VOAL

VOAL

Tensione në rritje, Rusia provokon përsëri! Polonia kap një aeroplan spiun mbi Detin Baltik

Avionët luftarakë polakë MiG-29 interceptuan një avion zbulues rus mbi Detin Baltik, incidenti i dytë i tillë këtë javë, tha ministri polak i Mbrojtjes, Wladyslaw Kosciniak-Kamysz.

 

Ushtria polake tha të mërkurën se avionët luftarakë polakë kishin interceptuar një avion rus që po kryente një fluturim zbulues në hapësirën ajrore ndërkombëtare mbi Detin Baltik.

“Sot, avionët luftarakë MiG-29 interceptuan një avion zbulues rus mbi Detin Baltik”, tha Kosyniak-Kamysz , duke thënë se ishte një incident i ngjashëm me atë të djeshëm.

Komanda Operacionale e Ushtrisë Polake e përshkroi incidentin në një postim në platformën e rrjeteve sociale X.

“Më 30 tetor 2025, para orës 09:00, avionët luftarakë MiG-29 që shërbejnë me Forcat Ajrore Polake kryen një tjetër interceptim këtë javë të një avioni zbulues Il-20 të Federatës Ruse që fluturonte mbi Detin Baltik”, tha ajo në një deklaratë.

“Avioni, i cili po fluturonte në hapësirën ajrore ndërkombëtare pa një plan fluturimi të paraqitur me transponderin e tij jashtë funksionit, u kap, u identifikua dhe u shoqërua jashtë zonës së përgjegjësisë. Nuk pati shkelje të hapësirës ajrore polake”.

Vendet në krahun lindor të NATO-s kanë qenë në gatishmëri të lartë për shkelje të mundshme të hapësirës ajrore që nga shtatori, kur tre avionë ushtarakë rusë shkelën hapësirën ajrore të Estonisë për 12 minuta, ditë pasi më shumë se 20 dronë rusë kishin hyrë në hapësirën ajrore polake. Panorama

Grabitja spektakolare në muzeun e Luvrit, 5 të arrestuar të rinj

Pesë persona u arrestuan nga policia mbrëmë rreth orës 8 të mbrëmjes në arondissementin e 16-të të Parisit, si pjesë e një hetimi për vjedhjen sensacionale në Muzeun e Luvrit 11 ditë më parë.
Gazeta Le Figaro shkruan për këtë.

“Të pestë personat janë në paraburgim, përfshirë një nga të dyshuarit kryesorë në grabitje”, i tha gazetës këtë mëngjes një burim policor. I dyshuari i parë, një shtetas algjerian 34-vjeçar, u arrestua të shtunën, më 25 tetor, në aeroportin Roissy-Charles de Gaulle, pak para se të nisej për në Algjeri pa biletë vajtje-ardhje.

I dyti, një burrë 39-vjeçar, u arrestua gjysmë ore më vonë pranë shtëpisë së tij në Aubervilliers, një periferi të Parisit.

Sendet me vlerë 88 milionë euro (76 milionë paund; 102 milionë dollarë) u vodhën nga muzeu më i vizituar në botë më 19 tetor, kur katër hajdutë hynë me forcë në ndërtesë në mes të ditës.

Bizhuteritë nuk janë gjetur ende dhe banda e përfshirë mund të jetë më e madhe se katër personat e kapur në kamerat e sigurisë, tha zyra e Laure Beccuau. bw

EMRA QË KTHEHEN Voldemar Ivanovich Bisenek (1884–1938) Nga Vladimir Kara-Murza, Politikan, autor, historian, ish-i burgosur

EMRA QË KTHEHEN

Voldemar Ivanovich Bisenek (1884–1938).

Letonez, Social Demokrat, pjesëmarrës në Revolucionin e vitit 1905, i burgosur politik, punonjës financiar dhe pensionist personal.

U arrestua në Moskë më 3 dhjetor 1937 dhe u transferua në Leningrad.

Më 28 gusht 1938, një komision i NKVD-së dhe Prokurorisë së BRSS-së e dënoi me vdekje sipas Nenit 58-6 të Kodit Penal të RSFSR-së si “spiun letonez”.

Ai u ekzekutua në Leningrad më 6 shtator 1938.

Ai u rehabilitua pas vdekjes më 12 korrik 1957, me një vendim të Kolegjiumit Ushtarak të Gjykatës Supreme të BRSS-së për shkak të mungesës së corpus delicti.

Stërgjyshi im. 

Zelensky thotë se ka nevojë për mbështetjen evropiane dhe për “dy-tre vjet luftime”

Radio Evropa e Lirë

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se shteti i tij ka nevojë për ndihmë financiare të Evropës për të vazhduar luftën kundër forcave ruse për dy apo tre vjet të tjera.

Kievi është varur kryesisht nga mbështetja ushtarake dhe financiare e aleatëve për të mbajtur nën kontroll ushtrinë e Moskës, e cila nisi pushtimin e plotë të shtetit fqinj në shkurt të vitit 2022.

“Unë e theksova këtë përsëri për të gjithë udhëheqësit evropianë. U thashë atyre se ne nuk do të luftojmë për dekada, por ju duhet të tregoni që për një kohë do të mund të siguroni mbështetje të qëndrueshme financiare për Ukrainën”, tha Zelensky në komente të publikuara të martën.

“Dhe pikërisht për këtë ata kanë këtë program në mendje – 2-3 vjet”, tha Zelensky, duke iu referuar planeve të Brukselit për të përdorur asetet e ngrira ruse për të ndihmuar Kievin.

Javën e kaluar, udhëheqësit e Bashkimit Evropian e ngarkuan Komisionin Evropian të vazhdojë me opsionet për financimin e Ukrainës për dy vjet të tjerë, duke lënë hapur mundësinë për një kredi të madhe që do të përdorte disa dhjetëra miliarda euro nga asetet shtetërore ruse që Brukseli i ka ngrirë.

“Nëse lufta përfundon brenda një muaji, do t’i shpenzojmë këto para për rikuperim. Nëse nuk përfundon brenda një muaji, por pas një kohe, atëherë do t’i shpenzojmë për armë. Thjesht, nuk kemi zgjedhje tjetër”, shtoi Zelensky.

Udhëheqësi ukrainas po ashtu bëri thirrje që presidenti amerikan, Donald Trump, që t’i ushtrojë presion homologut kinez, Xi Jinping, që të ndërpresë mbështetjen për Rusinë kur të takohet me të më vonë këtë javë.

“Mendoj se kjo mund të jetë një nga lëvizjet e forta të [Trumpit], veçmas nëse, pas këtij hapi vendimtar të sanksioneve, Kina është gati të reduktojë importet” nga Rusia, tha Zelensky për gazetarët, përfshirë AFP, gjatë një konference për gazetarë, komentet nga e cila u publikuan më 28 tetor.

Javën e kaluar, Trump vendosi sanksione ndaj dy kompanive kryesore të naftës ruse dhe udhëheqësi amerikan ka bërë thirrje që blerësit e energjisë ruse – konkretisht Kina dhe India – të ndalin blerjet, pasi të ardhurat nga energjia, sipas Uashingtonit dhe Kievit, po e financojnë luftën kundër Ukrainës.

Grabitja në Luvër, ADN-ja që zbuloi autorët! Ende asnjë gjurmë e bizhuterive me vlerë 88 mln euro

Një gjurmë ADN-je ishte ajo që “zhbllokoi” hetimet dhe çoi te autorët e grabitjes në Luvër, duke rezultuar në arrestimin e dy prej tyre të shtunën në mbrëmje.


Sipas BFMTV, duke cituar një burim pranë grupit hetimor, njëri nga dy të dyshuarit u identifikua falë një gjurme ADN-je  në vendin e grabitjes.

Që kur përfundoi “grabitja e shekullit”, policia mjeko-ligjore ka qenë duke kërkuar në zonë për çdo të dhënë të mundshme.

Prokurorja e Parisit, Laure Beccuau, tha të enjten se nga vendi i ngjarjes ishin mbledhur më shumë se 150 mostra ADN-je, gjurmë gishtash dhe gjurmë të tjera.

Në muzeun e Luvrit , autorët lanë pas disa sende që mund të përmbajnë gjurmë, si një helmetë, radio dore, jelek të verdhë dhe prerëse metalesh.

Paa testeve të ADN-së, njëri nga dy të dyshuarit u identifikua dhe më pas u arrestua.

Dy të arrestuarit janë rreth 30 vjeç dhe vijnë nga Aubervilliers. Roli i tyre në grabitje nuk dihet ende, por konsiderohen “të dyshuarit kryesorë”.

Njëri nga dy të dyshuarit, i cili sipas gazetës franceze “Le Monde” ka shtetësi franceze dhe algjeriane, u arrestua në aeroportin Roissy-Charles de Gaulle ndërsa po përgatitej të nisej për në Algjeri. Personi tjetër i arrestuar ka shtetësi franceze.

Megjithatë, operacioni u përshpejtua kur ata kuptuan se njëri prej të dyve kishte ndërmend të arratisej. Prandaj, bizhuteritë me vlerë 88 milionë euro ende s’janë gjetur. gsh

Arrestohen dy të dyshuar për grabitjen në Luvër

Radio Evropa e Lirë

Autoritetet franceze kanë ndaluar dy nga personat e dyshuar për grabitjen e bizhuterive të çmuara nga Muzeu i Luvrit, në një vjedhje që tronditi botën, thanë zyrtarët të dielën.

Një numër i madh hetuesish ishte mobilizuar për të ndjekur gjurmët e hajdutëve që grabitën në muzeun e famshëm botëror në mes të ditës më 19 tetor, duke u larguar brenda vetëm disa minutash me bizhuteri të vlerësuara rreth 102 milionë dollarë.

Prokurorja e Parisit, Laure Beccuau, tha se “arrestimet u kryen të shtunën në mbrëmje”.

“Njëri nga burrat e arrestuar ishte gati të largohej nga vendi nga aeroporti Paris-Charles de Gaulle”, tha Beccuau.

Një burim i afërt me rastin i tha AFP-së se burri ishte gati të hipte në një avion për në Algjeri.

Burri i dytë u ndalua jo shumë kohë më pas në rajonin e Parisit, raportuan mediat.

Dy burrat u morën në paraburgim nën dyshimin për vjedhje të organizuar dhe komplot kriminal. Ata mund të mbahen deri në 96 orë.

Një nga bizhuteritë e vjedhura nga Muzeu i Luvrit.

Një nga bizhuteritë e vjedhura nga Muzeu i Luvrit.

Beccuau shprehu keqardhje për zbulimin publik të arrestimeve, të cilat u publikuan fillimisht në media, duke paralajmëruar se ato “mund të pengojnë përpjekjet e 100 hetuesve të mobilizuar” në kërkim të bizhuterive dhe autorëve të grabitjes.

Ministri i Brendshëm, Laurent Nunez, gjithashtu bëri thirrje për ruajtjen e konfidencialitetit, duke përgëzuar hetuesit “që kanë punuar pa u lodhur”, në një postim në X.

Në grabitjen e ndodhur të dielën e kaluar, hajdutët u ngjitën në një shkallë të një kamioni transporti të vjedhur dhe, duke përdorur pajisje prerëse, hynë në një galeri në katin e parë që strehon gurë të çmuar.

Ata hodhën një kurorë të zbukuruar me diamante dhe smeralde teksa iknin poshtë shkallëve dhe më pas në skuterë, por arritën të vidhnin tetë bizhuteri të tjera, përfshirë një varëse smeraldi dhe diamanti që Napoleon Bonaparti ia kishte dhuruar gruas së tij, Perandoreshës Marie-Louise.

Kjo vjedhje ka bërë jehonë në mbarë botën dhe ka nxitur debat në Francë për sigurinë e institucioneve kulturore.

Një nga bizhuteritë e vjedhura nga Muzeu i Luvrit.

Një nga bizhuteritë e vjedhura nga Muzeu i Luvrit.

Drejtori i Luvrit ka pranuar se hajdutët kishin përfituar nga një “pikë e verbër” në sistemin e mbikëqyrjes së jashtme të muzeut.

Por, Beccuau tha se kamerat e sigurisë publike dhe private në zona të tjera u kanë mundësuar detektivëve të ndjekin gjurmët e hajdutëve “në Paris dhe rajonet përreth”.

Hetuesit gjithashtu arritën të gjenin mostra ADN-je dhe gjurmë gishtash në vendin e ngjarjes nga objekte të lëna pas nga hajdutët gjatë arratisjes, përfshirë doreza, një jelek reflektues, një pishtar për prerje metalesh dhe mjete elektrike.

Ata gjithashtu hodhën një kurorë që dikur i përkiste Perandoreshës Eugenie, bashkëshortes së Napoleonit III, e cila u dëmtua dhe ka nevojë për restaurim.

