Qeshem në punë të njerzvet veç pse s’mujë me kja.
BYRON
Fecit indignatio versum.
PJESË E PARË
Ti me gjasë, Nakdo Monici (1) ,
S’din si hecë n’ketë jetë “cicmici”.
Qysh se ty mund t’a hajë palla
Se po kape m’breg me prralla:
Due me thanë, tue vu mbi letra,
Se ç’ka, ndodhë nder kohë të vjetra,
Kinse t’njohë fara e Shqyptarvet
Si pat kenë besa e të Parvet!
Eh! zotni, t’ngjatët Zoti jetën!
Pa shikjoe’i herë kuletën,
E ajo ty ka me t’kallxue
Se shka t’zit ti kë fitue
Me njatë t’bukren Histori,
Qi ke shkrue përmbi Shqypni:
Asë, idhnim pa fe nevoje,
E ndo’i borxh edhë n’shtypshkroje?…
Sod n’Shqypni, more lum miku,
Histori asht metelikuj
Pse per tjeter, per ketë besë,
Veç se i qet ti zavall kresë,
Veç se i lan ti kryet gomarit,
Tu u mundue per fis t’Shqyptarit,
Paj Shqyptarët, si jem’tue pa,
Sod me sod s’janë tue pasë nga
Me u hutue rne shkrime t’ona,
T’cillat s’pjellin napoljona,
As nuk bahen, besa, shkallë
Per me u njitë ku bahet pallë:
Punë qi lypën sod nder në,
Per me u rrekun per atdhé,
Ktu, zotni, t’ngjatët Zoti jetën!
Per pa e luejtë pak gja kuleten,
S’çilet shtek as bahet kangë,
Pse e kanë xanë Shqyptarët atë kangë:
Haja qenit — pija qenit,
Edhe bjer karaduzenit!…
Prandej sod letrarët e shkretë
Poshtë — n’fund t’unve — i lanë pështetë,
Me’i grusht miza në kuletë,
E, hae i keq, kurrkush s’i pvetë
As per osh! — as per balosh!
Kush pat kenun si Allighieri?
E pra n’shekull, thonë, i mjeri
E pat punën rrokopujë,
Tu’u rropatun nper dhë t’hujë
Me Divinen Komedi
Si Per Curri npër Mal t’Zi:
Jo ma na qi i shkojm per nget
Sa prej Vraket der n’Shkorret!…
E ma teper jem’Shqyptarë,
Qi, per t’ urtë e per letrarë,
Kurr n’Shqypni s’mund t’çojm kandarë.
Po e sheh vetë, Zotni, se kokrra
Nuk mund t’lidhim veç me dokrra (2) ;
Se me shkrie — e sterhollime
S’mund t’i a mbushim menden kujë,
Veç kot qesim petlla n’ujë…
Po, a thue e din, mor t’u ngjatët jeta!
Persë libra edhe gazeta,
E pse istore — e kangë arbnore
Sod me sod nder zogj t’Shqyptarit
S’janë tue pasun kurrfarë zarit?
N’mos e dijsh, due me t’kallxue,
Per n’paç ngae ti me m’ndigjue.
Zoti i lum per njerzit mbarë,
Tue xanë fill m’baben e parë
E der m’t’mbramin — rend e rend,
Veç treqind derhema mend
Se ma teper s’u pat da.
Me kaq mend, tash, more vlla,
A mund t’mbushen sa e sa koka
Qi per randë, ndoshta, i ka toka?
Besa, jo; pse edh’asht ndo’i koke
S’cillës s’t’i dalin as gjashtë okë,
Jo se ma treqind derhëm
Qi janë dhanë per njerzit xhem (3) ,
Shka po u del nji pjesë e vogel,
Qi s’mbaston me mbushë nji gogell!…
Prandej gjindja edhe si t’plaken
Disi golle e kanë rradaken,
Si me thanë, po e thom’per gjasë,
Si me thanë nji kungull hasë.
Per ketë punë, po e sheh ti vetë,
Se, sa njerz jemi n’ketë jetë,
N’hatlla t’truvet te kaptina
Ka’i drrasë mëngut t’gjith e kina:
Due me thanë, kem’zi urtije,
Pse e kem’t’gjith ka’i rrem marrije.
