Edi Rama po tregohet i palodhur për të bindur qytetarët se Teatri Kombëtar duhet prishur, duke risjellë nëpër media deklarime dhe argumente pro shembjes së tij, të lëshuara njëherë e një kohë nga persona të njohur publikë, qofshin këta të gjallë, qofshin edhe të vdekur. Kjo sprovë e tij nuk mund të mos më çonte në disa kujtime të njëherë e një kohe kur Edi Rama fliste ndryshe.
Po përdor fjalën “fliste” dhe jo “argumentonte” apo “mendonte”, pasi sot, që e njoh më mirë, them se ato që mund të quhen mendime të Ramës, kanë qenë dhe janë thjesht ide të huazuara sipas interesave të rastit mbi parimin “përdor dhe hidh”. Mendova, megjithatë, t’i risjell në kujtesë, jo për të shtyrë Edi Ramën të rimendojë, pasi mekanizmi i mashtrimit dhe vetëmashtrimit është instaluar tashmë në mënyrë të pakthyeshme në psikikën e tij, por për t’iu drejtuar atyre që ai u drejtohet sot, nëpërmjet vetë Edi Ramës kur pozonte si intelektual që kërkonte të vërtetën dhe përçmonte politikanët, të cilët kërkonin votën dhe intelektualët shërbëtorë të regjimit të vjetër e të ri. Për këtë do të sjell disa nga kujtimet e mia të atyre viteve me Edi Ramën, që lidhen me urbanistikën dhe arkitekturën e Tiranës.
Një ndër kujtimet e para është kur biznesmeni shqiptar me origjinë nga Maqedonia, Vehbi Velia, kërkoi të ndërtonte një kullë në qendër të Tiranës, në sheshin prapa monumentit të diktatorit Hoxha, midis Bankës dhe Muzeut Kombëtar. Ai e kishte blerë asokohe atë truall dhe filloi lobimin për ta ndërtuar kullën e tij. Në një moment të caktuar, mua dhe Edi Ramës na u kërkua nga njerëzit e tij të firmosnim një tip peticioni, të cilin, na u tha, e kishin firmosur shumë intelektualë të shquar, me në krye Ismail Kadarenë e Dritëro Agollin, me të cilët synonte t’i bindte autoritetet se ngritja e saj do të ishte një hap i madh përpara i Tiranës drejt modernizimit. Më kujtohet se e diskutuam firmosjen e këtij peticioni me Edi Ramën dhe argumenti ynë kryesor kundër, nga pikëpamja urbanistike – arkitektonike, ishte shprehja e habisë sesi mund të mendohet të ngrihet një kullë e tillë, që do të pengonte shikimin e malit të Dajtit e krejt kurorës së Tiranës. Sipas nesh, ndërtesat e larta do duhej të ngriheshin në periferi për të ruajtur edhe qendrën historike, edhe pamjen e kurorës. Kujtoj gjithashtu, se kemi folur me qesëndi për delirin e Vehbiut, i cili donte të përçudnonte qendrën, duke parashikuar madje edhe zhvendosjen nga pozicioni të Skënderbeut, si dhe për firmosësit e atij peticioni.
Një tjetër kujtim që dua të sjell është një bisedë që kam bërë me Edi Ramën, në kohën kur ky u bë ministër i Kulturës. Ishim në një sallë të katit të katërt të selisë së atëhershme (ishKomiteti Qendror), që shihte nga veriu. Nga dritaret e saj dukeshin dy kullat, e quajtura asokohe “të arabit”, kundër të cilave kishte folur e shkruar aq shumë Maks Velo, me argumentin se kishin masakruar perspektivën e bulevardit. Nuk më kujtohet nëse ishin mbaruar apo qenë në mbarim e sipër, por më kujtohet se Edi Rama më tha, duke bërë edhe gjestin me dorë, se ato duhet të priteshin, d.m.th. të mos kalonin lartësinë e ndërtesës së ish-Komitetit Qendror.
Jemi në kohën kur Rama emëroi si kryetar të Institutit të Monumenteve të Kulurës Artan Shkrelin, i cili kishte punuar e ishte specializuar në Itali për restaurim të monumenteve të kulturës. Në kohën kur ishim të tre miq e intelektualë pa pushtet, ky kishte botuar në revistën “Përpjekja” (anëtar i bordit të së cilës ishte edhe Edi Rama), një artikull të shkëlqyer, me bashkautor arkitektin Daniel Gjoni (edhe ky i thirrur më vonë nga Rama si bashkëpunëtor i tij i afërt në bashki), të titulluar “Tirana – ferri urban i fundshekullit XX”. Aty sintetizoheshin krejt kritikat që ndanim asokohe ndaj politikave të deriatëhershme urbane – arkitektonike që po sillnin shkatërrimin e Tiranës historike, të hapësirave publike etj. Mes të tjerave, Shkreli së bashku me Gjonin, shpreheshin edhe kundër ekspansionit horizontal dhe vertikal të Tiranës. Citonin edhe historianin, kritikun e arkitekturës e planifikimit urban, filozofin që është marrë me efektet e teknologjisë në jetën njerëzore, Lewis Mumford. Citimi i zgjedhur kishte të bënte, pikërisht me ekspansionin vertikal: “… fillimisht, ky ekspansion ndodhi në qytetet më të mëdha, por gabimet radikale që u bënë në periudhën e ideimit të gradaçielave, tani janë përhapur në të gjithë universin, pak nga përgjumja e organeve të kontrollit, dikur shumë të rrepta, pak nga kërkesat komerciale, pak nga dëshira për të ndjekur modën e pak nga dëshira e arkitektit për të përdorur teknologjitë e reja”.
Shkreli dhe Gjoni shkruanin asokohe: “Kombinimi i ekspansionit horizontal me atë vertikal po prodhon përfitimet maksimale në kurriz të një mjedisi të pafuqishëm për të rezistuar pa u degraduar, sikurse po ndodh realisht në Tiranë dhe qytetet e tjera shqiptare, dhe për më tepër do tentojë të ndodhë akoma më tragjikisht në të ardhmen”. (“Përpjekja” 10, maj-gusht 1997).
Aq radikal ishte Shkreli në bisedat tona për sa i përket ruajtjes së trashëgimisë dhe identitetit, sa ankohej me të madhe se pse hotel “Rogneri” (që, gjithsesi, u projektua me kujdesin që të mos kalonte lartësinë e ndërtesave të Kryeministrisë dhe ishKQ) u ndërtua me material të dobët (parafabrikate e suvatim), çka e bënte të mos rrinte mirë krahas ndërtesa përbri të ndërtuara me material shumë më të çmuar. E pra, mbi këto ide e lançoi Rama veten e tij si ministër Kulture e më pas si kryetar bashkie. Premtimit të tij urbanistik – arkitektonik ia vuri emrin “kthim në identitet”, që e filloi me restaurimin e ministrive, me kthimin e aksit të bulevardit dhe ndërtesave rreth e pranë tij (përfshirë edhe Teatrin) në monument kulture si dhe pastrimin e kioskave.
Mirëpo, s’kaloi shumë dhe Edi Rama ndërroi lëkurë. Një ditë të bukur na u paraqit me një projektide për shembjen e Teatrit Kombëtar dhe ndërtimin atje të një kulle, që do të mbante brenda edhe një teatër. E kishte harruar fare se kullat në qendër pengonin shikimin e kurorës së Tiranës dhe se Tirana historike duhej kthyer në identitet. Asokohe, në një debat të organizuar në sallën e Teatrit, i pati thuajse të gjithë kundër. Me sa kujtoj, bënte përjashtim drejtori apo ish-drejtori Xh. Ferri dhe dy ndërtues të interesuar për kullën që qëndruan në fund të sallës, por që kujtoj se u bënë shumë agresivë ndaj meje, kur u mbyll debati. Për ironi, nga sharjet e kërcënimet e dhunshme të këtyre miqve të rinj të Ramës, më larguan asokohe Artan Shkreli dhe Artan Lame, të cilët me hipën në makinën e tyre.
Vazhdimin e dinë të gjithë. Sot, malin e Dajtit dhe kurorën e Tiranës që donte të mbronte Rama intelektual, mund ta shohin vetëm pronarët e kullave që ka ngritur Rama politikan nga katet e tyre të larta. Ndërtesat historike, një listë të gjatë të të cilave e bëri Shkreli dhe Lame asokohe me synimin për t’u shpallur të mbrojtura, janë gllabëruar ose zhvleftësuar nga monstrat njerëzore dhe arkitektonike të Ramës.
Shkreli dhe Gjoni dolën profetikë me artikullin e tyre ku paralajmëronin se ekspansioni horizontal dhe vertikal do të zhvillohej edhe “më tragjikisht në të ardhmen”, por jo dhe aq për rolin e tyre në këtë tragjedi. Ndoshta, në atë kohë nuk e kanë menduar se do të bëheshin vetë protagonistë të parë të kësaj tragjedie, por më shumë gjasa ka që, ashtu si kapua i tyre, idetë e “Tirana – ferri urban i fundshekullit XX” t’i kishin edhe ata të huazuara sipas parimit “përdor dhe hidh”. Sot, së bashku me Ramën e asaj kohe, edhe Shkreli e Gjoni i asaj kohe kanë vdekur, por meqenëse Rama i sotëm po na sjell edhe argumente të të vdekurve, vlen që edhe argumentet e këtyre të vdekurve të publikohen sot si kundërpeshë ndaj të vdekurve që Rama po na i ringjall si mbështetës të shembjes së Teatrit.
SHKRELI E GJONI, 22 VJET MË PARË/
Në funksion të analizës së tij, analisti Fatos Lubonja ka nxjerrë nga arkivi pjesët kryesore të një shkrimi të 22 vjetëve më parë, shkruar nga dy arkitektë: Daniel Gjoni dhe Artan Shkreli. Është viti 1997, Tirana dhe e gjithë Shqipëria është kioskëzuar dhe ndërtesat kanë filluar t’i marrin frymën çdo hapësire publike. Cili është qëndrimi i arkitektëve asokohe?
