VOAL

VOAL

OBSH, emigrantët nuk po sjellin sëmundje infektive në Evropë

Refugjatët dhe emigrantët që mbërrijnë në Evropë nuk kanë sjellë sëmundje infektive, thotë një raport i Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Në studimin e saj të parë për shëndetin e emigrantëve në Evropë, OBSH-ja u bën thirrje qeverive evropiane t’u sigurojnë emigrantëve qasjen në shërbimet shëndetësore.

Italia urdhëroi në muajin nëntor konfiskimin e anijes me emigrantë “Aquarius”, duke pretenduar se në bord kishte rroba të infektuara të lëna pas nga refugjatë që mund të ishin të infektuar me AIDS, meningjit dhe turbekuloz. Ekspertët e mjekësisë e hodhën poshtë këtë pretendim.

Autorët e raportit të OBSH-së thonë se ky është një shembull i legjendave për shëndetin e emigrantëve që mbërrijnë në Evropë.

“Refugjatët dhe emigrantët që vijnë në Evropë, nuk sjellin me vete sëmundje ekzotike të transmetueshme. Sëmundjet që ata mund të kenë, janë të pranishme prej kohësh në Evropë. Gjithashtu, kemi programe shumë të mira parandalimi dhe kontrolli për këto sëmundje”, thotë Dr. Zsuzsana Jakab, e Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Megjithë kushtet e tmerrshme me të cilat përballen, raporti i OBSH-së thotë se emigrantët kanë përgjithësisht shëndet të mirë. Por, ata rrezikohen të sëmuren gjatë udhëtimit.

Njerëzit që largohen nga vendet e tyre përballen me një ekspozim më të madh ndaj infeksioneve, me kushte të varfëra jetese dhe me mungesën e kujdesit shëndetësor.

“Në shumicën e vendeve, emigrantët e paligjshëm nuk mendoj se kanë qasje tek sistemet e kujdesit shëndetësor. Emigrantët e paligjshëm janë të padukshëm në sytë e autoriteteve”, thotë zonja Jakab.

OBSH-ja paralajmëron se ndërsa po zhvillohet një debat jomiqësor për emigracionin në Evropë, shumë vende mund të mos përmbushin nevojat shëndetësore të popullsisë emigrante.

Traktat i ri mes Gjermanisë dhe Francës

Kancelarja gjermane Angela Merkel paralajmëroi sot për rrezikun e rritjes së nacionalizmit në Europë dhe bëri thirrje për rigjallërimin e bashkëpunimit ndërkufitar, pasi ajo dhe homologu i saj francez nënshkruan një traktat për rigjallërimin e miqësisë shumëvjeçare mes vendeve të tyre.

Marrëveshja e re u nënshkrua në qytetin e lashtë të Gjermanisë Perëndimore Aachen, pikërisht 56 vjet pas Traktatit Elysee të vitit 1963, që përcaktoi marrëdhëniet e afërta që do të kishin të dy vendet pas shekujsh me konflikte, të cilat morën në fund me Luftën e Dytë Botërore.

“Në të gjitha vendet tona është duke u fuqizuar populizmi dhe nacionalizmi”, i tha zonja Merkel zyrtarëve francezë, gjermanë dhe europianë, që ishin mbledhur në qendrën e qytetit Aachen.

Ajo tha se bashkëpunimi ndërkombëtar po kalon nëpër një rrugë të vështirë dhe ajo përmendi si shembull largimin e Britanisë nga Bashkimi Europian, si dhe rritjen e prirjeve proteksioniste në mbarë botën.

Traktati i Aachen-it synon fuqizimin e bashkëpunimit ndërkufitar mes të dy vendeve, si dhe përmirësimin e koordinimit mes tyre për çështje ndërkombëtare, si ndryshimet klimatike dhe terrorizmi.

Gjermaisë dhe Francës shpesh i referohen si lokomotiva të Bashkimit Europian, gjë që ka shkaktuar pakënaqësi tek vendet e tjera anëtare, të cilat ndjehen të anashlakuara nga marrëdhënia e afërt mes Parisit dhe Berlinit.

Sfondi historik i traktatit Aachen

Një ditë dimri më shumë se gjysmë shekulli më parë, Franca dhe Gjermania Perëndimore nënshkruan një traktat që synonte për të lënë pas shekujt e konflikteve që përfshinë dy luftëra botërore shkatërrimtare. Në kushtet e Luftës së Ftohtë, uniteti evropian ishte i kufizuar në një treg të përbashkët prej gjashtë anëtarësh, i cili fillimisht hodhi poshtë kërkesën e Britanisë për anëtarësim. Pak njerëz e parashikuan në atë kohë se ky traktat i janarit 1963 do të ndihmonte në çimentimin e një bashkëpunimi franko-gjerman për të realizuar atë që përfundimisht u bë Bashkimi Evropian me 28-anëtarë.

Pikërisht 56 vjet më vonë, më 22 janar 2019, presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelarja gjermane Angela Merkel, nënshkruan një pakt të ri, i cili përballet me sfida të reja. Të dy udhëheqësit janë dobësuar në vendet e tyre dhe BE-ja po lufton me çështjen Brexit, nacionalizmin në rritje dhe ndarjet mbi çështjet thelbësore si migracioni, ekonomia dhe mbrojtja.

Disa analistë thonë se traktatit të ri të Aachenit i mungon substanca, ndërsa nacionalistët francezë të ekstremit të djathtë kanë hedhur paralajmërime të rreme duke pretenduar se Parisi planifikon të lëshojë pjesë të territorit të vendit dhe të ndajë me Berlinin pozitën si vend anëtar i përherëshëm i Këshillit të Sigurimit. Pakti ngre një pyetje më të gjerë: Sa rëndësi ka bashkëpunimi franko-gjerman në Europën e sotme të rrethuar nga vështirësitë?

“Dikur thuhej se kur Franca dhe Gjermania binin dakord për diçka, kjo pak a shumë kthehej në një vendim për BE-në. Tani, kjo nuk mjafton”, thotë Manuel Lafont Rapnouil, kreu i zyrës së Parisit i Këshillit Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë.

Marrëveshja e re synon të thellojë bashkëpunimin franko-gjerman në fushën e arsimit, mjedisit, sigurisë dhe politikës ekonomike, ndër të tjerat.

Qyteti gjerman Aachen, i njohur në frëngjisht si Aix-la-Chapelle, është shumë simbolik – dikur ka qenë kryeqytet i perandorit frank Karli i Madh. Një vit para përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, u bë qyteti i parë gjerman i kapur nga aleatët pas një beteje shkatërrimtare.

Por kritikët thonë se traktati i ri mbetet shumë larg ambicieve për një Evropë më të fuqishme dhe të unifikuar, që presidenti Macron theksoi në një fjalim të vitit 2017, pak muaj pas marrjes së detyrës. “Një pakt i ri, por pak ambicie,” shkruante gazeta franceze Le Monde, në prag të nënshkrimit.

“Është një bazë mbi të cilën mund të punojmë, por që reflekton kufizimet e dy qeverive”, thotë Joachim Bitterlich, ish këshilltar i ish-kancelarit gjerman Helmut Kohl, për gazetën Le Journal du Dimanche të Francës, në të cilën ai përmend mangësitë në fusha si migrimi dhe bashkëpunimi energjitik.

Gazetari rus Leonid Bershidski përshkruan disa çështje që ai beson se pengojnë marrëveshjen, siç janë interesat e ndryshme gjermano-franceze në fusha si mbrojtja dhe bashkëpunimi ekonomik.

“Shprehjet simbolike të solidaritetit janë të rëndësishme në këto kohë përçarjesh. Por në jetën reale, për të punuar së bashku është e vështirë, madje edhe për partnerët me qëllimet më të mira”, shkruante ai në një artikull për gazetën Bloomberg.

Presidenti Macron dhe kancelarja Merkel takohen në një pikë të ulët popullariteti në mandatin e tyre si udhëheqës. Kancelarja gjermane po shqyrton largimin nga posti, pasi tashmë ia ka dhënë kontrollin e partisë së saj të Bashkimit Kristian Demokratik një aleateje, Annegret Kramp-Karrenbauer. Presidenti Macron ka parë rënien e popullaritetit të tij në nivel rekord mes protestave të vazhdueshme kundër reformave të tij dhe rritjes së kostos së jetesës.

Ndërsa Bashkimi Evropian ka shfaqur unitet në negociatat me Britaninë rreth çështjes Brexit, blloku është i ndarë në shumë aspekte të tjera – edhe pse partitë nacionaliste pritet të rrisin fuqinë e tyre në rritje në zgjedhjet e Parlamentit Evropian këtë maj.

“Britania po largohet. Italia drejtohet nga populistët. Spanja ka një qeveri të pakicës. Polonia dhe Hungaria udhëhiqen nga parti konservatore, dhe asnjë qeveri nuk dëshiron t’u japë institucioneve në Bruksel më shumë pushtet”, shkruante revista The Economist, duke përshkruar disa nga pengesat.

Në Francë, protestuesit e jelekëve të verdhë kanë përhapur fjalë që vijnë nga e djathta ekstreme se presidenti Macron synon t’ia japë Gjermanisë rajonin francez Alsace-Lorraine, ndërsa kreu i ekstremit të djathtë, Marine Le Pen, ka sugjeruar se Pakti Aachen parashikon që Franca të ndajë me Gjermninë vendin e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, gjë që presidenca franceze e hedh poshtë si “lajm padyshim të rremë”. Traktati parashikon, në të vërtetë, që të dy vendet të kërkojnë në mënyrë prioritare një vend të përhershëm për Gjermaninë në Këshillin e Sigurimit.

Megjithatë, pak analistë të BE-së shohin ndonjë alternativë ndaj Francës dhe Gjermanisë si nyjen përfundimtare që lidh bllokun.

“Pas Brexit, pas krizës së migracionit, pas çdo gjëje që kemi pasur, le të bëjmë thjesht deklaratën politike se 27 shtetet anëtare të BE do të dëshironin të vazhdojnë dhe të përmirësojnë bashkëpunimin e Bashkimit Evropian”, tha Frantisek Ruzicka, sekretar shtetëror i Sllovakisë për Çështjet Evropiane, gjatë një vizite të fundit në Paris. Pa bashkëpunim të fortë franko-gjerman, shtoi ai, “bashkëpunimi evropian nuk do të ekzistojë”.

Traktati Aachen “është aty për t’u kujtuar dy vendeve dhe pjesës tjetër të Evropës që edhe kur nuk shikohen sy më sy, edhe kur është e vështirë, kjo marrëdhënie është e rëndësishme”, thotë Lafont Rapnouil i Këshillit Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë. “Të dy vendet besojnë se kjo është e rëndësishme, dhe është pika ku fillon gjithçka”, thotë ai.

Shtatë për qind e ndërmarrjeve në BE kanë përdorur robotë vitin 2018

Shtatë për qind e ndërmarrjeve brenda Bashkimit Evropian (BE) që punësojnë së paku dhjetë njerëz gjatë vitit 2018 kanë përdorur robotët industrialë ose ata të shërbimeve, tha të hënën zyra e BE-së për statistika (Eurostat).