Por ktu vetë s’po due me u djerrë,
Hollë e gjatë tue dashtë m’e tjerrë
Sa marri qi ban gjithkush;
Veç seicilli t’vejë m’rabush
Punët e veta, e ka me pa
Se, perzët, fort i a kam gja.
Paj me kenë na bash mirë n’krye,
S’kjem tue pa seri me sye
Ke na shkojn punët kambë e krye…
Bre, e’ma zi kjen punët tue shkue,
Pse kto mend vijn tu’u pakue,
Kah vijn krenat tuj u shtue;
Por Njaj i lum, qi prej Empirit
Sheh e njeh tanë punët e nierit,
Aj mend-lehtit t’bijt e Adamit
Me i ndihmue desht n’ketë rod skamit,
Prande’i thotë nji ditë Shen Nkollitt:
“Tue kundrue un prej ktij trollit
Si hecë puna e rruzullimit
Po baj; seri prej njerzimit
Ke s’u bini nji herë n’kokë
Se ata vllazen janë mbi toke,
E se s’asht fort punë e lmut
Shoqi shoqit m’i a xjerrë trut,
Un kujtoj, s’asht tjeter send
Qi s’u xehet vendi vend,
Veç pse u dava vetë pak mend.
Prandej ulu tash mbi dhe,
E me mend ngarko’i gale:
Del tue shitë kush t’duen me ble.
Por ketë fjalë po t’tham ma t’mbramen:
Kë me shitë sa i biri t’amën,
Pse bajn mendt — ma shum se dhent.”
I Shën Nkolli, kjoftë levdue!
S’ndej atbotë tuj u hutue;
Por ngarkoi nji barkë me mend,
Edhë duel aj per gjith vend,
Per gjith vend e per gjith fise.
Tue shitë mend e tue shitë shise,
Shiti i lumi mend sa shiti,
N’e mbramt udha n’Sh’Njin e qiti.
Por sa i uli n’det spirancet,
Qe’i barkë tjeter vjen prej Francet:
Kisht’dalë Djalli me’i gale
Me shitë shkarpa neper dhe.
U dha zani n’Shqyptari
Se dy barkë n’atë Sh’Njin kanë hi:
Njana mbushë me shkarpa t’vjetra,
Me mend t’holla mbushun tjetra.
Ran Shqyptarët, at-herë, n’kuvend,
E tue folun rend-e-rend (4) ,
E pleqnuen se per ketë vend
Duhen shkarpa e jo mend.
E prandej kta bane toben,
E ma tepër vune gjoben
Per me u la me desh e qe,
Mend Shen Nkollit mos me i ble.
Mandej çuen n’Sh’Njin ke djalli:
Per m’e pvete sa i bate malli.
Edhe Djalli — dreq i vjetër,
Qi tue dashtë nuk ishte tjeter
Veç m’e lanë atë mall n’Shqypni,
U a la shkarpat veresi
Per me dajtë por ma bujar,
S’desht atë ditë me u dhanë pazar,
As s’desht vade me ju da,
Veç se u tha se kisht me u la
Gja — ç’do gja, kushdi se kur
Tue lanë mbrapa ka’i kusur.
Kshtu u tha Djalit, e atje ma vonë,
Mbathne shkarpat babat t’onë.
E s’banë keq, jo, per Tynzonë;
Pse pat thanë nji plak pa dhambë:
Kush s’ka mend do t’ketë kambë,
A e din tash, o lum zotnija,
Pse s’kanë zari kangët e mija
Me sa t’ka ty Historija?
Paj Shqyptarët, t’thaçë, kanë ba be
Mend e shise mos me ble…
Pra, zotni, a e din shka ban?
Hidhi librat mbi tavan,
Edhe rri mandej pështetë
Me duer kryq, me sy përpjetë,
Tue njehë miza — përmbi Ipiza;
Pse m’a thotë porsi shum kujë,
Ka me t’hecë kunglli mbi ujë,
Ka me t’vu ty barku peta,
Kanë me t’ba t’gjith t’u ngjatët jeta!
