Pikërisht tashti u erdhi radha të ndriçojmë dy momente shumë kuptimplote se si janë nëpërkëmbur edhe bërë kurban dy personalitete dore të parë të hierarkisë komuniste shqiptare, (së bashku me grupazhe imagjinare të tyre.). Po i sjellim këta dy shëmbuj se njeri për interesa të menjëherëshme pikësynimi kolaboracioni politik vetëm për ruajtje interesash egoiste personale, kurse tjetri me objektiv qitje disi më të largët por gjithmonë … prirur nga po ai pikësynim nga Enver Hoxha!
Në dokumenta arkivalë ësht’e dokumentuar se si Koçi Xoxe në pohimet e tij ka thënë, pa as më të voglën mëdyshje, se si për të gjitha ekzekutimet që kryheshin me urdhërin e tij por pa u dënuar nga trupa gjykuese, ishte marrë nga ai, (K.Xoxe – shënim i M.K.) miratimi i Enver Hoxhës. Gjatë viteve 1945 e në vazhdim jo vetëm që ndikimi jugosllav ishte maksimal, por edhe zbatimi i direktivave të tyre kishte marrë trajta absolute, (duke filluar fillimisht me krime makabree pastaj edhe me gjyqe krejtësisht të inskenuara e tejet të pathemeltë), kundra atdhetarëve si edhe intelektualëve nga më të shquarit laikë si edhe klerikë paçin qenë, me objektivin e tyre t’i zhduknin pikërisht ata si kategori shoqërore!
Viti 1947 e kishte filluar konturimin e tij si një vit shumë problematik për Shqipërinë, Pala jugosllave nuk po u përgjigjej marrëveshjeve nontraktuale duke ngadalësuar lëvrimet e objekteve si edhe furnizimeve Shqipërisë. Kjo dukurí sa vinte edhe e bënte pakënaqësin’ e Nako Spiros, si përgjegjës kryesor i ekonomisë së vëndit, të rritej dukshëm. Nga ana tjetër jugosllavët po e shtonin trysnín’e tyre lidhur me njësimin e vlerës monedhës sonë lekut me dinarin e tyre, heqjen e barrieravedoganore si edhe njësimin e çmimeve! Enver Hoxha jo se nuk i ndiente këto shqetësime të prekëshme, por duke qenë se marrëdhëniet si partiake e gjithashtu shtetërore shqiptare me B, Sovjetik kalonin nëpër forumet jugosllave, (dhe B.S. e kishte pranuar gjëndjen si të mirëqenë), ai i a bënte hyzmetin mbajtjes së miqësisë me Marshallin Tito me piksynimin që në Shqipëri, si republik’e ardhëshme e federatës Jugosllavisë, ai së pakut t’a ruante pozitën e tij prej udhëheqësi. Më 29 Maj të vitit 1947, në mbledhjen e Byrosë Politike të K.Q., u vendos që duke filluar që nga Qershori i vitit në vazhdim të zbatoheshin si njësimi i monedhës shqiptare me atë jugosllave e gjithashtu edhe njësimi çmimeve me gjithë heqjen e barrierës doganore mes të dy shteteve, (me gjithë pasojat negative për Shqipërinë). Këtu nuk e lë dot pa përmendur faktin se kur u kthye nga Jugosllavia Nako Spiru ku, nën trysnín’e vazhdueshme të radiogrameve nga Enver Hoxha, ai vërtet i nënëshkroi të gjitha marrëveshjet me Jugosllavinë por duke qenë i pandërgjegjshëm për sa po bënte, e kishte çfaqur publikisht në biseda mes udhëheqësish partie këtë fakt, të cilin Enver Hoxha kurrë nuk i a harroi! Edhe fakt është se më 22 Nëntor të vitit 1947 gabimisht, duke luajtur me armën e tij vetëvritet Nako Spiru! (Kjo deklarata zyrtare e lëshuar nga udhëheqja komuniste e shtetit shqiptar).Pra, deri në atë datë Enver Hoxha ishte plotësisht dhe 100% nën ndikimin jugosllav të cilën gjë, nisur nga interesat e tija personale ai e pranonte si të mirëqenë. Mirëpo erdhi 28 Marsi i vitit 1948 kur u shpërndahet dhe u bëhet e njohur udhëheqjeve të partive anëtare të Kominformbyrosë letra e K.Q.P.K. (b) të Bashkimit Sovjetik lidhur me prishjen e B. Sovjetik me Jugosllavinë! E për t’ia komplikuar problemin Enver Hoxhës, gjatë takimit të tij me Vjaçesllav Molotovin më 24 Qershor të vitit 1948, ministri i Punëve të Jashtëme të Bashkimit Sovjetik, i thotë shprehimisht udhëheqësit shqiptar “ … Ju shokët shqiptarë, duhet t’a shqyrtoni dhe analizoni vetëvrasjen e Nako Spirut!” Përzgjedhjet e mundëshme për E. Hoxhën ishin vetëm dy:
1 – Vazhdim i kolaboracionit tradhëtar me Jugosllavinë.