ARTAN SHKRELI & DANIEL GJONI
Politika urbane në Shqipëri përgjithësisht nuk u udhëhoq nga parime urbanistike. Nuk arriti të përvijohej ndonjë politikë ripërcaktimi territorial si në Çekosllovaki, një teori e zgjerimit të qyteteve ekzistuese pa asgjësuar bërthamat historike si në Rumani, një politikë planesh në nivel rrethi si në Bullgari apo ajo e krijimit të zonave rezidenciale me shtëpi të tipit vila private si në Hungari.
Ndonëse të ideologjizuara, këto politika patën në bazë të tyre edhe parime urbane të shkollave perëndimore.
[…] Në Shqipëri nuk ndodhi kështu, ato u ndoqën me një fanatizëm primitiv. Arketipi urban i qytetit shqiptar rezultonte pa karakteristika kulturore, gjeografike e historike (për shkak të eliminimit të kuartiereve të “vjetra”, që u zhdukën në emër të “së resë” dhe “luftës kundër mbeturinave të së kaluarës”) pa ngarkesa emocionale (për shkak të atrofizimit programatik të shpirtit krijues) e, mungesës së profesionalizmit në këtë fushë). Qytetet, në pjesën më të madhe të tyre, ishin të trishtuara, por, sidoqoftë, të rregullta, të pastra dhe pak a shumë në përputhje me normativat urbane të përcaktuara nga ligji.
Askush nuk imagjinoi atëherë se e keqja më e madhe për qytetet tona akoma nuk kishte ardhur.
Ndryshimet politike dhe për rrjedhojë eliminimi i faktorëve të sipërpërmendur, zgjoi shpresat për hartimin e një legjislacioni apo kodi urbanistik të detajuar, që duhej krijuar nga një bashkëpunim ekspertësh të huaj me eksperiencë në sektor dhe specialistësh tanë të fushave të arkitekturës, mjekësisë, sociologjisë, gjeografisë, agronomisë, policisë etj., mbi bazën e principeve të një qytetarie demokratike.
[…] Si rezultat kemi humbjen e kontrollit mbi territorin, e cila çon në degradim territorial. Te ne është ushqyer kryesisht nga dy faktorë bazë:
1. Mungesa e një Plani të Përgjithshëm Rregullues, të shoqëruar nga një legjislacion dhe një kod urban të përshtatshëm,
2. Permisivizëm ilegjitim e abuziv, si shprehje e impotencës së një organizimi të caktuar shoqëror për të frenuar korrupsionin në instancat e ndryshme të burokracisë shtetërore;
Këto mund të konsiderohen ndër simptomat më evidente të dekadencës së një shteti dhe shkallës së ulët të organizimit të një shoqërie. Kjo gjë vihet re fare qartë në mungesën apo mospreokupimin për një politikë të përcaktuar urbane në pothuajse të gjitha programet e grupimeve politike shqiptare, gjë që domosdoshmërisht do të shpjerë në krijimin e ekzekutivëve të paaftë për t’u përballuar edhe me problemet më klasike urbane si strehimi, trafiku, higjiena, infrastruktura, shërbimet etj.
Mosthellimi në këto problematika solli tragjedinë urbane, aktor i së cilës është çdo kryeqytetas e çdo shqiptar. TIRANA ËSHTË FERRI URBAN I FUNDSHEKULLIT XX, një shembull manuali “par excellence”, objekt interesant studimi nga ana e urbanologëve, politikanëve dhe legjislatorëve.
* * *
[…] Shkaqet janë të shumta e të njohura, por mungesa e respektimit të së drejtës në raport me komunitetin (qytet apo kuartier) ose me individin sjell pashmangësish përdorimin jokorrekt të territorit. Ky përdorim jokorrekt çon në humbjen e kontrollit mbi këtë territor, duke vënë në dyshim jo vetëm efikasitetin e politikave urbane, por edhe ekzistencën e vetë shtetit, parë në kuadrin ligjor. Anarkia është produkti më i natyrshëm dhe lehtësisht i vërejtshëm në shoqërinë e sotme shqiptare, ku rregulli konsiderohet si një përjashtim.
* * *
Te ne, bonum commune nuk është përcaktuar nga një politikë që ka në bazë të saj kulturën urbane, por nga një politikë që konsideron si parësore dhe të vetme vetëm vlerat materiale në kuptimin negativ të shprehjes. Kjo gjë bëri që njerëzve t’u lindin (e t’u nxiten) ide të gabuara mbi të drejtën, demokracinë, lirinë dhe tregun. Ideja se mund të blihet dhe të shitet çdo gjë gjeti shprehjen ideale në zgjerimin intensiv (si fazë e parë, e cila akoma nuk ka përfunduar) dhe atë ekstensiv (gjë që ka filluar të vihet në zbatim, sidomos nga investitorët e fuqishëm e që akoma nuk është bërë karakteristike) të qytetit.
“Kapitalizmi” i 3-4 viteve të fundit “u mësua ta konsiderojë” parcelën e vogël, bllokun hapësinor të banimit, parqet, rrugicat dhe bulevardet si njësi abstrakte që blihen dhe shiten pa marrë parasysh traditat historike, kushtet topografike, nivelin e urbanizimit apo nevojat shoqërore. Dhe jo vetëm kjo, por ideja se toka është e imja dhe me të bëj ç’të dua, mposhti çdo rezistencë institucionale dhe u rrënjos si diçka normale (gati-gati ligjore) edhe në mentalitetin e shtresës drejtuese shqiptare. Natyrisht që kjo nuk ndodh vetëm për paaftësi, por kryesisht për shkak të një kompromisi të heshtur njerëzish (publikë e privatë) të lidhur me fushën në fjalë, që për t’i hequr kalit të ngordhur patkonjtë, hoqën dorë nga planet e vjetra rregulluese (e duke zvarritur përpilimin e PPR të ri) nën alibinë e paaplikueshmërisë së planeve socialiste rregulluese dhe mosadaptueshmërinë e tyre për kushtet e reja.
Kështu, në pjesën më të madhe të ndërhyrjeve urbanistike apo ndërtimeve, nuk merren parasysh nevojat dhe aktivitetet njerëzore, por vëmendja përqendrohet vetëm në ato njësi apo pjesë, të cilat mund të blihen ose shiten. Njësia bazë tani nuk është më blloku ose lagjja e banimit, por sipërfaqja e veçantë e ndërtimit, vlera e së cilës mund të çmohet në bazë të metrave katrore dhe numrit të apartamenteve që shiten e që, për efekt të shfrytëzimit maksimal, shpeshherë kompozohen në projekt me sasira minimale ajri dhe drite.
Sheshi Skenderbej sot
Për shkak të këtij kompromisi të heshtur, nuk gjendet askush që të protestojë pasi të gjithë ndodhen në të njëjtin pozicion përfitimi: qoftë arkitektët e inxhinierët që bëjnë projektin, qoftë spekulatorët që shesin, qoftë noterët apo avokatët që përpilojnë aktet, qoftë ndërmarrjet e ndërtimit, qoftë imobiliarët që kontraktojnë e deri te funksionarët e shtetit që korruptohen për shkak se shesin fuqinë e tyre mbi lejet e shesheve apo ndërtimeve (kjo në rastin më të mirë kur këto bëhen me leje – në rast të kundërt e njëjta gjë vlen dhe për organet administrative te kontrollit dhe ato të policisë ndërtimore).
Vetëm kështu, territori urban mund të shndërrohej në një mall, vlera e të cilit përcaktohet jo vetëm nga tregu, por dhe nga shkalla e korrupsionit. Tani po asistohet në fenomenin e trajtimit të terreneve vetëm nga pikëpamja e fitimit, pa u marrë në konsideratë elemente të rëndësishme profesionalr si trafiku, orientimi, drejtimi i erërave, peizazhi urban, dendësia e popullsisë etj.
* * *
Qyteti i viteve ‘90, jo vetëm që nuk arriti të prodhojë të paktën ndonjë kuartier rezidencial të privilegjuar, por shkatërroi dhe të vetmin ekzistues në Shqipëri: ish-bllokun, që tani po transformohet në një kuartier popullor.
Justifikimet morale “de facto” të këtij shkatërrimi janë të shumta, por një ndër më të rëndësishmet konsiderohet bumi demografik që godet pa mëshirë Tiranën e viteve ‘90. Ardhja e pakontrolluar e mijëra dhe mijëra familjeve brenda një harku të shkurtër kohor nuk është shoqëruar kurrë me masa shtetërore për të zbutur dhe kontrolluar sa më tepër këtë impakt që po rezulton shkatërrues.
* * *
Kuartieret që sot po lindin jashtë kontrollit e po dendësohen jashtë një plani logjik urbanistik, do të jenë problemi i së nesërmes për një sërë patologjish urbane që njihen mirë nga eksperienca botërore, por dhe lehtësisht të imagjinueshme duke parë se ç’po ndodh në Tiranë. Do të ndodhë që nuk do të gjendet hapësirë që qyteti të ndërtojë godinat e tija publike, pasi nuk mund të bëhet kjo gjë pa blerë dhe ruajtur terrene shumë kohë më parë se të paraqitet nevoja; do të ndodhë që nuk do të gjenden më hapësira për parkim dhe qarkullim; do të ndodhë që higjiena do të mbesë e komprometuar edhe pas ndërhyrjesh serioze që dikur edhe mund të ndërmerren; do të ndodhë që kriminaliteti të mos kontrollohet në kuadrin e normalitetit. Zonat urbane që po lindin jashtë kontrollit dhe kuadrit ligjor do të jenë problemet e së nesërmes. Që tani është bërë i pakontrollueshëm degradimi i jetës sociale dhe rritja e krimit në kuartieret e tronditura nga urbanizimi i paplanifikuar.
