VOAL

VOAL

Finlanda shqyrton mundësinë e anëtarësimit në NATO

March 10, 2022
blank

Komentet

blank

Turqia me qëndrim pozitiv për anëtarësimin e Finlandës në NATO

RFE/RL

Turqia e shikon me pozitivitet aplikimin e Finlandës për anëtarësim në NATO, por nuk mbështet atë të Suedisë, tha presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan.

“Qëndrimi ynë ndaj Finlandës është pozitiv, por nuk është pozitiv ndaj Suedisë”, tha Erdogan më 1 shkurt gjatë një fjalimi në Parlamentin turk.

Vitin e kaluar, Suedia dhe Finlanda aplikuan për anëtarësim në NATO pasi Rusia nisi pushtimin e Ukrainës. Megjithatë, këto dy shtete u përballën me kundërshti nga Turqia dhe që atëherë kanë tentuar që të përmbushin kushtet e vëna nga Ankaraja.

Ankaraja dëshiron që Helsinki, dhe Stokholmi në veçanti, të ndërmarrin një qëndrim më të ashpër kundër Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit, që konsiderohet grup terrorist nga Turqia dhe Bashkimi Evropian, dhe ndaj një grupi tjetër që pala turke fajëson për puçin e dështuar ushtarak të vitit 2016.

Tri shtetet arritën një marrëveshje qershorin e kaluar për rrugën përpara, por Ankaraja muajin e kaluar pezulloi bisedimet pas rritjes së tensioneve që u shkaktuan nga një protestë në Stokholm, ku u dogj një kopje e Kuranit, librit të shenjtë të myslimanëve.

“Në këtë pikë, Suedia nuk duhet as të tentojë. Ne nuk do të themi ‘po’ për aplikimin e tyre për në NATO për aq kohë sa ata lejojnë djegien e Kuranit”, tha Erdogan.

Gjatë fundjavës së kaluar, lideri turk sinjalizoi se Ankaraja mund të pajtohet që Finlanda të anëtarësohet në NATO para Suedisë. Por, ministri i Jashtëm finlandez, Pekka Haavisto, tha të hënën se shteti i tij vazhdon të mbajë qëndrimin që dy shtetet të anëtarësohen së bashku.

Nga 30 shtetet anëtare të NATO-s, vetëm Turqia dhe Hungaria ende nuk kanë ratifikuar pranimin e dy shteteve nordike në aleancën ushtarake perëndimore.

I pyetur nëse Turqia ka plane që të ketë procese të ndara për Finlandën dhe Suedinë, ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavugoslu, tha se NATO dhe dy shtetet nordike janë ato që vendosin nëse do të ketë ratifikime të ndara.

“Nëse NATO dhe dy shtetet vendosin për procese të ndara të anëtarësimit, Turqia sigurisht që do të rishqyrtojë veçmas anëtarësimin e Finlandës dhe në mënyrë më favorizuese”, tha Cavugoslu gjatë vizitës në Estoni.

blank

Zyrtari i lartë ukrainas: Rusia po përgatitet për një përshkallëzim maksimal të luftës, nuk përjashtojmë asnjë skenar

Rusia po përgatitet për një “përshkallëzim maksimal” të luftës në Ukrainë, potencialisht në javët e ardhshme, sipas një zyrtari të lartë të sigurisë kombëtare të Ukrainës.

“Këta do të jenë muaj përcaktues në luftë”, tha Oleksiy Danilov, Sekretari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes së Ukrainës, për Sky News në një intervistë të transmetuar të martën.

 

“Unë jam i vetëdijshëm se luftimet kryesore nuk kanë ardhur ende dhe ato do të ndodhin këtë vit, brenda dy deri në tre muajve,” tha ai.

 

“Rusia po përgatitet për përshkallëzim maksimal. Është duke mbledhur gjithçka që është e mundur, duke bërë stërvitje. Kur bëhet fjalë për një ofensivë nga drejtime të ndryshme, për momentin mund të them se nuk po përjashtojmë asnjë skenar në dy-tre javët e ardhshme”.

 

Zyrtarët ukrainas kanë paralajmëruar për disa kohë për një ofensivë të përtërirë ruse dhe kanë kërkuar armë më të fuqishme nga aleatët perëndimorë për të kundërshtuar kërcënimin.