2 – Pozicionim kundra Jugoslllavisë duke e mbështetur Bashkimin Sovjetik.
Mirëpo të dy këta qëndrime kishin edhe rrjedhojat e tyre si vijon:
1/a – Enver Hoxha do të vazhdonte të ishte udhëheqësi i P.K. Shqëiptare si edhe i shtetit shqiptar sa kohë t’a linte Jugosllavia pa e aneksuar Shqipërinë por edhe me nivel ndihme ekonomike në kufijt’e përcaktuar nga vetë Jugosllavia. Kurse B.S. si fuqí e madhe mbështetëse e Shqipërisë potencialisht dilte nga kjo orbitë.
1/b- Me t’u thithur Shqipëria në kuadrin e Jugosllavisë federative, si republik’e shtatë e saj, (nga që Titua i u shkëput diktatit nga P.K.(b) e B.S.), jo vetëm që E. Hoxha do t’a kishte përnjëhershëm mareshallin jugosllav mbi kokë por edhe … s’kishte më se kujt t’i ankohej për asnjë pòroblem.
2/a- E,Hoxha do t’i kishte marrëdhëniet tashmë të drejtpërdrejta me B. Sovjetik pa ndërmjetësinë jugosllave, duke qenë vetë udhëheqësi i Shqipërisë.
2/b- Si udhëheqës i P.K.Shqipòtare që i ishte nënështruar totalisht ndikimit të P.K.Jugosllave që nga krijimi nga ana e të dërguarve të saj Miladin Popoviçit si edhe Dushan Mugoshës , e në vazhdim i përzgjedhur prej tyre t’a drejtonte si P.K.Shqiptare e gjithashtu edhe luftën e quajtur fillimisht Luftë Nacional Ҫlirimtare por e kthyer në vazhdim në luftë civile po prej tyre për interesat e P.K.Jugosllave, E. Hoxha duhej të ballafaqohej me një rretnanë tejet të vështirë: duhej bindur Stalini dhe P:K.(b) e B.S. se ai vetë, në krye edhe të P.K.Shqiptare si edhe të Shtetit Shqiptar, jo vetëm që me ndërgjegje të plotë shkëputeshin mga Jugosllavia por edhe se do të vepronin besnikërisht dhe në nënështrim të plotë ndaj B.S. dhë udhëheqësit të saj Mareshallit Stalin! Në këto kushte ndjenja e vetëqendërzimit të Enver Hoxhës e gërshetuar ngushtë me pragmatizmin e tij jo vetëm që nuk u step t’a merrte vendimin por edhe brënda katër ditësh, mbasi kishte patur takimin me Vjaçesllav Molotovin, e pra më 28 Qershor të vitit 1948, i a dërgon Mareshallit Stalin n’emrin e Komitetit Qëndror letrën me të cilën i shpreh konformimin total të Shqipërisë ndaj vendimeve të Kominformbyrosë! Ky edhe hapi i parë për t’a fituar besimin e B.S. Por ky hap duhej ndjekur edhe me masa të tjera thelbësore bindëse që t’a dëshmonin katërcipërisht shkëputjen e Shqipërisë nga Jugosllavia. Përgjatë këtij shtegu ku, objektivat e arritjeve personale vetëqëndërzuese Enver Hoxha i kishte krejtësisht të qarta, mbas Pleniumit të X-të K.Q. të partisë mbas shpalljes së Rezolutës Informbyrosë, Enver Hoxha mblodhi Pleniumin e XI-të nga 13 deri më 24 Shtator të vitit 1948 ku sulmoi hapur dhe shumë egër politikën e Jugosllavisë, rehabilitoi Nako Spirun me gjithë të shoqen Liri Belishovën, gjithashtu edhe Mehmet Shehun, dhe nga ana tjetër e shkarkoi si Sekretar organizativ të Partisë Koçi Xoxen, (Duke mos e përjashtuar nga Byroja Politike), por duke i përjashtuar Pandi Kriston si edhe Kristo Themelkon nga Byroja por jo nga Komiteti Qëndror.
