Prokuroria greke i kërkon Shqipërisë të kryejë hetime për një biznesmen që rezulton të ketë dërguar në Shqipëri shuma të mëdha parash.
Organi i akuzës mësohet se i ka dhënë rrugë letërporosisë së ardhur nga Greqia në datë 8 shtator 2015, ku është kërkuar ndihmë juridike për hetimin e shtetasit shqiptar Dhimitër P. Prokuroria e Apelit, Greqi, mësohet se po kryen atje hetime për shtetasin shqiptar Dhimitër Poti, në lidhje me procedimin penal për veprat penale të “pastrimit të produkteve të veprës penale” dhe “Evazionit Fiskal”, sipas legjislacionit penal grek.
Sipas Prokurorisë, kërkesa e autoriteteve të drejtësisë greke ka të bëjë me një hetim paraprak mbi pastrimin e produkteve të veprës penale dhe evazionit fiskal nga shtetasi shqiptar Dhimitër Poti, banues në Tiranë.
Në harkun kohor të viteve 2001, 2007, 2008 dhe 2009, ai rezulton të ketë dërguar në Shqipëri nga Greqia, përmes agjencive të transfertave shumat 160.000 euro, 80.000 euro, 220.000 euro, 266.000 euro dhe 100.000 euro.
Pala greke kërkon nga prokuroria shqiptare kryerjen e verifikimeve nëse shtetasi në hetim prej tyre ka precedentë penalë apo dënime në Shqipëri. Pala greke kërkon që prokuroria shqiptare “të verifikojë dhe të japë të dhëna për aktivitetin e shtetasit nën hetim në vendin tonë.
“Nëse nuk ka vendime gjyqësore të formës së prerë të jepet informacion për statusin e çështjes së vitit 2012 të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë; si dhe të sqarohet nëse nga hetimet të ketë rezultuar se Dhimitër Poti ka dyshime të ketë konsumuar veprën penale edhe me transferimet e kapitaleve nga Greqia në Shqipëri dhe anasjelltas, duke bërë përshkrimin përkatës, për veprën penale në hetim në Shqipëri dhe detajimin e të gjitha transaksioneve”, thuhet në kërkesën e mbërritur nga Greqia.
Kësaj letërporosie, prokuroria shqiptare i ka dhënë rrugë me anë të paraqitjes së saj para Gjykatës së Tiranës, e cila ka aprovuar kryerjen e veprimeve hetimore e më pas vendosjen e provave në dispozicion të palës greke. Biznesmeni në fjalë ka pasur aktivitet me një subjekt që është marrë me tregti farmaceutike dhe mjetesh motorike.
Administratori i “Chim Prod” Dhimitër Potioti, sipas hetimeve të deritanishme dyshohet se ka pastruar një shumë prej 826 mijë euro, e cila është transferuar nga Greqia në drejtim të Shqipërisë dhe në dy raste ka bërë dy transferta, 100 e 266 mijë euro nga Shqipëria në drejtim të shtetit grek.