 

Pas komenteve të Danilov, një zëdhënës i ushtrisë ukrainase tha të mërkurën se ka shenja se Rusia po përgatitet për një ofensivë të përtërirë në Ukrainën jugore.

 

“Jo vetëm në tokë, por edhe në det dhe në ajër”, tha Natalia Humeniuk, kreu i Qendrës së Bashkuar Koordinuese të Shtypit të Sigurisë dhe Forcave të Mbrojtjes të Jugut të Ukrainës, në televizionin kombëtar.

 

Inteligjenca ukrainase kishte vërejtur ndryshime në aktivitetin e forcave detare ruse në Detin e Zi, shtoi ajo.
“Ajo rritet dhe zvogëlohet me shpejtësi, dhe raketat bartëse po lëvizin përpara dhe mbrapa”, tha ajo.

Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes e Bjellorusisë tha të martën se do të zhvillojë një javë tjetër stërvitje të përbashkëta ushtarake me Rusinë.

 

“Gjatë javës, përfaqësuesit ushtarakë nga të dy vendet do të praktikojnë planifikimin e përbashkët të përdorimit të trupave bazuar në përvojën e mëparshme të konflikteve të armatosura në vitet e fundit,” tha ministria në një deklaratë.bw

blank

Petr Pavel: Ukraina duhet t’i bashkohet NATO-s pas përfundimit të luftës

RFE/RL

Presidenti i sapozgjedhur çek, Petr Pavel, i ka thënë BBC-së se Ukraina duhet të lejohet që t’i bashkohet NATO-s “sapo të përfundojë lufta”.

Pavel, një gjeneral në pension, tha se Ukraina do të ishte “moralisht dhe praktikisht e gatshme” për t’u bashkuar me aleancën perëndimore pas përfundimit të konfliktit.

“Ushtria ukrainase do të jetë ndoshta ushtria më me përvojë në Evropë. Ukraina meriton të jetë pjesë e një komuniteti të vendeve demokratike”, tha ai.

Në intervistën e tij të parë të transmetuar me media ndërkombëtare që nga zgjedhja e tij, Pavel i dha mbështetje të fortë ndihmës ushtarake perëndimore për Kievin.

Duke folur nga Praga, ai tha se dërgimi i avionëve luftarakë perëndimorë si F-16 nuk është temë “tabu” për të, por tha se nuk ishte i sigurt se ata mund të dorëzoheshin në një afat kohor që mund të ishte i dobishëm për Kievin.

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, e ka përjashtuar mundësinë e dërgimit të F-16 në Ukrainë, megjithëse presidenti francez, Emmanuel Macron, ka thënë se asgjë nuk përjashtohet.

“Jam krenar që vendi im është një nga të parët që i ka ofruar Ukrainës ndihmë të konsiderueshme ushtarake”, tha ai për BBC.

Republika Çeke ishte vendi i parë perëndimor që dërgoi tanke dhe automjete luftarake të këmbësorisë – T72 dhe BMP1 të dizajnuara nga sovjetikët – në Kiev, pjesë e një serie dërgesash të armëve të rënda që thuhet se filluan që në mars të vitit 2022.

Pothuajse një vit më vonë, pas shumë kërkesash nga Ukraina, vendet si Britanina e Madhe, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Gjermanina, janë pajtuar për të dërguar tanke moderne, të prodhimit perëndimor si Leopard 2, Challenger dhe M1 Abrams.

“Ndoshta shumë pak njerëz mund të imagjinonin se vendet perëndimore do të ishin të gatshme t’i siguronin Ukrainës tanke moderne luftarake ose sisteme artilerie me rreze të gjatë”, tha ai.

Ukraina ka kërkuar 300 tanke të tilla dhe thotë se Perëndimi deri më tani ka premtuar se do t’ia dërgojë të paktën 120.

Rusia – që ka nisur pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt 2022 – ka më shumë tanke sesa Ukraina, por modelet që Moska ka janë shumë inferiore krahasuar me tanket perëndimore.

blank

Scholz: Gjermania nuk do t’i dërgojë Ukrainës avionë luftarakë

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, tha se Gjermania nuk do të dërgojë avionë luftarakë në Ukrainë.

Kjo deklaratë vjen pasi Kievi rriti thirrjet për armë më të avancuara nga Perëndimi për të ndihmuar në zmbrapsjen e pushtimit të Rusisë.

