XXV. MBI VORR T’ AT ANTON M. ZANNONIT S.J.
Me 16 fruer 1915 vdiq A.Zannoni. Kumti i zi prekë thellësisht zemrën e Fishtës, i cilli me këte karm shpreh pikllimin e vet për vdekjen e mikut letrar. U botue në Perparimi, në Mars 1915. Atëherë, kur Shqypnija pritte me uzdajë ma të gjallë ndihmen prej Tij, Zannoni vorfnon vëllazënt, miqtë dhe Atdheun. Vdekjes nuk mund t’i brishtë kurrgja.
Kur ma i ngjethët çilë lili, rrezët zhiguese e thajnë; e kur ma ambël bylbyli nderlikon jonet, bijën cangull në tokë. Sado të mundohet njeriu, nuk mund t’i shpetojë vdekjes, as ai as vepra e tij. Sparta e Kartago u zhdukën. Me vishtirsi do rrenime na flasin për Romën e herëshme. – Por vdekja s’ ka pushtet mbi emën të njatij burri, qi la nám në fisin e vet. Homeri, mbas ndrrimit të sa stinve, endè gjallon. As ti, Zannon, për né s’ké vdekë. Ti kjé, qi lype edhe i gjete mëshehtësitë e gjuhës shqype, e raven çile për me stolisun fjalën e shllimet; e nëpër tejza lyret dijte me nxjerrë jone t’ambla.
Shqypnija s’ka me të harrue emnin, Ajo, edhe sot, pret prej së Nalti ndihmën T’ande për këte dhé, ku derdhet kot sa lodja e gjaku!
Zannon, a diqe? A ‘i mend se shì m’ atëhera
Kur Kisha e kombi n’ Shqyptari t’ mjerueme
Ndihmen t’ande me uzdajë ma t’ gjallë e priten
Ti lae kto zaje, e per nen cem t’ nji guri
- Sod kalbe n’ vorr?!…Ty Vllazënt t’u t’ kanë pasun
Pasqyrë jetët: Thalb zemret miqt, e e bardha
Uzdajë e Atdheut, djelmnija, diell t’ shkelxyeshem
T’ ka pasun, po, nder t’ ashprat shtiqe t’ dijes
E nder caktime t’ megjevet t’ urtis:
- Pse pra, me dekë? Pse kshtu n’ mjerim me i lshue
E vllazent t’u, e miqt, e mbarë Atdhén
E ngratë, heu! Keqas sod prej dhunet shkelun?…
O dekë e mnershme! O dekë tri herë e shueme!
Sa e gjatë kenka kosa e jote e namuna,
- E larg po mbrrika! Soje kush nuk pshtueka,
as s’ brishtka kush! Qé, i njethët porsa hapë lili
Kelçin e erandshem per me thithë prej dritet
Nèktarin e gjallimit t’ vet, zhiguese
N’ té prej visevet t’ ndritshme shkrepë nji rreze
- E n’ palc t’ kerthnestët e jetës ia shterrë, e fije –
Fije per tokë e lshon. Vallzon bylbyli
_______________________________________________________________
Kur Kisha …: A. Zannoni vdiq i ri, 52 vjeç, në kohë kur mujte me punue, e kur ndihej ma fort se kurr nevoja e punës së tij. Shqypnija, me gjithse ishte shpallë e Pamvarun, nuk pau ditë të mirë prej fqinjsh. – kto zaje: ketë tokë të shkretë, në kundërshtim me viset përherë të blerueme t’Elizit. – cem: gur, shtuf. 5. Vllazent t’u…: Bashvllazent e Shoqnisë së Jezuitve, së cillës ai i përket që nga viti 1879. 6. e e bardha uzdajë…: opozicion djelmnija. 7. diell…urtisë: Për 22 vjet qi kaloi në Shkoder Zannoni, me mësime e këshilla kjé udhëheqës i moshës së ré. Ai kjé i paisun me kulturë klasike dhe u mundue me i ushqye në zemer dashninë për letersi greke e rromake, me shije të vërtetë letrare. 9. megjevet: kufinjë, caqe. 12. e ngratë: e shkretë. 13. e shueme: emjerë. 16. As brishtka…: as nuk mujka kush me rrëshqitë dore. 16-27. Qé i njethët..: i njomë, i blertë. Poeti ndaj ashpërsisë së vdekjes, tregon se Zana e tij asht edhe e butë dhe din me prekë me shprehje t’ambla e të ndieshme. 17. kelqin: kupen, kelkun, kelshejti. 18. Nektari mbas mitologjisëishte pija e Zotave, ashtu si ambrosija gjella e pavdeksisë. – zhiguese ose zharitëse. Folja zhigatë përdoret edhe kur njollosët dishka, kryesisht në fëtyrë kur nxihen fëmija. 20. të kerthnestët e jetës: gjallnia e jetës.