“Ndërmarrjet e mëdha më shumë përdorin robotët (25 përqind e ndërmarrjeve që punësojnë 250 ose më shumë persona) sesa ndërmarrjet e mesme (12 përqind e ndërmarrjeve që punësojnë 50 deri 249 persona)”, tha Eurostat.

Të dhënat statistikore flasin se 5 përqind e ndërmarrjeve të vogla që punësojnë mes 10 dhe 49 persona, vitin e kaluar kanë përdorur robotë.

Numri më i madh i ndërmarrjeve që kanë përdorur robotët industrialë ose ata të shërbimeve janë nga Spanja, më saktësisht 11 për qind, ndjekur nga Danimarka dhe Finlanda me nga 10 për qind secila dhe Italia me 9 për qind.

“Niveli më i ulët i përdorimit është regjistruar në Qipro (1 për qind), pasuar nga Estonia, Greqia, Lituania, Hungaria dhe Rumania (të gjitha me 3 për qind)”, tha Eurostat.

Zyra e statistikave tha se robotët industrialë janë përdorur më shumë se robotët e shërbimeve, kryesisht në ndërtimtari me 16 përqind, ndërsa robotët e shërbimit në prodhim dhe në tregti me pakicë, me 4 përqind.

Eurostat sqaron se robotët përbëhen nga elementët përkatës siç janë struktura mekanike, sensorët, kompjuteri, njësia e kontrollit dhe të njëjtit mund të klasifikohen në robotë industrialë dhe robotë të shërbimeve, varësisht nga natyra e përdorimit të tyre.

“Ndërsa robotët industrialë kryesisht përdoren në automotizimin industrial, ndërsa robotët e shërbimit kanë një nivel të caktuar të autonomisë dhe aftësisë për të vepruar në mjedise komplekse të cilat ndonjëherë kërkojnë bashkëveprim me persona”, thotë zyra e BE-së për statistika. aa

Forcat e Armatosura Gjermane shënojnë ceremoninë tradicionale të Vitit të Ri, pianistja e shquar nga Kosova Lule Elezi interpretoi para 700 vetave

Jo vetëm ushtarakët ishin pjesë e kësaj audience të madhe që numëronte mbi 700 persona. Ky koncert i Lule Elezit është përcjellë nga afër edhe nga personalitete të ndryshme nga fusha e politikës, ekonomisë, kulturës, administratës dhe Forcave të Armatosura Gjermane nga Berlini dhe shteti federal Brandenburg.

E veshur me një fustan të zi, me një elegancë të hollë  prej një pianiste të shquar, kosovarja Lule Elezi ka performuar në piano me rastin e ceremonisë tradicionale të Vitit të Ri të Forcave të Armatosura Gjermane, komandantët e Forcave Territoriale (komanda në Brandenburg) dhe Komanda e Përbashkët e Forcave të Armatosura Gjermane në Postdam , e cila ishte e ftuar për të shënuar këtë koncert madhështor, shkruan KultPlus.

Jo vetëm ushtarakët ishin pjesë e kësaj audience të madhe që numëronte mbi 700 persona në sallën Nikolaisaal të Potsdam . Ky koncert i Lule Elezit është përcjellë nga afër edhe nga personalitete të ndryshme nga fusha e politikës, ekonomisë, kulturës, administratës dhe Forcave të Armatosura Gjermane nga Berlini dhe shteti federal Brandenburg.

Me tingujt e veprave të Frederik Shopen, Lule Elezi ka magjepsë audiencën gjermane me programin e saj nga krijimtaria e Shopenit, e cila në këtë koncert është përcjellë edhe nga 25 atashe ushtarak të dërguar nga shtetet respektive, nga ambasadorë të shumtë të akredituar në Gjermani, si dhe ambasadorja kosovare Mimoza Ahmetaj, që aktualisht është shefe e misionit të Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Strasburg.

“Ishte një koncert madhështor, të përcillet interpretimi im nga njerëzit më me ndikim në këtë pjesë të Gjermanisë, dhe nga një masë kaq e madhe, me të vërtetë është emocion që nuk harrohet. Intepretimi im u prit jashtëzakonisht mirë”, ka thënë Elezi për KultPlus, e cila ka treguar se pikërisht nga ky koncert kanë pasuar edhe disa oferta të tjera për bashkëpunime të radhës.

Performanca e shkëlqyeshme e pianistes Elezi u ndoq me kënaqësi nga audienca, që disa herë me ovacione dhe duartrokitje të gjata, dëshmoi profesionalizmin e këtij koncerti.

Pianistja Elezi do të ketë koncertin e radhës më 1 shkurt, në qytetin Ebersëalde, në veri të Berlinit./KultPlus.com

Lule Elezi me Lieutenant General Erich Pfeffer

Fatkeqësi emigrantësh në Detin Mesdhe, 170 të vdekur ose të zhdukur

GJENEVË/MADRID – Të paktën 170 persona kanë humbur jetën ose janë zhdukur në dy fatkeqësi të emigrantëve mbrëmë në Detin Mesdhe.

Sipas informacioneve nga organizatat joqeveritare, si pasojë e përmbysjes së një skafi në Detin Alboran mes Spanjës dhe Marokut, kanë humbur jetën 53 persona, bëri të ditur Komisioni i Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR) në një deklaratë me shkrim.

Një person i cili është shpëtuar nga ana e një varke peshkimi pas bllokimit për 24 orë në det, është marrë në trajtim mjekësor në Marok. Theksohet se aktivitetet e fundit të kërkimit nga ana e anijeve të shpëtimit nga Maroku dhe Spanja nuk kanë dhënë rezultat në gjetjen e skafit.

“Nuk mund të lejojmë që të vazhdojë tragjedia në Detin Mesdhe. Nuk mund të injorojmë vdekjen e shumë njerëzve para derës së Evropës”, është shprehur Filippo Grandi, komisioneri i UNHCR-së, në lidhje me aksidentin më të madh të vitit të ri në Detin Mesdhe me migrantët të parregullt.

Ai theksoi se duhet dhënë çdo përpjekje për shpëtimin e emigrantëve të parregullt.

Fatkeqësi tjetër në Detin Mesdhe

Në një aksident tjetër të cilën e ka raportuar marina italiane në Detin Mesdhe, është njoftuar se kanë humbur jetën ose janë zhdukur 117 emigrantë të parregullt. Ndërkaq, tre persona janë dërguar në ishullin Lampedusa për t’u trajtuar.

“Tre persona të shpëtuar të cilët gjenden në Lampedusa na treguan se në skaf kanë qenë 120 persona. Ato njoftuan se pasi kanë udhëtuar 11 orë në det, skafi ka filluar të fundoset, ndërsa personat në të kanë filluar të mbyten. Kanë pritur tri orë në det që dikush t’i shpëtojë. Ndër 117 personat e zhdukur gjenden dhjetë gra, prej të cilave një shtatzënë, si dhe dy fëmijë, përfshirë një foshnjë”, ka theksuar zëdhënësi i Organizatës Ndërkombëtare të Migrimit (IOM) në Itali, Flavio Di Giacomo,.

Ai gjithashtu tha se tre migrantët e parregullt kanë theksuar se “Më mirë të vdesim sesa të kthehemi në Libi”.

Sipas të dhënave të UNHCR-së, në vitin 2018, 2.262 emigrantë të parregullt në përpjekje për të arritur në Evropë kanë humbur jetën në ujërat e Detit Mesdhe.

Turqia shpreh ngushëllime për fatkeqësinë

Ndërkohë, zëdhënësi i Presidencës së Turqisë, İbrahim Kalın, shprehu ngushëllime në lidhje me përmbysjen e anijes me migrantë të parregullt në ujërat e Libisë në Detin Mesdhe.

“Si pasojë e fundosjes së një skafi të migrantëve në ujërat e Libisë, kanë humbur jetën 117 persona. Lus Zotin t’i mëshirojë të vdekurit. Sistemi ndërkombëtar i cili mbetet i heshtur dhe nuk zgjidh dramën që nuk përfundon, është fytyra moderne e barbarizmit”, ka shkruar Kalın në Twitter.aa

Një person vetëdigjet në qendër të Pragës

Pragë, 18 janar 2019.

Një qytetar çek e dogji veten të premten në qendër të Pragës – në vendin ku aktivisti Jan Palach është vetëdjegur 50 vjet më parë në shenjë proteste ndaj pushtimit sovjetik të Çekosllovakisë.

I vetëdjeguri është dërguar në spital me plagë në kokë dhe duar, thanë zyrtarët.

“Një person i lindur në vitin 1964 i ka vënë vetes flakën rreth orës 3:00, duke përdorur një substancë djegëse”, tha policia e Pragës në një postim në Twitter.

Zëdhënësja e shërbimeve emergjente në Pragë, Jana Postova, tha se “pacienti, me 30% të trupit të djegur, është vënë në komë artificiale”.

Republika Çeke ka shënuar këtë javë 50-vjetorin e vetëfljimit të Palachut me ceremoni zyrtare.

Gjermania i kërkon Rusisë të parandalojë garën në armatim

Ministri i Jashtëm i Gjërmanisë, Heiko Maas, dhe homologu i tij rus, Sergei Lavrov. Moskë, 18 janar 2019.

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Heiko Maas, i bëri thirrje Rusisë që të ndihmojë në parandalimin e garës në armatim, duke e ruajtur një marrëvëshje të rëndësishme për këtë çështjë me Shtetet e Bashkuara.

Duke folur gjatë një vizite në Moksë, Maas kërkoi nga Rusia që të shkatërrojë një lloj rakete për të cilën Uashingtoni thotë se e shkel marrëvëshjen.

Vitin e kaluar, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë se SHBA-ja do të tërhiqet nga Traktati i Forcave Bërthamore me Rreze të Mesme, për shkak të shkeljeve të Rusisë.

Duke reaguar ndaj deklaratave të Maasit, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, tha se Moska nuk e ka shkelur traktatin e vitit 1987.

Lavrov tha se zyrtarët amerikanë e kanë njoftuar Rusinë se vendimi i tyre është përfundimtar dhe se nuk është i hapur për negociata.

Uashingtoni ka thënë se do të dalë nga marrëveshja në fillim të shkurtit nëse Moska nuk i ndalon shkeljet.

Rusia e mohon se raketa në fjalë, 9M729, e shkel Traktatin e Forcave Bërthamore me Rreze të Mesme.

Në fokusin e piktorit Avni Delvina: “Perandoria Europiane dhe Augusti i sotem”

Piktori i njohur Avni Delvina sjell një grafikë të re me titullin: 

“Perandoria Europiane dhe Augusti i sotem”

Fotografia e Avni Delvina

 

Tradita 300-vjeçare në Spanjë: Kalorësit kërcejnë zjarrin për të larë mëkatet

SAN BARTOLOME DE PINARES  – Në festivalin “Las luminarias” në San Bartolome de Pinares të Spanjës, kalorësit dhe kuajt e tyre kanë kërcyer nëpër zjarr në mënyrë që, sipas besimit të tyre, të pastrohen nga mëkatet.

Bëhet fjalë për një traditë 300 vjeçare sipas së cilës, kërcimi me kalë mbi zjarr mbron nga shpirtrat dhe sëmundjet e liga.

