Në uzinën e përpunimit të naftës, për një kohë të gjatë, u krijua një zhurmë e madhe dhe mjaft shqetësuese e cila na detyronte të flisnim me zë të lartë me bashkëbiseduesin. Nga ky shkak, shumë prej të burgosurve iu ngjir zëri e mjaft prej tyre vuanin nga pagjumësia. Shumë prej nesh patën edhe shqetësime nervore, ndërsa mua më ndodhte një fenomen i çuditshëm; kjo zhurmë më ndihmonte për ta përfytyruar veten jashtë këtij mjedisi, sidomos në darkë. Në bregoren pranë kapanoneve picërroja sytë dhe nga dritat e uzinës më konvertohej pamja e një anijeje gjigande të zbukuruar me ndriçim shumëngjyrësh.
Natë e ftohtë dimri. Me kokën e futur në një shall të improvizuar si kapuç u lë frerët e lirë kujtimeve për të më sjellë pranë fragmente netësh dimërore të qytetit tim. Nostalgji që më ndjell buzëqeshje. Dilnim me shokun tim të fëmijërisë gjithë qejf se ishte e shtunë mbrëmje. Në bulevard binin në sy shumë studentë që ishin kthyer nga vende të ndryshme të demokracive popullore. Megjithatë, ne ishim në prag të prishjes së marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik dhe vendet e kampit socialist.
Dimri kishte ardhur interesant. Dy herë kishte rënë dëborë. Fotografët në lulishten e qendrës së Tiranës mezi gjenin kohë të ndërronin filmat e aparateve. Darkave, gjatë “xhiros”, lumi i njerëzve shpaloste “fësh-fëshet” e dyqanit të valutës, xhaketat me kuadrate të kombinatit dhe asnjë kapele, sepse ato ishin shenjë e borgjezisë të cilat arti i kishte anatemuar nëpër romane e filma. Rrallë, ndonjërit i kishte mbetur ndonjë relikte nga koha e luftës ende e pakonsumuar, por dhe ai e vinte me sikletin e ndonjë shpotie “revolucionare”. Shoqërim idesh! Këtë ma sillte ndërmend “xhiroja” në oborrin e burgut ku një masë qindra njerëzish sikur shtonin zukatjen e asaj zhurme cfilitëse që vinte prej një shfryrjeje diku nga afërsia e oxhakut më të lartë. Vetëm “moda” kishte të veçantën e saj: palltot ishin shumica në ngjyrë kafe, kapelet shumëngjyrëshe (shenjë liberalizmi, me qëllim kursimin lejuan edhe veshje civile). Vorbulla ndalonte lëvizjen e saj me rënien e çangës dhe e gjithë masa sistemohej në rreshta. Fillonte apeli. Kur qëllonte të përsëritej ishte torturë e vërtetë, sepse të ftohtit ndihej më shumë kur nuk lëvizje.
“Xhiroja” në Tiranë, në vartësi të motit e ditëve të festave, ndërronte si një amebë e stërmadhe formën e saj. Herë-herë rrotullohej rreth qendrës apo niste nga “Zingoni” te Materniteti. Me kthimin e studentëve nga jashtë shtetit dhe ky fenomen kishte pësuar metamorfozën e tij. Rreshtimi pati përftuar një “marschrout”1 tjetër duke u spostuar në drejtim të hotel “Dajtit” e herë-herë shkonte deri te Universiteti. Kjo sorollatje (se shëtitje s’e quaje dot) konsiderohej si diçka e veçantë, ishte një ritual, siç thuhej, privilegj i qendrave të vogla, sidomos tek vendet e pazhvilluara. Njerëzit e trajtonin si një shfaqje. Vajzat ekspozoheshin si në një sfilatë dhe shpesh bënin hapat e para të njohjes me “kandidatët” për fejesë. Mjaftonte një nënqeshje në fillim, e cila në rrotullimin e dytë kthehej në përshëndetje. Këtu fillonin shpesh historitë e dashurisë. Për të dalë në xhiro bëhej përgatitje e veçantë. Të dyja gjinitë preokupoheshin me seriozitet. Nuk përjashtoheshin shkëmbimet e veshjeve ndërmjet motrave a kushërirave. Ato shpesh shtriheshin edhe tek shoqet. Shpesh modifikoheshin veshjet e nënave. Disa prej tyre kishin fatin të vishnin tesha që u vinin nga jashtë shtetit. Këta shquheshin me gishta e gëzonin privilegjin për të mos u dukur si konviktorë provincialë. Edhe standardi i veshjes pësoi ashtu si xhiroja metamorfozën e tij me ardhjen e studentëve. Këpucët çeke me gomë të trashë u pasuan nga lloj-lloj modelesh ku binin në sy ato që vinin nga RDGJ-ja e Polonia. Këta sollën dhe palltot e shkurtra mbi gju, të cilët bëheshin objekt i “Bodecit”, gazetë muri satirike e afishuar në rrugën e barrikadave ku karikaturat e shoqëruara me vargje demaskonin “modën” e varfërisë më të lulëzuar në të gjitha demokracitë popullore simotra.
