VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

“Në marrëdhënie me Berishën gjithmonë kam ndjerë një lloj kompleksiviteti”- Bamir Topi flet për ‘sekretet’ e pathëna

By | July 21, 2019

Komentet

FOTO – Ky është varri i Isa Boletinit në Podgoricë, vetëm disa ditë pas vrasjes

Në janar të 1916-s, ushtritë austro-hungareze po depërtonin në territorin malazez. Më 20 janar 1916 malazezët vendosin të transferojnë kosovarët në Podgoricë. Ndërsa austro-hungarezët avanconin, tri ditë më vonë do të ndodhte tragjedia

Më poshtë po citojmë kujtimet e Tafil Boletinit, nip i Isait, i vetmi i shpëtuar nga masakra:

“…Ndërkohë kasneci lajmëronte: Pushtet ma s’ka, gjithkushi nëpër shpija. Ushtria austriake asht hi në qytet. Gjandarmëria po mban qetësinë deri në dorëzim. Ajo detyrë i ishte ngarkue major Savo Llazareviç me dy batalione gjandarë. Ky kriminel i njoftun, po me këta gjandarë që quheshin ‘krillash’ (me krah), ka pasë me tmerrue me masakrime e vrasje, djegie, plaçkitje e me çdo lloj torturash barbare rrethet e Pejës, Gjakovës, Plavës e Gucisë, terror që shumë breza s’kanë me e harrue dhe historia kurrë. Këtë xhelat populli i atyne anëve e njef me emrin Savë Batarja, që e kishte fitue tue ba batare…

Varri i Isa Boletinit ne Podgoricëm vetëm disa ditë pas vrasjes

Të gjitha kryqet e rrugëve Savo i kishte xanë me patrulla të forta. Me nja 80 gjandarë kishte zanë pusi në të dy anët e urës së Ribnicës jo larg kishës katolike e karshi prefekturës… në ato moment mbërrin axha, po tue qenë ura në bërryl të rrugës nuk shifesh gja deri sa ka hip në urë. Me të hypë axha Isë në urë jepet shenji: Qe ky asht vetë Isa Boletini! Dhe prapa e nxanë urën. Kështu axha me Jonuzin me shokë rrethohen në hallkë. Oficeri komandues me za të naltë komandon: Predajte oruzhje! (Dorëzoni armët!). Axha Isa: Jo besa, kurrë s’ia kam dorëzue as mbretit, as kralit! Nagantin e mbante para dhetçes.

E para pushkë nga malazezët ka qenë e Pero Buriçit nga Vasoviçi. Në flakë të ksaj axha Isa me shokë iu bijnë atyne përqark. Edhe Jonuzi ka pasë dy revolverë, nagant e dhetçe. Krejt i kanë zbrazë, ndonëse të rrëzuem prej plumbave deri sa iu ka ra edhe me bomba dore. Çuni i axhës Isa, Halili, përveç revolverit iu ka ra edhe me bomëbn që ia pat marrë Niko gjandarit…

Mbrenda pak minutave tragjedia mbaroi. U vra Isa vetë i tetë:

1. Isa Boletini, vjeç 51.

2. Halili, i biri, vjeç 24.

3. Seidi, i biri, vjeç 18, student në Vjenë.

4. Jonuzi, nipi, vjeç 26.

5. Halili, nipi, vjeç 24.

6. Hajdar Selim Radisheva, kunat i axhës dhe dhandërr, vjeç 30.

7. Idris Bislimi, nipi i Hajdarit, vjeç 18.

8. Misin Niman Bala nga Isniqi, kushëri, vjeç 26.

Le Petit Parisien (1916)- Kryeministri francez priti Esat Pashën

Esat Pashë Toptani

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 29 Janar 2020

 

“Le Petit Parisien” ka botuar, të martën e 4 prillit 1916, në faqen n°2, një shkrim në lidhje me pritjen e Esat Pashë Toptanit nga kryeministri francez, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar : 

 

Esat Pasha i pritur nga Presidenti i Këshillit (Kryeministri)

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Presidenti i Këshillit, ministër i Punëve të Jashtme, priti, mëngjesin e djeshëm, Esat Pashën, i cili mbërriti në Paris të shtunën.

 

Gjatë takimit të tyre, z. Briand e uroi ngrohtësisht Presidentin e qeverisë shqiptare për qëndrimin e tij besnik ndaj kauzës së aleatëve dhe e falënderoi atë për ndihmën e tij të dobishme në operacionet e evakuimit të ushtrisë serbe në Selanik.

 

Esat Pasha, i cili u prek shumë ndaj fjalëve të z. Briand, tha se ai u ishte bindur ndjenjave të përzemërsisë dhe të devotshmërisë që ka për Francën dhe shprehu besimin e tij të plotë në suksesin e armëve të saj.

Më 29 janar Grupi i Kontaktit vendosi mbajtjen e Konferencës së Rambujesë

Masakra e Reçakut përfundimisht e përjashtoi mundësinë e një marrëveshjeje për paqe në bisedime të drejtpërdrejta shqiptaro-serbe, siç ishte propozuar për disa vite me radhë.

Pas kësaj masakre u rrit aktiviteti diplomatik në relacionin Uashington-NATO-Bruksel-Grup i Kontaktit, ku dhe të gjithë kishin arritur pajtimin se ideja për organizimin e një konference duhej të kishte prioritet ndaj politikës së ultimatumeve.

Më 29 janar 1999 Grupi i Kontaktit, i takuar në Londër në Pallatin Lancaster House, në afërsi të Pallatit Mbretëror St.James, doli me deklaratën historike për mbajtjen e Konferencës në Rambuje, dhe miratoi parimet e panegociueshme, mbi të cilat duhej të ndërtohej Marrëveshja Kalimtare për Kosovën.

Më 30 janar Këshilli i NATO-s e ripërtëriu vendimin e marr në tetorin e vitit të kaluar, duke vendosur kështu kornizë diplomatike për Konferencën.

Fryma e deklaratës së Grupit të Kontaktit nuk la vend dyshimi në vendosmërinë për të gjetur një zgjidhje e për të negociuar para pranverës. Është gati ultimatum, do të shprehej në librin e tij Paskal Milo.

Në Beograd natyrshëm deklarata e Grupit të Kontaktit nuk është pritur mirë. Shqipëria zyrtare nëpërmjet ambasadorit të saj në Francë, Luan Rama kishte kërkuar nga këshilltari i posaçëm i Vedrinit, i ngarkuari për Kosovën, që Shqipërisë t’i jepej statusi i vëzhguesit, gjë që nuk u pranua.

Si arsyetim, këshilltari Fushe do të deklarojë se nuk do të ketë vëzhgues të tjerë nga Ballkani, dhe se në Rambuje nuk do të ketë konferencë ndërkombëtare si ajo e Parisit për Bosnjën.

Vendosmëria për ndërhyrje ushtarake Grupi i Kontaktit i përkrahur nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së, bashkë me NATO-n tanimë ishin pjesë e lojës. Qeveria amerikane në veçanti kishte filluar të bënte trysni për aksion të mundshëm ushtarak për ta ndalur represionin në Kosovë.

Kërcënimi i përdorimit të forcës në raport me Kosovën nga SHBA-ja ishte bërë që nga viti 1992.

“Në rast të konfliktit në Kosovë, i cili do të shkaktohej nga veprimi i Serbisë, SHBA-ja do të ishte e gatshme të përdorte forcën ushtarake kundër serbëve në Kosovë dhe në vetë Serbinë”, i kishte shkruar kryetari i atëhershëm, George Bush, Sllobodan Millosheviqit, kërcënim ky që u përsërit nga administrata e Bill Clinton.

Kurse Javier Solana, sekretari i përgjithshëm i NATO-s kishte deklaruar se Aleanca, në përpjekjet e veta për ta përkrahur bashkësinë ndërkombëtare që të arrihej një marrëveshje e negociuar, kishte “….rishikuar planifikimin ushtarak për një vistër mundësish që të ndalej dhuna dhe të krijoheshin kushtet për negociata. Këto e përfshijnë edhe përdorimin e forcave tokësore e ajrore, e posaçërisht një vistër të gjerë opsionesh për përdorimin vetëm të forcës ajrore. Këto sigurojnë që NATO-ja të mund të vepronte me shpejtësi dhe në formë efikase po të shfaqej nevoja”.

Këshilli i Sigurimit i OKB-së, kishte miratuar edhe rezolutat 1160 (1998), sipas së cilës Beogradi duhej të ndërpriste të gjitha veprimet luftarake, si dhe 1199 (1998), që ishin të bazuar në kapitullin e VII të Kartës së OKB-së. Një rezolutë e cila merret duke u mbështetur në Kapitullin e VII të Kartës së OKB-së, çmohet si hap i parë drejt masave më të ashpra të ndërmarra nga KS, të cilat mund të shkojnë deri tek intervenimi ushtarak.

Në bazë të kapitullit VII të Kartës së OKB-së, keqësimi i gjendjes në Kosovë u cilësua si “rrezik për paqe dhe siguri në rajon”. Edhe ministri i Jashtëm rus Ivanov, votoi pro Rezolutës 1199, çka nënkupton një tërheqje nga pozicioni i saj i fortë në mbështetje të Beogradit.

Para opinionit publik, si justifikim rusët do të theksojnë se kjo rezolutë do të shërbejë si impuls për dialog të drejtpërdrejtë midis Beogradit dhe Kosovës.

Meyer pat pohue se gjuha shqipe i ka mâ se gjysen e fjalëvet nga latinishtja – LETËRKËMBIM MUSTAFA MERLIKA KRUJA – ATË PAULIN MARGJOKAJ

 

 

 

Graz, me 7 qershuer 1958

 

Shumë i Ndershmi e i Dashtuni Zotní Mustafa Merlika-Kruja,

Qe se nuk po pres gjatë, por po vêhem mejherë me Ju shkrue. Ju falem nderës per leter të gjatë e per tfillime t’interesantshme qi më dhaet. Veçse keni harrue me më folë per patriot shqiptarë bektashjan. Ju më patët thânë nji herë – me gjasë ishte endè në ket qindvjetë – se do t’kishit per t’m’i numrue këta patriotë bektashjanë. Ket gjâ shpresoj se nuk keni me e harrue në letren e  ardhshme, të cilën e pres njandej kah marimi i vjetit 1959, mbasi Ju thoni se kjo letra e tashme e gjatë vyen per 4 letra. E Ju per nji leter keni ngjatë 5 muej kohë per të m’i pergjegjë. Prá mbrenda 20 muejve shpresoj me marrë pergjegjen e ksaj letre s’eme dhe tfillimin e patriotvet bektashjanë. Ndoshta edhe letra e ême po del këso here e gjatë, por un e njehi vetem nji leter.

Po duel e gjatë kjo leter, arsyeja âsht te dy artikujt e Juej të publikuem nder dy numrat e SHÊJZAVET. Un do t’Ju lypi ndoj tfillim permbí disá gjâna qi thoni Ju nder këta artikuj.

Mâ parë e mâ dalë, nga vjen fjala Krue, mbasi Ju thoni, nga nji besim i pathemel i të huejve, kjo u besue e rrjedhun nga krojet e freskta qi pernjimend ka Kruja.

Ju shkrueni në faqe 8 (Nr. 1-2) këto fjalë: “Shkodren romake e ka pasë perfshim në të IV shekull provinça maqedone e Shqipnija tjeter quhej Epir e dahej nder dý provinça, njana Epir’i Vjeter me kryevend Prevezen (Nicopolis) e tjera Epir’i Ri me kryevend Durrësin”. Tashti Shkodren s’e ka pershî kurr provinça maqedone. Dy herët, në të cilat u perpjestue perandorija romake, kjén nen Augustin e nen Dioklecjanin. Në pjestimin e ndermarrun nga Augusti i tokoi tokës shqiptare të ndahej në trí pjesë: Që prej Leshit e perpjetë i perkitëte provinçës Dalmatia (ase edhe Illyricum); pjesa ndermjet Leshit e Vlorës i perkitëte provinçës Macedonia, qi shtrihej deri në Thrakje; prej Vloret e teposhtë deri në Gjiun e Korintit pershîhej në provinçën Epirus. Pra Shkodra nuk i perkitëte provinçës maqedone as në ket perpjestim as n’atê, qi ndermuer Dioklecjani. Ky e ndau kështû tokën shqiptare : nji pjesë e provinçës së perparshme Dalmatia u shkput e u fomue me tê nji provinçë në vedi me êmnin Praevalis ase Praevalitania, qi pershînte jo vetem Malin e Zí e Shqipnín deri në Lesh, por qi shtrîhej deri kthelltë në Kosovë (atëherë, natyrisht, jo me ket emën) Kryeqyteti i kësaj provinçe pat kenë në fillim Doklea; mbasi u rrenue kjo, e muer Shkodra vendin e  saj si kryeqytet i Prevalitanís.  Shqipnija e Mesme, qi perpara (në pjestimin e Augustit) perbânte pjesën prendimore të Maqedonís, quhet tash Epirus nova me qytetet kryesore Durrës e Oher. Shka perpara pat kenë quejtë Epirus, thirret tash Epirus Vetus (Epiri i Vjeter). Natyrisht, nuk mund të thohet qi Preveza të ketë kenë kryevendi i Epirit të Vjetër, pse kjo nuk âsht kenë kurr kryevendi i ksaj provinçe. Preveza âsht ngrehë mâ vonë nder rrenime të qytetit të vjetër Nikopolis shì atŷ (nel promontorio[1] di Azio) kû Oktavjan Augusti pat dermue Antonin e Kleopatren në vjeten 31 p. Kr. As vetë nuk e kuptoj pse Frangu i Bardhë thotë: “jam i dheut të Mates së donjesë i Shkodranë”. Matja i perkitëte sigurisht Maqedonís, por jo Shkodra. Ndoshta Frangu don me prû këtû shembuj të ndam. Prá dy shembuj : jam i dheut të Matës ; jam i Shkodranë. Ai po pat kenë Matjanë, s’ka muejtë me kenë njikohsisht edhe Shkodranë.

Tashti po dalim në numrin 3-4 te fjalët e arta, qi mue m’interesojnë fort. Veçse un po shof se shumë nder këto fjalë nuk janë shqipe, por janë të perkthyeme nga latinishtja, nga italishtja apor nga ndoj gjuhë tjeter. Nuk dij, prandej, pse thotë Frangu i Bardhë në titull: “Proverbia et sententiae Epirotarum”. Shumë nder këto fjalë  nuk janë epirote, por të perkthyeme.

Te proverbi 42 kam per të bâ nji vrejtje. “Molla nuk rrzohet larg mollet”. Molla e parë âsht kokrra dhe e dyta drûni. Mirë boll deri këtû. Por interpretimi qi i epni Ju, nuk âsht taman në rregull. Ket fjalë e ka taman njeshtu gjuha gjermane, qi thotë: “Der Apfel fällt nicht weit vom Stamm” qi gjermanisht don me thânë: fmijt u a gjasin prindvet. Un e kerkova ket proverb edhe në gjuhë tjera. Por as në fjalorin italisht as në atê frengisht nuk e gjeta. Ndoshta mund të jetë edhe në ndoj gjuhë slave ky proverb, por në gjuhen gjermanishte âsht krejt i kjartë me ket veshtrimin qi Ju thashë. Në fjalorin hingliz e gjeta të perkthyeme ket fjalë arit gjermane me “like father like son”.[2] Fjalorë slav nuk po kam, pse un endè nuk kam mujtë me studjue nji gjuhë slave. Jam okqidental! Por sigurisht veshtrimi i gjuhës gjermanishte âsht i kjartë e nuk mund t’i epet shqip veshtrimi qi pohoni Ju.

