VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

La Charente (1939) – Hitleri kishte planifikuar t’i dhuronte kurorën e Skënderbeut mbretit Zog, por Musolini i kërkoi që ta shtyjë këtë operacion

By | May 31, 2019
blank

Komentet

blank

Nga diplomacia te dashuria, botohet letërkëmbimi i Mid’hat Frashërit! Uran Butka: Kush ishin të dashurat e Lumo Skëndos, pse nuk u martua Nga URAN BUTKA

 

blankFoto: Mid’hat Frashëri

 

“Një letër (përmbajtjen e së cilës duhet jo vetëm ta ndjejmë, akoma ta shijojmë) për mua është një luks, një dëfrim i mendjes dhe luksi do nge, do qetësi, do një atmosferë të paturbulluar. Luksi i nxituar degjeneron në grotesk. Shkoni dhe shihni qytetin amerikan Alantic Citu, ku harbutëria e një luksi të shpejtë bën një kontrast aq të madh me bukuritë evropiane të shekullit XVII-XVIII”.

Letërkëmbimi i Mid’hat Frashërit përbën kurorën e meditimit, të veprimtarisë shkrimore dhe krijimtarisë së tij: aty shfaqen idetë e reja iluministe të tij në çdo fushë të jetës e të mendimit, sfidat dhe vendimmarrja e tij në ngjarjet kyçe të historisë së kombit, shqiptarizmi si platformë dhe veprim, përpjekjet titanike në mbrojtje të çështjes shqiptare në krizë, këmbëngulja e palodhur për zgjidhjen më pozitive të saj, humanizmi dhe evropianizmi si frymë e model, diplomacia si mjeshtëri dhe art, debati me argumente dhe logjikë të pakundërshtueshme, elokuenca dhe sjellja fisnike, bashkëbisedimi dhe polemikat me personalitete të shquara historike shqiptare e të huaja, përfshirë presidentë shtetesh, kryeministra, ministra, kryetarë forumesh kombëtarë e ndërkombëtarë, bashkëpunimi e bashkimi kombëtar, haxhiqamilizmi shqiptar, rreziku komunist, lufta për shtet ligjor dhe demokraci, miqësia dhe dashuria, por edhe kritika ekzistenciale, largpamësia, kultura sipërore, informacioni i gjerë dhe sensi zyrtar, por edhe intim dhe artistik i këtij letërkëmbimi.

Tri janë kulmet e kësaj pasurie epistolare: koha kur ishte anëtar dhe kryetar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris dhe në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë në mbrojtje të identitetit dhe tërësisë territoriale të Shqipërisë përkundër politikave pushtuese serbe, greke dhe italiane, por edhe kundër politikave imperialiste të Fuqive të Mëdha shpesh në mbështetje të tyre, si edhe në mbrojtje të popullsisë shqiptare të Kosovës dhe të Shqipërisë juglindore të okupuara padrejtësisht dhe të persekutuara deri në asgjësim; letërkëmbimi kur ishte ambasador i Shqipërisë në Greqi, ku mbrojti si askush tjetër çështjen çame, duke u përballur me politikat antishqiptare dhe antinjerëzore të helenizmit për shpërnguljen barbare dhe shpronësimin e popullsisë shqiptare nga trojet e tyre në vitet 1923-1925; dhe letërkëmbimi erotik, që zgjati thuajse gjithë jetën, ashtu siç zgjati edhe dashuria e tij. Dashuria e Mid’hat Frashërit ishte shpuzë e amshuar, e mbuluar me hirin e jetës.

Ai i caklon dhe i shpupurit me penën-pupël gacat, që vagëllojnë në një dritë të gjelbër dhe i derdh me mjeshtëri dhe art në letrat e tij. Dashuria e tij është e çiltër, e vetvetishme, e magjishme, emocionale.

Ai e ka provuar atë me pasion më tepër se një herë, si njeri i lirë dhe i kulturuar, atë ndjesi të brendshme të patjetërsueshme njerëzore, atë prush që djeg e shqerr, si një dritë dhe terr, si shend e vuajtje, si poezi e si dramë, si forcë njerëzore që e çliron dhe e ndryshon botën. “Dashuria, shkruan ai, është kondita e jetës. Po të mos ekzistojë ajo, shkatërrohet lidhka në mes të gjymtyrëve të njeriut, familjes dhe njerëzisë, zhduket shija e gjallërisë dhe e jetës.

Pa dashuri s’ka enthuziazëm, s’ka shpresë, nuk kryhet asnjë vepër. Enthuziazmi dhe shpresa, bijat e dashurisë së sinqertë dhe të thellë, duhet të jenë si ata trëndafilë mëngjesi, që çelin çdo ditë të rinj, si ato lulet, që mbyllen natën, por hapen nën rrezet e para të diellit”. Letrat e dashurisë mes intelektuales rumune Angela Romano dhe Mid’hatit zgjasin e dokumentohen për 24 vjet me radhë, pak më tepër se letrat e dashurisë mes Balzakut dhe Princeshës Hanska, por edhe me një pathos të papërshkruar.

Pyetjes: Pse nuk u martua kurrë Mid’hat Frashëri, i japin përgjigje letrat e tij dhe të të dashurave të tij. E zhuritur nga malli dhe largësia, Angela Romano e grish në Bukuresht të dashurin e saj, ku i kishte të gjitha komoditetet që të jetonin së bashku “me idhullin e saj, shpesën e saj të parealizueshme”, siç shprehet ajo në letër.

Por Mid’hati zgjedh midis Angelës dhe Shqipërisë, këtë të dytën dhe ajo ia kthen: “Jam e lumtur për ty dhe për vendin tënd”. Mid’hati i përgjigjet së dashurës Emma: “Ti e di sëmundjen morale nga e cila unë vuaj, ajo mani për t’i analizuar gjërat, ajo ngasje për të gërmuar përherë në thellësi të tyre, duke dashur të shoh larg, ta konsideroj shumë shpesh të tashmen si preokupim të së ardhmes. Një martesë, për mua është e pamundur dhe jam i sigurt se nuk do ta bëja kurrsesi të lumtur”.

Në letrën drejtuar Elsës, Mid’hati shkruante: “Të dua të lumtur, Elsa. Po luftoj midis zemrës dhe arsyes, midis dashurisë dhe detyrës, pikërisht në emër të kësaj dashurie”. Elsa: “Mbase është një marrëzi e madhe dashuria ime për ty, që e do aq shumë lirinë, të udhëtosh, t’i biesh botës qark, te do ndryshimin, jetën pa halle, pa telashe”.

