Dekorimi nga ana e Presidentit të Republikës, i 67 anëtarëve të organizatës nacionaliste, republikane, të ekzekutuar me 21 tetor 1943 në agimin luftës civile dhe terrorit komunist, të shpallur nga Enver Hoxha dhe mentori i tij Dushan Mugosha, ndaj rivalevë të tyre në luftën kundër okupatorit të përbashkët, është një mesazh i qartë, jo vetëm nderimi ndaj një pjese të kombit shqiptar që mendon dhe vepron ndryshe nga nostalgjikët e diktaturës dhe gjakderdhjes nacionale në vitet e Luftës së Dytë Botërore dhe pas saj, por edhe një mesazh i qartë publik i drejtuar ndaj shumë faktorëve publikë, për maturi dhe barazpeshë vlerësuese dhe thirrje për uniteti gjykues të shqiptarëve të brezit të ardhshëm.
Është një mesazh i dhënë në kohën e duhur, në ditet kur ekzekutivi shqiptar e ka rrethuar vendin, perveçse me Kanabis, edhe me Bolshevizem, të propaganduar, përmes parave publike të përftuara falë influencës së padukshme, nga elementë të ish-strukturave të armës së diktaturës (subjekte të Ligjit mbi Krimet e Komunizmit), të cilët po e perjetojnë situaten aktuale te vendit, nën drejtimin e Edi Ramës, si një periudhë të artë ripërëritjeje, si kohë hakmarrjeje për ditët e përmbysjes së madhe 1991. Veprimi i Presidentit synon të tërheqë vemendjen e publikut, historianëve, njerëzve me arsye, mbi nevojën e një gjykimi të ftohtë dhe të çliruar nga dhuna e historisë zyrtare të diktaturës, ndaj një pjese të popullit shqiptar të bashkuar nën nacionalistët jo komunistë. Ai dekorim është një respekt ndaj aspirates së intelektualëve nacionalistë, që aspironin aso kohe, një shtet shqiptar të ripërtërirë, ose në strukturat institucionale të para 7 prillit 1939, ose në një Republikë Indipendente Demokratike, të orientimit pro perëndimor. Mesazhi është sipas meje, edhe një thirrje e qartë ndaj Kryeministrit të vendit, i shfrenuar plotësisht në muajt e fundit, në rrugën e tij agresive të mbajtjes jo demokratike të një pushteti moralisht e praktikisht të rënë. Një pushteti që ekziston ende në kohë dhe në hapësirë, falë pavendosmërisë së Speaker-it të Parlamentit, për t’i shërbyer drejt e burrërisht deri në fund, Publikut, Shqipërisë, Sistemit Demokratik, Stabilitetit të vendit, Garancisë së vendosjes së një sistemi të paanshëm zgjedhuer, që do të krijonte premisat për eliminimin e bazës politike të këtij sistemi të shfrenuar illegal të një Oligarkie të ndotur deri në mizori ndaj Publikut, të djathte, të majtë dhe neutral.
Tema bazë: Cila është balanca e gjykimit për përcaktimin e pozicionit të paanshëm, të drejtë dhe pa emocione, të së djeshmes së luftës nacional-çlirimtare dhe luftës civile, në funksion të unitetit nacional të sotëm dhe të ardhshëm?