* * *
Përdorimi i ashensorit po rrit edhe vertikalisht qytetin (ekspansion vertikal). Lewis Mumford për këtë thotë se “… fillimisht, ky ekspansion ndodhi në qytetet më të mëdha, por gabimet radikale që u bënë në periudhën e ideimit të gradaçielave, tani janë përhapur në të gjithë universin, pak nga përgjumja e organeve të kontrollit dikur shumë të rrepta, pak nga kërkesat komerciale, pak nga dëshira për të ndjekur modën e pak nga dëshira e arkitektit për të përdorur teknologjitë e reja”.
Kështu, kombinimi i ekspansionit horizontal me atë vertikal po prodhon përfitimet maksimale në kurriz të një mjedisi të pafuqishëm për të rezistuar pa u degraduar sikurse po ndodh realisht në Tiranë dhe qytetet e tjera shqiptare dhe për më tepër do tentojë të ndodhë akoma më tragjikisht në të ardhmen. Trafiku kaotik është i pranishëm nën dritaret e secilës shtëpi, pasi numri i automobilave nuk varet më vetëm nga sipërfaqja që zënë godinat, por dhe nga lartësia e tyre. Në këtë mënyrë, mungesa e hapësirës së lëvizjes ka bërë atë që zona gjithnjë e më të mëdha të qytetit të shndërrohen në rrugëza, në sheshe të ndyra parkimi, rrugë kalimi makinash, garazhe apo varreza automjetesh.
Të parat që u nënshtrohen modifikimeve masakruese janë ato zona historike (me dendësi të ulët ndërtimesh), që kanë mbetur gjysmë të rrënuara nga e kaluara. Pas një procesi asgjësimi me natyrë ideologjike që pësuan këto kuartiere gjatë viteve të diktaturës, tani po i nënshtrohen një tjetër procesi që asgjëson dhe memorien e tyre (amnezi urbane) e që ka natyrë komerciale. Kujtesa historike e lagjeve, parqeve të lojërave, atyre të gjelbëruar, pikave të takimit të njerëzve po humbasin me një shpejtësi tronditëse. Gati askush nuk i gjen më kopshtet e fëmijërisë, shkollat, parqet ku ka shëtitur në mbrëmjet e dashurive rinore, fushat e sportit ku ka luajtur, shtëpitë e vjetra të gjyshërve etj. Përmasat e kësaj katastrofe shpirtërore janë akoma të pallogaritshme. Bile, as godinat, rrugët, lagjet apo qytetet “e ruajtura” nga shteti nuk i kursehen kësaj shfarosjeje të grimcave të fundit të kujtesës dhe kulturës sonë materiale.
Duket se të gjithë janë çmendur dhe se askush nuk shqetësohet për faktin elementar se e ardhmja përcaktohet në një masë të madhe nga e kaluara.
Në zona të tëra po eliminohen parqet dhe sheshet rekreative – dhe ky është një skandal; po priten pemë të vjetra e dekorative – dhe ky është një tjetër skandal, po prishen godina që transmetojnë një kujtesë të çmuar të së kaluarës – dhe ky është një skandal; po komprometohet gati në mënyrë të parikuperueshme peizazhi urban – dhe ky është një nga skandalet e skandaleve. Dhe të gjitha këto nuk janë vepër e privatëve zotërinj, të gjitha këto janë vepër ekskluzive e shtetit shqiptar, e politikanëve shqiptarë, e profesionistëve shqiptarë të fushës.
Gafat janë të panumërta: kioskëzimi neveritës që arrin kulmin në parkun “Rinia”; mbyllja përfundimtare e kompleksit të lojërave për fëmijë në hyrje të Rrugës së Elbasanit (madje, kjo duhet konsideruar vepër penale dhe krim kundër fëmijëve); zhdukja e ndërtesave të Tiranës së viteve ‘20–‘30, mjaft interesante nga pikëpamja kulturore e artistike, shembull tipik i një stili eklektik (si në rastin e ish-jetimores në Rrugën e Kavajës); për të arritur në nivele të pakonceptueshme, si ngritja e një megagodine për Bankën e Kursimeve të Degës së Tiranës, gjë që solli “coup de grace” së pari për Hotel Internacionalin – dëshmitar i jetës politike të periudhës së Mbretit Zog dhe hotel që me imazhin dhe historinë e tij të “Belle Epoque” shqiptare meritonte një restaurim shkencor dhe një rikuperim “alla francaise” të sheshit përpara tij deri në trotuarin e rrugës së Kavajës, së dyti, nxjerrjen krejt jashtë loje të godinës së Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, shembulli më i shkëlqyer i neoklasicizmit në Shqipëri. Mund të renditen këtu me dhjetëra e dhjetëra shembuj të shëmtuar që nuk i lejon hapësira e këtij shkrimi, por nuk mund të lihet pa përmendur krimi që po bëhet në kurriz të bulevardit “Dëshmorët e Kombit” nga një godinë shumëkatëshe që pret për t’u ndërtuar pak a shumë përballë Kryeministrisë, godinë që me lartësinë e saj do të “thyejë” vazhdimësinë e qetë të bulevardit dhe do dëmtoje rëndë perspektivën e tij duke krijuar një pikë frakture që vizualisht shkurton distancën. Ç’gabim i rëndë ky qoftë edhe për profesionistët më pak largpamës. Do të ishte njësoj si të ndërtoje një gradacielë në mes të Champs Elysee-se në Paris_.
Ç’është më e keqja, me ç’shihet, ky është vetëm fillimi. Nëse vazhdohet me këtë politikë urbane, Tirana nuk do të ketë më parqe lojërash për fëmijët e saj për shkak të çmimeve të larta të terrenit të tokës e, si rrjedhim, rrugët gjithnjë e më tepër do të fitojnë një rëndësi që nuk duhet ta kenë. Ato tani do të shndërrohen padrejtësisht në “parqe”, në “vende shëtitjeje” dhe “fusha loje”, por fatkeqësisht do të jenë parqe të zvjerdhura, vende shëtitjeje plot baltë ose pluhur dhe fusha lojërash të rrezikshme.
Pakkush, ose askush, preokupohet për faktin elementar se një qytet nuk mund të kontrollojë zhvillimin e ekspansionit të tij nëse nuk kontrollon ndryshimet dhe zhvillimin e territorit të tij. Nga sa shihet, gjithkush ka të drejtë të mendojë se qyteti shqiptar me politikën dritëshkurtër e sharlatane të klasës drejtuese ka pushuar tashmë së konsideruari si një institucion publik, por përkundrazi, po funksionon si një ndërmarrje tregtare private, që preokupohet të garantojë vetëm përfitimet më të mëdha pa përjashtime apo skrupuj.
Spekulimi i shfrenuar dhe i pakontrolluar po varfëron deri në pika kritike nivelin higjenik të mjedisit. Higjiena urbane kërkon domosdoshmërisht madje me urgjence, hapësirat ligjore të saj, pajisje bashkiake dhe rezerva të tjera që janë neglizhuar.
Në asnjë vend të botës, furnizimi me ujë, heqja e plehrave dhe mbeturinave, si dhe pastrimi i gropave të zeza nuk i është lënë në dorë iniciativës private për arsyen e thjeshtë se aktivitete të tilla nuk mund të sigurojnë fitime që ta tërheqin privatin. Kjo gjë vlen akoma më shumë për kushtet aktuale ekstreme, në të cilat ndodhet higjiena urbane e kryeqytetit shqiptar.
* * *
Ajri rezulton akoma më i pashëndetshëm. Monoksidi i karbonit helmon përditë mushkëritë e njerëzve në çdo pikë të qytetit. Askush nuk e di se sa është sasia e tij në ajër sepse nuk ekzistojnë pajisje që ta matin atë, por dihet me siguri që në distancë kohore ai bashkë me mishelën e pluhurave dhe pezullive që qelbin ajrin e Tiranës, do të shkaktojnë shumë më tepër viktima sesa plumbat e gjithë kalashnikovëve të marrë së bashku. Specialistët e sektorit janë të bindur për këtë.
Niveli i smogut që ka arritur Tirana nuk i skandalizon njerëzit, sepse askush nuk u ka bërë të ditur atyre për rrezikshmërinë e tij, por kjo është njësoj si të jesh i sëmurë me kancer dhe të rrish i qetë sepse nuk e di një gjë të tillë. Pa njohje të problemit nuk mund të ketë terapi të tij. Dhe pa një impenjim human, politik dhe ekonomik nuk mund të njihen e të zgjidhen probleme të tilla të një rëndësie kapitale për një shoqëri civile.
Situata rëndohet më tej dhe bëhet skizofrenike nëse kemi parasysh dhe nivelin e zhurmave në akset kryesore të qytetit. Bëhet fjalë për një helmim të vërtetë akustik pasi është provuar se zhurmat provokojnë ndryshime të mëdha fiziologjike dhe disa sëmundje si ulcera gastrike dhe hipertensioni arterial të cilat mund të rëndohen në një mjedis të mitraluar nga zhurmat e burive dhe motorëve të makinave. As për këtë nuk ekzistojnë impiante apo indikatorë që të matin nivelin akustik të zhurmave në pika të ndryshme të qytetit. Pajisjet për këtë nuk janë të shtrenjta (sikurse ato për ta shëndoshur këtë situatë), por mungon preokupacioni i administratave dhe sensibilizimi i opinionit publik që e lejon këtë gjendje të shkojë përpara.
