VOAL

VOAL

Gjermani, ish-shefi i spiunazhit shkarkohet për shkak të komenteve kontradiktore

BERLIN – Ish-shefi i spiunazhit të Gjermanisë është dërguar në pension të parakohshëm pas komenteve të tij kontradiktore mbi qeverinë e koalicionit.

Ministri i Punëve të Brendshme, Horst Seehofer, në një konferencë për media në Berlin tha se kritikat e Hans-Georg Maassen mbi politikën e koalicionit për emigracionin dhe komentet e tij mbi partnerin e koalicionit të Social Demokratëve (SPD) janë “të papranueshme”.

Sipas mediave lokale, në një takim të fundit me dyer të mbyllura të shefave të inteligjencës evropiane, Maassen kritikoi politikën e emigrimit të qeverisë si “naive” dhe disa politikanë të SPD-së i përshkroi si “forca radikale të krahut të majtë”.

Maassen, i cili kishte udhëhequr për gjashtë vjet agjencinë gjermane të inteligjencës BfV, është një figurë e diskutueshme.

Në muajin shtator, qeveria vendosi ta transferojë atë nga drejtues i BfV-së në një post të lartë në Ministrinë e Brendshme, pasi ai kritikoi publikisht anëtarët e qeverisë për komentet e tyre mbi dhunën kundër emigrantëve në Gjermaninë lindore.

Ai po ashtu ishte nën zjarr nga Social-Demokratët për kontaktet e tij të dyshuara me politikanë të lartë nga ekstremi i djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD), e cila hedh poshtë një platformë anti-emigracion dhe anti-islame. aa

Hebrejtë gjermanë propozojnë orë antisemitizmi për emigrantët myslimanë

Gjermani

Organizata më e madhe hebraike e Gjermanisë kërkoi orë të veçanta për emigrantët myslimanë që do të ndihmonin në ndalimin e përhapjes së antisemitizmit.

Nënpresidenti i saj, Abraham Lehrer, tha se shumë emigrantë kanë ardhur nga vende ku “antisemitizmi është pjesë e arsyetimit të shtetit”.

Ai tha se orët e integrimit duhet të “përshtaten” me vendin e origjinës.

Gjermania ka parë një rritje të madhe të numrit të azilkërkuesve që nga viti 2015, shumë prej të cilëve vijnë nga vendet me shumicë myslimane.

Ky vend po lufton me një valë antisemitizmi, që pjesërisht i atribuohet retorikës së partisë së ekstremit të djathtë, Alternativa për Gjermaninë.

Qindra incidente antisemite u raportuan në Gjermani vitin e kaluar, pjesa më e madhe e të cilave u kryen nga grupe neonaziste apo grupe të tjera të ekstremit të djathtë.

Lehrer, nga Këshilli Qendror i Hebrenjve në Gjermani, tha se antisemitizmi midis emigrantëve është një problem që “qëndron përpara nesh”, derisa emigrantët po vendosen përgjithmonë në vend.

Sicili, në një shtëpi të përmbytur gjenden trupat e 9 viktimave

ROMË – Të paktën 9 persona e kanë humbur jetën në ishullin italian të Sicilisë.

Autoritetet lokale mëngjesin e sotëm njoftuan se ekipet e shpëtimit kanë gjetur trupat e nëntë të vdekurve në një shtëpi në Casteldacca, pranë Palermos.

Ekipet zjarrfikëse konfirmuan lajmin duke sqaruar së bëhet fjalë për prindërit dhe fëmijët e dy familjeve.

Sot në mëngjes është gjetur trupi i një viktime tjetër në qendër të qytetit Vicari.

Italia për disa ditë me radhë është duke u ballafaquar me stuhi dhe erëra të fuqishme, reshje të dendura dhe përmbytje, në të cilat javën e kaluar jetën e kanë humbur të paktën 15 persona.

Ligji i ri për emigrim në Gjermani rrezikon numrin e popullsisë në Ballkan

SARAJEVË – Ligji i ri për emigrim, të cilin Gjermania planifikon ta nxjerrë me qëllim për të mbuluar mungesën e fuqisë punëtore të kualifikuar, mund të shkaktojë humbje serioze për popullsinë e vendeve të Ballkanit si në Bosnjë e Hercegovinë, Serbi, Mal të Zi, Maqedoni, Shqipëri dhe Kosovë.

Ky ligj për emigrim të cilin qytetarët e Ballkanit e shohin si një shpresë, mund të shkaktojë “ikjen e trurit” dhe mungesës së fuqisë punëtore të kualifikuar.

Ligji i cili pritet të hyjë në fuqi më 1 janar të vitit 2019 dhe që do të lehtësojë punësimin e njerëzve nga shtetet e Ballkanit, po pritet me padurim nga popujt e rajonit ndërkaq një pjesë e madhe nuk është ende në dijeni për rrezikun që mund të ndodhë.

Në një deklaratë nga Ambasada e Gjermanisë në Sarajevë, thuhet se ky ligj ende ndodhet në fazën e përgatitjes dhe se ende është herët për t’i vlerësuar detajet e tij.

“Bosnjë e Hercegovina do të hyjë në rrezik”

Drejtoresha e Unionit të Integrimit në Bosnjë e Hercegovinë, Mirhunisa Zukiç në një prononcim për Anadolu Agency (AA) tha se me hyrjen në fuqi të ligjit për emigracion, BeH do të hyjë në një rrezik të madh. “Do të humbim një numër të madh të njerëzve tanë me profesione të shumta duke filluar nga inxhinieria. Në 5 vitet e fundit rreth 170 mijë persona u larguan nga BeH”, tha ajo.

Zukiç thotë se edhe ata të cilët janë kthyer në shtetet e tyre pas luftës në BeH (1992-1995), me këtë ligj të ri do të shkojnë përsëri në shtetet e BE-së, duke filluar nga Gjermania.

Sipas saj, njerëzit në BeH janë të dëshpëruar për shkak të strukturës komplekse politike dhe mos mbajtjes së premtimeve të dhëna. Zukiç tha se për parandalimin e emigracionit duhet t’i kushtohet rëndësi dhe të dëgjohen problemet, e sidomos të të rinjve.

Nga Serbia emigrojnë më së shumti punonjësit e shëndetësisë

Një nga vendet e rajonit që po ballafaqohet me probleme të emigracionit në shtete të BE-së është Serbia.

Sipas informacioneve të marra nga Instituti për Punë të Serbisë thuhet se njerëzit nga fusha e shëndetësisë përbëjnë grupin kryesor të cilët emigrojnë nga vendi ndërsa pas punonjësve të shëndetësisë vijnë shoferët e kamionëve.

Gjatë vitit 2018, 144 persona kanë emigruar dhe janë vendosur në Gjermani ndërsa në qytete të ndryshme të Serbisë, duke filluar nga Beogradi janë organizuar punëtoritë me tema “Jeta dhe Puna në Gjermani”.

Miljana Pejiç nga një shoqatë rinore tha se nga Serbia sidomos mjekët dhe infermierët janë të gatshëm që të emigrojnë në Gjermani, duke shtuar se me hyrjen në fuqi të këtij ligji këta persona do të largohen nga Serbia.

Poashtu edhe Tatjana Miliçeviç e cila po përgatitet të emigrojë në Gjermani tha se i vazhdon studimet master në fushën e teknologjisë dhe se në të njëjtën kohë mëson gjuhën gjermane.

“Kushtet në Gjermani janë shumë të mira. Atyre u duhen ekspertë të fushave të ndryshme. Në të kundërtën me Serbinë, ata respektojnë njerëzit të cilët e zhvillojnë veten”, tha ajo.

Nga Kosova dhe Mali i Zi emigrojnë të rinjtë

Edhe në Mal të Zi i cili është shteti më i vogël në Ballkan për nga numri i banorëve, emigrimi në Gjermani është çështje aktuale.

Në një deklaratë nga Ambasada e Gjermanisë në Podgoricë thuhet se në vitin 2017, 876 persona kanë emigruar nga Mali i Zi në Gjermani. Kjo ambasadë njofton se në aplikimet për punë sidomos janë fushat si ndërtimtaria, gastronomia dhe kujdesi për të moshuar.

Një nga anëtarët e shoqatës së quajtur “Euromost” (Ura e Evropës) në Mal të Zi, Almer Mekiç thotë se gjatë 3 viteve të fundit rreth 7.000 persona kanë emigruar në shtetet e Evropës, duke bërë të ditur se shumica e emigrantëve janë me diploma universitare.

Sipas të dhënave të Agjencisë për Përkrahjen e Punësimit në Kosovë për vitin 2017, 5.000 mijë shtetas kosovarë kanë emigruar në Gjermani.

Antigona Ferrataj e cila dëshiron të punojë si infermiere në Gjermani tha se nuk ka arritur që të gjejë punë në Kosovë. “Më kanë humbur plotësisht shpresat për të patur sukses në Kosovë. Më ka mbetur edhe një vit për t’i përfunduar studimet. Do të shkoj në Gjermani për të ardhmen e fëmijëve të mi”, tha ajo.

Gjendja është kritike edhe në Kroaci

Gjithashtu edhe Kroacia, e cila është anëtare e BE-së, është një nga vendet që po ballafaqohet vazhdimisht me emigrimin. Që nga viti 2013 kur është anëtarësuar në BE, rreth 300 mijë persona kanë emigruar në vendet e BE-së.

Autori i librit “Emigrimi i kroatëve në Gjermani: A po e humbim Kroacinë”, Tado Juriç tha se kroatët nuk emigrojnë për shkak të varfërisë, por për shkak të asaj se e ndjejnë veten “të panevojshëm” në vendin e tyre. Ai shtoi se kroatët janë shumë të kënaqur me kushtet jetësore në Gjermani.

