VOAL

VOAL

Policia çeke heton shitjen e maskave të Hitlerit në Pragë (foto)

Policia çeke është duke hetuar shitjen e maskave të Adolf Hitlerit në një dyqan në qendër të Pragës.

Ambasadori i Gjermanisë në Pragë, Christoph Israng, e postoi në Twitter fotografinë e maskës së ekspozuar.

“Çekët kanë vuajtur aq shumë nën regjimin nazist. Përse shiten mbeturina të tilla në qendër të Pragës tani?”, pyeti Israng.

Ai nuk e përmendi emrin e dyqanit.
Policia tha se ka nisur hetime për të përcaktuar nëse është shkelur ndonjë ligj.

“Mund të konfirmoj se po e trajtojmë rastin e shitjes së maskave në qendër të Pragës”, tha një zëdhënëse e policisë për agjencinë çeke të lajmeve CTK.

Si udhëheqës i Gjermanisë naziste, Hitleri ka mbikëqyrur aneksimin dhe pushtimin e Republikës Çeke – dikur Çekosllovaki – nga viti 1938 deri më 1945.

Nën okupimin nazist, civilë çekë janë masakruar dhe janë dërguar në kampe përqendrimi gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Duke iu përgjigjur ambasadorit Israng në Twitter, ministri i Brendshëm çek, Jan Hamacek, tha se policia po merret me çështjen. rel

Venecia do të vendosë tarifë hyrëse për turistët

Qendra turistike e Venecias në Itali do të fillojë të tarifojë hyrjen e vizitorëve në korrik të vitit 2020.

Sipas agjencisë së lajmeve ANSA me qendër në Romë, Këshilli bashkiak i qytetit vendosi që jorezidentët të cilët kërkojnë hyrje do të paguajnë tarifë hyrëse midis 3 euro (3.3 dollarë) dhe 8 euro (9 dollarë).

Raportet theksojnë se tarifat do të rriten në vitin 2021 në mes 6 euro (6.6 dollarë) dhe 10 euro (11 dollarë).

Sipas të përditshmes Telegraph, qyteti çdo vit mirëpret 20 milionë turistë, duke tejkaluar kapacitetin e tij. aa

PE: Gabim strategjik mos hapja e bisedimeve me Tiranën e Shkupin

Parlamenti Europian e konsideron një “gabim strategjik” mungesën e një vendimi nga ana e shteteve anëtarë të Bashkimit Europian, javën e shkuar, për hapjen e bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Në një rezolutë të miratuar të enjten, me 412 vota pro, 136 kundër dhe 30 abstenim, Parlamenti Europian thekson se “të dy vendet plotësojnë kërkesat për të filluar negociatat”, duke shprehur “zhgënjim të thellë” për mungesën e konsensusit në Këshillin europian.

Sipas një deklarate të Parlamentit Europian “eurodeputetët shprehin keqardhje për masën e Francës, Danimarkës dhe Hollandës për të bllokuar vendimin” pasi sipas tyre “Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë bërë përpjekje të konsiderueshme gjatë viteve të fundit dhe plotësojnë kriteret e BE për të filluar bisedimet e anëtarësimit”. Duke vlerësuar “përpjekjet e Maqedonisë së Veriut për të zgjidhur çështje të vështira bilaterale me vendet e saj fqinje”, eurodeputetët gjithashtu “mirëpresin reformat e fundit të gjyqësorit në Shqipëri”.

Sipas rezolutës, mungesa e një vendimi nga ana e udhëheqësve të BE-së “dëmton besueshmërinë e BE-së dhe dërgon një mesazh negativ për vendet e tjera të mundshme kandidate. Ajo gjithashtu, mund të bëjë që aktorët e tjerë të huaj – veprimtaria e të cilëve mund të mos jetë në përputhje me vlerat dhe interesat e BE-së – të angazhohen më ngushtë me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”.

Vendimi për hapjen e bisedimeve për anëtarësim u pengua kryesisht nga Franca për shkak të këmbënguljes së presidentit francez Emmanuel Macron për të rishikuar procesin e bisedimeve, në kuadër të reformimit të të gjithë politikës së zgjerimit. “Një reformë e procesit të zgjerimit, e mbrojtur nga disa vende, nuk duhet të pengojë Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, të cilat tashmë plotësojnë kërkesat për t’u vlerësuar në bazë të meritave të tyre dhe kritereve objektive, dhe jo të gjykohen nga agjendat politike të brendshme në vendet e tjera”, thekson rezoluta.

Këshilli Europian deklaroi se çështja do të rishqyrtohet para Takimit të Nivelit të Lartë për Ballkanin Perëndimor, që pritet të organizohet në muajin maj në Zagreb. Por sipas eurodeputetëve “koha është tani”, duke i kërkuar vendeve anëtare “të veprojnë me përgjegjësi ndaj Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe të marrin një vendim unanim pozitiv në mbledhjen e ardhshme”. zëri i amerikës

Spanjë: Zhvarrosen mbetjet e diktatorit Francisco Franco

Diktatori spanjoll, Francisco Franco.

Mbetjet e diktatorit spanjoll, Francisco Franco po barten nga një mauzolé në një varr më të thjeshtë, 44 vjet pas ceremonisë së funeralit të tij.

Ngjarja e së enjtes përmbush një zotim tejet të rëndësishëm për qeverinë socialiste, e cila ka thënë se Spanja nuk duhet të vazhdojë të glorifikojë një fashist që ka udhëhequr shtetin për gati katër dekada.

Familja e tij nuk ka arritur të fitojë rastin, pavarësisht pse ka sfiduar nëpër gjykata vendimin për zhvarrosje.

Periudha e udhëheqësisë së Frankos vazhdon të vërehet me raste në Spanjë, ndonëse ky shtet tani aplikon sistem demokratik.

Kryeministri, Pedro Sanchez ka thënë se zhvarrosja përbën “fitore të madhe për dinjitetin, kujtesën dhe drejtësinë e demokracisë spanjolle”.

Vetëm disa personave u është lejuar të jenë pjesë e kësaj ngjarjeje, e cila është realizuar nën masa të rrepta të sigurisë.

Ai do të varroset në varrezat El Padro, ku gjenden trupat e shumë politikanëve tjerë.

Ndryshe nga Italia në kohën e Mussolinit dhe Gjermanisë Naziste në kohën e Luftës së Dytë Botërore, tranzicioni i Spanjës në demokraci më 1975 ka qenë proces më gradual.

Ndonëse ky shtet tani është demokrat, ka zëra që thonë se ky shtet nuk është përballur asnjëherë me të kaluarën fashiste.

Në këtë shtet, thuhet se ekziston “një pakt i harresës”, gjatë tranzicionit.

BE po i vëzhgon negociatat Serbi-Rusi për tregtinë e lirë

Komisioni Evropian po i përcjell nga afër negociatat e Serbisë me Rusinë për një marrëveshje për tregti të lirë, tha zëdhënësja e Bashkimit Evropian, Maja Kocijançiq.

Gjatë vizitës në Beograd, fundjavën e kaluar, kryeministri i Rusisë, Dmitry Medvedev, paralajmëroi nënshkrimin e një marrëveshjeje të tillë midis Serbisë dhe Unionit Ekonomik Euroaziatik, më 25 tetor.

Ky Union përbëhet nga Rusia, Bjellorusia, Kirgizia, Kazakistani dhe Armenia.

“Po e përcjellim me kujdes situatën dhe po e diskutojmë atë me autoritetet serbe”, tha Kocijançiq.

“Nga Serbia pritet që të përafrohet me politikën e BE-së”, theksoi ajo, transmeton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.

Megjithatë, shtoi Kocijançiq, Serbia mund të bëjë marrëveshje me vendet ose organizatat e tjera, përpara se të bëhet anëtare e BE-së.

“Në kontekstin e negociatave të pranimit, Serbia obligohet të tërhiqet nga të gjitha marrëveshjet dypalëshe të tregtisë së jashtme në ditën e pranimit në BE. Tërheqja e Serbisë nga marrëveshjet e tregtisë së lirë me palët e treta nuk është një kusht i ri, por një rregull i përgjithshëm që vlen për të gjitha vendet kandidate që duan të anëtarësohen në BE”, tha Kocijançiq.

Sipas saj, BE-ja është partneri më i rëndësishëm tregtar i Serbisë, sepse tregtia e ndërsjellë përbën 63 për qind të tregtisë totale të Serbisë.

Ndërkaq, me marrëveshjen me Unionin Ekonomik Euroaziatik është thënë se Serbia mund të ketë qasje në një treg prej 180 milionë konsumatorësh.

Protestat paralizojnë Barcelonën

Barcelonë, 18 tetor 2019.

Dita e pestë e protestave dhe një grevë e përgjithshme, për shkak të burgosjes së udhëheqësve katalanas, e kanë bllokuar qytetin e Barcelonës.

Policia tha se mbi gjysmë milioni njerëz janë mbledhur atje të premten, duke bllokuar rrugë dhe trena.

Protestat kanë qenë kryesisht të qeta, edhe pse është raportuar për disa përleshje midis demonstruesve të maskuar dhe policisë.

Më 14 tetor, Gjykata Supreme e Spanjës ka dënuar nëntë udhëheqës katalanas me dënime të gjata me burgim, për shkak të rolit të tyre në përpjekjet për ndarjen e Katalonjës nga Spanja, në vitin 2017.

Tre të pandeuhur të tjerë janë shpallur fajtorë për mosbindje dhe janë gjobitur.

Të 12 politikanët dhe aktivistët i kanë mohuar akuzat.

Vendimi i Gjykatës Supreme ka shkaktuar disa nga protestat më të mëdha që ka parë Spanja në disa dekada.

Së paku 96 njerëz janë plagosur në përleshjet e ditëve të kaluara midis policisë dhe protestuesve.

Ekipet e futbollit Barcelona dhe Real Madridi e kanë shtyrë ndeshjen që është dashur të luhet më 26 tetor.

Macron: Si t’u them francezëve se do hapim negociatat me Shqipërinë, kur çdo ditë vijnë azilkërkues

Nga Brukseli Presidenti i Francës, Emmanuel Macron foli për negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.Macron i qëndroi idesë së tij se përparimet e bëra nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut nuk mjaftojnë për të hapur negociatat.

“Vendet e Ballkanit Perëndimor po ndërmarrin shumë reforma. Dua të përgëzoj sidomos Maqedoninë Veriore për arritjen e një marrëveshjeje me Greqinë për çështjen e emrit.

Përparimet janë bërë, por ato nuk janë të mjaftueshme. Ka probleme të jashtëzakonshme sidomos me çështjen e emigracionit të paligjshëm”, tha Macron.

