Moikom Zeqo nuk luan me Fjalën.
Me anë të saj përfytyron e ngjiz risi imazhezh e mirazhesh tronditëse.
***
Këto ditë, miku im, enciklopedisti dhe shkrimtari Moikom Zeqo më dhuroi librin e tij “Centauri i Fundit”.
Një libër krejtësisht origjinal, me 123 parabola misteri.
Ky liber ka me një dimension kohor mahnitës dhe plotmëri informacioni prej euriditi elitar, shkruar enkas për një lexues të kultivuar, pse jo të së Ardhmes, ku ai ngjiz kozmosin e tij, galaktikën e vet, botën e së Nesërmes.
Moikomi vepron ,jo duke e ulur, por duke e ngritur stekën e cilësisë së kërkesave stilistike, estetike dhe kuptimore të lexuesve: pa shpërthim shkatërrimtar, pa krijues hyjnorë, pa Dje, Sot dhe Nesër, por me “Kohë të Njeriut”,- të vetvetes së iluminuar ndjeshëm.
***
Moikomi eshte realizuar thjeshtë mundimshëm e prerë në atelienë e tij të pasur e pjellore, që prej afro 50 vjetësh.
Ai mbetet lehonë e sprovave të suksesshme në letrat shqipe e mëtej, si në poezi, proza rrefimtare, filozofi eseistike, arkeologji, art pamor dhe sociologji historike.
Kozmosikrijuesi Moikom Zeqo, dhe e gjithë krijimtaria e tij e pasur shumëdimensionale, jo vetëm në gjini e zhanre, por edhe në tematikat e guximshme, në mesazhet universale, në eksperimentet në formë dhe përmbajtje, në krijime gjinish e zhanresh të ndërmjetme, ku shok ka vetëm vetveten.
Parabolat Moikomiane mbeten enigma befasuese.
Ato jane mister, ashtu si dhe vetëkrijimi e origjina e botës, si enigmë e madhe e përjetëshme e divine.
Arti i tij si në sasi e cilësi, në tematikë, ky pyll gjigand risish letrare dhe ideore, pse jo xhungël e mbarë informacionesh nga të gjitha fushat e jetës, i thellë në mesazhe akademike, inkandeshent në stilin “Made in Moikom”, metaforik e i figurshëm në cilësinë e kthjellët, i guximshëm e i pakompromis në qëndrime, nuk mund të ndjehet lirshëm në gjinitë dhe zhanret e trashëgimisë tradicionale që në të vërtetë e me thënë të drejtën i rrijnë ngushtë artit shumëplanësh të MoikomZeqos.
Talentin e tij shpërthyes, larushinë e temave, novatorizmin në shprehësi, linearitetin labirintik, Borgesian te veprës, gamën e pafundme të figurave stilistike,ose fantazmagorike që përdor, nuk mundet më, kurrësesi t’i mbulojë jorgani tradicional i tre gjinive, si: poezia, proza dhe drama.
Kështu që Moikom Zeqo me librat e tij ka themeluar forma të reja gjinish.
Per Moikomin poetika, rrëfimi, dramatika, eseja, përshkrimi, ndërthuren sipas një rendi të ri, qëndisin stofin prej mëndafshi të veprës së tij.-
Brenda të cilës frymëmarrin njëherësh gjinitë tradicionale dhe novatorizmi i Moikomit…
E reja, zhvillimi, bota virtuale, teknologjitë e reja të info afro 30 vjetësh, me korpusin elitar të botimeve të ti jnuk mungon ta realizojë, duke nisur nëpër njohje të reja artin e tij thellësisht të mevetësishëm, inkandeshent e me imazhe tronditëse madhështore.
Krijimi, bota e tij krijuese, informacionet esenciale, zbulimet e dobishme, misteret dhe enigmat, ringjalljet dhe vlerësimet e figurave, ngjarjeve e fenomeneve, mbeten dhe përpunohen ngeshëm në laboratorin e tij të hapur që i përngjan një institucioni akademie arti e shkencash.
Lexuesi perballet prej dendurisë ambicioze të informacioneve të qëmtuara ndër vite e biblioteka këndej e andej oqeanit, nga zgafellat e prehistorisë në rrënojat e Greqisë së Vjetër e Romës së lashtë, drejtë qelave të Vatikanit,Bizantit, Mesjetës, Rilindjes e deri në ditët tona…
Laboratori krijues i Moikom Zeqos, mënyra e punës Sizifiane, korpusi i veprës, galaktika e krijimit, mbeten një kripto-enigmë e madhe, e padeshifrueshme, ashtu si dhe vetë enigma e pazgjidhur e krijimit të botës ku ne jetojmë.
Çelësi i të gjitha këtyre sukseseve dhe risi vetë mikut tim, Moikom Zeqo, mendoj se nis nga fëmijëria e tij e largët dhe e pashoqe për të dhe brezin e tij…
Qyteti i Durrësit, magjia e tij, lindja dhe vdekja ime e nderuar me dyemërtime, Epidamnus dhe Dyrrah, si parzmore hyjnish, imazhet e ëndërrta të Libohovës, krismave të Avni Rustemit – që kopsiti me krisma plumbash xhamadanin e Esadit – dhe degëve hijerënda të rrapat moshatar me Lisin e Dodonës Pelazgjike…
Muzgjet e Currilave ku edhe pse me pantallona të shkurtër, ndjehej i dyfishifuqishëm për të shfuqizuar edhe vetë Vdekjen me një pupël të harruar pulëbardhe,- gati tremijëvjeçare.