Zhvillimi kaotik nuk merr parasysh as minimalisht transportet*, duke prodhuar pashmangësish parregullsi të mëdha urbane. Sot nuk ekziston praktikisht diferencë ndërmjet rrugëve kryesore dhe jokryesore dhe aq i pazgjidhur është sot trafiku saqë praktikisht Tirana është në gjendje kolapsi. Shpesh rezulton më i shpejtë spostimi në këmbë nga unaza në qendër sesa me makinë (sidomos në orët e mëngjesit), pasi të gjitha flukset e hyrjes së makinave në qytet përplasen në dy-tri akse që nuk janë në gjendje t’i përballojnë ato dhe për më tepër nuk janë projektuar për një gjë të tillë. […]
* * *
Kurrsesi nuk duhet menduar se privatët janë shkaktarët e një gjendjeje të tillë. Ata duhet të kërkohen në politikat e mbrapshta që e spostojnë shoqërinë shqiptare si lavjerrësin e Foucault-së nga një komunizëm paranojak në një individualizëm të shfrenuar. Pas 45 vjetësh të një ekonomie të centralizuar dhe planifikuar, liberizmi u pa si liri për të bërë gjithçka dhe ishte pikërisht ky liberizëm dhe ky permisivizëm që e bëri Tiranën një Las Vegas në mizerje; ku në vend të krenarisë për gjelbërimin e qytetit, për Universitetin dhe institucionet publike i dha turpin e shndërrimit të Pallatit të Kulturës në bingo. Asgjë nuk mund ta dëmtonte më tepër imazhin e iniciativës private, që duhet të lindte se sa mungesa dhe preokupacioni i politikanëve për t’u marrë ca më seriozisht me problemet urbane dhe e profesionistëve të fushës që të protestonin ca më tepër për një politikë urbane në shërbim të të gjithëve. Politika, më tepër se luftë ndërmjet kundërshtarësh, duhet parë edhe si një analizë për zgjidhjen e problemeve individuale dhe të grupeve.
Dëshpëruese është se fëmijët e kryeqytetit rriten me urrejtjen dhe repulsionin për këtë mjedis, për Tiranën për Shqipërinë dhe nihilizmin për çdo gjë që bie era Shqipëri. Urbanistika është parë nga iluministët gjithnjë me prioritet dhe është trajtuar si një diskutim i hapur mbi edukatën. Kioskëzimi apo jo i Place de la Concorde ka të njëjtën peshë me edukimin ose jo të fëmijëve se nuk është mirë të vjedhin. Dhe kjo është e natyrshme pasi në bazën e urbis qëndron dhe duhet të qëndrojë koncepti i bonus commune. Humbja e vlerave në një mënyrë apo një tjetër është e lidhur edhe me degradimin e mjedisit urban dhe për rrjedhojë uljen e nivelit të konceptimit politik për të ardhmen. Dhe kjo përkthehet në atë që qytetet dhe periferitë e tyre paraqesin një degradim kaq bombardues këto vite saqë banorët e Tiranës kanë humbur ndjeshmërinë ndaj kësaj mynxyre dhe jo vetëm ata, por edhe profesionistët dhe njerëzit e kulturës, të cilët ndoshta mund të ndikonin diçka në këtë drejtim – deri sot shpesh i kanë pranuar këto skandale me indiferencë.
Ky është një rreth vicioz i vështirë për t’u krijuar dhe akoma më i vështirë për t’u prishur. Në Shqipëri, ky rreth në një masë të madhe është krijuar. I takon klasës udhëheqëse që ta konsiderojë qytetin më së fundi si problem të theksuar politik. I takon politikanëve të programojnë një PPR, t’i rijapin qytetit gjelbërimin e humbur, diellin e humbur, qiellin e pastër, ajrin, ujërat, të marrin nën mbrojtje çka mund të mbrohet akoma, të sigurojnë urbanizime në toka të shëndetshme për kuartieret e reja të banimit, për të cilat njerëzit kanë aq nevojë, të zgjidhë sistemin e transporteve, të përmirësojë shërbimet në qytet: shkollat, ambulancat, urbanin, telefoninë, ujin, elektrikun, ngrohjen; të ruajë kurorën e gjelbëruar nga prerjet dhe ndërtimet; të pengojë me çdo kusht betonizimin e kodrave të Tiranës si një pasuri kombëtare dhe individuale; t’i verë fre abuzivizmit në ndërtim dhe të ndëshkojë ashpër, pa dallim e këdo që nuk e konsideron qytetin si institucion publik Nëse nuk do të shpresonim për një gjë të tillë, nuk do t’i shkruanim këto rreshta.
Kryeshefi ekzekutiv i Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Avni Kastrati, tha se serbët në katër komuna në veri të Kosovës ende po rezistojnë të regjistrohen, por jo edhe ata në gjashtë komuna në jug të Ibrit, ku po “regjistrohen në mënyrë masive”.
“Komuniteti serb (në veri) ende heziton në mënyrë masive“, tha Kastrati në një konferencë për media në Prishtinë, në të cilën foli për ecurinë e procesit të regjistrimit të popullsisë në Kosovë, që ka filluar më 5 prill dhe do të zgjasë deri më 17 maj.
Lidhur me mospjesëmarrjen e serbëve të veriut në procesin e regjistrimit, Kastrati tha se javën e kaluar janë zhvilluar bisedime me disa institucione ndërkombëtare dhe “sigurisht ata do t’ju transmetojmë atë çka u thamë ne”.
“Ata duhet të dinë se kjo është një e mirë edhe për ata, për të ditur numrin e atyre që jetojnë në këto komuna. Mospjesëmarrja në regjistrim nuk ekziston”, tha Kastrati, duke u bërë thirrje serbëve në veri të regjistrohen.
Më 5 prill, kur edhe filloi regjistrimi – Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë e cila gëzon mbështetjen e Beogradit – kishte thënë se serbët nuk do të merrnin pjesë në procesin e regjistrimit të popullsisë.
Kastrati tha se kjo thirrje e Listës Serbe është “jashtë ligjit” dhe se ASK-ja në ditët në vijim do të veprojë sipas ligjit në fuqi, duke mos thënë se çka saktësisht do të bëjë.
“(Kjo thirrje) ka pasur ndikim te pjesa veriore, kurse te pjesa jugore komuniteti serb është duke u regjistruar në mënyrë masive. Projekti i regjistrimit të popullsisë do të ecë përpara. Nëse komuniteti në atë pjesë nuk merr pjesë, ne do të bëjmë një vlerësim sipas standardeve ndërkombëtare”, tha Kastrati.
Kosova më 29 prill shënon ditën e 24-të të regjistrimit dhe sipas Kastratit, procesi po shkon ashtu siç është planifikuar.
Sipas tij, ditëve të fundit është regjistruar numër më i madh i popullsisë sesa ishte e planifikuar.
“Deri dje (më 29 prill), janë regjistruar më shumë se 891.000 banorë të Kosovës”, deklaroi Kastrati.
Kastrati u bëri thirrje qytetarëve të jenë aktivë dhe se nëse regjistruesi nuk vjen te një familje brenda këtyre 5-6 ditëve të fundit, banorët duhet të kontaktojnë komunën e tyre për angazhimin e një ekipi. Nëse komuna nuk përgjigjet, banorë duhet ta kontaktojnë vetë ASK-në.
Ai po ashtu tha se banorët duhet të regjistrohen aty ku kalojnë më shumë kohë gjatë një viti, jo në komunën prej nga vjen.
Kastrati tha se ka mundësi që të dhënat preliminare të regjistrimit të popullsisë të publikohen në pjesën e dytë të muajit qershor.
“Të dhënat do të jenë interesante edhe befasuese, sidomos te struktura e popullsisë, ndoshta edhe te mosha mesatare”.
Bislimi për gazetën ukrainase: Ne duhet të jemi gati për luftë, Banjska tregon se ne duhet të jemi të përgatitur në çdo kohë
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, thotë se Kosova duhet të jetë gati për luftë, pasi shton se një sulm hibrid nga Serbia gjithmonë mund të fillohet kundër nesh.
Bislimi i referohet ngjarjeve që ndodhën në Banjskë në shtator të vitit të kaluar. Gjithçka nisi me një përleshje me policinë që përfundoi me vdekjen e një polic. Përplasja u përshkallëzua në një operacion kundër terrorizmit.
Megjithatë ai thotë se një luftë konvencionale është e pamundur tani, pasi ne jemi të mbrojtur nga paqeruajtësit e KFOR-it.
“Ne duhet të jemi gati për luftë. Por, një luftë konvencionale është e pamundur tani, pasi ne jemi të mbrojtur nga paqeruajtësit e KFOR-it. Megjithatë, siç ka treguar shembulli i Banjskës, një sulm hibrid gjithmonë mund të fillohet kundër nesh – dhe ne duhet të përgatituni që kjo të ndodhë përsëri në çdo kohë”, ka deklaruar Bislimi, për gazetën ukrainase të lajmeve “European Pravda”.
Ai shtoi më tej se ekzistojnë arsye për të besuar se Rusia ishte e përfshirë drejtpërdrejt në sulm.
“Në jug të Serbisë, në qytetin e Nishit, i cili nuk është shumë larg kufirit me Serbinë, ekziston e ashtuquajtura Qendra Humanitare Ruse e cila zyrtarisht është e angazhuar në sigurinë nga zjarri, por askush nuk ka parë ndonjë rezultat të punës së saj.”, ka deklaruar ai.
Bislimi thekson Perëndimi pajtohet me provat se sulmi në veri ishte një sulm hibrid që i kishte rrënjët në lidershipin e lartë të Serbisë.
Qendra Përkujtimore Potoçari për viktimat e Srebrenicës.
Valona Tela
Masakra e Srebrenicës – më e rënda në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore – mund të njihet si gjenocid nga Kombet e Bashkuara, gati 30 vjet pas.
Një propozim-rezolutë, e iniciuar nga Gjermania dhe Ruanda, kërkon që 11 korriku të njihet globalisht si Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit në Srebrenicë, dhe pritet të dalë në votim para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në muajin maj.
