Në të vërtetë është e vështirë që në një profil të bëhen bashkë dhe të shkojnë paralel njëra- tjetrës cilësi të spikatura të qenit etnolog, studiues i letërsisë, albanolog apo dijeve të tjera kulturore dhe letrare dhe pedagogu. Dhe ndërsa është e vështirë për t’i pleksur bashkë këto tri dije të rëndësishme në një person të vetëm, për fatin e mirë prof. dr. Bardhosh Gaçe, një figurë e njohur i dijes filologjike dhe kulturore shqiptare, duket se ia ka dalë të ketë balanca të vërteta dhe për njërën, dhe për tjetrën fushë.
I lindur në Vlorë, një vend dhe një trevë me peshë të madhe të historinë e kombit që shekuj më parë, një qytetërim i lashtë i cili qerthullon rreth vetes një kulturë të hershme tipike dhe mbijetuese në identitetin e saj, një kryeqendër e rëndësishme e polifonisë labe, një nga kulturat më autentike dhe më të hershme të memorizmit dhe të komunikimit me kohët dhe me njerëzit përmes një të kënduari autentik i lashtë dhe kaq përbashkues, ku siç mund të kuptohet, në të thelbi mbi të cilin ajo është shfaqur si e tillë, përveç sendërtimit artistik brilant ka dhe elementë të tjerë solidariteti,
I lindur në Vlorën, e cila të afron një trevë të gjerësishme në të cilën gëlojnë personazhe, personalitete, profile dhe individualitet të historisë, të shkrimtarisë, të poezisë, të letërsisë, të folklorit, të politikës dhe diplomacisë, kupton se profesor Bardhosh Gaçe është lindur dhe rritur në një kopësht të larmishëm, në një muze ku janë të pranishme të gjitha kohërat, anës bregdetit më të mrekullueshëm në Europë, por dhe më epikun, nën këmbë malesh dhe kodrash ku vetëtimat dhe bubullimat duket se ua kanë ndriçuar fytyrën njerëzve kohë pas kohe, ku ujërat e bjeshkëve përqafohen me valët e detit si në asnjë vend tjetër në botë.
Nuk mund të gjendet kurrë një pleksje kaq emblematike,e natyrës me njerëzit, të historisë me shpirtin njerëzor, të ndjenjës së lirisë me luftën, të ndenjës së të bukurës me mishërimin e saj, prandaj profesor Bardhosh Gaçe i ka dhënë lexuesit shqiptarë kontribute të veçanta në eseistikë, publicistikë, vepra studimore, studime etnokulturore (albanologji), monografi, antologji, lektura, të sendërtuara në vepra të tilla si: “Himara në shekuj”; “Lëvizja kombëtare në Vlorë, 1878-1912”; “Hamza Isai: Një jetë në shërbim të Kombit”- monografi; “Sali Hallkokondi dhe “Historia e Shqipërisë së re”– monografi; “Ata që Shpallën Pavarësinë Kombëtare”; “Rapsodi Xhemil Veli Duka” – monografi; “Flamuri dhe Ismail Qemali: në këngë e rrëfime popullore”; -“Xha Selimi i Bratajt”;- “Kënga popullore e Selim Hasanit”; “Lëvizja kombëtare në Vlorë: 1878 – 1912”;- “Osman Haxhiu” -monografi; ”Konferenca shkencore Vlora në rrjedhat e kohës”; “Ali Asllani në kujtimet dhe studimet letrare”; “Nga epistolari i Ibrahim Shytit në Vlorë”; “Naim Frashëri si frymëzim i kulturës kombëtare shqiptare”, “Shtëpia e diellit dhe e detit”- antologji poetike, kushtuar Vlorës; “Letërsia bashkëkohore shqiptare”- poezia; “Vlora: fjalor enciklopedik” dhe mjaft studime të tjera të fushave të ndryshme përbëjnë një punë të rëndësishme të veprimtarisë shkrimore dhe hulumtuese të prof. dr. Bardhosh Gaçe.