Kalaja me format enigmatike gjysmë të rrënuara ku suleshin e shkërmoqeshin balozët, deti me misteret e mrekullueshme dhe sirenat e bukura, amfiteatri nga galeritë e të cilit ende jehonin klithmat e gladiatorëve dhe nusëronte prej shekujsh “Bukuroshja e Durrësit”…
Shpirti i Mujo Ulqinakut, porti me anije të mbytura fantazmagorike, predhat e paplasura, relike të freskëta të luftës së dytë botërore, e madhe e të panjohur, vitrinat e dyqaneve ku shkuleshin ato në gjuhën italiane dhe vendoseshin ato me shqipen e drejtëshkruar keq, muret, kullat bizantine, kujtesat shpirterore me “Aleluja”-t e Jan Kukuzelit ia mbanin hapin dhe mendjen pezull…
Jo, Moikomi dhe brez i tij, nuk kishte patur fëmijëri…
Nuk kishin luajtur me lodra, por me hije fantazmagorike, skelete të mëdha-hata Qipullësh, me dhëmbë e dhëmballë-çatalla Vurkollakësh.
Kishte lozur e ishte kënaqur paq me to, kishin qenë vërsnikët e munguar të mëhallës së vjetër, ku dhe Aleksandër Moisiu kishte luajtur cingël …
Truall i denjë për varrezë, një thatishtë sterile, si e pëgërë nga jashtëqitjet e Katallanëve… një thatishtë prej rërë të njelmëtsi e pëgërë nga jashtëqitjet e Karkanxhollëve…
Diku në thellësitë ujore të Currilave, teksa zhytej zgafellave detare me guxim prej shkencëtari përtëthelluar e zgjeruar dijet për të kaluarën nënujore të qytetit, Moikom Zeqo sipër shkëndriti si bekim qiellor, imazhi fosforishent i Metaforës.
Per Moikomin përceptimi i botës,- artikulohet jo thjesht nëpërmjet pamjes, paraqitjes.
Arti i tij realizohet prej hije-dritave ylberore të mendimit, njohjeve dhe përfytyrimeve metaforike që si xixa inkandeshente shkëputen prej zjarrit bubulak të vullkanit të talentit të tij.
Vepra origjinale , e befasishme e Moikom Zeqos në mëson se Zoti nuk ka kujtesë, sepse Ai nuk ka nevojë të harrojnë.
Ai nuk ka nevojë të luftojë kundër Kohës, sepse Zoti nuk është fragment i saj, që ka humbur në emër të krijimit ose rikrijimit…
Artistët e mëdhenj si Moikom Zeqo janë si Zotat, krijojnë botën e tyre, realitetet ku jetojnë, heronjtë e frymuar prej tyre.
Moikomi operon me Kohën që gjerohet vetiu pafundësisht…
Te Moikom Zeqo nuk mund të gjejmë asnjëherë thjeshtë një gjini letrare të pastër e tradicionale.
Vepra e tij poliforme nuk është krijuar në laborator, as në një kënd të veçuar, ajo është bio.
Kjo krijimtari buron shëndetshëm atje ku vetë jeta, informacioni, fakti dhe historia rrjedhin natyrshëm në shtratin e vet të së Vërtetës.
Moikom Zeqo u jep formën dhe kuptimin e duhur ende pa u ftohur…
Kjo nuk ka të bëjë me problemet teknike dhe përkufizimet stilistikore apo traktatet letrare, por me kulturën e jashtëzakonshme e të gjithanshme të Moikomit, me talentin e madh dhe aftësinë vërtet befasuese për të punuar sitematikisht e ritmikisht pa u lodhur.
***
Moikom Zeqo është vet-autor e vet-hero lirik, personazh, ciceron, aktor, filozof, historian, piktor, komentator.
Ai punon dhe njëherazi krijon, pra, është edhe Ati, por dhe Biri i artit të vet.
Arti që është mpiksur në të Nesërmen…
Arti i Sotshëm i Moikom Zeqos e ka fituar të Ardhmen e vet…
Shega e dëshirave fëminore dhe rinore të Moikom Zeqos në kohën me mungesa ulëritëse, u thërmua- për të na sjellë e risjellë pafundësisht kënaqesi estetike të pashijuara kurrë më parë,- thellësi mendimi të një lloji të ri.
Moikomi shtjellon imazhe dhe mirazhe tronditëse që i përkthen thjesht e rëndë për kohën me Zejen e Metaforës.
Per Moikomin në duart e tij Metafora është si një masë plasteline fosforishente, – që ai i jep formën e dëshiruar, duke krijuar emocione të fuqishme.
Moikom Zeqo ka një stil unik në letrat shqipe.
Moikomi si shkrimtar e poet, që priret drejt një lakonizmi të madh e të gërshetuar hijshëm me një metaforizëm universal që gjendet vetëm në librat poetikë të poetëve që do të lindin të Nesërmeve.
Poetikisht dhe kulturalisht,
Moikom Zeqo, i ka thyer me kohë kornizat e Kohës sonë, duke u mpiksur përjetësisht si model e shembull në artin e së Ardhmes, të së Nesërmes, duke u bërë Nismëtëri i Artit të Ri Shqiptar, i Artit, që po vjen…
14 mars 2020
Komentet