VOAL

VOAL

BE-ja ia përsërit Britanisë: Nuk e rihapim marrëveshjen e Brexit-it

Komisioni Evropian sërish përjashtoi mundësinë e rihapjes së marrëveshjes së Brexit-it të dakorduar me britanikët në fund të vitit të kaluar.

BE-ja e përsëriti qëndrimin pas informacioneve se kryeministrja britanike, Theresa May u kishte kërkuar këshilltarëve të saj të rishikojnë marrëveshjen në pjesën që ka të bëjë me kufirin irlandez.

“Përjashtojmë mundësinë që të rinegociojmë ose rihapim marrëveshjen sepse tashmë kemi zgjidhjen më të mirë të mundshme”, tha një zëdhënëse e Komisionit Evropian.

Ndërkohë, nga Londra bëhet e ditur se bisedimet mes qeverisë dhe opozitës do të vazhdojnë pas pushimeve për festën e Pashkëve.

Ministrat e kabinetit do të takohen me figura të larta të opozitës në një përpjekje për të zgjidhur bllokimin për një marrëveshje të Brexit-it që mund të fitojë mbështetjen e deputetëve.

Parlamenti britanik nuk i ka miratuar disa versione të marrëveshjes së Brexit-it të cilat kryeministrja Theresa May i kishte propozuar për votim.

Kjo bëri që kryeministrja May, dhe udhëheqësit e Bashkimit Evropian të pajtohen për shtyrjen e datës së Brexit-it, apo të daljes së Britanisë nga BE-ja, deri më 31 tetor.

Britania ka vendosur për largimin nga BE-ja në një referendum të mbajtur në vitin 2016.

Ekspertët kanë paralajmëruar se Brexit-i pa marrëveshje do të shkaktonte kaos ekonomik në Britani, por edhe në BE.

Politikani gjerman kritika Mogherin-it: Nxiti planet për shkëmbim terrritoresh

Përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federica Mogherini “ka nxitur planet e rrezikshme për shkëmbimin e territoreve mes Serbisë dhe Kosovës”, tha për “Der Tagesspiegel” nënkryetari i grupit parlamentar të CDU/CSU-së, Johann Wadephul.

Në prag të samitit të organizuar nga Kancelaria gjermane, Angela Merkel, dhe presidenti francez, Emmanuel Macron, me delegacione nga Prishtina e Beogradi, të udhëhequra nga presidentët Hashim Thaçi e Aleksandar Vuçiç, e përditshmja gjermane bisedoi me disa anëtarë të parlamentit, të cilët theksuan qëndrimin e palëkundur të Gjermanisë sa i takon idesë së shkëmbimit të territoreve.

Vuçiç dhe Thaçi kanë folur hapur mbi mundësinë e një skenari të tillë, të konsideruar një opsion për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

“Der Tagesspiegel” kujton se ka pasur fjalë që edhe Mogherini është e hapur ndaj një ideje të tillë, për të cilën Berlini zyrtar ka rezerva të forta.

“Nuk ekziston absolutisht asnjë garanci, se një ndryshim i kufijve apo një shkëmbim i territoreve do të kufizohej vetëm te Serbia dhe Kosova”, deklaroi Wadephul, sipas të cilit një lëvizje e tillë do të rindizte paqëndrueshmërinë dhe konfliktet etnike në Ballkanin Perëndimor, e nuk do të përjashtonte as gjasat e një konflikti ushtarak.

Gjermanët shpenzuan 8 miliardë euro në birra vitin e kaluar

Gjermanët shpenzuan mesatarisht 100 euro për kokë banori vitin e kaluar duke blerë birra apo pije me përmbajtje të birrës.

Shifrat dolën nga një studim i tregut që bëri kompania Nielsen.

Sipas saj, në vitin 2018, në Gjermani u shitën rreth 6.1 miliardë litra birrë, 2.9% më shumë se në vitin paraprak.

Qarkullimi u rrit për 7%, përkatësisht në 8 miliardë euro, pasi pothuajse të gjitha brendet e njohura të birrës i rritën çmimet.

Sipas studiuesve të tregut, birrat klasike, si Pilsner, u ballafaquan me konkurrencë në rritje, ndërsa birrat joalkoolike u bënë gjithnjë e më popullore.

Humoristi i fiton bindshëm zgjedhjet, bëhet president i ri i Ukrainës

Humoristi Volodymyr Zelensky ka fituar në balotazhin e zgjedhjeve presidenciale në Ukrainë, për t’u bërë udhëheqës i ri i vendit.

Kështu tregojnë rezultatet e anketave me qytetarët pas votimit të tyre, të njohura si ‘exit poll’.

Sipas këtyre anketave, Zelensky ka fituar më shumë se 70 për qind të votave në garën përballë presidentit aktual, Petro Poroshenko.

Zelensky ka fituar edhe rrethin e parë të zgjedhjeve presidenciale, që është mbajtur tri javë më parë, në një garë me gjithsej 39 kandidatë.

Presidenti i Ukrainës ka kompetenca të rëndësishme rreth sigurisë, mbrojtjes dhe politikës së jashtme të vendit. /Express/

Holandë, vazhdon spektakli tradicional në kopshtin më të madh të tulipanëve

Kopshti botanik Keukenhof në Holandë, i njohur si kopshti më i madh në botë i tulipanëve dhe i cilësuar si atraksioni kryesor i vendit, këtë vit mirëpret mysafirët e saj me temën “fuqia e lules”.

Keukenhof, një nga kopshtet më të mëdha në botë të luleve, që gjendet në qytetin Lisse, këtë vit hap dyert për herë të 70-të.

Kopshti çdo vit organizon spektaklin e luleve me koncepte të ndryshme, ndërsa tema e këtij viti do të jetë “fuqia e lules”. Fuqia e lules, ngjyrat e ndritshme, stili hippie, paqja dhe muzika përfaqëson atmosferën e viteve 70.

Përgatitjet për kopshtin, në të cilin gjenden thuajse të gjitha llojet e tulipanëve, kanë vazhduar me muaj.

Për shkak të jetëgjatësisë së shkurtër të tulipanit, kopshti qëndron i hapur vetëm në muajt prill dhe maj.

Këtë vit, në kopshtin me sipërfaqe prej 32 hektarësh, janë mbjellur shtatë milionë lule, shumica tulipanë.

Në kopsht mund të shihen fotografë të shumtë duke shijuar spektaklin e ngjyrave, ndërsa po ashtu organizohen edhe ekspozita të ndryshme dhe shfaqje.

Kopshti siguron mbështetje të mëdha nga familja mbretërore. Deri në mesin e muajit maj, ai pritet të vizitohet nga mbi një milion njerëz nga rreth 100 vende.

Sipas të dhënave zyrtare të Keukenhof, në mesin e vizitorëve të kopshtit, prej të cilëve 80 për qind janë turistë të huaj, të parët radhiten gjermanët, francezët, britanikët, kinezët dhe amerikanët.

Kopshti u krijua në vitin 1950 dhe atëherë ishte vizituar nga 236 mijë njerëz.

Keukenhof konsiderohet edhe si platformë ku kultivuesit ekspozojnë prodhimet e tyre.

Edhe pse tulipani origjinon nga Turqia, kjo lule asocohet me Holandën dhe zë vend të rëndësishëm në ekonominë e saj. Holandezët prodhojnë mbi katër miliardë bulbe të tulipanit në vit, ndëra rreth gjysma e tyre eksportohen jashtë vendit.

Ekspertët vlerësojnë dëmet e zjarrit në Notre Dame

Ekspertët kanë filluar vlerësimin e dëmeve në katedralen Notre Dame të Parisit, pas deklaratës së zyrtarëve se zjarri që shkatërroi kishën e famshme ishte shuar. Zëdhënësi i zjarrfikësve të Parisit, Gabriel Plus, tha se specialistët dhe arkitektët kishin filluar “studimin e lëvizjeve strukturore dhe shuarjen e materialit të shkrumbuar.”

Megjithëse zjarri shkaktoi dëme masive në ndërtesën e famshme gotike në qendër të Parisit, shefi i brigadës zjarrfikëse të qytetit, Jean-Claude Gallet, u tha gazetarëve se zjarrfikësit kishin shpëtuar dy kullat emblematike të katedrales dhe strukturën prej guri. Flakët, të cilat gjatë djegies shkonin në deri 10 metrash lartësi, shkatërruan një pjesë të mirë të çatisë dhe shkaktuan rrëzimin e saj.

Zyrtarët e Parisit thanë se zjarrfikësit punuan për të shpëtuar sa më shumë vepra arti dhe objekte të shenjta nga katedralja e shekullit të 12-të. Nënkryetari i Bashkisë së Parisit Emmanual Gregorie tha se copat e Kurorës së supozuar të Krishtit u shpëtuan dhe u transportuan në një vend “sekret”. Gjithashtu, organoja me famë botërore e shekullit të 18-të mbijetoi, tha zyrtari, po ashtu edhe statujat që ishin hequr vetëm disa ditë më parë për restaurimin dhe thesare të tjera brenda katedrales.