Demografi Stjepan Sterc vuri në dukje se në Gjermani jetojnë 800 mijë kroatë. Ai theksoi se Gjermania çdo vit humb 90 mijë punëtorë dhe se në këtë aspekt shihet si një destinacion i rëndësishëm për emigrim nga njerëzit e rajonit.

Vjeshta në Bruksel, parqe me ngjyra të arta

BRUKSEL – Bukuria e vjeshtës është e dukshme çdo hap në shumicën e qyteteve evropianë. Vjeshta dhe ngjyrat e bukura të arta në të verdhë që vijnë me këtë stinë kanë mbuluar gjithashtu edhe kryeqytetin belg Bruksel.

Shumë qytetarë këtyre ditëve kanë vendosur të shëtisin në parqet e Brukselit dhe shëtitoret përreth.

Fotoreporteri i AA-së përmes objektivit të tij bashkoi të gjitha bukuritë e vjeshtës, si dhe shumë shëtitës që gëzojnë bukuritë e kësaj periudhe të vitit në kryeqytetin belg.

Gjermania thyen rekordin për numrin e të punësuarve

BERLIN – Punësimi total në Gjermani në muajin shtator të këtij viti është rritur në 45 milionë persona. Kështu që pas bashkimit të Gjermanisë Perëndimore dhe asaj Lindore në vitin 1990, për herë të parë është arritur në shifrën prej 45 milionë të punësuarve me ç’rast është thyer rekord.

Sipas të dhënave të përkohshme të Zyrës Federale Statistikore të Gjermanisë (Destatis), punësimi i rregulluar sezonalisht në vend në muajin shtator të këtij viti, në krahasim me muajin gusht të të njëjtit vit është rritur për 0,5 për qind. Numri i personave që janë punësuar në shtator është rritur për 216 mijë persona ndërsa numri total është 45 milionë e 12 mijë.

Ndërkohë sipas vlerësimeve të përkohshme të bazuara në anketat e fuqisë punëtore, në muajin shtator janë regjistruar 1,43 milionë të papunë, që në krahasim me një muaj më parë është zvogëluar për 44 mijë (2,7 për qind). Ndërsa shkalla e papunësisë në vend është 3,4 për qind.

Ekspertët theksojnë se bashkimi i arsimit profesional, arsimit teorik dhe atij praktik kanë një ndikim të madh mbi nivelin e vogël të papunësisë, sidomos tek të rinjtë. aa

Itali, vazhdon situata e emergjencës

Italia vazhdon të jetë në një situatë emergjence që ka goditur pothuaj gjysmën e vendit, pasojë e një moti të keq dhe me erëra e shira të furishëm. Sot autoritetet konfirmuan viktimën e 10- të. Megjithëse të martën fuqia e erërave dhe shiut u zbut disi, vendi vazhdon të vuajë pasojat e përmbytjeve të mëdha, rrëshqitjeve të dheut dhe dëmeve të pallogaritshme.

Autoritetet italiane vazhdojnë përpjekjet për shpëtim ndërsa popullata po vuan pasojat e një vale moti të keq që ka goditur vendin në tre ditët e fundit shoqëruar me erëra e shira të furishëm njoftoi Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile. Lumenj të fryrë, rrëshqitje dheu, vende të izoluara prej ujit e baltës, rajone të tëra të gjunjëzuara, me qindra njerëz të zhvendosur, kështu u gdhi Italia të martën.

Edhe pse fuqia e erërave dhe shiut u zbut disi të martën, situata e emergjencës vazhdon. Të hënën fuqia e erës në disa rajone të vendit arriti deri në 100 kilometra në orë.

Në portin turistik të Rapalos, si pasojë e erërave dhe dallgëve të fuqishme u dëmtuan me dhjetëra jahte si dhe u shkatërruan limanet ankoruese. Shqetësim për autoritetet përbën niveli ujit të disa lumenjve.

Brigada Kombëtare e Zjarrfikësve u është përgjigjur thirrjeve për ndihmë në 7 mijë raste dhe si pasojë një nga punonjësit e saj mbeti i vrarë i goditur nga një pemë, gjatë një operacioni shpëtimi në një qytet të vogël në veri të vendit. Rreth 5,800 zjarrfikës janë angazhuar në terren për të përballuar situatën e emergjencës.

Alarmi portokalli, i dyti më i madh sipas shkallës së matjes së rreziqeve, është lëshuar në rajonet qendrore të Abrucos dhe Lacios, duke përfshirë dhe kryeqytetin e vendit Romën, ku të hënën shpejtësia e erës arriti një forcë të pazakontë mbi 100 kilometrave në orë.

Venecia vazhdon ende të jetë e përmbytur. Qyteti njihet për përmbytjet e vazhdueshme por të hënën uji arriti nivele të jashtëzakonshme. Të martën ministria italiane e Punëve të Brendshme u kërkoi autoriteteve në rajonet e goditura nga stuhia, që përbëjnë rreth gjysmën e vendit, të mbyllin shkollat dhe zyrat e shërbimeve publike.

Ish-infermieri gjerman pranon se ka vrarë 100 pacientë

Një ish-infermier ka pranuar se ka vrarë 100 pacientë gjatë ditës së parë të gjykimit, duke e kthyer këtë person në një nga vrasësit më të mëdhenj serialë të periudhës së pasluftës në Gjermani.

Hetuesit kanë thënë se Niels Högel, 41 vjeçar, u ka dhënë doza fatale të ilaçeve personave për të cilët ka pasur detyrë të përkujdeset në dy spitale në veri të Gjermanisë.

Prokurorët kanë thënë se qëllimi tij ka qenë për t’iu lënë përshtypje kolegëve duke ringjallur pacientët që ka sulmuar.

Högel aktualisht është duke vuajtur dënimin me burgim të përjetshëm për gjashtë persona të vdekur, që kanë qenë nën përkujdesje të tij.

Ai ka thënë tani se ka vrarë 36 pacientë në Oldenburg dhe 64 të tjerë në spitalin në Delmenhorst në periudhën 1999-2005.

Kur është pyetur nga gjyqtarët në gjykatën në Oldenburg nëse akuzat kundër tij janë të vërteta, 41 vjeçari ka thënë se “pak a shumë” të gjitha nga to.

Gjykimi aktual, i cili ka nisur me një minutë heshtje për viktimat, pritet të zgjasë deri në muajin maj.

Seancat kanë nisur pas kryerjes së testeve toksikologjike për vite të tëra në 130 mostra.

Högel është zënë për herë të parë më 2005 pasi i ka injektuar një pacienti ilaçe të papërshkruara paraprakisht.

Kancelarja gjermane Angela Merkel e gatshme të heqë dorë nga drejtimi i CDU-së

VOAL – Në Kongresin e ardhshëm të CDU-së të dhjetorit, Kancelarja gjermane Angela Merkel është e gatshme të heqë dorë nga drejtimi i partisë së saj pas humbjeve të rënda zgjedhore në Hessen. Lajmin e dha DPA, mbështetur në burime të partisë së Merkelit.

 

Parlamenti Evropian kërkon ndalimin e grupeve neo-fashiste dhe neo-naziste në BE

VOAL – Parlamenti Evropian bën thirrje për ndalimin e grupeve neo-fashiste dhe neo-naziste në BE. Me një rezolutë jo legjislative të miratuar me 355 vota për, 90 dhe 39 abstenime, deputetët e PE u bëjnë thirrje autoriteteve kombëtare të ndalojnë formimin e grupeve të lartpërmendura dhe çdo shoqate tjetër që glorifikon nazizmin dhe fashizmin, si dhe ksenofobinë. Teksti i miratuar përmend mes të tjerash sulmin që vrau 77 njerëz në Norvegji në 2011 nga Breivik, vrasjen e deputetes britanike Jo Cox në 2016 dhe sulmi i fundit fashist nga CasaPound kundër deputetit evropian Eleonora Forenza dhe në mesin e sjelljeve që ai dëshiron të luftojë, mungesa e ashpërsisë për neofashistët në disa shtete, marrëveshja e dyshuar midis politikanëve dhe policisë me neo-fashistët dhe neonazistët dhe zbatimi i masave të nevojshme kundër racizmit dhe ksenofobisë në stadiumet e futbollit. ansa

PE miraton projekt-rezolutë për hetim ndërkombëtar për vrasjen e Khashoggit

BRUKSEL – Parlamenti Evropian miratoi një projekt-rezolutë që bën thirrje për zhvillimin e një hetimi ndërkombëtar për vrasjen e Khashoggit dhe zbatimin e sanksioneve kundër autoriteteve saudite në rast të përcaktimit të përgjegjësive të tyre.

Sarkozy humb apelin në rastin e financimit të paligjshëm të fushatës

PARIS – Ish-presidenti francez, Nikolas Sarkozy, ka humbur apelin kundër vendimit të mëparshëm ligjor dhe mund të gjykohet me akuza për financim të paligjshëm të fushatës së tij presidenciale të vitit 2012.

Gjykata e Apelit në Paris konfirmoi sot vendimin e vitit të kaluar, duke urdhëruar Sarkozy-n të përballet me gjyqin mbi mashtrimet e dyshuara gjatë rizgjedhjes së dështuar për vitin 2012.

Avokati i Sarkozy-t, Thierry Herzog, tha se klienti i tij do të apelojë vendimin në Gjykatën e Kasacionit, gjykata më e lartë e Francës.

