VOAL

VOAL

NGA KU KEMI LINDUR – Poezi nga JOHAN VOLFGANG GËTE (Johann Wolfgang Von Goethe) – Përktheu FASLLI HALITI

August 30, 2018

Komentet

NJË BISEDË SERIOZE- Tregim nga HAMIT TAKA -pjesa e pestë-

 

Kishin kaluar dy muaj. Ndonëse e turbulluar, midis punës së saj pasionante dhe mosmarrjes asnjë përgjigje nga i dashuri i saj, asgjë nuk i jepte të kuptonte se egzistonte një jetë paralele e kredhur në hije, një dimension i egër i realitetit. Ndonëse ishte në moshën 27 – vjeçare, ajo nuk e kishte ngulitur mendimin se ligësia e njerëzve nuk kishte fund. Për të qe gjë e papritur të zbulonte se bota është e egër dhe se qeveriset nga ligji i më të fortit. Bile, pak pasi ishte lidhur me Nikun, i kishte shkuar në mendje të mbante një ditar deri sa të martohej dhe disa faqe të veçanta për muajin e mjaltit, pastaj ta mbyllte në një zarf dhe ta hapnin vetëm fëmijët pas vdekjes së saj… Ndonëse nuk harronte të shkruante ditar çdo ditë, mbresat ditore nuk e kishin më atë dëlirësinë e saj pa njolla. Ama lexonte çdo ditë me ëndje nga faqja e parë qëkur ishte njohur. Shpesh ndalej te një paragraf ku i kishte bërë profesores së anglishtes një përmbledhje të temperamentit të Nikut: Ai, i dashuri im, është nga ata njerëz, që pasioni përherë u shfaqet i fuqishëm, i stuhishëm, por lëvrin brenda qënies së tyre dhe nuk shfaqet me simptoma të jashtme. Herë – herë pasioni i tij paraqitet në formë meditimi sentimental e ëndërrimtar, jo me ofshama të përmalluara apo psherëtima të pikëlluara për pengesat e pakapërcyeshme… Vetëm një herë e kam parë pa emocione dhe pa nerv, atë ditë që thoshte se do të ikte në Amerikë. “Po, m’u duk shumë i ftohtë dhe i shpërqëndruar”, ia kishte përshkruar profesoresha…
Atë mbrëmje ishte vonuar në spital, për shkak të një operacioni dhe i vëllai shkoi ta merrte me makinë. Duke dalë nga spitali filloi një shi i butë fundmaji. Ata nuk kishin çadër, por doktoreshës ai s

hi i imtë i ngjante me një mantel kristali të mugët dhe një mjegull jo e zymtë shpërfaqej përmes degëve të pemëve të zeza, ndërsa era i kafshonte gjinjtë, i depërtonte nëpër kocka dhe e lëmonte brenda me shamitë e saj të holla e të freskëta. Kur e futën makinën në garazh, pa dalë nga kabina, Skënderi e befasoi me një ofertë të papritur. Ishte një vizitë pesëditore në Paris.

Ajo shtangu. – Ç’ishte kjo e papritur, vëlla? – tha doktoresha.

– Thonë se gozhda del me gozhdë, – ia ktheu ai.

– E kam dëgjuar, por ç’hynë këtu, si ta kuptoj?

– Kjo do të thotë se atje do të takohemi me Besnikun, – ishte përgjigjja e vëllait.

– Vërtet? – brofi ajo dhe iu hodh në qafë.

– Vëllai nuk bën shakara të papëlqyeshme, – iu përgjigj ai.

Ajo e përqafoi fort dhe nuk e kontrollonte dot entusiazmin. Pastaj i kërkoi të zbrisnin dhe të futeshin sa më shpejt në shtëpi.

Por vëllai i kërkoi të duronte dhe pak.

– Unë them ta ezaurojmë pak këtu bisedën dhe në shtëpi të flasim për gjërat e zakonshme, se për vizitën në Paris ata e dinë, ua shpjegova unë, – sqaroi i vëllai.

– Do të shkojmë familjarisht? – s’iu durua doktoreshës.

– Jo, do të shkojmë me makinën tonë, unë ti dhe Reti, – shpjegoi Skënderi.

– Çdo gjë është gati. Janë rregulluar dokumentet, është zënë dhe hoteli…. Cheval Blanc Paris ose Hoteli i Bardhë Paris.

– Po si, pse?! – nuk iu durua Lindës.

– Do të flasim atje gjerë e gjatë, – iu përgjigj vëllai. Edhe ajo nuk e zgjati më. Në shtëpi doktoresha, ndonëse ishte shumë e gëzuar, nuk vërejti as gëzim, as entusiazëm dhe as se e dinin apo nuk e dinin për vizitën në Paris. Por kunata thjeu heshtjen dhe filloi ta pyeste si e kishte kaluar ditën dhe në se kishte pacientë të rënduar gjatë ditës…Kështu darka vazhdoi normalisht si çdo natë dhe në një atmosferë të dyzuar. Kjo bëri që doktoresha ta tërhiqte vëllain në dhomën e saj, ku flinte me motrën e vogël. – Vëllai im, folëm për vizitë në Paris, unë ti dhe kunata, por dukej sikur familja nuk dinte gjë dhe unë nuk mund të hapja bisedën për vizitën e papritur, kur ti nuk e zure në gojë fare. – Shiko, motër, biseda jonë është në Paris dhe jo këtu. Ajo heshti, ndonëse e paqartë.

Rruga automobilistike Tiranë – Paris ishte pak më shumë se 1600 kilometra. Kështu që nuk u nisën herët, duke llogaritur të arrinin të nesërmen para mesditës. Kureshtja e Lindës dhe kunatës, ndonëse ajo kishte qënë dhe një herë tjetër, bëri që të mos e ndjenin shumë lodhjen. Skënderi i pyeste herë pas here në se dëshironin të ndalonin diku, të pinin kafe apo të hanin diçka. Kunata kërkonte më shumë ndalesa se ndihej e lodhur, ndërsa doktoresha të arrinin sa më shpejt… Të nesërmen rreth orës dymbëdhjetë arritën në Paris. Niku u kishte dhënë rezolucionin për të mbritur te Hoteli i Bardhë Paris. Vetë i priste para hotelit për t’i takuar dhe për t’i treguar hyrjen e parkimit të nëndheshëm poshtë hotelit madhështor. Sa vuri këmbët në tokë, doktoresha u sul drejt Nikut.

U përqafuan me aq mallë, sikur të kishin vite pa u takuar. Pasi u përshëndetën të gjithë, Niku, paksa i menduar, krehu me gishtat e dorës flokët e dendur dhe u nis me Skënderin, për të parkuar makinën.

– Ti ke qënë edhe një herë, motër, – i tha Linda Teutës, – unë vij për herë të parë. Me sa pamë deri tani nga makina, jam mbytur me mbresa.

– Kot nuk i thonë kryeqyteti i Botës, e dashur, – ia ktheu kunata e lumtur që Lindës i pëlqeu Parisi. Pas parkimit, Niku u propozoi të pinin një kafe, të hanin drekën dhe pastaj të bisedonin, se edhe miku i tij do të vinte rreth orës katër. Ashtu bënë. Doktoresha provonte një lumturi të dyfishtë, takimin me Nikun dhe bukurinë e Parisit. A i shkoi mendja të jetonte në Paris?… Pasi hëngrën drekën, Niku i çoi në hotel, kati i katërt. Së pari çoi në dhomën e tyre Skënderin dhe Teutën. Pastaj tregoi dy dhoma, njëra prej të cilave ishte dyshe tjetra me një krevat. Sa u hodhën një sy dhomave dhe dolën jashtë, për t’u takuar me njeriun e rëndësishëm, me të cilin do të bisedonin. Vendtakimi ishte një vilë, ku pushonte ambasadori. Brenda u futën ambasadori i Shqipërisë, Niku, doktoresha dhe Skënderi. Teutën e lanë jashtë me zonjën e ambasadorit, të cilat shetitën lulishtet dhe pemët dekorative rreth shtëpisë. Ambasadori e siguroi doktoreshën dhe vëllain e saj se Niku nuk kishte asnjë lidhje me bandën kriminale të drogës në Belgjikë, apo Hollandë apo Spanjë. Programi i Nikut ishte pranuar si një program që ishte bërë në SHBA dhe askush nuk kishte ndërmend që Niku të vepronte si infiltrues në radhët e bandave kriminale, që merreshin me droga…Për këtë ambasadori vinte duart në zjarr… Me këto konkluzione u ndanë rreth orës 22 me orën e Parisit. Pasi hëngrën një darkë të lehtë dhe një shëtitje të shkurtër për të tretur ushqimin, shkuan në hotel. Kishin kohë edhe dy ditë akoma për ta parë më mirë Parisin. Pasi hyri çifti në dhomën e tyre, Niku dhe Doktoresha u ndalën para dy dhomave në dispozicion të tyre. Të dy rrinin të hutuar dhe të emocionuar. Më në fund Niku mori kurajon dhe i tha doktoreshës: do të flemë në dhomën dyshe apo në dhoma të ndryshme. Doktoreshës ia zbukuroi fytyrën një purpur i ëmbël dhe pas 2-3 minutash iu përgjigj: këtu të dy dhe tregoi dhomën dyshe…. Të nesërmen u takuan prapë me ambasadorin. Pas pinë kafet, ai iu drejtua Lindës: – Tani doktoreshë do të bësh jetë pariziane. Ajo mbeti e hutuar dhe vështroi nga Niku. Edhe ai vuri buzën në gas dhe bëri një ulje të kokës gjysëm majtash, që do të thoshte: kjo është ajo që dëshirojmë. Linda as e kishte menduar një pyetje të tillë. Ambasadori i përshëndeti me kokë, duke pohuar se ajo kishte marrë fund: çifti do të jetonte në Paris. Para se të shpërndaheshin në dhomat si natën e kaluar, e lane që të nesërmen do të niseshin për në Shqipëri rreth orës 10:00. Të nesërmen, pak para orës dhjetë, edhe doktoresha ishte përgatitur për të udhëtuar drejt Tiranës. Në ato çaste mbritën edhe ambasdori me bashkëshorten për të përcjellë Skënderin me Teutën, ndërsa ambasadori, Niku dhe doktoreshën do të hanin një drekë bashkarisht.

Por ambasadori vuri re se Niku ishte krejt i hutuar. Ai e thirri Nikun për ta pyetur pse dukej aq i mërzitur. – Zoti amabsador, – filloi Niku. –

Doktoresha më tha se nuk qëndron këtu, ajo do të kthehet në Shqipëri.

– Si do të kthehet atje? Po ju keni dy vjet të fejuar, fjetët dy netë në një htrat, ç’kuptim ka kjo?!

– Nuk bindet… është e pamundur, – iu përgjigj Niku.

Atëherë ambasadori hyri mes tyre dhe filloi ligjëratën e tij: Dje u mblodhëm bashkë, hëngrëm, pimë dhe folëm gjatë. Ramë dakord se Niku dhe doktoresha do të jetojnë në Paris. Të gjithë vështruan nga doktoresha. Ajo uli kokë e përskuqur dhe, pasi u mendua pak, i vështroi të gjithë me radhë: – Unë nuk erdha në Paris për t’u martuar dhe qëndruar këtu. Erdha për t’u takuar dhe sqaruar me Nikun disa probleme dhe vendimi për të ardhmen do të merret më vonë. Unë jam mjeke dhe i jam përkushtuar atij profesioni, por vetëm në vendin tim, në Shqipëri. Ky është vendimi im i kahershëm… – Zonja doktoreshë, ju nuk do të jeni pa punë. Franca, Parisi kanë shumë nevojë për mjekë… Këtu vijnë mjekë edhe nga Afrika. Të gjithë vështruan mjeken dhe prisnin reagimin e saj, e cila dukej e ftohtë si akulli. Pastaj tundi paksa kokën në shenjë mohimi. – Por mos harro se ju realisht jeni martuar tani doktoreshë e nderuar, – tha në formë urdhëri dhe përçmimi ambasadori. – Zoti ambassador, martesat sot nuk janë thjesht një fjetje bashkë… Po, ne fjetëm bashkë dy netë, por kjo nuk do të thotë se jemi martuar… Të gjithë dukeshin të hutuar dhe të dyzuar. I vëllai nisi diçka të thoshte, por ndërhyri menjëherë doktoresha: – Mos thuaj asgjë vëlla. Për këtë çështje vendimet i marrim vetëm unë dhe Besniku. Unë e kam dashur dhe e dua, po aq edhe e respektoj. Por, për qëdrimin tim në Paris, përgjigjja është kjo: Në se më do dhe më respekton po aq edhe Niku, jeta jonë do të jetë në Shqipëri. Në se nuk vjen dot me ne sot, le të mendohet, unë e pres sa të marrë vendimin e tij… Nuk u ha asnjë fjalë më. Pas fjalës së doktoreshës, ajo me kunatën iu drejtuan makinës. Ambasadori dukej i nervozuar, kurse Niku i ligështuar. Doktoresha hapi portën e makinës dhe ktheu kokën nga Niku. Pa rigat e lotëve të tij në faqe dhe u kthye tek Niku. E përqafoi fort dhe me riga lotësh në faqe, i tha: – Pres përgjigje, Niku im i dashur, – dhe hypi në makinë, për të udhëtuar drejt Tiranës. Ambasadori i nervozuar dhe Niku, sa i trishtuar aq edhe i zymtë, shtangën nga ajo e papritur. As i vëlla dhe as kunata nuk guxuan t’i flisnin doktoreshës për atë temë gjatë rrugës Paris – Tiranë…

NJË BISEDË SERIOZE- Tregim nga HAMIT TAKA (pjesa e katërt)

Pas asaj dite, kur profesorja e anglishtes, i tregoi ato që i kishte thënë bashkshorti i saj për të dashurin e vet, doktoreha kishte ndryshuar shumë. Kudo që të ishte, në punë, në shtëpi apo në kafe ajo dukej e turbullt, jo fort e vëmendshme, bile edhe ndaj pacientëve. Kur kujtohej se ishte mjeke, asaj i kalonte një drithërimë në trup dhe buzëqeshte, por ajo buzëqeshje dukej si e montuar dhe jo me atë hijeshi dhe ëmbëlsi të komunikimeve normale. Pas dy-tri javësh ajo nuk e duronte dot më as profesoren e anglishtes, pasi ajo, sa fillonin kafen në lokal apo bisedën në rrugë, e sillte fjalën tek Niku. Kështu që ajo vendosi ta takonte më rrallë, sepse kishte filluar edhe të mos bindej në ato që i tregonte, me ngjasme ia thoshte burri i vet me detyrë të lartë në policinë e Shtetit.