-76-
N’ per hije t’ rita t’ lugjevet t’ blerueme,
E mali e fusha nder kangë t’ tija kndellen;
Por, kur ma t’ ambla i nderlikon ai jonet,
- Dishka atij za’n atëherë ia kputë, e cangull
Prej gêmbit t’ blertë e qet m’ elmashk t’ ndo‘i prroske,
Ku do t’ eshtet gjithmonë. E nieri? Ah! Nieri
Kot muer i shuemi shtiqe t’ ashpra e t’ grisuna,
E male kapercei, e doli dete,
- Per me pshtue teje, dekë: Ti, p’rherë mizore
Gjithkund e ndeshe, e mbi krye t’ tij madhshtuer
E mbi vepra, qi duervet t’ tija dolen
Të that kerrçikun pa mishirë randove
E n’ humnerë t’ harresës i kapërdine.
- Ku a Sparta n’zâ? Ku a’ e drashtna aq fort Kartago?
E Romet t’ hershme shka teproi n’ ditë t’ sodit
Per me dishmue madhnin e saj? Do mure
T’ shkatrrueme e t’ thata sod me’mzi na flasin
Se ‘i Çezar n’ Romë zotnoi! Gjithshka mbi shekull
- Des e kalon: E gjaja e gjallë e nieri
Shuhen, e frone biejn, e biejn qytete;
E rroposen mbretni me aq gjak t’ ndertueme.
Por edhe dita, sado vonë, do t’ vije,
N’ t’ cillen do t’ shêmet pesha e rruzullimit
- E toka e zezë, e hana, e hyjt, e dielli
Leskra-leskra, si hjedha n’ ajr, do t’ enden
Neper golle t’ kthellueshme t’ t’ hapët Empirit.
Veç, po, dersa mos t’ shkimen hana e dielli
E e mbramja cirkë n’ Oqean t’ kthelltë mos t’ shtrrasë,
- Emni i atij burri, qi per Atme e Fé
La nám n’ fis t’ vet, ai p’rherë gjallon, e deka
Mbi té pushtet nuk ka. Kot fletët e ngrita
Rreh koha m’ té, ‘dhe kot e shplakë thellimi,
_____________________________________________________________________________
21.t’rita…: t’ritueme prej veset. – t’ lugjeve: luginave. 23. kndellen: pertrihen. 24. i nderlikon: i dredhë harmonikisht meloditë e veta. 25. cangull: pikë gjallë, coftë, ngordhur. 26. prroskë: grykë prroni edhe pa ujë. 30. Qi të shpetojë nga ti. 33. Të thatë kerçikun: Shpjegue në vjerrshë “Burrnija”, str. 10-16. – 35. Ku a’ Sparta…: Nji shtet i vogël i Greqisë në Poloponez i përmendun për ligjë, dishiplinë e trimni. – Kartago: qytet i vjetër n’Afrikë veriore, në breg të Mesdheut, ka kenë kryeqytet i nji republike të fuqishme. Themelue nga Fenikët, në vitin 814 p.K. Mbrenda nji kohe të shkurtë fitoi zotnimin e deteve. Ishte qytet kundër Romës. Në shek. III p.K. pushtoi Korsiken, Sardenjen dhe nji pjesë të madhe të Siqilisë. Pushtimi kjé shkaku i luftës mes Kartagut e Romës. Mbas tri luftash të rrebta, të quejtuna Punike, Kartagu kjé rrënue kulm e thëmel prej Romakve (146 p. K.). Katoni plak kjé aq kundërshtar i fortë i Katagut, sa qi çdo bisedë të veten e mbyllte me fjalët e përmenduna: “…ceterum censeo Carthagimen esse delandum.” (…për ma tepër unë jam i mendimit se duhet të rrënohet Kartago). 37. Do mure….: Dhe me të vertetë prej gjithë asaj madhnije, qi ndriti Romën sidomos në kohen e Augustit, nuk mbeti të thuesh kurrgja: Rrymës së moteve e sulmit të barbarve me vështirsi mujten t’i shpetojnë ferkeme ledhesh (gjurmë thëmelesh) dhe ndërtesash të saja, qi dukeshin se përballojnë shekujt!! 39. Gjithshka mbi…: “debemur morti nos nostraque” (Horat. Ad Pisones, v. 63). 51. la nam….: ka lanë nji za të pavdekshem në komb të vet. 52. fletët e ngrita: Paraqitja asht marrë nga koha e vjetër, qi përftyronin kohen si nji plak ndejun mbi nji glob, pse rrjedhë përherë, me flatra ndër