Sarkozy përballet me akuza se fushata e tij presidenciale kaloi mbi kufirin ligjor prej 22.5 milionë euro (24 milionë dollarë) dhe u përpoq të mbulonte atë me mashtrim. aa

Komisioni Evropian hodhi poshtë buxhetin italian

BRUKSEL – Komisioni Evropian ka hedhur poshtë propozim buxhetin e Italisë për vitin e ardhshëm, duke pohuar se deficiti dhe shpenzimet e saj nuk do të mbajnë borxhin italian në nivelin aktual.

Në këtë mënyrë për herë të parë në histori ndodhë që një organ ekzekutiv i Bashkimit Evropian (BE) të refuzojë buxhetin e ndonjë shteti anëtar.

Komisioni Evropian dëshiron që Qeveria e Italisë të hartojë propozim të ri të buxhetit, pasi pala italiane hodhi poshtë kritikën e Komisionit Evropian dhe gjykoi se niveli i këtillë i shpenzimeve është i domosdoshëm për të aktivizuar ekonominë e saj.

Komisioni Evropian i ka dhënë Italisë kohë tri javë që të miratojë propozim të ri. Të dyja palët tashmë disa javë kontestojnë rreth buxhetit, por Pierre Moscovici, komisari evropian për çështje ekonomike dhe financiare, gjatë fundjavës deklaroi se dëshirojnë të evitojnë konflikt të madh me ekonominë e tretë më të madhe në eurozonë. aa

Kërkesat për pavarësi të Kishës Ortodokse barten në vendet e Ballkanit

Kiev, Ukrainë

Njohja e Kishës Ortodokse Autoqefale të Ukrainës nga ana e Patriakanës Ekumenike të Stambollit, me në krye Patriarkun Ekumenik Bartholomew, dhe kundërshtimi i Kishës Ortodokse ruse, se një ndarje e tillë mund të çojë në shkatërrimin e botës ortodokse, ka vënë në fokus dy raste të ngjashme në Ballkan: kërkesat për pavarësi të Kishës Ortodokse të Maqedonisë dhe Kishës Ortodokse të Malit të Zi.

Të dyja këto kisha janë nën Kishën Autoqefale të Serbisë.

Peshkopi i Dibrës dhe Kërçovës, Timotej, për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë ka thënë gjatë shtatorit se kjo situatë hap rrugën për autoqefalinë e Kishës Ortodokse maqedonase.

“Kjo nënkupton që Kisha Ortodokse e Maqedonisë të jetë e njohur nga pjesa më e madhe e kishave ortodokse si një kishë e barabartë, e cila mund të kryejë shërbesa dhe të komunikojë në mënyrë të barabartë. A pajtohet apo jo Kisha Ortodokse Serbe me këtë, neve kjo nuk duhet të na shqetësojë pasi këtë nuk e zgjidhim ne, por Patriakana e përgjithshme”, ka thënë peshkopi Timotej.

Nënkryetari i Këshillit Metropolit të Kishës Ortodokse të Malit të Zi ka thënë për agjencinë MIA se “akti historik i Patriakanës së Stambollit nuk mund të mbetet pa u nderuar”.

“Ekziston tendenca që çështjet e Kishës që po e ngarkojnë botën ortodokse, përfshirë edhe çështjen e Kishës Ortodokse maqedonase dhe malazeze, përfundimisht të gjejnë një zgjidhje të kënaqshme”, ka thënë nënkryetari i Këshillit Metropolit të Kishës Ortodokse të Malit të Zi.

Kisha Ortodokse Autoqefale e Serbisë e kundërshton vendimin për njohjen e Kishës Ortodokse të Ukrainës nga ana e Patriakanës Ekumenike të Stambollit.

Patriarku Ekumenik Bartholomew e ka dhënë pëlqimin për pavarësinë e Kishës Ortodokse të Ukrainës dhe ky lajm është mirëpritur në Ukrainë.

Presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko, ka thënë se për këtë vendim kanë “ëndërruar gjatë”, ndërkaq Moska ka thënë se bëhet fjalë për një “katastrofë”.

Merkel zotohet se do ta rifitojë besimin e gjermanëve

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, tha të hënën se humbja e madhe e aleatëve të saj konservatorë në rajonin e Bavarisë tregon se votuesit e kanë humbur besimin në qeveri dhe premtoi se do të luftojë për ta rifituar atë.

“Mësimi im nga kjo është se unë, si kancelare, duhet të siguroj rikthimin e besimit. Do të punoj për këtë me gjithë energjinë që kam”, tha Merkel në një ngjarje të përfaqësuesve të industrisë gjermane.

Komentet vijnë pasi partia simotër e Merkelit pësoi të dielën humbje të madhe në zgjedhjet shtetërore të Bavarisë, duke shkaktuar pasiguri në koalicionin qeverisës.

Me gati të gjitha votat e numëruara, Unioni i Krishterë Social humbi shumicën absolute në Parlamentin e Bavarisë, të cilën e ka që nga viti 1957.

Të Gjelbrit u ngritën në vendin e dytë, ndërsa partia anti-migrante Alternativa për Gjermaninë do të futet për herë të parë në Parlamentin bavarez.

Sipas analistëve, shoqëria gjermane ka nisur të ndahet thellësisht që nga viti 2015, kur Merkel ka hapur dyert e Gjermanisë për mbi një milion migrantë, kryesisht myslimanë nga Lindja e Mesme.

Aleati i Merkelit në Bavari përballet me “humbje të thellë”

Kryetari i Partisë Kristian-Sociale, Horst Seehofer dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel.

Partia simotër e kancelares gjermane, Angela Merkel, Unioni Krisitan-Social (CSU) është përballur me humbje të madhe në zgjedhjet shtetërore të Bavarisë, bazuar në rezultatet e parakohshme.

Partia e qendrës së djathtë pritet të humbë shumicën absolute në parlamentin shtetëror.

Partia e të Gjelbërve pritet të listohet në vendin e dytë, derisa partia me qasje kundër-migrantëve, Alternativa për Gjermaninë (AfD) pritet të jetë pjesë e parlamentit shtetëror për herë të parë.

Anëtarët e partisë CSU kanë udhëhequr në Bavari pothuajse vetëm nga viti 1957.

Mirëpo është thënë se kjo parti ka humbur mbështetjen për shkak të opinioneve të ndara në çështjen e emigrimit.

Lideri i kësaj partie, Horst Seehofer ka thënë se kjo “nuk është ditë e mirë”, mirëpo ajo është vetëm “njëra anë e monedhës” pasi votat i japin “mandat të qartë” kësaj partie për të formuar qeverinë e re.

Në rezultatet preliminare është parë se CSU-ja ka fituar rreth 37 për qind të votave, 10 për qind më parë se katër vjet më parë.

Partia e të Gjerbërve ka fituar 18 për qind të votave, derisa Alternativa për Gjermaninë është listuar e katërta me rreth 10 për qind të votave, përkatësisht pas kandidatëve të pavaruar.

Partnerët e koalicionit kombëtar të Merkelit, Social-Demokratët e qendrës së majtë (SPD), janë renditur në vendin e pestë me më pak se 10 për qind të votave të fituara.

Pas publikimit të rezultatave, ka pasur spekulime se SPD-ja mund të largohet nga Qeveria Gjermane, duke tentuar të shpëtojë si parti.

Një vepër kushtuar Florian Vlashit, premierë botërore në koncertin e violinistit në Madrid

TIRANË, 11 tetor/ATSH/- Violinisti i mirënjohur Florian Vlashi do të jetë të dielën protagonist, së bashku me violonçelisten Ruslana Prokopenko, në koncertin që organizohet në Madrid në kuadër të ciklit “Muzikë për Mijëvjeçarin e Tretë”.

Vepra violinistike “Ju duk se panë të flinte në të një shenjë”, të cilën kompozitori Hugo Gomez-Chao Porta ia ka kushtuar violinistit shqiptar, do të jetë premierë botërore në koncertin e 14 tetorit në kryeqytetin spanjoll.

Kompozitori Porta shkruan mbi pjesën se “ashtu si në një lëvizje me kamera të ngadaltë, apo një kokë që kthehet ngadalë për të parë në anën tjetër; kështu edhe kjo vepër e vogël përbën një lëvizje të vetme, të qetë dhe të vazhdueshme ndërmjet dy telave të violinës me tinguj që largohen pak nga njëri-tjetri dhe, në këtë rrugë distancimi, gjejnë pikat e tyre të takimit, gjejnë ndalesat e tyre. Si të ishte një dritë që ndizej pak nga pak në errësirë dhe vetëm në fund arrin të shndrisë”.

Florian Vlashi ka në repertorin e tij qindra pjesë të interpretuara si solist dhe dirigjent në Spanjë, ku jeton dhe punon në Orkestrën Sinfonike të Galicisë që nga viti 1992; po ashtu edhe në Durrës, në vendlindje, ku ka organizuar që nga viti 2003 tetë edicione të Bienales “Netët e Muzikës Klasike”.

Kompozitorë shqiptarë dhe të huaj si Edmond Buharaja, C. López García, J. Vara, X. De Paz, P. Pereiro, D. Malumbres, J. Durán, F. Buide del Real, Akil Koci, W. Rosinskij dhe Hugo Gomez-Chao Porta i kanë kushtuar veprat e tyre violinistit 55-vjeçar Florian Vlashi. /G.Kabashi/k.s/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij

Suedi, refugjatja 107 vjeçare ballafaqohet me rrezikun e deportimit

STOCKHOLM – Refugjatja 107 vjeçare afgane, Bibikhal Uzbek, e cila njihet si refugjatja më e vjetër në botë, ballafaqohet me rrezikun e deportimit nga Suedia.