Kjo ngjarje në fshatin e vogël San Bartolome de Pinares, që ndodhet 100 kilometra nga Madridi, këtë vit bëri bashkë një numër të madh pjesëmarrësish dhe vizitorësh të cilët erdhën në fshatin me 600 banorë për të parë këtë spektakël i cili tashmë është shndërruar në një atraksion turistik.

Në festivalin “Las luminarias” në San Bartolome de Pinares të Spanjës, kalorësit dhe kuajt e tyre kanë kërcyer nëpër zjarr në mënyrë që, sipas besimit të tyre, të pastrohen nga mëkatet. Bëhet fjalë për një traditë 300 vjeçare sipas së cilës, kërcim me kalë mbi zjarr mbron nga shpirtrat dhe sëmundjet e liga.

Festivali filloi me një meshë në kishë, pas çka në 20 lokacione të ndryshme të fshatit u ndezën degë të pishës. Ngjarja zgjati rreth dy orë, gjatë së cilës kuajt kapërcyen nëpër zjarr dhe tym, që, sipas besimit të tyre, do t’i pastrojë dhe mbrojë nga shpirtrat e ligë.

Ky ritual disashekullor bëhet në kujtim të “Shën Antonit”, megjithatë së fundmi është në qendër të kritikave të cilat adresohen nga mbrojtëit e kafshëve, të cilët brengosen për faktin se kuajt kalojnë nëpër zjarr.

Shoqata të ndryshme kanë nisur një fushatë për ndalimin e kësaj tradite. aa

Gjermani, greva e personelit të sigurisë shkakton kaos në aeroporte

BERLIN – Për shkak të grevës së personelit të sigurisë, të cilët kërkojnë rroga më të larta, janë anuluar fluturime në tetë aeroporte në Gjermani.

Sindikata “ver.di” të martën i bëri thirrje personelit të sigurisë në aeroporte, mes të cilave janë edhe ato në Frankfurt, Hamburg, Hannover dhe Bremen, që të braktisin punën prej dy orësh në mëngjes deri në 20 orë.

Agjencia gjermane DPA raporton se vetëm në Frankfurt janë anuluar 570 fluturime, ndërsa pasojat mund t’i ndjejnë deri në 220.000 pasagjerë.

“Ver.di” njoftoi se ende presin që punëdhënësit të marrin vendim për rritjen e rrogave të 23.000 nëpunësve të sigurisë që zbatojnë kontrolle nëpër aeroporte. Sindikata kërkon që orët t’u rriten në 20 euro.

Greva e javës së kaluar e personelit të sigurisë në Gjermani shkaktoi vonesa dhe anulime të qindra fluturimeve.

Gjermania shpreh qëndrimin për afatet e arritjes së marrëveshjes Prishtinë-Beograd

Ambasadori i Gjermanisë në Serbi, Thomas Schieb, deklaroi se nuk ekzistojnë afate për arritjen e marrëveshjes për normalizimin e raporteve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

“Shresojmë se dialogu për normalizimin e raporteve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës të rifillojë sa më shpejt dhe të vijë deri te përparimi” ka deklaruar Schieb për gazeten “Veçernje Novosti”.

Në pyetjen nëse Berlini do të ushtrojë presion ndaj Prishtinës në mënyrë që ajo të tërheq tarifën ndaj mallrave serbe, Schib ka thënë se janë në kontakt me autoritetet në Prishtinë, dhe se disa herë e kanë bërë të qartë, edhe përmes ministrit të Jashtëm, se e kundërshtojnë këtë masë duke i bërë thirrje Prishtinës që ta tërheqë vendimin.

Diplomati gjerman shtoi se qëndrimi i Berlinit vazhdon të jetë në atë që Prishtina dhe Beogradi duhet ta udhëheqin dialogun i cili ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, dhe se një format i tillë duhet të mbetet edhe më tutje.

Zëri i Amerikës: BE-ja i kërkon sërish Kosovës anulimin e tarifave ndaj mallrave serbe

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, u bëri thirrje sërish të martën autoriteteve të Kosovës që të anulojnë tarifat prej 100 për qind ndaj mallrave serbe.

Ajo ritheksoi kërkesën gjatë takimit me ekipin negociator të Kosovës për bisedimet me Serbinë, i cili po qëndron të martën në Bruksel në takimin e parë me zyrtarët e BE-së pas themelimit të tij më 15 dhjetor.

Në një njoftim të zyrës së zonjës Mogherini thuhet se takimi ishte një mundësi për të biseduar me përfaqësuesit e Kosovës lidhur me bisedimet. “Në këtë kuadër ajo ka ritheksuar urgjencën për shfuqizimin e tarifës doganore, të vendosur nga qeveria e Kosovës”.

Komunikata citon zonjën Mogherini të ketë thënë se “arritja e marrëveshjes gjithëpërfshirëse, ligjërisht detyruese për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, në kuadër të dialogut, kërkon një klimë që kontribuon në marrëdhënie të mira fqinjësore, ku marrëveshjet e arritura më herët duhet të respektohen dhe zbatohen dhe veprimet e deklaratat, që nuk janë në interes të përgjithshëm dhe objektivat strategjike të rajonit, duhet të shmangen”.

Por kryesuesit e ekipit të Kosovës, Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti thanë pas takimit me zonjën Mogherini se tarifat janë përgjigje ndaj fushatës agresive të Serbisë ndaj Kosovës dhe duhet të hiqen arsyet për vendosjen e saj në radhë të parë.

“Serbia duhet t’i pushojë të gjitha arsyet pse ne e kemi ngritur taksën. Ka shumë kushte që Serbia të plotësojë që të tërhiqet taksa. Kjo nuk është e njëanshme. Nën kushte të tilla ne tash e 10 vjet jetojmë me Serbinë dhe askush nuk është lodhur për këtë punë. Ne tani jemi në momentin ku të gjithë duhet ta krijojmë klimën për dialog dhe jo vetëm Kosova. Ne jemi të gatshëm që të bëjmë hapin. Pra, edhe çështja e taksave. Me një marrëveshje gjithëpërfshirëse më nuk do të ketë nevojë për taksë. Marrëveshja gjithëpërfshirëse, njohja e Kosovës dhe praktikisht më nuk do të ketë nevojë për taksë”, tha zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj.

E vendosur me 21 nëntor të vitit që lamë pas, tarifa nxiti reagimin e Bashkimit Evropian por edhe thirrjet e Shteteve të Bashkuara për heqjen e saj, ndërsa Beogradi kushtëzon vazhdimin e bisedimeve me anulimin e tarifave.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, shkroi një ditë ma parë se “Kosova është gati të shqyrtojë heqjen e taksës për prodhimet serbe nëse i jepet një rrugë e qartë drejt arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare paqësore me Serbinë”.

Ai i bëri jehonë kësisoj deklaratës së tij për “The Washington Post”, ku ka kërkuar që Shtetet e Bashkuara të marrin një rol udhëheqës në bashkërendimin e përfshirjes ndërkombëtarë për “marrëveshjen paqësore finale që do të sjellë njohjen e Kosovës nga Serbia. Ndërgjegjja jonë na kërkon – dhe është detyrë e jona historike – që të bëjmë paqen të mundshme dhe të vërtetë”, shkroi ai.

Zyrtarë të qeverisë, thanë në rrjetet sociale se tarifa nuk mund të hiqet nga presidenti.

Me 15 dhjetor, bashkë me ekipin negociues, parlamenti miratoi edhe një rezolutë me të cilën sic thuhet “konfirmohet pacenueshmëria dhe patjetërsueshmëria e sovranitetit shtetëror, tërësisë tokësore dhe karakterit unitar të Kosovës”, një formulim që hedh poshtë cdo mundësi të diskutimit të prekjes së kufijve, cështje që u ngrit gjatë vitit të kaluar nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë Aleksandër Vuçiç.

Çfarëdo marrëveshjeje, kërkon votat e dy të tretave të parlamentit 120 vendesh të Kosovës ku nuk ka një konsensus gjithëpërfshirës.

Ekipi është kundërshtuar nga dy partitë më të mëdha opozitare, Lidhja Demokratike dhe Lëvizja Vetëvendosje, që kërkojnë zgjedhje të parakohshme për të siguruar një përfaqësim të ligjshëm të Kosovës.

Bashkimi Evropian, i cili në pranverë do të ketë zgjedhje të brendshme, është vënë në përpjekje për përshpejtuar arritjen e një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që është edhe kusht për integrimin e tyre.

Në dhjetor, presidenti amerikan Donald Trump u dërgoi letra presidentit Thaçi dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, duke u bërë thirrje të dyja palëve “që të shfrytëzojnë kohën e duhur për të arritur një marrëveshje pajtimi ndërmjet tyre”, marrëveshje që siç thuhet, “do të pasqyronte në mënyrë të drejtpeshuar interesat e të dyja palëve”.

Bruksel – Ekipi negociator përfundon takimin me zyrtarët e BE-së

Bekim Bislimi

Në Bruksel ka përfunduar takimi ndërmjet Delegacionit shtetëror të Kosovës për dialog me Serbinë dhe Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Politika të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Federica Mogherini.

Pas takimit, dy bashkëdrejtuesit e Delegacionit shtetëror të Kosovës, Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti, kanë theksuar se në takim kanë prezantuar rezolutën dhe Ligjin për dialogun, si dhe ia kanë sqaruar zonjës Mogherini rolin e këtij delegacioni dhe gatishmërinë për të diskutuar për të gjitha temat e hapura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të cilat do të çonin deri te një marrëveshje gjithëpërfshirëse, me kushtin parësor, njohjen reciproke.

Shpend Ahmeti ka theksuar se sipas zonjës Mogherini, duhet të punohet me një orar më të ngjeshur në gjysmën e parë të këtij viti, për të parë nëse do të mund të arrihet një marrëveshje.

“Sipas Mogherinit, për BE-në, çdo marrëveshje që është e pranueshme për të dyja palët – por marrëveshje, e cila i përfaqëson vlerat e Bashkimit Evropian – është e pranueshme edhe për ta. Pra, nuk mund dhe nuk do të kemi shtete etnikisht të pastra, sepse ajo nuk është vlerë e BE-së. Nuk mund të kemi kufij që ndajnë etnitë në vija të tilla”, theksoi Ahmeti.

Ai ka shtuar se tashmë i kanë sqaruar Mogherinit që Delegacioni shtetëror nuk është në mbështetje të dikujt apo që dikush është në mbështetje të delegacionit dhe se Delegacioni shtetëror ka mandat nga Kuvendi.

Gjithashtu, në takim me Mogherinin është ngritur edhe çështja e taksës për mallrat nga Serbia, për të cilën Beogradi ka shprehur qëndrimin se pa heqjen e tarifës nuk do të ketë vazhdim të dialogut.

Fatmir Limaj, bashkëkryesues i Delegacionit shtetëror të Kosovës, ka theksuar se zonjës Mogherini i janë bërë të qarta politikat obstruksioniste që i ka ndërmarrë Serbia ndaj Kosovës.