Duke qenë i laureuar me gradën shkencore “Doktor i shkencave” në fushën e etnofolklorit, kryesisht me Etnokulturën e Labërisë dhe me titullin e lartë “Profesor”, prof. Bardhosh Gaçe ka kontribuar shumë në përmasat kombëtare në fushën e etnologjisë shqiptare, duke shënuar emrin e tij në një nga fushat më të rëndësishme të dijes dhe shkencës të kulurës popullore, si njëra nga degët më të rëndësishme të identitetit shqiptar. Natyra hulumtuese dhe gjurmuese e kulturës popullore, siç kuptohet lidhet që në moshën e rinisë së hershme të tij, pastaj dhe atë studentore, të cilën përveçse një kulturë të rëndësishme ai e konsideron atë një punë të vyer dhe patriotike, përmes të cilës bëhet e mundur nxjerrja nga rrënojat e pasurive të çmuara të vendit. Si i tillë, në kujtesnë dhe përvojën e profesorit prej gjurmuesi në Veri të Shqipërisë, e cilat njihen për pasurinë folklorike dhe traditën e hershme popullore si në Kukës, në Tropojë, në Lezhë dhe në Shkodër, duke mbledhur dhe hulumtuar trashëgiminë popullore, e konsultuar me punonjësit shkencorë të Institutit të Folklorit në Tiranë, në korpusin “Trashëgimi kulturor i popullit tonë” të Akademisë së Shkencave, gjurmime dhe hulumtime nga Lumi i Vlorës, Kurveleshi, Himara, Dukati, Luma, Has të Kukësit, në Zadrimë e Malësi të Madhe, në Fushë – Arrës, në fshatra të Pukës, në Sllovë e Maqellarë të Dibrës, te shqiptarët e Malit të Zi, Maqedonisë Veriore, në Kosovë, arvanitasit e Greqisë, arbëreshët e Italisë, duke pasur gjithashtu dhe një arkiv personal prej hulumtuesi, gjurmuesi dhe materialesh të larmishme me vlera të rëndësishme për kulturën popullore shqiptare.
Në formimin e studiuesit dhe dijetarit Bardhosh Gaçe, si folklorist dhe si etnolog qëndron një punë e mundimshme dhe e vazhdueshme prej ekspedisti të kërkimit shkencor, përveç punës së tij të vazhdueshme zënë dhe përvojat dhe bashkëpunimin që ai ka pasur me figura të njohura të etnologjisë dhe etnografisë si Rrok Zojzi, që nga mbledhja e të drejtës zakonore të krahinës së Labërisë, si “Kanuni i Papazhulit” (në fshatrat e Kurveleshit të Sipërm e në Himarë, Mesaplik e Shën Vasi), bashkëpunimet me studiuesit të folklorit shqiptar si: Qemal Haxhihasani dhe Beniamin Krutën në Dukat, Himarë, Lapardha e Vranisht, me studiuesin Kozma Vasili, mbi rapsoditë popullore në librat “Selim Hasani”, “Mato Hasani” dhe “Xhebro Gjika”; gjurmimin dhe mbledhjen e vajtimeve popullore në Lumin e Vlorës, dhe me mbledhës të folklorit si Musa Muho, Fatos Mero Rrapaj, Fane Veizi, Llambi Durolli, Jani Nushi, Mitat Kondi etj. të cilët kanë edukuar tek ai ndjenjën e bashkëpunimit dhe dashamirësinë për këtë kulturë të gjerë.
Në përvojën e profesor Bardhosh Gaçes zënë vend dhe bashkëpunimet me figurat të tjera emblematike të etnologjisë shqiptare, me prof. Zihni Sakon, i cili ka udhëhequr edhe diplomën në universitet, me studiuesit më në zë si: në Kosovë, si: Sadri Fetiu, Anton Çeta, Shefqet Pllana, Qemal Murati, Fazli Syla, Hamit Xhaferi. Nuhi Vinca, Bahri Brisku, Idriz Ajeti, Anton N. Berisha, Zymer U. Neziri, Emin Kabashi, Zeqirja Neziri etj. duke realizuar një varg gjurmimesh e studimesh etnofolklorike, ndërsa .
