VII. DITËN E TË SHUEMVET.
Dita 2 Nandor e vjetit 1913, ditë e kushtueme në mbarë boten katolike perkujtimit të të vdekunve, e terhjekë Poetin dhe me njiherë mendimi i shkon té ata “qi me gjak praruen namin e Kombit e Lirinë ia sollen” tue shpetue Atdheun prej robnisë së Turqve të Ri.
Nji permendore, ngritë mbi vorr të nji djali të nji dere bujare, të shkimun (zhdukun) para kohe prej epshit, e ban me kujtue së pari se do t’ishte ndonji muranë, qi Atdheu kishte ngritë per me perjetësue herojt e vet. Por menjiherë kujtohet se vorret e tyne i kishte mbulue harresa. Mbasi brigon pamirënjohtjen e Shqyptarvet ndaj Fatosavet e kombit, Poeti plot nderim ulet e puthë bûcen e vorrit, tue ua dijtë vetem Atyne shpetimin prej nji anmiku, qi ishte betue me i shqimë Shqiptarët. E mbasi përshkruen furinë e terbueme të sulmit t’anmikut e qindresën titanike të Herojve, u premton se “para se do të zbardhet penda e korbit dhe, e bardha rreze dahet prej diellit” se Zana e tij do t’i qitte n’harresë.
Kjo kangë e botueme në Hylli i Dritës, vj. I, Nandor 1913, e qi thirret ma fort carmen, asht nji ndër ato poezi lirike të Fishtës, qi në letersi tonë nuk ka shembuj, e qi krahasohet me ato ma të përmendunat e leterarvet të rinjë. Shkrue në njimbëdhetërroksha të zgjidhun – si asht zakon – naltohet hove-hove në kulmin e njij intonacioni epik, si në këte ashtu dhe në “In hoc signo vinces”paraqesin njomsi e delikatesë të posaçme lirike. Në Nji lule vjeshte,e Mbi vorrt’Anton M.ZannonitS.J.;mërrijnë në kulmin e përshkrimit të kataklizmit të rruzullit, tue u shpreh sidomos me fëtyra imitative në Dita e Gjyqit e, së mbramit, me Emancipacioni i kombit shqyptar del në shesh nji ndër nota karakteristike plot sarkazëm e ironi të Muzës së Fishtës. Edhe me këta carmina non prius eudita Poeti deftohet nji Musarum secerdos i vertetë i letërsisë sonë, ku këndon Atdheun dhe zgjon ndiesi për virtytet burrnore t’ Kombit.
I kuj do t’ jet njaj vorr, mbi t’ cillin mvaret
Kunorë lulesh e blertë e qi madhnueshem
Zotnon mbi fang t’ mjeruem, porsi shatorrja
E njaj Tyrani zemer-gur, i cilli,
- Mbi shegj Persijet pa kujdes pështetun,
Nder kandje t’ prujtna të ksaj jete kndellet,
Mjesá besniku ushtari i tij nen t’ randin
Hekur t’ anmikut rrokullohet dekun
E zhytet n’ gjak? – Nji djalë bujari
- Mbrendë n’ atë vorr asht kondisë. Ky lé mbi pupla
E rritë n’ ar e n’ mundash, mbas epshit lodhun,
Qi fletët e jetës per nen krahnuer ia brejti
E e kalbi gjall, mbi pupla u shkim, si e tmershmja
Flakë e nji vorri shkimet. Prej mermerit
- T’ dhênun mbi vorr njat permendar t’ madhnueshem
Prindja, shemtuemun deke s’ tij, ia vune
Peng dashtnijet dér n’ ma të largtat mote;
T’ hijshme kunoren mbasandej blerimesh
Sod nji dorë alabastrit m’ vorr ia pruni:
_____________________________________________________________
- mvaret: lavieret, viret poshtë; 3. fang: tokë e papunueme, djerr, shtoj. – t’mjeruem: vend vaji e pikëllimi. – shatorrja: çader, tenda ose shatorr. 5. shegj, shtroje, hali. 6. nder kandje t’prujtna: nder andje t’ulta. – kndellet: pertrihet, merr fuqi të reja. 7. mjesa: ndersa. –nen t’ randin hekur t’anmikut: prej shpatës së anmikut. Vërej kontrastin e sunduesit të pashpirtë dhe ushtarit të tij, qi për me krye detyren vdes si nji ushtar besnik ndaj prijsit të vet. 10. – kondisë: perdorë në veshtrimin metaforik për me vorrue. Fjala në kuptimin e parë asht me ra mik, me bujtë. N’Gjenoviq Marashi a nisë – Ké Çun Mula me kondisë (L.Malcis. kang. XII, fq. 124.). 12. Qi fletët e jetës…kalbi gjall: Perftyron nji kenje me flatra nën stjetulla, qi shkojnë tue u bré. 13. U shkim: u shue, mbaroi. Ven ré: Ky lé mbi pupla…u shkim, u shue. 15. permendar: monument, të piklluem prej vdekjes së tij, të mjeruem…19.mbi vorr ia solli.
