VOAL

VOAL

NJË ZOG KËNDON – Poezi nga GUILLAUME APOLLINAIRE – Shqipëroi ELIDA BUÇPAPAJ

July 16, 2018
blank

Komentet

blank

Shtegtim në Alpe me Mhill Vatën… – Nga LULZIM LOGU

Mhill Vatën e kam takuar para shumë vitesh në Rrogam të Shalës, ndërsa isha mik në shtëpinë e njohur të Cak Bashës, një kullë e vjetër, por krenare, e cila dominonte mbi luginën e bukur , poshtë të cilës rridhte e fshehur nën zall Valbona, e cila mblidhte ujin e Ujvarës së Rrogamit dhe ja mësynte poshtë, për tu shfaqur si shtojzovalle në fshatin Valbonë.

Gjyshi i tij,Bash Vata i Thethit ishte i përmendur në dy Malësitë, atë të Gjakovës, dhe atë të Shkodrës. Bash Vata.ka punuar me figurat e njohura për çështjen kombëtare si Luigj Gurakuqi, por më shumë me Bajram Currin. Korrjer i Bajram Currit e i Bash Vatës së Thethit ka qënë Syl Alija i Kukajve, Valbonë.

Në revolucionin e vitit 1926, kundër regjimit zogist, Vat Smajli, nipi i Bash Vatës, djali i vëllait, u dënue me burgim të përjetshëm e vdiq në burgun e Durrësit. Baba, Cak Basha u torturua dhe u dënua se mbajti besën e zotit me miqtë e tij që ndiqeshin e përsekutoheshin nga regjimi komunist.

Kjo shtëpi, në të gjitha kohërat është përmendur për bukën e dhënë, buka e Malësisë së Gjakovës.Buka e duarve fisnike të nënës Groshe, grua e cila pas vdekjes së burrit e mbajti të bashkuar familjen e saj, rriti dhe edukoi me mundim dhe sakrifica djemtë dhe vajzat e saj, të cilët kudo që jetojnë, mbajtën lart emrin dhe nderin e kullës dhe të familjes.

Mhilli, më i vogli i tyre gjithmonë ka ëndërruar shkollimin e tij dhe arriti të diplomohet për gjuhë dhe letërsi në Universitetin “ Luigj Gurakuqi” në Shkodër. Ka punuar mësues një kohë, por edhe punë të tjera, të ndryshme, ndër këto edhe me TVSH,ku ka realizuar disa dokumentarë ,ky është edhe pasioni i tij tashmë dhe vazhdon. Kryesisht lidhur me dikumentimin e etapave të ndryshme historike, promovimin e turizmit malor, portretizimin e figurave të njohura të zonës, por jo vetëm.

Për shumë vite, i lindur dhe rritur nën këmbët e Jezercës, në pejsazhin mahnitës të Alpeve ai me vite të tëra merret me gjurmimin e dhisë së egër dhe shqiponjës së alpeve, filmime të rralla dhe me cilësi të lartë prej një profesionisti të kamerës.

Studio e tij “ Valbona” tashmë është e identifikuar përmes dokumentarëve të njohur dhe të mirëpritur nga opinion si:

Jezerca madhështore.

Jeta që heshti në male.

Shembull frymëzimi në Alpe.

Forca e Kelmendit.

Dëshmorët e Xhanit.

Pulti nderon lavdinë e të parëve.

Dhia e egër e Alpeve.

Thethi dhe turizmi malor.

Rikthimi i kumonës në Kishën e Gimajve.

Shenjti imrekullive dhe besimtarët e tij.

Gjurmët e lashtësisë.

Heronjtë e bjeshkëve.

Trojet arbnore mbi kreshtat e Pultit…

Lista e punëve të tij vazhdon gjatë, ndërkohë që frymëzimi, krenia e tij dhe emri i krejt veprimtarisë së tij artistike mbeten Alpet si areali madhështor i bukurive dhe pasurive të pafundme natyrore.Në vitin 2015, me një kamerë të thjeshtë u ngjit bjeshkëve të filmojë dhe dokumentojë jetën e një specie të njohur të alpeve, të dhisë së egër. Dokumentari i tij, me titull “ Mbretnesha e Alpeve” përbën një arritje madhështore e këtij lloji, një traktat njohje dhe njëkohësisht mbrojtje për këtë specie, mrekulli dhe pasuri e alpeve tona. Por edhe të shqipeve të Alpeve.

Një djalë i ndrojtur, modest pafund dhe fjalëpak, vështirë të identifikohet ndonjëherë në mesin e kolegëve të tij të shumtë, me eksperiencë dhe mundësi më të mëdha promovimi dhe lançimi të produkteve të tyre, megjithatë gradualisht ai po përcillet me interes dhe kërshëri të veçantë nga shikues të shumtë të prodhimeve të tij, në disa kanale televizive, por edhe në youtobe. Për këndvështrime origjinale trajtime objektive dhe cilësi të mrekullueshme të fokusit të kamerës së tij, e cila shpalon pejsazhe mahnitëse, dukuri të rralla njerëzore dhe natyrore, portrete njerëzish të shquar, atdhetarë dhe patriot si dhe pika të përmendura turistike të alpeve, ku turistët e shumtë janë pjesë e promovimit dhe bashkëbisedimit të një realiteti të ri, ku alpet janë kthyer në destinacionin më të lakmuar sot në Shqipëri.

Dokumentarët dhe kronikat e Mhillit për turizmin malor janë guida të verteta dhe mjaft konkrete për turistë vendas dhe të huaj, sidomos për dy qendrat kryesore, Thethin dhe Valbonën.Gjithmonë në kërkim, i papërtuar dhe energjik ai është shndrruar në simbolin e shtegtimit në alpe, një far’ i cili u prin të gjithëve që drejtohen atje kah e verteta, e veçantja, e bukura, e rralla dhe e paharruara.

Meriton vemendje, vlerësim dhe mbështetje ky djalë pasionant dhe i talentuar, fotografi dhe kameramani, malësori i mirë Mhill Cak Basha!

Tropojë, 19 Gusht 2022

blank

LUMNOI NË PYJE, HUMBI NËPËR YJE 85 VJETORI I DIJETARIT – Nga Agim Dëshnica

 

Në përkujtim të- Inxhinierit dijetar, Skënder Dëshnica,
Me rastin 85 vjetorit te linndjes.

Në ditët me vapë të gushtit shumë vetë kujtojnë shqetësimet dhe përpjekjet e inxhinierëve të përkushtuar atdhetar për mjedisin e gjelbëruar. Por, vapa u kujton atyre edhe 6 gushtin e vitit 1998, kur dielli prush si rrallë ndonjëherë përvëlonte gjithçka. Atë ditë papritur në oborrin e Spitalit të Tiranës, larg vëmendjes së mjekëve, u shua nga një pushim i beftë zemre, njeriu i mirë i luleve dhe i pyjeve, inxhinieri Skënder Dëshnica. Largimi i tij nga jeta ndodhi para kohe, pasi ai ishte endur si zog i lirë, i dashuruar me natyrën shqiptare, në pyje e parqe, në Pukë, Peshkopi, Mirditë, Lurë, Elbasan, Korçë, Bozdovec, Vithkuq, Vlorë, Llogara, Tiranë, Dajt, etj.
Duke u kthyer prapa në kohë, disa ndodhi hedhin dritë mbi jetën e Skënder Dëshnicës si nxënës, si student dhe inxhinier.
Në vitin e gjyqeve vrastare 1948, një djalë në moshë njëmbëdhjetë vjeç, me kasketë në kokë, i veshur me rroba të vjetra, por të pastra, e me këpucë si të Lulit të vocërr, ulur buzë trotuarit, diku afër sheshit “Skënderbej”, lexonte gazetën “Bashkimi” për një gjyq, ku përmendej emri i atit të vet, patriotit demokrat Xhevdet Dëshnica. Ishte dënuar me burg ai, me akuzën si bashkëpunëtor i opozitës demokratike, pasi qe torturuar në mënyrë shtazarake, i varur krahësh, tetë muaj me radhë në qeli. Siç dukej, pesha e fatit të familjes së mbetur në mes të udhës pa asnjë të ardhur, kishte rënduar edhe mbi djalin njomëzak. Nënës së tij ia kishin hequr triskën e Frontit dhe familjen ia patën larguar dhunshëm nga Pallati i Aviacionit nr.10 pranë Fushës së Agait, tek ngrihet sot Stadiumi “Selman Stërmasi”, e ia kishin çuar në ish-hotelin pothuaj të pabanueshëm, ku kryqëzohen rruga e Fortuzit me atë Mine Peza.
Në ato çaste një reporter hungarez kaloi atypari dhe e fotografoi lexuesin fëmijë të përkulur mbi gazetë. Pas një viti, u hap në sallën përbri Teatrit Popullor, një ekspozitë ëhungareze me pamje edhe nga Shqipëria e re “e begatshme” me artikuj ushqimorë, në një kohë kur dyqanet ishin pa mallra të atilla, ose krejt të zbrazët. Në ballë apo në hyrje të ekspozitës varej një portret i madh, tek dukej një djalë i vogël me kasketë, i veshur me rrobe të vjetra, por të pastra, e me këpucët si të Lulit të vocërr, ulur në trotuar, duke lexuar gazetën “Bashkimi”. Nën portret lexohej në dy gjuhë: “Edhe brezi i ri, i lumtur ndjek me vëmendje përparimet e Shqipërisë së Re…” Djali ishte nxënësi Skënder Dëshnica, i cili e kishte lënë shkollën për t’u larguar nga Tirana në Berat, pranë njerëzve të afërt.
Nxënës në Tiranë, student në Brashovë të Rumanisë

