VOAL

VOAL

Osmani: Serbia ka krijuar krizë që të mos flitet për marrëveshje finale

November 30, 2022

Komentet

Kryeministri Kurti mori pjesë në tryezën shkencore “Memorandumi i SANU: Roli i diskursit akademik serb në nxitjen e konflikteve dhe dhunës në ish-Jugosllavi”

 

 

Prishtinë, 4 shtator 2026

 

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në tryezën shkencore “Memorandumi i SANU: Roli i diskursit akademik serb në nxitjen e konflikteve dhe dhunës në ish-Jugosllavi”, organizuar nga Instituti për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë dhe Instituti i Historisë “Ali Hadri”.

 

Në fjalën hyrëse, kryeministri Kurti tha se dyzet vjet pas publikimit të Memorandumit të Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve, vazhdon të mbetet me rëndësi studimi i rrethanave në të cilat u hartua, ideve të cilat i artikuloi dhe ndikimit që pati në diskursin politik e shoqërorë të Serbisë në vitet që pasuan.

 

“Përvoja e Kosovës e bën këtë çështje veçanërisht konkrete. Në fund të viteve tetëdhjetë dhe gjatë viteve nëntëdhjetë, narrativa mbi rrezikimin e serbëve në Kosovë u bë pjesë e rëndësishme e mobilizimit politik në Serbi. Pasuan suprimimi i autonomisë së Kosovës, largimet masive të shqiptarëve nga institucionet publike dhe ndërmarrjet ekonomike, diskriminimi sistematik, represioni shtetëror dhe, më vonë, lufta. Rruga nga ideologjia te dhuna është komplekse. Megjithatë, historia e ish-Jugosllavisë tregon se prodhimi i narrativave, ndërtimi i diskurseve, legjitimimi i tyre nga autoritete publike e akademike dhe përvetësimi i tyre nga pushteti mund të krijojnë klimën politike dhe morale në të cilën diskriminimi normalizohet dhe dhuna bëhet e pranueshme si mjet politik”, tha ai.

 

Ai theksoi se shoqëritë demokratike kanë nevojë për institucione të cilat e studiojnë të kaluarën me profesionalizëm dhe për intelektualë të cilët e ruajnë pavarësinë e tyre, sikurse kanë nevojë për arkiva të hapura, dokumente të ruajtura dhe debat shkencor ku argumenti mbështetet në fakte.

Duke marrë shkas rastin e fundit me Ratko Mladiq, kryeministri Kurti foli edhe për glorifikimin që Serbia po vazhdon t’i bëj kriminelëve të luftës, duke theksuar se kur një shoqëri nderon publikisht një të dënuar për gjenocid, është e vështirë të flitet për përballje me të kaluarën, pendesë apo distancim nga politika që prodhoi ato krime.

“Mbase këso tryezash është edhe më shumë e rëndësishme që të mbahen pikërisht në Serbi. Por, ekziston një paradoks i madh te fqinji ynë verior. Trupi i pajetë i kriminelit Ratko Mlladiq, i dënuar për gjenocid dhe krime lufte, po pritet me nderime të larta shtetërore, nga ish-ministri i Millosheviqit, tash president i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Nga protagonisti i gjuetisë me njerëz në Sarajevën e rrethuar, në Bosnje, tash i njohur si “Sarajevo Safari”, Aleksandar Vuçiq, me nderime të larta shtetërore pret kryerësin e krimit në Bosnjë, Ratko Mladiq, tash i ndjerë pasi që vdiq në burg në Hagë. Nga ai që përveç tjerash tha se për një serb të vrarë do të vriten 100 muslimanë boshnjakë, vetëm një javë pas Masakrës së Srebrenicës”, tha kryeministri.

Fjala e plotë e kryeministrit në detyrë Kurti:

 

I nderuar z. Atdhe Hetemi, drejtor ekzekutiv i Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës,

I nderuari z. Arben Hajrullahu, rektor i Universitetit të Prishtinës,

E nderuara znj. Teuta Shala-Peli, drejtore e Institutit të Historisë “Ali Hadri”,

E nderuara znj. Mrika Limani, bashkëpunëtore shkencore në Institutin e Historisë  “Ali Hadri”,

Të nderuar profesorë, Sylë Uksini dhe Arbër Hadri,

I nderuari z. Edmond Hajrizi, themelues i UBT-së,

Të nderuar përfaqësues të Institutit të Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë dhe të Institutit të Historisë “Ali Hadri”,

Të nderuar akademikë, profesorë dhe studiues,

Të nderuar të pranishëm,

I nderuari profesor Afrim Krasniqi, profesor Muhamedin Kullashi,

Zonja dhe zotërinj,

 

Dyzet vjet pas publikimit të Memorandumit të Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve, vazhdon të mbetet me rëndësi studimi i rrethanave në të cilat u hartua, ideve të cilat i artikuloi dhe ndikimit që pati në diskursin politik e shoqërorë të Serbisë në vitet që pasuan. Memorandumi u shfaq në një periudhë krize të thellë politike, ekonomike dhe shoqërore të ish-Jugosllavisë. Brenda kësaj krize, ai artikuloi një interpretim të pozitës së serbëve në ish-federatë, të mbështetur fuqishëm mbi narrativën e viktimizimit. Kosova zinte vend të posaçëm në këtë interpretim dhe me shpejtësi, atëbotë, ky diskurs u përvetësua nga politika dhe u bë pjesë e gjuhës përmes së cilës u arsyetuan ndërhyrjet gjithnjë e më të mëdha të shtetit serb në rendin kushtetues e juridik të ish-Jugosllavisë.

Këtu qëndron edhe arsyeja pse Memorandumi vazhdon të kërkojë vëmendjen e historianëve, politologëve dhe studiuesve. Rëndësia e tij lidhet me raportin ndërmjet dijes shkencore e sociale, autoritetit intelektual dhe pushtetit politik. Idetë e prodhuara ose të legjitimuara brenda institucioneve me autoritet shkencor fitojnë peshë të veçantë kur hyjnë në gjuhën e politikës dhe përdoren për të përcaktuar se kush është viktimë, kush është kërcënim dhe kujt i takon e drejta historike mbi territorin, shtetin apo institucionet.

Përvoja e Kosovës e bën këtë çështje veçanërisht konkrete. Në fund të viteve tetëdhjetë dhe gjatë viteve nëntëdhjetë, narrativa mbi rrezikimin e serbëve në Kosovë u bë pjesë e rëndësishme e mobilizimit politik në Serbi. Pasuan suprimimi i autonomisë së Kosovës, largimet masive të shqiptarëve nga institucionet publike dhe ndërmarrjet ekonomike, diskriminimi sistematik, represioni shtetëror dhe, më vonë, lufta. Rruga nga ideologjia te dhuna është komplekse. Megjithatë, historia e ish-Jugosllavisë tregon se prodhimi i narrativave, ndërtimi i diskurseve, legjitimimi i tyre nga autoritete publike e akademike dhe përvetësimi i tyre nga pushteti mund të krijojnë klimën politike dhe morale në të cilën diskriminimi normalizohet dhe dhuna bëhet e pranueshme si mjet politik.

Këtu shtrohet edhe çështja e përgjegjësisë së intelektualit publik dhe të institucionit akademik. Autoriteti akademik bart përgjegjësi publike. Akademitë, universitetet dhe institutet shkencore gëzojnë besimin e shoqërisë sepse prej tyre priten mendimi e kërkimi kritik, verifikimi i fakteve dhe pavarësia nga interesat e pushtetit. Kur ky autoritet përdoret për t’u dhënë karakter shkencor paragjykimeve etnike ose pretendimeve politike, pasojat mund të shkojnë shumë më larg se debati akademik.

Për këtë arsye është me rëndësi që Memorandumi i Akademisë së Shkencave dhe i Arteve të Serbisë, që njihet me akronimin SANU, dhe roli i elitave intelektuale serbe të asaj kohe të vazhdojnë të studiohen përmes dokumenteve dhe burimeve kredibile, me metodologji shkencore. Përgjegjësia historike kërkon saktësi. Kërkon të identifikohen idetë, politikat, institucionet dhe individët që i formuluan, i promovuan dhe i zbatuan ato. Kosova ka arsye të veçanta për ta bërë këtë punë.

Pasojat e politikave të viteve nëntëdhjetë janë pjesë e kujtesës sonë të afërt e përvojave tona jetësore. Ato gjenden në dokumente dhe arkiva, në dëshmitë e të mbijetuarve, në familjet e viktimave, te personat ende të zhdukur dhe në shumë prej çështjeve me të cilat institucionet tona vazhdojnë të merren edhe sot e kësaj dite. Dokumentimi i krimeve, ruajtja e dëshmive dhe studimi i proceseve që çuan drejt tyre janë përgjegjësi edhe shtetërore edhe shkencore. Kujtesa e mbështetur në fakte i shërben së vërtetës historike, drejtësisë institucionale dhe brezave të rinj të cilët nuk e kanë përjetuar atë periudhë.