Nji dorë alabastrit (e bardhë) ia vuni mbi vorr.
-13-
- Nji dorë, e cilla, mjesa ai bani hije
N’ tokë e Prendvera çili per té lule,
I a pat grabitun me perkdhjelje t’ prujtuna
Gjan edhe nderen. Me atë kunorë lulzimesh
Mallin dishmon, qi ajo per té ka n’ zemer.
- E po n’ vorre t’ fatosavet t’ nderueshem,
Qi m’ kto t’ egra male e bjeshkë t’ thepisne,
Si ulàj t’ pergjakun me trimni spartane
Rrebtë tue luftue per Atme e per Liri
Shqypnis iu bane fli, a thue m’ kto vorre
- Sod ‘i kunorë Atdhéu ka per t’ u a çuem
Si peng çmimit e bindijet e nderjet
Per shka ata psuene per Liri t’ bekueme?
Jo, jo! Per burra, qi me gjak praruene
Namin e kombit e Lirin’ i a sollen,
- Atdhéu kunora s’ ka. Per ta nuk dhênet
Gur, as nuk ndezet qiri. Mbi vorr t’ tyne
Shperthen rrushkulli e fermana, strukë nder t’ cillat
Pret dhelpna e shqarthi, dér’ qi rrezja e diellit
T’ shkimet e hana per mbas malit t’ ngrehet
- E zbét me shndritun n’ hapesirë të Qiellvet,
E kshtu, pa droje t’ ndo‘i anmiku t’ mshehun,
Me rmue nder vorre, e me shpuplue
Eshtnat e tyne per Atdhé shkatrruem.
Heu po! Burrat e dheut, qi m’ armë mizore
- Rrokullin dynden per Liri t’ Shqyptarvet
E flakë ndezen Evropen, e qi e shuma
As vorr nuk paten me u kondisë per s’ deknit,
Veç nper t’ errshmet humnere e neper prroska
Kurmat e tyne shkaperderdhë per dhé
- Prej orlash edhe korbash t’ zez kjén shkyem,
Shqyptarët, po, i kanë harrue; e mjesa orvaten
Kta fjalët me i gjetun t’ ambla e t’ kumbueshme
Veshin e t’ huejvet me lurtue me lavde,
E gjan n’ ar e n’ kremiz pa dhimbë e tresin,
- Vashavet t’ veta me ju a shtumun çmimin,
Kur ktyne ndera neper t’ huej t’ u shitet,
Nder mend s’u bjen, jo, per fatosa t’ vendit
_____________________________________________________________
- me perkdhelje: me të joshuna, maklime; 27. me trimni spartane: Sparta kje nji qytet i pa forcuem me ledhe, në vend të tyne kjene krahnorët e qytetarve. 31. bindijet e nderjet: në shenj nderimi ndaj tyne; 33. me gjak praruene…me gjak vulosën me shkronja t’arta; 35. per ta nuk dhenet gur….Në Shqipni nuk vehet përmendore në vorret e heronjve, nuk ndezën qira në vendin e vrasjes….- Këtu mund të fshehet edhe nji parandjenjë e Poetit, që tek na vorret e të nderuemve të Kombit humbin, ashtu si humbi edhe vorri i Fishtës në 1967, i dhunuem nga komunistët me “Revolucionin Kultural”(shen.F.R.). 37. rrushkulli, bimë me gjeth therës të vogjel; strukë, fsheh; 42. me rmue. Me grrye, gropue; 44. shpulpue: me i çveshë prej mishit eshtnat. 45. rrokullin dynden: Mbarë bota u çue peshë nga kryengritjet e 1911 – 12; 48. prroska: gryka prrojesh; 50. orlash: shpend rrembyes i madh me kokë të çveshun puplash. 54. Mendojnë vetëm për pajë per me iu rritë vleren e nderës së humbun.
