VOAL

VOAL

Komandanti i një distrikti ushtarak, vritet një tjetër gjeneral i Putinit në Ukrainë

March 11, 2022

Komentet

“BE pezullon fondet për Serbinë”- Marta Kos: Po shohim regres në sistemin e drejtësisë

Bashkimi Evropian ka pezulluar mbështetjen financiare për Serbinë për shkak të shqetësimeve mbi zhvillimet në sistemin e drejtësisë. Lajmi është konfirmuar nga komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, raportojnë mediat në Beograd. 


“Për momentin kemi pezulluar të gjitha pagesat për Serbinë në kuadër të planit të zhvillimit, pasi po shohim sërish regres në sistemin e drejtësisë. Derisa kjo të korrigjohet, vendi nuk do të mund të përfitojë mbështetje financiare nga BE”, deklaroi ajo gjatë një konference për shtyp.

Marta Koss shprehu shqetësim për miratimin e ligjeve që minojnë pavarësinë gjyqësore, si dhe shtypjen e protestuesve dhe presionin mbi median e pavarur. Brukseli thekson nevojën për respektim të rreptë të standardeve evropiane për të vazhduar bashkëpunimin financiar.

Sipas raportimeve të mëparshme nga Politico, Bashkimi Evropian po shqyrton edhe ndërprerjen e një pakete financimi prej rreth 1.5 miliardë eurosh për Serbinë.

Ky hap lidhet jo vetëm me çështjet e sundimit të ligjit, por edhe me marrëdhëniet e afërta të Beogradit me Rusinë. gsh

“Do të forcojmë bashkëpunimin mes dy vendeve”, Gjermania: Ukraina ka zhvilluar me shpejtësi teknologji të reja të provuara në fushën e betejës

Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius deklaroi se Ukraina ka zhvilluar me shpejtësi teknologji të reja të provuara në fushën e betejës. Gjermania do të forcojë bashkëpunimin në mbrojtje midis dy vendeve.

Gjermania përfiton nga mbështetja e saj ushtarake për Ukrainën, deklaroi të martën Ministri i Mbrojtjes Boris Pistorius.

Në një diskutim në tryezë të rrumbullakët me zyrtarë qeveritarë nga të dyja palët, si dhe përfaqësues të industrisë gjermane, Pistoriusi vuri në dukje se Gjermania po mëson nga Ukraina në fusha të tilla si teknologjia e dronëve dhe mbrojtja kibernetike.

“Ukraina është një vend që, nga nevoja, ka zhvilluar një kapacitet të jashtëzakonshëm për inovacion dhe shpejtësi,” deklaroi Pistorius.

“Ata nuk zhvillojnë teknologji në kushte laboratorike, por – fjalë për fjalë – në fushën e betejës.”

Gjermania do të vazhdojë mbështetjen ushtarake për Ukrainën
Pistorius vuri në dukje se Ministria Gjermane e Mbrojtjes planifikon të dërgojë më shumë atashe ushtarakë në ambasadën gjermane në Kiev për të vepruar si ndërlidhës për një bashkëpunim më të ngushtë në mbrojtje.

Ministrja gjermane e Ekonomisë, Katherina Reiche, e cila gjithashtu mori pjesë në bisedime, njoftoi planet për të krijuar një zyrë ndërlidhëse të dedikuar për kompanitë gjermane që dëshirojnë të bashkëpunojnë me Ukrainën.

Nga ana e tij, Ministri gjerman i Financave, Lars Klingbeil deklaroi pas bisedimeve se buxheti gjerman për vitin 2027 – i planifikuar për prezantim të mërkurën – do të tregojë mbështetjen e vazhdueshme të qeverisë për Ukrainën.

Sipas njoftimeve të mëparshme, Gjermania planifikon t’i japë Ukrainës 11.6 miliardë euro në vitin 2027, të pasuara nga 8.5 miliardë euro në vit midis viteve 2028 dhe 2030./DW

BE shpreh keqardhje që Serbia nuk i ka ndjekur ende përgjegjësit e sulmit në Banjskë

Pamje nga seanca e 24 prillit në Prishtinë, kur janë dënuar tre të akuzuarit për sulmin në Banjskë.

 

Radio Evropa e Lirë

Bashkimi Evropian i ka thënë të hënën Radios Evropa e Lirë se shpreh keqardhje që Serbia nuk i ka marrë ende hapat e nevojshëm për t’i përballur me drejtësinë përgjegjësit për sulmin në fshatin Banjskë të Kosovës në vitin 2023.