Propozim-rezoluta, mes tjerash, bën thirrje edhe për “dënimin pa rezerva të çdo mohimi të gjenocidit në Srebrenicë, si dhe të veprimeve që i madhërojnë të dënuarit për krime lufte, përfshirë edhe ata që janë përgjegjës për gjenocidin”.
Dokumenti – ndonëse nuk e përmend as entitetin serb të Bosnjës, Republika Sërpska, e as Serbinë – nxiti reagime të furishme në të dyja këto vende.
Udhëheqësit e tyre mohojnë se në Srebrenicë ka ndodhur gjenocid, pavarësisht faktit se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e ka njohur si akt të tillë vrasjen e mbi 8.000 burrave dhe djemve myslimanë nga forcat serbe të Bosnjës në korrik të vitit 1995.
Kuvendi i Republikës Sërpska miratoi këtë muaj një raportqë e mohon gjenocidin në Srebrenicë, ndërsa udhëheqësi i Republikës Sërpska, Millorad Dodik, mblodhi mijëra ndjekës në Banjallukë për të kundërshtuar propozim-rezolutën e OKB-së.
“Ishte një krim në fund të luftës. Pas lodhjes, urrejtjes, vuajtjes, hakmarrjes… Por, nuk ishte gjenocid”, u tha Dodik mbështetësve.
Dodik tha, po ashtu, se nëse OKB-ja e miraton rezolutën për Srebrenicën, Bosnje e Hercegovina do të ndahet. Ai tha se do të ndërmarrë edhe disa “masa të posaçme”, por nuk specifikoi më shumë.
Reagimi i Shteteve të Bashkuara ishte i menjëhershëm. Ambasada amerikane në Sarajevë tha se nuk do të tolerojë asnjë përpjekje për shpërbërjen e Bosnjës.
“Millorad Dodik e ka gabim nëse mendon se Shtetet e Bashkuara do të qëndrojnë mënjanë, derisa ai ndjek agjendën e tij secesioniste dhe e shtyn Bosnje e Hercegovinën drejt konfliktit. Republika Sërpska është entitet brenda shtetit të Bosnje e Hercegovinës”, shkroi Ambasada amerikane në Sarajevë në platformën X.
Kundër rezolutës për Srebrenicën u angazhua në mënyrë aktive edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, sipas të cilit, miratimi i saj do të shkaktonte pasoja “në stabilitetin dhe të ardhmen e Ballkanit Perëndimor, në të drejtën publike ndërkombëtare, por edhe në vetë besueshmërinë e OKB-së si garantuese e paqes dhe rendit juridik në botë”.
Në përpjekje për ta parandaluar votimin pro, Vuçiq tha javën e kaluar se ka biseduar me zyrtarë të më shumë se 80 vendeve dhe se do ta vazhdojë “luftën e vështirë”.
Zharko Koraq, profesor në pension i Universitetit të Beogradit, thotë për programin Expose të Radios Evropa e Lirë se Vuçiq e përjeton si “shuplakë” kundër tij rezolutën për Srebrenicën.
Ai thotë se regjimi i tij i ka normalizuar njerëzit e dënuar për krime lufte, të cilët, vazhdimisht, janë mysafirë nëpër studiot televizive.
“Pushteti në Serbi është i tronditur, sepse bota po tregon se nuk e ka harruar Srebrenicën dhe se sjellja e Serbisë është e turpshme. Me retorikën që po bën, Vuçiq mbron veten e tij dhe politikën ku ka bërë pjesë”, thotë Koraq.
Në vitet ’90, Vuçiq shërbeu një kohë si ministër i regjimit të Sllobodan Millosheviqit, të cilin Tribunali Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë e akuzoi për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Vuçiq ishte edhe pjesë e Partisë Radikale serbe, e cila shprehte hapur ambicie për një “Serbi të madhe”, me tokat e vendeve fqinje.
“Ju vrisni një serb dhe ne do t’i vrasim 100 myslimanë”, ishte thënia e tij famëkeqe, disa ditë pas masakrës së Srebrenicës.
Refik Hoxhiq, zëdhënës i dikurshëm i Tribunalit të Hagës për ish-Jugosllavinë, thotë për Exposenë se politika që ndjek Vuçiq sot, por edhe Dodik, është e njëjtë me atë të Millosheviqit dhe të Radovan Karaxhiqit, i dënuar me burgim të përjetshëm për gjenocidin në Srebrenicë.
“Normalisht [kjo politikë sot] nuk i ka dhëmbët e njëjtë. Sot nuk është viti ’92 dhe qëllimet nuk mund të arrihen përmes rrugëve ushtarake, siç kanë menduar Sllobodan Millosheviq dhe Radovan Karaxhiq. Por, në aspektin narrativ dhe ideologjik, bëhet fjalë për politika identike”, thotë Hoxhiq.
Ai thotë se nuk i merr seriozisht kërcënimet e Dodikut, i cili edhe më herët ka thënë se nuk është i pajtimit që Republika Sërpska të jetë pjesë e Bosnje e Hercegovinës.
Koraq, i cili ka shërbyer edhe si zëvendëskryeministër i Serbisë, thotë së Dodik po kërcënon tani në rrethana të tjera gjeopolitike, kur NATO-ja ka rritur praninë si në Bosnje e Hercegovinë, ashtu edhe në Kosovë.
“Po të isha në vendin e tij, do të mendoja mirë se si mund t’i përgjigjet bota provokimit të tij, në kohën kur ajo ka prioritete të tjera, si lufta në Ukrainë, konflikti në Lindje të Mesme, tensionet rreth Tajvanit, por, në të njëjtën kohë, vëzhgon edhe atë që ndodh në Bosnje e Hercegovinë”, thotë Koraq.
Koraq dhe Hoxhiq presin që rezoluta për Srebrenicën të votohet në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, por nuk presin që të ketë ndonjë ndikim në marrëdhëniet mes vendeve në rajon.
Pa pranimin e së vërtetës nuk mund të ecët përpara, thotë Hoxhiq.
“Kjo është sikur të vendosësh një fashë të vogël mbi një plagë të madhe që ende rrjedh gjak. Nuk mund të ecët përpara, pa i pranuar këto krime. Por, kjo natyrisht nuk mund të pritet nga Aleksandar Vuçiq dhe Millorad Dodik”.
“Andaj, rezoluta nuk do të ndryshojë asgjë te ta, por do të shërbejë si një element në procesin e përballjes me të vërtetën për udhëheqësit e ardhshëm të Serbisë dhe të Republikës Sërpska. Nuk dyshoj se kjo do të ndodhë, herët a vonë”, thotë Hoxhiq.
Në Serbi, disa organizata për të drejtat e njeriut i bënë thirrje Qeverisë së tyre dhe Vuciqit që ta mbështesin rezolutën e OKB-së për përkujtimin e viktimave të gjenocidit në Srebrenicë.
Iniciativa e Rinisë për të Drejtat e Njeriut tha se do t’u dërgojë një letër Kombeve të Bashkuara, në shenjë mbështetjeje për miratimin e rezolutës.
Edhe themeluesja e Fondit për të Drejtën Humanitare, Natasha Kandiq, i bëri thirrje asaj që ajo e quajti “elitë intelektuale” që ta mbështesë rezolutën dhe “të mos jetë e painteresuar për të ardhmen e Serbisë”.
“Elita intelektuale në Serbi është arrogante dhe e painteresuar për të ardhmen e Serbisë. Po të mos ishte kështu, a nuk do t’i thoshte presidentit Vuçiq të mos turpërohet duke luftuar kundër rezolutës së OKB-së, që e shpall 11 korrikun Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë”, shkroi Kandiq në rrjetin X.
Por, disponimi midis disa qytetarëve të anketuar nga Radio Evropa e Lirë në Beograd është, po ashtu, ndryshe-ndryshe.
“Për mua është e pranueshme që për të gjitha viktimat të ketë një ditë përkujtimore – qofshin ato te ne apo kudo në botë”, thotë Mara.
“Rezoluta është e turpshme. Nuk duhet të miratohet. Unë nuk e arsyetoj krimin, por kush e karakterizon krimin ndaj serbëve?”, pyet Branisllav Kërsmanoviq.
“Mendoj se nuk ishte gjenocid. Nuk duhet shqyrtuar fare. Është politikë kundër Serbisë”, thotë Miqa Millovanoviq.
Kur e karakterizoi si gjenocid masakrën e Srebrenicës, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë konstatoi se Serbia nuk ishte përgjegjëse për aktin e as bashkëpunëtore, por deklaroi se ajo nuk bëri asgjë për ta parandaluar atë.
Deri më tash, më shumë se 50 individë janë të dënuar me rreth 700 vjet burgim për rolet e tyre në gjenocidin e Srebrenicës.
Në vitin 2003, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi një rezolutë të ngjashme, e cila e shpalli 7 prillin si Ditë Ndërkombëtare të Reflektimit mbi Gjenocidin në Ruandë.
Në këtë vend të Afrikës Qendrore, gjenocidi ndodhi në vitin 1994, gjatë një luftë civile. Për vetëm 100 ditë, ekstremistët Hutu vranë rreth 800 mijë njerëz, kryesisht anëtarë të pakicës Tutsi dhe kundërshtarë politikë.