Mbasi kryenim rrotullimin apo “xhiron” e parë, kujtoheshim se ishim me vonesë për tek “Vollga” ku fillonte rezervimi i vendeve që në orën 19.00. Kishte të fejuar që linin dikë në tavolinë herët fare e ai pasi konsumonte nja dy shishe birra, ua linte çiftit. Më pas, këto tavolina nuk shërbenin më për një çift, sepse aty vinin kushërinj, shokë e miq derisa salla e restorantit mbushej plot.
Ne rrinim në korridor duke pritur që Andoni apo Xhoxhi të na jepte shenjën se dikush do të paguante. Palosnim palltot e drejtoheshim nga ajo tavolinë duke qëndruar në këmbë për të dhënë përshtypjen se ne do të ishim poseduesit e ardhshëm të saj. Mbas krekosjes përshëndetnim Lamin, Bardhin, Mehdiun, Sazanin e Urimin si “të shtëpisë” që ishim.
Atmosfera ishte ndezur. Ansambli hungarez i ardhur për shfaqje ishte rreshtuar në një tavolinë të gjatë të improvizuar prej pesë tavolinash të vogla. “Komparsita” po ekzekutohej me mjeshtëri nga orkestra e stakatat e saj kishin punë me adrenalinën e auditorit. Një çift hungarez tregoi virtuozitet në performancën e tij. Njerëzit dyndeshin nga anekset e lokalit në sallë. Duartrokitje. Lami magjik nis rapsodinë nr. 5 të Listit. Efekt i jashtëzakonshëm! Hungarezët mahniteshin. Çardash. Lami zbret nga podiumi në pistën e vallëzimit. Me lëvizje elegante e interpretim në perfeksion, ai elektrizoi sallën. Afër nesh, kamarieri kishte ngrirë me pjatë në dorë. Dikush e përmend e ai bën një gjest sikur del nga hipnoza, tund kokën e buzëqesh. Brohoritje. Hakiu, një student i muzikës i kthyer nga Sofja, hyn e përshëndet duke ngritur borsalinën pa përfillur shpotitë e nja dy tavolinave e na kërkon leje për t’u ulur në tavolinën tonë. Borsalino ishte e reja që ai sillte nga një vend me regjim si tonin. Ne për atë kapele debatonim, e peshonim, analizonim, zbërthenim dhe arrinin në përfundimin se komunizmi i atjeshëm ishte më tolerant se yni. Mehdiu luan me kitarën e tij “Brumbullin” e “Këmbanat”. Entuziazmi rritet. Ansambli hungarez ngrihet në këmbë e duartroket. Në emër të tyre, dy kamarierë qerasin orkestrën. Dy hungarezë i shoqëruan nga pas e falënderuan në frëngjisht; ishte surprizë për ne. “Nuk pritëm të takojmë në këtë lokal mjeshtra të mëdhenj si ju të cilët zor se i takon edhe në koncerte …”
Një burrë i shkurtër u duk tek dera dhe u bëri me shenjë kamarierëve. Orkestra pa e zgjatur paketoi veglat. Kishim ardhur në qejf. Nisemi për në hotel “Dajti”. Lamë pardesytë në garderobë dhe hymë në sallën e tavernës. Duke kullotur sytë me takt, majtas soditim shkurt tavolinat e ambasadave. Gjoja indiferent hedhim sytë nga vajza e bukur e ambasadorit turk e cila ecte drejt derës që të shpinte në bar. Djathtas, në tavolinën afër pasqyrës, si zakonisht në qoshe, kapardiseshin “kalecat”: Zyd Aga, Gani Kodra e kompani. Në bar endej një shtresë tymi e cila krijonte valëzime sa herë që hapej dera e sallës. Përballë banakut të Dhorit ishin “montuar” në grupe mbi njëzet vetë ngjeshur midis tyre. Sekretari i Ambasadës Jugosllave Rado, galant e provokativ, kërkonte leje në shqip për të kaluar: Mirëmbrëma! … Më falni ….!
Shumica e grumbullit përbëhej nga studentë të kthyer nga lindja. Ndër ta shquhej Ëngjëlli “charmant” korrte furore duke folur me gjeste sipas radhës në frëngjisht, rusisht, hungarisht, italisht apo gjermanisht. Grupi i polakëve përbënte mazhorancën. Tek ata binin në sy Jorgo e Faiku që mbanin njëlloj cigaren ndërmjet gishtave eshtakë e të hollë.
Dera hapej e dëgjohej zëri i Linit që këndonte me diksion shkodran “Guarda che luna” të Buscagliones. Dikush hynte, të qeshura… Czesc Panowie! Co slychac nowego? Ju lutem një kokteil…! Një gotë shumëngjyrëshe kalonte dorë më dorë tek i sapoardhuri. Dera hapej përsëri… Servus … Esta ultima Cansion que yo te canto… Kënga “In Voga” e filmit meksikan vinte ndërmjet tymit, të qeshurave e tringëllimave të gotave që vezullonin me ngjyrat e ylberit. Si për ilustrim të momentit dukej fytyra simpatike e Bebekut, mustaqet e të cilit shkonin në harmoni me papijonin që ai mbante. Mbajtja e papijonit justifikohej meqë vinte direkt nga shfaqja dhe nuk kishte ku të ndërrohej, sepse banonte në Durrës. Doktor Cyneja i bënte vend pranë vetes e të dy dukeshin si personazhe të ardhura nga vitet tridhjetë…
Hap derën e i bëj shenjë Toninit që luante në piano. Ja tek filloi kupleti “Rock and roll” i Carosones “Tu vuoi far l’americano”. Njerëzit kishin frikë ta kërcenin. Këtë privilegj e gëzonte Stefani, i biri i ambasadorit polak, i cili kërcente me një vajzë të ambasadës italiane. Së fundi, duket Cezari i shoqëruar nga Raqi e Ruzhdiu të ardhur nga Durrësi. Përshëndeteshim të gjithë ndërmjet nesh. Shumica ishin të njohur. Ishte një atmosferë pothuaj familjare. Për çdo të panjohur që vinte rishtaz, fillonin thashethemet e për një çerek ore të gjithë pjesëmarrësit kishin në majat e gishtërinjve Curriculum Vitae-n e tij.