-14-
M’ ndo ‘i rrasë t’ latueme me i zgavrrue dy shkrola,
Abolla nipat, qi do t’ vijn t’ u rritun,
- T’ shohin e t’ njohin si p’r Atdhé qindrohet
E diset kah Shqypnija. Ah! Nderëpermysësa
Si ‘i herë ‘i herë Shqyptarët! Per kta terthorja
E barkut asht, po, zemer, Atme e Fé,
E nderë, burrni e nami i parë në ketë jetë.
- Por t’ shuej, n’ dashtë, per fatosa t’ vet Shqyptari
Perse ‘dhe gjuha e tij, msue me tregtue
Mbi Atme t’ vet, porsi mbi krye t’ nji bêrri,
Nuk asht, jo, e dêjë per me nderue fatosat,
Qi per Liri t’ Shqypnis u bane flije:
- Namin e tyne per m’ e kndue si duhet,
Omiri lypet, lypet Iliada.
Heu! Ju burra të dheut, m’ t’ dy gjujt, po, un ulun
Perpara vorrit t’ uej, po puthi bûcen
Endè me gjak t’ uej t’ rîme e qi mbi krye
- Ju pret furin e motit, urë – pervûjtun
Un ktu po u falem, edhe juve u bindem,
Porsi martyrvet t’ atmes s’ onë t’ derptueme,
S’ cilles me gjak Lirin perligjë ia kini.
Oh po! Mos t’ vlote ai gjaku i juej p’r Atdhé
- E gjyq mos t’ lypte ai para fronit t’ qiellvet,
Po, se kto bjeshkë e njikto male t’ona
Shqypni ma s’ ishin quejtë; as shqyp s’ isht’ lutun
Ma i Madhi i jetës, qi n’ dorë ka fise e popuj:
N’ ndo’i gjuhë barbare t’ Turkestanit t’ eger
- Nana Shqyptare njellë u a kishte gjumin
Nipavet t’ Skanderbeut: e Atme, e doke,
E fis, e emen t’ tana djerrë i kishin;
Pse bén anmiku n’ Salonik pat rrahun
Me i qitun dheut Shqyptarët, e t’ fortë, mizore
- Fuqi ai dyndi, per me çue barbari
Atë bé barbare n’ vend. Grykës s’ Kaçanikut
U derdh, po, anmiku anekand Shqypnis,
Si shé, qi nisun prej ndo’i maje s’ eper,
Mbas krismes s’ nji thellimi t’ perfrigueshem,
_____________________________________________________________
- kremiz: kadife ngjyrë e kuqe e ndezët. 58. t’latueme: t’gëdhenuna. Zgavrrue: me çilë lug, kanal në gur. 59. Abolla: me qellim që, kshtu që; rast i rrallë qi perdorë turqizem.
- nderpermbysësa: mosmirënjohës; 62. Mosmirënjohja e mbushë me duf qi shperthen tue nxjerrë ket të mbetë të shqyptarvet per shesh. Nga kjo gjenë fjalen terthorja e barkut: terthor asht shpati, metaforë e shpirtit pa ideal fisnik. 66. të mësuemit me ba tregti me Atdhé. Bêrri: në kuptim të berreve. 71. Omiri:Homeri, ma i madhi poet epik i Greqisë së vjetër. Prej desprimit qi nuk ka kush u këndon herojve, ulet e puthë bucen: plis, mungull, copat e dheut të ritueme: të lame me gjak. 77. derptueme: pikllueme, mjerueme. Programi i Turve të Rinj u paraqit nga Haki Pasha, kur u ba Sadriazem. Shih: LEKA, 1937, VIII-IX, vj. 9, fq. 384-88. Me 25 Qershor 1911 Sulltan Mehmet Reshati V, shkoi te vorri i Sulltan Muratit ne Salonik ku i dolën para shumë popuj. Atyne i fali lire turke, ndërsa shqyptarve jo. Në1908, Xhavit Pasha e mbas tij Turgut Shefqet Pasha, filluene betejat për me shtrue Shqipninë.