Nuk është e qartë se çfarë e shkaktoi zjarrin, megjithëse zyrtarët e zjarrfikësve thanë se flaka mund të kishte lidhje me “punimet e rinovimit” që po bëheshin në ndërtesë.

Prokurori i Parisit Remy Heitz tha se është duke u zhvilluar një hetim që përfshin 50 specialistë, i cili do të jetë “i gjatë dhe kompleks”. Heitz tha se hetuesit do të intervistojnë punëtorët e pesë kompanive që punojnë për restaurimin. Zëdhënësi i njërës prej kompanive, Julien le Bras, tha se “të gjitha masat e sigurisë janë respektuar” nga 12 punëtorët e tij, të cilët ai tha se janë “duke marrë pjesë në hetim pa asnjë hezitim”.

Vatikani lëshoi një deklaratë ku shprehte tronditje dhe trishtim duke e quajtur Notrë Damën një “simbol të krishterimit në Francë dhe në botë”. Zëdhënësi i Vatikanit Alessandro Gisotti shkruante të martën në Twitter se Papa Françesku po lutej “për ata që po përpiqen të përballojnë këtë situatë dramatike”.

Presidenti Macron tha se do të niste një fushatë kombëtare për mbledhjen e fondeve për të rindërtuar katedralen dhe u bëri thirrje “talenteve më të mëdhenj” të botës për të ndihmuar në këtë përpjekje.

Familja e biznesmenit miliarder francez Bernard Arnault u zotua të dhuronte 226 milionë dollarë për projektin, ndërsa biznesmeni François-Henri Pinault premtoi 113 milion dollarë. Kreu i Bashkimit Evropian Donald Tusk i bëri thirrje bllokut prej 28-vendesh të ndihmojë në përpjekjet e restaurimit.

Zjarri ndodh gjatë një momenti të shenjtë të vitit për të krishterët, më pak se një javë para Pashkëve dhe gjatë përkujtimeve të Javës së Shenjtë Katolike. Të dielën në katedrale ishte planifikuar një meshë për Pashkët.

Kryepeshkopi i Parisit Michel Aupetit ftoi priftërinjtë anembanë Francës t’u binin kambanave në një thirrje për lutje. Konferenca franceze e peshkopëve njoftoi të martën se këmbanat në 103 katedralet katolike në të gjithë vendin do të bien të mërkurën në orën 18:50 UT, koha kur shpërtheu zjarri të hënën.

Katedralja katolike mesjetare është një nga monumentet historike më të vizituara në Evropë, me miliona njerëz që shkojnë aty çdo vit. Ajo daton në shekullin e 12 dhe njihet si skena e ngjarjeve të romanit klasik të Viktor Hygosë, “Kurrizoja i Notrë Damës”.

Lutje dhe himne për Katedralen e Notrë Damit

Brigada e zjarrëfiksave të Parisit tha të martën se struktura e katedrales së famshme të Notrë Damit është shpëtuar, së bashku me punimet kryesore të artit, pasi 400 zjarrfikës luftuan për më shumë se nëntë orë me një zjarr që shkaktoi dëme masive.

Dy kullat ikonë të ndërtesës dhe struktura e gurit i rezistuan zjarrit , por çatia dhe maja e katedrales së shekullit të 12-të, u shembën nga flaka.

Kryebashkiakja e Parisit Anne Hidalgo falënderoi zjarrfikësit dhe oficerët e policisë që ndihmuan në shpëtimin e objekteve të shenjta dhe veprave të mëdha të artit nga katedralja.

Merci aux @PompiersParis, aux policiers et aux agents municipaux qui ont réalisé ce soir une formidable chaîne humaine pour sauver les œuvres de #NotreDame. La couronne d’épines, la tunique de Saint Louis et plusieurs autres œuvres majeures sont à présent en lieu sûr. pic.twitter.com/cbrGWCbL2N

— Anne Hidalgo (@Anne_Hidalgo) April 15, 2019

Ajo tha se Notrë Dami është një vend ku “rezonohet shpirti i Parisit”.

Brigada e zjarrëfikësave tha se dy policë dhe një zjarrfikës u plagosën gjatë përpjekjes për të shuar zjarrin.

“E keqja më e madhe u shmang, edhe pse beteja nuk është fituar ende plotësisht”, tha presidenti francez Emmanuel Macron para gazetarëve në katedralen pak para orës lokale të mesnatës. Ai tha se do të niste një fushatë kombëtare për grumbullimin e fondeve për të rindërtuar katedralen dhe u bëri thirrje “talenteve më të mëdhenj” të botës për të ndihmuar me këtë përpjekje.

Disa orë më vonë, miliarderi francez François-Henri Pinault premtoi 113 milionë dollarë ndihma në përpjekjen e rindërtimit, i ndjekur shpejt nga një tjetër miliarder francez Bernard Arnault, familja dhe kompania e të cilit tha se do të kontribuonin me 226 milionë dollarë.

Nuk është e qartë se çfarë e shkaktoi zjarrin, megjithëse mediat franceze njoftuan zyrtarët të kenë thënë se ai mund të ishte “i lidhur potencialisht” me punët rinovuese që po bëhen në ndërtesë.

Disa pjesë të ndërtesës ishin nën skela dhe zyrtarët thanë se statujat prej bronzi u hoqën javën e kaluar për rinovimin.

Zyra e prokurorisë së Parisit tha se ka nisur një hetim mbi zjarrin dhe tha se po e trajtonte incidentin si një zjarr “të pavullnetshëm”.

Vatikani lëshoi një deklaratë ku shprehet tronditje dhe trishtim dhe e quajti Notrë Damin një “simbol të krishterimit në Francë dhe në botë”.

Zjarri ndodhi gjatë përkujtimeve të Javës së Shenjtë, dhe më pak se një javë para Pashkëve. Një meshë për Pashkët ishte planifikuar për në katedrale të dielën.

Kryepeshkopi i Parisit Michel Aupetit ftoi priftërinjtë anembanë Francës t’u binin këmbanave të kishave në një thirrje për lutje.

Zjarrfikësit në Paris evakuan ndërtesat pranë Notrë Damit dhe pastruan zonën rreth katedrales, ndërsa hiri ra mbi blloqet përreth.

Mijëra dashamirës u rreshtuan në urat mbi lumin Senë vonë në mbrëmje për të parë skenën ndërsa të tjerë u mblodhën pranë kishës Saint Julien Les Pauvres duke kënduar himne dhe duke bërë lutje.

Katedralja katolike mesjetare është një nga monumentet historike më të vizituara në Evropë, që pret çdo vit miliona njerëz. Ajo është e famshme në portretizimin e romanit klasik të Viktor Hugosë, “Kurrizoja i Notrë-Damit”.

Katedralja Notre Dame përfshihet nga zjarri

Katedralja e famshme Notre Dame e Parisit është përfshirë nga flakët.

Nuk është ende e qartë se çfarë e ka shkaktuar zjarrin.

Agjencia franceze e lajmeve tha se sipas zjarrfiksëve, flaka mund të ketë lidhje me punimet e rinovimit që po i bëhen ndërtesës.

Kryebashkiakja e Parisit Anne Hidalgo shkruante në Twitter: “Një zjarr i tmerrshëm ka përfshirë katedralen Notre Dame në Paris, ndërsa zjarrfikësit janë duke u përpjekur të kontrollojnë zjarrin. Ne jemi mobilizuar në nivel lokal në lidhje të ngushtë me autoritetet e kishës. U kërkoj të gjithëve që të respektojnë perimetrin e sigurisë”.

Katedralja mesjetare përfundoi së ndërtuari në shekullin e 13-të dhe sot, konsiderohet po aq kryevepër arkitekture, sa edhe një simbol fetar.

E vendosur në Île de la Cité, një ishull i vogël në mes të qytetit, katedralja është një nga objektet më të njohura turistike të Parisit dhe tërheq rreth 13 milionë vizitorë në vit.

Operacioni i zjarrfikësve është në vazhdim e sipër, por kulmi i ndërtesës gotike 850-vjeçare u shemb.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, e anuloi fjalimin drejtuar kombit, njoftoi një zyrtar i Pallatit Elysee.

“Jam i pikëlluar sonte që shoh këtë pjesë tonën të digjet”, tha Macron në një postim në Twitter.

Notre-Dame de Paris en proie aux flammes. Émotion de toute une nation. Pensée pour tous les catholiques et pour tous les Français. Comme tous nos compatriotes, je suis triste ce soir de voir brûler cette part de nous.
— Emmanuel Macron (@EmmanuelMacron) April 15, 2019

Vitin e kaluar, Kisha Katolike në Francë bëri thirrje urgjente për fonde, për ta rinovuar katedralen.