I kujtohej shpesh si kishte ndryshuar ngjyra e syve të profesores, nga e kaltër në të errët, kur i kishte thënë: “Lidhja me Nikun dhe besimi tek e ardhmja e përbashkët ishte metafora e përsosur e jetës sime”… Ama, kur ishte vetëm, kujtonte me dhimbje mardhëniet dhe bisedat mes tyre në ditët më të bukura të dashurisë. Mardhënia e tyre ditët e para – një farë kapriçioje e shtirur ndaj njëri-tjetrit, ishte si një reklamë interesante, që përsëritet herë pas here dhe prapë ne e shikojmë me kënaqësi. Ajo që në fillim kishte vërejtur një mani të shtyrë të Nikut, për t’ia sjellë në majë të hundës edhe robit më të duruar, e detyronin që t’i ngrinte duart lart edhe njeriu më ekspert. Siç kishte menduar vetë ajo, për fat të mirë, ata ushqenin një simpati shpotitëse të ndërsjellë mjaft të ngjashme me afektin dhe ajo u dha dorë që ta duronin njëri-tjetrin. Tani asaj filloi t‘i kujtohej çdo gjë dhe të sillte ndërmend edhe bisedat më të rëndomta midis tyre. “Nuk jam i detyruar të të dua,” – i kishte thënë ai, duke u ngërdheshur dhe duke i shitur karshillëk, jo më shumë se dy javë pasi ishin njohur, atëhërë kur e kuptoi se nuk e kishte të lehtë për ta hequr qafe. ‘‘As unë… – iu përgjigj ajo. – Mund të përpiqemi ta duam njër-tjetrin, apo thjesht të bëshkëjetojmë si dy njerëz të edukuar, ç’të pëlqen më shumë?” “Le të përpiqemi të duhemi.”- Tha ai. “Dakord dhe, po të mos mundemi t’ia dalim, na mbetet gjithnjë repekti për shoku-shokun”, – iu përgjigj ajo. Dhe atë mbrëmje misioni i dashurisë në këtë botë ishte t’i bashkonte ata dhe ata u ndjenë nën flatrat e saj qiellore, të kredhur në atë qetësi të dëlirë ku mbase mbretërojnë ëngjëjt. Niku e kishte mbajtur fjalën. Për më shumë se dy vjet ai ia kishte citur nervat me kokëfortësinë e tij, sa i shkonte edhe në kohën e punës në spital dhe bënte ç’është e mundur për ta bindur të dilnin pak jashtë, të uleshin në stola dhe të rrinin ngjitur me njëri-tjetrin. Nuk kishte harruar t’i tregonte dhe përralla nga të gjyshes së tij…
“Ky është Niku dhe ai është njeriu i zemrës sime. Ai do të mbetet imi sido që ka ndodhur apo do të ndodhë”, tha të dielën e dytë pasdite e shtrirë në krevatin që kishin në ballkon. Që të hënën dhe gjatë gjithë javës ajo punonte si një mjeke vërtetë e përkushtuar dhe pas punës nuk linte njeri të njohur, që mendonte se mund të kishin dijeni, për të biseduar se ku mund të ndodhej Niku ose çfarë ishte duke bërë ai. Kishte prej tyre që stepeshin në fillim, por kur kujtonin se ishin me mjeken e njohur, ndryshonin qëndrim dhe përpiqeshin të kujtonin çfarë ata dinin apo kishin dëgjuar. Pohimet e tyre ishin krejt të ndryshme dhe disa të turbullta, por ata aq dinin dhe asaj nuk i ngelej hatri.

Bile i kishte mbetur në mendje edhe një shprehje e profesore Suzanës, kur i kishte thënë: Pikë kyçe e dashurisë është çështja e besnikërisë, sepse përvoja i ka mësuar femrat se e kundërta e gërryen dashurinë dhe e lodh tej mase njeriun… Se ndodh që ti nuk ke as të drejtën ta mobilosh shtëpinë sipas shijes tënde… Bile ajo vetë i kishte thënë një herë burrit të vet kur ishin fejuar: “Dëgjo, Luan, s’kam moshë të pres. Më thuaj tani, menjëherë, në mund të vazhdojë kjo dashuri apo mos është më mirë t’i harrojmë të gjitha.” Arriti një moment që fjalët e profesores, pavarësisht ndjesive kontrakditore që provonin ndaj njëra-tjetrës, t’i konsideronte si mësim dhe përvojë… Ditët e para qenë si një makth. Deri ato ditë ajo e kishte konsideruar jetën një lumë i freskët që ecën vetëm para deri sa arrin detin, metaforikisht për të derisa njeriu të arrijë në parajsë ose në ferr. Mbarimi i studimeve në Gjermani, diploma e shkëlqyer, specialiste në spitalin më të rëndësishëm të Shqipërisë, lidhja me Nikun, një programues i shkëlqyer, kishte krijuar atë iluzionin e parajsës për të nesërmen. Thashethemnaja për Nikun bëri të dukej si ai njeriu që është ngjitur në një lartësi nga i merren mend dhe nuk di si të zbres.
Kishte kaluar gati një muaj, kur një mbrëmje vëllai i hodhi krahun dhe e ftoi për një kafe në një lokal jashtë Tiranës. Kur mbritën te makina, Linda, duke hapur derën e krahut të saj, u kujtua dhe iu drejtua të vëllait: – Po nusja?!

– Futu brenda dhe mbylle derën. E kam planifikuar ta kaloj vetëm me motrën time të madhe këtë mbrëmje. Vëllai zuri një tavolinë në periferi të sheshit mbuluar me barë të korrur dy-tri ditë më parë.

Pasi porositën çfarë dëshironin secili, Skënderi e shikoi ëmbëlsisht të motrën dhe filloi bisedën: – Kurrë nuk të kam parë kaq të menduar, quaje, të mërzitur po të duash, kaq mendjehumbur dhe pa humor…

Linda buzëqeshi pak. – E di arsyen dhe e ndjej sikur të isha vet në vendin tënd. Je e merakosur dhe e mërzitur për Nikun, njeriun tënd të zemrës, pavarësisht se ju nuk keni bërë as fejesën, asnjë formalitet zakonor të paktën… Kjo thënie e vëllait Lindë i shkaktoi një ndjesi si një kafshatë që e gëlltit me vështirësi. Pra, mund të ishte e lehtë ndarja se ata nuk kishin bërë formalitet e fejesës. – Dëgjo, vëllai im, – filloi ajo me një zë që dukej sikur e nxirrte me zor nga fundi i barkut. Unë nuk kam bërë anjë formalitet lidhjeje me Nikun, por dashuria mendoj se është mbi çdo lidhje dhe formalitet zakonor apo ligjor… Kur thua nuk ka asnjë forcë ta shuaj dashurinë, se ajo është zjarr që të ngroh ose edhe mund të të përvlojë… Dhe jam e sigrtë se edhe ti me Linën keni thënë sa u lidhët, kur duheshit aq shumë se nuk do ta shuaj atë zjarr asnjë lumë apo det.

Vëllai pohonte me kokë dhe me një buzëqeshje buzëtendosur. – Unë i kam vetëm një peng Nikut, sa, herë-herë, isha edhe e pezmatuar me të. Pse nuk më tregonte asgjë kohët e fundit, çfarë i ka ndodhur, pse ishte aq i pezmatuar… Më kishte thënë disa herë se do të bënim një bisedë serioze. Dhe zgjidhte kafenetë për të ma treguar, atje pastaj ndihej keq nga ambjenti. Kishte vende plot për të më treguar jashtë Tiranës: nga liqeni në Dajt po të dëshironte…

Skënderi vuri buzën në gas: – Në sistemin e mëparshëm kishim atë fjalën: dëgjojnë edhe gurët e drurët dhe ata tregojnë. Mos harro se babai i tij ka vuajtur ca nga ai sistem.

– Mos do të thuash se Niku dyshonte edhe tek unë… – Jo, as më shkon në mend, por ai nuk donte të të shqetësonte dhe të të mërziste ty deri sa të shikohej se ç’rrugë do të merrte ai dreq program që doli në skenë.

– Do të thuash se Niku e ka bërë me vetdije atë program për një grup kriminal.

– Jo, jo, e pamundur, por ata maskohen aq mirë dhe tregohen aq entuziastë, sa askush nuk dyshon…. – Vetë Niku nuk mund ta kuptonte se ky program bëhej për shpërndarje droge?! Ai ka bërë programe edhe për qeverinë.

– Pikërisht këtu është çelësi, se Nikut ia ka kërkuar një qeveritar, gjoja për një sipërmarrës të furnizimit të vendit me sheqer.

– Një qeveritar merret me këto manipulime?

– Nuk ka pyllë pa derra, por kjo nuk ka shumë rëndësi për ne, të paktën tani për tani, sa të çlirohet Niku nga ky problem.

– Ti më ngjan se flet me bindje, vëllai im. Pra di diçka ku gjëndet Niku? Vëllai ngriti supet, motra uli kokën e pikëlluar.

– Ajo profesoresha, mikja ime e re, më tha se ai mund të përdoret si i infiltruar.

– Jo, motër, e pamundur. Kjo është shumë e rrezikshme. Bota e krimit nuk njeh limite dhe kohë. Do të bëjmë gjithçka që të mos përdoret si i tillë. Ashtu ai futet në botën e zezë të krimit dhe mbetet gjithmonë i kërcënuar… Lindës i plasën lotët dhe riguan faqeve. I vëllai la karrigen dhe e përqafoi, duke u përpjekur ta bind se nuk do të bëhet infiltrues, pasi me drogaxhinjtë është lidhur vetëm njeriu i afërt me qeverinë… Ai sigurisht u ka thënë se ai program është bërë jashtë vendit, ku kanë bazat ata… Doktoresha sikur u qetësua pak dhe të dy u kthyen të kënaqur më shumë nga që kaluan sëbashku një mbëmje jashtë dhe bënë një bisedë secrete, sa i vëllai nuk mori as nusen e tij, që Linda e kishte si motër… FUND PJESA E KATERT

“Fajin”ma ka pranvera – Cikël me poezi nga Përparim Hysi

 

“Fajin” ma ka pranvera

Moj pranverë,moj bukuroshe! O ti stina përmbi stinë
A e di dhe mua më joshe,që ta flak unë pleqërinë
Zë më mbush mua me dhele,tek e gjelbëron mjedisin
Pranverë,ta dish:më “dehe”,e rinove Përparim Hysin!

S’kam në kokë unë thinja,tani flokun kam të zi
Se jam mbushur me”temina”,epo s’jam më pleqëri.
Dhe kam dalë tani për”gjah”,si dikur,or tunjatjeta!
Ende dua të bëj sevda,se tani kam vënë”fleta”

Pra,jam tjetër,Krejt tjetër.”Fajin” po ma ka pranvera
As pranoj që jam i vjetër,jam ai si protohera
Vjen pranvera,përtërihem;zë mbushem me fuqi.
Edhe rihem;vërtet rihem:stinë më mbush me dashuri.

Pak nga pak

Pak nga pak e sikur s’ke rroba
Se i hoqe një nga një
Si nuk ke “turp” nga bota?!!!
Po mua “lemza” pse më zë?!….

Ç’qe ajo ditë pranvere?

Ç’qe ajo dtitë pranvere,kur m’u shfaqe tek çairi
Ajo ditë,moj,që qe atëhere,më bën që t’më ikë syri?!
E shpie dhe tash mëndjen,në atë kohë dhe ato çaste
Edhe mezi zotëroj gjëndjen,sado s’jam në ato”vakte”

Se qenë çaste që s’harrohen dhe bien të gjallë mbresën
Plaga dhëmb kur heq korën,po keq e kam”licencën”
Se tani jam i moshuar,larg e larg dhe nga çairi
Çast,o çast,të kam kujtuar,tani veç m’u lag syri.

Ah,kjo erë!

Ah,kjo erë,që sot po fryn
Pa mëshirë të ngre fustanin
Porse syri im është në”përgjim”
Edhe pak,moj,zë bën “rrufjanin”

Të del sheshit,”fshehuria”
Sepse era është “xhindosur”
Zë “xhindoset” pleqëria
Veç nga era e “flamosur”

Ah,kjo erë që sot po fryn
Se pranvera është e freskët
Unë po shkova në vidhimë
Ç’më panë sytë?Kot jam i vdeksëm?!…

Ja !

Ja! Kaluan kaq vjet?! Kohë e gjatë ,aq sa nuk thuhet
Por një plagë,sado e”lehtë”,nuk u mbyll dhe zë më”kruhet”
Zë më kruhet sa të shoh;ke parë ti… dhe zu t’më dhëmbë
Se “ilaçin” që ke ti,do:nëma,nëma,po më çmënd.

Moj pranverë

Moj pranverë,je stinë rrebele;rrebelon të gjithë njerëzinë
Se i merr,përkund ndër dhele, i harbon dhe marrin brinjën
Fushat lule edhe bar,pemët veshur me jeshile
Sa edhe një i moshuar,në pranverë zë mbushet”xhinde”

Çupat zhvishen “lakuriq”,veç dy rripëza mbajnë mbi supe
I shikon dhe mbet”eksiq”,mëndja shkon tek”molla e kuqe”

“Kapari”

Këtë puthje që ta dhashë,dua ta kesh veç për”kapar”
Se të thashë,moj,të thashë veç nga ty jam bërë”djalë”
Ti s’besoje,ndaj të putha;dhe,pas puthjes e di vet:
Ja dhe”firma”,po dhe”vula”;kot nuk jam plak sherret.

E “fshehura”

Një e dy,kur flet me mua,dorën tënde vë mbi gji
Se më mbetën sytë mua,i zbuluar është yti gji
Mirëpo dorën kur e ngre,mua më duket shënjë më bën
Se të duket,po e fsheh,por unë mëndjen kam në vënd.

Unë atje i mbaj sytë dhe atje marrë “vijëshënimi”
Mëndja doli nga burgjitë; se i madh më qe”hutimi”
Prandaj hiqe dorën ti,lëre gjirin të zbuluar
Se e”fshehura,mirë e di:gjithë botën ka”ngatërruar”

*janë shkruar në mars-prill 2011

Tiranë,20 maji 2024

POEZIA QË PIKOI NGA SHPIRTI I MUSA RAMADANIT Nga Timo Mërkuri

Poeti Musa Ramadani nëpërmjet poezisë “Historia e pikës sime” shfaq një udhëtim historik të asaj që ai e emërton pikë, mirëpo mqse ai flet si subjekt poetik, si i tillë nuk përfaqson individin, ndonëse në poezi shprehet në formë individuale. “Pika”, si një subjekt poetik, është një brez njerëzor, një etni, një popull, është vetë Kosova në historinë e saj, e ndarë nga Shqipëria, të cilën e përfaqson subjekti poetik, heroi lirik, vetë poeti. Madje kjo poezi ka nevojë për një lexim historik, pasi e shkruar në vitin 1993 është një pasqyrë e situatës së tensionuar që përjetonte Kosova me konfliktet ndëretnike që kishin shpërthyer në ish Jugosllavi. E parë në këtë aspekt, kjo poezi ka të përmbledhur në nëntë vargje jo thjeshtë një udhëtim Odiseje të Homerit, por gjithë odiseadën e Kosovës, mund të quhet biografia poetike e saj, ku: të jetoje në Kosovë do të thotë të lesh kujtime në llavën e një vullkani dhe po aty të ëndërrosh të ardhmen.
Në aspektin ideor, kjo poezi reflekton artistikisht përvojën dhe identitetin e njeriut shqiptar në trevat veriore në kontekstin e kohës dhe ngjarjeve që kanë cilësuar jetën e tij. Nisur si “një pikë”, subjekti poetik shfaq metaforikisht e vizualisht udhëtimin në histori (të Kosovës), në periudha të ndryshme të jetës (kohës) së saj. Si një “pikë” e thjeshtë, ai shfaq zhgënjimin (“u mërzita”) dhe shqetësimin për të ardhmen (“u bëra presje”),dhe kjo ngjarje e vogël (në dukje) shtrihet në një panoramë të gjerë jetësore, duke pasur reflektim e epokave të ndryshme dhe sfidat që ka përballuar populli shqiptar në Kosovë nëpër kohë.

Përmes frazave si “era e mileniume, epoka / Luftëra, armëpushime, shumë paqe e pak liri”, poeti shfaq panoramën e gjithanshme historike të “odisesë” kosovare , ngjarje e periudha që kanë ndikuar në zhvillimin e saj. Madje, dhe në fund të poezisë heroi poetik shpreh frikë në një rikthim te “pika”, duke sugjeruar një ankth për humbjen e identitetit dhe kthimin në një gjendje të pasigurtë, që sugjeron kthimin nën Serbinë, me humbje të shpresave dhe ëndërrave për të cilat populli luftoi e jetoi, duke shfaqur reflektimin shpirtëror të tij për rrugën e përballjen me të ardhmen.

I-Poeti Musa Ramadani është lëvrues i një poezie moderne, tipike e shek. XX dhe në vijim, madje ka eksploruar rrymat e ndryshme të poezive moderne. Poezia “Historia e pikës sime” është ndërtuar me elemente të modernitetit poetik, që e bëjnë të dallohet si shprehje dhe mendësi e kohës kur është shkruar (30.08.1993), por që (tipar i zakonshëm i poezive të Musa Ramadanit), janë aktuale dhe në kohët e mëpasme.

Si e tillë kjo poezi e tij prezanton një lirizëm në mënyrën e shprehjes, në tregimin e udhëtimit jetësor të Kosovës, ku mungesa e një strukture të rreptë formale lejon autorin të shprehë ndjenjat dhe reflektimet në mënyrë të lirë.

