VOAL

VOAL

Një person nga Mali i Zi mund të ketë lidhje me sulmet në Francë

November 14, 2015

Komentet

Ulqin, përurohen veprat folklorike “Balada Popullore të Shqiptarëve në Malin e Zi”

VOA/Ali Salaj

Në Ulqin u përuruan dy veprat e njohura të studiuesit Ismail Doda “Balada Popullore të shqiptarëve në Malin e Zi”, të cilat vlerësohen si krijimet popullore më interesante në folklorin shqiptar.

Studiuesi Agron Xhagolli, vuri në dukje, rëndësinë e regjistrimit të baladave ndër shqiptarët në Malin e Zi që, sipas tij, paraqesin një punë studimore në nivel përgjithësues.

“Dr.Doda si njohës i mirë i të folurës së shqiptarëve që jetojnë në Malin e Zi ka ditur që me kujdes dhe vëmendje të regjistrojë si një mbledhës serioz lëndën folklorike duke respektuar parimin fonetik. Vlerat e këtij botimi nuk kanë të bëjnë vetëm me cilësinë dhe vlerat e baladave të përfshira. Lënda e renditur është e përfshirë në dy ndarje të mëdha: balada legjendare dhe balada realiste dhe me grupime të shumët brenda tyre “, tha zoti Xhagolli.

Analisti dhe kritiku i artit, Qazim Muja këto balada i quan vepra të artit, jo vetëm për shqiptarët në rajon, por për tërë njerëzimin me një funksion të veçantë letrarë dhe artistik, të cilat, siç tha ai, duhet të ruhen dhe të mbrohen në mënyrë të veçantë.

“Poezia popullore, qoftë ajo epike apo lirike meriton vëmendje të veçantë për shkak të karakterit të veçantë. Ajo historikisht është më e rrezikuar karshi ndryshimeve dhe zhdukjeve. Në fakt ajo nuk shfaqet gjithmonë dhe gjithkund, nuk gjendet tek të gjitha kombet, por vetëm tek disa popuj siç është rasti i tej theksuar në letërsinë popullit tonë dhe për ruajtjen e mirëmbajtjen e saj kërkohen kushte të veçanta socio historike”, tha zot Muja.

Në këtë kuadër zoti Xhagolli, vuri në dukje, rëndësinë e këtyre veprave, të cilat do të jenë një ndihmesë dokumentuese për folkloristikën shqiptare.

“Vëllimi i baladave është një ndihmesë dokumentuese për folkloristikën shqiptare në përgjithësi. Bibliotekat tona me botimin e këtij vëllimi do të pasurohen me një vlerë të cilësuar me shumë interes,” tha studiuesi Xhagolli.

Studiuesi dhe mbledhësi i folklorit Ismail Doda përkujtoj punën e gjatë dhe të mundimshme si në shkollimin ashtu edhe në mbledhjen e lëndës folklorike (INC)

“I takoj asaj gjenerate të dënuar që nuk guxonim të mësonim në gjuhën shqipe dhe kur janë pjekur kushtet unë u ktheva në vendin tim si bleta dhe duke studiuar në Prishtinë”, tha autori Doada

Studiuesit vlerësojnë se këto botime janë vepra unike që hyjnë në fondin e veçantë të folklorit të popullit shqiptar, shprehur në të folmen e gegërishtes dhe si të tilla fitojnë përjetësinë në antropologjinë kulturore shqiptare.

SHBA: Ndarja nënkupton fund për Republikën Sërpska

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Sarajevë ka thënë të premten se propozimi i Qeverisë së Republikës Sërpska (RS) për t’u ndarë nga Bosnja e Hercegovina është i rrezikshëm dhe i papërgjegjshëm dhe se një gjë e tillë “nuk do të nënkuptonte pavarësi, por fund për Republikën Sërpska”.

Të enjten, Qeveria e RS-së tha se në 30 ditët e ardhshme ajo do të krijojë një marrëveshje që do t’i dërgohet entitetit tjetër të Bosnjës, Federatës së Bosnjës e Hercegovinës, për “ndarje paqësore”.Ambasada amerikane tha se ky propozim nuk është në përputhje me Marrëveshjen e Dejtonit dhe se “e vë në rrezik sovranitetin dhe integritetin territorial dhe karakterin shumetnik të Bosnjës”.

“Këto janë interesa thelbësore të SHBA-së. Shtetet e Bashkuara do t’i mbrojnë dhe ruajnë ato, mes tjerash, duke i mbajtur përgjegjës ata të cilët i rrezikojnë ato”, thuhet në komunikatë, shkruan REL.

Ajo e akuzoi Millorad Dodikun, presidentin nacionalist të Republikës Sërpska dhe Qeverinë e RS-së, se u përpoqën ta arsyetojnë këtë vendim bazuar në “gënjeshtra dhe dezinformata, me qëllim për ta frikësuar popullin në Republikën Sërpska, që t’i mbështesin ata në këtë rrugë të rrezikshme”.

“Faktet janë të thjeshta dhe të drejtpërdrejta. Nuk ka konspiracion ndërkombëtar për ta ndarë RS-në dhe Dodik, nuk mund ta gjejë asnjë deklaratë ku një zyrtar amerikan bën thirrje për shuarjen e RS-së”, thuhet tutje në komunikatë.

Ajo e bëri të qartë se, sipas Marrëveshjes së Dejtonit për Paqe dhe Kushtetutës së Bosnjës, Bosnja e Hercegovina (BeH) është trashëgimtare e Republikës së Bosnjë e Hercegovinës.