Pjesët e tjera nuk janë gjetur ende dhe rrezikojnë të copëtohen, me mbajtëset e tyre prej metalesh të çmuara që mund të shkrihen.

Nunez shprehu “shqetësim për bizhuteritë” në një intervistë për javoren franceze La Tribune Dimanche të dielën, duke thënë se grabitja duket se është kryer nga një grup i organizuar kriminal, por shtoi se “hajdutët përfundimisht gjithmonë kapen”.

“Plaçka fatkeqësisht shpesh fshihet jashtë vendit. Shpresoj që këtë herë të mos jetë kështu — mbetem optimist”, shtoi ai.

Grabitja në Luvër është më e fundit në një varg vjedhjesh që kanë pasur në shënjestër muzetë francezë.

Më pak se 24 orë pas thyerjes në Luvër, një muze në Francën lindore raportoi vjedhjen e monedhave prej ari dhe argjendi pasi u gjet një vitrinë e thyer.

Muajin e kaluar, kriminelë hynë në Muzeun e Historisë Natyrore në Paris, duke grabitur copa ari me vlerë mbi 1.5 milionë dollarë. Një grua kineze është arrestuar dhe akuzuar për përfshirje në këtë vjedhje.

Ministrja e Kulturës, Rachida Dati, tha të premten në X se kishte kërkuar rezultatet e një hetimi mbi sigurinë e Luvrit deri në fillim të javës së ardhshme, për të “shpallur masa konkrete për sigurimin” e muzeut.

“Rusia po bëhet çdo ditë e më e paturpshme në agresionin ndaj civilëve” Si u shpëtuan 48 fëmijë nga sulmi rus në një çerdhe në Kharkiv

Një imazh tronditës nga qyteti lindor i Kharkivit është bërë simbol i rezistencës dhe humanizmit në Ukrainë, pasi Gjeneral Major Oleksandr Volobuev, nga Shërbimi i Mbrojtjes Civile, u fotografua duke mbajtur në duar një xhup të mbështjellë me kujdes, nga e cila shiheshin dy këpucë të vogla rozë – një vajzë e shpëtuar nga rrënojat e një çerdheje të goditur nga një dron rus Shahed.

Në imazhin që është bërë viral në rrjetet sociale, Volobuev ecën mes tymit dhe mbetjeve të shkrumbuara, me trupin e përkulur sikur të përpiqej të mbronte fëmijën nga ajri i helmuar që ende qarkullonte.

“Morëm telefonatën se kishte pasur një sulm ndaj kopshtit,” tha Volobuev për mediat lokale. “E dinim që aty kishte fëmijë, ndaj u nisëm menjëherë, të kapluar nga ankthi.”

Në çerdhen e quajtur “Akademia e Mjaltit”, e ndodhur në lagjen Kholodnohirsky të Kharkivit, 48 fëmijë ishin strehuar në bodrumin e ndërtesës dykatëshe në momentin e sulmit. Shpërthimi i fuqishëm shkaktoi zjarr në çati dhe ndërtesa u mbush me tym e pluhur, por falë reagimit të shpejtë të ekipeve të emergjencës, asnjë fëmijë nuk humbi jetën.

Një tjetër oficer, Fedir Uhnenko, i cili zakonisht shërben si oficer shtypi në Shërbimin e Mbrojtjes Civile, këtë herë la kamerën për të ndihmuar në terren. Ai u fotografua duke mbajtur një djalë të vogël, përmes rrënojave dhe flakëve.

“E sigurova gjatë gjithë rrugës se gjithçka ishte në rregull,” tha Uhnenko. “Kur dolëm, pamë një makinë në flakë. Fëmija nuk qau – kishte frikë, por më kapi fort, si të kërkonte siguri.”

Fotografitë dhe pamjet e shpëtimit, të regjistruara nga ekipi i tij, janë transmetuar në mbarë botën, duke shfaqur trimërinë e zjarrfikësve dhe shpëtimtarëve ukrainas përballë një lufte që po prek gjithnjë e më shumë civilët dhe fëmijët.

Qeveria ukrainase e dënoi ashpër sulmin, duke e cilësuar të qëllimshëm dhe pa asnjë objektiv ushtarak në zonë.

“Nuk ka asnjë justifikim për një sulm ndaj një kopshti fëmijësh,” deklaroi Presidenti Volodymyr Zelensky. “Rusia po bëhet çdo ditë e më e paturpshme në agresionin e saj ndaj civilëve.”

Dronët Shahed, të prodhuar nga Irani dhe të ngarkuar me rreth 50 kilogramë eksploziv, janë përdorur gjerësisht nga Rusia në sulmet ndaj qyteteve ukrainase. Edhe pse zakonisht synojnë infrastrukturën energjetike, autoritetet thonë se numri i madh i dronëve të lëshuar bën që shumë prej tyre të devijojnë dhe të godasin ndërtesa banimi.

Fëmijët e shpëtuar u dërguan në një qendër emergjente të sigurt, disa qindra metra larg vendit të ngjarjes. Të gjithë dolën të padëmtuar – por historia e tyre është tashmë një simbol i dhimbjes dhe guximit ukrainas në një luftë që vazhdon të prekë më të pafajshmit. bw

BE-ja intensifikon përpjekjet për të ulur varësinë nga mineralet e rralla të Kinës, Von der Leyen: Qëllimi është të sigurohet qasja në burime alternative

Bashkimi Evropian po zhvillon një plan të ri për të frenuar varësinë nga materialet e papërpunuara kineze, tha të shtunën presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ndërsa kritikoi Pekinin për kufizimet e zgjeruara në eksportin e metaleve të rralla.


Bashkimi Evropian për vite me radhë është përpjekur ta zvogëlojë varësinë nga Kina për mineralet që janë të nevojshme për kalimin drejt energjisë më të pastër, sektorin e mbrojtjes dhe prodhimin e automjeteve elektrike.Von der Leyen tha se BE-ja do të kërkojë t’i përshpejtojë partneritetet për materiale kritike të papërpunuara me vende si Australia, Kanadaja, Kili, Grenlanda, Kazakistani, Uzbekistani dhe Ukraina.

Plani do të përfshijë gjithashtu përpjekje më të mëdha për riciklimin e materialeve kritike të papërpunuara në produktet që shiten në Evropë, shtoi ajo.

“Qëllimi është të sigurohet qasja në burime alternative të materialeve kritike të papërpunuara në afat të shkurtër, të mesëm dhe të gjatë për industrinë tonë evropiane”, tha ajo në një konferencë në Berlin.

Sipas saj, skema, e quajtur RESourceEU, do të jetë e ngjashme me planin që BE-ja zhvilloi pas pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022 për të ulur varësinë nga energjia ruse, të njohur si REPowerEU.

“Ne do të fokusohemi në gjithçka, nga blerjet e përbashkëta deri te krijimi i rezervave. Do të rrisim investimet në projekte strategjike për prodhimin dhe përpunimin e materialeve kritike të papërpunuara këtu në Bashkimin Evropian”, shtoi ajo.

Më 9 tetor, Kina vendosi kufizime në eksportin e metaleve të rralla dhe materialeve për bateri. Qeveritë perëndimore dhe analistët e shohin këtë si pjesë të reagimit të Kinës ndaj tarifave tregtare të vendosura nga Shtetet e Bashkuara.

“Nëse merrni parasysh që mbi 90% e konsumit tonë të metaleve të rralla vjen nga importet nga Kina, e kuptoni rrezikun që ekziston këtu për Evropën dhe për sektorët e saj më strategjikë industrialë”, tha ajo.

“Në afat të shkurtër, ne po përqendrohemi në gjetjen e zgjidhjeve me homologët tanë kinezë. Por jemi të gatshëm të përdorim të gjitha instrumentet që kemi në dispozicion për të reaguar, nëse është e nevojshme”, shtoi ajo./rel

“Kemi një vit që po përballemi me dhunë të tmerrshme”- Vuçiçi: Serbia mund të anëtarësohet në BE para vitit 2030, por s’do ta pranoj kurrë pavarësinë e Kosovës

Gjatë intervistës, ai tha se Serbia mbetet e rrezikuar politikisht nga situata gjeopolitike dhe se rreziku më i madh do të vinte nga një “luftë e vërtetë” midis Evropës dhe Rusisë. Udhëheqësi serb foli edhe për protestat masive studentore që kanë tronditur vendin, ku tha se po zhvillohet një luftë hibride. Ai tha se janë mbajtur më shumë se 25,000 tubime kriminale dhe të paligjshme të paregjistruara.

 

SERBI- Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç ka folur lidhur me anëtarësimin e vendit BE. I ftuar në radiotelevizionin publik RTS, Vuçiç deklaroi se Serbia mund të anëtarësohet në BE para vitit 2030, por tha se nuk do ta pranojë kurrë pavarësinë e Kosovës.

Gjatë intervistës, ai tha se Serbia mbetet e rrezikuar politikisht nga situata gjeopolitike dhe se rreziku më i madh do të vinte nga një “luftë e vërtetë” midis Evropës dhe Rusisë. Udhëheqësi serb fili edhe për protestat masive studentore që kanë tronditur vendin, ku tha se po zhvillohet një luftë hibride. Ai tha se janë mbajtur më shumë se 25,000 tubime kriminale dhe të paligjshme të paregjistruara.

“Unë besoj se ekzistojnë shanse të tilla. Por ekziston një çështje tjetër, çështja e Kosovës. Unë nuk mund dhe nuk do ta pranoj pavarësinë e Kosovës. Nëse do të shpërthente një luftë e vërtetë midis Evropës dhe Federatës Ruse, ky do të ishte rreziku më i madh.

Ne duhet të shmangim përfshirjen në çdo mënyrë dhe duhet të ruajmë neutralitetin tonë ushtarak. Në çdo mënyrë ne do të shmangim çdo konflikt rajonal. Pra, nuk kemi frikë nga askush. Ne jemi mjaftueshëm të fortë, njerëzit kanë pasur mundësinë ta shohin këtë, por unë nuk dua të marr pjesë në luftëra”, theksoi presidenti serb. 

Kemi një vit që po përballemi me dhunë të tmerrshme. Njerëzit janë ndaluar në lëvizjet e tyre në rrugët e Serbisë qindra mijëra herë. Janë mbajtur më shumë se 25,000 tubime kriminale dhe të paligjshme të paregjistruara, të cilat, në fund të fundit, ne madje i siguruam dhe shpenzuam një sasi të madhe parash për to”, tha Vuçiç./Dosja.al

Erdogan: SHBA-ja t’i bëjë trysni Izraelit për zbatimin e armëpushimit në Gazë

Radio Evropa e Lirë

Presidenti i Turqisë, Tayyip Recep Erdogan, ka thënë të premten se Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera duhet të bëjnë më shumë për të detyruar Izraelin ta ndalë shkeljen e marrëveshjes së armëpushimit në Rripin e Gazës.

Ai theksoi se ato madje duhet të përdorin mbase edhe sanksione apo ta ndalin shitjen e armëve në Izrael.

Turqia, anëtare e NATO-s dhe një nga kritiket më të zëshme të luftës së Izraelit në Gazë, i është bashkuar bisedimeve për armëpushim si ndërmjetëse, pasi më parë ishte përfshirë kryesisht tërthorazi.

Roli i saj i shtuar erdhi pas një takimi muajin e kaluar ndërmjet Erdoganit dhe presidentit amerikan, Donald Trump, në Shtëpinë e Bardhë.

“Si Turqi, po bëjmë gjithçka që mundemi për ta siguruar armëpushimin. Hamasi po e respekton armëpushimin dhe madje po e shpreh haptas zotimin e saj për këtë. Ndërkohë, Izraeli po vazhdon ta shkelë armëpushimin”, tha Erdogan për gazetarë.

“Bashkësia ndërkombëtare, veçanërisht Shtetet e Bashkuara, duhet të bëjnë më shumë për të siguruar që Izraeli i zbaton plotësisht armëpushimin dhe marrëveshjen”, tha ai, sipas një komunikate nga zyra e tij të premten.

“Izraeli duhet të detyrohet t’i mbajë premtimet e veta përmes sanksioneve dhe ndalimit të shitjeve të armëve”, sipas tij.

Ankaraja ka thënë se do t’i bashkohet një “task-force” që do ta mbikëqyrë zbatimin e armëpushimit, dhe se forcat e saj të armatosura mund të shërbejnë në kapacitete ushtarake apo civile sipas nevojës.

Ajo gjithashtu ka shprehur gatishmëri për të ndihmuar në rindërtimin e enklavës.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, la të kuptohet të mërkurën se Izraeli e kundërshton çdo rol të forcave turke në Rripin e Gazës.

I pyetur për komentet e Netanyahut, Erdogani u përmbajt nga kritikat e zakonshme ndaj liderit izraelit dhe duket se zbuti angazhimin e tij të mëparshëm për një rol aktiv në terren në Gazë, duke thënë se bisedimet për këtë çështje janë ende në zhvillim.