Një zëdhënës i BE-së i ka bërë këto deklarata, teksa e ka komentuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila më 24 prill i ka dënuar tre të akuzuarit për sulmin: Bllagoje Spasojeviqin dhe Vladimir Tolliqin me burgim të përjetshëm, ndërsa Dushan Maksimoviqin me 30 vjet burgim.

Sulmi në Banjskë ndodhi më 24 shtator 2023, si pasojë e të cilit u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

Në këmbim e sipër të të shtënave u vranë edhe tre sulmues serbë.

Millan Radoiçiq, atëbotë nënkryetar i Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar – mori përgjegjësinë për sulmin.

Tre të dënuarit kanë qenë pjesë e grupit prej 45 personash ndaj të cilëve kanë ngritur aktakuzë autoritetet e Kosovës, përfshirë Radoiçiqin. Përveç tre të dënuarve, pjesa tjetër e të akuzuarve janë në arrati.

Për autoritetet e Kosovës, Radoiçiq ka qenë “udhëheqësi i grupit terrorist” dhe sulmi është organizuar nga shteti i Serbisë. Beogradi, në anën tjetër, i hedh poshtë këto akuza.

Autoritetet në Kosovë i kanë ndarë procedurat penale kundër Spasojeviqit, Tolliqit dhe Maksimoviqit, të cilët ndodheshin në paraburgim që nga shtatori 2023, ndërsa e kanë hedhur poshtë kërkesën e Prokurorisë Speciale për një gjykim në mungesë për 42 të pandehurit e tjerë.

Institucionet e Bashkimit Evropian u kanë bërë thirrje rregullisht autoriteteve të Beogradit që të përcaktojnë përgjegjësinë për sulmin dhe t’i nxjerrin përgjegjësit para drejtësisë.

Megjithatë, pavarësisht thirrjeve nga blloku evropian, Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja, autoritetet në Serbi nuk kanë ngritur asnjë aktakuzë, madje as ndaj Radoiçiqit i cili besohet se është në Beograd.

Gjykata e Lartë në Beograd ka bërë të ditur se ekziston vendimi që ia ndalon Radoiçiqit largimin nga banesa e tij dhe ka detyrim që të paraqitet në polici, ndërsa Zyra e Prokurorit nuk e ka komentuar ndonjë aktakuzë eventuale.

“Ndonjëherë jam e trishtuar si kurrë më parë!”- Rrëfimi i Zonjës së Parë të Francës, Brigitte Macron: Në Elysee kam parë errësirën e botës dhe ligësinë!

Zonja e Parë e Francës, Brigitte Macron, ka dhënë një intervistë të rrallë për mediat franceze, ku ka bërë një bilanc të viteve të saj në Pallatin Elysee, që nga ardhja në pushtet e bashkëshortit të saj, Emmanuel Macron, në maj të vitit 2017.


73-vjeçarja, ish-mësuese e gjuhës frënge, ka treguar se mban një ditar personal për të përballuar momentet e vështira, të cilin nuk ia ka treguar askujt.

“Ndonjëherë e kam të vështirë të shoh qiellin blu. Më parë kisha një jetë normale, me fëmijë dhe punë, si të gjithë. Këtu në Elysee vitet kanë kaluar shumë shpejt… Kanë qenë jashtëzakonisht intensive. Kam parë errësirën e botës, budallallëkun dhe ligësinë. Ndonjëherë ndihem e trishtuar si kurrë më parë”, është shprehur ajo.

Rrëfimi i saj vjen në një kohë kur ajo dhe familja e saj janë përballur me sulme të vazhdueshme online. Në muajin janar, disa persona u dënuan me deri në tetë muaj burg me kusht për shpifje dhe përhapje thashethemesh mbi identitetin e saj dhe diferencën në moshë me presidentin.

brigitte macron

Gjatë procesit gjyqësor, vajza e saj, Tiphaine Auzière, denoncoi publikisht sulmet, duke i cilësuar si një “vënie sistematike në dyshim të identitetit dhe integritetit” të nënës së saj.

Ajo ngriti gjithashtu shqetësimin për përkeqësimin e gjendjes shëndetësore të Brigitte Macron, si pasojë e një fushate dezinformimi që është përhapur në shkallë globale.

“Kjo vorbull që nuk ndalet kurrë po ndikon gjithnjë e më shumë në jetën dhe shëndetin e saj”, u shpreh ajo.