-77-
Pse s’ mund t’ a grisë kurr: Ato veç presin
- Qi dryshk mos t’ vêjë e qi edhe mbas veriget
T’ gjatë kavaljetesh t’ i shkelqajë mbi shekull
Ari i kulluet. – Homeri enè nder né
Gjallon, e sod, edhe, na vjen se e shohim
Kè, i verbtë s’ dy sysh, derë m’ derë neper Meone
- Shkon bukë tue lypun me lahutë nen stjetull
E kashatat e mykta, me të cillat
Sheklli gjithmonë ushqei burrnin e dijen,…
Me ato kangë i perligjë, qi mort nuk shohin:
E pra, sa stina mbi vorr t’ tij asht shndrrue!
- Po, po, Zannon; sado qi sot detyren,
Heu! Teper shpejt, t’ u desht natyrës m’ ia la
E mbrenda vorrit mje’ m’ at ditë me u eshtun,
N’ t’ cillen do t’ t’ grishë burija e mrekullzanit;
Prap, me gjithkta, per né as ti s’ ké dekun
- E n’ mende e n’ zemer t’ onë enè ti gjallë sod jé;
Pse brez mbas brezit, mje’ m’ ma t’ largtat mote,
T’ bijt e Shqyptarvet me evari prej zemret
Emnin kanë me t’ bekue. Ti, njai po, kjé,
Qi t’ mshehtat fije gjuhës shqyptare i lype
- E i gjete, e i ende, e neper dhambza t’ dijes
Me shum holli i pershkove e raven çile,
Kah Shqyptari do t’ mbajë per me stolisun
Fjalen, e shllimet per me i shprehë per s’mbarit.
E kur termales s’ rryeshme t’ t’ naltë Parnasit
- Ndo ‘i herë – ndo ‘i herë ti u njite e m’ kreshtë u kape
Nder valle t’ Zanavet, kaq jone t’ ambla
Dijte me xjerrun neper tejza lyret,
Sa mendja e nierit, permbi fletë t’ prarueme
T’ s’ hyjnueshmes harmoni, nalt – nalt rrëmbehej
- Mje’ m’ fron t’ shkelxyeshem t’ Perendis t’ Amshueshem,
Ku, porsi n’ nji dét ndritet krejt pershi
Me rrexe, kndellej e travajët e randa,
E dhunen e trathtin e lott e t’ fshamet,
Prej s’ cillash, t’ thuesh, perbahet n’ shekull jeta,
____________________________________________________________________________
kambë, pse fluturon pa pushue. – kot e shplakë thellimi: kot mundohet stuhija t’a shkretnojë. – t’a grisë kurr: nuk mundet kurr me e coptue. 55. mbas veriget…: mbas robnisë së sa shekujve. 58. na vjen: na duket. 59. I verbët dy syshë: ndeshemi shpesh në shkrimtarët e vjetër, Për Homerin nuk dihet gja me siguri. Kështu e paraqet legjenda. 61. Lexo: e i perligjë (i shperblen) kashatat e mykta…qi mort (të pavdekshme). 64. sa stina: gati tri mijë vjet. 66. teper shpejt: vdiq i ri kur mujte me punue prap. 68. burija e…: burijat e Engjujve me za të mbrekullueshem, qi do të thërrasin shpirtënt për gjykim të mbramë. 71. mje’: deri. 72. evari: mirënjohje. 74. Me klasiçizmin Zannoni bashkoi nji dashni të posaçme për gjuhën shqipe. Studjoi trajtat e sintaksin tue lexue pa da shkrimtarët e vjetër e ata të Tosknisë. Kjé hartues edhe i fjalve të reja, pa sukses. 76-78. shllimet: mendimet, idetë. 79. termales: përpjetës. – Parnasi asht nji mal i naltë i Greqisë kushtue Febit (Apolit) e Zanavet nder poezi. Zannoni kjé edhe poet, por hartoi edhe vjerrsha shkollore. 82. tejza: tela, kordha. 87. kndellej: përtrihej. – travajët: mjerimet.