Sipas radios shtetërore suedeze SR, refugjates Uzbek, e cila jeton në qytetin Gotland së bashku me nipërit/mbesat e saj, pas 3 javësh do t’i përfundojë afati i lejeqëndrimit të përkohshëm dhe ajo mund të deportohet nga Zyra për Emigrantë. Vitin e kaluar ishte vendosur për deportimin e saj, por pas presionit nga opinioni publik Gjykata Administrative e Emigracionit ndaloi përkohësisht deportimin e refugjates së moshuar.

Nipi i 107 vjeçares afgane, Muhammed Uzbek në një deklaratë për radion SR kritikoi qëndrimin e Zyres për Emigrantë ku tha: “Përse nuk i japin lejeqëndrim një gruaje të vjetër e cila vuan nga sëmundja e demencës”.

Ai thotë se gjyshja e tij nuk mund të flasë e as nuk mund të ecë. “Nuk kupton shumë nga ajo që flitet, sytë e saj nuk shohin, e veshët nuk i dëgjojnë. Të paktën duhet t’i zgjasin edhe dy vite lejeqëndrimin”, thotë Uzbek.

Njihet si refugjatja më e vjetër në botë

Uzbek për shkak të përleshjeve në shtetin e saj, dy vite më parë ishte detyruar të ikte dhe së bashku me familjen e saj nëpërmjet rrugëve ilegale arriti në Kroaci. Policia kroate në atë kohë kishte ekzaminuar dokumentet e gruas së moshuar dhe njoftoi se ajo është e moshës 105 vjeçare. Gruaja afgane nga Kroacia shkoi në Suedi, ku edhe bëri kërkesën për azil. aa

Bombë selisë së Lega Nord, Salvini: Ishin anarkistët

Një bombë ka shpërthyer në selinë e partisë Lega Nord në Ala të Trentinos jugore në Itali.

Shpërthimi ka ndodhur  gjatë natës, teksa selia pritej të vizitohej sot nga kreu i partisë dhe njëherazi ministri i Brendshëm, Matteo Salvini, për fushatën zgjedhore.

Ai ka reaguar menjëherë për sulmin, duke u shprehur se ata që vunë bombën janë anarkistët dhe duke falënderuar policinë për identifikimin e dy autorëve.

“Ishin anarkistë. Unë jam krenar për policinë dhe për militantët tonë të jashtëzakonshëm që kanë pastruar çdo gjë tanimë. Disa individë duan që të reagojnë me dhunë, por kjo nuk do të ndalojë buzëqeshjen tonë. Pasditen e sotme unë do të jem në Trentino Alto Adige për të përqafuar të gjithë të pranishmit. Mirënjohje për policinë…”, tha Salvini.

Ky është rasti i tretë në tre muaj, pas selisë në Villorba (Treviso) dhe Cremona që sulmohen selitë e partisë Lega Nord.

Ish-kancelari gjerman martohet për herë të pestë

Ish-kancelari gjerman Gerhard Schröder do të martohet për herë të pestë në moshën 74 vjeçare. Partnerja e tij është një 49 vjeçare nga Koreja e Jugut.

Të ftuar në ceremoni janë dhe presidenti rus Vladimir Putin si dhe ministri i jashtëm turk Cavusoglu.

Një ceremoni martese me 150 të ftuar në hotelin prestigjioz Adlon në Berlin, pranë portës së Brandeburg: në këtë mënyrë do të festojë mbrëmjen e së shtunës martesën e tij të pestë ish-kancelari gjerman socialdemokrat Gerhard Schröder.

74 vjeçari do të lidhet në martesë me koreanojugoren Kim So-Yeon, 49 vjeçe.

Në listën e të ftuarve janë emra si Presidenti i Republikës federale dhe kolegu i Partisë Frank-Walter Steinmeier, ish ministri i jashtëm Sigmar Gabriel, dhe këngëtari i grupit legjendar Skorpion, Klaus Meine.

Por të ftuar janë gjithashtu dhe ministri i jashtëm turk Mevlut Çavusoglu dhe presidenti rus Vladimir Putin, një mik i vjetër i tij, por që nuk do të jetë i pranishëm sipas mediave gjermane.

Schröder dhe partnerja e tij janë celebruar katër muaj më parë në Korenë e Jugut.

Në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë mund të diskutohet anulimi i Brexitit

Një kundërshtar i Brexitit në Londër.

Gjykata Evropiane e Drejtësisë ka caktuar një seancë më 27 nëntor për të vendosur nëse Parlamenti Britanik mund të ndryshojë njëanshëm mendje për largim nga Bashkimi Evropian, i ka thënë një burim agjencisë së lajmeve, Reuters.

Ligjvënësit skocezë që kanë kundërshtuar Brexitin, kanë nisur një peticion në Gjykatën Skoceze vitin e kaluar për të vërtetuar se Britania ka mundësi që njëanshëm të vendosë për të qëndruar në bllokun më të madh tregtar në botë.

Sipas tyre, ende nuk ka asgjë dyshim ligjor se Britania mund të ndalojë procesin e Brexitit, me leje të 27 anëtarëve tjerë të Bashkimit Evropian, andaj duhet të kërkojë zbatimin e të drejtës ligjore, pavarësisht a i pëlqen bllokut evropian ky vendim apo jo.

Ky lajm ka ardhur në kohën kur Britania duket të jetë në prag të arritjes së marrëveshjes me Brukselin në procesin e largimit nga BE-ja, kanë thënë burime diplomatike të premten.

Për shkak se asnjë shtet nuk është larguar nga BE-ja më parë, kuptimi i plotë i Artikullit 50 në Traktatin e Lisbonës, që përfshin largimin nga BE-ja nuk është testuar ende.

“Ne kemi seancën tonë më 27 nëntor në orën 9:00”, ka thënë disa zyrtarë, duke folur në kushte anonimiteti.

Mirëpo pjesëtarë të Gjykatës Evropiane, e cila vepron sipas ligjeve të BE-së, nuk kanë qenë në gjendje t’i komentojnë këto deklarata.

Gjermania do t’i vazhdojë ndihmat për jugun e Shqipërisë

Deutsche Welle (www.dw.com)

Gjermania kontribuon për përmirësimin e kushteve të jetesës në Shqipëri. Së fundmi ambasadorja gjermane në Tiranë, Susanne Schütz bëri të ditur, se Gjermania do të japë një shumë rekord ndihme për Shqipërinë në nëntor.

Në festimet me rastin e Ditës së Bashkimit Gjerman në Tiranë të mërkurën (03.10.) ambasadorja gjermane, Susanne Susanne Schütz dha një lajm të mirë. Në fjalën e saj përshëndetëse, Schütz tha se “në nëntor të këtij viti Qeveria Federale, në kuadër të bashkëpunimit ekonomik, do t’i japë një shumë rekord Shqipërisë  për të realizuar projekte të mëtejshme”.

Ndihma gjermane e prekshme në Shqipëri

Rezultatet e bashkëpunimit ekonomik për zhvillimin Gjermani-Shqipëri janë të prekshme. Sivjet në 30 vjetorin e këtij bashkëpunimi, njerëzit e zakonshëm shohin në jetën e tyre të përditshme sesi mbështetja gjermane ka modernizuar bujqësinë, sesi në rubinetat e shtëpive vjen ujë i pastër, sesi energjia elektrike nuk ndërpritet më dhe mjediset, ku ata jetojnë po përmirësohen. Në kushte më të mira jetese njerëzit e thjeshtë shohin të përligjur edhe pro-europianizmin e  tyre. „Një gjë është e qartë: E gjithë mbështetja gjermane kontribuon në përmirësimin e qëndrueshëm të kushteve të jetesës së njerëzve në Shqipëri, për t’u dhënë atyre një perspektivë në atdheun e tyre dhe për ta bërë Shqipërinë të gatshme për integrimin në BE”, tha mbrëmë Ambasadorja Schütz.

Albanien Energieversorgung Südalbanien (DW/A. Ruci)

Modernizimi i elektricitetit – prioritet i ndihmës gjermane në Shqipëri

Jugu i Shqipërisë – pasqyrë e përmirësimit të kushteve të jetesës nga mbështetja gjermane

Një udhëtim në Rajonin Bregdetar Jugor me potenciale të mëdha turistike, është një pasqyrë për të parë sesi bashkëpunimi ekonomik për zhvillim mes Gjermanisë dhe Shqipërisë ka përmirësuar jetën e përditshme. Sektorët ku ndryshimi është i prekshëm janë jetikë: energjia elektrike, furnizimi me ujë të pijshëm, mjedis i pastër, mbështetje e sipërmarrjes në zonat rurale, edukim i fëmijëve në kopshte për të mbrojtur mjedisin dhe marrë pjesë në ekonominë ricikluese.

Nënstacioni elektrik në Himarë i ka dhënë fund ndërprerjeve të energjisë elektrike, humbjeve në rrjet. Kjo ka përmirësuar të përditshmen e banorëve dhe ka mundësuar zhvillimin ekonomik të zonës, veçanërisht zhvillimin e turizmit. Kryetari i Bashkisë së Himarës, Jorgo Goro tha për DW se ” Më shumë se 400 mijë banorë dhe mijëra turistë që vizitojnë rajonin bregdetar buzë detit Jon, janë përfituesit e drejtpërdrejtë nga ndërtimi i nënstacionit elektrik në Himarë.”

 Electrical Substation Himara (DW/A. Ruci)

Nënstacioni elektrik Himarë

Ky nënstacion së bashku me nënstacionin elektrik në Orikum të Vlorës, janë pjesë e projektit të reabilitimit të linjës unazore 110 kV në Jug-Perëndim dhe në Jug-Lindje të Shqipërisë, një nga projektet më të mëdha në historinë e bashkëpunimit ekonomik për zhvillim mes Gjermanisë dhe Shqipërisë.