Zyra e Prokurorit të Parisit tha se ka hapur një hetim mbi incidentin.

Londra ndan pikëllimin me Parisin, tha kryetari i kryeqytetit britanik, Sadiq Khan.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, tha se populli i saj ndjen me miqtë francezë, ndërsa e përshkroi katedralen si “simbol të Francës dhe të kulturës sonë evropiane”.

“Është aq e tmerrshme të shihet zjarri masiv në katedralen Notre-Dame”, tha presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Ish-Papa fajëson revolucionin e viteve 1960 për abuzimet seksuale

Ish-kreu i Kishës Katolike, Papa Benedikti XVI, ka publikuar një letër në të cilën fajëson për abuzimet seksuale të klerikëve, “lirinë e përgjithshme seksuale” të vitit 1960.

Ai thotë në letër se “revolucioni seksual” i viteve 1960 kishte shkaktuar homoseksualitetin në udhëheqjen katolike.

Ish-Papa thotë se pedofilia nuk ka qenë “akute” deri në fund të viteve 80-ta dhe u shkaktua nga “mungesa e Zotit” te njerëzit.

Letra me 5.500 fjalë u botua në revistën katolike gjermane Klerusblatt.

Në pjesën e parë, ish-Papa e quan periudhën e viteve 1960 si një kohë kur “standardet e mëparshme në lidhje me seksualitetin u shembën tërësisht”.

Më pas, letra shqyrton se si revolucioni seksual preku priftërinjtë, duke krijuar “klika homoseksuale” në seminare.

Letra përfundon me zgjidhjen që “ne edhe një herë fillojmë të jetojmë nga Perëndia”.

Në vitin 2013, ish-Papa Benedikti dha dorëheqjen që shënoi rastin e parë në Kishën Katolike, pas pothuajse 600 vjetësh.

Ai falënderoi pasardhësin e tij, Papa Françeskun, “për çdo gjë që ai bën për të na treguar përsëri dhe përsëri, dritën e Perëndisë, e cila nuk është zhdukur, madje as sot”.

Papa Françesku tha në një letër të botuar në vitin 2018 se Kisha “nuk veproi në kohën e duhur” për çështjen e abuzimit seksual të fëmijëve dhe “nuk tregoi kujdes për të vegjlit, duke i braktisur ata”, transmeton BBC.

Qëllimi i takimit në Berlin është të vazhdojë dialogu pa anulimin e taksës

Pas ftesës së Gjermanisë dhe Francës për të mbledhur presidentët dhe kryeministrat serbë dhe shqiptarë në Berlin më 29 prill, si dhe përfaqësuesit e Prishtinës nën moton për bashkëpunimin në rajon mund të fshehin një motiv tjetër – se Beogradi pranon të vazhdojë dialogun me Prishtinën pa heqjen e taksës mbi produktet serbe.

Kështu shkruan e përditshmja “Veçernje Novosti”.

Kjo gazetë raporton më tutje se si qarqet individuale diplomatike dhe burimet e saj interpretojnë angazhimin e aksit Berlin-Paris në zgjidhjen e çështjeve kyçe në Ballkanin Perëndimor, kryesisht në ringjalljen e dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës.

Dy shtetet më të fuqishme të Bashkimit Evropian kanë vendosur t’i takojnë udhëheqësit shtetërorë ballkanas të hënën e ardhshme, më 29 prill, në Berlin.

Siç ka raportuar të mërkurën klankosova.tv në takimin e udhëheqësve shtetëror ballkanas që organizohet nga dy shtetet më të fuqishme të Bashkimit Evropian pritet të marrin pjesë edhe Edi Rama, Ilir Meta.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiq kanë konfirmuar se kanë pranuar ftesë nga kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez Emmanuel Macron, për të marrë pjesë në samitin e liderëve të Ballkanit që do të mbahet në fund të këtij muaji në Berlin.

Shembulli i bashkëveprimit mes qeverive të Gjermanisë dhe Francës synon të ndihmojë në nxitjen e bashkëpunimit mes vendeve të rajonit, posaçërisht sa i përket temave të mëdha politike, siç është dialogu Kosovë – Serbi.

Pas zgjidhjes së suksesshme të çështjes së emrit mes Maqedonisë Veriore dhe Greqisë, fokusi i vendimmarrësve evropiane është zhvendosur në përgatitjet për etapën e fundit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, ku bën pjesë edhe ky takim të hënën në Berlin, transmeton Klan Kosova.

BE dhe Britania shtyjnë Brexit-in deri më 31 tetor

Bruksel

Presidenti i Këshillit të Bashkimit Evropian (BE), Donald Tusk, ka deklaruar se “27 shtetet anëtare të Bashkimit Evropian dhe Britania, janë dakorduar për një shtyrje fleksibël të Brexit-it deri më 31 tetor”, transmeton Anadolu Agency (AA).

Gjatë samitit për Brexit-in të zhvilluar në Bruksel, nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në Twitter, Tusk ka njoftuar për dakordmin e BE-së dhe Britanisë për një shtyrje të Brexit-it deri më 31 tetor.

Tusk ka tërhequr vëmendjen se “shtyja fleksibël” i njeh Britanisë 6 muaj afat për të gjetur zgjidhjen më të mirë.

Britania vendosi të largohet nga BE nëpërmjet një referendumi të mbajtur më 23 qershor 2016.

Marrëveshja rreth Brexit-it që Britania ka arritur me BE-në është refuzuar tri herë në Parlamentin e Britanisë, ku në votimet e kryera me iniciativën e deputetëve parlamenti nuk ka dhënë mbështetje me shumicë për asnjë skenar të Brexit-it.

Sipas marrëveshjes që Britania ka arritur me BE-në, Brexiti i cili duhej të ndodhte më 29 mars, u shty për 12 prill. Kryeministrja britanike, Theresa May, duke i dërguar një letër presidentit të Këshillit të BE-së, Donald Tusk, kërkoi shtyrjen e Brexit-it deri më 30 qershor.

Gjiganti farmaceutik Bayer shkurton 4 500 vende pune në Gjermani

Berlin

Gjiganti gjerman i industrisë farmaceutike Bayer, thotë se po shkurton 4.500 vende pune në Gjermani.

Kompania gjermane tha sot se shkurtimet janë pjesë e 12.000 reduktimeve të vendeve të punës për të cilat njoftoi vitin e kaluar.

Kompania aktualisht ka rreth 32.100 punonjës në Gjermani.

Bayer aktualisht po vuan pasojat e padive për efektet e dyshuara kancerogjene të Roundup, një herbicidë të cilën e mori me blerjen e rivalit amerikan Monsanto.

Bayer thotë se provat shkencore flasin se produkti është i sigurt dhe se rregullatorët kanë mbështetur këtë përfundim. aa

Danimarka prej 2 vitesh nuk dërgon trupa në NATO

Kopenhagë

Danimarka që prej 2 vitesh nuk dërgon ushtarë në NATO me arsyetimin e “intensitetit dhe se ushtarët janë të lodhur (konsumuar)”.

Siç raporton gazeta “Berlingske”, pretendohet se Forcat e Armatosura të Danimarkës që prej 2 vitesh nuk ofrojnë në shërbimin e Aleancës 700 ushtarët që duhet t’i dërgojnë në NATO.

Burimet ushtarake për gazetën kanë bërë të ditur se 6.000 ushtarët në ushtri janë lodhur për shkak të shumë detyrave që kanë marrë përsipër dhe se për këtë arsye nuk janë dërguar ushtarë në njësitë e NATO-s.

Ndërkohë ekspertët kanë paralajmëruar Forcat e Armatosura të Danimarkës se mosdërgimi i ushtarëve në disa detyra me arsyetimin për lodhjen e tyre mund të shkaktojë “krizë të mungesës së personelit” për një afat të gjatë”. aa

Merkel: Do të luftoj deri në fund për një Brexit të rregullt

Kancelarja gjermane, Angela Merkel tha se ditëve të fundit ka parë diskutime thelbësore në Londër sa i përket Brexit-it dhe se ajo shpreson që kryeministrja, Theresa May, do të mund të paraqesë propozime të realizueshme gjatë javës së ardhshme.

Duke folur në konferencë për media së bashku me kryeministrin irlandez, Leo Varadkar, Merkel përsëriti se ajo do të luftojë deri në fund për një dalje të rregullt të Britanisë nga BE-ja.

Ndërkohë, ligjvënësit britanikë votuan një masë që detyron kryeministren, Theresa May, të kërkojë nga Bashkimi Evropian zgjatjen e procesit të daljes së Britanisë nga BE-ja, apo Brexit-it, në mënyrë që të shmanget dalja pa marrëveshje, më 12 prill.