Skënder Dëshnica, pas mbarimit të shkollës 8-vjeçare me ndihmën e miqve, do të pranohej vetëm në Shkollën e mesme bujqësore në Kamzë dhe në konviktin e saj. E megjithëse më 1957 e kreu atë për silvikulturë me përfundime të shkëlqyera, ai jo vetëm që nuk u dërgua me studime jashtë shtetit, por edhe u caktua me punë shtetit në Ndërmarrjen Pyjore të Pukës, tek u end jashtë qytetit në mbrojtje të pyjeve nga dëmtuesit e nga zjarret. Në shtator të atij viti, ndoshta për shkak të njëfarë tërheqjeje të diktaturës ndaj patriotëve të vjetër, befas shkoi në familjen e vet një njoftim i vonuar e i pabesueshëm, që Skënder Dëshnica duhej të bëhej gati për t’u nisur menjëherë për studime të larta në Rumani! U deshën disa ditë që ai të kapej me telefon, sepse kishte humbur në pyje me sëpatë në dorë, duke u prirë punëtorëve për shuarjen e zjarreve, që ishin përhapur në disa zona. Së fundi, me një avion rumun të rastit, i ngritur në qiell nga aeroporti i vjetër i Tiranës, tok me aviatorët fluturuan vetëm dy pasagjerë, të dy studentë, një prej të cilëve ishte Skënder Dëshnica. Në përfundim të studimeve, ai u diplomua inxhinier për pyje e parqe, pasi mbrojti me sukses projektin për Parkun e Dajtit.
Kthimi në Atdhe

Pas kryerjes së studimeve të larta më 1962, i kthyer në atdhe me veprimtarinë e tij projektuese e praktike, ky njeri i mirë, lumturohej larg qyteteve në gjirin e natyrës shqiptare, i ngazëllyer nga ndjenja e lirisë, tok me kolegët e vet në ekspeditat disamujore për mbarështimin e pyjeve, duke e kaluar natën nën çadër, thellë në pyjet e Pukës, të Mirditës, të Peshkopisë, etj. Trishtohej, kur me urdhër nga lart hapeshin të ashtuquajturat toka të reja, që zhvishnin malet, duke sjellë erozione të frikshme e zymtim të asaj natyre aq të bukur të vendit tonë. Zemërohej, kur me prerjen e drurëve, përveç ndërmarrjeve industriale shfarosëse të sharrave, merreshin edhe ndërmarrjet e ndërtimit, madjé edhe nëpër zona piktoreske si Lura. Djaloshi i lindur në një familje me tradita patriotike s’mund të ndihej ndryshe nga prindët e vet. Së fundi, Skënder Dëshnica, pas një shërbimi të frytshëm në rrethe, kthehet në Tiranë dhe punon si drejtues teknik pranë Ndërmarrjes Ndërtim – Gjelbërim. Atje, ai qe një nga hartuesit dhe zbatuesit e projektit për gjelbërimin me drurë halorë të brigjeve të Lanës, siç është edhe sot, pasi më në fund prerja e plepave të rrezikshëm që ndotnin ajrin e bulevardin nuk u pengua më nga lart. Skënderi u përpoq me këmbëngulje edhe për pasurimin e Parkut të Madh me pishat e shëndetshme. Mbrojti mjediset e gjelbëruara nga kërkesat e gabuara të urbanistëve për rrallimin e drurëve edhe në Parkun Rinia. Ndërsa priteshin plepat e kalbur në Pallatin e Zogut mbi kodër, të quajtur ndryshe Pallati i Brigatave, bllokmenë të paaftë, ndërhynin në programet e inxhinierëve, si Skënder Dëshnica, për ndërprerjen e punës. Por, ai nuk dinte të tërhiqej. Këmbëngulte për t’u arritur gjithmonë çfarë ishte e dobishme,duke u sjellë me urtësi e i dashur me bashkëpunëtorët, specialistë të gjelbërimit, Shpesh mbante në punë, në laboratore e zyra, edhe intelektualë të përndjekur.
Çdo banor i kryeqytetit mban mend se Tirana, qysh nga vitet e paraluftës, ka qenë një nga qytetet më të bleruara të Ballkanit. Nga fotot e rralla të viteve 20-40, bien në sy kurorat e gjera të gështenjave në oborrin e ish Centralit elektrik, në hyrje të Rrugës së Durrësit, ato prapa Bashkisë që u shemb për Muzeun Kombëtar dhe selvitë pas Bankës Kombëtare. Në Rrugën e Kavajës, krahas pemëve gjelbëronin breza të gjatë me ligustra. Në zonën e Rrugës së Elbasanit shtrihej parku me drurë gjithëfarësh i ish-selisë së Mbretit Zog, ku sot është Akademia e Shkencave dhe pak më tej, afër Kuvendit, parku me shatërvan dhe Namazgjaja. Mbi Urën e Tabakëve dhe Urën e Terzive, lartësoheshin lisa të dendur. Qindra shtëpi tiranase, apo vila private, kishin kopshte me drurë frutorë, si mani, caraca e hurma dhe oborre me lulishte të pasura. Në maj qyteti mbulohej pothuaj i tëri nga një blerim i këndshëm. Në Bulevardin me emrin Zog I, i përuruar në vitin 1930, deri në ndertesën e Maternitetit, zgjateshin kuadratet e krasitura me ligustra plot hije që nuk i rrëzojnë gjethet as në dimër. Ky varg i blertë u mirëmbajt dhe u ripërtëri nën kujdesin e inxhinier Skënder Dëshnicës, si vazhdues i traditës së herëshme. Madjé, gjatë krasitjeve të domosdoshme, në gazetën “Zëri i Popullit” u botua një shkrim i mefshtë kundër kësaj pune me vlerë. Pas shumë viteve, nga Bashkia e E.Ramës në vend të ligustrave u mbollën shëmtueshëm pemë frutore. Edhe rreshtat e pishave në qendër dhe gjatë unazës, të mbjella sipas projektit e kujdesit të inxhinier Skënder Dëshnicës, u rrafshuan pa mëshirë. Skënderi u kujdes edhe për pishat e buta të njëtrajtshme në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, vepër e inxhinierit të shquar Vasil Shqau, të sjella nga fshati Rrilë i Kavajës, të cilat tani janë çrregulluar, harlisur e kanë marrë përpjetë. Po ashtu, Parku Rinia i krijuar nga nxënësit e shkollës bujqësore Kamëz qysh më 1947, u mirëmbajt prej tij. Me ardhjen në krye të Bashkisë të E. Ramës, ky park u reklamua me bujë, pasi u rralluan drurët e vendet për pushuesit dhe mori pamjen e një mjedisi pothuaj privat për Bar – Kafen Tajvan. Kush do të veprojë më tej për ripërtëritjen e tyre?
Për mbrojtjen e zgjerimin e gjelbërimit të Tiranës një ndihmë të çmuar kanë dhënë Skënder Dëshnica, Vasil Shqau, inxhinierët e agronomët si Hasan Metuli, Orhan Sakiqi, Tomson Nishani, Azis Marku, Abdyl Harizi, Teuta Preza, Mustafa Zekthi e shumë të tjerë.

