– Poeti i një perandorie të rënë –
Në ditën e parë të prillit të këtij u shua në moshën 84 vjeçare poeti i njohur rus Evgenij Jevtushenko, në SHBA, në një spital në Tulsa, Oklahoma, ku ai jetonte prej vitit 1993 e jepte leksione akademike për letërsinë e vendit të tij e kinematografinë.
Pranë i gjendeshin vetëm familjarët, e shoqja Maria Navikova, por lajmin mortor e përhapën nëpër botë agjensi e media të mëdha, duke e quajtur figurë emblematike të epokës së “shkrirjeve së akujve” në Bashkimin Sovjetik, simbol i jo konformizmit poststalinian, ndërkohë mbështetës leal i regjimit deri në rënien e tij, gjigant të poezisë ruse e të letërsisë botërore, etj, etj.
Lexuesi i poezisë, në mënyra të ndryshme, ndjehet pranë poetit, kudoqoftë ai, larg, në të shkuarën, madje dhe në të ardhmen, por sidomos kur ka dhe shkaqe të tjera, nga ato që të jep fati. Në kohën që Jevtushenko mbyllte sytë, unë, një nga lexuesit e tij të hershëm, isha në avion në rrugën e kthimit nga kontinenti amerikan, ku ai kishte emigruar, për në Europën që kishte lënë dhe shpirti i tij po u avitej qiejve të rinj. Ç’koinçidencë, kisha me vete dorëshkrimin e një libri të sapo mbaruar për Jevtushenkon, një përzierje të esesë, kritikës letrare, përshkrimit të udhëtimit, përkthimit dhe poezive të përbashkëta, por që ende s’kisha guxuar ta dërgoja për botim.
Jevtushenkos i gjej lidhje të fshehta e të padukshme me realitetin tonë, tema të njëjta, por që tek ne nuk u shkruan dot siç i shkroi ai, nga që vendi ynë, më i vogli i perandorisë komuniste, kishte diktaturën më të madhe. Gjithsesi ndikimi i Jevtushenkos në poezinë e socrealizmit është i ndjeshëm, atje ku e lejonin, të paktën si est-etikë.
Brezi im, më shumë se sa me opusin e poezisë së Jevtushenkos, u njoh me emrin e tij të rrezikshëm, kapi diçka nga kumti i tij, i ndjeu hijen, që i arrinte deri këtej. Madje, e pabesueshme, dënimi im ka fije që më lidhin me të, më shumë se sa një lexues me poetin. Ai i njohur botërisht nga një vend i madh, unë i panjohur i një vendi të vogël. Që kur isha student në Shkodër, ramë në gjurmët e ndaluara të Jevtushenkos, madje kur më burgosën me 10 vjet heqje lirie për poezitë e mia, në akuzë kisha dhe poezinë e Jevtushenkos, pse kisha përkthyer disa prej tyre, të një revizionisti antistalinist, armik që kishte shkruar dhe kundër Enver Hoxhës.
Kur ia thamë këtë në kohë tjetër e vend tjetër, pas rënies së perandorisë komuniste, ai u ndje keq, si në faj, por dhe me nje krenari të brendshme për fuqinë demoniake të poezisë së tij Dhe po në moshën e studentit, përsëri në tjetër kohë e vend tjetër, im bir pati rastin ta takojë Jevtushenkon pas rënies së prandorisë komuniste, në Lugano në Zvicër. Si vazhdim i takimit tim, si një bisedë brezash, me mirëkuptim dhe konflikte idesh e qëndrimesh e shijesh. Dhe ishte im bir që do të më thoshte shkujdesshëm që “pse nuk bën një libër me Jevtushenkon”, e kishte fjalëm me poezi të tij… dhe pas tragjedisë, fjalët e tij më vinin nga Qielli duke marrë forcën e një porosie supreme.