Instituti i Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë dhe Instituti i Historisë “Ali Hadri” kanë rol të rëndësishëm në këtë drejtim. Përmes dokumentimit, hulumtimit dhe debatit akademik, institucionet tona krijojnë bazën që historia e Kosovës të trajtohet përmes burimeve dhe dëshmive dhe që njohuritë e prodhuara të jenë të qasshme për studiuesit, institucionet dhe publikun.

Koncepti i kësaj tryeze parashikon dokumentimin dhe analizimin e rolit të intelektualëve dhe të akademisë në nxitjen e luftërave, trajtimin kritik të narrativave historike dhe forcimin e kujtesës kolektive. Kjo punë ka vlerë edhe për të ardhmen, përmes përfshirjes së kujtesës në politikat publike dhe në edukim, si dhe forcimit të bashkëpunimit rajonal e ndërkombëtar në funksion të paqes, të sigurisë dhe të prosperitetit.

Dyzet vjet janë distancë e mjaftueshme për të parë shumëçka më qartë, por pasojat vazhdojnë të jenë të pranishme. Në Kosovë, ato mbeten pjesë e jetës së njerëzve dhe e punës së institucioneve. Diskutimi i sotëm, për këtë arsye, ka vlerë të posaçme. Studiuesit e mbledhur këtu do ta trajtojnë Memorandumin nga këndvështrime të ndryshme, do ta vendosin në kontekstin historik të kohës dhe do të shqyrtojnë lidhjet ndërmjet diskursit akademik, nacionalizmit hegjemonik dhe politikës agresore që çoi në luftërat e viteve nëntëdhjeta në ish-Jugosllavi.

Shoqëritë demokratike kanë nevojë për institucione të cilat e studiojnë të kaluarën me profesionalizëm dhe për intelektualë të cilët e ruajnë pavarësinë e tyre. Kanë nevojë për arkiva të hapura, dokumente të ruajtura dhe debat shkencor ku argumenti mbështetet në fakte.

 

Të nderur të pranishëm,

 

Mbase këso tryezash është edhe më shumë e rëndësishme që të mbahen pikërisht në Serbi. Por, ekziston një paradoks i madh te fqinji ynë verior. Trupi i pajetë i kriminelit Ratko Mlladiq, i dënuar për gjenocid dhe krime lufte, po pritet me nderime të larta shtetërore nga ish-ministri i Millosheviqit, tash president i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Nga protagonisti i gjuetisë me njerëz në Sarajevën e rrethuar në Bosnje, tash i njohur si “Sarajevo Safari”. Aleksandar Vuçiq me nderime të larta shtetërore pret kryerësin e krimit në Bosnjë, Ratko Mladiq, tash i ndjerë pasi që vdiq në burg në Hagë. Nga ai që përveç tjerash tha se për një serb të vrarë do të vriten 100 muslimanë boshnjakë, vetëm një javë pas Masakrës së Srebrenicës.

Ky është edhe një shembull i qartë i mënyrës se si në Serbi glorifikohet figura e njërit prej përgjegjësve kryesorë për krimet më të rënda të luftës në Bosnje. Kur një shoqëri nderon publikisht një të dënuar për gjenocid, është e vështirë të flitet për përballje me të kaluarën, pendesë apo distancim nga politika që prodhoi ato krime.

Për Kosovën, kjo ndërlidhet drejtpërdrejt me mënyrën se si do t’ua përcjellim brezave të ardhshëm historinë. Sa më e plotë të jetë puna jonë dokumentuese dhe shkencore sot, aq më pak hapësirë do të ketë nesër për mohimin, shtrembërimin dhe relativizimin e asaj që ka ndodhur.

Në Evropë, nuk besoj të ketë një rast të dytë, gjegjësisht nuk ka një popull tjetër si shqiptarët, për të cilin janë hartuar kaq shumë plane e projekte, madje të shkruara në letër, për spastrimin etnik të tij, për dëbimin dhe deportimin e tij nga trevat autoktone ku ata janë formuar dhe kanë jetuar historikisht. Aq më tepër që këto projekte janë hartuar nga struktura dhe institucione shtetërore si dhe nga zyrtarë shtetërorë të Serbisë, që nga mesi i shekullit XIX kur Serbia ishte ende në fazat e hershme të saj të shtetndërtimit, gjatë periudhës së Mbretërisë Serbe-Kroate-Sllovene më vonë Mbretërisë së Jugosllavisë, si dhe gjatë periudhës së Federatës së Jugosllavisë, kur Serbia ishte republika dominuese. E megjithëkëto, ja ku jemi. Ndonëse segmente të tëra të këtyre projekteve janë realizuar herë më shumë e herë më pak, nga dëbimet e shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit, nga luftërat ballkanike, nga dëbimet në Turqi, e deri te spastrimi etnik dhe gjenocidi i vitit 1999, ne kemi arritur të mbijetojmë dhe ta ndërtojmë shtëpinë tonë të përbashkët politike me zhvillim të gjithmbarshëm, shtetin e pavarur: Republikën e Kosovës.

Në këtë dyzetvjetor të Memorandumit të SANU-së, kjo është përgjegjësia që na takon: të dokumentojmë me saktësi, të studiojmë me seriozitet, të kujtojmë me dinjitet dhe ta mbrojmë të vërtetën me fakte.

Ju faleminderit për organizimin, ftesën dhe vëmendjen!

(Zyra e Kryeministrit)

Dehari cakton 9 shtatorin për vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës

Kryesuesi i seancës, Avni Dehari (në mes) gjatë seancës së ndërprerë më 12 gusht, në Kuvendin e Kosovës, në Prishtinë, 12 gusht 2026.

 

Radio Evropa e Lirë

Deputetët e zgjedhur pritet të mblidhen më 9 shtator për vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, në përpjekje për t’i formuar institucionet e reja të vendit pas zgjedhjeve të qershorit, dhe për t’i dhënë fund krizës pothuajse dyvjeçare politike.

Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, njoftoi të premten se ka vendosur që seanca e mbetur në gjysmë muajin e kaluar të vazhdojë të mërkurën në orën 11:00.

Ai tha se e mori këtë vendim pas arritjes së një marrëveshjeje të brishtë politike mes Lëvizjes Vetëvendosje të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës në opozitë, për kandidatin për president të Kosovës.

“Edhe pse ende nuk ka qartësi të plotë, nëse ekziston numri i nevojshëm i deputetëve për konstituimin e të gjitha institucioneve, kam vendosur që vazhdimin e Seancës Konstitutive ta thërras më 9 shtator, në orën 11:00”, tha Dehari në Facebook.

Zgjedhja e presidentit të ri të vendit është në qendër të krizës politike tani, pasi kërkohet një marrëveshje politike mes pushtetit dhe opozitës për t’i siguruar votat e nevojshme.

Vazhdimi i seancës

Seanca konstituive nisi më 6 gusht, dhe në atë ditë deputetët e legjislaturës së 11-të e dhanë betimin, por ajo u ndërpre në gjysmë pasi Kurti kërkoi kohë për arritjen e një marrëveshjeje politike.

Deputetët u mblodhën edhe një herë më 8 gusht dhe, edhe ajo seancë u ndërpre me kërkesën e njëjtë të Kurtit, i cili u gjuajt me vezë nga deputetja opozitare Time Kadrijaj.

Tani deputetët duhet ta zgjedhin kryetarin e Kuvendit dhe pesë nënkryetarët për ta formuar Kuvendin e ri, i cili i hap rrugë formimit të Qeverisë së re dhe eventualisht emërimit të presidentit të ri.

Por, i tërë ky proces po zhvillohet mes paqartësive dhe akuzave për shkelje.

Në bazë të një aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, konstituimi i Kuvendit duhet të përmbyllet brenda 30 ditësh nga certifikimi i rezultatit të zgjedhjeve dhe ky afat skadoi më 7 gusht në mesnatë.

LVV-ja kishte argumentuar se afati 30-ditor nisi më 6 gusht dhe se kishte kohë deri më 6 shtator.

Por, pas vendimit të Deharit për vazhdimin e seancës më 9 shtator, duket se edhe ky afat është shpërfillur.

Ekspertët kushtetues thanë më herët për Radion Evropa e Lirë se shpërfillja e këtij afati përbën shkelje kushtetuese.

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës kishte thënë se caktimi i vazhdimit të seancës konstituive pas afatit kushtetues përbënte “shkelje të hapur dhe cenim të drejtpërdrejtë të rendit kushtetues”.

Por, Naim Jakaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, argumentoi sem ndonëse shpërfillja e afatit për konstituimin e Kuvendit përbënte shkelje kushtetuese, ajo nuk nënkuptonte se seanca nuk ka mundësi të mbahet më vonë.

Ai i tha Radios Evropa e Lirë më herët se vazhdimi i seancës do të mundë të caktohej pas afatit kushtetues meqë nuk është përcaktuar se cili është sanksioni konkret në rast se Kuvendi nuk konstituohet brenda këtij afati.

