Nga kalaja e Shkodrës, Riza Pasha, komandant i ushtris turke, kundron Podgoricën dhe bindet per mjegullën e papritun, që âsht çue m’at anë: shej ky se së shpejti kishte per te ra shì. Myftija i difton Pashës shkakun e mjegullës: lufta e Hotit e e Grudës kundra Malazezve kishte fillue. Tymi i barutit ishte çue rè.
Porsa zbardhi drita, Mark Milani, kryekomandant i çetave malazeze, pergadit ushtrinë, dhe, tuj e pas radhitun para, ep urdhnat e ditës: me msy Malsinë e shi më at mbramje me hy në Hot. Mbas fjalës së komandantit bjen rishtas burija dhe luftarët malazez vehen në levizje në drejtimin e Urës së Rrzhanicës.
Poeti i sjellet Zanës së vet e e pevetë per numrin e çetave anmike. Prej saj merr vesh se 800 janë Ljubotinjanë me të parë Ceroviqin; 1000 Cetinjanë me Njegushas e krahinas me komandant Vukotiqin; 900 Nikshiqas me kryetar Matiniqin, i cili Simbas mejtimit të poetit, rrehet se vetëm me ta do të mrrijte me e shtrue Malsìn. Hecë para ushtija karadake, thue âsht rê ngarkue me shî vjeshte.
Para këtij kërcnimi autori i drejtohet Zotit e tuj pa padrejtsinë e njerzve dhe lakmin e pangishme të tyne, e lutë at të Lumin t’u vijë në ndihmë Shqiptarëve. Tek Ura e Rrzhanicës ndalohet ùshtrija në pushim. Mark Milani merr turbìn dhe sodit vendin perpara. Palokë Gjoka ban kryq para morìs s’ushtris anmike dhe u flet shokëve tuj i zemrue per luftim. Pa mbarue fjalën ky, kërset e para pushkë e Marka Kolës. Plumbi, në vend të Mark Milanit, kah i cili ishte drejtue, merr burizanin e ushtrisë malazeze dhe e lëshon dekun. Flakza ushtojnë njizet shejshanat Shqiptare. Kryekomandanti malazias, epë urdhen per sulmë. Zana vajton per djemt që do t’injesin në ke¨të përleshje jo të barabartë fuqishë, por poeti i bertet dhe e ban të ehshtojë. Ndërkaq në Hot e Grudë qitet kushtrimi. Malsija bjen në Rrzhanicë porsi stuhija, si prroni, që çue breg nga shiu i vjeshtës merr me veti çka të gjejë përpara. Lufta ndezet e ashpër. S’dahet ma topi as pushka, martinat as novicat, shoqi as anmiku.
Ushtrìt perzihen, kacafyten, dermishen, coptohen, kur Gruda vrapon në flakë të pushkëve dhe Hoti derdhet në Cem, me djelm të vet, si rreshmja brìs së pjerrt të malit. Ushtrija shqiptare kalon lumin dhe kapet fyta fyt me anmik, si prrojet, qi tuj u djergë shkumbueshëm nga dy maje të kundërta, perzihen tmershëm në luginën e perbashkët. S’ndihen ma pushkët, vringllojnë vetem taganat e shpatat. Gjaku mbulon fushën. Poeti, këtu thrret Stoken, nanën malazeze, e gadi si ne tallje, e grishë të ke¨rkojë ajo vet birin e vet të ram dekun. Cemi, që gjimon, mali që ushton, dhe fusha që kërcen, i laj,ron autorit se Mark Milani âsht kthye. Ushtrija karadake zbrapthet dhe Lekët e Malcìs u vehen në shpinë. Mjerisht tepër shpejt ra nata e lufta pushoi.
Rizá Pasha del n’ kalá:
‘Madhi Zot, se shka me pá!
‘Fort ndjegull paska rá
N’ at Rrzhanicë, nen Podgoricë.
S’ ká me ngiatë e do t’ bjerë shí: 5
Hazna e madhe per bulqí!
T’ u ngjatët jeta! i thotë Myftija
S’ ká rá ndjeglla kah Malcija,
Kah Rrzhanica e Podgorica;
Por âsht çue tymi i barotit, 10
Djelmt e Grudës e Lekët e Hotit
Kah luftojn me Mal të Zí,
Qi ká dyndun top e ushtrí,
Me hî mbrenda ne Malcí:
Mark Milani na u ká prî. 15
Po; sod n’ nadje kur ká ague
Mark Milani, ‘i trim drangue,
Tue i hypë gjogut n’ pulla shkrue,
Burizânan aj ká urdhnue:
Bje bujrís e t’ dalë ushtrija 20
Edhè t’ niset kah Malcija.