Poeti reflekton mbi kohën dhe identitetin në një mënyrë moderne, pse përdorimi i imazheve të shekujve, erërave, dhe epokave shfaq vizualisht një udhëtim të gjatë “individual” ( të etnisë shqiptare) dhe historik, duke e vendosur atë në kontekstin e kohës dhe historisë së gjerë.

Poezia paraqet historinë e udhëtimit jetësor të një populli, madje shpreh një ndje-një përkushtimi ndaj këtij rrugëtimi, ku poeti shfaq pasionin e tij për të kuptuar e përjetuar përvojat e sfidat që kanë formuar identitetin etnik.

Një aspekt modern i poezisë është reflektimi i thellë mbi të kaluarën e të ardhmen, ku natyrshëm poeti shfaq drojën e frikën për tu rikthyer në një gjendje fillestare, duke theksuar rëndësinë e të kuptuarit dhe përballjes me të kaluarën për të arirë në të ardhmen.

Poezia flet me metafora e imazhe të fuqishme për të shfaqur udhëtimin e përvojat e etnisë ku përdorimi i tyre ndihmon në krijimin e një imazhi poetik të përgjithshëm që përfshin gjithë poezinë, i cili reflekton dritë, qartësi e kuptimshmëri te lexuesi.
Janë këta element modern përmes së cilëve poezia shfaq kompleksitet në shprehjen e ndjenjave dhe refleksioneve e historike të popullit Kosovar dhe shqiptar në përgjithësi.

II-Subjekti i poezisë “Historia e pikës sime” është udhëpërshkrimi i jetës të kombit shqiptar(jo vetëm në Kosovë) në kohë (moshë) e ngjarje, i shprehur me një metafore fine, ku ai (subjekti poetik) paraqet veten (vendin dhe etninë e tij)si një pikë që ndryshon, ritet e zhvillohet nëpërmjet kohës dhe përvojave. Me anë të kësaj metafore, poeti reflekton mbi identitetin dhe udhëtimin e etnisë së tij, duke shpre-hur ndjenja të përkushtimit ndaj zhvillimit nëpër kohë.

Në fillim, subjekti është një “pikë”, një entitet i vogël, i thjeshtë e i parëndësishëm : “S’pari unë s’isha veçse një pike/Më pas u mërzita e u bëra presje”. Megjithatë, me kalimin e kohës e përvojave të ndryshme: “Aventura filloi brenda gjysmëharku” ku ai përjeton ndryshime e zhvillime, përcakton udhëtimin e tij: “Kaluan shekuj, era e mileniume, epoka/Luftëra, armëpushime, shumë paqe e pak liri”, ku duket hapur historia e kombit tonë në tërësi dhe e Kosovës në veçanti të këto vargje, në të cilat poeti e vendos veten si një etni, në kontekstin e një historie të gjatë dhe komplekse: “Gjysmëshekulli isha një zero e madhe/Në fillim të këtij mileniumi të tretë” shkruan poeti dhe ne instiktivisht lexojmë: “gjysëm shekulli komunizëm” në të dy anët e kufirit. Në fund ai shfaq frikë e ankth lidhur me të ardhmen dhe identitetin e (etnisë) tij, shpreh dyshime për të ardhmen dhe frikë mbi mundësinë e kthimit në një gjendje të pavlerë, të përafërt me fillimin e tij, druan mos mbeten përsëri nën Serbinë si një pikë: “Druaj në mos do të kthehem sërish në një pikë”. Pra, përmbajtja e poezisë shfaqet, si histori e Kosovës madje dhe visualisht nëpërmjet ndjenjave personale e refleksioneve mbi jetën, kohën, dhe identitetin. Subjekti reflekton duke shfaqur një ndjenjë të përkushtimit ndaj vetes dhe rrugëtimit të tij personal.

Të kuptojmë një gjë,formimi i subjektit nga “pikë” në “zero e madhe” është një shprehje metaforike e rrugëtimit të jetës dhe formimin e identitetit shqiptar, ku “Zeroja e madhe” nuk përfaqëson një vlerë absolute, si psh zeroja matematikore, por simbolizon pikërisht “gjysëm shekulli të komunizmit” një gjendje, e cila mund të perceptohet si e zbrazët, e izoluar..

Në thelb, poeti me vargjet e tij kërkon të shpalosë kompleksitetin dhe ndryshimin që ndodh në jetën dhe identitetin e një etnie përmes kohës e përvojave, ku ajo (etnia, populli) synon të sjellë në pah kujtime ngjarjesh dhe momente që kanë ndikuar jetën dhe formimin e tij , si një burim frymëzimi e krenarie ndaj poeti dëshiron të transmetojë një mesazh më të gjerë mbi jetën, identitetin dhe udhën që ndjekim nëpër këtë botë. Përveç kësaj, siç e cituam më sipër, poeti dëshiron të shprehë një ndjenjë frike apo droje mbi mundësinë e humbjes së identitetit në një botë që duket e pazgjidhshme dhe e paqartë nga problemet dhe sfidat e shumta që ka.

Në esencë, poeti nuk tregon thjeshtë një biografi personale, pavarësisht se duket e tillë, ai shpreh ndjenjat e eksistencës dhe të qenies së një brezi të tërë, në një vend (Kosovë) dhe kohë që identiteti i etnisë dhe zhvillimi emocional i saj ishte nën një goditje të fortë e ritmike të ngjarjeve në ish Jugosllavi, të zhvillimeve që ndikonin në forcimin (a dobësimin) e ndërgjegjes identitare të kombit. Datën e krijimit kjo poezi nuk e ka ditën kur u shkrua, por kohën kur shpirti i tij, nën ndikimin e zhvillimeve historike e pikoi si lot mbi ndërgjegjen e tij.

III-Musa Ramadani është mjeshtër i të shprehurit metaforik dhe kjo cilësi e tij është e dukëshme dhe te poezia “Historia e pikës sime” ku ai me finesë përdor metaforat për të shprehur udhëtimin e subjektit poetik (etnisë) në mënyrë moderne, duke ndihmuar në zgjerimin e kuptimshmërisë dhe hapësirat e ndjenjave e përvojave të tij.

Kështu, metafora e “pikës”dhe “zeros” simbolizon një rrugëtim të jashtëzakonshëm të subjektit poetik, ku: pika nis si formë e thjeshtë, ndërsa zeroja është shprehje e një gjendjeje boshe dhe enigmatike për shkak të izolimit nga rrethi i saj (zeros) , duke treguar ndryshimin, zhvillimin dhe izolimin e subjektit nëpërmjet kohës dhe përvojave.

Termat: Shekujt, era e mileniume, epokat, përfaqsopjnë një metaforë dhe shprehin kohën dhe situatat që populli ka jetuar e përjetuar, ato përfaqësojnë një panoramë të gjerë historike e kulturore, duke i dhënë poezisë një dimension më të gjërë.

Fjalët: “Luftëra, armëpushime, shumë paqe e pak liri”janë një përdorim i metaforës për të treguar konfliktet dhe sfidat historike që subjekti etnik ka përjetuar, duke paraqitur një imazh të rrugëtimit të turbullt të kombit në histori, ku lufta dhe paqja janë tema themelore.

Ndërsa vargu: “Druaj në mos do të kthehem sërish në një pike” shpreh metafori-kisht një lloj ndroje për një kthim të mundshëm të subjektit në gjendje të kaluar (në situatën nën Serbinë), të krahasuar me një pikë, e cila shërben si simbol i pasigu-risë e frikës për humbjen e identitetit dhe rikthimin në një gjendje jo të këndëshme.

Këto metafora e simbole poeti i ka përdorur për një lexim piktoresk të tekstit poetik dhe për të shfaqur ndjenjat dhe refleksionet e tij. Ato ndihmojnë në krijimin e një poezie moderne që shpreh një lloj të vërtetë poetike në lidhje me jetën dhe eksperiencën e popullit.
Imazhet në poezinë “Historia e pikës sime” shërbejnë për të krijuar një atmosferë emocionale dhe për të paraqitur udhëtimin e subjektit poetik, etnisë, nëpërmjet kohës e përvojave, ato përdoren për të ndikuar mbi ndjenjat e lexuesit me ngjyrat e formën e tyre, siç ndikon një pikturë duke e bërë përvojën e poetit më të gjallë, më vizuale dhe më të prekshme për lexuesin.

Imazhi “Pika” shfaqet kur autori cilëson vendin si një “pikë”, një entitet i vogël dhe i thjeshtë, që simbolizon fillimin e rrugëtimit, një gjendje fillestare, që shkallëzohet nëpër kohë, duke shfaqur një imazh në rritje e zgjerim.

“Zeroja e madhe” shfaq një imazh, kur subjekti përjeton një izolim total, një gjendje komplekse në jetë që ka ndjenja (dhe problem) të pazgjidhura e të pasigurta.

“Shekujt, era e mileniume, epokat” përbëjnë imazhe me gjerësi historike, të cilat e rrethojnë udhëtimin e subjektit. Ata tregojnë një rrjedhë të kohës dhe ngjarjeve që ka ndikuar në zhvillimin dhe formimin e identitetit të etnitetit të tij.

Imazhet “Luftëra, armëpushime, shumë paqe e pak liri” shfaqin ngjarje e përvoja të ndryshme që ka përjetuar gjatë rrugëtimit, shfaqin një peisazh të ndryshueshëm emocional dhe historik që e rrethon subjektin.

Imazhi“Frika e kthimit në pike” përfaqëson ndjenjën e frikës dhe mosdijes për të ardhmen dhe përvojat që mund të sjellë ajo. Është një imazh i ndjeshëm që shpreh ankthin dhe pasigurinë e subjektit për të ardhmen.

Këto imazhe përdoren për të krijuar një vizion të plotë të udhëtimit të subjektit poetik nëpërmjet kohës dhe përvojave, duke e bërë poezinë të ndjehet më afër dhe ta shijojë poezinë edhe në efektin e ngjyrave, si një pikturë.

Ajo që është për tu shënuar specifikisht është fakti se te kjo poezi simbolet dhe metaforat shfaqen si imazhe të brendshme e të jashtme që e përcaktojnë rrugëtimin e subjektit poetik, etnisë duke shprehur ndjenjat, përvojat dhe refleksionet në një mënyrë që e bën poezinë të gjallë, aktuale.

IV-Poezia “Historia e pikës sime” është një poezi moderne, ajo përdor një të folur metaforike për të shprehur refleksionet dhe përvojat e autorit, mënyrë që është tipike për poezinë moderne. Përveç kësaj, tema dhe stili i poezisë përputhen me tendencat moderne në poezi. Ajo përdor metafora dhe simbole për të shpalosur udhëtimin historik të subjektit, ndërsa shpreh ndjenjat e pasigurisë e refleksionin mbi identitetin dhe kohën, të cilat janë tema të rëndësishme në poezinë moderne.Përmbajtja dhe struktura e poezisë përputhen me karakteristikat e poezisë modern , duke përdorur një gjuhë e një formë poetike që shpesh lë hapësirë për interpretim të ndryshëm nga lexuesit.

Poezia moderne shpesh përdor gjuhën dhe strukturën që të shprehë ndjenjat, refleksionet dhe përvojat (e autorit, si pjesë e etnisë) në një mënyrë të re origjinale. Ky përdorim i gjuhës dhe strukturës synon të arijë dhe kapë thelbin e emocioneve dhe mendimeve, duke e bërë poezinë një mjet shumë të fuqishëm për të shprehur çështje komplekse dhe për të krijuar lidhje me lexuesin.

Për më tepër, poezia moderne shpesh eksperimenton me forma të ndryshme dhe teknika letrare për të arritur një impakt më të thellë dhe më të përshtatshëm për kontekstin e sotëm. Ajo nuk kufizohet në konventat tradicionale të poezisë, por përpiqet të shfaqë shpirtin e kohës dhe përvojat e saj në mënyrë të shkëlqyer.

Paraqitja e rrugëtimit historic (të Kosovës) në këtë poezi përputhet me këto tipare të poezisë moderne, madje autori shfrytëzon metaforat dhe imazhet për të shfaqur udhëtimin e subjektit poetik në mënyra që janë moderne dhe të përshtatshme për kohën tonë.

Përmbajtja e thellë dhe emocionet e shprehura në poezinë “Historia e pikës sime” e bëjnë atë të përshtatshme për të qenë shembull i një poezie moderne që reflekton përvojat dhe ndjenjat e individit në botën e sotme.

V-Nëse do të përpiqeshim të shihnim poezinë “Historia e pikës sime” si një pikturë që flet dhe ta shihnim këtë nëpërmjet imazheve, formave e ngjyrave të tyre, ajo do të cilësohej si një pikturë abstrakte, që përdor forma, ngjyra dhe tekstura për të përfaqësuar rrugëtimin emocional dhe historik të subjektit.

Një piktor do përdorte ndoshta forma të thjeshta dhe abstrakte për të treguar fazat e zhvillimit të subjektit nga një pikë e thjeshtë në një zero të madhe, ai mund ta lëvizte këtë “pikë” fillestare në një formë rrethore, por gjithsesi do të shfrytëzonte ngjyrat e imazheve poetike për të shprehur emocionet e ndjenjat që shoqërojnë subjektin në rrugëtim e sfida. Sigurisht që mund të ketë ngjyra të ndritshme dhe të errëta që përfaqësojnë momente të ndryshme të jetës dhe ndjenjat që përndjekin në kohë. Po ashtu, piktura do të përdorte linja e forma që shfaqin rrjedhën e kohës dhe zhvillimin e historisë së subjektit. Kjo do të krijonte një peisazh abstrakt që shpreh një udhëtim individual dhe emocional nëpërmjet ngjyrave dhe formave.

Pikërisht cilësimi i pikturës së përfytyruar të kësaj poezie si një pikturë abstrakte na shtyu në mendimin se dhe poezia “Historia e pikës sime” ka elemente që e bëjnë të përshtatshme për ta konsideruar si një poezi moderne me elementë të rrymës abstrakte.

Kjo është e normale pasi poetët modernë shpesh eksperimentojnë me formën dhe strukturën e poezisë, duke e bërë atë të ngjajë me artin abstrakt. Veçse duhet të pranojmë që: një poet, në një poezi moderne ku pasqyron nëpërmjet ndjenjave dhe emocioneve, historinë e kombit dhe të vendit të tij dhe këtë e bën në mënyrën më metaforike dhe imazhiste , ti japë paralelisht kësaj poezie një qasje me poezinë abstrakte, pa i ulur, por duke ja shtuar vlerat dhe ngjyrat, ky poet duhet pranuar që është një poet i madh dhe që e do popullin dhe vendin e tij me gjithë forcën e shpirtit, si fëmija do nënën e vetë.

Poeti Musa Ramadani i plotëson mjeshtërisht gjithë aspektet e cilësimit me titullin poet i madh dhe bir i popullit të tij dhe ne duhet të mësojmë të lexojmë poezinë e tij modern, që të shohim sa i qëndrueshëm është shfaqur kombi ynë në sfidat e historisë.

Sarandë, më janar 2024

HISTORIA E PIKËS SIME

S’pari unë s’isha veçse një pikë
Më pas u mërzita e u bëra presje
Aventura filloi brenda gjysmëharku
Kaluan shekuj, era e mileniume, epoka
Luftëra, armëpushime, shumë paqe e pak liri
Harku ecte udhës së rrethit e u mbyll
Gjysmëshekulli isha një zero e madhe
Në fillim të këtij mileniumi të tretë
Druaj në mos do të kthehem sërish në një pike

(Më 30.08.1993)

Poezi të zgjedhura nga MAYA ANGELOU – Përktheu SKËNDER BUÇPAPAJ

JETA NUK MË TREMB ASPAK

Hijet në mur zhag
Zhurmat në korridor jasht
Jeta nuk më tremb aspak
Zagarët që lehin pa prâ
Në re fantazmat e mëdha
Jeta nuk më tremb aspak

Nënë Rosa shtrigë plakë
Luanët që bredhin pa cak
Jeta nuk më tremb aspak
Dragonët që vjellin flakë
Mbi kuvertën time në shtrat
Jeta nuk më tremb aspak

Ua bëj phu
Iu them mjer ju
Më gajasin
Tek i shoh si ngasin
S’më dridhet qerpiku
Ata i zë paniku
Unë buzëqesh
Ata çmenden krejt

Djemtë e prapë që rrihen paq
Gjithë natën e gjatë
Jeta nuk më tremb aspak
Panterat në park
çudanët e territ përqark
Jo ata nuk më trembin aspak

Ajo klasa e re e mëvonët
Ku djemtë m’i shkulin flokët
(çupëlina llastica
me flokët rrica)
Ata nuk më trembin aspak

Mos m’i trego gjarpërinjtë e zhabat
Duke pritur nga unë piskamat
Nëse unë ndjej ndjej ankth
Kjo më ndodh veç në makth

Këtu diku nën mëngë
E mbaj të fshehur magjinë
Unë mund të ec nëpër shtratin e detit
Dhe të mos marr kurrë frymë

Jeta nuk më tremb aspak
Aspak
Aspak
Jeta nuk më tremb aspak

 

NUK FSHIHET DOT NGA SYTË

 

Nuk fshihet dot nga sytë

e botës ai që e shpëton e nuk e di.