Tuist. Bukuroshja turke përdridhej. Ne mbas derës ndiqnim të ekzaltuar lëvizjet e saj. Feri euforik na përqafon e na pyet: Po shkoni të vini shtresën e kafes në çiornoje morje? Kodi-zhargon do të thoshte: “Po shkoni të pini kafe tek “Krimea?” Atje ishte stacioni i fundit. Xhamat të veshur me avull nuk të lejonin të shikoje brenda. Maria në banak, një grua me vështrim të dhemshur, nuk e zgjaste me njërin që s’kishte të paguante kafenë. Hapej dera. Tavolina pranë saj ishte e papreferuar.
Shto? … Skurczybyk … Kurwa mac… Servus! Harro mushkë Valarenë. Ky i fundit ishte zëri i ngjirur i Xhelalit të cilit bashkëbiseduesi Niko këpucari i fliste: Je suis vraiment trompe de toi! Këta përbënin çiftin më simpatik të pijetarëve. Mbas debatesh “të zjarrta” kodra mbas bregut, dilnin duke u lëkundur për të shkuar s’dihej se ku. Met Myzyri na bën vend në tavolinën e tij. Bisedonte me njërin që mbante sytë mbyllur përgjysmë. Nxjerr një foto të zverdhur nga xhepi i brendshëm ku dukej në bulevardin e Tiranës para lufte një burrë shik me kostum e borsalino. Ky kam qenë unë…!
Ab halebun! Një përshëndetje gjoja arabisht e Lupit, një jevg hamall me buzë të trasha, shoqërohet nga një temena. Raca jonë… vjen nga Siria e Egjipti, kurse disa prej racës tonë nga India sqaronte Lupi si një demograf i thekur, që jetonte me një jevgë në pazarin e ri tek një barakë në hyrjen e rrugicës së Maleshkës. Lëmë stacionin e fundit dhe i drejtohemi sheshit “Avni Rustemi”. Krahas nesh, në rresht, në një varg prej pesë vetësh i drejtohet hotel “Stadiumit”. Rreshtin e kryeson Andoni, ish kaldaisti i “Vollgës”, dhe mbyllej nga Margarit pirati i cili edhe pse me një sy, orientohej mirë në rrugicën me gropa që shkurtonte distancën për në stadium. Aty flinin nën shkallët karshi tribunës në krevatet prej kartonash që pengonin sadopak lagështirën e të ftohtit. Ecim duke komentuar heroizmin e shokëve “senza tetto”. Tek rrumbullaku pranë bustit të Avniut që shkëlqente nga ngrica, takojmë berberin-poet Ramizin me leshra të verdha, mikun tonë të orëve të vona. I afrohemi, ndërsa ai nis recitimin:
O nami e ndera jonë, burra çelikut
Njimend shqyptarë e nipa t’Skanderbeut!
E bardha rreze dahet, po, prej diellit
Se ju n’harresë u qet kjo zana eme.
Për ju do tknohet po n’lahutë t’malcis.
Gishtin tregues e ngrinte në drejtimin tonë. Flokët dhe mustaqet e tij të verdha ishin të drejta e rebele. Sytë i shkëlqenin. Këmisha gjatë recitimit i kishte dalë jashtë e zbardhte mbi pantallona. Rrihte gjoksin me grusht e plot patetizëm krijonte kadencën aq sa të bukur, por të vështirë të Fishtës, e cila ngjante sikur ngrinte në ajër të ftohtë duke krijuar shkallë për t’u ngjitur në të hovi poetik. Ai papritur brofi në një bordurë e u kap me një dorë tek kangjella, ndërsa me tjetrën e ngriti përpjetë e ndër gishtërinjtë e mbledhur grusht veçoi treguesin, ndërkohë zëri i tij kumboi:
Na t’birt e shekullit të ri…
Vazhdojmë ecjen, ndonëse ende na ndjekin vargjet e Migjenit nga një zë që sa vinte e shuhej.
Ja dhe rrugica tonë e dashur. Në një bordurë Vasili me kitarë shoqëron serenatën e Rudolfit, këngëtarit aq të pëlqyer prej nesh të rinjve, “Buongiorno tristezza”, “Triste domenica”, “Stella d’argento”… Këngët pasonin njëra-tjetrën. Nga dritarja e saj Bebi, fqinja tonë, duatrokiste e herë mbas here thërriste “Bravo, të lumtë!”