Krisi lodra edhè bujrija,
Edhè m’ kamë i a bâni ushtrija,
E u rreshtue per fushë t’ mejdanit
Para kalit t’ Mark Milanit. 25
At herë Marku zû mbi kál:
Pa ndigionie, o djelm, nji fjalë:
Sod n’ Malcí na kem’ me dalë;
Pse e dau Rusja n’ pleq t’ Berlinës
Me ju lshue Knjazit t’ Cetinës 30
Hot e Grudë Plavë e Gucí.
E na sod, qe, jem shtrengue
Këto male me i pushtue.
Por se shka? nji pûnë po e drue,
Se pa gjak nuk kan me u lshue. 35
Pra, t’ gatohi me qindrue,
Pse kem luftë me trima rrfé,
T’ cillt Atme edhe per Fé
E bâjn deken si me lé.
Por, ne kjoshi, o djelmt e mí, 40
T’ bijt e atyne qi n’ Mal t’ Zí
Kan ruejtë Fé, kan ruejte lirí,
Tue luftue si shqype t’ leta
M’ krepa t’ onë per sa qindvjeta;
A ju mbrama n’ Hot do t’ mrrîni. 45
Malcís mbrenda do t’ i hîni.
Do t’ a ngulni n’ Hot bajrakun,
Do t’ zbardhni Karadakun.
Urra djelm, eh, u dhashtë e mara!
Perse fati na hecë para! 50
Kshtû tha Marku e rá bujrija
Edhè u nis per Hot ushtrija.
Ehi moj Zânë, tý t’ kjosha true!
A thue din ti me m’ kallzue,
Se sa ushtarë ká Mark Milani, 55
Se si i a quen Vojvodat zâni?
Pse s’ t’ a njof asnji per bé:
Un Shqyptár, ata janë Shkijé:
Né na dán nji gjak e ‘i fé:
N’ mní t’ sho’ shoqit kemi lé: 60
Kem’ ndrmjet nji qiell e ‘i dhé!….
Njajo çeta, qi ka prî.
Tetqind pushkë, t’ gjith djelm te rí,
Ata jânë Ljubotinjânë,
T’ dobë per t’ páme sa t’ duesh me thânë, 65
Porse trim t’ fortë si Zâna,
Qi kan lânë pa djelm sa nâna,
Qi kan bâ me kjá sa bulla,
Qi kan djegë saraje e kulla,
Qi e kan zbardhun Karadakun: 70
( Kiju inád, por foljau hakun ):
U ka prî ‘i farë Ceroviqit
Derës bujare prej Nikshiqit.
Kaleshan musteqe–zí,
Thonë âsht Ora e Malit t” Zí. 75
Njimí pushkë i çoi Cetina
Me njegush e me krahina,
Djelm te lehtë, si gjeraçina:
Vukotiqin kta kan t’ parë,
Burrë i fórt e kuvendtár, 80
T’ cillin thonë, se Knjazi i Malit
T’ Zí s’ e ndrron per sý të ballit.
Ndandqind pushkë ka qitë Nikshiqi;
Njaq sa thonë qi Matiniqi,
Vojvoda qi u ka prî, 85
I pat lypë me rá n’ Malcí.
Matiniqi, bre, djalë i djalit,
Tuj kênë vete ti sokol malit,
po a njemend paske kujtue 90
Se Malcín ke per t’ a shtrue
Me ndandqind e jo mâ vetë?
Po a kujtove, more i shkretë,
Se Malcija ká dalë faret,
Se nuk bâjn mâ djelm Shqyptaret,
Veç se bâjn do cuca t’ kqija, 95
Sa per furka e enemija?
Ah, kadalë! sod ká me u pá
N’ urë t’ Rrzhanicës kur ké per t’ rá,
Se n’ Malcí nuk léjn veç grá;
Kur t’ i ndiejsh shkinat tue kjá: 100
N’ kjoftë, madje, per tý gjikue,
Veshë e krye prap n’ shpí me i çue:
Kur t’ i ndiejsh tue kjá ti shkinat,
Kur t’ i ndiejsh tue nâmë martinat
Qi u a lanë sa nuse t’ veja, 105
Qi u lanë pa mârrë sa reja,
Kah gjimojshin porsi rrfeja!