Ish-sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Lord George Robertson: urgjente zgjedhja e Presidentit -Armiqtë duan ta rikthejnë Kosovën si pjesë të Jugosllavisë së vjetër

Ish-sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Lord George Robertson, në një intervistë në “Interaktiv” në KTV ka thënë se armiku i Kosovës nuk është vetëm në Serbi, porse ka armiqë të tjerë nëpër botë që duan ta kufizojnë dhe “ta rikthejnë atë në pozicionin si pjesë e Jugosllavisë së vjetër”.

“Një nga problemet për vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kosovën, është fakti se kjo konkurrencë e fuqive të mëdha që duket se karakterizon botën në të cilën jetojmë tani, po e përdor Ballkanin Perëndimor si një shesh lojërash aventureske, duke ndërhyrë dhe duke marrë pjesë në politikën e rajonit…Armiku i Kosovës nuk është vetëm në Serbi. Ajo ka edhe armiq të tjerë në botë që duan ta kufizojnë atë dhe ta rikthejnë atë në pozicionin e saj historik si pjesë e Jugosllavisë së vjetër. Dhe njerëzit në Kosovë duhet ta kuptojnë këtë”, tha Robertson.

Robertson tha se populli i Kosovës duhet të qëndrojë i bashkuar dhe shtoi se të gjitha partitë politike në Mbretëri të Bashkuar janë të shqetësuara për paralizën politike që po ndodh në Kosovë./Koha.net

 

Ish-sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, George Robertson vë alarmin: Paraliza aktuale në Kosovë ndihmon vetëm armiqtë e saj

Eraldin Fazliu

Ish-sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, George Robertson, ka thënë se nuk ka pasur kurrë një kohë më të mirë për unitet kombëtar në Kosovë sesa tash. Në një intervistë në “Interaktiv” të KTV-së, Robertson ka folur për rrezikun që mund të ketë vendi nga mosformimi i institucioneve. Ndërsa ka thënë se duhet të pranohet cilido qoftë verdikti i Gjykatës Speciale ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së

Ish-shefi i NATO-s, Lord George Robertson, ka alarmuar për pasojat që mund të ketë Kosova nga zvarritja e formimit të institucioneve.

Në një intervistë për emisionin “Interaktiv” të KTV-së, ai ka thënë se paraliza politike në vend u shërben vetëm armiqve të Kosovës.

Ish-sekretari Robertson ka thënë se nuk ka pasur kurrë një kohë më të mirë për unitet kombëtar sesa tash.

Përveç situatës politike në vend, Robertson i cili ka qenë edhe sekretar i Mbrojtës i Britanisë së Madhe gjatë luftës në Kosovë, ka folur edhe për procesin e gjykimit në Hagë ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së.

Ai ka bërë thirrje që të pranohet cili do që të jetë verdikti i kësaj gjykate.

 

Ish-sekretari i Përgjithshëm i NATO-s ka folur edhe për rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në NATO dhe aspektet e tjera të sigurisë në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor.

KOHA: Lord George Robertson, është kënaqësi për mua që ju kemi në programin tonë. Është një kënaqësi e madhe.

Robertson: Është kënaqësi e madhe të jem me ty sot.

KOHA: Kjo verë shënoi 27 vjet që kur Kosova u çlirua nga sundimi serb dhe kanë kaluar më shumë se 18 vjet që kur Kosova shpalli pavarësinë e saj. Në vitin 1999, ju mbajtët një pozicion kyç brenda Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar, në atë kohë duke qenë sekretar i Mbrojtjes i Mbretërisë së Bashkuar, dhe më vonë morët drejtimin e Aleancës së NATO-s, të cilën e mbajtët atje si sekretar i Përgjithshëm deri në vitin 2003. Sa është transformuar Kosova politikisht dhe në aspektin e sigurisë që atëherë, dhe cili është imazhi juaj i përgjithshëm për të?

Robertson: Kosova është një vend shumë i ndryshëm nga ai që mbaj mend në vitin 1999. E njoha nga ngjarjet dhe fotografitë që pamë me sulmin e Millosheviqit ndaj popullit të Kosovës. Por sigurisht që e pashë Kosovën në terren vetëm pasi ndodhi çlirimi. Por tani është një vend shumë i ndryshëm nga ai lloj vendi i dëmtuar nga bombat dhe lufta që pashë në vitin 1999 pas përfundimit të fushatës ajrore. Është një vend normal evropian. Prishtina është një qytet normal evropian me njerëz normalë evropianë që bëjnë gjëra normale evropiane, edhe atje. Dhe pa trashëgiminë e shtypjes së viteve të Milosheviqit, tani po zë vendin e saj në rrjedhën kryesore të Evropës në tërësi. Dhe kështu duhet të jetë. Kosovarët janë njerëz të mirë, janë njerëz të ndjeshëm, janë njerëz të mirë dhe meritojnë të kenë mundësi më të mira në Evropë, në vendin e tyre, dhe jo të dëbuar, transferuar ose të dëbuar vullnetarisht në pjesë të tjera të kontinentit evropian. Takoj kaq shumë kosovarë në Londër dhe Gjetkë. Ata më shprehin mirënjohje, por mirënjohja më e madhe për mua do të ishte që ata të qëndronin në Kosovë dhe ta bënin Kosovën vendin e pasur dhe të begatë që duhet të jetë.

KOHA: Megjithatë, pavarësisht faktit se gati tri dekada më parë kemi parë ndërhyrjen e NATO-s dhe siç thashë, më shumë se 18 vjet që Kosova shpalli pavarësinë e saj, Kosova ende ka një lloj marrëdhënieje të ndërlikuar me Serbinë, e cila ia mohon pavarësinë. Dhe gati 2 dekada që kur kemi fituar pavarësinë, Kosova lufton ndërkombëtarisht për shkak të refuzimit të Serbisë për të njohur pavarësinë e saj, dhe Serbia është mbështetur vazhdimisht nga Rusia dhe Kina. Cili është qëndrimi juaj për këtë? Si mund të ndryshojë ky realitet në të ardhmen e afërt?

Robertson: Një nga problemet për vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kosovën, është fakti se kjo konkurrencë e fuqive të mëdha që duket se karakterizon botën në të cilën jetojmë tani, po e përdor Ballkanin Perëndimor si një shesh lojërash aventureske, duke ndërhyrë dhe duke marrë pjesë në politikën e rajonit. Dhe ne duhet, në botën e jashtme, veçanërisht në botën perëndimore, të jemi të vetëdijshëm për këtë dhe të qëndrojmë të angazhuar me Kosovën dhe popullin e Kosovës.

Armiku i Kosovës nuk është vetëm në Serbi. Ajo ka edhe armiq të tjerë në botë që duan ta kufizojnë atë dhe ta rikthejnë atë në pozicionin e saj historik si pjesë e Jugosllavisë së vjetër. Dhe njerëzit në Kosovë duhet ta kuptojnë këtë. Ata kanë nevojë për miq në botë. Ata më kanë një mik mua, kanë një mik Mbretërinë e Bashkuar dhe në shumë nga vendet që morën pjesë në konfliktin e vitit 1999. Por ka kundërshtarë dhe ka armiq që do të shfrytëzojnë çdo përçarje brenda Kosovës, të cilët do të shfrytëzojnë dhe zmadhojnë çdo ndryshim mendimi që ekziston.

Dhe kjo është arsyeja pse unë besoj fuqimisht se populli i Kosovës duhet të qëndrojë i bashkuar. Dhe unë, si shumë njerëz, jemi vërtet të shqetësuar, shqetësohemi për paralizën e politikës në Kosovë sot. Duhet të ketë zgjedhjen e një presidenti, sepse kjo është e vetmja mënyrë që populli i Kosovës të përfaqësohet siç duhet në botën e jashtme. Prandaj, miqtë e Kosovës, dhe ka shumë prej tyre, në të gjitha partitë politike në Mbretërinë e Bashkuar, janë thellësisht të shqetësuar për paralizën që duket se po zhvillohet në politikën e Kosovës.

KOHA: Pas asaj që sapo thatë, kemi parë se në dy vjetët e fundit është shënuar një lloj paqëndrueshmërie politike në Kosovë. Shohim se kasta politike nuk janë në gjendje të formojmë institucionet. Dua të them, klasa politike vazhdon të grindet për më shumë pushtet. Sa dëmton kjo çështjet e sigurisë së Kosovës si dhe sa do të ndikojë kjo edhe në çështjet e sigurisë së Kosovës me partnerët e saj?

Robertson: Nuk kam asnjë dyshim në mendjen time se paraliza aktuale në Kosovë ndihmon vetëm armiqtë e Kosovës, ndihmon Serbinë me fushatën e saj dashakeqe kundër pavarësisë së Kosovës. Dhe për këtë arsye, njerëzit në Kuvendin e Kosovës dhe partitë politike të Kosovës duhet të pranojnë se bota e jashtme po shikon dhe po shikon gjithçka që po ndodh brenda vendit tuaj.