Në rrethanat e reja, pavarësisht vështirësive, prej një pasioni të njohur të arkivës së tij hulumtuese do t’i shtohen kërkimet në trevat në Maqedoni (Gostivar, Tetovë, Kumanovë, Shkup, në zonën e Prespës), në Kosovë (Drenicë, Mitrovicë, Fushë – Kosovë, Gjakovë, Prizren, Rugovë etj), në fshatrat shqiptare dhe arvanitasit në Greqi, në hapësirën tradicionale të kulturës tek arbëreshët e Italisë, duke pasur kontakte me studiuesit e njohur si: Aristidh Kolia (në Greqi), Antonio Belushin dhe Francesco Altimarin në horën arbëreshë të Italisë.
Për të kuptuar dhe mësuar punën e profesor Bardhoshit në fushën e etnologjisë, mbledhjes së folklorit dhe gjurmimit të kulturës popullore, do të mjaftonin vlerësimi i njërën nga figurat e njohura të dijes shkencore të etnologjisë dhe folklorit, profesoreshës Afërdita Onuzi ,e cila thotë për profesorin:” Personalisht kam pasur fatin të marr pjesë në ekspeditën etnofolklorike në fshatrat e Bregut të Himarës, në vitin 1996 bashkë me Bardhosh Gaçen dhe rapsodin e njohur të Bregut Lefter Çipa. Në këtë rast, kam kuptuar aftësinë dhe mjeshtërinë që gjurmuesi Bardhosh Gaçe kishte në komunikimin dhe aftësinë për të komunikuar me njerëzit e niveleve të ndryshme dhe të zonave të ndryshme. Në komunikimin e tij, dukej se kishte diçka magjike për t’u hapur çdo derë dhe portë e komunikimit Ekspedita e kësaj kohe kishte mjaft rëndësi për kulturën popullore të Jugut dhe atë shqiptare në përgjithësi, pasi nën kujdesin e Akademisë së Shkencave, me studime të shkencave albanologjike u botua vëllimi “Himara në shekuj”, ku studiuesi Bardhosh Gaçe ka një rol të rëndësishëm.”
Ndoshta një pjesë e vogël e punës gjurmuese dhe hulumtuese e tij është shndërruar në libra, kumtesa apo monografi, çfarë tregon se arkiva e tij është e vyer dhe e begatë për botime të tjera në të ardhmen.Një pjesë tjetër e rëndësishme e profili të tij është fusha studimore, një fushë shumë planëshe në letërsi, në folklor, në histori, në gjuhësi, në letërsinë e kultivuar dhe referimet në mediume të shumta mbi librat dhe botimet e kaluara dhe ata bashkëkohore.
Profesor Bardhosh Gaçe është një studiues klasik, me një njohje të thellë të letërsisë së vjetër shqipe, kryesisht atë arbëreshe, të letërsisë së shkruar dhe botuar në Kosovë, por dhe të letërsisë moderne, mendim të cilin ai e ka sjellë në mendimin letrar, recensional, por dhe të kritikës përmes një ridimensionimi vlerash. Përmes penës së tij, lexuesi, studentët e filologjisë kanë marrë njohuri të çmuaraj për shkrimtarë dhe poetë të cilët pas refuzimit të gjatë të rendit totalitar, poetë dhe shkrimtarë, të cilët pavarësisht konteksteve kohore kanë pasur dhe kanë një kontribut të rëndësishëm për letërsinë shqiptare.
Nën opinion e një mendje të lirë, si profesor Bardhosh Gaçes janë prurjet studimore dhe mendimit kritik si Fishta, Koliqi, Camaj, Haxhiademi, Xhagjika, poetët Vilson Blloshmi dhe Genc Leka, Musine Kokalari, Petro Marko, Ali Asllani, Daut Gumeni, por leximet tekstuale thellësisht dhe mbi koncepte korrekte të poezisë së Fatos Arapit, mbi problematikën, metaforën, figurën, tekstin dhe kontekstin e poezisë së Arapit, mendoj se përbën një kontribut madhor dhe të rëndësishëm në ridimensionimin e poetit dhe të nevojës për ta rilexuar atë Prof. Gaçe leximet e tij i ka shoqëruar me studime, mendim profesional dhe sugjerues duke qenë një studiues korrekt dhe bashkëpunues, duke potencuar se mendimi kritik dhe recenca e bën leximin e një libri më të plotë dhe më valorizues.
