hënën se agjentët e FBI-së konfiskuan “komunikime klient-avokat që mbrohen me ligj,” por nuk dha hollësi mbi përmbajtjen e tyre. Ai shtoi se përdorimi i mandateve të kërkimit ishte “krejtësisht i papërshtatshëm dhe i panevojshëm”.

Michael Cohen, avokati personal i zotit Trump, muajt e fundit është vënë nën vëzhgimin e pandërprerë të medias, për shkak të një pagese prej 130 mijë dollarësh që i ka bërë aktores së filmave pornografikë Stormy Daniels, e cila pretendon se ka pasur lidhje intime me zotin Trump në mesin e viteve 2000.

Presidenti Trump thotë se nuk ka qenë në dijeni të pagesës, për të cilën disa ekspertë ligjorë thonë se mund të jetë nxjerrë nga kontributet për fushatën e tij zgjedhore dhe si rrjedhojë ka qenë e paligjshme.

Trumpi: Së shpejti vendimi për reagimin e SHBA ndaj sulmit në Siri

Presidenti i SHBA, Donald Trump, dënoi sulmin e dyshuar kimik në Siri dhe tha se do të marrë “vendime të rëndësishme” brenda 24 deri 48 orëve të ardhshme për mënyrën se si do të reagojnë Shtetet e Bashkuara.

Gjatë një takimi në Shtëpinë e Bardhë, zoti Trump i tha kabinetit se SHBA do të gjejnë se kush është përgjegjës për sulmin: Siria, Rusia, Irani apo “të gjithë bashkë”.

“Po e shikojmë këtë çështje shumë fort, shumë seriozisht,” tha ai.

Presidenti amerikan e quajti sulmin “monstruoz”.

Po të hënën, Sekretari amerikan i Mbrojtjes Jim Mattis thotë se Shtetet e Bashkuara nuk përjashtojnë një veprim ushtarak kundër Sirisë, pas komenteve të Presidentit Donald Trump se ata që ndërmorën sulmin kimik të së shtunës do të paguanin një çmim të lartë.

“Gjëja e parë që duhet të shqyrtojmë është se përse ende përdoren armë kimike kur Rusia ishte garantuesi për heqjen e të gjitha armëve kimike”, tha zoti Mattis sot gjatë një takimi në Pentagon me sheikun e Katarit al-Thani.

Ai u tha gazetarëve se SHBA po “punojnë me aleatët dhe partnerët nga NATO-ja në Katar dhe gjetkë për ta trajtuar këtë çështje”.

Mbrëmë vonë, Shtëpia e Bardhë tha se Presidenti Trump dhe Presidenti francez Emmanuel Macron dënuan ashpër sulmet kimike në Siri dhe ranë dakord se qeveria siriane e Presidentit Bashar al-Assad duhet “të mbahet përgjegjëse për abuzimet e vazhdueshme me të drejtat e njeriut”. “Ata ranë dakord të shkëmbejnë informacion mbi natyrën e sulmeve dhe të koordinojnë një përgjigje të fortë dhe të përbashkët,” tha Shtëpia e Bardhë në një deklaratë rreth telefonatës midis dy udhëheqësve.

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të takohet sot rreth sulmit të supozuar, pasi shumë vende kërkuan një seancë urgjente.

SIRIA DHE RUSIA AKUZOJNË IZRAELIN PËR SULM AJROR

Ndërkohë, Siria dhe Rusia thonë se dy aeroplanë luftarakë izraelitë që vepronin në hapësirën ajrore libaneze kryen sot në mëngjes një sulm kundër një baze ajrore në Sirinë qendrore.

Ushtria izraelite nuk e komentoi sulmin në bazën e njohur si T4 në provincën Homs.

Vëzhguesi sirian për të Drejtat e Njeriut me seli në Londër, tha se 14 veta janë vrarë, në mesin e tyre edhe pjesëtarë të forcave iraniane.

Në muajin shkurt Izraeli akuzoi forcat iraniane se po shfrytëzojnë bazën për të dërguar avionë pa pilotë në territorin e Izraelit.