-15-
- Dirgjet rrmbyeshem me shungllimë t’ trishtueshme
E shkaperderdhet neper rrash të blerun,
Shpresat e bulkut tue perpi nder gjire.
Kurdi, Qerkezi me Felahë manova,
Me shka ma t’ tmershem, t’ eger, e t’ felgrueshem
- Pat Anadolli, me furi mizore
Iu rras mbrenda Shqypnis. E atëherë kah qiella
U çue, po, tym e shkndi, e ‘i vigem nanash,
E vaj foshnjesh s’ flakrueme n’ zjarm, e ankime
E gjâmë s’ varruemsh, e ’i zhurmë e ‘i krisme rrotash,
- E kualsh, e topash, e ‘i bumbllimë e mnershme,
thue po t’ rroposet per nën kambë rruzllimi.
Trolli i Shqyptarit, Hyut e miqvet true,
Kulm e themel u shêm e ra per dhé;
E rrkajë vojt gjaku i trimavet t’ fuqishem,
- Qi atje nder megje t’ Cernagores kjene
Uzdaja e Atdheut e e derës s’ Ali Osmanit.
U hesht Shqypnija; skutavet Shqyptari
U struk, tue pritun me felgrim në zemer
Ma t’ mbramen, ofshe! Ditë t’ Atdheut t’ mjeruem.
_____________________________________________________________
Shih: Hylli i Dritës, vj. I-, Nandor, Nr. 2, fq. 64. Përshkrimin e këtyne ngjarjeve! Mbas Xhavit Pashes erdhi Shefqet Turgut Pasha, njeri i rrebtë, mizor e fare i pashpirt, dhe u fut në Shqypni kah Kosova. U nis prej Shkupit me 30 taborre e 40 topa. Në Prill të 1910 shpërthei shtigjet e Cernalevës e të Jezersit, mbrojtë prej Isa Boletinit e Hasan Hysenit të Budakovës, e me trathti çili rrugen e Kaçanikut. Kështu, me 30 Prill shtypi kryengritjen e Kosovës. Mbasi shtroi Kosovën, u nis prej Gjakovet për me sharmatosë Shkodrën me rrethe. Në Qafë t’Thermës i vuni pushken Merturi të primë prej Prelë Tulit të Selcës, per tri ditë e netë luftë. Kur i mbaruene fishekët i dhanë lajmin Shalës, të cillët u mblodhën 3000 vetë prej Mehmet Shpendit, i pari i djelmënisë së Shalës, i cili i doli në pritë turqve dhe i vune pushken në Qafë t’Agrit e të Ndërmajes. Per tetë ditë u ba luftë e rrebtë. Tue pa qendresen e shaljanve, Turguti mendoi me dredhue tue lanë sa qinda ushtarë të vdekun. I thyem e me marre ra në Qafë të Kolçit e mandej në Pejë. Mbas dy javesh u nis prej Pejet me 22 taborre, tue kalue nepër Urë të Vezirit, Vá – Spas, Vau – Dejës dhe me 26 Korrik 1910 mërrijti në Shkodër. Shqyptarët kjenë anmiq shekullorë të Slavëvet, kundër të cillve kanë luftue edhe mbasi u pushtuen nga Turqit, për vetmprojtje nga nji rracë që kqyrte me e përpi. Patne kenë edhe mburoja e Mbretnisë së Stambollit përballë Slavëvet të Balkanit. Shqyptarët kjenë ushtarë besnikë të