-78-
- Krejt i harrote. Ah! Po, se Shqyptarija,
Dersa n’ ndo ‘i zemer gjak shqyptar t’ gorgulloje
Emnin s’ ka me t’ harrue; e nder fatosa,
Qi raven e Liris Atdheut ia çilen
Neper armë t’ fés e t’ dijes, ka me t’ njehun
- E me t’u bindë e evarshme.
Por Shqypnija
Prap ndihmë, e mjera, pret, Zannon, prej teje!
E prej Parrizit, ku, shpresojm, se gjindesh,
Ma fort se kurr ti mundesh sod me i vjeftun:
S’ mundet me kenun qi n’ atë vend mishriret
- Lutja e nji t’ drejti t’ qitet poshtë e t’ shkelet.
Thueju, pra, nalt, sa lodja e gjaku derdhet
N’ Shqypni pa punë; sa ksaj me poshtersi
Gjyqin sot njerzt ia bajn, e si Shqyptari,
Ku prej padijet, ku prej epshit rrejtun,
- Sod a’ e zeza e vetvedit. Edhe thueju,
Se vetem, po, prej qiellet pret Shqypnija
Jetë e Liri, e se prandej né qiella
Doren t’ na njesë, e sa ma parë anmiqvet,
Qi humbë duen me na pa, me t’ rrebtë fuqi
- Menden t’ ua rysë: se veç nji Hy t’ Amshueshem
N’ dorë ka shartet e popujve, e pa hiri
Se s’ len me u shue Ai kombet. E Ty, asobote,
Nji elter Shqyptarët kanë me t’ ndertue mermerit,
Ku emnin t’ and nder kangë kanë me kremtue;
- E kshtu dersa t’ terrnohen stinët e motit
N’ zemer t’ Shqyptarit ké me rrnue gjith-hera.
________________________________________________________________
Asht viti 1915. Plagët e luftave qytetore janë endè të hapuna. Fati i Shqypnisë asht pezull. Poeti asht psikolog i madh i fisit të vet. Pesë shekuj robni kanë errësue menden e ligështue vullnetin e popullit shqyptar. Vuejtjet e kanë trandë e demoralizue shpirtnisht. Për këte arsye Poeti nuk përdorë frushkullin e satirës. Kërkon ndërmjetës tek Hyji, i shtymë nga dashnija e pa kufi. 111. pa hir: gand, kot, padashje. 112. aso bote: atëherë. 115. t’ terrnohen: shndërrohën.
Shenim (F.R.): At A.Zannoni ka lé në Durrës në vitin 1863. Ka vdekë në Shkodër me 16 Fror 1915, dhe asht varrosë në Kishën e Jezuitve, po në Shkoder.
Tue lexue vargjët e Fishtës:
….E ty, asobote,
Nji elter Shqyptarët kanë me t’ ndertue mermerit,
Ku emnin t’ and nder kangë kanë m’e kremtue; …..
Kujtoj vitin 1967,….kur eshtnat e A. Zannonit, Passit, Jungut etj. u hodhën në Drinazë, kur në Shkodër zhvillohej “Revolucioni Ideologjik e Kultural”. Ky ishte një ndër “monumentët” që komunizmi oriental la në historinë e mënershme të Katoliçizmit Shqiptar në Shekullin XX.
Komentet