Vija themelore e ndarjes ndër shqiptarët, gjatë 75 viteve të fundit ka qenë e lidhur me përçarjen e thellë të krijuar në vend, së paku nga vjeshta e vitit 1943, kur Enver Hoxha shpalli fillimin e luftës kundër BK dhe më pas ndaj të gjithë shqiptarëve që nuk aderonin nën komandën e tij të LNÇ/FNÇ-së. Duhet të arrijmë në një mendje se askush nuk mohon përpjekjen paralele për liri të partizanëve të inkuadruar brenda radhëve të LNÇ, të Nacionalistëve të disa ngjyrimeve në luftën për liri, të Studentëve Antifashistë gjatë gjithë vitit 1943, deri në urdhërin e shtatorit 1943, të lëshuar nga Enver Hoxha kundër BK (shih: PRO.FO.371.43549, B8/1/1/274/162) dhe shpalljes zyrtare me 7 tetor 1943 nga ana e BK të ndaljes së operacioneve kundër gjermanëve (PRO.FO.371.43555, Allied Military Mission: Albania, Proposed Policy Change, faqe 22-23). Po ashtu, askush nuk duhet të mohojë, se ka pasur kolaboracionizëm të qartë, neutralitet fatal dhe një përpjekje idealiste dhe utopike për shpëtimin e shtetit nga anarkia përmes restaurimit të strukturës institucionale të vitit 1928 (Mehdi Frashëri, Lef Nosi, Padër Anton Harapi), qendrim pasiv inocent (klasa intelektuale), luftë partizane për liri mbi ideale të pastra, luftë antifashiste të nacionalistëve jo kolaboracionistë (Gani Beg Kryeziu), pasivitet ekstrem në vitin 1944 të nacionalistëve jo kolaboracionistë (Abas Kupi), qendrime të posaçme të ndërmjetme për interesa krahinore autonomiste (Dibër, Mirditë), luftë civile kundër shqiptarëve të ndryshëm dhe terror komunisto-partizan ndaj gjithë Shqipërisë jo komuniste (në Jug nga shtatori 1943), posaçërisht Veriut (pas 28 qershorit 1944), në procesin e tërheqjes së gjermanëve nga Shqipëria, nën goditjet e forcave të Balkan Air Forcë dhe FNÇ-së. Ky ka qenë kaosi shqiptar i shkaktuar nga pushtimi fashist e nazist i vendit dhe ndërhyrja e komunistëve jugosllave në procesin liridashës dhe stabilizues institucional në rrethanat e luftës.
Deri në muajin shtator 1943, guerrilasit shqiptarë ishin krenarë se qendruan të bashkuar dhe nuk ranë viktimë e grindjeve me njëri tjetrin, sikurse kishte ndodhur me partitë politike e ushtarake të Jugosllavisë dhe Greqisë. Kolapsi i Italisë ndodhi pikërisht në kohën kur PKSH hodhi poshtë Marrëveshjen e Mukjes dhe lëshoi thirrjen për luftë kundër forcave nacionaliste, në shtator të vitit 1943: Sipas kësaj direktive: së pari, ishte e nevojshme që në rast të një zbarkimi të Aleatëve në Shqipëri, Këshillat Nacional Çlirimtare duhet të ishin institucionet që ta kishin situatën në kontroll; LNÇ duhej ta paraqiste BK para popullit si shkaktare e Luftës Civile dhe duhet të nxiste të gjithë popullin për ta bërë këtë organizatë, përgjegjëse para historisë si përçarëse e popullit shqiptare; Kqi PKSH bënte thirrjen që «ne duhet të luftojmë Ballin Kombëtar kudo. Nuk ekziston ma çështja e bashkimit me ata, por vetëm lufta, njëlloj si ajo që jemi duke zbatuar kundër elementeve të tjerë reaksionarë». Populli duhet të bëhet të besojë se reaksioni është një instrument në duart e armikut dhe lufta e jonë kundër tyre (reaksionarëve) nuk është një luftë ideologjike. (PRO.HS 7/70, S.O.E History 37/B, Allied Military Mission, Albania 1942-1945, part I faqe 13)