Nëse e miraton edhe rezolutën për Srebrenicën, blloku demokratik perëndimor do të mbyllte një kapitull të errët të viteve ’90, kur ndodhën të dyja këto gjenocide të mëdha, pasojat e të cilave rëndojnë ende. Radio Evropa e Lirë
“Xhemijeti”, pra Asamblea, “ka vendosur të shpëtojë mëmëdheun nga dëshirat e kësaj race të mallkuar e të marrë përsipër mbi shpatullat e tij atdhetare njollën që errëson historinë ottoman. Xhemijeti, i paaftë të harrojë të gjithë goditjet e hidhësitë e hershme, ka vendosur të asgjësojë të gjithë armenët që jetojnë në Turqi, pa lënë asnjë të gjallë”. Njëqindenëntë vite mbas asaj deklarate të turpëshme synimesh të Komitetit të Bashkim – Përparimit dhe zbatimit të llahtarshëm sistematik të projektit, Dita e Kujtimit të Gjenocidit Armen përkujtohet sot ndërmjet dy paradokseve. I pari është që presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan, që nëpërmjet kërcëllimës së dhëmbëve nuk pranon t’a njohë si një gjenocid plojën e rreth një million e gjysmë armenëve dhe frikëson këdo që guxon t’a bëjë (madje edhe Barak Obama mbas rizgjedhjes së tij nuk pranoi të respektonte premtimin e bërë në fushatën zgjedhore) lëvdon përzënien e pakicës armene nga atdheu i tyre mijëvjeçar I Nagorno-Karabakut (“Na ka bërë krenar Azerbaixhani që ka çuar përpara veprimin ushtarak në kohë të shkurtëra e me respektin më të madh për civilët”) dhe damkon pa ndryshimin më të vogël tepritë e Izraelit në kundërveprimin ndaj plojës kundërsemite të 7 tetorit: “Jemi dëshmitarë të njërës ndër barbaritë më të mëdha të këtij shekulli. Duke marrë letër të bardhë nga vendet perëndimorë, qeveria izraeliane e Netaniahut po zbaton një gjenocid para syve të të gjithëve”. Një tezë e ritheksuar disa herë në këta muaj me mbështetjen e hapur të Hamasit si lëvizje “atdhetarësh” (rol I mohuar atdhetarëve armenë të Karabakut) pa asnjë kritikë ndaj vrasjeve të 7 tetorit të fanatikëve islamikë. Paradoksi i dytë është pamundësia për të harruar që mbi temën edhe Jeruzalemi (me të cilin Armenia u zu në 2020, duke tërhequr ambasadorin me padinë Izraelit se i kishte shitur armë Azerbaixhanit) nuk është i kristaltë. E nëse tani i përplas në fytyrë Erdoganit faktin se ai e ka mohuar gjithmonë gjenocidin armen, edhe në qershorin e vitit 2018 Kneseti zgjodhi pezullimin e rrugës parlamentare për njohjen e plojës së një shekulli më parë si gjenocid. E bëri, u shpjegua, për të “mos ndihmuar” udhëheqësin turk atëherë në fushatë zgjedhore, e për të mos turbulluar marrëdhëniet që po përmirësoheshin. Fakti është që edhe viktimat e Shoahut, hapin përfundimtar të njohjes zyrtare të gjenocidit armen nuk e kanë kryer. Në serinë ka gjenocid e gjenocid…..
“Corriere della Sera”, 23 prill 2024 Përktheu Eugjen Merlika
Të çensurohet Shekspiri, të ndërpriten marredhëniet me universitetet izraeliane. A ka ndonjë lidhje? Çfarë i bashkon sulmin e përhapur ndaj kryeveprave të kulturës perëndimore që zhvillohet në shumë universitete amerikane dhe evropiane dhe antipatinë e shumë studentëve universitarë, dhe një numëri jo të vogël doçentësh, që shfaqin për Izraelin (të bashkuar me zemërbutësinë kundrejt tiranive, nga Rusia tek Kina tek Irani)? Lidhja është dhënë nga qënia e pakicave përcjellëse të një kundërkulture të tejngopur me humore kundërperëndimore. Nuk është në zhvillim vetëm në Amerikë një luftë kulturore. Po luftohet edhe n’Evropë.
Në këtë dramë universitetet janë një nyjëtim strategjik sepse qëndrojnë në majë të sistemit edukativ dhe kanë aftësinë për të ndikuar në të gjithë institucionet e tjera kulturore (qëndra kërkimesh, shkolla, shtëpi botuese, mjete komunikimi). Me pasoja të pashmangëshme mbi të gjithë jetën shoqërore, përfshirë politikën. Grupe të pakicës (doçentësh e studentësh), por shumë luftarakë e të vendosur, janë zotuar në orvatjen për të vënë në përplasje institucionet kulturore e qytetërimin liberal që i ka prodhuar. Si ka mundësi që shumë universitete (dukuria ka lindur n’ato anglo-saksone) kanë lejuar në brëndësinë e tyre formimin e “policive etike”, të rojeve të mendimit, çensorë xhandarë që vendosin se çfarë është e lejuar të lexohet e çfarë nuk duhet lexuar, kush duhet të lejohet të flasë e kush jo? Si shpjegohet lejueshmëria e përhapur për ata që në Universitet hymnizojnë Hamasin dhe shkatërrimin e Izraelit? Në Universitetet italiane ajo trupë policie të mendimit, për fat, nuk është formuar ende por shumë mendojnë se është vetëm çështje kohe. Nuk është hartuar, tek neve, lista e librave dhe personazheve të ndaluar. Shkurt, për çastin Shekspiri është ende i shpëtuar. Megjithatë edhe tek ne, siç e dijmë, (kur bëhet fjalë për Universitete apo festivale kulturore) dikush ka të drejtë të flasë lirisht e dikush jo. Me që ra fjala, ndërsa përbën lajm fakti që ndonjërit i është mohuar fjala nga grupe të vogla ulëritëse, ndërsa kalon në heshtje vetëpërmbajtja parandaluese, fakti që shpesh, shmangen me kujdes disa gojtarë e disa argumente për të mos patur telashe. Dhe me që fjalët kanë humbur kuptimin fillestar ka ndonjë që e përcakton të gjithë atë si një shfaqje “pluralizmi”. Në vërtetim të faktit që historia është fuqimisht e kushtëzuar nga pakicat, të motivuara forcërisht – të paktit që, shpesh, arrijnë të mbizotërojnë mbi më të shumtit – ndodh që megjithëse të populluara nga shumica të një bindjeje tjetër, disa Universitete i palosen vullnetit të mujsharëve, bëhen syleshë, të paaftë të kundërshtojnë këtë kërkesë urdhëruese për t’u përgjunjur para diktatit të përfaqësuesve të kësaj kundërkulture të mësipërme. Ato pakica fitojnë deri sa udhëheqës të guximshëm e me autoritet (në këtë rast udhëheqës kulturorë) të vetëdijshëm se kanë një përgjegjësi kundrejt shoqërisë së cilës u përkasin, nuk arrijnë t’u presin rrugën.
Në kundërshtim me sa sistemi i komunikimeve shtyn njerëzit çdo ditë të mendojnë “fitimi i votave” është pafundësisht më pak i rëndësishëm se sa “pushtimi i zemrave”. Votat shkojnë e vijnë por paragjykimet, kur i ngjiten mëndjes së një qënieje njerëzore, bëhen të pashkatërrueshme, siç tregon gjallërimi në stil të madh i kundërsemitizmit në botën perëndimore. Në të vërtetë nuk kishte shkuar kurrë, por për shumë kohë ishte mbyllur me kyç në qilar. Prej disa vitesh kishte dalë – e prej mjaft kohe regjistrohen episode të kundërsemitizmit në Evropë – dhe është vërshues mbas 7 tetorit (më parë se sa, siç e kanë dokumentuar disa hulumtime, të kryhej sulmi izraelian në Gazë, më parë se të ishin viktimat palestineze). Një ethe, siç është parë, tashmë shumë e përhapur ndërmjet studentëve universitarë që shkërbehen ndërmjet tyre (fuqia e rrjetit) nga një cep tek një tjetër i Perëndimit. Në vërtetim të faktit që fati i palestinezëve është mbi të gjitha një pretekst për të goditur Perëndimin janë heshtjet mbi poshtërsitë iraniane, ruse e kineze. Asnjëri prej tyre nuk ka vënë në diskutim marrëveshjet ndërmjet Universiteteve perëndimore dhe atyre të parajsave të sipërthëna në tokë. E tashmja dhe e ardhmja e Universiteteve , edhe se nuk është e qartë për të gjithë, do të ndikojë fatet e demokracive tona. Është e shpresueshme që shumë doçentë perëndimorë të kuptojnë se sa i madh do të jetë rreziku nëse do të lejohet që ata të drejtohen nga Don Abondë. Ose më keq: si e patregueshmja ish rektore e Harvardit për të cilën është e lejueshme “në rrethana të përcaktuara” të kërkohet në fushat shfarosja e hebrejve. Në fakt ajo e kishte lejuar qetësisht. Me që ra fjala e sipërpërmendura nuk ishte përzënë për këtë arsye, por sepse u zbulua se ishte një kopjuese e tezave shkencore të të tjerëve. Universiteteve i shërbejnë udhëheqës kulturorë energjikë, të vetëdijshëm se çfarë rëndësie kanë pasur e kanë vënde kulture në historinë e Perëndimit të kushtuar lirisht – pa pësuar përfrikësime e detyrime – dijes, drejtues të ndërgjegjshëm për lidhjen që ka ndërmjet lirisë së mësimit e të kërkimit e lirisë së të gjithëve.
“Corriere della Sera”, 29 mars 2024 Përktheu Eugjen Merlika
Ushtria ruse një javë më parë kishte kryer një sulm brutal në rajonin e Donetskut, me tanket e modifikuara të quajtura tanket “breshka”.
Megjithatë, në sulmin e dytë të kryer dje ata e pësuan rëndë nga artileria ukrainase, që kishte organizuar pritë për ta derisa po lëviznin në një zonë të gjelbëruara.
Tanket “breshka” u goditën nga predhat e artilerisë ukrainase derisa po tentonin të avanconin – duke mos e ditur se ukrainasit po i prisnin dhe se ishin të informuar për sulmin e planifikuar.
]Këto tanke janë modifikuar për të parandaluar sulmet e mundshme me dronë, por as këto modifikime nuk është se janë duke u ndihmuar edhe aq shumë rusëve.