Është njëri nga ne, jo ndër më të mirët.

 

UNË E DI PSE KËNDON ZOGU I NGUJUAR NË KAFAZ

 

Një zog i lirë hidhet mbi shpinën
e erës dhe fluturon kundër rrymës
e ia del tejembanë, dhe e ngjyen një flatër
në portokallinë e rrezeve të diellit
dhe guxon t’ia mësyjë qiellit.

Por një zog që truset në kafazin e tij të ngushtë
mund të shohë veç tek-tuk përmes hekurave të zemërimit
flatrat e tij janë prerë dhe këmbët e tij janë lidhur
prandaj e hap gojën për të kënduar.

Zogu në kafaz këndon me një trill të frikshëm
për gjëra të panjohura, por ende të ëndërruara
dhe zëri i tij dëgjohet në kodrinat e largëta sepse
zogu në kafaz i këndon lirisë.

Zogu i lirë mendon për një tjetër puhizë

e për alizé delikate përmes
pëshpëritjeve të pemëve
dhe për krimba të majmë që e presin në një lëndinë
të ndritshme dhe ai qiellin e quan të tijin.

Por një zog në kafaz ngrihet mbi varrin e ëndrrave
hija e tij thërret mbi ulërimën e një makthi
flatrat e tij janë prerë dhe këmbët e tij janë lidhur
prandaj e hap gojën për të kënduar.

Zogu në kafaz këndon me një trill të frikshëm
për gjëra të panjohura, por ende të ëndërruara
dhe zëri i tij dëgjohet në kodrinat e largëta sepse
zogu në kafaz i këndon lirisë.

 

MËSIMI

Unë vazhdoj të vdes përsëri.
Damarët këputen, duke u hapur si
Grushte të vogla fëmijësh
Të fjetur.
Kujtimi i varreve të vjetra,
Mishi i kalbur dhe krimbat nuk më
Bindin mua kundër
Sfidës. Vitet
Dhe humbja e ftohtë jetojnë thellë në
Linjat përgjatë fytyrës.
Ato i verbojnë sytë e mi, por
Unë prapë vazhdoj të vdes,
Sepse unë dua të jetoj.

 

TË PREKUR NGA NJË ËNGJËLL

Ne, të pamësuar me kurajo
mërgimtarë nga gëzimi
jetojmë kruspull në guaskat e vetmisë
derisa dashuria e lë tempullin e saj të lartë të shenjtë
dhe vjen në sytë tanë
për të na çliruar ne në jetë.

Dashuria mbërrin
dhe në trenin e saj vijnë haretë,
kujtimet e vjetra e kënaqësitë
historitë e lashta të dhimbjes.
Megjithatë, nëse ne jemi të guximshëm,
dashuria hedh tej zinxhirët e frikës
nga shpirtrat tanë.

Ne jemi shkëputur nga ndruajtja jonë
Në ndjenjën e nxehtë të dritës së dashurisë
ne guxojnë të jemi të guximshëm
Dhe papritmas ne e shohim
se dashuria kushton gjithë sa jemi ne
dhe sa do të jemi ndonjëherë.
Megjithatë, kjo është vetëm dashuri
e cila na çliron.

GRUA E HATASHME

Gratë e bukura pyesin ku i kam unë sekretet
Nuk jam e hijshme as e prerë për modele
Por ende gojën pa e hapur t’iu tregoj
Ato mendojnë se po ia këpus ndonjë rrene
Unë iu them
E kam në masën e ijeve,
E kam në harqet e supeve,
E kam në hovin e hapave,
E kam në valëzën e buzëve.
Unë jam hatashëm
Një grua,
Gruaja e hatashme
Është në mua.Eci nëpër një dhomë
Kaq shkujdesur sa ju pëlqen juve,
Dhe një burri,
Ata mbeten në këmbë
Ose bien
Dhe përgjunjen.
Pastaj rrotull meje
Si bletët në hoje sulen.Unë them
E kam tek zjarri i syve,
E kam tek bardhësia e dhëmbëve,
E kam tek lojnia e belit,
E kam tek hareja e këmbëve.Unë jam hatashëm
Një grua,
Gruaja e hatashme
Është në mua.Vetë burrat vrasin mendjen
Çka shohin tek unë bre
Ata përpiqen fort
Po nuk e prekin dot
Misterin që brenda fsheh
Kur dua t’ua zbuloj
Thonë se nuk e shohin ende.Unë them,
E kam në lakoren e shpinës,
E kam në diellin e buzëqeshjes,
E kam në hepimet e gjinjve,
E kam në stilin magjepsës.Unë jam hatashëm
Një grua,
Gruaja e hatashme
Është në mua.Tashti kuptoje
Pse nuk ulet koka ime,
Pse nuk thërras pse nuk hidhem
A pse të ngre zërin nuk përpiqem.
Kur unë të kaloj pranë teje
Dua që për mua krenar të ndihesh.

Unë them
E kam në tiktakun e ecjeve,
E kam në përdredhjen e flokëve,
E kam në nevojën ndaj kujdesjeve,
E kam në pëllëmbën e dorës,

Sepse jam hatashëm
Një grua,
Gruaja e hatashme
Është në mua.

FILLIKAT

Shtrirë, duke menduar
Mbrëmë nëpër natë
Si t’ia gjej shpirtit tim një shtëpi
Ku uji etje nuk të jep
Dhe feta e bukës s’është gur i thatë
Unë dola me një përfundim
Dhe mendoj se nuk gaboj
Askush
Bre askush
Nuk mund t’ia dalë kurrë fillikat

Fillikat, krejt fillikat
Askush, bre askush
Nuk mund t’ia dalë kurrë fillikat.

Na janë do milionierë
Me para që nuk i përdorin dot kurrë
Gratë e tyre  shtrigula vijnë vërdallë
Fëmijët e tyre këndojnë këngë bluz
Ata kanë marrë mjekë që kushtojnë
T’ua kurojnë zemrat gurë të thatë.
Por askush,
Bre askush
Nuk mund t’ia dalë kurrë fillikat.

Tash nëse më dëgjon mirë
Unë të tregoj çfarë vetë di
Retë e stuhisë po bëhen bashkë
Era tashi po fryn e fryn
Raca njerëzore po vuan pa masë
Dhe unë nuk po ndjej ankim,
Pse askush
Bre askush
Nuk mund t’ia dalë kurrë fillikat.

Fillikat, krejt fillikat
Askush, bre askush
Nuk mund t’ia dalë kurrë fillikat.

 

NE E KISHIM ATË

Kushtuar Michael Jacksonit

 

Të dashur njerëz, tashti ne e dimë që nuk dimë asgjë
Tashti që ylli ynë i ndritshëm dhe rrezatues mund të shkasë tutje nga maja e gishtave tanë si një hukamë e flladit të verës

Pa dhënë shenjë, dashuria jonë e shtrenjtë mund t’i shpëtojë përqafimit tonë të marrosur
Të këndojë këngë tona në mesin e yjeve dhe të kërcejë vallet tona në të gjithë sipërfaqen e hënës
Në çast ne mësojmë se Michael është zhdukur e nuk dimë asgjë
Nuk ka orë që mund të tregojë kohën tonë dhe nuk ka oqeane që mund të shtyjnë dallgët tona
Me mungesën e papritur të thesarit tonë

Edhe pse ne jemi shumë, secili prej nesh është tek në dhimbjen e tij
Ngjethshëm tek
Vetëm kur të rrëfejmë trullosjen tonë mund të kujtojmë se ai ishte një dhuratë për ne dhe ne e kishim atë

Ai na erdhi nga Krijuesi, duke bartur kreativitet me bollëk
Megjithë dhimbjen e madhe të jetës ai u mbështoll në dashurinë amtare dhe dashurinë familjare dhe mbijetoi dhe bëri më shumë se kaq

Ai lulëzoi me pasion dhe dhembshuri, humor dhe stil
Ne e kishim atë
E dinim ne që ai ishte apo nuk e dinim, prapë ai ishte i yni dhe ne ishim të tijët
Ne e kishim atë

I bukur, duke argëtuar sytë tanë
Ai uli kapelën mbi ballin e tij dhe mori një qëndrim në majë të gishtërinjve të këmbëve të tij për të gjithë ne dhe ne qeshëm dhe përplasëm këmbët tona për të

Ne ishim të magjepsur me pasionin e tij, sepse ai nuk na mori asgjë
Ai na dha gjithçka që kishte për të dhënë

Sot në Tokio, nën Kullën Eifel, në Sheshin Ylli i Zi të Ganës, në Johanesburg, në Pitsburg, në Birmingham, Alabama dhe Birmingham Angli, ne kemi mall për Michael Jacksonin

Por ne e dimë se e kishim atë
Dhe ne jemi bota.

