Tensionet diplomatike midis Parisit dhe Romës janë shkaktuar nga deklaratat e zëvendëskryeministrit italian Matteo Salvini në lidhje me presidentin francez Emmanuel Macron, në sfondin e një mosmarrëveshjeje mbi vendosjen e mundshme të trupave evropiane në Ukrainë.
Ministria e Jashtme franceze thirri të premten ambasadoren e Italisë në Francë Emanuela D’Alessandro, duke cituar “deklarata të papranueshme”, sipas një burimi të AFP në Quai d’Orsay.
“Ambasadorit iu kujtua se këto deklarata janë në kundërshtim me klimën e besimit dhe marrëdhënien historike midis dy vendeve tona, si dhe me zhvillimet e fundit dypalëshe”, “konvergjencën e fortë të dy vendeve, veçanërisht në lidhje me mbështetjen e palëkundur për Ukrainën”, sqaroi burimi në Ministrinë e Jashtme franceze, duke konfirmuar informacionin nga stacioni radiofonik France Inter.
I pyetur gjatë qëndrimit në Milano për mundësinë e vendosjes së trupave italiane në Ukrainë nëse pushojnë armiqësitë, diçka që Franca dhe Britania planifikojnë ta bëjnë, Matteo Salvini u përgjigj se meqenëse Emmanuel Macron e dëshiron kaq shumë, “ai mund të shkojë”, duke vënë një helmetë dhe duke marrë një pushkë.
Franca dhe Britania, duke udhëhequr një “aleancë të vullnetit”, synojnë të dërgojnë trupa në Ukrainë si një garanci sigurie për të parandaluar një rifillim të armiqësive nëse arrihet një armëpushim ose një marrëveshje paqeje midis Kievit dhe Moskës. Megjithatë, kryeministrja italiane Giorgia Meloni e ka hedhur poshtë këtë mundësi. bw
Zëvendëskancelari i Gjermanisë, Lars Klingbeil, bëri thirrje më 23 gusht që të rishikohet mundësia e ndalimit të partisë të ekstremit të djathtë, Alternativa për Gjermaninë (AfD), në dritë të dëshmive të bëra publike nga agjencitë vendëse të inteligjencës.
“Ne duhet t’i luftojmë armiqtë e demokracisë”, tha ai për Funke Media Group të Gjermanisë.
“Nëse procedurat për ndalim mund të kenë sukses duhet të vendoset duke vlerësuar gjetjet e agjencive të inteligjencës”, shtoi ai.
Klingbeil, bashkëudhëheqës i Socialdemokratëve (SPD) në koalicionin e udhëhequr nga kancelari Friedrich Merz, tha se Qeveria nuk mund të rri duarkryq nëse një parti që haptazi është e ekstremit të djathtë synon të shkatërrojë demokracinë e Gjermanisë.
“Për këtë arsye, demokratët janë të obliguar që seriozisht ta shqyrtojnë mundësinë e procedurave ligjore për ta ndaluar AfD-në”, tha ai.
Agjencia për inteligjencë të brendshme në Gjermani – e njohur si Zyra për Mbrojtjen e Kushtetutës – në maj e shpalli AfD-në “grup ekstremist të krahut të djathtë”.
Përdorimi i këtij termi më vonë u pezullua, teksa po shqyrtohet një ankesë e dorëzuar nga kjo parti në Gjykatën e Apelit.
Agjencitë e inteligjencës në nivel shtetëror kanë bërë klasifikime të ngjashme për degët lokale të AfD-së, partisë më të madhe opozitare në Gjermani.
Ndërsa SPD-ja e Klingbeilit po kërkon krijimin e një grupi pune për të mbledhur dëshmi nëse AfD-ja vepron në mënyrë antikushtetuese, blloku konservator i Merzit mbetet skeptik dhe beson se procedurat ligjore mund të rrisin mbështetjen për AfD-në.
Një kërkesë për ndalim mund të dorëzohet nga njëra nga dy dhomat e Parlamentit ose nga Qeveria, dhe vetëm Gjykata Kushtetuese e Gjermanisë ka fuqinë për të vendosur masën e ndalimit.
Sirenat e alarmit për një sulm ajror të mundshëm u dëgjuan pasditen e sotme në Kiev, ndërsa në kryeqytetin ukrainas po qëndron për vizitë Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte. Lajmi raportohet nga gazetarët e agjencisë AFP që ndodhen në terren.
Komanda ushtarake e Kievit u bëri thirrje qytetarëve që të strehohen menjëherë, për shkak të kërcënimit për një sulm me raketa balistike nga Rusia.
Alarmi u lëshua pak pas konferencës së përbashkët për shtyp mes Rutte dhe presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky. gsh
Diplomatja e lartë i Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ka paralajmëruar kundër ushtrimit të presionit mbi Ukrainën për të lëshuar territore ndaj Rusisë si pjesë e një marrëveshjeje të mundshme paqeje.
Kallas tha se pranimi i kontrollit rus mbi territore ukrainase do të ishte një “kurth në të cilin Putini dëshiron që ne të futemi”.
Rajoni i Donbasit, në Ukrainën lindore, ka qenë objekt agresioni të vazhdueshëm nga Rusia dhe ka detyruar rreth 1.5 milion ukrainas të largohen nga shtëpitë e tyre gjatë dhjetë viteve të fundit.
Pavarësisht insistimeve të përsëritura të Kremlinit dhe nënvizimit të Trump për nevojën e një “shkëmbimi territoresh”, Ukraina ka refuzuar kategorikisht të dorëzojë Donbasin në këmbim të paqes.
Kallas – e cila ndodhet në “listën e të kërkuarve” të Kremlinit – theksoi nevojën për garanci të forta e të besueshme sigurie për Ukrainën. Ajo pranoi se aktualisht ka pak “hapa konkretë” në lidhje me krijimin e një force penguese, por nënvizoi:
“Garancia më e fortë e sigurisë është një ushtri e fortë ukrainase,” duke shtuar se garancitë e sigurisë duhet të jenë jo vetëm në letër.
Sipas saj, u takon shteteve anëtare të “koalicionit të të vullnetëshmve” të përcaktojnë saktësisht se çfarë mund të kontribuojnë dhe në çfarë kapaciteti do të veprojnë këto forca. bw
Udhëheqësit evropianë të NATO-s nuk duhet të jenë naivë kur diskutojnë për një forcë paqeje në Ukrainë, por të përballen me realitetin se do t’u duhet të vendosin dhjetëra mijëra trupa në vend për një periudhë afatgjatë, tha kreu i sindikatës së ushtarëve të Gjermanisë.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, po kërkon të ndërmjetësojë paqen midis Moskës dhe Kievit, por ka përjashtuar dërgimin e trupave amerikane në Ukrainë.
Presidenti francez Emmanuel Macron dhe kryeministri britanik Keir Starmer kanë folur të dy në favor të vendosjes së trupave në një zgjidhje pas luftës, si pjesë e një koalicioni të të vullnetshmëve, me kancelarin gjerman Friedrich Merz që gjithashtu sinjalizon hapje ndaj pjesëmarrjes gjermane.
Koloneli Andre Wuestner, kreu i Shoqatës së Forcave të Armatosura Gjermane, u bëri thirrje të enjten udhëheqësve evropianë të mos e nënvlerësojnë detyrën ushtarake, por të jenë të sinqertë në lidhje me sfidat, edhe pse çdo armëpushim i shpejtë dukej i pamundur.
“Nuk do të jetë e mjaftueshme të kesh një grusht gjeneralësh dhe njësi më të vogla ushtarake që drejtojnë një post komande në Ukrainë”, tha për Reuters ëuestner, organizata e të cilit përfaqëson më shumë se 200,000 ushtarë aktivë dhe në pension.
“Që nga fillimi, Putinit duhet t’i bëhet e qartë — dhe me mbështetjen e forcave ndërkombëtare — se ne jemi plotësisht seriozë në lidhje me garancitë e sigurisë”, tha ai.
“Serioz në mbështetjen e Ukrainës, serioz në sigurimin e një armëpushimi dhe serioz në përgjigjen tonë nëse Putini përpiqet të sulmojë një tjetër Ukrainë.”
Ai vlerësoi se secili prej vendeve të mëdha në koalicionin e të gatshëmve, si Britania, Franca dhe Gjermania, do të duhej të vendoste të paktën 10,000 trupa në Ukrainë në planin afatgjatë, duke paraqitur një sfidë të madhe për forcat e tyre tashmë të sforcuara dhe të papajisura mirë.
“Evropianët mbeten ‘xhuxhë’ ushtarakë dhe tashmë po përpiqen të përmbushin angazhimet e reja të NATO-s që morën në samitin e fundit”, tha ëuestner. “Evropa është ende shumë larg të qenit në gjendje të mbrojë veten në mënyrë të pavarur.”
Prandaj, ekziston një nevojë urgjente për të përshpejtuar më në fund armatimin dhe forcimin e shtyllës evropiane të NATO-s. bw
Inxhinierët ukrainas kanë prezantuar raketën lundruese “Flamingo” si produktin më të ri të industrisë ushtarake ukrainase, duke paralajmëruar prodhimin serik të saj.
Kjo raketë pritet të ketë një rreze veprimi deri në 3.000 kilometra dhe një kokë shpërthyese prej 1000 kilogramësh.
Inxhinierët raketorë ukrainas kanë prezantuar raketën lundruese “Flamingo” si produktin më të ri të industrisë ushtarake ukrainase, duke paralajmëruar prodhimin serik të saj.
Kjo raketë pritet të ketë një rreze veprimi deri në 3.000 kilometra dhe një kokë shpërthyese prej 1000 kilogramësh.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka njoftuar për fillimin e prodhimit serik, gjë që tregon se të gjitha testimet e armës janë kryer dhe se ekzistojnë njësi të ushtrisë ukrainase të afta për ta lëshuar këtë lloj rakete.
“Dhe kjo është raketa më e suksesshme që kemi pasur deri tani. Fluturon 3000 kilometra, gjë që është e rëndësishme. Deri në dhjetor do të kemi më shumë prej tyre. Duhet të shohim suksesin e testeve dhe të shohim financimin e këtij programi”, shtoi Zelensky.
Sipas ekspertëve ukrainas, raketa ka një devijim nga shënjestra deri në 15 metra, gjë që në një distancë prej 3000 kilometrash konsiderohet mjaft e precize për raketat moderne lundruese.
Nga ana tjetër, presidenti ukrainas që në qershor ka paralajmëruar prodhimin serik të raketave balistike ukrainase të tipit “Sapsan”. Ajo që është me rëndësi të theksohet është se në Ukrainë, pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, ka mbetur një bazë industriale e rëndësishme për prodhimin e raketave. bw
Eurodeputeti Tonino Picula, raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë, paralajmëroi të mërkurën se Serbia ndodhet prej kohësh në një gjendje të jashtëzakonshme, pavarësisht se nuk është shpallur zyrtarisht. Ai e përshkroi situatën si një “bllokim institucional”, ku mekanizmat standardë demokratikë për zgjidhjen e konflikteve të brendshme nuk funksionojnë.