Mbas këtyre masave kundra-jugosllave Enver Hoxha vëzhgonte reagimin Sovjetik i cili nuk vonoi dhe erdhi. Masat e marra si edhe ndryshimet ishin për nirë por … jo akoma plotësisht bindëse.
Fillë mbas mbylljes së punimeve të Pleniumit të XI-të të K.Q. e ritheksoj këtë moment fillë mbas mbylljes së punimeve të Pleniumit XI-të K.Q:, Koçi Xoxe, Pandi Kristo, Kristo Themelko, Nesti Kerenxhi et., papritmas u shkarkuan nga të gjitha pozicionet e tyre politike si edhe shterërore që mbanin!Në vazhdim, pikërisht tre muaj mbas Pleniumit të XI-të, mblidhet Kongresi i I-rë i P.K.Shqiptare ku ish sekretari Organizativ i Partisë Koçi Xoxe, del në podium t’a marrë fjalën … e cila nuk i lejohetnga zhurma dhe përplasjet e këmbëve në sallë! E ndjek më 28 nëntor arrestimi i tij i cili pasohet më 30 Maj të vitit 1949 me pushkatimin e tij!
Me masat drastike edhe kriminale të marra nga Enver Hoxha ndaj bashkëpuntorvet të tij më të ngushtë, ai mundi t’a fitojë më në fund besimin e Josif Visarionoviç Stalinit! Natyrshëm shtrohet pyetja: sa zgjati ky besim? Teorikisht, sa kohë që të mbahej më këmbë KOLABORACIONI ME NËNSHTRIM INTERESASH KOMBËTARE TË SHQIPËRISË NDAJ ATYRE TË BASHKIMIT SOVJETIK. Ndërsa, e përcaktuar saktësisht, që nga 30 Maji i vitit 1949, ditë kur u pushkatua Koçi Xoxeja, (e në vazhdim kur një e nga një i u vu shënja e barazimit me tradhëtarë të atdheut edhe armiq të partisë duke i dënuar ashpër ata që u quajtën grupi armiqësor dhe antiparti i Koçi Xoxes).
Vijmë tashti tek data 5 Mars e vitit 1953 kur vdekja e Stalinit e mbuloi në zi Shqipërinë! Atë ditë Enver Hoxha e uli në gjunjë turmën e mbledhur para shtatores së Stalinit , për t’a nderuar kujtimin e tij. Kjo njera anë e medaljes. Kurse ana tjetër, (akoma edhe më e trishtë dhe që kurrë nuk u zu në gojë), qenë me dhjetra pjesëmarrësit e atij mitingu mortor që u arrestuan dhe u kalbën burgjeve vetëm e vetëm sepse nuk pranuan atë ditë të uleshin në gjunjë ose u treguan gazmorë në vënd që të qanin, (ose së paku të bënin sikur qanin)! Po paraqesim në vazhdim kalime nga betimi që u lexoi pjesëmarrësve të atij mitingu mortor vetë Enver Hoxha para shtatores Stalinit: “… Popujt e B. Sovjetik dhe neve, edhe gjithë popujt e botës na ka mbuluar sot një fatkeqësi e madhe. Udhëheqësi, mësuesi dhe Ati jonë i shtrenjtë Josif Visarjonoviç Stalin mbylli sytë përgjithmonë, pushoi së menduari mendja e gjeniut më të madh dhe më të ndritur të kohrave tona ,,, betohemi se do ta forcojmë dhe çelikosim dashurinë tonë të sinqertë e të thellë për popujt vëllezër të Bashkimit Sovjetik … Partia e Lavdishme Komuniste e B.S. me Komitetin e saj Qëndror Leninian Stalinian me në krye shokun Malenkov do të jenë si gjithmonë për ne burim i madh dhe i pashterrur i dritës në rrugën tonë drejt të ardhmes së lumtur ,,,!”
Vetëm tre muaj mbas vdekjes Stalinit, në Qershorin e vitit 1953 vete në Moskë një delegacion liveli të lartë i Partisë i kryesuar personalisht nga Enver Hoxha. Malenkovi e priti ftohtë Enver Hoxhën. Në vazhdim filloi të marrë trajtë gjëndja sipas së cilës përvijohej dukuria se tashmë periudha kohore gjatë së cilës diktatori shqiptar e gëzonte të plotë besimin e B.Sovjetik kishte perënduar. Kohët e reja duheshin përballuar edhe ato me … qëndrime të rinj.