Vjen ushtria e malit t’ Zí
Porsi rêja e zezë me shí
Per me shkrepun n’ at Malcí. 110
Kah Rrzhanica na i ká prî
Mark Milani Kapidani,
T’ cillit n’ krajla i vojti zâni,
Si kah pupla e kah tagâni.
Por nuk dij, se ç’ ká me bâ 115
N’ Urë t’ Rrzhanicës kur ká me rá?
Ura ngusht e Marku m’ Kál,
Fort po drue se s’ mund do t’ dalë.
Deh, o Zot, qi nalt prej qiellit
Punët e njerzve i njef mirfillit; 120
Qi e ndertove, kur krijove,
Qiellen t’ naltë e token t’ gjânë
T’ bijt e robit sa me i zânë,
Pa nevojë me ndeshë m’ shoshojn,
Kur per s’ tepirt t’ mos lakmojn; 125
S’ dij Shqypnija se shka bâni,
Qi e ka msý sod Mark Milani,
E me topa e me novica
Po rreh dromin kah Rrzhanica?…
Ti, qi t’ Ligshtit i a njet doren, 130
Per mjedis qi kputë mizoren
Shpatë ngadhnyese n’ grusht t’ tradhtarit,
Njita doren sod Shqyptarit;
Edhè anmikun shtroja para,
Qi perbluen kshtû punë t’ pamara. 135
Kur n’ Rrzhanicë na vojt ushtrija,
Atý krisi prap burija,
Edhè u ndalen me pushue.
Mark Milani, trim drangue,
Merr turbín, del me shikjue: 140
“Madhi Zot! se shka do t’ jetë,
N’ at báll ure, n’ at perpjetë?
A jânë orrla, ja sokola?…
Nuk jânë orrla, as s’ jânë sokola,
Shka n’ per sý po shef t’ turbís; 145
Porse jânë Lekët e malcís:
Halil Haka e Palokë Gjoka
Me ‘izet djelm qi s’ t i ká toka;
Ktû Çun Mula edhè ‘i ká çue
Pushken sod me t’ a fillue. 150
Palokë Gjoka, i forti djalë,
Po çon doren. bân kryq n’ ballë:
” Madhi Zot! tý t’kjofsha falë,
Se shum shkjau na paska dalë:
Krushqit e knjazit t’ Malit t’ Zí 155
Per me mârrë vashen Malcí.
Por s’ dij shêj’ n kuej i a ká çue…
Pasha armët, s’ kem’ me ja lshue!
S’ mund e vêm na sod kanú
Me i dhânë vashat pa i fejue… 160
Pra, t’ shterngoh’ i n’ armë, o burra!
T’ a bâjm vorrin nder kta curra,
E t’ i a nisin Knjazit pushken…
T’ i a kthejm krushqit me gjith krushken.
P’ r ‘i grusht eshtna, pashi Zotin! 165
Mos t’ korisim Gjergj Kastrjotin,
Mos t’ korisim na sod Hotin,
Marre vedit mos t’ i lâm.
Marë Europa âsht çue në kâmë,
Krajl e Mbret kan dalë me pá, 170
Si luftojn Shqyptár e shkjá.
Mâ mirë dekë nên dhé m’u kjá
Se per t’ ligshtë né me na shá!
Se per t’ gjallë me ndêjë nên Shkjá!
Nenè fjalë s’ pat krye Paloka, 175
Krisi pushka gjimoi toka.
Aferim! tha Palokë Gjoka!
Po kush qiti n’ trí taborre?
Marka Kola rrfé mizore.
Marka Kola i pari qiti, 180
E kû qiti atý i a njiti:
Vrau n’ martine të Sulltanit
Burizânen Mark Milanit!
M’ Markun fíll aj kje shterngue,
Por me e marrë s’ isht’ kênë gjikue. 185
Dekun n’ tokë rá burizâna,
Kur qe krisne ‘izet shejshâna,
Njizet huta rán batare:
Njaq rrëfeja n’ dorë shqyptare.
M’ kamni djelm! sa i punoi zâni, 190
Atbotë krisi Mark Milani,
Pse na rá per Zo’ n Malcija!