Uji është jetë. Me këtë këndvështrim Qeveria gjermane, përmes Bankës KfW ( Banka Gjermane për Rikonstruksion) po investon në Himarë 40 milionë Euro për të përmirësuar në mënyrë rrënjësore shërbimin e ujit dhe mbrojtjen e mjedisit. Përfituesit janë banorët e Himarës dhe ekonomia lokale, që forcohet nga krijimi i kushteve bazë për një turizëm të qëndrueshëm në të gjitha stinët e vitit. Teknologjia e përdorur është ajo moderne gjermane që automatizon procesin në shërbimin e ujit.

Albanien Kindergarten Unterricht zum Thema Müllentsorgung (DW/A. Ruci)

Fëmijët mësojnë në kopshtin në qendër të Himarës se si të kujdesen për mjedisin

Respekt për mjedisin- ekonomia ricikluese

Fëmijë 4-5 vjeҫarë, në kopshtin në qendër të Himarës krijojnë nga një bidon uji plastik një vazo lulesh, në formën e një derrkuci.  Ata nxiten për të qënë krijues, patur sens artistik dhe prodhuar objekte utilitare nga mbetjet prej konsumit të përditshëm në familje. Në sajë të projektit të përbashkët të qeverisë gjermane dhe asaj shqiptare, të financuar me 3 milionë Euro nga pala gjermane, për menaxhimin e integruar të mbetjeve të ngurta dhe ekonominë ricikluese, në respekt të mjedisit, në Himarë është modernizuar sistemi i menaxhimit të këtyre mbetjeve. Mbetjet mblidhen në mënyrë të diferencuar në kontenierë përkatës. Riciklimi i tyre është rritur. Kosto e transportit është ulur.

Një proces që ka hapur vende të reja pune. Në supermarketet kryesore në Himarë janë shpërndarë në sajë të projektit ҫanta pambuku dhe konsumi i qeseve plastike është reduktuar në 50%. Ndryshimi ndihet në ajër. Por ka ende shumë për të bërë që rinia të mbetet në Himarë dhe ta kthejë atë në një nga destinacionet turistike më të frekuentuara në rajon. Rinia pret që prona të shkojë tek i zoti, që investitorë seriozë dhe të fuqishëm të kenë garanci ligjore që të investojnë në Himarë.

Merkel viziton vendin përkujtimor të hebrejve në Jerusalem

Kancelarja gjermane, Angela Merkel është përulur me nderime para gjashtë milionë hebrenjve në Izrael, të vrarë nga nazistët dhe ka thënë se Gjermania mban përgjegjësi për të luftuar antisemitizmin dhe të mos harrojë kurrë Holokaustin, transmeton Reuters.

Ajo ka nisur takimet në mes të delegacionit të Qeverisë Gjermane dhe asaj Izraelite me një vizitë në vendin përkujtimor të Holokaustit në Izrael, Yad Vashem.

“Pothuajse 80 vjet më parë, në natën e 9 nëntorit, hebrenjtë në Gjermani janë përballur me urrejtje dhe dhunë të paimgjinueshme. Kjo është përcjellur me krime të pashembullta kundër civilëve në formë të Shoahs”, ka thënë ajo duhet përdorur shprehjen hebreje për Holokaustin.

“Gjermania ka përgjegjësi për të kujtuar këto krime dhe për të luftuar antisemitizmin, ksenofobinë, urrejtjen dhe dhunën”, është shprehur ajo.

Merkel ka arritur në Izrael të mërkurën për një vizitë 24 orëshe, në kuadër të takimeve vjetore në mes të ministrave gjermanë dhe atyre izraelitë.

Partia e konservatore e kancelares Merkel është nën presion nga nacionalistët dhe e djathta ekstreme në Gjermani, të cilët janë zemëruar pas vendimit të saj për të pranuar më shumë se 1 milionë azilkërkues më 2015 në Gjermani.

Steve Bannon, kandidati amerikan për trazimin e Evropës

BRUKSEL – Steve Bannon, ish këshilltari i presidentit të SHBA-ve Donald Trump, me gjasë do të jetë një kandidat për të trazuar kontinentin evropian me lëvizjen “The Movement” me të cilën ka planifikuar të bashkojë partitë ekstreme të krahut të djathtë në Bashkimin Evropian (BE).

Bannon, i cili është një nga ish drejtuesit e internet faqes së lajmeve të ekstremit të djathtë Breitbart, e cila ringjalli sërish trendin e “nacionalizmit” në sferën ekonomike gjatë periudhës së detyrës së tij shtatë mujore në kohën e Trumpit në SHBA, synon të bashkojë partitë e djathta ekstreme në BE përpara zgjedhjeve për Parlamentin Europian (PE) në majin e ardhshëm.

Pritet që Bannon përpara zgjedhjeve të PE-së më 23-26 maj 2019 të zhvillojë një sërë vizitash intensive nga muaji nëntor për të kërkuar mbështetje ndaj lëvizjes “The Movement”.

Përpiqet të tërheqë anëtarë me premtimin e fondeve dhe ndihmës për hulumtime

Lëvizjen e tij Bannon e ka ndërmarrë bashkë me Mischael Modrikamen liderin e Partisë Popullore të ekstremit të djathtë në Belgjikë. Modrikamen i cili lëvizjen e ka regjistruar në muajin janar, krahas punëve administrative ai shoqëron Bannon në udhëtimet e tij në Evropë.

Lëvizja për partitë e ekstremit të djathtë që anëtarësohen në të, në qendrën që do të formohet në Bruksel krahas anketimeve dhe zhvillimit të hulumtimeve pa pagesë premton të japë edhe rekomandime në çështjen e zhvillimit të fushatave politike.

Pavarësisht se ende nuk nuk është deklaruar qartë burimi, në të njëjtën kohë për grupet që do të anëtarësohen në lëvizje parashikohet të transferohen fonde nga donatorët “Evropianë dhe Amerikanë”. Modrikamen, pretendon se aktualisht janë mbledhur “shuma serioze” nga donatorët.

Qëllimi është bashkimi i të djathtës ekstreme

Me projektin e tij të ri Bannon ka në objektiv fillestar PE-në. Duke deklaruar se synon të formojë një “super grup” të përbërë nga të djathtët ekstremë kundër partive tradicionale brenda PE-së, Bannon në këtë mënyrë kërkon të marrë një të tretat e Parlamentit i cili ka 751 vende.

Duke mbrojtur idenë e tij se tashmë partitë populiste në Evropë “janë zgjuar”, Bannon ka tërhequr vëmendjen me deklaratën e tij se “Zgjedhjet e ardhshme në maj kanë një rëndësi kyçe”.

Lëvizja u jep përparësi koncepteve të tilla me të cilët të djathtët ekstremë zhvillojnë politikë nëpërmjet si sovraniteti kombëtar, kufijtë e fortë, migrimi i kufizuar dhe lufta kundër radikalizmit.

Kundërshtari i ri i Soros-it

Në anën tjetër kur shikohen deklaratat dhe politikat që ndjek Bannon shihet se objektivi i tij kalon përtej zgjedhjeve të Parlamentit.

Duke theksuar se ai synon të krijojë “infrastrukturën e një lëvizjeje populiste globale”, Bannon duket se e ka identifikuar veten si një rival ndaj biznesmenit amerikan me origjinë hungareze George Soros, që mbështet liberalizimin në shkallë globale.

Bannon e ka përshkruar si një “person shumë inteligjent, por i djallëzuar” Soros-in i cili ka shpenzuar rreth 32 miliardë dollarë që nga viti 1984 për të mbështetur ‘demokracitë liberale‘ në Evropë nëpërmjet Institutit të Shoqërisë së Hapur. Ai beson se do të jetë një kundërshtar i fortë duke mbështetur me lëvizjen e tij një rrymë e cila është plotësisht në të kundërt në Evropë.

Bisedimet që nga Le Pen e deri tek Salvini

Bannon, i cili herë pas here ka zhvilluar biseda sekrete me zyrtarët e partisë ekstreme të së djathtës në Evropë për të mbledhur mbështetje, ai ka gjithashtu një listë të gjerë të vizitave.

Në një fjalim ku Bannon ka ndarë të njëjtën skenë në kongresin e partisë me Marine Le Pen lideren e të djathës ekstreme në Francë, ka thënë: “Lërini t’u thonë racistë, armiq të të huajve. Mos u kushtoni vëmendje, këto përshkrime i mbani si medalje nderi”.

Po ashtu në mesin e atyre personave që Bannon ka formuar kontakte të afërta ndodhen edhe zyrtarë të partisë së ekstremit të djathtë “Vëllezërit e Italisë” dhe partisë La Liga e Matteo Salvini-t i cili është zëvendëskryeministri dhe ministri i Brendshëm i Italisë i cili ka njoftuar hapur se do të japë mbështetje për “The Movement”.

Ndërkohë pretendohet se Bannon dhe Modrikamen në muajin shtator me një xhet privat janë takuar fshehurazi edhe me kryeministrin e Hungarisë, Viktor Orban.

Banon i cili zhvillon bisedime duke përfituar edhe nga rryma kundër BE-së e cila forcohet në Poloni, në të njëjtën kohë dihet që ai ka edhe një marrëdhënie të afërt edhe me Nigel Farage ish liderin e partisë së djathtë ekstreme Partisë së Pavarësisë së Mbretërisë së Bashkuar (UKIP) në Britani të Madhe si dhe me zyrtarë të partisë ekstreme të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD).