Macron tha se diskutimi ka qenë i frytshëm dhe kjo e ka ndihmuar atë  për të kuptuar gjendjen e vërtetë në këto dy vende të Ballkanit Perëndimor. Por e rëndësishme tha ai, është reforma brenda BE.

“Kryesore është reforma brenda nesh. Pra duhet reformë përpara se të hapim derën e anëtarësimit për vendet e tjera”, deklaroi Macron.

Sipas tij është e vështirë që tu tregojmë francezëve se do të hapim negociatat me Shqipërinë, një vend i origjinës së sigurt, por që ka probleme me azilkërkuesit.

Lirohet ish-lideri katalan Puigdemont

Bruksel

Gjykata në Belgjikë ka liruar ish-liderin e arratisur të qeverisë autonome të Katalonjës, Carles Puigdemont, pasi në mëngjes u dorëzua para autoriteteve belge, transmeton Anadolu Agency (AA).

Puigdemont u dorëzua vullnetarisht në policinë e Belgjikës, ku ai gjendet si i arratisur, ndërsa më pas u paraqit në gjykatë, raportuan mediat belge.

Gjykatësi ka vendosur që Puigdemont, ndaj të cilët Gjykata e Lartë e Spanjës deri tani ka lëshuar tre urdhra arresti në nivel evropian, të lirohet.

Gjykata vendosi që ish-lideri katalan të jetë nën mbikëqyrjen e gjyqësorit belg gjatë periudhës së shqyrtimit të fletarrestimit të Spanjës.

Procesi në Katalonjë

Më 12 qershor përfundoi gjyqi katërmujor ndaj 12 politikanëve katalanë dhe liderëve të organizatave joqeveritare që ishin në gjykim për organizimin e referendumit të pavarësisë së Rajonit Autonom të Katalonjës, i cili u zhvillua pavarësisht se ishte shpallur i paligjshëm nga Spanja.

Lidhur me referendumin për pavarësi i cili u zhvillua më 1 tetor 2017 në qeverinë autonome të Katalonjës, pavarësisht se u shpall i paligjshëm nga Gjykata Kushtetuese, në gjykim ndodheshin 12 të akuzuar, prej të cilëve nëntë nën masën e arrestit dhe tre në gjendje të lirë.

Ndaj të akuzuarve kërkohej dënim nga shtatë deri në 25 vjet burg me akuzat për “rrëzimin pjesërisht ose plotësisht me dhunë të rendit kushtetues”, “pengim të zbatimit të ligjit”, “mosbindje ndaj institucioneve shtetërore” dhe “shpërdorim të pronës publike”.

Puigdemont në tetor të vitit 2017 u arratis në Belgjikë. Gjykata e Lartë në Spanjë në fillim të javës lëshoi për herë të tretë një urdhër arresti në Evropë për Puigdemont.

Ish-lideri katalonjas Puigdemont dorëzohet te autoritetet belge

Bruksel

Ish-lideri i Rajonit Autonom të Katalonjës, Carles Puigdemont, është dorëzuar tek autoritetet e policisë belge, transmeton Anadolu Agency (AA).

Puigdemont, ndodhej në arrati pasi ndaj tij kishte një urdhër arresti në të gjithë Evropën nga Spanja.

Avokati i Puigdemont në një deklaratë për mediat belge tha se lideri katalonjas në orët e para të mëngjesit ka shkuar me vullnetin e tij për të dhënë deklaratë në stacionin e policisë.

Gjykata e Lartë spanjolle ka lëshuar për herë të tretë urdhër arresti në Evropë ndaj Puigdemont i cili thuhet se ka deklaruar se nuk dëshiron të kthehet në Spanjë dhe se i beson drejtësisë belge.

Procesi në Katalonjë

Me 12 qershor përfundoi gjyqi katër-mujor ndaj 12 politikanëve katalonjas dhe liderëve të organizatave jo-qeveritare që ishin në gjykim për organizimin e referendumit të pavarësisë së Rajonit Autonom të Katalonjës, i cili u zhvillua pavarësisht se ishte shpallur i paligjshëm nga Spanja.

Lidhur me referendumin për pavarësi i cili u zhvillua më 1 tetor 2017 në qeverinë autonome të Katalonjës pavarësisht se u shpall i paligjshëm nga Gjykata Kushtetuese, ndodheshin në gjykim 12 të akuzuar nga të cilët 9 prej tyre nën masën e arrestit dhe 3 në gjendje të lirë.

Ndaj të akuzuarve kërkohej dënimi nga 7 deri në 25 vjet burg me akuzat për “rrëzimin pjesërisht ose plotësisht me dhunë të rendit kushtetues”, “pengimin e zbatimit të ligjit”, “mosbindje ndaj institucioneve shtetërore” dhe “shpërdorim të pronës publike”.

Puigdemont në tetor 2017 u arratis në Belgjikë. Gjykata e Lartë në Spanjë në fillim të javës lëshoi për herë të tretë një urdhër arresti në Evropë për Puigdemont.

Die Welt: Për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut mund të ketë një diskutim tjetër në dhjetor

“Refuzimi për hapjen e bisedimeve të pranimit në BE me Maqedoninë Veriore dhe Shqipërinë ka shkaktuar zhgënjimi në të dyja vendet e Ballkanit dhe pjesëmarrësit e samitit të BE”. Keshtu shkruan sot media e njohur gjermane “Die Welt”, ne nje shkrim te saj botuar online.

Kancelarja austriake Brigitte Bierlein tha se ngecja ne perparimin e procesit te negociatave të Premten në Bruksel ka ngjallur “shumë keqardhje”.

Krerët e shteteve të Maqedonisë Veriore dhe të Shqipërisë kanë treguar “se jane ndier shumë të zhgënjyer”, shkruan media gjermane.

SHKRIMI

Presidentja e ardhshme e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen tha se Maqedonia Veriore dhe Shqipëria kishin “bërë gjëra të jashtëzakonshme” për t’u afruar në BE.

“Në këtë kuptim, është e rëndësishme për ne që të mbajmë një këndvështrim të përbashkët me ta”.

Kreu i qeverisë së Maqedonisë Veriore, Zoran Zaev, tregoi në Shkup se vendi i tij, siç kërkohej, i kishte dhene fund mosmarrëveshjes për emrin me Greqinë dhe kishte ndryshuar kushtetutën.

Ndërsa Gjermania, si shumica e vendeve të BE-së, mbështet fillimin e negociatave të pranimit, Franca ndodhet ne krye te kundershtuerve te ketij procesi. Parisi eshte duke treguar shifrat e larta të azilkërkuesve, veçanërisht nga Shqipëria, dhe bën thirrje për rregulla më të rrepta për procesin e zgjerimit të BE.

Kryeministri i Luksemburgut, Xavier Bettel tha se samiti kishte dale me perfundimi e një “jo të qartë”.

Sipas një përfaqësuesi të BE, Presidenti i Këshillit Donald Tusk dëshironte të diskutonte me Krerët e Shteteve dhe Qeverive për hapat e mundshëm të mëtejshëm. Mund të ketë një diskutim tjetër në samitin e BE në dhjetor.

Komisioni Evropian i kishte certifikuar tashmë Shqipërisë dhe Maqedonisë Veriore në vitin 2018 se kishte zbatuar të gjitha reformat e nevojshme. Shtetet Anëtare tani kanë shtyrë për herë të tretë vendimin e tyre për të filluar negociatat e pranimit./Perktheu: Panorama

Hahn: S’ka vendim për bisedimet me Tiranën dhe Shkupin

Këshilli Europian nuk arriti një vendim në favor të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për hapjen e bisedimeve për anëtarësim: kjo u bë e ditur nga Komisioneri për Zgjerimin Johannes Hahn, përmes një postimi në Twitter. “Udhëheqësit e vendeve anëtare të Bashkimit europian dështuan të ishin në lartësinë e angazhimit të tyre për të hapur bisedimet e anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, në mbledhjen e Këshillit Europian”, shkroi Hahn, duke folur për një “zhgënjim ekstrem”. Sipas tij “Shtetet anëtare të BE-së duhet të sqarojnë se sa serioz është angazhimi i tyre për integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE”.

Komisioneri Hahn përsëriti deklaratat e tij të pak ditëve më parë pas mbledhjes së ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare, duke nënvizuar se “ky nuk është një moment lavdie për BE-në. Refuzimi për të njohur përparimin e faktuar, do të ketë pasoja negative, përfshirë rrezikun e destabilizimit të Ballkanit Perëndimor, me ndikim të plotë në BE”.
Komisioneri për Zgjerimin shkruan se “është përgjegjësia jonë tani të qëndrojmë me vendet, qytetarët e të cilëve janë me të drejtë, tejet të zhgënjyer. Integrimi në BE i Ballkanit Perëndimor është dhe mbetet një politikë e rëndësishme strategjike, në interesin tonë të ndërsjellë.

Vendimi për hapjen e bisedimeve me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut u diskutua gjatë në dy ditët e mbledhjes së Këshillit Europian, por Presidenti francez Emmanuel Macron, nuk u tërhoq nga qëndrimi i tij i prerë, ndonëse shumica dërrmuese e vendeve anëtare, me Gjermaninë në krye ishin për t’i thënë “Po” të dy vendeve qoftë edhe me kushte. zëri i amerikës

Diplomatja gjermane: Po koordinohemi me Amerikën për Kosovën, prekja e kufijve destabilizon Ballkanin

Zyrtarja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Susanne Schutz, në një intervistë për “Danas”, ka folur rreth dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe marrëveshjes finale që pritet të arrijnë dy palët, raporton Gazeta Express.

Ajo ka thënë se qëllimi i bisedimeve Prishtinë-Beograd duhet të jetë arritja e një marrëveshje për të gjitha çështjet e rëndësishme të cilat kanë mbetur të pazgjedhura, një ujdi e cila do të jetë politikisht e qëndrueshme në të dy vendet dhe që do t’i kontribuojë stabilitetit rajonal.

Schutz ka thënë se Gjermania pret një ritëm të ri në procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë gjatë vitit 2020, pasi që sipas saj është harxhuar shumë kohë.

“Kur do të arrihet marrëveshja, varet kryesisht nga vullneti politik i palës serbe dhe asaj kosovare” , ka shtuar ajo.

Diplomatja gjermane tutje ka thënë se janë në koordinim dhe në komunikim të rregullt me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me Ballkanin Perëndimor.

E pyetur nëse e sheh angazhimin amerikan si një konkurrencë për BE’në, Schutz ka thënë se e mirëpresin faktin që SHBA’ja po i kushton rëndësi më të madhe dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit të ndërmjetësuar nga BE’ja.