“Bisedimet për task-forcën që do të punojë në Gazë janë ende duke vazhduar. Modalitetet e saj nuk janë ende të qarta. Meqë kjo është një çështje me shumë dimensione, po zhvillohen negociata gjithëpërfshirëse. Ne jemi gati t’i ofrojmë Gazës çdo lloj ndihme në këtë drejtim”, tha ai.

Marrëdhëniet midis dy ish-aleatëve, Izraelit dhe Turqisë, janë përkeqësuar ndjeshëm gjatë luftës në Gazë, pasi Ankaraja e akuzon Qeverinë e Netanyahut për “gjenocid”, një akuzë që Izraeli e ka mohuar vazhdimisht.

SHBA-ja godet me sanksione kompanitë ruse të naftës, BE-ja miraton pakon e re

Radio Evropa e Lirë

Shtetet e Bashkuara vendosën të mërkurën vonë sanksione të reja që në shënjestër kanë dy kompanitë më të mëdha të naftës ruse – Rosneft dhe Lukoil – në përpjekje për t’i bërë trysni Moskës të ulet për të biseduar për arritjen e një marrëveshjeje për paqe në Ukrainë.

Ky vendim erdhi pak pasi BE-ja e miratoi të paketën e 19-të të sanksioneve ndaj Moskës, të mërkurën, për luftën e saj kundër Ukrainës, e cila përfshin edhe ndalimin e importeve të gazit të lëngshëm natyral të Rusisë (LNG).

Masat e Trumpit pasuan gjithashtu vendimin e Britanisë javën e kaluar për t’i sanksionuar Rosneftin dhe Lukoilin.

“Sa herë që flas me [presidentin rus] Vladimirin, kemi biseda të mira, por ato nuk të shpien askund. Thjesht nuk shpien askund”, tha presidenti amerikan, Donald Trump, pas një takimi me shefin e NATO-s, Mark Rutte, me të cilin bisedoi lidhur me negociatat e paqes.

Njoftimi për sanksionet erdhi një ditë pasi Trumpi njoftoi se takimi i planifikuar me presidentin rus, Vladimir Putin, në Budapest, do të shtyhej për kohë të papërcaktuar.

Vetëm disa orë para sanksioneve, Rusia kreu bombardime të fuqishme mbi Ukrainë, duke i vrarë të paktën shtatë njerëz, përfshirë fëmijë.

Departamenti amerikan i Thesarit tha se është i gatshëm të ndërmarrë masa të mëtejshme, duke i bërë thirrje Moskës ta pranojë menjëherë një armëpushim në luftën që nisi në shkurt të vitit 2022.

“Duke pasur parasysh refuzimin e presidentit Putin për ta përfunduar këtë luftë të pakuptimtë, Thesari po sanksionon dy kompanitë më të mëdha të naftës në Rusi që financojnë makinerinë e luftës së Kremlinit”, tha sekretari i Thesarit, Scott Bessent.

“Ne inkurajojmë aleatët tanë të na bashkohen dhe t’i respektojnë këto sanksione”, shtoi ai.

Sipas analistes Rachel Ziemba nga Qendra për Sigurinë e Re Amerikane, sanksionet e SHBA-së pasojnë një lëvizje të ngjashme nga Britania javën e kaluar.

Këto janë sanksionet e para të mëdha kundër Rusisë nga administrata Trump dhe duhet të kenë ndikim më të madh sesa ato të vendosura vetëm nga Britania, sipas saj.

Trump u tha gazetarëve në Zyrën Ovale të mërkurën se e anuloi takimin e planifikuar në Hungari me Putinin, sepse nuk ndiente se ishte koha e duhur.

Kjo ishte një tjetër shenjë se durimi i Trumpit po soset.

“Nuk më dukej e drejtë. Nuk ndjeva se do të arrinim aty ku duhet të arrijmë”, tha Trump.

Paketa e 19-të e BE-së

Vendet e Bashkimit Evropian të enjten miratuan edhe formalisht paketën e 19-të të sanksioneve kundër Rusisë për luftën e saj kundër Ukrainës, e cila përfshin edhe ndalimin e importeve të gazit natyror të lëngshëm (LNG).

Të gjitha 27 shtetet anëtare e kishin miratuar paketën qysh të mërkurën në mbrëmje, pasi Sllovakia hoqi dorë nga bllokimi i saj.

“Është një paketë e rëndësishme që synon burimet kryesore të të ardhurave të Rusisë përmes masave të reja energjetike, financiare dhe tregtare”, tha presidenca daneze e BE-së.

Ndalimi i LNG-së do të hyjë në fuqi në dy faza: kontratat afatshkurtra do të përfundojnë pas gjashtë muajsh, ndërsa kontratat afatgjata nga 1 janari 2027.

Sanksionet po ashtu përfshijnë futjen e cisternave ruse të naftës në listën e zezë dhe kufizime udhëtimi për diplomatët rusë.

Kjo është paketa e 19-të e sanksioneve që BE-ja ka vendosur që nga fillimi i pushtimit të plotë rus në vitin 2022.

Ato u prezantuan muajin e kaluar nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila tha se blerja e karburanteve fosile nga Rusia po financon luftën ruse.

Kryeministri Kurti u mirëprit nga Sekretarja e Shtetit për Punë të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Yvette Cooper

 

 

Londër, 22 tetor 2025

 

Pak para fillimit të punimeve të Samitit të Procesit të Berlinit, i cili po mbahet në Londër, Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, u mirëprit në takim nga Sekretarja e Shtetit për Punë të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Yvette Cooper.

 

Duke vlerësuar rolin dhe kontributin në çlirimin, shtetndërtimin dhe zhvillimin e Kosovës, kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen e thellë ndaj Mbretërisë së Bashkuar, si shtet mik dhe partner i yni.

 

Në takim u diskutua mbi temat kryesore të Samitit: sigurinë, rritjen dhe migracionin, si thelbësore për Ballkanin Perëndimor dhe Mbretërinë e Bashkuar. Gjithashtu, biseduan për mënyrat e thellimit të bashkëpunimit dhe mbështetjes në fushat e energjisë, infrastrukturës, përfshirë edhe transportin dhe edukimin.

 

Siguria e Kosovës është siguria e kufijve të saj. Partneriteti me Mbretërinë e Bashkuar është kyç për t’u mbrojtur nga lufta hibride e Rusisë dhe influenca e saj në Ballkanin Perëndimor, përfshirë këtu dezinformimin dhe financat e paligjshme, tha kryeministri.

 

Në fushën e mbrojtjes, kryeministri theksoi se Kosova po investon në inovacion, arsim dhe partneritete, duke vlerësuar rëndësinë e bashkëpunimit me Mbretërinë e Bashkuar. Ai gjithashtu nënvizoi potencialin e vendit për investime dhe mundësitë për projekte strategjike të përbashkëta me Britaninë.

 

Kryeministri theksoi se Kosova tashmë është vendi më demokratik dhe me zhvillimin ekonomik më të shpejtë në rajon. Sipas Gallup, Kosova renditet e treta në botë dhe e para në Evropë për sundimin e ligjit, ndërsa në indeksin e Transparency International është përmirësuar me 31 vende. Rritja mesatare ekonomike në katër vitet e fundit ka qenë 6%, asnjëherë nën 4%, me eksporte dhe investime të huaja të dyfishuara.

 

Prioritet i Kosovës është anëtarësimi në NATO dhe në Bashkimin Evropian. Kryeministri theksoi se përmes partneritetit me Britaninë e Madhe, mund të ecim drejt integrimit në aleancën e Atlantikut të veriut, por edhe angazhohemi për njohje të reja.

 

Kryeministri kujtoi që përgjegjësit për sulmin paramilitar e terrorist në Banjskë ende janë të lirë dhe të mbrojtur në Serbi, përkundër faktit që autori i sulmit, terroristi Milan Radoiçiq, ka pranuar përgjegjësinë. Lënia e tyre të lirë përbën kërcënim të vazhdueshëm për sigurinë e Kosovës.

 

Gjatë diskutimit, kryeministri theksoi rëndësinë e ruajtjes së të drejtave të njeriut në rajon dhe të trajtimit të barabartë të pakicave. Ai vuri në dukje se ende ekziston një mospërputhje e theksuar midis vendeve të rajonit, ndërsa Kosova mbetet shembull me garanci të forta ligjore dhe me mbrojtje të avancuar të të drejtave të pakicave.

 

Në lidhje me migracionin, Kryeministri tha që Kosova nuk është burim i migrimit, por që ka vullnet të ndihmojë një shtet mik dhe partner si Britania e Madhe, të menaxhojë rrjedhën e migracionit. Së bashku po punojmë në forcimin e sigurisë kufitare, si dhe luftimin e krimit të organizuar.

 

I shpallur në kërkim për krime lufte në vitet ’90, arrestohet në Poloni 79-vjeçari serb

Rojet kufitare polake ndaluan një shtetas 79-vjeçar serbo-kanadez të kërkuar nga Kroacia sipas një urdhër-arresti evropian për përfshirjen e tij të dyshuar në krime lufte në vitin 1991, thanë prokurorët të mërkurën.

Kroacia thotë se i dyshuari dha urdhra dhe mori pjesë në akte duke përfshirë ndalimin e paligjshëm, torturën dhe vrasjen e civilëve, si dhe plaçkitjen dhe zjarrvënien ndërsa shërbente në forcat paraushtarake serbe në luftërat ballkanike.

Burri, i identifikuar vetëm si Zivko Z. për shkak të ligjeve polake të privatësisë, u ndalua në Aeroportin Chopin të Varshavës. Ai u deklarua i pafajshëm për veprat penale të listuara në Urdhërin Europian të Arrestit, thanë prokurorët.

Prokurorët polakë i kanë kërkuar gjykatës leje për të transferuar Zivko Z. në Kroaci, ku ai përballet me deri në 20 vjet burg nëse shpallet fajtor. bw

PE miraton rezolutë për “polarizimin dhe rritjen e represionit në Serbi”

Radio Evropa e Lirë

Parlamenti Evropian miratoi të mërkurën një rezolutë lidhur me polarizimin dhe represionin në Serbi, përmes së cilës mbështeti të drejtën e studentëve dhe qytetarëve për të drejtë paqësore. Kjo rezolutë po ashtu dënon ashpër valën e dhunës nga autoritetet, frikësimet dhe arrestimet e protestuesve.

Në rezolutën “për polarizimin dhe rritjen e represionit në Serbi, një vit pas tragjedisë së Novi Sadit”, thuhet se udhëheqja serbe është politikisht përgjegjëse për përshkallëzimin e represionit, normalizimin e dhunës dhe dobësimin e institucioneve demokratike në vend.

Gjatë seancës plenare të mbajtur më 22 tetor, rezoluta u miratua me 457 vota për, 103 kundër dhe 72 abstenime.

Përmes rezolutës gjithashtu dënohen veprimet e Partisë Progresive Serbe (SNS) në pushtet për organizimin e kampit me tenda në Parkun Pionier, si dhe përdorimi arbitrar dhe politikisht i motivuar i faljeve presidenciale për persona të ndjekur për dhunën ndaj studentëve protestues.

Ndër të tjera, thuhet se eurodeputetët mbështesin dërgimin e një misioni ad hoc për verifikimin e fakteve në Serbi, me pjesëmarrjen e Parlamentit Evropian, dhe i bëhet thirrje Komisionit Evropian të ndërmarrë një nismë për sanksione që do të shënjestronin personat përgjegjës për shkelje të rënda të ligjit dhe të drejtave të njeriut në Serbi.

Komisionarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, gjatë debatit të së martës, tha se Bashkimi Evropian pret që veprimet policore dhe sjellja gjatë protestave të jenë proporcionale dhe që të respektohen të drejtat themelore të njeriut.

“Prioritet është që të hetohen të gjitha pretendimet për përdorim të tepruar të forcës”, u shpreh Kos.

Ajo theksoi se Brukseli dënon çdo akt urrejtjeje, vandalizmi apo dhune gjatë protestave dhe u bën thirrje të gjitha palëve të ulin tensionet.

“Ne presim që vendet kandidate për anëtarësim në BE t’i respektojnë të gjitha vlerat që janë themeli ynë – respektin për dinjitetin njerëzor, lirinë, demokracinë dhe sundimin e ligjit”, tha Kos.

Ajo shtoi po ashtu se Serbia duhet të respektojë lirinë e tubimit, lirinë e medias dhe liritë akademike.

Raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë, Tonino Picula, deklaroi gjatë debatit se rezoluta nuk përbën sulm ndaj Serbisë.

Ai vlerësoi gjithashtu se Evropa nuk e ka tradhtuar Serbinë, por se pushteti në Serbi i ka tradhtuar qytetarët e vet.