Sipas Picula, situata ka degraduar që pas tubimit masiv më 18 qershor, kur regjimi i Aleksandar Vuçiç filloi të përdorte forcën në mënyrë të shtuar, duke rritur seriozisht rrezikun e dhunës. Ai shprehu frikën se kjo përshkallëzim mund të çojë në viktima të tjera, duke rikujtuar 16 personat që humbën jetën më 1 nëntor të vitit të kaluar nga shembja e një tende.
Eurodeputeti kritikoi mungesën e unitetit në Bashkimin Evropian për të ushtruar presion mbi Vuçiç, duke e krahasuar situatën me Ukrainën, ku ekziston një koordinim më i fortë evropian. Ai theksoi se zgjedhjet në Serbi shpesh janë përdorur nga presidenti si mjet për të fituar legjitimitet shtesë, dhe se procesi zgjedhor nuk ka qenë kurrë krejtësisht i rregullt.
Picula nënvizoi gjithashtu se çdo forcë opozitare që sfidon Vuçiçin nuk ka domosdoshmërisht mbështetje nga Evropa, duke treguar një situatë të ndërlikuar dhe pa një front të bashkuar për presion të vërtetë. Ai theksoi se, pavarësisht përpjekjeve të Parlamentit Evropian, mungon koherenca dhe presioni efektiv për të ndikuar në regjimin e Vuçiç.
“Serbia është në një krizë të gjatë dhe të thellë, ku demokracia është në rrezik dhe dhuna mund të përshkallëzohet më tej”, përfundoi Picula. sn
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u tha gazetarëve mbrëmë se një takim me Vladimir Putin do të ishte i mundur pas përcaktimit të boshteve kryesore të një marrëveshjeje me Perëndimin mbi garancitë e sigurisë për Ukrainën.
Deklaratat e tij për grupin e gazetarëve në Kiev ishin ” të ndaluara ” deri këtë mëngjes.
Ne duam të arrijmë një marrëveshje mbi strukturën e garancive të sigurisë brenda shtatë deri në dhjetë ditësh. Dhe bazuar në këtë bazë të përbashkët, ne synojmë të organizojmë një takim trepalësh” në të cilin do të marrë pjesë edhe presidenti i SHBA-së, sqaroi ai.
Volodymyr Zelensky tha gjithashtu se do të donte të shihte një “reagim të fortë” nga Uashingtoni nëse presidenti rus nuk dëshiron të ketë një takim dypalësh me të. Ai shtoi se nuk është e qartë se çfarë lëshimesh do të ishte e gatshme të bënte Moska.
“Unë iu përgjigja menjëherë një propozimi për një takim dypalësh dhe ne jemi gati edhe nëse rusët nuk janë dakord , ne do të donim të shihnim një reagim të fortë nga Shtetet e Bashkuara” tha ai
Lidhur me Budapestin si një vend të propozuar për bisedime midis Kievit dhe Moskës, presidenti ukrainas tha se ishte “problematik” dhe përmendi Zvicrën, Austrinë ose Turqinë si alternativa.
“Ne e konsiderojmë të drejtë mbajtjen e takimit në një Evropë neutrale. Mbajtja e tij në Budapest “nuk është e lehtë” duke pasur parasysh afrimin midis Hungarisë dhe Rusisë”, shpjegoi presidenti ukrainas, duke shtuar se ai e ka përjashtuar opsionin e Moskës. bw
Forcat ruse kanë kryer sulme masive ajrore në Ukrainë më 21 gusht, duke shënjestruar me dronë dhe raketa disa rajone, sipas autoriteteve ukrainase.
Autoritetet raportuan për viktima civile dhe dëme të mëdha në zonat e banuara dhe në infrastrukturë.
Forcat Ajrore ukrainase raportuan se Rusia lëshoi 574 dronë dhe 40 raketa gjatë natës.
Në Lviv, qytet në perëndim të Ukrainës, sulmet ruse me raketa dhe dronë vranë një person dhe plagosën dy të tjerë sipas guvernatorit rajonal, Maksym Kozytskyy. Dhjetëra ndërtesa banimi raportohet se janë dëmtuar nga sulmet.
Në Mukaçevo, në rajonin Zakarpatija që afër kufirit perëndimor të Ukrainës, 12 persona u plagosën në disa sulme me raketa, sipas këshillit të qytetit.
Në jug të qytetit të Zaporizhjës, raketat ruse goditën zona të banuara, duke plagosur një grua 85-vjeçare dhe duke dëmtuar disa ndërtesa banimi, thanë autoritetet lokale.
Ministri i Jashtëm ukrainas, Andriy Sybiha, dënoi sulmet dhe shkroi në X se “për dallim nga të gjitha përpjekjet për t’i dhënë fund luftës, Rusia kreu sulme masive ndaj Ukrainës gjatë natës. Qindra dronë, raketa hipersonike, balistike dhe lundruese u lëshuan ndaj civilëve dhe infrastrukturës energjetike”.
Sybiha tha se një nga raketat goditi një fabrikë të madhe amerikane për prodhimin e pajisjeve elektronike në perëndim të Ukrainës, duke shkaktuar dëme të mëdha dhe viktima.
“Një ndërtesë civile që nuk kishte të bënte fare me mbrojtjen apo me ushtrinë”, shtoi ai, duke theksuar se kjo nuk ishte hera e parë që forcat ruse kanë shënjestruar bizneset amerikane në Ukrainë. Në këtë drejtim, ai përmendi sulme të kryera më herët në zyrën e Boeing-ut në Kiev.
Sulmet e fundit u kryen disa ditë pasi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, u takua me presidentin amerikan, Donald Trump, dhe udhëheqësit evropianë në Uashington për të diskutuar për garancitë e mundshme të sigurisë për Ukrainën, teksa po vazhdon pushtimi rus i Ukrainës, që nisi në shkurt të vitit 2022.
Rusia mohon se qëllimshëm shënjestron objektet civile, por sulmet vazhdimisht kanë për cak shtëpi, spitale, shkolla dhe ndërtesa energjetike.
Zelensky ka thënë se është diskutuar për një program 90 miliardë dollarësh për blerjen e armëve amerikane për mbrojtjen e Ukrainës.
Po ashtu, zyrtarët ukrainas kanë thënë se puna ka filluar për një komponent ushtarak të garancive të sigurisë. SHBA-ja ka thënë se shtetet evropiane duhet të bartin barrën kryesore për të ofruar këto garanci dhe Uashingtoni do të ofrojë mbështetje në këtë drejtim.
Ndërkaq, bisedimet e 18 gushtit në Uashington përfunduan me zotimin e Trumpit se do të aranzhojë një takim mes Zelenskyt dhe presidentit rus, Vladimir Putin, teksa presidenti amerikan është takuar me udhëheqësin rus më 15 gusht në Alaskë.
Presidenti ukrainas vazhdimisht ka thënë se është i gatshëm për bisedime, por Putini nuk ka shprehur gatishmëri.
Udhëheqësit evropianë kanë shprehur skepticizëm se Putini do të marrë pjesë në bisedime, pa presion nga SHBA-ja.
Një dron rus thuhet se është rrëzuar në Poloninë lindore gjatë natës.
Një objekt i paidentifikuar ra në një fushë me misër pranë fshatit Osiny, rreth orës 2 të mëngjesit.
Policia lokale tha se gjeti metal dhe plastikë të djegur në vendngjarje.
Një zëdhënës i ministrisë së jashtme të Polonisë tha se objekti ishte një version rus i një droni Shahed – i cili është prodhuar në Iran.
Agjencia e lajmeve të vendit PAP raporton se një shpërthim dëmtoi shtëpitë aty pranë, por shton se askush nuk u lëndua.
Komanda Operacionale e Forcave të Armatosura të Polonisë tha se hapësira e saj ajrore nuk ishte shkelur nga Ukraina apo Bjellorusia fqinje.
Ministri i Jashtëm i Polonisë, Radoslaw Sikorski, tha: “Një tjetër shkelje e hapësirës sonë ajrore nga Lindja konfirmon se misioni më i rëndësishëm i Polonisë drejt NATO-s është mbrojtja e territorit tonë.” bw
Kryeministri polak, Donald Tusk, ka deklaruar se nuk e mbështet idenë e mbajtjes së bisedimeve të ardhshme për paqen në Ukrainë në Hungari.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, sugjeroi Budapestin si vend për një takim midis Vladimir Putin dhe Volodymyr Zelenskyy me kryeministrin hungarez Viktor Orban dje, sipas një zyrtari të Shtëpisë së Bardhë.
Por Tusk sugjeron që mbajtja e bisedimeve në kryeqytetin e Hungarisë i njëjti vend ku u nënshkrua Memorandumi i Budapestit i vitit 1994 do të përfaqësonte një ironi historike.
Ukraina hoqi dorë nga arsenali i saj bërthamor në këmbim të garancive të sigurisë si pjesë e memorandumit, një marrëveshje që më vonë u shkel nga aneksimi i Krimesë nga Rusia në vitin 2014 dhe pushtimi i saj në vitin 2022.
“Ndoshta jam supersticioz, por këtë herë do të përpiqesha të gjeja një vend tjetër”, tha Tusk.
Vjena dhe Doha janë ndër vendet e tjera që thuhet se po merren në konsideratë, ndërsa Vladimir Putin ka sugjeruar takimin me Volodymyr Zelenskyy në Moskë, sipas raportimeve të tjera. bw
Kërkesa ruse që Ukraina të heqë dorë nga sovraniteti mbi gadishullin e Krimesë dhe rajonin lindor të Donbasit kërkon një reformë kushtetuese pothuajse të pamundur. Kështu e shpjegoi këtë të hënë ministri i Drejtësisë i Ukrainës, German Galushchenko. “Kjo nuk është një çështje që mund të zgjidhet brenda ditës, por një proces shumë i vështirë dhe i gjerë”, tha ai. Oleksii Goncharenko, zëdhënës i partisë kryesore opozitare Solidariteti Europian, shtoi: “Nëse bëhet fjalë për ndryshim kufijsh në mënyrë juridike, përmes reformës kushtetuese, kjo është e pamundur. Nuk e imagjinoj askënd që voton pro”.
Galushchenko e deklaroi këtë gjatë prezantimit në Kiev të programit qeveritar të kryeministres së re, Yulia Sviridenko. Ndryshimi i kufijve kërkon dy diskutime parlamentare, miratim nga dy të tretat e deputetëve dhe vendim të detyrueshëm të Gjykatës Kushtetuese.
Presidenti Volodymyr Zelensky paralajmëroi javën e kaluar se kërkesat territoriale ruse bien ndesh me Kushtetutën, pas deklaratës së presidentit amerikan Donald Trump, i cili sugjeroi që Ukraina duhet të heqë dorë nga disa territore të pushtuara. Trump reagoi duke e kritikuar Zelenskyn: “Ka miratim për të shkuar në luftë dhe vrarë njerëz, por i duhet miratim për të bërë shkëmbim territori. Sepse do të ketë një shkëmbim territoresh, për të mirën e Ukrainës”.
Një tjetër pengesë është se Kushtetuta nuk mund të ndryshohet gjatë gjendjes së ligjit ushtarak, i cili sipas marrëveshjes së fundit Trump–Putin do të vazhdojë gjatë gjithë negociatave për paqe.