“Ne e thamë aty se duhet të hiqen arsyet për të cilat ka ardhur taksa. Serbia duhet t’i pushojë të gjitha arsyet pse ne e kemi ngritur taksën. Ka shumë kushte që Serbia të plotësojë që të tërhiqet taksa. Kjo nuk është e njëanshme”, tha ai.

“Nën kushte të tilla ne tash e 10 vjet jetojmë me Serbinë dhe askush nuk është lodhur për këtë punë. Ne tani jemi në momentin ku të gjithë duhet ta krijojmë klimën për dialog dhe jo vetëm Kosova. Ne jemi të gatshëm që të bëjmë hapin. Pra, edhe çështja e taksave. Me një marrëveshje gjithëpërfshirëse më nuk do të ketë nevojë për taksë. Marrëveshja gjithëpërfshirëse, njohja e Kosovës dhe praktikisht më nuk do të ketë nevojë për taksë”, theksoi Limaj.

Zëdhënësja e Bashkimit Evropian, Maja Kociajançiq, të hënën, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se Ekipi negociator i Kosovës për bisedime me Serbinë, është ftuar nga Bashkimi Evropian për konsultime në Bruksel. Por, sipas saj, bisedimet në nivelin e lartë politik, do të vazhdojnë ndërmjet dy presidentëve, të Kosovës dhe të Serbisë.

“Zyra e Bashkimit Evropian për çështje të jashtme ka ftuar delegacionin nga Kosova të zgjedhur nga Kuvendi i Kosovës më 15 dhjetor, për konsultime në Bruksel më 8 janar. Ekipi gjithashtu do të pritet nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini. Konsultimet janë një mundësi për të diskutuar me përfaqësuesit e Kosovës në dialog për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, që lehtësohet nga BE-ja. Dialogu në nivelin e lartë bëhet ndërmjet dy presidentëve dhe kjo nuk ndryshon”, ka thënë Kocijançiq për Radion Evropa e Lirë.

Përderisa Ekipi negociator i Kosovës ka nisur takimin me zyrtarët e BE-së në Bruksel, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, ka shprehur mbështetjen e tij për delegacionin e Kosovës.

Ai ka thënë se ky delegacion “ka mandat të plotë legal dhe legjitim nga Kuvendi i Kosovës”.

“Kosova është e gatshme dhe e vendosur për dialog me Serbinë. Vendimet që do të merren do të jenë në respekt të plotë të shtetit të pavarur e sovran të Kosovës dhe në koordinim më partnerët tanë perëndimorë, si dhe të gjithë mbështetësit e shtetit tonë”.

“Refuzimi i dialogut nuk është alternativë. As zgjidhje. Për më tepër do të ishte një favorizim i Serbisë në arenën ndërkombëtare”, ka shkruar Veseli në Facebook.

Ai ka shtuar se Kosova hyn në dialog me qëllime të qarta: njohje e shtetit të Kosovës nga ana e Serbisë dhe anëtarësimin në OKB, si dhe që nuk do të lejohet asnjë rezultat që dobëson integritetin e shtetit të Kosovës.

LDK: Ekipi negociator nuk ka bazë kushtetuese

Besian Mustafa, zëdhënësi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, në një konferencë për medie ka thënë se Ekipi negociator i Kosovës në dialog me Serbinë, nuk ka asnjë bazë kushtetuese dhe është mandatuar me vetëm 59 vota në Kuvendin e Kosovës.

“E konsiderojmë si një grup negociator pa legjitimitet sa i përket aspektit kushtetues. Në anën tjetër, kemi deklaratat e Komisionit Evropian ose Zyrës së komisionarës Mogherini, të cilët thonë që ‘ne do të takohemi me grupin negociator, por në fakt diskutimet vendimmarrëse vazhdojnë në nivelin e presidentëve’. Kjo e vë në pikëpyetje edhe vet ekzistencën e këtij grupi negociator, në rast se vendimmarrja do të merret në nivelin e presidentëve”, ka thënë Mustafa.

Ai ka shtuar se Qeveria e Kosovës po e “shëtitë” përgjegjësinë e negociatave me Serbinë nga kryeministri e te presidenti, e më pas te ekipi negociator, që sipas tij nuk ka bazë kushtetuese.

Mustafa ka theksuar se LDK-ja është për një dialog, ku Serbia e njeh Kosovën të pavarur dhe jo për një dialog ku Serbia vendos mbi shtetësinë e Kosovës dhe kufijtë e saj.

Në anën tjetër, bashkëkryesuesit e Ekipit negociator, para udhëtimit për në Bruksel, u kanë thënë mediave se takimi i paralajmëruar për datën 8 janar, është më tepër i natyrës konsultative.

Siç është thënë ky takim ka për qëllim njoftimin e Brukselit zyrtar me delegacionin e Kosovës, përkushtimin dhe qëndrimin për dialogun, si dhe shpërfaqjen e ideve për platformën e dialogut. Gjithashtu, bashkëkryesuesit e Ekipit negociator kanë theksuar edhe pritjet që kanë nga Brukseli zyrtar, si lehtësues i dialogut Kosovë-Serbi, që të paraqesë pikëpamjet mbi pjesën përfundimtare të dialogut ndërmjet dy vendeve.

Më herët, përfaqësuesit e Ekipit negociator kanë shprehur besimin që rezultati i dialogut të Brukselit duhet të jetë njohja e Kosovës nga Serbia, gjë që do të mundësonte edhe anëtarësimin në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Formimi i Ekipit negociator ka ardhur si rezultat i synimit të Qeverisë së Kosovës që ta zbehë rolin udhëheqës të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, në dialogun me Serbinë, pas idesë së këtij të fundit për “korrigjim” të kufirit, si mënyrë e arritjes së një marrëveshje paqësore me Serbinë. Kjo ide është kundërshtuar fuqishëm nga kryeministri Ramush Haradinaj, por edhe nga partitë në opozitë.

Më 15 dhjetor 2018, Kuvendi i Kosovës pati miratuar një rezolutë për dialogun me Serbinë. Ndërkaq, më 24 dhjetor 2018, Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektligjin për detyrat, përgjegjësitë dhe kompetencat e Delegacionit Shtetëror të Republikës së Kosovës në procesin e dialogut me Serbisn, të cilin pritet ta dërgojë për miratim në Kuvend. Por, dy partitë e mëdha opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, nuk i kanë dhënë mbështetjen as rezolutës për dialogun e as Ekipit negociator.

Zyrtarizohet pavarësia e kishës ortodokse ukrainase

Patriarku ekumenik i Kostandinopojës ka dekretuar pavarësinë e Kishës Ortodokse të Ukrainës.

Patriarku Bartolomeu nënshkroi të shtunën të ashtuquajturin “Tomos”, ose dekretin në Stamboll, që zyrtarizon ndarjen e Kishës ukrainase nga Kisha Ortodoske ruse, me të cilën ka qenë e bashkuar që në vitin 1686.

Ky veprim ia lë tani klerikëve ukrainas përgjegjësinë që të vendosin se cilën palë të zgjedhin, ndërsa vazhdojnë luftimet në Ukrainën lindore mes forcave qeveritare dhe kryengritësve të mbështetur nga Rusia.

Udhëheqësit ortodoksë ukrainas e miratuan krijimin e një kishe të re të pavarur nga Patriarkati i Moskës dhe zgjodhën Metropolitin Epifanius për ta drejtuar atë.

Presidenti ukrainas Petro Poroshenko, që kishte bërë fushatë për krijimin e një kishe të re, u takua me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan para ceremonisë.

Kisha ruse i ka shkëputur lidhjet me Stambollin, që është qendra e botës ortodokse.

Griveaux: “Jelekët e verdhë” duan përmbysjen e qeverisë franceze

PARIS – Zëdhënësi i Qeverisë së Francës, Benjamin Griveaux, ka deklaruar se “jelekët e verdhë” që vazhdojnë protestat duan të përmbysin qeverinë.

Duke i akuzuar “jelekët e verdhë” se ndodhen brenda një përpjekjeje politike, zëdhënësi Griveaux tha se ata duan përmbysjen e qeverisë.

Qeveria u ka dhënë përgjigje në mënyrë të shpejtë kërkesave të “jelekëve të verdhë”, tha Griveaux, duke kërkuar që edhe “jelekët e verdhë” të marrin pjesë në punimet për të gjetur zgjidhje ndaj problemeve që kanë shkaktuar protesta në rajone të ndryshme të vendit.

Bëhet e ditur se në protestat e zhvilluara nga “jelekët e verdhë” në 200 pika të ndryshme të vendit ditën e djeshme kanë marrë pjesë rreth 2.500 persona.

Protestat

Protestat e “jelekëve të verdhë”, të cilat filluan si një reagim ndaj rritjes së taksave të karburantit dhe u zhvilluan në një kryengritje kundër presidentit francez, Emmanuel Macron, janë shndërruar në protestat më të dhunshme të viteve të fundit në vend.

Që nga 17 nëntori, mijëra protestues të quajtur “jelekët e verdhë”, tubohen në qytetet kryesore franceze, përfshirë kryeqytetin e Parisit, për të protestuar ndaj rritjes së diskutueshme të taksave të karburantit dhe përkeqësimit të gjendjes ekonomike.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Drejtësisë në protesta gjatë periudhës 17 nëntor-17 dhjetor kanë humbur jetën të paktën 10 persona, mbi 1.000 të tjerë janë plagosur, mbi 4.500 janë ndaluar dhe 216 janë arrestuar. aa

Sulm kibernetik në Gjermani, qindra politikanë në shënjestër

Qeveria gjermane njoftoi se të dhëna private të qindra politikanëve të vendit, përfshirë edhe kancelaren Angela Merkel, janë hakeruar dhe postuar në Twitter.

Zëdhënësja e qeverisë gjermane Martina Fietz u tha gazetarëve të premten në Berlin se “të dhënat personale dhe dokumentet që u përkisnin qindra politikanëve dhe figurave publike janë publikuar në internet”. Ajo shtoi se “qeveria po e trajton këtë rast me shumë seriozitet”.

Në lidhje me sulmin kibernetik ndaj zyrës së kancelares Merkel, zonja Fietz tha se të dhënat paraprake tregojnë se “nuk ka patur rrjedhje të informacioneve sensitive”.

Të dhënat e vjedhura, përfshirë adresat personale, numrat e telefonit celular, letra, kopje të dokumenteve të identitetit, në disa raste fatura dhe karta krediti, janë publikuar në Twitter në muajin dhjetor, por u zbuluan gjatë kësaj jave.

Përtej politikanëve në shënjestër ishin edhe figura të tjera publike e gazetarë.

Gazeta e përditshme gjermane Bild dhe transmetuesi publik RBB ishin të parët që njoftuan rreth ngjarjes. Bild njoftoi se autoritetet gjermane i kanë kërkuar Agjensisë amerikane të Sigurisë Kombëtare që të ndihmojë në hetimin e sulmit kibernetik.

Ambasadori verikorean në Itali “po fshihet”

Ambasada e Koresë së Veriut në Romë

Një diplomat i Koresë së Veriut, i cili deri së voni ka shërbyer si ambasador në Itali, po fshihet, bëri të ditur agjencia e spiunimit e Koresë së Jugut.