Bashkëkohësit për Skënder Dëshnicën

Dr. Orhan Sakiqi kujton se si Skënder Dëshnica, luftonte me gjithë shpirt për gjelbërimin e kryeqytetit kundër maniakëve të sëpatës, për prerje drurësh monument në qendër të Tiranës. Në shkrimin “Dy selvitë dhe shoku im Skënder Dëshnica” ai kujton: “Nga Skënderi mësova ta dua pemën, ta dua drurin, sepse ai ishte i apasionuar pas tij. Pranë ndërtesës së projektuar nga Kolevica duhet të kalonin disa linja kabllore elektrotelefonike dhe për këtë u vendos menjëherë prerja e selvive. Skënderi kundërshtoi me vendosmëri. Zgjidhja u gjet, duke e kaluar një pjesë të kabllove në krahun tjetër. Skënderi pati guximin të thoshte në mbledhjen e komitetit, se për të prerë dy pisha simbol në Napoli, ishte bërë referendum popullor. E kush guxonte të thoshte në atë kohë gjëra të tilla! Selvitë shpëtuan, por kalimi pranë tyre i kabllove duhet t’u ketë shkaktuar tharjen. Këto pemë janë shumë jetëgjata dhe tharja nuk ka tjetër arsye. Edhe ashtu të thata ato duhet të qëndrojnë dhe të mirëmbahen me shumë lloje mënyrash. Ato hyjnë në simbolet e çdo vendi, po ashtu edhe të Tiranës. Skënderi kundërshtoi edhe prerjen e disa gështenjave mbas bashkisë, kur u ndërtua Muzeu Kombëtar, por zëri i tij nuk u dëgjua. Kush i mban mend ato gështenja, e di se përbënin një ishull të gjelbër, ndaj në kopshtin mbas Muzeut mund të ishin sot e kësaj dite. “Një pemë do dhjetëra vite që të rritet, – thoshte Skënder Dëshnica, – kurse një godinë bëhet për pak kohë!”
Nga libri “Njerëzit e mirë të luleve”, të agronomit Tomson Nishani, për Skënder Dëshnicën citojmë shkurt: “Studioz, punëtor, i gatshëm për të ndihmuar këdo, i ndershëm dhe gjithmonë i komunikueshëm me të tjerët. Ai me të drejtë kuptoi se vetëm tek fidanishtet ishin më të shumta hallkat e një pune të suksesshme në mbarëvajtjen e gjelbërimit të Tiranës, si dhe të rrethinave të saj. U mor me fidanishtet e florës dekorative, të cilat ishin të shpërndara në pika të ndryshme të qytetit. Këto fidanishte i pasuroi me lloje bimësh të reja të sjella nga jashtë Tirane. Kualifikoi grupe punëtorësh si mjeshtra, siguroi për këto qendra prodhimi, mjete pune, zyra, pajisje teknike, mjete të lehta transporti, bazë materiale, literaturë tekniko-shkencore, organizoi seminare etj. Ngriti një laborator studim-eksperimentimi, etj.”
Në librin dokumentar “Rumani-Studentët Shqiptarë” botim i vitit 2009, me autor Eqrem Becin dhe Zhani Cancon, jepen disa fakte: “Skënder Dëshnica, inxhinier pyjesh, specialist gjelbërimi e projektues. Lindi në Katerini të Greqisë më 17 prill 1937.
Arsimimi: kreu Teknikumin Bujqësor në Tiranë në vitin 1957, tek u diplomua ndihmës-inxhinier pyjesh. Më pas shkoi për studimet e larta në Institutin Politeknik të Brashovës në Rumani, ku fitoi specialitetin e inxhinierit të pyjeve, me temën “Parqe pyjore”, (1957-1962). Gjatë periudhës që ka punuar në Drejtorinë e Pyjeve në Peshkopi, përveç hartimit të projekteve pjesore të pyllëzimeve dhe të sistemimeve pyjore bëri edhe studime për mbarështimin pyjor në disa zona të Burrelit, Kukësit, Peshkopisë, Dibrës, etj. Më vonë punoi për rreth 14 vjet në Ndërmarrjen e Ndërtim – Gjelbërimit të Tiranës si kryetar për gjelbërimin e kryeqytetit. Dhe më 1992 – 1998 si inxhinier projektues gjelbërimi pranë Institutit të Studimeve dhe Projektimeve Urbanistike.
Aktiviteti kryesor dhe më i gjatë i Skënder Dëshnicës është specialist në fushën e gjelbërimit. Kështu, gjatë periudhës 13-14 vjeçare për gjelbërimin e Tiranës ai organizoi në tërësi poblemet e gjelbërimit në kryeqytet dhe hartoi projekte zbatimi për një numër parqesh e lulishtesh, edhe në rrethe të tjerë, si në Durrës, Berat, Vlorë, Skrapar…
Kreu mjaft studime në këtë fushë, nga të cilët përmendim: “Studim dentrologjik i Parkut të Madh – Tiranë”, “Studim i Kopshtit Zoologjik – Tiranë”, “Studim për desiptimin e florës spontane me vlera dekorative në rrethin e Tiranës”, “Studim për rikonstruksionin e gjelbërimit të Lanës”, Studim në shetitoren bregdetare dhe në plazhin e Durrësit”, “Projekt gjelbërimi në Varrezat e Dëshmorëve, pranë Universitetit, për qendrat spitalore në Tiranë, në disa shkolla, si në Akademinë Ushtarake, në Institutin e Lartë Bujqësor, në Qytetin Studenti, etj., si edhe “Studimin e planit perspektiv të gjelbërimit të Tiranës (1980-1990)”.
Në Intitutin e Studimeve e Projektimeve Urbanistike (1990-1998) ka marrë pjesë në grupe pune për hartimin e planeve rregullues në Tiranë, Vlorë, Korçë, Pogradec, në studimin e gjelbërimit për disa zona bregdetare, për rajonin Tiranë-Durrës-Elbasan, për vijën bregdetare turistike të Shqipërisë, për disa parqe kombëtare, etj.
Ka qenë pedagog i jashtëm në Fakultetin e Pyjeve për problemet e gjelbërimit, po ashtu në Shkollën Komunale për teknikë të mesëm gjelbërimi. Ka qenë udhëheqës projekt-diplomash për gjelbërimin në Fakultetin e Pyjeve, etj.
Ka qenë bashkëpunëtor në RTV për problemet e gjelbërimit, ka shkruar në revista e gazeta për to.
Ka marrë pjesë në oponenca, kumtesa në konferenca kombëtare e ndërkombëtare të organizuara në vendin tonë dhe në Rumani për problemet e ruajtjes dhe të mbrojtjes së mjedisit, duke qenë edhe anëtar i disa shoqatave të kësaj fushe.”

Skënder Dëshnicës në kohë të reja

Skënder Dëshnica, bir i një atdhetari demokrat, qoftë si student apo si inxhinier i përkushtuar në punën e vet fisnike në shërbim të Shqipërisë, ëndërronte për një jetë më të mirë, me liri e demokraci. Ndryshimet e mëdha në kampin socialist i ndoqi me shpresë për shembjen e diktaturës komuniste në vendin e vet. Pas vitit 1990, krahas punës krijuese në Instituitin S. P.Urbanistike, mori pjesë edhe në shoqata mjedisore me bindje të djathta. Vepra e inxhinier Skënder Dëshnicës, sado e dëmtuar në vitet e fundit, nga paksimi i parqeve, prishja e fidanishteve, për shkak të betonimeve pa plan, është e gjallë edhe sot. Projektet e dokumentet teknike në arkiva dhe në bibliotekën e tij vetiake, tashmë vlejnë për ekipin e specialistëve , që merren me hartimin e planit rregullues të Tiranës. Por mjerisht, ndryshe nga projektet e inxhierit dijetar Skënder Dëshnicës. në këto kohë shthurjesh të kryebashkiakut Erion Veliaj Tirana e gjelbëruar, ka marrë ngjyrën gri të betonimeve dhe të pluhurit Në qëndër të kryeqytetit blerimi është shfarosur, kurse në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, pishat buta që dikur krasiteshin aq bukur tani janë harlisur e kanë marrë përpjetë qiellitn. Fitorja e demokracisë dhe largimi nga Bashkia e Tiranës e Erion Veliajt, do tëshpëtojë jo vetëmTiranën nga betonimet rrënimtare por, edhe projektet shpëtimtare të gjeberimit të Tiranës vepra të inxhinierit dijetar të paharruar Skënder Dëshnica.

OH, KY ZOG I BARDHË!
– në kujtim të tim vëllai –

Rrapi hijerëndë mbi Dajt, pse u dridhërua?
Petku malësor me tis nate pse u errësua?
Ç’është ky ankth pishash, bredhash të blertë?
E pse bilbili më s’këndon mbi degë nën fletë?

