VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Libri francez i 1553: Skënderbeu mes personaliteteve më të famshme që nga Jezu Krishti e deri te Henri II i Francës

By | December 27, 2017

Komentet

2020 – VITI I AT GJERGJ FISHTËS – Pllakati nga Fritz RADOVANI (2019)

Vllazen e Motra Shqiptarë!

 

Me daten 22 Nandor asht Dita e Alfabetit Shqip, që u punue në Shoqninë “Bashkimi” të Shkodres në vitin 1908, nga Poeti Kombtar At Gjergj Fishta, dhe u aprovue në Kongresin e Manastirit. Ai Alfabet na mësoi me shkrue fjalët Nanë, Babë dhe Shqipni…

Veprat tjera të Atdhetarit At Gjergj Fishta i sherbyen gjithmonë Bashkimit Shqiptarve nen tingujt e Hymnit Flamurit Kombtar, Flamurit të Gjergj Kastriotit – Skenderbeut!

Në këte 80 vjetor që At Fishta mbylli sytë pergjithmonë mendoj se, Shqiptarët duhet të kujtojnë Veprat e Tij të Perjetëshme tue i kushtue:

“VITIN  2020  VITI  I  AT  GJERGJ  FISHTES”

Melbourne, 20 Nandor 2019.                              Me respekt, Fritz RADOVANI

VETVRASJA E NJË KOMBI – NGA FAMILJA MIRAKAJ VDIQËN NË KAMPE INTERNIMI

FAMILJA  MIRAKAJ NË KAMPIN E INTERRNIMIT LUSHNJE

 

VDIQËN NË KAMPE INTERRNIMI

CUBË DEDË MIRAKAJ, vdekë në Tepelenë 1949.

SIMON  F. BASHA, vdekë fëmijë 8 vjeçar në Saver 1958.

CUBË D. MIRAKAJ, vdekë në Gradisht 1989.

KUNE SH. MIRAKAJ, vdekë në Gjazë 1974.

 

“Do të kujtohet qi disa vjet mâ parë, kur ishe n’Egjipt, të pata njoftue qi kishe përgatitë nji tregim bajagi të dokumentuem mbi ngjarjet e Shqipnisë që prej 7 Prillit 1939 e këndej, për t’ua vue përballë trillimeve e gënjeshtrave të kundërshtarëve tanë që janë përpjekë e vazhdojnë të përpiqen me na bâ të vdekun moralisht e kombtarisht.

Nuk kam pretesën të kem bâ nji punë të përsosun, por edhe me ndejë gjithmonë në heshtje, pa lânë diçka të “zezë në të bardhën”, duket sikurse na nuk kemi kenë në gjendje me përligjë veprën t’onë para historisë e, për rrjedhim, me pranue çka kanë thânë e shkrue kundërshtarët, tue na cilsue “tradhtarë”.

Me pranue me heshtjen t’onë nji cilsim të tillë qi nuk i përgjegjet së vërtetës, mue m’âsht dukë se bajmë krim kundra vetvetes, kundra historisë e kundra fmijëve e njerzve tanë, qi do të mbeteshin me kryeultë për breza të tanë para shoqnisë.

Kjo ka kenë arsyeja qi më ká shty me i a hy ksajë pune.

Me i lanë historishkruesit të së nesërmes nji dokument që t’a kenë të gjithë Shqiptarët për studim.”

                                                                    Kolë Mirakaj

Episode të jetës së Luigj Gurakuqit- LETËRKËMBIM MUSTAFA MERLIKA KRUJA – ATË PAULIN MARGJOKAJ

 

Ramleh, (Aleksandrí), 2 qershuer 1952

 

I dashuni mik,

Po më duket se më harrove. Un shpesh t’i kam vonue përgjegjet, por ti e ke pasun zakon me vu përgjegjun letrave të mija në flakët. Ksi shtegu po më bâhet sikur ka shkue nji shekull qyshë se të kam shkrue e përgjegja e jote s’po vjen. Pse kështu? I lutem Perëndís qi së paku mos të jeshë i lig. Vetëm nji shkak më vjen ndër mend për këtë heshtje të gjatë: humbja e letrës së njânit nesh. Me sa mbaj mênd letr’e mbrapme e imja ka qênë ajo qi ka pasun do shkoqitje  suplementare mbi disa episoda të jetës së Gurakuqit. Në qoftë pra se ka humbun letra e jote, si përgjegje ksaj të fundit, të lutem me më shkrue me pak fjalë argumentat qi ke pasë rrahun në tê. Edhe m’a dërgo të porositun. Nemose sa t’i lidhim edhe nji herë pêjt e këputun të letërshkëmbimit t’onë.

Me shëndet jam mirë, sikur lus edhe për tý e të përshndes me zemër.

MKruja

 

 

 

 

Graz, me 9 qershuer 1952

 

I dashuni mik,

Sot e mora letren e shkurtë tanden. Mjerisht paska hupë letra e eme e mbrame qi të pata nisë me 5 príll. Jam shndosh, njashtu si deri tash, pse perndryshej as vetë nuk dijshem se shka me mendue tjeter, veçse a mos po jé i lig, njashtu si Ti paske mendue per mue.

Desht Zoti e letren e  mbrame po e gjêj të shkrueme në brutta-copia në nji teftér të keq e prandej po vêhem edhe nji herë me e kopjue, e shpresoj se nuk ka me kenë teper ndryshej prej letres s’eme të nisun me 5 príll e të hupun kush e din se ku neper valët e Mesdheut apo në ranen e shkretís afrikane.

Prá po i lidhim pêjt e këputun të letershkëmbimit t’onë. Kshtu të pata shkrue në letren e hupun:

“Shum interesant puna e shkopit të Gurakuqit kundra Konicës. S’e kuptoj veç se si Konica mujti me i hjedhë Gurakuqit fjalët: Ç’janë ato intriga italjane?” Luigji e tjerë nacjonalista  bashkëpunojnë me Wiedin kundra Esatit, i cili âsht i ndihmuem e  i prujtun prej Italjanvet, e si mund t’i hidhet Luigjit kjo fjalë?

Mbasi po i kemi fjalët te Konica, po due me të pvetë prap per tê. Më ké pasë shkrue në nji leter të perparshme se si në 1913, në rasen e nji vizite s’ate te Esati, ky të paska pasë dhânë me kndue nji shpallje të hartueme prej Faik Konicës, mikut të madh të Pater Gjergj Fishtës! Shka âsht kenë e shka ka permbajtë kjo shpallje, të cilen ti po n’at leter e thirrshe “nji akt tradhtije”?