Një vit më vonë, në Qershorin e vitit 1954, vete së rishmi në Moskë Enver Hoxha në krye të një delegacioni së bashku me Hysni Kapon. Nga takimet me Hrushovin ata e kuptuan qartë se tre ishin objektivat e tija sa u takon pozicionimeve politike:
- Spastrimi i aparatit partiak dhe i shtetit nga stalinistët.
- Luftë frontale kultit të individit stalinist.
- Zbutje e marrëdhënieve me Jugosllavin’ e Titos.
Tashmë Enver Hoxha kishte përvojë e duhej t’i përvishej punës nga dhe si duhej kthyer guna që mos të nëpërkëmbej vetqëndërzimi i tij. Cilët do të ishin fillimisht heronjtë e në vazhdim kurbanët e ardhshëmpër hir të këtyre interesave të tija vetiake?
Fillimisht, t’i fitonte hiret e udhëheqësit të B. Sovjerik Nikita Hrushovit, doemos a e luajti kartën Liri Belishova! Kjo e fundit me gjithë të shoqin tashmë të vdekur Nako Spirun, (i vetëvrarë gabimisht duke luajtur me koburen e tij më 22 Nëntor 1947), të rehabilituarit e politikës pro-sovjetike, filloi të përdorej si katalíte në marrëdhëniet me B. Sovjetik! Në mos gjë tjetër, Enver Hoxha kësisoji së paku një farë kredije në marrëdhënie me Hrushovin dhe patjetër që edhe kohë, fitonte. Një shënjë pozitive ishte fakti që kur më 14 Maj të vitit 1955 u mblodhën udhëheqësit e tetë vëndeve të Lindjes dhe themeluan “Traktatin e Miqësisë, Bashkëpunimit dhe Ndihmës Reciproke”, që e emërtuan Traktati i Varshavës, edhe Shqipëria u ftua në atë kuvënd me të drejta të plota. Kësisoji, pa hyrë në hollësira që dalin nga objektivi i kësaj analize, me ngritje edhe me ulje vazhduan marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik, me pikë qendërzimi interesat e udhëheqësittë Shqipërisë. . Kështu më 1 Janar 1959 “Zëri i Popullit” botoi një përshëndetje drejtuar B.S. ku integralisht, mes të tjerave, Enver Hoxha theksoi “ … I gjithë populli ynë me mirënjohje të pakufishmei drejton sot falënderimet më të zjarrta Bashkimit të lavdishëm Sovjetik, Partisë mëmë komuniste të B.S., Komitetit Qëndror të saj dhe shokut Nikita Hrushov. Ne i sigurojmë me ta jemi të lidhur përjetë me një miqësi dhe besnikërí që nuk do të kenë mortje kurrë …!”
Në vazhdim, më 26 Maj 1959, po në gazetën “Zëri i Popullit”botohet fjala e Enver Hoxhës në pritjen që i bëhet Nikita Hrushovit në krye të delegacionit Sovjetik, kur ata zbritën në aeroportin e Rinasit; “ …Miqësinë me Bashkimin Sovjetik populli shqiptar e çmon si thesarin më të strënjtë … Miqësia jonë është e fortë si graniti dhe e përjetëshme si malet tona!” Katër ditë më vonë, e për të qenë të saktë pikërisht më 30 Maj 1959, Nikita Hrushovi shpallet Qytetar Nderi i Tiranës! Ky akt si edhe mbjellja e përbashkët e Pemës së Miqësisënga udhëheqësit e P.K.(b) B.S, si edhe P.P.SH., jepnin iluzionin se udhëheqësi shqiptar më në fund i kishte fituar hiret e Baba Nikitës, (siç i drejtohej ato ditë në mënyrë të përsëritur Enver Hoxha udhëheqësit sovjetik, Nikita Hrushovit)!
Mirëpo ky flirt nuk zgjati shumë. Në kuadrin e luftës frontale nga ana e Hrushovit kundra kultit të individit aq të zgjatur të Stalinit si diktator i padiskutueshëm i B. Sovjetik, si edhe insinuatat e udhëheqësit të ri sovjetik lidhur me udhëheqjen shqiptare, e cila kishte 16 vite në krye të partisë dhe të shtetit Shqiptar e duhej t’u a linte frenat drejtuesve të rinj, nuk mund kaloheshin pa shkaktuar marrjen pozicion nga ana e Enver Hoxhës.