Ndërkohë, çifti presidencial ka vendosur të ndjekë rrugën ligjore për të luftuar shpifjet dhe teoritë konspirative, si në Francë ashtu edhe në SHBA. Në muajt e ardhshëm pritet një tjetër proces gjyqësor në Delaware, ku në fokus është influencuesja amerikane Candace Owens.

Sipas burimeve, Emmanuel dhe Brigitte Macron janë të gatshëm të dëshmojnë në gjykatë dhe të paraqesin prova për të ndëshkuar të gjithë ata që përhapin lajme të rreme për ta. GSH

brigitte macron

 

Emanuel brigitte macron

 

brigitte macron

Tusk vë në pikëpyetje besnikërinë e SHBA në rast sulmi nga Rusia: BE duhet të bëhet një aleancë e vërtetë jo vetëm në letër

Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk ka vënë në pikëpyetje nëse SHBA-të do të jenë “besnike” ndaj angazhimit të tyre në NATO për të mbrojtur Evropën në rast të një sulmi rus dhe i ka kërkuar BE-së të bëhet një “aleancë e vërtetë”.

Tusk tha për Financial Times se “pyetja më e madhe dhe më e rëndësishme e Evropës është nëse Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të jenë aq besnike sa përshkruhet në traktatet tona [të NATO-s]”, ndërsa paralajmëroi se Rusia mund të sulmojë një anëtar të aleancës brenda “muajve”.

Ndërhyrja e pazakontë, nga një vend që prej kohësh e ka parë SHBA-në si aleatin e saj më të rëndësishëm, pasqyron pasigurinë në rritje në Evropë mes angazhimit të lëkundur të Presidentit Donald Trump ndaj NATO-s, përfshirë kërcënimet e fundit për t’u tërhequr plotësisht nga aleanca.

Tusk theksoi se fjalët e tij nuk duhen trajtuar si “skepticizëm” ndaj klauzolës së mbrojtjes së ndërsjellë të Nenit 5 të NATO-s dhe se ai nuk kishte komplekse në lidhje me lidhjet SHBA-Poloni.

“Uashingtoni e trajton Poloninë si aleatin më të mirë dhe më të ngushtë në Evropë. Por për mua, problemi i vërtetë është se si do të jetë në praktikë nëse ndodh diçka.”

Ai kujtoi se disa anëtarë të aleancës “u bënë sikur nuk ndodhi asgjë” kur rreth 20 dronë rusë shkelën hapësirën ajrore të Polonisë vitin e kaluar, duke shtuar: “Nuk ishte e lehtë për mua të bindja partnerët tanë në NATO se nuk ishte një incident i rastësishëm, por një provokim i planifikuar dhe i përgatitur mirë kundër Polonisë.”

Aleanca përfundimisht ngriti në ajër avionë luftarakë që rrëzuan disa nga dronët, në atë që ishte përballja e parë e drejtpërdrejtë midis NATO-s dhe aseteve ruse që nga viti 2022.

“Kjo është arsyeja pse dua të jem, e dini, i sigurt se nëse ndodh diçka, që… Rusia e di se reagimi do të jetë i ashpër dhe i qartë”, tha Tusk.

“Po flas për perspektiva afatshkurtra, në vend të muajve sesa viteve”, shtoi Tusk në lidhje me një sulm të mundshëm rus. “Për ne, është me të vërtetë e rëndësishme të dimë se të gjithë do t’i trajtojnë detyrimet e NATO-s po aq seriozisht sa Polonia”.

Polonia është shpenzuesja më e madhe e aleancës sipas PBB-së dhe aktualisht është një nga vendet më të vendosura pro-NATO-s dhe pro-transatlantike të Evropës. gsh

Avokatja e njohur italiane në qendër të skandalit, dyshohet si ndërmjetëse e mafias shqiptare në trafikun e drogës

Prokuroria në Itali ka hapur një procedim penal ndaj një avokateje të njohur, Daniela Paccoi, e cila dyshohet se ka shërbyer si ndërmjetëse në një rrjet kriminal ndërkombëtar të trafikut të drogës me lidhje me organizata shqiptare.

Hetimet po zhvillohen në qytetin e Perugia, ndërsa për momentin ajo po hetohet në gjendje të lirë. Sipas dosjes hetimore, Paccoi dyshohet se ka luajtur rol kyç në komunikimin mes drejtuesve të një organizate kriminale dhe një klienti të saj, i arrestuar më parë me një sasi prej rreth 65 kilogramësh kokainë.