Fillimisht mediet shtetërore siriane thanë se një sulm me raketa ka ndodhur të hënën në një bazë ajrore në provincën e Homsit në Siri, duke lënë një numër viktimash.

Zyrtarët amerikanë thanë se Shtetet e Bashkuara nuk kanë kryer sulm në Siri.

“Megjithatë, po vazhdojmë ta ndjekim nga afër situatën dhe të mbështesim përpjekjet diplomatike për t’i mbajtur përgjegjës ata në Siri dhe gjetiu për përdorimin e armëve kimike”, tha në një deklaratë zëdhënësi i Pentagonit, Christopher Sherwood.

Siria vazhdimisht ka mohuar përdorimin e armëve kimike gjatë konfliktit që filloi në vitin 2011, përfshirë edhe sulmin e fundit të dyshuar të së shtunës në para lagjet e Damaskut të kontrolluara nga kryengritësit, që la pas vetes 40 të vrarë.

Presidenti Trump përdori rrjetin Twitter të dielën për të thënë se “do të ketë një çmim të lartë për t’u paguar”, për atë që ai e quajti “sulm të çmendur kimik” të shtunën.

Në një akt të rrallë kritikash të forta në adresë të udhëheqësit rus, presidenti amerikan deklaroi se “Presidenti Putin, Rusia dhe Irani janë përgjegjës” për mbështetjen që i japin “kafshës Asad”.

Ai kërkoi më tej nga Siria hapjen e zonës për personelin mjekësor dhe verifikues.

Ministria e Jashtme ruse hodhi poshtë pohimet për sulm kimik duke theksuar se “përhapja e tregimeve të rreme për përdorimin e klorit dhe substancave të tjera helmuese nga forcat qeveritare (siriane) vazhdon”.

“Ne kemi paralajmëruar disa herë së fundmi për provokime të tilla të rrezikshme”, thuhet në deklaratën e Moskës. “Qëllimi i një spekulimi të tillë mashtrues, pa asnjë argument, është mbrojtja e terroristëve dhe përpjekje për të justifikuar përdorimin e forcës nga jashtë”.

Irani tha se pretendimet e Shteteve të Bashkuara, synojnë arsyetimin e veprimeve të reja ushtarake amerikane.

Një vit më parë, pas një sulmi me armë kimike në Siri, presidenti Trump urdhëroi goditjen më 59 raketa Tomahawk në Siri, duke vënë në shënjestër një bazë ushtarake prej nga ishin ngritur avionët që kishin kryer sulmin kimik.

Presidenti Trump nuk tha se si do të përgjigjet Amerika pas sulmit të së shtunës. Por këshilltari për sigurinë kombëtare Thomas Bossert tha për rrjetin ABC News, se “asnjë opsion nuk mund të përjashtohet”.

Mattis: Nuk përjashtojmë veprim ushtarak kundër Sirisë

Sekretari amerikan i Mbrojtjes Jim Mattis thotë se Shtetet e Bashkuara nuk përjashtojnë një veprim ushtarak kundër Sirisë, pas komenteve të Presidentit Donald Trump se ata që ndërmorën sulmin kimik të së shtunës do të paguanin një çmim të lartë.

“Gjëja e parë që duhet të shqyrtojmë është se përse ende përdoren armë kimike kur Rusia ishte garantuesi për heqjen e të gjitha armëve kimike”, tha zoti Mattis sot gjatë një takimi në Pentagon me sheikun e Katarit al-Thani.

Ai u tha gazetarëve se SHBA po “punojnë me aleatët dhe partnerët nga NATO-ja në Katar dhe gjetkë për ta trajtuar këtë çështje”.

Mbrëmë vonë, Shtëpia e Bardhë tha se Presidenti Trump dhe Presidenti francez Emmanuel Macron dënuan ashpër sulmet kimike në Siri dhe ranë dakord se qeveria siriane e Presidentit Bashar al-Assad duhet “të mbahet përgjegjëse për abuzimet e vazhdueshme me të drejtat e njeriut”. “Ata ranë dakord të shkëmbejnë informacion mbi natyrën e sulmeve dhe të koordinojnë një përgjigje të fortë dhe të përbashkët,” tha Shtëpia e Bardhë në një deklaratë rreth telefonatës midis dy udhëheqësve.

