Presidenti i ri i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, është betuar sot solemnisht në Kuvendin serb, për mandatin e ri që do ta ushtrojë për pesë vjet.
Ai është betuar mbi Kushtetutën e Serbisë dhe ligjeve përkatëse duke thënë: Betohem se do të përkushtohem me gjithë përpjekjet e mia për ta ruajtur sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Serbisë, duke përfshirë Kosovën si pjesë të saj.
Vuçiq, 47 vjeçar, është betuar sot në mesditë, për të pasuar presidentin në largim Tomisllav Nikoliq.
Në rrugën e tij drejt inaugurimit, protestuesit e mbështetur nga shumica e partive opozitare tentuan të kalonin përpara ndërtesës së parlamentit në Beograd, para se të pengoheshin nga policia.
“Ju premtoj që do të mbaj paqen dhe stabilitetin, dhe do të mbrojë të ardhmen e fëmijëve tanë”, ka thënë Vuçiq.
Fitorja e tij në zgjedhjet e 2 prillit erdhi gati një vit pasi, Partia Progesive Serbe, që udhëhiqet nga Vuçiq, i fitoi zgjedhjet parlamentare.
Vuçiq ka forcuar kontrollin e tij në pushtet dhe ai e konsideron veten reformator në rrugën e Serbisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Disa kritikë kanë paralajmëruar se kontrolli i Partisë Progresive Serbe mbi tërë fuqinë legjislative dhe qeverisëse mund të shtyjë Serbinë drejt një autokracie.
Duke iu drejtuar deputetëve të Kuvendit të Serbisë pas betimit që bëri në cilësinë e presidentit, Vuçiq u shpreh se dëshiron përmirësimin e marrëdhënieve në rajon dhe paralajmëroi se do të ndërmarrë një ekspeditë në rajon “në kërkim të shansit të ri”.
Vuçiq u betua me këtë tekst:
“Betohem se të gjitha forcat e mia do t’ia kushtoj ruajtjes së sovranitetit dhe tërësisë territoriale të Republikës së Serbisë, përfshirë edhe Kosovën e Metohinë si pjesë përbërëse të saj, si dhe realizimit të të drejtave e lirive njerëzore dhe të minoriteteve, respektimit dhe mbrojtjes së Kushtetutës dhe të ligjeve, ruajtjes së paqes dhe të mirëqenies së të gjithë qytetarëve të Republikës së Serbisë dhe se me ndërgjegje e përgjegjësi do të përmbushi të gjitha detyrimet e mia”.
Presidentin e ri e ka uruar paraardhësi i tij, Tomislav Nikoliq, duke i uruar suksese gjatë viteve sa do të jetë në krye të shtetit.