Ministri i Jashtëm Andrii Sibiga deklaroi: “Krimea është Ukrainë dhe do të mbetet Ukrainë. Kështu e përcakton Kushtetuta”. Ai iu përgjigj thirrjes së Trump-it që Zelensky të heqë dorë nga pretendimi për Krimenë.
Nga ana tjetër, ministri i Ekonomisë, Oleksii Sobolev, theksoi: “Askush nuk do ta dorëzojë Donetskun. Është territor ukrainas, i pushtuar përkohësisht”.
Ministri i Financave, Serhii Marchenko, njoftoi se planet e qeverisë janë bërë duke parashikuar që lufta do të vazhdojë edhe gjatë vitit 2026. Ukraina do të ketë nevojë për mbi 38.5 miliardë euro ndihmë financiare nga BE-ja dhe SHBA gjatë viteve 2025–2026. Ai shtoi se asnjë plan i posaçëm nuk parashikon ngrirjen e frontit të luftës këtë vit apo vitin tjetër.
Pavarësisht kësaj, Sibiga shprehu optimizëm se takimi i sotëm në Uashington dhe një samit i mundshëm mes Trumpit, Putinit dhe Zelenskyt “mund ta sjellin paqen që gjatë vitit 2025”.
Trump ka bërë të qartë se Ukraina nuk do të bëhet pjesë e NATO-s, sipas kërkesës së Putinit. Megjithatë, kryetari i Radës, Ruslan Stefanchuk, deklaroi se vendi është gati ushtarakisht dhe ligjërisht të anëtarësohet menjëherë në Aleancë. sn
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i dërgoi një mesazh Volodymyr Zelensky-t dhe Ukrainës në një postim në Truth Social disa orë para takimit në Shtëpinë e Bardhë. Siç shkroi presidenti amerikan, Zelensky – të cilin ai e mirëpret më vonë sot në Shtëpinë e Bardhë – mund ta “përfundojë” luftën me Rusinë “pothuajse menjëherë”.
Në të njëjtën kohë, Trump përjashtoi çdo mundësi që Ukraina të rimarrë kontrollin e gadishullit të Krimesë, i cili u aneksua nga Rusia në vitin 2014, si dhe t’i bashkohet Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut.
“Presidenti Zelensky i Ukrainës mund ta përfundojë luftën me Rusinë pothuajse menjëherë nëse dëshiron, ose mund ta vazhdojë luftën. Kujtoni se si filloi. Nuk ka asnjë mënyrë për të rimarrë Krimenë e dhënë nga Obama (12 vjet më parë, pa u qëlluar asnjë e shtënë!), dhe për të pasur anëtarësim në NATO për Ukrainën. Disa gjëra nuk ndryshojnë kurrë”, parashikoi republikani nëpërmjet Truth Social bw
Lufta atje vazhdon ende – dhe Presidenti Zelensky sot do t’i bëjë të qartë presidentit amerikan Donald Trump se vrasjet duhet të ndalen përpara se të punohet për ndonjë marrëveshje paqeje.
Ai do të jetë i shoqëruar nga aleatë evropianë sot, duke paraqitur një front të bashkuar për të treguar qartë se Ukraina duhet të përfshihet në çdo diskutim për të ardhmen e saj – dhe se siguria e saj duhet të garantohet.
Presidenti Zelensky nuk do që të përsëritet takimi që pati me Trump-in në shkurt, në të cilin mori një qortim të ashpër nga Presidenti amerikan. Por që atëherë, ai ka kuptuar se duhet të ndryshojë qasjen në marrëdhëniet me Trump-in.
Në një deklaratë që ai postoi në rrjetet sociale këtë mëngjes, Zelensky tha se ukrainasit po luftojnë për tokën dhe pavarësinë e tyre.
“Jam i bindur se do ta mbrojmë Ukrainën,” tha ai, duke shtuar se populli i tij do të jetë gjithmonë mirënjohës ndaj Presidentit Trump. “Shpresoj që forca jonë e përbashkët me Amerikën, me miqtë tanë evropianë, do ta detyrojë Rusinë të pranojë një paqe të vërtetë.”bw
Pas takimit të fundit Trump-Putin në Alaska, Volodymyr Zelensky udhëton sot për në Shtëpinë e Bardhë, i shoqëruar nga udhëheqës të lartë evropianë, në një përpjekje vendimtare për të parandaluar imponimin e një zgjidhjeje që do të kërkonte lëshime territoriale nga Kievi.
Ndryshe nga vizita e tij e parë në Uashington në shkurt, gjatë së cilës ai u përball i vetëm me një surprizë nga Donald Trump dhe Zëvendëspresidenti J.D. Vance , këtë herë presidenti ukrainas mbërrin në Uashington me mbështetje të fortë evropiane. Ai do të shoqërohet nga kryeministri britanik Keir Starmer , kancelari gjerman Friedrich Merz dhe presidenti francez Emmanuel Macron , një grup udhëheqësish që kombinojnë fuqinë ushtarake dhe ekonomike me një histori marrëdhëniesh të mira me Trump.
Përbërja e “ekipit” evropian
Presidenti ukrainas do të shoqërohet nga Macron dhe Merz, të cilët përfaqësojnë boshtin franko-gjerman të Evropës, ndërsa Presidentja e Komisionit Ursula von der Leyen do të theksojë rëndësinë e BE-së si një fuqi ekonomike. Trump kohët e fundit nënshkroi një marrëveshje tregtare me BE-në, të cilën e përshkroi si “partneritetin më të madh tregtar në botë”.
Kryeministrja italiane Giorgia Meloni pritet të luajë një rol “urë lidhëse”, si udhëheqëse e së djathtës evropiane që Trump, por që mbështet edhe sovranitetin e Ukrainës.
Presidenti finlandez Alexander Stubb , megjithëse përfaqësues i një shteti të vogël evropian, ka kultivuar një marrëdhënie mjaft miqësore me Trump. Kohët e fundit ai luajti golf me presidentin amerikan në Florida, duke shfrytëzuar rastin për ta paralajmëruar atë se Rusia nuk është një bashkëbisedues i besueshëm.
Keir Starmer sjell me vete prestigjin e Britanisë dhe një marrëdhënie personale me presidentin amerikan, të cilën ai nuk dëshiron ta prishë në prag të vizitës zyrtare të Trump në Londër muajin e ardhshëm.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte , përtej prestigjit të pozicionit të tij, ka një rekord të provuar në “trajtimin” e Trump me fleksibilitet diplomatik dhe fjalë lajkatuese. Qershorin e kaluar, në një samit të NATO-s, ai e krahasoi presidentin amerikan me “një baba që ndërhyn për të ndarë fëmijët që zihen në oborrin e shkollës”, duke iu referuar rolit të tij në armëpushimin e fundit midis Iranit dhe Izraelit.
“Shumë zyrtarë tani kanë mësuar se si ta trajtojnë Trumpin”, shpjegon Kim Darroch, një ish-ambasador i Mbretërisë së Bashkuar në Uashington gjatë mandatit të parë të Trump. “Do të ketë shumë lajka. Është e lodhshme, por e nevojshme: të fut në lojë. I thua sa mirë po ia del, sa të lumtur janë të gjithë që ai po udhëheq përpjekjet perëndimore për t’i dhënë fund luftës. Dhe pastaj kalon në temë.”
Mbërritja e udhëheqësve evropianë në Shtëpinë e Bardhë është një shenjë paniku, por edhe uniteti.
Fakti që të gjithë këta udhëheqës ndryshuan oraret e tyre për të fluturuar me nxitim për në Uashington tregon se sa shumë shqetësim kishin për samitin Trump-Putin në Alaska. Presidenti rus, i kërkuar nga Gjykata Ndërkombëtare Penale për krime lufte pas pushtimit të paprovokuar të Ukrainës , u prit me një qilim të kuq dhe me duartrokitje personale nga Trump, i cili e lejoi të fliste i pari pas takimit të tyre. Këmbëngulja e presidentit amerikan për një armëpushim në të kaluarën është zhdukur dhe ai ka miratuar propozimin e Putinit për një marrëveshje të drejtpërdrejtë paqeje, duke e lënë Ukrainën të përballet me presion për lëshime territoriale.
Një vëzhgues diplomatik e krahasoi perspektivën e përballjes së sotme në Shtëpinë e Bardhë me një ekip futbolli që hyn në pjesën e dytë duke humbur 3-0, por me një sërë “super zëvendësuesish” në fushë. bw
Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka bërë të ditur se Koalicioni i Vullnetit e po përgatit një fazë të re negociatash për sigurinë në Ukrainë.
Sipas tij, objektivi kryesor është “sqarimi i plotë i garancive të sigurisë që duam për Ukrainën”, përgatitja e vizitës së presidentit Volodymyr Zelensky nesër në Uashington dhe organizimi i një takimi të ardhshëm ku do të marrin pjesë presidenti rus Vladimir Putin, SHBA, Ukraina dhe Europa.
Deklaratat u dhanë nga Macron përmes videokonferencës, drejtpërdrejt nga rezidenca e tij verore në fortesën e Brégançon, gjatë hapjes së takimit me liderët e Koalicionit të Vullnetarëve.
Ndërkohë pas përfundimit të takimit online ku mori pjesë edhe lideri i Kievit, Volodymyr Zelensky Macron theksoi se do i kërkojnë Trump më shumë informacion lidhur me garancinë e sigurisë për Ukrainën.
Nesër, gjatë takimit të tyre në Uashington, liderët europianë do t’i kërkojnë presidentit Donald Trump të sqarohet “sa larg” do të shkojë për të respektuar garancitë e sigurisë për Ukrainën, njoftoi presidenti francez Emmanuel Macron.
“Nuk mund të ketë diskutime territoriale mbi Ukrainën pa udhëheqjen ukrainase,” theksoi Macron më pas në një intervistë televizive.
“Gjithë puna e bërë brenda Koalicionit është për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme, dhe nuk mund të ketë ndarje mbi këtë mes SHBA-së, Ukrainës dhe Europës” nënvizoi më tej.
Pjesëmarrësit e takimit
Në takimin online ishin gjithashtu kryeministrja italiane Giorgia Meloni, kryeministri britanik Keir Starmer, kancelari gjerman Friedrich Merz dhe nga Brukseli, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky së bashku me presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen.
Ky takim shihet si një hap i rëndësishëm në konsolidimin e qëndrimit të përbashkët perëndimor përballë agresionit rus dhe si një përgatitje për bisedime më të gjera ku pritet të ulen në tryezë të gjithë aktorët kryesorë të konfliktit.
Deputetja e opozitës ukrainase, Mariya Ionova, i tha BBC-së se “koordinimi i ngushtë midis SHBA-së, Ukrainës dhe Evropës është thelbësor në arritjen e një paqeje të qëndrueshme”.
Ajo thotë se për Ukrainën “garancia kryesore e sigurisë dhe e vetmja e vërtetë është anëtarësimi në NATO”. Ajo bën thirrje për një “koalicion veprimesh” për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Duke folur për BBC në lidhje me operacionin ushtarak në vijën e frontit, ajo tha se “Rusët po ecin përpara dhe kanë të gjitha kapacitetet. Është Ukraina ajo që po përpiqet më shumë për paqen.