Krizat e BE-së përbëjnë një mundësi për Bannon

Në anën tjetër vendimi i Britanisë së Madhe për largimin nga BE-ja, mos gjetja ende e një zgjidhjeje për krizën e emigrantëve dhe pikëpyetjet në rritje në lidhje me bashkimin financiar, krijojnë një atmosferë krize në të gjithë BE-në.

Problemet në kontinent shkaktojnë rritjen e pashmangshme të partive ekstreme të krahut të djathtë, të cilat gjithnjë e më shumë e vënë në dyshim efektivitetin e BE-së në vende të tilla si Hungaria, Polonia, Franca, Suedia, Holanda, Gjermania, Austria dhe Italia.

Megjithëse konceptet e të djathtës ekstreme dhe nacionalizmit në Evropë sjellin me vete kujtime të këqija të viteve 1930, është e nevojshme që të mos injorohet fakti që Bannon ka kaluar në veprim në kohën e duhur në të gjithë BE-në dhe gjithashtu nuk duhet të neglizhohet mundësia e tij për të qenë i suksesshëm.

Është e paqartë se cilat janë motivet dhe forcat në sfondin e Bannon që kërkon të ushqejë lëvizjen nacionaliste në rritje në Evropë dhe zjarrin opozitar në BE. Disa qarqe mendojnë se pas përpjekjeve për të ndarë Unionin qëndron Trump, të cilët nuk injorojnë qëllimin e presidentit të SHBA-ve për të fituar interes komercial nga BE-ja e fragmentuar.

Ndërsa ata që janë në idenë se Trump nuk ka potencial për të bërë një llogari të tillë “të hollësishme” dhe afatgjate, mendojnë se veprimi i Bannon ka për qëllim vetëm një revoltë të re ideologjike kundër demokracisë liberale të Sorosit.

Lëvizja e re Bannon, e cila pavarësisht se ka një bazë të papërcaktuar dhe që është e dukshme që merr mbështetje nga lobet e forta të SHBA-ve, pritet të sjellë shtysë të re në ndarjen e politikës evropiane tashmë të brishtë për shkak të migracionit të parregullt, trazirave ekonomike dhe ndryshimeve të tjera konjukturale. aa

Parlamenti Evropian projekt për luftë kundër islamofobisë

BRUKSEL – Parlamenti Evropian (PE) sot ka nisur një projekt që synon luftimin e islamofobisë.

Në këtë projekt të inicuar, i cili financohet nga Komisioni Evropian (KE), morën pjesë një numër ekspertësh dhe profesorë universitetesh që trajtojnë çështjet e islamofobisë dhe racizmit

Të pranishmit u bënë thirrje vendeve anëtare të BE-së dhe vendimmarrësve politikë që të luajnë një rol më aktiv në luftën kundër islamofobisë dhe të forcojnë procedurat ligjore në lidhje me këtë çështje.

Projekti i titulluar “Lufta kundër islamofobisë” do të zgjasë gjithsej dy vjet.

Projekti do të analizojë narrativat dominante anti-myslimane në tetë shtete anëtare të BE-së, Francë, Gjermani, Belgjikë, Çeki, Hungari, Portugali, Greqi dhe Britani të Madhe.

Projekti, ndër të tjera, do të hetojë edhe atë se në çfarë mënyre myslimanët paraqiten si “kërcënim” dhe si ndërtohen “shtete gjithëpërfshirëse”. aa

Më të rëndësishmet e javës: (Video) Doris Pack: ligji i kaluar në Kuvend, pa votën e kryeministrit Rama!Mos anashkaloni Këshillin Bashkiak; ligji juaj pastron paratë!

Politikania e njohur gjermane, Doris Pack i është bashkuar sot protestës së qytetarëve për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar. Në fjalën që mbajti te teatri, Pack kritikoi qeverinë e Edi Ramës për faktin se Bashkimi Evropian i ka dhënë para për të ruajtur trashëgiminë kulturore, ndërkohë që këto para po përdoren për ta shkatërruar këtë trashëgimi.

Ish-eurodeputetja theksoi se ligji i kaluar në Kuvend, pa votën e kryeministrit Rama, ka për qëllim pastrimin e parave ndërkohë që banorëve të Tiranës nuk u duhen gjashtë kulla të reja në atë vend.

“Ne ju kemi dhënë para për të ruajtur trashëgiminë kulturore dhe ata po përdorin këto para për të shkatërruar trashëgiminë kulturore. Një qytet ka nevojë për vende të tilla, ky është një vend i jashtëzakonshëm që duhet ruajtur patjetër. Nuk mund ta kuptoj se si një qytet të kalojë ligje të tilla që përdoren vetëm për të pastruar para. Nuk e kuptoj se për çfarë ju duhen gjashtë kulla të reja?”,- u shpreh Pack në protestë.

Doris Pack kritikoi ashpër kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, për shmangien e Këshillit Bashkiak nga vendimmarrja për këtë çështje. Ajo theksoi se nëse Shqipëria dëshiron të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian duhet t’i respektojë këto institucione të pavarura.

“Nëse ky vend duhet të shkojë drejt BE-së, duhet të respektojë institucionet, dhe këshilli bashkiak që është anashkaluar nga ky ligj është një institucion i pavarur. Nuk ka ligj që mund të anashkalojë këshillin bashkiak të Tiranës që është pronar i vetëm i kësaj hapësire. Jam e interesuar për këtë situatë dhe ky ligj që kaloi dje në Parlament pa votën e kryeministrit është i gabuar. Unë nuk arrij të kuptoj se si vendimmarrja e anashkalon zërin e njerëzve, nëse doni të shkoni në BE duhet të dëgjoni zërin dhe shqetësimet e njerëzve”, u shpreh politikania gjermane.

 

Le Pen urdhërohet t’iu nënshtrohet testimeve psikatrike

Një gjykatë në Francë ka udhëruar lideren e ekstremit të djathtë, Marine Le Pen t’iu nënshtrohet testeve psikiatrike, në kuadër të hetimeve që kanë nisur, pas shpërndarjes së fotografive në të cilat shihen mizoritë e grupit militant, Shteti Islamik (IS).

Le Pen ka publikuar në Twitter kërkesën e gjykatës, duke e cilësuar “të çmendur”.

Ajo ka publikuar disa fotografi më 2015, duke përfshirë një viktimë të IS-it me kokë të prerë.

Asaj i është hequr imuniteti si anëtare e parlamentit dhe mund të ndëshkohet me dënim apo burgim.

Si lidere e asaj që është quajtur Fronti Kombëtar, Le Pen është mundur nga Emmanuel Macron në raudin e dytë të zgjedhjeve presidenciale.

Që nga ajo kohë, politikania ka tentuar të ngrihet sërish, derisa partia e saj ka ndryshuar emrin në Marshi Nacionalist, në mënyrë që të distancohet nga shenjat e racizmit.

Sipas një dokumenti të publikuar nga vetë ajo, gjyqtari ka kërkuar që përmes testeve të vlerësojë nëse ajo ka probleme mendore, apo “nëse është në gjendje të kuptojë pyetjet dhe të përgjigjet”.

Le Pen në anën tjetër e ka vlerësuar kërkesën “të çmendur” dhe se sipas saj “regjimi është duke nisur të bëhet i frikshëm”.

Mirëpo prokurorët i kanë thënë gazetës, Le Parisien se kërkesa është pjesë e procedurave të rregullta.

Le Pen ishte përballur me pakënaqësi kur kishte postuar fotografitë, pasi një gazetar kishte bërë krahasim në mes të IS-it dhe partisë së tij.

Rasti kundër saj është i lidhur me ligjin francez, i cili kundërshton qarkullimin e “mesazheve të dhunshme, të cilat nxisin pornografi dhe terrorizëm, apo të cilat dëmtojnë rëndë dinjetetin njerëzor” dhe të cilat mund të shihen nga të miturit.

Kosovë-Serbi, Gjermania “skeptike” për korrigjimin e kufijve

Gjermania mbetet skeptike ndaj idesë së korrigjimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë si një zgjidhje që do të çonte në normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve: këtë e pohoi sot ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas gjatë vizitës së tij zyrtare në Tiranë. Sipas tij vendet e rajonit i druhen një efekti domino që një zgjidhje e tillë mund të ketë në Ballkan

Kancelarja gjermane Angela Merkel mëse një herë është shprehur se një marrëveshje e mundshme për rishikim të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë mund të kishte pasoja në pjesët e tjera të rajonit. Edhe sot në Tiranë ministri i saj i Jashtëm i qëndroi po kësaj ideje ndërsa tha se në biseda të ndryshme të zhvilluara javët e shkuara me përfaqësues të vendeve të Ballkanit “shumë shpesh është thënë që ekziston frika ndaj shkëmbimit të territoreve. Ekziston frika e një efekti domino. Është një frikë që ne e kemi perceptuar dhe kjo do të luajë sigurisht edhe një rol përsa i përket qëndrimit të Qeverisë Federale në këtë drejtim. Prandaj dhe ne, në një farë mënyrë jemi skeptikë dhe të përmbajtur lidhur me këtë pike”, u shpreh ministri Maas.

Sipas shefit të diplomacisë gjermane, zgjidhja e çështjeve mes Kosovës dhe Serbisë duhet të arrihet “në mënyrë të tillë që të mos shkaktohen probleme të tjera shtesë, përveç atyre që janë. Nëse korrigjimi i kufijve do të jetë pjesë e kësaj zgjidhjeje, përkundrejt saj, Gjermania është skeptike dhe e përmbajtur”, nënvizoi ai.