Nga kati i dytë i shtëpisë afër nesh u dëgjua zëri i Birçes, oficer burgu: Mjaft me këto dëngër-vëngëra!
Rudolfi: Bota jashtë të thonë faleminderit kur …
Epo ne s’jemi bota …
Si mund të bëhemi me mostra si ty…?!
Të nesërmen në ora 1800 kishte shfaqje estrade. Regjisori Mihallaq Luarasi e kishte futur të renë, modernen për kohën, plot guxim, e cila rrokej etshëm prej nesh. Kulmi arrinte kur këngëtarja e madhe, Vaçe Zela, këndonte këngën “Cammino”. Megjithë komentin e duhur se kjo këngë këndohej në botën e pashpresë kapitaliste, aludimi ndjehej fuqishëm.
Cammino, cammino, io cerco il mio Mondo
C’e buio profondo
Il sole dov’e
Io stringo una nuvola, le mani che tremmano…
Vaçja qëndronte mbështetur fuqishëm mbi këmbët e hapura si një pemë ndaj furtunës. Një pullë drite vinte nga llozha në të majtë të saj e mbaronte tek ajo. Ndërsa ajo këndonte, … io stringo una nuvola, le mani che tremano … krahët ishin shtrirë drejt burimit të dritës, ndërsa duart që dridheshin, dukeshin sikur kërkonin të kapnin atë aq të dëshiruarën: Lirinë!
Shpresa që thërrmoheshin…
Shkundem prej kujtimeve e shoh një pjesë të mirë t’atyre personazheve që luanin bardhë e zi ndër vagëllime…
Ja berberi-poet Ramizi i tkurrur, kërrusur tërheq këmbët thuajse zvarrë tre metra më poshtë në oborrin e burgut. Mihallaq Luarasi, i vetmi në atë oborr me një kokore ruse në kokë nuk ecën, por gati vrapon poshtë e lart i vetëm me mendimet e tij natyrisht jo të gëzueshme. Lupi hukat duart e lëviz këmbët me një vend-numëro të shpejtë. Mehdiu, muzikanti i mrekullueshëm, pyet lart e poshtë me shpresë për të peshkuar ndonjë lajm optimist për amnisti. Grupi polak, e gjithë shoqëria, ishte pothuaj tërësisht siç kishin qenë të lirë dikur, por tashmë të veçuar, barisnin duke kujtuar shpesh pjesë të shkëputura nga hetuesia e tyre. Jashtë përmendeshin “Grupi agjenturor polak”, “Grupi terrorist i Dinamos”, “Grupi i ushtarakëve”, “Grupi i marinës” (Landi, Haruni, Maksi, Alaudini, nipi i Hysni Kapos etj.) e të tjera me radhë si këto.
Edhe sonte xhiroja vazhdon në bulevardin e Tiranës dhe në oborrin e burgut…Unë nuk e di se ku jam dhe për kë jam. Janë shokët që më presin dhe unë i dëshiruar për ta.
Por është dhe çanga që më ndërpret fillin e mendimeve, ndaj unë shkëputem nga qyteti im e vrapoj për tek rreshti. Apeli i burgut tim…
Seiti
Kaushi
30 Mars 1976. Mbas gjashtë muajsh hetuesie po dilja në gjyq. Prej dy javësh gjendesha në “burgun e vjetër”. Më nxjerrin nga biruca dhe me duar të zgjidhura më çojnë tek porta që të nxjerr në oborr. Zgjas duart të bashkuara jashtë portës-zgarë, e një polic më lidh hekurat. Porta hapet dhe futem direkt në autoburg pa parë kurrgjë tjetër as edhe oborrin. Dalim në rrugë dhe drejtohemi për nga gjykata që ndodhet aty pranë. Sapo zbres, më pret Palluqja (një handikapat) i cili me një shenjë dore, shumë autoritar më thotë:- Ec shpejt!
Sapo dal në oborrin e gjykatës, shoh njerëz që dyndeshin, ndërsa një gardh policësh me automatikë në duar bëheshin barrikadë në gjysmën e oborrit. Kujtova se ishin ndere që më takonin mua dhe s’më pëlqeu e ndjeva frikë se mos kërcënimet e Kadri Ismailatit për “gjysmën e lekut rrëzë Dajtit”, po bëheshin reale. Farsa e sotme ndoshta sipas skenarit kërkonte këtë dekor. Regjia kishte eksperiencë me bollëk. S’ishte kurgjë për fantazinë e sigurimsave të më bënin kryetar grupi agjenturor në shërbim të CIA-s apo KGB-së. Pastaj dënim shembullor (kapital) për kryetarin, ndërsa për të tjerët Partia vinte dorën në zemër dhe u jipte 15-25 vjet izolim për “riedukim”. Me këto mendime arrita tek porta e brendshme e oborrit ku polici shoqërues, më zuri prej krahu dhe më futi në sallën e parë majtas. Kaq shpejt u bënë këto veprime sa arrita të shoh vetëm dajën, ndërsa fytyrat e tjera flu nuk arrita t’i regjistroj. Përpiqesha të rrokja një fjalë të vetme për të kuptuar këtë situatë jo të zakonshme, por kurrgjë s’më thoshte as heshtja e tyre e as dy policët-roje. Ja, më së fundi vjen një oficer policie i cili u thotë rojeve të më nisin lart. Ata iu përgjigjën se janë në sallën e duhur, por ai pasi u tregoi derën e shqyer, u tha: -Nuk e shikoni? Këto thyerje i kanë bërë katundarët e Seit Bathores që kishte gjyqin në orën 09.00 e tani u shty për nesër.