Prokuroria pretendon se avokatja ka përcjellë mesazhe midis Shqipërisë dhe burgut, duke ndihmuar në koordinimin e komunikimeve dhe duke siguruar që identitetet e bashkëpunëtorëve të mbeteshin të fshehura. Madje, sipas hetuesve, ajo ka marrë pjesë në një skemë të inskenuar për të simuluar bashkëpunim me autoritetet, përmes “gjetjes së rreme” të një sasie droge të kontrabanduar.

Në hetimin e koordinuar nga prokuroria e Peruxhias, përmenden edhe dy persona të tjerë: një shtetas shqiptar i dyshuar si korrier dhe arkëtar i organizatës në Itali, si dhe biznesmeni Matteo Coresi. Sipas hetuesve, Coresi – vëllai i një klienti të mbrojtur më parë nga Paccoi – ishte arrestuar në një operacion ku u zbuluan 65 kilogramë kokainë të fshehura në një automjet dhe në një biznes në Foligno.

Autoritetet e Guardia di Finanza kanë ndjekur rastin përmes përgjimeve dhe vëzhgimeve, përfshirë edhe brenda burgut të Capanne Prison. Sipas akuzës, rrjeti kriminal dyshohet se ka përdorur kanale të fshehta komunikimi dhe pagesa për të ndikuar në procesin gjyqësor, duke ofruar madje edhe “zgjidhje” për trajtim më të lehtë nga drejtësia italiane.

Hetuesit thonë gjithashtu se është organizuar transporti i një sasie tjetër droge, e cila më pas është fshehur në një zonë rurale pranë Casenove, me qëllim simulimin e një bashkëpunimi me autoritetet. Coresi pritet të dalë para gjykatës më 7 maj në procedurë të përshpejtuar, ndërsa hetimet për rolin e avokates dhe rrjetit të dyshuar kriminal vijojnë. bw

Nga përplasja me “tiranët” te sfidimi i elitës politike, Papa Leo: Stop abuzimit me pushtetin

 

Papa Leo

Në një turne 11-ditor në katër vende, Papa ndërthur mesazhet fetare me kritika të drejtpërdrejta ndaj korrupsionit, luftës dhe elitave politike

Në ditën e tij të fundit të plotë gjatë vizitës së parë në Afrikë, Papa Leo XIV ripërsëriti tonin që kishte shoqëruar gjithë udhëtimin: mesazhe thelbësore të krishtera të kombinuara me sinjale politike, të cilat liderët e pranishëm duhej t’i kuptonin si të drejtuara ndaj tyre.

Të mërkurën, në shtetin e vogël të Guinesë Ekuatoriale, Papa bëri thirrje që “t’i shërbehet së mirës së përbashkët dhe jo interesave private” dhe që të “ngushtohet hendeku midis të privilegjuarve dhe të pafavorizuarve”.

Në bazilikën e qytetit Mongomo, përballë tij ndodheshin pikërisht përfaqësuesit e elitës: presidenti Teodoro Obiang, i cili drejton vendin që nga viti 1979 dhe konsiderohet një nga liderët më jetëgjatë në pushtet në botë, si dhe djali i tij dhe pasardhësi i mundshëm, Teodorín. Ky i fundit është dënuar në Francë për përvetësimin e dhjetëra milionë eurove që i përkisnin popullsisë së vendit.

Ndërkohë, qytetarët e zakonshëm qëndronin jashtë kishës. Rreth 100 mijë besimtarë u mblodhën për të parë Papën, të paktën përmes ekraneve të vendosura jashtë.

Papa Leo XIV udhëtoi për 11 ditë në katër vende afrikane: Algjeri, Kamerun, Angolë dhe Guinenë Ekuatoriale. Ky ishte udhëtimi i tij i dytë jashtë vendit që nga fillimi i pontifikatit në maj 2025 dhe një sinjal i qartë për rëndësinë në rritje të Afrikës për Kishën Katolike.

Vizita ndikoi gjithashtu në perceptimin e Papës, i cili konsiderohej më parë si i rezervuar. Gjatë këtij turneu ai u shpreh hapur kundër korrupsionit, shfrytëzimit të burimeve natyrore dhe konflikteve të armatosura. Në Kamerun, në prani të presidentit 93-vjeçar Paul Biya, i cili ka qeverisur për dekada, Papa deklaroi se “zinxhirët e korrupsionit duhet të thyhen”.

Turneu mori edhe një dimension ndërkombëtar për shkak të tensioneve me Shtetet e Bashkuara. Para nisjes së udhëtimit, Papa kritikoi deklaratat e Donald Trump lidhur me Iranin, duke i cilësuar si “vërtet të papranueshme”. Si reagim, Trump e akuzoi Papën në rrjetet sociale se ishte “i dobët në luftën kundër krimit” dhe “katastrofë për politikën e jashtme”.