Lidhur me Shqipërinë ministri gjerman rikonfimroi mbështetjen e vendit të tij në procesin e reformave dhe integrimit europian, ndërsa vlerësoi në mënyrë të veçantë Reformën në Drejtësi. Vendet anëtare të Bashkimit europian kanë përcatuar qershorin e ardhshëm si një datë të mundshme për hapjen e bisedimeve për anëtarësim, por kjo nuk duhet marrë ai një vendim që yyn në fuqi automatikisht, theksoi zoti Maas, duke theksuar se “kriteret për këtë janë të hapura, të ditura dhe të qarta, pra, duhet të ekzistojnë hapa për rezultate të tjera përsa i përket reformave në mënyrë të tillë që të mund të bindim edhe të gjithë ata që janë disi skeptikë për sa i përket këtij procesi. Bëhet fjalë më së shumti për konsolidimin e shtetit ligjor apo pavarësinë e sistemit të drejtësisë”, shpjegoi kryediplomati gjerman.

Për ministrin e Jashtëm shqiptar raporti I partneritetit me GJermaninë është i pazëvendësueshëm, ndërkohë që kryeministri Edi Rama kërkoi mbështetjen e Berlinit për kandidaturën e Shqipërisë për të marrë presidencën e OSBE-së për vitin 2020.

Shefi i inteligjencës në Gjermani largohet nga pozita

Hans-Georg Maassen.

Shefit të inteligjencës në Gjermani, Hans-Georg Maassen, i është thënë të largohet nga kjo pozitë dhe të kalojë në një post tjetër në ministrinë e Brendshme.

Vendimi i Qeverisë së Gjermanisë ka ardhur pas përgjigjjes së Maassenit ndaj trazirave të shkaktuara nga pjesëtarë të ekstremit të djathtë në Çemnitz, në lindje të Gjermanisë.

Më 26 gusht në këtë pjesë kishte shpërthyer konflikti kundër emigrantëve pasi një gjerman ishte vrarë në një mosmarrëveshje me emigrantët.

Maassen ka dyshuar se personat me dukje të huaj janë ndjekur.

Ndërkohë, kancelares gjermane, Angela Merkel i është bërë thirrje për ta shkarkuar atë.

Maassen do të largohet nga shërbimi i inteligjencës në Zyrën Federale për Mbrojtje të Kushtetutës (BfV), për t’u bërë sekretar i Shtetit në ministrinë e Brendshme.

Prej vrasjes së Daniel Hillig, në qytetin lindor të Gjermanisë është raportuar për disa sulme ksenofobike.

Ato janë përshkruar si “ndekje” raciste dhe në pamje të publikuara janë dukur protestuesit duke ndjekur disa persona dhe duke gjuajtur shishe dhe fishekzjarre.

Mirëpo, shefi i Inteligjencës, Massen ka thënë se Zyra Federale për Mbrojtje të Kushtetutës (BfV), nuk ka “të dhëna të besueshme për përndjekje të tilla”.

Gjermania vë në përdorim trenin e parë në botë me hidrogjen

Gjermania ka vënë në përdorim trenin për pasagjerë Coradia iLint, që është i pari i parë në botë, që për karburant do të përdorë hidrogjenin, i cili shndërrohet në energji elektrike si forcë tërheqëse e trenit.

Lajmi është konfirmuar nga kompania ndërkombëtare franceze Alstom, e cila thotë se treni emeton vetëm avull dhe ujë të kondenzuar me nivel të ulët të zhurmës, që e bën paqësor ndaj ambientit.

“Treat ‘Coradia iLint’, do të operojnë në udhëtimin 100 kilometërsh mes qyteteve Cuxhaven, Bremerhaven, Bremervorde dhe Buxtehude, me çka do të zëvendësojnë trenët dhe autobusët e kompanisë gjermane EVB”, thuhet në njoftimin e Alstom e cila bën të ditur se treni i ri do të bashkëmenaxhohet nga ata dhe kompania gjermane EVB.

“iLint është i veçantë nga shkaku i kombinimit të elementeve të ndryshme inovative: shndërrimi i energjisë së pastër, ruajtje fleksibile të energjisë në bateritë dhe menaxhim të mençur të fuqisë dhe energjisë së disponueshme”, thuhet më tej.

Përveç kësaj, treni i projektuar për operim në linjat jo të elektrizuara, bën të mundur një transport të pastër të qëndrueshëm të trenave, njëkohësisht duke siguruar performancë të nivelit të lartë.

Treni mund të qarkullojë me një shpejtësi maksimale prej 140 kilometra në orë. aa

Komisionerja Evropiane e Transportit: Ndryshimi i orës do të ndalojë në vitin 2019

Komisionerja Evropiane e Transportit, Violeta Bulc njoftoi se Bashkimi Europian do të ndalojë ndryshimin e orës dy herë në vit në të gjithë kontinentin, duke filluar që nga Tetori 2019.

Bulc tha se të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Europian duhet të vendosin deri në prill të vitit 2019 nëse do të qëndrojnë përgjithmonë në zonën kohore verore apo dimërore.

Në Europë, shtetet ndryshojnë akrepat 60 minuta përpara të dielën e fundit të marsit, ndërsa në tetor i kthejnë akrepat 60 minuta prapa.

Sipas BE-së, të gjitha vendet anëtare duhet të kenë të njëjtën zonë kohore dhe t’i jepet fundit praktikës së ndryshimit.

Eurokomisionerja e Transportit deklaroi se duhet të gjendet një konsensus mes vendeve anëtare të Parlamentit Europian.

Ka qenë Komisioni Europian që kërkoi mosndryshimin e orës, pas një studimi të bërë online ku rezultatet treguan se 80% e të anketuarve nuk ishin dakord me ndryshimin e orës.

Praktika e ndryshimit të orës daton që prej Luftërave Botërore, ndërsa në vitin 1996 u bë ligj nga BE.

Papa Françesku: “Nuk mund të besosh në Zot e të jesh mafioz”

“Nuk mund të besosh në Zot dhe të jesh mafia. Kush është mafioz nuk jeton si i krishterë, sepse blasfemon me jetën, emrin e Zotit që është dashuria” ishte ky mesazhi i Papa Franceskut.

Ati i Shenjtë këtë herë iu drejtua mafias me një fjalim të mbajtur në Palermo, në nder të priftit Don Pino Puglisi të vrarë në vitin 1993 nga grupi mafioz Cosa Nostra.

Papa u prit në Palermo nga 40 mijë njerëz. “Unë jam i lumtur të gjej veten në mesin tuaj, dielli i Sicilisë është i bukur!”. Papa mbajti një fjalim të gjatë me besimtarët në Piazza Armerina.

Merkel: Nuk ka tërheqje të sanksioneve ndaj Rusisë, pa armëpushim në Ukrainë

Kancelarja gjermane Angela Merkel, tha se sanksionet e Bashkimit Evropian ndaj Moskës do të vayhdojnë deri në arritjen e një armëpushimi në Ukrainë, nën marrëveshjen e Minskut.

“Para implementimit të marrëveshjes së Minskut, ose është zhvilluar progress, ne nuk do të konsiderojmë heqjen e sanksioneve ndaj Rusisë”, tha Merkel.

“Kthimi i paqes dhe integritetit territorial të Ukrainës është caku ynë”.

Sanksionet ndaj Rusisë ishin vendosur për shkak të mbështetjes ndaj separatistëve të forcave të qeverisë ukrainase në një luftë që la më shumë se 10,300 persona të vrarë që nga prilli i vitit 2014.

Sanksionet ishin rritur ndaj Moskës për rrethimin dhe aneksimin e Gadishullit të Krimesë.

Edhe Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione të njëjta.

Kompanitë gjermane humbin miliarda euro nga sulmet kibernetike

BERLIN – Një studim i ri zbuloi se sulmet kibernetike dhe spiunazhi industrial kanë shkaktuar humbje prej 43 miliardë euro (50 miliardë dollarë) për kompanitë gjermane në dy vitet e fundit.

Shoqata dixhitale gjermane Bitkom sot tha se 68 për qind e kompanive gjermane janë bërë viktimë e sulmeve kibernetike, sabotimit, vjedhjes së të dhënave ose spiunazhit.

“Shumë kompani gjermane janë liderë të tregut në mbarë botën që i bën ata shumë tërheqës për kriminelët”, tha kryetari i Bitkom, Achim Berg, në një konferencë për media në Berlin.

Sipas studimit të Bitkom, në rreth 63 për qind e incidenteve, punonjësit e tanishëm ose të mëparshëm të kompanive ishin të përfshirë në sulmet kibernetike ose spiunazhit industrial.

Në 29 për qind të incidenteve, besohet se hakerët që kanë hobi atë kanë qenë përgjegjës për sulmet, ndërsa shërbimet e huaja të zbulimit u identifikuan në 11 për qind të rasteve.

Spanja miraton shitjen e bombave me lazer në Arabinë Saudite

Spanja do të vazhdojë procedurat e shitjes së 400 bombave me lazer në Arabinë Saudite, ka njoftuar ministri i Jashtëm spanjoll, Josep Borrell, ndonëse në fillim shteti i tij kishte dilema për rolin e sauditëve në luftën në Jemen.

“Vendimi është që këto bomba do të shiten në kuadër të kontratës së vitit 2015, që është nënshkruar nga Qeveritë e mëparshme”, ka thënë Borrell për Radion Onda Cero, transmeton Reuters.

Grupe për të drejtat e njeriut, përfshirë Amnesty International kanë dënuar shitjen e armëve të Perëndimit në Arabinë Saudite dhe tek aleatët e saj, në luftën për të cilën Kombet e Bashkuara kanë thënë të ketë lënë të vdekur më shumë se 10,000 persona dhe 8.4 të tjerë i ka përballur me uri ekstreme.