Scholz u pajtua javën e kaluar për të dërguar 14 tanke Leopard 2 në Ukrainë dhe për të lejuar vendet e tjera evropiane të dërgonin të tyret, pas disa javësh debat intensiv dhe presion në rritje nga aleatët.

Pas këtij vendimi, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Pesckov, tha se vendimet e Perëndimit, përfshirë edhe dërgimin e tankeve, po krijojnë një situatë “shumë, shumë të tensionuar” të sigurisë në Evropë dhe për botën në përgjithësi.

Ukraina ka muaj që kërkon tanke luftarake, për të luftuar forcat ruse që e kanë nisur luftën në këtë shtet.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, beson se rreth 300 tanke do të ndihmonin në mposhtjen e Rusisë.

Polonia, Spanja, Finlanda, Holanda dhe Norvegjia dhe disa shtete të tjera pritet të dërgojnë tanket e tyre Leopard në Ukrainë.rel

blank

Lihtenshtajni mbetet “Las Vegasi i Alpeve”

Qytetarët e principatës hodhën poshtë, me 73% jo, propozimin për ndalimin e kazinove – Industria që ka gjashtë kazino merr frymë e qetë

 

Lihtenshtajni, me gjashtë kazinotë e tij të shpërndara nëpër një shami toke, mbetet “Las Vegasi i Alpeve”. Më 29 janar qytetarët e saj kundërshtuan qartë nismën që kërkonte ndalimin e shtëpive të lojërave të fatit në principatë. Siç raportohet nga numërimi zyrtar, 73% ishin kundër kundër 27% pro dhe në asnjë nga njëmbëdhjetë komunat propozimi nuk mori shumicën. Shtatë nga dhjetë qytetarë votuan.

Argumentet në favor të ndalimit kishin të bënin me çështje të tilla si varësia nga kumari dhe dëmtimi i mundshëm i reputacionit të vendit.

Në mbledhjen e firmave të nevojshme për votim, grupi i ngritur kundër “përmbytjes së kazinove” kishte kujtuar se industria e lojërave mund të rrezikojë punën e bërë për të hequr vendin nga lista e zezë ndërkombëtare e parajsave tatimore më pak se dhjetë vjet më parë.

Para votimit, princi ishte shprehur kundër ndalimit, si dhe kundër qeverisë që i konsideron kazinotë një burim të rëndësishëm të ardhurash dhe ndalimin si një masë shumë drastike.

Pas shpalljes së rezultatit, shoqata e kazinove mori frymë e lehtësuar: “Shpresojmë – ishte komenti – që sektori tani të mund të konsolidohet pa shtrëngim të mëtejshëm të ligjit”. Që nga fillimi i industrisë së lojërave të fatit pesë vjet më parë, ka pasur rreth njëzet ndryshime në ligje dhe rregullore.

Kazinotë e Lihteshtajnit janë:

Gamprin (Gamprin-Bendern): Grand Casino Liechtenstein;
Ruggell: Casino Admiral Ruggell;
Schaanwald: Casino Schaanwald;
Triesen: Casino Admiral Triesen;
Schaan: Casino Maximus;
Casino Eschen.

Lihtenshtajni nganjëherë referohet si një “mikroshtet” pasi qyteti i Londrës është dhjetë herë më i madh se sipërfaqja e tokës së tij dhe ka një popullsi prej vetëm disa dhjetëra mijërash. Kohët e fundit, vendi është quajtur me dashuri nga kumarxhinjtë si “Las Vegasi i Alpeve”.

Lojtarët vijnë në numër të mirë nga Zvicra fqinje në perëndim e jug, nga Austria në lindje dhe veri, si dhe nga Gjermania.

Votuesit në Lihtenshtajn u përballën me një referendum më 29 janar të promovuar nga një grup lobi i shqetësuar për varësinë nga lojërat dhe reputacionin në rritje të vendit. Nisma synonte të mbyllë të gjashtë resortet e kazinove duke ndaluar lojërat e fatit të kazinove në vendin që gëzon liberalizimin lokal për vetëm më pak se 5 vjet.

Sipas një raporti të Reuters, IG VolksMeinung ka frikë se Lihtenshtajni, i cili deri pak më shumë se një dekadë më parë ishte në listën e zezë si një parajsë ndërkombëtare tatimore, rrezikon t’i dëmtohet reputacioni i tij pas gjithë punës së vështirë që ka bërë për të ndërtuar një pozicion të ri në komunitetin ndërkombëtar.