Aman mos e persritni fjalën e Meyer-it, qi pat pohue, tue bâ dam të randë, se gjuha shqipe i ka mâ se gjysen e fjalëvet të rrjedhuna nga latinishtja. Kúr pat shkrue Meyer-i Fjalorin e vet, nuk pat pasë veçse pak gjâ mâ teper se 5 mí fjalë në dispozicjon. Edhe këto fjalë ishin mâ e shumta e marrun nga Italo-Shqiptarët, pse aso heret nuk kishin dalë endè as Kristoforidhi as fjalorët e mâvonshëm. Se Meyer-i e tha atë fjalë, i falet, por na mos t’a persrisim, pse gjuha shqipe ka fort mâ teper se 5000 fjalë. E sigurisht nuk rrjedhë gjysa e fjalorit shqip nga latinishtja.

Po a njimend thohet Pòjani etj? Un nuk e kishem nxânë besë se gjuha shqipe po paska fjalë, qi e kanë theksen jo në të parambramen rrokë. Tirana, Gjinokastra, Elbasani etjera.

Prej artikullit t’Uej del në shesh se ené nuk e keni marrë Fjalorin e rí të Tiranës, qi âsht botue qysh në vjeten 1954.

Disá proverba Ju i spjegoni kjartë, disa tjera jo. P.sh. proverbin 80 Ju nuk e spjegoni se shka don me thânë. Por e spjegoni gjatë atê 86, qi nuk ka gjithaq nevojë per spjegim, pse kuptohet krejt lehtas. Edhe proverbin 94 un s’e kuptoj e Ju nuk e spjegoni. Mandej per proverbin 112 perfundoni me fjalen dokrra. Veshtrimin e proverbit e kuptoj, por pse thoni Ju dokrra? Per proverbin 113 ju shtoni në fund fjalen Gjepura. Ket fjalë e gjeta në Fjalorin e rí të Tiranës. Po vallë pse e thirrni ju proverbin 113 gjepura, në vend qi me dhânë spjegimin e proverbit, të cilin vetë nuk e kuptoj?

Un mbledhi pa dá proverba e fjalë arit, prandej m’intereson me dijtë perherë veshtrimin e tamantë të çdo proverbi.

Në proverbin 82, qi e nepni Ju latinisht, fjala e parë quo do të hiqet.

Se Hitler-i i ka pasë të parët çfuten e kam kndue shpesh herë nder gazeta e rivista, por krejt qind per qind nuk âsht endè e provueme kjo gjâ. Fakti âsht se në kohë të Hitler-it çdo gjerman do të kishte dokumentin, me të cilin u provonte se deri në të katërtin brez nuk kishte kurrnji prind çfut. E mirë, Hitler-i vetë nuk e ka pasë nji të tillë dokument kurr. Njimend ai nuk ka pasë nevojë me i a diftue kúj ket dokument, pse atij si kryetar shtetit nuk i a ka lypë kush. Por çudí âsht qi ai nuk ka lejue qi të shqyrtohet kjo gjâ e të zbulohet me saktësí origjina e tij. Hitleri ka mbytë jo qinda e mija, por miljona Çfutensh. Statistika zyrtare ep se Nazistat kanë farosë plot 6 miljona Çfuten. Por mue më duket se kjo statistikë âsht pak si e teprueme, pse kah erdhen gjithë këta çfuten, po kje se pernjimend Hitler-i i pat mbytë 6 miljon sish?

Sá per ipeshkvin jabanxhí, nuk ka aspak randsí fjala e Gurakuqit, pse ai nuk âsht aspak kompetent në ket materje. Derisá mos t’a shoh të shtypun ndokund ket fjalë, un nuk e xâ besë kurr se e ka thânë ket fjalë Fishta. Por, po e pat thânë, atëherë do t’epet i njajti gjykim, qi në ket rasë epet per nji njeri tjeter, po t’a thotë ket fjalë. Po të çohej nji katholik hingliz (e per mâ teper meshtar e frat) e të thote se  Shen Augustini me 40 misjonarët e parë, qi i pat dergue atje Shën Gregori i Madh per të perhapë religjonin e krishtênë, i kanë prû dam e jo dobí Ingliterrës, atëherë ai veç do t’ ishte maturo per il manicomio.[3] Prá! Ergo!

Per mue Amerikanët nuk kanë prû deri tash kurrnji qytetní shpirtnore. E pám nder kta vjetët e mbasluftës, se çë qytetní i prûnë Europës. E edhe në teknikë po shkjepojnë boll, megjithse prá kanë krejt ndimen e Europjanvet. Merrni vetem bumben atomike e keni me pá se bumben atomike e kanë ndertue Europjanët e jo Amerikanët. Të tanë dijetarët mâ të mdhajt, qi bashkvepruen në ndertimin e bumbes atomike, kanë studjue në Gjermaní. Si e dini, në kohen ndermjet vjetës 1924 deri në 1933 (kur muer Hitleri sundimin në dorë) ishte universiteti gjerman i Göttingen qandrra e parë e botës per fizikë e matematikë. Këtû e ka marrë lauren Oppenheimer, çfut amerikan, qi kje kryetari i komisjonit të bumbës atomike per vjetë e vjetë, deri sa e paditen se âsht mik  i komunistavet, shka u provue mâ vonë si e pa-vertetë. Sido kjoftë ky thirret baba i bumbeve të para  atomike, qi u hodhen mbí Japan. Baba i bumbes hidrogjenike âsht prap nji europjan e thirret Eduard Teller, qi tash âsht taman 50 vjetësh. Ky gjení matematiket âsht çfut nga Ungerija. Por n’Ungerí nuk e kishin lejen Çfutent të studiojnë n’universitet. Due me thânë ishte numerus clausus.[4] Atëherë Teller çohet e hikë e del në Gjermaní e shkon dogrí e në Göttingen e kryen atje studjimet e mandej, kúr Hitleri merr sundimin në dorë, hikë e del n’Amerikë. E Einsteini vetë kje nji çfut gjerman. Kur ky pat lanë Berlinin, nji fletore franceze pat shkrue: “Hika e Einstein-it nga Berlini, âsht barabar si të kishte braktisë Vatikani Europën e të kishte dalë në Kanadá. Shum nder dijetarë në ket lâmë kjenë çfuten. E kúr Hitleri e muer sundimin në dorë, Çfutent u ritiruen ase hikën të gjithë e atëherë e buer rândsín e vjetër Göttingen, qi perpara ishte si Meka e fizikës e e matematikës. Edhe Enrico Fermi, mâ i madhi fizikant italjan, pat kenë nji vjetë në Göttingen per perfekcjonim. Mâ vonë edhe ky hiku e duel n’ U.S.A. Tash ka Gjermanija prap fizikantë të permendun, por këta janë mâ fort Fiziko-filozofë, si p.sh. Heisenberg e Weiszäcker ase edhe Jordan. Edhe po të merrni i missili ase raketat, si i thrrasin Gjermant, gjêni krejt Gjermant e hikun mbas luftet n’ U.S.A., qi e kanë në dorë ket degë të fizikës. Kryetari i tyne von Braun âsht krejt i rí. Ky ka zotsí të madhe si organizator e si propagandist e sidomos din me gjetë fondet per shoqnín qi drejton. Mjesá nji gjerman tjeter, njifarë Stuhlinger, âsht edhe mâ i zoti se von Braun per shka i perket fizikës së këtyne missilavet. E janë nji morí e madhe gjermanësh tjerë qi punojnë në ket armë të ré. E mjerisht fabrikën, ku punojshin von Braun e shokë, e kanë shtî në dorë krejt të paprekun Rusët. Kndej kuptohet pse ata janë përpara Amerikanvet në ket degë. Arsyeja tjeter, pse endë po janë Amerikant mbrapa, âsht pse të trija degët e forcave ushtarake, d.m.th. Marina në vedi, Ushtrija toksore në vedi e Flota ajrore në vedi duen me punue krejt pamvarsisht njana prej tjetres në ndertimin e ktyne misilave. Mjesá Rusët punojnë vetëm në nji qanderr e nuk i shkaperderdhin forcat. Por nuk po shkoj gjatë. Deshta vetem me Ju thânë se as në teknikë nuk po janë Amerikanët all’ altezza della loro richezza.[5] Arsyeja e kthelltë pse Amerikanët janë endè mbrapa në dije e kulturë, don kerkue në mentalitetin, qi mbretnon në U.S.A. Atje, në shkallën e naltë të shoqnís rrin ai qi ka dollarë mâ shumë. Prá, puno shka të duesh, mjaft qi të grumbullojsh dollarë. Profesori e shkencëtari nuk e ka randsín qi ka n’Europë. Se mâ po i lâmë artistat e muzhiktarët. Zoti i Amerikanvet âsht dollari : kjo mâ âsht nji gjâ e njoftun.  Por n’ Europë nji profesor ka rândsí të madhe, edhe po nuk mujti me fitue gjithaq. Profesori âsht profesor e çmohet. Bile e kupton gjithkushi se nji profesor nuk do të shikjojë me u bâ i pasun e me grumbullue pare. Per mos me shkue mâ gjatë : intelektuali n’ U.S.A. rrin krejt në shkallën e fundit t’shoqnís. Ai qi fiton dollarë me çdo punë, ai rrin në shkallën e parë. Materjalizmi në shkallën e naltë.

Shikjoni vetë e kerkoni qytetet në U.S.A qi kanë Opera ase sala koncertit. A thue ka atje qytete qi kanë mâ se 1 miljon banorë e qi nuk kanë kurrnji Opera? Se mâ po i lâm muzejt, se kta nuk ngrehen ashtu mejherë.

Ndoshta Ju mendoni se kultura amerikane permbahet në jazz e në film. Sá per muzhikën amerikane, atê e kemi pasë na në Shqipní te maxhypët tash sá qinda vjetësh. Filmi âsht mâ fort gjâ tekniket se sá kulturet. E vetmja gjâ qi po e ka Amerika para Europjanësh âsht qi Europjanët, nga luftat e teperme e nga persekutimet çohen e lânë Europën e dalin n’Amerikë. Lirija âsht ajo qi mund të merret per shembull nga Europjanët në U.S.A. Por vendi i madh e banorë pakë. Ndoshta, kúr të shtohen edhe në U.S.A. aq sa n’ Europë, kanë me fillue edhe atje me u kacafitë njani me tjetrin, sikurse Europjanët. Sido kjoftë, per tash njiherë Amerikant po janë shembulli i mirë per Europën. Por sa per kulturë, teneqe krejt puna e Amerikanvet. A ndoshta Music boxs janë kulturë amerikane? Por edhe këta sikurse jazz.

Edhe Amerikant vetë e njofin vedin se janë krejt mbrapa kundrejt Europës. Kndej vjen qi Amerikant, në luftën e mbrame perherë dijshin me u rá muzejve e kishave me bumbe, por rrallë herë dijshin me i gjetë fabrikat. Inadi qi kishin kundra kulturës Europjane i shtyni me e bâ ket gjâ. P.sh. n’Italí gjithkund rrenoheshin kishat, por rráll herë u rrenoshin fabrikat ase objektivat tjerë ushtarakë.

Por u darme gjatë.

LAHUTA gjermanishte ka dalë mrekullí, veçsè janë shtypë pak kopje: vetëm 800 copë. Lambertz-i e ka perkthye krejt me të njajtin meter sikurse âsht në shqip. E besoj se kurrnji gjuhë tjeter nuk mundet me e krye ket gjâ. Slavishtja ndoshta po, por un fola per gjuhët e okqidentit, d.m.th për gjuhë me të cilat deri dikund më duhet me u marrë per studime të mija. Këto janë katër gjuhët e okqidentit: gjermanishtja, frengishtja, hinglizshja e italishtja. Edhe botimi shqip i LAHUTËS duel mrekullí. Per vjet e vjet ndêjtën tue u shamatue Shqiptarët njani me tjetrin, perpá bâ kurrgjâ qi jet. Erdh nji frat e per gjashtë muej kje i zoti me krye botimin e dytë të Lahutës. Pse ky P. Daniele Gjeçaj âsht taman frat nga Thethi i famshem. Pra burrë Shalet. Mana per 4 muej rresht e ka xânë ora dy mbas mjesnatet tue punue në ket LAHUTË. Pse nji liber mâ se 700 faqesh âsht punë jo e vogel me e botue në vend të huej e mos me bâ gabime. Na po i shofim Shqiptarët, qi nder fletushka e shufla qi po botojnë, nuk po kanë veç gabime shtypi sá uji. Mbas LAHUTËS do të dalin edhe vepra të tjera po nga i njajti frat. Due me thânë ky kujdeset per shtyp të tyne, pse komentimin kanë me e bâ tjerët. Vetem në LAHUTË e bâni frati. Pse mâ LAHUTA E MALCĺS âsht prodhim i malevet e jo kushdohi mund t’a kuptojë si duhet.

Mue më duket se e ka mjaft. Prá, mbasi Ju doni me nxânë letren e mbrame t’Uejen per 4 letra e mbasi un do të pres edhe 20 muej (4 herë 5 = 20) per të marrë edhe nji leter tjeter, atëhere qysh tash po Ju a uroj vjetin e rí 1959. Sá per vjetin e rí 1960 po presim, se ndoshta e marr letren tuej para se të mbarojë vjeti 1959, e atëherë mund t’Ju shkruej prap.

Shum shndet e mos u merzitni atje në botë të ré! Në mbretnín e Zotit Dollar!

 

I Jueji me nderime të mdhaja.

  1. P. Margjokaj O.F.M.

 

Shum shndet e urime edhe motres s’Uej e djalit

Idem

 

 

 

 

Postuem me 4- VII- 1958

 

Shum’ i ndershmi e i dashuni Atë Paulin Margjokaj,

Edhe un pra po ju ndjek: Ju shpejt e un shpejt. Me letrën t’Uej (7/6/58) tri faqesh e gjymsë të dênduna m’a keni lamë t’emen qi pata dashun t’a zâ… për katër letra.