Mid’hati ishte një qytetar i lirë europian, ndaj përpiqej jo pa dilema, që pasioni dhe jeta familjare të mos ia pengonin dashurinë e madhe ndaj atdheut dhe detyrën ndaj çështjes kombëtare, si edhe të mos lëndonin njerëzit e dashur. Mid’hati pati një letërkëmbim të pazakontë, nga përmbajtja e thuktë, por edhe nga shumësia e letrave që arrijnë në mijëra e mijëra.

Të habit fakti që ku e ka gjetur kohën të shkruajë letra pa fund, kur ka pasur një veprimtari tejet intensive atdhetare, politike, diplomatike, pedagogjike, kulturore, studimore, albanologjike, kritike, botuese, letrare, memorialë, bibliografike dhe përshkrime udhëtimesh brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Ai ka shkruar dhe këmbyer letra nga nevoja e kohës, me personalitete, por edhe njerëz të thjeshtë të botës shqiptare si: Ismail Qemali, Luigj Gurakuqi, Faik Konica, Mehmet Konica, Kristo Luarasi, Gaetano Petrota, Dr. I. Temo, Dr. M. Turtulli, Fan Noli, Sulejman Delvina, Shtjefën Gjeçovi, Gjergj Fishta, Gjergj Pekmezi, Ahmet Zogu, Sotir Kolea, Rexhep Mitrovica, Bedri Pejani, Dhimitër Berati, Aqif Pashë Elbasani, Eshref Frashëri, Pandeli Evangjeli, Arif Dino, Asdreni, Kolë Tromara, Kostë Çekrezi, Mihal Grameno, Avni Rustemi, Samin Visoka, Branko Merxhani, Mirash Ivanaj, Seit Kemal, Hil Mosi, Kolë Kamsi, Karl Gurakuqi, Musine Kokalari, Emine Frashëri, Abaz Kupi, Dhimitër Falo, Safet Butka, Sali Mani etj.; por edhe me personalitete të shquara të politikës e diplomacisë botërore si Presidenti Wilson, Lord Robert Cecil, kryetar i Konferencës së Paqes në Paris, Jules Cambon; kryetar i Konferencës së Ambasadorëve, Eric Drumond, sekretar i Përgjithshëm i Lidhjes së Kombeve, D’Estornuelles de Constand, Lloyd George, Aristide Briand, Aubrey Herbert, Edit Durham, Justin Godart, Baron Hayashi, Telford Erickson, Jean Pelissier, I. S. Barnes, Morton Eden, A.J.Balfour, Rene Vivian, K.Ishii, Bill Maklin, Alexandër Kirk, Julian Emer etj. si edhe ministra, deputetë, këshilltarë, ambasadorë, shkrimtarë, kryeredaktorë agjencish, gazetash e revistash, miq dhe armiq të Shqipërisë dhe të Mid’hat Frashërit. Po ashtu, pati letërkëmbim me personalitete të shkencës europiane si M.Shuflai, G. Weigand, E.Pittard, M.Roques, M. Tomasie, H. Pedersen, N. Jokli, prof. Meillet, E.Legrand etj.

Letërkëmbimi është hulumtuar dhe nxjerrë në Arkivin Qendror të Shtetit, Arkivin e Ministrisë së Jashtme dhe arkivat e bibliotekat e Turqisë, Francës, Britanisë së Madhe, SHBA, Greqisë, Rumanisë, Bullgarisë, Zvicrës, Gjermanisë, Italisë etj., kryesisht në gjuhët shqip, frëngjisht, anglisht. Ky letërkëmbim është ngërthyer te vëllimi VI dhe VII i kolanës “Mid’hat Frashëri- Vepra të zgjedhura”, botim i Institutit të Studimeve Historike “Lumo Skëndo” Tiranë.

Frasheri-780x439

Letër e Lumo Skëndos drejtuar botuesit Kristo Luarasi në Sofje

SI U BË KONGRESI I VLORËS

Vlorë, 10 dhjetor 1912

(Letër nga Vlora)

I dashur Kristo, Nga Shkupi të shkrova, them ta kesh marrë. Dola nga ai qytet ditën që filloi luftën Serbia, d.m.th., më 3 (16) të muajit që doli dhe shkova nga Mitrovica në Pejë, Gjakovë, Has, Tejdrin, Mirditë, Kurbin, Tiranë, Durrës, Elbasan e nga Elbasani ardhçë këtu. Në Kosovë (d.m.th. prej Peje, Gjakove, Gucie dhe Plave), me tre shokë të tjerë, mora letër me nënshkrime të parësisë, për të treguar që jemi mëkëmbësit e tyre për çdo gjë që të bëjmë për Shqipërinë.

Kur ardhëm në Tiranë, qëllimi ynë ish të bënim një kongres kombiar me ndihmë të Abdi bej Toptanit, se kishim bërë falë edhe me Kapidanin e Abatin e Mirditës. Por kur arritëm ne, gjetëm letrën e Surja be Vlorës, i cili kish ftuar parësinë në një mbledhje. U gëzuam se kështu e gjenim gati punën. N’Elbasan donja që të bëhej ai qytet si vend i mbledhjes, po atje na erdhi tejshkrimi i Ismail Qemalit, që na lajmëronte se do të dilte në Vlorë dhe ftonte botën në një mbledhje.

Edhe pas pak ditësh arriti në Durrës, bashkë me delegatët e Bukureshtit dhe Gurakuqin. Nga Durrësi, gjithë delegatët e ardhur dhe t’atyre viseve, vanë në Vlorë, ku dhe unë vajta me shokët e Elbasanit. Kongresi u çel më 15/28 të këtij muaji dhe ishin 47 delegatë nga çdo an’e Shqipërisë, vise të shkelur dhe të pashkelur.

Sot jemi 67, se kanë ardhur dhe nga vende të tjerë. Atë ditë, pra, ora 11.1/2 allaturka (2. ½ allafrënga) me zë të përgjithshëm u proklamua Indipendenca e Shqipërisë dhe ûamuri u çel në portë të shtëpisë, ku ishim mbledhur (shtëpia e Xhemilbeut).

Ngjarjet, që kanë rrjedhur q’atëherë, do t’i kesh kënduar në gazetat. Sot kemi pushim lufte me të tre shtetet. Vetëm Greqia po lufton në Janinë, ka nxjerrë dhe ushtarë në Sarandë, po tanët kanë zënë Delvinën dhe është shpresë që ata të mos përparojnë; edhe në Himarë janë nja 400 grekë, po shqiptarët kanë zënë Dukatin, Vranishtin e Kuçin dhe grekët s’bëjnë dot asnjë çap.