Dhe me të vërtetë, është me rëndësi të madhe…..Është jashtëzakonisht e rëndësishme që populli i Kosovës dhe njerëzit në partitë politike të Kosovës të mos japin inkurajim ose mbështetje armiqve të Kosovës jashtë vendit. Nuk ka pasur kurrë një kohë më të mirë për unitet kombëtar sesa në momentin e tanishëm. Kur Bashkimi Evropian po shikon Ballkanin Perëndimor, po shikon anëtarësimin e vendeve të ardhshme atje, është absolutisht e domosdoshme që populli i Kosovës të qëndrojë i bashkuar dhe veçanërisht të zgjedhë një president në këtë kohë. Unë e kuptoj se po del një emër që është i pranueshëm për shumicën në vend dhe në Kuvend. Dhe shpresoj që të gjitha partitë politike do ta kuptojnë sa e rëndësishme është për sigurinë, të ardhmen dhe prosperitetin e popullit të Kosovës që të marrin një vendim tani për të ecur përpara me procesin politik dhe për të zgjedhur një president dhe për t’u siguruar që uniteti kombëtar të jetë i garantuar.

KOHA: Një çështje tjetër e rëndësisë së lartë për Kosovën është se brenda dy javësh do të kemi një vendim në Hagë nga Dhomat e Posaçme për ish-komandantët dhe udhëheqjen e UÇK-së. Shumë janë të shqetësuar se nëse ish-figurat kyçe të UÇK-së dënohen, kjo do të rishkruante historinë e Kosovës dhe do të ishte e dëmshme në rrugën e Kosovës drejt mbrojtjes së pavarësisë së saj. Cili është qëndrimi juaj për këtë?

Robertson: Nuk e dimë se për çfarë do të vendosin Dhomat e Posaçme. Dhe ne besojmë në sundimin e ligjit dhe për këtë arsye gjykimi në Dhomat e Posaçme është një proces që duhet të ndodhë. Por ajo nuk e rishkruan historinë e Kosovës. Vendimi që u mor për të shpëtuar Kosovën u mor në bazë të popullit të Kosovës, refugjatëve, atyre që po persekutoheshin, atyre që po spastroheshin etnikisht, atyre që po vriteshin dhe torturoheshin nga forcat paramilitare serbe në atë kohë. Kjo është ajo që erdhëm të bënim, jo domosdoshmërisht për të ndihmuar UÇK-në ose individët e përfshirë në këtë. Rastësisht ata ishin udhëheqës të asaj kohe, por ishte populli i Kosovës ai për të cilin ishim të shqetësuar. Pra, nuk rishkruan asgjë. Nëse sundimi i ligjit dhe Dhomat e Posaçme japin një vendim, atëherë të gjithë ne, si brenda ashtu edhe jashtë Kosovës, do të duhet të jetojmë me rezultatin e atij procesi sepse besojmë në sundimin e ligjit. Ne besojmë në sundimin e ligjit për të gjithë ata që morën pjesë në ngjarjet e tmerrshme të asaj kohe. Por ajo nuk do ta rishkruajë historinë e popullit të Kosovës. Ishin ata, gjendjen e vështirë të të cilëve e pamë, refugjatët, personat e zhvendosur në pyje, fëmijët që u persekutuan. E kam në murin tim në këtë zyrë këtu në Dhomën e Lordëve pikturën që më është dhuruar në fshatin Poklek. Është mbresëlënëse sepse ka lule të bukura në majë që rriten nga toka e Kosovës dhe poshtë saj kafkat dhe skeletet e fëmijëve që u vranë nga paramilitarët serbë atë ditë në vitin 1999. Dhe kjo është arsyeja pse shkuam në Kosovë. Kjo është arsyeja pse e çliruam Kosovën, jo për shkak të ndonjë grupi të veçantë njerëzish apo ndonjë fraksioni të veçantë, por sepse pamë gjendjen e vështirë të popullit të Kosovës. Dhe ne ishim të vendosur, bota e jashtme ishte e vendosur, pavarësisht kostos, të ndalonim spastrimin etnik dhe të çlironim njerëzit e asaj zone.

KOHA: Si do ta vlerësonit rolin e udhëheqjes së UÇK-së gjatë luftës në Kosovë dhe veçanërisht bashkëpunimin që keni pasur si NATO me UÇK-në, por qoftë edhe si sekretar i Mbrojtjes i Mbretërisë së Bashkuar kur shërbyet në kohët më të vështira në vitin 1999 dhe qoftë atëherë kur u bëtë sekretar i Përgjithshëm i NATO-s prej dhjetorit të 1999. Dhe a nuk do të balanconte kjo krimet për të cilat shumë janë të shqetësuar, nëse po ju shtyj pak më shumë në këtë çështje të këtij revizionizmi të historisë për të cilin shumë janë të shqetësuar në Prishtinë?

Robertson: E di që njerëzit janë të shqetësuar për këtë dhe padyshim që udhëheqja e UÇK-së është tani në dritën e plotë të prozhektorit të Dhomave të Specializuara. Por, kjo nuk është arsyeja e vetme pse NATO-ja ndërhyri në atë kohë. Dhe për këtë arsye, çfarëdo që t’u ndodhë atyre, në sundimin e ligjit dhe jashtë Dhomave të Posaçme, nuk e minon përpjekjen që bëmë në atë kohë për të shpëtuar njerëzit e Kosovës nga veprimi i tmerrshëm i Millosheviqit dhe paramilitarët që ai i dërgoi në tërësi. Por shpresoj që, cilido qoftë rezultati i Dhomave së Posaçme, shpresoj që njerëzit do ta kuptojnë se është uniteti i popullit të Kosovës në këtë moment që ka rëndësi për ata prej nesh që mbështetën Kosovën në atë kohë dhe mbështetën popullin e Kosovës në atë kohë. Kështu që nuk duhet të ketë asnjë reagim ndaj vendimit të Dhomave të Posaçme. Kjo është me rëndësi thelbësore.

Ish-sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Lord George Robertson: urgjente zgjedhja e Presidentit -Armiqtë duan ta rikthejnë Kosovën si pjesë të Jugosllavisë së vjetër

Duhet të pranohet si nga partitë politike të brendshme ashtu edhe nga bota e jashtme në tërësi, sepse ne besojmë në sundimin e ligjit dhe besojmë se sundimi i ligjit vlen për këdo që është i interesuar, qofshin paramilitaret serbë, sjellja e të cilëve ishte absolutisht e tmerrshme, apo kushdo tjetër i përfshirë në konflikt në tërësi. Kjo nuk e minon në asnjë mënyrë besimin që kishim te njerëzit e Kosovës në atë kohë. Presidenti Rugova ishte një njeri me natyrë të butë të cilin e njoha dhe e respektova dhe kisha shumë dashuri për të. Unë ende i kam të gjithë gurët e çmuar që ai më dha në një shportë të veçantë në shtëpi.

Pra, çfarëdo vendimi që del nga Dhomat e Specializuara, njerëzit nuk duhet t’u japin mbështetje, ndihmë dhe inkurajim armiqve të Kosovës jashtë. Ata duhet ta pranojnë vendimin, cilido qoftë ai vendim, dhe të sigurohen që ne të ecim përpara. Është e ardhmja e Kosovës që ka rëndësi, jo historia e saj.

KOHA: Pyetja ime e fundit për këtë çështje është se këta nuk janë vetëm ish-udhëheqësit e UÇK-së, në mesin e atyre që po gjykohen ka qenë presidenti i Kosovës, z. Hashim Thaçi, i cili dikur ka qenë edhe kryeministër. Ne kemi dy kryetarë të Kuvendit të Kosovës në Kosovën e pavarur që po gjykohen gjithashtu. Pra, nuk janë vetëm ish-komandantët e UÇK-së që po gjykohen, por edhe ish-udhëheqja që shpalli pavarësinë. Dhe kjo lloj kritike ndaj gjykatës dhe shqetësimet për gjykatën në lidhje me revizionizmin e historisë janë se vetë themelet e vendit mund të tronditen nga një vendim dënues. Pra, cili është qëndrimi juaj i fundit për këtë?

Robertson: Themelet e Kosovës nuk duhet të tronditen nga asnjë vendim i marrë në atë gjykatë. Ai përfaqëson një sërë rrethanash të veçanta. Por fakti kryesor është se janë populli i Kosovës dhe e ardhmja e tyre që kanë rëndësi në momentin e tanishëm. Unë, e kam njohur z. Thaçin dhe u përballëm me të si sekretar i Mbrojtjes i Mbretërisë së Bashkuar dhe si sekretar i Përgjithshëm i NATO-s, si dhe me lidershipin tjetër të vendit në atë kohë. Por ata janë pjesë e historisë, jo pjesë e së ardhmes së Kosovës. Dhe mendoj se është vërtet, vërtet e rëndësishme që, pavarësisht vendimit, pavarësisht vendimit që del nga gjykata, njerëzit të reagojnë në një mënyrë të qetë dhe paqësore.

Përveç kësaj, sepse nëse nuk e bëjnë këtë, nëse ka një reagim të tepruar ndaj çfarëdo që del nga ky proces i veçantë gjyqësor, atëherë kjo thjesht do të ndihmojë dhe inkurajojë armiqtë, sigurisht, qofshin ata në Beograd apo në kryeqytetet e tjera të vendeve që refuzojnë ta njohin Kosovën. Ata do të ndihmohen dhe mbështeten në pengesat që vendosin në të ardhmen e Kosovës nga çdo reagim i tepruar i njerëzve ndaj vendimit të gjykatës.