Turkisë edhe në luftën e Krimesë. Ata i dhanë asaj njerëz të shquem. Këte meritë ua njeh edhe historiani me famë botnore Mommsen, kur shkruen për Ilirë: “Ata shka kjenë për gjatë kohës Shqyptarët për Perandorinë Otomane, kjenë të parët e tyne për Perandori Romake, kur kjo pat mërrijtë nji shkatrrim këso dore.” – e derës s’Ali Osmanit: Shtëpisë mbretnore, e thirrun kështu nga emni i themeluesit të dinastisë, Osman, prej kah edhe turqit u thirrën Osmanllinjë. 93. shé: prrue; 95.dirgjet rrembyeshem: dikohet, zbret me turr, me furi; 98.Kurdi, Qerkezi: Kurdët (Kardukët) e vjetër, nji popull i vjetër iranik, i egër e luftarë në të majtë të Tigrit. Ndërsa Qerkezët janë popull nomad, me fis tartar, të shpërndamë nëper Turkestan e brigje t’Uralit, prej kah, mbas Poetit ishte edhe nji pjesë e madhe e ushtrisë së sulltanit. Felahë janë fshatarët e Egjiptit. – manova: në perbuzje thirren ushtarët aziatikë; -Anadolli: Azia e vogël. 101. Asht nji ndër ato copa ku Zana e Poetit shfaqet e rrebtë, tue qitë flakë shkreptimash, dermuese. “Na s’kemi frigë se po mbetet e shkretnueme Shqypnija, pse kemi mjaft njerëz, qi t’iu xanë vendin Shqyptarvet”, këto fjalë i tha Turgut Pasha nji korespondenti rus të fletorës “Fjala e Rusisë”, kur shperthue Kryengritja e Malësisë së Madhe. Per ketë Poeti shpërthen prap në vargjët 115-122. –113 me felgrim: me trishtim, me pikllim. – ofshé: të përthirrun kobit, mjerimit, ditën e Atdheut të mjeruem.
-16-
- Por ju m’ atëherë, si ulani, n’ vend ngujue,
E pret anmikun, qi t’ i qaset hovit;
E kur nen turr t’ i vijë, mbi té lshohet
E m’ dhambë e me çapoj pa dhimbë e shkyen
Kortarë – kortarë: njashtu, me besë ju lidhun,
- M’ato male të grista e fusha t’ gjana
Pa u tutë e pritët anmikun, t’ rrebtë, mizuer,
Qi bé kisht’ bamun me ju shk’mbye kso jete.
E kur ai msyni me u poshtnuemun vendin,
– Kush din sa herë, po, me gjak t’uej shperblye! –
- Perball ju i dolët, t’ shternguemun m’ armë mizore,
E, porsi t’u perpiqshin n’ ndesh dy male,
A se kerthiza e dheut n’ moh t’ u shperthete,
Mnershem toka gjimoi, shunglluen humneret,
U perzie deti me duhi t’ frigueshme;
- Shqypnija flakë u ndez, e prej trishtimit
Kjau fmija n’ zemer t’ nanës. Habitun sheklli
Del e ‘u kundron, e trimnis s’ uej i bindet.
E: a janë Titant, ai pvetë, qi kundra Jovit
Luftojn n’ Shqypni? Ase Leonidha s’ dekunit
- Me ata treqind Spartanas t’ vet u njallka
E Ksersin rishtas n’ Termopil e pritka?