KOHË OPAKE- Cikël poetik nga NDUE HOTI

DRANDOFILET e BARDHA
PA GJËMBA
Referenca dhe përulësia,
Për nji drandofile pa gjëmba,
Si një grua e pastër,
Dhe e ndritshme,
Ajo asht’ si një engjëll,
Dua ta kem si idhull,
Po un’ jam sot pasdite,
Me axhendë të ngjeshur,
Vëmëndja ime për të,
Me një respekt të thellë.
Drando-Filja,
Gonxhja e Dilës,
Simbolizon shpresën,
Dhe optimizmin për jetën,
I pafajshëm eshte respekti im,
Urtesia dhe e vërteta,
Që ajo lë trashëgim.
Drandofilja e Bardhë,
Shumë e bukur për t’u përdorur,
Në një takim të parë,
Një simbol për me thanë:
“Unë kam respekt për ty”.
Drando-Filja e bardhë,
E preferuara ime,
Pa gjëmba,
Afërdita e antikitetit,
Perëndesha e dashurisë,
E ilirve,
Do të çfaqej në tempujt e Durrsit,
Përreth Gjirit të Rodonit,
Tash ia sjell unë,
Dashamirës ndaj vlerave,
Të patriotëve,
Të stërgjyshit të saj,
Që i thuren vargjet:
“Në të vertetë unë nuk jam Kolec Marku,
Ai ishte një kreshnik trim dhe i fuqishëm,
Po për mua Ai ishte një mik i mirë,
Vdekja kur të na bashkojë,
Sigurisht Ai do të më ndjejë,
Se emrin e tij e përdora për pseudonim”,
Intelektualëve gjithashtu të mohuar,
Të munduarve të pafajshëm,
Si baba, nana dhe dajat e saj,
Me shpresën se vizita ime,
Nuk do të mbetet në njëjës.
Dhurata ime,
Një drandofile e bardhë,
Dila si Dranja,
E bija shpirtin me ate te Gonxhes se Madhe,
Don me e përngja,
Besimi im se fisnike do të mbesë.
KOHË OPAKE
Dhimbjet përçajnë gazetarët investigativë,
Të kapur nga padronët,
Me emra me parashtesa puthadorësh,
Mbiemra akuzatorësh,
Mishëruar te Mar Eng Len dhe Stal Çeliku,,
Që dënonin me vdekje njerëzit e urtë,
Me akuza të pabazuara,
Gjysma janë pro akuzave të paracaktuara,
Disa bëjnë rrotullim,
Me dinamikën rreth vetes,
Të tjerë me frikë hedhin një ide të re,
Larg të vertetës,
Bëjnë rolin e alisedishit.
Lulekaçabardhet dhe Lulebadrat,
Mbushin me aromë të dy anët e rrugës,
Që çanë mes lapidarve të Pjetrit dhe Dedës,
Të burrave të rinj të pashëm.
Nëpërmjet një perdeje pluhuri mjegullor,
Pluhurit Saharjan që la Athinën,
Iu vërsul veriut deri në Kotorr,
Gjysëm opake – gjysëm transparente ,
Nën qiellin albastër,
Mbi kreshtën e bjeshkës së Kurbinit,
Si metaforë vajtimi e këtij fillimmajit,
Si metafora 7×7 e Agron Balajt,
Duket e mbuluar nën një re,
Të bardhë si një mal me akullore,
Si një metaforë e ngrirë,
Shpërthimi të kontrolluar.
Ndoshta metafora e dridhjes së Parisit,
Bashkimit Europian,
Ballkanit Perëndimor,
Shqipërisë,
Shkodrës veneciane,
Mishi i huaj në Juglindje,
Për Strategjinë e Madhe,
Një rit i vjetër me kurban përsëritet,
Për Rendin e Ri Botnor.
Ndoshta akuza pa bazë,
Ndaj drandofiles së Rozafës,
Dilema: kush e mbyti Rozën e Kalasë,
Mandej me legjendë i fshehën,
Klithmat e dashurinë për pjellën e saj pa fat,
Bashkshorten e vëllait të vogël besnik.
Kush e mbyti ledi Di_në e Anglisë,
Kujt i interesonte më shumë,
Charlit apo Camille-s,
Dikujtjetër për këtë dramë,
Të dy ia ngriten lapidarin legjendar.
Parfum Lulekaçe e Lulebadre,
Me duhmë dinamiti,
Ajrin me pluhur e ndjeva,
Lëkurën dhe lëngun e syve po m’i thante,
Përzier me flladin e detit.
Nga inxhinieria mësojmë,
Për të zvogluar gabimet,
Mjeshtri duhet ta rivendosë metrin,
Në bazën e parë të matjes,
Kujtoja këtë pasdite të fundjavës.
KULLAT E VJETRA
BRËNDA DHE JASHTË KOHËS
Këtu qëndrojnë ende,
Dominuese mbi fushat dhe livadet,
I ndërtoi dashuria e njerzve për jetën,
Ato ruajnë në ditët e sotme,
Dashurinë si nanat dhe gjyshet tona,
Bashkimet e gzueshme,
Ndarjet e trishtueshme,
Lojnat me kapuça në odën e burrave,
Punët e varzave të nusnisë,
Deri pas mesit të natës së dimnit,
Arkat me veshjet antike,
Kapicat dhe kutitë prej sermi të duhanit,
Të burrave stoik,
Dashuria për Kullat e Vjetra,
Asht’ brënda e jashtë kohës,
Kullat me gurë e tulla,
Ranë e gelqere,
Trenë qarri e vidhi,
Kshanza franshni,
Shina vagonash,
Të ndërrmarrjve konçèsionare,
Italiane e austriake,
Të vdekshme si njerzit,
Ndonjërës bari i ka mbi prej kohësh.
Kështu do të qëndronte e pastër,
Postava e nderit,
Hajmalia e Trinisë,
Forcata e gajtanit të bardhë,
Masha e shërbimit,
Çizmja e qytetrimit,
Të xhubletës si shqipja e zezë,
Simbol i dashurisë e përvuejtmërisë hyjnore,
Me prejardhje prej mileniumesh.
Kullat e Vjetra ruajnë,
Kujtimet e nderit dhe lavdisë,
Të burrave që luftuan,
Të atyre që ranë,
Për Lirinë dhe Pamvarsinë e vëndit,
Dekorata “Nderi i Kombit”,
“Dëshmorë i Atdheut”.
Te tana të mbledhura,
Përgjatë kohezionit të dashurisë,
Nuk ka ç’iu ban kështu,
As Zjarri i Apokalipsit,
Se ndër ju kulla kanë mbetë,
Sytë e Ëngjëjve,
Postulati i mikpritjes,
I papërsëritshëm,
“Shtëpia asht’ e Zotit dhe e Mikut”.
ANDRRA e VOJSAVËS
SHPJEGIMI i GJONIT
Të dymbdhjet’ apostujt,
Shëjntorët deri,
Të Tridhjetetetë,
Të Lumët shqiptarë,
Profetët e pejgamberët,
Herojtë kombtarë,
Kam lexuar,
Në shkrimet e vjetra,
E paralajmrojnë,
Të ardhmen e tyre në jetë.
Perëndia ua dërgon shënjat,
Në trajtën e andrrave,
Në orët e ngjizjes,
Në ditën e lindjes,
Me renditjen e yjeve,
Që vjen si një mesazh,
Si një lajm hyjnor.
Asgjë nuk asht’ e rastësishme,
Gjithçka është e parathënë,
E shkruar nga i Larti,
Gojdhanë a legjendë,
Një trill i At Marinit,
Skalitja e këtij lajmi të mirë.
Sendërgjimi i kësaj,
Paraardhje hyjnore,
Të magjeps edhe sot,
Pas kaq vjetësh,
Qyshkur u lind,
Dalzotësi i Arbrit.
Lindja e Heroit tonë,
Kombëtar,
Gjergj Kastrotit-Skënderbeut,
Ndodhi pas një andrre paralajmruese,
Krijuar me vullnetin e Zotit,
Krijuesit të Gjithsisë,
Në ndërgjegjën,
E krijueses toksore,
Vojsavës,
Bijes së Tribaldëve,
E cila u skalit,
Prej yjvet të natës,
Sipas oroskopit,
Me shênjen e Demit,
Me bazë sistemin tonë diellor.
Ajo që unë kuptova,
Prej leximit të disa autorve,
Ishte një shfaqje mrekullie,
Që u parashikua,
Prej shumë vetave,
Për lavdinë e këtij njeriu,
Ishte lajmi i lindjes,
Së Gjergj Gjon Kastriotit,
Më vonë Skënderbeut.
Kur e ama,
Vojsava,
Ishte shtatzanë,
Iu shti në andërr,
Sikur lindi një dragua,
Iu duk’ aq madh,
Saqë mbulonte,
Me krahët e gjoksin,
Pothuaj gjithë Epirin,
Kokën e mbështette,
Ndërmjet kufijve,
Të Turqisë,
Të cilët ia përpinte,
Me gabzerrin e vet,
Të gjakosur,
Bishtin e shtrinte në det,
Ndërmjet kufijve,
Të krishterë,
Sidomos të shtetit,
Venedikas.
Vojsavës nga ankthi,
I doli gjumi,
Preku barkun,
Nuk kishte lindur,
Kuptoi se kishte parë,
Vetëm një andërr,
Pa iu larguar ankthi,
Të shoqit ia rrefeu në nadje:
“U ngrita e trishtuar,
Nga një andërr,
Sikur kisha lindur një dragua,
M’u duk’ aq i madh,
Saqë mbulonte,
Me krahët e gjoksin,
Pothuaj gjithë Epirin,
kokën e mbeshtete,
Ndërmjet kufijve,
Të Turqisë,
Të cilët ia përpinte,
Me gabzerrin e vet,
Të gjakosur,
bishtin e shtrinte në det,
Ndërmjet kufijve,
Të krishterë,
Sidomos të shtetit venedikas.
Sapo Vojsava mbaroi rrëfimin,
Gjon Kastriotin,
E pershkoi një gëzim i madh,
Të shoqen me arsyetimin,
E shënjave e qetsoi,
Të cilat i krahasoi,
Me ato të apostujve,
Prej saj do të lindte,
Një burrë,
Që do të përmëndej,
Për trimri në luftë,
E i zgjuar në vepra,
I cili do të ishte armiku,
Më i rreptë i turqve,
Dhe komandanti i tyre,
Më fatbardhë,
Mbrojtës i fesë,
Të të parve të tij,
Krishtërimit,
Mbrojtes i qytetrimit,
perëndimor,
Nderues i përhershëm,
I pushtetit venedikas.
Gjoni e mori seriozisht,
Rrëfimin e bashkshortes,
Me arsyetim të thellë,
Mbi atë andërr,
Si njn astrolog,
Si një superticioz,
Plot kujdes,
As vetë s’u gënjye,
As të tjerët s’i gaboi,
Besimi në parashikimin e tij,
U bë edhe ma i madh,
Kur i lindi djalë,
Sepse një shënjë tjetër,
Krenarie luftarake,
Shumë ma e bukur,
Dhe më e ndritur,
U pa në krahun e djathtë,
Të foshnjës të porsalindur:
Me përformancën e një shpate,
Të shkruar,
Me një mënyrë,
Si të ishte bërë me dorë.
Është dhuratë e Perëndisë,
Arsyetonin edhe miqtë,
Kur lindin foshnjat,
Mbi trupin e tyre,
Skalit figura,
Sepse në ato shkruhet,
Fati i njeriut,
Për gjithë jetën.
Gjergji ishte fëmija i nantë,
Djali më i vogël,
I Gjon Kastriotit,
Ky vinte nga një familje,
Jo e pasur, por fisnike,
I biri i princeshës Vojsava,
Në zbunim thirrej Vushé,
Tash me fëmijën i fundit,
Midis 4 djemve dhe 5 vajzave.
I pari un’ e hodha idenë,
Se duhet ta kërkojmë,
Ditlindjen mes shëngjergjave,
Më 6 maj 1405,
Sipas kalendarit të vjetër,
Në Gurëz të Krujës,
Por ata jetuan në fushë,
Shkruan Frashëri i historisë,
U muer peng si nizamë,
Pas thyerjes së të atit,
Prej Sulltan Muratit,
Më 1421 dhe u dërgua,
Në oborrin e Sulltanit,
Në Adrianopojë.
Zgjuarsia dhe shkathtësia,
E çuan Gjergjin,
Në shkollën e Sulltanit,
(Içogllanëve),
Që përgatiste,
Komandantë e nëpunës.
Natyra i kishte dhënë,
Dhunti mendore e fizike,
Atje mori emrin Iskander,
(Aleksandër).
Pas mbarimit të shkollës,
Skënderi,
Kreu detyra ushtarake,
Në Ballkan,
E në Azinë e Vogël,
U dalluar për trimëri,
Për këtë arsye,
Emrit iu shtua titulli bej,
Që do të thotë Skënder Zotria.
Ai nuk e harroi,
Vëndin e tij të dashur,
As fenë e të parve,
Shqipërisë bashkimin,
Që i mungonte ia jepte,
Si edhe me Europën e krishterë,
Priste me padurim rastin,
Të kthehej në tokën që e lindi.
Me vdekjen e të atit,
Ai shpresonte,
Të merrte në dorë,
Fatin e Atdheut,
Të principatës së Tij,,
Të çlironte vëndin nga pushtuesi.
Në fakt sulltani i regjur,
E emroi sanxhakbej,
Larg tokave shqiptare,
Dëshirave të tij.
Skënderbeu nuk hoqi dorë,
Prej idesë për t’u kthyer,
Në Shqipëri,
Në fronin e të atit,
Deri në vitin 1443,
Kur ai u nis,
Kundër Janosh Huniadit,
Nën komandën e bejlerbeut,
Të Rumelisë.
Më 3 nëntor 1443,
në afërsi të Nishit,
U ndeshën dy ushtritë,
Ushtria osmane u shpartallua,
U tërhoq në panik,
Skënderbeu filloi të zbatonte,
Planin e kryengritjes,
Sëbashku me 300 kalorës shqiptarë,
E me të nipin,
Hamza Kastriotin,
U kthye në Dibër,
Ku populli e priti si çlirimtar,
Mori masa për përforcimin,
E rrugëve,
Nga mund të vinin osmanët,
Dhe prej andej,
Iu drejtua Krujës.
Me një ferman të rremë,
Shtiu në dorë,
Qytetin e garnizonin,
Kështu më 28 nëntor 1443,
U shpall rimëkëmbja,
E principatës së Kastriotëve,
Mbi kështjellën e Krujës,
U ngrit flamuri me shkabën e zezë,
Bashkoi me 2 mars 1444,
Krahinat shqiptare,
Fitoi 26 beteja,
Dhe mbajti lart,
Nderin e Kastriotëve,
Flamurin Kuq e Zi,
Me shqiponjën dykrenare,
Të shtetit dhe mbretrisë,
Që e mbajti për afro 25 vjet.
DY POETË NË KLASËN TIME
Mbresat në mëndjen time,
si gurë ku unë,
kam hedhur këmbët e mia,
për të kaluar lumin e jetës,
vizita e tillë ka mbetur,
e Petro Markos,
(shoqëruar nga Kol Jakova,
bashkë erdhën nga Tirana),
në mars 1973,
në klasen time,
nuk kam mbajtur ditar,
iu referova atij viti,
në filluam mësimin,
në shkollën e re,
kur për herë të parë,
mbyllej një cikël tetëvjeçar,
në fshatit tim.
Deri atëherë nxënësit,
pas fillores mundoheshin,
gjithë ajo rrugë,
deri ne Gurëz,
ku kishte 75 vjet shkolle shqipe,
23 vjet 7 vjeçare.
Vizitorët hynë në klasë,
si dy mistere ishin,
për ne,
nuk kishim parë aq afër,
shkrimtarë e poetë,
i kishim parë vetëm,
në fotografi në kabinetin e letërsisë.
Dinim për jetën e tyre,
virtualisht për librat e tyre,
në katër muret e klasës,
mësuesi reklamonte,
të gjithë autorët shqiptarë,
të realizmit socialist.
I mblidhnim nga revista “Pionieri”,
i futnim nëpër korniza, druri,
t’i kishim parasysh.
Tjetër ishte t’i shikoje,
në realitet,
të gjallë, pranë vetes,
në mes të klasës,
dy shkrimtar dhe poetë.
Prezantimi i tyre ndodhi,
nga drejtori,
dhe mësuesi i letersisë,
atëherë fjalën i pari,
Kol Jakova si ish-ilegal në këtë anë,
kishte shumë për të treguar,
për mikpritjen,
burrat dhe gratë,
foli per shërbimin e tij,
si mësues në Gurëz,
në kohën e mbretërisë,
në vitiin 1934,
burgosjen dhe përndjekjen,
në Shkodër prej fashistëve,
qëndrimin në ilegalitet,
ne Gurëz, më 1940,
për “Fshati midis Ujrave”,
na bëri me qeshë,
kur tha se prifti i Gurëzit,
për të treguar vjetërsinë,
e famullisë së tij,
kishte gdhendur mbi një gur,
kjo ishte komike,
emrin e vendit,
në gjuhën latine “GURSOSUM”,
për të tjetërsuar historinë,
kjo ishte tragjike,
mbi vjetërsinë e vëndit,
për çiftin e heronjve të romanit,
Preng Sherrin dhe Hanën e bukur,
në Pyllin e Mashit,
e të tjera ngjarje,
nga Trapi i Gurëzit,
te Trapi i Shëllinxave dhe ishmit,
kalaja e Prezës.
Mandej i erdhi radha shkrimtarit,
Petro Markos të madh e misterioz,
me origjine nga Himara,
lindur ne Dhërmi,
vëndlindja kishte ndikuar,
në formimin e karakterit,
te shkrimtarit dhe poetit.
Deti nga përpara,
mali i Çikës nga mbrapa,
prindërit, gjyshja me ligjërimet e saj tragjike.
Jeta e Petro Markos,
kujtesë e rëndësishme kishte qënë,
kombëtare dhe ndërkombëtare,
kishte parë e kishte prekur,
dy luftërat botërore:
një luftë e karakterit ndërkombëtar,
luftën e brigadave -1936,
internacionaliste në Spanjë,
kundër diktatorit Franko,
kishte prekur,
kishte qënë njëri nga vuajtësit,
e internimeve,
të egra në dhera të huaja,
kryesisht në Itali,(Ustika)-1942,
siç po na tregonte,
kishte shpëtuar në dy raste,
nga vdekja.
Ishte një personazh i rëndësishëm,
i memories së luftës më epike,
në historinë e njerëzimit,
bashkë me një avangardë shkrimtarësh,
më të mirët,
kishin përjetësuar atë luftë,
për jetën dhe lirinë,
në veprat e letërsisë,
së përbotshme,
“NO PASARAN”(!),
te Hasta La Vista i tij,
se si me tingëllonte,
vetë na e shpjegoi,
dhe një varg ngjarjesh të tjera,
të jetës së kombit,
të atdheut,
të tijat personale,
dhe të familjes,
të cilat vinin përmes,
asaj bisede,
mbresëlënëse po aq pedagogjike,
përmes shqisës,
estetike të një mesuesi,
të bashkëbisedimit.
Tash i përpunoj në mëndjen time,
mbresat e pashlyeshme,
ata flokë kaçurrela,
të ngatrruar,
njeherësh intrigues,
si një mesazh trishtimi.
Ndihej nostalgjik,
mendonte për fatin e atdheut tonë,
po trishtohej nga varfëria jonë,
nuk mund të fliste,
ashtu me ne,
frenonte agjitacionin e tij,
si ai që ngrihet nga shtrati,
në heshtje,
për një gotë ujë e pyet veten:
donte nuancat e gjelberta,
të detit,
të kaltrën e qiellit,
tejdukshmërinë e ajrit,
të gjelbërtën e pyllit të vogël,
që mbante mënd dikur,
legjendën e netëve me drita misterioze,
në mes të pyllit,
pranë shtëpisë së tij,
ku kishte luajtur,
si fëmijë,
ndoshta po i kujtohej tani,
ne te djathten time,
në të majtën e të tjerëve(?),
pulsonte fryma dhe vështrimi i tij,
nëse do të ishte në gjëndje,
të rikthehej te zogjt’,
e vëndlindjes së tij,
vetëm ata e dinin kush ishte Ai(?),
brënda në klasën time,
po i çfaqej Dhërmiu…
Vite më vonë dëgjonim,
shkrimtari e poeti i madh,
ishte një përson tjetër,
mundohej të rivlerësonte miqtë,
të luftës,
të burgjeve,
internimeve,
të fëmijërisë,
nëse mungesa e tij,
kishte ndonjë vlerë sado pak.
A kishte ndonjë rëndësi(?),
pa ata dashuria e tij,
nuk kishte kuptim për asgjë,
në jetën e një të vetmuari,
të një të përndjekuri,
kishin dënuar Jamarbërin,
të birin,
po aq i talentuar,
për ridënimin e tij,
fatin dramatik të familjes,
mbresat tona të thella,
mbetën nga ai takim.

Mbresa nga “Kënga e Zogut të Parajsës” Nga Nadire BUZO

 

E lexova sapo e mora në duar librin. Jo vetëm një roman i ngjeshur më pak se dyqind faqe, i shkruar bukur, me figura letrare dhe ekspresivitetin që e karakterizon stilin e shkrimtarit. Fraza dhe dialogje të shkurtra. Përmbajtja kurioze, me një titull interesant, të cilin si fillim e mendova një libër tragjik, ku, heroina kishte fluturuar në parajse, “nga dashuria e djaj të tjerë”-thotë Marquez… Jo rrallë, autori Istref Haxhillari, shkruan dhimbshëm për prindërit apo të afërmit e larguar.

Mbylla kapakun e fundit pa e hasur gjëkundi Zogun e Parajsës, as këngën e tij.

Nuk lexoj kurrë përciptazi… me shumë kujdes, mbaj shënim faqet, dhe u rikthehem…nuk pash zog, as këngë e as parajsë.

I telefonoj dikujt që ma huazoi librin, shkrimtar dhe ai, – hej mik, mos e pe gjëkundi zogun e parajsës, apo mos e dëgjove diku këngën e tij?

-Eshtë metaforë-u përgjigj ai.

-Që është metaforë e marr me mend, ka shumë të tilla në librat e tij, po këngën e …zogut, desha?

Kur mbylla telefonin, qesha me vete, ashtu si edhe gjatë leximit.  E humb fillin nganjëherë njeriu dhe kërkon kot atë që e ka aty, e sheh po nuk duket. Më erdhi me vërtik mendimi, shkrimtari filozof Umberto Eko. Ai shkroi një libër të madh mbi 600 faqe me titullin “Emri i Trëndafilit”, dhe s’çeli gjëkundi trëndafil, veçse lufta brenda llojit, ku digjet biblioteka dhe një manistir i tërë prej vrasjeve, preversiteteve e rriteve makabre në emër të Zotit. Në fund të tij, U. Eko tregon, ç’farë thotë tituli i një romani.