Kush ishin nxitësit e luftës civile? Shqiptarët operonin në një skemë të madhe ndërkombëtare, të cilën ata vetë nuk arritën ta shikonin lehtësisht në atë kohë. Sipas mendimit tim, dy janë kurthet politike dhe ushtarake në të cilat u vendosën krahët politikë të Shqipërisë: Së pari, skema gjermane, ka qenë e përqendruar në nxitjen e nacionalizmit dhe patriotizmit tradicional, përmes premtimit të pavarësisë dhe neutralitetit të shtetit shqiptar në kufijtë entikë dhe demaskimi i politikës ekstremistë të PKSh dhe LNÇ kundër Shqipërisë tradicionale. Për këtë ka shërbyer zbulimi i qarkoreje sekrete të lartpermendur, të lëshuar nga LNÇ, kapur nga gjermanët dhe publikuar nga BK në Fier. Autenticiteti i kësaj letre, si e drejtuar me të vertetë nga ana e drejtuesve të LNÇ, u vertetua prej BLO, nga një letër që ishte marrë prej nipit partizan të Lef Nosit, Frederik Nosi. Kjo letër që Lef Nosi mori nga i nipi, përmbante fjalë për fjalë gati të gjithë tekstin e përmbajtur në Qarkoren e LNÇ. Gjermanët kishin interes ta bënin publike këtë dokument, për të futur në grindje palët rivale politike në Shqipëri dhe për ta shmangur vëmendjen nga trupat e veta të pushtimit. Kësisoj, kjo politikë gjermane ka qenë shkaku i parë i fryrjes së Luftës Civile në Shqipëri. (PRO.FO.371.43549, B8/1/1/274/162, Albania, Fortnightly Appreciation, 2nd December, 1943). Së dyti, britanikët kanë përcaktuar si nxitës dhe nismëtar të Luftës Civile në Shqipëri, respektivisht si nxitës në politikës së Enver Hoxhës, të deleguarit e Titos pranë LNÇ, Dushan Mugoshën, i nacionalitetit serb. Zbulimi i këtij implikimi për britanikët u bë nga Mestan Ujaniku, një komandant i rëndësishëm i guerrilasve shqiptar që vepronte në zonën Berat- Skrapar. Në një letër që daton me 14 nëntor 1943, ai dhe Xhelal Staravecka, një udhëheqës tjetër partizan i Skraparit, ishin revoltuar shumë prej luftës vellavrasesë të imponuar ndaj shqiptarëve prej komunistit serb Dushanoviç (PRO.FO.371.43549, Albania, Force 133, Fortnigtly Appreciation for the period ending 9.1.44). Ndërhyrja serbe në nxitjen e vëllavrasjes pat efekt se disa udhëheqës së guerrilasve shqiptarë kaluan nga LNÇ me BK. LNÇ grumbulloi vegjëlinë dhe fshatarsinë e Jugut dhe krijoi lidershipin e saj të ri të ngritur nga asgjëja, por që gradualisht do të fitonte gjithshka, falë agresivitetit, propagandës dhe terrorit. Mirëpo BK nuk kishte, as një udhëheqësi të qartë dhe të vendosur në objektivat çlirimtare dhe njëkohësisht mungonte disiplina dhe armët. Ata, pas shtatorit 1943, kanë qenë të prirur në ndjekjen e një linje të kujdesshme, që të shmangte përplasjen e një makinerie ushtarake naziste, që ishte vendosur taktikisht në vend.
Ballafaqimi civil, në fillesën e vet, nuk ka qenë një luftë civile e mirëfilltë, por diçka e ngjashme me një trazirë të brendshme, mes grupimeve rivale politike dhe ushtarake të vendit, që kryenin veprime sporadike të shkurtëra kundër njëra-tjetrës. Secila palë ndërmerrte prita dhe kryente vrasje ndaj pales kundërshtare, por jo më tëpër se kaq. Në këtë kuadër ka ndodhur edhe masakra ndaj anëtarëve të BK në Lushnjë, organizuar nga Mehmet Shehu, që i bashkëngjitej masakrave të kryera ndaj ushtarëve italianë në Mallakastër (Mehmet Shehu) dhe Mat (masakrimi i kolonës së karabinierëve italianë, 110 ushtarë dhe 8 oficerë, nën komandën e kolonel Giulio Gamucci. Ajo po ikte nga gjermanët dhe po drejtohej drejt maleve, u çarmatos, u zhvesh dhe u masakruan me trathëti në afërsi të Burrelit, nga partizanët shqiptarë, të komanduar nga Kadri Hoxha dhe Xhelal Staravenca. Rrobat dhe sendet personale të viktimave u shpërndanë në mesin e bashkëpunëtoreve të masakres.(PRO.FO.371.58484, R 14269/470/90, Les Italiens en Albanie, apres le 8 Seprembre 1943, faqe 22.)