Qeverisja shqiptare është në të tërë Gjirokastrën dhe gjer në Durrës. Kongresi zgjodhi me zë të fshehtë kabinetin më 21 të muajit dhe ftuan: Ismail Qemali – Kryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme; Mehmed pashë Kallkandeleni – ministër i Luftës; P. Poga Gjirokastra – ministër i Drejtësisë, Myfid bej Libohova – i P. të Brendshme, L. Gurakuqi – i Arsimit, Abdi bej Toptani – i Financës, Pandeli Cale – i Bujqësisë, Mid’hat Frashëri- i P. të Përgjithshme, Lef Nosi – i Postavet. Atë ditë u zgjodh edhe një Këshill’ e Kombit prej 18 vetësh, të cilët do t’i ndihin qeverisë dhe do ta kontrollojnë. Për dy a tri ditë do të nisen delegatët për n’Evropë, që të mbrojnë të drejtat e qeverisë së re.

Të fala, L.S.

Citime nga letrat e vëllimit VI të Mid’hat Frashërit

“Do të qe mirë sikur të mundim të zgjojmë në disa qarqe një jetë intelektuale, një rrojtje me ide të reja, një jetë mendore. Le të përpiqemi t’i prapsim pak shqiptarët nga jeta politike dhe e kafenevet, t’i shtyjmë në studim dhe në merak për çdo send që i përket Shqipërisë dhe shqiptarizmës, se po që nuk zgjuam dot një kult, një adhurim për çdo send, që i përket kombit dhe tokës sonë, nuk mund që të kemi as shqiptarë, as Shqipëri”.

* “Në këtë kohë merkantilizmi materialist, kur fjalët ‘drejtësi’ dhe “barazi” thonë aq pak. Shqipëria është e vendosur të mos e lërë veten të thërret si qingj: ajo do të luftojë; e le të guxojnë mandej të gjithëfuqishmit e botës të pretendojnë se qenka meraku për paqen e rendin, që udhëheq mendimin e tyre!”.

* “Kur Konferenca e Paqes filloi punimet, premtimet e saj të famshme për vetëvendosjen e popujve, për ndreqjen e gabimeve të së shkuarës dhe për fillimin e një epoke drejtësie e ndershmërie, ne shqiptarët besuam se tre të katërtat e territorit dhe të popullsisë shqiptare që i janë shkulur dheut mëmë nga Konferenca e Londrës e vitit 1913, do të na riktheheshin”.

* Por, a mund të themi të njëjtën gjë për vetë qytetarin e lirë?

* “Dhe ja kur tani – në vend të na kthejnë Kosovën, Maqedoninë perëndimore dhe Epirin e jugut – flitet për copëtim edhe të kësaj Shqipërie të vogël të 1913-ës!”.

* “Asgjë të japim nga trupi i vogël i mëmëdheut tonë”.

* “E dini fort mirë se Shqipëria e pësoi katastrofën e 7 prillit jo vetëm prej fuqisë ushtarake të huaj, por edhe nga tradhtia e disa shqiptarëvet, të cilët me liri dhe koshiencë të plotë përgatitën komplotin kundër Atdheut dhe vepruan si pararojë e fuqivet okupuese, e më vonë, kundër fuqivet nacionaliste të gjithë kombit mbarë, q’ishin hedhur në luftë për rifitimin e lirisë dhe të vetqeverimit”.

* “Rrojtja jonë si komb dhe shtet është një gjë prekëse, edhe kur shteti është i dobët, ai duhet të forcohet e të përmirësohet e jo të shembet; edhe kur qeveria e zgjedhur nuk është aq e mirë, duhet përmirësuar, plotësuar apo rizgjedhur me përgjegjësi, po jo duke e përmbysur me rebelim turme”.

* Puna e qeverimit më duket se do të zgjidhej më lehtë me një regjim republikan: ndryshe kena me pas shumë ngatërresa.

* “Kusht i domosdoshëm për zhvillim është puna. Varfëria e Shqipërisë vjen nga të mospunuarit. Nuk do thenë as ishallah, as kemi kohë. Kapitali jo vetëm më i madh, por i vetmi i njeriut, janë puna, mundimi e krahët e ti. Puna të mos jetë dënim dhe mallkim për ne, por uratë dhe gëzim si një falje”.

* “Shqiptarët, të cilët e duan paqen, kërkojnë të kenë marrëdhënie të mira me fqinjët.

Popujt e Ballkanit kanë filluar të kuptojnë se ka vetëm një rrugë për të arritur lulëzimin, vetëm një mënyrë për të hequr qafe zakonet e këqija të së shkuarës, sipas së cilave konsiderohej armik çdo popull përtej kufirit. Tani e kuptojnë se një solidaritet me interesa të përbashkëta, solidaritet material e ekonomik, madje edhe moral e intelektual, duhet t’i bashkojë popujt e jo t’i ndajë”.

* “Një ndihmë e vogël shpëton një jetë, gëzon një shpirt, hedh pak lumturi në një zemër”.

* “Po luftoj midis zemrës dhe arsyes, midis dashurisë dhe detyrës, pikërisht në emër të kësaj dashurie…”.

* “Dashuria është kondita e jetës. Pa atë s’ka rrojtje. Po të mos ekzistojë dashuria, shkatërrohet lidhka mes gjymtyrëve të familjes e të njerëzisë, zhduket shija e gjallërisë dhe e jetës.

Pa dashuri s’ka entuziazëm, s’ka as shpresë dhe nuk kryhet asnjë vepër. Entuziazmi dhe shpresa, bijat e dashurisë së sinqertë e të thellë, duhet të jenë si ata trëndafilat e mëngjesit, që çelin çdo ditë të rinj, si ato lulet, që mbyllen natën, por hapen nën rrezet e para të diellit”.

blank

L’Echo de Paris (1910)- Preteksti i mbylljes së shkollave shqiptare në Elbasan dhe Korçë nga qeveria turke

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 24 Tetor 2021

“L’Echo de Paris” ka botuar, të dielën e 11 shtatori 1910, në faqen n°3, një shkrim në lidhje me pretekstin e mbylljes së shkollave shqiptare në Elbasan dhe Korçë asokohe nga qeveria turke, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar : 

Mbyllja e shkollave shqiptare

blank
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Nga korrespondenti ynë i veçantë

Kostandinopojë, 10 shtator.

Një vendim i rëndë sapo është marrë nga qeveria turke. Ajo urdhëroi mbylljen e shkollave shqiptare në Elbasan dhe Korçë, me pretekstin se shkronjat latine me të cilat mësohej gjuha shqipe në këto shkolla janë në kundërshtim me besimin mysliman dhe Kuranin.

Thuhet gjithashtu se shkolla të tjera shqiptare do të mbyllen. Me pak fjalë, është e sigurt se, pas ekspeditës në Shqipëri, shqiptarët nuk do të kenë më shkolla shqiptare, me plot fjalën, dhe as që do të lejohen të mësojnë gjuhën e tyre me shkronja latine.