Ujëra lotësh nga burimet derdhen në humnera!
Palë – palë majave – re e mjegullim!
Vrenjtur në lirishtë, era meket në trishtim!

Lulet, stoli alpesh, nëpër parqe rritur,
etja, zheg i gushtit, fort i ka zhuritur!
Shelgu degëlëshuar, heshtas qan mbi ujë,
rreth e qark liqenit – prishje, gurë e zhurë.
psherëtijnë gjethet, frashëri e ahu,
fjalë të blerta thonë fjalë drurësh thon

Iku zogu i pyllit
lart mbi re u ngjit,
tej në kaltërsi, ikën e merr frymë.
gjithë peng në shpirt
dhe me mall ndër sy.

O ky zog i bardhë, o ky shtërg i rrallë,
në çfarë bukurish, vallë, do të ndalë

Iku, biri yt, Tirana, Tirana jonë!
Larg një zë me mall jehon:
Lumnoi nëpër pyje,
humbi nëpër yje!
———-
Shkrim nga Agim Xh Dëshnica
10 gusht 2022

blank

Vdiq si Jesenini dikur, në hotel… midis Dubait! – Esè nga SENAD GURAZIU

blank

Kjo ishte Hëna që pa për herë të fundit poeti Federico Garcia Lorca

VOAL- “Pse më vrisni në një natë me hënë?” – Kështu pyeste në një poezi të hershme poeti Sulejman Mato kushtuar poetit spanjoll Federico Garcia Lorca, pushkatuar natën e 19 gushtit 1936 nga një skuadrilje e forcave nacionaliste të Francisco Francos.

 

Poeti, dramaturgu dhe regjisori spanjoll Federico Garcia Lorca arriti njohjen ndërkombëtare si një figurë emblematike e brezit ’27, një grup kryesisht poetësh që futën avangardat artistike – si simbolizmi, futurizmi dhe surrealizmi – në letërsinë spanjolle me rezultate të shkëlqyera, në atë që quhej Edad de Plata. Një përkrahës i hapur i forcave republikane gjatë luftës civile spanjolle, ai u kap në Granada, ku po qëndronte në shtëpinë e një miku, dhe u qëllua nga një skuadrilje e forcave nacionaliste. Trupi i tij më pas u hodh “në një përroskë disa kilometra në të djathtë të Fuentegrande”. Eshtrat e tij nuk janë gjetur kurrë.

Duke kërkuar në internet, gjejmë se hëna të cilën e pa për herë të fundit poeti ishte kjo që sjellim këtu:

blank

 

blank

Malli më tmerron… – Poezi nga NAIM FETAJ (7 shkurt 1961 – 16 gusht 2022)

Si era molikat e luaje ti atë vetull
Herë shi herë diell krejt stinët me mjegull
Shpirti im si ujku bredh e nuk gjen vend
Unë si shelg i vjetër lotoj për syrin tënd…Malli më tmerron
E dhimbja po më çmend

Qysh ike si një zog
E më le pa këngē…

blank

Ne shqipot gjanat i vlerësojmë shumë, jetën jo Nga Leon Mirakaj

Diku në Velipojë u vranë për do çadra.

Meshkujt vdiqën, çadrat janë aty.

Në Vlorë u vranë për një kalë.

I zoti e perdor ende për të trasportu mall e për nderzim.

Tre vetë vdiqën për të.

Kali u ka bë me tre mëza deri tani.

Në Sarande u vra një djalë i ri për një parkim.

Parkimi, hoteli e deti janë aty.

Djali jo.

Në Milot, për një vijë uji u vranë!.

Vija eshte aty, gardhi e ura e Zogut po ashtu.

Dy burra e një fis i tanë, jo.

Ne shqipot gjanat i vlerësojmë shumë.

Jetën, jo.

blank

Në ishull Nga Florian Vlashi

Në mes ishujve Cikladë të detit Egje, rreth gjashte orë me anije nga Athina, ndodhet ishulli Naxos, një parajsë e vogël që ka një legjendë të bukur.

Legjenda thotë se kur Minotauri vritet nga Teseo, ky i fundit arriti të dalë nga labirinthi falë Fillit të Ariadnes. Teseo e rremben Ariadnen e bukur që i shpëtoi jetën, por e braktis atë në ishullin Naksos.

Dëshpërimi dhe zhgënjimi i Ariadnes është aq i madh sa lotët e saj e prekin Perëndeshën e dashurisë Afërdita e cila i thotë: mos u mërzit, ti do të kesh diçka më të bukur, diçka…hyjnore.

Dhe ashtu ndodhi.

Një ditë, mes një grupi ninfash që këndonin e vallzonin, Ariadna takon Dionisin, Perëndinë e venës i cili dashurohet marrëzisht me të dhe, në martesë, i dhuron një kurorë të artë të mbushur me diamantë.

Në ishullin parajsë, mes venave të mrekullueshme, ujrave të kristalta e muzikës së nimfave, Ariadna kalon pjesën më të lumtur të jetës së saj…

Por ajo nuk është hyjneshë, është njeri. Ndaj vjen një ditë dhe ajo ëmbëlsisht largohet nga jeta.

Pas vdekjes së Ariadnes, Dionisi vendos kurorën e saj në kupën e qiellit. Nga atje lart, ky kostelacion yjesh i njohur si “Corona Borealis” ndriçon edhe sot e kësaj dite.

Dhe kur dielli perëndon nga tempulli i Apolonit, kur hëna e yjet reflektojnë mbi det dritën e diamanttë, mjafton nje gotë ven nga mushti i Dionisit që të dëgjohet zëri i Ariadnes së bukur që thotë:

 

Mos u merzit…

blank

“Broduej i Tiranës” i Bedri Alimehmetit një krijim me vlera artistike dhe historike Nga Bujar Qesja, Mjeshtër i Madh