E ti, i lmuet si nji mermer,
Tuj u shkarrafendë m’minder,
— Kurr me punë, gjithmonë pa nga —
Gjyqin shokve ke m’u a da.
Sa me istore e Skanderbeg.,
Per ketë besë, s’ke me u kapë m’breg,
As kurr ty s’ka me t’hecë zari:
Ka me t’mbetë nen bark samari;
Pse nder në kjo kohë ka ardhë,
Qi nji e zezë me u thirrë e bardhë:
N’emen t’vet sendet s’duen qujtë
Per n’don qyqja mos me t’mujtë
E me t’fry era n’kuletë,
Por me t’shkue tymi përpjetë
Edhë fyellit me i ra pshtetë.
Po, por shka, letrarve t’ngratë
U a ka lanë lija zanatë
Me i thirrë sendet t’gjitha me emen,
Mashkllin, mashkull — femnën, femën:
E prandej kanë shatin n’ujë
E u shkon puna rrokopujë.
Por, pse vetë due t’mirën, t’ande,
E ma tepër pse m’a kande
Qi t’t’nderojë Roma e Stamolla,
Po t’i çoj do kshille. t’holla
Qi Tartufi (5) i ka pasë shkrue,
Per me dijtë si me jetue,
Per me dijtë si me vozitë
Nper tallaze t’shekllit t’ndritë,
Per n’do shndosh me dalun n’va
E n’do n’mjaltë spata me t’ra.
—
(1) Nakdomonici; Dom Ndoc Nikaj
(2) (Dokrra thirren kah Shqypnija. Dija, Kanga e Historija…)
(3) Ka’i fjalë turqë ban lazem.
(4) Shka nder në nuk mbahet mend.
(5) Molliere ka shkrue nji Komedi mbi Tartufin.
PJESË E DYTË
Me t’pvetë Kush se ç’ishte jeta,
Mik e fis thuej ktu asht kuleta!
FJALë E VJETëR.
Tartufi plak, kryetul e bark-sandall,
Nji ftyrë-fudull, sy-xhizhë si gjeraçina,
Dhelpen per vedi e ndryshej krejt batall;
Qi pa shum mund e dije, me dredhina,
5 Porsi hardall i gjatë mbi lule tjera,
Tue kenë vetë hith, u rrit mbi shokë stervina:
T’cillit, kur vodh, i u duk e vogël dera,
E kur n’ketë jetë atij i a leverdisi
Krishtin si Juda e shiti disa hera,
10 Pa pasë nevojë mandej m’u vjerrë te lisi:
Tue dashtë limuet m’e shkue mbi shekull jeten,
Kto kshille t’bukra rresht e rresht ujdisi,
T’cillat me Kempis njitë mbas dekës ia gjetën;
O i biri i Adamit,
15 A do me gzue
Sa t’jesh mbi shekull
Ti tue jetue?
Ti ke me mbajtun
Gjithmonë ketë rregull:
20 Erzin e shpirtin
Do t’losish shrregull.
Do t’shesish vllazent,
Do t’mohojsh fisin,
Sa herë qi n’shekull
25 T’a leverdisin.
Gjithmonë perkulu
Kah t’bjen ma mirë:
Perse t’a marrish
Veten me t’vshtirë?
30 Prandej ti rueju
Se thue t’vërtetë,
N’daç t’xet m’e pasun
Gjithmonë kuleten.
Mundon me, u dukun
35 Gjithmonë shka s’je:
Ma mirë se duka
S’asht gja m’ketë dhe,
T’nanddhetenandtat
Ti n’terr n’daç bani,
40 Por para shekllit
Mos t’dale zani,
Prandej kurr qafen
Mos e drejto,
Gjithmonë germuqas
45 Pak gja ti shkoj:
Pse kshtu i pervujtun
Ti kë me u dukun,
E t’mdhejt nen sjetull
Ty kanë me t’strukun,
50 Kurr sy per sy
Mos kqyr ti njerin.
Pse ndryshej t’zemres
T’a kndojn tefterin.
Kurr mos ban llafe
55 Kur t’jeshë n’shoqni:
Ma e zezë asht llafja
Se nji turpni.