Në vjeshtën e vitit 1943, çdo shqiptar besonte, se në dimër Shqipëria do të ishte e lirë. Shkaku siperfaqesor i luftës civile ka qenë inaktiviteti dhe politka e kompromisit e ndjekur nga BK ndaj fuqive të Boshtit dhe propaganda e tij disfatiste. Por në vetvehte kjo nuk mund të jetë shkaku i vertetë i Luftës Civile, në qoftë se nuk do të kishte qenë veprimi i forcës prej anës së partizanëve komunistë. Majori Meclean raportonte se ai vete përsonalisht ka parë origjinalin e një dokumenti sekret të nëshkruar nga SHPATI dhe që mbarte vulen e PKSH. Dokumenti urdhëronte që LNÇ duhet të përqendrojë të gjitha përpjekjet e veta drejt likuidimit të BK, që kur Aleatët të zbarkonin, të mos gjenin asnjë forcë të organizuar ushtarake në vend përveç LNÇ-së. (PRO.FO.371.43549, faqe 100-129, Memorandum on Albania by Major Maclean). Enver Hoxha siç duket e lëshoi këtë urdhër nën ndikimin reciprok të përfaqësuesit e PKJ pranë shtabit të tij. Julian Amery shkruan se kur Enver Hoxha kuptoi se gjermanët nuk kishin ndërmënd të impononin qeverisjen e tyre përtej qyteteve, vendosi të përdorë pjesën më të madhe të energjive të LNÇ për të likuiduar kundërshtarët e tij politikë. Prandaj ai refuzoi të ratifikojë Marrëveshjen e Mukjes dhe në tetor të vitit 1943 u dha urdhër gjithë njësive partizane për të sulmuar dhe shkatërruar forcat e BK, kudo që mund t’i gjenin, madje edhe sikur një gjë e tillë të shkaktonte ndërprerjen e operacioneve kundër gjermanëve. Kështu nisi lufta civile në Shqipëri. (Julian Amery, Bijtë e Shqipes, Shtëpia Botuese “Lumo Skëndo”, Tiranë 2002, faqe 89).
Lufta Civile në mes LNÇ dhe Ballit Kombëtar filloi zyrtarisht gjatë muajve nëntor dhe dhjetor 1943, para se elementë të BK të bënin kauzë paqeje dhe bashkëpunimi me ushtarët gjermanë. Fillimi i përplasjeve mes BK dhe LNÇ rastisi me fillimin e veprimeve ndëshkuese të gjermanëve kundër partizanëve dhe në këto rrethana BK, i sulmuar nga LNÇ, gradualisht, në mënyrë krejtësisht spontane, e vendosi vehten në pozicione frike e lufte mbrojtëse me partizanët dhe spontanisht në anën e gjermanëve, vendosje që më vonë do u kushtonte mjaft. Kjo zhvendosje ka ndodhur pas dhjetorit 1943. Por platforma e Mukjes ka qenë një piketë e rëndësishme për misionet britanike për bashkimin e forcave kundër okupatorit dhe ndaljen e gjakderdhjes së ardhshme. Një rol të rëndësishëm pajtues pas fillimit të konfliktit, mes fraksioneve politike dhe ushtarake shqiptare, ka luajtur Misioni Aleat Britanik në Shqipëri, i cili që gjatë muajit tetor 1943 dhe më pas, në të gjithë periudhë në vijim, u mundua të kryente pajtimin. BLO bëri përpjekje me BK për ta hedhur atë në veprim kundër gjermanëve, por kjo nuk qe një sipërmarrje e lehtë, duke qenë se kjo organizatë më së shumti ishte munduar të ruante forcat e veta për të nesermën e largimit të gjermanëve, por me një llogari krejtësisht të gabuar dhe shumë hapa mbrapa taktikave të stërholluar dhe tinzare të komunistëve shqiptarë, të suportuar nga jugosllavët. Me ndërhyrjen e oficerëve të BLO, LNÇ ra në një mendje për të mos luftuar kundër BK kur BK të nënshkruante një deklaratë, në të cilën të garantonte se do të luftonte kundër pushtuesit gjerman. Pas shumë vështirësish, britanikët ia arritën të nënshkruajë një deklaratë të tillë me datën 11 nëntor 1943 nga Mid’hat Frashëri për BK, sipas së cilës, partia e tyre do të fillonte menjëherë një luftë të pa kompromis kundër gjermanëve. Sapo BK e nënshkroi një deklaratë të tillë, LNÇ bëri hapin prapa në fjalën e vet dhe njoftoi se ata (LNÇ), sërish synonin luftën kundër partisë rivale të BK (PRO.HS 7/70, SOE. History 37/B, Allied Military Mission, Albania 1942-1945, part I faqe 19-20). Kështu, gjatë muajit dhjetor 1943, Lufta Civile ishte në zhvillimin e saj të plotë. Faktet tregojnë se LNÇ precipitoi një luftë klasash që në këtë kohë të fundit të vitit 1943 dhe fillimit të vitit 1944.