Nga vjen emni Krú? Nuk dij. Jam i bindun qi dij vetëm se nuk vjen nga fjala krue, siç e kam thânë shumë herë e shkruem. E qe argumentet e mija:

  1. a) Sami Frashëri (Shemseddin Sami) shkruen në fjalorin e tij tyrqisht (gjeografí e historí) 6 volumesh: “AKÇA HISAR. – … Tue qênë se qyteti ka shumë fort ujna të rrjedhshëm e kroje, emni origjinal i tij âsht Kruja, qi shqip don me thânë çesme...” Samiu e ka shkruem këtë vepër në 1306 tyrqisht, qi bie në 1890 e aty-pari. S’përmênd asnji burim, pra mund e duhet t’i a zâmë si nji pohim të tij. Kemi mbasandej te kapitulli “Zwei Urkunden aus Nordalbanien”[6], f. 125-152 të librit”Illyrisch- albanische Forschungen”, përkthyem shqip prej meje, siç e din edhe ti qi ke shqipnuem do tekste latine: “Kruja qëndron ndër malet ndërmjet Elbasanit, Mates e Ishmit … Ndërtuem mbi nji shkâmb të përpjetët, mâ të shumtën thik,… me kroje të plotujëshme mbrênda fortifikatavet…” Në 1553 Gjustiniani nga Venediku përshkruen positën e naltë të saj tue shkruem: “nel mezzo una fontana freschissima”[7]… Nji përshkrim i vjetër prej qv. XVI thotë se Kruja qëndron… “sopra un diruppo di sasso vivo”[8] e forcueme me mure të hershme dhe e pajosun me “fontane vive”[9]; se në medis të qytezës (kalasë) ishte nji “taverna” e mbrênda ksaj nji gurrë, ujët e së cillës mbandej rridhte jashtë në qytet e mûjte me sjellë mullîj…” Emni i vjen prej krojesh. Byzantinët e shkruejshin Kroaí në formë shumsi. Banorët quheshin kroit, Trajta latine e emnit të qytetit ishte Croia ase Cruja …” Këtë vepër, Ju ndoshta edhe mund t’a gjêni në ndonji biblijothekë të Grazit. Nënvizimet janë të mijat e qeshë tue shkuem deri në funt ashtu, por mbrapa përtova. Tash si mund të çuditem un nëse ndonji studjues, si ju po zâmë, ka kënduem ose këndon këto përshkrime të mrekullueshme si përrallat e së Bukurës së Dheut, me “acque vive” sgorganti da un “sasso vivo” qi i kanë dhânë emnin qytetit t’em e un s’po due me e besuem atë burim përralluer ; si mund të çuditem un, po thom, në se ndonji studiues ka për t’u çuditun nga kjo shqeptiqizëm e ime? Jo, aspak nuk do të çuditem në se shqeptiqizma e ime mbi etymologjinë qi tjerë, dijetarë madje, kanë dhânë për Krunë t’eme, do t’a habisë ndokênd, kushdo qoftë.
  2. b) Por un, veç, piknisht si bir i atij qyteti, rritun deri në moshët 15-vjetshare atje pa pamë tjetër vênd veçë Tiranës, Shjakut e Durrësit, kthyem me ndêjtun prap në tê shum’ e shumë herë, aqë sa mundem me t’a vizatuem topografinë e qytetit edhe me emnin e çdo vêndi gati, qi e ka nji emën, të çdo kroi e të çdo përroske, kam të drejtë pikë së pari me dyshuem nëse përshkrimtarët e qytezës së Krusë kanë qênë përnjimend edhe kanë pamë me sŷt’ e vet ça kanë përshkruem apo e kanë pamë në ândërr! Apo ndoshta, mbas datës qi kanë shkruem ata ka ndodhun në vênt t’em ndonji kataklizëm qi, për mrekullí, askush nuk e mban mênd a s’e ka mbajtun mênd për me va lânë si gojdhânë edhe tjerët?
  3. c) Sepse, në qytezën e Krusë as shênji nuk i duket kund qoftë edhe nji kroi të vetëm, e jo mâ shumë. Ka, po, dý kroje, përjashta qytezës, njâni afër portës s’epër e tjetri nën të poshtrën. Kroje të vogla, por të pashterrëshme. Mbrênda diktohen vetëm muret e nji hamami tyrqisht e ky don specjalistin e pak gërmime për me na thânë se ku e merrte ujin, të ftohët e të ngrohët. Banorët e kalasë, do kanë pusa, e pakta pasanike, relativisht, sepse duhet me gërmuem mjaft thellë e prandej me shpenzue mjaft pare për me nxjerrë nji pus atje n’atë majë; tjerët mbushin në njânin a në tjetrin krue përjashta.

ç) Un besoj se përshkrimet e vjetra të Krusë i përkasin vetëm qytetzës, por edhe sikur të jenë për të gjithë qytetin… modern, s’ndryshon asnji send. Kruja s’âsht nji qytet i madh për numër banorësh : ka gjithsej nja pesmijë shpirtë. Por për me i dalë prej nji skânji në tjetrin, duhet me ecun jo mâ pak se nji orë të mirë e aty-këtu edhe mâ tepër. Me hypun mbë majë të qytezës e shikuem sa të merr sŷni anembanë, lagjet të duken si katunde të vogla, aqë largas prej shoshoqes. Eh, mirë pra, e dini sa kroje gjinden në këtë alamet hapsine? S’i kapërcejnë 10! Prej këtyne, nji âsht i madh, ku në verë të madhe lanë ndërresat ndoshta gjymsa e Krusë tue i bajtun gratë me boça në majë të kresë e deri me gomarë ndër thasë. Kisha me e vûmë me kusht se 90% Krutanët pijnë ujë pusash. Qe, këto janë gjithë fantasitë e përshkrueme mbi ujnat, fort shumë ujnat e rrjedhshëm e krojnat e Krusë qi, hajsmi, kanë krijuem kët’ emën me famë.

  1. d) Un nuk dj qi të ketë shkruem ndonji albanolog, linguist i njohun mbi kët’ argument, kurrgjâ. Ndoshta po, e un s’e dij. Por un pyes gjuhëtarët albanologë, pyes të huejtë, sidomos, mbasi sa për vete e Shqiptarë tjerë duhet të pranojmë se “nemo propheta acceptus est in patria sua”[10]! E ç’pyes? Them se nji popull qi ka ruejtun të pandryshueme fjalën krua-kroi = krue-kroi = krû-kroni me gjininë mashkullore, si bâhet qi e ndryshoi këtë fjalë vetëm si emën të qytetit e e bâni kruu-Kruja (si e ka shkruem Bardhi, i cilli mb’anë tjetër ka për ujin krue-kroi si sod) Krujë- Kruja e Krû-ja? E, nota bene [11] qi ky ndryshim po e dijmë se ka qênë qysh ditën qi njihet emn’ i Krusë! E pse pra ky ndryshim i gjithëhershëm ndërmjet formavet e gjinive të dý fjalëve po qe se edhe emn’ i qytetit âsht ai i ujit?
  2. e) Me keqardhje po më duhet me shtuem edhe njekëtë paragrafë: Ju a keni pimë vetë në “krojet e freskta qi përnjimênd ka Kruja”, apo e dijni prej librash? Sepse, në qoftë se e keni këtë besim kaqë të fortë për krojet e Krusë prej këndimesh, kujtoj se tash mbas sa po Ju shkruen nji i vêndit, do të keni arsye me e ndërruem atë besim. E në qoftë se keni qênë vetë në Krú, nuk dij se ku Ju ka ramë me pimë ata ujë të freskët, mbasi edhe ato kroje qi thashë se ka, janë shpërdamë nëpër lagje jashta deret, posë njiu qi gjindet afër portës së madhe të qytezës, në krah të mângjët t’atij      qi shkon me hymë.  Sa për ujët e cillit do krue t’ atij qyteti, të freskët âsht sigurisht, si ata të çdo kroji përgjithsisht, por Ju a them për të vërtetë se do pusa të thellë të Shkodrës e kanë mâ të ftohtë të vetin. Vetëm nji ujë ka Kruja – për me folë disi metaforisht -, të cillit për të ftohët nuk dij se ku i gjindet shoqi : e ky âsht në shpellën e Sarisalltekut në majë të malit përmbi qytet (prandej thashë metaforisht në Krú). Prej këtij uji, i dashuni Atë, njimênd s’und e mbarojsh të tânë nji kupë përnjiherë, se t’a thanë gojën.

“Jam dheut cë Mecedonjesë, i shkodërjanë” (transkriptim’ i im i ndrequn) shkruen Frangu i Bardhë.( v. faqe 7 të Shêjzave 1-2, II), qi ad litteram në librin e tij âsht njashtu si e ke në faqe 8. Pra ai nuk âsht tue thânë se âsht dheut të Mates”, siç e paski marrë vesht Ju gabueshëm, por “dheut ze Matte se doniese”, qi duhet me e kënduem “dheut cë (cë, mbas nji emni qi mbaron me t, për ) Macedonjesë” Âsht tue thânë, pra, Frangu, si me thânë un: jam dheut së Shqipnisë, i kruetanë. E kështu âsht tue thânë, i bekuemi, edhe se Shkodra ishte nji qytet i Maqedonisë. E këta mû në gjymsën e parë të qindvjetës XVII mbas Krishtit. Duhet me marrë shënim e me komentuem si të na duket neve e drejta, po të kemi interesë. Ai, Bardhi, ka folë për Shkodrën e un shtova edhe pjesën tjetër të Shqipnisë me përgjegjësinë e   pashënueme të veprës 12 volumesh, nja 10.000 faqe, Histoire Générale, shkruem prej nji tube historjanësh frëngj nën drejtimin e Ernest Lavisse-it. Në pastë gabuem edhe kjo vepër, shëndosh të tjerat, si ato qi keni konsultuem a studjuem Ju. Për me qênë sa mâ mirë në rregull me Jue, po shtoj edhe këtê, qi shënimin t’em e kam pasë gati ndër do copa letrash, mbasi disa volume të mëdhá qi nuk më duhen shpesh nëpër duer, i kam në nëndhesë të përbashkët të tri pateve të shtëpisë ku rrij, sepse jemi shumë ngusht me banesë.

Athue njimênd s’u dashka thânë kurrqysh Preveza për Nicopolis? Ju m’a qortoni këtê e edhe un e kam dijtun se s’isha tue premë aqë hollë në sa shkruejsha ashtu. Por mendova se mund t’i biesha për  shkurt në nji shkrim qi s’kishte për subjekt as gjeografí as historí. Ju, tue më shkruem mue, mund të më thoni, siç më keni thânë, kujtoj un, për bukurí Azio, me gjithë qi kur qytet’i ynë ishte Nikopolis edhe ai ballamal (kështu e kam quejtun un heraherë shqip promontorio-n) e kishte emnin Actium. Un i rashë për shkurt me emnin a qytetin e sodshëm Prevezë, se kjo âsht nji e Nicopolis numrohen në gjeografinë e motshme nja katër e m’ishte dashun me e bâmë të njohun atë t’emen me fjalë tjera suplementare e do të më nxitte zekth’i nacjonalizmës me kallzuem qi, para se të mûjte Oktavjani (mbas logjikës rigoroze të subjektit qi jemi tue rrahun Octavianus Augustus) Antonin e t’a pagzonte atë qytet me emnin e ri të përkthyeshëm shqip Qytet’ i Ngadhnjimit, ai quhej Berenike-ja (ngadhnjimprûse), n’emën të mbretneshës s’Egjyptit, e cilla u ka lânë nji kujtim edhe astronomëvet me Berenices crinis, aqë të bukura i kishte balluket, mbasi kjo mbretneshë bukuroshe pat pasun fatin me qênë edhe e vjehërra e Pyrrhus-it qi themeloi atë qytet me emnin e asaj.

Pak fjalë qi më duhej me thânë për proverbat i bâna nji pjesë mbë vete të ksaj letre. Edhe un i transkriptova e i botova vetëm si tekst shqip të Bardhit, se sa për vlerën e tyne ashtu si  kanë titullin, mana jo aspak.

Ju sigurisht do t’a keni ose do t’a gjêni aty tekstin e fjalëvet të shkrueme prej G. Meyerit për gjuhën shqipe e do t’Ju a dijsha për nderë të madhe në qoftë se mund të m’ i dërgoni të transkriptueme ase të përkthyeme ashtu njipërnji si i ka lânë ai, mbasi prej burimeve të mija nuk më del qi ai të ketë shkruem ashtu si po më thoni Ju, dmth. “se gjuha shqipe i ka mâ se gjysën e fjalëvet të rrjedhuna nga latinishtja”. Mbasi të m’a keni dërguem këtë tekst të vogël, kam ndër mênd të shtoj edhe un komentimet e mija mbi dâme e dobina qi i janë bâmë pa i a damë gjuhës s’onë. Sa për atë dâm qi i pasksha bâmë un, simbas mêndes s’Uej, tue përsritun pohimin e Meyerit qi po thoni, për nji gjâ jam qysh tash krejt i sigurtë e prandej edhe i qetë: qi kur do të vijë dita me e gjykuem kompetentat veprën t’eme për këtë gjuhë historikisht, dmth. pa afshe pro ase kundra nji persone qi rron, në ballancimin e dâmeve edhe dobivet qi mund t’i kem bâmë, kam për të dalë shumë mâ tepër për të marrë se për të dhânë. Ka 46 vjet qi kam filluem të shkruej shqip e për shqipen nëpër fletore e rivista t’asaj Shqipnije të shkretë; kam shkruem nji fjaluer qi ndoshta e ka kalbun lagështina a e ka grimë tenja, por qi âsht pamë, njohun e çëmuem prej shumkuj ; kam nja nji duzinë vepra në dorshkrim të shkrueme shqip, të gjitha për dashuninë qi më ka vluem në zêmër për këtë gjuhë, e të më kishin lânë rrethanat, shumë mâ tepër do të kisha prodhuem gjatë jetës s’eme. Prandej e ndiej, e çëmoj e e dij mâ mirë se kushdo tjetër, Shqiptar i gjallë, se si i bâhet dâm e si nuk i bâhet gjuhës shqipe.

“Librin e kuq”, për këtë besë, nuk e dij fare se ku me Ju a gjetun. T’a kisha pasë vetë nji copë të dytë, pa pikë dyshimi do t’ishte i Jueji. Por nuk e kam, qe besa. E më vjen fort keq.

Po Ju diftoj se kam bâmë krushqí me Pukën : im bir, i dyti, i internuem me familjen në nji kamp të Lushnjes, âsht fejuem me të bijën e Pashuk Bibë Mirakut prej Iballje, edhe ajo e internueme me familjen e vet në të njâjtin vênd. Vajzën po e quekan Klora. Ju lutem, ç’emën âsht ky? Ç’emni të huej i përgjigjet?

Me kaqë po e mbyllim edhe ksi shtegu kuvêndin. Djalë e vajzë me nderim Ju a kthejnë shëndetet e urimet qi u keni dërguem. Edhe vetë un, gjithashtu nënshkruhem si gjithmonë

 

Miku besnik i Juej

M.Kruja

 

 

PROVERBET E FRANGUT TË BARDHË

 

  1. 42. Për fat të keq, pa asnjanin prej atyne fjalorëve qi po më citoni, un paskësha gabuem n’identifikimin e tij me proverbin shqip me të cillin e kam krahashuem.
  2. 80. Kur gjindesh ndër të padijshëm a të verbuem prej afshesh qi s’duen me hângër arsye, bânu edhe ti i verbën a nemose mbëshil njânin sŷ e mos e tier tepër gjatë me ta.
  3. 94. Kusari nuk hjek keq me kërkuem pale ku ka shumë e gjâ të panjehun për me ushtruem mjeshtrinë e vet; ai vjedh edhe aty ku i zoti mund të kujtohet menjiherë.
  4. 112. Paj po; ç’ ka mujtun me i u dashun kuj dhelpna, e gjallë a e coftë, posë me i marrë lëkurën? E sa për lëkurën, edhe gjallë n’e zânsh, do t’a mbytsh nji herë, prap se prap, e mbrapa ke për t’a rjepun. Për kështu, pra, tuk e ke gati luânin e coftë mâ mirë, ripe e ké lëkurë luâni. Prandej… për vete mendova se komentimi  mâ i bukuri e mâ ekonomiku qi mund t’i bâhej atij proverbi ishte : dokrra! Kuptimi i çdo proverbi âsht fytyruer, këta dihet; por edhe çdo kuptim fytyruer duhet të ketë për bazë nji kuptim të përvetshëm, me të cillin ai do të ketë nji lidhní të qartë e logjike.
  5. 113. Se un – flas gjithnji për vete, due me thânë mbas mendimit e shijes s’eme – as ndonji farë mendimi të bukur a të hijshëm a të kândshëm a të thellë a të gjânë a të naltë, kurrfarë sendi qi hŷnë disi në punë nuk e gjêj në tê.  Prandej: gjepura, për me mos përsritun dý herë rresht dokrra! Sa për kuptimin, kujtoj se âsht nji si: “la lingua batte dove il dente duole”; “ubi dolet ibi manus adhibemus”; “wo es schmerzt, da greift man hin”.[12] Të tânë e kanë lânë të qetë plakën e shkretë, posë Bardhit t’onë.
  6. S. Latinishtja e proverbit n. 82 âsht e Auktorit, jo e imja; se Ju e dijni se un latinisht nuk dij.

[1]  It. : term gjeografik : gjuhë

[2]  Ang. : si baba dhe i biri

[3]  It. : gati për çmendinë

[4]  Lat. : numur i kufizuem, i mbyllun

[5]  It. : në naltësinë e pasunisë së vet

[6] Gjerm. : “Dy dëshmi prej Shqipërisë së Veriut”

[7]  It. : “në medis nji krue shumë i freskët”

[8]  It. : “mbi nji rrëmore gurësh të gjallë”

[9]  It. : “kroje të gjalla”

[10]  Lat. : “Askush nuk pranohet si profet në Vendin e vet.”