Përgjatë kësaj hullijena vjen në ndihmë edhe vepra dy vëllimshme e Andre Fontain me titullin Historia e Luftës së ftohtë, ku në Vëllimin e II – të , Fq.395 lexojmë: “ …Tito kurrë nuk e kishte mospërfillur se shtegu që e udhëhiqte ndaj likuidimit të armiqve të tij shqiptarë, e çonte atë drejtë pajtimit të tij të plotë me Nikita Hrushovin. Dhe dihej se Hrushovi ishte i prirur që këtë dhuratë t’i a blatonte Mareshallit jugosllav …”.
Më 14 Shtator të po atij viti Kina e Madhe Popullore na e lëvroi të gjithë sasin’e grurit që i kishim kërkuar në një kohë që, sipas Enver Hoxhës “ … Bashkimi Sovjetik po e linte Shqipërinë të vuante urie që t’a ulte në gjunjë!
Shpejt erdhi Nëntori i vitit 1960 kur, mbas mbledhjes së 81 partive komuniste, Shqipëria u shkëput nga Bashkimi Sovjetik REVIZIONIST vetëm e vetëm që Enver Hoxha të vazhdonte e t’a ruante FRONIN E TIJ PERANDORAK! E doemos me shkëputjen nga Bashkimi Sovjetik, gjë që sillte me vete edhe mospasjen më interesash vetiake të Enver Hoxhës lidhur me udhëheqësin e tij, Nikita Hrushovin, perëndoi së rishmi, këtë herë përfundimisht edhe ylli i Liri Belishvës e cila u përjashtua nga Byroja Politike, nga Komiteti Qëndror si dhe nga partia duke u internuar, sipas akuzës tanimë standarte, si agjente e revizionizmit sovjetik! Sipas Enver Hoxhës, Liria çdo bisedë të zhvilluar në Pekin me Liu Shao Ҫinë i a kishte raportuar ambasadës B.S. në Pekin. Le që në Moskë ajo kishte ngrënë drekë edhe me Brezhnjevin edhe me Kozllovin, por pa informuar hollësisht rreth bisedave të zhvilluara me ta! Kësisoji diktatori e flaku Lirinë së rishmi në po atë kosh nga e kishte nxjerrë … kur i a kishte nevojën!
Në vazhdim nuk kam se si mos t’a ze në gojë edhe një fotografi, e cila qëllimin e kishte t’i a trgonte të dokumentuar Nikita Hrushovit unitetin e pathyeshëm të partisë me Enver Hoxhën, Në shtëpinë ku u themelua partia ishin rradhitur e kapur dorë për dore me duar ngritur lart 13 anëtarë dhe kandidatë Byroje Politike (veç Enver Hoxhës, Mehmet Shehu, Hysni Kapo, Beqir Balluku, Kadri Hazbiu, Gogo Nushi, Abdyl Këllezi, Koço Theodhosi, Petrit Dume, Ramiz Alia Rita Marko, Adil Ҫarçani, Spiro Koleka e Pilo Peristeri). Fotografia mban datën 8 Nëntor 1961. Lind pyetja normale logjike si u zhvilluan ngjarjet rreth atij uniteti të çeliktë në vazhdim? Dora dorës gjashtë prej atyre të 13-tëve, u pushkatuan si armiq dhe tradhëtarë, pa zënë në gojë me këtë rast dhjetra anëtarë K.Q. anëtarë qeverie si edhe ushtarakë me grada madhore të pushkatuar ose të kalbur burgjeve! Kështu Enver Hoxha, mes qëndrimesh skajshëm gjakatare brënda vëndit, si edhe të tjerash gjoja parimore staliniste në politikën e jashtëme, u hodh nga kali sovjetik në galop e sipër tek ai kinez! Kjo lëvizje, në vazhdim të së gjithë vazhdës demagogjike të saja për t’a ruajtur pushtetin e tij të paprekur, çoi drejt cakut që Shqipëria u bë i vetmi aleat i Kinës nga të gjitha shtetet e Evropës Lindore! Ishin kohët kur përfaqësuesit tanë në O.K.B. e ngrinin zërin e tyre duke theksuar se revizionistët sovjetikë hynin në të njëjtën kategori me amerikanët duke bërë propagandë çpifjeje dhe urrejtjeje për t’a forcuar histerinë kundrasovjetike në mbarë botën!