Ne duhet ta krahasojmë këtë vendim me një tjetër të marrë, sipas gazetave të Smirnës, nga Ministria e Mësimit (Arsimit) Publik. Kjo e fundit, në fakt, ka ndaluar mësimin e gjuhës greke në shkollat turke, në vilajetin e Aïdinit.

Këtu kemi të bëjmë me një vendim thelbësisht të gabuar, sepse mënyra e vërtetë për të tërhequr jomuslimanët në shkollat turke, domethënë në ato të shtetit, është të mësosh aty gjuhët amtare të këtyre jomuslimanëve, duke ruajtur turqishten, natyrisht, si gjuhën e parë në shkollë.

Duket se, me këto vendime të gabuara, turqit duan ta bëjnë Evropën të besojë, krejt gabimisht, se ata kanë një plan sekret për të turqizuar racat e ndryshme të Perandorisë. — P.

blank

XLVI – 2021 VITI AT PJETER MESHKALLA S.J. 120 VJETORI KUR U Lé N’SHKODER I MADHI AT MESHKALLA ! (Pergatiti FRITZ RADOVANI, 2021)

Nga Fritz RADOVANI: (Pjesa XLVI) II.

 

Çka parashikonte AT PJETER MESHKALLA S.J.  nga këto libra Diplomatësh mbi 75 vite para?

“Shqipnia prej shiut shkoi e ra në breshën!”

Për mos me ndikue lexuesin e këtij materiali me mendimet e mija në lidhje me këto ngjarje tragjike të fatit të popujve të Botës, do të kaloj në disa dokumenta tjera shumë me rendësi, që i përkasin po kësaj periudhë historike të Luftës së Dytë Botnore.

HENRY KISSINGER “DIPLOMACIA”, “Leximi në kancelaritë e Perëndimit, duhet të fillojë detyrimisht nga ky libër”Alan Clark, The Times.

Përkthye P. Pojani; Red. M. Raxhimi. Tiranë: Shtëpia Botuese e Lidhjes së Shkrimtarëve, 1999. Shtypur në Shtypshkronjën LAERT Tiranë, 1999.

Henry A. Kissinger asht betue me 22 shtator 1973, si Sekretar i pesdhjetegjashtë i Shtetit, detyrë që e mbajti deri me 20 janar 1977. Ka marrë çmimin “Nobel” për Paqen në vitin 1973, si dhe çmime të tjera të rëndësishme të Shteteve të Bashkueme të Amerikës.

 

Faqe 333: “Stalini futi katekizmin rigoroz të formimit të tij të hershëm fetar në interpretimet e pamëshirshme të botkuptimit bolshevik dhe e shndërroi ideologjinë në një instrument politik… Stalini ishte vërtetë një përbindsh; por në drejtimin e marrëdhenjeve ndërkombëtare ai ishte realisti më i madh – i duruar, dinak e i paepur.

Risheljeja i kohës së vet… Rreptësia e Stalinit shtrihej vetëm në ideologjinë komuniste.”

 

Faqe 337: “Fobia e Stalinit u shpreh gjerësisht në eleminimin prej tij të të gjithë kundërshtarëve poltik, të mundshëm, të brendshëm dhe në vrasjen e internimin e miljona të tjerëve që e kundërshtonin atë, vetëm në fantazitë e tij.”

 

Faqe: 339: “Rasti ishte Kongresi i XVIII i PK të BRSS, …Mbledhja e parë mbas pesë vjetësh .., nga 2000 delegatë, merrnin pjesë vetëm 35 nga ata të pesë viteve më parë; 1100 të tjerë ishin arrestuar për veprimtari kundërrevolucionare; ishin likujduar 98 nga 131 anëtar të komitetit qendror, sikundër edhe tre nga pesë mareshalët e Ushtrisë së Kuqe dhe 11 zëvendëskomisarët e mbrojtjes, të gjithë komandantët ushtarakë të rajoneve dhe 75 nga 80  anëtarët e Këshillit të Lartë të Mbrojtjes.”

 

Faqe 343: “Çdo ushtri “çlirimtare” sovjetike do të kthehej në një ushtri pushtuese.

Faqe 344: “Stalini, i cili e ndjente që lufta është e paevitueshme, donte përfitimet nga lufta, pa marrë pjesë në të.”

 

Faqe 370: “Çdo udhëheqës i madh ka rrugën e vet…Ruzvelti kishte krejt karakterin, energjinë e mjeshtrinë e diktatorëve dhe ishte në anën tonë.”

 

Faqe 371: “Deri në raportin para Kongresit mbi Jaltën me 1945, Ruzvelti qëndronte gjithmonë më këmbë sa herë që mbante ndonjë fjalim të rëndësishëm. Duke qenë se media i përshtatej përpjekes së Ruzveltit për të luajtur rolin e tij me dinjitet, shumica dërmuese e amerikanëve, asnjëherë nuk e kuptuan sesa i gjymtuar ishte Ruzvelti ose perceptimet e tyre kishin ngjyra mëshire… Ishte një kombinim i papërcaktuar i manipuluesit dhe ëndërrimtarit politik. Ai drejtonte më tepër në bazë të instiktit, sesa analizës…”

 

Faqe 396: Ruzvelti deklaroi: “Britania e Madhe duhet të mbronte Europën, pa asnjë ndihmë nga Amerika… Unë nuk dua që Shtetet e Bashkuara të kenë barrën e rindërtimit të Francës, Italisë dhe Ballkanit…

Në shkurt 1945, në konferencën e rëndësishme të fituesve në Jaltë, Ruzvelti qortoi Çerçillin në prezencë të Stalinit.., ai vuri në lojë qellimin e tij…”

 

Faqe 410: “Ruzvelti mbështetej në marrëdhënjet me Stalinin në një mënyrë që Çërçilli kurrë nuk do ta bënte..,në Teheran nga 28 nëntori e deri me 2 dhjetor 1943, dhe në Jalta nga 4 deri me 11 shkurt 1945. …Ruzvelti parapëlqente të shihte te Stalini më mirë një mik si xhaxha, sësa një diktator totalitar.”

 

Faqe 443: “Stalini mundi të impononte kufijtë e Europës Lindore, pa ndermarrë një rrisk të  tepruar, sepse ushtritë sovjetike i kishin pushtuar këto zona. Por, kur puna erdhi për të imponuar regjime të tipit sovjetik në këto territore, ai u tregua shumë më i kujdesshëm. 

Dy vitet e para pas luftës, vetëm Jugosllavia dhe Shqipëria vendosën diktatura komuniste.”