Ligjvënësi jugkorean, Kim Min-ki, tha se një zyrtar nga Shërbimi Kombëtar i Inteligjencës e ka ndarë informacionin me deputetët jugkoreanë gjatë një seance me dyer të mbyllura.

Kim tha se Jo Song-gil, ambasador i Phenjanit në Romë, dhe gruaja e tij e kanë lënë rezidencën në fillim të nëntorit, disa javë përpara se mandati i tij të përfundonte.

Njoftimi pason disa raporte të pakonfirmuara se Jo ka kërkuar azil në një shtet perëndimor.

Koreja e Veriut nuk ka komentuar ende mbi statusin e diplomatit.

Jo, 48 vjeç, është bërë ushtrues i detyrës së ambasadorit në Romë në tetor të vitit 2017, pasi Italia e ka dëbuar ambasadorin e atëhershëm, Mun Jong-nam, në shenjë proteste për një provë bërthamore që ka kryer Koreja e Veriut.

Parma Itali foshnja e parë për vitin 2019 është shqiptar

Foshnja e parë e vitit 2019 që ka lindur në Parma të Italisë është shqiptar.

Vogëlushi, i cili do të quhet Noel, një zgjedhje kjo e prindërve Mirela dhe Zamir Haxhiaj, lindi në orën 02.07 minuta të 1 janarit, dhe peshon 3.550 gram.

Lindja e Noelit u shoqërua me shumë urime nga stafi mjeksor, të afërmit e familjes. Ndërsa mediat lokale shkruajnë se të pestë foshnjet e ardhura në jetë në këtë maternitet orët e para të 2019, janë djem.

Angela Merkel: Demokracia jeton nga ndryshimet

Kancelarja gjermane Angela Merkel është vetëkritike – ajo apelon për më shumë unitet në vend dhe i betohet idesë për një Evropë të fuqishme. Ndërsa krizat ndërkombëtare: Gjermania duhet të marrë më shumë përgjegjësi.

Në fjalimin e saj të fundvitit, kancelarja Angela Merkel u drejtohet së pari njerëzve në vendin e saj. “Të dashur bashkëvendase dhe bashkëvendas”, ishte përshëndetja e saj në fillim. Por fjalët e saj janë dëgjuar me siguri me vëmendje edhe jashtë Gjermanisë. Kur Angela Merkel flet, nga perspektiva e saj, për një vit të vështirë politik, atëherë fjalën e ka për dy këndvështrime – nacional dhe ndërkombëtar.

Kancelarja gjermane e filloi fjalimin me krijimin e vështirë të një koalicioni të ri, pas zgjedhjeve të vitit 2017. Gjashtë muaj kanë zgjatur negociatat, “e kur e krijuam koalicionin, së shpejti filluan grindjet dhe kemi qenë të detyruar që shumë kohë të merremi me vetveten”. Kristjandemokratja nuk e përmendi asnjë shembull konkret, por dy gjëra kanë mbetur në mendje: Mosmarrëveshjet permanente me ministrin e Brendshëm Horst Seehofer dhe partinë simotër CSU, si dhe mosmarrëveshjet me socialdemokratët. Shkaku i grindjeve ka qenë në radhë të parë çështja e migrimit.

Çështjet më të rëndësishme – klima, migrimi, terrorizmi

Merkel megjithatë thotë se klima e tendosur brenda koalicionit qeverisës nuk është shkaku i paralajmërimit të saj të tërheqjes nga politika, ne fund të mandatit të tanishëm. Këtë vendim e ka marrë ajo “pavarësisht zhvillimeve gjatë vitit 2018”. Ndërkohë janë mbushur 13 vjet nga fillimi i qeverisjes së saj (2005) dhe “ky është shkak i mjaftueshëm” për të bërë këtë hap. “Demokracia jeton nga ndryshimet.”

Merkel është e bindur se mund të përballemi me sukses me të gjitha sfidat e tanishme, “nëse jemi unikë dhe bashkëpunojmë edhe me të tjerët jashtë vendit”. Këtu e ka fjalën për sfidat, si ndryshimi i klimës, por edhe zgjidhja e çështjes së emigrimit si dhe lufta kundër terrorizmit ndërkombëtar. “Zgjidhja e këtyre çështjeve është në interesin tonë.”

Roli i Gjermanisë në KS të OKB

Por Merkeli ka edhe dyshime në lidhje me gatishmërinë për përballje me këto sfida. Me siguri që ka probleme me bashkëpunimin, thotë Merkel. Por sërish nuk e thotë asnjë shembull konkret. Ajo mendon këtu për politikën nacionaliste këndej dhe andej Atlantikut. Konkludimi i saj: “Në një situatë të tillë, duhet të angazhohemi edhe më fuqishëm për realizimin e bindjeve tona, duhet të argumentojmë dhe luftojmë.”

Sa i përket anëtarësisë së Gjermanisë në KS të OKB në dy vitet e ardhshme, Merkel thotë “se Gjermania do të angazhohet atje për zgjidhjen e çështjeve globale”. “Ne do t’i shtojmë mjetet tona financiare për ndihma humanitare, zhvillim por edhe për mbrojtje.” Do të angazhohemi që Bashkimi Evropian “të jetë më i fuqishëm dhe më i aftë për marrjen e vendimeve”. Ndërsa me Britaninë e Madhe do të “kemi një partneritet të ngushtë”, pavarësisht daljes nga BE.

Merkel kërkon më shumë “transparencë, tolerancë dhe respekt”

Kancelarja Merkel apelon tek bashkëvendasit e saj që në maj, në zgjedhjet për Parlamentin Evropian, “t’i mbeten besnikë projektit të paqes, mirëqenies dhe sigurisë”. Në fund të fjalës së saj me rastin e Vitit të Ri 2019, Merkeli sërish u drejtohet qytetarëve të Gjermanisë, me fjalët se “‘Qeveria synon më shumë barazi” me qëllim që “të gjithë të kenë mundësi shkollimi, banimi dhe sigurim shëndetësor”.

“Ne po angazhohemi për zgjidhjet më të mira. Por gjithmonë duke ruajtur vlerat e përgjithshme si transparenca, toleranca dhe respekti”. Merkeli është e shqetësuar për ashpërsimin e klimës në shoqërinë gjermane gjatë vitit 2018. Por ajo është e bindur se: “Nëse jemi të bindur për vlerat dhe idetë tona, atëherë mund të krijohen vetëm gjëra të reja dhe të mira.”/DW

Katalonja do të vazhdojë kërkesën për pavarësi në vitin 2019

MADRID – Qeveria e administratës autonome të Katalonjës, e cila dëshiron të ndahet nga Spanja, ka dhënë mesazhin se nismat pro-pavarësisë do të vazhdojnë në vitin 2019.

President i Qeverisë së Administratës Autonome të Katalonjës, Quim Torra, në mesazhin e tij për vitin e ri të publikuar në televizionin katalonjas u ka bërë thirrje mbështetësve pro pavarësisë që “të jenë të bashkuar në vitin 2019 dhe të jenë kundër padrejtësisë”.

Torra ka uruar që viti 2019 të jetë rast “Për të përmbysur muret e presionit të shtetit spanjoll dhe kundërshtimin e padrejtësisë”.

Quim Torra, i cili dëshiron “një zgjidhje paqësore dhe demokratike” për Katalonjën që nuk e braktis kërkesën e saj për pavarësi, në këtë drejtim i ka kërkuar kryeministrit spanjoll Pedro Sanchez që të nisë “një dialog që të jetë i sinqertë, i guximshëm dhe i besueshëm”. Po ashtu Torra ka ripërsëritur edhe kërkesën e tij për ndërmjetësim ndërkombëtar në zgjidhjen e problemit të Katalonjës.

Kryeministri spanjoll Sanchez, i cili është edhe lideri i Partisë Socialiste laburiste, më 20 dhjetor u takua në Barcelonë me presidentin e Qeverisë së Administratës Autonome të Katalonjës, Quim Torra.

Sanchez, duke i konsideruar “të panegociueshme” kërkesat e Katalonjës për pavarësi, ai ka thënë se ishte pro dialogut për të zgjidhur problemet në Katalonjë.

“Rreth statusit të autonomisë dhe kushtetutës mund të flasim çdo gjë. Jashtë këtyre asgjë”, ka deklaruar Pedro Sanchez, duke i cilësuar “monolog” 21 pikat që Torra kishte paraqitur për të negociuar në takimin në fjalë.

Junckeri shpreh dyshimet mbi mandatin presidencial të Romanisë në BE

Presidenti i Komisionit Evropian, Jean Claude Juncker ka shprehur dyshimet mbi aftësinë e Rumanisë për të marrë mandatin presidencial të udhëheqjes së Bashkimit Evropian, që ndryshohet çdo gjashtë muaj.

Juncker është cituar më 29 dhjetor në mediat gjermane duke thënë se Rumania është “teknikisht e përgatitur mirë”.

“Por besoj se Qeveria në Bukuresht ende nuk e ka kuptuar se çfarë do të thotë të udhëheqësh shtetet e BE-së”, shtoi ai.

Rumania do të udhëheq presidencën e Bashkimit Evropian nga 1 janari, për herë të parë që nga anëtarësimi në vitin 2007 në bllok.

Juncker shtoi se presidenca e Bashkimit Evropian “kërkon vullnet për të dëgjuar të tjerët. Kam dyshime mbi këtë”.

Ai po ashtu, vuri në dyshim kapacitetin e shtetit për të mbajtur unitetin, për shkak të problemeve të brendshme politike.

“Duhet të ketë unitet në shtëpi për të fuqizuar unitetin në Evropë gjatë mandatit”, tha Juncker.

Në nëntor, presidenti i Rumanisë, Klaus Iohannis, tha se vendi i tij nuk është i gatshëm për të përmbushur këtë detyrë.

Ai iu referua një situate ku përfshihet lideri i Partisë Social Demokrate, Liviu Dragnea, i cili e pati të pamundur të zgjidhet kryeministër për shkak të akuzave për mashtrim në zgjedhje.

“Ne jemi të përgatitur dhe besoj se mund t’ia dalim”, tha Iohannis më 21 dhjetor.

Miratohet plani për tunelin mes Danimarkës dhe Gjermanisë

Rregullatorët në Gjermani kanë miratuar një plan për ndërtimin e një tuneli nënujor prej 8 miliard dollarësh që do të lidhë Danimarkën dhe Gjermaninë.

Zyrtarët në Schleswig-Holstein, shteti më verior i Gjermanisë miratuan planin të premten, i cili bën thirrje për 19 kilometra tunel hekurudhor dhe rrugor, që lidh ishullin danez të Lollandit me ishullin gjerman Fehmarn.

Projekti, që do të ndërtohet nga shoqëria shtetërore e Danimarkës, Femern A/S, përfshin një autostradë me katër korsi dhe një hekurudhë me dy pista. Projekti do të financohet pjesërisht nga Bashkimi Evropian.

Femern A/S ka tani 14 ditë për të shqyrtuar miratimin nga ministria e transportit në shtetin Schleswig-Holstein para se ta nënshkruaj kontratën.