Trup në kamë i a bâni ushtrija;
Krisi topi edhè novica,
Gjimoi Cemi, u dridh Rrzhanica. 195
Kuku! bâni Zâna e Malit,
Ke do t’ m’ jesë mue pika e djalit,
Pika e djalit, djelmt e Hotit:
Njata nipat e Kastriotit…
Ah! Çun Mula, kjosh i zí, 200
Ke na i bore djelmt e rí,
Tuj zânë pritat Malit t’ Zí.
Heshtu. Zânë. m’ at vetull malit!
Nuk po t’ jet, jo, pika e djalit,
Pika e djalit, Lekët e Hotit: 205
Perse nipave t’ Kastrjotit,
Kur t’ jén lidhë me besë të Zotit,
S’ ka shka u bân flake e barotit.
Por t’ gajrisin me qindrue,
Pse, edhè n’ kjoftë per ta gjikue 210
Me dhânë jeten tue luftue,
Ká me dalë kush me i pague:
Çuni ngiat u ka qillue.
Po, sa krisi te Rrzhanica
Kndej martina, andej novica, 215
N’ Hot e n’ Grudë u dha kushtrimi.
E, si dirgjet bjeshkës thellimi,
Tue vetue e tue gjimue,
Shí e breshen tue dikue:
Njashtu rá n’ Rrzhanicë Malcija 220
N’ at log Zânash, kû tradhtija
Do t’ poshtnohej Malit t’ Zí.
E si prrue, kur t’ bjere shí,
Turbull bjeshkve tue shungllue
Landë e gur tue rrokullue, 225
Urat mêrr qi t’ gjêjë perpara
E then ledhet per nên ara
Bulkut t’ ngratë zêmren tue i thá;
Njashtu n’ luftë Malcija rá.
Aman, Zot, se shka me pá! 230
Kerset topi pa i a dá;
Rreh martina si bumbullima,
Rreh novica, ushton Rrzhanica;
Çohet tymi. gjâ nuk shifet,
Per brî shoqi nuk mund t’ njifet. 235
Ah! ju orla e korba t’ zí,
Se shum puna ká m’ u bî:
Qýsh se trimi m’ trim ká rá,
Pa pasterm nuk kan m’ u dá…
Mâ se ‘i nânë, po, ká me kjá, 240
Mâ se ‘i nuse e vejë do t’ mbese,
Mâ se ‘i çikë pa dhânë do t’ jese:
Mâ se ‘i çikë do t’ jesë pa dhânë;
Perse djelmt, qi i paten zânë,
N’ at Rrzhanicë se i cilli muer 245
Ka nji vashë e u bâ dhanuer…
Muer ka ‘i plume në krahnuer!
Por lum kush des per dhe t’ t’ parve,
Si âsht tue dekë rodi i Shqyptarve.
Pra mos kjáj, moj nâna e Colit, 250
Pse t’ mbet djali, aj farë sokolit,
Pse t’ mbet djali tue luftue!
Aj n’ pûnë t’ ligë nuk t’ pat qillue,
Por qilloi me trima rrfé
Tue luftue per Atme e Fé: 255
Nuk ká dekun por ká lé!
Jo se, pak pa dhânun jeten,
Coli mirë na pagoi veten:
Vrau dy shkjé, dy djelm si Zâna,
T’ veshë e t’ mbathë si kapidâna: 260
Njâni Krista e tjetri Rista.
Por t’ kjajë shkina ke Cetina
Matiniqin t’ cill’ n e kputi
Gjeto Marku, zêmer — nguti.
Veç se shka, mâ fort se Gjetja, 265
Ket qyqár, thom, e vrau vehtja;
Pse, ç’ e prûni ke Rrzhanica
E me topa e me novica?
A dro token pat per t’ dá,
Qi ja la ktij baba Shkjá? 270
Ç’ po bân Zâna n’ mal tue kjá!
Mjera Tringa per njaq vllá,
Mjera Tringa per vllá t’ vet,
Qi n’ Rrzhanicë aj sod i mbet,
Pa pasë moter me i ndêjë ngiet, 275
Pa pasë moter, qi m’e ankue,
Varrët e shtatit m’ i a pajtue!
Po, Nikë Daka i Vat Cubakut,
Lule djalit prej zamakut,
Dý — trí herë i rá mustakut; 280
E si arí qi vathës tue rá,
Kje varrue, por jo krejt vrá,
Vjen mâ fort aj t’ u terbue
E mberendë vathit s’ jet pa u lshue;
Njashtû Nika, jurra djalë! 285
Msýni uren per me dalé,
Per me dalë, me rá n’ ushtrí,
Thue se gjallë don me i perpî.