Më shumë se sa Jevtushenko, ai pëlqeu takimin në vetvete. “…ishte interesant, por dhe narcis… mos janë ca si egocentrikë ata që i ka përkëdhelur regjimi? – do të më pyeste, duke më sugjestionuar me vëzhgimin.
Dhe libri im mundohet të shpjegojë pikërisht këtë, “për pinjollët e këqinj të regjimit”, siç i quante dikush…
Jevtushenko është poeti i madh i një perandorie që ra, që natyrisht poezia nuk bie bashkë me perandoritë. Është interesant dhe një lloj çelsi për të kuptuar nga diktatura dhe intelektualin përballë saj, kundërshtarin dhe konformistin, kritikuesin dhe i kritikuari ndërkohë, i përkëdheluri dhe rebeli njëherësh, i dashuri dhe i urryeri, nga destalinizimi deri në mbështetje të utopisë komuniste dhe të rënies së perandorisë, në fund të fundit këngëtar i lirisë dhe i dashurisë, i lirikave politike, që ai po i quante “poezi të të drejtave të njeriut”.
Autor i 150 librave, i përkthyer në 72 gjuhë, por pa asnjë botim në Shqipëri, i sharë dhe ndërkohë ndikues, siç thamë, por jo atje ku ai ka Zot, besim e “bën kryq”, poezia shqipe e realizmit socialist ishte tejet ateiste. Jevtushenko është dhe çkodifikues, sipas meje, vetëshpjegues.
Është dhe i pari shkrimtar rus që vizitoi Shqipërinë pas rënies së komunizmit, në 1991, do të shkruante dhe për Shqipërinë dhe do të kisha fatin të m’i niste ato poezi, edhe poemën për natën pa gjumë në vilën e kryeministrit të (vetë)vrarë shqiptar, që u botuan në insertin letrar “Milosao” dhe pikërisht në një “1 prill”, datë kur u shua, por 5 vjetë më parë, si dhe në revistën prestigjioze elektronike “VOAL”, ku poezia shkelqen si në ditën e saj.
Jevtushenko u bë i njohur në vendin e tij që me librin e tij të parë, “Eksploruesit e së ardhmes”, e nxori në vitin kur unë linda, ishte 19 vjeç, në moshën e tim biri, kur e takoi në Zvicër dhe Poeti ishte me paterica, kishte prerë njërën këmbë dhe im bir e mbante prej krahu.
Çalonte poezia e realizmit socialist, – thashë si me shaka. Jevtushenko i recitonte vetë poezitë e tij në publik ashtu si Majakovski që ai e adhuronte dhe u bë i dashur si një Esenin postmodern. Ndërsa Mandelshtami vdiste në gulagun Stalinist dhe Anna Akhmatovna përndiqej, Jevtushenko do të lejohej nga Hrushovi të dilte jashtë Bashkimit Sovjetik, i pari që çau Perden e Hekurt në Perëndim. Shkoi rreth në 100 vende, edhe në Kubë, u njoh me Fidel Kastron e Che Guevarën, ndërsa në Francë, në vitin 1983, do të thoshte që në vendin e tij nuk kishte të burgosur politikë dhe po atë vit do të dekorohej nga Brezhievi.
Brodskij vetë, poet nobelist i dalë nga burgu dhe që e përzunë nga vendi, do të drejtonte protestat që e akuzonin Jevtushenkon për dyfytyrësi, që e kritikonte Kremlinin aq sa e lejonte Kremlini, sa donte dhe sa i duhej, sepse ishte po Kremlini që e dekoronte si një zë të patrembur kundërshtie.
Vazhdojmë. Jevtushenkon ishte një legjendë, – do të thoshte vejusha e shkrimtarit nobelist, disidentit tjetër Sollzhenicin. – Jevtushenko jetonte sipas një formule të vetën: “një poet në Rusi është më shumë se një poet”. E në Shqipëri?- pyes unë, një poet është më pak se një poet?
Teksa vdiste, Jevtushenko la porosinë që ta çonin në Moskë, të prehej në rrethinë, në “Fshatin e shkrimtarëve” në Peredelkino, pranë varrit të Pasternakut, miq që vlerësonin njëri-tjetrin.