Prap në të njajten leter më ké pasë folë per shum patriotë sikurse “Midhat Frasheri, Faik Konica, Mehdi Frashëri, Abdyl Ypi e Dervish Hima, qi i sjellin shpinen Ismajl Kemalit e bâhen me Esat Toptanin”. Si âsht e mundun kjo punë, kursè Esat Pasha ishte qýsh  at herë i njohun si tradhtar i çashtjes shqiptare?

Mbasi po më bjen me permendë ktu Ismajl Kemalin, due me të pvetë a ka dijtë ky shqyp apor jo? D.m.th. a ka dijtë me folë shqyp?

Prap per Gurakuqin edhe nji pyetje. Në letren e parambrame më pate shkrue per punë të shuplakës qi Luigji i çveshë Xhemil Be Vlorës. Kshtû m’a pate tfillue punen: “Xhemili lëshoi nji fjalë të randë kundrejt Shkodranit, i tha ushak, tyrqisht, qi don me thânë shërbtuer, laquet. Shkrepte në lidhnít qi kishte Luigji me Smajlin. Gurakuqi u çue si rrufeja e i mbet me nji paravesh turîjvet”. Kjo fjalë e randë e fyese kundra Gurakuqit a nuk vritte nemose indirekt edhe Smajl Kemalin? Kjo fjala laquet ktû a âsht prej fjalës franceze laquais a por âsht ndoj fjalë tjeter? “Shkrepte në lidhnít qi kishte Luigji me Ismajlin”. Kjo lidhnija patriotike e Luigjit seri si me u cilësue me nji shamje kso dore? Apor ndoshta vetë nuk e kam kuptue plotsisht thânjen t’ ande: “Shkrepte në lidhnít qi kishte Luigji me Ismajlin”. Shka kupton ti me fjalën lidhní?

Të pata bâ perpara nji pyetje, së cilës ti s’i pate dhânë fort randsí e prandej edhe i pate kenë pergjegjë krejt shkurt e si pergjysë. Pyetja e ême ishte e shprehun në ket mndyrë: “A e kanë fajin e madh Shqyptarët në farosjen e elitës shqiptare apor Serbët e Titos, qi paten krejt sundimin në dorë deri në verë 1948”?

Vetë e mendoj punen kshtu. Serbët me zi që kanë pritë ket rasë të volitshme me farosë të gjith Shqyptarët qi janë kenë anmiq të politikës së tyne që prej 1912 e tektej. Me fjalë tjera, ata kanë mbytë çdo patriot shqiptar, pse nji patriot shqiptar nuk ka si mos me kenë antiserb. Mbas mendimit t’em prá, Enver Hoxha me klyshat e vet të kuq, s’ka bâ tjeter veçse me çue në vend urdhnat e Belgradit qi prá, simbas mendimit t’em, e ka plotsisht fajin e shfarosjes s’ elitës shqiptare. Prá, po t’ ishte i vertetë ky mendimi i êm, përgjegjsín e shfarosjes do t’a kishin Serbët e jo aq Shqiptarët. Mue më duket si t’ ishin kenë serbët qi me caktue listen e atyne qi do të mbyten. Se mandej dora shqiptare vetë i vringllote plumbat kundra shqyptarve, nuk e ndrron aspak pergjegjsín e Serbvet. Ket mendim e kam pasë formue ka dit. Me gjithkta, qysh se kam marrë letren-traktat tanden mbi Kongres të Lushnjes, kam fillue disi me e ndrrue ket mendim. Mbas gjaset, edhe po t’mos ishin kenë urdhnat e Belgradit, do t’ishin kenë Shqiptarët vetë qi me u derdhë trûtë vllazenve të vet shqyptarë. Si thue ti? Heren tjeter m’i pate kenë pergjegjë ksaj pyetje me kto fjalë: “Po ti si s’priton, bre burrë, me i shtimë vetes kujdes se kush i ka mâ tepër në shpirt e kush do t’a lajë mâ shtrêjt n’atë jetë apo në ketê jetë gjakun e të pafajshëmvet shqyptarë e gjithë të zezat e bâme në Shqipní, a Slavët qi kanë dhânë drejtimet, apo shqiptarët  qi i kanë zbatue në detaje? Me ket pergjegje nuk pata kenë kondend, pse mbas ksaj pergjegje pata dijtë e kuptue, njaq sa pata dijtë e kuptue perpara saj.

Sa per punë të dokumentit qi bjen Giannini mbi Kongresin e Lushnjes në made të kufijvet, ké me mujtë me pvetë ndojherë Zogun, qi sugurisht do t’a mbajë nder mend ket punë kaq të randsishme.

Më ké pasë shkrue nji herë permbi Shtete të Bashkueme e mbi Wilsonin, gjoja se ktij do t’i dihet në kje se Shqypnija nuk humbi në rasen e Konferencës së Paqit në Paris. A janë kenë Shqyptarët e Amerikës qi e kanë influencue Wilsonin apor kah i erdh kjo simpatí e madhe Wilsonit per Shqypnín t’onë? Në numrin e mbram të FLAMURI thotë Athanas Gegaj: “Mons. Bumçi e Át Fishta i u drejtuen Benediktit XV qi të nderhynte me auktoritetin e tij moral pranë Shtetevet në favor të Shqipnís. Ktu ndërhyni Amerika. Me 10 Fruer Wilson terhoqi vrejtjen se uniteti shqiptar ishte ndamë në kundershtim me propozimin e tij… etj, si do t’a kesh lexue edhe ti vetë. Ku do t’a ketë gjetë Athanazi ket faktin se Bumçi e Fishta i u sollen Benediktit XV? Per çashtjen e Korçës e të Gjinokastrës ka pasë shkue Bumçi te Papa, kjo âsht e sugurtë, pse Bumçi vetë e ka pasë parashtrue ket fakt në Hyll të Dritës.

A ka pasë marrë pjesë edhe Fan Noli në Kongres të Lushnjes?

A ka fmij tjerë Zogu, apor të vetmin Skënderin, qi i pat lé në Shqypní para 13 vjetve?