Se vetë Isidor Sofi, ishte Zogu i Parajsës dhe kënga ishte brenda tij.

Ndër faqe shoh përjetimet e Dorit, nga takimet dhe dashuria, zënkat dhe xhelozitë me zonjën, Ledi Smiana, me ndjesitë, emocionet dhe perceptimet e saj në jetën e dyzuar, mes familjes dhe dashurisë.  E shkruar nga po ai vetë. Inteligjenca e një fizikanti, e njeh mirë metafizikën, arsyeja ka mësues vetëm vetveten. Ai, njeh mirë dhe psikologjinë e fëmrës që dashuron. Ndaj di të sillet bukur, ta bëjë për vete, ta ç’tensionojë dhe zbusë me gjetjet e çdo fjale.

Dashuria është stuhi e frikëshme. Po çështë mali pa stuhitë? Ashtu dhe zemra pa dashuri! Të jesh njeri, do të thotë të vuash nga një dytësi (ambigitet) të pamëshirshëm, të priresh ndaj të mirës dhe të keqes tënde. Ne, do të kemi gjetur paqe kur të kemi vrarë egoizmin brenda nesh. Ky është dyzimi që rrebelon shpesh Ledi Smianën.

Shkrimtari shkruan atë që dëshëron, pa u brengosur për botën, as kompesimin dhe famën. Ai do të sfidojë veten dhe shoqërinë.  Ndërsa ballafaqimi me të vërtetën është thjesht çështje e metodës së tij krijuese. Të dish të dallosh të vërtetën nga sferat e fantazisë krijuese. Është kufiri i hollë, midis qënësisë dhe iluzionit. Një ide ose një imazh, nga magjia e fjalës apo nënkuptimeve, ta gjejmë të bukurën dhe të vërtetën midis faqeve të librit.

………“-Dua të martohemi në të fshehtën tonë,- u hap së fundi. Sido që ende se kishte gëlltitur, nuk nguroi të betohej.

-Gjersa vdekja të na ndajë!

-Të dukem e çmendur?

Deshi të përgjigjej, ajo i doli para, si të zinte shteg bosh.

-Thuaj të vërtetën!

-Nuk ke qënë kurrë kaq normale.

-E ke hasur gjëkund? E ke lexuar? E ke shkruar në librat e tu?

-As nëpër filma.

Rëzëlleu nga kënaqësia.

-E di si më erdhi?

Anoi kokën të zgjidhte fjalët.

-Ndihesha qiellore kur më thërrisje nuse, doja të bëhesha gruaja jote…

– Ja ku u martruam.

-Oh, i dashur, je i imi…imi pra!”

Në fakt ajo që ne shohim si lëndë është dukja e saj. Shkrimtari fillon të hyjë në jetën e të tjerëve sepse ka perceptime të reja për miqësinë, dashurinë dhe mardhëniet sociale. Në jetë, nuk ndodh shpesh të udhëhiqesh nga arsyeja. Është ndjenja që e bën atë më të dobët për të arsyetuar, duke e tërhequr qenien nga çastet. Sikurse e verteta mund të zbulohet prej arsyes më së shumti, se sa me rrugën njohjes së ndjenjave, ndaj shpesh dashuria na duket si derë e parajsës dhe e ferrit.

Duke medituar mbi librin, vwrejta se është e rezikshme të përkulesh në zbrazdësinë e tjetrit, me dëshirën e mirë për të parë pasqyrimin tënd, si në fundin e një pusi, është e kotë, sepse fytyra jote në fund të pusit bëhët e deformuar, e paqartë e frikëshme, të bën të tërhiqesh nga gryka e tij, prej frikës se mos biesh brenda. Nuk thonë kot: “ka njëmijë e një lloj dhashuri, më e bukura është ajo e imja”.

“Tërbimi im për të dashuruar, vështron nga vdekja, si një dritare që sheh në oborr.” -Thotë Georges Bataille, filozof frances, antropolog dhe historian arti.

Ndërsa Flober, këshillon: “Guxo të gabosh dhe të ëndërrosh.”

“Më 5 qershor 2018, moti nuk i la gjë mangut ditëve të pranverës. Aroma e luleve, përmbyti qytetin, gjethnajat e blirëve shushurinin, era e freskët përkëdhelte kalimtarët. Dori filmoi rrugën nga kisha ortodokse te hyrja, ia dërgoi, hapi derën e selisë, ku rrallë shkelte. Ndezi dritën elektrike, mbylli perdet, rregulloi sa mundi orenditë, renditi mbi tavolinë, shishen e verës, gotat plastike frutat. Ktheu dy gllënjka, ndezi cigaren, doli në korridor, u mbështet pas derës gjysmë të hapur. Digjej nga dëshira ta merrte në krahë.”

Nëse nuk keni parë se si Zogu i Parajsës josh femrën e tij, asgjë s’keni parë. Një zog mahnitës në formë dhe kombinim ngjyrash, blu me të verdhë apo portokalli, blu, e bardhë e kaltër, e mrekulli të tjera. Sesi ai e pastron me sqep vendin ku do të bëjnë dashuri. Për ta bërë për vete femrën e tij, ai vallëzon çuditshëm, duke hapur krahët me ngjyrat mahnitëse, rrotullohet si një fugë apo balerin klasi. E gjitha kjo, nën melodinë e bukur të këngës së vet. Pastaj hidhet e rrëmben atë të mahniturën pas tij, që rri mbi një dëgë me lule Marsi, e përqafon marrëzisht mbi lëndinën e paqtë a thua se po e mbyt. Ç’far mekullie! Zogun mbretëror me pupla mbi kokë e kërkoni në internet dhe do shihni një spektakël që nuk e keni parë ndonjëherë.

Është edhe një lule fort e ngjashme në ngjyra dhe formë me emrin, Zogu i Parajsës. Simbolizon lirinë dhe gëzimin. Sa shumë dashuri jep natyra! Shkrimtari ynë Isidor Sofi, sinonimi i vetë autorit edhe në shkrime të tjera, di ta përjetësoj bukur këtë dashuri.

“S’pandehu të donte kaq shumë një femër, përvojat nuk e ndihmonin të rrokte horizonte e reja, çelur si zbulime lundërtarësh. Ndërsa bota përkundej qetësisht në shtratin e vet, çdo luhatje e humorit të saj kthehej këmbanë alarmi. Duheshin aq, sa mund të luanin mendsh.”

Dashuria s’është vetëm një këngë e bukuuur. Ajo shpesh është melodi e pikëlluar, si seranatat, fadot e baladat. Mbush kupat e gëzimit tonë, me helmin e saj tinzar. Një vision pak i çuditshëm.

Nga këndvështrimi i hapsirës. Provinca dhe koha të habit.

Brenda këtij pusi hapsinor, më erdhi pak çuditshëm. Një qytet i vogël me një liqen të madh, ku të mbyt hapsira ujore nëse ti rrekesh të kesh një dashuri të madhe, të gjallë, po jo shumë të thellë, si vetë ujrat e tij. Një dashuri e lindur nga boshllëku i shpirtit.  Më pas fillon dhe kafshon gjarpëri i xhelozisë. Edhe në rastin e këtij libri, ujrat nuk e mbushin dot zbrazdësinë e shpirtit, vetëm joshin për këngë dhe dashuri dhe fundi është destinacion i hidhur…

Përcaktimi kohor, sipas shkrimtarit është fiks pesë vite nga ikja e poetit të madh, që nënkuptojmë “Fluturimin e shtërgut të fundit”.  Njarjet ndodhin në vitet e para të lirisë demokratike. Nuk do ta imagjinoja dot ndryshe, në sistemin para këtyre viteve, ku vuajti dhe mbijetoi poeti. Ne binim në dashuri duke lexuar dhe shkëmbyer poezitë e tij në fshehtësi. Nëse takoheshin të dashuruarit, ashtu dendur si Dori me Ledin, sot nuk do egzistonin më. Dashuri kjo, e ndaluar, që zgjati deri në kohët e Covid 19. Ku dashuria është gjithmonë me simptomat e kolerës. Koha e saj është e përcaktuar e tillë, nga shkrimtarë e dashunor të mëdhenj. Është një hapsirë kohore që flet për një dashuri të madhe e destinuar të rrënohet.

Thonë, se njeriu si qendra e egzistencës, nuk nuk e ka arritur të krijojë një sistem të barazpeshuar shpirtëror, ja hedh fajin mosharmonisë shekullore të botës apo marrëzisë së publikut.

E shkuara vlen të kujtohet sepse nxjerr mësime prej saj. Kur krijon je një vetmitar, jeton me personazhet. Në këtë libër, autori është i rrëthuar me shumë dashuri. Bukuria gjendet në sytë e atij që e sheh. Dhe shkrimtari Istref Haxhillari, di ta shquaj dhe ta bëj të tijën të bukurën si pjesë universal të jetës. Ndodh shpesh që komuniukojmë me shenja dhe lëvizje, jo me fjalë. Dhe libri ka shumë shenja, simbole dhe figura letrare të qëndisura bukur, secila në vendin e duhur.

Mendimi është i lidhur me gjuhën edhe shprehja e lirisë dhe shprehja e dashurisë po me gjuhën dhe një matematikan e zotëron drejt atë.  Liria e mendimit të çon në lirinë e veprimit. Duke menduar të pamundurën.

Në fund të fundit, lumturia qëndron tek pasionet tona, për të arritur atë, duhet të duam veten, cilido qoftë fati ynë. Sa herë i themi lamtumirë pasionit, cilido qoftë ai, vdesim nga pak, bashkë me të djelat e lumtura.

Dashuria krijoi mundësinë të shihja brenda vetes përmes një dritareje të veshur me shkëlqim, më dha kurrajë të përballoj çastin më të hidhur të jetës, më shëndroi në grua të fortë. Brishtësia i përket tjetër kohe.”- thotë në fund të librit Ledi Smiana, shkruar me dorën e Isidor Sofit.

Të vetmes që duhet ti friksohemi është vrasja e ndërgjegjes, kur tundohemi të gabojmë. Vrasja e ndërgjegjes është helmi i jetës. Ledi nuk tundohet, ajo është e vendosur ta përballojë sfidën e dashurisë. Shkrimtari i’a kushton asaj këtë libër.

“Artistët janë të obliguar të kuptojnë jo të gjykojnë”,-qartëson Kamy.

Në fillim shkrimtarët flasin me letrën e bardhë që hesht, pastaj e ndajnë me botën që flet.

Dhe unë fola, për një libër të mirë, që duhet lexuar! Suksese mik!

 

Nadire BUZO

QYTET’I IM- Nga MUSTAFA KRUJA (Pjesa e pestë)

 

Kruja âsht e njohun si qytet bektashijsh. E vërteta âsht qi në krahasim bektashijt për numër janë pakicë në Krujë. Veçse mâ e shumta e parsís së qytetit i përkasin atij sekti. Prandej ky ushtron nji ndikim të madh në gjithë popullsín si të qytetit si të katundevet, sado qi ndër katunde bektashijt janë fare të rrallë. Teqet e kleri bektashijan nderohen edhe prej pjesës synite, posë 3-4 vllaznive të njohuna e të dallueme për fanatizëm. Mue p.sh. ndonse im atë s’ishte bektashij, m’i ka marrë flokët Dervish Hysen Dollma e shkues në fejesën t’eme ka qênë Baba Haxhiu i teqes së khalifatit të Krujës. Kjo teqe âsht nji ndër mâ të rândsishmet qi ka ai sekt në Shqipní. Teqja gjindet në katundin e Fushës së Krujës, e mbajtun prej Babait e Dervishve të saj tradicjonalisht me kujdes të madh. Mikpritse për kêdo, ka qênë gjithmonë vênd gostash me kurbâna si Sarisalltiku për çdo kategori të popullsís së qytetit e të rrethit të tij e tash vonë, qyshse ka fillue të punojë me lehtësí rrota e automobilit, edhe sýnesë piknikësh nga intelektualë të Kryeqytetit.

Popull’i Krujës âsht shumë liberal, në kuptimin mâ të lavdrueshëm të ksaj fjale, e këtë liberalizëm e ka, posë karakterit të vet malsuer, për nji pjesë të madhe edhe prej bektashizmës.

*****

Nën sundimin turk arsimi i Shqiptarvet ishte nji privilegjë e rrallë vetëm për pasanikët, e të këtillë kishte pak Shqipnía. Ndër qytetet t’ona kishte vetëm ndonji shkollë fillore e ndonji plotore (ryzhdije) në gjuhë turqishte e me nji sistem aqë primitiv sa qi rezultati për nji nxânës qi t’i kishte mbarue rregullisht të gjitha klasët mund të barazohej ma atê të tri vjetve të nji fillorje moderne. Në ndonji qêndër prefekture ryzhdijet kishin përmbi to edhe dý klasë gjimnazore. Gjimnaze të plota shtatë klasësh kishin vetëm qêndrat e vilajetevet, veç Shkodrës (). Pra nji familje shqiptare qi dëshironte t’a stërvitte djalin e vet – se ma për vajza qi as fjalë s’u bânte aso kohe së paku me nji arsim mesatar, – duhej të kishte mjetet për t’a dërgue në nji internat të largët si në Janinë në Shkup, në Selanik ase në Stamboll. Gjâ kjo qi mund t’a bâjshin vetëm bejlerët, disa agallarë e nji palë nëpunsa të naltë. Këta të fundit madje s’kishin as nevojë t’i dajshin fëmijët prej gjînit të familjes, mbasi punën e kishin gjithmonë në nji nga qêndrat e mëdhá të Mbretnís.

Relatat kulturore të Shqiptarvet me Okcidentin ishin aso kohe thuejse të paqêna. Pasanikët ortodoks i tërhiqte Athina, katolikt e Shkodrës Italija ase Austrija. Por këta të fundit, gati të gjithë tregtarë, sa për nevojat e tyne vullëndoheshin me shkollat klerikale qi kishin në vênd. Në të tanë Shqipnín njoh vetëm të bijt e Neki Pashë Libohovës, Mufid beun me të vllaznit , qi kanë krye studime të rregullta n’Okcident nên sundimin turk, edhe Ekrem bej Vlorën qi ka studjue në gjimnazin aristokratik të Vjenës Theresianum ().

Me këto kushte s’âsht aspak çudí, pra, qi nga shkrepat e Krujës së vorfën mos të kenë dalë njerëz të mësuem deri në kohën t’eme. Besoj se e vjyen barra qirán me i përshkrue disa tipa interesantë t’intelektualizmës krutane t’asaj kohe. Mâ i dijshmi ishte Myrteza Efendi Goci. Por ky kishte mbërrîmë në nji gradë…. ditunije qi për tê s’kishte vênd në zyrat e nji nënprefekture. Sepo, e ditun, kush këndonte atëherë këndonte vetëm për nji qëllim: qi të bâhej nëpunës e të merrte një meash a ylefe prej Shtetit. Shkolla, dija, për myslimanin e Mbretnís otomane, s’kishte asnji kuptim tjetër. Myrteza Efendiu e kishte fillue karjerën e tij si praktikant në nji sekretarí gjyqi e, në 1910, kur u njoha un me tê porsa kishem krye studimet, ishte kryesekretar i gjyqit ndeshkimuer me 500 grosh në muej në Durrës. Kishte hypun nalt Myrteza Efendiu dhe kishte shpresë me u bâmë edhe gjykatës. I ri un, e i marrë (), si shumë të rij të tjerë të kohës s’eme, e nxitshem me nxânë shqipen. Për do kohë s’pat dashun të m’a prishte, më thoshte se ishte tepër i zanë me punët zyrtare e shtëpijake qi kishte, por nji ditë sigurisht s’do të rrinte pa i a hýmë edhe shqipes . Veçse nji herë, kur pa mâ qi s’po i u dajshem me përrallat e mija si më ngul sýt e më shikon nji ças të mirë pa zâ e me nji farë çudije, më thotë: “Ndëgjo këtu, djal’i im! Ti besa mir’e ke, je tue mendue për mue bash si për vete. Por ti sod me turqishten t’ânde () je tue fitue ma se njimijë grosh në muej, pra dy fijsh sa marr un. E nesër, në të daltë ajo tjetra qi ke ndër mênd (donte të thoshte Shqipníja mbë vete), je prap i sigurtë se veç do të të shtohet rroga. Kurse un, bir’i im, nga shqipja s’pres gjâ mâ, jam dyzet e kusur vjeç e kishte me m’u dashun t’a nis karrjerën t’eme edhe nji herë atje ku e kam fillue para njizetepesë vjetve. Në më gjettë ky hall më gjet e s’kam se ç’i bâj, por qi t’a kërkoj vetë, besa jo!”. Myrteza Efendiu m’i kishte premë drût shkurt, me shume elegancë e takt zotnísh, por shqip. Të tânë problemën e shqipes e të Shqipnís e kishte përmbledhun në nji pikë të vetme qi mue të marrit s’më kishte ramë ndër mênd asnji herë deri atë ças. Natyrisht heshta e i dhashë arsye, s’kishte vênd mâ me ngulë kâmbë në marrín t’eme me tê. ().