Në pamjet e publikuara më poshtë, shihen një tank i tillë duke u tërhequr nga një tank tjetër, pasi i ishin dëmtuar zinxhirët nga goditja me predhë artilerie.sn
Tabloidi britanik, Daily Mail ka shkruar për Sadik Durakun, 53-vjeçarin nga Kosova me nënshtetsi angleze, i cili më 17 prill u ndalua nga autoritetet serbe në vendkalimin kufirar Kroaci-Serbi në Batrovci teksa po shkonte për ta vizituar familjen e tij dhe po mbahet në paraburgim me pretendimet se “ka kryer krime lufte”.
Daily Mail shkruan se ai po mbahet gabimisht në një burg në Serbi të cilin dikush ia ka përshkruar mediumit si ferr.
Duraku u dërgua në Gjykatën e Lartë për Krime Lufte në Beograd dhe u akuzua si anëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe për kryerjen e fyerjeve gjatë luftës në Kosovë.
Mediumi britanik shkruan se familja e tij thotë se kjo është e pamundur sepse ai ishte në Britani duke aplikuar për azil në vitin 1998 dhe nuk u lëvizi më nga vendi deri në vitin 2004.
Kritikët kanë akuzuar presidentin autoritar serb Aleksander Vuçiq për një marifet politik mes tensioneve në rritje midis qeverisë së tij nacionaliste dhe Kosovës, shkruan Daily Mail.
Në një peticion të postuar në internet, vajza e tij Suzana shkruan për arrestimin e babait të saj mbi akuza të rreme, duke kërkuar ndihmën e institucioneve britanike për lirimin e tij.
Për Sadik Durakun, vajza e tij shkroi se është “i sëmurë me sëmundje të zemrës” dhe se në vitin 2021 kishte një sulm dhe sot ka “një valvul që rrjedh dhe presion të lartë të gjakut”.
Daily Mail kujton se Vuçiq është akuzuar se kërkon ta imitojë aleatin e tij rus, Vladimir Putin duke nxitur tensionet me Kosovën.
Duraku, drejtor i një kompanie lavazhi me qendër në Brighton, do të qëndrojë në paraburgim derisa të dalë sërish në gjykatë muajin e ardhshëm, shkruan mediumi britanik, duke cituar një burim që u ka thënë se “situata është shumë serioze”, dhe se ai po qëndron në një burg ferri.
Në orët e para të 17 prillit Serbia i ndaloi dhjetëra autobusë me rreth 1.500 kosovarë për më shumë se 20 orë në pikat kufitare të saj me Kroacinë dhe Hungarinë.sn
Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka sulmuar emisionin ‘Report’ pas reportazhit për marrëveshjet mes Italisë dhe Shqipërisë dhe për akzuat për lidhjet me mafian të qeverisë shqiptare. Por edhe reagimi i RAI3 ka qenë i menjëhershëm. ata kanë premtuar dokument dhe fakte të tjera që do të publikohen sonte.
Reagimi i Report:
Kryeministrja italiane Giorgia Meloni sulmon emisionin ‘Report’ pas reportazhit për marrëveshjet mes Italisë dhe Shqipërisë.
Meloni komentoi reportazhin ‘Albanian (HOT)SPOT’ nga Giorgio Mottola nga foltorja e ‘Fratelli d’Italia’ në Pescara.
‘Më ndihmoni t’i dërgoj të gjithë solidaritetin Edi Ramës për linçimin që i është bërë vetëm për përpjekjen për të ndihmuar kombin tonë. Edhe ‘Telemeloni’, e keni parasysh apo jo ‘Telemelonin’? Ka paketuar një reportazh për Shqipërinë në të cilin e portretizon si një narko-shtet.’
Tematikës do t’i rikthehemi sonte me një reportazh që do të hetojë rezultatet e dobëta të deritanishme të dekretit ‘Cutro’.
Me dokumente ekskluzive do të tregojmë se si disa zyrtarë kryesorë të qeverisë kanë shfrytëzuar në avantazhin e tyre keq menaxhimet e OJQ-ve bazuar në disa hetimeve gjyqësore.sn
Meloni attacca Report dopo il servizio sugli accordi tra Italia e Albania
La presidente del Consiglio Giorgia Meloni dal palco di Fratelli d’Italia a Pescara ha commentato il servizio “(HOT)SPOT albanese” di Giorgio Mottola.
“Aiutatemi a mandare a Edi Rama la nostra solidarietà per venire linciati solo per avere tentato di aiutare la nostra nazione. Addirittura Telemeloni, ce l’avete presente no, Telemeloni? Ha confezionato un servizio sull’Albania in cui si dipingeva come un narcostato”.
Torneremo sul tema questa sera con un servizio che indagherà gli scarsi risultati del decreto Cutro fino ad ora.
Con documenti esclusivi racconteremo invece come alcuni esponenti di primo piano del governo abbiano sfruttato a proprio vantaggio i depistaggi sulle ong alla base di alcune inchieste giudiziarie.
Logjika pushtuese serbe për territore të huaja, po vazhdon edhe në këtë fillim shekull.Putini dhe Vuqiqi, janë protagonistët e ideve mesjetare, së të gjithë ruset dhe të gjithë serbët duhet të jetojnë në një shtet.Kjo është ideologji e kishave, nga edhe këto ide e kan burimin.Kjo logjikë i dergojë popujtë në ish –Jugosllavi në gjakdërdhje të madhe, në tendencën që më luftë të formohet Serbia e Madhe.Çka do të ndodhte në botë po të ishte e instaluar një logjikë e tillë?I gjithë njerëzimi do të kishte gjendje përmanete të luftës, deri sa popujtë ndërmjet veti do të ishin copëtuar.Idetë e tilla zor që i gjenë në kohën bashkohore,pos të rusët dhe të serbët.Serbia në vitet e 90-ta të shekullit të kaluar me Millosheviqin ne krye bëri krimet më të mëdha njerëzore e materjale pas Luftës së Dytë Botërore.Vetëm një masakër nga TPI në Hagë , u cilësua si gjenocid,ajo ne Srebernicë, kurse shumë masakra të tjera në Bosnje dhe Kosovë, nuk morën një karakter të tillë, qka bëri që Serbia mos të dënohet për gjenocid.Kjo ishte shumë e padrejtë nga një gjykatë e cila u formua enkas për krime të luftës në ish-Jugosllavi.Duket së më në fund bota demokratike do të ndreqë gabimin edhe pse më vonesë të madhe. Që kur është bërë e ditur për mundësinë e Rezolutës në OKB për gjenocid në Srebernicë, Aleksander Vuqiqit ju kan errësuar sytë dhe mendja.Ai po lobon nëper botë kunder rezolutës, së bashku më agjitatorët e tjerë të gjenocidit.Vuqiqi i takon botës së ërret serbe, aty ku edhe kan mbetur historikisht.Ai po demonstron gjithnjë e më shumë jo njërzoren dhe ideolgjinë të cilës i takon.Po i tregon botës demokratike , së më këtë njeri nuk vlen të bisedohet, vlenë vetëm gjuha e forcës.Vuqiqi në vend të respektit, po i përulë viktimat e luftës ku edhe vet ishte proptagonistë.Fortë është kapur pas agjendës ultranacionaliste e serbomadhe shesheliane.Çdo paraqitje e tij në opinion është e ulët dhe e gerditshme.Aleksander Vuqiq dhe memorandum elita , dhe kriminelet rreth tij, po propagandojnë dhe paralajmërojnë unitet për krime të reja në Ballkan.Garnitura pas millosheviqiane , jo që nuk po marrin përgjegjësi për krimet , por kriminelet e luftës po i konsiderojnë heronj.Me njerëzit që nuk distancohen dhe nuk kërkojnë falje për gjenocid, nuk arrihet paqja e pretenduar nga BE dhe Amerika në rajon.Kjo bandë pushtetare serbe, është mëkati më i madh i popullit serb, të cilët nuk mund të shfajësohen edhe vet, kur i lejojnë njërëzit më biografi kriminale në pushtet.
Kriminelët shqiptarë të dënuar në Britaninë e Madhe po dërgohen për të kaluar kohën e dënimit në vendin e tyre, ku burgjet kanë dhoma për të bërë dashuri, shkruan britanikja ‘Mirror’.
Kriminelët e transferuar në burgjet e vendit mund të gëzojnë katër orë në muaj në shtrat me “gjysmat e tyre”, ndryshe nga këtu ku nuk lejohen vizitat bashkëshortore. Zbulimi ynë vjen pasi rreth 200 keqbërës, përfshirë vrasës dhe përdhunues, janë vendosur të transferohen në burgje të qeta në Shqipëri sipas një marrëveshjeje me Qeverinë e Mbretërisë së Bashkuar.
Sipas rregullores së tyre të burgut: “Çdo burg duhet të ketë një ambient të veçantë për takimet e bashkëshortëve. “Një objekt i tillë duhet të ketë shtretër dhe çarçafë të cilët duhet të ndërrohen në fund të çdo takimi.” Rregullat shtojnë: “Vizitat e zgjatura lejohen për të dënuarin që është i martuar ose bashkëjeton sipas Kodit të Familjes pasi gruaja të jetë kontrolluar nga policia”.
Përparësitë e tjera përfshijnë paketa javore me ushqime dhe rroba nga familja, ambiente personale gatimi dhe leje deri në shtatë ditë për sjellje të mirë. Dhe disa të tjerë do të kenë përparësi më të mira.
Në mesin e të riatdhesuarve është edhe një mbret i drogës, i cili u transferua në një burg në kryeqytetin shqiptar, Tiranë, dy javë më parë. Erald Mema, 39 vjeç, u dënua me 25 vjet nga një gjykatës në Gjykatën e Kurorës së Oksfordit në tetor 2018 për një transfertë të madhe kokaine. Ai është në mesin e shumë shtetasve shqiptarë që u është dhënë mundësia për t’u transferuar në objektet në shtëpi sipas një skeme për riatdhesimin e tyre.