Kto pra janë kenë pvetjet qi të pata bâ në letren e mbrame qi paska hupë. Ndoshta ka kênë edhe ndonji pyetje tjeter, të cilen vetë nuk e kam të shkrueme në brutta copia, por mue nuk më bjen nder mend asnji.

Sot po të pyes edhe per Hasan Dostin. Shka âsht kenë ky perpara? A ka kenë Minister në kohen e Italjanvet apor jo? Mue më duket se njiherë më pate shkrue ti kshtu. Si âsht qi tash ai po na del patriot aq i madh e po i ka punët në pupa qi me i a pasë nji mbret lakmí? Perpara botës ai paraqet Shqypnín, pse i vetmi Komitet Shqyptarësh i njoftun para botës âsht Komiteti Shqiperija e Lirë e ai âsht kryetari i tij. Prej kah âsht ky Hasan Dosti? A âsht edhe ky Toskë apo prej kah âsht? Kta Toskët më duket se në çdo situacjon po dijn me u ambjentue menjiherë.

A e pate blé a jo at historín per të cilen të pata shkrue në nji nder letra të përparshme?

Po e mbylli ket leter e shpresoj se ka me të rá në dorë.

Shum shndet e të mira t’uron

Miku i yt

  1.                                        P. MargjokajO.F.M.

 

 

 

Ramleh, 18 Qershuer 1952

 

I dashuni mik,

Po gzohem. Sa për letrën qi paska hupun, na pastë marrë të keqen e faleminderës Zotit qi s’paska qênë gjâ mâ e ligë.

S’paska mujtun Faik Konica me paditun nji patrijot si Luigj Gurakuqin me ato fjalë qi të kam shkrue? Paj duhet me e pasë njohun e me e njohun Konicën. Cili shqiptar s’ka qênë për tê tradhtuer, intrigant, vagabond, kusar, ignorant et. et.? Ai Luigjit s’i ka lânë vênd as në vorr, se jo mâ kur ishte gjallë. Frasa e lëshueme prej tij Gurakuqit, veç, ka qênë, si e mbaj mênd un, kështu: “Ç’janë ato, intriga italjane a?”

Dokumenti i shkruem prej Faikut qi më pat dhânë mue Esati me këndue, ka qênë shpallja e qeverisë (kam nisun me përdorë këtë formë orthografije tash, jo mâ qeverís… kur s’harroj!) esadiste në Durrës kundra asaj s’Ismail Kemalit në Vlonë. Fjalët “nji akt tradhtije” i a kam pasë thânë vetë Esatit në gojë kur më pyeti se si po më dukej.

Si âsht e mundun qi X-i, Y-i e tjerë, qi të kam shkrue vetë, të kenë bashkpunue me Esat Pashën? E mundun ka qênë e âsht qyshse âsht nji fakt. Spjegimin e këtij fakti mund t’a gjêjsh, ofshé!, në krejt historinë e kombit t’onë deri në ditt qi po jetojmë. Si âsht e mundun qi nji Mojsi të tradhtojë Skënderbegun e Shqipninë e fenë për Tyrqit? E Hamza, i nipi? E Lekë Dukagjini qi i vûni pritë me e vramë? Shêmbuj tjerë të hershëm e të vonë kërko e gjêj vetë.

Ismail Kemali e ka folë shqipen për bukurí.

Ti e ke marrë vesht fare mirë ça të pata shkrue për incidentin Luigj-Xhemil, posë atje ku t’a paskam ngatrrue lâmshin vetë me nji gabim orthografik : nuk dij si Buenën më paska shkue dora me shkrue laquet, për laquais! Lidhní, un e kam përdorë për relacjon. Pa dyshim fjala e Xhemilit kundra Gurakuqit ka vramë edhe Ismailin, por ai s’kishte aso edukate me e mendue këtê si ti.

Në çashtjen e përgjegjsisë sërbo-shqiptare komuniste për plojën mbi patrijotët t’anë, un prap kisha me t’u përgjegjun me nji pyetje, tue u mahitun: a i a ka fajin pyllit spata apo bishti? Por mbasi për tý paska rândsí ajo punë, qe se edhe un po t’a kallzoj mendimin t’em. Âsht nji pikë tepër e vështirë me e damë pa dokumenta aqë imtë si don ti. A i kanë shënue emnat për t’u prishun Sërbt a Shqiptarët vetë. Njerzit për t’u prishun i ka njohun aqë mirë Enveri me shokë sa edhe Dushani me të vett, ndoshta ata mâ t’ultët mâ mirë të parët se të dytët. Interesë me i mbytun kanë pasë të dý palët, njâna edhe si komuniste edhe si sërbe, tjetra si komuniste e si klikë qi ka damë me qëndrue në fuqí me çdo kusht. Daje ti tash se cila anë del mâ fajtore. Për mue janë Shqiptarët. Ti, kur bâhet nji vëlla i yt shoq me nji anmikun t’ând për me të mbytun, vllau pse don me qênë vetë i parë në familje e me e shfrytue për vete pasuninë e përbashkët e anmiku pse, tue shtimë grindje e gjak në familje âsht mâ i sigurtë se do t’a gzojë pjesën tjetër të pasunisë (Kosovën) qi ka grabitun e madje shpreson se mund t’a grabisë n’atë mënyrë edhe pjesën qi ka mbetun, kê kishe me bâmë në këtë rasë mâ fajtuer, anmikun a t’ând vlla?

Për kundrështimin qi kam me Gianninin, mbasi ka nji rândsí historike, tash kam me u interesue në Romë e në Paris pale a ka për të qênë e mundun me xjerrë gjâ për fushë. Persona qi më kshillon ti âsht vetë e interesueme e un për historí e të vërtetën përgjithsisht s’vullnohem dosisdo.

Besoj se në muej të gushtit qi vjen kam me qênë vetë në të dý kryeqytetet qi përmênda. Fjala âsht se Mbreti, e me tê edhe un, do të nisemi për Amerikë e do t’a lâmë Egjiptin në gusht. Unë vetë s’do të rrijë pa u ndalë ase shkue edhe n’Italí për shumë arsye të mija. Ti, në t’u dashtë me folë mbi kët’udhtim kur të më shkruejsh, fol vetëm për mue, se këtuhja ka censurë.