Por shoqata e kazinove të Lihtenshtajnit nuk beson se kazinotë përbëjnë një kërcënim për reputacionin e vendit. Qëndrimi i shoqatës është se çdo gjë që bëjnë është në përputhje me ligjin.

Lindja relativisht e papritur e gjashtë shtëpive kryesore të lojërave në vend ka pasur një ndikim të madh në të ardhurat federale. Në vitin 2022, vizitorët e kazinove, kryesisht nga jashtë, gjeneruan rreth 50 milionë franga zvicerane (54.51 milionë dollarë) taksa përmes udhëtimeve dhe lojërave të tyre.

Sipas Bankës Botërore, të ardhurat vjetore për frymë të Lihtenshtajnit janë 175 813 dollarë, që e vendos atë përpara Monakos, Luksemburgut, Zvicrës dhe Bermudës si vendi më i pasur në botë./Përgatitën Elida Buçpapaj dhe Skënder Buçpapaj

 

 

 

blank

Ish-gjenerali Pavel prinë në garën për president të Çekisë

Ish-kryeministri çek, Andrej Babish (majtas) dhe gjenerali i pensionuar i NATO-s, Petr Pavel.

RFE/RL

Rezultatet preliminare të zgjedhjeve presidenciale çeke tregojnë se me rreth 80 për qind të votave të numëruara, ish-gjenerali i NATO-s, Petr Pavel, ka fituar 56.45 për qind të votave, kundrejt ish-kryeministrit, Andrej Babish, i cili ka marrë 43.54 për qind të votave, sipas Zyrës çeke të Statistikave.

Çekët votuan sot për të zgjedhur pasuesin e presidentit aktual, Milos Zeman, mandati i dytë i të cilit përfundon në mars.

Rezultatet e plota nga balotazhi dy-ditor priten të bëhen publike mbrëmjen e së shtunës.

Qendrat e votimit ishin hapur të premten në orën 14:00 dhe u mbyllën sot në të njëjtën orë.

Të drejtë vote kishin 8.3 milionë banorë.

Në Republikën Çeke, roli i presidentit është ceremonial, mirëpo presidenti i jep mandat qeverisë dhe është komandant i përgjithshëm i forcave të armatosura.

Tema dominuese në zgjedhje ka qenë lufta e Rusisë në Ukrainë.

Babish, 68-vjeçar, ka tentuar të portretizojë kundërshtarin e tij si luftënxitës dhe ka bërë thirrje për organizimin e një konference të paqes në Pragë.

Pavel, i cili është 61-vjeçar, ka qenë në favor të dërgimit të ndihmës në Kiev.

Në rundin e parë të zgjedhjeve, rezultati mes tyre ka qenë i ngushtë – të dy kanë fituar rreth 35 për qind të votave.

blank

Rusia po e drejton fokusin e luftës kah “NATO-ja dhe Perëndimi”

RFE/RL

Sekretari i Përgjithshëm i Bashkimit Evropian për Veprim të Jashtëm, Stefano Sannino, ka thënë të premten se Rusia e ka çuar luftën e saj në Ukrainë “në një nivel tjetër”, duke kryer sulme ndaj civilëve dhe shënjestrave joushtarake.

Ai po ashtu e ka kritikuar Moskën për nxitje të vendimeve që kanë marrë Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania, për të dërguar tanke të avancuara në Ukrainë.

Duke folur në një konferencë në Tokio, Sannino ka thënë se Putin “ka lëvizur nga koncepti i operacionit special në konceptin e luftës kundër NATO-s dhe Perëndimit”.

Ai ka thënë se tanket gjermane dhe amerikane pritet t’iu ndihmojnë ukrainasve që të mbrojnë veten në luftë dhe nuk do t’i kthejnë ata në sulmues.

“Mendoj se zhvillimet e fundit, sa u përket furnizimeve me armë, janë përgjigje ndaj situatës dhe mënyrës se si Rusia e ka çuar luftën në nivel tjetër”, ka thënë Sannino.

Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania kanë bërë të ditur të mërkurën se do të dërgojë tanke të avancuara në Ukrainë për t’i ndihmuar Kievit që të luftojë forcat ruse.