Sllovenia inauguron çezmën e parë publike të birrës

Sllovenia është vendi i parë që ka marrë iniciativën për të hapur një çezmë publike birre dhe jo uji. E pabesueshme, apo jo?

Çezma është hapur në qytetin e Zalec, një orë larg kryeqytetit slloven, Ljubjana.

Një projekt i tillë nuk do jetë i lejueshëm për njerëzit që kanë probleme me alkoolin, pasi kjo ide shoqërohet me një sërë normash.

Aty gjendet edhe “Savinja Loë Valley”, apo siç njihet ndryshe, lugina e floririt të gjelbër, për plantacionet e shumta të lupolës, përbërësi kyç i përgatitjes së birrës.

Vizitorët që duan të vizitojnë çezmën e birrës duhet të paguajnë 6 euro në këmbim edhe të një krikëlle kujtim dhe një bilete për të mbushur 3 gota birrë, të cilat mund t’i konsumojnë kur të duan gjatë turneut.

Duket një projekt i thjeshtë, por ka dashur investimin e 350.000 eurove dhe është aprovuar nga Këshilli bashkiak.

Nuk dihet se sa kohë do funksionojë çezma, ndaj nëse jeni të apasionuar me birrën, mos e humbisni shansin për të vizituar një ‘monument’ të tillë.

Kurz: Pa përparuar në marrëdhëniet me Kosovën, nuk ka vend për Serbinë në BE

Kancelari austriak Sebastian Kurz tha se çdo zgjidhje e mundshme për problemin e Kosovës duhet të mbështetet nga fuqitë e mëdha, veçanërisht anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Ai theksoi se Serbia duhet të jetë e vetëdijshme se pa përparim të qartë në marrëdhëniet me Kosovën nuk do të jetë në gjendje të bashkohet me Bashkimin Evropian.

“Është në interesin tonë të jemi në partneritet të ngushtë me SHBA kur bëhet fjalë për Ballkanin Perëndimor dhe të kemi mbështetjen e tyre në inkurajimin e përparimit në arritjen e një zgjidhjeje për këtë çështje të rëndësishme”, tha Kurz në një intervistë për revistën Cord.

Ukraina ndalon të gjitha fluturimet drejt Rusisë

Qeveria ukrainase ka ndaluar fluturimet e paplanifikuara drejt Rusisë, pas një vizite në Moskë që kanë realizuar dy politikanë opozitarë.

Ky veprim është inicuar nga ministri i Brendshëm ukrainas, Arsen Avakov, i cili ka thënë më 3 prill se kandidati presidencial, Yuriy Boiko dhe kryetari i partisë opozitare, Platforma Opozitare, Viktor Medvedchuk kanë shfrytëzuar një “hapësirë në legjislacionin e Ukrainës” kur janë nisur drejt Moskës muajin e kaluar.

Avakov ka thënë se ndalimi nuk do të aplikohet për fluturimet e organizatave ndërkombëtare, siç është Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, Kombet e Bashkuara apo Kryqi i Kuq.

Kryeministri ukrainas, Volodymyr Hroysman ka thënë “se këto kufizime do të zbatohen derisa Rusia të mos jetë më shtet agresor dhe të kthehet në një shtet të civilizuar”.

Prokurori i Përgjithshëm i Ukrainës, Yuriy Lutsenko ka thënë se do të nisë hetime kundër dy politikanëve opozitarë për “kalim të paligjshëm kufitar”.

Fluturimet direkte në mes të të dyja shteteve janë ndaluar në tetor të vitit 2015, pas vendimit të Mokës për të aneksuar Gadishullin e Krimesë nga Ukraina më 2014, si dhe për mbështetjen u ofron separatistëve në konfiktin që zhvillohet në lindje të Ukrainës.

NATO me masa shtesë për të penguar agresionin rus në Detin e Zi

Ministrat e Jashtëm të NATO-s do të diskutojnë këtë javë në Uashington, mbi të gjitha elementet e kërcënimit që paraqet Rusia si dhe do të shqyrtojnë një sërë masash për të forcuar praninë e aleancës ushtarake në Detin e Zi, deklaroi një zyrtar i lartë i SHBA-së, raporton Reuters.

“Fokusi i bisedimeve do të jetë në mbrojtje dhe në masat parandaluese të aleancës në rajonin e Detit të Zi”, deklaroi ai.

Zyrtari i lartë amerikan duke folur në kushte anonimiteti tha se aleati i NATO-s, Turqia mbetet një partner i rëndësishëm i Shteteve të Bashkuara, por theksoi se planet e Ankarasë për blerjen e sistemit rus të mbrojtjes raketore, paraqesin shqetësim.

“Marrëdhëniet tona nuk përcaktohen nga vetëm kjo çështje por megjithatë ajo paraqet shqetësim të madh”, deklaroi zyrtari amerikan.

Humoristi Volodymyr Zelenskiy udhëheq në zgjedhjet për president në Ukrainë

Humoristi pa përvojë politike, Volodymyr Zelenskiy, ka fituar më së shumti vota në raundin e parë te zgjedhjeve presidenciale në Ukrainë, bazuar në rezultatet e sondazheve dhe rezultatet e para të komisionit zgjedhor.

Zelenskiy është thënë të ketë fituar 30.4 për qind të votave derisa presidenti aktual, Petro Poroshenko 17.8 për qind.

Që të dy këta kandidatë, që kanë bërë deklarata pro-evropiane, pritet të garojnë sërish muajin e ardhshëm.

“Jam shumë i lumtur, mirëpo ky nuk është hapi i fundit”, është cituar të ketë thënë Zelenskiy.

Poroshenko në anën tjetër e ka përshkruar këtë rezultat si “mësim të ashpër”.

Për dallim nga Zelenskiy dhe Poroshenko, ish-kryeministrja, Yulia Tymoshenko duket se është eliminuar nga gara.

Ministria e Brendshme e Ukrainës ka thënë se janë raportuar qindra shkelje të procesit zgjedhor, derisa vëzhguesit e jashtëm kanë thënë se ky proces është realizuar kryesisht mirë.

Garës për president i janë bashkuar 39 kandidatë, mirëpo asnjëri nuk ka fituar 50 për qind të votave, çka do të rezultojë me raund të dytë mes dy kandidatëve me më së shumti vota më 21 prill.

Presidenti ukrainas ka fuqi të rëndësishme për siguri, mbrojtje dhe politikë të jashtme të shtetit.

Berlusconi do të garojë për deputet në Parlamentin Evropian

Ish-kryeministri i Italisë, Silvio Berlusconi tha se ai do të garojë në zgjedhjet e Parlamentit Evropian, që mbahen në muajin maj, pasi, siç u shpreh ai, dëshiron që të luftojë për një BE më të bashkuar.

Berlusconi, 82-vjeçar, e bëri publik lajmin për pjesëmarrjen e tij në zgjedhjet e Parlamentit Evropian, gjatë konventës së partisë së tij të qendrës së djathtë Forza Italia, e cila ka humbur mbështetjen viteve të fundit, për shkak se votuesit kanë zgjedhur parti të tjera të djathta, që kanë diskurs anti-migrantëve dhe janë euroskeptikë, siç është Partia Liga. Kjo parti udhëheqItalinë dhe është në koalicion me lëvizjen Pesë Yjet.

Partitë e koalicionit qeverisës në Itali dëshirojnë që të ndalin procesin e integrimit evropian dhe që fuqia të rikthehet te qeveritë e shteteve të BE-së.

Por Berlusconi tha se dëshiron pikërisht të kundërtën. Ai tha se dëshiron që Evropa të “rikthehet në projektet e themeluesve të saj, të cilët dëshironin një Evropë më të bashkuar, një Evropë me një politikë të jashtme të përbashkët dhe me një politikë të përbashkët të mbrojtjes”.

Berlusconi tha se nëse Evropa bashkohet ushtarakisht, atëherë do të ishte “fuqi” e madhe botërore.

Berlusconi, që ka shërbyer për tri mandante si kryeministër i Italisë, në muajin janar fillimisht e kishte përmendur mundësinë e garimit në zgjedhjet evropiane.

Për gati pesë vjet, Berlusconit i ishte ndaluar që të garonte për ndonjë post publik, pasi ishte dënuar për mashtrim me taksa. Por, vitin e kaluar, një gjykatë vendosi që t’ia heqë këtë ndalesë.

Kulla Eiffel fik dritat një orë për “Orën e Tokës”

Ndërtesa të njohura në gjithë globin mbrëmë i kanë ndalur dritat në kuadër të shënimit të “Orës së Tokës”, për të tërhequr vëmendjen për ndryshimet klimatike që po ndodhin.

“Ora e Tokës” është një ngjarje ndërkombëtare që është organizuar nga World Wildlife Fund, WWF.

Qëllimi është që të mbrohet toka nga njeriu, pasi sipas kësaj organizate ajo është duke u dëmtuar.