E kqyrë nder ju me da me sy Leonidhen
A se Briarén, a Gigen. Por Leonidha
Nder ju nuk ka, as ka Briarea, as Giga:
- Veç, po, ka Dedë Gjo’ Lula – burra fjalet:
Ka Cokaj n’ za per pushkë e bujari,
_____________________________________________________________
118, çapoj: kthetra. – male të grista: të thepisuna e të germueme, të grryeme. 127. krthiza e dheut…: qendra e tokës t’u shperthente pa pritë e pa u kujtue; 131. Kjau fmija në zemer…. Eufemizem qi Poeti e përdorë edhe te Lahuta. 133. Titant… Të bijt e Qiellës e Tokës qi i shpallen luftë Jovit….i cili i ndihmuem prej Herkulit, i theu e i flakroi disa Tartar dhe disa nën Etna. Kjo betejë kje kndue prej Klaudjanit, poet latin, ( IV shek. mbas Kr.). në poemin Gigantomachia. – Leonidha i I, mbret i Spartës (491 – 480 P.Kr.) i cili, në 480 P.Kr. xuni derën e Termopileve, nji grykë e ngushtë në Tesali, përballë ushtrisë madhe të Ksersit, mbret i Persianve. N’atë luftë u shuen të gjithë tue qindrue trimnisht. 138. Atë Briarén…. : nji vigan i mitologjisë, i biri i Uranit e i Gigës, qi kishte 50 krena e 100 krahë. I ndihmoi Jovit kundër Neptunit, Minervës e Jononës. – Gigen: i vëllai i Briareut, i paisun edhe ai me 50 krena e 100 duer. 140. Dedë Gjo’ Lula: Vojvoda i Traboinit, kryetar i Kryengritjes së Malësisë së Madhe, Burrë i urtë, i mendshëm e idealist i vertetë. Kjé shpirti i lëvizjes për të Drejta të Malsisë, kundër robnisë së turqve të Rinj. Me 6 Prill 1911, ngriti Flamurin e Kuq me Shqipen Dykrenare mbi maje të Deçiqit, shi mbi atë shtizë, ku përpara kishte value flamuri me gjysemhanë. Atdhédashunia e Tij kjé çmue e admirue edhe prej anmikut, mbasi u njohtën të Drejtat e Malësisë, kur mori fund lëvizja, Hasan Riza Pasha, tha për Té: “Ai asht burrë e atdhetar, jam mundue me i dhanë pare, por s’ka ndigjue me i marrë kurrsesi; dhe u ishte pergjegjë – Nuk ka Sulltani pare aq sa me më thye mue!”. Kur me 26 Qershor 1912, iu vra i biri Gjergji në nji luftim kundër Tuzit, kështu u munduen me i diftue: – Dedë kanë mbetë 20 të Hot. Ai u përgjegjë: E po, në luftë njeriu do të vdesë; – mirëpo me ta ka mbetë edhe djali i yt, i thanë – Ai atëherë me sy kokerr e pa dhanë asnji shenj turbullimi ua priti: Edhe tjerët janë djelm nanash si i emi! Dhe, nuk u ligshtue aspak, por ngjau ajo qi nuk pritej, me u dhanë zemër shokve me qindrue.
Ai kje anmik i rrebtë i çdo anmiku të Shqypnisë.
-17-
E ka Pjeter Sokola e Llesh Nikë Daka,
Edhe Gjeto Mark Ujka – t’ idhtë si helmi;
E janë Nikë Gjelosh Lula – rê me breshen,
- E Kolec Marka e Gjelosh Gjoka rrfeja:
Janë Kolë Marash Vata sy – kulshedra,
Vetem me i msy ‘i qind vetë e armët m’u a marrun.
E ka dragoj Tirane edhe Kosove,
E Orë prej Shale, e djelm, si Zana Dibret:
- Ka sokola prej Zhubet e Berishet,
E djelm e burra ka, e ka fatosa
Me brejtun hekur, t’ thuesh, me shkulun lisat,
Malet me i dyndun per liri t’ Shqypnis.