Liderët evropianë e kanë ofruar të shtunën mbështetjen e tyre për një samit trepalësh në mes të presidentit amerikan, Donald Trump, atij ukrainas, Volodymyr Zelensky dhe homologut të tyre rus, Vladimir Putin, pasi në një samit të mbajtur mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë në Alaskë, më 15 gusht, palët nuk kanë arritur marrëveshje për armëpushim në luftën në Ukrainë.
E përditshmja amerikane, New York Times, i ka cituar disa zyrtarë evropianë t’i kenë thënë se edhe liderët evropianë janë ftuar për të marrë pjesë të hënën në Uashington, në takimin mes Trumpit dhe Zelenskyt.
Në një deklaratë të nënshkruar nga presidenti francez, Emmanuel Macron, kancelari gjerman, Friedrich Merz, kryeministri britanik, Keir Starmer dhe shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, është insistuar në rritjen e presionit ndaj Rusisë deri në arritjen e paqes, përfshirë vendosjen e sanksioneve.
Liderët evropianë kanë insistuar, gjithashtu, që Moska “nuk mund ta ketë të drejtën e vetos” në vendimet e Ukrainës për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian apo në NATO.
Rusia, në anën tjetër, e ka bërë të qartë se nuk do ta tolerojë anëtarësimin e Kievit në aleancën veriatlantike. Mirëpo, liderët evropianë, kanë thënë se janë të gatshëm që të punojnë drejt një samiti trepalësh, me mbështetje të BE-së.
Takimi i 15 gushtit në mes të Trumpit dhe Putinit ka përfunduar pa ndonjë rezultat konkret drejt dhënies fund të luftës së nisur nga Rusia në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022.
“Ne do ta vazhdojmë ashpërsimin e sanksioneve dhe masat tjera ekonomike për të rritur presionin ndaj luftës ekonomike të Rusisë, derisa të ketë paqe të qëndrueshme”, është thënë në një deklaratë të përbashkët të zyrtarëve evropianë.
Liderët evropianë nuk kanë qenë shumë rehat me takimin Trump-Putin, duke argumentuar se Zelensky do të duhej të ishte përfshirë në samitin në Alaskë.
Në një deklaratë të lëshuar ndaras, Starmer e ka përgëzuar Trumpin për përpjekjet që po bën për t’i afruar palët me fundin e luftës.
Kryeministri hungarez, Viktor Orban – i cili është miqësor me Trumpin dhe Putinin – e ka duartrokitur samitin.
“Për vite me radhë i kemi parë dy fuqitë më të mëdha bërthamore duke prishur kornizën e bashkëpunimit të tyre dhe duke nisur mesazhe armiqësore. Kjo tani ka marrë fund. Sot bota është vend më i sigurt sesa dje”, ka thënë Orban përmes një postimi në X – dikur Twitter.
Mirëpo, Macron ka bërë thirrje për kujdes kundër asaj që e ka quajtur “tendencë të dokumentuar nga Putini për mospërmbushje të zotimeve”.
Ai ka kërkuar që secila marrëveshje për paqe t’i përfshijë garancitë “e pathyeshme” të sigurisë.
Edhe presidenti francez ka bërë thirrje për rritje të presionit ndaj Rusisë, derisa të arrihet një paqe e qëndrueshme.
Liderët evropianë i kanë mirëpritur ato që i kanë quajtur “garanci të sigurisë” të përmendura nga Trumpi, por pa dhënë më shumë hollësi.
Një burim diplomatik i ka thënë agjencisë së lajmeve AFP se Trumpi i ka ofruar Ukrainës garanci të ngjashme – por të ndara – me ato të anëtarësimit në NATO.
“Garanci të forta të sigurisë që i mbrojnë interesat e sigurisë së Ukrainës dhe Evropës janë thelbësore”, ka shkruar von der Leyen në X.
Trump dhe Putini kanë diskutuar për gati tri orë në një bazë ushtarake amerikane në Alaskë.
Trump ka thënë se ekipi i tij ka arritur “përparim të madh” drejt dhënies fund të luftës, mirëpo ende nuk ekziston një marrëveshje.
Putini ka thënë se Rusia këmbëngul në atë që e quan “rrënjë të problemit” – gjuha që përdor Kremlini, përmes së cilës kërkon çarmatosjen e ushtrisë ukrainase, dhe që Ukraina të heqë dorë nga ambiciet për anëtarësim në NATO.
Një takim videokonference mes presidentit ukrainas Zelensky dhe disa prej liderve kryesorë evropianë do të mbahet të dielën e 17 gushtit në orën 15:00, i bashkëkryesuar nga Parisi, Londra dhe Berlini.
Transmetuesi francez BFMTV raporton këtë, duke cituar një burim nga Pallati Elysée. Presidenti francez Emmanuel Macron do të marrë pjesë nëpërmjet videokonferencës nga Fort Brégançon. Takimi i fundit i tillë u mbajt më 13 gusht.
Zelensky kërkon mbështetjen e evropianëve përpara se të ulet në tryezë me Donald Trump, i cili nga ana e tij, pas takimit me Putin, u shpreh se tani “topi” është në anën e Ukrainës. bw
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy ka deklaruar se do të takohet me Donald Trump në Uashington të hënën.
Mesazh 1
We had a long and substantive conversation with @POTUS. We started with one-on-one talks before inviting European leaders to join us. This call lasted for more than an hour and a half, including about an hour of our bilateral conversation with President Trump.
— Volodymyr Zelenskyy / Володимир Зеленський (@ZelenskyyUa) August 16, 2025
Kjo vjen menjëherë pasi Shtëpia e Bardhë tha se presidenti amerikan kishte folur me Zelenskyy në një telefonatë të gjatë pasi ai u takua me presidentin rus Putin në Alaska mbrëmë.
Mesazhi në Twitter
Patëm një bisedë të gjatë dhe të hollësishme me @POTUS
Ne filluam me bisedime kokë më kokë përpara se të ftonim udhëheqësit evropianë të bashkoheshin me ne.
Kjo telefonatë zgjati më shumë se një orë e gjysmë, duke përfshirë rreth një orë bisedë dypalëshe me Presidentin Trump. Ukraina riafirmon gatishmërinë e saj për të punuar me përpjekje maksimale për të arritur paqen. Presidenti Trump informoi për takimin e tij me udhëheqësin rus dhe pikat kryesore të diskutimit të tyre.
Është e rëndësishme që forca e Amerikës të ketë ndikim në zhvillimin e situatës. Ne mbështesim propozimin e Presidentit Trump për një takim trepalësh midis Ukrainës, SHBA-së dhe Rusisë. Ukraina thekson se çështjet kryesore mund të diskutohen në nivelin e udhëheqësve dhe një format trepalësh është i përshtatshëm për këtë.
Të hënën, do të takohem me Presidentin Trump në Uashington, DC, për të diskutuar të gjitha detajet në lidhje me përfundimin e vrasjeve dhe luftës. Jam mirënjohës për ftesën.
Është e rëndësishme që evropianët të jenë të përfshirë në çdo fazë për të siguruar garanci të besueshme sigurie së bashku me Amerikën. Gjithashtu diskutuam sinjale pozitive nga pala amerikane në lidhje me pjesëmarrjen në garantimin e sigurisë së Ukrainës. Ne vazhdojmë të koordinojmë qëndrimet tona me të gjithë partnerët. Falënderoj të gjithë ata që po ndihmojnë.
Të paktën 22 emigrantë kanë vdekur pasi dy anije u fundosën në Mesdhe të mërkurën, thanë agjencitë humanitare.
Afër 60 persona janë shpëtuar dhe shumë të tjerë konsiderohen të zhdukur.
Ky është incidenti i fundit në Mesdhe, ku shumica e migrantëve kalojnë në tentim për të arritur në Evropë.
Kryqi i Kuq tha për AFP-në se 56 burra dhe katër gra i kanë shpëtuar fundosjes së anijeve me migrantë. Kjo organizatë tha se është ende e paqartë se sa persona ishin në dy anijet që ishin nisur nga Zavija në Libi dhe nga Tripoli mbrëmjen e së martës.
Ende nuk janë zbardhur shumë detaje të kësaj tragjedie, por agjencia italiane e lajmeve ANSA raportoi, duke cituar rrëfimet e disa të mbijetuarve, se pasi një nga anijet, që ishin nisur së bashku, filloi të përmbytej, disa migrantë u zhvendosën në anijen tjetër, e cila u mbingarkua dhe filloi të mbushej me ujë.
ANSA njoftoi se ndër të parët që u transportuan në morgun e Lampedusës ishin trupat e një të sapolinduri, tre fëmijëve, dy burrave dhe dy grave.
“Dhimbje e madhe për tragjedinë e një tjetër anijeje pranë bregut të Lampedusës, ku UNHCR po asiston tani të mbijetuarit. Duket se janë gjetur 20 trupa dhe po aq mungojnë”, shkroi në rrjetet sociale, Filippo Ungaro, zëdhënës i Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Refugjatët.
Ministri i Brendshëm Matteo Piantedosi konfirmoi se dy anije u fundosën, duke thënë se ngjarja ndodhi 14 milje detare nga Lampedusa.
Disa media kanë raportuar se 97 persona ishin në dy anijet.
UNHCR-ja njoftoi të mërkurën se deri tani këtë vit janë regjistruar 675 viktima në mesin e migrantëve, të cilët u mbytën në tentim për të kaluar Mesdheun.
Deri të mërkurën, 38.263 emigrantë kanë mbërritur në brigjet e Italisë këtë vit, sipas Ministrisë së Brendshme.
Piantedosi shkroi në rrjetet sociale se ky episod thekson “urgjencën për të parandaluar, nga vendet e nisjes, udhëtimet e rrezikshme detare”.
Qeveria e krahut të djathtë e kryeministres italiane, Giorgia Meloni, ka arritur marrëveshje me shtetet e Afrikës së Veriut, prej ku nisen migrantët, duke u dhënë fonde dhe duke ofruar trajnime, në këmbim të ndihmës për të ndalur nisjen e migrantëve drejt brigjeve italiane.
Ministria e Jashtme gjermane tha se Izraeli duhet të japë shpjegime për vrasjen e fundit të gazetarëve në Rripin e Gazës.
Në një konferencë shtypi në Berlin, një përfaqësues i Ministrisë së Jashtme gjermane vuri në dukje se vrasja e punonjësve të medias është “absolutisht e papranueshme” sipas ligjit ndërkombëtar humanitar. “Nëse vjen deri te kjo, siç ndodhi, atëherë pala që kreu një vrasje të tillë duhet të shpjegojë qartë dhe hapur pse ishte e nevojshme”, tha përfaqësuesi i Ministrisë së Jashtme, duke shtuar se deri tani kjo nuk ka ndodhur.
Nëse Izraeli thotë se sulmi ishte drejtuar kundër një personi, është e nevojshme t’i përgjigjet pyetjes se pse u vranë gjithsej pesë kolegë të tij, vuri në dukje ai. Përfaqësuesi i Ministrisë së Jashtme gjermane theksoi se qeveria gjermane mbështet nevojën për të mbrojtur gazetarët.