Drejtori i projektit, Claus Dynesen, tha në një deklaratë se kushtet mjedisore, të cilat kanë vonuar procesin që nga fillimi i projektit pesë vjet më parë, janë përmbushur.

Kërkesa për ndërtimin e tunelit u paraqit fillimisht në vitin 2013 dhe ka kaluar nëpër dy faza konsultimesh publike në Gjermani.

Pjesa më e madhe e punëve ndërtimore do të zhvillohet në një fabrikë në qytetin danez Rodbyhavn.

Lidhja hekurudhore dhe rrugore do të sigurojnë një korridor të shpejtë mes Kopenhagenit dhe Hamburgut. Pritet që ndërtimi i tunelit të sjellë zvogëlimin e kohës së udhëtimit me tren mes dy qyteteve nga koha aktuale e pak më shumë se pesë orë, në pak më shumë se dy orë.

Gjermania kundërshton vendosjen e armëve bërthamore në Evropë

Gjermania do të kundërshtonte fuqishëm çdo lëvizje për të vendosur raketa të reja bërthamore në Evropë, nëse traktati kyç i kontrollit të armëve të periudhës së Luftës së Ftohtë do të hiqet, tha Ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas për agjencinë DPA.

“Në asnjë rrethanë Evropa nuk do të bëhet një skenë për një debat riarmatosje. Vendosja e raketave të reja të mesme do të përballet me rezistencë të gjerë në Gjermani,” tha ai.

Shtetet e Bashkuara kanë kërcënuar se do të tërhiqen nga Traktati i Forcave Bërthamore me Rreze të Ndërmjetme Veprimi i vitit 1987, i cili ndalon Moskën dhe Uashingtonin që të vendosin në Evropë raketa tokësore me gamë të shkurtë dhe të mesme veprimi.

Shpërthen vullkani në Itali, mbyllet aeroporti i Katanias

Mali Etnës në Itali, vullkani më i lartë dhe më aktiv i Evropës, shpërtheu të hënën, duke liruar një sasi të madhe hiri në qiell si dhe duke shkaktuar mbylljen e aeroportit Catania në Sicili.

Rreth 130 dridhje të tokës ndodhën, më e fuqishmja prej 4.0 shkallë të Rihterit, njoftoi Instituti Kombëtar për Gjeofizikë i Italisë.

Nuk ka raportime për ndonjë të plagosur.

Vullkani i lartë 3330 metra mund të shperthejë disa herë gjatë vitit duke hedhur lavë dhe hiri të lartë mbi ishullin mesdhetar. Shpërthimi i fundit i madh ishte në vitin 1992.

Deportohet në Francë një person lidhur me sulmin në Charlie Hebdo

Fotografi nga arkivi.

Një person është deportuar nga Xhibuti për në Francë, në lidhje me sulmi e vitit 2015 ndaj revistës satirike Charlie Hebdo, kanë njoftuar autoritetet franceze.

Zyra e Prokurorit në Paris tha se Peter Cherif është dëbuar për në Francë, pasi së fundmi ishte arrestuar në Xhibut. Ndaj tij janë ngritur akuza lidhur me sulmin e vitit 2015.

Cherif besohet se ka qenë në kontakt me dy vëllezërit që kanë kryer sulmin ndaj punonjësve të Charlie Hebdo,

Ministria e Mbrojtjes së Francës tha se Cherif ka luajtur “rol të rëndësishëm në organizimin” e sulmit ndaj Charlie Habdo, ku u vranë 12 persona.

Cherif raportohet të ketë udhëtuar në Irak dhe Siri në fillim të viteve 2000 dhe ka qenë në arrati nga autoritetet franceze që prej vitit 2011.

Projektligjet e emigracionit në Gjermani dhe vizat e punës

Projektligji i ri i ardhjes së fuqisë punëtore nuk do ta shmangë nevojën e aplikimit për vizë pune. Lind pyetja se a do të shkurtohet apo do të zgjatet koha e pritjes për vizë në ambasada.

Një gjë duhet thënë që në fillim: Askush nuk mund ta parashikojë saktësisht se a do të rritet apo do të ulet kohëzgjatja e pritjes për një vizë pune. Por po përpiqemi të sqarojmë se çfarë mund të çojë në përshpejtim, e çfarë në ngadalësim të procedurave.

Vizat për të kërkuar punë 

Një risi shumë e rëndësishme  në projektligjin e ardhjes së fuqisë punëtore është “Viza për të kërkuar punë” (Job-Seeker-Visum).  Deri tani këtë mundësi e kanë vetëm profesionistët me shkollë të lartë. Me ligjin e ri do ta kenë edhe profesionistët, kualifikimi i të cilëve njihet edhe në Gjermani. Kjo është një vizë, që jepet për një afat kohor deri në gjashtë muaj, vetëm për Gjermaninë, për dallim nga viza Schengen, e cila jepet për 90 ditë dhe vlen për të gjithë hapësirën Schengen.

Viza për të kërkuar punë i jep të drejtën një personi të kualifikuar që të vijë në Gjermani pa kontratë pune.  Deri tani kjo lloj vize aplikohet vetëm për të diplomuarit me shkollë të lartë. Rregulli aktual parasheh se kush gjen punë brenda këtij gjashtëmujori, nuk ka nevojë të dalë nga Gjermania për të marrë vizë pune, por mund të aplikojë direkt në zyrën e të huajve, në vendin ku jeton. Nëse kjo procedurë do të përdoret edhe në projektligjin e ri, kjo do të shihet, kur projektligji të marrë formën përfundimtare, pasi të jetë miratuar në Bundestag dhe Bundesrat (Këshillin Federal). Kjo pritet të ndodhë në mesin e vitit 2019. Ligji është parashikuar të hyjë në fuqi në vitin 2020.

Ministri i brendshëm Seehofer tha të mërkurën (19.12) në Berlin se projektligji do të bazohet tek rregulli aktual për të diplomuarit. Por ende nuk është e qartë se sa i ngjashëm do të jetë ligji i ri me rregullin në fjalë. Një dallim me sa duket është se, ndërsa për të diplomuarit me arsim të lartë nuk ka nevojë për dëshmi gjuhe, për punëtorët e kualifikuar pa shkollë të lartë, do të kërkohen, veç kualifikimit, edhe njohuritë e gjuhës gjermane. Hubertus Heil, ministri socialdemokrat i Punës, tha se njohuritë nevojiten së paku në nivel A2, që mjafton sa  për t’u marrë vesh për gjërat bazike.

Symbolbild Flüchtlinge als Fachkräfte (picture-alliance/dpa/S. Hoppe)

Shtimi i numri të aplikuesve

Pra, falë vizës së përkohshme për të kërkuar punë, pritet që procedura e dhënies së vizës të përshpejtohet, sepse nuk do të ketë nevojë, sikurse tani, që dokumentet të kalojnë edhe njëherë në Gjermani, për të verifikuar kontratën e punës. Përshpejtuese është edhe heqja e verifikimit të përparësisë së një shtetasi gjerman apo të BE-së.

Pritet rritje aplikimesh për viza

Por nga ana tjetër, këto lehtësime e hapin rrethin e mundshëm të aplikuesve për vizë. Kështu që sipas gjykimit të specialistëve, numri i kërkesave për vizë do të shtohet dhe pikave konsullore do t’u dalin edhe më shumë punë.

Se si do të përballohet rritja e vëllimit të punës, nuk është ende e qartë. Ambasadat, të cilat që tani janë  shumë të ngarkuara me punë,  kanë paralajmëruar se do ta shtojnë personelin. Por ministri Seehofer tha se ndoshta do të duhet të ngrihet një ent i posaçëm për migrimin e fuqisë punëtore.

Shtim i kapaciteteve nëpër ambasada

Që ambasadat vetë nuk do të jenë në gjendje ta përballojnë këtë fluks, kjo duket sidomos tek vendet e Ballkanit. Që kur ka hyrë në fuqi e ashtuquajtura Rregullore e Ballkanit Perëndimor, në fillim 2016, konsullatat gjermane të këtyre vendeve kanë pasur fluks tejet të madh kërkesash për vizë. Siç mësoi DW nga Ministria e Punëve të Jashtme, vetëm në vitin 2017,  Ambasada Gjermane në Prishtinë ka trajtuar 19 000 kërkesa për viza afatgjate, pra, jo Schengen.

Me këto shifra seksioni i vizave në Ambasadën Gjermane në Prishtinë është ndër dhjetë  më të mëdhatë në botë, sikurse edhe seksionet e vizave në Beograd dhe Sarajevë. Kjo rritje e madhe shpjegon edhe faktin që “megjithëse Gjermania e ka shtuar personelin konsullor në këto vende, kohëzgjatja e pritjes për një takim në ambasadë shkon deri në disa muaj”, i tha DW-së Ministria e Jashtme. Gjermania planifikon edhe në të ardhmen shtimin e kapaciteteve në Prishtinë, por Ministria e Jashtme nuk e konkretizoi, se çfarë do të thotë ky shtim i kapaciteteve dhe kur do të ndodhë.

Parlamenti danez miratoi vendimin për dërgimin e emigrantëve në ishull të shkretë

KOPENHAGË – Parlamenti i Danimarkes ka miratuar projektligjin për dërgimin e emigrantëve në ishullin e shkretë Lindholm.

Në kuadër të debatit për buxhetin për vitin e ardhshëm, parlamenti danez miratoi projektligjin për ndërtimin e “exit qendrës”, gjegjësisht qendrës për riatdhesim të emigrantëve.

Ligjin e mbështetën partitë në pushtet, liberale dhe konservatore, si dhe ajo radikale djathtiste Partia Popullore.

Qendra për emigrantë me kapacitet deri në 125 persona do të hapet në vitin 2021.

Plani i Qeverisë daneze që emigrantët t’i mbledhë në ishullin e shkretë me sipërfaqe prej shtatë hektarëve hasi në mospëlqim të ashpër në opinion dhe shkaktoi protesta në disa qytete të mëdha të këtij vendi. Tubimet i mbështetën shumë organizata joqeveritare, përfshirë ActionAid Denmark, Amnesty International dhe Save the Children.

Bëhet fjalë për një ishull që më parë është përdorur si poligon për testimin e sëmundjeve infektive të kafshëve të kryer nga Universiteti Teknik i Danimarkës. aa

Hakerat depërtojnë komunikimet diplomatike të BE-së

Gazeta “The New York Times” njoftoi të martën në mbrëmje se hakerat kishin depërtuar në komunikimet diplomatike të Bashkimit Evropian për tre vjet, duke arritur të shkarkojnë mijëra dokumenta sensitive.

Në artikull thuhet se ky fakt ishte zbuluar nga kompania e sigurisë kibernetike “Area 1” që i dha rreth 1, 100 dokumenta gazetës.

Sipas gazetës, materiali i komprometuar hedh dritë mbi shqetësimet e Evropës për “një administratë të paparashikueshme të Presidentit Trump”, përfshirë përshtypjen e Bashkimit Evropian se një qëndrim negativ nga zoti Trump ndaj bllokut “kishte krijuar shumë pasiguri”.