Jevtushenko duhet si poet, për poezitë që i mbeten, ku ai ringjallet.
Jevtushenko duke iu dhënë autografe studentëve, pranë tij studenti Atjon Zhiti
EVGENI JEVTUSHENKO
11 POEZI
DASHTË QIELLI
Dashtë Qielli u vjen pamja verbanëve
e gungaçët shpinat drejtojnë.
Dashtë Qielli bëhemi ca Zot, pak fare,
të jesh pak, pak s’të kryqëzojnë.
Dashtë Qielli të mos i ngjitemi pushtetit,
heronjve të rremë jo dhe jo.
Të pasur të bëhemi, por jo të vjedhim,
natyrisht nëse mundet kjo.
Dashtë Qielli të bëhemi dhelpra plakë,
që s’bie në ato gracka me shkopinj,
mos qofshim viktima, as xhelatë,
lypsa kurrë, as zotërinj.
Dashtë Qielli sa më pak plagosje
në përleshjet që vetëm të çmëndin,
sa më shumë vënde dhe përsosje,
pa u dashur ta humbësh tëndin.
Dashtë Qielli që toka e pamatë
gjurmët t’mos na i hajë gjithkund.
Dashtë Qielli të na duan gratë
dhe kur të jemi në fund.
Dashtë Qielli të heshtin gënjeshtarët,
zë hyu të ndjejmë në thirrjet e pafajshme,
që Krishtin të dallojmë tek të gjallët
në fytyrat e burrave dhe të grave.
Të mos mbartim si kryqin pabesitë
dhe si mjeranë të biem përdhé,
të mos jemi dyshues çdo ditë,
dashtë Qielli qoftë Zoti në ne.
Dashtë Qielli të gjithën për të gjithë
ta kemi sa më shpejt, pa u fyer prej saj.
Po, po, të gjithën, por veç zgjidh
nga ato që s’të turpërojnë pastaj.
HUMBJE
Rusia
ka humbur Rusinë
në Rusi.
Ajo kërkon vetveten
si gjilpërën në kashtë,
si plakë e verbër
që zgjat krahët, ç’marrëzi,
që qahet duke kërkuar lopën
luadhit jashtë.
Kemi djegur ikona.
Librat tanë s’i kemi besuar.
me fatkeqësinë e të tjerëve
luftojmë, a s’e sheh?
Si mundet që veç zgjedhës tonë
s’i kemi shpëtuar,
më keq se hordhi e huaj
vetes iu bëmë ne?
Kështu do jetojmë nga fati të braktisur
në rrjetën e ngrënë
nga mizat e idealizmit,
në peliçen gërdallë
të rebelit të uritur?*
Karakteri ynë
– dukuri e epileptizmit:
herë më përpëlitje fodulle,
vetëpërçmim
e nevrikë.
Rebelim tringëllues, gjumë pa dëm,
supë me kripë.
Rebelim total – ja, kjo duhet pastaj
që ta tundë Kremlinin si një sajë.
Mos është kob kjo zgjedhja jonë ruse:
o car Ivan i Tmerrshëm
o car Kaos?
Mashtrim e gjitha.
Veç atamanë** përreth, tutje,
pështjellim medoemes:
Po ç’emra e ç’flamurë mbartim
nën mjegulla
që herë ntrashen e herë mpaken
në kokëkungujt në Rusi,
që prej tyre jetojmë me gënjeshtra,
fajtorë të gjithë në të gjitha,
a e di?
Nën mjegull,
me gjakun deri në gju jemi zvarritur.
Mjaft, Zot, na ndëshkove,
falna
e mëshirë!
Mos jemi shuar të gjithë?
Kur ende s’kemi lindur?
Ne sërish do të lindim.
Të rilindësh është vështirë.