Prap në Durrës gjindej nji tjetër intelektual krutan. Ishte Hysen Efendiu, kryesekretar i doganës, qi mâ vonë, kur duel Shqipníja mbë vete, e drejtorit turk i u desh me u kthye në vênt të vet, pat zânë kâmbën e tij. Por ky mâ ishte bâmë durrsak gjithsej, me shtëpí e katandí të veten, edhe mjaft trashë madje, e si plak qi ishte s’e çante kokën veçse për volít e t’ija. Me gjithë këtê, pa dashun e pa pasë kërkue n’asnji mënyrë veçse me gjuhën e tij të prehtë, ra se ra në lak. Në 1915 e kapi Esat Pasha e e internoi bashkë me mue e tjerë n’Italí. Në Favinjana () banojshim në nji shtëpí me tê. Plak liberal e shum i âmbël, mahitar me të kënaqun. Në doganë të Durrsit, ku kishte kalue të tânë jetën e pjekun të tij e n’atë skele deti pak a shumë kozmopolite ku ai kishte hýmë në rradhë të parsís mâ të shqueme të qytetit, kishte pasun mjaft të përpjekun e të njohun edhe me të huej, sidomos italjanë e austrijakë. Të parët s’i çmonte fare, për të dytët kishte mjaft simpatí.

Qatib’ i Krujës aso kohe , kur un ishem ende kalamâ, ishte Zenel Efendi Kavaja. Ishte sekretar-arktar i kompanjís së gjindarmërís me gradë tetari. Pun’e tij ishte regjistr’i kompanjís dhe llogarit e saja. Sa për kaqë, praktika e gjatë qi kishte, e kishtë bâmë mjeshtër. Raportat e shkresat e tjera të gjindarmërís me gjerarkít, eprore, i bânte vetë komandanti, qi ishte nji oficer i përjashtëm. Me gjithë këtê Zenel Efendiu ishte gjithmonë Zenel Efendiu edhe nji nga parija e vêndit. Atje në gjindarmërí, mbas komandantit, ishte autoriteti mâ i nalti, i zoti me e influencue e me e sjellë oficerin si të donte vetë; e tue qênë se edhe komandant’i gjindarmërís ishte mâ i madhi pushtet administrativ i nënprefekturës mbas kajmekamit, ja ku rol’i Zenel Efendiut bâhej i rândsishëm në gjithë jetën zyrtare të Krujës, qytet e katunde. Çaushët, edhe ata vêndas shum’a pak me nji farë tarafi, ku as qi mund të piplojshin përpara tetarit bylyk-emin. Ky mâ tepër se ata kishte edhe kalemin në dorë e po t’i merrte për keq kalemi ishte nâma e zezë për ta! Kështu Zenel Efendiu, qi kishte edhe irád, ullîj në qytet e nja dý a tri shtëpí bujq në fushë, posë rrogës e vogëlsinash tjera qi i sillte zyra e pozita e lidhun me këtê, ishte nji ndër të parët e vêndit. Vishej vêndçe si borgjezija, por me kujdes e pastërti të madhe. Ndërsa agallarët pleq bajshin ende fistanen e gjatë me pala përmbi të lintat, xhamadanin e qëndisun prej cohe të kuqe me mângë e fesin tanuz të kuq me tufë të madhe mëndafshi të brustë, ndërsa populli përgjithsisht mbathej e vishej verës me cedille (brekushe), xhokë të zezë të qëndisun e me tufa dhe qeleshe gjakove (kapuç), e dimnit brekushet i ndërronte me çedikë, Zenel Efendiu bante ver’e dimën cedille prej nji pëlhure të bukur leshi në bojë të vet natyrale, xhokën të qepun me porosí e krejt të qëndisun për të qëndrue mbë kâmbë, jelekun bojë gjaku të ngrîmë edhe atê me bërshim, e përmbi ta pardhocen e kuqe në krye. Pardhocja ka qênë nji ksulë vetëm krutane. Në vogjlí t’eme përdorej gadi rendom prej esnafit. Mâ vonë filloi me u rrallue e erdh tue i a lëshue vêndin pak nga pak qeleshes. Përmbrênda s’ishte tjetër as ajo veçse nji qeleshe e lehtë qilindrike si e ka Matja, Dibra e Luma, por e veshun me kazmir të kuq të qepun me rreshta të zez në mënyrë qëndisjeje.

Kështu vishej Zenel Efendiu e, me folë të drejtën, kjo veshë i kishte hije sa s’ka atij trupi burri mjaft të pashëm, të gjatë e të drejtë si qiriu.

Por tipi intelektual n’e moçme e autodidakt mâ interesant në Krujë ka qênë Jahe Gjeli (Jahja Kovaçi, mâ vonë). Ishte ndoshta nja 3-4 vjet mâ i madh se un. Kur kam kalue un në ryzhdije ai kishte mbarue e hýmë praktikant në zyrën e financës së Krujës. Por vinte edhe …. si asistent vullnetar i të vetmit mësues qi kishim, i Arif Efendiut plak me çallmë, na mësonte kaligrafí e na tfillonte ndonji pjesë të vështirë të ndonji mësimi tjetër. Jahja këndonte çdo libër turqisht qi t’i binte në dorë, krejt në kundërshtim me të gjithë të tjerët qi s’dijshin se kuj i thonë këndim.Ishim shumë miq qyshse u rrita edhe un e u bâna student gjimnazi e universiteti. Qyshë ditën qi u shpall Kushtetuta turke më 1908, ai, tashmâ me nji farë rroge të mirë në zyrën e tij, qe pajtue në 2-3 gazeta të Stambollit dhe këndonte, këndonte pa i a damë. Turqishtja e tij pat mbërrîmë në nji shkallë përsosunije me i a pasun lakmí nji gjimnazist i mirë. Por Jahja për mâ tepër nxû shpejt me këndue rrjedhshëm e me shkrue mjaft mirë edhe shqip. Sa ishem student në Mylqije, në Krujë me atê e kishem korrespondencën. Edhe nânës s’eme ai i a shkruente letrat për mue. Ishim bâmë mâ si vëllazën. Por nji miqsí e vazhdueshme pa përpjeta e tatpjeta me tê ishte shum’ e vështirë për kêdo. Karakter nervoz e i përkeqtë qetash ishte gati me të dashun e lavdrue deri në qiell, edhe faqe, e nesër me të vûmë në qêzë e në taplote me të parin njeri qi të ndeshte, pak me të pasë rrëshqitun kâmba ase me i pasë prekun kund me nji gjeth trândafillje në ndonji dell qi i dhêmbte. Si nëpunës, veç, Jahja ka mbetun gjatë gjithë karrjerës së tij shêmbull ndershmënije e përpiknije. Si financier burokrat rrallë e tek e kishte ndonji shoq në Shqipní, edhe për kah ana e zotsís. Por ndërsa tjerë edhe mâ pak të zot se ai hýpshin ndër vênde të nalta të ministrís së financavet, atê as topi s’e luente prej drejtorís së Krujës. Atje donte t’a griste jetën, atje të vdiste. Mirpo qe se vêndi ka nevojë për veprën e tij në nji fushë mâ të gjânë e mâ të frytshme, e ministrija e shpërngul në nji drejtori prefekture në Durrës e në Shkodër, Jahja bân çmos për me i ikun ksaj rritjeje qi vetë e quente nji ndëshkim të padurueshëm. Sikur të kishte me se të rronte, sado keq, do t’epte atças dorhjekjen e asnji hap s’do t’a bânte për me dalë jashta Krujës së tij. Kishte gjetun nji rrugë të vetme për me provue nëse mund t’a shtrëngonte ministrín me e kthye prap në gradën mâ t’ulët që kishte atje në strofullin e vet. Qitte shqelma pa damë me ministrín e me ministrin personalisht, herë me arsye e herë pa arsye. Por kot, e njihshin mâ të gjithë e e durojshin, edhe pse e çmojshin e s’ishte lehtë me i a gjetun shoqin. Në 1944 e kam lânë ende në Shkodër. Mbrapa kush e di se në cilën kategori “reakcjonarësh” do të ketë vojt e mbarue i shkreti!

Shënimet e kësaj cope janë t’Ernest Koliqit.

FUND

Mustafa Kruja me familjen

Nga Osip Mandestam – Epigrami kundër Stalinit – Ne jetojmë pa e ndjerë tokën nën këmbë – E shqipëroi Elida Buçpapaj

 

Ne jetojmë pa e ndjerë tokën nën këmbë hije,
Bisedat tona s’mund të dëgjohen dhjetë hapa larg,
Dhe aty ku thuhet një gjysmë fjalie,
Duhet të përmendet kaukaziani i Kremlinit qoftëlarg.
Gishtat e tij të trashë të dhjamosur si krimba,
Fjalët e tij të sakta janë të rëndë kuintaloshë,
Mustaqet e tij qeshin me antena buburrecash
Dhe çizmet i shkëlqejnë lart e poshtë.

Rreth tij një turmë udhëheqësish qafëhollë,
i shërbejnë rreth e rotull gjysmënjerëzorë.
Disa fishkëllejnë, disa mjaullijnë, disa rënkojnë, rënkues,
Ai është i vetmi që i ndëshkon, ndëshkues
Si me patkua, dekretet i falsifikon u hyn në hak:
Disa i godet në ijë, disa në ballë, disa në vetull, disa në sy.
Sikur ha mjedra për çdo vrasje e gjak
Gjoksi i Osetianit vjen duke u fry e fry.

QYTET’I IM- Nga MUSTAFA KRUJA (Pjesa e katërt)

 

Por kush janë Krutanët? Asnji dokument historik, s’më ka rânë në dorë qi të na sigurojë mbi fatin e popullsís së Krujës kur hýnë Turqit n’atë qytet njimbëdhetë vjet mbas vdekës së Fatosit t’onë (). Por ka gjasë qi as këta mos të kenë qênë mâ të mëshirshëm për atë popullsí se vetë kundërshtari legjendar i tyne për rojën anmike qi gjet në kështjellin e t’et kur u kthye mbas tridhetë vjet mërgimi. Sod në Krujë s’ka asnji familje me tradita të vjetra. Të tânë gati e tregojnë origjinën e tyne, kush mâ të largë e kush mâ t’afër, nga vise tjera, mâ e shuma prej viseve jo fort të mërgueme. Na Merlikajt b.f. siç kam pasë ndëgjue prej tim ungj, () jemi të shpërngulun në Krujë prej Malit të Bardhë të Kurbinit shumë breza mâ para. Kemi pasun në fushë t’atij katundi do tokë të trashigueme qyshë moti së bashku me Allmuçajt, krutanë edhe ata, qi sod janë shue e qi në vogjlí t’eme u pritshim e u përcillshim ke shoshoqi si në vllazní, por pa qênë kurrkush i zoti me i lidhun brezat krye më krye deri në të parin t’onë të përbashkët. Ajo tokë atje në Mal të Bardhë ishte e vetmja dëshmí konkrete e origjinës s’onë, si dhe prova, veç traditës së vazhdueshme, e gjakut të përbashkët me Allmuçajt. Ajo tokë, tue mos i rânë kush mbrapa, tue e lânë mbas dore për nji kohë të gjatë, pak nga pak u përvetue prej katundarvet rreth e rrotull qi kishin krahë me punue, ndërsa neve për nevojat t’ona na mjaftojshin ato të qytetit.

Me lavdrue veten njeriu âsht marre. Me lavdrue atdheun e vet, kombin e vet, me gjithë qi edhe vetë asht pjestar i këtij quhet detyrë. Besoj pra se edhe nji qytet me popullsín e tij, ku na ka pamë sýni për të parën herë dritën e diellit, po qe për t’u lavdrue mund të lavdrohet pa pasun kush të drejtë me na paditun për mungesë modestije. Në fund të fundit trandafille pa gjêmba s’ka e kur i këndojmë hymne trândafilles nuk don me thânë qi u a këndojmë gjêmbavet.

Popull’i Krujës, pra, âsht nji popull i squet, por sidomos thellsisht i ndershëm. S’e kam ndie kurrë veten mâ kryenaltë për qytetin t’em sesa nji herë në nji kafe të Vjenës në 1926. U njoha atje me nji trgtar të madh të Stambollit. T’a marrmen vesht ai prej emnit t’em qi ishem krutan (), më pyeti nëse e njihshem “nji farë” Ismail Kasmi. Ky “nji farë” Ismail Kasmi ishte tregtari mâ pasaniku i vêndit t’em. Sod kemi edhe krushqi me shtëpín e tij. Atëherë ishim vetëm bashkqytetarë qi njiheshim, por as miq jo. Po më thoshte tregtar’i Stambollit:

“Në jetën t’eme s’kam pamë njerí mâ të ndershëm se atë burrë. Para luftës ballkanike kishim magaze edhe në Selanik. Kasmin e kishim myshterí. Para se të plaste lufta na kishte mbetun borxh nji kusur të vogël, nja njiqind lira. Lufta na shtrëngoi me e shkrehun magazen e Selanikut, u dyndëm e shkuem në Stamboll e s’u kthyem mâ atje. Mbaroi lufta ballkanike, kaloi edhe ajo e madhja e 1914-s e me Shqipnín qe premë çdo marredhânje tregtare për Turqín. Me gjithë këtê nji ditë prej ditsh kê po shoh në magazet t’eme? Ismail Kasmin! Faleminderës Zotit!…. edhe u gzova qi pashë nji klient të vjetër e të dashun edhe u habita. Kafe e muhabet, e po e pyes mikun e papritun: “Po tý, Ismail Aga, ç’erë e bekueme të paska hjedhun ksaj ane? Mos ke ardhun për ndonji mjekim?….” jo,jo! Ismail Aga s’e kishte bâmë gjith’atë rrugë as për mjekim as për dëfrim e aqë mâ pak për tregtí. Ai mbasi kishte kalue për Selanik për me më kërkue e atje s’më kishte gjetun, kishte ardhun në Stamboll nergut e vetëm për me më lamë borxhin mue! Nji borxh qi un e kishem fshimë kryekëput prej mêndsh e qi e kishem nxjerrë sa fijsh në tregtín t’eme me tê. Por Ismail Kasmi s’e kishte harrue e kishte ardhun postafat qyshë prej Kruje për t’a lamë….

Kështu asht krutani: Xhiu i Fajës shkon në Stamboll me lânë kryet për nji gjysmë fjale qi i kishte dhânë mikut me i marrë gjakun, Ismail Kasmi për me lamë nji borxh qi edhe vetë i zoti e kishte harrue. Fjals, besa, detyra për tê ka vetëm nji ligjë: me e mbajtun e me e krye me çdo kusht.

Krutani âsht modest. Nuk mbahet, s’krenohet, s’lavdrohet. Âsht trim, por trim i pafjalë e i padukë. Për fjalë e sjellje të tija s’e blen kush për pesë pare. Trimnín e tregon vetëm kur e zên puna për projën e vet e të të drejtave të veta, për mikun, për zakonet. Sa âsht fanatik në projën e nderës së vet, me gjith’aqë shkrupull nderon edhe tjetrin, kushdo qoftë. Gadi në të tâna zakonet e tija ka mbetun malsuer. Në punë gjaqesh ndjek pikë për pikë Kanunin e malevet. Gjakun e lyp vetëm prej mashkujve të rritun e t’armatosun të tymit të gjaksit krye për krye (). A e muer gjakun, ka për t’i dërgue anmikut pleqt ke dera për pajtim e s’ka ndodhun kurrë qi ky mos t’i shtrohet Kanûnit.