“Tragjedia në Novi Sad tregon se korrupsioni nuk është një krim i zakonshëm — korrupsioni shkatërron institucionet dhe merr jetë njerëzish”, theksoi ai.

“Kjo fatkeqësi pasqyron disa nga problemet kryesore strukturore në Serbi: përfshirjen jotransparente të aktorëve të huaj në projekt [për renovimin e stacionit hekurudhor në Novi Sad], mungesën e kontrolleve që do të mundësonin përdorimin e objektit pasi standardet e sigurisë nuk janë respektuar, pengimin e hetimit dhe të pavarësisë së gjyqësorit pas tragjedisë, si dhe represionin ndaj qytetarëve që kërkojnë përgjegjësi dhe ndryshim”, vlerësoi raportuesi për Serbinë.

Për muaj të tërë, në Serbi po mbahen protesta të udhëhequra nga studentët, pasi nëntorin e vitit të kaluar, 16 persona vdiqën pas rrëzimit të një strehe betoni në stacionin hekurudhor të Novi Sadit.

Protestuesit kërkojnë nga institucionet përgjegjësi politike dhe penale për këtë rast.

Ata besojnë se ka pasur korrupsion në projektin e rindërtimit të stacionit. Ndërkohë i kanë rritur kërkesat, duke kërkuar zgjedhje të parakohshme.

Paris, Luvri rihapet pas vjedhjes së Xhevahireve të kurorës

 

VOAL- Pas tri ditësh me dyer të mbyllura, përfshirë të martën tradicionale të ditës së pushimit javor, Luvri rihapi dyert e tij të mërkurën në orën 9 të mëngjesit. Muzeu parizien më i vizituar në botë (9 milionë vizitorë në vitin 2024, 80% e të cilëve janë të huaj) është rihapur për vizitorët pas vjedhjes sensacionale të Xhevahireve të Kurorës Franceze gjatë fundjavës nga një bandë prej katër kriminelësh. Plaçka, me vlerë 88 milionë euro, është e paçmuar në vlerën e saj historike.

Shumë turistë kishin pritur në radhë një orë para se të hapeshin dyert. Galeria Apollo, ku ndodhi vjedhja, e vendosur në katin e parë me pamje nga Sena, është ende e paarritshme. Tetë pjesë u vodhën nga një total prej afërsisht 800, pasi hajdutët hynë nga jashtë duke përdorur një ashensor mallrash. Midis tyre është diademja e Perandoreshës Eugénie, gruas së Napoleonit III.

Ndërsa hetimet vazhdojnë, por ende nuk ka gjurmë të mallrave të vjedhura apo kriminelëve, drejtoresha Laurence des Cars thirret të flasë para Parlamentit. Në orën 16:30, ajo do të dëgjohet nga Komiteti i Senatit për Kulturën. Deri tani, ajo ka heshtur publikisht. Sipas Le Figaro, ajo ka paraqitur dorëheqjen e saj, e cila është refuzuar. Ajo që ka folur deri më tani ka qenë Ministrja e Kulturës, Rachida Dati, e cila ka përjashtuar mangësitë e sigurisë brenda muzeut, duke pretenduar në vend të kësaj se masat mungonin jashtë. Një raport paraprak nga Gjykata e Auditorëve, megjithatë, shpreh keqardhje për një vonesë në instalimin e masave për të siguruar mbrojtjen e veprave të artit.

Tani, siç u përmend, është radha e des Cars për t’iu përgjigjur pyetjeve. Gruaja e parë që drejtoi Luvrin, ajo më parë kishte kryesuar muzetë Orangerie dhe Orsay. RSI

Zelensky sot në Suedi, nënshkruan marrëveshjen për eksportet e armëve

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky do të udhëtojë sot për në Suedi, ku të dy vendet do të lidhin një marrëveshje për “eksportin” e armëve, njoftoi qeveria suedeze të martën.

Zelensky dhe kryeministri suedez Ulf Kristersson do të takohen në qytetin Linköping, selinë e grupit Saab që prodhon avionin luftarak Gripen.

“Pas takimit të tyre, zotërinjtë Kristersson dhe Zelensky do të mbajnë një konferencë të përbashkët për shtyp për të bërë një njoftim në fushën e eksporteve të mbrojtjes”, tha qeveria. bw

Evropa thotë se vijat e tanishme të frontit në Ukrainë duhet të jenë pikënisja e bisedimeve për paqe

Liderët evropianë gjatë një takimi me presidentin amerikan, Donald Trump, dhe presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, gusht 2025.

 

Radio Evropa e Lirë

Udhëheqësit evropianë kanë thënë të martën se vijat e tanishme të frontit në Ukrainë duhet të jenë pikënisja për çfarëdo bisedimesh për paqe.

Kërkesa e tyre vjen teksa përgatitjet për një takim mes presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dhe atij të Rusisë, Vladimir Putin, duket se kanë hasur në pengesa.

Trump – i cili javën e kaluar foli në telefon me Putinin dhe u takua me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky – ka thënë se synon ta takojë liderin rus në kryeqytetin e Hungarisë, Budapest, brenda dy javësh, si pjesë e përpjekjeve për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Por përgatitjet për takimin mes tyre duket se janë pezulluar, pasi një takim paraprak mes sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, dhe ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov, është shtyrë.

Ky takim pritej të mbahej në Budapest të enjten.

Lavrov dhe Rubio folën në telefon të hënën. Zëvendësi i Lavrovit, Sergei Ryabkov, tha të martën se është ende herët për të folur për kohën e ndonjë takimi ballë për ballë mes tyre.

Evropianët duan që Trumpi të sigurojë lëshime këtë herë

Ministri i Jashtëm i Hungarisë, Peter Szijjarto, ishte të martën në Uashington, ku shkroi në Facebook: “Na presin disa ditë shumë serioze përpara”.

Aleatët evropianë të Ukrainës janë shprehur të shqetësuar se Trumpi mund të takohet për herë të dytë me Putinin pa siguruar ndonjë lëshim të rëndësishëm nga lideri rus. Putini nuk e kishte pranuar thirrjen e Trumpit për armëpushim kur ky i fundit e priti në Alaskë në gusht.

Në një deklaratë të martën, udhëheqësit e fuqive kryesore evropiane, përfshirë Britaninë, Francën, Gjermaninë dhe BE-në, thanë se “mbështesin fuqishëm qëndrimin e presidentit Trump se luftimet duhet të ndalen menjëherë dhe se vija e tanishme e kontaktit duhet të jetë pika fillestare e negociatave”.

Ukraina dhe aleatët e saj evropianë prej kohësh kanë kërkuar armëpushim të menjëhershëm përgjatë vijave të tanishme të frontit para fillimit të bisedimeve për paqe – një qëndrim që Trump e mbështeti publikisht të premten e kaluar pas takimit me Zelenskyn në Shtëpinë e Bardhë.

Moska ka thënë se dëshiron që Ukraina t’i dorëzojë asaj më shumë tokë si pjesë e disa kushteve që Rusia ka vënë për arritjen e armëpushimit.

Reuters dhe media të tjera raportuan se takimi i Trumpit me Zelenskyn me dyer të mbyllura javën e kaluar ka qenë i tensionuar, dhe se presidenti amerikan kishte përdorur herë pas here fjalor të ashpër dhe e i kishte bërë trysni Zelenskyt t’i pranonte disa prej kërkesave të Rusisë.

Megjithatë, Zelensky e ka paraqitur takimin si sukses, pasi ai përfundoi me mbështetjen publike të Trumpit për armëpushim në vijat e tanishme të frontit – që është qëndrim i kahershëm i Kievit.

Udhëheqësit evropianë pritet të takohen këtë javë me Zelenskyn si mysafir i tyre, fillimisht në një samit të BE-së dhe më pas në një takim të “koalicionit të vullnetit” të vendeve që po diskutojnë krijimin e një force sigurie për të garantuar një marrëveshje pas luftës në Ukrainë.

Rusia e kundërshton një forcë të tillë ndërkombëtare.

Dushe private dhe televizor me pagesë- Nis sot dënimin me 5 vite burg, Sarkozy do të mbahet në qeli të veçanta larg nga të dënuarit e tjerë

Nicolas Sarkozy fillon sot dënimin e tij me pesë vjet burg, duke u bërë ish-presidenti i parë francez që mbahet mend që burgoset.

Ish-presidenti francez ka të ngjarë të mbahet në njësinë e izolimit, ku të burgosurit janë të vendosur në qeli të veçanta dhe mbahen të ndarë gjatë aktiviteteve në natyrë për arsye sigurie.

Kushtet janë të ngjashme me pjesën tjetër të burgut: qelitë kanë një sipërfaqe prej 9 deri në 12 metra katrorë dhe, pas rinovimeve, tani përfshijnë edhe dushe private.

Mediat ndërkombëtare raportojnë se Sarkozi do të ketë qasje në një televizor – për një tarifë mujore prej 14 eurosh (16 dollarë amerikanë) – dhe një telefon fiks. bw

“Nuk duhet të harrojmë që Rusia është agresori dhe Ukraina viktima”- Kallas: Presioni ndaj Ukrainës nuk është rruga e duhur

 

BRUKSEL- E ngarkuara e BE-së për Politikën e Jashtme, Kaja Kallas tërhoqi vëmendjen, që të mos i imponohet Ukrainës shkëputja e territoreve në favor të Rusisë. “Ne nuk duhet të harrojmë, që Rusia është agresori dhe Ukraina viktima”, tha Kallas pas takimit të ministrave të Jashtëm të BE-së në Luksemburg. “Nuk është rruga e duhur, të ushtrohet presion ndaj viktimës, Ukrainës”, shtoi ajo.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, të premten (17.10. 2025) priti në Shtëpinë e Bardhë presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy. Sipas njoftimeve në media Trump i ka kërkuar Zelenskyjt, që t’i japë fund luftimeve dhe të pranojë pushtimin rus të një pjese të Ukrainës.

Berlini pret nga samiti i BE-së një “sinjal të qartë mbështetjeje” për Ukrainën

Në sfondin e takimit të paralajmëruar ndërmjet presidentit të SHBA-së Donald Trump dhe presidentit rus Vladimir Putin në Budapest, qeveria e Gjermanisë pret nga samiti i BE-së këtë javë një “sinjal të qartë mbështetjeje” për Ukrainën. Veçanërisht në sfondin e një takimi të ,mundshëm Trump-Putin në Budapest vlen motoja “ne nuk e lemë Ukrainën në baltë”, thuhet në qarqet qeveritare në Berlin.

Në takimin e kryetarëve të shteteve dhe të qeverive të enjten dhe të premten (23.10. – 24.10. 2025) në Bruksel fokusi do të jetë konkretisht një “financim afatgjatë i Ukrainës”, mësohet më tej. Qeveria gjermane pret, që në samit të ketë një “vendim politik” lidhur me pasuritë ruse të ngrira në Europë. Pavarësisht “një sërë” çështjesh të hapura teknike, po konturohet një “konsensus i gjerë” për përdorimin e pasurive të ngrira ruse për një të ashtuquajtur kredi reparacioni për Ukrainën./DW

Macron pret ish-presidentin Sarkozy në Pallatin Presidencial pak para se të dërgohet në burg

Emmanuel Macron ka konfirmuar se e kishte ftuar paraardhësin e tij, Nicolas Sarkozy , në pallatin presidencial disa ditë para se Sarkozy të bëhej ish-kreu i parë i shtetit në historinë moderne franceze që burgosej .

Takimi u zhvillua të premten e kaluar, raportoi Le Figaro.

“Ishte normale, në një nivel personal, të prisja një nga paraardhësit e mi në këtë kontekst”, u tha Macron gazetarëve gjatë një udhëtimi në Slloveni.

Ai theksoi se vizita nuk kishte për qëllim të cenonte pavarësinë e gjyqësorit francez.

Sarkozy tha gjatë fundjavës se do të fillonte të vuante dënimin e tij të martën në burgun Santé . Nuk dihet se sa gjatë do të mbetet i burgosur.

Me vete, tha ai, do të marrë “Konti i Monte Kristos” të Alexandre Dumas (heroi arrin të arratiset nga burgu pasi është burgosur padrejtësisht) dhe një biografi të Krishtit.

Ish-presidenti u dënua në shtator me pesë vjet burg për lejimin e bashkëpunëtorëve të përpiqeshin të siguronin mbështetje financiare nga regjimi i Muamar Gadafit në Libi në këmbim të favoreve ekonomike dhe diplomatike. Kjo ndodhi pak para zgjedhjeve presidenciale të vitit 2007, të cilat ai i fitoi.

Ai është kreu i parë i shtetit francez që burgoset që nga Philippe Petain, një bashkëpunëtor famëkeq me nazistët gjatë pushtimit të vendit në Luftën e Dytë Botërore. bw

BE ndalon tranzitin e gazit rus në territorin evropian: Jemi më të fortë dhe më të sigurt

Këshilli Evropian ka njoftuar se anëtarët e BE-së kanë rënë dakord të ndalojnë tranzitin e gazit rus përmes bllokut.