[11]  It. : Shënim në mbarim të letrës. Fig. :  mba parasysh !

[12]  It., Lat,. Gjerm. : “Ku dhemb dhâmbi , aty shkon gjuha”

SHEFQET TREPÇA NË MOSHËN 7 VJEÇARE SHPËTOI 4 HEBREJ NGA GESTAPOJA GJERMANE ..! – Nga ABAS FEJZULLAHI

 

 

  • Me rastin e  kujtesës  së  27 Nistorit ( Janarit) 1945 si ” Ditën Ndërkombëtare të Holokaustit”dhe çlirimit të kampit Auschwitz.

 

  • Një ngjarje interesante, të cilën e tregon sipas kujtesës Shefqet Trepça, tani në moshën 82 vjeçare, që  i ka ndodhur si fëmijë në ditën e tregut në Mitrovicë, para 75 vitesh, në shitoren e opingave (këpucëve) të Islam Kaçanikut.

                               Përgatitur nga  Abas  Fejzullahi

 

          Rrëfimi është shkëputur nga Jetëshkrimi më i gjatë i Shefqt Trepçës, që ka të bëjë me sjelljet dhe gjindshmërin e tij në moshën 7 vjeçare, që shpëtoi jetën  4 hebrejve që ndiqeshin për t’u kapur nga gestapoja Gjermane, ditën e shtundë, ditë tregu në Mitrovicë që ishte nënë pushtimin dhe mbikqyrjen e ushtrisë Gjermane.

Shefqet Trepça  tani në mëshën 82 vjeçare ulur  para shtpin në Vidishiq

 

           Është interesantë se në Kosovën hallemadhe në kohë dhe hapësirë, po të hulumtohet dhe gjurmohet me kujdesë dhe profesionalizëm, secila shtëpi ka nga një një apo më shumë ngjarje e histori, fatkeqësisht shumica prej tyre me dhimje dhe tragjedi, për shkak të robërisë, por ka edhe ngjarje me rëndësi që vërtetë janë sa njerëzore , bamirëse , kombëtare me plotë virtyte dhe krenari që rrallë i gjen kudo e kahdo që shkonë e kërkonë në hapësira tjera..!

 

 

 

Shefqet Rrahim Trepça, lindi në katundin Vidishiq, të Shalës së Bajgorës, më 29 Verdhor (Tetor) 1937.

 

RRËFIMI  I SHEFQET TREPÇËS PËR 4 HEBREJ

 

Ishte ditë e shtunë, ditë tregu në Mitrovicë, më kujtohet ngjarja si sot edhe pse kanë kaluar 75 vite, rrëfen Shefqet Trepça, lidhur me ngjarjen i ndodhi në shitoren e opingave  të Islam Kaçanikut.

 

 Herët natje (në mengjes) u nisem nga shtëpia bashkë me babën, për shkuar në Mitrovicë, me shitur n mzat, për nevoja tjera të shtëpisë.

 

 Nga katundi Vidishiq deri në tregun e kafhsëve në Mitrovicë ka mbi dy orë udhë, e me ndonjë kafshë për shitje në tregë bënë udhë edhe më tepër.

 

         Baba e tërhiqte mzatin (kështu quhet kafsha e moshës së re me gjini mashkullore nga vendorët), ndërsa unë me n thupër mrapa kur mzati ngulte këmbë për të mos hecur, unë i jepsha disa thupra mrapa dhe ndonjë herë hecte më shpejtë nga djegja që përjetonte nga të ramet e thuprës, kështu arrijtem deri në Mitrovicë.

 

Para se me shkuar në tregun e kafshëve,  baba kthu në n rugicë qorre që kishte vetem hyrje por jo edhe dalje që quhej bizisten med isa shitore në të dy anët. Kah fundi ishte edhe shitorja  apo siç e quanin aso kohe dugaja e Islam Kaçanikut që riparonte dhe shiste opanga–opinga lastiku (siq u thonin këpucëve) dhe këpucëtarëve opangaxhi ose kundraxhi. 

 

Baba e nifte Islam Kaçanikun, se ishte myshteri i tj dhe kishin muhabet me te.

 

Baba për të mos më munduar mue me ndejt gjatë në tregun e kafshve deri sa ta shet mzatin, e pyet Islamin:

 

 

 

 

 

Islam, a mundem me lanë djalin këtu nëse nuk të pengon, se është i vogël e mos ta mundoj me marrur me vete në tregun e kafshëv, pasi që se di se kur e shes mzatin ?

 

 Islam Kaçaniku i përgjegjet babës:

 

Mixha Rrahim, le të rri këtu deri sa të kthehesh ti nga pazari, hiq mos u bënë merak dhe menjëhere  ma tregoj vendin  se ku të ulem.

 

Baba  shkoi në treg për ta shitur mzatin e unë ulur kkëmëkryq ku ma caktoj vendin dugajxhia-Islam Kaçaniku.

 

               S`ka kaluar as gjysëm ore, kur kanë ardhur katër veta te mbushur frymë dhe hynë në shitoren e Islam Kaçanikut (i cili riparonte opinga edhe shiste te reja) ju drejtuan: Islam po na njekin gjermanët (Gestapoja) bana n hall.!   

 

           Islam Kaçaniku, menjëher u qua në kam, hapi një kapak në dysheme ku ishte hyrja për në podrum, ata hynë brenda dhe mbylli kapakun.

 Sipri kapakun e mbuloi me një pasatqi dhe mua më tha:

 

          Djal i mirë, ulu (ungju) këtu mbi këtë pastaqi nëse dikush të vet ty, a kanë ardhur  këtu 4 veta, ti mos me tregua (kallxua)!

 

        Une vetem i dhash shenjë me krye se kuptova u ula mbi pastaqi

       Në ndërkohë, ishin nja tre katër vet  që erdhen, blen opinga dhe shkuan.

 

       S`ka vonuar hiq shumë kohë, kanë ardhur nja tre veta pa uniformë ushtarake  me do mantila të caftjanta( lëkure) të gjata e me do kaçketa( lloj kësuele) dhe pyeten a mos kan hy këtu nja katër veta po i ndjekim?

 

           I zoti i shitorës (dugajës) Islam Kaçaniku jo tha s’di  gja ken po e ndiqni Ju.

 

          Mu drejtuan shpejt e shpejt mua?

         A ka ardhur kush këtu në dugaj?

Po ju thash, jan kanë nja tre a katër veta, kanë ble opanga e kanë shkua.

 

Ata dualen e shkuan, pa dyshuar gjë.

Pas n kohe, kur u bind  Islami se nuk janë afër dhe kanë shkuar, më tha mua na pshtove. Por unë, s’folsha asgjë se s’kuptojsh se ken e shpëtova dhe si…

 

Por e disha se këta qe i fshehu në podruam, mos me tregue (kallxue) më pat thanë dhe ashtu veprova.

 

 

 

Islam Kaçaniku, hapi kapakun dhe i thirri ata të dalin, pasi u bind se rreziku ka kaluar. Kur ata dualën ju drejtuan Islami me falënderime dhe i ofruan n shumë të parave, për ndihmën ua bëri.

 

Islam Kaçaniku ju tha:

Mos mu falenderoni mua, po këtij djali na shpetoj juve po besa edhe mua..!

 

E këto para jepjani këtij djali të n mishterie qe e kam nga katundi Vidishiq, se ka shkua n’pazar mes hit një mzat, dhe e ka lanë djalin  këtu tek une, deri sa të vie.

 Ata më përqafuan dhe shumën e parave, mi shtin në xhepin tim të rrobave.

 

     Baba u kthye bukur vonë nga tregu, mzatin e kishte shitur, kishte blerë krip, gazë e gjëra tjera të nevojshme për shtëpi.

 

Falënderoi Islamin dhe dualem nga shitorja e tij me përshëndetjet që i ndërruan dhe morrem drejtimin  për t’u kthyer në shtëpi që duhej bë një rrugëtim më tepër se dy orë.

 

Pasi  kaluam urën e drunit  mbi  lumin Sitnicë, dhe morrem drejtimin për në katund, mua më shkoj dora në xhep vetvetiu dhe mu dukën shumë para dhe i thash babës.

 

        O babë, unë i kam do pare.

 

        Baba ktheu kokën nga unë dhe më pyet:

 

        Çfarë parash më tha, tue më shikue rreptë e më zë të lartë në shenjë çortimi dhe habie, që unë veç sa e kisha nxjerrur  nga xhepi grushtin e mbushur me para..!

 

       Kur e vërejti se ishin shumë para, që ma vonë mësova se ishin ma shumë ndoshta se që mzatin e kishte shitur  baba, përsëri më zë edhe më të lartë më pyeti:

        Ku i ke marrë gjit këto para ti?

 

Pak si i ndrojtur i thash:

 

Valla babë mi kanë dhanë me zor do gjinë (njerëz) në dugaj të dugajxhisë e din edhe dugajxhia.  

 

Babaës me siguri në ato qaste i shkonte mendja se mos kam bërë ndonjë veprim të keq dhe menjëherë më rroku për dore u kthyem përsëri në shitorën e Islam Kaçanikut.

 

        

Isalm, ju drejtue baba me të rreptë:

Kah i ka marrë djali,gjithë këto pare a e din ti?

Po mixha Rrahim e di shumë mirë.

 

 

Bile ato pare i ka hallall djali yt, se i ka pshtue nga vdekja katër jahudi sot, siç ju thonin aso kohe hebrejve, besa edhe mua bashk me ta.

 

 Qysh ju paska shpëtua Islam ky fmijë juve, çaka je kah thua.!?

 

         Islami, i tregoi gjithë ngjarjen, të cilën e ndëgjonin edhe të tjerët që ishin të pranishëm në shitore.

 

       Pasi e dëgjoi tërë rrëfimin  nga Islami tha:

 

Kurrë si marrë këto pare, se janë haram..!

 

Mirë qe ju paska pshtue si po thue ti , po a me pare po deshke me i pshtue gjinen (njerëzit) a?

 

Dhe gjitha pareat ja qiti perpara Islami Kaçanikut e i tha merri ti ban çka të duash me to unë smarrë pare haram.

 

Islami me gjakftohtësi u munda me buind dhe në fund i tha:

 

Mixha Rrahim, a po më ndëgjon diçka mua?

 

Folë Islam i tha baba.

 

Xhamia nuk është larg prej këtuhit, aty miderriz e imam xhamie është Mulla Mustafa kusheri eke se edhe aj është i Vidishiqit shko tregoj krejt fill e për pe çka të thot ai ashtu ban.

 

 Baba atëherë u bind   dhe  ka shkuar e ka pyetur Mulla Mustafën tue ja tregue krejt ngjarjen.

 

Pergjegja e tij kishte qenë:

 

Këto para janë hall, se i ka pshtue katër shpirta, jahudi apo çfardo feje tjetër  njerëz jan të gjithë, si jahudi( evrej) si shqiptarë si të tjerë.

 

 

Kështu  Shefqet Trepça, tregoi ngjarjen interesant, gjatë një ndeje me autorin e këtij shkrimi në vendlindjen e Shefqetit në Vidishiq.

Le Petit Parisien (1916) Intervista me Esat Pashën në hotelin Majestic, në Paris: “Unë kam ardhur në Paris për të pushuar, sepse jam jashtëzakonisht i lodhur…”

Esat Pashë Toptani në Paris (Excelsior, 3 prill 1916, f.3) – Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 28 Janar 2020

 

“Le Petit Parisien” ka botuar, të hënën e 3 prillit 1916, në faqen n°3, intervistën me Esat Pashë Toptanin, të zhvilluar asokohe në hotelin “Majestic”, në Paris, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar : 

 

Esat Pasha ndodhet në Paris për një periudhë dyjavore

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Esat Pasha, presidenti i qeverisë së Shqipërisë, i cili prej disa kohësh qëndron në Nice me familjen e tij, sapo ka mbërritur në Paris, ku do të qëndrojë dy javë.

 

Simpatitë e nikoqirit tonë, për aleatët, janë të njohura. Esat Pasha i afirmoi ato ndërsa mbeti i pandjeshëm ndaj joshjeve të Austro-Hungarisë.

 

Ai pranoi të na presë mbrëmjen e djeshme në hotelin Majestic, ku po qëndron.

 

Pasi na kujtoi me shumë përzemërsi intervistën që pati kohët e fundit me një nga të dërguarit tanë specialë, Esat Pasha shtoi :

 

Unë vij në Paris për të pushuar, sepse jam jashtëzakonisht i lodhur. Unë e dua, gjithmonë e kam dashur shumë Francën dhe jam krenar që shqiptarët e mi po luftojnë për kauzën fisnike që ushtarët tuaj mbrojnë me kaq lavdi. Mbase do të shkoj edhe në Angli; anglezët gjithashtu janë një popull fisnik dhe të guximshëm, për të cilin kam admirimin më të madh dhe do të jem i lumtur të kaloj disa ditë në Londër.

 

Gjatë qëndrimit tim këtu, unë pres që të takoj politikanët e shquar që janë në krye të qeverisë; Nëse do të ishte e mundur që të takoja gjeneralin Joffre dhe t’i tregoja atij admirimin tim dhe atë të popullit tim për ushtrinë e guximshme franceze, unë do të isha i kënaqur, por, për momentin, nuk kam asnjë program të caktuar. Gjithçka do të varet nga gjendja ime shëndetësore.

 

Esat Pasha na flet në vijim për mizoritë e kryera në Serbi dhe në Shqipëri nga austriakët. Me një zë të ulët, ai deklaron :

 

Armiqtë tanë kurrë nuk do të paguajnë aq sa duhet krimet që kryejnë çdo ditë. Ata masakrojnë njerëz të moshuar, gra, fëmijë; ata plaçkisin, shkatërrojnë gjithçka që hasin në rrugën e tyre. Ata janë barbarë, nuk kanë asnjë mëshirë.

 

Tani nuk ka më asnjë bandë shqiptare, të gjithë jemi të bashkuar për të zmbrapsur pushtuesin.

 

Konferenca e aleatëve dhe bashkimi i ngushtë i shtabeve kanë dhënë një përshtypje të thellë te popujt e Ballkanit. Organizimi i mrekullueshëm i kampit të ngulitur të Selanikut, mbrojtja heroike e Verdun-it kanë demonstruar përfundimisht se fuqia e Gjermanisë është në rënie.

 

Meqenëse fuqia gjermane ka dështuar, me ndihmën e aleatëve të saj, të ju pengojë të forconi Selanikun, askush atje nuk dyshon në triumfin përfundimtar të çështjes së madhe që mbrojmë të gjithë.

 

Me këto fjalë përfundoi intervista. Le të kujtojmë se mbreti Pjetër e dekoroi Esat Pashën me kordonin e madh të Karaxhorxhit, dallimi më i lartë serb, dhe që mbreti i Italisë e dekoroi atë me kordonin e madh të shenjtorëve Maurizio dhe Llazari.

Dy letra ekskluzive të Mit’hat Frashërit (Lumo Skëndos) mbi krimet serbe në Shqipëri të botuara në gazetën franceze në janar dhe shkurt të 1921

Mit’hat Frashëri

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 26 Janar 2020

 

“L’Ere Nouvelle” ka botuar, më 10 janar dhe 14 shkurt të 1921, dy letra ekskluzive të atdhetarit, shkrimtarit, diplomatit dhe politikanit shqiptar, z. Mit’hat Frashëri, i njohur ndryshe me pseudonimin e Lumo Skëndos, mbi tensionet serbo-shqiptare, të cilat, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, i ka sjellë për publikun shqiptar :

 

Çfarë kërkon Shqipëria

Respektimin e kufijve të saj

L’Ere Nouvelle, e hënë, 10 janar 1921, f. 4

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Zoti drejtor,

 

Zyra e shtypit shqiptar përfiton nga “La Tribune des Peuples – Tribuna e Popujve” dhe mikpritja që ju i jepni asaj për t’ju folur për Shqipërinë.