 

Shenim  nga F.RADOVANI: Mendoni pak minuta dhe shikoni se, në çfarë llomit na zhyti komunizmi !!

At Meshkalla shpesh persëriste:“Ndaj Klerit Katolik u ushtrue një Gjenocid i vertetë, i panjoftun n’ Europën Lindore komuniste… Torturat janë kenë në heuesitë tona të pakrahasueshme me vendet tjera komuniste…

Nuk duhet me harrue fjalët e Kardinalit Minzenti, në Revolucionin Hungarez të vitit 1956, që pat thanë se, po rashë në duart e komunistëve, mos merrni asgja për bazë se çka mund të flas mbas arrestimit, mbasi torturat mund të me bajnë mos me kenë ma ky që jam sot; e sigurisht, torturat e Sigurimit Hungarez as, nuk mund të krahasohën asnjëherë me torturat e Sigurimit  Shqiptar. Po, ajo që asht edhe ma keq tek na sot, edhe:

Pa asnjë shpresë shpetimi. (1964).

         Melbourne, 24 Tetor 2021.

blank

“Si e arrestuan kushëririn tim, nipin e Myslym Pezës, se shau misrin gjeorgjian”- Kujtimet e gazetarit të Radio-Tiranës

Publikon kujtimet e gazetarit, publicistit, përkthyesit, studiuesit, shkrimtarit, dramaturgut dhe diplomatit të njohur, Bashkim Trenova, i cili pasi u diplomua në Fakultetin Histori-Filologji të Universitetit Shtetëror të Tiranës, në vitin 1966 u emërua gazetar në Radio-Tirana në Drejtorinë e Jashtme të saj, ku punoi deri në vitin 1975, kur ai u emërua si gazetar dhe shef i redaksisë së jashtme në gazetën ‘Zëri i popullit’, organ i Komitetit Qendror të PPSH-së. Në vitet 1984-1990, ai shërbeu si kryetar i Degës së Botimeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shtetit dhe pas zgjedhjeve të para të lira në Shqipëri, në marsin e vitit 1991, u emërua në gazetën ‘Rilindja Demokratike’, fillimisht si zv/kryeredaktor dhe më pas kryeredaktor i saj, deri në vitin 1994, kur u emërua në Ministrinë e Punëve të Jashtme. me detyrën e Drejtorit të Shtypit dhe zëdhënës i asaj ministrie. Në vitin 1997, Trenova u emërua me detyrën e ambasadorit të Shqipërisë në Mbretërinë e Belgjikës dhe në Dukatin e Madh të Luksemburgut.  Kujtimet e panjohura të z. Trenova, duke filluar nga periudha e Luftës, fëmijëria e tij, vitet e fakultetit, karriera profesionale si gazetar dhe studiues në Radio Tirana, gazetën ‘Zëri i popullit’ dhe Arkivin Qendror të Shtetit, ku ai shërbeu deri në shembjen e  regjimit komunist të Enver Hoxhës, periudhë kohe, kur ai në rrethana të ndryshme u njoh me disa nga ‘familjet reaksionare’ dhe pinjollët e tyre, të cilët me një mjeshtëri të rrallë, i ka përshkruar në një libër me kujtime të publikuar në vitin 2012, me titull ‘Armiqtë e popullit’ dhe tani i sjell për lexuesit e Memorie. al

                                               Vijim

 Shkrimi im në moshën 11 vjeçare, kundër imperializmit amerikan

Unë mendoja apo, më saktë, ndjehesha i “betonuar”. Familja ime ishte e lidhur ngushtë me pushtetin. Në rrethin tonë fisnor dhe atë shoqëror të gjithë ishin anëtarë të Partisë së Punës (Komuniste), besnikë të saj të pakushtëzuar, të gatshëm të mbronin me fjalë dhe me armë, po të ishte nevoja, regjimin në fuqi. Në këtë ambient edhe indoktrinimi im gradual, ishte në rrugë të “mbarë”. Për herë të parë, në moshën 11 vjeçare, pasi dëgjova rastësisht, një emision të radios “Zëri Amerikës” në shqip, shkruajta dy faqe fletoreje si përgjigje. “Zëri i Amerikës”, mesa më kujtohet, fliste për disa ndihma që po i ofroheshin Shqipërisë nga Perëndimi. Unë, i revoltuar, shkruajta, pak a shumë, se populli shqiptar nuk pranon ndihma nga imperializmi ndërkombëtar, ky armik i betuar i paqes dhe lumturisë së popujve.

 

Kam vazhduar më poshtë me fraza të gatshme propagandistike, të ngulitura në trurin tim, duke folur për heroizmin e popullit tonë në shekuj dhe heroizmin partizan, që gjunjëzoi bishën naziste, etj., etj. Porsa mbarova së shkruari shkova në shkollë, ku takova Besa Bajraktarin, udhëheqëse e pionierëve të shkollës, njëlloj komisareje politike e nxënësve. I’a tregova asaj çfarë kisha shkruar. Besa, pasi e lexoi “artikullin” tim, e entuziazmuar e rishkroi atë me shkrimin e saj, mjaft të rregullt dhe vuri në fund emrin tim. Ajo i vendosi faqet e rishkruara në Gazetën e Murit të shkollës. Të dy ishim të gëzuar dhe krenarë. Ky ishte, në fakt, artikulli im i parë. Pas diçka më shumë se 10 vjetësh, do të filloja punë si gazetar dhe gjatë afro 20 vjetësh të tjerë, do të shkruaja qindra dhe pse jo, mijëra artikuj politikë kundër imperializmit amerikan, por sidomos kundër atyre që njiheshin si socialimperialistë sovjetikë ose carë të rinj të Kremlinit.

Debatet me babanë tim, të cilit “i tregoja arat”!

Indoktrinimi im arriti në atë nivel sa unë, në një rast, guxova t’i kundërvihem hapur edhe babait tim, t’i tregoja atij kufijtë e tij dhe të mijtë! Ne në familjen tonë, si të gjithë të tjerët, kishim vështirësi në jetë. Vitet po kalonin dhe entuziazmi i njerëzve po binte. Ishte premtuar një jetë e lumtur. Premtimi duhej mbajtur ose së paku, duhej bërë diçka për të treguar, se ai do të mbahej. Nuk po ndodhte kështu. Babai im, Selimi, nuk ishte njeri që interesohej për politikën, ndryshe nga nëna. Ai, pas Luftës, nuk shkoi as të marrë dekoratat, që i ishin akorduar nga Kuvendi Popullor, si ish pjesëtar i qëndresës antifashiste. “Nuk kam luftuar për medalje”, më tha një ditë. Në këto rrethana, një mbrëmje, ai filloi të flasë e të thotë se si jetohej në kohën e Monarkisë. Kishte një notë nostalgjie në fjalët e tij, jo për Monarkinë, por për jetën e përditshme, për përpjekjet për ta fituar atë, për forcën e monedhës në atë kohë, etj. të kësaj natyre.