Kjo është hera e 13 që organizohet kjo orë për token dhe është mbajtur nga ora 20:30 deri në 21:30, shkruan Klan Kosova.

Kremlini në Moskë, Empire State Building dhe selia e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, Kulla Eiffel në Paris dhe Akropolisi në Athinë, ishin në mesin e ndërtesave dhe monumenteve, në qytetet e 170 vendeve në gjithë botën, që i kanë ndalur dritat për 60 minuta.

Sllovakia zgjedh presidenten e parë grua

Bratisllavë

Zuzana Caputova, sipas rezultateve paraprake është zgjedhur presidentja e parë grua e Sllovakisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Caputova, 45 vjeçare, fitoi balotazhin presidencial të së shtunës me më shumë se 58 për qind të votave.

Në raundin e parë, Caputova mori 40 për qind të votave, ndërsa sfiduesi më i fortë i saj, kandidati i Partisë në pushtet Smer Maros Sefçoviç mori mbi 18 për qind.

Sllovakia u shkëput nga Republika Çeke në vitin 1993 dhe shpalli pavarësinë e saj.

Kancelari austriak konfirmon lidhjet mes terroristit të Zelandës së Re dhe grupeve nacionaliste në Austri

Kancelari Austriak ka konfirmuar këtë të mërkurë se autoritetet kanë gjetur lidhje financiare mes terroristit Brenton Tarrant, që kreu sulmin në xhaminë e Zelandës së re, dhe grupeve nacionaliste në Austri.

Kurz shtoi se qeveria Austriake po bën përpjekje për ta shkatërruar këtë grup, i njohur ndryshe si Lëvizja e Identitetit Austriak, pasi që agjentët e inteligjencës kanë zbuluar lidhje financiare të cilat ndihmonin terroristin për tu pajisur, transmeton Gazeta Express.

“Pozicioni ynë është shumë i qartë, asnjë lloj i ekstremizmit, çfarë do qoftë ai radikal islamik, apo ekstremizëm i krahut të djathtë, nuk ka vend në shoqërinë tonë.” tha Kurz.

Komentet e kancelarit vijnë pas deklaratës së sekretarit të policisë lokale të Grazit, se ata janë duke hetuar grupe të lidhura me terroristin. Bacher ka konfirmuar se grupi i dyshuar ka transferuar 1.500 euro në fillim të vitit 2018, si shenjë donacioni për të dyshuarin e sulmit në Christchurch.

Bacher shtoi se shuma e dhuruar, çuditërisht është më e madhe se donacionet tjera që i ka bërë ky grup.

Ndërkohë grupi ka mohuar se kanë qenë në dijeni të sulmit.

“Unë nuk jam pjesë e një organizate terroriste. Nuk kam të bëjë asgjë me atë njeri” tha Sellner, kryetar i grupit të dyshuar.

Kujtojmë se terroristi që sulmoi xhaminë në Zelandë të Re, ka bërë disa herë udhëtime drejt Evropës, e sidomos në Ballkan. /Express/

BE-ja voton kundër ndryshimit të orës, nga viti 2021 fillon zbatimi

Parlamenti Evropian ka marrë vendim me shumicë votash që ta shfuqizojë praktikën e ndërrimit të orës në pranverë dhe vjeshë. Pas këtij vendimi, secili shtet duhet ta ketë të njëjtën kohë gjatë tërë vitit.Ky ndryshim do të fillojë të zbatohet nga viti 2021, ndërsa shtetet anëtare të Bashkimit Evropian do ta kenë mundësinë për të zgjedhur se a do ta zbatojnë kohën verore apo dimërore.

Përndryshe, matja e kohës sipas sezonit veror do të fillojë të dielën, më 31 mars, kur akrepat do të lëvizen nga ora 2 në orën 3 të mëngjesit, shkruan “Independent”, transmeton Gazeta Express.

Historike – Deputetët francezë dhe gjermanë mbajnë seancën e parë të përbashkët

Franca dhe Gjermania e kanë organizuar seancën e parë parlamentare me përfshirjen e deputetëve të të dyja vendeve si pjesë e zotimit të tyre për forcim të marrëdhënieve.Në këtë seancë parlamentare po marrin pjesë 50 deputetë nga secili shtet, ndërsa në këtë grup janë përfshirë pothuajse të gjitha partitë e Francës dhe Gjermanisë, varësisht nga numri i tyre në kuvendet kombëtare.

Planifikohet që seanca të tilla të përbashkëta në të ardhmen të mbahen rregullisht dy herë në vit. Ky vendim erdhi pas nënshkrimit të Traktatit të Aachenit, me të cilin synohet forcimi i bashkëpunimit mes Francës dhe Gjermanisë në Evropë.

Qëllimi i mbledhjeve të përbashkëta është zbatimi i këtij traktati dhe mbikëqyrja e çështjeve me interes të përbashkët, përfshirë politikën e jashtme, sigurinë dhe mbrojtjen.

Seanca e së hënës është më tepër ceremoniale dhe procedurale. Gjatë këtij takimi u nënshkrua marrëveshja dypalëshe nga dy kryetarët e kuvendeve, Wolfgang Schaube i Bundestagut Gjerman dhe Richard Ferrrand i Asamblesë Kombëtare të Francës.

Kryetari i kuvendit gjerman tha se ky organizim vë në pah zotimin e shteteve për të pasur bashkëpunim dypalësh në kontekstin evropian. “Gjermania dhe Franca kanë përgjegjësi të veçantë për Evropën”, shtoi ai.

Në anën tjetër, kryetari i kuvendit të Francës e publikoi një fotografi të kësaj seance, duke thënë që kjo është një ditë historike. “Nëse motori franko-gjerman nuk punon, e tërë Evropa do të ngadalësohet”, tha ai, shkruan “BBC”, transmeton Gazeta Express./Përktheu: Nasuf Abdyli

Ushtria i bashkohet policisë në Paris në fundjavën e 19-të të protestave

Protestuesit e njohur si “Xhaketat e Verdha” në Francë, kanë hyrë në fundjavën e 19-të të protestave kundër qeverisjes së presidentit francez Emmanuel Macron. Forcat ushtarake janë vendosur në Paris për të ndihmuar policinë e vendit, për shkak të eskalimit të mundshëm në dhunë.

Protestuesve iu ndalua të afrohen tek pjesa kryesore e qytetit Champs Elysees, për shkak të ankesave të bizneseve dhe dëmeve të shkaktuara ndaj tyre gjatë protestave.

Të ashtuquajtur “Xhaketat e Verdha” protestuesit në Francë janë duke protestuar nga nëntori i vitit të kaluar, që fillimisht nisi kundër ngritjes së çmimit të naftës.

Kjo lëvizje ka shënuar rritje kundër qeverisjes së Macronit, edhe pas tërheqjes së ngritjes së çmimit të naftës dhe shpesh ka përfunduar me përplasje me autoritetet dhe eskalim të dhunës.

Spanja me propozime politike për një Evropë stabël

Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian (BE) të mbrojë Bllokun në zgjedhjet për Parlamentin Evropian të caktuara për më 26 maj.

Rezultati i zgjedhjeve do të nxisë ose do të dëmtojë BE-në, tha Sanchez gjatë adresimit në konferencën e mbajtur në Madrid me temë: “Mbroni Idenë e Evropës”.

Sanchez në fjalimin e tij u shpreh për një Evropë “më sociale” e cila si e tillë do të rikuperonte frymën dhe kohezionin evropian, ku asnjë qytetar nuk do të ndihet i përjashtuar.

“Duhet ta mbrojmë Evropën në mënyrë që Evropa të mbrojë qytetarët e saj”, u shpreh ai.

Sanchez kishte tetë propozime politike, të cilat sipas tij, do t’i jepnin një shtytje lëvizjes evropiane, siç janë modernizimi i ekonomisë, mbështetja për monedhën e përbashkët, ruajtjen e kontratës sociale, kompletimin e një “Evrope feministe”, vazhdimin e luftës kundër ndryshimeve klimatike, mbështetjen për emigracionin, ndjekjen e një politike të jashtme që do të jetë e qëndrueshme dhe efektive si dhe një buxhet “ambicioz” evropian.

“Gjithmonë kam besuar se Evropa mbi të gjitha është një bashkësi vlerash, por edhe një bashkësi interesash që duhet të mbrohen, por kjo mund të bëhet vetëm përmes unitetit”, tha Sanchez.

Ai tha se vendi i tij do të ketë një qëndrim konstruktiv për sa i përket Brexit-it, pasi siç tha, nëse Britania e Madhe propozon një shtyrje, atëherë do të duhet të tregojë pse, për çfarë qëllimi dhe për sa kohë.