(PRO.FO.371.43549, R 2329, From Cairo to Foreign Office, for Howard from Steel, February 12, 1944.). Për periudhën deri në janar 1944, mund të themi se shkaku themelor i Luftës Civile ishte fakti se të dyja partitë deshironin të vinin në pushtet në rast të një zbarkimi të mundshëm të Aleatëvë në Shqipëri. Lufta Civile precipitoi prej zhurmës së përhapur qellimisht nga gjermanët, që trupat gjermane në Shqipëri ishin duke u përgatitur të bënin evakumimin e territorit. Nuk duhet të harrojmë pa nënvizuar, se kur Enver Hoxha lëshoi urdhërin e fillimit të Luftës Civile, ai bëri llogaritë e faktorit kohë gabim, duke besuar se Aleatët do të zbarkonin brenda pak javësh. Duke qenë se rrjedha e ngjarjeve tregoi se kjo llogari ishte e gabuar, partizanët vuajten shumë sidomos me fillimin e operacionit të dimrit. Politika propagandistike e forcave gjermane të pushtimit, zhgënjimi që pësuan forcat nacionaliste kur nuk ndodhi zbarkimi i shumëpritur aleat në momentin e kapitullimit të Italisë, ndikuan në një lloj përkëqësimi të situatës për forcat nacionaliste, ndikoi në rritjen e aktivitetit të forcave partizane, të cilat në këtë përiudhë kanë qenë të vetmet që kanë vazhduar një lloj rezistence në Shqipëri.
Por nuk duhet të harrojmë se Balli Kombëtar, si ideologji dhe si organizim, ka qenë patriotizëm, vlerë republikane e demokratike e Shqipërisë Tradicionale. Mirëpo disa grupime të anëtarësisë së Ballit Kombëtar, nuk u rezistuan dot ballafaqimit me forcat e LNÇ, në zonat e sigurta të tyre, dhe krijuan struktura bashkëpunimi/armëpushimi me gjermanët. Por kujdes: jo i gjithë BK ka qenë në paqe me gjermanët dhe procesi i bashkëjetësës së disa emrave dhe çetave, i përket përiudhës së pas janarit vitit 1944, shumë kohë pas masakrës së 21 tetorit 1943 në Lushnjë. Asnjë provë nuk ka që Mit’hat Frashëri ka bashkëpunuar me gjermanët dhe as për shembull që Dukati, i sulmuar në mënyrë të pabesë nga forcat e brigadës V, ka bashkëpunuar me gjermanët, në një kohë që ata ishin mbrojtës së bazës Aleate të “Panoramës”.
Qendrimin e BK e shpjegon një Raport mbi Shqipërinë dërguar në Foreign Office nga Stambolli, prej Zonjës Aferdita Gjakova, gruaja e një deputetit shqiptar të përiudhës së Zogut, Asim Gjakova. Ajo ishte një grua shumë e arsimuar, shkolluar në një Kolegj Amerikan dhe konsiderohej nga raportet, si një ndër gratë më të arsimuara të Shqipërisë. Në raportin e hollësishëm të saj mbi Gjendjen e Shqipërisë nga pushtimi italian deri në fillim të vitit 1944, ajo publikoi një letër që kishte marrë para largimit të saj, në fund të vitit 1943 dhe fillim të 1944, për në Turqi, nga Mid’hat Frashëri. Letra është shumë e rëndësishme për të kuptuar sinqeritetin deri në naivitet, patriotizmin epik të tij dhe fatkeqësinë në të cilen Shqipëria dhe ata ndodheshin. Ai shkruan: “1 Tregoji shqiptarëve në Turqi dhe miqve tanë anglezë dhe amerikanë, se BK nuk është duke bashkëpunuar me gjermanët. Gjermania nuk ka të njëjtat pretendime territoriale mbi Shqipërinë, sikurse pati Italia. Ne nuk do të luftojmë trupat gjermane në një luftë të hapur, sepse ne e dimë çmimin e lartë që do të na duhet të paguanin për çdo aksion të tillë. Shumë nga fshatrat tanë janë në rrënim dhe shumë nga shqiptarët tanë kanë humbur tashmë jetën. 2. Tregoji miqve tanë në çfarë gjendje anarkie është vendi jonë tani. Komunistët të çorientuar dhe drejtuar keq nga pasuesit e Titos dhe oficierë rusë, janë duke shkaktuar shkatërrimin e këtij vendi. Unë jam konsultuar me partizanë shqiptarë, unë u kam kërkuar atyre të jenë vetëm shqiptarë të mirë, por ata nuk pranojnë asnjë këshillë. Ata thojnë se do ta rindërtojnë Shqipërinë pas lufte. 