Wilsoni  ka qênë nji shtetar mjaft idealist për aqë sa kam dije un për tê. Pa dyshim mbi problemat e Shqipnisë ka qênë informue si prej së vetsh, ashtu edhe prej Shqiptarve të çdo kategorije nëpër të vett. S’âsht, pra, çudë, qi nji kryetar Shteti i cili e ka qitun cekën me i dalë zot së drejtës t’a ketë përkrahun Shqipninë qi s’lypte tjetër, veç së drejtës së vet. Gegaj ndoshta e ka gjetun atë fakt qi shënueka të botuem në ndonji ndër libra qi janë botue mbi luftën e parë botore e paqën qi erdh mbas saj. Sa për Bumçin, Fishtën e Papën të kam shkrue edhe un mâ parë aqë sa dij.

Fan Noli s’ka pasun si me marrë pjesë në kongresin e Lushnjes, mbasi ka qênë n’Amerikë. Kështu nemose e dij un.

Mbreti s’ka djalë tjeter as vajzë posë Lekës.

Hasan Dostin e kam zgjedhun un vetë për ministër të drejtësisë në qeverinë t’eme. Ka bashkëpunue disa muej me mue e ka dhânë dorhjekjen bashkë me ministrin e partisë fashiste, Jup Kazazin, të birin e Muharrem Agë Kazazit prej Shkodret, s’mbaj mênd sa muej para se me u tërhjekun un vetë. Shkaku i dorhjekes së tyne pat qênë ky: qe reshtue nji grup komunistash 6 vetësh me bomba e revole në Fier e gjyqi i posaçëm i pat dënue të gjashtë me dekë, në bazë të ligjvet qi vetë Hasani kishte nënshkrue si minisitër i drejtsisë. Ishte e para rasë dënimi kapital kundra komunistave. Un vëndosa me lypun faljen e jetës për tre, gjysën e të dënuemvet. Dy dorhjeksat deshën qi t’u falshin të gjithë. Un me shumicën e ministravet, posë treve, ndër të cilët Hasani e Jupi, ramë deri në nji me u prishun, sa me dhânë të parën provë qi për komunistat ka edhe dekë. Por ata dy as me kaqë s’u vullnuen, e dhanë dorhjeken. Kështu ka qênë puna e Hasanit. Tash mos më pyet edhe për këtê se si u bâka. Bâhet, lum miku, në politikë gjithça mund të bâhet! Hasani pat hŷmë, madje ishte qyshë kur e mora un për ministër, në Ballin Kombtar. E kjo cilsí dhe zotsij’e tij opurtuniste e çuen në krye të komitetit t’onë të famshëm.

Hasan Dosti âsht nga nji familje e vjetër kardhiqjote, jo beg, por agë, nj’ashtu si Kazazët e tjerë në Shkodër a shtëpitë e para të katundevet edhe në Gegní, si me thânë Ndrejajt  a Kaloshët e Dibrës. Mashkujt e Kardhiqit (qarku i Gjirokastrës) i ka pasë premë Ali Pasha në 7 vjeç e përpjetë, me gjithë të parin e Hasanit. Ky do të ketë lemë prej ndonji mashkulli qi ka pasun fatin mos me u gjindun atëherë në Kardhiq. Për mâ shumë se kaq ke kohë mjaft me marrë vesht mbi bijografinë e Hasanit.

Librin qi më shkrove ti e kemi porositun me anën e nji librarije të këtushme tash dy muej në Paris, se këtuhja me Austrinë, as me Gjermaninë s’paska lidhje për punë librash. Por kurrgjâ deri tash. Âsht çashtje paresh e valutash. Un i thashë Mbretit e n’emën të tij vota vetë në librarí e porosita dý copë, nji për tê e nji për vete. Kështu pra qëndron puna.

Kur t’i gjêjsh letrat e mija pa qortime me pêndë, dije se janë të pashikueme, nj’ashtu si kanë dalë, se pritoj me i këndue shkrimet e mija për miq. Kështu tash jam tue t’a nisun edhe këtê.

E me kaqë e njimijë shëndete e të mira

Mustafa

Më 18 nëntor 1307 Vilhelm Teli, heroi kombëtar i Zvicrës, u dënua të qëllonte me shigjetë mollën mbi kokën e të birit

VOAL – Vilhelm Teli (Wilhelm Tell) ishte një hero legjendar Zviceran i cili duhe të ketë jetuar midis fundit të shekullit trembëdhjetë e në shekullin e katërmbëdhjetë dhe ekzistenca e vërtetë historike e të cilit është ende çështje e papërcaktuar.

Vilhelm Teli është heroi kombëtar i Zvicrës. Miti ose realiteti i një qyteti të vogël në zemër të Evropës, Tel dhe legjenda e tij mesjetare janë të njohura në të gjithë botën.

Sipas legjendës, Vilhelm Teli lindi dhe jetoi në Bürglen në Kantonin e Uri, afër masivit Gotthard. Teli, babai i një familjeje, një gjahtar i aftë i harkut, shkoi në kryeqytetin rajonal Altdorf më 18 nëntor 1307. Ndërsa kaloi në sheshin publik, ai injoroi kapelën perandorake që Albrecht Gessler, administratori lokal i Habsburgëve, i kishte bashkangjitur shtëpisë së ankandit, disa muaj më parë. Kapela, simbol i autoritetit perandorak, duhej të respektohej absolutisht nga kushdo që kalonte. Ata që nuk u përkulën rrezikuan konfiskimin e pasurisë apo edhe vdekjen. Meqenëse Tel nuk e kishte nderuar kapelen e tij, e gjeti veten në telashe. Të nesërmen ai u përmend në shesh; para të gjithëve ai duhej të justifikonte veprimin e tij.

Në këmbim të jetës së tij, përmbaruesi Gessler i imponoi atij provën e mollës, e cila, e vendosur mbi kokën e djalit të tij të vogël Gualtier, duhej të përshkohej nga shigjeta e harkut të tij. Prova kaloi me sukses, por në rast se diçka do të kishte shkuar keq, Vilhelmi kishte fshehur një shigjetë të dytë nën xhaketë, gati për tiranin. Kjo i kushtoi Vilhelm Telit lirinë e tij: ai u arrestua dhe u dërgua me varkë në burgun Küssnacht. Papritur shpërtheu një stuhi në Liqenin e Lucernës dhe rojet e burgut e liruan Telin, një lundrues e shkathët, që mund t’i shpëtonte ata nga stuhia. Duke mbërritur në afërsi të bregut, në gjysmën e rrugës midis Altdorf dhe Brunnen, Tel u hodh nga anija në breg me një kërcim dhe, me një goditje të fuqishme, e dërgoi anijen përsëri në detin e hapur. Në ditën e tretë, afër Küssnacht, i fshehur pas një peme në anët e “Via Cava” që të çon nga Gotthard në Zyrih, Teli u hakmuar duke vrarë Gesslerin.