Komentet e Sanchezit u bënë në prag të takimit të jashtëzakonshëm të cilin sot do ta mbajë Këshilli Evropian për të analizuar skenarët e Brexit-it. aa

Conte: Italia do të bëhet pjesë e projektit kinez “Rruga e Mëndafshit”

Kryeministri i Italisë, Giuseppe Conte u zotua se Italia do t’i bashkohet iniciativës kineze që njihet si “Rruga e Mëndafshit”, pavarësisht kundërshtimeve dhe dyshimeve të SHBA-së si dhe anëtarëve të koalicionit qeverisës Italian.

Kina ka premtuar 124 miliardë dollarë për inciativën e cila synon të lidhë Kinën me Afrikën, Azinë dhe Evropën, përmes një rrjeti portesh, hekurudhash, rrugësh dhe paqeve industriale.

Kryeministri Italian Conte tha se nënshkrimi i Memorandumit të Mirëkuptimit, këtë javë në Romë, me delegacionin e lartë kinez të udhëhequr nga presidenti Xi Jinping, nuk do të rrezikojë pozicionin e Italisë në aleancës transatlantike.

Ai tha se memorandumi nuk është ligjërisht i detyrueshëm dhe se i jep mundësinë eksportuesve italianë të kenë qasje në një treg kinez fitimprurës.

Nënshkrimi nga ana e Italisë konsiderohet një hap i madh drejt legjitimimit të një projekti që parashikon lidhjet tokësore dhe detare midis Kinës dhe Evropës.

Holandë, arrestohet i dyshuari për sulmin në tramvaj

Policia holandeze arrestoi një person me origjinë turke, i dyshuar për përfshirje në incidentin me armë në një tramvaj të Utrechtit, ku u vranë tre vetë dhe u plagosën pesë, thanë autoritetet e qytetit.

I dyshuari ishte identifikuar nga policia si 37-vjeçari Gokmen Tanis.

“I dyshuari kryesor është arrestuar,” thanë autoritetet e qytetit në një koment në Twitter.

 

Të hënën në mëngjes, masat e sigurisë u shtuan përreth shkollave, xhamive dhe metrosë pas të shtënave, ndërsa vendi i ngjarjes u rrethua nga forca të mëdha të sigurisë.

Në një konferencë për shtyp, Prokurori Rutger Jeuken konfirmoi se personi i lindur në Turqi kishte qenë arrestuar edhe më parë.

Pas arrestimit të së hënës, autoritetet holandeze të kundër-terrorizmit e ulën nivelin e kërcënimit për provincën qendrore të Utrechtit në shkallën 4.

Niveli i paralajmërimit u rrit në shkallën më të lartë për disa orë me radhë pas vrasjeve në Tramvaj.

 

Franca 4 muajt nga nisja e protestave të “jelekëve të verdhë”

Paris

Që prej 4 muajsh në Francë vazhdojnë protestat e “jelekëve të verdhë” të cilat filluan si reagim ndaj rritjes së çmimit të karburanteve dhe kushteve të këqija ekonomike, por të cilat më vonë u kthyen në protesta kundër presidentit Emmanuel Macron, shkruan Anadolu Agency (AA).

Protestat e “jelekëve të verdhë” që vazhdonë prej kohësh pa ndërprerje që nga fillimi i tyre në Francë, janë bërë protestat me vazhdueshmërinë më të gjatë në vitet e fundit. Nga qeveria “jelekët e verdhë” presin që ajo të përmisojë kushtet dhe të bëjë hapa për zgjidhjen e problemeve ekonomike.

Gjithashtu ka tërhequr vëmendjen ajo se numri i pjesëmarrësve në protesta javët e fundit është ulur, shifër kjo e cila më 17 nëntor 2018 kur filluan protestat ishte rreth 290 mijë njerëz, ndërkohë që javën e kaluar ishte rreth 28 mijë.

Demonstruesit sot do të mbajnë protesta në të gjithë vendin kryesisht në kryeqytetin Paris. Protestuesit synojnë të rrisin numrin e protestuesve dhe të rigjallërojnë lëvizjen në mënyrë që të shprehin reagimet e tyre ndaj Macron-it dhe qeverisë në mënyrë më efektive.

Priscillia Ludosky dhe Jerome Rodrigues nga liderët e “jelekëve të verdhë” bashkë me avokatin e tyre François Boulo kanë dhënë deklarata për AA.

Ludosky, duke bërë të ditur se lëvizja e “jelekëve të verdhë” është rritur dhe se në 4 muaj kanë arritur përparime të rëndësishme tha se “Protestat do të vazhdojnë. Është e rëndësishme të tregojmë se ndodhemi në rrugë”.

“Në protesta ka përdorim të tepruar të gazit lotsjellës dhe dhunës policore. Shumë hetime vazhdojnë. Në veçanti, ka raste kur policia ka përdorur dhunë të tepruar ndaj protestuesve. Prandaj, ne nuk mund të veprojmë lirshëm në protesta. Nëse qeveria ndërmerr hapa të forta, njerëzit mund të luftojnë në mënyra të ndryshme dhe jo duke organizuar protesta. Ka shumë gjëra që qeveria duhet t’i bëjë por të cilat nuk i bën”, tha Ludosky duke shtuar se bashkë me lëvizjen janë formuar shumë shoqata dhe se janë kryer disa punime.

Pasi kujtoi se Franca është paralajmëruar nga Kombet e Bashkuara (OKB) për presionet dhe dhunën kundër protestuesve në demonstrata, ajo tha se “Madje disa vende i kanë thënë presidentit francez “interesohu për problemet e vendit tënd, jo me ato të vendit tonë”. Qëndrimi i Francës ndaj vendeve të tjera tërheq vëmendje. Sytë e komunitetit ndërkombëtar janë tek Franca”.

“Është kryer dhunë në vend që t‘u përgjigjen kërkesave që kemi”

Ndërsa Rodrigues i cili ka humbur një sy pasi është goditur nga një kapsollë e gazit lotsjellës gjatë protestave në Paris tha se “Protestat do të vazhdojnë deri kur qeveria të na dëgjojë. Qeveria në këto 4 muaj në vend që t‘u përgjigjet kërkesave që ne kemi ajo ka bërë edhe më shumë presion ndaj nesh duke përdorur policinë dhe duke u përpjekur që të na bëjë të heshtim”.

Rodrigues ka reaguar edhe ndaj projektligjit i cili u miratua në Asamblenë Kombëtare i cili parashikon dënime të ashpra ndaj protestuesve.

“Bota duhet të shqetësohet për dhunën ndaj ‘jelekëve të verdhë’. Macron i cili përpiqet t’i japë mësime Venezuelës dhe Algjerisë, po vepron më keq me popullin e tij”, tha Rodrigues, duke mbrojtur idenë e tij se qeveria po përpiqet ta paraqesë të ulët shifrën e pjesëmarrësve në protesta dhe se shifrat që ajo publikon nuk janë të drejta.

Avokati i “jelekëve të verdhë” Boulo tha se protestat do të vazhdojnë deri në përmbushjen e kërkesave të popullit. “Ka një qeveri të shurdhër e cila nuk dëshiron të dëgjojë asgjë. Qeveria u përgjigjet kundërshtimeve të popullit vetëm me presion policor dhe ligjor”, tha ai.

Më tej Boulo thekson se shkeljet e të drejtave të njeriut ndaj “jelekëve të verdhë” kanë arritur në përmasa serioze dhe projektiligjin i cili parashikon ndëshkime të ashpra për protestuesit e ka cilësuar atë si një projektligj “fashist” që kufizon liritë e njerëzve.

“Fortesa Trump” një hap më afër për t’u realizuar në Poloni

Një bazë ushtarake e përhershme amerikane në Poloni me emërtimin “Fortesa Trump”, është një hap më afër për t’u bërë realitet.

Kathryn Wheelbarger, ushtruese detyre e ndihmës sekretares së Mbrojtjes për çështjet e sigurisë ndërkombëtare, u tha ligjvënësve në Komisionin për Shërbimet e Armatosura të Dhomës së përfaqësuesve të mërkurën, se negociatat për ngritjen e saj “janë duke u zhvilluar gjatë kësaj jave”.

Komentet e saj u bënë në kohën kur John Rood, zëvendës sekretar i Mbrojtjes u takua me homologun polak për të diskutuar hollësitë e asaj që zoti Rood e quaji “ofertë bujare” nga Polonia.

Varshava ka ofruar një ndihmesë prej të paktën dy miliardë dollarësh për vendosjen e pranisë së përhershme të forcave amerikane në Poloni, në një përpjekje për të penguar çfarëdo agresioni të mundshëm rus.

NATO-ja ka zgjeruar praninë e saj në afërsi të kufijve të Rusisë për të siguruar fqinjët e saj lindor, një grumbullim që Rusia e ka përshkruar si kërcënim për sigurinë e saj.

“Ne kemi arritur, mendojmë, një ofertë shumë serioze e të fuqishme dhe ne jemi duke punuar disa nga teknikalitetet këtë javë,” tha Kathryn Wheelbarger.