Mbarova së lexuari, ndoshta një roman për vete dhe për shokët, siç thotë autori. Ky libër nuk është shkruar nga Heminguej, as nga Tolstoi dhe Turgenievi, as nga Xhek London dhe Serevantesi, as nga Remarku dhe Stendali, as nga Hygoi dhe Mopasami, as, as…… As më shumë dhe as më pak, përfundova së lexuari ditët e fundit, një libër të një miku,, të një tiranasi, por edhe të një njeriu që e quan Durrësin – “Durrësi im, porta e Shqipërisë”. Libri titullohet : “Broduej i Tiranës” i autorit tiranas Bedri Alimehmeti,. Vërtet nuk lexova veprat e kolosove të letërsisë botërore, por shpejtësia dhe interesimi në rritje për atë çka shkruhej tek “Broduej i Tiranës”, ishte në përmasat e autorëve të famshëm.
Libri qe kishte si titulli tregimiin eshkrimtarit të njohur amerikan Xhon Rid “Një natë në Broduej”, u shit me një shpejtësi marramendase. Ishte etja e madhe e rinisë së fillimit të viteve 60-të, për të mësuar diçka më shumë për atdheun e Elvis Preslit, Frenk Sinatrës, Merilin Monrosë, Marlon Brando, Bill Halej, Otis Redit, Çobi Çikerit etj.
“Na mbytën këto emra rusë, foli dikush shkruan ndër të tjera Alimehmeti. Ngado që të ecësh, e ngado që të kthesh kokën, vetëm ato ndesh: pastiçeri “Moska”, bar “Krimea”, hotel restorant “Odesa”, pastiçeri “Vollga Don” etj. Do të ishte vërtet bukur, sikur rruga e jonë, që vërtet nuk është rrugë teatrosh, por ama me këtë ngushtësinë e saj karakteristike, dëndurinë e dyqaneve, me kalimtarët e shumtë, me pijetoret aq tërheqëse, ta kishte emrin “Broduej”. Dhe kur u ndamë se kush tha: “Nesër prap këtu në Broduej”.
“Broduej i Tiranës”. Një libër fantastik, pasi brenda një rruge 100 metra e gjatë, thuret filozofia e rinisë së viteve 60-të, e një rinie privuar të jetë e lirë nga diktaturë, por jo më pak ëndërruese se çdo rini e botës. Aftësia e autorit është përgjithësimi. Rinia e jonë vjen e ulet këmbëkryq, në atë memorie që nuk zbehet në jetë të jetëve, duke u përpjekur të thithë nga bota e zhvilluar më të mirën, më të bukurën, atë që e joshte dhe zbaviste. Autori duke qenë pjesë e familjeve autoktone tiranase, i përcakton pikat kryesore të rrugës Broduej, sipas zanatçijve të njohur të këtij qyteti. Ajo rrugë ishte frymëzim, ishte bota vetë, ishte ëndërr, ishte e ardhmja, ishte rinia e artë e viteve 60-të, ishte qendra ku mblidheshin të rinjtë dhe diskutonin me shumë kujdes, se mos ndonjë fjalë fluturonte ashtu pa dashur në tavolinat e punës së sigurimit të shtetit, të atij sigurimi që ta priste jetën si me thikë.
Të rinjtë takoheshin, duke u mbështetur në parvazet e mermerta të vitrinave të farmacisë Nr. 3 ose tek dyqani i luleve (sot lulishtja para hotel “Tirana Internacional”), ose tek rrugica pranë karrikes së Pac Llustraxhiut, ku mblidheshin futbollisët e Tironës, tek bomboneria “Odeon” përballë nëntëkatëshit, në krahun e Poliklinikës@. Në periudhën e dimrit rrinim brenda në Mapo, aty pranë ariut polar prej alabastre, gjithnjë stoik mbi banakun e repartit të bizhuterive. Kur gjendeshim me lekë shkonim e pinim nga një krikëll birrë tek”Tymi” i xha Andonit dhe perifrazonim Majakovskin. Dhe teksa mendohej të gjenim një emër të veçantë, që ta kënaqte rininë, me influenca të shijeve të kohës, del libri me tregime nga letërsia e huaj “Një natë në Broduej”. Dhe menjëherë emërtohet rruga më popullore, me një influencë të fuqishme masive, me një emër aq të dashur nga rinia tiranase e pjesës nga ish hotel Vjosa, duke iu ofruar zonës së Selvisë ngjitur me pazarin e vjetër, duke u tërhequr disi pranë kinema “17 Nëntorit”, e duke zotëruar një pjesë të rrugës së Dibrës. Dhe këtë rruge rinia e kohës, e quajti Broduej i Tiranës, ashtu sikundër një rruge në Nju Jork rruga “Broduej”. Një paralele me theks opozicioni ndaj regjimit, por me një fuqi të jashtëzakonshme shpirtërore në atë rini, që sot janë gjyshërit e denjë të një rinie vërtetë europiane.
Lamtumirë Bashkimi Sovjetik, fryn erë perendimore
Kam qenë 9 vjeç në vitin 1960, ndërsa Bedri Alimehmeti, ndër miqtë e betuar të mi në Tiranë, ishte 15 vjeç. E ndërsa fundi i viteve 60-të na shtoi edhe 10 vite secili prej nesh, duke rritur shkallën e përfaqësimit të bindjeve dhe dëshirave, të një rinie të ndërgjegjësuar për ecurinë aktuale të vëndit.
Prishja me Bashkimin Sovjektik, autori i këtij libri historik, i detyruar të mbetet “peng” i bibliotekave, nxiti botimet me theks perendimor. Është për ti ngritur përmendore përkthyesve tanë të jashtëzakonshëm Vedat Kokona, Dhimitër Pasko (Mitrush Kuteli), Eqerem Biba, Halit Selfa, Bujar Doko, Pashko Gjeçi, Jorgo Bllaci, Lasgush Poradeci, Gjon Shllaku, Nasho Jorgaqi, Sotir Caci, Hamit Kokalari, Merkur Alimerko etj, që përkthyen Stendalin, Viktor Hygonë, Prosper Merime, Teodor Drajzer, Anatol Franc, Gi dë Mopasam, Honore de Balzak, Dante Aligeri, Moravia, Lion Fojthvanger, Xhon Golsuorthi, Arçibald Xhon Kronin, Homeri, Tomas Man etj. Të gjithë këto janë autorë të kryeveprave botërore, romaneve “E kuqja dhe e zeza”, “Manastiri i Parmës”, “Viti 93”, “Karmen”, “Krimi i Silvester Bonerit”, “Perënditë kanë etje”, “Një jetë”, “Shtëpia misterioze”, “Zherminal”, “Paraja”, “Tre shokë”, “Të kesh e të mos kesh”, Plaku dhe deti”, “Lamtumirë armë”, ‘Çifutja e Toledos”, “Çoçarja”, “Saga e Forsajtve”, “Lulet e mollës”, “Dhe yjet rrinë e vështrojnë”, “Çitadela”, “Budenbrokët”, “Ushtarin e mirë Shvejk”, “Komedia Hyjnore” , “Iliada”, “Dhe yjet rrinë e vështrojnë”, “Njeriu që qesh” , “Etër e bij”, “Evgjeni Grande”, “Një jetë”, “Mont Orjol”, “Vanini Vanina”, “Gjeniu”, etj. Të gjithë këto krijime, fond i artë i bibliografisë botërore, lexoheshin me ëndje nga rinia e kohës dhe ndër to edhe nga autori i këtyre rradhëve.
Krahas letërsisë, vëndin e filmave sovjetikë e zunë filmat francezë, ku spikatnin interpretimet e papërsëritshme të Zhan Maresë, Zhan Gabenit, Bernard Biës, Zhan Pol Belmondo, Moris Rones etj.
Dhe autori i Broduejt kujton edhe filmat e shumtë të neorealizmit italian me artistë kalibri si Ralf Valone, Renato Salvatore, Klaudia Kardinale, Marçelo Mastrojani, Sofia Loren, Xhina Lolobrixhida, Antonela Lualdi etj.
Ku-kë-si qyteti i tre pyetjeve
-Doktori italian Massimo Inardi bëri surprizën historike
Është një befasi që vjen dimri i vitit 1961, në emisionin e famshëm italian “Rischiatutto” që drejtohej nga moderatori i jashtëzakonshëm Majk Bongiorno. I ftuar doktori Massimo Inardi. Rreziko duke luajtur, kjo ishte në esencë pjesmarrja në emision. Dhe Inardi fitoi atë mbrëmje 48 milion lireta. “Rruga” Broduej e ndiqte e tëra këtë emision shumë popullor. Kuptohej në mënyrë kladestine. Alimehmeti e sjell të freskët këtë Inardin, sikur emisioni të ketë ndodhur tani vonë. Majk Bonxhorno e pyet Inardin:
-Ekziston një qytet në Europë, emri i të cilit përbëhet nga tri pyetje. Ku gjëndet dhe cili është emri i tij?
Përgjigjen po e japim italisht, për të ruajtur fuqinë dhe befasinë e reagimit të Inardit.
“La citta esiste e si trova in Albania, si chiama Kukësi. Ku in albanese significa dove in italiano, Kë in albanese significa chi in italiano e si in albanesse significa come in italiano”. Surpriza vazhdoi të begasojë dhe trondisë shikuesit dhe drejtuesin e emisionit.
Bonxhorno formulon pyetjen e dytë.
-Ekziston një krahinë në Shqipëri, e cila mban për emër mbiemrin tim. Më thuaj si quhet ajo?
-Mirdita, ishte përgjigja e menjëhershme e doktor Inardit.
Kjo ishte lënda e parë, që u diskutua të nesërmen në mbrëmje nga djemtë dhe vajzat e Broduejit. Çdo shqiptar ndjeu krenari për përgjigjet e doktorit të paharruar italian Massimo Inardi.
Durrësi dhe durrsakët kapitull i rëndësishëm i librit
Në një anë kam të drejtë të ekzaltohem për botimin e këtij libri. Alimehmeti një kapitull ia kushton, vendlindjes time, Durrësit të mallit dhe sentimentit tim. Ky kapitull titullohet: “Durrësi im, porta e Shqipërisë”. Kam të drejtë ti jem mirnjohës Alimehmeti, që nuk e ndaj Durrësin nga Tirana dhe durrsakët nga tiranasit. Shkruan me mall, me emocion dhe letra e librit më duket sikur është lagur nga lotët e tij. Një 75 vjeçari, vitet 60 i duken më të ëmbël se mjalta, pasi është rinia e tij, një rini me ëndërra dhe dëshira, ku të rinjtë e rrugës Broduej, ishin shumë të organizuar, shumë të lidhur njëri me tjetrin dhe e donin Shqipërinë njëlloj si bota e qytetaruar e rinisë së vëndeve të zhvilluara.
Ja çfarë shkruan Alimehmeti në “Broduejin e Tiranës”:
-Sapo kalonim tunelin e Rrashbullit, deti çfaqej përpara befasisht. Gjithë ajo hapsirë ujore më krijonte një ndjesi të çuditshme në shpirt dhe në ato çaste me dkej vetja krejtësisht në kraharorin e ngrohtë të Durrësit tim. Nuk besoj që pas kësaj që thashë, të më paragjykoj kush. Edhe pse lindur e rritur në Tiranë në një familje autoktone brez pas brezi, përqëndrimi i së cilës daton me themelimin e qytetit, fakrtikisht Durrësin jo vetëm se kam ndarë nga Tirana, por këto dy qytete si ka menduar kurrë të shkëputur nga njëri tjetri. Kështu i kam konceptuar gjithnjë dhe cilido le të thotë ç’të dojë. Për mua si Tirana ashtu edhe Durrësi, kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë ende sot e kësaj dite një i vetëm. Veçmas kësaj natyrisht jam i ndërgjegjshëm dhe nuk mund ta mohoj kurrsesi faktin, që një pjesë e kësaj dashurie e ka zanafillën në fëmijërinë e hershme. Ndaj kur të rritej, nuk do të nguronte të thurte disa vargje për qytetin e lashtë në brigjet e detit, nxitur më shumë ndofta edhe ngaqë më vonë pasi lexoi Heminguejin i qe fiksuar shprehja : “Në këtë botë vendi i fundit i lirë është deti”.
Ndjehesh i prekur dhe i privilegjuar si durrsak, ku shpirti dhe pena e Alimehmetit, ndalen nga traditat e hershme të lidhjes së Durrësit me Tiranën. Tiranasit që herët kanë bërë tregti me durrsakët, ku kujton famljet e famshme Shijaku, Dovana, Manushi, Myshketa etj. Gjatë luftës kur Durrësi u zbraz, durrsakët gjetën strehim në Tiranë. Aty bënë krushqi dhe vazhduan shkollat. Durrësi ashtuj si Tirana, kishin shumë emërtime të përbashkëta si kinema “Republika”, lulishtja “1 Maji”, hotel “Vollga”, pastiçeri “Tirana” etj. Vetëm Broduej nuk kishin durrsakët. Por inflencat perendimore në Durrës janë të hershme, ku edhe regjimi i rreptë komujnist nuk i ndali.
Durrësi mbeti për Tiranën portë hyrëse e perendimit. Marinarët durrsakët, me kulturë dhe aftësi profesionale sillnin revista ku flitej për kulurë dhe sport, ndanin sapu palmolive apo çimçakiza, sillnin rrobe ku shpreheshin shijet e modës nga vendet ku blihej malli, syzet e dellit dhe rrobat e banjos. Vajzat dhe djemtë durrsakë visheshin me shije dhe rroba të veçanta, falë këtyre marinarëve që shkelnin në shujmë porte të vëndeve të zhvilluara.
Alimehmeti kujton famën e djaloshit durrsak Tim Turra, që me intuitën dhe inteligjencën e tij arrinte ti përdorte sipas dëshirës marinarët e huaj. Madje në Durrës erdhi enkas një gazetar i huaj për të shkruar për Tim Turrën dhe është mahnitur nga shkalla sipërore e njohjes së disa gjuhëve të huaja. Botimi i shkrimit u shpërnda edhe në Durrës.
Pastaj në libër Bedri Alimehmeti flet për të rinjtë e basketbollit, siç quheshin Harlemat e Dhimtraq Gogës, për Niko Dovanën, për boksjerët durrsakë Sharra, Çeta, Allushi, Reçi, Bardheti, për atletët Rruf Kazazi, Pian Dhamo, Daut Falli, për volejbollistin Napolon Llalla, Lluka Prifti, Met Kthupi, për basketbollistët Dhimitraq Goga, Niko Hercek, Spiro Urumin, për notarët Bon Kadiu, Niko Kurani, Kastriot Karamuço, Hysen Haxhinë etj.
Ai ndalet edhe tek arti e kultura e njohur durrsake duke kujtuar Nikolin Xhojën dhe Spoiro Urumin, Vangjel Hebën, Donika Barçin, Teodor Rupin, Haxhi Ramën, Kadri Pirron, regjisorin Panajot Kolo, estradën e Durrësit me regjisor Gjergj Vlashi, aktorët Spiro Strati, Aleksandër Pepa, Enver Likmeta, Aishe Stari, Elibeti Tirana, xhezbanistin virtuoz Bebekun (Qendro Koçi), trompistin Enver Mara, instrumentistët Petraq Dhamo dhe Skënder Myshketa, këngëtarët Qemal Kërtusha, Sofokli Afezolli, Besnik Taraneshi, Liljana Gila etj.
Ndër të tjera shkrimtari i njohur Bedri Alimehmeti, i tërhequr drejt magjisë së Durrësit, kujton:
-Nuk ishin vetëm kaq, saktësisht duhet thënë se ndjesitë që na dhuronte ne djemve të “Broduejit”, Durrësi i viteve 60-të ishin të pafundme si deti Adriatik. Kënaqësi tejet të veçantë ishte për ne, po qe se na rastësiste, atë mbrëmje në xhiron e Durrësit, idenm si ajo që kryhej në bulevardin e Tiranës të shihnim Vera Bejën, që në sezonin veror eklipsonte një plazh të tërë me përsosmërinë e bukurisë. Pak ishte ta krahasoje me figurën e vajzës në mozaikun “Bukuroshja e Durrësit”, i sapo zbuluar në ato vite nga arkeologu i njohur durrsak Vangjel Toçi.
Vera Beja një vajzë e përkryer durrsake, meteor vezullues në qiellin shqiptar të viteve 60-të, veçmas bukurisë fizike mbi të gjithë kishte dhunti të veçanta shpirtërore. Me sjelljen, edukatën e kulturën të impononte respekt e admirim, por që fatkeqësisht ishte e privuar nga diktatura si dhe shumë të tjerë për të vazhduar studimet e larta, meqë ishte e bija e të pushkatuarit me grupin e deputetëve Shefqet Beja.
Të gjitha në një
Libri i Bedri Alimehmetit “Bridueji i Tiranës” ka ngjarje jetësore të mrekullueshme, që të ngjallin një mijë herë respekt dhe nderim, për një brez të artë, që ani që nuk kishin kushte dhe nuk mbështeteshin në idealet e tyre të lirë, në kultin e besimit dhe hpasirën e mendimit, bënë një opozicion mjeshtëror duke i thënë brenda familjes së madhe që quhej djemtë dhe vajzat e rrugës
“Broduej”, atë çka ndjenin dhe ajo që duhej të ekzistonte në fakt.
Regjimi shumë i fuqishëm diktatorial, nuk ia mundësonte daljen hapur të tezave dhe bindjeve të tyre, pasi pasojat ishin të tmerrshme, por ato gjenin forma dhe mundësi reagimi, duke ironizuar me shumë mjeshtri monopartitizmin e sëmurë, kultin e individit dhe bllokimin e zërit dhe mendimit ndryshe. Muzika e huaj, këngëtarët e famshëm italianë të brezit të viteve 60-të që janë me qindra, programet aq të ndjekura si festivali i San Remos, kanconisima etj. diskutoheshin gjërësisht në “Broduejin e Tiranës”. Autori i këtij librij të rrallë dhe të veçantë në llojin e tij, ka meritën që i sjell aq të gjalla dukuritë interesante të atij brezi, por falë edhe një memorie fantastike, jep shembuj e fakte që të rrënqethin mishtë, e të rrisin në doza maksimale dashurinë dhe nderimin të brezit të rrugës Broduej të viteve 60-të.
Bedri Alimehmeti, me ndjesinë e një shkrimtari profesionist, por edhe të një patrioti, të një djali tiranas që e don sa vetja qytetin e lindjes Tiranën dhe qytetarët e saj, ka hedhur në letër bukuritë e rralla shpirtërore të atyre djemve e vajzave, që flitnin pa frikë brenda gjirit të tyre, duke iu ruajtur provokimeve dhe agjentëve të shumtë të sigurimit të shtetit.
Prishja me Bashkimin Sovjetik, vizita e Çu En Lait në Tiranë dhe afrimi me kinezët, xhaketa me një mode tërheqëse e Skënder Hykës blerë në Amsterdam kur Tiranë luajti me Ajaksin në vitin 1970, gruaja ruse e Dritëro Agollit, kalimet nëpër Broduej të shkrimtarit të njohur Ismail Kadare e gruas së tij, shkrimtares nga Elbasani Helena Gusho, kalimet si sfilatë mode të vajzave të ambasadës polake në Tiranë, për dyqanin e luleve dhe miset e Broduej, duke përshkruar me penelata tërheqëse bukuritë dhe nurin mahnitës të vajzave tiranase, lulëzimin e artit figurativ dhe muzikës shqiptare, festivalin e 11-të të këngës, krijimtarinë e fuqishme muzikore dhe letraro artistike në Shqipëri, plenumin e katërt famëkeq, që solli kasapanën dhe duke bërë “gjakderdhjen” më të pashembullt shpirtërore të një kombi, çensurën e librave që botoheshin dhe filmave që çfaqeshin, për talentin e letërsisë shqiptare Mustafa Greblleshi dhe romanin e tij, themel i krijimtarisë së mirfilltë letrare “Gremina e dashunisë”,por që u burgos nga regjimi së bashku me shkrimtarët Petro Marko dhe Andrea Varfi, për Bitëllsat e Pogradecit me historinë tragjike të vëllezërve Darova, që ngritën në këmbë artëdashësit shqiptarë, për estradën e ushtarit dhe shpërthimin e Vaçe Zelës, për parkun “Rinia” e Tajvanin e soçëm, për artistët e estradës së shtetit dhe teatrit popullor, hoteli i famshëm popullor në plazhin e Durrësit “Breshka”, për pastiçeri “Tiranën”, Ferdinand Dedën dhe birrari “Partizani”, për “Vollgën” e Tiranës, për muzikën dhe ndjesitë e shpirtërave tanë, për frenimin e Ajaksit të madh nga bardheblutë e Tiranës, për flokëgjatin nga Belfasti Xhorxhi Best, koshi i artë i Oransodës nga Besnik Pëllumbi (Keçi), nga batutat e profesor Lymit, nga mbrëmjet emocionuese të dëfrimit ku këndoheshin këngët e Bitëllsave, të Adriano Çelentanos, të këngëtarëve me emër të muzikës së lehtë italiane dhe të asaj botërore dhe që ruheshin si në ilegalitet nga vetë të rinjtë se mos spiunoheshin dhe survejoheshin, futbolli i Tiranës dhe figura emblematike i kolosit të skenës Kujtim Spahivogli etj. etj.
“Brodueji i Tiranës” simbollizon çdo rrugë apo rrugicë në çdo qytet të Shqipërisë, ku kërkohej liri dhe demokraci në forma të ndryshme të reagimit popullor, por që sistemi i kohës i vrojtonte me kujdes, për t’i ndëshkuar me ashpërsinë dhe rreptësinë më të madhe.
Sentimenti i Bedri Alimehmetit është në përmasa drithëruese, duke nxitur të jem vetë i pari, e më pas secili prej jush për të bërë atë homazh të merituar, ndaj këtyre djemve e vajzave, që patën kurajon të sfidojnë diktaturën e të themelojnë rrugën historike, aq të dashur me emrin “Broduej” që Bedri Alimehmeti e kthen në himn nëpërmjet librit “Brodueji i Tiranës.
blank