“Sipas mendimit tonë, tani është radha e palës izraelite të japë shpjegime në mënyrën më transparente dhe të kuptueshme të mundshme”, tha ai. Izraeli, vazhdoi ai, duhet të sigurojë që gazetarët në Rripin e Gazës të mund të “kryejnë punën e tyre lirisht dhe në mënyrë të sigurt”.
Sipas Ministrisë së Jashtme gjermane, 200 gazetarë janë vrarë në Rripin e Gazës që nga fillimi i luftës së Izraelit me Hamasin në tetor 2023. Një zëdhënës i ministrisë tha se një numër kaq i madh viktimash ishte “krejtësisht i papranueshëm”.
Më parë, Al Jazeera e Katarit tha se katër punonjës të saj u vranë në Gaza nga një sulm izraelit – gazetarët Anas al-Sharif dhe Mohammed Kreika, si dhe dy kameramanë. Më vonë, një operator tjetër kanali iu shtua listës së të vdekurve. Në kohën e sulmit me dron izraelit, i cili ndodhi pak para mesnatës sipas orës lokale, ata ishin në një tendë për gazetarët e vendosur në hyrje të spitalit Al-Shifa. Në total, shtatë persona u vranë në bombardim.
Ushtria izraelite tha se kishte eliminuar “terroristin Anas al-Sharif, i cili hiqej si gazetar për kanalin televiziv Al Jazeera”. Sipas ushtrisë, ai udhëhoqi një nga njësitë e lëvizjes palestineze Hamas dhe ishte “përgjegjës për sulmet me raketa ndaj civilëve dhe personelit ushtarak izraelit”./ TASS.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e ka kundërshtuar të shtunën një samit të caktuar midis presidentit amerikan, Donald Trump, dhe presidentit rus, Vladimir Putin, duke paralajmëruar se çfarëdo marrëveshje për paqe pa Kievin do të prodhojë “zgjidhje të vdekura”.
Takimi, i caktuar për të premten në Alaskë të SHBA-së, shihet si përparim i mundshëm pas javësh zhgënjimi për mungesën e veprimeve për t’i ndalur luftimet.
Në një deklaratë të postuar në Telegram, Zelensky tha se integriteti territorial i Ukrainës, i përcaktuar në Kushtetutë, nuk mund të jetë pjesë e bisedimeve dhe theksoi se paqja e qëndrueshme duhet ta përfshijë edhe zërin e Ukrainës në tryezë e bisedimeve.
Zelensky tha se Ukraina “nuk do t’ia japë Rusisë asnjë shpërblim për atë që ka bërë” dhe se “ukrainasit nuk do t’ia japin tokën e vet pushtuesit”.
Duke iu referuar shqetësimeve të ukrainasve se një takim i drejtpërdrejtë midis Putinit dhe Trump mund t’i anashkalojë Kievin dhe interesat evropiane, Zelensky tha: “Çdo zgjidhje që është pa Ukrainën, është njëkohësisht zgjidhje kundër paqes. Ato nuk do të sjellin asgjë. Janë zgjidhje të vdekura, nuk do të funksionojnë kurrë”.
Zyrtarë ukrainas më parë i kishin thënë privatisht agjencisë Associated Press se Kievi do të ishte i hapur për një marrëveshje për paqe që në mënyrë faktike do ta pranonte paaftësinë e Ukrainës për t’i rimarrë ushtarakisht territoret e humbura.
Trumpi tha se do të takohet me Putinin për të biseduar për përfundimin e luftës në Ukrainë.
“Duket plotësisht logjike që delegacioni ynë të fluturojë përtej ngushticës së Beringut dhe që një samit kaq i rëndësishëm dhe i shumëpritur i udhëheqësve të dyja vendeve të mbahet në Alaskë”, tha këshilltari e Putinit për çështjet e jashtme, Yuri Ushakov, sipas agjencisë shtetërore ruse, RIA Novosti.
Një samit i tillë mund të jetë vendimtar në një luftë që filloi më shumë se tri vjet më parë, kur Rusia e nisi pushtimin e plotë të fqinjit të vet perëndimor, dhe që ka shkaktuar dhjetëra mijëra viktima.
Megjithatë, nuk ka asnjë garanci se do t’i ndalojë luftimet, pasi Moska dhe Kievi ende kanë shumë mospajtimet rreth kushteve për paqe.
Duke folur për gazetarë në Shtëpinë e Bardhë, para se të konfirmonte datën dhe vendin e takimit, Trump la të kuptohej se çdo marrëveshje do të përfshinte “shkëmbimin e disa territoreve” por nuk dha hollësi.
Analistë, përfshirë disa të afërt me Kremlinin, kanë thënë se Rusia mund të ofrojë të heqë dorë nga territore që kontrollon jashtë katër rajoneve ukrainase që pretendon se i ka aneksuar.
Trump tha se takimi i tij me Putinin do të mbahej para çdo diskutimi ballë për ballë me Zelenskyn. Ai më parë ishte pajtuar të takohej me Putinin edhe nëse ky i fundit nuk do të takohej me Zelenskyn.
Kjo ngjalli frikë në Evropë se Ukraina mund të lihet mënjanë në përpjekjet për të ndalur konfliktin më të madh në kontinent që nga Lufta e Dytë Botërore.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, i bëri thirrje të premten Izraelit të rishqyrtojë vendimin e tij për të pushtuar qytetin e Gazës.
“Vendimi i qeverisë izraelite për të zgjeruar më tej operacionin e saj ushtarak në Gaza duhet të rishqyrtohet”, tha von der Leyen në emisionin X.
Ajo përsëriti gjithashtu nevojën urgjente për një armëpushim, lirimin e menjëhershëm të të gjithë pengjeve të mbajtura në “kushte çnjerëzore” dhe qasje të papenguar për ndihmë humanitare në enklavën e rrethuar palestineze.
“Një armëpushim është i nevojshëm tani,” shtoi ajo.
Të enjten, Kabineti Izraelit i Sigurisë miratoi gjithashtu pesë parime kryesore për përfundimin e luftës: shpërbërjen e grupit palestinez Hamas, sigurimin e kthimit të të gjithë pengjeve – të gjallë dhe të vdekur – demilitarizimin e Rripit të Gazës, sigurimin e “kontrollit” të sigurisë izraelite mbi zonën dhe krijimin e një qeverie civile që nuk drejtohet nga Hamasi ose Autoriteti Palestinez.
Ky operacion i ri nga Izraeli, që pritet të zgjasë të paktën gjashtë muaj, vjen pavarësisht se Tel Avivi përballet me zemërim në rritje për shkak të luftës së tij shkatërruese në Gaza, ku më shumë se 61,000 njerëz janë vrarë që nga tetori i vitit 2023. Fushata ushtarake ka shkatërruar enklavën, e cila po përballet me një uri të përhapur.
Nëntorin e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhër-arreste për Netanyahun dhe ish-ministrin e tij të Mbrojtjes, Yoav Gallant, për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli përballet gjithashtu me një padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën e tij në enklavë. bw
Kievi është i gatshëm të diskutojë një armëpushim përgjatë vijës aktuale të frontit, por nuk pranon të humb asnjë pjesë e territorit si rezultat i pushtimit rus.
Kjo është bërë e ditur nga burime ndërkombëtare dhe raportohet nga gazeta britanike The Telegraph.
Sipas raportit, Kushtetuta e Ukrainës ndalon presidentin dhe parlamentin të ndryshojnë kufijtë e vendit pa një konsensus të gjerë, duke e bërë të pamundur njohjen e humbjeve territoriale.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka pranuar se lirimi i plotë i të gjitha territoreve të pushtuara me forcë ushtarake nuk është më realist, duke nënvizuar nevojën për të eksploruar opsione diplomatike për zgjidhjen e konfliktit.
Raporti shton se çështja e njohjes territoriale ka penguar tashmë përpjekjet për paqe, pasi në pranverë SHBA kishte konsideruar njohjen e Krimesë si pjesë “de facto” e Rusisë, një propozim që u kundërshtua fuqishëm nga Kievi.
Kjo situatë tregon kompleksitetin e negociatave dhe sfidat që Ukraina përballet në përpjekjet për të ruajtur integritetin territorial ndërsa kërkon paqe. bw
Qeveria gjermane nuk do të autorizojë asnjë eksport të pajisjeve ushtarake që mund të përdoren në Rripin e Gazës deri në njoftim të mëtejshëm, tha kancelari Friedrich Merz.
Duke iu përgjigjur planit të Izraelit për të zgjeruar operacionet ushtarake në Gaza, Merz tha se Gjermania është “thellësisht e shqetësuar” për vuajtjet e vazhdueshme të popullsisë civile në Rripin e Gazës, raporton skynews.
“Me ofensivën e planifikuar, qeveria izraelite mban përgjegjësi edhe më të madhe se më parë për furnizimin e tyre”, tha ai.
“Ajo duhet të lehtësojë qasjen e plotë për furnizimet humanitare, duke përfshirë organizatat e OKB-së dhe institucionet e tjera joqeveritare. Pas hapave të duhura të ndërmarra ditët e fundit, Izraeli duhet të vazhdojë të përmirësojë situatën humanitare në Gaza në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme”, shtoi lideri gjerman.
Merz tha se qeveria gjermane gjithashtu i bën thirrje Izraelit që të mos ndërmarrë hapa të mëtejshëm drejt aneksimit të Bregut Perëndimor.
Ndryshe, kabineti i sigurisë së Izraelit ka aprovuar planin e kryeministrit, Benjamin Netanyahu për pushtimin e plotë të Gazës. bw
Një zyrtare e lartë e Komisionit Evropian tha se zhvendosjet dhe vrasjet në Gazë ngjajnë shumë me gjenocidin.
Kjo është hera e parë që një zyrtar i lartë i KE-së bën një akuzë të tillë, që është në kundërshtim me “
“Nëse nuk është gjenocid, atëherë i ngjan shumë përkufizimit që përdoret për ta shpjeguar atë”, tha Teresa Ribera – zyrtarja e dytë më e lartë në KE – në një intervistë për Politico, të publikuar më 7 gusht.
Izraeli vazhdimisht ka mohuar akuzat se kryen gjenocid gjatë luftës në Gazë kundër Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
Ribera është zëvendëspresidente ekzekutive e KE-së, e dyta për nga hierarkia pas presidentes Ursula von der Leyen. Socialistja spanjolle, portfolio e së cilës përfshin çështjet e klimës dhe antitrust, nuk është përgjegjëse për çështjet e politikës së jashtme të BE-së.
“Ajo që po shohim është se një popullatë e caktuar po shënjestrohet, po vritet dhe po vdes nga uria”, tha Ribera për Politico.
Deklaratat e saj kanë shkuar më tej sesa ato të bëra nga KE-ja. Krahu ekzekutiv i BE-së e ka akuzuar Izraelin për shkelje të të drejtave të njeriut në Gazë, por nuk ka bërë akuza për gjenocid.
Javën e kaluar, KE-ja propozoi kufizimin e qasjes së Izraelit në programin kryesor të BE-së për financimin e kërkimeve shkencore, pas thirrjeve nga shtetet anëtare që ndaj Izraelit të rritet presioni, në mënyrë që të lehtësohet kriza humanitare në enklavën palestineze.