Ajo tha se do të duhen gjashtë muaj deri në një vit për përfundimin e marrëveshjes për bazën.

Ushtria amerikane nuk do të duhet të fillojë mbledhje buxheti për bazën për të paktën dy apo tre vjet, sipas gjeneralit të Ushtrisë, Curtis Mike Scaparrotti, shefi i Komandës së trupave amerikane në Evropë.

Negociatat për bazën e propozuar në Poloni, po ndodhin në kohën kur është raportuat se administrata e presidentit Donald Trump, po shqyrton një plan sipas të cilit, kombeve të pasura si Gjermania, Japonia dhe Koreja e Jugut, do t’u kërkohet të paguajnë çmimin e pranisë ushtarake amerikane në territoret e tyre dhe plus 50 për qind më shumë, për privilegjin e mbrojtjes amerikane.

Kathryn Wheelbarger mohoi që ideja “kosto plus 50” po diskutohej për aleatët evropianë.

Mogherini: Marrëveshjen përfundimtare Prishtinë-Beograd duhet ta mbështesë KS i OKB-së

Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini i tha Këshillit të Sigurimit të OKB-së se “Kosova duhet të heqë tarifën ndaj mallrave serbe dhe të Bosnjës”.

Pasi të ndodhë kjo, Mogherini përsëriti se do të thërrasë menjëherë raundin e ri të dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit në mënyrë që të arrihet marrëveshja ligjërisht obliguese për normalizimin e plotë të raporteve ndërmjet dy vendeve.

“Siç e dini, unë personalisht e lehtësoj dialogun. Por dialogu nuk më përket mua, Bashkimi Evropian apo ndonjë prej nesh rreth kësaj tryeze, ajo i takon dy palëve në dialog. U takon atyre të arrijnë një marrëveshje që do të ishte e pranueshme dhe e përshtatshme për të dyja palët. Në të njëjtën kohë, një marrëveshje përfundimtare duhet të jetë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe do të duhet të mbështetet nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së”, tha Mogherini, duke shtuar se, për arritjen e këtij qëllimi, është e gatshme të intensifikojë bisedimet me anëtarët e Këshillit të Sigurimit.

Dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit është ndërprerë pasi pala serbe nuk pranon të ulet në tryezën e bisedimeve para se Kosova të heqë tarifën ndaj mallrave serbe të vendosur në nëntor të vitit të kaluar, si kundërpërgjigje të asaj që Prishtina e quan fushatë të shtetit serb ndaj minimit të shtetësisë së Kosovës.

Megjithatë shefja e diplomacisë evropiane, Federica Mogherini tha se një përfundim pozitiv i dialogut Beograd-Prishtinë do të jepte edhe më shumë shpresë për të gjithë rajonin si dhe do të ishte model dhe një frymëzim për Evropën dhe botën.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara po i bëjnë thirrje autoriteteve në Prishtinë që të shfuqizojë ose të paktën të pezullojë për një afat kohor tarifën ndaj mallrave serbe.

Kryeministri Ramush Haradinaj po kundërshton heqjen e saj derisa Serbia të njohë Kosovën.

Haradinaj: Sa të jem unë kryeministër, taksa nuk hiqet

Mbajtja në fuqi e tarifës ka përkeqësuar raportet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara. Zyrtarë të lartë amerikanë përmes disa letrave drejtuar institucioneve të Kosovës apo përmes vizitave në Prishtinë kanë thënë se autoritetet kosovare duhet të shfrytëzojnë rastin për të arritur një marrëveshje me Beogradin, gjatë këtij viti.

Hale në Kosovë për “mundësinë historike” të arritjes së marrëveshjes me Serbinë

Përkeqësimin e raporteve me SHBA-në e ka konfirmuar kohë më parë edhe zëvëndëskryeministri, Enver Hoxhaj, i cili përmes një shkrimi në Facebook ka thënë se raportet mes dy vendeve janë në nivelin më të ulët.

“Përgjatë përvojës time pesëmbëdhjetë vjeçare në politikë, fatkeqësisht, ndodhemi në pikën më të ulët të marrëdhënieve Kosovë-SHBA dhe ky duhet të jetë shqetësim për politikën dhe shoqërinë në Kosovë” ka shkruar Hoxhaj.

Ligjvënësit evropianë miratojnë rezolutë kundër ndërhyrjes ruse në Evropë

Ligjëvënësit evropianë janë shumë të shqetësuar për lidhjet mes Rusisë dhe partive të ekstremit te djathtë si dhe disa qeverive evropiane siç është rasti i Hungarisë. Kështu thuhet në një rezolutë të miratuar me shumicë votash nga Parlamenti Evropian.

“Parlamenti Evropian kërkon një mekanizëm të gjerë të BE-së që lejon kontrollin e financimit të partive politike dhe masat që duhet ndërmarrë për të shmangur përdorimin e disa partive dhe lëvizjeve për të destabilizuar projektin evropian nga brenda”, thuhet në rezolutë.

Rezoluta gjithashtu shpreh shqetësim për “potencialisht qindra miliarda euro që pastrohen çdo ditë përmes BE-së nga kompanitë ruse dhe individët që kërkojnë të legjitimojnë të ardhurat e korrupsionit”.
Raporti iu bën thirrje vendeve anëtare të BE-së t’i japin fund programeve të “vizave të arta” .

Programi i “vizave të arta” zbatohet nga disa vende evropiane të cilat sigurojnë viza ose nënshtetësi për të huaj që janë të pasur. Ky program është përballur me kritika nga vëzhguesit pasi vlerësohet se mund të jetë i prekur nga korrupsioni.

Rezoluta e Parlamentit Evropian potencon se Rusia “nuk mund të konsiderohet edhe më tutje partner strategjik” dhe se BE-ja nuk mund të bëj biznes të zakonshëm me Rusinë përderisa Moska nuk i zbaton në tërësi “Marrëveshjet e Minskut” të cilat janë bazë për arritjen e paqes në lindje të Ukrainës, si dhe rivendosjen e integritetit territorial të saj.

Rezoluta e quajtur “Gjendja e raporteve BE-Rusi” nuk është obligativ megjithatë përfaqëson pozicionin e Parlamentit Evropian në raportet me Moskën.

Franca dhe Gjermania me asamble të përbashkët parlamentare

Paris

Asambleja Kombëtare e Francës e ka miratuar marrëveshjen e cila parashikon krijimin e një asambleje të përbashkët parlamentare me qëllim forcimin e bashkëpunimit mes Francës dhe Gjermanisë.

Marrëveshja u pranua me mbështetjen e dhënë nga Lëvizja Republika në Marshim (LREM) e cila është në pushtet dhe themeluesi i së cilës është presidenti Emmanuel Macron, Partia e Republikanëve (LR) e qendrës së djathtë, Partia Socialiste (PS) e qendrës së majtë dhe Lëvizja Demokratike (MoDem).

Pritet që marrëveshja të hyjë në fuqi kur ajo të miratohet edhe nga Asambleja Federale e Gjermanisë dhe në rast se ajo miratohet seanca e parë do të mbahet më 25 mars në Paris.

Në asamblenë e cila do të mblidhet dy herë në vit, do të jenë të pranishëm 100 deputetë, nga 50 për secilin vend. Thuhet se marrëveshja u lejon vendeve të heqin dorë nga rregullat e ligjit kombëtar në rajonet kufitare.

Kryetari i Asamblesë Kombëtare të Francës, Richard Ferrand, në një deklaratë ka shprehur kënaqësinë e miratimit të marrëveshjes dhe ka theksuar se kjo asamble do të sigurojë që ligji i të dy vendeve të punojë në mënyrë harmonike dhe do të thellojë bashkëpunimin e tyre.

Ndërkohë që edhe ministrja për Bashkimin Evropian, Nathalie Loiseau këtë marrëveshje e ka cilësuar si një “zgjidhje e guximshme”.

Lideri i lëvizjes La France Insoumise (LFI), Jean-Luc Melenchon nga ekstremi i majtë i cili ka kundërshtuar marrëveshjen ka pretenduar se kjo marrëveshje nuk është në përputhje me interesat e Francës.

“Me këtë marrëveshje krijohet imazhi tek vendet e tjera se ‘çdo vendim merret mes dy vendeve'”, tha Melenchon duke theksuar se përpara se të nënshkruhen marrëveshje të tilla në Evropë fillimisht duhet të mbahen referendume që të pyetet populli.

Themelet për forcimin e bashkëpunimit mes Francës dhe Gjermanisë u hodhën me Marrëveshjen e Aachen-it të nënshkruar më 22 janar. Marrëveshja synon të fillojë një epokë të re të bashkëpunimit mes dy vendeve, të sjellë partneritetin në një nivel të ri dhe për t’u përgatitur për sfidat me të cilat ballafaqohet Evropa. aa

Trupi i David Dragiçeviqit do të rivarroset në Austri

Ceremonia e zhvarrosjes së trupit të David Dragiçeviq

Në Banjallukë është zhvarrosur trupi i të riut, David Dragiçeviq ,pasi prindërit e tij kanë vendosur të rivarrosin atë në qytezën Wiener Neusta, afër Vjenës.