Materiali e vë theksin edhe tek sfidat rajonale të bllokut për “t’u përballur me Rusinë dhe Kinën dhe rrezikun se Irani do ta rigjallëronte programin e vet bërthamor” dhe përfshin memorandume të bisedimeve me udhëheqës të Arabisë Saudite, Izraelit dhe vendeve të tjera që janë këmbyer në gjithë Bashkimin Evropian.

Informacioni tek i cili kishin depërtuar hakerat ishte sekret, por me një nivel të ulët klasifikimi në dokumentat e kategorizuar si të kufizuara.

Në një komunikim nga zëvendës shefi i Misionit të Bashkimit Evropian në Uashington, u rekomandohet diplomatëve të tjerë të Bashkimit Evropian që të përpiqen të punojnë direkt me anëtarë të Kongresit, në vend të zotit Trump dhe që të përëiqen të konsolidojnë marrëdhëniet, duke i përshkruar Shtetet e Bashkuara si “partnerin më të rëndësishëm”.

New York Times tha se në një dokument tjetër diplomatët evropianë kishin diskutuar për takimin e nivelit të lartë të Presidentit Trump me Presidentin rus, Vladimir Putin në Helsinki, ku udhëheqësi amerikan mbajtë një qëndrim që binte ndesh me vlerësimin e agjencive amerikane të zbulimit, duke thënë se nuk shihte ndonjë arsye se pse Rusia të kishte ndërhyrë në zgjedhjet e vitit 2016 në Shtetet e Bashkuara, që sollën në pushtet zotin Trump.

Dokumenti e quante takimin si “të suksesshëm (të paktën për Putinin)” dhe përfshinte më tej diskutimin e përpjekjeve të Shtëpisë së Bardhë për të riparuar dëmet.

Një tjetër komunikim i cituar në artikull, kishte të bënte me takimin mes zyrtarëve evropianë dhe Presidentit kinez, Xi Jinping, si edhe një diskutim për hapat e admistratës së Presidentit Trump për të shkallëzuar tarifat ndaj mallrave kineze, ndërsa dy vendet përfshiheshin në një betejp tregëtare.

Në dokument thuhej se “kërkesat e Shteteve të Bashkuara ishin kontradiktore, pa lidhje logjike dhe në fund të fundit do të dëmtonin vetë interesat amerikane”. Po ashtu citonte presidentin Xi të thoshte se vendi i tij “nuk do t’i nështrohej arrogancës” së Shteteve të Bashkuara.

New York Times shkruan se hakerat kishin përdorur metoda të ngjashme me ato të përdorura për një kohë të gjatë nga një njësi elitë e ushtrisë kineze dhe se operacioni përfshinte ndërhyrje në mbi 100 organizata, përfshirë Kombet e Bashkuara dhe një numër ministrish të jashtme dhe të financave.

Kisha ortodokse e Ukrainës shkëputet nga Rusia

Priftërinjtë ortodoksë ukrainas po mbajnë një sinod historik në katedralen e Shën Sofisë në Kiev për të krijuar një kishë të re kombëtare, e cila nuk do të ketë lidhje me Rusinë.

Mbledhja e sotme pason një vendim historik nga Patriarkana e Konstandinopojës, për të hequr kishën ortodokse të Ukrainës nga Patriarkana e Moskës, e cila ka mbikëqyrur degën ukrainase për qindra vjet.

Vendimi zemëroi kishën ruse, duke e detyruar atë të shkurtojë të gjitha lidhjet me Konstandinopojën.

Marrëdhëniet midis Ukrainës dhe Rusisë janë tensionuar qëkur Rusia aneksoi Krimenë në vitin 2014, pas një kryengritje pro-perëndimore në Kiev.

Presidenti ukrainas Petro Poroshenko pritet të marrë pjesë në takimin e së shtunës midis përfaqësuesve të Kishës Ortodokse të Ukrainës të Patriarkanës së Kievit dhe Kishës Orthodhokse Autoqefale të Ukrainës. Filiali besnik i Moskës i kësaj kishe thotë se nuk do të marrë pjesë në sinod dhe mohon të jetë një mjet i Kremlinit.

Para takimit, Patriarku rus Kirill i kërkoi Papa Françeskut, Kombeve të Bashkuara dhe liderëve fetarë dhe botërorë që t’i mbrojnë besimtarët dhe klerikët nga “persekutimi”.

Reagimi i Francës pas formimit të Ushtrisë

Pas votimit të tri projektligjeve që ndërlidhen me transformimin e FSK-së, Kosova nga sot e ka ushtrinë e saj. Forca të Armatosura.

Ambasada e Francës së Kosovë, nëpërmjet një komunikate ka thënë se Franca njeh miratimin e ligjeve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), të cilat parashikojnë tranzicionin e saj gjatë një dekade.

Sipas komunikatës, Franca kërkon që të rifillojë dialogu me Serbinë.

“Franca dëshiron mbetjen në fuqi të marrëveshjeve me KFOR-in lidhur me praninë e FSK-së në veri të vendit. Ajo i bën thirrje Kosovës që të rifillojë sa më shpejt dialogun me Serbinë me qëllim të arritjes së normalizimit të plotë të marrëdhënieve midis dy vendeve”, thuhet në njoftimin e tyre.

Vritet sulmuesi i Strasburgut

I dyshuari për vrasjen e tre personave në tregun e krishtlindjeve në Strasburg, u vra të enjten në një shkëmbim zjarri me policinë, pas 48 orë arratisjeje.

Cherif Chekatt, 29 vjeç, u vra në zonën Neudorf/Meinau të qytetit një operacion të shkallë të gjerë të policisë, rreth 2 kilometra nga vendi i sulmit të së martës.

Chekatt u vra pasi qëlloi mbi policinë. Ministri i Brendshëm francez, Christophe Castaner, u tha gazetarëve se tre oficerë të policisë hasen në një person që besohej se ishte Cherif Chekatt dhe deshën ta arrestojnë. Ai qëlloi mbi policët të cilët e kthyen zjarrin duke e vrarë atë.

“Mendoj se kjo do të ndihmojë për t’u kthyer në një jetë, që unë do ta përshkruaja si normale,” tha kryetari i bashkisë së Strasburgut, Roland Ries, pas lajmit se Chekatt ishte vrarë.

“Me vdekjen e këtij terroristi … qytetarët, si unë, ndjehen të çliruar,” tha ai

I dyshuari Chekatt, ishte në listën e personave të dyshuar si kërcënim i mundshëm për sigurinë.

Ai kishte kaluar kohë në burgjet franceze, gjermane e zvicerane për vjedhje dhe sjellje të dhunshme dhe autoritetet thanë se ai kishte zhvilluar pikëpamje radikale fetare gjatë kohës sa ishte prapa grilave.

Dëshmitarët u thanë hetuesve se sulmuesi brohoriti “Allahu Akbar” (Zoti është i Madh) derisa hapi zjarr të martën në tregun e krishtlindjeve në Strasbourg, një shënjestër që prokurori i Parisit, Remy Heitz, la të kuptohej se mund të ishte zgjedhur për shkak të simbolikës fetare.

Ushtarët që janë pjesë e patrullimeve kundër terrorizmit gjithandej Francës, e qëlluan atë në kah, por ai arriti të ikë dhe të shmang kapjen për 48 orë.

Televizioni BFM, duke cituar hetuesit, tha se shoferit të taksisë me të cilën ai ishte larguar nga vendi i sulmit, i kishte thënë se e ka kryer sulmin si hakmarrje për vëllezërit e tij në Siri.

Grupi militant, Shteti Islamik, shkroi në faqen e internetit të agjencisë së tij Amaq, të enjten se sulmuesi ishte një nga “ushtarët e tij”, por pa ofruar ndonjë provë për këtë.

Në komunikatë thuhet se “ai e kreu operacionin në përgjigje të thirrjeve për të goditur qytetarët e vendeve të koalicionit” që lufton grupin militant në Siri dhe Irak.

Franca ka përjetuar sulme të mëparshme ekstremistësh. Shteti Islamik pretendoi autorësinë për dy netë sulmesh me armë dhe bomba në Paris në nëntor të 2015-ës, kur u vranë 130 persona. Vetëm pak muaj më herët një sulm me armë mori jetë njerëzish në selinë e një reviste satirike dhe u pasua nga një pengmarrje në një supermarket.

Në vitin 2016-të, një sulm me kamion në qytetin Nice la pas vetes 86 viktima.

Annen: Gjermania nuk e vë në dyshim të drejtën e Kosovës për Ushtri të rregullt

Ministri gjerman i shtetit për punë të jashtme, Niels Annen, thekson në Bundestag se Gjermania nuk e vë në dyshim të drejtën e Kosovës për Ushtri të rregullt.

Qeveria Gjermane ka ritheksuar qëndrimin e saj ndaj procesit të krijimit të Ushtrisë së Kosovës. Duke iu përgjigjur me shkrim të mërkurën (12.12.18) në Bundestag pyetjes së deputetes së Majtë (Die Linke), Sevim Dağdelen, ministri i shtetit për punë të Jashtme, Niels Annen, (SPD), tha ndër të tjera se “Gjermania e ka njohur Kosovën dhe nuk e vë në pikëpyetje të drejtën parimore të Kosovës për forca të rregullta”.

Por Annen shtoi gjithashtu edhe se “qeveria federale është e mendimit, se transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës nuk duhet të jetë i nxituar dhe të vijojë në një proces inkluziv. Këtu hyn sidomos përfshirja e pakicës serbe të Kosovës dhe konsultimi i ngushtë me partnerët, siç janë NATO dhe shtetet aleate të NATO-s.”

Deputetja e së Majtës krahas qëndrimit të Gjermanisë, donte të dinte edhe se sa ishte në dijeni qeveria gjermane se SHBA-ja e ka dhënë pëlqimin e saj për shndërrimin pa ndryshim kushtetute të Forcës së Sigurisë së Kosovës, në një ushtri të rregullt, qysh në fund të shtatorit 2018, pas vizitës së presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe kryeministrit Ramush Haradinaj në SHBA dhe takimit me ministrin amerikan të mbrojtjes James Mattis nga fundi i shtatorit në Prishtinë. Deputetja e majtë iu referua në pyetjen e saj raportimeve të Deutsche Welles dhe AFP.

Annen u përgjigj se më 13 shtator 2018, Ambasada Amerikane në Prishtinë kishte thënë se “momenti i parashtrimit të pakos ligjore për transformimin e FSK-së nuk ishte caktuar në marrëveshje me SHBA-në”. Annen tha gjithashtu “se qeveria gjermane nuk është në dijeni se për çfarë është folur në takimet e bëra nga fundi i shtatorit”. Ai iu referua raportimeve të medias kosovare, sipas të cilave SHBA-të e mbështesnin krijimin e Ushtrisë së Kosovës.

Parlamenti i Kosovës pritet të miratojë nesër (14.12.18) pakon ligjore për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, e paraparë deri tani vetëm për të ndërhyrë në raste katastrofash, në një ushtri të rregullt të armatosur. /DW/

Eurodeputeti gjerman: Ja kush i pengon vizat për qytetarët e Kosovës

Eurodeputeti gjerman, Markus Ferber, ka deklaruar se korrupsioni, mosbesueshmëria, moszbatueshmëria e ligjeve nga udhëheqësit kosovarë po pengon liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Ai theksoi se elita politike e Kosovës është duke përdorur standarde të dyfishta me popullin e tyre, duke i punësuar familjarët e tyre dhe pjesën tjetër e kanë anashkaluar.