“Kushtetuta e BeH nuk u jep të drejtë entiteteve apo njësive nënshtetërore për ndarje apo shkëputje”. RS-ja mund të ekzistojnë vetëm brenda BeH.”

Veprimet e Dodikut, sipas Ambasadës, e rrezikojnë të ardhmen brenda institucioneve euroatlantike që populli i Bosnjës, përfshirë RS-së, e duan.

Kina dhe Serbia, vend kandidat për në BE, nënshkruajnë 29 marrëveshje

VOA/Marrë nga Reuters dhe AP

Presidenti kinez Xi Jinping është pritur ngrohtë nga udhëheqja dhe populli serb gjatë vizitës në Beograd. Pas takimeve me Presidentin serb Aleksandar Vuçiç u njoftua për arritjen e 29 marrëveshjeve për të ndërtuar “të ardhme të përbashkët”, megjithëse nuk u dhanë detaje për këtë. Presidenti kinez gjithashtu tha se kur është fjala për Kosovën, Pekini përkrah qëndrimin serb për të ruajtur “sovranitetin dhe integritetin territorial të Serbisë”.

“Një miqësi e çeliktë” ishte fjalia që u përsërit disa herë për të përshkruar marrëdhëniet në mes të Kinës dhe Serbisë gjatë takimeve të Presidentit kinez, Xi Jinping dhe homologut serb, Aleksandar Vuçiç.

“E kam parë nga afër se populli serb është një mik i çeliktë. Ju jeni miqtë më të mirë të Kinës dhe popullit kinez”, tha Presidenti Xi para se të fillonte takimin me udhëheqjen serbe.

Pas takimit, udhëheqësi kinez dhe ai serb dolën në ballkonin e Pallatit Serbia për të përshëndetur mijëra njerëz që ishin sjellë me autobusë të veçantë për të përshëndetur udhëheqësin kinez.

“Rroftë miqësia e çeliktë në mes të Serbisë dhe Kinës. Ju lus për duartrokitjen më të madhe për Presidentin Xi”, tha Presidenti Vuçiç.

Përtej deklaratave për miqësi të hekurt, të dy udhëheqësit njoftuan se do të “thellojnë partneritetin gjithëpërfshirës strategjik midis dy vendeve” dhe “do të ndërtojnë një epokë të re me një të ardhme të përbashkët midis Kinës dhe Serbisë”.

“Ne po kalojmë në një komunitet që flet për të ardhmen e përbashkët të dy vendeve tona. Ky është niveli më i lartë i bashkëpunimit mes dy vendeve dhe jam krenar që sot, si President i Serbisë, nënshkruaj një deklaratë të tillë me presidentin Xi”, tha zoti Vuçiç pas takimit.

Kjo e bën vendin ballkanik të parin në Evropë që ka rënë dakord për një dokument të tillë me Pekinin, megjithëse përmbajtja e marrëveshjes nuk u sqarua në detaje, kjo ka pak gjasa t’i pëlqejë Bashkimit Evropian që i ka dhënë Serbisë statusin e vendit kandidat për t’u anëtarësuar në bllokun evropian.

Vitin e kaluar Kina dhe Serbia nënshkruan një marrëveshje për tregëti të lirë, e cila siç tha Presidenti Xi sot, do të fillojë të zbatohet në korrik.

“Marrëveshja e Tregtisë së Lirë Kinë-Serbi do të hyjë zyrtarisht në fuqi më 1 korrik të këtij viti”.

Marrëveshja për tregti të lirë, nuk është në përputhje me kushtet e BE-së për anëtarësim. Serbia zyrtarisht dëshiron të bashkohet me bllokun 27-vendesh, megjithatë ajo është larguar vazhdimisht nga kjo rrugë. Kina ka derdhur miliarda dollarë në Serbi në formë investimesh dhe kredish, veçanërisht në miniera dhe infrastrukturë.

Të dy vendet nënshkruan sot 29 marrëveshje, që nga zgjerimi i artikujve bujqësorë serbë që do të importohen në Kinë, tek nisja e fluturimeve të drejtpërdrejta nga Beogradi për në Shangai dhe më pas edhe në Guangzhou.

Kritikët thonë se Serbia mund të shërbejë si një kalë troje kinez dhe si portë hyrëse e Pekinit në Evropë.

Presidenti Xi mbërriti në Serbi në një datë simbolike, 25 vjetorin e bombardimit të Ambasadës Kineze në Beograd nga NATO-ja gjatë luftës së Kosovës, kur u vranë tre shtetas kinezë.

Incidenti ka ndihmuar në krijimin e lidhjeve të ngushta politike midis Kinës dhe Serbisë duke mbajtur qëndrim të ngjajshëm edhe për Kosovën. Kjo u bë e qartë sërish në Beograd.

“Kina mbështet përpjekjet e Serbisë për të ruajtur sovranitetin dhe integritetin territorial, për çështjen e Kosovës”, tha Presidenti kinez.

Sot, gjatë një konference shtypi, i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar tha se vizita e Presidentit Xi synon të rrisë tensionet mes Serbisë dhe Perëndimit.

“Unë mendoj se kjo vizitë po bëhet për të rritur tensionet në mes të Serbisë dhe Perëndimit dhe kjo vizitë nuk ndihmon. Shtetet e Bashkuara kanë thënë se bombardimi i ambasadës kineze në vitin 1999 ishte një aksident. Ne kemi kërkuar falje dhe besoj se edhe kemi paguar dëmshpërblim për familjet e viktimave. Vizita fatkeqësisht bëhet qëllimisht të përkojë me këtë ditë”, tha zoti Escobar.