Nënshkrimi i marrëveshjeve të reja të importit për gazin rus do të ndalohet nga blloku që nga 1 janari 2026, tha këshilli në një deklaratë të hënën. Marrëveshjet afatshkurtra të arritura para 17 qershorit 2025 do të lejohen të jenë në fuqi deri më 17 qershor 2026, ndërsa kontratat afatgjata do të lejohen të jenë në fuqi deri më 1 janar 2028, thuhet në deklaratë.

Sipas këshillit, rregullat e reja lënë hapësirë ​​për “fleksibilitete specifike për shtetet anëtare pa dalje në det të prekura nga ndryshimet e fundit në rrugët e furnizimit”, të cilat do të lejohen të bëjnë ndryshime në kontratat e tyre ekzistuese me Rusinë.

Ndalimi i gazit rus u njoftua ndërsa ministrat e energjisë të BE-së u mblodhën në Bruksel, ku mbështetën propozimin për të hequr plotësisht naftën dhe gazin rus deri në janar 2028.

Ministri danez i Energjisë, Lars Aagaard, shprehu kënaqësinë që legjislacioni që “do të ndalojë përfundimisht gazin rus nga hyrja në BE” ka marrë mbështetje “dërrmuese” nga ministrat. “Një Evropë e pavarur nga ana e energjisë është një Evropë më e fortë dhe më e sigurt”, pohoi ai. bw

“Putini nuk është më i fortë se Hamasi!”- Zelensky thirrje Trumpit: Duhet presion ndaj Moskës! Jam gati për takimi trepalësh

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i ka bërë thirrje presidentit amerikan Donald Trump që të ngrejë tonet ndaj Vladimir Putinit, duke e siguruar se lideri rus “nuk është më i fuqishëm se Hamasi”.

 

Në një intervistë të dhënë të premten dhe të transmetuar sot nga rrjeti televiziv NBC, Zelensky theksoi se është urgjente të ushtrohet presion ndaj Moskës për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

“Pikërisht për këtë arsye duhet ushtruar presion ndaj Rusisë”, deklaroi ai, duke lënë të kuptohet se qasja pajtuese nuk funksionon me Putinin.

Donald Trump ka premtuar se do t’i japë fund luftës në Ukrainë dhe konfliktit në Rripin e Gazës, sapo të rikthehet në Shtëpinë e Bardhë. Megjithatë, realiteti në terren po tregon se këto sfida janë shumë më komplekse nga sa ai kishte shpresuar.

Pasi siguroi një marrëveshje armëpushimi në Gaza më 10 tetor, e cila tashmë është në prag të shembjes, Trump ka vendosur si qëllim të bëjë të njëjtën gjë në Ukrainë.

Të premten ai priti në Shtëpinë e Bardhë presidentin ukrainas Zelensky, të cilin e shtyu drejt një ndalimi të luftimeve, ndërsa refuzoi kërkesën e tij për ndihmë ushtarake shtesë.

Paralelisht, Trump ka rifilluar bisedimet me Vladimir Putinin, dhe të dy kanë rënë dakord për një takim në Budapest, i cili pritet të mbahet së shpejti.

Zelensky shprehu gatishmërinë për të qenë pjesë e këtij takimi trepalësh, duke deklaruar për NBC: “Jam gati. Ia kam thënë presidentit: ‘Jam gati’.”

Ai shtoi se Trump kishte interes të dëgjonte mendimin e tij, duke konfirmuar se: “Ai do ta ndajë këtë qëndrim me Putinin”.

Sipas presidentit ukrainas, paqe e drejtë dhe e qëndrueshme kërkon dy palë, duke nënkuptuar se nuk mund të arrihet marrëveshje pas shpine ndaj Ukrainës. Panorama

Kulla Eifel, në prag shembjeje? E vërteta pas lajmit që pushtoi rrjetet sociale

Kulla Eifel, me lartësi 330 metra, është një nga strukturat më të njohura në botë dhe simboli më i madh i Francës. Vetëm në vitin 2023, ajo gjeneroi 117.87 milionë euro të ardhura, pa marrë asnjë subvencion shtetëror, dhe punëson mbi 300 persona në Paris.

Në fillim të tetorit, monumenti u mbyll përkohësisht për publikun për arsye sigurie, pasi mijëra protestues dolën në rrugët e kryeqytetit francez gjatë grevave kombëtare kundër politikave të qeverisë.

“Në lidhje me një grevë, Kulla Eifel është e mbyllur. Kërkojmë ndjesë për shqetësimin,” – thuhej në njoftimin zyrtar në hyrje të kullës.

Pak javë para grevave, një faqe humoristike franceze botoi një artikull satirik ku thuhej se Kulla Eifel do të rrënohej për t’u kthyer në një “rrëshqitëse gjigante” apo “sallë koncertesh”.
Fillimisht i shkruar me ton komik, ky artikull u nxor nga konteksti dhe u shpërnda si lajm i vërtetë në disa rrjete sociale.
Në X, llogari me qindra mijëra ndjekës publikuan postime ku shkruhej:

“Sipas raporteve, Kulla e famshme Eifel, simbol i Francës për më shumë se 135 vjet, do të shembet në vitin 2026 pas përfundimit të kontratës së operimit.”
Postimet shtonin se “lodhja strukturore, kostot e mirëmbajtjes dhe ankesat publike” ishin arsyet për këtë “vendim tronditës”.

Kjo mjaftoi që shumë përdorues të rrjeteve sociale të shpreheshin të tronditur, me komente si “Jo, Paris! Mos më prish vendin e ëndrrave për propozim!”, ndërsa të tjerë paralajmëruan se lajmi ishte “fake news”.

Kompania që operon monumentin, “Société d’Exploitation de la Tour Eiffel” (SETE), nuk ka bërë asnjë koment zyrtar për pretendimet virale, por faqja zyrtare e kullës vazhdon të funksionojë normalisht, dhe biletat për vizitorët shiten çdo ditë.
Në asnjë dokument publik apo plan restaurimi nuk ekziston asnjë projekt për shembjen e Kullës Eifel.

Ekspertët paralajmërojnë se përhapja e lajmeve të rreme mund të dëmtojë industrinë e turizmit. Shembulli i fundit nga Franca tregon sa lehtë mund të krijohet panik apo konfuzion në publik, edhe për monumente të famshme.

Në Itali, për shembull, qeveria ka miratuar masa të reja kundër komenteve të rreme në hotele dhe restorante, pasi sipas Ministrisë së Ndërmarrjeve, përmbajtjet mashtruese mund të ndikojnë nga 6 deri në 30 për qind të të ardhurave të bizneseve turistike.

“Ky është një hap i rëndësishëm për mbrojtjen e bizneseve tona”,- tha ministrja italiane e Turizmit, Daniela Santanché. “Vlerësimet e verifikueshme janë thelbësore për besimin e turistëve.”

Në kohën e “fake news”, edhe monumentet më të famshme nuk shpëtojnë nga keqinformimi. Kulla Eifel nuk do të shembet, dhe mbyllja e saj e përkohshme nuk ka lidhje me ndonjë rrezik struktural.
Megjithatë, ky episod është një kujtesë e qartë se verifikimi i burimeve mbetet thelbësor, veçanërisht në epokën ku një postim në rrjete sociale mund të shndërrohet në “lajm botëror” për pak orë. bw

“Paqja përmes forcës mund të funksionojë”, Zelensky: Nuk do ta lëshojmë Donetskun! Nuk ofrojmë shpërblime për krimet ruse

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka reaguar ndaj raportimeve të Washington Post, sipas të cilave Presidenti rus Vladimir Putin i ka thënë Donald Trump-it se dëshiron që Kievi të lëshojë Donetskun.

Në një postim në platformën X, Zelensky thekson se paqja nuk mund të arrihet me fjalë, por përmes presionit dhe veprimit konkret ndërkombëtar.

“Putini nuk mund të ndalet me fjalë: nevojitet presion. Bota e sheh që Rusia përgjigjet me forcë, që do të thotë se paqja përmes forcës mund të funksionojë,” – shkroi Presidenti ukrainas.

Zelensky theksoi gjithashtu se Ukraina nuk do të ofrojë kurrë shpërblime për krimet e Rusisë dhe u bëri thirrje aleatëve perëndimorë për mbështetje të palëkundur në ruajtjen e këtij qëndrimi.

“Ukraina nuk do t’u japë kurrë terroristëve asnjë shpërblim për krimet e tyre dhe ne mbështetemi te partnerët tanë për ta mbajtur këtë qëndrim. Nevojiten hapa vendimtarë nga Shtetet e Bashkuara, Evropa, G20 dhe vendet e G7. Jetët duhet të mbrohen”, përfundoi Zelensky. bw

Mbyllet Muzeu i Luvrit pas një grabitjeje

Ministrja e Kulturës në Francë, Rachida Dati, tha se më 19 tetor është raportuar për grabitje në Muzeun e Luvrit në Paris, duke njoftuar se muzeu me famë botërore është mbyllur.

“Hyrja e paligjshme ndodhi mëngjesin e sotëm gjatë hapjes së Muzeut të Luvrit”, shkroi ajo në X, duke përdorur shprehjen “hyrje të paligjshme” që në gjuhën frënge mund të nënkuptojë edhe “grabitje”.

“Nuk është raportuar për të lënduar. Unë jam në vendin e ngjarjes së bashku me stafin e muzeut dhe policinë”, shtoi ajo.

Të paktën një person kishte hyrë në muze, thanë për AFP-në zyrtarë të muzeut, por nuk dhanë detaje nëse ishte vjedhur ndonjë gjë nga muzeu.

Muzeu i Luvrit vetëm tha se do të mbyllet sot “për arsye të jashtëzakonshme” dhe nuk dha detaje të tjera. REL

Komisioni Evropian ka ngrirë 112 milionë euro, OLAF: Shqipëria nën hetim për abuzim me fondet IPARD

Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF) ka konfirmuar se hetimi për fondet IPARD në Shqipëri ka zbuluar shkelje serioze dhe parregullsi në zbatimin e programit.

Drejtoresha në detyrë e OLAF, Salla Saastamoinen, deklaroi se janë konstatuar probleme që prekin fonde në vlerën e 33 milionë eurove, ndërsa Komisioni Evropian ka vendosur të ngrijë përkohësisht 112 milionë euro financime për Shqipërinë, deri në ndërmarrjen e masave konkrete dhe reformave të besueshme nga qeveria shqiptare.

Në një intervistë për “Monitor”, Saastamoinen theksoi se bashkëpunimi me autoritetet shqiptare ka pasur sfida, veçanërisht në fillim, për shkak të paqartësive për kompetencat e OLAF dhe mungesës së strukturave efektive në nivel vendor. Ajo paralajmëroi se strategjitë e miratuara nuk mjaftojnë nëse nuk zbatohen realisht, dhe se Komisioni Evropian do të vlerësojë vetëm masat praktike, jo premtimet.

Drejtoresha tha se OLAF ka kërkuar përmirësim të ndjeshëm në auditim, kontroll dhe raportim të parregullsive nga autoritetet shqiptare, duke përfshirë AZHBR dhe institucionet që menaxhojnë fondet. Saastamoinen theksoi se nëse Shqipëria synon të menaxhojë fonde më të mëdha si vend anëtar, ajo duhet të rrisë ndjeshëm kapacitetet institucionale dhe të forcojë luftën kundër korrupsionit.

Po ashtu, ajo vuri në dukje mungesën e ndërgjegjësimit publik për rolin e OLAF-it, si dhe nevojën për të inkurajuar denoncimin anonim nga qytetarët dhe rolin e gazetarisë investigative në zbulimin e rasteve të abuzimit.

OLAF paralajmëron se mënyra si Shqipëria menaxhon fondet IPARD do të ndikojë drejtpërdrejt në besueshmërinë e saj si vend kandidat për në BE. bw

Berlini jep OK, Gjermania do i shesë Turqisë 24 avionë luftarakë “Eurofighter”! Ministri i Jashtëm viziton Ankaranë: Po përballemi…

Një kapitull i ri po hapet në marrëdhëniet e mbrojtjes gjermano-turke, pasi qeveria gjermane thuhet se është gati t’i japë fund vetos së saj të gjatë dhe të miratojë shitjen e avionëve Eurofighter në Ankara.

 

Sipas njoftimeve, Berlini ka vendosur t’i japë një përgjigje pozitive kërkesës paraprake të Airbus për Turqinë, duke hapur negociata zyrtare për dorëzimin e avionit.

Detajet teknike dhe pikat e negociatave për prokurimin e Eurofighter janë një temë kryesore diskutimi gjatë vizitës së Ministrit të Jashtëm gjerman Johann Vandeful në Ankara sot (17 tetor).