BIOGRAFIA E SHKRIMTARIT DHE LETËRSIA… – Nga VISAR ZHITI

Nuk ka biografi shkrimtari që nuk zbrazet në veprën e tij letrare, madje ajo, jeta e tij, nuk mjafton dhe shkrimtari merr dhe jetë të tjera dhe shkruan dhe vepra të tjera, kështu deri në fundin pafund…
Por as letërsia e tij nuk është thjesht biografi e tij dhe cilado biografi, sido të ketë qenë, gjithsesi s’eshte letërsi, edhe pse jetët dhe veprat janë të lidhura midis tyre, ja, ashtu si enët komunikuese, më vjen krahasimi.
Në fund të fundit, mendoj prapë, se ato janë dhe tjetër gjë, madje edhe të ndara, po e vazhdoj krahësimin, ashtu si ena me atë çfarë ka brenda.
Nëqoftëse do të biem në biografizimin e letërsisë, pra, dhe ta gjykojmë atë të nxitur fatalisht nga biografia e autorit, atëhere duhet që një jetë zulmëmadhe plot lavdi e famë, të ketë dhënë dhe një letërsi të tillë, etj, atëhere duhet të detyrohemi të pranojmë që shkrimtari më i madh shqiptar mbetet të jetë Skënderbeu.
Është poeti ynë Kombëtar Naim Frashëri që do të shkruante poemën për atë, pa patur biografi kryengritësi dhe punoi në kryeqytetin e perandorisë me të cilën u përball Skënderbeu. Poetit tjetër Kombëtar, At’ Gjergj Fishta, iu persekutua vepra letrare për shkak të biografizimit barbar, kur sundonte Realizmi Socialist dhe po sipas këtij vështrimi, diktatorin Enver Hoxha e trajtuan dhe si shkrimtar kalibri, madje u arrit deri atje sa librin e tij memuaristik, të zakonshëm, “Vitet e vegjëlisë” t’ja kundërvenë romanit të shkëlqyer “Kronikë në gur”, autobiografik janë të dy dhe autorët janë nga i njëjti qytet, Gjirokastra.
Po hidhem në të kundërt, në jetët mjerane, bastarde të artistëve apo të përndjekura. Njoh bashkëvuajtës burgu, qendrestarë të lartë, që kanë shkruar vepra monumentale, dëshmi artistike që i mungonin letrave tona, por di dhe të rrënuar moralisht, të thyer, spiunë, por kanë dhënë vepra të arrira. Të qënit bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit nuk ka qenë pengesë, mbase as avantazh, që të kenë dhe poezi, krijimtari të lavdëruar.
Po marr dhe shembuj të huaj, se janë më sugjestionues: poeti amerikan Ezra Pound ishte fashist, u dënua dhe si i tillë, por atë e mbajnë si ndër poetët më të mëdhenj në botë të shekullit XX.
Pound mbështeti dhe promovoi bashkëkohësit T. S. Eliot, James Joyce, Robert Frost, Ernest Hemingway. Personalitete të tilla kërkuan dhe lirimin e tij nga burgu. Biblioteka e Kongresit Amerikan e nderoi me Çmimin “Bollingen”. Vepra e tij si poet nuk u gjykua prej biografisë së tij as si fashist e as si i sëmurë në spitalin psikiatrik. Po kêshtu dhe Majakovski, edhe pse Bolshevik i tërbuar, edhe në vepër, ai çmohet si poet futurist dhe në Perëndim…
Prapë nuk them se biografia e shkrimtarit nuk është e lidhur me letërsinë e tij. Shumë fort madje. Por, thënë thjesht, janë si pema e lidhur me frutin e saj, ku fruti s’është pema, askush nuk e ha sa krahu degën e mollës si mollë.
Ndoshta unë dukem disi tendencioz në mosbiografizimin e letërsisë, nga që vetë jam autor që kam qenë në burg, u dënova me 10 vjet heqje lirie për poezitë e mia, refuzova bashkëpunimin me Sigurimin e Shtetit, kjo e dokumentuar dhe s’dua të komplesoj asnjë koleg, por mbi të gjitha s’dua që krijimtaria ime, poezi, romane, ashtu siç janë ato, të varen prej biografisë time, por të bëjnë jetët e tyre të pavarura.
Më dhimbet dhe e dua letërsinë që erdhi nga burgjet dhe internimet, por nuk dua që të shihet vetëm si e tillë, kur ajo është natyrshëm letërsi shqipe.