Presidenti i Kinës e filloi vizitën në Evropë me takimet në Paris me Presidentin Emmanuel Macron dhe Presidenten e Komisionit Evropian, Urusula von der Leyen, ku temat kryesore ishin tregtia dhe lufta e Rusisë në Ukrainë. Nga Beogradi, Presidenti Xi udhëton për në Hungari të mërkurën në mbrëmje. Ashtu si Serbia, Budapesti shihet si një nga partnerët më miqësorë të Kinës në Evropë.

Presidenti Xi nis vizitën në Serbinë në 25 vjetorin e bombardimeve të NATO-s ndaj ambasadës kineze

VOA/Marrë nga Associated Press

Vizita e Presidentit Xi Jinping të martën, në Serbi, një vend aleat i Kinës në Evropë, bëhet në një ditë simbolike, 25 vjetorin e bombardimit të ambasadës së Kinës në Beograd në kohën e fushatës ajrore të NATO-s gjatë luftës në Kosovë.

Avionët amerikanë hodhën 5 bomba në ambasadën e Kinës në kryeqytetin serb në 7 maj të 1999. Ndërtesa u përfshi nga flakët, tre shtetas kinezë humbën jetën, 20 persona të tjerë mbetën të plagosur si pasojë e ngjarjes, e cila, që atëherë, ka rënduar në marrëdhëniet mes dy fuqive.

Presidenti Xi iu referua bombardimeve në një artikull të botuar në gazetën serbe “Politika” të martën, duke shkruar se “nuk duhet të harrojmë se 25 vjet më parë, NATO-ja haptazi bombardoi ambasadën e Kinës në Jugosllavi”, sipas përkthimit të publikuar në median shtetërore kineze.

“Populli kinez e vlerëson paqen, por nuk do të lejojë më kurrë që të ndodhin përsëri tragjedi të tilla”, shtoi ai.

Aleaca ushtarake perëndimore kishte nisur ndërhyrjen ajrore në mars të atij viti për të detyruar Slobodan Milosheviçin që t’i jepte fund spastrimit etnik të shqiptarëve të Kosovës.

Aso kohe, Shtetet e Bashkuara kërkuan ndjesë dhe thanë se bombardimi ndaj ambasadës ishte një gabim që ndodhi për shkak të të dhënave të pasakta të shërbimeve inteligjente. Uashingtoni tha se bombardimet kishin si objektiv godinën kryesore të eksportuesit shtetëror serb të armëve, që gjendej në të njëjtën rrugë, në një distancë të afërt me ambasadën.

“Imagjinoni nëse dikush, edhe gabimisht, godet ambasadën amerikane, një nga selitë e saj kudo nëpër botë. Reagimi do të ishte i menjëhershëm”, thotë Sven Biscop, profesor mbi politikat e jashtme dhe të sigurisë evropiane në Universitetin “Ghent” dhe Institutin “Egmont”. “Ndaj, për një vend si Kina, është e qartë se kjo është diçka e madhe. Dhe sigurisht që nuk është harruar”.

Ngjarja shkaktoi zemërim tek qytetarët kinezë dhe nxiti ndjenjat anti-amerikane dhe spekulimet se sulmi ishte i qëllimshëm dhe jo një gabim. Mosbesimi lidhur me incidentin vazhdon edhe sot e kësaj dite. “Ka të ngjarë të mos e dimë kurrë përfundimisht se cila është e vërteta”, tha zoti Biscop. “Por një gjë është e sigurtë. Në luftë, incidente të tilla ndodhin dhe unë zakonisht kam prirjen të anoj nga shpjegimi më i thjeshtë se sa të shpik teori të ndërlikuara”.

Bombardimi shkaktoi tendosje të marrëdhënieve të Pekinit me Shtetet e Bashkuara dhe afroi marrëdhëniet mes Kinës dhe Serbisë. Kina është investitori më i madh i huaj në Serbi dhe partneri i dytë tregtar më i madh pas Bashkimit Europian. Pekini e kundërshtoi fushatën e bombardimeve të NATO-s dhe që atëherë ka mbështetur synimet e Beogradit për të kundërshtuar pavarësinë e Kosovës, të mbështetur nga Perëndimi. Në këmbim, Serbia ka qenë një një aleat besnik i Pekinit dhe u ka hapur dyert, pa kufizime, investimeve kineze prej miliarda dollarësh, edhe pse formalisht kërkon anëtarësim në Bashkimin Europian.

Miqësia mes popullit kinez dhe serb do të na frymëzojë të vazhdojmë përpara. Ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me miqtë tanë serbë për synimet tona, për t’i dhënë dorën njëri-tjetrit drejt përparimit, për të shkruar një kapitull të ri në zhvillimin dhe rijetësimin kombëtar dhe drejt ndërtimit të një komunitet kinezo-serb me një të ardhme të përbashkët për njerëzimin, në këtë epokë të re”, shkruante Presidenti Xi.

Sinjalet e mbështetjes së Kinës ishin qartësisht të dukshme para vizitës së Presidentit Xi, të martën dhe të mërkurën. Në Beograd, flamuj të mëdhenj kinezë ishin vënë në muret e godinave të larta si edhe në aksin rrugor që lidh aeroportin me kryeqytetin. Pas vizitës në Serbi, Presidenti Xi do të udhëtojë drejt Hungarisë. Ai pritet të vizitojë vendin e ish-ambasadës kineze dhe të nderojë viktimat e bombardimeve. Aty ku ndodhej ambasada tani gjendet një qendër kulturore kineze. Kompleksi i gjerë thuhet se përfshin një Institutin “Konfuci”, ekspozita, zyra, hapësira banimi dhe një hotel. Ai shihet si simbol i ndikimit në rritje të Kinës në Serbi dhe në mbarë Evropën.