 

Megjithatë, gjatë udhëtimit Papa tentoi të zbusë situatën, duke deklaruar se nuk kishte si qëllim të hynte në debat me qeverinë amerikane. Mediat kishin interpretuar disa nga deklaratat e tij, si ajo se “bota po shkatërrohet nga një grusht tiranësh”, si të drejtuara edhe ndaj Trump.

Ndalesa e parë ishte Algjeria, ku toni ishte më pak konfrontues. Vatikani e paraqiti vizitën si një përpjekje për të forcuar dialogun me botën islame, një objektiv që Papa kishte ndjekur edhe në udhëtimin e tij të parë në Turqi dhe Liban në fund të vitit 2025.

Në Algjeri, Papa vizitoi gjithashtu rrënjët e tij teologjike. Ai mbajti një meshë në qytetin bregdetar Annaba, ku Shën Augustini kishte shërbyer si ipeshkëv në shekujt IV dhe V. Papa Leo XIV është i pari Papë që vjen nga urdhri augustinian dhe e ka drejtuar atë nga viti 2001 deri në 2013.

Disa prisnin që ai të trajtonte drejtpërdrejt çështjen e kufizimeve ndaj rreth 10 mijë katolikëve në Algjeri dhe ndaj pakicave të tjera fetare. Ai nuk e bëri këtë, por në takimin me presidentin algjerian kërkoi një “shoqëri civile të gjallë, dinamike dhe të lirë”.

 

Në Kamerun, një vend me rreth 10 milionë katolikë, Papa u përpoq të jepte një mesazh paqeje. Ai vizitoi rajonin anglishtfolës, ku separatistët janë në konflikt prej dekadash me qeverinë qendrore frankofone. Ky konflikt ka shkaktuar mijëra viktima dhe ka zhvendosur qindra mijëra njerëz. Në qytetin Bamenda, një nga qendrat kryesore të konfliktit, Papa deklaroi se “bota po shkatërrohet nga një grusht tiranësh”.

Në ndalesën e radhës, Angolë, ku jetojnë rreth 20 milionë katolikë, Papa kritikoi “despotët dhe tiranët” që shfrytëzojnë burimet natyrore dhe premtojnë mirëqenie, por në realitet sjellin vuajtje dhe vdekje. Këto deklarata u interpretuan si mesazh për elitën politike të vendit, i cili megjithëse është i pasur me naftë dhe diamante, ka një të tretën e popullsisë që jeton në varfëri ekstreme.

Në Angolë, Papa rikujtoi gjithashtu historinë tragjike të skllavërisë. Nga brigjet e këtij vendi, midis shekujve XVI dhe XIX, miliona njerëz u transportuan si skllevër. Ai vizitoi një vend të shenjtë në Muxima, ku skllevërit dikur pagëzoheshin me forcë përpara se të dërgoheshin jashtë vendit.

 

Në Guinenë Ekuatoriale, pas meshës ku mori pjesë familja presidenciale, Papa ndërmori një gjest simbolik duke vizituar një burg në qytetin Bata. Me këtë veprim, ai vazhdoi traditën e paraardhësit të tij, Papa Françesku, dhe tërhoqi vëmendjen ndaj kushteve të ndalimit në një vend që shpesh akuzohet nga OKB dhe organizata të tjera për tortura dhe vrasje jashtëgjyqësore.

Para udhëtimit, disa vëzhgues kishin shprehur shqetësimin se Papa mund të përdorej për propagandë nga regjimet autoritare. Megjithatë, deklaratat e tij gjatë vizitës i zbehën këto frikëra. Në disa raste, ai kujtoi stilin e Papa Françeskut, i cili shpesh kritikonte hapur korrupsionin dhe shfrytëzimin.

Papa Leo XIV pritet të rikthehet sërish në Afrikë në të ardhmen, duke ndjekur shembullin e paraardhësit të tij që e vizitoi kontinentin pesë herë. Afrika është rajoni ku katolicizmi po rritet më shpejt: rreth 300 milionë katolikë jetojnë aktualisht atje, duke përbërë një të pestën e besimtarëve në botë. Së fundmi, Afrika ka më shumë katolikë se Europa dhe vetëm Amerika Latine ka më shumë besimtarë. Deri në vitin 2050, afrikanët mund të përbëjnë deri në një të tretën e katolikëve në botë. /Përshtatur nga NZZ/

Hungaria heq dorë nga vetoja- BE nis procedurën për zhbllokimin e 90 mld eurove për Ukrainën dhe sanksionet e reja kundër Rusisë

Bashkimi Evropian ka nisur zyrtarisht procesin e brendshëm për të zhbllokuar kredinë prej 90 miliardë eurosh për Ukrainën dhe paketën e 20-të të sanksioneve kundër Rusisë, duke e çuar ngërçin midis Budapestit dhe Kievit drejt fundit pas muajsh intrigash.