Sipas traditës, më 1 gusht 1308 u bë çlirimi i Zvicrës origjinale. Populli, pasi mësoi për veprat e Telit, u ngrit dhe rrethoi kështjellat dhe ndoqi sundimtarët nga tokat e tyre përgjithmonë. Për më tepër, shigjetari do të kishte marrë pjesë në betejën e Morgarten përkrah Konfederatave (Uri, Schwyz dhe Unterwalden), e cila përfundoi me fitoren kundër Habsburgëve më 1315. Vilhelm Teli jetoi me respekt dhe admirim të njerëzve deri në verë të vitit 1354, kur, për shkak të një stuhie, heroi zviceran sakrifikoi jetën e tij për të ndihmuar një fëmijë të rrëmbyer nga përroi i Schächen në përmbytje.

Referenca e parë për heroin legjendar shfaqet në një dorëshkrim të vitit 1470, Librin e Bardhë të Sarnenit, të përpiluar nga kalorësi i famshëm provincial Hans Schriber, i cili kishte mbledhur kronika dhe të dhëna historike në Konfederatën Zvicerane. Një burim tjetër për legjendën është Kënga e Themelimit të Konfederatës, e kompozuar nga një poet anonim dhe botuar për herë të parë në 1545, e cila rrëfen lindjen e Konfederatës Zvicerane dhe citon fatin e Vilhelm Telit, i cili, sipas këtij burim, ishte mbytur në Liqenin e Lucernës nga Gessler i lig. Por vepra më e plotë që paraqet historinë e Tell është Chronicon helveticum i vitit 1550, nga historiani Aegidius Tschudi. Historiani saktëson se Tel do të ishte mbytur në vitin 1354, jo sepse ai vrau sundimtarin, por për të shpëtuar një fëmijë që ra në ujërat e ftohta të lumit Schächen. Episodi është përshkruar gjithashtu në një afresk të vitit 1582 të ruajtur në kapelën Bürglen, fshati ku ai lindi.

Personalitete të rëndësishme artistike kanë kontribuar në bërjen e famshme të figurës së Vilhelm Telit. Midis tyre, i pari i të gjithëve, shkrimtari dhe poeti gjerman Friedrich Schiller i përshkroi veprat heroike në dramën homonime (Wilhelm Tell, 1804). Nga drama e Schiller-it, më 1829 Gioachino Rossini kompozoi Vilhelm Tel. Kjo operë ishte shumë e rëndësishme për Zvicrën dhe Zviceranët; prova e kësaj është fakti që klaksonët e autopstaleve të vjetra binin sipas melodisë me të cilën fillonte opera.

Një ri-interpretim i vetëm i mitit të Vilhelm Telit (Wilhelm Tell für die Schule) është shkruar më 1971 nga Max Frisch, një ese e shkurtër e ndërtuar mbi një përzierje interesante të filologjisë dhe ironisë, në të cilën rikrijohet historia e heroit kombëtar zviceran, por duke vënë në qendër të veprës sundimtarët Habsburgë dhe paaftësinë e tyre për të kuptuar botën e njerëzve malësorë, kokëfortë dhe të heshtur mes të cilëve ai ndodhet./Elida Buçpapaj

Le Journal (1914) – Faik Konica në Secolo për pritjen e Princ Vidit, buxhetin shtetëror dhe qëndrimin ndaj Austro-Hungarisë

Faik Konica

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 13 Nëntor 2019

 

“Le Journal” ka botuar, të dielën e 25 janarit 1914, në faqen n°4, një shkrim në lidhje me intervistën e Faik Konicës me gazetarin e “Secolo-s”, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

 

Problemi shqiptar

Çfarë presin shqiptarët nga Princ Vidi

 

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Vjenë, 24 janar. (Nëpërmjet telefonit) – Një koleg i Secolo-s pati një intervistë me një shqiptar që jeton në Trieste, Presidentin Faik Bej Konica, i cili i tha atij se këto ditë të gjithë delegatët shqiptarë aktualisht jashtë vendit do të takoheshin në Trieste për të udhëtuar së bashku në Shqipëri për të nderuar Princ Vidin gjatë ardhjes së tij.

 

Presidenti deklaroi gjithashtu se princi do të ishte i detyruar të rrethohej me një suitë të shkëlqyeshme dhe truproja të shumta për të dhënë përshtypje të mira popullit të tij.

 

Qyteti i Durrësit do të konsiderohet si kryeqytet vetëm përkohësisht. Sa i përket situatës financiare të Shqipërisë, Presidenti deklaroi se buxheti do të jetë 18 milion franga. Shteti i ri do të ketë një qëndrim miqësor ndaj Austro-Hungarisë.

Faik Konica për Neue Freie Presse (1913): “Prioriteti i Shqipërisë së re do të jetë edukimi i grave shqiptare. Dukën e Montpensierit nuk e marrim princ.”

Faik Konica

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 12 Nëntor 2019

 

“Le Journal” ka botuar, të premten e 4 prillit 1913, në faqen n°4, një shkrim në lidhje me intervistën e Faik Konicës për “Neue Freie Presse”, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

 

Shqiptarët nuk duan për udhëheqës Dukën e Montpensier-it

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Vjenë, 3 Prill. (Nëpëmjet një shkrese të korrespondentit tonë të veçantë.)

 

Faik Bej Konica, president i kongresit shqiptar në Trieste, ekspozon, në një intervistë të botuar nga “Neue Freie Presse”, planet për organizimin e brendshëm të Shqipërisë së re, dhe thotë se një punë shumë e rëndësishme do të jetë edukimi i grave shqiptare.

 

Ne nuk do ta marrim Dukën e Montpensier-it si princ, tha Faik Bej Konica. Ne nuk kemi nevojë për një njeri mondan. Ne kemi nevojë për një njeri të hekurt, dhe do të dimë se ku ta gjejmë.

Luigj Gurakuqi për Neues Wiener Tagblatt (18 nëntor 1912) : “Shqiptarët do ta fitojnë pavarësinë ose do të vdesin duke luftuar për të.”