Unë nuk mund të pajtohesha me babanë. Jo vetëm kaq, por u tregova dhe agresiv. “Ti, i thashë babait, nuk e don pushtetin popullor. Ty të pëlqen Monarkia”. Babai e dinte mirë peshën kobë sjellëse të këtyre fjalëve. Ai mori kacinë, që u gjend diku pranë tij dhe më goditi me të në kurriz. “Unë, tha ai, kam luftuar dhe kam derdhur gjak, për këtë pushtet, ndërsa ti…”!

Inati, ndoshta dhe shqetësimi i tij, ishte i madh. Goditja e parë me kaci, duket se nuk do të ishte e fundit në kurrizin tim. Fati më ndihmoi. Atë mbrëmje kishte ardhur tek ne, vajza e hallës së nënës, Liria. Ajo i’a rrëmbeu kacinë tim eti. Ajo i tha babait që të qetësohej, se unë isha fëmijë dhe nuk kuptoja me të vërtetë se ç’thonja. Babait, siç duket, nuk i kaloi inati. Liria më mori për dore, i tha atij se unë do të flija tek ajo atë mbrëmje. Unë shkova atë natë tek shtëpia e Lirisë, që banonte diku pranë nesh. Ajo, për të më qetësuar, më përgatiti edhe një pjatë me petulla. Kështu u mbyll ndeshja ime e parë ideo-politike në gjirin e familjes. Mua nuk më vinte aspak keq përsa kishte ndodhur. Isha i bindur se kisha patur të drejtë.

Inati im për Mbretin dhe Monarkinë që zgjati mbi 40 vjet!

Babait nuk mund t’i mbaja inat, por inati me monarkun, që u bë pa dashje sebep për kacinë në kurrizin tim, siç duket, nuk më kishte kaluar as pas më se 40 vjetëve. Në vitin 1997, ambasada e Rumanisë në Bruksel dha në selinë e saj një pritje, ku ishin të ftuar mjaft ambasadorë të akredituar në kryeqytetin belg. Unë isha në atë kohë ambasador i Shqipërisë në Mbretërinë e Belgjikës. Pritja organizohej, mesa më kujtohet, me rastin e vizitës së Mbretit të Rumanisë, Mihal I-rë, në Bruksel. Në vitin 1997, ai bëri një udhëtim në Evropë për të mbështetur pranimin e Rumanisë në NATO dhe në Bashkimin Evropian. Në një moment, ambasadori rumun më tërheq mënjanë dhe më prezanton tek Mbreti. Biseduam së bashku, pa pjesëmarrjen e ambasadorit edhe për fatin e Monarkisë në Shqipëri. Mbreti, më pyeti se ç’mendim kisha unë a do të rivendosej Monarkia në Shqipëri apo jo?

I thashë hapur dhe prerë mendimin tim, duke ju përgjigjur me një “jo”. Ai më pyeti sërish, përse mendoja kështu? I’u përgjigja duke i thënë se monarku ynë, nuk vinte nga familje mbretërore, por ishte vetëshpallur mbret, se pas kaq vitesh dhe pas një propagande të fuqishme të komunizmit kundër Monarkisë, njerëzit nuk kishin një vlerësim të plotë e të pavarur për monarkun dhe Monarkinë në Shqipëri. Së fundi, i thashë atij edhe se Mbreti ka rreth vetes persona, që nuk e njohin realitetin shqiptar dhe si të tillë, as mund të operojnë në këtë realitet në favor të Monarkisë. Në një rast tjetër, po në Bruksel, do të ishte ambasadorja e Afrikës së Jugut, që do të kërkonte të takohej me mua për të biseduar për Monarkinë shqiptare. Në të vërtetë në Bruksel, kishte edhe një celulë monarkiste dhe një përfaqësues i saj ishte takuar dhe kishte biseduar me ambasadoren jug afrikane, lidhur me të drejtën e pretendentit të fronit mbretëror për t’u kthyer në pushtet në Shqipëri. Ambasadores i dhashë, pak a shumë, të njëjtin shpjegim si edhe Mbretit të Rumanisë.

Për herë të fundit në Bruksel kam biseduar për Mbretin e Shqipërisë, me një avokat belg, zotin Olivier Slusny, në vitin 2010. U gjendëm një mbrëmje të dy në një birrari pranë Pallatit të Drejtësisë, ku ishte si gjysmë pronar, në mos gaboj, një shqiptar, personazh simpatik nga Prizreni i Kosovës me emrin Ferid. Olivier Slusny dhe Feridi njiheshin mirë. Ishte Feridi ai, që e ftoi zotin Olivier në tavolinën ku isha unë së bashku me gruan time, Desin dhe miqtë tanë Shpresën dhe Ramadanin. Olivier Slusny pasi mori vesht se ne ishim shqiptarë, më tregoi se xhaxhai i tij, një pianist i njohur, kishte luajtur në piano me rastin e martesës së mbretit të shqiptarëve, Ahmet Zogut dhe se ai kishte edhe fotografi nga ceremonia e rastit. Këto historira të vonuara me mbret, ndoqën atë të fëmijërisë time.

Duke u kthyer sërish në vitet e fëmijërisë, më kujtohet se diçka e ngjashme si ajo me babain më ndodhi disa kohë më pas, tani jo më në gjirin e familjes, por me nënën e Lirisë, hallën e nënës time, Xhaharije Çelmetën.

Arrestimi i kushëririt tonë, nipit të Myslym Pezës, që shau misrin gjeorgjian

Xhaharija jetonte në fshat, në Pezë, së bashku me dy djemtë e saj, Dylin dhe Xhevdetin, me nipër e me mbesa. Ajo ishte motra e madhe e ‘Heroit të Popullit’, Myslym Peza, për të cilin do të flas gjithashtu më vonë. Dyli ishte djali i madh i saj. Edhe ai kishte qenë partizan i orëve të para të qëndresës antifashiste, ishte komunist. Si tip ishte gjithnjë i gëzuar, gjithnjë i gatshëm për të krijuar situata të papritura komike në fshat, disi anarkist në shpirt. Ai nuk nguronte, p.sh., t’i hipte kalit në mes të natës, t’u ngjitej kështu kreshtave të thepisura të fshatit dhe, ndërsa shiu binte rrëmbyeshëm, të thërriste mesa kishte në kokë, se kjo ishte nata e fundit, nata e qametit, prandaj të gjithë duhet të luteshin për të shpëtuar shpirtin e tyre. Këto thirrje i shoqëronte me deklamimin e disa vargjeve të përçudnuara në arabisht, që duheshin pranuar si të nxjerra nga Kurani. Dyli vetë nuk ishte aspak besimtar. Kështu ai vetëm argëtohej.