Ishte hera e parë që dëgjoja të flitej për Seit Bathoren dhe s’di përse m’u krijua përshtypja nga biseda e gjatë prej policëve se duhet të ishte ndonjë burrë shtatgjatë me një shikim të rreptë si ai i trimave luftëtarë. Nga policët, për të cilët shtiresha sikur s’më interesonte se ç’bisedonin, mësova se Seiti paska qenë partizan nga të parët me Myslym Pezën.
Mbas tri ditësh u zhvillua dhe seanca e dytë dhe mbasi u dënova, një ditë të bukur në mëngjes më nxorën nga biruca dhe më hipën në autoburg dhe më kthyen në Burgun e Ri. Atje mund të kem kaluar nëpër katër porta e së fundi u gjenda në një oborr të rrethuar nga karakolle ku pashë nja njëzet vetë prej të cilëve ishin formuar tre dyshe që shëtisnin lart e poshtë, ndërsa të tjerët ngroheshin nën rrezet e diellit në “Pajtos”. Njoha profesor I. Farken me të cilin kishte dhënë provimin e mekanikës teorike një shoku im. Pastaj dallova Paolinin, vëllain e shokut tim të fëmijërisë, Aldos. Ndërkohë një polic me fytyrë të kuqe të cilin e quanin Rustem, më kontrolloi dhe një herë trastën dhe veshjet e trupit e më lejoi të kaloj vizën e bardhë të “paralajmërimit” dhe më tha:- Bashkohu tani me tufën e bagëtisë! Të tjerët vunë buzën në gaz, si duket të gjithë e njihnin humorin e Rustemit i cili, ndonëse ishte fyes, prapë pranohej më mirë se vrazhdësia e Ndues apo rreptësia e Aliut.
Lashë trastën rrëzë murit dhe sapo ngrita sytë, pashë Dragon, një oficer të cilin e kisha kryetar fronti në bllokun e lagjes time. Mezi po adaptohesha. Përshëndetja e tij: -E more Gëzim!- më hutoi keqas, sepse kujtova në çast se ka ardhur për ndonjë inspektim. Ato që më prunë në vete, ishin kilotat pa çizme, të cilat përfundonin në një palë çorape të grisura që zbukuroheshin prej pantoflave të burgut.
Vura re se edhe kapelen e kishte pa yll e shirit të kuq. Që të gjithë ishin pothuaj të njohur, vetëm se çdo fytyrë kishte nevojë për disa fokusime e retushime ngaqë ishin të transformuara nga izolimi i gjatë. Mbas pak arriti Çeti, Haxhiu, Eqeremi, me një fjalë “Barku i Shën Mërisë”. Tek-tuk kishte edhe surpriza. Na vinin njerëz për të cilët nuk e dinim se ishin arrestuar. Nisi një bisedë, humor e këngë që vazhdonin deri mbas mesnate në atë dhomë 6x3m që quhej “kaush”. Me dërrasa ishin formuar krevate trekatësh. Arritëm të flemë në këtë sipërfaqe deri tridhjetë e tre vetë duke arritur rekord në dendësinë e popullsisë për sipërfaqe në gjithë globin. …
Kjo për arsye se aty ishte një stacion i ndërmjetëm për të burgosurit që lëviznin nga një kamp në tjetrin, si dhe ata që mbaronin hetuesinë dhe kishin marrë dënimin. Mezi njoha Sherif Merdanin që vinte nga ridënimi për t’u transferuar në Burrel. Dikur si fansa të tij bënim tifo dhe kishte qëlluar të pija ndonjë gotë birrë tek Hamdiu që kish lokalin afër Operas. Me në krye Bulçen, kryetarin e fansave, ne dirigjonim në festival adrenalinën e publikut duke ndërprerë me duartrokitje e brohoritje këngën e Sherif Merdanit. Transformimi i tij më trembi. Atë ndryshim kishim pësuar edhe ne tani.
Sapo zura vend në katin e sipërm, më afrohet një meso burrë dhe me dialekt tiranas më thotë: -Ti je Gëzimi? Sa mukajet bante Refi për ty. Gjithë ditën ke ty e mbante mendjen. Kemi qenë në një birucë me të. Po e kemi kalue mirë fort ama. Mos u mërzit o byrazer, se s’asht memqym me na mbajtë të gjithëve kotnasikoti mbrenda, -shtoi Seiti me një pafajshmëri Shvejku. – Aaaaa, jemi miq të vjetër. Unë kam ardh njëqind herë ke shtëpia tuej. Shyqyria më kishte ardhë ditën e qjyqit me më pa, -tha Seiti, duke kujtuar se daja im kishte qenë apostafat për te, atë ditë në gjykatë.