Deputeti është i bindur se lufta kundër korrupsionin nuk mund të vijojë me persona, të cilët janë pjesë dhe përgjegjës të kësaj veprimtarie të paligjshme.

Ai renditi shumë ministra të Qeverisë Haradinaj që janë të korruptuar dhe kane dosje në gjykata, megjithatë vazhdojnë ta udhëheqin vendin.

Markus Ferber theksoi se Parlamenti Evropian është i vetmi institucion evropian, i cili zyrtarisht ka njohur Republikën e Kosovës dhe ka dhënë dritën e gjelbër për liberalizimin e vizave.

Gjermania shton kontrollet kufitare për shkak të sulmit në Strasburg

BERLIN – Ministria e Punëve të Brendshme e Gjermanisë bën të ditur se është forcuar kontrolli i kufirit pas sulmit të së martës në mbrëmje në Strasburg, por se në vend nuk është ngritur niveli i rrezikut nga sulmet.

Zëdhënësja e Ministrisë së Brendshme, Eleonore Petermann, tha se nuk ka arsye për t’i mbajtur njerëzit larg tregjeve të Krishtlindjeve në Gjermani. Ajo tha se Tregu i Krishtlindjeve në Berlin ishte objekt i sulmit dy vjet më parë.

Petermann dhe Ministria e Drejtësisë kanë thënë se autoritetet gjermane nuk kanë informacion për lidhjet mes sulmuesit të dyshuar, i cili më parë ishte në burg në Gjermani për grabitje dhe DEASH-it.

I dyshuari u dënua në Gjermani në vitin 2016, ndërsa një vit më vonë u deportua në Francë. Megjithatë, Petermann theksoi se liria e tij e lëvizjes në Bashkimin Evropian i ishte është pamundësuar.

Dorëzohet Macron, tregon kushtet që do u plotësojë francezëve

Presidenti francez Emmanuel Macron ka premtuar një rritje minimale të pagave dhe koncesioneve tatimore në përgjigje të protestave të dhunshme për javë me radhë

Franca ka parë katër fundjava protestash të dhunshme kundër rritjes së taksave të karburantit, kostove të jetesës dhe çështjeve të tjera.

Gjatë një konference për shtyp drejtuar kombit, Macron tha se zemërimi i protestuesve ishte “i thellë dhe në shumë mënyra i ligjshëm”.

Paga minimale do të rritet me 100 euro në muaj nga 2019, tha ai.

Një rritje e planifikuar e taksave për pensionistët me të ardhura të ulëta do të anullohet, ndërkohë që punëdhënësve do t’u kërkohet të paguajnë një bonus për punonjësit, shtoi ai.

Shumë njerëz ishin të pakënaqur me kushtet e jetesës dhe mendonin se “nuk u dëgjuan”, tha ai.

“Unë di që disa prej jush janë lënduar nga fjalët e mia,” tha Macron.

Britania mund të anulojë në mënyrë të njëanshme Brexit-in

BRUKSEL – Gjykata Evropiane e Drejtësisë vendosi që Britania mund të revokojë njëanshëm procesin (Brexit) për largimin nga Bashkimi Evropian(BE).

Gjykata Evropiane e Drejtësisë me qendër në Bruksel, e cila është gjykata më e lartë në BE, ka dhënë vendimin në lidhje me padinë e ngritur kundër procesit Brexit të Britanisë.

Gjykata ka vendosur se Britania mund të tërheqë në mënyrë të njëanshme njoftimin e saj për largimin nga BE.

“Gjykata, kur një shtet anëtar nga Bashkimi Evropian i njofton Këshillit të BE-së qëllimin e tij për t’u tërhequr nga Bashkimi Evropian, ka vendosur që shteti anëtar në fjalë është i lirë që të anulojë këtë njoftim në mënyrë të njëanshme”, thuhet në vendim. aa

Franca, thirrje presidentit Trump të mos ndërhyjë në çështje të brendshme

Ministri i Jashtëm i Francës i bëri thirrje Presidentit amerikan Donald Trump të dielën, që të mos ndërhyjë në politikën franceze, pas mesazheve të zotit Trump në Twitter lidhur me protestat në Paris.

“Ne nuk merremi me politikën e brendshme amerikane dhe duam të njëjtën gjë në këmbim”, tha Ministri i Jashtëm, Jean-Yves Le Drian në televizionin LCI.

“Unë dhe presidenti francez i themi Donald Trumpit: mos u merr me vendin tonë”, tha ai.

Zoti Le Drian po reagonte ndaj mesazheve në Twitter të Presidentit Trump të dielën, ku ai shkruante se ajo që po ndodhte në Francë ishte e trishtueshme.

“Ndoshta është koha që t’i jepet fund Marrëveshjes qesharake dhe jashtëzakonisht të shpenzueshme dhe t’u kthehen njerëzve paratë në formën e taksave më të ulëta? Shtetet e Bashkuara e ka bërë këtë me kohë dhe është i vetmi vend ku çlirimi i gazeve të dëmshme, ra vitin e kaluar”, shkruante presidenti.

Afro 2 mijë vetë u arrestuan të shtunën në gjithë Francën, në raundin e fundit të protestave të “jelekëve të verdhë”.

Protesta të dhunshme në Francë, Belgjikë dhe Holandë

Policia franceze përdori gazin lotsjellës kundër protestesve, të cilët u mblodhën në Paris për të protestuar kundër taksave të larta dhe kostos së lartë të jetesës në vend. Policia tha se të paktën 10,000 vetë protestuan të shtunën në Paris dhe 1,000 prej tyre janë arrestuar pas përleshjeve me forcat e rendit. Autoritetet franceze thanë se 135 njerëz janë plagosur, përfshirë 17 policë, në protestat e zhvilluara në Paris. Protesta të ngjashme janë zhvilluar edhe në Belgjikë dhe Holandë.

Në prirtje të javës së katërt të protestave të dhunshme, Franca mbylli Kullën Eiffel dhe disa zona të tjera turistike dhe mobilizoi dhjetëra mijëra forca të sigurisë.

Dritaret dhe dyert e shumë dyqaneve në Paris janë mbuluar me materiale mbrojtëse për të shmangur shkatërrimin dhe plaçkitjet.

Më shumë se 89,000 policë janë dislokuar në mbarë Francën për të parandaluar protestat e dhunshme, një rritje e konsiderueshme në krahasim me fundjavën e kaluar, kur në mbarë vendin ishin dislokuar 65,000 policë për vënë nën kontroll protestat, në të cilat u plagosën më shumë se 130 njerëz.

Megjithatë, prania e madhe e policisë nuk parandaloi njerëzit nga përpjekjet për t’iu bashkuar marshimit të sotëm drejt pallatit presidencial.

‘“Ne jemi këtu për t’i shprehur Makronit pakënaqësinë tonë. Nuk kam ardhur këtu për të thyer gjëra sepse unë kam katër fëmijë që janë të frikësuar më këtë që po ndodh. Unë dua që ata të jenë të sigurt. Megjithatë, unë dua të jem këtu që të them mjaft më, kjo duhet të ndalet”, thotë protestuesja Myriam Diaz.

Lëvizja e “Jelekëve të Verdhë” nuk ka një udhëheqës të qartë, dhe protestat e kaluara kanë tërhequr ekstremistë të cilët kanë hedhur gjëra të forta në dejtim të policisë. Ministri i Brendshëm francez, Christophe Castaner u bëri atyre thirrje për qetësi.

“U bëj thirrje ‘jelekëve të verdhë’që duan të sjellin një mesazh të paqes që mos të shkojnë me njerëzit e dhunshëm. Ne e dimë se njerëzit e dhunshëm janë të fortë vetëm atëherë kur fshihen prapa protestuesve të grupit ‘jelekët e verdhë’, një veprim që pengon punën e forcave të sigurisë”.

Që nga fillimi i trazirave në nëntor, si reagim ndaj rritjes së taksës së karburantit, katër njerëz kanë humbur jetën.

Ndërsa Pesidenti Macron hoqi dorë nga rritja e taksës së karburantit, protestuesit kanë bërë kërkesa të reja për trajtimin e çështjeve të tjera ekonomike që po dëmtojnë punëtorët, pensionistët dhe studentët.

Presidenti amerikan, Donald Trump e quajti ditën e sotme në Paris, shumë të trishtueshme.

“Ndoshta është koha që t’i jepet fund Marrëveshjes qesharake dhe jashtëzakonisht të shpenzueshme dhe t’u kthehen njerëzve paratë në formën e taksave më të ulëta? Shtetet e Bashkuara e ka bërë këtë me kohë dhe është i vetmi vend ku çlirimi i gazeve të dëmshme, ra vitin e kaluar”, shkruante ai në Twitter.

Protesta të ngjashme, që duket se janë frymëzuar nga lëvizja ‘jelekët e verdhë’, u zhvilluan sot edhe në Belgjikë dhe Holandë. Qindra protestues u përleshën me policinë gjatë një përpjekje për të hyrë në ndërtesën e Parlamentit Evropian në Bruksel. Protestuesit bënë thirrje për doreheqjen e Kryeministrit të Belgjikës, Charles Michel.

Heidelberg, qyteti gjerman përrallor

HEIDELBERG – Heidelberg është një nga qytetet e rralla në Gjermani i kursyer nga bombardimet gjatë luftërave, ndërsa arkitektura e tij mesjetare, lumi Neckar dhe kështjella, sot tërheqin vizitorë nga mbarë bota.

Bëhet fjalë për qytetin e pestë më të madh në Gjermani, ndërsa është një nga qendrat e rëndësishme kulturore dhe financiare në Evropë dhe njihet për nga historia e pasur, kulturore dhe trashëgimia natyrore.

I vendosur në krahinën Baden-Wurttemberg, qytet i recituar në shumë këngë, ndërsa me universitete me histori shumë vjeçare, si dhe sektorë shkence, mjekësi dhe makineri, Heidelberg vendoset në pozitën e një nga qendrat më të njohura në Evropë.

Në pjesën e lumit Neckar, që qytetin e ndan në të vjetër dhe të ri, janë ndërtuar shumë ura, mes të cilave veçohet ura Carl-Theodor, e gjatë 200 metra, ndërsa e gjerë shtatë metra. Kjo urë, është një nga simbolet e qytetit.

Në rrjedhë janë punimet në disa pjesë të urës, ndërsa kjo nuk pengon shumë çifte që të vijnë tek ura dhe të vendosin dry në shenjë të dashurisë.

Kështjella Heidelberg, e vendosur në kodër, është një nga destinacionet e preferuara të shumë turistëve, ndërsa edhe arkitektura është kënaqësi për vizitorët dhe shumë specialistë.

Interesim për qytetin është treguar nga shumë mendimtarë, përfshirë Johann Wolfgang von Goethe, Friedrich Hegel, Max Weber dhe të tjerë. aa


Send this to a friend