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të takohet sot rreth sulmit të supozuar, pasi shumë vende kërkuan një seancë urgjente.

SIRIA DHE RUSIA AKUZOJNË IZRAELIN PËR SULM AJROR

Ndërkohë, Siria dhe Rusia thonë se dy aeroplanë luftarakë izraelitë që vepronin në hapësirën ajrore libaneze kryen sot në mëngjes një sulm kundër një baze ajrore në Sirinë qendrore.

Ushtria izraelite nuk e komentoi sulmin në bazën e njohur si T4 në provincën Homs.

Vëzhguesi sirian për të Drejtat e Njeriut me seli në Londër, tha se 14 veta janë vrarë, në mesin e tyre edhe pjesëtarë të forcave iraniane.

Në muajin shkurt Izraeli akuzoi forcat iraniane se po shfrytëzojnë bazën për të dërguar avionë pa pilotë në territorin e Izraelit.

Fillimisht mediet shtetërore siriane thanë se një sulm me raketa ka ndodhur të hënën në një bazë ajrore në provincën e Homsit në Siri, duke lënë një numër viktimash.

Zyrtarët amerikanë thanë se Shtetet e Bashkuara nuk kanë kryer sulm në Siri.

“Megjithatë, po vazhdojmë ta ndjekim nga afër situatën dhe të mbështesim përpjekjet diplomatike për t’i mbajtur përgjegjës ata në Siri dhe gjetiu për përdorimin e armëve kimike”, tha në një deklaratë zëdhënësi i Pentagonit, Christopher Sherwood.

Siria vazhdimisht ka mohuar përdorimin e armëve kimike gjatë konfliktit që filloi në vitin 2011, përfshirë edhe sulmin e fundit të dyshuar të së shtunës në para lagjet e Damaskut të kontrolluara nga kryengritësit, që la pas vetes 40 të vrarë.

Presidenti Trump përdori rrjetin Twitter të dielën për të thënë se “do të ketë një çmim të lartë për t’u paguar”, për atë që ai e quajti “sulm të çmendur kimik” të shtunën.

Në një akt të rrallë kritikash të forta në adresë të udhëheqësit rus, presidenti amerikan deklaroi se “Presidenti Putin, Rusia dhe Irani janë përgjegjës” për mbështetjen që i japin “kafshës Asad”.

Ai kërkoi më tej nga Siria hapjen e zonës për personelin mjekësor dhe verifikues.

Ministria e Jashtme ruse hodhi poshtë pohimet për sulm kimik duke theksuar se “përhapja e tregimeve të rreme për përdorimin e klorit dhe substancave të tjera helmuese nga forcat qeveritare (siriane) vazhdon”.

“Ne kemi paralajmëruar disa herë së fundmi për provokime të tilla të rrezikshme”, thuhet në deklaratën e Moskës. “Qëllimi i një spekulimi të tillë mashtrues, pa asnjë argument, është mbrojtja e terroristëve dhe përpjekje për të justifikuar përdorimin e forcës nga jashtë”.

Irani tha se pretendimet e Shteteve të Bashkuara, synojnë arsyetimin e veprimeve të reja ushtarake amerikane.

Një vit më parë, pas një sulmi me armë kimike në Siri, presidenti Trump urdhëroi goditjen më 59 raketa Tomahawk në Siri, duke vënë në shënjestër një bazë ushtarake prej nga ishin ngritur avionët që kishin kryer sulmin kimik.

Presidenti Trump nuk tha se si do të përgjigjet Amerika pas sulmit të së shtunës. Por këshilltari për sigurinë kombëtare Thomas Bossert tha për rrjetin ABC News, se “asnjë opsion nuk mund të përjashtohet”.


Send this to a friend