Në atë propozim, KE-ja tha se Izraeli ka shkelur një klauzolë për të drejtat e njeriut të një marrëveshjeje që rregullon raportet e tij me BE-në.
“Nëpërmjet ndërhyrjes së saj në Rripin e Gazës dhe katastrofës humanitare që pasoi, përfshirë mijëra vdekje të civilëve dhe rritjen e shpejtë të rasteve të kequshqyerjes ekstreme, veçanërisht te fëmijët, Izraeli po i shkel të drejtat e njeriut dhe të drejtën humanitare”, u tha në dokument.
Izraeli i ka mohuar akuzat për gjenocid. Afrika e Jugut ka ngritur një rast për këtë çështje në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë. Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, e ka cilësuar si “të turpshëm” rastin për gjenocid të ngritur pranë kësaj gjykate.
Lufta në Gazë ka nisur më 7 tetor 2023, kur radikalët e Hamasit sulmuan jugun e Izraelit, duke vrarë afër 1.200 persona dhe duke rrëmbyer afër 250 të tjerë. Afër 50 persona besohet se ende mbahen në Gazë, ndërsa të tjerët janë liruar në marrëveshjet paraprake të armëpushimit.
Si pasojë e ofensivës izraelite, në Gazë që nga nisja e luftës janë vrarë më shumë se 61.000 persona, ka thënë Ministria e Shëndetësisë, e cila vlerëson se shumica nga viktimat ishin gra dhe fëmijë. Megjithatë, kjo ministri në shifrat që publikon për viktimat nuk bën ndarjen mes viktimave civile dhe luftëtarëve të Hamasit.
Izraeli vazhdimisht përsërit se veprimet e tij në Gazë janë për vetëmbrojtje dhe e ka akzuar Hamasin se përdor civilët si mburoja njerëzore – akuzë që është mohuar nga grupi radikal.
Italia dha miratimin përfundimtar të mërkurën për të ndërtuar atë që do të jetë ura më e gjatë e varur në botë, që lidh Siçilinë me kontinentin, pavarësisht shqetësimeve që përfshijnë tërmetet, ndikimet mjedisore dhe kërcënimin e ndërhyrjes së mafias.
Një komitet ndërministror me mbikëqyrje të investimeve publike strategjike miratoi projektin prej 13.5 miliardë eurosh, tha Ministria e Transportit në një deklaratë.
Ministri i Transportit Matteo Salvini tha se projekti do të jetë “një përshpejtues për zhvillimin” në Italinë jugore.
Puna paraprake mund të fillojë më vonë këtë verë, ndërsa ndërtimi pritet të fillojë vitin tjetër. Pavarësisht vonesave burokratike, ura pritet të përfundojë deri në vitin 2033, tha Salvini.
Ura e Ngushticës së Mesinës është miratuar dhe anuluar disa herë që kur qeveria italiane kërkoi propozime për herë të parë në vitin 1969 dhe u riaktivizua së fundmi nga administrata e kryeministres Giorgia Meloni në vitin 2023.
“Nuk është punë e lehtë, por është një investim në të tashmen dhe të ardhmen e Italisë, një sfidë e vështirë, por e ndjeshme”, tha Meloni, duke e quajtur urën “një infrastrukturë strategjike për zhvillimin e Italisë Jugore dhe të gjithë vendit”.
Ideja e ndërtimit të një lidhjeje midis Siçilisë dhe kontinentit daton që nga Roma e lashtë.
Vendimi shënon një fitore politike për Salvinin, i cili e ka bërë realizimin e urës një shenjë dalluese të mandatit të tij, duke thënë se do të ishte “një revolucion” duke sjellë vende pune dhe rritje ekonomike.
Ura e Ngushticës së Mesinës do të ketë një gjatësi prej gati 3.7 kilometrash, me një hapësirë të pezulluar që do të arrijë në 3.3 kilometra, duke tejkaluar Urën e Çanakkalesë të Turqisë. bw
Kancelari gjerman Friedrich Merz ka reaguar ashpër pas publikimit të videove tronditëse nga Hamasi, ku shfaqen dy pengje izraelitë në gjendje ekstreme, mes tyre një me shtetësi gjermano-izraelite. Merz kërkoi fundin e Hamasit dhe çlirimin e menjëhershëm të të gjithë pengjeve, duke theksuar se një armëpushim i qëndrueshëm nuk mund të ndodhë pa këtë hap thelbësor.
“Jam i tronditur nga pamjet e Evyatar David dhe Rom Braslavsky. Hamas po i torturon pengjet, po terrorizon Izraelin dhe po përdor popullin e Gazës si mburojë njerëzore,” – u shpreh Merz për gazetën Bild.
Pamjet, të publikuara nga Hamasi dhe Xhihadi Islamik, tregojnë dy pengje në kushte ekstreme – njëri i detyruar të hapë një varr në një tunel, tjetri në gjendje emocionale të rëndë. Merz theksoi se Hamasi nuk mund të ketë rol në të ardhmen e Gazës dhe i kërkoi Izraelit të ruajë qasjen humane, duke mos e pasqyruar brutalitetin e kundërshtarit.
Edhe ministri i Jashtëm gjerman Johann Wadephul reagoi, duke e përshkruar situatën si “horror i pastër” dhe duke kritikuar Hamasin për “çnjerëzimin total të viktimave të tyre”. Në të njëjtën kohë, ai i bëri thirrje Izraelit të lehtësojë ndihmat për civilët palestinezë:
“Bllokada po çon në uri masive. Njerëzit po vdesin, po vuajnë dhe po vuajnë nga etja.”
Për të ndihmuar situatën humanitare, ushtria gjermane ka ndërmarrë hedhje ajrore ndihmash mbi Gazë, në bashkëpunim me Jordani, ndërsa operacionet pritet të vazhdojnë në ditët në vijim.
Nga ana tjetër, Markus Söder, lideri i CSU-së dhe kryeministër i Bavarisë, nënvizoi se Gjermania mbetet partneri më i ngushtë i Izraelit, duke theksuar:
“Izraeli është demokracia e vetme në Lindjen e Mesme. Ne qëndrojmë përkrah tij.” gsh
Bashkimi Evropian njoftoi se sistemi i ri i kontrollit kufitar për shtetasit që nuk janë nga blloku evropian, i cili do t’i japë fund vendosjes së vulave nëpër pasaporta, do të nisë zbatimin në tetor.
I ashtuquajturi Sistem i Hyrje/Daljes (EES) fillimisht ishte paraparë të hynte në fuqi nëntorin e vitit të kaluar, por u shty në momentet e fundit pasi disa shtete ende nuk ishin të gatshme që ta zbatonin.
Komisioni Evropian ka vendosur 12 tetorin e vitit 2025 si datë për nisjen e operacioneve për zbatimin e EES-së. Nga 12 tetori e tutje, EES-ja do të nisë gradualisht të zbatohet në kufijtë e jashtëm të 29 shteteve evropiane, për gjashtë muaj. Ky zbatim gradual do t’u japë autoriteteve, pasagjerëve dhe industrisë së transportit më shumë kohë për t’u përshtatur me procedurat e reja, tha BE-ja.
Sistemi është krijuar në nëntor të vitit 2017 dhe zbatimi i tij u shty disa herë. Sistemi pritet të vlejë për rreth 60 vende, përfshirë edhe ato të Ballkanit Perëndimor, për hyrjen e tyre në BE, si dhe në Zvicër, Norvegji, Islandë dhe Lihtenshtajn, të cilat janë pjesë e zonës Schengen.
EES-ja do të regjistrojë datën e hyrjes dhe daljes së vizitorëve dhe do të ketë të dhëna për qëndrimet e tejzgjatura dhe hyrjet e refuzuara.
Sipas sistemit të ri, udhëtarëve do t’u mblidhen të dhënat personale dhe biometrike – fotografitë e fytyrës dhe gjurmët e gishtërinjve.
Pasaportat në të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor janë biometrike; në çipet e tyre ruhen gjurmët e gishtërinjve dhe fotografia, dhe janë plotësisht të harmonizuara me kushtet që ka kërkuar Bashkimi Evropian, në mënyrë që vendet e Ballkanit Perëndimor të përfitojnë regjimin pa viza.
Zbatimi i këtij sistemi ka rritur frikën se do të ketë radhë dhe pritje të gjata për njerëzit që udhëtojnë për në Evropë me trena, tragete dhe aeroplanë.
Në mars, disa shtete anëtare u pajtuan që zbatimi të bëhet përmes fazave, që do të nisë më 12 tetor.
“Kjo do të rrisë sigurinë… duke na ndihmuar që të identifikojmë personat që tejkalojnë kohën e qëndrimit, të parandalojmë lëvizjet e parregullta dhe të ulim mashtrimet me dokumente dhe identitete”, tha Magnus Brunner, komisionar për Migrim.
Komisioni Evropian tha se për udhëtarët do të ketë fushata informuese në aeroporte dhe në pikëkalime kufitare në mbarë BE-në para se të nisë zbatimi i sistemit.
Sipas tij, periudha gjashtëmujore, sa është vendosur koha për përshtatjen me këtë sistem, është kohë e mjaftueshme për shtetet anëtare, udhëtarët dhe bizneset që të përshtaten me sistemin e ri.
Sipas zbatimit të planifikuar në faza, vendet anëtare të BE-së duhet të fillojnë të operojnë sistemin në gjysmën e pikave kufitare pas tre muajsh dhe ta kenë tërësisht funksional atë pas gjashtë muajsh.
“EES mund t’i marrë secilit udhëtar disa minuta shtesë për t’u përfunduar, prandaj përgatituni të prisni më gjatë se zakonisht në kufi sapo të nisë sistemi”, tha Ministria e Jashtme e Britanisë në një përditësim për udhëtime.
Kabineti qeveritar gjerman miratoi të mërkurën një projektbuxhet për vitin 2026, thanë burime qeveritare, duke hapur rrugën për të shpenzuar qindra miliarda euro për infrastrukturë dhe mbrojtje.
Buxheti i Ministrit të Financave, Lars Klingbeil, për vitin e ardhshëm parashikon shpenzime prej rreth 520 miliardë eurosh dhe një borxh të ri në vlerë rreth 174 miliardë euro.
Qeveria e re gjermane, që mori detyrën në maj, ka premtuar të rrisë ndjeshëm investimet për të përditësuar infrastrukturën e amortizuar të vendit dhe për të riarmatosur ushtrinë gjermane.
Buxheti për vitin 2025, i cili u miratua nga kabineti në qershor, mbetet ende në shqyrtim dhe pritet të miratohet në parlament pas pushimeve verore.
Buxheti për vitin pasues pritet të hidhet në votim në Bundestag, dhoma e ulët e parlamentit, në nëntor. Projektbuxheti thekson si përparësi investimet për rritje ekonomike, më shumë punësim dhe modernizimin e Gjermanisë.
Ministri i Financave ka paralajmëruar këtë javë se nga viti 2027 priten masa të konsiderueshme kursimi, pasi në buxhetin federal parashikohet një mungesë fondesh prej rreth 172 miliardë eurosh./REL
Sipas ANSA Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Italisë ka thirrur sot ambasadorin e Federatës Ruse në Romë, pas vendimit të autoriteteve ruse për të përfshirë presidentin e Republikës, Sergio Mattarella, dhe përfaqësues të tjerë institucionalë italianë në një listë të ashtuquajtur të “rusofobëve”.