Ma e zezë, po, asht llafja
Qi asht thanë pa sherr,
60 Se nji turpni
E kryeme n’terr,
Hodum do t’dukesh
Perpara shekllit,
Sepse ti msheftas
65 T’bajsh punët e mrekllit.
Kqyr se t’rren mendja
Me thanë ndo’i fjalë,
Qi t’perkasë fisin
Prej kah ke dalë.
70 Kush don me shkue
Limuet mbi tokë
Aj s’do t’ket vllazen,
As fis, as shokë.
Me t’pvetë ndokushi
75 Se ç’fisi je,
Thuej, fis e atme
Na s’kem’mbi dhë…
N’daç p’rherë me t’shkue
Kunglli mbi ujë,
80 Gjithmonë do t’flasish
Ti n’gjuhë të hu’jë.
Si shtupë ti mrrudhu
Perpa ra t ’mdhejve t,
Dridhu si qeni
85 Nen cirka t’heivet,
T’u rrish perpara
Me turi dashit,
N’t’u kandët ty shkopi
I koçobashit…
90 Sa herë t’i ndeshish
Ban me u puthë kamen,
Prrallave t’tyne
Përgjegju: Amen!
Me lavd tymyti
95 Kryq e terthuer,
Pse tash t’qet tymi
T’pjekmen dikuer…
Mundon sa t’mundesh
Me hupë ti veten,
100 N’daç t’xet m’e pasun
Gjithmonë kuletën,
Prandej mos t’lodhesh
Me u zbe nder kndime,
Persë ty dija
105 T’pertrin ankime.
Mjaft asht per ty
Qi t’dijsh me kndue,
Edhë ndo’i letër
Si do m’e shkrue;
110 Pse per ma tepër
Nuk asht nevoja:
Ma fort se mendja
Do t’lodhet goja…
Ku duerët me i njoun
115 Ti munde t’dyja,
Ani se t’rrije
Mbas shpinës arsyja.
Per Zot e mbreten
Mos ban shum fjalë
120 Pse, m’beso mue,
Mirë ka me t’dalë.
Hyj’t ndezia qirin,
O i biri i Adamit,
Ndezia edhë djellit
125 Nji tjeter vjamit…
Me kto msime sado t’vokrra
Nuk jam rrëjtë me fjalë e dokrra,
Porsi rrëhet pula n’kokrra;
Por kam ngranë, e por kam pi,
130 Kam ndeje pshtetun si zotni,
Tu’u da gjygjin shok vet t’mi,
Tue mbajtë ketë rregull
Un hypa m’shrregull
(Po thom, per vedi)
135 E jam tue kndue
Pa fe kujdesit,
Edhë e kam shkue
Si duhet jetën,
E xet kam pasun
140 Gjithmonë kuletën,
E pa u perplasun
Un n’baft kam hasun,
E dij fort mirë,
Kjo jetë a’e vshtirë;
145 A’i det i mnershem
Me guma plot;
Por mbrendë veç mbytet
Njaj qi s’din not,
Qi hyllin arit
150 S’ndjekë t’leverdis,
Por kqyrë ma s’parit
Punët e njerzis,
E jo t’dobis.
Un sod u plaka;
155 Por kurr nafaka
Der m’ditë të sodit
Mue nuk m’ka lanun,
Edhë kam pasun
Gjithmonë me ngranun:
160 Jam majë si njala
E, si kam dashtun,
M’ka hecun fjala:
Jam kenë i drashtun,
Sepse i padashtun.
165 Persë kam dijtun
N’shekull me vijtun,
E nuk kam ndëjun,
Tue rrue kot voe,
Erzin e shpirtin
170 Tue i vu n’oroe;
Por, tue luejtë shrregull
Krahas me djallë,
U vuna m’rregull
E sod jam gjallë
175 Tue bamun palle.
Pse, pra, t’pves ty,
Tue pasë mendt n’kry,
Pa pune t’a marrish
Veten me t’keq?
180 Lumnija e erzi
S’janë gja hae dreq;
Erzi e lumnija
(Ndiej, se t’verteta
Janë fjalë e mija),
185 Ku s’lot kuleta,
Janë dy f jalë t’shkreta.