Ne besojmë, ne besojmë në sundimin e ligjit dhe Dhomat e Posaçme është pjesë e sundimit të ligjit pas luftës në Kosovë, por njerëzit duhet ta pranojnë se kjo është pjesë e historisë së rajonit, pjesë e vetë historisë së Kosovës, dhe nuk duhet të lejohet të ndotë dhe të dëmtojë reputacionin e Kosovës në botën e jashtme. Dhe kjo është arsyeja pse, e dini, unë me të vërtetë u bëj thirrje njerëzve. Si dikush për të cilin fjala Kosovë është shkruar në zemrën time, unë kërkoj t’i jepet fund paralizës politike, të zgjidhni një president të Republikës në mënyrë që të ecë përpara. Pranojeni këtë, unë kam qenë politikan gjithë jetën time, që nga mosha 15 vjeç, dhe tani jam në dekadën time të 9-të. E di se çfarë është politika. E di sa fort mund të besosh në partitë politike dhe pse ato janë më të mira se partitë e tjera politike. Pra, nuk po përpiqem të pretendoj nga ndonjë pozicion i lartë. Unë di gjithçka për këtë. Por gjithashtu e di nga përvoja e hidhur se përçarjet e brendshme thjesht u japin inkurajim, mbështetje dhe ndihmë armiqve të vendit tonë dhe të vendit tuaj gjithashtu. Dhe për këtë arsye, unë lutem, lutem sinqerisht, në emër të të gjithë miqve, nëse është e mundur, në Mbretërinë e Bashkuar, të cilët janë kaq shumë, që t’i japin fund paralizës që po ndodh, të zgjedhin një president, të ecin përpara drejt anëtarësimit si në NATO ashtu edhe në Bashkimin Evropian. Sepse aty do të qëndrojë prosperiteti i ardhshëm i vendit dhe i popullit të tij.

KOHA: Ndërkohë që kemi fragmentime të brendshme për çështje të ndryshme, siç është zgjedhja e presidentit të ri, ne kemi një konsensus të përgjithshëm këtu në Kosovë për aspiratat tona për t’u bashkuar me aleancën e NATO-s. Megjithatë, aleanca e NATO-s është pak e fragmentuar në këtë drejtim, pasi katër anëtarë nga 32 nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, duke e bërë të ardhmen e Kosovës për t’u bashkuar me Aleancën të errët, për të mos thënë më shumë. Cili është qëndrimi juaj për këtë? Si mund të bëhet Kosova një anëtar i ri i Aleancës së NATO-s, ndërkohë që kemi këtë fragmentim të brendshëm të Traktatit të Atlantikut të Veriut?

Robertson: Vlerësoj vendet tona që ende refuzojnë ta njohin Kosovën, dhe ne duhet të punojmë për këtë gjatë gjithë kohës. Dhe kjo është arsyeja pse është kaq e rëndësishme që problemet e brendshme të Kosovës të mos bëhen problem i madh brenda dhe jashtë vendit në tërësi. Ne duhet t’i bindim ata anëtarë të NATO-s, siç bëmë me Maqedoninë e Veriut. Ballkani Perëndimor do të jetë i qetë dhe i sigurt vetëm nëse është pjesë e familjes më të gjerë evropiane. Përvoja e Maqedonisë së Veriut, dhe është një fqinj i ngushtë i Kosovës. Kjo përvojë është ilustruese. Ata qëndruan të bashkuar në ndryshimin e Kushtetutës së tyre dhe në mbajtjen e referendumit, duke lëvizur gradualisht drejt anëtarësimit në NATO. Dhe tani ata ofrojnë zëvendëssekretarin e Përgjithshëm të Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut, një vend i vogël i ri, ishte në periferi, i cili kaloi nëpër trazirat e kryengritjes së vitit 2001 që ndodhi në atë kohë, i cili shpëtoi veten, solli unitet të brendshëm dhe një qeveri kombëtare në atë kohë  Dhe tani jo vetëm që janë anëtarë të NATO-s, por ata kanë siguruar zëvendëssekretarin e Përgjithshëm në atë pozicion.

Pra, Kosova duhet të ketë të njëjtën ndjenjë uniteti të brendshëm, të kapërcejë problemet e së kaluarës në mënyrë që të ecë drejt së ardhmes.

KOHA: Por kjo nuk varet vetëm prej saj, Lord Robertson, sepse Kosova ka një konsensus të brendshëm për këtë çështje. Çështja është se Kosova ende dëmtohet nga fqinji i saj verior, Serbia, e cila nuk po e pranon pavarësinë e Kosovës, gjë që do ta bënte atë një lloj normalizimi të marrëdhënieve dhe do t’i lejonte Kosovës të bëhej anëtare e NATO-s dhe BE-së…..

Robertson: Kjo është arsyeja pse Serbia është nën presion të madh në këtë moment, veçanërisht vendimi i presidentit për t’i dhënë lamtumiren me nderime ushtarake gjeneralit Mlladiç, kasapit të Sarajevës. Dhe ky presion do të rritet.  Por për sa kohë që ekziston një paralizë e vazhdueshme politike, kjo thjesht ndihmon në shpërqendrimin e vëmendjes nga ajo që po ndodh në Serbi. Parandalon presionin që i bëhet Serbisë në izolimin që ka në lidhje me Kosovën. Pra, të gjitha janë të ndërthurura.

Katër anëtarët e NATO-s që ende nuk do ta njohin Kosovën dhe Kosova është e pavarur. Të gjithë po shikojnë me kujdes se çfarë po ndodh brenda Kosovës. Po, ka një konsensus, për bashkëngjitje në Bashkimin Evropian. Sigurisht që ka. Mendoj se do të ketë edhe në të ardhmen në Kosovë. Por ata nuk duket se bien dakord për gjëra të tjera. Ata nuk po bien dakord për një president të ri për vendin. Kjo ndihmon armiqtë e mundshëm gjatë gjithë kohës. Kjo e inkurajon Serbinë të vazhdojë të zvarrisë njohjen e të mundshmeve. Shpresoj që njerëzit të mos u bëjnë bisht propagandistëve serbë, të cilët deri më tani kanë qenë relativisht të suksesshëm, por që janë atje në planin afatgjatë do të dështojnë në objektivin e tyre.

KOHA: Pyetja ime e fundit ka të bëjë kryesisht me çështjen e sigurisë. Kosova dhe Gadishulli Ballkanik sigurisht nuk janë të izoluara nga pjesa tjetër e botës. Ne kemi një luftë aktive në Ukrainë, siç e dimë të gjithë, e cila tani po hyn në vitin e saj të pestë. Cila është çështja më e rrezikshme në rajonin tonë dhe në Kosovë, veçanërisht në aspektin e sigurisë këto ditë? Cila është çështja më e rrezikshme në aspektin e sigurisë dhe a shihni ndonjë mundësi që ndonjë konflikt të përhapet në rajonin tonë?

Robertson: Shoh mundësinë e konfliktit që na shikon në fytyrë. Ajo që ndodhi në Ukrainën lindore mund të ndodhë lehtësisht edhe në pjesë të tjera të botës. Dhe kjo është arsyeja pse solidariteti me Ukrainën dhe mbështetja e saj në fushatën e saj kundër Rusisë së Vladimir Putinit është kaq e rëndësishme. Isha në Ballkan fundjavën e kaluar. Isha në Slloveni në Konferencën e Sigurisë në Bled. Dhe dëgjova katër kryeministrat e asaj pjese të botës, Sllovenisë, Sllovakisë, Hungarisë, në një platformë. Dhe ajo që njoha atje ishte angazhimi i tyre për të mbështetur Ukrainën dhe betejën e saj në momentin e tanishëm.

Mos u gaboni për Vladimir Putinin. Objektivat e tij nuk mbarojnë thjesht me Ukrainën. E njoha kur isha sekretar i Përgjithshëm i NATO-s. E takova 9 herë. Jam një nga të paktët njerëz që në të vërtetë kisha një marrëdhënie të mirë dhe të mirë me të në atë kohë. Por ai ka ndryshuar ndërkohë. Më 28 maj 2002, ai qëndroi pranë meje në konferencën për shtyp në samitin NATO-Rusi. Dhe tha këto fjalë, Ukraina është një vend sovran dhe i pavarur dhe do të marrë vendimet e veta për paqen dhe sigurinë. Por ai njeri tani ka ndryshuar plotësisht dhe dëshiron ta përvetësojë me dhunë Ukrainën në konceptin e tij, në konceptin e tij megaloman të një Rusie të re. Dhe ambiciet e tij nuk kufizohen vetëm në Ukrainë. Ne jemi të gjithë nën sulm për momentin, qofshin sulme kibernetike, sabotim, ndërhyrje në zgjedhje, fushata dezinformimi, e gjithë kjo po vazhdon në atë që quhet nivel nën prag. Ata na kanë shpallur luftë. Jemi në një gjendje paqeje dhe duhet ta ndryshojmë këtë plotësisht.