Ministri Antonio Tajani e ka cilësuar këtë akt si një provokim të rëndë ndaj Republikës dhe popullit italian, duke shprehur solidaritetin e tij institucional dhe personal ndaj presidentit Mattarella.
Italia i ka kërkuar zyrtarisht ambasadorit rus shpjegime për këtë veprim, duke paralajmëruar se mosrespektimi i përfaqësuesve më të lartë të shtetit italian nuk është i pranueshëm në raportet mes shteteve sovrane./ANSA
Mekanizmi Ndërkombëtar për Gjykatat Penale (ish-Tribunali i Hagës) e ka refuzuar kërkesën e Ratko Mlladiqit për lirimin e tij të përkohshëm për arsye humanitare, duke përmendur gjendjen e rënduar shëndetësore.
Ish-komandanti i Ushtrisë së Republikës Sërpska – entiteti serb i Bosnjës – u dënua në vitin 2021 me burgim të përjetshëm për gjenocid dhe krime lufte në Bosnje e Hercegovinë.
Në vendimin e nënshkruar nga kryetarja e Mekanizmit, Graciela Gatti Santana, thuhet se edhe pse vlerësimet mjekësore tregojnë se Mlladiq i është afruar fundit të jetës, ai është duke marrë kujdes të gjithanshëm shëndetësor, gjë që është e dokumentuar në raportet mjekësore.
“Informacionet që kam në dispozicion tregojnë se rrethanat humanitare bindëse, të cilat Mlladiq i ka përmendur si arsye për lirimin, nuk janë vërtetuar”, thuhet në vendim.
Sipas gjykatës, Mlladiq nuk vuan nga ndonjë sëmundje akute dhe terminale që do të mund të arsyetonte lirimin e tij. Për më tepër, ai është duke marrë kujdes mjekësor cilësor dhe të përshtatur me nevojat e tij specifike.
Gjykata thekson, gjithashtu, se janë ndërmarrë masa për t’i mundësuar atij kontakte të rregullta me familjen.
“Mbajtja e tij e mëtejshme në burg nuk përbën trajtim çnjerëzor apo degradues dhe, si e tillë, vazhdon t’i mbështesë parimet thelbësore të ndëshkimit që zbatohen për krimet për të cilat ai është dënuar. Prandaj, kërkesa duhet të refuzohet”, thuhet në arsyetimin e gjykatës.
Më 2 qershor, përmes avokatëve të tij, Mlladiq kishte paraqitur kërkesë për lirimin e përkohshëm ose të parakohshëm, duke pretenduar se ishte diagnostikuar me një sëmundje terminale dhe se i kishte mbetur pak kohë për të jetuar.
Mbrojtja pretendon se shërbimi shëndetësor i burgut i ka njoftuar Mlladiqin dhe familjen e tij se “nuk mund të shërohet” dhe se “jeta e tij matet në muaj”.
Në kërkesë thuhej gjithashtu se, për shkak të gjendjes së tij shëndetësore, nuk ekziston rrezik për arratisje dhe se, në rast të lirimit, ai do të qëndronte në Serbi.
Ratko Mlladiq ishte në arrati për gati 16 vjet para se të arrestohej në Serbi në maj të vitit 2011 dhe të ekstradohej gjashtë ditë më vonë në Hagë.
Ai u shpall fajtor për gjenocidin ndaj afro 8.000 boshnjakëve në Srebrenicë, zonë e mbrojtur nga OKB-ja në verën e vitit 1995, për ndjekje dhe zhvendosje të detyruar të boshnjakëve dhe kroatëve në mbarë Bosnjën, për terrorizimin e civilëve gjatë rrethimit të Sarajevës, si dhe për mbajtjen peng të paqeruajtësve të OKB-së gjatë bombardimeve të NATO-s në vitin 1995.
Ai u dënua për 10 nga 11 pikat e aktakuzës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Një konferencë për shtyp u mbajt të martën, më 29 korrik, në orën 16:00, në sallën e shtypit të Dhomës së Deputetëve në Romë. Raporti, “Plagët kufitare. Faza e re e modelit shqiptar”, u përgatit nga Komiteti i Azilit dhe Emigracionit në bashkëpunim me Grupin e Kontaktit të Parlamentit Italian dhe atij Europian.
Ky tekst vazhdon dhe përditëson botimin “Përtej Kufirit. Marrëveshja Itali-Shqipëri dhe Pezullimi i të Drejtave”, botuar në mars 2025, dhe thekson se si korniza për menaxhimin transnacional të migrantëve ka ndryshuar rrënjësisht.
Mekanizmi i ri – Që nga prilli, qeveria italiane ka prezantuar një mekanizëm të ri operativ që transferon me forcë emigrantët që mbahen tashmë në qendrat italiane të riatdhesimit (CPR) në qendrën e paraburgimit në Gjadër në Shqipëri. Kjo krijon një sistem ndërkombëtar paraburgimi administrativ, të karakterizuar nga transparencë e ulët dhe një rrezik shumë i lartë i shkeljes së të drejtave themelore. Monitorimi në terren nga Komiteti i Azilit dhe Emigracionit ka konfirmuar një sërë çështjesh kritike sistemike, si në aspektin e kujdesit shëndetësor ashtu edhe në aspektet ligjore dhe organizative.
“Transferimet nga Qendrat e Pritjes për të Drejtat e Njeriut (CPR) italiane në atë të Shqipërisë në Gjadër, 132 deri më sot, kryhen sistematikisht pa një urdhër të shkruar dhe të arsyetuar”, thuhet në dokument. Komiteti i Azilit dhe Imigracionit ka konfirmuar “mungesën e një urdhri transferimi individual ose kolektiv të shkruar dhe të arsyetuar. Në rastet e shqyrtuara, është e qartë se masat shtrënguese u miratuan në mënyrë arbitrare dhe në shkelje të legjislacionit në fuqi”.
Artikulli
Transferime të detyruara – Në veçanti, raporti dokumenton mungesën e plotë të një vlerësimi paraprak shëndetësor para transferimit, pavarësisht pranisë së njerëzve që vuajnë nga sëmundje të rënda kronike, trauma psikologjike dhe nevojës për trajtim të vazhdueshëm. Transferimet ndodhin në kushte shtrënguese: njerëzit prangosen dhe lidhen gjatë udhëtimeve të gjata, deri në 24 orë, shpesh pa asnjë informacion apo justifikim.
Me mbërritjen në Gjadër, mungesa e një sistemi shëndetësor të krahasueshëm me atë italian, e kombinuar me menaxhimin e dobët dhe mungesën e burimeve, çoi në përkeqësimin e kushteve shëndetësore të të burgosurve. Trajtimet jetëshpëtuese u ndërprenë në mënyrë arbitrare, duke shkelur të drejtat e sanksionuara në Kushtetutën italiane (nenet 2, 3 dhe 32), si dhe në ligjin evropian dhe ndërkombëtar.
“Ekstraterritorialiteti i qendrës Gjadër”, shkruan Tryeza e Rrumbullakët, “pengon aksesin efektiv në përfaqësim ligjor, një e drejtë e mbrojtur nga Neni 24 i Kushtetutës dhe Neni 6 i KEDNJ-së (Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut)”.
Izolimi i detyruar në Gjadër nuk është vetëm një kusht material, por një kusht sistemik margjinalizimi që i bën njerëzit të padukshëm, të heshtur dhe pasivë, duke kontribuar në një dehumanizim të institucionalizuar më ekstrem se ai i CPR-ve në tokën italiane.
Bllokim informacioni – Transparenca procedurale është një faktor tjetër i rëndësishëm. Asnjë listë zyrtare e personave të transferuar nuk u komunikohet institucioneve, medias apo organizatave humanitare, duke i bërë migrantët “të padukshëm” në një zonë të mbrojtur ligjërisht. Kjo krijon një boshllëk llogaridhënieje dhe mbrojtjeje, ku shmanget shqyrtimi gjyqësor, duke krijuar një hapësirë përjashtimi material dhe ligjor jashtë territorit italian.
Raporti denoncon me forcë paligjshmërinë e Protokollit Itali-Shqipëri, i cili shkel normat kushtetuese, evropiane dhe ndërkombëtare, duke përfshirë garancitë e ofruara nga Ligji i Konsoliduar për Imigracionin dhe Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Gjykata e Kasacionit dhe Gjykata Kushtetuese kanë ngritur dyshime në lidhje me përputhshmërinë e këtij “modelit të Shqipërisë” me ligjin evropian, duke theksuar nevojën urgjente për një rishikim legjislativ dhe një pezullim të menjëhershëm të transferimeve.
Errësira që rrethon modelin shqiptar nuk është një pengesë, thuhet aty, por një formë specifike qeverisjeje. Bllokimi i informacionit shërben për të zvogëluar mundësinë e pjesëmarrjes së informuar nga shoqëria civile.
Eksternalizimi i politikave të migracionit – Pas këtij vendimi politik qëndron dëshira e qeverisë italiane për të marrë përsipër udhëheqjen evropiane në eksternalizimin e politikave të emigracionit, përmes praktikave gjithnjë e më të ashpra dhe të errëta që minojnë të drejtat themelore dhe i shpëtojnë shqyrtimit gjyqësor, si në nivel kombëtar ashtu edhe në nivel të BE-së. Nëse Bashkimi Evropian vazhdon në rrugën e përcaktuar nga Pakti Evropian për Emigracionin, ai rrezikon në mënyrë efektive të eliminojë të drejtën e azilit siç është sanksionuar në të drejtën ndërkombëtare dhe të minojë vetë vlerat themelore të Bashkimit.
Në thelb, “modeli i Shqipërisë” nuk është vetëm një çështje e politikave të emigracionit, por për TAI-n ai bëhet një terren prove për parimet demokratike, të drejtat e njeriut dhe respektin për sundimin e ligjit në Itali dhe Evropë. Vetëm nëpërmjet përpjekjeve të përbashkëta do të jetë e mundur të ndalet kjo spirale padrejtësie dhe të rikthehet dinjiteti dhe mbrojtja për më të prekshmit.
“Vendimi i qeverisë italiane për të ndërtuar një qendër paraburgimi administrativ jashtë territorit të saj kombëtar”, përfundon raporti, “është kritikuar ashpër.”
Ky vendim konsiderohet si shprehje e dëshirës për të marrë lidershipin në Evropë në përcaktimin e politikave gjithnjë e më të rrepta dhe diskriminuese, duke minuar parimet ligjore të sanksionuara në legjislacionin evropian. Kërkohet pezullimi i menjëhershëm i zbatimit të protokollit Itali-Shqipëri.
Roterdami do të bëhet qyteti i parë në Holandë që do të lejojë qarkullimin e një autobusi vetë-drejtues në rrugët publike, duke nisur nga data 1 gusht. Pas disa vitesh përgatitje dhe testimesh, autobusi autonom do të transportojë pasagjerë nga stacioni i metrosë Meijersplein deri në Aeroportin e Roterdamit në Hagë.