Luigj Gurakuqi

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 18 Nëntor 2019

 

“La Petite République” ka botuar, të martën e 19 nëntorit 1912, në faqen n°3, një shkrim në lidhje me intervistën e Luigj Gurakuqit në gazetën “Neues Wiener Tagblatt”, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

 

Deklaratat e një shqiptari të shquar

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Vjenë, 18 nëntor

 

Neues Wiener Tagblatt boton një intervistë të Dr. Luigj Gurakuqit, një shqiptar i shquar, i cili udhëtoi nëpër Vjenë për t’u nisur për në Vlorë.

 

Çështja e Lindjes nuk do të zgjidhet përfundimisht, thotë ai, nëse Serbia ose Mali i Zi pushtojnë qoftë dhe një pjesë të vetme të Shqipërisë.

 

Shqiptarët nuk duan të bëhen sllavë, ata duan të jenë të pavarur dhe do ta fitojnë pavarësinë ose do të vdesin duke luftuar për të.

DISA NGJARJE NUK PERSRITEN MA… – Nga Fritz RADOVANI

 

 

ANA  E  MALIT

1949 NANDOR…

Erdhi ma në fund lajmi i shumë pritun në çelen e Dajçit Bregut të Bunës tek Gjyshja ime, per lirimin nga sigurimi i shtetit i Shkodres i priftit Don Kolec Prennushi mbas 11 muejsh hetuesi… U liruen disa klerikë me shpresen e “firmimit të Statutit të Kishës…”

Gjyshja, Nana Nine nuk e besonte pa e pa me sy! Ai do të rrinte dy javë në Shkoder, me ba “Leter Njoftimin”… E verteta ishte tjeter: Ai ishte nen kujdesin e mjekve se kishte humbë zanin dhe kishte probleme me zemer nga korrentet elektrike nder tortura…

Mjekët Karagjozi, Prela dhe Shiroka e shikonin shpetimin e Tij per fije të penit…

Fshatarët shkonin e vinin tek çela me peshqeshe dhe urime prej zemret per lirimin e Tij.

Diten që pritej ardhja fshatarët u grumbulluene n’ oborrin e Kishës që në ora 12 e drekës, dhe filluen me i ra kumbonëve të Kishës së Shelbuemit në Dajç, tue u pasue në të gjitha Kishat tjera të bregut Bunës, prej Shirqit e Obotit deri në Velipojë… Dishka e veçantë!

Dy fshatarë që e shoqnonin gjithnjë nder sherbime, u nisen per Shkoder me e marrë tek shtëpia ynë dhe me e sjellë gjatë rrugës tue u kujdesë per shka mund të kishte nevojë.

Kanë hypë të tre bashkë me Don Kolecin në një karrocë me kalë, dhe nga ora 13.00 janë nisë në drejtim të Dajçit, tue kalue nga Ura e Bunës, per tek Lisi n’vorr ku ishte lundra.

Kur kanë mërrijtë n’ Anen e Malit, aty i pritte Hoxha i atij fshati me dy kual të bukur dhe disa fshatarë. Mbasi pershndeti Don Kolecin, edhe Hoxha hyni në karrocë se Don Koleci nuk mujte me udhtue me kalë. Bashkë ma ta u nis edhe grupi i fshatarve që shoqnonte Hoxhen e Anës së Malit. Kur mërrijten tek Lisi n’ vorr, aty u ndane mbasi Don Koleci do të hypte në lunder per me pre Bunen dhe, me marrë drejtimin e rrugës së Dajçit…

Ndoshta, ju duket dishka e zakonshme, po në të vertetë per atë kohë nuk ishte ashtu.

Një Hoxhë i një fshati i del para një Prifti mbas lirimit nga sigurimi komunist, e pergzon dhe e shoqnon gjithë rrugës deri ku vazhdon rruga e fshatit të Tij, bashkë me fshatarë…

Kjo nuk besoj se do të ngjante edhe sot mbas 70 vjetësh nder ato zona kufitare ku, frika dhe survejimi ishin nder të gjitha kaçubat e ferrave dhe shkamijt e gurt’ të lamë me gjak.

Don Koleci vdiq mbas 8 muejsh me 2 Korrik 1950, dhe shumë kohë mbrapa mësueme atë të vertetë të miqësisë së Tyne. Hoxha i kishte kerkue Don Kolecit me shpetue një fshatar të arrestuem nga gjermanët në vitin 1944, e Don Koleci me anen e Mikut vet Don Alfons Tracki (pushkatue 1946) e kishte shpetue… Per mirnjohje Hoxha shoqnoi Don Kolecin bashkë me fshatarin mbas pesë vjetësh, në vitin 1949… Perveç mirnjohjes kishte aty edhe Miqësi, Burrni, Besim dhe dishka tjeter ma shumë se këta të gjitha: VLLAZNIM !..

Pikrisht, ate që sot mungon nder të gjitha hallkat e jetës së Shqiptarve…

            Melbourne, Nandor 2019.                    

VETVRASJA E NJË KOMBI – FAMILJA MIRAKAJ – VRASJE, HETUESI, BURGJE E INTERNIME GJITHËSEJT 950 VJET

Gjatë diktaturës komuniste Familja Mirakaj pësoi:

VRASJE, HETUESI, BURGJE

DHE INTERNIME

950 VJET…

 

TË VRAMË NDËR MALE

PASHUK BIBË MIRAKAJ (1902) – VRA MË 19946

NDOC KOLË MIRAKAJ (1919) – VRA MË 1949

LUSH M. MIRAKAJ (1905) – VRA MË 1946

 

TË EKZEKUTUEM NGA KOMUNISTËT

FRAN PJETËR MIRAKAJ (1912) – VRA MË 1947

PLLUMB D. MIRAKAJ (1924) VRAE MË 1946

 

NË BURGUN E BURRELIT

MARK NDOC DARRAGJATI (1912) VRA MË 4.9.1948

 

 

 

Fotot e rralla të Ballit Kombëtar gjatë Luftës, që u mbajtën sekret për 45 vjet nga ish-Komiteti Qendror i PPSH-së

Dashnor Kaloçi

Memorie.al publikon disa foto të rralla të organizatës nacionaliste të Ballit Kombëtar të bëra gjatë periudhës së Luftës në vitet 1943-1944, të cilat për vite me radhë u mbajtën sekret në arkivin e ish-Komitetit Qëndror të PPSH-së dhe nuk u publikuan kurrë nga historiografia e regjimit komunist dhe propaganda e asaj kohe, me qëllim që veprimtaria dhe roli i kësaj organizate nacionaliste të fshihej fare nga historia dhe memorja e shqiptarëve. Në këto foto të panjohura me imazhe të rralla kanë dalë disa nga eksponentët kryesorë të Rinisë së Ballit Kombëtar të inkuadruar në batalionin “Qeramudin Sulo dhe Besnik Çano” gjatë inkursionit që ata bënë në disa qytete të Kosovës, si Prizren, Pejë, Gjakovë etj., ku ata shkuan për të luftuar kundra forcave çetnike në verën e vitit 1944, si dhe në ceremoninë mortore të Azis Çamit, një nga udhëheqësit e Ballit që u vra me atentat nga gueriljet komuniste të Tiranës.