Biografia e Seitit s’ishte fort e zakonshme. Në moshën pesëmbëdhjetë vjeç kishte mbetur jetim e po në këtë moshë kishte vrarë gjaksin, domethënë vrasësin e të atit. Pastaj largohet për në Pezë duke u bashkuar me Myslym Pezën, meqë kishte miqësi me shehelerët e atjeshëm. Çeta u zmadhua e mori nam kur në të penetroi Partia Komuniste. Seiti tregonte thjesht, pa zbukurime, pa bërë asnjë shtesë siç e kishin zakon shumë vetë.
Or byrazer, vetëm në pritë kam vra gjashtëmbëdhjetë vetë me urdhën të Partisë, pa zanë në hesap luftën, se aty s’merret vesh se kush e vret. Njerëzit e tyne më njofin mue e s’duen me ja dijtë urdhënit të Partisë. I vrau Seiti thonë. Tashti po me quejnë dhe këto të partisë armik. Pash zotin m’kallxo me cilin jam mik tashti?
Arrestimi i Seitit
Në kaush u bashkuam 16 vetë që ishim arrestuar me datë 18 tetor. Atë ditë ishte arrestuar dhe Seiti në “emër të popullit”. Seiti s’e kishte kuptuar fare se po e arrestonin.
-A e njef ti ate shitsen ke pasticeria e pazarit ri? Kisha kohë që i thojsha: pa ta vue dupjen e florinit me dorën time mu në gushë, s’ke derman. Ajo qeshte e ma në fund pranoi. Ditën e shtunë gjithë qejf kisha fut dupjen e florinit në xhep të vogël dhe po shkojsha drejt e ke pasticeria. Sa hypa ke rrumbullaku i Avni Rustemit, më vjen një makinë ranzë tretuarit. Hapet dera dhe njani që e mora për të njoftun më tha: hyp o Seit! Duke ba muhabet e duke më pyet, ma në fund më zbritën ke një oborr. Sa zbritëm më kapën prej krahësh, më lidhën duert e më thanë: Në emër të popullit je i arrestue! Ju baj be vallahin, se populli s’ka dijtë gja.
Mbasandej m’i zbrazën të gjithë xhepat, m’i hoqën dhe pantallonat e më lanë në fill të brekëve. – Çfarë kërkoni xhanëm se kallxoj vetë! Tjetër flori veç atij nuk kam ma. Vallahi nji, or byrazer nuk kam! – pusho armiku i poshtër, kujt i thue ti burazer? T’i thyej turinjtë! – më tha ai çapaçuli që s’i kishte kalb shpërganjt hala.
Hetuesia e Seitit
-Cilin pate hetues o Seit? – Njanin vallahi. Loshka (Aliosha) i thojshin. Ishte store me të. Ai shkruente në makinë të shkrimit, pa fol unë fare. Mbasandej, meqë unë s’dijsha me shkruejtë, thërriste nji polic dhe ai firmoste, kur unë vejsha gishtin. Përherë ai muhabet; tak-tak-, ta-ta taktak dhe i jipte flokëve tërmo. (Seiti e imitonte me dorën e plagosur që s’e mblidhte dot) masandej polici firmën, unë gishtin e prapë në birucë. Ditën e parë më erdhi me qesh se më tha: mue më quejnë Loshka. Do punojmë bashkë. – Mirë vallahi, ja prita, veç unë e kam krahun çyryk prej luftës e s’baj dot çdo lloj pune. Edhe në kooperativë arka mbërthejsha. Prej penxheres hutusisë shikojsha se punojshin ke baçja e burgut disa vetë. Unë kujtojsha se e kishte fjalën me punue atje, kurse ai e kishte për hutusinë. Hej, mor hutus Loshka të vrafshin për derr! Dy akuza (akt-akuza) m’bani Loshka. Mi lexoi Refi. Herën e parë gjasme kisha thonë se 20 araplona si ato të inglizit e bojn Tironën hi. Herën e dytë i bani Loshka 200. Ç’bohet kështu more Ref, i thashë, pillkan këta araplonë kshu apo si?
Qeshnim me gjithë shpirt, sidomos kur kallëzonte historinë e Tomit, një shqiptaro-amerikan, me të cilin kishin ndenjur ca muaj bashkë në birucë gjatë hetuesisë. -Tomi, or byrazer, kishte ardhë prej Amerike si breshka ke nallboni. Nji natë kishte qenë ke lokali i kishës së Shën Prokopit, duke hangër darkë. Gotë mbas gote, ata çunat që ishin kamarjerë edhe hafije e kishin pyet gjat e gjanë Tomin se sa bante nji kostum, a kishin vetura puntorët, e kësi përrallash të tjera. Tomi i vorfën u kishte kallxue pa rrena, mirpo pa zbrit mirë prej kodrës kishës, e kishin rruejt… Të gjitha muhabetet i kishin pas çue me radio drejt e në sigurim. Ditë e natë s’pushojshin tue pyet për Cien. Cija sot e Cija nesër, ju ba kaptina lodër të shkretit. – Prapë për Cijen të pyetën o byrazer? – Po more, këto kanë luajtur mendsh. Ku është CIA e ku jam unë! Unë jam qytetar i thjeshtë mor zotëri, kurse ata më pyesin për agjentura. Vallahi mu dhëmyste (dhimbste) i shkreti se shtinte merak të madh për atë punë, prandaj një ditë i thashë: – Or Tom, pse e fut vehten në siklet? Po pate shkue me të, kallxoje more, se fundi –fundit s’kanë për të vra. Vallahi unë kujtojsha se Cia ishte ndonji kurvë, kurse Cia o vllai dasht kishte pasë danome e asqerë, hy-hy çfarë ishte ajo s’ja pret mendja kërkujt.