“Ne e mirëpresim faktin që SHBA’ja, si ne, i kushtojnë rëndësi të madhe politike dialogut të ndërmjetësuar nga BE. BE dhe SHBA’ja janë në komunikim të rregullt dhe intensiv për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me Ballkanin Perëndimor, përfshirë dialogun. Të gjithë janë të vetëdijshëm që marrëveshja mund të arrihet vetëm nëse të gjitha palët do të tregohen bashkëpunuese.

Sa i përket emërimit të Grenell, diplomatja gjermane ka thënë se vendimi i Trumpit për një emërim të tillë po shihet si një shenjë e vëmendjes së madhe që Shtëpia e Bardhë dëshiron t’i kushtojë dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

“Emërimi i Ambasadorit Grenell si i Dërguar Special i Presidencës së SHBA’së interpretohet si një shenjë e vëmendjes së madhe të Trump, që dëshiron t’i kushtojë dialogut për normalizim të marrëdhënieve, dhe ne e mirëpresim këtë fakt. Në po vazhdojmë të rreshtohemi me partnerët tanë amerikanë për hapjen e mundësive në Ballkanin Perëndimor. Është e rëndësishme që të gjendet një zgjidhje që mbyll të gjitha çështjet e pazgjidhura, dhe që kontribuon në stabilitetin e rajonit”, ka shtuar tutje ajo.

Schutz ka treguar edhe një herë që qëndrimi i Gjermanisë sa i përket idesë së korrigjimit të kufijve është i pandryshueshëm, për arsye se çfarëdo prekje e kufijve do të destabilizonte Ballkanin Perëndimor.

“Pozicioni i Gjermanisë për këtë çështje është i ditur. Ne po vëzhgojmë diskutimet për kufij etnikë, dhe sipas mendimit tonë do të kenë efekt destabilizues për Ballkanin Perëndimor. Shumë politikanë në rajon gjithashtu ndajnë këtë shqetësim dhe vazhdimisht kanë tërhequr vëmendjen e publikut për këtë fakt. Sepse ne thjesht duam të arrijmë një zgjidhje që do të kontribuojë në stabilitetin e Kosovës dhe Serbisë dhe të gjithë rajonit”, ka thënë ndër të tjera diplomatja gjermane./GazetaExpress/

Katalonja sërish planifikon votim për pavarësi nga Spanja

Shefi rajonal i Katalonjës, Quim Torra

Katalonja duhet të mbajë një votim të ri për pavarësi nga Spanja, brenda dy viteve, tha kreu i qeverisë së rajonit.

Kjo deklaratë paraqet edhe një sfidë të re për Madridin, pas disa ditëve të trazirave nga protestuesit pro-separatistë.

Rreth 100 njerëz u plagosën, në të gjithë rajonin verilindor, pasi Gjykata Supreme e Spanjës dënoi më burgim nëntë liderë të rajonit, për përpjekjet e tyre të dështuara për të siguruar pavarësinë në vitin 2017, përmes një referendumi për të cilin Madridi vendosi se ishte i paligjshëm.

Duke iu drejtuar parlamentit katalonjas, shefi rajonal që është pro-pavarësisë, Quim Torra, kritikoi dhunën, duke thënë se kauza për pavarësi është një lëvizje paqësore.

Por, ai gjithashtu tha se dënimet ndaj lidërëve katalonjas nuk do të pengojnë një votim të ri për pavarësinë.

“Ne do të kthehemi përsëri në kutinë e votimit për vetëvendosje” tha ai.

Afati i parlamentit rajonal skadon në dhjetor të vitit 2021.

Gjykata Kushtetuese paralajmëroi të mërkurën zyrtarët katalonjas, për pasojat juridike nëse shkelin ligjin duke vazhduar me përpjekjet për pavarësi. rel

Misteri i shtëpisë së izoluar në Holandë

Policia holandeze njoftoi se ka zbuluar një familje prej gjashtë anëtarësh të fshehur në një dhomë sekrete në një shtëpi të izoluar në një zonë rurale që prisnin siç thanë autoritetet “fundin e botës”.

Policia njoftoi se kishte gjetur pesë të rinj të moshës nga 8 në 25 vjeç, së bashku me një burrë të sëmurë që u indentifikua si babai i tyre në një fermë pranë fshatin Ruinerwold në provincën veriore të Drenthe-s, rreth 130 kilometra në verilindje të Amsterdamit.

Ata thanë se familja e tyre nuk kishte pasur kontakte me botën e jashtme prej nëntë vitesh.

Policia ka arrestuar në lidhje me ngjarjen babain 58-vjeçar me origjinë nga Austria, i cili kishte marrë fermën me qera.

Zëdhënësja e policisë Nathalie Schubart u tha gazetarëve se shumë pyetje mbeten ende pa përgjigje.

Mediat lokale raportojnë se policia u njoftua nga pronari i një taverne në fshat, i cili raportoi rreth një personi me “një vështrim të hutuar, me flokë të çrregullt me mjekër të gjatë dhe rroba të vjetra që kishte hyrë në lokalin e tij dhe kishte porositur pesë birra”.

Ai i kishte thënë pronarit të tavernës se nga vinte dhe se kishte nevojë urgjente për ndihmë. Personi u indentifikua më vonë si një prej fëmijëve të familjes. Policia thotë se nëna e tyre kishte vdekur përpara se ata të vendoseshin në këtë fermë. zëri i amerikës

Përleshje në Barcelonë gjatë protestave kundër dënimit të ish udhëheqësve të Katalonjës (video)

Përleshjet ndërmjet protestuesve dhe policisë shpërthyen të martën mbrëma në Barcelonë, në ditën e dytë të protestave kundër dënimit të nëntë ish udhëheqësve të Katalonjës nga Gjykata e lartë e Spanjës, për rolin e tyre në përpjekjet për pavarësi në vitin 2017.

Agjencia e lajmeve Reuters tha se në përplasje jashtëzakonisht të tensionuara, protestuesit hodhën kanoçe, gurë dhe fishekzjarrë mbi policinë dhe u vunë flakën një sërë kontejnerësh të mbeturinave.

Policia çau turmën disa herë duke përdorur shkopinjtë e gomës. Një zëdhënës i policisë rajonale të Mossos, tha se ata po përpiqeshin të krijonin hapësirë përreth selisë lokale të qeverisë spanjolle. Katër persona u arrestuan, tha ai.

Gazetarët e agjencisë Reuters thanë se ishin dëshmitarë kur policia spanjolle qëlloi ne ajër më plumba gome. Por policia nuk ka bërë ndonjë koment.

Protestuesit Barcelonë, kënduan humbin e Katalonjës dhe brohoritën për pavarësinë, duke i cilësuar policinë spanjolle si “forcë pushtuese”, që duhet të largohet nga Katalonja, shkruan agjencia e lajmeve Associated Press.

Zyra e kryeministrit spanjoll lëshoi një deklaratë të martën vonë në të cilën tha se protestuesit po shkaktojnë “dëme” dhe akuzoi “grupet që shfrytëzojnë rrugët për të thyer bashkëjetesën në Katalonja” për bashkërendimin e trazirave.

Verdikti për Tiranën e Shkupin mbetet në dorë të Francës, Këshilli i Ministrave të Jashtëm del pa vendim

Këshilli i Ministrave të Jashtëm të BE-së nuk ka arritur të dalë me një qëndrim të unifikuar për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Tashmë duket e qartë se takimi në Luksemburg nuk arriti të sheshojë mosmarrëveshjet mes palëve, e veçanërisht ndaj atyre vendeve skeptike si Franca të cilat kanë kundërshtuar dhënien e një drite jeshile për inicimin e negociatave.

Gjithçka tashmë do të kalojë në Bruksel, atje ku liderët e BE-së do të mblidhen për të dhënë verdiktin final, një vendim i cili duhet të jetë i unifikuar.

Pas përfundimit të mbledhjes së këshillit të Ministrave të Jashtëm të BE-së, ministrja finlandeze për çështjet evropiane Tyttti Tuppurainen tha se një shtet ishte kundër hapjes së negociatave për Tiranën dhe Shkupin. Pavarësisht se diplomatja nuk e tha emrin, tashmë është e ditur që Franca mban pozicionin kundër.

“Fatkeqësisht kishte disa vende që ishin hezituese. Një vend ishte kundër. Pra kërkohet unanimitet për një vendim. U munduam të gjenim të gjitha mundësitë për të dërguar një mesazh në Ballkan, por kjo nuk ishte e suksesshme. E vetmja që që mundëm të arrijmë është që Këshilli i BE-së do t’i kthehet kësaj çështje dhe shpresoj që do të merret një vendim pozitiv. Liderët e BE-së do të kenë një shans për të diskutuar këtë çështje do ta diskutojnë në një kontekst më të gjerë. Shumica e vendeve anëtare ishin mbështetësve për hapjen e negociatave jo se ishte në interesin tonë por populli në Shqipëri dhe Maqedoni e duan këtë gjë. Shpresoj të jemi të suksesshëm më datë 18”, tha diplomatja finlandeze.

Tuppurainen, deklaroi gjithashtu se në mbledhje është vlerësuar se Shqipëria nuk mund të trajtohet e ndarë nga Maqedonia e Veriut.

“Vlerësuam që ndarja e Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut nuk është e duhur. E vetmja gjë që mundëm të arrijmë është që KE do të kthehet mbi këtë çështje. Besojmë që KE do marrë vendim pozitiv për çështjen e integrimit për të dy vendet”, tha ministrja finlandeze.

Në konferencën për shtyp i pranishëm ishte dhe komisioneri për zgjerim Johannes Hahn, i cili ka nga ana e tij theksoi se nuk ishte një moment lavdie.

“Nuk është një moment lavdie. Kam luftuar për ta bërë të mundur dhe nuk do të ndalojmë. Shpresoj të bindim të tjerët sepse po flasim për diçka jetësore ku unë personalisht nuk kam asnjë ndjenjë negative por siç e thatë edhe ju procesi është i bazuar në meritë dhe ata kanë plotësuar kushtet. Edhe ne duhet të plotësojmë kushtet tona por nuk e bëmë këtë. 25 vende janë në favor të integrimit.”, theksoi Hahn.

Opozita hungareze shpreson të fitojë zgjedhjet në Budapest

Pankartë elektorale të kandidatit opozitar, Gergely Karacsony.

Qytetarët në Hungari po votojnë në zgjedhjet lokale, teksa politikanët opozitarë po tentojnë që sfidojnë pushtetin e kryeministrit nacionalist, Viktor Orban, duke tentuar që të fitojnë në kryeqytet, Budapest.