Në disa nga këto foto është batalioni i Rinisë së Ballit, “Besnik Çano dhe Qeramudin Sulo” duke hyrë në qytetin e Pejës e Gjakovës, ku i është bërë një pritje madhështore nga mijra e mijra banorë që kanë dalë në të dy anët e rrugës me lule në duar. Në krye të kollonës së forcave të rinisë nacionaliste, duket Seid Kazazi (komandanti i batalionit) dhe pas tij Arif Peza dhe Xhemal Alimehmeti, ndërsa në mes tyre me flamur në dorë, është Ridvan Banka, të tre nga qyteti i Tiranës dhe shokë klase me Ramiz Alinë në gjimnazin e kryeqytetit deri në vitin 1943 kur braktisën mësimet dhe dolën në mal për të organizuar rezistencën antifashiste.

Seid Kazazi, i diplomuar për Drejtësi në Vienë, u vra nga forcat komuniste në Kryengritjen e Postribës në vitin 1946, ku ishte në krah të vëllait të tij, Jup Kazazit, udhëheqësit kryesor të kësaj lëvizje antikomuniste që vrau veten për të mos rrënë i gjallë në duart e forcave komuniste. Kurse Arif Peza, po komandanti i një çete të Ballit që ishte dhe tmerri i komunistëve, në nëntorin e vitit 1944 u largua nga Shqipëria së bashku me eksponentët kryesorë të Ballit dhe Legalitetit si Mit’hat Frashëri, Hasan Dosti, Abaz Kupi, etj., kurse një vëlla i tij, gjithashtu komandant çete i Ballit, u pushkatua nga komunistë, ndërsa tjetri, Qazim Peza vuajti vite të tëra në burgjet politike të regjimit komunist.
Arif Peza pasi qëndroi për disa kohë në kampet e Italisë, më pas emigroi në SHBA dhe Kanada, për t’u rikthyer në Shqipëri në vitin 1993 dhe ndërroi jetë në vitin 2008. Ndërsa Xhemal Alimehmeti, u arrestua menjëherë që në dhjetorin e vitit 1944 dhe pasi vuajti disa kohë në burgjet politike, për shumë vite punoi në ndërtim dhe ndërroi jetë në vitin 2005.

Krahas tyre në këto foto (në kamionin e hapur) duken dhe Rruzhdi Daca, Tom Leci, Lec Gjeçi dhe Pal Mirashi, eksponentë kryesorë të Rinisë së Ballit të qytetit të Shkodrës, të cilët iu bashkuan batalionit “Qeraudin Sulo dhe Besnik Çano” gjatë inkursionit që ata bënë në Kosovë ku luftuan kundra forcave çetnike të Drazha Mihajlloviçit. Në një foto tjetër, është ceremonia e varrimit e Hamit Troplinit, djaloshit tiranas që u vra gjatë luftimeve të forcave të këtij batalioni në afërsi të lumit, Lim, dhe në plan të parë, (i dyti pa kapele) është Ramazan Turdiu nga Tirana, i cili po në nëntorin e vitit 1944 u largua nga Shqipëria me krerët kryesorë të Ballit dhe legalitetit duke u vendosur fillimisht në Itali ku përfundoi studimet e larta dhe u diplomua në Farmaci me gradën doktor dhe më pas emigroi në SHBA, ku studioi “Farmaci” në Columbia University dhe punoi për pesë dekada në kërkime farmaceutike për CIBA dhe “Warner Lambert”. Ramazani ndërroi jetë në SHBA më 25 nëntor 2012.

Në një foto tjetër janë pjesëtarë të batalionit të Rinisë Nacionaliste të Ballit Kombëtar në qershorin e vitit 1944 në qytetin e Prizrenit, duke dëgjuar dhe duartrokitur fjalimin e mirëseardhjes së Bedri Pejanit, një nga krerët kryesorë të forcave nacionaliste të Kosovës dhe kryetar i Lidhjes së Tretë të Prizrenit. Një foto tjetër e cila i përket datës 17 dhjetor 1943, duken disa eksponentë të tjerë të Rinisë së Ballit Kombëtar, si Ramazan Jarani, Luan Dosti, Ziçe Hatibi, Hamit Shehi, Luan Dosti, etj, në Rrugën e Kavajës duke mbajtur në supe arkivolin e Haziz Çamit, një nga eksponentët e Ballit Kombëtar i cili u vra pabesisht me atentat nga guerilejt komuniste të Tiranës. Për ironi të fatit edhe atentatori i tij një i ri komunist, për shumë vite vuajti në burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës i akuzuar si “armik i popullit”./Memorie.al

 

Nga refuzimi i Edith Durham te letrat me të dashurat, një album për Mid’hat Frashërin

Në kuadrin e përkujtimit të Kongresit të Manastirit, për të nderuar kryetarin e kësaj ngjarjeje historike, 111 vite më vonë, Instituti i Studimeve Historike “Lumo Skëndo” sjell albumin historik “Mid’hat Abdyl Frashëri”.

Dje, gjatë përurimit të albumit historik “Mid’hat Abdyl Frashëri”

Fotografi, dokumente, faksimile e letra që zbulojnë momente pikante nga jeta e poliedrikut, e Frashëllinjëve të tjerë dhe rilindësve të shquar. “Në këtë album ka fotografi dhe dokumente që botohen për herë të parë, jepet gjithashtu një tablo e plotë e jetës dhe e veprimtarisë së Frashëllinjve, duke filluar nga Abdyli, Samiu dhe në vazhdim jeta dhe vepra madhore e Mid’hat Frashërit. Mid’hati vetë gjykon ngjarjet historike dhe personalitete të rëndësishme të Shqipërisë dhe botës.