 

Ky vend u pranua në kujdesin e Lidhjes së Kombeve 17 dhjetorin  e kaluar, njëzëri nga 35 shtetet e përfaqësuara atje.

 

U pranua se statusi i saj ndërkombëtar ishte tashmë i fiksuar në 1913 në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, ku pavarësia e saj u njoh zyrtarisht.

 

Kështu, kufijtë e Shqipërisë të vitit 1913 bëhen të paprekshëm dhe duhet të respektohen.

 

Sidoqoftë, Serbia që nga ajo kohë ka shkelur në kufijtë shqiptarë, duke pretenduar se ishte për arsye strategjike, të cilat nuk ekzistojnë më. Për dy vjet, shqiptarët, të cilët nuk kanë dhënë asnjë arsye për t’u ankuar në Jugosllavi, kanë kërkuar vazhdimisht evakuimin e këtyre rajoneve, por pa dobi.

 

Po, sidoqoftë, ka pasur një rezultat : shkatërrimi total ose i pjesshëm nga serbët e 140 fshatrave shqiptare, të gjendura në territorin shqiptar. Aktualisht ka 40.000 burra, gra dhe fëmijë, të pastrehë dhe refugjatë në zonën e Tiranës, të mirëmbajtur nga fondet publike.

 

A nuk është koha që serbët të tërhiqen në kufijtë e tyre dhe të evakuojnë territorin e një fqinji që nuk i ka bërë dëm dhe që kërkon vetëm të ruajë marrëdhënie të mira fqinjësore me ta ?

 

Ju lutemi pranoni, zoti drejtor, sigurinë e vlerësimit tim më të lartë.

 

Lumo Skendo

 

 

Shqipëria dhe Serbia

L’Ère Nouvelle, e hënë, 14 shkurt 1921, f.3

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Meqenëse punët e Shqipërisë ndikojnë ngushtë në interesat e vendeve përreth dhe Franca nuk mund të qëndrojë indiferente ndaj politikave të Ballkanit, unë po marr lirinë të shkruaj sërish për një çështje për të cilën pata folur në letrën time të mëparshme që keni botuar me mirësi në “L’Ere Nouvelle” më 10 janar 1921.

 

Bëhej fjalë për vështirësitë me të cilat përballet Shqipëria nga fqinji i saj verior dhe lindor, d.m.th., Serbia.

 

Komisioni i Refugjatëve Shqiptarë sapo ka shkruar një raport të gjatë për atë që ndodhi në gusht dhe shtator të vitit të kaluar, në kufirin serb, në territorin shqiptar. Është një listë e zymtë; faktet nuk u bënë të njohura për publikun evropian, si arsye e heshtjes kokëfortë të mbajtur nga shtypi.

 

Sipas këtij dokumenti — autenticiteti dhe vërtetësia e të cilit janë të garantuara — ka pasur 132 fshatra shqiptare të shkatërruara nga lart poshtë ose pjesërisht nga serbët; në këto fshatra, u shkrumbuan 6.344 shtëpi, mbi 110 mullinj, 106 dyqane dhe magazina, 50 xhami dhe 18 teqe (manastire myslimane); 55.068 banorë u detyruan të linin rajonet e shkatërruara dhe të strehohen në rrethinën e Tiranës. 10.229.740 kilogramë grurë u humbën (u vodhën ose u shkatërruan), si dhe 52.227 koka delesh dhe dhish, 4.584 dema dhe lopë, 1.552 kuaj. E gjithë kjo pasuri. Ne vajtojmë humbjen e 742 personave të vrarë në këtë mënyrë : 240 të therur (përfshirë 39 gra dhe 39 fëmijë), 201 të pushkatuar (përfshirë 37 gra dhe 126 fëmijë), 300 të djegur të gjallë (përfshirë 146 gra dhe 63 fëmijë).

 

Para se të mbyll letrën time, do të doja të përsëris që qeveria dhe i gjithë populli shqiptar janë të bindur për nevojën për të jetuar në marrëdhënie të mira me fqinjët e tyre dhe për të mbajtur marrëdhënie korrekte, në mënyrë që jeta dhe prosperiteti i të gjithëve të mundësohet. Por kjo do të thotë se edhe fqinjët duhet gjithashtu të përvetësohen me të njëjtat parime dhe të njëjtat ide.

 

Lumo Skendo

Le Figaro (1914)- Esat Pasha do të mundohet të bindë shqiptarët që të jetojnë në marrëdhënie të shkëlqyera me serbët

Esat Pashë Toptani

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 27 Janar 2020

 

“Le Figaro” ka botuar, të hënën e 18 tetorit 1914, në faqen n°4, një shkrim në lidhje me rolin që dëshironte të luante asokohe Esat Pasha në marrëdhëniet midis serbëve dhe shqiptarëve, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

 

Shqipëri

Esat Pasha dhe Serbët

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Brindizi, 18 tetor.

 

Esat Pasha sapo ka njoftuar qeverinë serbe se ai është zgjedhur President i Senatit shqiptar dhe është emëruar Komandant i Përgjithshëm i trupave shqiptare.

 

Ai e siguroi qeverinë serbe për disponimet e tij të mira me të, duke deklaruar se do të marrë nën mbrojtjen e tij subjektet serbe që banojnë në Shqipëri.

 

Ai tha se do të punojë për t’i bërë të gjithë bashkatdhetarët e tij të kuptojnë avantazhin që ata kanë për të jetuar në marrëdhënie të shkëlqyera me serbët.

 

“Koçi Xoxe e thirri në zyrë dhe rrotullonte revolverin”, dëshmia rrënqethëse e gjeneralit: Si ekzekutuam dhe groposëm dajën e Mirush Kabashit dhe Mark Toçin

Publikohet historia e panjohur të Skënder Çelës dhe Mark Toçit, dy të rinjëve komunistë drejtues të Rinisë Antifashiste në qarkun e Durrësit në periudhën e pushtimit Italian të vëndit dhe më pas me funksione drejtuese si kuadro në brigadat partizane, të cilët pas mbarimit të Luftës, drejtuan për disa kohë organizatën e Rinisë Antifashiste të qytetit bregdetar, hynë në konflikt me krerët kryesorë të Partisë Komuniste në Tiranë, ata ishin kundër diktatit që vinte nga “qëndra”?! Si filloi eliminimi i tyre pasi ata nuk “reflektuan” edhe pas këshillave të Nako Spiros dhe Teodor Hebës, si dhe presioneve të ministrit të Punëve të Brendëshme, gjeneral-leitnant, Koci Xoxes, që e thirri në zyrë Skënderin dhe teksa rrotullonte revolverin në tavolinë në shenjë presioni, i kërkoi që të tërhiqej nga rruga e tij?!

E gjithë historia e tyre tragjike që nga transferimi fillimisht në Konispol e Leskovik , dhe më pas duke i mobilizuar si ushtarë në Qarkun e Korçës, ku sipas dëshmisë së gjeneral-major, Baki Starja, më 26 dhjetor të vitit 1946, me urdhër të Koçi Xoxes, gjeneral-major Beqir Balluku dhe kolonel, Panajot Plaku, përkatësisht komandant dhe komisar të Divizionit të Korçës, i morrën Skënderin dhe Markun të lidhur në “Chevrolet”-in e tyre dhe i dërguan në buzë të liqenit të Pogradecit, ku dhe i ekzekutuan me disa plumba në kokë!

Dëshmia e Bajram Vulës në Kongresin e parë të PKSH-së, në 1949-ën, lidhur me vrasjen tragjike të tyre, duke treguar se me urdhër të Koci Xoxes, të nesërmen ai me Beqirin dhe Panajotin kishin shkuar përsëri në vëndin e ekzekutimit, për t’i zhvarrosur dhe groposur më pas diku në një vënd tjetër në anët të rrugës nacionale në Qafë-Plloçë…

Nga Dashnor Kaloçi

Ishte fund dhjetori i largët i vitit 1946. Një “Chevrolet” i vjetër çante mes për mes errësirën e natës nga qyteti i Korçës për në Pogrades, me destinacion në kallamishtet buzë liqenit. Në automjetin e zi, udhëtonin pesë njerëz: Panajot Plaku, Beqir Balluku, Bajram Vula dhe dy të tjerë që qëndronin të lidhur me pranga në portobagazhin e “Chevrolet”-it. Fare pranë buzës së ujit disa krisma armësh përzihen me zhurmën e dallgëve të liqenit dhe gjithcka mbulohet me një vello misteri…

Kush ishin ekzekutorët?

Kush ishin këta njerëz që udhëtonin atë mesnatë të largët të vitit 1946? Nga vinin dhe për ku shkonin? Ç’farë misioni kishin marrë dhe nga kush, e kundra kujt u drejtuan ato breshëri armësh?

Kjo ngjarje misterioze do të zbardhej pjesërisht disa vite më vonë në Kongresin e parë të Partisë Komuniste Shqiptare, dhe e plotë vetëm pas shëmbjes të regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe hapjes së arkivave. Në atë makinë udhëtonin “dy armiq të Partisë Komuniste”, si dhe tre ekzekutorët, që më vonë edhe ata do pësonin të njëjtin “fat” me viktimat e tyre të asaj nate të turbullt dhe pa hënë.

Beqir Balluku, atëherë komandant i Divizionit ushtarak të Korcës, vite më vonë ministër i mbrojtjes dhe zv/kryeministër (deri sa u pushkatua në vitin 1974, i akuzuar si kryetar i grupit puçist në ushtri). Panajot Plaku, Komisar i Divizionit dhe më vonë zv/ ministër i Punëve të Brendëshme dhe Ministër pa Portofol, e anëtar i Komitetit Qendror të PPSH-së (i shpallur më vonë si kundërshtar politik i Enver Hoxhës, i cili mundi të shpëtoj nga hakmarrja e tij vetëm pasi u arratis jashtë Shqipërisë), dhe Bajram Vula, Komisar i Regjimentit II-të, të atij Divizioni.

Kushë ishin viktimat?

Dy personat e lidhur me tel ishin Skënder Çela, sekretar politik i celulës komuniste të fabrikës së Cigareve ”Stamles”, në periudhën e pushtimit Italian të vëndit, si dhe Mark Toçi, një ndër organizatorët e të parave demonstrata antifashiste të gjimnazistëve të Shkodrës. Skënderi ishte njëri nga ata që luftoi me armë në dorë në 7 prill të vitit 1939 në Bestrovë të Vlorës ku asokohe kryente shkollën Tregtare. Një ndikim të madh në formimin e Skënderit dhe Markut kishte padyshim miqësia që ata kishin me Shefqet Bejën dhe Enver Sazanin dy eksponentë të lartë të Lëvizjes Antifashiste dhe më pas në Kryesinë e Këshillit të Frontit Demokratik e deputetë të Kuvendit Popullor, të cilët në vitin 1947 do të shpalleshin “armiq të popullit” dhe do të dënoheshin me vdekje, të akuzuar si krerët kryesorë të “Grupin të deputetëve”.

Në vitin 1943, Skënderi me Markun drejtonin grupimet antifashiste të rinisë punëtore të qytetit të Durrësit, kryesisht Fabrikën e Cigareve, “Stamles” dhe portit detar. Në sajë të atij aktiviteti, së bashku dhe me Drita Malilen dhe Hysen Ballhysën, u bënë katër eksponentët kryesor të Lëvizjes Antifashiste të rrethit të Durrësit.

Pas demonstratës të 1943-it, Skënderi me Markun u arrestuan nga autoritetet italiane duke u konsideruar si persona tepër të rrezikshëm dhe u nxorrën para gjyqit dhe pas marrjes së dënimit ata u dërguan në burgun e Tiranës.  Pasi vuajtën disa kohë në atë burg, ata mundën të lirohen që andej me ndërhyrjen e Prefektit të Tiranës, Qazim Mulleti. Pas daljes nga burgu ata nuk mund të ktheheshin më në qytetin e tyre dhe dolën në mal në rradhët partizane. Skënder Çela u caktua në Batalionin Krujë-Ishëm dhe më vonë në Brigadën e 23-të Sulmuese që operonte në rrethin e Krujës, kurse Mark Toci, në Batalinon e tretë të Grupit të Pezës.

Që nga ajo kohë e deri në mbarimin e Luftës që ata ishin në rradhët partizane, kryen detyra të ndryshme si kuadro drejtues të atyre formacioneve të Ushtrisë Nacionalçlirimtare të komanduar nga Enver Hoxha dhe Spiro Moisiu. Akoma pa mbaruar mirë Lufta, nisur edhe nga fakti se ata kishim mbaruar Shkollën Tregtare, në nëntorin e 1944-ës, me kërkesën e përfaqësuesve të Durrësit, Marku dhe Skënderi thirren dhe vihen në shërbim të pushtetit lokal të sapo krijuar në qarkun e Durrësit. Kështu pa u shkëputur nga puna me rininë durrsake, Skënderi drejtonte Seksionin e Ekonomisë dhe të Punëve Botore, kurse Marku ato të Financës dhe Kulturës.

Rebelimi dhe konfliktet me udhëheqjen e PKSH-së

Gjatë asaj periudhe që ata të dy punuan në ato sektore si dhe rininë antifashiste të qytetit bregdetar, iu lindën konflikte të ndryshme pasi ata nuk mund të pajtoheshin me shumë udhëzime që iu vinin nga “qëndra” si dhe diktatin që ushtrohej ndaj tyre për zbatimin e urdhërave dhe detyrave që vinin nga Tirana. Këto konflikte me “qëndrën” u acaruan së tepërmi, sidomos pas zgjedhjeve për në organet drejtuese të Rinisë Antifashiste të Durrësit, ku ata ishin të zgjedhur. Të gjitha këto dhe problemet e tjera që kishin dalë në organizatën e Rinisë Antifashiste të atij rrethi, iu bënë menjëherë prezent udhëheqjes së lartë të Partisë Komuniste nëpërmjet Adil Çarçanit (ish-kryeministër i më vonëshëm shqiptar në vitet 1982-1990), në atë kohë Sekretari i Qarkorit të PKSH-së për Durrësin, i cili në mes të tjerash i shkruante Komitetit Qëndror dhe Enver Hoxhës:

”Në pasdrekën e ditës së zgjedhjeve, shoku Koço Pepo sekretar i Komitetit të nënprefekturës, ka lajmëruar Skënder Çelën dhe Mark Toçin, se në orën katër do të ishte mbledhja e komisionit të agjit-propit ku bënin pjesë. Skënder Çela duke mejtuar se mbledhja e komisionit mos gjoja qe caktuar për të sabotuar vajtjen e atij në zgjedhjet e rinisë, i inatosur karshi Koço Pepos, i gerthet me gjaknxehtësi, duke i thënë pikërisht këto fjalë.”E di unë more Koço Pepo që ti i bën të gjitha këto për të sabotuar që unë të mos shkoj në zgjedhjet e rinisë, por unë do të shkoj se më do rinia. E shkon në zgjedhje”….

Letrat e Adil Çarçanit dërguar Enverit për veprimtarinë “Katërshes”

Çfarë kërkonin Skënder Çela me Mark Toçin që e detyruan Adil Çarçanin  të vinte në “korent” udhëheqjen e lartë të Partisë Komuniste dhe personalisht, Enver Hoxhën?! Si idealistë që ishin, Skënderi me Markun nuk mund të pranonin diktatin që ushtrohej nga “lart”, pasi ata ishin kundër centralizimit të tejskajshëm që po vihej re si në parti ashtu dhe në organet e qeverisjes, gjë e cila i shtyri ata të kundërshtonin dhe denonconin manipulimet që po bëheshin në procesin e zgjedhjeve të organizatës së Rinisë Antifashiste të Durrësit. Lidhur me këtë, në ditarin e tij, mes të tjerash, Skënderi shkruante: “Ne filluam një luftë parimore, kurse nga qëndra nuk ishin të këtij mendimi”. Kështu, në veprimtarine e tyre, përveç Drita Maliles e Hysen Ballhysës, ata u mbështetën edhe nga një grup i madh të rrinjësh durrësak, i cili u konsideruar si ”Grupi i 47 të rinjëve”.