Sa njerz t’permendun
Janë kalamendun
Prej us e skamit
190 E kanë mbarue
Pa pasë as vorrin
M’e salikue?
Por vetë, — kqyr seri! —
Qe pa shum dije,
195 Shndosh si skyferi,
Jam ndejë nen hije,
Tue ngranë me shije.
Njeri me letër,
(Asht shkrolë e vjetër),
200 Kurr m’breg s’mund t’kapet:
Shekllin e njof!
T’a dijsh, sot njerzit
I kanë trut n’zgrof,
Kush din sot çarkun
205 Ma t’mirë m’e ngrehun
Per me zgja barkun,
Aj ka me u njehun
Per mende-prehun.
Kur barku koder
210 T’kersase loder,
At-herë punët t’gjitha
Hecin per fille,
E per në sheklli
Qet drandofille;
215 At-herë asht vlla
Seicilli niri:
Mollë e pa-da
A’i keqi e i miri
E dreqi e i biri.
220 Vllazen na jemi,
At-herë, pse i kemi
T’tanë nanat gra,
Per kshtu jem’, po,
Lazer — e vllazer,
225 Per ndryshej, jo;
Per ndryshej moter
E vlla njimendit
Mos mbaj kend n’voter,
N’dashtë t’jet i vendit.
230 N’dashtë i Kelmendit.
Prandej sa t’jesh
Nder mend t’a kesh,
Se asht barku n’shekull
E fis e erz,
235 Atme e liri,
E Zot per njerz;
E se, pa fjalë,
Njeti n’u daresh,
Ti ke me dalë
240 (Si e dij prej s’parësh)
Së dy gomarësh.
NAKDOMONICIPEDIJA (1907)
Fecit indignatio versum.
PJESë E TRETë
A e din tash, Nakdo Monici,
Se si hecë n’ketë jetë “cicmici”:
Se me kangë e pendë e letra
E me istore — prralla t’vjetra,
5 Veç se e mbajm na shatin n’ujë
Per t’zezë t’onë e jo t’tjerkujë?…
S’duhet, jo, sod mendja e hollë
Per me u ndie n’Romë e n’Stambollë
Por se duhet veleti,
10 Pak burrni — me shum dredhi;
Me e mbajtë gjuhën ngrit nder dhambë,
E me i zgjatun veshët nji pllambë
Per me ndie se kah fryn era…
Me vozitë andej m’at-hera,
15 Oh! po besa, e kam pa qeshë.
N’Shqyptari sod duhen veshë,
Sa, krejt veshë, tham, do t’jet niri,
Per me u kapë ku e shtyn dishiri.
Duhen veshë, e s’duhet tjeter,
20 (M’ndigjo mue, pse asht fjalë e vjetër).
Duhen veshët me u matë me meter,
E atbotë s’ke nevojë per leter
Pse ty puna t’hecë per fille
E t’qet shkjopa drandofille…
25 — Jo, ma m’thue, se duhet dija,
Pse sod n’terr ka ngelë Shqypnija
E pse gjuha, sado vona,
Kisht’me hupë pa shkrime t’ona. —
Pse Shqypnija asht n’erresi,
30 Ku po t’dhemb, more zotni?
Mu, asht per t’ba ma lum e lum!
Me kenë n’terr edhë ma shum;
Perse n’terr shum e shum herë
Gjuehen pare pa tefterë,
35 Edhe n’terr ma se nji niri,
T’parin vend ka xanë pa hiri
Ka pasë thanë edhe’i krye-repët:
Verë e dimen kualt e shkepët
Gjejn kullosë në dhe të verbë.