Politikani serb: Në vjeshtë do të ketë një tjetër sulm në veri të Kosovës

Politikani serb Boban Bogdanoviç, i larguar nga vendi i tij, siç thotë ai, për çështje sigurie bëri një koment në rrjetin X, se Serbia është duke organizuar një tjetër sulm në veri të Kosovës. Ai pretendon se informacionin e ka nga “burime 100% të sakta”. Sipas tij, qëllimi është “shkëputja” e atyre zonave nga Republika e Kosovës duke ia bashkuar Serbisë.

Ai pretendon se sulmi do të kryhet diku “gjatë vjeshtës”. I kontaktuar nga Gazeta Nacionale ai tha se burimet e tij “janë po ata të njëjtët” që sipas tij e kishin paralajmëruar për sulmin në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator të vitit të kaluar; për të cilin thotë se e kishte paralajmëruar “që përpara sulmit” në një seri komentesh në rrjetet sociale bashkë me thirrjet që Republika e Kosovës të shpallte Listën Serbe si organizatë të jashtëligjshme dhe terroriste.

Bogdanoviq thotë se qeveria e re serbe e sapovotuar “është qeveri dhe kabinet i luftës”; dhe se është po ajo kastë politike e përgatitur për këtë mësymje të veriut të Kosovës. Politikani kontrovers serb pretendon se disa qindra terroristë paramilitarë serbe janë futur ndërkohë në veri dhe po qëndrojnë në gjendje pasive, por mund të aktivizohen “diku nga vjeshta” dhe të nisin sulme edhe ndaj vetë KFOR-it.

Më pas thotë se mund të ndërhyjnë “1 mijë njësi speciale paramilitare” nga territori i Serbisë. Vlen të thuhet se ai nuk jep ndonjë provë për të mbështetur pretendimet e tij.

“Po, ky është plani. Banjska ishte vetëm të tregonin se çfarë mund të bëjnë” – ka thënë ai. Në një konferencë për media më 23 dhjetor të vitit të kaluar edhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti foli për një rigrupim të forcave paramilitare të Millan Radojçiqit në Kopaonik, nga ku kishte informacione se “po përgatisin sulme të reja ndaj Kosovës”./ lapsi.al/

Analisti Bielamowicz: Qeveria serbe me figura thellësisht të komprometuara

Kuvendi i Serbisë zgjodhi Qeverinë e re serbe. Bashkë me kryeministrin e ri Millosh Vuçeviq, janë betuar 31 anëtarë të Qeverisë. Kryeministri Millosh Vuçeviq tha se qeveria e tij do të vazhdojë rrugën e neutralitetit.

Por Jakub Bielamowicz, analist i Evropës Juglindore dhe Ballkanit Perëndimor në Institutin e Evropës së Re, tha se kabineti i ri përfshin dy palë të vijës së ashpër të sanksionuar nga SHBA, Vulin dhe Popoviq, dhe një numër figurash thellësisht të komprometuara, shkruan RTK.

“Serbia ka një qeveri të re të udhëhequr nga Millosh Vuçeviq. Kryeministri i ri zotohet të “mbajë Kosovën brenda Serbisë” dhe të rivendosë shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Kabineti i ri përfshin dy palë të vijës së ashpër të sanksionuar nga SHBA, Vulin & Popovic, dhe një numër figurash thellësisht të komprometuara”, ka shkruar ai në platformën ‘X’.sn

Image

“Civilët janë shumë më mirë të armatosur se policia”, dështon fushata për çarmatosjen e Serbisë

Pas fushatës së çarmatimit në Serbi, numri i armëve legale u zvogëlua me 190.000 copë. Por në qarkullim kanë mbetur edhe shumë armë të tjera ilegale.

“Ne të gjithë e dimë se të gjithë kemi armë, por askush nuk do t’jua pranojë këtë”, thotë për DW Ivan M.* (38) nga Novi Sadi. Familja e tij nuk dëshiron të flasë se çfarë lloj arme posedon.

Ivona R.* (40), një grua nga Novi Sadi, gjithashtu pranon se ka një armë që e ka trashëguar nga babai i saj i ndjerë. Edhe Goran P.* (59), nga një qytet i vogël në Vojvodina, ka pasur një armë, siç thotë ai, pothuajse gjithë jetën. Ata të gjithë bëjnë jetë të qetë. Siguria e tyre nuk është në rrezik. Por posedimi i armëve në Serbi nuk është rezultat i një kërcënimi real të sigurisë, është një çështje e traditës.

“Vlerësohet se civilët tanë janë shumë më mirë të armatosur se policia,” tha për DW ekspertja e sigurisë Branislava Kostiq, që shihet në dasmat tona, festimet dhe të ngjashme.

Këtë e vërtetojnë vlerësimet e projektit hulumtues zviceran “Small Arms Survey” nga viti 2018, sipas të cilit, Serbiaështë e treta në botë për sa i përket armatimit civil – pak pas Jemenit dhe SHBA-së me mbi 39 armë të lehta për çdo njëqind banorë, që është tre herë e gjysmë më shumë se të dhënat zyrtare të shtetit.

Me bombë në treg
Mirëpo, kur në majin e kaluar ndodhën dy vrasje masive, ku mbetën të vrarë 17 persona dhe u plagosën 21 të tjerë, u duk se për një moment ndryshoi disponimi ndaj armëve. Shteti miratoi një sërë masash që shpallnin çarmatimin në shkallë të gjerë të Serbisë.