Disa ministra qeveritarë kanë punuar në këtë çështje për një javë dhe kontrata është rishikuar tri herë nga komisioni përgjegjës për shitjen e armëve, andaj sipas Borrell ata “nuk kanë gjetur asgjë për të mos shitur ato”.

I pyetur nëse Spanja ka pranuar ndonjë dokument që siguron se ato armë nuk do të përdoren kundër popullsisë në Jemen, ministri spanjoll ka thënë se bombat godasin shënjestrat me “precizitet të jashtëzakonshëm” brenda një metre.

Vendimi për ndalimin e shitjes së armëve pati ngritur shqetësime lidhur me kontrata tjera të nënshkruara me vendet e Gjirit Arab.

Mirëpo, ministria e Mbrojtjes ka thënë muajin e kaluar se Qeveria Socialiste aktuale, e cila ka nisur së qeverisuri në muajin qershor, nuk ka shitur kurrë armë, të cilat mund të përdoren kundër civilëve.

Parlamenti Evropian voton pro liberalizimit të vizave për Kosovën

Parlamenti Evropian votoi me shumicë votash rekomandimin e Komiteti për liritë qytetare, drejtësi dhe çështje të brendshme, për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Raportuesja për vizat në Parlamentin Evropian Tanja Fajon, gjatë prezantimit të rekomandimit tha se qytetarët e Kosovës e meritojnë votën pro, pasi institucionet e Kosovës i kanë përmbushur gjitha kriteret për liberalizimin e vizave.

Ajo tha se sot votohet për mandatën e dialogut tripalësh mes Parlamentit, Komisionit dhe Këshillit të Ministrave.

Pas këtij votimi të Parlamentit Evropian konfirmohet mandati për fillimin e bisedimeve me vendet anëtare të BE-së, në mënyrë që Kosovës t’i liberalizohen vizat. Bisedimet në emër të Parlamentit Evropian do t’i udhëheqë, Tanja Fajon, raportuese për vizat në Parlament.

Ndërkaq, menjëherë pas votimi përmes një postimi në Twitter, Fajon tha se qytetarët e Kosovës janë edhe një hap më afër udhëtimit pa viza në Evropë.

“Përpjekjet vazhdojnë me qeveritë e vendeve të BE-së dhe nuk do të ndalem derisa të liberalizohen vizat”, ka shkruar Fajon.

Radio Evropa e Lirë mëson se takimi i parë i grupit punues do të mbahet më 17 shtator.

Pasi të përafrohen bisedimet në kuadër të grupit punues, pastaj çështja kalon në nivel të ministrave të Brendshëm të Bashkimit Evropian, të cilët vendosin për këtë përmes votimit me një shumicë të kualifikuar.

Komisioni Evropian më 18 korrik të këtij viti, vendosi se Kosova i ka përmbushur gjitha kriteret dhe i rekomandoi Bashkimi Evropian të liberalizojë vizat për qytetarët e Kosovës.

Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, qytetarët e së cilës nuk gëzojnë të drejtën e lëvizjes së lirë në zonën e Shengenit.

Priftërinjtë katolikë gjermanë “abuzuan me mijëra fëmijë”

Ilustrim

Mbi 3 600 fëmijë në Gjermani janë sulmuar nga priftërinjtë katolikë në mes të viteve 1946 dhe 2014, zbulon një raport që ka rrjedhur në publik.

Studimi është autorizuar nga vetë Kisha dhe pritet të publikohet më 25 shtator.

Sipas raportit, të publikuar nga Spiegel Online, rreth 1 670 klerikë në Gjermani kanë kryer një formë të sulmit seksual ndaj 3 677 të miturve.

Një zëdhënës i Kishës tha se është “i tronditur dhe i turpëruar” nga gjetjet.

Raporti është i fundit në një seri të gjatë sish, që kanë zbuluar dekada të tëra të abuzimit seksual nga priftërinjtë katolikë në mbarë botën.

Sipas studimit të ri, vetëm 38% e autorëve të dyshuar janë ndjekur penalisht dhe janë ballafaquar vetëm me procedura të vogla disiplinore. Rreth një në gjashtë raste ka përfshirë përdhunim.

Shumica e viktimave ishin djem dhe më shumë se gjysma ishin 13 vjeç ose më të rinj. rel

BE synon të forcojë mbrojtjen e kufijve të jashtëm

BRUKSEL – Presidenti i Komisionit Evropian (KE), Jean-Claude Juncker, dëshiron që të forcojë rojën bregdetare të Bashkimit Evropian(BE) dhe Zyrën evropiane për azil me qëllim që të përmirësojë mbikëqyrjen e kufijve të jashtëm dhe të përshpejtojë deportimin e emigrantëve jolegal.

Juncker të mërkurën në Parlamentin Evropian në Strasburg tha se “kufijtë e jashtëm duhet të mbrohen në mënyrë efikase”.

Ai shtoi se Komisioni Evropian propozon që një korpus i përhershëm për shërbimin e kufirit dhe të rojës bregdetare të numërojë 10.000 persona, duke përfshirë rojet dhe ekspertët e migracionit

Forcat tërësisht do të ishin operativ deri në vitin 2020, ndërsa sipas Junckerit për këtë Bashkimi Evropian duhet të ndajë rreth 2.2 miliarder euro.

Mbetet që vendet anëtare të BE-së të aprovojnë propozimin. Shumë kombe shprehën shqetësimin për shkak të faktit se kufijtë e tyre i kontrollojnë nëpunës të vendeve tjera, madje edhe nëse bëhet fjalë për partnerët evropianë.

Idlibi duhet të jetë një shqetësim i thellë për ne”

Juncker duke folur mbi krizën që vazhdon në Siri, tha se “Idlibi duhet të jetë një shqetësim i thellë për ne. Nuk mund të heshtim përballë kësaj fatkeqësie njerëzore e cila është e qartë se do të përjetohet në një periudhë të afërt”.

Pasi ka theksuar se kriza e Sirisë është provë se po vendoset gjithnjë e më shumë në objektiv rregulli ndërkombëtar të cilin evropianët e kanë përfituar që nga Lufta e Dytë Botërore, Juncker tha se “Aleancat e djeshme ndoshta nuk do të jenë aleancat e sotme”.

“Ka ardhur koha për sovranitetin e Evropës. Është koha të marrim në dorë fatin tonë”, deklaroi Juncker duke shtuar se BE-ja nuk është një ishull i mbyllur brenda saj përkundrazi ajo është një kontinent i hapur dhe i mbushur plot me paqe që vazhdon marrëdhëniet me fqinjët e saj.

Ndër të tjera duke nënvizuar se paqja në Evropë është mundësuar falë BE-së, Juncker tha se “BE-ja është garantuese e paqes”.

Duke përmendur lëvizjet e të djathtës ekstreme që janë rritur kohët e fundit në BE, Juncker tha: “T’i themi jo nacionalizmit që refuzon dhe urren të tjerët”.

Juncker ka dhënë informacione edhe në lidhje me aktivitetet për emigrimin dhe refugjatët. Sipas tij, që nga viti 2020 do të fillojnë detyrën njësitë bregdetare dhe të mbrojtjes së kufirit të përbërë nga 10 mijë persona.

“Duhet të formohen kanale migrimi të rregullta. Kemi nevojë për migrantë të kualifikuar”, tha Juncker duke shtuar se kanë zvogëluar me 80 për qind migrimet e ardhura nga Mesdheu.

Pagesat në euro në vend të dollarit

Juncker nënvizoi se është e papranueshme që të bëhen pagesat me dollarë amerikanë për energjinë e eksportuar nga BE-ja e cila arrin një shifër prej 300 miliardë euro në vit.

Ai tha se vetëm 2 për qind e energjisë importohet nga SHBA-ja. “Euro duhet të jetë një mjet aktiv i sovranitetit të Evropës. Komisioni deri në fund të këtij viti do të ndajë inciativat me qëllim për të forcuar rolin ndërkombëtar të euros”, potencoi Juncker.

KE propozon t’i jepet fund ndryshimit të orës

BRUKSEL – Komisioni i Bashkimi Evropian (KE), propozoi që t’i jepet fund ndryshimit të orës në muajt veror dhe dimëror të shteteve anëtare të BE-së.

Kryetari i KE-së, Jean-Claude Juncker, në adresimin e tij, njoftoi rreth propozimit të rregullativës së ndryshimit të aplikimit të orës verore dhe dimërore që është duke u zbatuar aktualisht.

Sipas kësaj, shtetet anëtare të BE-së, që nga viti 2019 nuk do të zbatojë orën verore dhe do të kalojë në një llogari të vetme. Vendet anëtare në prill të vitit 2019 do të vendosin për një llogaritje të vetme, verore ose dimërore.

Ata që do të zgjedhin llogaritjen verore ndryshimin e fundit të detyruar do ta bëjnë më 31 mars 2019, ndërsa ata që do të zgjedhin llogaritjen dimërore ndryshimin e fundit do ta bëjnë më 27 tetor 2019.

Që të dekretohet rregullorja duhet të miratohet nga Këshilli i BE-së dhe Parlamenti Evropian (PE).

Në 28 shtete anëtare të BE-së me rregulloren e bërë në vitin 1981, çdo vit e diela e fundit të muajit mars akrepat janë shtyrë një orë përpara, ndërsa të dielën e fundit të tetorit akrepat një orë pas.

PE në muajt e kaluar kishte pranuar vendimin që parasheh t’i jepet fund ndryshimit të orës në mbarë BE-në.

Në sondazhin e bërë nga KE, në datat 4 korrik-16 gusht për orën verore kishin marrë pjesë 4,6 milionë persona. 84 për qind të qytetarëve ishin kundër llogaritjes së ndryshme për verën dhe dimrin. aa


Send this to a friend