Dylit, të fuqishëm si një ari rus, i ishte dashur njëherë të ndeshej trup me trup me një derr të egër në pyll. Ai kishte dalë për të gjuajtur. Në një moment ishte gjendur përballë derrit, kishte provuar të qëllonte, por pushka nuk i kishte ndezur. Derri i egër e kishte sulmuar Dylin. Ai e kishte kapur për koke derrin, kishte afruar njërin vesh të tij tek goja e vet, duke i thërritur me sa fuqi kish. Derri, i tronditur ndoshta nga kjo ulërimë në veshin e tij, ishte larguar. Kështu na e ka treguar këtë histori vetë Dyli. Ndoshta ka në tregimin e tij edhe teprime, siç kanë shpesh tregimet e gjuetisë. Sidoqoftë, plagët e një përleshjeje me kafshën e pyllit, Dyli i kishte në trupin dhe fytyrën e tij dhe na i tregonte për të qenë bindës.

Dyli shpëtoi nga derri i egër, por një ditë, atë do ta kanoste një rrezik tjetër jo më i vogël dhe, me siguri, më pak i ndjeshëm ndaj ulërimës së njeriut. Ai u arrestua dhe u mbajt i izoluar disa ditë në një dhomë paraburgimi. Arsyeja? Ai u akuzua se kishte dashur të prishë kooperativën bujqësore të Pezës, d.m.th., kishte dalë kundra orientimit dhe vendimeve të Partisë për fshatin socialist. Fakti është se fshatarët shqiptarë nuk i pranuan asnjëherë me zemër kooperativat bujqësore. Politika e Partisë së Punës ndaj fshatit ishte katastrofike, e dëmtoi atë më tepër se një pushtim, e varfëroi atë si kurrë më parë në historinë e Shqipërisë. Në të vërtetë, Dylit as i kishte shkuar fare në mendje ajo për të cilën akuzohej. Ai thjesht kishte ironizuar me disa vargje një farë misri, që ishte sjellur në Pezë nga Gjeorgjia, një nga ish republikat sovjetike. Kjo lloj fare, që mund të ishte mjaft prodhuese në Gjeorgji, në Pezë ishte joprodhuese, rriste degë të fuqishme, por pa kallinj.

Këtë thonin, pak a shumë, edhe vargjet humoristike të thurura dhe të kënduara sipas motiveve të një kënge popullore nga Dyli. Kaq kishte mjaftuar që ai të arrestohej. Në atë kohë miqësia e përjetshme dhe e pathyeshme me Bashkimin e Madh Sovjetik nuk mund të lejonte një herezi të tillë. Dyli nuk donte të dinte shumë për parulla të tilla. Ai ishte njeri praktik. Një herë më ka thënë se para formimit të kooperativës bujqësore, edhe sikur të mos punonte fare, vetëm nga ullinjtë e tij merrte më shumë se sa fitonte duke punuar në kooperativë e gjithë familja nga mëngjesi në mbrëmje. Po kështu më kishte treguar se fshehtas, dërgonte dikund për ta mbarsur pelën e tij. Ai pasi e rriste po fshehtas këlyshin e lindur, e shiste atë gjithashtu fshehtas. Nga i gjithë ky «operacion klandestin», ai përfitonte një shumë lekësh më të madhe se të ardhurat që i siguronte të gjithë familjes një vit pune në kooperativën bujqësore.

Arrestimi i Dylit alarmoi nënën e tij, Xhaharijen. Ajo la fshatin dhe erdhi në Tiranë për të shpëtuar të birin. Xhaharija erdhi edhe në shtëpinë tonë. Në shtëpi isha vetëm unë. Që në oborr Xhaharija, halla e nënës, që më kishte rritur mua në vitet e Luftës kur prindërit e mi ishin angazhuar në çetat partizane, filloi të më tregonte e tronditur, se si i kishin vënë prangat Dylit dhe përse. I dridhej buza, zëri dhe i gjithë trupi. Meqë prindërit e mi nuk ishin në shtëpi, ajo nuk qëndroi gjatë me mua. U largua me një hap të nxituar dhe me një frymëmarrje të rëndë, që dukej sikur do t’i bllokonte gjoksin pa arrirë të kapërcejë ato disa metro të oborrit tonë.

Sigurisht më erdhi mjaft keq për hallën e nënës, të cilën edhe unë e thërrisja si nëna ime, “hallë”. Në fëmijëri, mendoja se ky edhe ishte emëri i saj! Keqardhja ime nuk shkonte më tej. Nga sa dëgjova prej saj, për mua Dyli ishte armik i Partisë, prandaj kishte përfunduar aty ku ishte. Unë isha me Partinë, isha për burgosjen e kushëririt. Unë isha njëlloj ‘Pavlik Morozovi shqiptar’. Në atë kohë ishte botuar në shqip, përkthyer nga rusishtja, edhe një libër me këtë titull, “Pavlik Morozov”.

Pavlik Morozovi ju servir si hero, si martir, si model gjatë 60 vjetëve pionierëve dhe rinisë sovjetike nga autoritetet komuniste. Ai kishte denoncuar pranë policisë sekrete, babain e tij, për lidhje të fshehta me kulakët, që përfaqësonin fshatarësinë e pasur, kundërshtare e komunizmit. Si pasojë, babai i Pavlikut u arrestua dhe u internua. Vetë Pavliku u vra nga gjyshi i tij, që u ekzekutua më pas nga pushteti sovjetik. Unë nuk denoncova babanë tim, që e akuzova për «monarkist». Nuk isha unë që akuzova Dylin. Sidoqoftë, për mua, «drejtësia» komuniste ishte në vend të parë. Babai, Dyli apo kushdo tjetër, vinin më pas.

Dyli nuk u gjykua, pra nuk u dënua. Ai u lirua, por nuk i harroi kurrë prangat dhe dhomën e izolimit. Në fillimin e viteve 90-të, kur studentët shqiptarë dhe populli  u ngritën në mitingje dhe demonstrata të fuqishme për t’i dhënë fund diktaturës komuniste, Dyli ishte komunist, por ai u rreshtua kundër diktaturës, kundër prangave dhe burgjeve.

Unë “Pavliku” shqiptar, ndryshe nga ai rus, që  bëri denoncimin e parë duke qenë ende fëmijë, ndjeva shijen e hidhur të denoncimit të parë politik kundër meje, duke qenë ende fëmijë. Dija dhe Skënderi, vajza dhe djali i xhaxhait të nënës, Myslym Peza, ishin autorë të tij. Përse?