Gjithashtu, albumi njeh lexuesin me përpjekjen e madhe të Mid’hatit në momente kulminante historike si Konferenca e Paqes, me kontributin e tij për Lidhjen e Kombeve, si dhe detaje të tjera nga puna, deri edhe vdekja e tij”, u shpreh dje historiani dhe drejtori i Institutit “Lumo Skëndo”, Uran Butka.

Dje, gjatë përurimit të albumit historik “Mid’hat Abdyl Frashëri”

Albumi dedikuar shkrimtarit rrëfen edhe një pjesë më personale të jetës së tij si beqar i përjetshëm, që nuk e gëzoi jetën familjare, zgjedhje e ndikuar edhe nga angazhimi i tij me çështjen kombëtare. Letrat e dashurisë, që kryesisht janë të dërguara prej të dashurave të Mid’hatit nga Zvicra, Parisi, Bukureshti etj., përmbajnë një informacion jo të vogël për jetën, vokacionin për lirinë, karakterin fisnik dhe ndjenjat e holla të tij.

“’Jeta jote cigane’, ti që e do aq shumë lirinë, udhëtimin, njohjen e botës, ndryshimin, jetën pa angazhime, pa kokëçarje. Oh, Mid’hat, sikur të mund të shihja në zemrën tënde një lidhje të përjetshme me mua, ashtu siç e dëshiroj”, i shkruante nga Zyrihu Elsa, me të cilën ishte njohur në vitin 1914, kur emigroi në Zvicër.

“Panorama” ju sjell disa nga letërkëmbimet e dashurisë së Mid’hatit si dhe një letër, ku Edith Durham i dërgon shkrimtarit disa të dhëna që ai ia ka kërkuar për një artikull, duke i refuzuar të drejtën për të botuar fotografinë e saj, pjesë e albumit dedikuar Mid’hat Frashërit./ (përgatiti: Anila Dedaj)

E quante “Mimi”, letrat e përmallshme të Lolotës nga Parisi

“I adhuruari im Mimi, e besoni në ç’gjendje jam? Do ishte një ngushëllim i madh, të të kisha pranë, ty që më je kaq i mirë! Mimi i shtrenjtë, dashuria ime e vetme! Unë as guxoj të përfytyroj momentin kur të kërkoj në port a stacion, sepse i trembem zhgënjimit. Megjithatë, unë jetoj veç për atë çast, është e vetmja shpresë, që më mban, sepse jeta për mua është shumë e trishtë, dhe pa ty nuk provoj asnjë lloj kënaqësie, asnjë gëzim, veç lutjes në kishë (sepse sërish je ti që më ndjek dhe më mbështjell me imazh perëndie)”.

Për Ninon nga Parisi, një nga të paktat letra dashurie të Mid’hatit

“Dje në mbrëmje, ashtu shtrirë siç isha, donja të lexonja. Por e fika menjëherë llambën. Doja të rrinja vetëm me ty. Ishe pranë meje për një kohë të gjatë. Nuk është dëshira e trupit ndaj teje, nuk është ajo që ndodh pa pasionin. Dhe kjo nuk ndodh, veç një herë në jetë. Siç më ndodhi këtë të hënë. Ka qenë një natë e pagjumë për mua. Përse nuk të kam pranë të më bësh të lumtur? Po lexoj Verlenin. Më ke shkruar se është libri yt i preferuar. Fjala “dashuroj” më duket se lë tjetër gjurmë. Ëndërronj, e di që është iluzion, por përpiqem të përfytyronj në jam unë ai që ti dashuron” (Mid’hati , 22 prill 1926).

Edith Durham – Mid’hatit: Nuk jap leje të botojnë fotografinë time

Në letrën që Edith Durham i shkruante Mid’hat Frashërit, i jepte modestisht të dhëna mbi veprimtaritë e saj, të cilat, mesa duket ia kishte kërkuar Mid’hati për një shkrim në një nga gazetat e kohës. Në fund të letrës ajo shkruante: “A do të mund të redaktoni një artikull nga këto shënime? Në të vërtetë nuk ka ndonjë gjë shumë interesante. Nuk jap kurrë leje të botojnë fotografinë time dhe meqenëse ua kam refuzuar këtë leje shumë gazetarëve, nuk mund t’jua jap as juve. Tani i uroj Shqipërisë të ketë paqe. T’u ngjatë jeta!”

Intelektualja rumune që i shkroi letra dashurie për 20 vite

Anxhela Romano ishte një intelektuale rumune me ndjenja të holla, energjike dhe nëpunëse e rangut të lartë në Ministrinë e Shëndetësisë dhe të Asistencës Sociale të Bukureshtit. Mid’hati u lidh me Anxhelën me një dashuri të sinqertë dhe të pashuar në vite. Letërkëmbimi dhe dashuria e tyre vazhdoi qysh nga viti 1918 deri në vitin 1939. Vetëm një pjesë e letrave, atë që ruhet në Arkivin e Shtetit Shqiptar, e njohim. Ekzistojnë letrat që i dërgonte Anxhela Mid’hatit dhe që ai i ka ruajtur. Letrat e saj të çiltra dhe të zjarrta, të shkruara me një frëngjishte elitare, magjepsëse, e kërkonin dhe e gjenin Mid’hatin kudo ai shkonte: në Lajpcig, Lozanë, Gjenevë, Boston, Paris, Tiranë, Athinë etj., për më shumë se 20 vjet me radhë. E zhuritur nga malli, por edhe nga pasiguria në Shqipëri, ajo e thërret të jetojnë së bashku në Rumani, “idhullin e saj, lumturinë e saj, shpresën e saj të parealizueshme”, siç shprehet ajo. Dhe megjithëqë Mid’hati zgjedh midis vendit të tij dhe Anxhelës, Shqipërinë, ajo e kthen këtë në adhurim. “Unë jam e lumtur për ty dhe për vendin tuaj”. Jeta e tij s’kishte kuptim e vlerë në dhe të huaj. Kur Mid’hati ishte 60 vjeç, Anxhela vazhdonte t’i shkruante njëlloj si ditën e parë të dashurisë së tyre. “Do të shihemi sërish, Mid’hati im, jam e sigurt, do të jemi të lumtur dhe do besojmë se ne nuk jemi ndarë kurrë! Gjithë dashurinë time me një puthje, jotja Mumi”.