40 Pra, zotni, nder mend asht shterbë
Kushdo sod, a plak a i ri
Don m’u ba kandil n’Shqypni;
Pse, qe besa, aj tjeter s’ban,
Veç se kot rreh ujë n’havan…
45 E i a lanë t’gjith n’tallagan.
Mbasandej per gjuhë shqyptare
S’ke pse e ban, jo, kryet matare;
Pse Shqyptarve, asht tue m’u ba,
S’u vien gjuha tjeter gja,
50 Veç me pshtjellë e me ngatrrue,
Per shoshojn veç me shprrallue,
Punët e mbara me i shkatrrue:
Sa per kta edhe’i gjuhë magjype
Na hin n’punë sa gjuha shqype…
55 Posë ksajë fjale, kem’pasë ndi’,
Kur kem’kenun n’shkollë si fmi,
Kem’pasë ndie se asht gjuhë barbare
Njikjo gjuha e jonë shqyptare.
Pra le t’hupë kjo gjuha e jonë
60 N’dashtë sivjet a n’dashtë ma vonë,
Pse kjo asht shkalla e qytetnis
Prej kah rrjedhë drita e Shqypnis…
E, medjë, kso drite s’re
Mjaft tue shndritë asht sod mbi ne:
65 Kshtu, po e xam, s’asht drite e vogel
Qi jo veç se fmi krye-gogel.
Qi jo veç se kalamaj
Por magjypë edhë hamaj
Nepër shkolla — e nepër ksolla
70 Sod na flasin n’gjuhë të hujë,
Si asht dishiri i s’dij se kujë.
Per ketë punë mujm me shpresue
Se per s’mbarit jem’tue shkue;
Pse, si shqypja t’jet harrue,
75 (Si do mjeshtra e pa’n spjegue),
Ka me u hapun atbotë Feja,
Kanë me bijtë lulzime t’reja
Kanë me u shtuemun fise e… t’dheta,
E per mjeshtra, — eh, u u ngjatë jeta! —
80 Kanë me çilë bibaj e pata
Edhë n’mjaltë ka m’u ra spata…
Qe, pra, ty s’t’bin kurrnji sherr
Pse Shqypnija t’jese n’terr,
E pse vendin gjuhës shqype
85 N’dashtë t’i a xajë nji gjuhë magjype.
Pra, gajret! mos merr n’qafë veten,
Mos e shkyej ma fort kuleten
Tuj u rrekë per t’mirë t’Shqypnis.
Shporru gjuhës e Historis;
90 Shko mbas hyllit t’leverdis,
Per n’daç shndosh m’u kapun m’breg.
Sa me istore e Skanderbeg
Po t’kallzoj, ke me mbetë n’zalle,
Tue vajtue vehten per t’gjallë
95 Qe edhe vetë per udhë sod t’vuna
N’do me t’hecë per s’mbarit puna.
Pra: n’kje send qi nuk m’ndigjove
Per ketë besë vrik u pendove!
Un e dij, se ti m’at’anë
100 Tue m’qestisun ke me m’thanë:
— Pade’i herë se ç’ke fitue
Me kto kshille qi m’ke çue:
A veç t’duket nji farë fallit
Pse, si hut ndeje m’atë breg zallit,
105 Je ma e mbramja birë kavallit? —
Eh! kadalë, — moj zemer valë,
Pse vjen moti per kadalë,
Njado kunguj qi n’ditë t’sodit
I sheh nalt, sado t’jen rodit,
110 M’beso mue se per nji ditë
M’ato maje ata s’janë njitë;
Por janë dashtë do javë e mujë
Per me i kcye m’qafë tjetërkujë —
Per m’u njitun ata grreça
115 M’maje t’lisave ’iqindvjeça,
Kshtu edhe na, kadalë-kadalë
Si ata kunguj kem’me dalë
Vrik m’ndo’i maje, e atbotë shih seri
Se si ndrron me’i herë tefteri.
120 Pra, ndigjo kto kshille t’mbara
E m’mbajë mik porsi përpara.
(1907)
Qa dmth fjala shise se nuk po mund me gjet
Ne vargjet
Paj Shqyptaret t’thaqe kan ba be
Mend e shise mos me ble.
Shise eshte fjale nga dialekti i zonave te Shkodres, do te thote fshese.
Shise don me thane shitje, pra e shkruajtur sipas shqipes zyrtare keto vargje jane
Por Shqiptaret te thashe kane bere be
Mend me shit e mos me ble.
“Shise” eshte fjale nga dialekti shkodran, dhe do te thote “fshese”.