Në një intervistë me gazetën Hurriyet, Vandeful theksoi se është në interes të vendit të tij dhe të NATO-s që Turqia të marrë këta avionë luftarakë.

“Gjermania dhe Turqia përballen me sfida të mëdha në forcimin e aftësisë mbrojtëse të NATO-s në Evropë. Ne kemi vendosur që Turqia, si aleate, mund të forcojë fuqinë e saj parandaluese me ndihmën e Eurofighters. Kjo është në interesin tonë, pasi Turqia është një partner strategjik kyç për ne brenda Aleancës. Megjithatë, negociatat mbi detajet janë ende duke vazhduar”, tha ndër të tjera ministri gjerman.

Programi Eurofighter Typhoon është bashkëpunimi më i përparuar i aviacionit në Evropë dhe po zhvillohet bashkërisht nga Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Italia dhe Spanja. Shitja në një vend të tretë kërkon miratimin e të katër shteteve.

Edhe pse Turqia kishte marrë sinjale pozitive nga Londra dhe Madridi që në vitin 2022, kundërshtimi i Berlinit deri më tani ka qenë pengesa më e madhe për përfundimin e marrëveshjes.

Ankaraja planifikon të blejë fillimisht 24 avionë Eurofighter, me qëllim rritjen e numrit në 40 avionë në një fazë të dytë. Vlera totale e marrëveshjes, duke përfshirë trajnimin, mbështetjen teknike, pjesët rezervë dhe licencat e softuerit, vlerësohet në rreth 6 miliardë dollarë.

Çdo avion kushton rreth 120 milionë dollarë, ndërsa një pjesë e prodhimit dhe mirëmbajtjes është planifikuar të kryhet në Turqi, duke forcuar industrinë vendase të sistemeve të mbrojtjes.

Shumica e avionëve luftarakë pritet të vijnë nga Mbretëria e Bashkuar dhe Spanja, vende që tashmë kanë deklaruar qëllimin e tyre për të mbështetur në mënyrë aktive programin. Panorama

Shpërthim me eksploziv në makinat e gazetarit të njohur italian! Dyshohet për atentat ndaj Sigfrido Ranucci: Mund të më kishin vrarë edhe vajzën…

Sulmi ndodhi rreth orës 22:00 në Campo Ascolano, një qytet midis Romës dhe Pomezias, në jug të kryeqytetit. Shpërthimi dëmtoi edhe makinën tjetër të familjes, e cila zakonisht përdorej nga vajza, e cila e kishte parkuar atë rreth orës 21:40.

Gazetari italian

ITALI– Makina e gazetarit të njohur italian, Sigfrido Ranucci, prezantues i Report, dhe makina e vajzës së tij shpërthyen dhe u përfshinë plotësisht nga flakët gjatë natës në Pomezia. Sipas medias TgCom24 ishte vetë gazetari e dha lajmin në rrjetet sociale.

Sulmi ndodhi rreth orës 22:00 në Campo Ascolano, një qytet midis Romës dhe Pomezias, në jug të kryeqytetit. Shpërthimi dëmtoi edhe makinën tjetër të familjes, e cila zakonisht përdorej nga vajza, e cila e kishte parkuar atë rreth orës 21:40.

Ndërtesa e gazetarit u dëmtua gjithashtu nga jashtë, por për fat të mirë nuk pati viktima ose të lënduar. Sigfrido Ranucci foli me Corriere della Sera pak pas orës 2:00 të mëngjesit në telefon: Vajza ime kaloi para makinës sime disa minuta para shpërthimit, ata mund ta kishin vrarë…

Sipas prezantuesit, mund të mos jetë rastësi që disa ditë më parë shpalla temat e hetimeve të reja të Report.

“Dy pajisje shpërthyese”, shkroi ai në postimin e tij, shkatërruan makinat e parkuara para shtëpisë së tyre në Campo Ascolano, pak jashtë Romës.

Karabinierët dhe zjarrfikësit shkuan në vendngjarje për të shuar flakët që kishin përfshirë makinat dhe për të siguruar zonën. Shkencëtarët mjeko-ligjorë gjithashtu ndërhynë. Ranucci raportoi se “u përdor të paktën një kilogram eksploziv”.

Shpërthimi mund të kishte vrarë: Programi Report i referohet në mënyrë të qartë në profilet e tij në mediat sociale shpërthimit të “një lëndë shpërthyese të vendosur nën makinën e gazetarit” dhe shpjegon se shpërthimi mund të ketë vrarë.

“Makina shpërtheu”, thuhet në të duke shtuar e ka dëmtuar gjithashtu makinën tjetër të familjes dhe shtëpinë ngjitur.

Zyra e prokurorit kompetent ka filluar hetimet dhe ka njoftuar Prefektin. Fuqia e shpërthimit ishte e tillë që mund të kishte vrarë këdo që kalonte në atë moment.

Antimafia po heton: Prokurorët antimafia të Romës po hetojnë ngjarjet në Pomezia. Aktualisht, prokurori i DDA-së, Carlo Villani, i koordinuar nga zëvendësprokurorja Ilaria Calò, po vazhdon me akuzat për dëmtim, të rënduar nga metodat mafioze, në pritje të raporteve fillestare nga policia që ndërhyri.

Ngjarja po trajtohet me prioritet të lartë nga hetuesit, për shkak të profilit të lartë të gazetarit dhe natyrës së punës së tij hetimore.

 

Kryeministri i Francës e fiton votëbesimin pak ditë pasi u riemërua

Kryeministri i Francës, Sebastien Lecornu, duke folur në Parlament, Francë, 16 tetor.

 

Radio Evropa e Lirë

Kryeministri i Francës, Sebastien Lecornu, u mbijetoi të enjten dy mocioneve të votëbesimit, vetëm disa ditë pasi e kishte emëruar kabinetin e tij qeveritar dhe e kishte bërë një lëshim të rëndësishëm politik për të qëndruar në pushtet.

Votëbesimi pasoi vendimin e Lecornut të martën për ta mbështetur pezullimin e reformës së vitit 2023 për pensionet, në përpjekje për ta mbajtur kabinetin e tij mjaftueshëm gjatë për ta miratuar një buxhet kursimesh deri në fund të vitit.

Partia Socialiste (PS) e krahut të majtë kishte kërcënuar se do të votonte për rrëzimin e kryeministrit nëse ai nuk do të pranonte ta pezullonte reformën, sipas të cilës, mosha e pensionimit do të zgjerohej nga 62 në 64 vjeç.

Pa mbështetjen e PS-së, dy mocione të ndara të paraqitura të enjten nga partia e majtë ekstreme, Franca e Panënshtruar,dhe ajo e djathtë ekstreme, Tubimi Kombëtar, nuk arritën numrin e votave të nevojshme për ta rrëzuar Lecornun.

Pas votimit, Lecornu tha se është i gatshëm ta “fillojë punën” për bisedimet buxhetore, që pritet të fillojnë në Parlament javën e ardhshme.

“Mund ta shihni se sa serioze është situata… Debatet duhej të fillonin”, tha kreu i Qeverisë për BFMTV.

Por, lideri socialist Olivier Faure paralajmëroi se partia e tij mund ta mbështesë përsëri një mocion për rrëzimin e Qeverisë.

“Nëse Qeveria nuk i përmbush angazhimet e saj, veçanërisht për pezullimin e reformës së pensioneve, ne do të votojmë menjëherë kundër kabinetit”, tha Faure në X.

Franca, ekonomia e dytë më e madhe e eurozonës, është futur në një paralizë politike qëkurse presidenti Emmanuel Macron shpalli zgjedhje të parakohshme vitin e kaluar, me synimin për të konsoliduar pushtetin e tij.

Por, zgjedhjet rezultuan me një Parlament të bllokuar dhe me rritje për të djathtën ekstreme.

Lecornu, kryeministri i shtatë i emëruar nga Macroni prej vitit 2017, tani duhet ta udhëheqë një buxhet kursimesh përmes një Parlamenti thellësisht të ndarë deri në fund të vitit.

Lecornu, i cili u bë kryeministër muajin e kaluar, dha dorëheqjen të hënën e kaluar pas kritikave ndaj kabinetit të tij të parë.

Por, ai u riemërua disa ditë më vonë dhe e formoi një kabinet të ri qeveritar në kohë për ta paraqitur projektbuxhetin në Parlament.

E përballur me trysni nga Bashkimi Evropian për ta ulur deficitin dhe borxhin e vendit, Franca ballafaqohet me një betejë të vështirë për masat shtrënguese që rrëzuan dy paraardhësit e Lecornut.

Raporti borxh/PBB i Francës është i treti më i larti në Bashkimin Evropian pas Greqisë dhe Italisë dhe afërsisht dyfishi i kufirit të BE-së prej 60 për qind.

Lecornu është zotuar se nuk do ta përdorë një mjet kushtetues që është përdorur për të kaluar çdo buxhet pa votë që nga viti 2022, dhe ka premtuar se të gjitha ligjet do t’i nënshtrohen debatit.

“Qeveria do të bëjë propozime, ne do të debatojmë dhe ju do të votoni”, theksoi 39-vjeçari, i cili është besnik i Macronit, në një fjalim para deputetëve të martën.

Por, opozita ka sfiduar optimizmin e tij.

Liderja e Tubimit Kombëtar, Marine Le Pen, akuzoi deputetët se i dhanë Lecornut një mundësi “për shkak të frikës nga zgjedhjet”, duke thënë se ajo “me padurim” po pret shpërndarjen e Parlamentit.

E djathta ekstreme e sheh këtë si shansin e saj më të mirë deri tani për ta marrë pushtetin në zgjedhjet presidenciale të vitit 2027, kur përfundon mandati i dytë dhe i fundit i Macronit.

Francë, ish-presidenti Sarkozy njoftohet për fillimin e dënimit me burg

Megjithëse detajet mbeten të fshehta, ish-presidenti francez Nicolas Sarkozy është njoftuar për datën dhe vendin e fillimit të dënimit të tij pesëvjeçar me burg për përfshirje në një komplot kriminal.

Pas takimit me autoritetet gjyqësore, Sarkozy u kthye në shtëpinë e tij në lagjen e pasur 16-të të Parisit. Ai u dënua në fund të shtatorit, duke përfshirë një vit me pezullim, për përfshirje në financime të dyshuara nga diktatori libian Moamer Gadafi gjatë fushatës së tij presidenciale në 2007.

Gjykata urdhëroi ekzekutimin e menjëhershëm të dënimit, edhe pse Sarkozy ka apeluar vendimin dhe mohon të gjitha akuzat.

Për shkak se është mbi 70 vjeç, ish-presidenti mund tëpërfitojë lirimin me kusht dhe të vuajë dënimin jashtë burgut nën mbikëqyrje. Supozimi është se ai do të mbahet në burgun “La Sante” në Paris, i cili ka një sektor të sigurt për të burgosur me profil të lartë.

Çështja ndaj tij  e quajtur “Libia” lidhet me akuza se fonde nga regjimi i Gadafit u kanalizuan në mënyrë të paligjshme për fushatën presidenciale të Sarkozy- të cilën ai e fitoi.

Megjithëse gjykata nuk gjeti prova për pagesat, ajo konkludoi se Sarkozy dhe bashkëpunëtorët e tij kishin kërkuar aktivisht mbështetje financiare nga udhëheqja libiane.

Ish-presidenti vazhdon të mohojë çdo fajësi, duke e quajtur çështjen një “gjueti shtrigash”. bw

Shefi i inteligjencës gjermane: Rusia nuk heziton të përfshihet në konfrontim ushtarak

Radio Evropa e Lirë

Shefi i inteligjencës të Gjermanisë paralajmëroi se Rusia paraqet kërcënim të drejtpërdrejtë dhe se “paqja e tensionuar” në Bashkimin Evropian mund të shpërthejë në çdo moment në një “përplasje të nxehtë”.

Martin Jaeger, kreu i shërbimit BND të spiunazhit, u tha ligjvënësve se Rusia është e vendosur që të zgjerojë “sferën e saj të ndikimit më në perëndim drejt Evropës”.

“Për të arritur këtë qëllim, Rusia nuk do të hezitojë të përballet drejtpërdrejt ushtarakisht me NATO-n nëse është e nevojshme”, tha Jaeger gjatë një konference me ligjvënësit në Berlin.

Së bashku me Jeagerin ishin edhe udhëheqësit e shërbimeve të inteligjencës së brendshme dhe ushtarake të Gjermanisë.

Edhe pse ata përmendën kërcënime të tjera, si ekstremizmi politik dhe fetar, ishte Rusia ajo që mbizotëroi në deklarimet e tyre.

Jaeger tha se Gjermania është “caku numër një i Rusisë në Evropë”, duke pasur parasysh se është ekonomia më e madhe e BE-së dhe luan një “rol udhëheqës në mbështetjen e Ukrainës”.