Rreth 12 vrasës, tetë përdhunues dhe më shumë se 100 fajtorë për vepra droge ose armë zjarri pritet të kthehen për të vuajtur pjesën tjetër të dënimit. Disa do të kryejnë më pak burg se sa në Mbretërinë e Bashkuar pasi dënimet e tyre janë përshtatur me legjislacionin shqiptar. Në disa raste kjo është më e ulët, por në burgjet e Mbretërisë së Bashkuar të burgosurit lirohen në gjysmë të rrugës me synim për të liruar hapësirat në ambientet e vuajtjes së dënimit.bw
Skandali që përfshiu Delina Ibrahimajn, ministre për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, bashkëshortin e saj Andi Ibrahimajn dhe Eri Koshajn shefin e Agjensisë së Trajtimit të Kredive përveçse tregon mendësinë e Rilindjes që e trajton shtetin si plaçkë për orekset familjare, është edhe dëshmi se si funksionon mekanizmi i mbylljes së skandaleve brenda organizatës.
Logjika e thjeshtë e do që shteti t’i bëhet mburojë një qytetari të sulmuar me thikë në mes të ditës. Por kur agresori është burri i ministres, rolet përmbysen. Shteti bëhet armë në duart e agresorit dhe në vend që ligji të mbrojë viktimën, ndodh që goditja me thikë të pasohet nga goditja e institucioneve.
Shkarkimi nga administrata
Drejtori i Përgjithshëm i Trajtimit të Kredive, Eri Koshaj ka deklaruar se ai kishte kohë që i bënte rezistencë presionit dhe përndjekjes së burrit të ministres për të mos e lëshuar vendin e punës. Pasi u godit me thikë ai iu drejtua policisë për ndihmë, me të njëjtin version, se ishte përndjekur dhe ishte qëlluar me thikë nga bashkëshorti i ministres, Andi Ibrahimaj për shkak se nuk donte të jepte dorëheqjen. Por në vend se të merreshin masa për ministren, si titullare dhe përgjegjëse për degradimin e institucionit, u plotësua dëshira e bashkëshortit të saj.
Eri Koshaj u shkarkua nga posti që mbante dhe për të cilin flitej se burri i ministres kërkonte të emëronte dikë tjetër.
Heshtje në polici
Vetëm pas 6 muajsh, policia e publikoi tentativën për plagosje të konfliktit që ndodhi pranë Pazarit të ri në Tiranë mes Andi Ibrahimajt dhe Eri Koshajt. Vetëm pas lajmi u publikua nga Neësbomb, policia lëshoi një njoftim ku personazhet e plagosjes përmenden me iniciale.
Ndërkohë që nuk lë njoftim pa dhënë për aksidente apo vjedhje banale, kuptohet se ngjarja që përbën një skandal qeveritar u mbajt e fshehtë dhe u referua me akuzën “Goditje për shkak të detyrës” në prokurori, megjithëse burri i ministres mbante në dorë një thikë, sipas denoncimit.
Mbyllja e hetimit nga prokuroria
Prokuroria e Tiranës e mbylli hetimin pa dënuar bashkëshortin e ministres, megjithëse pas ngjarjes ky u arratis jashtë vendit. Megjithëse Koshaj më 21 nëntor 2023 në kallëzimin e tij ka deklaruar se bashkëshorti i ministres së Shtetit për Sipërmarrjen, Delina Ibrahimaj e ka goditur me thikë në trup. Megjithëse mjeku ligjor ka konstatuar plagën e Drejtorit të Agjencisë së Trajtimit të Kredive me thikë nga Andri Ibrahimaj, sërish hetimet janë mbyllur.
Heshtje në qeveri
Kuptohet se policia, prokuroria dhe administrata nuk janë bashkërenduar rastësisht. Në radhë të parë fshehja e skandalit të Delina Ibrahimajt është një vendim politik, të cilin e ka marrë i pari kryeministri Edi Rama.
Është i njëjti që ka miratuar dhe promovuar Kodin e Etikës në qeveri, të mbushur me kritere të rrepta të sjelljes në publik, ku edhe përshkruhet situata të ndaluara për ministrat dhe për administratën.
Pas publikimit të skandalit, qëndrimet për etikën apo për qeverinë që i shërben popullit duken propagandë banale dhe broçkulla për të gënjyer qytetarët. Madje, edhe sikur të ketë një reflektim tani, që skandali ka dalë në media dhe ka habitur të madh e të vogël, reagimi do të ishte akoma më diskretitues për Ramën, që në këtë rast nuk mund të përdorë justifikimin banal, sikur Delina Ibrahimaj ka ngrënë mollë dhe dardha pas shpinës së tij.
Ngjarja e plotë
Në 21 nëntor 2023 në komisariatin Nr.1 është paraqitur Eri Koshaj me detyrë drejtor i Përgjithshëm i Agjensisë së Trajtimit të Kredive. Ai bën kallëzim penal për Andi Ibrahimajn, burrin e ministres së Shtetit për Sipërmarrjen, Delina Ibrahimaj. Sipas tij, Andi Ibrahimaj e kishte pritur në rrugë dhe e kishte goditur me thikë në trup disa herë.
Shkak për këtë sulm, siç ka deklaruar Eri Koshaj, ishte fakti se prej kohësh, Ibrahimaj e kërcënonte për të dhënë dorëheqje. Para sulmit ai pretendon se ishte përndjekur nga Ibrahimaj. Nga ekzaminimi ka rezultuar se në trupin e Eri Koshajt u konstatuan dërrmishje në pjesën e fundshpinës të shkaktuara nga një mjet prerës. Delina Ibrahimaj u largua nga drejtimi i Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë në Shtator 2023, për të marrë drejtimin e Ministrisë së Sipërmarrjes, detyrë të cilën e mban dhe aktualisht. Pas kallëzimit, policia kërkoi burrin e ministres por nuk e gjeti në shtëpi. Nga sistemi TIMS rezultoi se ai ishte larguar nga Shqipëria. Çështja u mbyll më pas nga prokuroria e Tiranës./Lapsi.al
Në partitë tona nuk i duan idealistët, por servilët dhe puthadorët, i duan përversat dhe ata që punojnë parreshtur për interesin e liderit dhe të partisë e jo për interesin e shtetit dhe qytetarëve. Shumica e liderëve partiakë (jo të gjithë) jo vetëm që nuk janë idealista, janë njerëz pa ndjenja dhe të pashpirtë të cilët janë të gatshëm që të shkelin edhe mbi kufoma nëse është nevoja, vetëm e vetëm për mbajtjen apo marrjen e pushtetit.
Partitë politike dhe “ushtarët” e Facebook-ut
Nga ri-shpallja e pavarësisë e këndej, Në Kosovë është vështirësuar tejë mase jeta për njerëzit e ndershëm dhe atdhetarë. Edhe po deshe nuk të lejojnë të punosh për të mirën e popullit, pasi, para çdo investimi që e bëjnë njerëzit e pushtetit e llogarisin interesin (pëfitimin) personal të tyre.
Nuk mundesh me qenë as afarist i suksesshëm pa ua ndarë hisen pushtetarëve, në të kundërtën ta bllokojnë aktivitetin afarist, qoftë me bllokimin e eksportit të lëndës së parë apo të importit të produkteve tua jashtë vendit.
Pra, nëse nuk je në shërbim të një lideri të një partie politike, as që mund të fillosh veprimtari afariste në Kosovën e kapur dhe ngulfatur nga grupet e interesit, të cilët menjëherë të kushtëzojnë dhe izolojnë në ecjen përpara me biznesin tuaj.
Pa u bërë pjesë integrale e grupeve të interesit, njëjtë e ke në cilën do parti që shkon!
Ose duhet me iu nënshtru urdhërave të tyre ose të largojnë menjëherë nga rrethi i ngushtë klanor!
Nëpër partitë tona politike nuk i duan njerëzit e ndershëm dhe atdhetarë që ofrojnë ide dhe iniciativa për zhvillimin e vendit, por duan “ushtarë” të Facebook-ut që tërë ditën e lëvdojnë liderin dhe partinë, porqë njëkohësisht ofendojnë dhe kërcënojnë njerëzit e ndershëm dhe atdhetarë.
Edhe populli është bërë sikur politikanët
Nuk është thënë kot ajo thënja: “Shqiptarit pa ja k…nanën nuk të thotë babë”! Vetë populli po i do dhe po i voton në zgjedhje njerëzit e kësaj kategorie, të kategorisë më të ulët të shoqërisë sonë.
Me këtë trend të ecjes sonë si shoqëri njerëzore, së paku edhe për një çerekshekulli nuk do të kemi ndryshime përmbajtësore dhe substanciale në skenën tonë politike. Nëse vazhdohet ecja jonë me hapat e Breshkës, atëherë do të mbesim shumë prapa vendeve të zhvilluara të rajonit, e të mos flasim për vendet më të zhvilluara të Bashkimit Evropian, prej të cilave jemi me qindra vite pas.
Nuk jam pesimist, por si të pritet ndryshim substancial, kur çdo ditë Kosovën po e braktisin të rinjët dhe shtresat intelektuale, po largohen mjekët dhe infermirët, studentët dhe profesorët, policët dhe ushtarët! Me një fjali, çdo ditë e më shumë Kosova po varfërohet në vlerat e saj intelektuale, kulturore dhe tradicionale.
Pas kalimit të suksesshëm të testit demokratik, fillon epoka e ndryshimit politik
E vetmja shpresë mbetet tek ngjizja e alternativës së re, që unë e kam projektuar si Alternativa Demokratike për Ndryshim (ADN). Vetëm përmes kësaj force të re politike, të pastër dhe të shëndoshë kombëtare mund të arrihet kthesa e madhe pozitive në Kosovë. Në të kundërtën, jo vetëm që do të vendnumrojmë, rrezikojmë të rrëshqasim në greminën e pafund.
Komentet