Dhe kjo është arsyeja pse Ballkani Perëndimor duhet të qëndrojë kundër ndërhyrjes nga Rusia. Sulmi nuk do të vijë vetëm përmes tankeve dhe raketave. Mund të jetë shumë më delikat sesa ai përmes sulmeve kibernetike dhe sabotimit, vrasjeve të synuara. Të gjitha këto gjëra janë në manualin e Kremlinit. Dhe ne duhet të qëndrojmë kundër kësaj, prandaj, dhe po kthehem te pika ime, pse uniteti kombëtar i Kosovës në këtë moment është kaq i rëndësishëm në mënyrë që Vladimir Putin të krijojë mendimin e qartë se Kosova, si pjesë e aleancës perëndimore në tërësi, qëndron e vendosur kundër objektivave të tij të dhunshme.

KOHA: Lord George Robertson, ju falënderoj përsëri për kohën dhe mendimet tuaja që i ndatë me audiencën tonë këtu në Kosovë.

Robertson: Është një kënaqësi e madhe të jem me ju sot.

Haxhiu liron nga detyra 18 gjyqtarët serbë që dhanë dorëheqje më 2022

Radio Evropa e Lirë

Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Albulena Haxhiu, njoftoi se ka liruar nga detyra të 18 gjyqtarëve serbë, që dhanë dorëheqje në vitin 2022.

Këtë vendim ajo e mori pas propozimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), i cili më 27 gusht vendosi për kërkesën e gjyqtarëve serbë të cilët kishin kërkuar të tërhiqnin vendimin e dorëheqjes.

Vendimi për lirimin nga detyra të gjyqtarëve serbë vjen pasi Haxhiu në korrik liroi nga detyra shtatë prokurorë serbë që kishin dhënë dorëheqje më 2022.

Rreth 130 gjyqtarë, prokurorë dhe punonjës administrativë të sistemit të drejtësisë kishin dhënë dorëheqje në fund të nëntorit 2022, në kuadër të largimit kolektiv të serbëve nga institucionet e Kosovës në katër komunat me shumicë serbe në veri – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.

Ky veprim – i nxitur nga Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, që mbështetet nga Beogradi – erdhi në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për t’i hequr nga përdorimi targat e automjeteve të lëshuara nga Serbia dhe për t’i zëvendësuar ato me targa të Kosovës.

BE-j ka kërkuar që çështja e riintegrimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve të dorëhequr serbë të zgjidhet në kuadër të dialogut mes dy vendeve fqinje, por Kosova dëshiron t’i lirojë ata nga detyra dhe t’i plotësojë vendet e tyre përmes konkurseve të reja për gjyqtarë dhe prokurorë serbë.

Pas vendimit të KGJK-së për të refuzuar kërkesën për tërheqjen e dorëheqjeve, BE-ja reagoi duke shprehur “keqardhje të thellë”.

“Këto vendime duket se nuk janë në përputhje me ligjet në Kosovë, me proceset e rregullta dhe me kërkesat e përgjithshme për sundimin e ligjit në Kosovë”, tha një zëdhënës i BE-së, duke u referuar vendimeve të KGJK-së dhe të Këshillit Prokurorial të Kosovës, organe që refuzuan kërkesat për tërheqjen e dorëheqjeve.

Autoritetet e Kosovës kanë ngulur këmbë se rikthimi i serbëve në institucionet e Kosovës nuk mund të jetë çështje politike, por duhet të trajtohet si çështje juridike dhe kushtetuese.

Pas propozimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, në përputhje me përgjegjësitë kushtetuese dhe ligjore, sot kam liruar nga detyra 18 gjyqtarë serbë, të cilët kishin dhënë dorëheqje në vitin 2022.

Lumir Abdixhiku: Jo dorëzim. Jemi shumë. Jemi në të drejtë. E kemi detyrim. Republika megjithate do të triumfojë!

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abidxhiku, ka reaguar sërish për kundërshtimin e gjashtë deputetëve të partisë që ai e drejton për ta votuar kandidatin për president të propozuar nga vetë LDK-ja:

 

Mirëmëngjesi, Kosovë!

Dje nuk u refuzua asnjë marrëveshje qeverisëse me VV-në, sepse një marrëveshje e tillë nuk ekzistonte. LDK-ja kishte vendosur të qëndronte në OPOZITË. Të gjithë deputetët tanë ishin pajtuar me këte pozicion.

Prandaj, për çfarë po rrahin gjoks?

Çfarë paskan shpëtuar?

Dje u refuzua zgjidhja e Presidentit të Kosovës. U refuzua votimi i kandidatit të propozuar nga LDK-ja dhe, me këtë refuzim, u përcaktua edhe fati i vendit, zgjedhje të reja.

Dëm mund të bëjë çdo kush.

Për këtë, ja dora!

Por siç ju kam thënë në vitin 2020, kur u verbuat dhe sollët LDK-në në 12%; po ju them dhe tani, ky veprim është dëm vetëm ndaj LDK-së. Se si nuk e shihni këtë, se si nuk ndjeni këtë fat, se si ndiheni të përmbushur nga lëvdatat e atyre që gjithë jetën janë anti-LDK, këtë nuk e kuptoj!

Zgjedhjet e reja nuk kanë qenë agjendë e LDK-së. Nuk kanë qenë as kërkesë dhe as vendim i anëtarësisë sonë. Por tash e sa muaj, ato kanë qenë agjendë e qartë e grupeve të tjera politike, të cilat, siç duket, tashmë po ndikojnë edhe në rrjedhat tona me sukses.

Për këtë ndiej vetëm keqardhje!

Por jo dorëzim. Jemi shumë. Jemi në të drejtë. E kemi detyrim. Republika megjithate do të triumfojë!

Jusuf Buxhovi si nismëtari i LDK-së tregon të pathëna të vërteta që dhembin

“Po na vrasin” i shkruan Rugova Jusuf Buxhovit, njeriut të tij të afërt në Bon, duke i shprehur shqetësimin për vrasjet e Enver Malokut, Xhemajl Mustafës, Komandant Drinit etj. “Çakejtë”. Kështu i quan ata. Kush e ka njohur Rugovën, e di shumë mirë se ai nuk ia lejonte kurrë vetes të përdorte etiketime pezhorative për kundërshtarët politikë, edhe kur ndaj tij janë ndërmarrë dy atentate pas luftës si President i Kosovës.

Të krahasohet Elita Kombëtare e Kosovës, që duke patur mbështetjen direkte të SHBA që në startim e krijoi LDK 35 vjet më parë, si e para parti pluraliste në ish Jugosllavi, duke u bërë shembull për ish Republikat jugosllave, sot me do anonimate, do anonimë, me do minuka që e kanë kthy “Rugovizmin” në rreckë dhe e kanë kapur e marrë peng LDK, zyrtarisht prej 2007.

Por Prof. Jusuf Buxhovi, The last of the Mohicans”, Mohikani i fundit i Elitës Kombëtare tregon se Rugova i ka patur brënda në LDK, ata që kanë dasht me i bo puçe dhe me e largu nga kreu i saj, sidomos pas pengmarrjes nga kryekasapi Milosheviç e mori peng.

Kush ndihet Rugovist, kush ndihet shqiptar që mendon me trunin e vet, kush e vlerëson LDK, por edhe ata që prej 2007 deklarativisht e zyrtarisht janë kthyer në patarica të PDK-së, por edhe çdokush që ka dëshirë të dëgjojë të vërtetën e LDK- së prej gjenezës, krijuar nga Elita Kombëtare e Kosovës.

Mund të ketë edhe nga ata që duan të reflektojnë apo që do t’ju vrasë ndërgjegjia, apo që do të mbeten deri në fund çakej apo që t’ju shërbejë si katharsis, le ta shohin e dëgjojnë këtë intervistë që për nga të vërtetat që shqiptohen nga një pjestar dhe dëshmitar meriton hapësira kohe sepse hyn në histori.

Sepse Prof.Jusuf Buxhovi është nismëtari i LDK.

Sveçla shpallet fajtor për hedhje të gazit lotsjellës në Kuvend

Hedhja e gazit lotsjellës në sallën plenare të Kuvendit më 21 mars 2018.

 

Radio Evropa e Lirë

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, është shpallur fajtor për hedhje të gazit lotsjellës në Kuvend më 21 mars 2018, në ditën kur ishte ratifikuar marrëveshja e demarkimit të kufirit me Malin e Zi.

Gjykatësi i rastit në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Sabit Sadikaj, tha se vendimi për veprën penale “përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm” do të shpallet më 8 shtator, raporton Betimi për Drejtësi.

Në seancën e 8 shtatorit, palët do të paraqesin rrethanat lehtësuese dhe rënduese për këtë rast.

Më 10 prill, para gjykatës Sveçla ishte deklaruar i pafajshëm. Ndërkaq, në seancën e 2 shtatorit, ai nuk ishte i pranishëm në gjykatore.