Një aksion dy mujor gjatë të cilit qytetarët u ftuan të dorëzojnë armët pa pasoja dhe pa përgjegjësi penale, ka rezultuar në dorëzimin e 82.398 armëve të zjarrit, 4.243.139 copë municion dhe 26.485 mjete shpërthyese. Ministria deklaroi se ishte aksioni më i suksesshëm i kryer ndonjëherë.

“Ajo që nuk ishte mirë, ishte mënyra se si janë sjellë ato armë, sepse kemi informacione se njerëzit kanë bartur bomba në transportin publik. Duhej organizuar në një mënyrë më të sigurt, që ekspertët të merrnin armët”, shpjegon për DW, Marina Kostiq Shulejiq nga Shoqata Profesionale e Sektorit të Sigurisë.

Gjatë fushatës, qytetarët paraqitën një sërë situatash absurde në rrjetet sociale, duke treguar se si mbanin pistoleta në çantat e tyre, më pas rrugës për në punë apo pasi bënin pazar në treg, ndaloheshin në polici për të lënë armët. Ata dëshmuan gjithashtu se kanë pritur në radhë para sportelit të policisë për një orë e gjysmë së bashku me shtetas të tjerë të “armatosur”.

“Problemi i dytë është se ato armë nuk ruhen në mënyrë të sigurtë pasi janë pranuar në stacionet e policisë”, shton Branislava Kostiq për armët që nuk janë përditësuar, të renditura, të regjistruara.

Polici vodhi 272 pistoleta

Një nga shembujt e neglizhencës është rasti i një polici nga Nishi, i cili vodhi 272 pistoleta të cilat ishin dorëzuar në stacion gjatë operacionit. Siç shkruan mediat vendase, informacionet fillestare ishin se mungonin 63 pistoleta, ndaj për shkak të të dhënave të dobëta, ka pasur një proces të gjatë tenderimi se sa pistoleta janë vjedhur në të vërtetë.

Abuzimet janë të mundshme, sepse aksioni është kryer papritur dhe pa procedura të hollësishme se çfarë të bëhet me armët e grumbulluara, beson Marina Kostiq Shulejiq. Prandaj shoqata e saj i bën thirrje MPB-së: “Nuk kemi informacione nëse ato armatime janë shkatërruar apo janë ruajtur diku apo ndoshta janë shitur dhe shpërndarë diku tjetër. Ne thjesht nuk e dimë se çfarë ndodhi me kaq shumë armë të mbledhura”.

Nuk ia vlen

Bashkëbiseduesit tanë nuk ia dorëzuan armët policisë, por për këtë arsye policia iu foli në procesin e rishikimit të lejeve për mbajtjen e armëve. Goran P.* thotë se përvojat e tij me policinë kanë qenë shumë të këndshme.

“Ata erdhën, shpjeguan gjithçka bukur dhe më doli që do të duhej të paguaja rreth 200 euro për ta mbajtur armën”, thotë Gorani. “Prandaj ua kam dorëzuar armën dhe do ta blej lehtësisht një tjetër ilegalisht”. Çfarë rëndësie ka”.

Ekspertet femra me të cilat biseduam nuk habiten nga një qëndrim i tillë. Branislava Kostiq thotë se përllogaritjet janë se numri i rasteve të tilla mund të shkojë deri në 80.000, sepse njerëzit nuk duan të paguajnë taksa, por duan të kenë armë.

Rezultatet e masave të qeverisë, të cilat tregojnë se nga 766.665 armë të regjistruara menjëherë pas vrasjes, ky numër ka rënë në 575.695 sot, pra mund të jenë vetëm maja e ajsbergut, sepse të gjitha argumentet e tjera mbështesin tezën se numri i armëve pa leje po rritet në të njëjtën kohë.

“Ne shohim edhe rritjen e numrit të armëve në rrugë, që do të thotë se ka më shumë të tilla në tregun ilegal”, thotë Kostiq Shuleji. Shumë armë po shkojnë në Ukrainë, kështu që mund të ndodhë që disa nga këto armë të kthehen prapë ilegalisht.”

Nuk ka ulje të dhunës në një shoqëri

Megjithatë, disa nga masat e shpallura nga qeveria pas vrasjeve masive nuk janë zbatuar. Hulumtimi i Qendrës së Beogradit për Politikë të Sigurisë (BCBP) tregon se shteti ka hequr dorë nga shtrëngimi i kushteve për marrjen e armëve, si dhe nga futja e një kontrolli të detyrueshëm gjashtëmujor shëndetësor për personat e armatosur, pasi këto dy masa do të kërkojnë një ndryshim në Ligjin për Armë dhe Municion. Nga ana tjetër, ashpërsimi i paralajmëruar i dënimeve për armëmbajtje pa leje dhe futja e një vepre penale që do të dënonte këdo që lejon fëmijët të posedojnë armë, do të kërkonte ndryshime në Kodin Penal.

Pra, a ka lëvizur ndonjë gjë nga pozicioni fillestar? “Për pyetjen kulturore, evropiane nëse luftërat, por edhe këto vuajtje e tmerre që ndodhën, na kanë mësuar se sa probleme lidhen me armëmbajtjen, përgjigja është: Jo, sigurisht që jo. Grumbullimi i armëve tregoi se armët më së shpeshti i kthenin të moshuarit, jo të rinjtë, sepse kishin frikë për fëmijët dhe nipërit e tyre. Megjithatë, të rinjtë nuk kishin nevojë të kthenin armët”, thotë Branislava Kostiq.

Ministria e Punëve të Brendshme nuk është përgjigjur për pyetjen, nëse të dhënat statistikore tregojnë ulje të dhunës në shoqëri. Edhe një rishikim sipërfaqësor i faqeve të para të mediave tregon se dhuna e bashkëmoshatarëve nuk ndalet, se shkalla e lartë e femicideve vazhdon të regjistrohet, se kronika e zezë është përplot.