Pavarësisht se vijnë nga sprektre të ndryshme politike, shumë parti opozitare kanë bashkuar forcat për të garuar kundër partisë së krahut të djathtë Fidesz, të kryeministrit Orban.

Orban, i cili erdhi në pushtet më 2010, ka ndryshuar rregullat zgjedhor, në mënyrë që partitë opozitare ta kenë të vështirë të garojnë vetëm kundër partisë Fidesz.

Budapesti do të jetë fokusi i këtyre zgjedhjeve. Gergely Karacsony, 44 vjeç, sipas sondazheve është sfiduesi kryesor i kryetarit aktual të Budapestit, Istvan Tarlos, i cili mbështetet nga partia Fidesz dhe është në pushtet që nga viti 2010.

Karacsony e ka krahasuar garën për kryeqytetin hungarez me zgjedhjet lokale në Staboll, ku kandidati i partisë së presidentit Recep Tayyip Erdogan humbi garën ndaj kandidatit të opozitës.

“Stambolli votoi kundër pushtetit agresive që në shumë mënyra është e ngjashme me regjimin e Orbanit”, tha ai për AFP.

Garë e ngushtë parashihet të jetë edhe në qytete të tjera që udhëhiqen nga Fidesz, siç është Miskolc, Pecs dhe Szombathely.

Një skandal seksual, që u bë publik javën e kaluar, e ku ishte i përfshirë një kryetar komune nga partia Fidesz, mund të bëjë që mbështetja ndaj kësaj partie të bie, e cila promovon vlerat e familjes dhe e cilëson veten si parti të krishterë dhe konservatore.

Një bloger ka postuar fotografi eksplicite dhe video të kryetarit të qytetit Gyor, i cili po merrte pjesë në një orgji në një jaht në Kroaci.

Kryeministri Orban ka qëndrime kundër emigrantëve dhe kundërshton ato që ai i ka cilësuar si shtete “jodemokratike” në Evropën Perëndimore.

Reagimi i parë i fituesit të çmimit “Nobel”: Më vjen mirë që serbët janë të lumtur për mua

Fituesi i Çmimit Nobel për Letërsi, austriaku Peter Handke, në reagimin e tij të parë për këtë lajm i ka thënë mediave në Beograd se i vjen mirë që serbët janë të lumtur për të.

 

“Jam shumë i befasuar dhe shumë i lodhur, do të flasim më gjatë nesër. Dua të përshëndes të gjithë njerëzit në Beograd dhe Serbi, e ndiej gëzimin tuaj për njohjen e madhe që mora, faleminderit për atë dhe në emrin tim sonte do të pimë raki dhe verë të bardhë ”, tha ai për Programin e Dytë të Radio Beogradit, transmeton Klan Kosova.

Lajmi se Peter Handke fitoi Nobelin e sivjetëm për Letërsi, ka ngjallur reagime të shumta pasi ai njihet si mbështetës i “Kasapit të Ballkanit” Sllobodan Millosheviqit.

Në mesin e tyre që kanë reaguar është edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Shoqata e Shkrimtarëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shumë të tjerë.

Zëri i Amerikës: Bisedimet me BE, Franca kërkon shtyrjen për Tiranën e Shkupin

Parisi propozon rishikim të procesit të Zgjerimit: Komisioni europian të paraqesë brenda pranverës së 2020 strategjinë e re. Ndërkohë të dy vendeve u kërkohet të avancojnë me reformat.

Franca kërkon shtyrjen e një vendimi për hapjen e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Europian me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në mbledhjen e javës së ardhshme të Këshillit Europian.

Zëri i Amerikës ka mësuar se propozimi që Franca ka hedhur për momentin në tryezën e vendeve anëtare, lidhet së pari me idenë publike të Presidentit Emmanuel Macron, për të reformuar fillimisht BE-në përpara se të avancohet me zgjerimin. Në funksion të kësaj ideje Franca kërkon një qasje të rishikuar të procesit të zgjerimit. Sipas saj negociatat me vendet që duhet të anëtarësohen duhen të jenë graduale, më konkrete dhe procesi të mos jetë automatik dhe i pakthyeshëm, ose e thënë me fjalë të tjera, që në momentin kur nuk vlerësohet përparimi i duhur, procesi të mund të pezullohet.

Kjo, siç i shpjeguan Zërit të Amerikës burime diplomatike, është në funksion të zbatimit të prekshëm të reformave, veçanërisht ato që lidhen me Shtetin ligjor, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit si dhe të drejtave themelore.

Sipas propozimit të Francës, brenda pranverës së viti të ardhshëm, Komisioni europian duhet të hartojë këtë qasje apo strategji të re për procesin e zgjerimit. Ndërsa paralelisht, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut i kërkohet që në ndërkohë, të vijojnë me zbatimin e reformave, specifikimi i të cilave mbetet për t’u përcaktuar, por që mund të jenë, në rastin e Shqipërisë, përafërsisht çka përmban propozimi gjerman dhe ndonjë element shtesë për të cilën Franca ka një ndjeshmëri të veçantë.

Takime të rëndësishme për ecjen përpara të Kosovës dhe parashikimi im për zgjedhjet e 6 tetorit 2019 – Nga Nue Oroshi

Gjatë qendrimit tim dy javor në Kosovë në javen e parë kisha me vete edhe një delegacion gjerman të kryesuar nga Claudia Busken veprimtare e CDU-në në Kiel si dhe antare e Odës Ekonomike në Gjermani. Ka disa muaj që jemi duke u përpjekur që ta bëjmë themelimin e një zyre ndërlidhse në Kiel të Gjermanisë,për sjelljen e Investitorëve gjerman në Shqipëri dhe Kosovë. Në kuadër të shumë takimeve patëm edhe dy takime frytdhënëse.

Njërin me Legjendën e Luftës dhe politikanin që e mban fjalën Anton Quni.Me Antonin biseduam për intensifikimin e marëdhënieve shqiptaro-gjermane pas zgjedhjeve të 6 tetorit.Gjatë takimit u shoshitën shumë tema interesante për Kosovën në të ardhmën.Kosova duhet të orientohet edhe praktikishtë me Evropën dhe jo vetëm me fjalë të thata.Antoni jo vetëm që do të jetë Deputet në Parlamentin e Kosovës por në  të ardhmën do të luan një rol mjaftë të rëndësishem në politikën e Kosovës.Takimi i dytë  ishte me krerët e PSHDK-së ,dr.Ukë Berisha -kryetar,Zef Morina nënkryetar dhe David Kqira kryetar i PSHDK-së në Prizren.Kjo parti ka vjet që është lënë në harresë. Ka ardhur koha që të jetë prezente në Parlamentin e Kosovës,këtë duhet ta ketë parasysh edhe elektorati i LDK-së ku ajo është tash në koalicion parazgjedhor.

Me ftesë të Kryetarit të degës së LDK-së në Prizren Anton Quni morëm pjesë edhe në një takim të kësaj partie në Shadërvan, ku mori pjesë edhe kandidatja e LDK-së për Kryeministre të Kosovës Vjosa Osmani.Diskutimi i saj ishte i mrekulushem dhe linte përshtypje se është njohëse e politikës.Vjosën për kryeministre më të madhe është duke e përkrahur CDU në Gjermani si dhe politika amerikane.Kosova duhet ta ndryshoj mentalitetin Qeverisës.Të kaloi nga politika e barkut që është udhëhequr deri më tani në politikën e mendjes.Personalisht mendoj se pas zgjedhjeve të 6 tetorit të bëhet një koalicion në mes të LDK-së dhe AAK-së.Kjo duhet të bëhet për shumë arsye njëra ndër arsyet se të dy partitë janë të fokusuara në orjentimin Evropian të Kosovës.Në këtë rast Ramush Haradinaj duhet të mos bëj gabime që i bëri sa ishte në Qeverisje ku u rrethua nga këshilltarë të pandërgjegjshëm dhe mediokerr,të cilët për dy vjet qeverisje i humbën shumë përkrahës që kishte.Sa i përket renditjes së partive politike duke mos qenë pjesë e asnjë partie politike në Kosovë dhe duke vlerësuar me akullin e ftoftë të mendjes mund të them se renditja pas zgjedhjeve të 6 tetorit në Kosovë do të jetë kështu:LDK-ja do të jetë parti e parë politike.Këtë e them se kjo parti arriti t´iu bëj ballë ndarjeve politike dhe në listën e saj përfshiu të rinjët dhe të rejat e familjeve tradicionale shqiptare që historikisht luajtën rol në shumë procese historike të Kosovës.

Rënja e PDK-së ka bërë që lufta në mes të VV dhe PDK të jetë shumë e afërtë për vendin e dytë.Ndoshta do të jenë votat e diasporës që do të vendosin se kush do të jetë i dyti dhe i treti.AAK do të jetë parti e katërt me një ngritje të mirë të votave kurse Nisma do të jetë parti e pestë.Tash në përfundim të  fushatës shumë kandidatë për deputetë ëndrrojnë të gjithë të jenë pjesë e Parlamentit por vetëm 10% nga këta kandidat do t´iu bëhet ëndrra realitet.Kalimi në Opozitë dhe humbja e pushtetit nuk është fundi i botës.Por edhe ardhja në Qeveri nuk është se të gjithë problemet e grumbulluara në Kosovë do të zgjidhen në mënyrë automatike.Për këtë fakt pas formimit të Qeverisë së Kosovës duhet zgjedhur në poste kyçe njerëzit që e njohin profesionin e tyre,pavarsisht së në cilin sektor angazhohen.Në të kundërtën do të kemi vetëm një vendnumrim siç  ka qenë tash e 20 vjet.

Holanda letër zyrtare BE-së: Hapja tani e negociatave për Shqipërinë është e parakohshme

Qeveria holandeze i ka dërgyuar ditën e sotme një letër zyrtare Bashkimit Europian përsa i përket negociatave të shqipërisë.

Holanda përshëndet hapat e Shqipërisë në procesin e vettingut dhe thotë se Shqipëria ka bërë sukses në sundimin e ligjit, por sipas tyre hapja e negociatave është e parakohshme

“Qeveria mirëpret hapat që Shqipëria ka ndërmarrë tashmë në fushën e vetting-ut radikal, në sundimin e ligjit, rritjes së operacioneve policore kundër krimit. Por Shqipëria duhet të bëjë më shumë në luftën kundër krimit të organizuar.

Ndërkohë, ditën e djeshme ministri i Jashtëm i Holandës Stefan Blok këmbënguli se Shqipëria nuk e meriton që t’i hapen negociatat për anëtarësim në BE.