Paralajmërimet vijnë pas një serie incidentesh në Bashkimin Evropian, përfshirë inkursionin e dronëve rusë në Poloni dhe shkeljen e hapësirës ajrore të Estonisë nga avionë luftarakë rusë.

Në Gjermani, Rusia dyshohet se qëndron pas një sërë inkursionesh me dronë së fundi, përfshirë edhe incidente që ndërprerë operimin në Aeroportin e Munihut.

Autoritetet gjermane gjithashtu dyshojnë se Rusia po zhvillon fushata sabotimi dhe dezinformimi.

Jaeger, i cili më parë ka shërbyer si ambasador i Gjermanisë në Kiev, argumentoi se ambiciet dhe agresioni i Rusisë nuk kufizohen vetëm në luftën në Ukrainë.

“Ne nuk duhet të rrimë duarkryq dhe të supozojmë se një sulm i mundshëm rus do të ndodhë më herët se viti 2029”, tha Jaeger, duke iu referuar një vlerësimi të mëparshëm të inteligjencës gjermane. “Ne jemi tashmë nën zjarr sot”.

“Mjetet që përdor Moska janë të njohura – përpjekje për manipulim të zgjedhjeve dhe opinionit publik, propagandë, provokime, dezinformim, spiunazh, sabotim, shkelje të hapësirës ajrore nga dronë dhe avionë luftarakë, vrasje me pagesë, përndjekja e figurave të opozitës që jetojnë jashtë vendit”, shtoi ai.

Sinan Selen, udhëheqës i shërbimit gjerman të inteligjencës së brendshme (BfV), tha se incidentet e fundit me dronë nënvizojnë “kërcënimin hibrid” të mundshëm për Gjermaninë dhe aleatët e saj evropianë.

“Rusia po ndjek me agresivitet ambiciet e saj politike ndaj Gjermanisë, BE-së dhe aleatëve të saj perëndimorë”, tha Selen, i cili përshkroi sjelljen e Rusisë si “gjithnjë e më përshkallëzuese”.

Përballë rritjes së kërcënimit rus, shërbimet e inteligjencës gjermane po përpiqen të përshtaten me realitetin e ri. Ligjvënësit gjermanë po përgatisin një rishikim të legjislacionit që rregullon shërbimet sekrete, për t’u dhënë atyre kapacitete që do të ishin më të përshtatshme për t’u përballur me kërcënimet.

Mediu në Asamblenë Parlamentare të NATO-s: Ballkani kërcënohet nga Rusia dhe Kina, duhet më tepër bashkëpunim për të forcuar sigurinë në rajon

Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, mori pjesë në punimet e Asamblesë Parlamentare të NATO-s në Lubjanë, Slloveni.

Në një postim në rrjetet sociale, Mediu ka ndarë disa nga momentet më të rëndësishme lidhur me këtë takim të rëndësishëm ku në diskutime kanë zënë vend çështje që lidhen me sigurinë globale.

Si pjesë e delegacionit shqiptar, Mediu theksoi nevojën për një strategji të përbashkët të vendeve të NATO-s dhe aspiranteve në Ballkan, për të përballuar kërcënimet që vijnë nga Rusia, Kina dhe aleatët e tyre në rajon.

Ai gjithashtu ka shprehur mbështetje të qartë për Ukrainën dhe propozoi intensifikimin e bashkëpunimit rajonal në kuadër të vendimeve të Samitit të NATO-s në Hagë.

Postimi

Lubjana Slovenia
Si anëtar i delegacionit të parlamentit në Asamblenë parlamentare të NATO-s, së bashku me kolegë të parlamentit morëm pjesë në diskutime të rëndësishme për zhvillimet gjeopolitike, lufta në Ukrainë, lindja e mesme agresioni Rus, roli i Kinës në konfliktet dhe përballja ndërmjet vëndeve demokratike dhe atyre autoritariste.

Së bashku me kolegë nga parlamentet e tjera në Europë United4Ukraine, me të cilët ishim në Kiev 2 muaj më parë, zhvilluam një takim me delegacionin e RADA të Ukrainës duke u nagazhuar në mbështetje për ti dhënë fund agresionit Rus.

Presidenti Zelenski online ju adresua Asamblesë duke shpjeguar situatën e luftës në Ukrainë dhe bisedën e fundit me Presidentin Trump.

Ishte kënaqësi të takoja ish Presidentin e Ukrainës Poroshenko, me të cilin prej kohësh kemi bashkëpunuar në Forumet e IDU dhe Forumin e Sigurisë në Washington.

Po ashtu kënaqësi që Asambleja do të bëjë vleresimin më të lartë “Women for Peace and Security”, për Presidenten e Kosovës Vjosa Osmani Sadriu.

Gjatë diskutimeve në Komisjonin e sigurisë dhe mbrojtjes kërkova që vëndet e NATO-s dhe ato aspirante në Ballkan të bashkëpunojnë për ndërtimin e një deterrance të përbashkët politike, ushtarake, në vlerësim të investimeve 5%, në sektorim e mbrojtjes, mbas vendimit Samitit të NATOs në Hagë, duke vlerësuar se kërcënimet në ballkan vijnë nga Rusia, Kina dhe aleatët e tyre në Ballkan. Iniciativa e Shqipërisë, Kroacisë dhe Kosovës duhet të zgjerohet me veëndet e tjera të Ballkanit. Ky qëndrim u përkrah nga Ministri i Mbrojtjes së Slovenisë Borut Sajovic. bw

Masa ndaj emigracionit të paligjshëm! Sistemi dixhital i hyrjes dhe daljes në kufijtë e BE-së hyn në fuqi në të gjitha shtetet anëtare

BE filloi sot zbatimin gradual të një sistemi të ri elektronik të kontrollit kufitar, të njohur si Sistemi i Hyrjes/Daljes (EES), i cili përfshin regjistrimin e gjurmëve të gishtërinjve të njerëzve nga vendet e palëve të treta dhe marrjen e fotografive të tyre përpara se të hyjnë në 29 vende evropiane.

Edhe pse futja në përdorim e sistemit të automatizuar filloi të dielën, i gjithë procesi do të zgjasë rreth gjashtë muaj që të zbatohet plotësisht në të gjitha shtetet anëtare të BE-së.

Aeroportet kryesore në Itali, duke përfshirë ato të aeroporteve të Fiumicino dhe Malpensa dhe portet e Xhenovës dhe Civitavecchia, filluan të dielën përdorimin e sistemit të ri, ndërsa Gjermania filloi gradualisht në Stuttgart.

Sipas Komisionit të BE-së, sistemi i ri dixhital synon të identifikojë personat që kanë tejkaluar afatin e qëndrimit me vizë dhe të luftojë migracionin e paligjshëm dhe mashtrimin me identitetin. Lançimi i tij erdhi si rezultat i presionit politik në rritje në shumë vende të BE-së që i bënin thirrje Bashkimit të mbante një qëndrim më të ashpër ndaj çështjeve të migracionit.

“Sistemi i Hyrjes/Daljes është shtylla kurrizore dixhitale e kuadrit tonë të ri të përbashkët evropian për migracionin dhe azilin”, tha në një deklaratë Komisioneri Evropian për Çështjet e Brendshme dhe Migracionin, Magnus Brunner.

“Çdo shtetas i një vendi të tretë që kalon kufirin e jashtëm do t’i nënshtrohet verifikimit të identitetit, kontrolleve të sigurisë dhe regjistrimit në bazat e të dhënave të BE-së”, shtoi Brunner.

Ai theksoi se “periudha gjashtëmujore e zbatimit u jep Shteteve Anëtare, udhëtarëve dhe bizneseve kohë për t’u përshtatur pa probleme me procedurat e reja”.

Zbatimi i skemës do të thotë që që tani e tutje, qytetarët jo-BE do të duhet të regjistrojnë të dhënat e tyre biometrike kur hyjnë për herë të parë në zonën Shengen.

Sistemi do të mbulojë të gjitha vendet e BE-së përveç Irlandës dhe Qipros, si dhe Islandën, Norvegjinë, Zvicrën dhe Lihtenshtajnin. Për udhëtimet pasuese, do të kërkohet vetëm verifikimi biometrik i identitetit.

Sistemi EES pritet të jetë plotësisht funksional më 10 prill 2026, kur vulat tradicionale në pasaporta do të zëvendësohen plotësisht nga hyrjet elektronike. bw

Eurodeputeti Terras: Ndërhyrja e Serbisë në zgjedhjet lokale të Kosovës, e papranueshme

Eurodeputeti Riho Terras përmes një postimi ne “X” ka thënë se ndërhyrja e hapur e Serbisë në zgjedhjet lokale të Kosovës është e papranueshme.

Sipas tij manipulimi i sponsorizuar nga shteti dëmton demokracinë.

“Bashkimi Evropian duhet të marrë një qëndrim të qartë: zgjedhja e lirë i përket popullit të Kosovës dhe jo politikanëve në Beograd, ka shkruar Terras.

Rtk

 

 

 

Dhjetëra të plagosur nga sulmi rus në një tren pasagjerësh në Ukrainë

Skena e sulmit në Sumi të Ukrainës më 4 tetor.

 

Radio Evropa e Lirë

Një dron rus e ka goditur një tren ukrainas pasagjerësh, duke shkaktuar të paktën 30 të plagosur dhe numër të paidentifikuar të vdekurish, teksa Kremlini e vazhdon luftën kundër Ukrainës.

Në disa video të publikuara në rrjetet sociale shihet treni ukrainas me pasagjerë nën flakë dhe tym. Treni ishte duke realizuar linjën e rregullt të udhëtimit prej Kievit për në Shostka, që gjendet në rajonin verilindor të Sumit.

Rusia është duke sulmuar sistematikisht infrastrukturën hekurudhore të Ukrainës, me qëllim të paralizimit të logjistikës, përfshirë transportimin e pajisjeve ushtarake.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka thënë përmes rrjeteve sociale se “dhjetëra persona dyshohet të jetë plagosur” derisa guvernatori rajonal, Oleh Hrihorov, ka thënë se po numërohen viktimat.

Zelensky ka thënë se 30 persona janë plagosur, dhe që në mesin e tyre ka edhe fëmijë.

“Ky është terror të cilën bota nuk ka të drejtë ta injorojë. Çdo ditë, Rusia merr jetë njerëzish. Dhe vetëm forca mund ta detyrojë të ndalet. Kemi dëgjuar deklarata të fuqishme prej Evropës dhe Amerikës dhe është koha që të gjitha të bëhen realitet”, ka shkruar Zelensky.

Shefja e Bashkimit Evropian, Ursula von der Leyen, e ka dënuar sulmin.

“Skenat shokuese që dalin prej stacionit hekurudhor të Shostkas shpërfaqin gatishmërinë e Rusisë për t’i shënjestruar civilët”, ka shkruar ajo.

“BE-ja dhe partnerët globalë duhet të rrisin presionin ndaj Rusisë derisa të pranojë paqen afatgjatë”, ka shtuar ajo.

Sulmi ndodh në një kohë kur perspektiva për paqe duket më e largët se kurrë, ndonëse lufta gati shënon katër vjet prej nisjes.

Përpjekjet amerikane për t’i dhënë fund luftës kanë treguar pak rezultat, pasi pozicionet e Ukrainës dhe Rusisë janë shumë të ndryshme.

Presidenti amerikan, Donald Trump nuk ka arritur deri më tani që të organizojë një samit trepalësh apo një takim ballë për ballë mes presidentëve të Rusisë dhe Ukrainës, pasi Moska synon t’iu shmanget takimeve direkte.

Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

Gjermania arreston pjesëtarë të dyshuar të Hamasit që besohet se synonin institucione hebraike

Radio Evropa e Lirë

Autoritetet gjermane i kanë arrestuar tre të dyshuar si operativë të huaj të Hamasit, për të cilët besojnë se po përgatiteshin për një akt të rëndë dhune në Gjermani, thanë prokurorët të mërkurën.

Hamasi është grup palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Sipas prokurorëve, tre burrat dyshohet se ishin të përfshirë, të paktën nga vera e këtij viti, në sigurimin e armëve të zjarrit dhe municioneve për Hamasin, me qëllim përdorimin e tyre në atentate ndaj institucioneve izraelite ose hebraike në Gjermani.

“Gjatë arrestimeve të sotme, u gjetën armë të ndryshme, përfshirë një pushkë automatike AK-47 dhe disa pistoleta, si dhe një sasi e konsiderueshme municionesh”, thuhet në një deklaratë të prokurorëve federalë.

Që të tre të dyshuarit, të identifikuar sipas ligjeve gjermane për privatësinë vetëm si shtetasi gjerman Abed Al G., Wael F. M., i lindur në Liban, dhe shtetasi gjerman Ahmad I. – u arrestuan në Berlin.