“Nuk mund të zgjidhet një formë e dhunës, derisa nuk zgjidhet problemi i një shoqërie që mbijeton me dhunë”, vlerëson Branislava Kostiq, “Njerëzit tashmë janë mësuar me faktin se kushdo që ka pushtet ka mundësi të shkelë të gjitha të drejtat tuaja. një nga karakteristikat e një shoqërie të dhunës. Padyshim që ne po bëhemi shoqëri e dhunës me shumë karakteristika, e një nga ato është se me kalimin e kohës njerëzit e pranojnë dhunën si normale”, përfundon Kostiq. dw

Shpallet përbërja e re e Qeverisë serbe

Ndërtesa e Qeverisë së Serbisë në Beograd

 

Mandatari për formimin e Qeverisë së Serbisë, Millosh Vuçeviq, propozoi të hënën emrat e ministrave të rinj në kabinet.

Siç paralajmëroi, Qeveria e tij do të përbëhet nga 25 ministri dhe pesë ministra pa portofol.

Në pozitën e zëvendëskryeministrit do të rikthehet Aleksandar Vulin, ish-udhëheqës i shërbimit të inteligjencës, i cili është nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që nga korriku i vitit 2023 – mes tjerash për shkak të lidhjeve me Rusinë.

Shefi aktual i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq, do ta udhëheqë Ministrinë e Punëve të Brendshme, ndërsa ministër i Mbrojtjes do të jetë Bratisllav Gashiq, deri më tash ministër i Policisë.

Marko Gjuriq, ish-ambasador i Serbisë në SHBA dhe ish-drejtor i Zyrës për Kosovën në Serbi, do t’i bashkohet Qeverisë si ministër i Punëve të Jashtme.

Një zyrtar tjetër nga “lista e zezë” e SHBA-së, për shkak të lidhjeve me Rusinë, Nenad Popoviq, do të jetë po ashtu pjesë e Qeverisë si ministër pa portofol.

“Zavetnici” në Qeveri

Millica Gjurgjeviq Stamenkovski, kryetare e partisë së djathtë, Zavetnici, do ta drejtojë Ministrinë për Përkujdesje Familjare.

Kjo parti, deri tani, ka vepruar në opozitë, por, pas zgjedhjeve të 17 dhjetorit, ka nisur bashkëpunim me Partinë Përparimtare Serbe, që ka pushtetin.

Si partnere e saj në koalicion, do të marrë pjesë edhe në zgjedhjet e ardhshme lokale në Serbi, që do të mbahen më 2 qershor.

Ministrat e rinj të Qeverisë serbe përfshijnë edhe ish-sekretarin shtetëror të Ministrisë së Mbrojtjes, Nemanja Staroviq, si ministër i Punës, Darko Gllishiqin si ministër për Investime Publike dhe Dejan Ristiqin si ministër për Informim.

Në krye të Ministrisë së Shëndetësisë do të rikthehet Zllatibor Llonçar, i cili nuk e ka mbajtur këtë post në përbërjen e kaluar, ndërsa Ministrinë e Kulturës do ta marrë Nikolla Selakoviq.

Ministri i deritashëm i Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale, Aleksandar Martinoviq, do ta drejtojë Ministrinë e Bujqësisë.

Ministre e re e Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale do të jetë Jellena Zhariq Kovaçeviq, ndërsa Adrijana Mesaroviq do të jetë ministre e Ekonomisë.

Kush i mbajti ministritë?

Sinisha Malli mbetet në krye të Ministrisë së Financave, ashtu si edhe Irena Vujoviq në postin e ministres së Ekologjisë dhe Dubravka Gjedoviq Handanoviq si ministre e Minierave dhe Energjetikës.

Ministre e Drejtësisë mbetet Maja Popoviq dhe ministër i Ndërtimit mbetet Goran Vesiq. Tomisllav Momiroviq, po ashtu, ruan portofolin e Tregtisë së Brendshme dhe të Jashtme.

Ministre për Integrime Evropiane mbetet Tanja Mishqeviq, ndërsa Sllavica Gjukiq Dejanoviq do të jetë sërish ministre e Arsimit.

Jellena Begoviq do të jetë ministre e Shkencës edhe në këtë përbërje, ndërsa Millan Kërkobabiq do të vazhdojë ta udhëheqë Ministrinë për Përkujdesje ndaj Fshatrave.

Udhëheqës i Ministrisë për të Drejtat e Njeriut dhe Minoriteteve edhe në këtë mandat do të jetë Tomisllav Zhigmanov, ndërsa ministër i Sportit sërish Zoran Gajiq.

Husein Memiq, ndërkaq, mbetet në krye të Ministrisë së Turizmit dhe Rinisë.

Përveç Nenad Popoviqit, Qeveria e re serbe do t’i ketë edhe katër ministra të tjerë pa portofol. Ata janë: Novica Tonçev, Gjorgje Milliqeviq, Usame Zukorlliq dhe Tatjana Macura.

Tonçev dhe Milliqeviq, zyrtarë të Partisë Socialiste të Serbisë, ishin ministra pa portofol edhe në përbërjen e fundit të Qeverisë.

Ish-ministrja e Kulturës, Maja Gojkoviq, u propozua për kryetare të Qeverisë Krahinore të Vojvodinës.

Shtatë ish-anëtarë të grupit “Çakallët” dënohen për krime kundër shqiptarëve të Kosovës

Pjesëtarë të grupit Çakallët. Fotografia nga arkivi është shkëputur nga një video-incizim.