Këtij shtegu, mbasi u thyen betimet dhe u prishën miqësit’e përjetëshme, të sinqerta dhe të pathyeshme shqiptaro – sovjetike, sapo u duk në horizont një cënim potencial i pushtetit të diktatorit shqiptar nga ana e Hrushovit, po sjell sa për kërshëri pjesë nga fjala e Enver Hoxhës e publikuar në Zërin e Popullit të datës 1 tetor 1966 ku ai shprehet për Kinën, flirtin e tij të ri: ” Populli heroik dhe i talentuar kinez nën udhëheqjen e drejtë marksiste-leniniste të Partisë Lavdishme komuniste të Kinës me shokun Mao Ce Dun në krye, ka arritur fitore të shkëlqyera me rëndësi historike ,,,”. Kurse një muaj më vonë e pikërisht më 9 Nëntor 1966 po Zëri i Popullit publikon fjalën e Enver Hoxhës në Kongresin e V-të të P.P.Sh. prej së cilës shkëpusim ndonjë kalim:
“ … Në Kongres u shpreh uniteti i pathyeshëm dhe miqësia luftarake e partisë dhe popullit tonë me Kinën popullore 7oo milionëshe, me këtë kështjellë të pathyeshme të socializmit e revolucionit që udhëhiqet nga Partia e lavdishme e Kinës me në krye marksist-leninistin e shquar, mikun e madh të popullit tonë, shokun Mao Ce Dun dhe në mesazhin historik që i derjtoi Kongresit të V-të të Partisë tonë shpreh ndjenjat dhe vendosmërinë tonë të përbashkët kur thotë: “ Të jeni të sigurtë se pavarësisht nga çfarëdo të ndodhë në botë, dy partitë dhe dy popujt tanë me siguri do të qëndrojnë së bashku, do të luftojnë së bashku dhe do të fitojnë së bashku …” Në vazhdim të elozheve për Kinën dhe Kryetarin Mao Ce Dun, Enver Hoxha shprehet gjithashtu: “ … Fitorja e revolucionit të Madh kulturor proletar, shpartallimi i komplloteve kundërrevolucionare të Liu Shao Ҫisë, Lin Biaos dhe të Ten Hsiao Pinit kanë krijuar një gjëndje revolucionare … Kina ka dalur me prestigj të rritur në botë të lidhura këto fitorje drejtpërsëdrejti me emrin, mësimet dhe udhëhëqjen prej revolucionari të madh të shokut Mao Ce Dun, mikut të madh të Partisë dhe popullit tonë!”
Mirëpo edhe këtij flirti shqiptaro-kinez i erdhi fundi pikërisht kur ajo mike dhe mbrojtëse e jona e madhe filloi zbutje të politikës së saj intansigjente daç ndaj Sh. B. A,-ve imperialiste e gjithashtu ndaj Jugosllavisë revizioniste!
Mos më besoni mua por gjejeni vëllimin “SHËNIME MBI KINËN” edhe qëmtoni në faqet 304 – 305 ku po ai kryetar gjenialMao Ce Dun vjen e ravijëzohet nga Enver Hoxha si vijon: “Mao Ce Duni ishte një ëndërrues, po njëkohësisht një perandor dhe despot në pikëpamjet e tij … ato ishin të pajisura me idetë e theksuara perandorake, konfuciane, mistike, të shartuara këto me ide të reja të zhvillimit botëror të papërtypura e të papranueshme, të paasimiluara prej tij … Mao Ce Duni e çoi vëndin nga të frynte era, mjaft që ai të ishte në krye dhe që në fakt tërë kohën qëndroi në krye. Të gjithë duhej t’i bindeshin atij … të zbatonin idetë e tija “gjeniale”, po që në realitet nuk çonin në ndërtimin e një Kine më moderne, më të përparuar, më të organizuar … i lejonte oborrtarët t’i thurnin himne e diritambe …me veprime perandorake ai merrte masa, masa ushtarake, gjyqësore, bënte demaskimin politik dhe ideologjik … më në fund i dënonte ata edhe me pushkatim.”
Kësisoji erdhi pashmangshëm edhe dita kur Enver Hoxha, mbas prishjes me Kinën nuk gjeti më ndonjë partner i cili, i interesuar në ç’mund t’i blatonte Shqipëria, me të cilin të lidhej ideologjikisht, miqësisht, pazgjidhshmërisht, pëërjetësisht ,,, e shto të shtojmë ndajfolje me mbrapashtesa kisht, sisht, risht etj.etj. dhe me përvojën e tij prej krimineli gjakatar vazhdoi t’i terrorizonte mbështetësit e tij e nëpërmjet tyre edhe popullin shqiptar edhe për thuajse një dhjetëvjeçar tjetër me Shqipërinëe izoluar 100 %!