Komandantët e ushtrisë ukrainase kanë thënë se këto armë do të ndihmojnë në kundërofensiva, dhe do të zvogëlojnë numrin e ushtarëve ukrainas të vrarë në luftë.

Presidenti amerikan, Joe Biden ka thënë se shteti i tij do të dërgojë 31 tanke M1 Abrams, pavarësisht qëndrimeve fillestare të Uashingtonit se ato janë shumë sfiduese që të përdoren nga ushtarët ukrainas.

SHBA-ja e ka bërë të ditur këtë vendim, pasi Gjermania është pajtuar për të dërguar 14 tanke Leopard 2 nga inventari i saj.

Rusia e ka kritikuar vendimin e shteteve perëndimore dhe është zotuar se do t’i shkatërrojë këto tanke në fushëbetejë.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt 2022.

Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

blank

Tanket ‘Leopard 2’, Suedia bashkohet në grupin e shteteve furnizuese për Ukrainën

Suedia aktualisht nuk ka në plan të dërgojë tanke ”Leopard 2” në Ukrainë, por nuk përjashton dërgimin e tyre në të ardhmen.

“Aktualisht nuk ka përgatitje për një dhurim tankesh nga Suedia, por nuk përjashtohet që kjo të ndodhë në një fazë të mëvonshme”, theksoi ministri i Mbrojtjes, Pal Jonson për gazetën ”Svenska Dagbladet”.

Gjermania dorëzoi sot 14 tanke ”Leopard 2” në Ukrainë.

Ushtria suedeze ka rreth 120 tanke ”Leopard 2”, të cilat në Suedi quhen ”Stridsvagn 122”.

Sipas raportimeve të mediave, Norvegjia po shqyrton gjithashtu dërgimin e tankeve ”Leopard 2” në Ukrainë.

Sipas gazetës ”Aftenposten”, qeveria e Oslos aktualisht është duke e vlerësuar çështjen, por ende nuk është marrë një vendim.

Gazeta ”Dagens Næringsliv” shkroi se do të ishte e mundur që Norvegjia të furnizonte Ukrainën me deri në tetë nga 36 tanket e saj ”Leopard 2”.

blank

Spanja është gati të dërgojë tanke Leopard në Ukrainë

E përditshmja spanjolle El Pais raportoi se Spanja pritet të dërgojë tanke luftarake Leopard 2 në Ukrainë.

Qeveria e kryeministrit Pedro Sanchez kishte rënë dakord më herët të dërgonte tanke luftarake të prodhimit gjerman për sa kohë që ekzistonte një plan i koordinuar në nivel evropian, shkruante e përditshmja.

Detajet e kontributit spanjoll janë ende duke u vlerësuar nga Ministria e Mbrojtjes dhe e Jashtme, si dhe zyra e Sanchez.

El Pais raporton se ushtria spanjolle ka 108 tanke kryesore luftarake Leopard 2, modeli që Ukraina dëshiron të ndalojë avancimin e Rusisë. syri.net

blank

Stuhi e dorëheqjeve në Ukrainë

Pas skandaleve dhe korrupsionit, zëvendësministri i Mbrojtjes dhe disa zyrtarë të tjerë të lartë të shtetit largohen nga zyra.

 

VOAL- Zëvendësministri i Mbrojtjes i Ukrainës, Viacheslav Shapovalov, i ngarkuar me mbështetjen logjistike për trupat, dha dorëheqjen të martën pas skandalit mbi furnizimet me ushqime për ushtrinë, të zbuluar nga një faqe lajmesh. Ministria thuhet se ka nënshkruar një marrëveshje për vitin 2023 për blerjen e produkteve ushqimore bazë për 13 miliardë hryvnia (324 milionë euro) me çmime dy ose tre herë më të larta se ato të tregut. “Akuza të pabaza” dhe një “pretekst i rremë”, sipas eprorit të Shapovalov, ministrit Oleksii Reznikov, por megjithatë dorëheqja u dërgua “për të ruajtur besimin e kompanisë dhe partnerëve të saj ndërkombëtarë”.

Së bashku me Shapolavovin – por për arsye të tjera – po largohen edhe një seri e tërë figurash të tjera pak a shumë të shquara në Kiev. Midis tyre, nënkryetari i administratës presidenciale Kyrylo Tymoshenko, një nga bashkëpunëtorët e rrallë të Volodymyr Zelensky për të punuar me të që nga zgjedhja e tij në 2019. I ngarkuar me mbikëqyrjen e rindërtimit të instalimeve të dëmtuara nga bombardimet ruse, ai kishte qenë në qendër. të disa skandaleve para dhe pas pushtimit. Në tetor, për shembull, ai u akuzua për përdorimin e një automjeti të dhuruar nga General Motors për qëllime humanitare për qëllime private.