‘’Shqipëria nuk e meriton t’i hapen negociatat për anëtarësim. Maqedonia e Veriut ka ndërmarrë hapa të rëndësishme përpara. Progresi në sundimin e ligjit duhet të vazhdojë, prandaj ne po e vëzhgojmë situatën’’, përsëriti për të disatën herë ministri i Jashtëm holandez Blok për bllokimin e negociatave të Shqipërisë për anëtarësim në BE.

Gjermania reagon pas emërimit të Richard Grenell si emisar në negociatat Kosovë-Serbi

Presidenti Donald Trump, ka emëruar ambasadorin Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Gjermani, Richard Grenell, edhe në postin e Përfaqësuesit Special Presidencial për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Një vendim i tillë ka habitur shumë kë, pasi nuk kanë kaluar as dy muaj që prej emërimit të Matthew Palmer si Përfaqësues për Ballkanin Perëndimor dhe për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Besnik VELIU

Lidhur me këtë çështje Gazeta Express ka dërguar pyetje në adresë të Qeverisë Federale të Gjermanisë, duke qenë se Richard Grenell ushtron edhe postin e ambasadorit të SHBA’së në Berlin.

Zëdhënësi i Qeverisë së kancelares gjermane, Angela Merkel, Stefan Siebert, në një përgjigje për Gazetën Express thotë se është e rëndësishme që të kenë koordinim me partnerët amerikanë sa i përket politikës për Ballkanin Perëndimor, duke potencuar se zhvillimet në këtë rajon janë shumë të rëndësishme.

“Para se gjithash, është në përgjegjësinë e Qeverisë se SHBA’së për të emëruar Përfaqësues Special. Për ne mbetet, që në fushën e politikave për Ballkanin perëndimor, gjë që është shumë e rëndësishme për ne, të kemi një pjesë të rëndësishme të politikës sonë të jashtme, dhe sigurisht duhet të koordinohemi me partnerët amerikanë, dhe ne do ta bëjmë, edhe tash kur Z. Grenell është Përfaqësues Special. Nuk mund t’iu japë një vlerësim personal nga perspektiva gjermane”, ka thënë Siebert për Gazetën Express.

Ndërkohë sot gjatë gjithë ditës ka pasur reagime lidhur me vendimin e fundit të Donlad Trump për emërimin e Richard Grenell në postin e Përfaqësuesit Special për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ish-diplomati amerikan, Daniel Serwer, e ka cilësuar si një vendim bizar, Florian Bieber ekspert për Ballkanin e ka cilësuar si lajm jo të mirë, derisa gazetari britanik, Tim Judah, thotë se është çuditur nga një vendim i tillë.

Ndërkohë “Zëri i Amerikës” në gjuhën serbe ka publikuar një profil të Grenell, në të cilin flitet për problemet dhe izolimin e tij si diplomat në Gjermani, pasi ambasadori amerikan disa herë kishte bërë përpjekje që të ndërhynte në politikat e brendshme të Gjermanisë.

Aty tregohej edhe një takim sekret që Grenell e kishte mbajtur me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë muajit dhjetor në Berlin, takim ky në të cilin presidenti i Kosovës i kishte premtuar atij se Kosova do ta hiqte vendimin për taksë ndaj produkteve me origjinë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

Ndërkohë Presidneti Thaçi menjëherë sot ka zhvilluar një telefonatë me ambasadorin gjerman, Richard Grenell, duke thënë se emërimi i tij tregon se SHBA’ja dëshiron që të arrihet një marrëveshje finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Ky është konfirmim i përkushtimit personal të Presidentit Trump që të arrihet një marrëveshje e paqes në mes të Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Thaçi.

Ndërkohë mbetet ende e paqartë se cilat do të jenë lëvizjet e Bashkimit Evropian në vazhdim. Nëse do të emërohet ndonjë Përfaqësues Special siç ishte paralajmëruar, apo Josep Borell do të jetë ndërmjetësues në dialogun për normalizim të raporteve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, meqenëse shumë shpejtë do ta marrë pozitën e Përfaqësuesit të Lartë të Politikës së Jashtme të BE’së.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë pritet që të rifillojë në fund të muajit dhjetor apo në fillim të janarit 2020, ndërkohë është raportuar se SHBA’ja dëshiron një marrëveshje finale Kosovë-Serbi deri në verën e vitit 2020.

BE-ja konfirmon bashkëpunimin me SHBA-në për dialogun Kosovë-Serbi

Bashkimi Evropian punon ngushtë me Shtetet e Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, ka thënë zëdhënësja e BE-së, Maja Kocijançiq.

Reagimi i BE-së, vjen pasi presidenti amerikan Donald Trump, emëroi ambasadorin amerikan në Gjermani, Richard Grenell, të dërguar të administratës së tij në dialogun midis Kosovës dhe Serbisë.

“SHBA-ja ka dhënë një kontribut të çmuar në punën tonë në Ballkanin Perëndimor, në veçanti për suksesin e dialogut (Kosovë-Serbi). SHBA-ja dhe BE-ja ndajnë interesin e fuqishëm për një Ballkan Perëndimor stabil dhe të përparuar”, ka thënë Kocijançiq, duke konfirmuar gatishmërinë e BE-së për vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë me SHBA-në.

Shtetet e Bashkuara kanë thënë se emërimi i diplomatit Richard Grenell, i cili do të mbetet edhe ambasador në Gjermani, do t’i udhëheqë përpjekjet e SHBA-së, për t’iu ndihmuar Kosovës dhe Serbisë në arritjen e një marrëveshjeje zyrtare të paqes, e cila do të mund të rezultojë me njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë, ka njoftuar Shtëpia e Bardhë.

BE paralajmëron SHBA-të me kundërpërgjigje tregtare

Bruksel

Bashkimi Evropian ka bërë të ditur se do të kundërpërgjigjet nëse SHBA-të vendosin taksa ndaj sektorit evropian të aviacionit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një program të zhvilluar nga Dhoma Tregtare Amerikane, presidenti i Komisionit Evropian Jean-Claude Juncker lidhur me mosmarrëveshjen për Boeing-Airbus e cila vazhdon prej rreth 15 vitesh mes BE-së dhe SHBA-ve tha se tregtia e ndërsjellë mes BE-së dhe SHBA-së nuk është e lidhur vetëm me shifrat, por ajo ndikon drejtpërdrejt tek jeta e njerëzve.

“Luftërat tregtare fillojnë lehtë, rriten me shpejtësi por në përgjithësi ato përfundojnë keq”, theksoi Juncker.

Ai tërhoqi vëmendjen se luftërat tregtare do të paraqesin efekte negative pavarësisht se ku ndodhin. Juncker nënvizoi se Evropa gjithmonë mbron tregtinë e ndërsjellë, në kushte të barabarta, të drejtë dhe të lirë.

“Ne do të bëjmë të njëjtën gjë nëse dikush zbaton taksa doganore ndaj sektorit tonë të aviacionit”, tha Juncker rreth vendimit të Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT) i cili lejon që SHBA-ja të zbatojë taksë doganore shtesë prej 7.5 miliardë dollarë për shkak të mbështetjeve të jashtëligjshme të siguruara për Airbus.

Kompania amerikane Boeing dhe kompania evropiane Airbus nën partneritetin e Francës, Gjermanisë, Britanisë së Madhe, Spanjës dhe Holandës të cilat janë kompanitë më të mëdha në botë për prodhimin e avionëve akuzojnë njëra tjetrën se marrin mbështetje publike të jashtëligjshme.

Këto kompani zhvillojnë proces ligjor kundër njëra tjetrës me arsyetimin se brenda strukturës së OBT-së ekziston një konkurencë e padrejtë në këtë sektor.

Drejtuesit e BE-së: Të hapen bisedimet me Tiranën e Shkupin

Drejtuesit e institucioneve më të lartë të Bashkimit europian ju drejtuan sot vendeve anëtare me një letër të përbashkët për të kërkuar prej tyre hapjen e bisedimeve për anëtarësim në BE. “Ne besojmë se tani është koha për të hapur bisedimet e pranimit me të dy vendet”, shkruhet në letrën e firmosur nga Presidenti i ri i Parlamentit europian David Sassoli, Presidenti aktual i Këshillit Europian Donald Tusk dhe ai i Komisionit Europian Jean Claude Juncker si dhe presidentja e zgjedhur e Komisionit Europian Ursula von der Leyen.

“Qershorin e kaluar u pajtuam të arrinim një vendim të qartë dhe thelbësor për hapjen e negociatave të pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë jo më vonë se tetori 2019. Bashkimi Evropian qëndron para një zgjedhjeje strategjike. Marrja tani e një vendimi për të filluar bisedimet e pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë është një provë e aftësisë së Bashkimit për të përmbushur premtimet e saj dhe për të parë të ardhmen”, shkruhet në letër, ku vihet në dukje se “bota jonë po pëson ndryshime të shpejta. Nëse BE do që të ruajë rolin e saj ndërkombëtar dhe të mbrojë interesat e saj, ndërmarrja e një hapi drejt integrimit të atyre vendeve evropiane që kanë shprehur interes dhe kanë përmbushur kërkesat për fillimin e procesit të pranimit do të ndihmojë në arritjen e këtij qëllimi”.
Drejtuesit më të lartë të institucioneve europiane theksojnë se “Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria bënë atë që u kërkuam të bënin. Arritja e kësaj kërkonte një përpjekje të konsiderueshme nga qytetarët e tyre, për të cilët perspektiva evropiane ka qenë një burim i shkëlqyeshëm i motivimit dhe vendosmërisë”. Ata nënvizojnë më tej se “Nuk ka asnjë garanci për sukses. Do të ketë shumë punë të vështirë për reformat gjatë rrugës. Anëtarësia nuk do të ndodhë brenda natës. Dhe të dy vendet janë të vetëdijshëm për këtë. Paralelisht, bashkëpunimi i BE-së do të duhet të thellohet për të ecur së bashku me zgjerimin, në interesin e ndërsjellë të qytetarëve të vendeve evropiane dhe ato kandidate”, vë në dukje letra.
Vendimi i vendeve anëtare pritet të merret në mbledhjen e Këshillit të datës 18 Tetor. Ndërsa Gjermania e ka marrë vendimin e saj në favor të të dy vendeve, duke renditur megjthatë një sërë kushtesh për Shqipërinë, ende nuk ka një ide të qartë se çfarë do të bëjë Franca, pozicioni i së cilës është i lidhur me së shumti me idenë e presidentit Emmanuel Macron për reformimin së pari të vetë BE-së. Edhe Hollanda nga ana e saj nuk e ka fshehur skepticizmin e thellë. “Ne, si shumë vende të tjera ende jemi të shqetësuar , diçka më pak për Maqedoninë e Veriut dhe më shumë për Shqipërinë. Pyesim veten, se sa përpara ka shkuar progresi në Shqipëri, dhe aty kemi më shumë shqetësime. Për këtë ne do të flasim në javët e ardhshme edhe me partnerët europianë, sepse jemi vërtet të shqetësuar, për masën e progresit të arritur”, deklaroi kryeministri hollandez Mark Rutte një ditë më parë gjatë një vizite në Berlin.