Por e pri’ n me dyýnovica,
Me dý plume per nen cica 290
E e bânë dekun ke Rrzhanica.
Shka ká thânë njaj Halil Haka:
Bini, djelm, se mbet Nikë Daka!..
Bini Lekë, bini Malcorë!
Trima mbrendë! Me dorë! Me dorë! 295
Edhè âsht çue në kamë Halili,
Zier tagâ’ n. ‘i rrfé prej qielli,
E jurish ká mârrë i urë
Porsi bisha ne Kallnduer.
U dynd Gruda, s’ cilles zâni 300
Larg i vojt per kah tagâni:
U dynd Hoti t’ cillit Zoti
I ndihmon per kah agzoti:
E. si rreshmja s’ naltit lshue
Bjen teposhtë tue shungullue, 305
Krepa e gur tue rrokullue,
Tue rrxue landë e tue rrxue shpija
Kahdo t’ i kalojë duhija:
Njashtû n’ Cem djelmnija rá,
Rá djelmnija n’ luftë tuj ngá. 310
Djelmt e Grudës, ahi porsi Zâna!
Djelmt e Hotit, si lum nâna,
Si lum nâna, qi po i ká!
Kush i urë e kush nper vá,
Njani zhyt e tjetri m’ not, 315
T’ gjith m’ at ânë. o i Madhi Zot!
Po, dý prroje prej dý kulmesh
Ndryshej nuk perpiqen shkulmesh,
Kúr t’ kén hasun n’ grykë t’ ndo’i malit,
Per me u lshue mandej giatë zallit. 320
Neper ara e fusha t’ gjâna,
Turr dý ushtrít, ahi! me tagâna
Si u perpoqen kah Rrzhanica.
Heshti huta edhè novica,
U perzien ksula e kapica, 325
Flakuruen kaptina e koka,
Shkumoi gjaku, bumbulloi toka.
Ah! moj Stoke, e zeza loke!
Del nji herë n’ at vetull malit,
Per ne paç n’ ushtri djalit: 330
Del, o e shkretë, nji herë me pá,
Pse po drue qi ngusht t’ ka rá,
Ke, trullue prej Gospodarit,
U ndesh sod me ród Shqyptarit.
Kqyri Shkijét qi kan mbetë shyt: 335
A mos t’ jét njaj djali i yt?
Njaj Jovani? ja Stojani?
Njaj Nikiqi? ja Radiqi?…
Njehi vetë, mori kercunë.
Veç se e ké. besa, do punë, 340
Pse pesdhetë kan mbetë pa hundë,
Njaq kan mbetun pa rradake…
Mjera nana karadake!
Por, ç’ âsht Cemi tue gjimue?
Por, ç”â sht mali tuj ushtue? 345
Por, ç’ â fusha tue këcye?
Mark Milani thonë u thye!
Mark Milani, bre djali i djalit,
S’ i ké njoftë ti Lekët e malit.
Pse kur rubla n’ fushë t’ mejdanit 350
S’ u a topitë tefin taganit,
Atje kurr nji aster s’ bâni
As Nikolla, as Mark Milani…
Por, n’ daç gjallë n’ Cetinë me shkue,
Duen prehë kamët e me shpejtue, 355
Pse pat thanë nji mjekerr — bardhë:
Kamët e leta e faqja e bardhë.
Hiku Marku. hiku ushtrija:
Urra! m’ shpinë i u lshue Malcija,
Mjerë i mbrami, lum i pari, 360
Pse kê zû per vrap Shqyptari.
Kurr n’ Mal t’ Zí mâ s’ kthei qyqari.
Bre, nuk dij se ç’ kje tu’ bâ,
T’ kênke ditë, ofshe! edhe! mâ;
Por rà nata e lufta u dà. 365
Hiku Shkjau sa mujt me ngà
E n’ Rrzhanicë Malcija rà
Zûni pritat per gjith và;
Pse thonë Shkjau se besë nuk kà.
Ehi! moi Zânë. ty t’ kjosha true, 370
A thue â ‘imend, a m’ duket mue,
Se ata ushtarët e Gjergj Kastriotit
Ndryshej n’ luftë nuk bijshin motit,
Veç si bien Shqyptarët e sotit,
Kur t’ jèn lidhë me besë të Zotit? 375
Baba