31 mars 1991
_____________
*Poeti aludon këtu për kozakun e famshëm Don Emel’jan Pugaçev, i cili, në kohën e
Katerinës II udhëhoqi një revoltë fshatare (1773-1775) e thoshte se “do bënte të dridhej
Perandoria në themele”. I tradhtuar, u kap dhe u gjykua në Moskë.
** Krerët ushtarakë të zgjedhur nga kozakët (sipas shënimeve në botimin italisht)
SHQIPËRI, Ç,DO TË BËJMË ME LIRINË E MADHE?
Shqipëri, ç’do bëjmë me lirinë e madhe,
me këtë grua trathtare të ndërgjegjes?
Në qorrsokak të dytë,
me këngën fitimtare,
liria në paliri do na çojë drejt tërheqjes?
Në banja gjaku na argëtuan marrëzisht,
me kapitalizëm po na ndjellin të fortët.
Do ta gënjejnë Rusinë
dhe Shqipërinë sërisht
dhe sërisht do të rrjedhin të hidhur lotët?
1991
SHQIPTARKA
Shqiptarkë që të magjeps me bukurinë,
katërmbëdhjetë vjeçe, e zbathur.
The se të quajnë Aksinjë,
“Po Melehovi të është shfaqur?”
“Ende s’e kam, – psherëtive lehtë, –
s’e dua shpellar, e dua poet”.
E rrallë për kohën, s’gjen ngaherë
një vajzkë kështu, e tëra perrí,
që burrin të mos e dojë bankier,
plot me para, por me poezi.
Jeta vetë ecën dhe vonë a herët
do vijnë vajza me intelekt të fortë.
Ato s’do martohen kurrë me skllevër,
Ato s’do marrin tiranë bashkëshortë.
Etje parash e egër do jetë tretur
tek ne, në Rusi, tek ju, në Shqipëri
dhe do ngadhnjejë në shekuj e shekuj
i shenjti mall i madh për poezi.
Dhe poetët-gjeni do të shpërthejnë
mes bunkerësh pa shpirt, të ngrirë
si balle divash të rënë,
nëndhé rroposur, në errësirë,
për të mos u ngritur kurrë më.
Ja u ngritën! Skllevër s’na bën asgjë.
PIKTORËT
Është e pafuqishme e gjithëfuqishmja e jashtme,
le të bredhë i patalentuari ngado.
Arti në shpirt ju është futur me afshe
dhe s’mund ta shkulin prej jush, jo!
Le të jenë ditët të vështira shpeshherë,
megjithatë mos i mallkoni ditët tuaja!
Oh, ç’aromë ka tushi dhe guashi në derë,
oh, ç’ajër kanë studiot, rrëmuja…
Unë i thur lavdi etjes me glinën për të lozur
dhe punës me penela deri në mesnatë.
Në çdo epokë si raketet në kozmos
do të enden emrat tuaj të artë.
Dhe le të jetë brengë dhe hall
pagesa e dëshirës që të fluturoni.
Të vdisni s’ju lë arti i madh
dhe arti i madh s’ju lë të jetoni.
QENIT TIM
Në xham shtyn hundën e tij të zezë,
qeni im pret dhe ka vendosur të presë.
Dorën zhys nëpër leshrat e tij
dhe unë pres, pres si ai.
Të kujtohet, qen, që ishte një kohë,
kur këtu banonte një zonjë?
E ç’mund të bëhej ajo për mua?
Mbase motër, mbase do e merrja grua.
E shpesh e më shpesh po i ngjante një bije,
nga unë kërkonte, s’e di çfarë ndihme.
Larg është tani… dhe ti pusho.
Këtu s’ka për të patur grua si ajo.
Qeni im i mirë, meriton të përkëdhelesh,
Ç’mëkat që s’pi, që s’mund të dehesh.
1958
* * *
Gjithmonë do të gjendet dora e një gruaje
ashtu e freskët, gjithë butësi,
që nëse ndjehesh fare pak i dashur,
si vëlla të dhuron qetësi.