E ashtuquajtura procedurë me shkrim filloi të mërkurën pasdite gjatë një takimi të ambasadorëve në Bruksel. Shtetet anëtare kanë deri në 24 orë kohë për të regjistruar çdo kundërshtim.

Qiproja, vendi që mban presidencën e radhës të Këshillit të BE-së, pret që procedura të përfundojë të enjten pasdite, kur mund të shpallet një vendim përfundimtar.

Hungaria ose Sllovakia mund ta parandalojnë miratimin me unanimitet nëse zgjedhin ta bëjnë këtë, por diplomatët besojnë se kjo është e pamundur.

Në vend të kësaj, diplomatët e BE-së të konsultuar nga Euronews besojnë se një marrëveshje është pothuajse e sigurt pas restaurimit të tubacionit të naftës Druzhba, i cili është në qendër të vetos.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha të martën se infrastruktura e epokës sovjetike, e dëmtuar në fund të janarit nga dronët rusë, është riparuar dhe mund të rifillojë operacionet. Flukset pritet të rifillojnë në orët në vijim.

“BE-ja i kërkoi Ukrainës të riparojë tubacionin e naftës Druzhba, i cili ishte shkatërruar nga Rusia. Ne e kemi riparuar atë. Shpresojmë që BE-ja do të përmbushë gjithashtu angazhimet e rëna dakord”, tha Zelenskyy në fjalimin e tij të mbrëmjes të martën.

Kredia prej 90 miliardë eurosh është bllokuar prej muajsh nga kryeministri hungarez në largim, Viktor Orbán, i cili e ka akuzuar Kievin për bllokimin e flukseve për arsye “politike”.

Orbán e bëri mosmarrëveshjen e tij me Zelenskyy-n për Druzhbën një temë të spikatur në fushatën e tij shpërthyese për rizgjedhje. Megjithatë, kryeministri veteran u mund bindshëm nga udhëheqësi i opozitës Péter Magyar nën premtimin për rivendosjen e sundimit të ligjit, përmirësimin e lidhjeve me BE-në dhe zhbllokimin e parave të BE-së të bllokuara nga Brukseli për shkelje të ligjit.

Tranzicioni hungarez, i pari në 16 vjet, hapi rrugën për të thyer bllokimin.

Ndërkohë, paketa e sanksioneve është bllokuar nga Hungaria dhe Sllovakia, gjithashtu për shkak të çështjes së Druzhbës. Sllovakia ka thënë se vetoja do të hiqet sapo nafta të fillojë të rrjedhë përsëri.

Sanksionet përfshijnë një ndalim të plotë të shërbimeve detare për anijet cisternë ruse të naftës, por kjo masë është kushtëzuar nga një marrëveshje në nivelin e G7 pasi Malta dhe Greqia, dy vende bregdetare, shprehën shqetësime serioze.

Marrëveshja e G7-ës nuk ka gjasa të ndodhë së shpejti, duke pasur parasysh vendimin e fundit të Shtëpisë së Bardhë për të zgjatur lehtësimin e sanksioneve për naftën ruse, diçka që i ka shqetësuar evropianët. bw

Reagon në mbrojtje të Melonit e gjithë Italia – pas sulmit publik të gazetarit rus: “Grua e keqe, fashiste”

 

Gazetari rus Vladimir Solovyov

Gazetari rus Vladimir Solovyov ka shkaktuar polemika të forta në Itali, pasi ka fyer publikisht kryeministren italiane Giorgia Meloni gjatë emisionit të tij “Polnyj Kontakt”.

Duke folur në rusisht dhe italisht, Solovyov e cilësoi Melonin si “fashiste” dhe “grua të keqe”, duke shtuar se “tradhtia është emri i saj i mesëm”, bazuar në qëndrimet e saj ndaj Donald Trump.

“Tradhti është emri i saj i mesëm. Ajo tradhtoi Trumpin, të cilit i ishte betuar më parë për besnikëri”, shtoi Solovyov gjatë programit të tij.

