I SHPIRTIT TË POPULLIT MARGARITARI…
Dritëro Agollit
Maksimum i fjalës s`mund të jetë lavdia,
Lavdia fjalën, kohë më kohë, gërryen,
Maksimum i fjalë mbetet thjeshtësia,
Vetëm ajo freskinë e ëmbël ruan.
Dijetarë,njerëz të rrugës,porositës
Të thjeshtën ngritën në këmbë,
O ti,njeriu me krifë luani,shpotitës,
I thjeshtë si buka ngjyer me hënë.
Ti i thjeshti dhe bukurshkruesi i ndjenjës,
Në shtrat legjendash gatuar me tokë,
Vjen ashtu përmes rrëfenjës,
Pranë hardhisë që lotët shkund në gotë.
Pranë bukurisë së humanizmit vizllues
Merr thjeshtësinë dhe thellësi ndjenjash
Me të mbush…
Permasave të tyre ajo shkon,
Përkëdhelje e ajërt bukurie,
Dhe shoh si madhështia s`tepron,
Për pamjen tënde që veç ty të ka hije…
Maksimum i fjalës s`mund të jetë lavdia
Thjeshtësia mbetet tokë bujare e saj,
Koha që çel e mbyll sytë me mijëra
Vetëm mbi të thjeshtën mund t`i mbajë.
Ti ngrite të thjeshtën që të tjerë
E panë dhe s`e shikuan atypari..
Me krifë luani nëpër erë,
Mendjendezur,bukëvalë ugari.
I shpirtit të popullit,Margaritari…
VALLJA E RRAJCËS
Artistit Sadi Halilit
Si të mos qe lindur nga toka
Ngrihet kjo valle në ajër,
Me hapa burrash gjëmoka,
Tinguj të paardhur që janë duke ardhur…
Gjëmon tej Qafë Thanës me valë Nositi,
Liqer i Lasgushit dhe poezisë,
Shpalos flamuj valësh e stërpitka
Me nojmën e shamisë.
Unaza të palidhura gjymtyrët
Lidhen njëherësh në befasi,
Thërrasin tinguj,thërrasin ngjyra
Dhe vallja ngrihet me gjoks e fshehtësi…
Fshihem, përfshihem në valle të Rrajcës
Vlug nëpër shekuj kësaj ane,
Ajo shkëmbit i rrëmbeu palcën
Kodrës një lulethane…
Dorë më dorë afroj e shtyj tutje
Çfarë ngec në përditshmëri,
Thërras me të popullin e muzgjeve
Të sotmin në hijeshi…
Hutohem me fill të pakapshëm
Faj ka shpirti, faj ka trilli,
E krijoi atë ky popull i mbajtur
Një zë i dha Sadi Halili…
DRURËT…
Brigjet puth ky lumë
Indeferente ato,
Ngjan
Flenë gjumë.
Sërish valë puthjesh bie
E puth e nduk…
Nga kjo prekje dashurie
Mbinë mbi brigje
Fëmijtë e tyre
Drurët…
PËRRUA I FËMIJËRISË
Me vështrim ujin ia pija,
Kur e humbte brenda vetes,
Kur pranë tij rrija
I shprushur prej etjes.
Drerin e valës nëpër gurë
Lëshonte në ikje,
Kapja këtë dre ,sikur
Mbi brirë yje i ndizja.
Kur shterte gurgullimat, thërrisja
Malet të qanin për shi,
Në rrëke të befta buçisnin
Dhe mbushnin shtratin e tij.
E pata të dashur si të qe i gjallë
Fëmijërinë ma mbushi me rrjedhë
Shelgjeve që i trazonte me valë
U hoqi hidhësinë për të përcjellë
Hijeve të tyre dashurinë
Që fekste në vrap të shtegut,
Kur njërës ia rrëmbeva shaminë
Më la hidhësinë e shelgut..
E prapë u ktheva ta pyesja
Valët që i shkumbëzonin pa babëzi,
Kryet nën të zhysja
Me trok ëndrrash mbi valë,përmbi.
Tani sa larg,fëmijë të tjerë
Ai thërret ndoshta si unë,
Unë i çoj mallin tim të mjerë
Si tharm platitës nëpër shkumë…
Komentet