Ish-anëtari i Ushtrisë Jugosllave, Toplica Milladinoviq, u dënua me 20 vjet burgim për krime kundër shqiptarëve të Kosovës në fshatrat përreth Pejës më 1999.

Sipas njoftimit të publikuar në ueb-faqen e Gjykatës së Lartë në Beograd më 24 prill, edhe gjashtë ish-pjesëtar të Ushtrisë Jugisllave u dënuan me krime lufte. Predrag Vukoviq u dënua me 13 vjet burgim, Abullah Sokiq me 12, Sinisha Mishiq me pesë, ndërkaq Lazar Pavlloviq, Sllavisha Kastratoviq dhe Boban Bogiçeviq u dënuan me nga dy vjet burgim secili.

Ndërkaq, Vellko Koriqanin dhe Millan Ivanoviq u liruan nga akuzat.

Sipas aktakuzës, ish-anëtarët e Detashmentit të 177-të të ushtrisë territoriale të Ushtrisë Jugosllave, (të njohur si “Çakallët”), morën pjesë në masakrat kundër shqiptarëve të Kosovës në fshatrat Zahaq, Lubeniq, Qyshk dhe Pavlan gjatë prillit dhe majit të vitit 1999.

Të pandehurit, siç u tha në aktakuzë, morën pjesë në vrasjet dhe në shkatërrimin e pronave të civilëve.

Prokurorët thanë se Toplica Milladinoviq si komandant i detashmentit, kishte urdhëruar dëbimin e civilëve shqiptarë dhe se ai kishte njohuri për vrasjet dhe vjedhjet gjatë zhvendosjes së dhunshme.

Në aktakuzë u tha se vrasjet u kryen në mënyrë mizore dhe tinëzare, teksa në shumicën e rasteve viktimat u qëlluan pas shpine. Më pas, shumica e trupave të viktimave u dogjën, në mënyrë që ata të mos mund të identifikoheshin.

Vendimi i Gjykatës së Lartë të Beogradit mund të apelohet.

Natasha Kandiq nga organizata joqeveritare, Fondi për të Drejtën Humanitare, pas vendimit se jeta e njeriut nuk është e rëndësishme.

“Ndjenja ime, pas 14 vjetësh që nga nisja e gjykimit për vrasjen e civilëve në Qyshk, Zahaq, Lubeniq dhe Pavlan, është se jeta e njeriut nuk është e rëndësishme në procedurat gjyqësore”, tha ajo përmes një deklarate të lëshuar nga Fondi për të Drejtën Humanitare.

Gjykimi për këtë rast nisi më 2010. Vendimi i parë ishte marrë më 2014, por Gjykata e Apelit e Serbisë e kishte shfuqizuar atë më 2015.REL

Ambasada britanike në Beograd e informuar për arrestimin e Sadik Durakut

Kalimi kufitar i Batrovcit ku policia serbe i mbajti të bllokuar për më shumë se 20 orë udhëtarët nga Kosova, më 17 prill 2024.

 

Ambasada e Britanisë së Madhe në Beograd është e informuar për arrestimin në Serbi të shtetasit të saj Sadik Duraku, me origjinë nga Kosova.

Siç thanë për Radion Evropa e Lirë në Ambasadën britanike, ata janë në dijeni për arrestimin dhe po ofrojnë ndihmë konsullore.

Sadik Duraku nga Gjakova, Kosovë, i cili u arrestua në Serbi më 17 prill nën dyshimin se ka kryer krime lufte, është në paraburgim prej 30 ditësh, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës dhe anëtarët e familjes së tij.

Sipas saj, Gjykata e Lartë për Krime Lufte në Beograd ka vendosur më 19 prill që Sadik Durakut t’ia caktojë masën paraburgim prej 30 ditësh.

Sadik Duraku nga Kosova, i cili ka nënshtetësi britanike, është ndaluar më 17 prill në pikën kufitare ndërmjet Kroacisë dhe Serbisë në Batrovci, ka konfirmuar MJPD-ja.

Pas arrestimit të tij, autoritetet serbe e informuan atë se Prokuroria e Serbisë për Krime Lufte po e akuzon atë me akuza se ka kryer krime lufte gjatë luftës së Kosovës në vitin 1999, tha MJPD-ja.

Bazuar në vendimin e arrestit të Policisë në Kikindë të datës 17 prill, Duraku dyshohet se ka kryer veprën penale “krim lufte kundër popullatës civile”, dhe se dyshohet se “së bashku me persona të panjohur gjatë vitit 1999, në zonën e komunave së Gjakovës, Prizrenit dhe Pejës, si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka rrahur, ngacmuar fizikisht dhe mendërisht dhe ka grabitur popullatën civile”.

Prokuroria e Serbisë për Krime Lufte nuk iu përgjigj pyetjes së REL-it për arrestimin e Durakut.

Sipas vëllait të Sadikut, Avdylit, këto akuza nuk qëndrojnë pasi para luftës në vitin 1999, Sadik Duraku jetonte me familjen e tij në Angli. Avdyli, po ashtu, tha për Radion Evropa e Lirë se gjendja shëndetësore e vëllait të tij, Sadikut, është “e rëndë”, pasi ai ka dy stenta në zemër.

Avokati i tij mbrojtës ka konfirmuar se administrata e burgut ia ka ofruar terapinë e duhur gjatë paraburgimit, njoftoi MPJD-a.

Ministria bëri të ditur se përfaqësuesi i zyrës së Kosovës në Serbi, Jetish Jashari, ka dërguar kërkesë zyrtare në Zyrën Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë për të marrë informacione rreth arsyeve të arrestimit të Sadik Durakut, si dhe detaje tjera relevante.