3. Ky vend është shumë i dashur për ne dhe ne do të organizojmë njësitë tona luftarake për me mbrojtë Shqipërinë dhe kufijtë e saj. Ne do të jemi të detyruar eventualisht të përdorim armët tona kundër komunistëve. 4 Ne kemi bashkuar të gjithë nacionalistët për kauzen e përbashkët- për të dobësuar dhe shkatërruar komunizmin. Nuk ekziston ndonjë dallim tash e mbrapa në mes grupeve pro zogiste dhe anti zogiste.” Zonja Gjakova shkruan në fund të këtij shpjegimi të parë se kur unë e takova Mid’hat Frashëri ai dukej i lodhur dhe i mplakur. Ai pati deshiruar që organizata e tij të ishte një sukses, por dështoi. (PRO.FO.371.43549, R 2421, Raport on Albania, by Mrs Aferdita Gjakova. January 27, 1944). Ky ishte pra qendrimi i vertetë i BK dhe përfaqësuesit të tij më të spikatur, Mit’hat Frashëri, djalit të Abdyl Frashërit, që bolshevikët e djeshëm dhe të sotëm vazhdojnë ta etiketojnë.
Agresiviteti komunist ndaj BK, kurthi i Wehrmacht-it, përpjekja për të shpëtuar nga goditja diferencuese e kuzhinës Mugosha-Hoxha, qenë hapat fatalë që çuan drejt përshkallëzimit të Luftës Civile dhe drejt një ndarjeje të thellë mes dy partive politike shqiptare dhe shkak i pozicionit në funksionin mosveprues i elementevë të BK ndaj autoriteteve të pushtimit, duke i parë ato si një rrezik shumë më i vogël se sa rreziku sllavo-komunist që i kërcënohej Shqipërisë post-gjermanike. Të gjitha këto bënë që në një Konferencë që BK mbajti në muajin shkurt 1944 në qytetin e Beratit, të shpallte zyrtarisht se armiku kryesor i partisë ishte LNÇ. Paralelisht më ketë, por jo zyrtarisht, BK u bë mbështetësi kryesor i qeverisë së Rexhep Mitrovicës. Mbështetja me sa kuptohet nuk ka qenë zyrtare, por propaganda gjermane e ka fryrë dhe është munduar ta identifikojë BK dhe Qeverinë Mitrovica. Me ndihmën financiare të qeverisë Mitrovica u ngrit deri edhe një administratë krahinore e BK dhe e njësive të xhandarmërisë, si pjesë plotësuese e makinërisë qeveritare, që bashkëpunuan me forcat e armatosura gjermane në veprimet e tyre kundër partizanëve të LNÇ.
Rreth mesit të muajit shkurt 1944, Misioni BLO në Vlorë, pati një intervistë me udhëheqësin e BK në krahinën e Vlorës, Skender Muço, i cili vizioi Majorin britanik Quagle, mbi bazën e një misioni që iu caktua atij nga Mid’hat Frashëri. Muço i paraqiti qendrimin zyrtar të organizatës: BK ishte i përgatitur të pranonte urdhërat britanike dhe të jepte mbështetje e menjëhershme, por deshironte të dërgonte një emisar në Kajro, për të kërkuar siguri për disa pika, përfshirë dhënien e pavarësisë së Shqipërisë me Tokat e Lirueme pas luftës, në përputhje me Kartën e Atlantikut, rikthimin e ishullit të Sazanit dhe pagimin e reparacioneve prej italianëve. Britanikët e konsideruan këtë interviste dhe kërkesë një zhvillim shumë të rëndësishëm, mbasi shpresonin një përfshirje të BK në luftë kundër gjermanëve, duke qenë së si Skender Muço ashtu edhe Mid’hat Frashëri ishin njerëz me shumë influencë në Shqipëri, dhe nuk kishin lidhje me qeverinë e Tiranës që ndodhej nën ombrellen gjermane.( PRO.FO.371.43550, R 2957). Kërkesa e BK u përcoll në Kajro. Qendra e Force 133 në Kajro iu përgjigj Skender Muços: “Misioni Aleat nuk kishte interes në çeshtjet e brendshme politike dhe ishte i gatshëm t’i mbështeste të gjithë shqiptarët, të cilët me të vertetë deshirojnë të bëjnë rezistencë. LNÇ janë të vetmit ndër shqiptarë që raportohet se janë duke luftuar gjermanët, ndërsa BK në mënyrë të dukshme nuk kishte ndërmarrë asnjë aksion kundër armikut, që nga shtatori 1943. Për këtë arsye, çdo ndihmë Aleate drejtuar tek BK do të ishte e limituar në natyrë dhe në rend të parë do të varej mbi nderprerjen e armiqësisë së tyre ndaj LNÇ.