Në shkurt, katër anëtarë të Hamasit të dyshuar për planifikimin e sulmeve ndaj institucioneve hebraike në Evropë dolën në gjyq në Berlin, në atë që prokurorët e përshkruan si procesi i parë gjyqësor ndaj militantëve të grupit islamik në Gjermani.

Gazeta gjermane Der Spiegel raportoi se hetuesit kundër terrorizmit vunë re se të akuzuarit u takuan të mërkurën në Berlin për dorëzimin e armëve, para se forcat operacionale të ndërhynin dhe të zbulonin armë funksionale.

Moldavia pritet ta ketë një qeveri proevropiane, pas zgjedhjeve vendimtare

Presidentja e Moldavisë, Maia Sandu, duke folur në një qendër votimi në Kishinjev, më 28 shtator.

 

Shërbimi moldavian i REL-it

Partia proevropiane në pushtet e Moldavisë është buzë një fitoreje të madhe kundër opozitës proruse, gjë që tregon se ky vend i vogël dhe i varfër do të mbetet në rrugën evropiane në vend se të kthehet drejt Kremlinit.

Kur janë numëruar rreth 99 për qind të votave në orët e para të 29 shtatorit, Partia për Veprim dhe Solidaritetit (PAS) në pushtet, ka krijuar epërsi të thellë ndaj Bllokut Patriotik prorus.

PAS-i, i mbështetur nga presidentja properëndimore Maia Sandu, ka fituar pak mbi 50 për qind të votave, ndërsa blloku prorus ka arritur vetëm 24.6 për qind, sipas Komisionit Zgjedhor të Moldavisë.

Më shumë se 1.5 milion moldavianë hodhën votën në këto zgjedhje, mes raportimeve të shumta për ndërhyrjen e Rusisë në fushatë.

Moska i ka mohuar akuzat.

Votat nga diaspora e fuqishme ende nuk janë numëruar. Numërimi paraprak i atyre votave tregonte një përparësi të madhe për PAS-in.

Sipas llogaritjeve fillestare nga Radio Evropa e Lirë, PAS-i pritet t’i marrë 55 ulëse në Parlamentin me 101 vende, mjaftueshëm për ta krijuar shumicë qeverisëse.

Blloku Patriotik parashikohet t’i marrë 27 vende, ndërsa tri parti më të vogla nga gjashtë deri në nëntë vende secila.

Deri në konfirmimin e rezultateve, mbetet e pasigurt nëse PAS-i do ta ketë shumicë absolute apo do t’i duhet të kërkojë partner koalicioni për të qeverisur.

Sandu e ka për detyrë ta mandatojë një kryeministër, zakonisht nga partia ose blloku kryesues, i cili më pas do të përpiqet ta formojë qeverinë e re.

Në fjalimin e saj të publikuar në rrjetet sociale, Sandu tha se planet e Rusisë “mund të ndalen vetëm nga vota e ndershme e moldavianëve në mbarë botën”.

“Rusia paraqet rrezik për demokracitë tona. Demokracia jonë është e re dhe e brishtë, por kjo nuk do të thotë se shtetet me demokraci më të gjata nuk janë në rrezik. Ne duam të jetojmë në demokraci”, tha Sandu pasi kishte hedhur votën e saj.

“Sot, në vendin tonë, demokracia është në duart e moldavianëve. Vetëm ata mund të shpëtojnë Republikën e Moldavisë”, shtoi ajo.

Kryetari i PAS-it, Igor Grosu, pas mbylljes së vendvotimeve në Moldavi, falënderoi qytetarët për votën “vendimtare” që, sipas tij, do të përcaktojë “të ardhmen e vendit jo vetëm për katër vjetët e ardhshëm, por edhe për shumë të tjera.

Ai dënoi atë që e quajti “përpjekje për ndërhyrje në procesin zgjedhor”, duke deklaruar se ishin të orkestruar nga “grupe kriminale të mbështetura nga Federata Ruse”. Edhe pse nuk dha më shumë detaje, gjatë ditës presidentja Maia Sandu akuzoi grupin e oligarkut në arrati Ilan Shor, për përpjekje për të penguar mbarëvajtjen e zgjedhjeve.

Igor Dodon, përfaqësues i Bllokut Patriotik tha pas mbylljes së vendvotimeve se opozita i ka fituar zgjedhjet parlamentare, duke thënë se PAS është “në panik” dhe mund të tentojë të bëjë mashtrime zgjedhore.

Ai tha se, të paktën në territorin e Moldavisë, blloku i tij “i ka fituar këto zgjedhje” dhe se pjesëmarrja e opozitës në qendrat e votimit ka penguar manipulimet. Dodon theksoi se blloku i tij është kundër çdo destabilizimi pas zgjedhjeve dhe bëri thirrje për një protestë “paqësore” të hënën në mesditë para Parlamentit.

Në total, kanë votuar mbi 1.59 milion qytetarë, që përbën 51.9 % të numrit të përgjithshëm të votuesve të regjistruar në listën zgjedhore.

Mbi 1.32 milion votues, ose 47.41%, kanë votuar në territorin e Moldavisë, ndërsa pjesa tjetër në qendrat e votimit jashtë vendit.

Në zgjedhjet e vitit 2021, deri në të njëjtën kohë kishin votuar 52.3% e votuesve.

Moldavia gjendet në kufi me Ukrainën, e cila po përballet me pushtimin e nisur nga Rusia më 2022. Ky konflikt e ka goditur rëndë ekonominë e Moldavisë, ka shkaktuar ndërprerje në tregti dhe ka rritur çmimet e energjisë, duke shkaktuar rritje të inflacionit.

Ndërkaq, ushtria online e dezinformimit e Kremlinit ka përdorur llogari dhe rrjete të rreme, shpesh të krijuara nga inteligjenca artificiale, për të mbushur rrjetet sociale me narrativë prorusë dhe pretendime të pabazuara për mashtrime.

“Kremlini po mundohet të krijojë një situatë të tillë të tensionuar, në të cilën mund të manipulohet opinioni publik ose të ndikohen rezultatet”, tha për Current Time, Alexei Tulbure, ish-ambasador i Moldavisë në Kombet e Bashkuara dhe në Këshillin e Evropës.

“Moldavia është një aleate e rëndësishme e Ukrainës. Ajo është një qendër e rëndësishme logjistike për Ukrainën… A e imagjinoni sikur një shtet armiqësor të shfaqej në kufirin perëndimor të Ukrainës? Do ta dobësonte pozitën e Kievit… Edhe nëse nuk do të kishte sulme të drejtpërdrejta ndaj Ukrainës prej andej, Ukraina sërish do ta rriste prezencën e saj ushtarake në perëndim për të garantuar sigurinë e vet”.

Kremlini e ka akuzuar vazhdimisht Moldavinë për “histeri antiruse” dhe ka mohuar se po ndërhyn në ato që Sandu i ka quajtur “zgjedhjet më të rëndësishme” në historinë e vendit të saj.

Duke rritur tensionet, policia dhe prokurorët moldavianë më 22 shtator ndaluan 74 persona nën dyshimin se po përgatitnin trazira masive. Raportohet se grupi ishte trajnuar në Serbi – një aleate kyç evropiane e Rusisë – në taktika destabilizimi.

Hetuesit thonë se midis qershorit dhe shtatorit grupe moldavianësh të moshës 19-45 vjeç udhëtuan në Serbi, ku instruktorë rusë i mësuan se si të çanin kordonët policorë, t’u rezistojnë forcave të sigurisë dhe të përdorin shkopinj gome, pranga dhe madje edhe armë zjarri.

Disa prej tyre raportohet se hynë në Serbi me idenë e pelegrinazhit në kishat ortodokse, por vetëm më pas u rekrutuan për trajnime në këmbim të 400 euro për udhëtim.

Ditët para zgjedhjeve u përjashtuan dy parti proruse – Zemra e Moldavisë dhe Moldova Mare (Moldavia e Madhe) – nga pjesëmarrja në zgjedhjet e 28 shtatorit.

Autoriteti zgjedhor i Moldavisë vendosi kufizimet pas kontrolleve që çuan në akuza për blerje votash, financim të paligjshëm të partive dhe pastrim parash.

Komisionarja për Zgjerimit e BE-së, Marta Kos, i tha Radios Evropa e Lirë se Qeveria e Moldavisë duhet të vlerësohet për “rezistencën dhe aftësinë që të përballet me forcat që do të donin ta largonin këtë shtet nga rruga evropiane ose do të dëshironin që të shihnin dështimin e Bashkimit Evropian”.

Moldavia, një nga vendet më të varfra të Evropës, mori statusin e vendit kandidat për në BE në vitin 2022 dhe hapi negociatat e anëtarësimit vitin e kaluar, pasi u rreshtua fuqishëm me fqinjin e saj, Ukrainën, pas nisjes së pushtimit të paprovokuar nga Rusia më 2022 dhe iu bashkua regjimit të sanksioneve të BE-së kundër Moskës.

Përpjekjet për anëtarësim janë ndërlikuar nga disa faktorë, përfshirë rajonin separatist të mbështetur nga Moska, Transnistrinë, që gjendet mes Ukrainës dhe kufirit lindor të Moldavisë.

Territori, i cili ndodhet në brigjet lindore të lumit Dniestër, ka trupa ruse dhe administron çështjet e veta – me mbështetjen e Moskës – që nga lufta që shpërtheu në kohën kur Bashkimi Sovjetik po shpërbëhej në fillim të viteve ’90.

Zelensky paralajmëroi se Italia mund të jetë objektivi i radhës nga dronët rusë, ministri Tajani: Putin është agresiv, por nuk na sulmon neve

Hipoteza nga më të ndryshmet po dalin nga ngjarjet e ditëve të fundit, kur dronë rusë janë parë në territoret e vendeve të NATO-s, që nga Polonia deri në Estoni dhe kohët e fundit edhe në Danimarkë.

Vendet e BE-së do të kërkojnë krijimin e një “Muri Mbrojtës” kundër dronëve dhe avionë luftarakë nga të gjithë vendet e NATO-s do të jenë si mburojë, përfshi edhe avionët luftarakë italianë. Rusia ka paralajmëruar se nëse ndonjë mjet i saj luftarak rrëzohet, atëherë ai vend është në luftë me të.

Por për të qetësuar, të paktën Italinë, ka dhënë një deklaratë Ministri i Jashtëm i këtij vendi, Antonio Tajani, numri 2 i qeverisë italiane.

“Putini është agresiv, por nuk mendoj se ai dëshiron të sulmojë Italinë. Sidoqoftë, mbrojtja jonë ajrore është gjithmonë vigjilente dhe e vëmendshme. Efikasiteti i Forcave Ajrore është gjithmonë i lartë, italianët mund të jenë të sigurt” – tha ministri Tajani pas një alarmi tjetër për dron dje dhe sot në qiellin evropian.

Dje, presidenti ukrainas Zelensky paralajmëroi se “Italia mund të jetë objektivi i radhës” i dronëve rusë. Një sulm në shkallë të gjerë nga 595 dronë rusë goditi Kievin, duke rezultuar në katër të vdekur dhe gjashtë të plagosur. Polonia ka ngritur në ajër avionët luftarakë të saj. Moska, megjithatë, pretendon se ka rrëzuar 41 dronë ukrainas gjatë natës. bw

“Sulmet ruse zgjatën 12 orë”, reagon Zelensky: Mbi 600 dronë mbi Kiev vranë 4 persona, Ukraina do të hakmerret!

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka reaguar ndaj bombardimit masiv ajror rus që zgjati më shumë se 12 orë.

Zelensky tha se Rusia nisi gati 600 dronë dhe disa dhjetëra raketa drejt shtatë rajoneve të Ukrainës, ku mbetën të vrarë të paktën katër persona dhe të plagosur 70 të tjerë.

Sipas tij,  të gjitha vdekjet ndodhën në kryeqytetin Kiev, ku ishin të shënjestruara shumë nga predhat, dhe midis viktimave ishte një vajzë 12-vjeçare.

Zelensky paralajmëroi se Ukraina do të hakmerrej dhe tha se sulmi “i shëmtuar” tregoi se Moska “dëshiron të vazhdojë të luftojë dhe të vrasë”. Rusia tha se goditi objektet ushtarake dhe ndërmarrjet industriale që mbështesin forcat e armatosura të Ukrainës.

Breshëria e zgjatur e së shtunës në mbrëmje është një nga bombardimet ajrore më të rënda gjatë natës në muajt e fundit, ndërsa pushtimi në shkallë të plotë i Ukrainës nga Rusia vazhdon në vitin e tij të tretë.

Shërbimet e emergjencës thanë se një sulm ndaj Institutit të Kardiologjisë së qytetit vrau një infermiere dhe një pacient.

Një furrë e madhe buke, një fabrikë gome për automobila, si dhe ndërtesa apartamentesh dhe infrastruktura civile u vunë gjithashtu në shënjestër, tha Zelensky. bw


Send this to a friend