Një vlerë jashtëzakonisht e madhe, që i ka ardhur dhe i vjen dijes letrare dhe filologjike nga punët e prof. Bardhosh Gaçes, janë studimet dhe interpretimet në fushën e folklorit dhe gjuhësisë, dialektologjisë si :Shaban Demiraj, Emil Lafe, Xhevat Lloshi, Idriz Ajeti, Gjovalin Shkurtaj, Jul Variboba, Jeronim De Rada, Mateo Mandala, Francesko Altimari, Shaban Sinani, Rami Memushaj; studimet në fushën e historisë për figurën komplekse të Babait të Pavarësisë, ku shquan profili i patriotit dhe mendjendriturit Ismail Qemali, i njohur ndryshe dhe si Plaku i Vlorës, Lufta e Vlorës e vitit 1920, si njëra nga luftërat me peshë në historinë e popullit shqiptar, por dhe të popujve ballkanik, punimet, shkrimet publicistike, recencat, në prurjet e figurave të rëndësishme të Vlorës dhe krahinave të saj, si Osman Haxhiu, Spiro.J Koleka ,Memo Mete Brati, Hamza Isai dhe Beqir Velo. Një temë e tillë e mprehtë, zë një vend të rëndësishëm në “Vlora: fjalor enciklopedik”, me ç’rast studiuesi i njohur i historisë dhe monografisti i shquar Bardhosh Gaçe ka mundur të sjellë të gjithë figurat e njohura historike dhe personalitetet historike të kohëve të vona të Vlorës, si një qendër e madhe historike, kulturore, universitare dhe urbane e kohëve moderne.
Profesor Bardhosh Gaçe ka një profil të shquar studiuesi dhe intelektuali të epërm. Krahas punës së mësuesit, punonjësit shkencor, ekspeditistit dhe drejtuesit të rëndësishëm të institucioneve kulturore tashmë ushtron punën e pedagogut në Universitetin “Ismail Qemali” Vlorë, një përvojë të cilën e ka ushtruar si lektor në disa universitet të vendeve të tjera Ballkanike dhe Europiane, kryesisht në fushën e etnologjisë, folklorit dhe letërsisë shqipe. Ligjeron etnokulturën, letërsinë për fëmijë, letërsinë e vjetër shqipe, letërsinë arbëreshe, letërsinë e Rilindjes, letërsinë Moderne Shqipe.
Erudit, një personalitet dhe lektor i hapur, debutues, përçues i gjurmimeve shkencore, stimulues dhe bashkëpunues, referent i rëndësishëm i një informacioni të gjerësishëm në mendimin dhe debatin për çështjet e fushave të caktuara, njohës dhe mbështetës i talenteve të reja në letërsi, krijimtari, hulumtime shkencore në fusha të ndryshme, profesor Bardhosh Gaçe është një nder dhe një fat i mirë për çdo auditor ku ai lektoron dhe për çdo brez studentor që kalon në komunikimin me të.
Duke mbetur një figurë emblematike, profesor Bardhosh Gaçe përbën ndoshta profilin më të plotë, ku etnologu, studiuesi dhe pedagogu pleksen dhe konvergojnë në dijen bashkëkohore shqiptare që nga auditori deri në zonën e epërme akademike.Njohja me profesor Bardhosh Gaçen, aq më tepër bashkëpunimi me të është një mundësi më shumë për të hyrë dhe dashuruar botën e letërsisë, shkencës dhe humanizmit.Në këtë 70 – vjetor të lindjes së këtij dijetari te cmuar , Senati Universitetit “ Ismail Qemali “ dhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës, e nderuan edhe me titullin e lartë “ Profesor Emeritus “ .
Tiranë, mars 2025
(Marrë nga ExLibris)
Komentet