Këto deklarata kanë sjellë reagimin e menjëhershëm të kryeministres italiane, e cila në një në rrjetin X u shpreh se një propagandist i regjimit nuk mund të japë mësime për lirinë. Ajo theksoi se qeveria italiane nuk merr urdhra nga askush dhe mbetet e përqendruar vetëm te interesat kombëtare.

“Nga natyra e tij, një propagandist i zellshëm i regjimit nuk mund të japë mësime as për koherencën dhe as për lirinë. Ne, ndryshe nga të tjerët, nuk kemi detyrime, as  padronë dhe nuk pranojmë urdhra. Busulla jonë mbetet një: interesat e Italisë. Dhe ne do të vazhdojmë ta ndjekim atë me krenari, me gjithë respektin e duhur për propagandistët kudo”, u shpreh Meloni.

Deklaratat provokuese kanë sjellë reagimin edhe të institucioneve italiane. Ministri i Jashtëm Antonio Tajani njoftoi se ka thirrur ambasadorin rus për të paraqitur një protestë zyrtare, duke i cilësuar komentet si “jashtëzakonisht serioze dhe ofenduese”.

Ndërkohë, Presidenti Sergio Mattarella i ka dërguar një mesazh solidariteti Melonit, duke dënuar gjuhën vulgare të përdorur.

Edhe Presidenti i Senatit Ignazio La Russa i quajti fyerjet “të turpshme dhe të papranueshme”, ndërsa kreu i Dhomës së Deputetëve Lorenzo Fontana theksoi se ato cenojnë dinjitetin e institucioneve dhe shkaktojnë indinjatë të thellë.

Solidaritet me kryeministren Meloni kanë shprehur edhe liderët e partive të tjera italiane, nga Matteo Salvini te Giuseppe Conte dhe Matteo Renzi.

Spanja kërkon pezullimin e marrëveshjes BE–Izrael, Sánchez: Shkel të drejtën ndërkombëtare!

 

Spanja do t’i propozojë Bashkimit Evropian pezullimin e plotë të Marrëveshjes së Asociimit me Izrael, duke argumentuar se qeveria izraelite shkel të drejtën ndërkombëtare. Kryeministri spanjoll Pedro Sánchez deklaroi se propozimi do të paraqitet zyrtarisht të martën në nivel të Bashkimi Evropian, duke kërkuar pezullimin e plotë të marrëveshjes së nënshkruar mes dy palëve.

“Këtë të martë, qeveria spanjolle do t’i paraqesë Evropës një propozim që parashikon anulimin e marrëveshjes së asociimit me Izraelin”, tha Sánchez gjatë një tubimi parazgjedhor në Andaluzia.

Ai shtoi se “një qeveri që shkel të drejtën ndërkombëtare nuk mund të jetë partnere e Bashkimit Evropian”. Marrëveshja e Asociimit BE–Izrael, e cila është në fuqi që nga viti 2000, përfshin një klauzolë që lidh bashkëpunimin me respektimin e të drejtave të njeriut. Spanja e kishte ngritur për herë të parë çështjen e rishikimit të marrëveshjes në shkurt të vitit 2024, kur Sánchez dhe ish-kryeministri irlandez i dërguan një letër Komisionit Evropian, duke kërkuar vlerësim të respektimit të detyrimeve për të drejtat e njeriut nga Izraeli në kontekstin e konfliktit në Gaza.

Që atëherë, Madridi ka forcuar gradualisht qëndrimin e tij, përfshirë edhe kritika lidhur me zhvillimet në Liban. Së fundmi, Irlanda, Sllovenia dhe Spanja i dërguan një letër Komisionit Evropian duke kërkuar që marrëveshja të shqyrtohet në takimin e ardhshëm të Këshillit të Punëve të Jashtme të BE-së.

Protesta/ Televizioni publik austriak: Kërkohet largimi i Ramës, korrupsioni dhe krimi po pengojnë integrimin

 

Në Shqipëri u shënuan përplasje gjatë protestave kundër qeverisë në kryeqytetin e vendit, Tiranë. Opozita kërkon dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe e akuzon qeverinë për korrupsion.

Nga Ansgar Gersmann, ORF

Në fund të një proteste antiqeveritare u shënuan përplasje.

Fishekzjarre dhe kokteje molotovi fluturuan, ndërsa forcat e rendit përdorën spraj me piper.

Skena, të cilat në kryeqytetin shqiptar, Tiranë, janë përsëritur vazhdimisht kohët e fundit.