( PRO.FO.371.43550, Extract from Cairo, Telegram no.1846, dated 29.02.1944). Ky qendrim kaq i prerë i autoriteteve ushtarake britanike ndaj BK, siç duket ka qenë fatal në rëndimin e situatës së paqartësisë politike dhe sjelljes ushtarake të organizatës së BK në anarkinë shqiptare të pranverës dhe verës së vitit 1944. Ato kanë rendur në paqartësi pritëse deri në gusht-shtator 1944, kur kanë filluar të luftojnë kundër gjermanëve, ndërkohë që sulmet partizane kundër tyre vazhdonin egersisht. I një rëndësie të posaçme për të kuptuar situatën e ndërlikuar shqiptare në verën e vitit 1944 është Manifest i Ballit Kombëtar i nxjerrë në muajin korrik, nga Abas Ermenji dhe Midhat Frashëri. (PRO.FO.371.43554, R 16994/39/90, Major Boxshall to Mr. Laskey, Manifesto on Albania issued by Balli Kombëtar in July). Fabulen e trathtarëve të ndërtuar nga historiografia komuniste, Berdt Fischer e argumenton kështu: «Më të mbaruar lufta, historianët socialistë lipsej të prodhonin një formulë tjetër, pasi koncepti i një lufte civile sugjeron, së paku, një element barazie proporcionale, dhe, në një farë mënyrë, i legjitimon të dyja palët. Kjo, sigurisht, ishte e papranueshme për regjimin komunist, kështu që të gjithë ata që u rezistuan partizanëve u trajtuan si trathtarë, pavarësisht nëse kishin bashkëpunuar apo jo me fuqitë e Boshtit».( Berndt Fischer, Politizimi i Historisë. Rasti i Shqipërisë në Luftën e Dytë Botërore, në: Politika dhe Historia, UET Press, Tiranë 2012, faqe192).
Historianët shqiptarë sot duhet të reflektojnë, të pranojne dhe t’ia pohojnë publikut: 1. dekadencën e rendit të gjerave në Shqipëri në harkun kohor 1939-1945, ndërprerjen e evolucionit dhe progresit institucional, arsimor, kulturor dhe ekonomik, përshpejtimin dhe egersinë që pat procesi i vendosjes së diktaturës komuniste në këtë vend; 2. I gjithë harku kohor 1939-1945, në fakt, përbën një thyerje historike, një sekuencë historike, të ndarë nga dy pragje fragmentimi historik për Europën, Ballkanin dhe Shqipërinë në rastin tonë, pas të cilave kemi përmbysje të thella që shoqërohen me prishje të qendrueshmërisë pararëndëse; 3.Historianët duhet te nxisin një studim strukturorë të historisë me të debatuar të këtij vendi ballkanik, 1939-1946. Këto struktura, përsa i përket kohëzgjatjes së tyre, përfshijnë ato aspekte të përkohshme të marrëdhenieve të ndërtuara në vend, që nuk mund të shpjegohen me metodat e dikurshme të përshkrimit të ngjarjeve të sajuara nga historiografia komuniste. Këto struktura ndihmojnë të ndriçohen ndryshimet që ndodhen në Shqipëri në një hark të shkurtër kohor, nën ndikimin e faktorëve të tillë shkatërrimtarë si: Fashizmit pushtues, Kolaboracionizmit, Luftetareve qe luftonin per nje Shqiperi të lirë, të pavrur, republikane dhe demokratike, në kufijtë e Tokave të Lirueme, Bolshevizmit me frymezim jugosllav, qe luftonte per nje Shqiperi te vogel, komuniste, satelite te Jugosllavise dhe Moskes, Nacionalizmit Indipendent, Terrorizimit të Komunistëve, që shnderruan brigadat partizane për liri, në njësi të Gardes së Terrorit të Kuq. Pa analizën e këtyre strukturave dhe aktiviteteve gjegjëse te tyre, nuk mund të kuptohet tashmë, as Lufta e Dytë Botërore dhe as « stabiliteti » dikatorial nën të cilin më pas u vendos Shqipëria për gati gjysëm shekulli. Këto struktura pjesore, ndihmojnë kuptimin e tre cikleve kohore të ndërmjetme të studimit dhe thelbin e ndryshimit dhe kthesës nën të cilën u vendos vendi: Pushtimi Fashist; Pushtimi Nazist dhe Çlirimi rrënimtar Komunist. 4.strukturat e mesiperme, nuk mund të shpjegohen si zhvillime të izoluara të brendshme shqiptare, jashtë kohës europiane të Luftës së Dytë Botërore, por para së gjithash si pjesë e një procesi shumë më të gjërë europian, pjesë e ndryshimeve që ndodhën në Europë në kohen e aventurës fashiste dhe komuniste që prodhoi Luftën e Dytë Botërore dhe balancën e re të fuqive të pas saj.