Kështu në kundërshtim të plotë me të gjitha porositë e udhëzimet e qëndrës në zgjedhjet e Rinisë Antifashiste, në mbledhjen e organizuar në kinemanë e qytetit, populli kërkoi që Skënder Çela të ishte president i Rinisë për Durrësin. Në kundërshtim me kandidaturat e sjella nga qëndra u zgjodhën dhe Mark Toçi dhe Hysen Ballhysa në zgjedhjet për pushtetin lokal, megjithëse “grupi të katërshes“, ju bë presion i madh që të mos vinin kandidaturat. Nisur nga fakti se ata nuk po “reflektonin” dhe po nuk zbatonin udhëzimet e porositë e “qëndrës”, ndaj tyre filluan presionet që ata të tërhiqeshin. Kështu Skënder Çela thirret në zyrën e general-letinant Koçi Xoxes (në atë kohë mbante postin e Ministrit të Punëve të Brendëshme dhe sekretarit organizativ të PKSH-së) , i cili i bëri shantazhe dhe presion që ai të tërhiqte kandidaturën ku ishte zgjedhur. Lidhur me këtë takim, sipas disa dëshmive, Skënder Çela do t’u tregonte në koefidencë familjaravë të tij: “Ndërsa Koçi Xoxe më fliste, në tavolinë rrotullonte një revolver”!

Në Durrës për “dy rebelët” dërgohen Nako Spiro dhe Teodor Heba

Nisur nga fakti se organizata e Rinisë Antifashiste të Qarkut të Durrësit “po dilte nga binarët”, udhëheqja e lartë e PKSH-së, vendosi që atje të dërgonte si të deleguar, Nako Spiron dhe Teodor Hebën, dy nga kuadrot durrsakë më të lartë që kishte udhëheqja se PKSH-së. Nako me Hebën, e parandjenë rrezikun që po u kanosej Skënderit dhe Markut, dhe ju bënë thirrje atyre që të tërhiqeshin nga veprimet e tyre dhe gjenin një mundësi të largoheshin nga ato detyra që mbanin, duke e kërkuar vetë atë gjë. Madje, po të ishte e mundur ta linin dhe Durrësin dhe të largoheshin që andej, duke kërkuar të shkonin me studime të larta jashtë Shqipërisë. Por ata të vendosur në idealet e tyre nuk e pranuan as “ofertën“ e Nakos, edhe pse ajo ishte mjaft dashamirëse.  Ata ishin të vendosur në luftën e tyre të pa kompromisë kundër diktatit që zhvillohej nga lart në Partinë Komuniste.

Më pas, kurë vota e lirë dhe vendimi i zgjedhjeve nuk u zbatua dhe në organet drejtuese u vendosën njerëz të diktuar nga lart, Skënderi e Marku, të pasuar nga Hyseni e Drita, shpallën publikisht daljen nga Partia komuniste. Ky ishte një aktë i pashembullt dhe që ndodhte për herë të parë në rradhët e kësaj partie. Dalja e këtyre publikisht nga rradhët e Partisë Komuniste Shqiptare, i solli jo pak probleme dhe telashe udhëheqjes së lartë në Tiranë, pasi ata kishin dhe gëzonin një popullaritet të jashtëzakonshëm në qytetin e tyre, sidomos në rardhët e organizatës së Rinisë Antifashiste. Po çdo të bëhej me ta? Eleminimi i tyre nuk mund të bëhej shumë lehtë, kur dihej përkrahja e madhe që ata gëzonin në qarkun e Durrësit. Gjë e cila u duk qartë më pas kur ata duke mos qenë fare në listat elektorle të përpiluara nga qëndra, populli i votoi pa qenë present në sallë dhe duke fituar bindëshëm me kandidatët e qëndrës në raportet 5 me 1.

Qëndra demaskon “tradhëtarët” Çela dhe Toçi  

Pas gjithë këtyre që po ndodhnin me dy “rebelët” durrsakë, duket se “qëndra” në Tiranë e humbi durimin dhe vendosi të hartonte skenarin për eleminimin e tyre fizik, por fillimisht ata duheshin demaskuar. Kështu në Durrës, sipas porosive dhe udhëzimeve konkrete të ardhura nga Tirana, Adil Çarçani, Kiço Kasapi, Eleni Terezi,(Pashko) udhëzuan të bëheshin mbledhjet e celulave ku ata u shpallën armiq. Në mbledhjen e celulës së Komitetit Ekzekutiv, Drita Malile që ishte mbështetësja kryesore e Skënder Çelës dhe Mark Toçit, u ngrit hapur kundra Kiço Kasapit, kur ai u shpreh se: “Skënderi me Markun ishin armiq”.  “Ne, na ka zgjedhur populli me votë të lirë dhe në mënyrë demokratike”, u shpreh e revoltuar ajo në atë mbledhje. Por, pas demaskimit që i’u bë atyre si element armiq dhe antiparti, filluan dhe arrestimet. Në fillim u arrestua Drita me Hysen Ballhysën, të cilët u mbajtën për gjashtë muaj në qelitë e Sigurimit të Shtetit, ku nuk munguan as torturat ndaj tyre.

Ndërsa duke parë reputacionin e madh që kishin në popull Skënderi me Markun, ata nuk u arrestuan menjëherë, por i transferuan larg Durrësit, duke i dërguar në Konispol dhe Leskovik. Po a kishte dijeni Enver Hoxha lidhur me sa po ndodhte me Skënder Çelën dhe Mark Toçin dhe a mund të dënoheshin ata pa miratimin e tij?! Kjo gjë konfirmohet qartë nga disa dokumente arkivore, ku në një fletore shënimesh të Enver Hoxhës, gjendet një listë e shkruar me dorën e tij, ku janë të shënuar 41 kuadro të qarkut të Durrësit, listë e cila i përket vitit 1943 dhe aty Skënder Çela figuron i treti pas Kozma Nushit dhe Telat Nogës (Heronj të Popullit). Për Skënderin, Hoxha ka vënë shënimin, “nënpunës, i qartë dhe i vendosur”. Kurse Mark Toçi në këtë listë figuron i 23-ti me shënimin: “nënpunës, i qartë, ambicioz”. Ky dokument është shkruar nga Hoxha në vitin 1943. Në këtë dokument emri i Markut figuron i nënvizuar…?!

Skënderi me Markun, thirren për shërbimin ushtarak?!

Në gusht të 1946-ës, Markun dhe Skënderin i thërasin për të kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak, gjë e cila për vetë ligjet e asaj kohe ishte një veprim i pa rregullt, pasi ata të dy kishin qenë partizanë, madje kuadro, me detyra drejtuese dhe nuk mund të mobilizoheshin tashmë si ushtarë të thjeshtë?! Transferimi i tyre në Konispol dhe Leskovik nuk ishte i rastësishëm, pasi sipas skenarit që ishte hartuar nga “lart”, atyre u “jepej” mundësia për ndonjë arratisje të mundëshme, ku ndonëse gjatë gjithë kohës ishin të survejuar. Duke parë se kjo arratisje nuk u relizua dhe Skënderi me Markun nuk po binin preh e atij kurthi që u ishte organizuar, atëhere “skenari” për eliminimin e tyre ndryshoi dhe ata dërgohen si rezervistë në Qarkun e Korçës. Kështu Skënderi dërgohet në Divizionin e tretë (regjimenti i dytë), kurse Marku në të tretin.

Disa kohë më pas, Skënderi transferohet në qytetin e Pogradecit. Lidhur me këtë, Petraq Laku, i cili ka qenë bashkë në një regjiment me Markun, në dëshmitë e dhëna për familjarët e tij shumë vite më vonë, kujtonte se atë fund dhjetori ai takohej pothuajse për ditë me të. Markun në atë kohë e tërheqin nga regjimenti, duke e veçuar dhe e ngarkojnë si përgjegjës të bibliotekës së regjimentit në Korçë, gjë e cila bëhej ndoshta për ta pasur nën kontroll? Petraqi dhe Marku janë takuar deri në ditën e Krishtlindjeve më 25 dhjetor kur papritur kanë takuar dhe Skënderin me të cilin kishin katër muaj pa u parë. Petraqi la takim me Skënderin të nesërmen, por ai nuk u duk as dhe dy tre ditët e tjera?! Më 29 dhjetor nuk u duk as Marku në takim?! “Më 1 janar, kujtonte Petraqi, në Korçën e mbuluar nga bora takova një shok nga Tirana (Adem Fagu) dhe më tha se Mark Toçi së bashku me një shok të quajtur Skënder Çela janë arratisur…?! Kjo gjë m’u duk e pabesueshme se ata i kisha aq shumë shokë, sa nuk mund ta bënin një gjë të tillë pa e ditur dhe unë”!

Kongresi i parë: Akuzat bien mbi Xoxen

Po ç’kishte ndodhur me Skënder Çelën e Mark Toçin dhe si qëndron e vërteta rreth misterit të tyre? Kjo gjë do të zbardhej pjesërisht vite më vonë në Kongresin e parë të Partisë Komuniste Shqipotare. Kështu pas eleminimit që Enver Hoxha i bëri bashkëpunëtorit më të ngushtë të tij që nga koha e Luftës, Koci Xoxes, të gjitha krimet, vrasjet, torturat, internimet dhe reperkusionet që kishin ndodhur deri në atë kohë, ai (Enveri), do t’ia ngarkonte atij, ndonëse siç do të dëshmonte Xoxe në deponimet e tij, ai çdo gjë e kishte bërë me dijeninë dhe aprovimin e “Komandantit”. Po kështu u veprua dhe me misterin Çela- Toçi. Në një nga seancat e Kongresit të parë të PKSH-së, Bajram Vula do të dëshmonte: ”Në qershorin e 1946-ës, kam qenë në pushim kur është bërë revizionimi në parti, atëherë dolën 27 anëtar antiparti, armiq të partisë.

Kur u bë thirrja në ushtri, erdhën dhe dy prej tyre Skënder Çela dhe Mark Toçi. Në këtë kohë me 26.12.1947 ka ardhur Koçi Xoxe në Korçë për të punuar konventën ekonomike me Jugosllavinë. Po në këtë periudhë ka ardhur dhe Beqiri me Panajotin dhe më thanë të shkojmë në komandë. Ka qenë ora 11.00 e natës. I morëm të dy usharakët dhe i vramë. Të nesërmen shkuam dhe i fshehëm. Unë i thashë shokut Panajot që t’ua bëjmë gjyqin, të mbledhim ushtarët dhe pastaj t’i vrasim në sy të ushtarëve. Kjo vepër është vepër kriminale sepse këta janë vrarë pa ligje. Koçi me shokët e tij nuk kanë zbatuar urdhërat e Partisë. Unë nuk kam qënë i qartë për gjyqet e popullit. Unë si komisar Regjimenti nuk ndihem të kem faj në këtë vepër, prandaj faji parë është i Koçi Xoxes, i dyti i Beqir Ballukut dhe i treti imi. Por nuk më lë të qetë ndërgjegja se Koçi nuk i vrau vetë, po me anë tonë”.

Ky është diskutimi i Bajram Vulës i mbajtur në Kongresin e pare të PKSH-së, kurse në një deklaratë tjetër të bërë prej tij pas shëmbjes së regjimit komunist (në vitin 1993) për të afërmit e tyre, ai e shtjellon më tej këtë çështje, ku midis të tjerash shton:

Nata e krimit, dëshmojnë autorët

“Më bëri përshtypje se Panajot Plaku nuk e kishte marrë shoferin, por e ngiste vetë makinën. Kur hypa në makinë pashë mbrapa Skënder Çelën dhe Mark Toçin të lidhur me litar. Pasi ndaluam makinën diku në breg të liqenit në qendër të plazhit të sotëm, Beqiri dhe Panajoti me shpejtësi I nxorrën nga makina dhe i qëlluan disa herë me revolver. I ndodhur në befasi në këtë skenë, protestova për veprimin të paligjshëm duke iu drejtuar Panajotit se; veprime të tilla duhet të bëhen vetëm me vendime gjyqi.

Ndërsa në momentet e mbulimit të kufomës me rërë, Beqir Balluku, i ekzaltuar u përgjigj se kishte një urdhër nga gjeneral Koçi Xoxe. Të nesërmen në darkë rreth orës 23.00, nga frika se do të zbulohej vëndi, i morëm kufomat dhe i varrosëm në një cep të rrugës automobilistike para se të arrish në Qafë – Plloç, vetëm se këtë herë në vënd të Beqir Ballukut, erdhi Baki Starja. Unë dhe Bakiu hapëm një gropë dhe mbuluam kufomat, kurse Panajoti ndriçonte vendin me dritat e makinës”.

Kështu në atë fund të dhjetorit të 1946-ës, me urdhër të Koçi Xoxes, Skënder Çela dhe Mark Toçi u pushkatuan prej Beqir Ballukut, Panajot Plakut dhe Bajram Vulës në Pogradec.

Dëshmitë e fundit: Krimi zhvarroset

Ndërsa në një dëshmi tjetër që bën fjalë për këtë ngjarje të dhënë për familjarët e Skënder Çelës dhe Mark Toçit, ish-shefi i Stërvitjes i Regjimentit të Pogradecit në atë kohë, Baki Starja, (më pas gjeneral-major), thuhet se: ”Më ka ardhur Panajot Plaku duke më thënë se: ‘Sot do të zhdukim kufomat e dy armiqëve që i kemi vrarë mbrëmë, detyra është shumë sekret dhe duhet konspiracion i madh’. Nga mënyra se si m’u komunikua detyra, mendova se kishim të bënim me një detyrë shumë të rëndësishme, ku nuk përjashtohej mundësia që pas kryerjes së detyrës mund të më zhduknin dhe mua për të humbur gjurmët, prandaj mora me vete revolverin të mbushur plot me fishekë. Në vënd ngjarje shkuam unë dhe Bajram Vula, ai me një lopatë xheniere më tregoi vendin ku ishin kufomat.

Pas ç’varosjes, unë njoha menjëherë Skënder Çelën se ishte rezervist në repartin tonë dhe një tjetër më të dobët dhe më të gjatë. Të dy kufomat që ishin goditur disa herë prapa koke me plumba, menjëherë i ngjitëm në “Chevrolet”-in e Panajotit, i cili nuk doli për asnjë çast nga makina. Makinën e ndaluam në Qafë – Plloç dhe duke shfrytëzuar një transhe të luftës italo-greke, bëmë varrosjen e kufomave. Panajoti rrinte përsëri në makinë duke na ndriçuar vendin me dritat e maknës. Unë e njihja personalisht Skënderin në regjiment, ku ngrinte probleme që ishin në kundërshtim me vijën e partisë… Mua nuk më është dukur asnjëherë e drejtë vrasja e tyre, pavarësisht se kisha rezervat e mija për ta”.