Atë ditë i erdhën Seitit në takim. Sapo hyni brenda i hapi trastat dhe i ftoi me atë zemërbardhësinë e tij të gjithë ata që ishin në kaush. Kënaqej e i ndriste fytyra kur shihte që të tjerët hanin me uri. – Hej dreq o punë, po më qitni mallin e partizanllëkut – qeshte Seiti.
Gjyqi
Çfarë gjyqi mor byrazer! Ajo asht punë koti. Unë kam pas qenë zgjedh ndihmës gjyqtar. Kryetari vente dorën para gojës demek se po na folte në vesh ne ndihmësve e pastaj i drejtohesh sallës: Trupi gjykues vendosi… Vallahi se e kisha thanë nji llaf or byrazer. Vetëm nji herë në fillim e hangra kur s’e dijsha hilen e kryetarit e i thashë: Urdhno! Kurse ai ma priti: -Pësh-pësh- pësh,- dhe më tundi kryet. E pra ta dijsh me siguri se edhe kryetarit ja bijnë shkresën gati vetëm me e lexue, se edhe atij ja bajnë të tjerët në vesh pësh-pësh-pësh! Le po më doli dhe prokurorja e më thonte jo fishekët kështu e jo fishekët ashtu. Hajde babë t’kallxoj arat! Rri oj gocë, i thashë se s’ke haber prej fishekëve ti! Fishekët kanë qenë për pushkë gjermane. S’kam pas unë njëzet lloj fishekësh! (Seitin e kishin dënuar dhe për armëmbajtje pa leje) – Ama kam pas nja dy bumje inglizi, të verdha flori! I kishin provue më tha kryetari dhe kishin plas të dyja. S’mbajsha mall të keq unë or byrazer!
– Me të thanë: një grusht flori, apo një kobure, cilën merr o Seit?
– Koburen mre, ajo të shpëton nderën, të zbardh faqen! Paren s’e ha as qeni! Kur iku Zogu, gjithë mileti u turr brenda në pallat e vodhën çfarë mundën. Edhe sot e kësaj dite gjen në Sauk e Bathore pjata biluri me kapelen e atëhershme. Kurse unë baj e merr pushkë. Çdo rrugë nga gjashtë copë i çojsha në pyll. Unë gjithë jetën me armë nëpër duer e ata më dënojnë për armë pa leje e Haxhihason (Agji-tacion) pa progrom (Propogandë). Gajle modhe fort! Shif mre, këta kanë fut dhe këtë zavallin mrena! Seiti shtriu krahun e plagosur në drejtim të një devolliti. – A vjen gja prej këtij që ngeli duke më thanë se i hanë duert për punë?
Këtij jepi qyrekun në dorë, e hajt udhë e mbarë!
Seiti preokupohej për vajzën e tij gjashtëmbëdhjetëvjeçare “se kishte mendje të keqe”. – Kam frikë se po më vret ndonji prej dëshmitarëve. Dylberja asht si çun, të merr gjak në vetull! Mbas një pauze shtonte: Si s’po e bijnë Refin xhanëm. Ai është Çapajev! Seiti e kishte fjalën për Estrefin i cili ndër të tjera kishte thënë se Enver Hoxha ishte pederast dhe se A.Q. e kishte pasur dylber. Seiti ishte i alarmuar, kur kishte dëgjuar akt-akuzën e Estrefit, prandaj më thonte: – vallahi, ishin llafe të randa fort. Pastaj qeshte hi, hi, hi më tërhiqte veçan e duke më shtrënguar krahun fort më pëshpëriste: – Kishte thanë se Enveri ishte q… në b… !
Pyet po deshe Toninin që ka qenë ordinanca e Adilit. Ai e ka pa me sytë e vet dhe Manush Myftiun o Seit ja priste tjetri.
Bile po s’besove pyet edhe Takun çunin e Kiço Ministrit. Taku hynte në lojë dhe e qeshura tonë s’kishte të pushuar. Shpesh thonin: – Nënat tona qajnë ditë e natë për ne, kurse këtu qeshet a thua se jemi në estradë. ishim të profesioneve të ndryshme. Kishte inxhinierë, oficerë, profesorë, juristë, ekonomistë me një fjalë nga sfera të ndryshme. Kishim edhe Halil Lazen shkrimtar, por kishte dhe zanatçinj e deri analfabetë si Seiti që s’kishin haber fare nga politika. Në maj u ndamë disa për Spaç, disa për Ballsh, e të tjerë për në burgun e Burrelit. Në fillim iku Seiti i lidhur përdore me Shaban Reçin që ishte ende me rroba oficeri pa spaleta. Seiti ndiehej i pezmatuar sepse u nda nga shumë shokë. Mbas një jave u pamë përsëri në repartin 309, por Seiti u dëshpërua mjaft që s’ishin edhe shokët e tjerë.