Njoftimi për shpalljen fajtor të Sveçlës vjen disa ditë pasi Gjykata Themelore në Prishtinë e liroi nga akuzat për hedhje të gazit lotsjellës në Kuvend ministrin në detyrë të Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca.

Sipas aktakuzës së ndryshuar, Sceçla akuzohet se më 21 mars, në sallën plenare të Kuvendit, gjatë një seance të jashtëzakonshme ka përdorur gaz lotsjellës. Sipas Prokurorisë, ai e ka aktivizuar bombolën me gaz dhe e ka hedhur brenda sallës disa herë pa paralajmërim, duke mos u dhënë personave të pranishëm mundësi për t’u larguar.

 

Prokuroria ka hequr dorë nga ndjekja penale për veprën “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”, për shkak të parashkrimit të kësaj vepre.

Bashkë me Sveçlën akuzohen edhe ministrja në detyrë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Fitore Pacolli-Dalipi, ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Salih Zyba dhe ish-deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Drita Millaku.

Gazi lotsjellës është përdorur nga deputetët e Kuvendit të Kosovës për të kundërshtuar një sërë zhvillimesh politike.

Më 2015, deputetët e LVV-së, që kundërshtonin marrëveshjen për normalizimin e raporteve me Serbinë hodhën gaz lotsjellës në sallën plenare.

Më pas, edhe ata të Aleancës dhe Nismës Socialdemokrate iu bashkuan kundërshtimit për marrëveshjen për demarkimin e kufirit me Malin e Zi, duke hedhur gaz në ambientet e Kuvendit.

Tre vjet më vonë, kur kjo marrëveshje u votua, në Kuvend sërish u hodh gaz lotsjellës dhe pati tensione dhe protesta brenda dhe jashtë ambienteve të organit ligjvënës.

Abdixhiku : 6 deputetë të LDK-së nuk e votojnë Bekim Sejdiun për president, po e dërgojnë vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme

Gjashtë deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk do ta respektojnë vendimin e Kryesisë së partisë për marrëveshjen me Lëvizjen Vetëvendosje për votimin e Bekim Sejdiut për president të Kosovës.

Kështu bëri të ditur kreu i LDK-së Lumir Abdixhiku pas mbledhjes së grupit parlamentar të LDK-së.

“Me keqardhje të madhe për popullin e Kosovës, për fatin e Republikës, gjashtë deputetë të LDK-së kanë vendosur të mos e respektojnë vendimin e Kryesisë së LDK-së, konkretisht Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami, Arben Gashi, Armend Zemaj, Kujtim Shala dhe Janina Ymeri kanë deklaruar se nuk e votojnë kandidatin e propozuar dhe në këtë fazë konsideroj se po i bëjnë dëm të pariparueshëm gjithë procesit dhe pashmangshëm, pa nevojë, po e dërgojnë vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme” – tha Abdixhiku.

Tutje, Abdixhiku kritikoi qëndrimin e 6 deputetëve, i cili, sipas tij, do të ketë pasoja zgjedhore për LDK-në.

“Ky pozicion është i dëmshëm për Kosovën dhe për LDK-në. Në çdo palë zgjedhje të ardhshme që shkaktohen për shkak të këtij refuzimi, se kandidatura ishte e shkëlqyeshme, do të ketë pasoja të ardhshme zgjedhore që do ta konsolidojnë pushtetin absolut, dhe për vetë LDK-në”- tha Abdixhiku.

Kreu i LDK-së tha se deputetët që nuk respektojnë vendimin e Kryesisë do të duhej ta dorëzonin mandatin e deputetit.

“Secili njeri që nuk respekton vendimet e Kryesisë më së paku duhet të ndihet përfaqësues i LDK-së. Nëse asgjë tjetër, duhet ta dorëzojnë mandatin e deputetit. Jo, asnjërit s’ia kam kërkuar, po flas personalisht çka kam bërë unë kur s’jam pajtuar në të kaluarën”- deklaoi ai pas mbledhjes së grupit parlamentar të partisë.

Deklarimet e fundit të figurave të LDK-së treguan se brenda partisë ende nuk ka një qëndrim të unifikuar lidhur me propozimin e LVV-së dhe LDK-së për Bekim Sejdiun si kandidat për president të Republikës, anipse më parë u publikua deklarata e përbashkët që marrëveshja politike u votua unanimisht në Kryesinë e partisë.

Disa nga deputetët pas mbledhjes së Kryesisë dhe para mbledhjes së grupit parlamentar u deklaruan pro kësaj kandidature, por pati prej tyre që folën me skepticizëm e deri te refuzimet për përgjigje.

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, ka deklaruar se qëndrimi i tij është i qartë: mbrojtja e LDK-së dhe shmangia e asaj që ai e konsideron si “kurth të Albin Kurtit”.

“Qëndrimi im është mbrojtja e LDK-së dhe asnjëherë me ra në kurthën e Albin Kurtit”- ka thënë Zemaj pas mbledhjes së Kryesisë.

Ndërkohë, Hykmete Bajrami, e pyetur për qëndrimin e saj, ka bërë të ditur se do ta japë atë brenda strukturave të partisë.

Edhe Avdullah Hoti nuk ka dhënë një përgjigje, por vetëm tha “se e ka bërë qëndrimin publik”.

Ai nuk u përgjigj se a do të qëndronte në sallën e Kuvendit për ta bërë kuorumin.

Nga ana tjetër, Anton Quni ka bërë publik pozicionin e tij sa i përket kandidaturës për president.

“Kam mbështetur kandidaturën e Sejdiut si president i ardhshëm”- ka deklaruar Quni.

Ndërsa Arben Gashi ka qenë më i rezervuar, duke thënë: “E flasim brenda, ta shohim”.

Ndërkaq, Doarsa Kica-Xhelili tha se është më subjektive karshi kandidaturës sepse Bekim Sejdiun e njeh në aspektin profesional shumë më gjatë se tash që po propozohet si emër nga dy parti politike.

“Unë me qëllim deri më tani nuk jam deklaruar sepse kam prapavijë pak më ndryshe në raport me këtë kandidaturë, jo në kuptimin negativ sepse unë zotëri Sejdiun e kam njohur përmes angazhimit tim si avokate”- tha për media Kica-Xhelili.

Ajo tha se në aspektin profesional ai i përmbush të gjitha kriteret, por tha se a do të arrihet në unanimitet mbetet të shihet, pasi që duhet konsensus i plotë.

“Vota ime në parim do jetë pro nëse dakordohet edhe grupi parlamentar. Unë si Doarsë e kam të vështirë të gjej arsye mos ta votoj”- tha ajo.

Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës ka miratuar unanimisht marrëveshjen politike për tejkalimin e krizës institucionale dhe ka mbështetur nominimin e profesor Bekim Sejdiut për President të Republikës së Kosovës.

Një ditë më parë (31.08.2026) LDK dhe Lëvizja Vetëvendosje arritën marrëveshje që Bekim Sejdiu të jetë kandidat për president të ri të vendit.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, gjatë një konference për media bashkë me Albin Kurtin dhe me zyrtarë të tjerë të të dyja partive, ka thënë se gjatë diskutimeve të përbashkëta janë dakorduar për emrin e Sejdiut.

Kandidati i përbashkët për president të vendit, Bekim Sejdiu, ka deklaruar me këtë rast se është i nderuar për besimin që i është dhënë për këtë pozitë.

Sejdiu tha se motiv i tij i parë dhe kryesor ka qenë që të vihet në shërbim të Republikës së Kosovës. Ai ka falënderuar partinë e Albin Kurtit dhe atë të Lumir Abdixhikut për besimin që ia kanë dhënë.

Para Sejdiut, Lumir Abdixhiku, lider i LDK-së në konferencën për media tha se bisedimet me LVV-në nuk ishin të lehta, por ishin “shteruese”.

Ai e ka falënderuar Lëvizjen Vetëvendosje për bisedimet dhe sipas tij kanë bërë “një punë të mirë, të mbarë për Republikën tonë.”

LVV dhe LDK e diskutojnë brenda partive marrëveshjen për presidentin

Deputetë të LDK-së në Kuvend. Foto arkivi.

 

Radio Evropa e Lirë

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) pritet të diskutojnë marrëveshjen e arritur për presidentin e shtetit me struktuarat e tyre partiake.

Grupi Parlamentar i LVV-së do të mbajë mbrëmjen e së martës një mbledhje ku, siç merr vesh Radio Evropa e Lirë, pritet të diskutohet rreth nominimit të Bekim Sejdiut për president të Kosovës.

Takim me strukturat e partisë pritet të mbajë edhe LDK-ja.

Burime të REL-it brenda kësaj partie tregojnë se kryesia e LDK-së do të mblidhet sot në orën 14:00, për të diskutuar çështjen e kandidimit të Sejdiut.

Ndërkaq, në orën 16:00 për këtë pritet të diskutohet edhe brenda Grupit Parlamentar të kësaj partie.

Prezantimi i Bekim Sejdiut si kandidat për president nga LVV-ja dhe LDK-ja u bë më 31 gusht, pas negociatave disa javëshe midis dy partive.