Kreu i Kuvendit çek në mes të Beogradit: Mos prisni ta tërheqim njohjen për Kosovën

Kreu i Dhomës së Përfaqësuesve në Çeki, Radek Vondraçek, ka thënë se në shtetin e tij asnjëherë nuk ka pasur një qëndrim unik sa i përket pavarësisë së Kosovës, megjithatë thotë se nuk mund të pritet një tërheqje e njohjes për Kosovën.

Këto deklarata Vondraçek i ka bërë gjatë një adresimi në Parlamentin e Serbisë në një seance speciale, raporton agjencia e lajmeve Beta, transmeton Gazeta Express.

“Njohja e Kosovës është përcjellë me mosmarrëveshje të ndryshme në Çeki, dhe asnjëherë nuk e ka pasur përkrahjen e shumicës së shoqërisë. Dhoma e Përfaqësuesve gjithashtu kishte bërë thirrje që qeveria të kërkojë një zgjidhje alternative, dhe ta shihte të ardhmen përmes anëtarësimit të të gjithë rajonit në Bashkimin Evropian. Parlamenti nuk kishte rekomanduar që Qeveria të njohë pavarësinë e Republikës së Kosovës. Por në fund një gjë e tillë u vendos nga një lloj presioni dhe u ndikua nga disa argumente të cilat nuk ishin të sakta dhe korrekte, e që koha i ka treguar”, ka thënë Vondraçek.

Teksa ka folur për deklaratat e Zemanit në Beograd për heqjen e njohjes, Vondraçek ka thënë se një deklaratë e tillë mund të nxisë në kërkimin e zgjidhjeve të reja, por jo edhe që të ketë ndonjë ndryshim rrënjësor të qëndrimit të Çekisë për Kosovën.

“Nuk mund të pritet ndonjë ndryshim radikal i Qeverisë së Çekisë në çështjen e Kosovës, sepse bazuar në shumë ekspertë, një gjë e tillë është e pamundur”, ka thënë ndër të tjera Vondraçek.

Tutje ai ka thënë se përkrahin Serbinë në rrugën drejt integrimit në Bashkimin Evropian, duke potencuar se Evropa nuk mund të jetë stabile pa integrimin e të gjithë Ballkanit Perëndimor.

Kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Maja Gojkoviq ka thënë se ajo pret mbështetjen e Çekisë për vazhdimin e dialogut Beograd-Prishtinë me qëllim të gjetjes së një zgjidhje kompromisi.

Për çështjen e njohjes së Kosovës kanë folur edhe kryeministri i Çekisë, Andrej Babish, dhe ministri i Punëve të Jashtme të Çekisë, Tomas Petriçek. Të dy kanë thënë se nuk ka asnjë arsye që shteti i tyre të ndryshojë qëndrim karshi Republikës së Kosovës.

Miliarderi francez dhuron 100 milionë euro për Notre Dame

Paris

Miliarderi francez, Francois Pinault dhe i biri i tij Francois-Henri Pinault kanë firmosur zyrtarisht dokumentet duke dhuruar 100 milionë euro për rindërtimin e Katedrales Notre Dame, transmeton Anadolu Agency (AA).

Donacioni vjen pas disa muajsh vonesash që zyrtarët francezë kryesisht u mbështetën në donacione të vogla bamirësie për të financuar fazën e parë të riparimeve, pas zjarrit shkatërrues më 15 prill.

Kryepeshkopi i Parisit, Michel Aupetit, tha se “të gjithë japin atë që munden sipas nevojave të tyre, por donatorët e mëdhenj na japin një dhomë për frymëmarrje”.

Francois Pinault, grupi ndërkombëtar luksoz Kering i të cilit zotëron Gucci dhe Saint Laurent, u zotua për paratë pas zjarrit. Rivali i tij, miliarderi francez Bernard Arnault nga grupi i mallrave luksoze LVMH, e ndoqi atë duke premtuar 200 milionë euro.

Arnault finalizoi marrëveshjen e tij të donacionit me fondacionin Notre Dame javën e kaluar.

Zelenskiy shkarkon sekretarin e Sigurisë Kombëtare

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, e shkarkoi nga detyra sekretarin e Sigurisë Kombëtare dhe të Këshillit të Mbrojtjes.

Lajmi u bë i ditur nga dekreti i publikuar të hënën në ueb-faqen e presidentit.

Oleksandr Danylyuk ka ofruar dorëheqjen përpara se Zelenskiy të udhëtonte në Shtetet e Bashkuara, javën e kaluar, për të ndjekur punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, tha zyra e Zelenskiyt më 27 shtator.

Danylyuk, më vonë, e konfirmoi dorëheqjen.

Ai dhe zyra e presidentit nuk dhanë arsye për vendimin.

Nuk është e qartë nëse ai lidhet me bisedën telefonike që Zelenskiy ka zhvilluar me presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, për shkak të së cilës Kongresi amerikan ka nisur procedurat për shkarkimin e kreut të Shtëpisë së Bardhë.

Sipas transkriptimit të publikuar javën e kaluar nga Shtëpia e Bardhë, Trump, gjatë bisedës telefonike më 25 korrik, i ka kërkuar Zelenskiyt të hetojë për korrupsion rivalin e tij politik, Joe Biden, dhe djalin e tij.

Rivalët e Trumpit – demokratët – e kanë konsideruar këtë si “tradhti ndaj betimit të presidentit dhe sigurisë kombëtare”.

I jepet lamtumira ish-presidentit të Francës, Jacques Chirac

Paris, 30 shtator 2019.

Udhëheqës të kaluar dhe të tanishëm botërorë u mblodhën të hënën në Paris për të ndjekur funeralin e ish-presidentit të Francës, Jacques Chirac.

Ceremoninë pranë vendit të varrit të Napoleonit e udhëhoqi presidenti francez, Emmanuel Macron.

Himnin kombëtar “La Marseillaise” e performoi një grup ushtarak, ndërsa Chirac u varros në varrezat Montparnasse, ku gjendet edhe vajza e tij, Laurence, e cila ka vdekur më 2016.

Në mesin e pjesëmarrësve të huaj në ceremoni ishin: presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, Bill Clinton, ish-kancelari gjerman, Gerhard Schroeder, dhe mbreti Abdullah II i Jordanisë.

Chirac vdiq më 26 shtator në moshën 86-vjeçare.

Familja e tij nuk ka dhënë detaje për shkakun e vdekjes.

Chirac ka shërbyer si president nga viti 1995 deri më 2007.

Nën udhëheqjen e tij, Franca ka hyrë në Eurozonë dhe ka shfuqizuar shërbimin e detyrueshëm ushtarak.

Në skenën ndërkombëtare, Chirac do të mbahet mend për kundërshtimin e ndërhyrjes në Irak më 2003.

Partia Popullore fituese e zgjedhjeve në Austri

Sebastian Kurz, udhëheqësi 33 vjeçar i Partisë Popullore austriake është në rrugë për të marrë sërish drejtimin e qeverisë, pasi që partia e tij doli fituese në zgjedhjet e parakohshme të së dielës.

Partia e tij fitoi 37 për qind të votave, një ngritje prej 6 për qind në krahasim me zgjedhjet e kaluara, por ende e pamjaftueshme për të ngritur në qeveri.

Sipas rezultateve paraprake, të Gjelbrit siguruan 14 për qind të votave, një fitore e madhe derisa po rriten shqetësimet për ndryshmet klimatike.

Ish aleatët e zotit Kurz nga të djathtët e skajshëm të Partisë së Lirisë, janë humbësit më të mëdhenj në këto zgjedhje në të cilat Socialdemokratët e qendrës së majtë fituan 22 për qind të votave, rezultati më i keq i tyre, ndërsa liberalët NEOS fituan rreth 7 për qind të votave.

Rreth 6.4 milionë veta kishin të drejtë vote.

Koalicioni qeveritar i zotit Kurz u rrëzua në muajin maj pasi një video e publikuar tregonte zv/kancelarin e tij dhe udhëheqësin e Partisë së Lirisë, Heinz-Christian Strache gjatë një darke në Ibiza me një grua e cila pozonte si mbesa e një oligarku rus. Në video, zoti Strache shihet tek ofron për të ndërmjetësuar kontratat qeveritare.

Zoti Kurz doli relativisht i padëmtuar nga skandali.

Dënimi për Saimir Tahirin “shkon” në Bundestag: S’na hidhni dot hi syve me atë dënim

Përfaqësues i CDU/ CSU, Peter Beyer në fjalën e tij në Bundestag për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut foli edhe për çështjen Tahiri.

Beyer ka thënë para kolegëve të Bundestagut se “nuk na hidhni dot hi syve me atë dënim”.

Nga ana tjetër deputeti i CDU/CSU, Florian Hahn tha se Shqipëria ka bërë përparim në sistemin e gjyqësorit, por ka ende punë për të bërë në luftën kundër krimit të organizuar.

 

“Po të votojmë për Shqipërinë i japim një shans historik. Kemi vendosur kritere shumë të forta për Shqipërinë, të ndara në dy faza. Hapja e negociatave nuk do të thotë anëtarësim”, Florian Hahn.

9 kushtet e Gjermanisë për hapjen e negociatave – duhen me u arrestu të gjithë ata që kanë ngelë në Veting

Parlamenti gjerman votoi me 26 shtator për çeljen e negociatave, për Shqipërinë vendosi kushte, ndërsa Maqedonia e Veriut mund t’i fillojë negociatat qysh në janar.

Nëntë kushtet, që duhet të përmbushen përpara 17 tetorit janë si më poshtë:

– funksionimi i Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese

– miratimi i reformës zgjedhore;

– implementimi i reformës zgjedhore;

– ndjekja penale e gjykatësve dhe e prokurorëve që nuk e kanë kaluar provimin e Vettingut;

– ndjekja penale e akuzave për shitblerjen e votave;

– vënia në punë e prokurorisë speciale për luftimin e korrupsionit, SPAK,

– rezultate në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, përfshirë edhe kapja dhe ndjekja penale e personave kyç të krimit, të të ashtuquajturve “peshq të mëdhenj”;

– përparime në reformën e administratës publike;

– sqarimi përfundimtar me vendim të Gjykatës Kushtetuese i ligjshmërisë së zgjedhjeve lokale të 30 qershorit 2019.