Hoxha eleminon autorët e krimit

Duke parë dëshmitë dhe dokumentat e mësipërme që hedhin dritë mbi misterin “Çela-Toçi”, duket qartë se udhëheqja e lartë e PKSH-së dhe personalisht Enver Hoxha, shihnin tek ata dy djem të rinj komunistë idealistë, dy kundërshtarët politkë, që mund t’u sillnin”telashe” të mëdha sistemit autoritarist që ata po instalonin në Shqipëri, gjë e cila kishte filluar që nga periudha e Luftës. Vetë angazhimi i krerëve kryesorë të atij rregjimi për eleminimin fizik të Skënder Çelës dhe Mark Toçit, e konfirmon dhe e tregon më së miri këtë gjë. Një fakt tjetër që e bën më bindës këtë ngjarje, janë edhe njësërë dokumentash të gjendura në arkivat e ish-Sigurimit të Shtetit, që hedhin dritë “mbi veprimtarinë tepër të rrezikshme të Skënder Çelës si nisiator i krijimit të Partisë Social Demokrate, i nxitur dhe përkrahur nga mësuesi i tij, që ai e kishte si idhull, Skënder Luarasi dhe miqtë e tij Shefqet Beja dhe Enver Sazani”.

Nga të gjithë njerëzit e tij të ngushtë që Hoxha përdori për eleminimin fizik të Çelës dhe të Toçit, vetëm Adil Çarçani mundi t’i shpëtonte dorës së tij të hekurt. Kështu siç dihet tashmë, në periudha kohë të ndryshme ata patën një fat tragjik duke rënë viktima e idealit të tyre që përqafuan që në rininë e tyre, si: Nako Spiro, Koçi Xoxe, Panajot Plaku, Beqir Balluku, Kadri Hazbiu etj. Kështu në vitin 1975 njëri nga ekzekutorët e Çelës e Toçit ish-nënkryeministri dhe ministri i mbrojtjes Beqir Balluku do të shkonte po në mesnatë po në atë fshehtësi drejt vdekjes, por këtë rradhë jo në rolin e ekzekutorit si dikur me Çelën e Toçin, por këtë rradhë në atë të viktimës.

Në Qafë- Plloçë pak metra anës rrugës nacionale, koha ka mbuluar me mister eshtrat e Çelës e të Toçit. Megjithë dashamirësin e njërit nga personazhet e kësaj ngjarjeje të largët Baki Starjes që shkoi disa herë aty, ato varre akoma nuk janë gjetur…?! Ndërsa edhe Baki Starja është ndarë prej kohësh nga kjo jetë, dy nipat e Skënder Çelës, Mirush Kabashi (aktori i madh) dhe Ylli Rusi, si dhe vëllai i Mark Toçit, (Vangjel Toçi), edhe pse u endën për shumë vite duke shpresuar të gjenin atje vënd-groposjen e dy njerëzve të tyre të shtrenjtë, ajo gjë akoma nuk është bërë e mundur…?! Por në shënje të kujtimit të tyre dhe asaj ngjarje që iu morri jetën, nga viti 2011, ata kanë ngritur një memorial të vogël, mbi të cilin herë pas here gjendet ndonjë tufë me lule…/memorie.al

 

Esat Pasha – gazetarit të La France (1914): “Myslimanë jemi dhe mysliman duhet të jetë udhëheqësi ynë !”

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 25 Janar 2020

 

“L’Homme Libre” ka botuar, të dielën e 19 korrikut 1914, në faqen n°3, intervistën e gazetarit të “La France” me Esat Pashë Toptanin, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

 

Intervistë e Esat Pashës

 

La France. — Z. Pierre Villatte :

 

Pashai, megjithëse në shprehjet e tij dukej i moderuar, pranoi se ende ishte i “zemëruar” ndaj Princ Vidit : “Princi nuk është as i guximshëm, as i mirë, as i dobishëm. Unë madje dyshoj se në sferën e tij të mëparshme – përkthimi i sekretarit – të ketë qenë një njeri i lartë (i vlerësuar).”

 

Dhe pashai i mirë më kujton që i bombarduan shtëpinë “në padijeni të tij”.

 

Por sytë e tij ndriçohen dhe pashai bën gjeste të mëdha me krahët e tij : “Përveç kësaj, shikoni se çfarë ndodh tani !”

 

Loja është e mirë për të; ai është shumë i lumtur me të :

 

“Shqiptarët nuk mund të komandohen kurrë nga një gjerman. Ne jemi shumë të denjë. Përveç kësaj, ne jemi 800.000 myslimanë kundër 40.000 katolikëve. Ne jemi shumica, duhet të komandojmë; është diçka logjike. Përkundrazi, Princ Vidi përbën një urdhër në të cilin ekziston kryqi që ne myslimanët nuk mund ta bartim kurrë. Dhe pastaj, ai është i rrethuar nga shumë të huaj!

 

Myslimanë jemi dhe mysliman duhet të jetë udhëheqësi ynë !”

BIJTE E IZRAELIT: Të më thahet krahu i djathtë, nëse të harroj ty Shqipëri! – Nga Luan Rama

Sa herë afrohet 25 janari, «Dita e Holokaustit» do më shfaqet gjithnjë fytyra e mikut të vjetër Josef Jakoel, një nga hebrejtë e shquar të Shqipërisë që para se të largohej në Izrael, tha shprehjen e tij të famshme: «Të më thahet krahu i djathtë nëse të harroj ty Shqipëri!» Dhe kjo thënie e tij kishte një të vërtetë të fuqishme dhe të rrënjosur në historinë e hebrenjve të Shqipërisë: atë të bashkëjetesës, të besës, mbrojtjes së hebrenjve. E kujtoj gjithnjë e mall fytyrën e tij, shtëpinë ku ka jetuar dikur pranë Shkollës së Kuqe në Tiranë në rrugën «Riza Cerova», ajo shtëpi e thjeshtë dykatëshe ku ai jetonte në katin sipër dhe plot me libra dhe e mbushur me aq dashuri, pasi Cefi, siç i thërrisnim të gjithë ishte një poliglot që fliste e lexonte në disa gjuhë, që veshët i mbante në radion e BBC dhe të Vois of America. Ishte një shpirt i madh, mjaftë i sjellshëm dhe me humor. Ishte i pari hebre që shkroi për historinë e hebrenjve të Shqipërisë. Më kujtohet kur më dha të lexoja një shkrim qe kishte shkruar në vitin 1988 për mbrojtjen e hebrenjve nga shqiptarët gjatë Luftës së Dytë Botërore. Kishte dëshirë ta bënte të njohur dhe shkrimi u botua në gazetën «Bashkimi» të asaj kohe. E megjithatë atij i vinte keq që akti i madh i shqiptarëve për çështje ideologjike ndaj Izraelit ishte ende i panjohur në botë dhe se ai meritonte të njihej kudo dhe së pari nga Izraeli. Pikërisht atë kohë, Cefi filloi të mendojë për shkrimin e një libri të plotë mbi hebrenjtë e Shqipërisë që nga pikëtakimet e vjetra të hebrenjve dhe shqiptarëve, me sinagogën e tyre në epokën bizantine e më pas në Mesjetë në shekujt XVI-XVII, me historinë e Sabvatai Tsvi dhe më pas forcimit të komuniteteve hebraike dhe hebrenjtë e shekujve XIX-XX, kohë kur ata banonin kryesisht në Berat, Vlorë, Elbasan e gjetkë duke ruajtur tradicionet e tyre hebraike.

Kush e ka njohur Cefin atë kohë flet me admirim për të: gjithnjë i gatshëm për të dhënë mendimin e pavarur dhe kontributin e tij. Dikush madje na tregonte dhe një histori të këndshme çka tregonte një anë tjetër të tij. Një ditë vere Cefi po pinte një kafe me dikë në një kafene kur papritur filloi një rrebesh i madh. Të gjithë ikën me nxitim pa paguar. Kur shiu mbaroi dy orë më vonë, Cefi ishte kthyer në banak të paguante dhe kamerieri ishte habitur se ishte i vetmi që kishte ardhur tek ai.
Pas një pune intensive si financier e pastaj si pedagog i ekonomisë në Institutin Bujqësor të Kamzës, në pension, Cefi filloi të shkruante. Disa miq i kishin gjetur një makinë «Oliveti» dhe me të nisi të shkruante kujtimet e para, historitë e vjetra, me shpërnguljet dhe hebrejtë e ardhur në brigjet e Ilirisë nga Spanja, safaradët. Cefi e pëlqente shumë letërsinë. Parapëlqente librat e gjeografisë, historisë, biografitë e personaliteteve botërore dhe letërsinë, sigurisht. Ja pse përktheu dhe tregimet e shkrimtarit hebre Bashevis Singer që i kishte rënë në dorë «Një djalosh në kërkim të Zotit», apo një tjetër vepër të Filiber. Dinte t’i këndonte pothuaj të gjitha këngët e festivalit të San Remos, mes të cilave njëra që i pëlqente aq shumë «Finche la barca va…» e Orieta Berti. Por shqetësimi kryesor ishte libri që do tu kushtonte hebrenjve dhe shqiptarëve që i mbrojtën ata nga shfarosja. Gjithë jetën ai kishte jetuar në Shqipëri. Kishte lindur në Vlorë, ku kishin jetuar nëna e tij Sandra dhe i ati, Rafael. Por tashmë ata kishin vdekur me mallin për të parë një ditë «Tokën e Shenjtë». Por Cefi donte të tregonte ç’kishte ndodhur me hebrenjtë në Shqipëri dhe për këtë duheshin pyetur vetë hebrenjtë, kudo që ishin, për ngjarjet e tyre personale e familjare, për kujtimet historike e veçanërisht për kujtimet gjatë pushtimit fashist e nazist në Shqipëri. Çfarë ndodhi me hebrenjtë gjatë luftës? Si shpëtuan ata? Cilët ishin ata njerëz të thjeshtë që i mbrojtën si të ishin pjesëtarë të familjes së tyre e po kështu dhe ata qeveritarë që nuk i dhanë listat e hebrenjve në Shqipëri? Gjithçka duhej dëshmuar për familjet Veseli, Myrto, Herri, Zeneli, një listë e gjatë…

JETA E TIJ NJË ROMAN
Po, jeta e Cefit ishte në fakt një roman më vete pasi atij gjithnjë i ishte dashur të mbijetonte, si në kohë lufte ashtu dhe pas saj. Kur ishte student në Korfuz, gjatë luftës italo-greke, ushtria greke e arrestoi dhe bashkë me qindra të tjerë e nisën drejt një kampi të burgosurish në Korint. Cefi ishte me shtetësi shqiptare por edhe pse hebre atë e internuan. I kishin hipur në një anije por atje u sëmur shumë dhe desh vdiq nga ethet, por dy murgesha që ndodheshin aty u kujdesën për të dhe e shpëtuan. «Dy engjëjt e mi», thoshte Cefi kur kujtonte atë kohë. Familja nuk dinte asgjë se ku ndodhej biri i tyre. Shumë muaj më vonë më së fundi ai u kthye dhe erdhi në Vlorë. Portën ia hapi nëna e tij, Sandra, e cila nuk e njohu në fillim, aq shumë ishte dobësuar dhe kishte ndryshuar brenda aq pak muajve. Por pastaj ajo e kishte marrë në krahë. Ishte Cefi… Pikërisht në Korfuz ai ishte njohur dhe me Nako Spiru, që të dy student nga Shqipëria. Një miqësi i lidhi të dy dhe Cefi kujtonte me mall inteligjencën e Nakos kur bënte komentet në shkollë dhe që nganjëherë i bënte më mirë se dhe vetë mësuesi. “Ishte tepër i zgjuar dhe me shumë talent!” kujtonte ai.
Kur ushtria e Wermahtit marshoi drejt Shqipërisë, një ditë Cefi po kalonte rrugës kur papritur u takua me një shokun e tij të Shkollës Tregtare, Shyqyri Myrto. – Ku shkon kështu i humbur? – e kishte pyetur ai. – S’di çdo bëhet e fatin tonë! – ia kishte kthyer Cefi dhe i tregoi se duhej të fshihej bashkë me të motrën pasi mund ta arrestonin nga çasti në çast. – Eja në familjen time, do të jetojmë bashkë, – i kishte thënë menjëherë Shyqyriu dhe e kishte strehuar tek familja e tij në Kavajë. “Ishte një familje e madhe, – kujtonte Cefi, – dhe njerëz shumë të dashur që ishin gati të sakrifikonin për ne!”

Ndërkohë, Pepe Kantozi ndërkohë kishte marrë malet në Mallakastër bashkë me partizanët. Të tjerë hebrenj u lidhën me lëvizjen. Në Vlorë «Ceta Plakë» arriti të nxirrte nga Vlora e rrethuar shumë hebrenj dhe ti çonte në Dhërmi e gjetkë, nga ku shpëtuan. Doktor Spiro Litos, miku i tij, kishte qenë atëherë doktor në Prishtinë dhe ai mundi të nxjerrë nga kampi shumë hebrenj të burgosur, të cilët më së fundi shpëtuan. Po kështu, dhespoti i Beratit, Visarion Xhuvani strehoi hebrenj të tjerë në manastirin e Ardenicës, ashtu si në Kamëz Aqif dhe Ganimet Toptani që shpëtuan familjen Altarac dhe Sida Levin me birin e saj. Në Elbasan, Marko Menahem u mbrojt nga familja Nosi, të cilët e fshehën në fabrikën e tyre. Në Shkodër ishte familja e Dario Arditit. Dario kishte njohur në Firenze Qemal Stafën dhe ishin miq të afërt. Por kur gjermanët erdhën në Shkodër, atë dhe gjithë familjen, me përjashtim të Moisiut, i arrestuan dhe i çuan në kampin e Prishtinës. I ati mundi të kthehej pas luftës por vdiq menjëherë nga sfilitja e madhe ndërsa të tjerët, të gjithë përfunduan në kampet e shfarosjes. Emrat e shqiptarëve si Fatlli Imami, Haxhi Herri, Hasan Xhufi, Lilo Xhimitiku, Tol Todi e shumë e shumë të tjerë mbetën të paharruara në zemrat e hebrenjve.

Kujtimet e luftës ishin të shumta. Të atin, Rafaelin, fashistët italianët e burgosën gjatë pesë muajve meqë një makinë e shoqërisë «Levi-Jakoel» kishte çuar ndihma në mal tek luftëtarët e lirisë. Por ditët më të vështira për të gjithë hebrenjtë e Vlorës dhe gjetkë do të ishin pas masakrës së 4 shkurtit në Tiranë, kur Cefin kërkonin ta arrestonin. Nga fundi i luftës kur Shqipëria po çlirohej dhe ushtria e Wermahtit po tërhiqej me shpejtësi, ai mori vesh se Vlora ishte çliruar dhe bashkë me të motrën 16 vjeçare, Enriketa, nga Kavaja ku ishin fshehur u nisën drejt Vlorës. Rrugës panë një kamion dhe e ndaluan. Por kur hipin në të dalluan se ishte një ushtar gjerman. Cefi dinte ca fjalë gjermanisht, por nga ai udhëtim i kishte bërë përshtypje se ai gjerman çakërrqejf i përgjigjej gjithnjë “javol”, “javol”… E ku ta dinte ai se kishte me vete dy hebrenj. I kishte dhënë çakmakun që kishte si kujtim dhe ai i kishte çuar gjer në Fier… Që andej një makinë tjetër i kishte hedhur në Vlorë. Kur mbërritën në shtëpi dhe i kishte treguar të atit se kishte ardhur me një shofer gjerman ai e kishte qortuar: «Po ti paske qenë i çmendur!» Aty kishte gjetur tashmë dhe Viktorin me motrën tjetër Eftiminë, të cilët kishin qenë të fshehur në shtëpinë e Qamil Xhyherit.