Ky projekt përfaqëson një hap të madh drejt automatizimit të transportit publik dhe u testua për herë të parë me sukses javën e kaluar.
Për momentin, në bord do të jetë ende i pranishëm një shofer për të mbikëqyrur funksionimin dhe për të ndërhyrë në raste të nevojshme, siç kërkojnë rregulloret aktuale. Zëdhënësja e kompanisë së transportit RET, Tessa Dronzek, theksoi se legjislacioni ende nuk lejon automjete autonome pa asnjë njeri brenda tyre. Megjithatë, kjo pritet të ndryshojë me zhvillimet e ardhshme teknologjike dhe ligjore.
Drejtoresha e përgjithshme e RET, Linda Boot, siguroi se ky projekt nuk do të ndikojë negativisht në vendet e punës për shoferët, duke theksuar se aktualisht kompania ka mungesa të konsiderueshme në staf. “Kemi vërtet nevojë për këtë teknologji për të zgjidhur një problem”, u shpreh ajo.
Autobusi është i pajisur me kamera, radarë dhe sensorë dhe është vlerësuar si i sigurt për t’u futur në trafik nga Administrata Kombëtare e Rrugëve, pas një sërë testimesh të detajuara. Linja ku do të operojë mjeti është përzgjedhur për qartësinë dhe thjeshtësinë e saj, duke pasur pak situata të komplikuara trafiku.
RET thekson se përpara se teknologjia të përhapet më gjerësisht në rrugët publike, duhen ende disa vite zhvillim dhe përshtatje ligjore. Projekti është rezultat i një bashkëpunimi mes DAM Shuttles, RET, Aeroportit të Roterdamit në Hagë, Metropoolregio Rotterdam Den Haag, HTM dhe komunës së Roterdamit.sn
Kievi së shpejti do të marrë sisteme me rreze të gjatë veprimi, përfshirë edhe përmes iniciativave të prodhimit të përbashkët, tha kancelari gjerman Friedrich Merz në një konferencë të përbashkët për shtyp me kryeministrin britanik Keir Starmer.
“Sigurisht, diskutuam në detaje mbështetjen ushtarake për Ukrainën. Dhe nuk ka të bëjë vetëm me mbrojtjen ajrore, por edhe me aftësinë e Ukrainës për t’u mbrojtur më mirë, madje edhe me sisteme me rreze të gjatë veprimi. Ne e quajmë zjarr me rreze të gjatë veprimi. Ukraina së shpejti do të marrë mbështetje të mëtejshme në shkallë të gjerë në këtë drejtim. Përfshirë edhe përmes bashkëpunimit industrial që kemi lidhur me Ukrainën”, tha ai, por nuk pranoi të jepte më shumë detaje.
“Megjithatë, në javët dhe muajt në vijim, Ukraina do të marrë mbështetje shumë më të konsiderueshme përmes sistemeve të tilla. Shpresoj vërtet që qeveria amerikane, së bashku me Kongresin e SHBA-së, do të marrë vendimet që Kongresi ka përgatitur për disa javë”, shtoi Merz, duke treguar se është në kontakt të ngushtë me disa senatorë që e kanë përgatitur këtë. “Dhe shpresojmë vërtet që kjo do të çojë më pas në një vendim të përshtatshëm nga qeveria amerikane.”
Më parë, Merz dhe Starmer nënshkruan një traktat mbi miqësinë dhe bashkëpunimin. Qeveria britanike tha se sipas marrëveshjes, Londra dhe Berlini, pjesërisht, do të zhvillojnë raketa të reja me një rreze veprimi prej më shumë se 2,000 kilometrash në dekadën e ardhshme. Ata gjithashtu do të forcojnë bashkëpunimin në luftën kundër migracionit të paligjshëm.
Parlamenti i Gjermanisë (Bundestagu) mbajti një seancë përkujtimore për 30-vjetorin e masakrës së Srebrenicës, ku u vranë mbi 8.000 boshnjakë në korrik të vitit 1995.
Në seancë morën pjesë deputetë, dy të mbijetuar të gjenocidit dhe ambasadorë të Bosnjë-Hercegovinës dhe Kosovës. Deputetët e Bundestagut e dënuan ashpër qasjen e Serbisë ndaj luftërave të përgjakshme në ish-Jugosllavi. Michael Brand, deputet i CDU-së, theksoi se Serbia e mbështetur nga Rusia ka udhëhequr luftëra që nga viti 1991.
Ai e quajti presidentin serb Vuçiç trashëgimtar të politikave të Millosheviçit dhe e akuzoi për lidhje me Putinin. Jasmina Hostert, një deputete e lindur në Sarajevë dhe e plagosur në luftë, mbajti një fjalim të ndjerë për dhimbjen dhe rëndësinë e përballjes me të kaluarën.
Gjatë seancës, një deputet i AFD-së relativizoi gjenocidin, çka u kundërshtua fuqishëm. Ky përvjetor riktheu në vëmendjen ndërkombëtare nevojën për drejtësi dhe paqe në Ballkan. bw
Polonia ka përfunduar një marrëveshje të re për të blerë një grup të dytë prej 180 tankesh moderne K2 nga Koreja e Jugut, duke e çuar totalin e automjeteve të blinduara të planifikuara për blerje në gati 1,000 njësi. Kjo është pjesë e një marrëveshjeje më të gjerë të arritur në vitin 2022 mes dy vendeve.
Ky zhvillim e vendos Poloninë gjithnjë e më shumë në qendër të mbrojtjes evropiane dhe nënvizon rolin në rritje të Koresë së Jugut si furnizuese kryesore e armëve për vendet aleate të SHBA-së.
Që prej fillimit të pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022, Polonia ka rritur ndjeshëm shpenzimet ushtarake, duke blerë armë moderne dhe duke forcuar kapacitetet e saj mbrojtëse.
Blerja e tankeve K2 është pjesë e këtij transformimi, ndërsa vendi po përgatitet për çdo skenar të mundshëm në kufijtë lindorë të NATO-s.
Kjo marrëveshje vjen në një moment kur Rusia ka intensifikuar sulmet ndaj Ukrainës, disa prej të cilave janë kryer brenda një distance prej më pak se 100 miljesh nga territori polak.
Si një vend kufitar me Ukrainën dhe anëtar i NATO-s, Polonia shihet si një pjesë kyçe e vijës së parë të mbrojtjes së aleancës në rast të një përshkallëzimi të mëtejshëm nga ana e Kremlinit.
Koreja e Jugut po fiton terren si një ndër eksportueset më të mëdha të pajisjeve ushtarake në botë. Teksa SHBA përballet me sfida për të përmbushur kërkesën në rritje për armë nëpër botë, furnitorë alternativë si Koreja po fitojnë besimin e partnerëve të NATO-s dhe vendeve të tjera aleate.
Marrëveshja për grupin e dytë të tankeve është njoftuar nga Ministria e Mbrojtjes e Polonisë në një postim në platformën sociale X, megjithëse pritet ende të nënshkruhet zyrtarisht në ditët në vijim. bw
Gjatë konferencës ndërkombëtare të organizuar nga ECR dhe Parlamenti Europian, e zhvilluar në qytetin historik të Napolit, Fatmir Mediu, kryetari i Partisë Republikane të Shqipërisë, gjatë fjalës së tij foli për sfidat me të cilat përballet rajoni i Ballkanit dhe Europa.
Në panelin ku morën pjesë edhe Alice Carrazza (gazetare e Secolo d’Italia, Itali), Kaush Arha (Funksionar i Lartë i Administratës së Presidentit Trump) dhe Doaa Abdel Motaal (profesoreshë në Sciences Po), Mediu theksoi se kërcënimi më i madh për demokracinë vjen sot nga brenda, përmes përpjekjeve për të kufizuar lirinë e fjalës dhe për të ndikuar në udhëheqjen e vendeve sovrane nga aktorë të jashtëm.
Ai solli në vëmendje rastin e Ballkanit, ku po përjetohet një rritje shqetësuese e autoritarizmit, mungesë zgjedhjesh të lira dhe të ndershme, korrupsion i rrënjosur thellë dhe lidhje të forta mes krimit të organizuar dhe politikës, një realitet i konfirmuar edhe në zgjedhjet e fundit në Shqipëri.
Gjatë fjalës së tij, Fatmir Mediu vuri theksin te rreziku që po i kanoset demokracisë nga brenda vetë shoqërive europiane.
“J.D. Vance përmendi diçka të rëndësishme gjatë fjalës së tij në konferencë.
Kërcënimi nga brenda. Demokracia. Liria e fjalës.
Kjo është shumë e rëndësishme për vendet tona.
Duket se në ditët e sotme, disa njerëz duan të vendosin se kush udhëheq një vend mbi një vend tjetër.”
Mediu ndaloi më tej tek situata politike në Ballkan, duke theksuar mungesën e zgjedhjeve të lira dhe përfshirjen e krimit të organizuar në proceset elektorale.
“Së dyti, do t’ju them që në vendet e Ballkanit kemi një rritje të autoritarizmit, mungesë të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme,
dhe korrupsion përfshirës, krim të organizuar, kartele të lidhura,
të përfshira nga të dyja anët në manipulimin e zgjedhjeve,
dhe kjo u vërtetua në zgjedhjet e fundit në Shqipëri.”
Ai ngriti gjithashtu alarmin për shpopullimin e vendit dhe rënien e lindshmërisë.
“Një tjetër problem i madh në Ballkan është rënia demografike.
Emigrimi masiv i të rinjve, qytetarëve të kualifikuar.
Më shumë se një milion shqiptarë kanë lënë vendin vitet e fundit.
Dhe norma e lindjeve në Shqipëri është më e ulëta në rajon, dhe ndryshon shumë.”
Panelistët trajtuan sfidat gjeopolitike në Ballkan dhe rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë mes vendeve të NATO-s në Ballkan, për të garantuar sigurinë dhe stabilitetin në rajon.
U theksua se Rusia dhe Kina po zgjerojnë ndikimin e tyre ushtarak, ekonomik dhe politik në rajon, të nxitura nga skepticizmi ndaj BE-së dhe angazhimi gjithnjë e më i kufizuar i SHBA-ve.
Ata paralajmëruan për rolin e Rusisë në nxitjen e tensioneve përmes Serbisë, në Bosnjë-Hercegovinë dhe Kosovë, për të ruajtur status quo-në dhe për të rikthyer konfliktet historike.
Po ashtu, u denoncuan përpjekjet për të bllokuar integrimin europian dhe për të ndërhyrë në proceset zgjedhore përmes korrupsionit dhe kapjes së institucioneve.
Një tjetër pikë kyçe ishte angazhimi në korridoret strategjike të Nismës së Tre Deteve dhe të BE-së, si dhe nevoja për të përshpejtuar diversifikimin energjetik, për të reduktuar varësinë nga Rusia dhe për të forcuar pavarësinë ekonomike dhe gjeopolitike të rajonit.
Në përmbyllje, Kryetari i PR, Fatmir Mediu bëri thirrje për një bashkëpunim më të fortë midis forcave konservatore në Europë, për të mbrojtur demokracinë, për të garantuar stabilitetin në rajon dhe për të frenuar shpopullimin dhe ndikimet e huaja destabilizuese. sn