blank

“ENDRRA” Nga Rudina Lohja Kurti

Më paska pasë marrë malli….
-Ajo ,nuk po shkon dot në botën tjetër-më tha zëri i cjerrë i një gruaje,kur hapa derën e shtëpisë.Ishte një zë si ato që po t’i dëgjosh në errësirë nuk i percakton dot seksin.Për një burrë të duket i pështirë ndërsa për një femër , i abuzuar që në moshë të njomë me alkool dhe cigare të shumta .
Ne,nuk kishim as pesë orë që e kishim varrosur dhe unë kuptova menjëherë se për çfarë po fliste gruaja e ndryshkur gjithandej.
-Po ti nga e kuptove këtë ?-lëshova pyetjen time unë , pak e lodhur,e mërzitur dhe në një lloj jermi negativ nga vdekja e parakohshme e Suzit ,nga ai varrim pa burrin pranë,nga dy kokat e përvuajtura të djemve që kishte lënë pas.
-…Dheu filloi të lëvizte ,kur ju u larguat …unë jam punëtore sherbimi ,por rri me shtëpi këtu pranë jush.Kur ju pashë në varrim,kuptova qe dicka e keni të vdekurën dhe erdha të lajmëroj.Shpejto se po ngryset dhe nuk do të kesh mundesi të punosh.Vdekja e dytë është më e rëndë se e para.Vrapo ta shpëtosh !-shtoi ritmin e të folurit gruaja,kur pa që unë kisha ngrirë tërsisht .Më pas mora veten dhe furishëm iu sula palltos,por kur dola,gruaja e shformuar ishte zhdukur.Mendova se gjithcka kishte qënë ëndërr ,ëndërr e brejtjes se ndërgjegjes ,pse e kisha lënë Suzin ,shoqen time të të gjitha kohrave, të vdiste .Fërkova sytë fort dhe kuptova se isha në një realitet të hidhur ,ku duhej të rrembeja këmbët dhe të ikja me vrap.Sa dola në rrugë një mjegull dhe shi i imët filloi të më shoqëronte vrapin tim që dukej se shkonte gjithnjë mbrapsht.Shiu të them të drejtën më bënte mirë .Më dukej se po dehej me vrapin tim,më vishte me lagështirën e duhur… ndërsa mjegulla me bënte si të padukshme nga kalimtarët .Në horizont shihja ditën që më një lloj pezmi po i linte vendin natës e unë vrapit tim po i merrja shpirtin për të kapur sa me shpejt lagjen e të vdekurve,lagjen e varreve,lagjen e varrezave.Kisha humbur krejt ne misionin tim dhe nuk po gjeja dot fjalën si i thonim ne atij vendi në perdorimin e zakonshem.
Vrapimi filloi te me ngadalësohej.Forcat po me rrëzoheshin dhe fillova të bëj vetëm ecje të shpejtë .-Si ka mundësi ata mjekë “të çmendur” e sidomos ai që i qëndroi për 6 muaj rresht tek koka e saj, nuk kuptoi se Suzi nuk kishte pranuar të ndërronte jetë .Dhe ja tani po ndodhte e pandodhmja.”Do Zoti të rezistojë e të më presë deri sa ta heq nga ai vend sterrë”-,mërmërita dhe kockat m’u zhyten më shumë në shi.
Ndoshta Suzi vërtet kishte vdekur,por nuk i kishte pëlqyer ajo bote dhe kerkonte të kthehej.Këmbëve i dhashë një shtysë të re.Kapa veten në vrapimin e dytë .Ajo,ndoshta po ndjehej keq brënda lotëve të djemve të vegjël dhe ka arritur të dalë.Dicka m’u lidh në grykë .Ndoshta kërkon t’i thotë fjalët e fundit Moit qe nuk arriti t’ia thoshte kurrë ,sepse diku larg,gojë të liga na thanë ,se është martuar.
Sytë m’u egërsuan dhe flokët më mbetën të ngrira në ajër .Nuk kisha kuptuar se dritat e qytetit i kisha lënë pas dhe i isha futur errësirës me një forcë të çuditshme dhe me ritmin e zemrës deri në shkallmim.
Nën syte e mi u shfaqen së pari lule pafund,mermer….kilometra mermer.Grumbuj dheu dhe unë si një somnambul , me ecje ku graviteti nuk ekzistonte gjeta pa vishtërsi vendin, ku para disa oresh kishim lënë Suzin.Gjeta plus disa zambakë të bardhë dhe një pllakë përkushtimi vënë ne krye të kurorave ,por qe nuk kisha kohë ta lexoja e të merresha me to…Ajo c’ka që më kishte thënë gruaja me zërin e çjerrë ishte e vërtetë .Një zë për ndihmë ndjeja në thellësi të shpirtit.Sytë ndjeja se më lëkundeshin dhe duart i vura në kerkim te Suzit.Më në fund arrita të bëhesha njësh me tokën ,me rrëpirën dhe ja ku u bëmë përsëri bashkë .Trupi saj çuditërisht shumë shpejt kishte marrë përmasat e një fëmije …Por,fundi fundit ç’rëndësi kishte….!?Sa trupa të vegjël jetonin e punonin në këtë botë .Mjaftonte jeta.Por zëri i brendshëm klithi.-Ku do ta çosh?Fëmijët do të ndjehen keq me rikthimin nënës me pamje dheu.Moi, burri i saj,kur Suzi ishte e bukur,kur për pak po bëhej deputete e një zone rurale, iku larg…iku të fillonte në jetë të re për të gjithë.
Tani…. me një Suz të tillë, ai ndoshta nuk do të vinte kurrë më.Shtyva tej klithjen që po më zinte grykën me një lloj neverie dhe trupin e Suzit e mbështjella me trupin tim për ta ngrohur ,për t’i dhënë ngjyrën e vijshmërisë.Megjithate… kishim mbetur në vend.Këmbët më ishin ngulur në baltë e ato nuk po merrnin përsipër lëvizjen për në qytet dhe për t’u larguar sa më shpejt nga ajo errësirë ngjitur në lagështirë. Atëherë me sy të ngulur nga qielli, kërkova të më çlironte nga makthi i baltes,nga makthi i pamatë i së nesërmes .-Shko ku të mundesh,vetëm mos e lër këtu!-ulëriu ndergjegja ime.Atëherë balta u zhduk dhe këmbët morën formën e eres.Nuk e ndjeja peshën e Suzit në krahët e mi, nuk ndjeja ma asnjë erë dheu, por vetëm të dridhurat e saj që bëheshin njësh me rrahjen e zemrës sime.Dalëngadalë një botë me mjegull më ndihmoi të hyja në qytet pa u vënë re.Këmbët ecnin pa asnjë komandë nga truri dhe përfundimisht nuk dija më nga shkoja.Suzi kishte mbyllur sytë dhe po flinte,ashtu si një javë më parë, kur e kisha marrë për darkë ne shtëpinë e familjes sime dhe ajo nuk kishte pritur të mbaronin gatimet,por ishte përfshirë e tëra në gjumë ,shtrirë në nje kolltuk të hapur.I kisha kërkuar të zgjohej,i kisha përkëdhelur kokën me flokët krejtësisht të rënë .Më pas me kishin pikuar lot në faqet e saj dhe atëherë ajo ishte zgjuar,por m’u pat lutur…. te mos e luaja që andej e ta mbuloja me një batanije tjetër, sepse kishte ftohtë. Ja dhe në këtë rrugë pa rrugë unë po e ngrohja me nxehtësinë e trupit tim pak e nga pak.Por, pamja e saj ishte po ajo. Padyshim ashtu do të mbetej… dhe fillova të bind veten se me një gjysëm të vdekur ngjitur në trup …nuk do të kisha asnjë mundësi të futesha në botën e të gjallëve si ndër legjenda.Atëherë ,hapat m’u bënë te njëtrajtshme .Bashkë me Suzin nisa udhëtimin me të gjatë të jetës sime,larg njerëzve më të dashur, që me shumë dhimbje u detyrova t’i lë atje, ku dritat ndriçonin gjithçka .
RudLohjaKurti
blank

Po klithja nëpër shi… – Poezi nga NAIM FETAJ (7 shkurt 1961 – 16 gusht 2022)

Pëllumbat ranë si bresher mbi bli
Dhe një re e zezë mbi mua u ngri
Si rrufeja qiellin unë dogja rrugë pēr ty
Ku je bertita…desha të shoh me sy…U dridhën gjethet ikën re e pëllumba
Unë si i çmendur po klithja nëpër shi
Shtatë pash ndër tokë loti im kish mbërriAsgjë më shumë
Për vete nuk di…
Deri në eshtra shiu më kishte hyI lumi unë i lumi
Lotoja per ty
Shtatë vjet më pas
Shtatë bjeshkë në mes kanë mbi

Shtatë pash nën dhe e m’u dukēt pak
Po klithja nëpër shi
Sikur ujku plak..

blank

Zogjtë nuk ndërrojnē fytyrë – Poezi nga NAIM FETAJ (7 shkurt 1961- 16 gusht 2022)

Po këndojnë zogjtë në pikë të dimrit
Se pa një këngē të re nuk dalin në pranverë
U përzien stinēt dhimbja dhe sëmundjët
Si pula pa kokë sillet botë e mjerë…Zogjtë nuk janë si ne nuk ndērrojnē fytyrē
Kthehen nga mërgimi tek lisat e vjetër
Na shohin të krimbur dhe sërish kēndojnē
Dhe ndoshta na ruajnë nga ndonjē krimb tjetër

Gjithëmonë rreth globit
Duke kënduar janē endur
E çfarë nuk kanë parë rreth botës së qelbur
Mbi kokën tonē rrinin këngētarë
Kah dielli për t’u djegur janë nisur si të marrē

( Ah…sa shumë janë vetëvrarë )

Pa zogj o Zot
Ku ka stinë të bardhë…


Send this to a friend