_____________________________________________________________
Deda pat ikë me t’birin e disa të tjerë në Mirditë, për mos me ra në dorë t’ushtrive esadjane, të cillat ishin në marrëveshje me Serb. Mbas dy ditësh, tue kenë lëshue pritat, prej dy anësh të ndryshme ushtrija serbe e esadjane u bashkue n’Orosh, ku gjindej Deda me shokë. N’atë mbrame xunë Dedën me shokë e të nesërmen e vune para edhe e grine (e vranë) në Sheshaz (Orosh). Kështu mbaroi ky Hero i historisë sonë kombtare të lumnueshme e të mjerueme. 141. Cokaj: Dedë Coku, prijs i kryengritjes së Malësoreve të Bregut të Matës, i cili me 30 vetë, me 22 Qershor 1912 i vunë pushken nji ushtrije 600 vetësh, të drejtueme nga kajmekami i Lezhës, të cillin e vranë në pushkë të para. Në këte luftë të përgjakshme kanë mbetë 187 të vdekun dhe nji numur ma i madh të plagosun, u kjenë marrë 45 kuaj e mushq, ndër të cillët disa të ngarkuem me municjon e ushqime. Të nesërmen Deda bashkë me Pjeter Sokolin, me gjithse të dy të plagosun, kalor dy kajve të marrun dy ditë para ushtrisë, i prijnë karvanit nëper grykë të Fandit për me dalë me verue në Mirditë. 142.Llesh Nik Deda: asht quejt me arsye Leonida i Bregut të Matës. Ky ka fillue me luftue vetëm me ushtri turke prej kullës së vet. Tue kujtue ushtrija turke se aty ishte nji qindresë e madhe, filloi me e gjuejt kullen me top. Atëherë Lleshi nëper flakë të pushkve del prej kullet, tue i çilë shteg vedit mjedis ushtrisë çanë rrethimin, mërrinë tek nji arkë fyshekësh, e shpërthen me tytë të pushkës e aty qindron si luàni. Rreth shtëpisë së tij kjenë gjetë 70 vetë të vdekun. Lleshit i plagosën nanën, vajzën dhe i vranë nji nip; edhe ai vetë kje plagosë, por me ketë rasë pat shpetue. Mbas dy muejsh kje varrue randë në nji sulm të Durrësit, qi kje kryesue prej Dedë Cokut, dhe me 28 Gusht vdiq në kuvendin françeskan të Rrubikut, streh dhe çerdhe e lëvizjes kombtare. – Gjeto Mark Ujka, trim e sokol prej Rapshët u vra në Qafë Ugel. – 144. Nikë Gjelosh Luli, u dallue në shenj përveç tjerash për guxim e trimni në luftën qi u ba në rrethe të Deçiqit, kur turqit deshtën me e pushtue. Asht vra me 3 Maji. 145. Kolec Marku: kje nji ndër deshmorët e Rrushkullit me fis prej Triepshit, dhe u vra në Gushtin e vitit 1912. Gjelosh Gjoka asht kenë vojvoda i Bajzës së Kastratit. Tue kenë nëpunës i qeverisë turke, pat urdhen prej Bimbashit me i ardhë në ndihmë, por ai nuk pranoi dhe doli në mal me të vetët, tue ngritë flamurin e lirisë. 146. Kolë Marash Vata: Djalë vigan e hyll dritët, prijs i çetës së homeridve (18 vetë me armë e 11 vetë pa armë), i cilli, mbasi Dedë Gjo’Luli dha shenjën e sulmit, mësyni me 24 Mars 1911 dy kaushat e Rapshës së Hotit. “Ma mirë dekë si burrat se gjallë me marre!”, kështu u foli të vetve para sulmit. Mbas nji sulmi të terbuem, turqit patën dy të vdekun dhe dy të plagosun qi i kapne gjallë. Të nesërmen sulmuem kaushat e Traboinës. Lufta u ba ma e rrebtë. Atë ditë Kola me tetë sokola të tjerë të Traboinit ra deshmor për liri. Nga turqit u vranë 40, ndërsa tjerët u kapen rob. 148. Dragoj Tirane: Në luftë kundër turkut moren pjesë edhe Toptanët, ndër të cillët u dallue Masar Beg Toptani; – edhe Kosove: Ma e para lëvizje, si asht thanë ma nalt, filloi në Kosovë. Ndër ata qi i prine çetave asht me u permendë: Isa Boletini, Idriz Seferi, Bajram Curri, Riza Beg Gjakova, Zefi i Vogel, Hasan Beg Prishtina, Zenel Begu etj. 149. Orë Shalet: djelm trima qi thyen ushtrinë e Turgut Pashës, tue e detyrue me u kthye mbrapshtë u kryesuen prej: Mehmet Shpendit, Atil Reguli i historisë sonë kombtare, qi me djelmët e Shalës, u shkoi në ndihmë edhe Malësorve. – djelm si Zana Dibret: I pari qi u çue kundër Turqve të Rinj kjé Basri Beu, ish deputet, i cili doli në mal me 60 vetë. 150. – ka sokola prej Zhubet: Me ketë emen thirren Bajrakët e Malësisë së Lezhës. Kryetar i kryengritjes së kësaj krahinë kjé Kolë Toma i Velës. E Berishët: nji bajrak i Pukës marrë për krejtë krahinën e Pukës.