Pyetjet që mund të bëhen janë këto: a arrin historiani i ri shqiptar, i përgatitur nga shkolla jonë, të kryejë studim të historisë nga një pikëpamje filozofike, permes një metode të filozofisë së historisë, duke përpunuar në mënyrë racionale shpirtin që ka prodhuar të kaluemen e tij të Luftës së Dytë Botërore? A arrin studenti shqiptar, i dalë nga shkolla jonë, të ndërtojë dhe interpretojnë kategoritë historike të “hapësirës së përvojës së shkueme” dhe të krijojë “ horizontin e rrjedhës së ngjarjeve të ardhshme”, të shpjegojë diferencën që ekziston në mes konceptimit të së shkuemes dhe atij të ardhshëm ? A arrin ai të kuptojë historinë konceptuale, a arrin të rrokë atë zonë të konvergjencës në të cilën e kaluemja dhe konceptet e saj, hyjnë në konceptet moderne? Kjo është ngaterresa e madhe qe po i rendon sot Publikut dhe qe percohet permes fletushkave propagandistike.
Në përfundim: në qoftë se korigjimet e Historise Zyrtare te Luftes se Dyte Boterore dhe më gjërë, nuk do të bëhen edhe në këtë kohë, do të jetë edhe më problematike vendosja e lidhjeve të arsyeshme, logjike dhe funksionale me të shkuarën, dhe pajtimi mes trashëgimtarëve të dy kampeve të LDB, për shkak të frakturës së thellë që ekziston mes njohjes së ofruar nga shkrimtarët e Traditës dhe ato perënndimorë, dhe njohjes së ofruar nga Realizmi Socialist. Në vend që të jemi një komb, me histori, shkollë formim, histori tekstuale, komunikim letrar të standardizuem e të konsoliduem, ne do ta përjetojmë gabimisht vetvehten, si një komb me një sistem dijeje, të verteta historike dhe shkollë, të lulëzuem në kornizat e vetëm 70 viteve të fundit, gjë që nuk mund ta konsideroj si të vertetë dhe as të dobishëm. Jemi në një mungesë të plotë simetrie me mes të Kaluemes Tradicionale, të Djeshmes së palavdishme të Realizmit Socialist dhe të Ardhmes Europiane që na imponon ngjizje, unitet logjik, vertetësi, eliminim të ndasive mbi baza të paragjykueme politike dhe kulturore ndërshqiptare. Duhet të jetojmë në një botë shqiptare humane të shpenguar, në të cilen citimi i së shkuarës sonë që s’na pelqen, duhet të jetë pjesë e natyrshme e qenies sonë, si pjesë e një bote europiane, të lirë e të çliruar nga paradigmat e shkëncës diktatoriale. E kaluara tradicionale e prodhuar nga Eterit e Ndaluar të Kombit, nuk duhet të konsiderohet më si diçka e huaj, armiqësore, por më tepër si një pjesë e horizontit jetues, në të cilin ne gjendemi dhe si nevojë e ecjes bashkërisht si komb unitar, i bashkuar në shtyllat më themelore të së shkuemes së miratueme bashkarisht.
Romeo Gurakuqi
Universiteti Europian i Tiranës
28.10.2016
Komentet