Për zgjedhjen e tij president kërkohet prania e të paktën 80 deputetëve në sallën e Kuvendit, i cili ka gjithsej 120 vende.

LVV-ja e Albin Kurtit fitoi 53 mandate në zgjedhjet e qershorit dhe, së bashku me deputetët e komuniteteve joshumicë, ka të paktën 61 vota, të mjaftueshme për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë së re.

Nëse deputetëve të LVV-së dhe dhjetë deputetëve nga pakicat joserbe iu bashkohen 18 deputetët e LDK-së, numri arrin në të paktën 81 vota.

Megjithatë, deri tani, një deputet i LDK-së, ish-kryeministri Avdullah Hoti, publikisht ka dalë kundër kandidaturës së Sejdiut.

Takimi i paparalajmëruar mes Kurtit e Abdixhikut për presidentin përfundon pa ndonjë rezultat

Radio Evropa e Lirë

Një takim i paparalajmëruar mes Liderit të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) në pushtet, Albin Kurti, dhe kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në opozitë, Lumir Abdixhiku, për arritjen e një marrëveshjeje për zgjedhjen e presidentit të ardhshëm të Kosovës, ka përfunduar pa ndonjë përparim të shtunën vonë.

Kurti, kryeministër në detyrë, dhe Abdixhiku, janë duke zhvilluar bisedime në përpjekje për ta arritur një marrëveshje për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit, që do t’i jepte fund krizës pothuajse dyvjeçare institucionale.

Por takimi i së shtunës nuk ishte paralajmëruar paraprakisht dhe asnjëri prej liderëve nuk foli për media për bisedimet më të fundit.

Megjithatë, i pyetur nga gazetarët duke dalë nga takimi nëse ishte arritur ndonjë përparim, Kurti tha: “Kur të kemi rezultate nga ana jonë, do të kemi lajme për ju”.

Kurti heshti kur u pyet nga gazetarët se çfarë emrash ishin përmendur për president gjatë bisedimeve.

Ky ishte takimi i dytë këtë javë mes tyre, pas atij të mërkurën, pas të cilit të dy liderët thanë se kishin biseduar për emrat e mundshëm për presidentin e ardhshëm, duke i cilësuar negociatat si të “vështira”.

“Jemi në një fazë të re, kur po bisedojmë për dhe me emrat konkretë e të përveçëm, të cilët nuk mund të behën publik derisa të ketë pajtueshmëri për ta dhe me ta”, kishte thënë Kurti pas atij takimi.

Për shkak të mospajtimeve mes partive parlamentare për pasardhësin e Vjosa Osmanit, Kosova mbajti zgjedhje të parakohshme në qershor.

Dhe ajo rrezikon të mbajë sërish zgjedhje, që do të ishin të katërtat parlamentare në dy vjetet e fundit, nëse nuk zgjidhet presidenti i ri deri në fillim të shtatorit.

Vendi është me ushtruese të detyrës së presidentit, Albulena Haxhiun, qëkurse Vjosa Osmanit i mbaroi mandati në prill.

Haxhiu, sipas Kushtetutës mund ta ushtrojë këtë post vetëm për gjashtë muaj – pra deri më 4 tetor.

Akti më i lartë juridik në vend nuk ka paraparë e çfarë ndodh nëse përfundon kjo periudhë dhe vendi s’ka president të ri.

LVV-ja dhe LDK-ja, pas dështimit të bisedimeve për bashkëpunim qeveritar, kanë mbajtur tri takime ku kanë biseduar për një marrëveshje të mundshme për presidentin e ardhshëm, por nuk kanë treguar se kush janë kandidatët e mundshëm.

Çështja e presidentit ishte pika më e nxehtë edhe në bisedimet e dështuara për bashkëqeverisje mes LVV-së dhe LDK-së.

Partia e Kurtit i fitoi 53 mandate në zgjedhjet e fundit dhe, së bashku me partitë e komuniteteve joshumicë, i ka votat e mjaftueshme prej të paktën 61 sosh, për të konstituuar Kuvendin dhe krijuar Qeverinë e re.

Megjithatë, nevojitet prania e 80 deputetëve në Kuvendin me 120 vende që votimi për presidentin e Kosovës të jetë i vlefshëm.

Me një marrëveshje të mundshme me LDK-në për çështjen e presidentit, e cila i fitoi 18 vende, atëherë do të arriheshin të paktën 81 vota, mjaftueshëm për votimin e presidentit të ri, nëse të paktën 80 prej tyre do të qëndronin në sallë.

BIK kërkon hetimin e dokumentit në dosjen e Shehollit dhe pretendimeve për gjoja lidhje me shërbimin serb

Radio Evropa e Lirë

Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) ka kërkuar nga autoritetet e vendit ta hetojë “vërtetësinë” e një dokumenti të quajtur “Top sekret” në aktakuzën ndaj një të dyshuari për spiunazh për Serbinë, dhe pretendimet që përmban dokumente se gjoja kjo bashkësi fetare është e ndikuar nga shërbimet sekrete të shtetit fqinj.

Në një deklaratë publike të shtunën, myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, tha se publikimi i materialeve të paraqitura si pjesë e aktakuzës së ngritur këtë javë ndaj Fatmir Shehollit për spiunazh dhe dokumenti i cilësuar në publik si “Top sekret”, kanë krijuar “një situatë që kërkon maturi, përgjegjësi dhe, mbi të gjitha, zbardhjen e plotë të së vërtetës”.

Prokurorët e akuzojnë Shehollin – i cili ndodhet në paraburgim qëkurse u arrestua tetorin e kaluar – se ka bashkëpunuar me Agjencinë e Sigurisë dhe Informacionit të Serbisë (BIA).

Në aktakuzën kundër tij, ndër të tjera, thuhet edhe se në telefonimin e sekuestruar të Shehollit ishte gjetur një fotografi e një dokumenti që ka mbishkrimin “Top sekret 2”, të shkruar në gjuhën serbe.

Në të thuhet se fonde të mbledhura nga ambasadat islamike në Beograd do të investoheshin në ndërtimin e xhamive në Kosovë për gjoja të shtrirë ndikimin e islamit në Kosovë, përçarë shqiptarët, nxitur emigrimin dhe ndryshuar perceptimin e Perëndimit për Kosovën, me synimin për ta krijuar një terren ku Serbia do të mund të rikthente Kosovën nën juridiksionin e saj.

Tërnava tha se përmbajtja e pretendimeve të tilla është arsyeja pse ai po u drejtohej qytetarëve, institucioneve kompetente, Prokurorisë Speciale dhe të gjitha organeve profesionale të së Kosovës “me një kërkesë të qartë: çdo pretendim i paraqitur në publik duhet të verifikohet në mënyrë të plotë, profesionale dhe institucionale”.

“Nëse një dokument i tillë ekziston dhe nëse është autentik, duhet të bëhet e qartë kush e ka hartuar, nga cili burim ka ardhur, për çfarë qëllimi është përgatitur, në çfarë rrethanash është përdorur dhe çfarë vlere ka në aspektin faktik dhe provues”, theksoi shefi i BIK-ut.

Ai i cilësoi pretendimet në atë dokument si “jashtëzakonisht të rënda”.

“Për këtë arsye, ato nuk mund të trajtohen as si të vërteta të mirëqena dhe as të mbeten vetëm në nivelin e interpretimeve apo deklarimeve publike. Ato duhet t’i nënshtrohen verifikimit të plotë institucional, mbi bazën e fakteve, dokumenteve dhe provave”, nguli këmbë ai.

Kosova është vend me shumicë myslimane, me rreth 95 për qind të banorëve që u deklaruan se i përkasin besimit islam në regjistrimin e fundit të popullsisë më 2024.

Kjo nuk është hera e parë që pretendohet se shërbimi sekret serb synon t’i përdorë grupet islame në Kosovë.

Prokuroria Speciale, në një kërkesë për mbajtjen në paraburgim të Fehim Salit, i cili akuzohet për spiunazh për Serbinë, kishte thënë se Sali mblidhte, ndër të tjera, informacione për persona që i përkasin sektit vehabi.

Tërnava theksoi se, “po aq e rëndësishme është të sqarohet nëse dhe në çfarë mase ky dokument, apo materiale të tjera të ngjashme, janë përdorur gjatë viteve të fundit si bazë për akuza, fushata apo veprime kundër Bashkësisë Islame të Kosovës, institucioneve të saj, xhamive, medreseve, teologëve, imamëve dhe udhëheqësve të saj”.

Bashkësia Islame e Kosovës ka të drejtë dhe detyrë të kërkojë që emri, veprimtaria dhe kredibiliteti i saj të mos cenohen përmes pretendimeve të pa verifikuara, shtoi ai.

Ndërkohë, gjyqi kundër Fatmir Shehollit do të nisë më 7 shtator.

Rasti i Shehollit është një nga disa raste të spiunazhit të dyshuar për Serbinë që autoritetet kosovare kanë hetuar viteve të fundit.


Send this to a friend