Largohet edhe Oleksii Symonenko, Zëvendës Prokurori i Përgjithshëm. Shtypi kishte zbuluar pushimet e tij të fundit në Spanjë, kur udhëtimet jashtë vendit janë të ndaluara, përveç për arsye profesionale. Ndalimi u përsërit gjithashtu të hënën nga kreu i shtetit, i cili së shpejti mund të njoftojë një riorganizim të mëtejshëm të ekipit të tij, tashmë të amputuar ditët e fundit nga një sërë largimesh. Ashtu si ai i Zëvendës Ministrit të Infrastrukturës Vassyl Lozynsky, i arrestuar të dielën për grumbullimin e dyshuar të 400,000 dollarëve ryshfet për të lehtësuar blerjen e gjeneratorëve me çmime të fryra. Të hënën, Pavlo Galimon, kreu i partisë “Shërbëtori i Popullit” të Zelensky, u pushua nga puna pasi kishte blerë një pronë në Kiev, kostoja e së cilës tejkalonte të ardhurat e deklaruara të tij.

Korrupsioni është një e keqe endemike në Ukrainë, e cila është e 122-ta nga 180 vende në renditjen e Transparency International. Miratimi i masave kundër korrupsionit janë ndër kërkesat kryesore që BE-ja i ka bërë Kievit, nëse synon të përparojë në procesin e saj të integrimit evropian.rsi-eb

blank

Ministri i Jashtëm italian: Integrimi i Ballkanit në BE të përshpejtohet, mjaft me vonesa!

Ministri i Jashtëm italian Antonio Tajani, ka theksuar se ka ardhur koha që të përshpejtohet integrimi i Ballkanit në BE. Ai ka shtuar se ky është një proces që ka qenë shumë i vonuar dhe se për asnjë motiv nuk mund të shtyhet më.

Pritet që më 24 janar të zhvillohet Samiti në Trieste, ku theksoi se Italia duhet të luajë një rol të rol të rëndësishëm dhe dialogues me Ballkanin Perëndimor.

“Ne jemi dakord që Serbia dhe Kosova të normalizojnë marrëdhëniet mes tyre. Diplomacia italiane po punon së bashku me partnerët më të afërt për të arritur një rezultat me rëndësi historike, nga i cili do të përfitonte i gjithë rajoni. Që zgjerimi nuk ka ecur me ritmin e dëshiruar, dëshmon fakti se 20 vjet pas deklaratës së Selanikut që sanksionoi perspektivën evropiane të Ballkanit, vetëm Kroacia është bërë shtet anëtar i BE-së. Nuk mund të përballojmë vonesa të mëtejshme. Nëse BE-ja dëshiron të jetë një lojtar global, hyrja në Ballkan duhet përshpejtuar”, ka thënë më tej ai.bw

blank

BE-ja shqyrton mundësinë e përdorimit të aseteve të ngrira ruse për rindërtim të Ukrainës

Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel gjatë vizitës së tij në Kiev, Ukrainë, më 19 janar 2023.

RFE/RL

Bashkimi Evropian po shqyrton përdorimin e aseteve të ngrira të Bankës Qendrore të Rusisë, me vlerë prej 300 miliardë dollarësh, për të gjeneruar fitime për rindërtimin e insfrastrukturës së shkatërruar të Ukrainës.

Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel u ka bërë thirrje qeverive të Bashkimit Evropian që të vazhdojnë me konsultime se si mund të përdoren këto asete të ngrira, raportoi Financial Times më 23 janar.

Michel tha se do që të analizohet mundësia për të gjeneruar fitime, të cilat më pas mund të drejtohen drejt përpjekjeve për rindërtim, raportoi gazeta britanike.

Sipas Michel, asetet do t’i kthehen shtetit rus nëse nënshkruhet një marrëveshje paqeje.

Blloku evropian, i përbërë prej 27 shteteve anëtare, ngriu fondet ruse në përgjigje të pushtimit të paprovokuar të Ukrainës nga Moska.


Send this to a friend