Kampi
Kampi të bënte përshtypje, se kishte marrë pamjen e një kantieri. Po shtohej një rresht kapanonesh. Shenjë e keqe kjo, sipas të burgosurve të vjetër. Ndërtim donte të thoshte vazhdim i valës së arrestimeve. Fjalimet e diktatorit dhe klanit të tij ishin të ashpra e kërcënuese. Ato lëshonin rrufe mallkimi mbi armiqtë e çfarëdo ngjyre dhe bënin thirrje për forcimin e vigjilencës. Lufta e klasave po zhvillohej me një hov të paparë në të gjitha sferat edhe brenda Partisë.
Seiti shëtiste sytë sa tek njeri e sa tek tjetri, për të peshkuar ndonjë shpresë sado të vogël, por më kot…
Propaganda tensionohej. Shqipëria do shpallej Republikë Popullore Socialiste. Shpresa për amnisti tek të burgosurit nuk shuhej. Të burgosurit ndaheshin në dy parti: optimistët dhe pesimistët. Seiti bënte pjesë tek militantët e flaktë të partisë së optimistëve. Të gjitha “lajmet” që grumbullonte vinte e ia thoshte Nexhos e Shabës. Në qoftë se nuk i bëje qejfin me ndonjë lajm apo koment pozitiv për një mundësi faljeje, ai zemërohej seriozisht. Një mbrëmje po shëtisja me Shabën dhe Malin. Ishte koha ndërmjet çajit të darkës dhe apelit të fundit të ditës. Seiti po shëtiste me Dashnor Mamaqin, ish anëtar i Komitetit Qendror të Partisë së Punës. Seiti e shikonte drejt e në sy dhe i tundte kokën në shenjë miratimi. Kjo shëtitje zgjaste afro një orë e gjysmë. Ndërkohë çanga ra dhe u krijua rrëmuja e zakonshme, sepse secili kërkonte rreshtin e tij dhe shokun e apelit. Seiti u drejtua nga ne të tre.
– Hë,- i tha Ismaili,- a kemi ndonjë gjë?
-Çfarë të kesh më Mol,- ia priti Seiti, – vallahi baj habi se çfarë budallenjsh paskemi pasun në krye! Se ç’më ngatërroi tarallaku: tapa, tapa, tapa (e kishte fjalën për etapa). Tashti që bahet partia (desh të thonte Shqipëria) socialiste! Ne do të lirohemi byrazer, këtë di me ju thanë.
Shpesh e ngacmonin Seitin me kujtimet e kohës së luftës. Ai i përshkruante ato me një sinqeritet dhe plot naivitet lavdëronte Bazin e Canës, Mustafa Gjinishin dhe Shyqyri Pezën. Kishte qenë i pranishëm në Konferencën e Pezës. Komenti i tij:
-Kush ja fuste m’pordhë Enverit or byrazer! Aty ju dëgjonte fjala vetëm Abaz Kupit, ai ishte hem i gojës, hem i gishtit.
Ditët e javët rrokulliseshin. Çdo herë që Seiti kishte takim, ishte epiqendra e të burgosurve. Fjalët e tij komentoheshin, analizoheshin sikur të ishin të një filozofi, sepse i kishte thënë Myslym Peza me të cilin familja e Seitit nuk i kishte prerë marrëdhëniet. Fjalët e injorantit Myslym Peza merreshin për ekuivoke, pozita e tij si nënkryetar i presidiumit merrej si e vërtetë. Këtë e bënin edhe njerëz të zgjuar dhe intelektualë të cilëve burgu u kish hequr bonsensin.
Më së fundi erdhi falja e shumëpritur për ish-partizanin nga Kuvendi Popullor dhe ngjau ajo që s’kish ngjarë ndonjëherë në burgjet e Shqipërisë e ndoshta edhe më tej…
Seitin e thirrën jashtë në zyrat e komandës. I komunikuan lajmin. Pastaj komandanti i burgut ia thjeshtoi përmbajtjen:- Që tani o Seit, je i lirë. Meqë është vonë e s’ka tren, do të të përcjell deri në Ballsh që të flesh në hotel. Nesër herët nisu me trenin e parë për në Tiranë. A ke ndonjë gjë për të thënë? Zakonisht, kjo pyetje bëhej për të nxjerrë me grep formulën që kërkonte rasti: “I faleminderit partisë e cila vuri dorën në zemër…” – Seiti e shikoi komandantin në sy dhe i tha:
Kam një lutje zoti Komandant, por s’di a do të ma plotësosh?!
Fol!
- Komandant, po deshe, të lutem, më lejo të rri dhe sonte këtu në burg me shokët. Dua të bisedoj e të ndahem me ta.
Komandanti u step. Ai ishte nga Peshkopia. Kishte një jetë që merrej me këto punë. Një të tillë s’e kish dëgjuar ndonjëherë, megjithatë i tha: – Po të bëri vaki ndonjë gjë o Seit, a e di që unë mbaj përgjegjësi, sidomos tani që je i lirë?
Jo, zoti komandant nuk do të bëj kurrgjë vaki, se unë s’kam hasëm këtu.
Seiti duke qenë i lirë, fjeti në burg atë natë. Shqipëria dhe jashtë burgut ishte njësoj e rrethuar me tela. Kështu bëri emër në historinë e kampeve e burgjeve ish-partizani me zemër të madhe, fshatari analfabet i dënuar për… (… për atë që s’e thoshte dot) Agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor.
Komentet