Gjithmonë do të gjendet supi i një gruaje
ku të mbështesësh kokën aq të çthurur,
me afshe dhe mund të psherëtish
dhe t’i besosh ëndrrën më të bukur.
Gjithmonë do të gjenden sytë e një gruaje
ku mund të mbysësh vuajtjen tënde,
– të gjithën jo, jo të gjithën, –
që dhëmbjen ta shohin me dhëmbje,
Por është një dorë
e ëmbël ndryshe nga ëmbëlsia,
që të prek ballin e rënduar
si fati vetë, si përjetësia.
Por është një sup
aq i mistershëm sa ai i kohëve,
t’u dha përherë, jo veç një natë
dhe ti e kuptove dhe s’e kuptove.
Por ka sy
që të vështrojnë si me lutje
e janë sytë e dashurisë, të ndërgjegjes
deri në ditën tënde të fundme.
Por ty, i keq i vetes tënde,
ai sup dhe ato duar,
ata sy të trishtë s’tu dukën të mjaftë
dhe aq shpesh i ke tradhtuar.
Por ja, vjen, si s’vjen ndëshkimi.
“Tradhtar!” – shfryn zëri i shqotës.
“Tradhtar!” – ta rrahin fytyrën degët.
“Tradhtar!” – ngrihet jehona e botës.
Vetes ç’t’i bësh, si ta ndëshkosh?
Ç’trishtim, nerva dhe tortura!
Dhe të falin vetëm ato duar të brishta,
aq rëndë të ofenduara,
dhe vetëm ato supe të lodhura
të falin tani e të falin gjithnjë
e vetëm ata sy të trishtuar
të falin atë që vetes s’ja fal më.
1961
MONUMENTET NUK EMIGROJNË
I poshtër s’kam qënë, as i pasjellshëm,
gjení të isha s’kam patur mall,
një monument duhet ta kem patjetër,
a thoshin për mua: frut i rrallë?
Herë me keqardhje e herë pa takt
përsëri pyesin kuturu:
“Vërtet ka ikur emigrant?
Si të braktisësh nënën ashtu?”
Po varri im ku do të jetë?
Një gjë veç di – në Rusi.
S’ka emigruar asnjë monument,
sado të duan, kurrsesi.
Dhe do të kem pamjen e hequr
të një Laokonti afërsisht,
me gjarpërinjtë i kokolepsur
dhe i mbështjellë me fantazitë.
O që t’i jepem qeshjes, hovit,
me uniformë të jem si në paradë,
të tipit të marshall Zhukovit,
marrshimtar mbi elefantë.
S’i janë mërzitur Marshallit vallë
të medaljeve peshat e kota?
Që të luftosh, të dalësh në ballë,
më mirë nja njëqind gram vodka.
Poetët, kokën duke rrezikuar,
pa asnjë urdhër qeveritar,
Atdheun mosmirënjohës kanë shpëtuar,
jo medalje, pështyma duke marrë.
Nga piedestali i saj, pranë timit,
e dashura ime, 18 vjeçarja Bela*,
në krahë do më hidhet mes hutimit,
zbathur, duke lënë këpucët e mermerta.
_______________________________________
*) Bella Achmadulina, poete e njohur ruse, gruaja e parë e Poetit.
LOTË TË VONË
Kafshët janë popuj të tjerë, të racës
që s’priren të qajnë si humanë.
Qajnë qentë, jo të dehur, as ngacës.
Pleqëria i nxjerr lotët, s’i përmban.
Si tek qentë me sy e veshë Neptunë
lotët e vjetër jetën s’e pengojnë.
Keni parë ndonjë dhelpër a lepur ndokund
kur sytë e tu prej qeni lotojnë?
Lotët niagarë i kisha patjetër,
në fëmini kur simuloja jo pa talent.
Lotët e vonë u kthyen në vepër –
marrëveshjen të prish me to s’po rend.
Gjithnjë e më shpesh, me shlyerjen përzierë,
ngashërimet më krijuan shtangiet në prehje.