-18-
O nami e ndera e jonë, burra çelikut,
- Njimend Shqyptarë e nipa t’ Skanderbegut!
Oh po! Se para zbardhet penda e korbit
E e bardha rreze dahet, po, prej diellit,
Se ju n’ harresë u qet kjo Zana e eme.
Per ju do t’ kndohet, po, m’ Lahutë t’Malcis
- Se shka vepruet, se sa dikuet ju gjakun,
Per me ia vumun nji Shqypnis themelin.
E kur Shqyptari nder ma t’ largtat mote
Neper t’ cillat do t’ endet jeta e nierit,
Kur t’ kndojë Shqyptari m’ ato kangë kreshnike
- Sa gjaku e mundi kje prej jush dikue,
Per me u ndertue Atdheu i tij – Shqypnija
-O t’ lumët ata, ka me brohritë me vedi,
Qi flija e Atdheut u bán, e, tue dhanë jeten,
Liri Atdheut e t’ ambel jetë i sollen. –
- E ai rmajt t’ uej, atëherë, ka me kerkue,
E ka me i gjetë, e ka me i ruejtë, si ruhet
Elteri i Atdheut; e me kunora t’ blerta
Ka me i lulzue, e mbasandej, ju besen
Ka per t’ u a dhanë mbi vorr, se kurr per s’gjalli
- S’ ka me e koritun namin t’ uej e nderen:
Se ka me dekë p’r Atdhé si desin burrat,
Si diqët, qé, ju per nji Shqypni t’ lirueme.
_________________________________________________________________________
Asht me u vue në dukje ndryshimi qi i napin fjalës lis, në krahina të ndryshme: Nder disa vende përdorët si landë ndertimi, disa si landë në përgjithësi. Toskët në vend të fjalës lis thonë dushk, për të cillën në Gegni marrin vesht gjethët e thata e të rame përtokë, që ia venë gjasë së gjallë me fjetë. Kuptimi i fjalve të vjetra asht i Gegnisë: – Drue lisit e grue fisit; Me nji të rame s’pritet lisi, etj. 154. Poeti nuk asht i knaqun me lavdet qi i thurë Herojve, dhe ndalon në nji përmbledhje të ndjesive të tija shpirtnore, tue i quejt: “Nami e ndera e kombit Shqyptar”, nji kuptim i vertetë dhe i denjë për emnat e heronjve të fisit.
156 –161. Besa qi Poeti i dha Heronjve të Lirisë, nuk iu hoq kurr mendsh. Për njizetekatër vjet mendja e tij kjé frymzue e rrëmbye prej hartimit të Epopesë së Kombit, qi do të përmblidhte e do të këndonte, tue i ba të pavdekshme, trimnitë kreshnikore të tyne. Pjesa e katër kangve të mbrame iu kushtue Kryengritjes së Shqyptarve kundër zgjedhes së randë të Turqisë. Nderimi i Poetit për Heronjtë kje i përjetshëm. Eshtnat e Dedë Gjo’ Lulit kjene bajtë e sjellë nëpër Shkodër me lumni të madhe, mandej u vorruen në kapelën e Kishës Françeskane të Gjuhadolit. Ata të dhetë deshmorve të Rrushkullit: Llesh Nik Dakës, Kolec Markut, Zef Harapit etj. u bajtën në Shkodër në Gusht të vjetit 1937, dhe u vorrosën me nderime të mëdha në Rëmaj. 164. Kangë kreshnike: Kangët epike, të trimnisë. 172. Kunora të blera: – Kunora të gjelbëra, të bame me lule të freskëta e degë shemshiri.
Komentet