Prej javësh opozita kërkon dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Pjesë të qeverisë së tij janë të dyshuara për korrupsion.

Korrupsioni dhe krimi i organizuar janë pengesat kryesore për anëtarësimin e vendit në BE.

Demonstruesit kërkojnë një qeveri teknike dhe zgjedhje të reja.

Me këto demonstrata të vazhdueshme, opozita po kërkon të rrisë presionin ndaj qeverisë.

Edhe persona nga radhët e saj janë të dyshuar për korrupsion.

Çekia kërkon shpjegim nga Rusia pasi Medvedev i kërcënoi fabrikat e dronëve në Evropë

Radio Evropa e Lirë

Republika Çeke ka kërkuar shpjegim pasi Ministria e Mbrojtjes e Rusisë e publikoi një listë kompanish që pretendon se po ndihmojnë në prodhimin e dronëve sulmues për Ukrainën, ndërsa ish-presidenti rus, Dmitry Medvedev, e quajti atë “listë e shënjestrave të mundshëm” për ushtrinë ruse.

Lista, e cila përfshinte adresat e kompanive në shumë vende, kryesisht në Evropë, u publikua nga Ministria e Mbrojtjes e Rusisë më 15 prill, së bashku me një paralajmërim se një bashkëpunim i tillë “po i zhyt këto vende më shpejt në luftë me Rusinë” dhe se mund të ketë “pasoja të paparashikueshme”.

Në një deklaratë në faqen e saj të internetit, Ministria ruse tha se përpjekjet evropiane për të rritur furnizimet me dronë për Ukrainën do të çonin në një “përshkallëzim të ashpër të gjendjes ushtarako-politike në gjithë kontinentin evropian”.

Deklarata pasqyroi paralajmërime të shumta nga Kremlini dhe ministritë ruse, të cilat e akuzojnë Perëndimin dhe veçanërisht Evropën për përshkallëzimin e luftës në Ukrainë, e cila nisi në vitin 2022 me urdhrin e presidentit rus, Vladimir Putin, për pushtimin e plotë të vendit fqinj.

Medvedev përdori një gjuhë haptazi kërcënuese në një postim në platformën X më vonë të enjten, duke shkruar se “deklarata e Ministrisë së Mbrojtjes duhet marrë fjalë për fjalë: lista e shënjestrave evropiane që prodhojnë dronë dhe pajisje të tjera është listë caqesh të mundshëm për forcat e armatosura ruse”.

“Se kur sulmet do të bëhen realitet, varet nga ajo që do të ndodhë më pas”, shkroi ai. “Flini qetë, partnerë evropianë!”

President i Rusisë nga viti 2008 deri në 2012 dhe kryeministër nga 2012 deri në 2020, Medvedev tani është zëvendëskryetar i Këshillit të Sigurisë, një organ këshillimor i Putinit.

Si president, ai paraqitej si kryesisht liberal dhe mbështetës i reformave demokratike, por më vonë është shndërruar në një kritik shpesh agresiv i Evropës dhe mbështetës i fortë i luftës së Rusisë kundër Ukrainës, duke përdorur rrjetet sociale për retorikë të ashpër dhe kërcënime bërthamore ndaj Perëndimit.

Ministri i Jashtëm i Çekisë, Petr Macinka, e thirri të enjten ambasadorin rus në Pragë “për të shpjeguar këto deklarata ndaj palës çeke”, njoftoi Ministria e Jashtme, duke iu referuar raportit të Ministrisë të Mbrojtjes së Rusisë dhe komenteve të Medvedevit.

Ajo tha se “disa kompani çeke…u identifikuan si shënjestra të mundshëm të sulmeve ruse”.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë i renditi 11 kompani që pretendon se janë të përfshira në prodhimin e dronëve ose komponentëve të lidhur për Ukrainën, dy prej tyre në Republikën Çeke.

Disa vende evropiane kanë njoftuar plane për të rritur bashkëpunimin në mbrojtje me Ukrainën, përfshirë prodhimin e përbashkët të dronëve dhe përpjekjet për të mësuar nga përvoja e Kievit në fushën e luftës me dronë.

Gjatë vizitave të presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky më 14 prill, për shembull, Gjermania tha se do të “vazhdojë të mbështesë industrinë e dronëve të Ukrainës si dhe të krijojë ndërmarrje të përbashkëta për prodhimin e dronëve”, ndërsa Norvegjia tha se do të rrisë bashkëpunimin me Kievin, përfshirë prodhimin e dronëve ukrainas.


Send this to a friend