 

Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi pritet të emërohet pas 7 tetorit

Vendimi për të emëruar një të dërguar të posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë është tashmë i sigurt, thonë burimet diplomatike për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë.

Sipas tyre, vendimi ka gjasa të shpallet pas dëgjimit të shefit të ardhshëm të politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, në Parlamentin Evropian.

Mësohet se Borrell, i cili vazhdon të shërbejë si ministër i Jashtëm i Spanjës, i ka njoftuar me këtë ide edhe disa kolegë të vendeve të tjera të BE-së.

Diplomatët, megjithatë, ende nuk flasin për emra konkretë të emisarit të ardhshëm, por thonë se ai, së paku, duhet të ketë ose të ketë pasur pozitën e ministrit të jashtëm.

Seanca dëgjimore e Borrellit në Parlamentin Evropian është caktuar për datën 7 tetor, kur edhe pritet të marrë konfirmimin zyrtar nga ky institucion.

Ideja për emërimin e një të dërguari evropian për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë erdhi pasi administrata amerikane emëroi Mathew Palmerin të dërguar të posaçëm për Ballkanin.

Ky vendim i Uashingtonit, në këmbim me sfondin politik të Borrellit, i cili vjen nga një vend që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, thuhet se ka ngritur çështjen e emërimit të një personi të ri që të merret drejtpërdrejt dhe në mënyrë aktive me dialogun Kosovë-Serbi.

Procedura për emërimin e këtij emisari, sipas pritjeve të diplomatëve, duhet të përfundojë përpara se Borrell të marrë detyrën e shefit të diplomacisë evropiane, përkatësisht para 1 nëntorit të këtij viti.

Dialogu midis Kosovës dhe Serbisë, i cili tash e sa vite është ndërmjetësuar nga kreu i diplomacisë evropiane, është ndërprerë qëkur Kosova u ka vënë taksë prodhimeve të importuara nga Serbia, në nëntor të vitit të kaluar.

Përkundër thirrjeve të BE-së dhe SHBA-së për heqjen e kësaj takse, autoritetet në Kosovë nuk kanë ndryshuar qëndrim.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka thënë se pa heqjen e taksës, dialogu nuk do të vazhdojë. rel

U nda nga jeta ish-presidenti i Francës, Jacques Chirac

Ish-presidenti i Francës, Jacques Chirac, vdiq në moshën 86-vjeçare.

Dhëndri i tij konfirmoi se Chirac vdiq mëngjesin e së enjtes, “i rrethuar nga familja”.

Chirac ka shërbyer dy mandate si president i Francës, nga viti 1995 deri më 2007.

Një nga reformat e tij kryesore politike ishte shkurtimi i mandatit presidencial nga shtatë në pesë vjet.

Chirac e ka futur Francën në Eurozonë.

Ai ka qenë kundër pushtimit të Irakut nga forcat e udhëhequra nga SHBA-ja, në vitin 2003.

Kur NATO-ja ka nisur bombardimet në caqet e ish-Jugosllavisë më 1999, për të ndalur dhunën në Kosovë, Chirac ka thënë se sulmet ajrore kanë nisur për të mbrojtur “paqen në tokën tonë, paqen në Evropë”.

Laura Codruta Kövesi emërohet kryeprokurorja e parë e BE-së

Ankara

Parlamenti Evropian dhe Këshilli Evropian janë pajtuar të emërojnë Laura Codruta Kövesi si kryeprokuroren e parë evropiane, transmeton Anadolu Agency (AA).

Komisioni i Bashkimit Evropian (BE) njoftoi se Zyra e Prokurorit Publik Evropian do të jetë një zyrë e pavarur dhe e decentralizuar e prokurorisë së bllokut me kompetenca për të hetuar, ndjekur dhe gjykuar shkelësit e buxhetit të BE-së.

Selia e zyrës do të jetë e vendosur në Luksemburg, ndërsa Kövesi do të ushtrojë këtë funksion në një mandat 7-vjeçar të pa-renovueshëm.

“Ajo do të jetë përgjegjëse për organizimin e punës së Zyrës së Prokurorit Publik Evropian, duke përfaqësuar, duke drejtuar aktivitetet dhe duke u kujdesur për funksionimin efektiv të zyrës”, tha Komisioni i BE-së.

46-vjeçarja Kövesi ishte kryeprokurorja e Drejtorisë Kombëtare të Antikorrupsionit në Rumani derisa u pushua nga detyra në vitin 2018.

“Shqipërisë t’i hapen negociatat kur të plotësojë kushtet”- Budestagu gjerman: Përveç këtyre kushteve të zgjidhet edhe kriza politike

Shqipërisë do t’i hapen negociatat vetëm kur të përmbushë 9 kritereve të vendosura nga Gjermania. Bundestagu gjerman ka miratuar kërkesën e qeverisë federale gjermane dhe i kërkon asaj që në takimin e Këshillit të Evropës që do të zhvillohet më 17 dhe 18 tetor 2019, të miratojë negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë vetëm kur të përmbushen kriteret.

 

Budestagu gjerman vëren me shqetësim edhe krizën politike në Shqipëri. “Shqipëria është në një krizë të rëndë politike. Bundestagu gjerman u bën thirrje me ngulm të gjitha forcave demokratike në Shqipëri që të ndërmarrin menjëherë të gjitha hapat për të kapërcyer këtë krizë sa më shpejt përmes dialogut politik, përndryshe rruga për negociatat e anëtarësimit do të vështirësohet në mënyrë të konsiderueshme”,- thuhet në rezolutën e përbashkët të partive qeverisëse të Gjermanisë, CDU/CSU dhe të SPD.

Përveç nëntë kushteve kryesore, grupet parlamentare të CDU/CSU dhe SPD, kërkojnë që Konferenca e parë e anëtarësimit të zhvillohet atëherë kur Qeveria Federale të konstatojë plotësimin e kushteve të mëposhtme nga Shqipëria:

– Sigurimi i vënies në punë dhe funksionimit të Gjykatës Kushtetuese si dhe të Gjykatës së Lartë duke angazhuar një numër të arsyeshëm gjyqtarësh dhe prokurorësh të verifikuar.

– Të merret vendim  për reformën zgjedhore, e cila të jetë në përputhje të plotë me rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe siguron një financim transparent të partive dhe fushatave zgjedhore si dhe të bazohet në rezultatet e komisionit ad hoc të reformës zgjedhore. Rishikimi i draftit të përgatitur atje duhet të bëhet në një dialog të hapur dhe gjithëpërfshirës të të gjitha forcave politike, siç rekomandohet edhe në raportin e ODIHR të datës 5 shtator 2019.

  1. b) Mbajtja e konferencës së dytë të anëtarësimit dhe hapja e negociatave pwrmes kapitujve të parë të ndodhë, kur qeveria Federale të konstatojw plotësimin e kushteve të mëposhtme nga Shqipëria:

– Zbatimi i ligjit për reformen zgjedhore të inicuar

– Fillimi i procedimeve penale kundër gjyqtarëve dhe prokurorëve të cilët nuk u kualifikuan në procesin e vetingut për shkak të sjelljes së dënueshme;

– Fillimi i ndjekjes penale dhe eventualisht i proceseve gjyqësore  kundër atyre që lidhen me blerjen e votave në zgjedhje, dhe ndjekjen serioze dhe të shpejtë të procedimeve,

– Angazhimi i strukturës speciale për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar dhe aftësia e saj  për të punuar

– Progres solid në krijimin e bilanci suksesi  në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në të gjitha nivelet, përfshirë inicimin dhe procedimet e para të përfunduara kundër nëpunësve civilë dhe politikanëve të nivelit të lartë. Këto përfshijnë hetime proaktive, eventualisht ndjekje penale dhe dënime në lidhje me korrupsionin dhe krimin e organizuar,

– Progres i prekshëm në reformën administrative, përfshirë rishikimin e qëndrimeve të zyrtarëve të lartë dhe drejtorëve, edhe nën këndvështrimin e  parregullsive,

– Një vendim përfundimtar për ligjshmërinë e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit 2019 nga Gjykata Kushtetuese; nëse urdhërohet përsëritja e zgjedhjeve, ato duhet të zhvillohen në bazë të ligjit të ri zgjedhor,

  1. të sigurojë, që kuadri i  negociatave të ndërtohet në mënyrë të tillë që të sigurohet një vazhdim konsekuent i kursit të reformës dhe mbi të gjitha zbatimi i reformave të miratuara nga Shqipëria. Nëse pas hapjes së negociatave të pranimit, Shqipëria vonon, pezullon ose tërheq përmbushjen e detyrimeve, atëherë negociatat e pranimit duhet të ndalojnë dhe në rast dyshimi, të ndërpriten. Hapja dhe mbyllja e kapitujve individualë të negociatave duhet të varen nga kritere të qarta;
  2. të qartësojë se Shqipëria duhet të bëjë ende përpjekje të tjera të konsiderueshme për të përmbushur kriteret e pranimit, veçanërisht në fushat

–        Sundimi i ligjit, kjo do të thotë vazhdimi i verifikimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve (proçesi i vetingut), krijimi i strukturave të reja të drejtësisë,

–        Luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, përfshirë forcimin dhe lidhjen e  institucioneve në rrjet, si dhe krijimin e bilanci suksesi në të gjitha nivelet dhe zbulimin dhe konfiskimin e fondeve financiare në lidhje me korrupsionin;

  1. të sigurojë që Komisioni dhe Shërbimi Evropian i Veprimit të Jashtëm të informojnë rregullisht për përparimin e reformave gjatë negociatave të pranimit, veçanërisht në këto fusha kyçe.

Gjykata spanjolle lejon zhvarrosjen e mbetjeve të ish-diktatorit Franco

Madrid

Gjykata Supreme e Spanjës sot mori vendimin me të cilin lejon zhvarrosjen e mbetjeve mortore të ish-diktatorit spanjoll, gjeneralit Francisco Franco, transmeton Anadolu Agency (AA).

Qeveria spanjolle më herët publikoi planin për zhvendosjen e mbetjeve mortore të Francos nga mauzoleu i madh “Valle de los Caidos” në ndonjë varrezë tjetër.

Familjarët e diktatorit Franco apeluan vendimin në Gjykatën e Lartë të Spanjës. Këshilli gjyqësor gjashtë-anëtarësh sot mori vendimin se mbetjet mortore mund të zhvarrosen nga monumenti i kompleksit i cili u ndërtua gjatë diktaturës së Francos dhe i cili sot përbën një atraksion të rëndësishëm turistik në periferi të Madridit.