Kur lufta mbaroi hebrenjtë e Shqipërisë filluan të presin lajmet e të afërmve të tyre nga Janina, Selaniku, Korfuzi, ata që ishin arrestuar nga nazistët dhe ishin nisur me trena drejt kampeve të shfarosjes. Ç’kishte ndodhur me ata? Cefi dhe prindërit e tij prisnin kthimin e Eftihisë bashkë me burrin dhe dy fëmijët, të arrestuar në Korfuz në maj të vitit 1944, por një heshtje varri mbretëronte. Për një kohë ata i mbante shpresa e shpëtimit. Por koha kalonte dhe pak nga pak lajmet filluan të vinin.
Kisha parë fotografitë e motrës së Cefit dhe të burrit të saj, të fëmijëve dhe ndër të tjera në një poezi kisha shkruar: «Rafael, Rafael, ku je shpirti im,/ thuamë ku është pjella ime,/ ah, ky tymi i zi i Gjermanisë që s’më lë të të shoh/ të shoh sytë e tu dhe buzën tënde të tharë/ gjithë diejtë e botës po më shuhen sot në Auschvitz,/ kam dalë nëpër kamp të kërkoj pjellën time/ por këta tela me gjëmba më kanë bërë gjak/ thuam burri im i shtrenjtë ku janë,/ I kërkoj ngado dhe nuk e dëgjoj zërin e tyre,/ Niso dhe Lina nuk më përgjigjen më,/ mos vallë janë duhitë e erës që i largojnë/ vallë i ke fshehur nën krahët e tu,/ thuamë Rafael, ku është pjella jonë me sy të bukur/ që cicëronin si zogjtë dhe rendnin si fluturat…»

Nga të parët u kthye Fortunia, e cila nga Gjirokastra ishte martuar në Janinë nga familja Vituli, të cilën e kishin arrestuar bashkë me familjen e burrit. Me qindra të tjerë ata i kishin nisur drejt kampeve të shfarosjes. Por gjatë seleksionimit, kur e panë Fortuninë të fuqishme, nazistët e kursyen dhe e çuan në grupet e punës, ndërkohë që të gjithë të tjerët u çuan drejt dhomave të gazit. Më së fundi nga Gjermania Fortunia ishte kthyer në Gjirokastër ku më vonë do të martohej përsëri po me një hebre që i kishte mbijetuar kampeve. Dhe ata ishin të pakët. Fortunia ende kishte të damkosur krahun e saj me numrin e kampit. Pikërisht atëherë hebrenjtë e Shqipërisë kuptuan gjëmën e madhe që kishte ndodhur me komunitetet hebraike. Nga letrat që vinin pikërisht ato vite ata panë turrat me flokët e të internuarve, malet me këpucë dhe valixhe, pirgjet e panumërt me kufoma… Ishte Holokasti

PAS-LUFTA
Vitet e para të pasluftës në Shqipëri ishin të vështira për familjen Jakoel. Rafaeli, i ati i Cefit bënte tregti në Vlorë ku jetonte dhe kishte hapur një dyqan edhe në Durrës. Jetonte në paqen e tij dhe hebrejtë mendonin se një epokë e re po fillonte për ta si për gjithë popullin shqiptar. Por shpejt, edhe ata do të zhgënjeheshin. Cefi e kujtonte gjithnjë atë kohë të dhimbshme kur dyqanin në Durrës ia sekuestruan të atit dhe kur një ditë, në shtëpinë e tyre të madhe në qendër të Vlorës erdhën nga Mbrojtja Popullore dhe u konfiskuan gjithçka. Mban mend kur një nga ata që kontrollonin, nxori nga dollapi kostumet e tij dhe në sy të tij i provonte duke qeshur. Kështu ata mbetën pa shtëpi dhe u detyruan të shkojnë në një shtëpi përdhese, gjersa Cefi i mori prindërit me motrën dhe u vendosën përfundimisht në Tiranë. Ashtu kokulur, të thjeshtë e të ndershëm dhe gjithnjë mirënjohës ndaj shqiptarëve që i shpëtuan qofshin këta (dhe komunistë me utopinë e tyre të barazisë), një jetë e re filloi për ta. Cefi ishte financier i zoti dhe në detin plot tallaze të jetës diti të çajë me punën, ndershmërinë dhe inteligjencën e tij si gjithë hebrenjtë e tjerë. Kështu Cefi krijoi familjen e tij simpatike, me Aliqin dhe dy vajzat që rriteshin në një mjedis intelektual ku flitej për letërsinë, muzikën, shkencën e historinë. Miqtë e tyre ishin intelektualë me emër si, Eqrem Çabej, doktor Paparisto, doktor Pavlo Pavli dhe shumë intelektualë të tjerë. Një piano dhe një violinë u blenë me sakrifica. Feliçeta luante piano dhe Ksenia luante violinë. Por kur Feliçeta kërkoi të vazhdonte Institutin e Lartë të Arteve për piano, kërkesa e saj u refuzua dhe kjo sepse ishte nga një familje me origjinë tregtare, të cilës i ishte konfiskuar gjithçka. Dhe kjo Cefit i dhëmbi shumë. Feliçeta e kujton dhe kësaj dite atë çast kur hyri në shtëpi dhe e pa të atin duke pirë një dopio raki dhe që qante. Ishte e para herë që e shikonte të qante, e para herë që pinte… S’dinte ç’të bënte, dhe ashtu që ta lehtësonte, me talentin e saj spikatës, u ul ne piano dhe nisi të luante Mozart. Ai qante dhe ajo luante, një trisht që do të kthehej në plagë në zemrën e tij. E megjithatë Shqipëria ishte një atdhe për të.

TRADICIONE HEBRAIKE
Mbaj mend kur nga fundi i viteve ’80, në plazhin e Shkozetit, Cefin e shikoja gjithnjë me dorëshkrimet e tij. Dhe gjatë kohës që shkruante, një nga dëshirat e tij ishte të tregonte se si tradicionet hebraike, edhe pse nuk kishin një sinagogë në Shqipëri, përsëri ato kishin mbijetuar me festat, ritet, gjuhën dhe lidhjet mes hebrenjve. Kujtonte dhe shkruante për ritet e varrimit ku i vdekuri futej në dhe pa arkivol meqë në Testamentin e Vjetër thuhej se «Je prej pluhuri dhe në pluhur do të kthehesh përsëri». Kujtonte Jehuda Saretën që kujdesej për ritet e tyre, për të kremtet apo festimin e Vitit të Ri hebraik siç e quanin ndryshe «Rosh Hashana»; për ditën e «Jom Kipurit» ose «Ditën e Pendesës së Madhe», ceremoni kjo që mbyllej me lutjen «Kol Nidrei», për të kremten e «Hanukasë», Dita e Purimit dhe Purifikimit te Altarit të Tempullit në muajin dhjetor… Me ardhjen e pranverës vinte Pashka apo «Pesah» e hebrenjve. Kështu traditat vazhdonin me këngët dhe vallet e tyre, me shallin e bardhë me dy vija blu anash apo me shallin e lutjes kur bekoheshin në emër të Abrahamit, Isakut dhe Jakovit… Një Bibël e vjetër në gjuhën greke ishte një nga librat me të çmuar të tij, pasi aty ishte Testamenti i Vjetër i popullit të tij, tregimet e Moisiut dhe të Abrahamit, luftërat e shumta të mbijetesës nëpër shekuj.
Pas një pune të palodhur shkrimi i librit mbaroi. Në krye të tij Cefi kishte vendosur një përkushtim për motrën e tij Eftihia që u tret në hiret e krematorit nazist: «Kushtuar Eftihisë, burrit të saj Rafo, djalit pesëvjeçar Niso, vajzës 2 vjeçare Lina – viktima të Holokaustit. Cefi» Dhe më pas një shënim të shkurtër: «E treta vajin tim në vajin e pafund të popullit tim. Sandra». Ishin falët e shtrenjta të nënës së tij.

Libri ishte padyshim jo thjesht një dëshmi familjare por dëshmi e gjithë komunitetit hebraik të Shqipërisë, e vetë historisë dhe gjurmëve të hebrenjve në Shqipëri. Cefi krenohej që hebrenjtë edhe pse të kërcënuar për tu shfarosur, ata u lidhën me luftën dhe luftuan për çlirimin e Shqipërisë. Madje e veçantë ishte dhe kërkimi i gjenealogjive të shumë familjeve hebre që kishin ardhur përsëri në Vlorë në 1850 duke filluar me familjen e Solomon Menahem Jomtov i ardhur nga Janina dhe vendosur në Delvinë me gjithë gruan e tij Astro Negrin. Por ai nuk mjaftohet vetëm me të por dhe pasardhësit e tij siç shkruan në dorëshkrimin e tij: «Nga martesa e tyre lindi një djalë, Menahem Solomon Jomtov, i cili u martua me Rakela Samuilidhi [Rachele Samuilidi], me origjinë nga qyteti Trikalla i Greqisë dhe jetonin n¸ Delvin¸. Rakela ishte izraelite me prejardhje nga Spanja, por në shtëpinë Jomtov flitej greqisht sepse anëtarët e tjerë të familjes nuk e flisnin spanjishten. Ky ¸sht¸ nj¸ nga shembujt e pak¸t t¸ p¸rzjerjes s¸ izraelit¸ve me prejardhje t¸ ndryshme. Nga kjo martesë lindën 6 vajza dhe 2 djem. Nga vajzat, e madhja Astridi, vdiq gjatë barrëlindjes së saj të vetme, tre t¸ tjerat u martuan në Greqi me të rinj izraelitë, ndërsa Viktoria, u martua me doktor Jani Melon dhe jetuan në Fier. Më e vogla, Ana u martua me Agim Sinën. Ajo ka vdekur dhe është varrosur në Krujë. Nga djemtë e Menahemit, i dyti Sami (Samuel), vdiq në Sarandë më 1937 dhe tjetri Solomoni (Tovi) Jomtov deri në muajin mars 1991 banonte në Vlorë, dhe këtej po atë muaj u kthye në Izrael. Në fillim familja Jomtov i mbajti të forta lidhjet me Janinën nga ku kishin ardhur. Kështu, kur vdiq plaku Solomon dhe e shoqja Astro, ata i varrosën në Janinë. Po ashtu, në Janinë u varros edhe nipi 17 vjeçar Sami. Të tjerët janë varrosur në Vlorë dhe në Krujë…»
Vetëm po të shohësh bibliografinë e këtij libri me titullin «Izraelitët në Shqipëri», (për të cilin po përkujdeset Brikena Çabej dhe Agron Alibali që e gjeti këtë dorëshkrim në Bibliotekën e Harwardit), e kupton seriozitetin e autorit, duke konsultuar në gjuhë të ndryshme vepra themelore për gjurmët hebraike në Shqipëri, nga Straboni, Apollodori, Josephus Flavius, Bonfante, Stipçeviç, etj e deri tek librat e Kristo Frashërit, Selami Islamit, Arben Puto, etj. Po kështu të shumta janë dëshmitë që Jakoel ka mbledhur nga Fejzi Hoxha, Doktor Litos, Shyqyri Myrtos, Kadri Kërçiku, Sado Qamil Xhyheri, doktor Ludovik Kalmari, Zhaneta Solomoni, Rafael Levi e Nesim Levi, Eftihia Silberman, e shumë të tjerë.

MIRËNJOHJA E MADHE
Në vitin 1991 ngjarje të mëdha ndodhnin në Shqipëri: dominoja e fundit e shteteve totalitare në Lindje po binte. Për hebrejtë erdhi dita të shikonin dhe ata tokën e Abrahamit, të realizonin kthimin e tyre në Izrael. Por kjo nuk ishte e lehtë, pasi martesat me shqiptarët, vdekjet dhe varret e të parëve, gjithçka i lidhte ngushtë me këtë tokë. Bashkë me mikun e tij fotograf Refik Veseli dhe hebrejtë Marko Menehem dhe Pepe Kantozi, etj, Cefi mendoi për krijimin e Shoqatës së Miqesisë Shqipëri – Izrael. Pikërisht në ditën e themelimit, në fjalën e tij, mes të tjerash Cefi do të thoshte frazën e tij të famshme: «Të më thahet krahu i djathtë po të harrova ty Shqipëri!» Që kohë më parë vajza e tij Feliçeta kishte shkuar fshehurazi nga Greqia në Izrael dhe në Institutin «Yad VaShem» të Holokaustit kishte dorëzuar listën e mbrojtësve shqiptarë që më pas do të shpalleshin «Fisnikë mes Kombeve». Dhe emrat e tyre do të shkruheshin mes «fisnikëve» të botës… pemë për nderin e tyre do të mbilleshin në kopshtin e madh të «fisnikëve». Më pas, në vitin 1991, një grup «shpëtimtarësh» shqiptarë me ftesë të Yad VaShem do të vititonin Izraelin dhe do të priteshin me shumë mirënjohje nga Instituti i Holokaustit. Gjithçka kishte qenë prekëse. Që atëherë, emrat e 75 fisnikëve shqiptarë (ata kanë qenë më të shumtë, por mjerisht dëshmitarët kishin vdekur në atë kohë) janë rreshtuar krah fisnikësh të tjerë nga e gjithë bota. Por Shqipëria e vogël është e veçantë pasi asnjë hebre nuk u dorëzua nga shqiptarët!

NË KIRIAT BALIK ME
JOSEF JAKOEL
Shumë vite më parë vizitova Izraelin dhe një nga vizitat e para që doja të bëja atje ishte të shkoja në varrin e Cefit të dashur, në «Kiriat Balik», që mbante emrin e një poeti të madh izraelit. Nga Haifa shkuam në ato varreza plot pemë ku ai prehej bashkë me gruan e tij Aliqi, krah më krah me të dashurën e tij, pasi historia e tyre ishte një histori e vjetër dashurie që kishte filluar që në rininë e tyre në shkollat e Korfuzit, kur i ati i Aliqit, doktor Koleka, republikan, ishte një i mërguar politik i viteve ‘30. Atëherë Cefi ishte në një kolezh e më pas në Shkollën Tregëtare. Prehej aty me ëndrrën e tij të realizuar e ndoshta ende pëshpëriste siç i kishte pëshpëritur Aliqit gjithnjë: «E ëmbla ime, dashuria ime!” – edhe pse ishin të moshuar. Preheshin bashkë në Tokën e Shenjtë ku jo larg ishin vendbanimet e reja të familjeve shqiptare në Haifa apo në kodrën e bukur të Carmel-it, duke vazhduar me tej në Tel-Aviv, Jeruzalem, Cesare, të cilat jetonin mes dy dashurive: Izraelit dhe Shqipërisë. Cefi flinte dhe unë kujtoja ato ditë e netë plot bujari kur ai n’a priste dhe n’a fliste me aq dashuri për «vëllezërit» e tij shqiptarë, për Shqipërinë që e kishte rrahur nga njëri cep në tjetrin. Jo, krahu i tij nuk ishte “tharë” ashtu si i gjithë shqiptaro-izraelitëve që shkuan në Izrael.
Tashmë të gjithë kanë vdekur, të mbijetuar dhe “shpëtimtarë” modestë. Vetëm aktet e dashurisë humane kanë mbijetuar, “besa” shqiptare për të mos e dorëzuar mikun që vjen në shtëpinë e tij, dhe ky akt jo vetëm nga njerëzit e thjeshtë, jo vetëm nga partizanë e nacionalistë por dhe ata që ishin në krye të qeverisë kuislinge. Besa qëndronte mbi politikat dhe ideologjitë. Ishte ajo që i dha emër Shqipërisë bujare nëpër botë…

Le Rappel (1919)- Ismail Qemali, i cili ka luajtur një rol të madh gjatë revoltës shqiptare, sapo ka ndërruar jetë në Peruxhia

Ismail Qemali

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 24 Janar 2020

 

“Le Rappel” ka botuar, të martën e 28 janarit 1919, në faqen n°2, lajmin e ndarjes nga jeta të Ismail Qemalit në Peruxhia, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

 

Vdekja e Ismail Qemal Beut

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Ismail Qemal beu, ish-presidenti i qeverisë së përkohshme të Shqipërisë, sapo ka ndërruar jetë në Peruxhia, vend ku ai ishte tërhequr (strehuar).

 

Ismail Qemali pati kaluar disa kohë në Paris në fillimin e luftës. Ai luajti një rol të madh gjatë revoltës shqiptare, e cila shërbeu si prelud për Luftën Ballkanike të 1912.