“Ambasadori Jashari ka komunikuar edhe me përfaqësitë diplomatike të vendeve të QUINT-it të akredituara në Serbi, të cilat i ka njoftuar për rastin”, thuhet në njoftim.
Jashari u ka dërguar një kërkesë zyrtare autoriteteve serbe që në ditët në vijim t’i lejohet që ta vizitojë Sadik Durakun në paraburgim.

Më 17 prill, sipas autoriteteve të Kosovës, Serbia ka ndaluar mbi 1.400 qytetarë të Kosovës për më shumë se 20 orë në pikat kufitare me Kroacinë dhe Hungarinë.

Qeveria e Kosovës i cilësoi këto veprime si hakmarrje të Serbisë për mbështetjen e dhënë nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.

Serbia i ka mohuar këto akuza, duke thënë se vonesat janë shkaktuar nga masat shtesë të sigurisë në kufi dhe se lëvizja e qytetarëve të Kosovës “nuk është e kufizuar”.

Më pas, Departamenti i Shtetit i bëri thirrje Serbisë që të përmbahet nga veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara dhe të respektojë plotësisht marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i cili zhvillohet përmes Bashkimit Evropian. Radio Evropa e Lirë

Vdes shqiptarja gjatë lindjes në Vranjë, rasti nuk raportohet në polici e prokurori nga spitali

Një grua shqiptare nga Komuna e Preshevës, ka vdekur gjatë lindjes në Qendrën Shëndetësore në Vranjë.

Ngjarja ka ndodhur më 17 prill, ndërsa foshnja ka mbijetuar dhe është në gjendje të mirë, raporton Luginalajmi.

Por sipas medias lokale, vdekja e 37-vjeçares shqiptare M.A. nuk është raportuar në polici apo në prokurori nga mjekët kujdestar, por Prokuroria e Lartë Publike në Vranjë, ka nisur hetimet në bazë të shkrimeve në rrjetet sociale, e cila ditën e shtunë ka urdhëruar policinë që të kontrollojë Qendrën Shëndetësore të Vranjës.

‘Pas hetimeve, policia ka konfirmuar në Prokurori se autopsia e gruas në lindje është kërkuar që të zhvillohet në Institutin për Mjekësi Ligjore në Nish’ – thuhet në deklaratën e kryeprokurores publike, Danijela Trajkoviq.

Megjithatë, sipas mediave nga Vranja tanimë po përcaktohen rrethanat në të cilat ka vdekur lehonia shqiptare, ndërsa kontrolli i brendshëm, autopsia klinike dhe mjeko-ligjore ka përfunduar në Qendrën Shëndetësore në Vranjë.

Siç ka paralajmëruar drejtori, Sasha Gjorgjeviq, të hënën pritet ardhja e inspektorit shëndetësor në ketë institucion shëndetësor.sn

Ish-presidenti slloven: Do të ofroj plan dhe referenca për dialogun Kosovë-Serbi nëse BE më përzgjedh si ndërmjetës

Ish-presidenti slloven Borut Pahor, i cili po synon pozitën që do ta lërë emisari Miroslav Lajçak në gusht, ka treguar pikëpamjen e tij se dialogu “ka ngecur për shkak të mungesës së besimit” dhe tha se ai ofron planin e tij për ta rikthyer besimin e tij.

I pyetur nga Kosovo Online se çfarë do të ndryshojë në dialog në rast se merr pozitën e synuar dhe ku e sheh zgjidhjen, Pahor është përgjigjur se nuk mund ta thotë këtë tani, por se është i interesuar për postin e të dërguarit special të BE-së.

“Nuk mund ta them këtë tani, derisa të fillojë procesi. Unë kam vendosur të shkoj në atë proces dhe pastaj, nëse e pranojnë atë vendim, do të them dhe do të ofroj të gjitha referencat e mia, do të jap planin tim. Dialogu është në ngërç, ka mungesë besimi dhe ne duhet të gjejmë një mënyrë për të ecur përpara me besim më të madh”, tha Pahor.

Ai theksoi se pa progres në dialog, as Kosova e as Serbia nuk mund të arrijnë asgjë për një të ardhme më të sigurt. I pyetur nëse është e mundur që i gjithë Ballkani Perëndimor të jetë në BE në vitin 2030, ai pranon se ndoshta nuk është e mundur, por pa optimizëm as 2050 nuk do të jetë as një vit realist.

“Optimizmi ka ekzistuar në vitin 2004, nuk ekziston sot. Prezantimi im në takim, kur thashë për vitin 2030, nuk u prit me duartrokitje, sepse askush nuk beson se as BE-ja dhe as vendet e rajonit nuk do të jenë gati në 2030. Por, nëse vazhdojmë kështu, atëherë rajoni nuk do të jetë në BE as në vitin 2050. Dhe koha po ikën”, tha Pahor në Lubjanë, ku Instituti i tij “Miqtë e Ballkanit Perëndimor” organizoi një konferencë për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor në BE.

Për shkak të të gjitha sfidave gjeopolitike, si lufta në Ukrainë dhe konflikti në Lindjen e Mesme, paqja duhet të ruhet, tha ai.

“Le të mos bëjmë shaka. Ne jemi përgjigjka për ruajtjen e paqes, stabilitetit dhe mirëqenies së njerëzve në këtë pjesë të Europës. Vetëm zgjerimi i Bashkimit Europian është një garanci e qëndrueshme e paqes dhe sigurisë”, përfundoi Pahor./Express/


Send this to a friend