Partitë majtiste dhe familjet e viktimave të luftës civile në Spanjë, prej kohësh kërkojnë largimin e mbetjeve mortore nga mauzoleu. Kundërshtarët e këtij plani pretendojnë se një veprim i tillë mund të hapë disa plagë të vjetra brenda shoqërisë spanjolle.

Ministri i Jashtëm i Ukrainës: Trump nuk i ka bërë presion Zelenskiyt

Presidenti amerikan Donald Trump tha të shtunën se ai nuk ka thënë ndonjë gjë të gabuar gjatë një bisede telefonike që ka patur me presidentin e ri të Ukrainës. Sipas njoftimeve në media zoti Trump i ka kërkuar Presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskiy të hetojë djalin e ish-nënpresidentit amerikan Joe Biden, i cili po konkuron për të qenë kandidati i demokratëve për zgjedhjet e vitit 2020.

Ndërkohë demokratët i kanë përforcuar kritikat ndaj presidentit për atë që ata e shohin si një përpjekje për të përfshirë një udhëheqës të huaj në një skemë për të dëmtuar kandidaturën e rivalit kryesor të zotit Trump në fushatën presidenciale.

Në një postim në twitter të shtunën në mëngjes zoti Trump shkruante se ai kishte zhvilluar një “bisedë normale e rutinore” më 25 korrik me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskiy dhe se “nuk kishte thënë asgjë të gabuar”.

Zoti Trump akuzoi demokratët dhe median se kanë injoruar pretendimet kundër zotit Biden dhe se kanë krijuar një histori të rreme për të.

Sipas njoftimeve në media që i referohen personave që kanë dijeni mbi çështjen zoti Trump i kërkoi zotit Zelenskiy rreth tetë herë gjatë bisedës, që të hetohet djali i zotit Bidenit. Të njëjtat burime thonë se qëllimi i zotit Trump ishte që zoti Zelenskiy të bashkëpunonte me avokatin e tij, Rudolph Giuliani për një hetim që mund të minonte zotin Biden.

Ministri i Jashtëm ukrainas Vadym Prystaiko i mohoi shtunën njoftimet në media se zoti Trump i kishte bërë presion zotit Zelenskiy gjatë bisedës telefonike. Ai tha rrjetit televiziv ukrainas Hromadski se Ukraina nuk mban anë në politikën amerikane.

Zoti Trump dhe zoti Guiliani kanë kërkuar me javë të tëra një hetim të zotit Biden bazuar në njoftimet në shtyp gjatë këtij viti, që pretendojnë se një kompani energjitike ukrainase është përpjekur të sigurojë ndikim në SHBA, duke punësuar djalin e vogël të Bidenit, Hunter.

Demokratët e kanë dënuar atë që ata e shohin si një përpjekje të bashkërenduar për të dëmtuar zotin Bidenin. za

Shqipëria, Korea e Veriut e Europës Nga Christoph Dieckmann

 

Historiani gjerman: Enver Hoxha e shndërroi Shqipërinë në vend invalid, por për krimet e regjimit të tij s’flet askush, as nuk dënohet askush

 

Së fundi kanë qëndruar për vizitë në Shqipëri 20 shkencëtarë gjermanë, të cilët merren me trajtimin e së kaluarës. Qëllimi i vizitës ka qenë që me palën shqiptare të krijohen kontakte për bashkëpunim. Shkencëtarët kanë vizituar kampet e internimit në Spaç dhe Tepelenë, kanë qëndruar në Shkodër dhe kanë diskutuar me të mbijetuar të diktaturës së Enver Hoxhës. Pas kësaj vizite historiani Christoph Dieckmann ka shkruar një tekst të gjatë në gazetën DIE ZEIT të Hamburgut mbi historinë e Shqipërisë në shekullin e XX dhe trajtimin e së kaluarës komuniste – ose thënë më mirë: mungesën e gatishmërisë për të trajtuar krimet e komunizimit.

 

Dieckmann përshkruan fillimisht një vizitë në Spaç, dikur minierë e bakrit dhe qendër e kampit më të tmerrshëm të shfarosjes të ndërtuar më 1968 nga regjimi i Enver Hoxhës. Dieckmann e quan Spaçin «kamp përqendrimi». Në minierën e Spaçit punonin 1400 të burgosur. Më 1973 dhe 1985 në Spaç u shtypën dy kryengritje të të burgosurve. Shtatë udhëheqës të revoltës u vranë. Në vitin 1990 kampi u mbyll, më 2009 qeveria vendosi që në Spaç të hapë një muze. As sot e kësaj dite ky muze nuk është hapur. Fabian Kati, njëri nga të burgosurit në Spaç, thotë se shoqëria shqiptare nuk e sheh të domosdoshme të merret me trajtimin e diktaturës komuniste. Përse ishte dërguar në burgun e Spaçit Fabian Kati? Sepse me një antenë «kundërrevolucionare kishte dëgjuar pop-muzikë», e cila nga regjimi konsiderohej armike e klasave. Kati kishte përkthyer edhe tekste të këngëve, ky ishte mëkati i tij i radhës.

 

Historiani gjerman Christoph Dieckmann citon ish të burgosur të cilët thonë se një e treta e shqiptarëve janë përndjekur nga regjimi, Spaçi ka qenë Auschwitzi ynë, thotë një tjetër, dhe njëri shton: Auschwitzi u çlirua pas tri vitesh, Spaçi tek pas disa dekadave. Dieckmann përshkruan me ton telegrafik vërtitjen e Shqipërisë komuniste nga aleanca me Bashkimin Sovjetik te thellimi i raporteve me Kinën. Më 22 nëntor 1967 Radio Tirana njoftoi se Shqipëria ishte shpallur shteti i parë ateist në botë. 2035 objekte kulti u shkatërruan apo iu ndërrua destinimi, dinjitarët fetarë u vranë apo internuan, lutjet dënoheshin me masa drakonike. Mes alpeve shqiptare dhe Detit Jon u ndërtuan 173 mijë bunkerë. Shërbimi sekret Sigurimi nuk ndalej së zbuluari armiqtë klasorë, më 17 dhjetor 1981 kryeministri Mehmet Shehu u gjet i vdekur në shtratin e tij. «Kur vdiq Enver Hoxha më 1985, ai la pas vetes një vend invalid, krejtësisht të izoluar. Pas autokratit pushtetin e mori zëvendësi i tij Ramiz Alia, pas diktaturës personale erdhi oligarkia partiake», shkruan Dieckmann.

 

Pushkatimi i Nikolai Çausheskut dhe gruas së tij në Rumani më 1989 i frikësoi komunistët shqiptarë, të cilët lejuan themelimin e partive politike. Më 1990 u themelua Partia Demokratike. Dieckmann shkruan: «Demokratët e rinj nuk kishin një Havel apo një Valensë. Ata nuk rridhnin nga skena e disidentëve, as nga lëvizja sindikale, as nga kisha e distancuar nga regjimi, as nga grupi i kuadrove të ekzilit. Të gjithë vinin nga sistemi i mbyllur, të gjithë ishin edukuar në frymën komuniste. Ky është totalitarizëm. Sot të dy partitë funksionojnë si sisteme klanore dhe klienteliste. Në Shqipëri qarkullon një maksimë: të majtit janë më të djathtë se të djathtit dhe e kundërta».

 

Historiani gjerman Christoph Dieckmann tregon hollësisht vrasjen e murgeshës Marije Tuci. Ajo vdiq më 1950, ishte 22-vjeçare – vdiq për shkak se refuzoi të shtrihet në shtrat me shefin lokal të Sigurimit. Marije Tucin e futën në një thes, bashkë me një mace të egër, dhe e mbytën duke e goditur me shufra. Ajo sot është martire e kishës, martirë janë edhe 36 priftërinj dhe një imam. Vetëm në Shkodër regjimi burgosi 2890 njerëz, 601 i vrau, 136 vdiqën nga torturat. Në Shqipërinë diktatoriale u vranë 6000 njerëz. Pjerin Mirdita, i cili drejton një qendër memoriale në Shkodër, thotë se vrasësit e kohës së diktaturës as nuk përmenden, as nuk ndiqen penalisht. Nga vullneti i arsimtarëve varet nëse ata e tematizojnë diktaturën e Hoxhës në shkolla. Sipas Pjerin Mirditës shumë njerëz në Shqipëri kanë qejf të flasin për të arriturat e vendit në periudhën e Luftës së ftohtë. Pleqtë duan të harrojnë.

 

Rrugës për në Tepelenë, shkruan Dieckmann, shihen gra me shami të bardha duke punuar arat, burra me gomarë duke medituar, djem mbi mure duke përshëndetur me dorë, minare dhe një pikë karburanti, ku mes pastës së dhëmbëve dhe marmelatës së fikut gjenden CD me këngë që e lavdërojnë Enver Hoxhën. Tepelena, sipas historianit gjerman: para muzeut një përmendore e Ali Pashë Tepelenës, në muze kiç partizan, përfshirë një dhomë në kujtim të diktatorit Hoxha. Një pikturë revolucionare e paraqet atë duke e edukuar popullin, lart mbi luginë dhe lumë. Në Tepelenë Simon Mirakaj tregon historinë e tij: si u internua si fëmijë në kampin e Tepelenës, si pa dhe përjetoi vuajtje, vaj e vdekje – dhe Ilda Themeli, përkthyesja e shkencëtarëve gjermanë, kërkon një pauzë, sepse duhet të qajë.

 

Shumica e të internuarve në Tepelenë nuk kanë marrë asnjë dëmshpërblim, nuk ka dokumente për kampin e Tepelenës, s’ka as fotografi, ekzistojnë vetëm disa vizatime dhe tregime të të burgosurve. «Arkivi i diktaturës së Shqipërisë janë kujtimet e familjeve. Organizatat e viktimave punojnë të ndara në rajone, janë të fragmentuara, nuk janë të lidhura me njëra-tjetrën. Nuk ka diskurs kombëtar mbi diktaturën ose konsenzus mbi historinë», shkruan Dieckmann.

Në fund të vizitës Dieckmann flet edhe në emër të kolegëve të tij gjermanë, kur thotë: jemi të tronditur kur shohim se deri më sot në Shqipëri autoriteti i dosjeve të Sigurimit ka përpunuar dhe miratuar vetëm 1500 kërkesa për zbardhjen e dosjeve. Ligjin përkatës e ka miratuar qeveria socialiste e Edi Ramës, opozita demokrate nuk ka votuar, shoqatat e viktimave e quajnë ligjin «demagogji». Shqipëria, shkruan Dieckmann, është planet tjetër, s’mund të krahasohet me Gjermaninë e cila pas bashkimit është ballafaquar me të kaluarën komuniste të Gjermanisë Lindore./Përktheu Enver Robelli

 

 


Send this to a friend