Krutani asht puntuer. Strukun n’atë rrânxë mali me q’ata ullîj qi nji vjetë bâjnë e dý jo, me nji copë arë të shkretë në ndonji luginë ndërmjet dý sukash a vetëm me nja dý pash kopësht para shtëpís, me nji copë dyqan qi punon mirë vetëm nji ditë në javët me katundarët, me ndonji dele, dhí a lopë në derë, lufton i ziu me jetën si të mundet, veç të rrojë me nderë. “Në Krujë ha pula gurë” thotë nji fjalë e moçme e vêndit. Kallzohet se dikur paska qênë mbledhun Kruja në kuvênd e gadi paska pasë vêndosun me e ulë qytetin në fushë mbi xhaden e Shkodrës. Sigurisht s’ka qênë pun’e lehtë me lânë plâng e shtëpí me kujtime shekullore mbas shpine për me fillue gadi një jetë të re. Prandej bisedimi do të ketë qênë mjaft i nxetë, mjaft i ashpër ndërmjet tradicjonalistavet e antarvet guximtarë të një sýnese të largët qi premtonte, së paku për brezat e ardhshëm e mbas shumë sakrificash, nji jetë mâ të volitshme se poplat e shkrepat e të parvet në nji skânj mali ku nuk shihej kurrë nji fytyrë jabanxhiu. Nji qytet n’atë fushë të bukur, në nji vênd qëndruer, p.sh. andej anës së Gjoles a mâ nalt kah Zeza, jo veç qi do t’i a kishte premë udhën konkurrencës tregtare të Tiranës mbi shumë katunde të Krujës, por do të kishte tërhjekun e bâmë krejt për vete edhe krahinën e pasun t’Ishmit e treqind shtëpí Prez. E mbandej xhamija e madhe, me qênë nji stacjon përmbi nji damar tregtije aqë të rândsishëm! Ky argument’i fundit kishte magjepsun sidomos esnafin e Krujës, tregtarët qi ishin, si me thânë, ajka e qytetarvet. Por ja ku del q’atje përtej dikush, ndoshta nji teshë i ngratë qi deri atë ças s’e kishte përfillë kurrkush e ai vetë soll kishte ndêjtun e ndëgjue se ç’po thojshin burra mâ të parë e mâ të mêndshëm, edhe thotë: “Or shokë, a e flas nji fjalë edhe un qi s’dij gjâ, qi jam mâ i mbetmi i të gjithve këtu në këtë kuvênd burrash e zotnísh? Ju besa mjaft mirë jeni tue thânë se kjo rrânxë mali ku na kanë lânë të parët t’anë fort vênd i vorfën e i shmangun âsht. E po thotë Zotnija e Juej me ramë atje poshtë në xhadet të madhe, se atje kishte me na rrjedhë allishverishi si zalli e kishte me na bâmë rahat. Për mue, qe besa, më falni, por kjo kaprroqja e ime s’po më mbushet bash fort se xhadja do të na bjerë atë fitim të madh qi po shpresohet. A thue s’ka qênë kush ndonji herë në Lesh prej sa jemi këtu në këtë kuvênd? Un pra po, kam qênë, e kam pamë e e njoh mirë Leshën. Ky qytet, qyshse âsht ngrefun, q’aty në breg të Drinit e përmedis xhades së madhe ka qênë, asnji karvan s’ka pasë kah me i a mbajtun pa ramë nëpër tê për me votun në Shkodër, në Gjakovë e në Prizren. E pra me gjithë këtê s’e pashë kurrë n’atë qytet nji tregtar qi të ketë bâmë prokopí. Mendohi mirë, burra, para se me dhânë nji vendim të pamatun, se edhe të parët t’anë s’kanë qênë, jo, aqë të pamênd kur e kanë themelue këtë qytet këtu, për vete, për ne e për tânë sa do të lejnë e të vdesin mbas nesh”!

E pat! Kruja mbet atje ke qe, tek e kishin themelue të parët “për vete, për ne e për sa do të lejnë e do të vdesin mbas nesh”, sikur tha ai sukllari i panjohun n’atë kuvênd të hershëm të qytetit ku kishin të drejtë me marrë pjesë e me folë i madhi e i vogli, pasaniku e vobeku (). Ajo mbet atje në vorfnín e vet, por edhe me historín e vet, madhështore e krenare. A ka themel historik ky kuvênd a s’ka, nuk e dij. Âsht nji gojdhânë. Krutanët kanë mbetun besnikë të gurvet, të shkrepavet, të malit të tyne. Por vorfnija i ka shtrëngue me e kërkue kafshatën e vet edhe për jashta; gjithmonë, veç në Shqipní, vetëm në Shqipní e ndër vise jo aqë të largta. Gjêjmë krutanë në Durrës, Shijak, Tiranë, Mat, Thkellë me dyqane. Kah Juga asnji s’e ka kapërcye Vlonën. Në dhena të huej, as në Stamboll e vênde tjera të Turqís nuk gjindet farë Krutani. Edhe kudo qi kanë vojtun janë mundue me bâmë ndonji tregtí të vogël e rrallë janë pasunue. Krutani âsht mohimi vetë i çdo aventure. Vullëndohet me pak, por punën e don të ndershme e të sigurtë. Âsht i urtë, kryeulët në sjellje, por krenar, hijerândë përmbrênda. Puntorë, shërbtorë, rrogtarë krutanë nuk gjên kurrkund përjashta. Krutani qi shkon e pajtohet rrogtar me gjâ të gjallë, me kafshë barrtore a me qé ke nji zotní, bashvendës i vet, mbahet baras me djelmt e shtëpís. Ai këta i quen vëllazën, zotnín e njeh vetëm për të parë shtëpije, granija për tê janë motra e nâna atje ku punon. Han në nji tryezë me gjindën e shtëpís.

Mikpritja në Krujë vetëm tash vonë, nën influksin e nji tog rrethanash të ndryshme, ka marrë aty-këtu pak si hije qyteti. Në vogjlín t’eme çdo derë krutane ishte e hapët për të njohun e të panjohun, nji për nji si ndër malsít t’ona mâ bujaret. Grueja krutane i shërben mikut në shtëpí të saj si t’a kishte farefis të vetin a të burrit. Nusja ashtu siç i lante kâmbët gjindës së vet i a lante edhe mikut. Sod ky zakon âsht vjetrue e lânë, por un i a kam mbërrîmë.

Më bie ndër mênd ç’më ka ndodhun nji herë në shtëpí t’onë kur ishem fëmijë:

Nji të dielle mbrâma kishin ardhun te na miq kurbîjas, për me ndjehun të hânën, për ditë pazari, në qytet.Ndër ta ishte edhe nji nuse e re bashkë me të shoqin. Kjo qet nji varg kështênjë të zieme e m’a dëften së largu tue më thërritun për me m’a dhânë. Kur i u afrova muer me më puthun; por un, shen e verë për vargun e gështenjvet, para se të më puthte ajo mue, kap e puth un atê, gjâ qi s’asht zakon ndër né. Shkoi gazi në kupë të qiellit e un zûna me qamë prej marres.

Dom Nikollë Kaçorri () më ka pasë diftue nji herë ç’i kishte pasë ndodhun në Krujë në të ri të tij:

“Porsa kishem dalë prej seminarit të Shkodrës, prift i ri e sekretar i Kryepeshkopit të Durrsit, Monsinjor Bianchi-t – nis tue më thânë Dom Nikolli dhe vijon: – Plaku (), me gjithë qi vetë kurbîjas, s’kishte pasë qênë ndonji herë në Krujë, në këtë qytet me nji popullsí qind për qind myslimane, e s’kishte nji mendim të mirë për bashkatdhetarët t’anë mohamedanë përgjithsisht. Un vetë edhe mâ zi se ai. Nji ditë i mbushet mêndja Arqipeshkvit me shkue e vizitue atë qytet, veç për kujtimin e Gjergj Kastriotit. Të dý hypim nji mëngjesi dý kualve shalet , nji rrogtar me vete e nisemi për Krujë. Mbërrîmë atje mbas dite vonë. Arqipeshkvi e un, dý priftën katholiq me nji shërbtuer, katolik edhe ai, në nji vênd thjesht mysliman. Mu në krye të pazarit ishte nji han. U zdrypëm kualvet aty dhe lypëm nji odë. Hanxhiu na prîni e na hypi për do shkallësh të çudiçme nalt në pod e na çeli nji odë. S’kishte asgjâ mbrênda posë nji hasre të vjetër shtruem. Pyetëm në kishte shtresa e mbulesa për të flêjtun. Hanxhiu, Senë Picorri, na përgjigjet: – jo, zotní, këtu s’ka kurrgjâ as për të ngrânë as për të flêjtun, veç po çoj e marr në shtëpí. Por këtu nuk âsht vênd për z.T’uej, âsht ma mirë me urdhnue në shtëpí t’eme? Qyrim shoshoqin me Arqipeshkvin e ky i përgjigjet hanxhiut bujar: – Jo, jo; faleminderës, na po bûjmë e ti veç na bâ hall për haje e të shtruena… U hap zâni nëpër Pazar se dý priftën kishin mbërrîmë në qytet e kishin ramë në hant. Nji zotní vjen e hyp ke na, ishte nji tregtar. Na përshëndet e na thotë: Zotní, nuk besoj se keni ardhun këtu për me koritun Krujën. Këtu s’mbahet mênd me pasë ramë kush i përjashtëm ndonji herë në han. Urdhnoni në shtëpí t’eme, s’e kam fort larg pazarit, po rrijmë e bâjmë muhabet, po hajmë e pijmë ç’të na ketë falë Zoti e ju po bâni rahat, se jeni edhe lodhun mbas gjith’asaj rruge të gjatë. Vijni nga Durrsi, në mos gabofsha…. Ç’me bâmë? Arqipeshkvi ka ramë gjall’e ngusht. Bani e i tha njânit jo e duhet me vijue n’atë fjalë edhe me tjerët. S’i a njohim as zakonet nji qyteti qi ishim tue pamë për herë të parë. Mbas pak kohe i a befti edhe nji zotní tjetër e edhe me atê kështu shkoi puna. Për mos me e zgjatun, kur mbërrîni darka neve na qe mbushun oda e hanit me dyshekë leshi e jorgana mëndafshi, çarçafë qi me marrë miza mjaltë në ta e mbandej gjellë si me pasë qênë ftue në darsëm! Veç pleshtat e hanit na mërzitën pak, por për tjetër s’po shkoj mâ gjatë mbi bujarín e qytetit t’and, se s’përshkruhet. E po t’a pohoj se ka qênë bash nj’ajo rasë qi më ka çelë sýt për me pamë e me besue se paskish për njimênd nji popull shqiptar me të gjitha vërtytet e moçme e jo vetëm mysliman, katoliq e ortodoks qi flasin të njâjtën gjuhë pa mujtun me u marrë vesht shoq me shoq.

SHËNIMI I VOAL

 

“Qytet’i im”, një esé e mrekullueshme e Mustafa Krujës, për qytetin të lindjes, që ai e ka për mbiemër, Krujën, veç të tjerash, ka rëndësi historike, sepse është shkrimi i fundit i Mustafa Krujës.

Nipi i tij, Eugjen Merlika, e ka nxjerrë nga revista Shejzat e Ernest Koliqit dhe e ka përgatitur dhe e dërgon për botim për herë të parë tek VOAL. Esenë VOAL po e boton  me disa vijime.

I jemi shumë mirënjohës për këtë nder të veçantë mikut dhe kolegut tonë të çmuar Eugjen Merlika.

Mustafa Asim Merlika i njohur më shumë si Mustafa Kruja, apo Mustafa Merlika Kruja (Kruja, 15 mars 1887 – Ujëvarat e Niagarës, 27 dhjetor 1958) ka qenë mësues, firmëtar i Deklaratës së Pavarësisë të Shqipërisë, nëpunës, politikan dhe kryeministër, senator i legjislaturës së XXX të Mbretërisë Italiane gjatë regjimit fashist, anëtar i komisionit të punëve të jashtme, tregtisë dhe legjislacionit doganor gjatë mandatit të tij si kryeministër.

Si studiues i shqipes, historian e publicist njihet dhe me emrin e pendës Shpend Bardhi. Ndonëse produkti i tij intelektual nuk u pranua përgjatë regjimit komunist, sepse u cilësua kuisling edhe tradhtar, në studimet e veta mbi etimologjinë e shqipes, Eqrem Çabej e citon në mënyrë të përsëritur.

Botohet dhe promovohet në Rumani romani i Andreas Dushit “Në besë të tatuazhit tënd”

Shtëpia botuese “A” në Rumani ka botuar romanin “Në besë të tatuazhit tënd” të shkrimtarit shqiptar Andreas Dushi, përkthyer nga Cătălina Frâncu. Ky botim titullohet “Legenda tatuajului” që në shqip do të ishte “Legjenda e tatuazhit”.
Me këtë rast, me datë 14 maj 2024, Muzeu Kombëtar i Letërsisë Rumune ka organizuar në Bukuresht promovimin e romanit, ku i ftuar ishte vetë autori. Gjatë aktivitetit, pasi përshëndetën sekretari i shtetit dhe kryetari i Asociaţia Liga Albanezilor din România, z. Radu Săvulescu si dhe deputeti i Kuvendit të Rumanisë, z. Bogdan-Alin Stoica, e mori fjalën kritiku i njohur, ish zëvendësministri i kulturës në Rumani, aktualisht kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Rumanisë për qytetin e Krajovës, z. Mihai Firică. Ai u ndal në një qasje poetike ndaj tekstit, duke veçuar narracionin unik, të ri dhe bashkëkohor. Gjatë fjalës së tij, sqaroi se koncepti i moshës në letërsi nuk mund të jetë i njëjtë me moshën biologjike, prandaj për një shkrimtar diskutimi duhet të fillojë dhe të mbarojë te vepra.
Pas tij, kritiku, shkrimtari dhe përkthyesi, ndër të tjera edhe kryeredaktori revistës “Albanica”, dr. Luan Topçiu vlerësoi tekstin, duke thënë se gjatë leximit të romanit, nuk mund të mos na tërheqin vemendjen teknikat moderne të prozës bashkëkohore: kolazhi, kalime lehtësisht nga një regjistër rrëfimi në një tjetër, teknika dinamike të cilat – në alternimin e tyre – na paraqesin imazhin e njeriut modern të epokës digjitale.
Takimi vijoi me lexime të fragmenteve të romanit nga aktorja e njohur Doina Ghiţescu për t’u pasuar me një sesion autografesh nga autori.
“Në besë të tautazhit tënd” u botua nga shtëpia botuese “Onufri” në vitin 2022. Është fitues i çmimit letrar “Atë Zef Pllumi” për vitin 2023 si dhe është në gjuhën italiane me titullin “Ballata del tatuaggio” nga Besa Editrice, nën përkthimin e Fabio dhe Kriselda Rocchi.

BALADË E BURRIT NË GURË- Nga Albert HABAZAJ

 

Mjeshtrit popullor të gurit, Selman Pazo nga Vranishti i Labërisë

Heshtjerëndë, imazh i gurit,
Ëndrrakaltër që i vogël,
Gurit dha besën e burrit
Kur ngjarjet ashtu i rrodhën…

Dhe i dha besën e labit
Selman Pazo nga Vranishti,
Zë qëndis gurët e malit
Shpirt i tij, dora dhe gishti.

Në kurriz hallet i mori
Dhe jetoi burrërisht,
Tym të bardhë oxhaku nxorri
Te Selmani bujarisht.

Dhe Kujtesa e Kulturës
E mban në radhë me fisnikë,
Sepse në sy të furtunës
Djers’ e nderit loton pikë …

Baladë e gurit për tingujt,
Baladë e burrit në gurë,
Bleta që bën mjaltë të hidhur,
Të çmuar për të sëmurë,

Selman Pazo nuk ka dy
Mjeshtër i culës së gurit.
Është njeri a legjendë ky?!
Në folklor – shtiz’ e flamurit.

Vlorë, e hënë, 20 janar 2020


Send this to a friend