Rivarrimi i studentit të vdekur në rrethana të pasqaruara, do të bëhet më 15 mars, në njëvjetorin e vdekjes.

Prindërit të tij thanë se e kanë marrë këtë vendim për shkak të mungesës së përparimit në hetimin e rastit nga ana e autoriteteve të Republikës Serbe të Bosnjës.

Suzana Radanoviq dhe Davor Dragiçeviq gjithashtu përmendën “presionin” e ushtruar ndaj tyre nga ana e autoriteteve.

David Dragiqeviq, 21 vjeçar, student i teknologjisë, u zhduk natën e 18 marsit të vitit 2018. Trupi i tij u gjet më 24 mars në lumin Vrbas në Banja Llukë.

Policia tha se Davidi është vrarë pasi është përfshirë në një zënkë në kafiteri dhe ka qenë nën ndikimin e drogës dhe alkoholit.

Por prindërit e tij kundërshtuan këto pretendime. Babai i tij Davor Dragiqeviq, themeloi lëvizjën “Drejtësi dhe Davidin” dhe përmes protestave dhe marsheve në Banja Llukë kërkoi zbardhjen e rastit duke akuzuar për përfshirje në vrasje, përfaqësuesit më të lartë të policisë në Republikën Serbe.

Protesta dhe tubime u mbajtën në shumë vende të Bosnje Hercegovinës por edhe në Beograd dhe Zagreb.

Më pas, autoritetet e rendin ndaluan tubimet më arsyetimin se ato e prishin rendin dhe qetësinë si dhe shpallën në kërkim Davor Dragiqeviq. Ai tashmë ndodhet në arrati dhe askush nuk di për vendndodhjen e tij.

Merkel: BE duhet të ketë aeroplanmbajtësen e vet

Berlin

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka shprehur mbështetje për ndërtimin e një aeroplanmbajtëseje të përbashkët evropiane që synon të nxjerr në dritë rolin në rritje të Bashkimin Evropian (BE) si një aktor global.

Duke folur në një konferencë të përbashkët për media me kryeministrin e Letonisë, Krisjanis Karins, kancelarja Merkel theksoi nevojën që BE të rritë aftësitë e saj mbrojtëse, por po ashtu argumentoi se këto përpjekje nuk ishin kundër NATO-s.

“Sigurisht që kemi një angazhim të qartë në NATO”, theksoi Merkel, duke shtuar se qëllimi i Gjermanisë “në asnjë mënyrë nuk është për të zëvendësuar NATO-n, por për të forcuat më tej partneritetin me aleatët e NATO-s”.

E pyetur për propozimin e kohëve të fundit të partisë së saj kristian-demokratike (CDU) për të ndërtuar një aeroplanmbajtëse evropiane, Merkel tha se e mbështet këtë propozim.

“Aeroplanmbajtësja… mendoj se është mirë”, tha Merkel dhe shtoi se ishte e gatshme për të punuar mbi këtë propozim.

Udhëheqësja e partisë CDU, Annegret Kramp-Karrenbauer, theksoi idenë për të ndërtuar një aeroplanmbajtëse të përbashkët evropiane.

“Gjermania dhe Franca tashmë po punojnë së bashku për një projekt të avionëve luftarakë evropianë në të ardhmen dhe vendet tjera janë të ftuara për të marrë pjesë”, tha ajo.

Ajo theksoi se hapi tjetër mund të jetë fillimi i një “projekti simbolik me ndërtimin e një aeroplanmbajtëseje të përbashkët evropian” për të shprehur rolin gobal të BE-së si një fuqi që garanton siguri dhe paqe.

Gjermania dhe Franca nënshkruan një marrëveshje në muajin janar, për të thelluar bashkëpunimin politik, ekonomik dhe atë të mbrojtjes midis dy vendeve, si dhe shprehën synimin e tyre për krijimin e një ushtrie të BE-së, me qëllim për ta bërë bllokun 28-anëtarësh një aktor të fuqishëm botëror. aa

Papa Françesku dënon valën e re të antisemitizmit

Papa Françesku dënoi antisemitizmin si dhe kërkoi nga të gjitha vendet që të jenë vigjilente kundër tij.

Në komentet e tij para anëtarëve të Komitetit amerikan-hebraik, gjatë një vizite në Vatikan, Papa përsëriti se është mëkat për të krishterët të mbajnë ndjenja anti-semite, pasi ata ndajnë të njëjtën trashëgimi me hebrenjtë.

“Një burim i shqetësimit të madh për mua është përhapja në shumë vende e një klime të ligësisë dhe tërbimit përmes së cilës po zë rrënjë urrejtja” tha Papa Françesku duke vënë në theks valën e re të sulmeve anti-Semite në vende të ndryshme të botës.

Papa nuk emëroi asnjë prej këtyre vendeve mirëpo të dhënat qeveritare të publikuara muajin e kaluar treguan për më shumë se 500 sulme anti-Semite gjatë vitit të kaluar në Francë. Ky vend e ka bashkësinë më të madhe hebraike në Evropë.

Kjo ishte një rritje prej 74 për qind nga viti 2017.

“Për një të krishterë, çdo formë e antisemitizmit është një refuzim i origjinës së tij” tha Françesku.

Një studim i Bashkimit Europian muajin e kaluar tregoi se një në tre hebrenjë evropianë e kanë konsideruar emigrimin në pesë vitet e fundit, sepse ata nuk ndihen më të sigurt.

Episodet e antisemitizmit kanë përkuar me ngritjen e partive populiste apo nacionaliste në vendet me mbizotërim të krishterë, si Italia, Gjermania, Polonia dhe Hungaria.

Komiteti i Parlamentit Europian voton kundër ndërrimit të orës

Bashkimi Europian ka ndërmarrë hapa shtesë për të shfuqizuar llogaritjen e kohës gjatë verës dhe dimrit. Komiteti i Parlamentit Evropian votoi të hënën me 23 vota pro dhe 11 kundër, për ndalimin e ndryshimit të orës që kishte ndodhur për dekada në baza vjetore, në pranverë dhe në vjeshtë, transmeton AP.

Mbetet për deputetët të vendosin se çfarë ore verore apo dimërore do të miratohen në të ardhmen, ndërsa në BE ka diskutime se cila nga këto dy orë duhet të bëhet standard.

Shumë shtete anëtare kanë krijuar një ndryshim në kohë gjatë krizës së naftës në vitet 1970 si një përpjekje për të kursyer energji. Që nga viti 1996, të gjitha vendet e BE-së ndryshojnë orën në të njëjtën kohë. Propozimi tani shkon përpara Parlamentit Evropian dhe parlamenteve të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian.

Vatikani do të hapë arkivat e Luftës së Dytë Botërore

Papa Françesku ka thënë se Vatikani do të hapë plotësisht arkivat e fshehta nga koha e Luftës së Dytë Botërore, kur kishën katolike e drejtonte Papa Pius XII.

Hapja e arkivave është kërkuar nga hebrenjtë për dekada të tëra.

Disa përfaqësues të hebrenjve e kanë akuzuar Papa Pius, i cili ka qenë në krye të Kishës Katolike nga vitit 1939 deri 1958, se gjatë Luftës së Dytë Botërore, nuk e ka kundërshtuar me forcë Holokaustin.

Mbrojtësit e Papa Pius thonë se ai punoi në prapaskenë, duke shpëtuar ata që u persekutuan nga nazistët. Ata po ashtu thonë se Papa Pius hapi dyert e Kishës për strehimin e hebrenjve.

Arkivat do të hapen më 2 mars të vitit 2020, në 81 vjetorin e zgjedhjes së Pius XII si Papë, njoftoi Papa Françesku në një fjalim për anëtarët e Arkivave të Fshehta të Vatikanit.

Ai tha se “Kisha nuk ka frikë nga historia”, duke shtuar se trashëgimia e Pius ishte trajtuar me “disa paragjykime dhe ekzagjerime”.

Lajmi u mirëprit nga Komiteti amerikan-hebraik (AJC), një nga grupet kryesore të hebrenjve në botë.

“Për më shumë se 30 vjet komiteti ka bërë thirrje për hapjen e plotë të arkivave të fshehta të Selisë së Shenjtë nga periudha e Luftës së Dytë Botërore” tha Drejtori Ndërkombëtar i Çështjeve Ndërfetare të AJC-së, Rabini David Rosen.

Në vitet 1930, antisemitizmi i sponsorizuar nga shteti në Gjermaninë naziste, hapi rrugën për Holokaustin, në të cilin u vranë gjashtë milionë hebrenjë.


Send this to a friend