Që të kuptoj me sy menjëherë,
duheshin lotët e kuptuar prej meje.
Si qen ulëritës të angullija doja
kur arkivoli me mikun përpihej në varr
e të qaja nuk kisha fare forca
e forca nuk kisha as për të mos qarë.
25 gusht 1994
URIM PËR RRUGË TË MBARË
m. Katz
Vetë këmbëve u duhet
të ikin tutje,
rruga s’u kërkon
asgjë rrugëve.
Vetë rruga e ndjen
se duhet një kthesë,
me ne e dashuruar
më shumë ka shpresë.
Gjithë profetët – fals
për ata që s’besojnë.
Gratë tona – rrugë
që dot s’i mësojmë.
Që s’i shkaktojnë fatit
as dhe një rrudhëz,
as njolla në veshje, as
dhe një bulëz.
Duaj fëmijë shumë
me dashuri të njëjtë.
Të turpërohet turpi
nga turpi vetë.
Gjithkush ka një rrugë
në ndërgjegjen e tij,
drejt shtetit a Zotit,
ai veç e di.
Një shqetësim sërisht
ne na arrin
dhe bën që rruga
të mos jetë mashtrim.
Bëhu familjar
me pyje, kodrina,
sa më larg nga lavdia
dhe nga politika.
Dhe në varreza
pranë arkëmortit,
mos rrëshqit me dheun
brenda gropës.
Me vdekjen s’ka grindje,
kur duhet veten jep.
Me të gjallët përjetësohu
si një proverb.
New York – Stancija Zima – Bratsk
Prill 1994
KËRKESA E FUNDIT
L. Evstratova
Shkëlqesive e atyre që s’janë shkëlqesë,
ç’gjëra t’u kërkoj? Ja, kështu pra,
s’kemi më nevojë për udhëheqës.
E kemi një, por në kryq, ah!
Dhe duke nxitur qeshjen e ndokujt,
ka plot që qeshjen e kanë harruar,
ende do t’i kërkoj gjithkujt:
që unë të mos jem i munguar.
Dhe lutem me zë të mekur,
i humbur mes gjithë të humburve,
trëmbem nëse kam për t’u tretur
si një rreze e vogël aurore
në ditën dritë-derdhur.
I kaplluar barërave shkëlqimisht,
gjithandej mërmëris me mall:
“Nuk do të vuaj sigurish,
kur nuk do të jem gjallë.”
Asgjë nuk kam që të bëj thirrje,
as piedestal, as i dekoruar,
por ja që ka dhe përjashtime:
që unë s’kam për të munguar.
Si aromë e fletores së vjetër të poezisë
me petalet e jaseminit të tharë.
Më e tmerrshmja e gjithçkaje – humbja e bukurisë
edhe për botën – llahtar!
Ç’mëkat vdekës të vdekurit të harrosh.
Vdekje, nëse në paqe njerëzit janë lëshuar,
lëri të gjithë të jetojnë e të shpjegosh
që unë s’do të kem të munguar.
I shqipëroi Visar Zhiti
As që e diskutoj si Poet JEVTUSHENKON. I njoh vlerat e tij, por ka një “handikap” në jetën e tij. Në vizioni tim JEVTUSHENKO ka vdekur qëkur pa me lente të zeza luftën e popullit tim për liri. Bërtiste me hossana në mbështetje të genocidit sërb dhe fajtorë, sipas tij, ishin veç kosovarët. Po kështu, gjithmonë në vizionin tim, vdiq për së gjalli dhe nobelisti rus.SOLZHENICINI që u ngjirr duke bërtitur kundër luftës së drejtë të popullit tim. Për Solzhenicinin shkrova një esse ku,nëpër rreshta, nënvizova: nobleisti që lavdisë i hodhi katran.
Një përkthim i mirë e dinjitoz ia shton vlerat poezisë. Këtë keni bërë edhe Ju, Visar. E keni ngritur në majë poezinë e Jevtushenkos.