Në vitin 1957, isha në klasën e shtatë, d.m.th., isha 13 vjeçar. Mësimet i bëja në “Shkollën e Kuqe”, aty ku gjatë pushtimit nazist, kisha qenë i burgosur me nënën. Midis të tjerëve, në klasën tonë ishin edhe dy motra binjake. Njëra quhej Firdes Kodra. Emëri i tjetrës nuk më kujtohet. Ato kishin ardhur në Shqipëri nga qyteti i Dibrës, në Maqedoni. Ne fëmijëve na bënin përshtypje rrobet plot lule dhe ngjyra të binjakeve, ndonjë byzylyk pa vlerë, por që tërhiqte vëmendjen tonë, ndonjë karficë e shndritshme në flokët e tyre. Ky ishte kontakti ynë i parë me një botë të panjohur, që gjendej në anën tjetër të kufirit. Bisedonim me to për jetën në Dibër. Përgjigjet, me detaje dhe të sinqerta, të motrave Kodra, na bënë të mendojmë se andej, përtej kufirit, tek armiku ynë më i madh, Tito, jeta ishte më e mirë. Këtë gjë unë e bisedova edhe me Dijen dhe Skënderin, duke këmbëngulur në të vërtetën e shoqeve të klasës. Kjo ishte herezia ime e parë. Dija dhe Skënderi ish partizanë që fëmijë, të dy komunistë, nuk mund t’ia falnin këtë një fëmije si unë, në një far mënyre nipi i tyre.

Këshillat e drejtorit të shkollës, Sofokli Afezolli, pasi më denoncuan kushërinjtë

Nuk e di se cili prej tyre, njëri apo tjetri apo të dy bashkë, takuan drejtorin e shkollës, Sofokli Afezolli, tek i cili bënë edhe denoncimin. Sofokliu, më parë se të bëhej drejtor i ‘Shkollës së Kuqe’, kishte punuar në Radio-Tirana. Prej andej u largua sepse në vitin 1956, në Konferencën e Partisë së Tiranës, bashkë me disa kolegë të tij dhe të tjerë pjesëmarrës në Konferencë, kërkuan një komunizëm me fytyrë njerëzore. Konferenca u dënua nga diktatori dhe u cilësua si armiqësore ndaj Partisë dhe udhëheqjes së saj. Duke patur këtë njollë mbi shpinë Sofokliu duhej të tregohej i kujdesshëm, tepër vigjilent ndaj armikut të klasës që vepronte edhe në bangat e shkollës, siç kishte vepruar me mua! Ky ishte mendimi i Skënderit dhe Dijes pas bisedës që kisha patur me to.

Drejtori i shkollës më thërriti në zyrën e tij dhe më dha disa këshilla në stilin komunist. Edhe nëse mendonte ndryshe, nuk mund të vepronte ndryshe. Këtë gjë e kuptoja. Ajo që nuk arrija të kuptoja ishte tjetër gjë. Si ishte e mundur që kushërinjtë e mi, të keqpërdornin një bisedë të sinqertë, besimin tim, për të bërë hapin që bënë? Këtë jo se unë isha nipi i tyre, por se veten e shihja në të njëjtin kamp me ta, në një farë mënyre në shembullin e Morozovit.

Vite dhe vite më vonë mësova se Skënderi, që në moshën 14 vjeçare, kur ishte partizan, kishte denoncuar me shkrim tek Enver Hoxha, babain e tij, Myslymin. Kjo letër u gjend në arshiva nga Sali Verdha, një bashkëluftëtar i Myslymit. Sala i tregoi edhe Myslymit letrën e gjetur, denoncimin që i kishte bërë atij i biri tek Enver Hoxha. Në atë kohë, Pavlik Morozovi nuk njihej në Shqipëri, por komunizmi që në lindjen e tij, pillte edhe tek ne deformime të tilla njerëzore. Nuk i mbajta inat asnjëherë Dijes, aq më tepër Skënderit, sidomos pasi mësova se ai kishte shitur babain e tij. Pse jo mua? Kështu u mbyll kjo ngjarje e pakëndshme. /Memorie.al

blank

Shkëlqimi dhe rënia e gangsterit Veliko Belivuk- Lidhjet e nëntokës serbe me pushtetin e Vuçiçit

Veljko Belivuk është akuzuar se qëndron në krye të një klani brutal të krimit, si pjesë e një klubi futbolli të Beogradit. Por ai ka edhe miq në nivele të larta.

Po t’i shohësh nëpër foto, dikush mund të imagjinojë që fotografi sa u ka thënë “Qeshni pak!”
Por ato buzëqeshje, nuk përputhen me skenën: dy burra të përkulur mbi trupin e një tjetri, një jetë që sapo është këputur në mes. Imazhi është një nga dhjetëra të tjera, të zbuluara nga prokurorët që po hetojnë çështjen për një nga të akuzuarit- lideri i një tifo-grupi i quajtur Veljko Belivuk.

I arrestuar në Shkurt, Belivuk akuzohet se ka drejtuar një bandë kriminale të lidhur me trafikun e drogës, rrëmbime, pastrim parash dhe vrasje.

Famëkeq për sjelljen e tij brutale, Belivuk ka kaluar pak kohë pas hekurave, një fakt që shumë e shpjegojnë me lidhjet e tij të dokumentuara mes bandës së tij kriminale dhe zyrtarëve shtetërorë të Partisë Progresiste të Serbisë.

Në fillim të këtij viti, Belivuk nuk është më i preferuari i partisë.

Faktet e zbuluara japin një panoramë të fuqisë dhe brutalitetit të krimit të organizuar në Serbi, fuqi që doli në pah në 15 Tetor me arrestimin e një ish zyrtari të Ministrisë së Brendshme, i dyshuar për manipulimin e provave në një vrasje për të cilën Belivuk ishte akuzuar dhe më pas doli i pafajshëm.
Një akt-akuzë e ngritur në fund të Korrikut, e tmerrshme për t’u lexuar, por e mbajtur e fshehtë për shkak të lidhjeve politike në mbrojtje të Belivuk dhe të bashkëpuntorëve të tij prej vitesh.

Muskuj për partitë politike

blank

Sot 36 vjeç, Belivuk u rrit në Beogradin e viteve 90, kur Jugosllavia socialiste u shpërbë mes luftërash, ndërkohë që Serbia ishte peng i nacionalizmit. Në Beograd, të fortët që pozonin me armë ishin heronj të tabloidëve.

Në vitet 2000, ndërsa reformatorët ishin në luftë me trashëgimtarët e regjimit të Sllobodan Millosheviçit, Belivuk u bë pjesë e botës së sigurisë private, që atëherë ishtë në lulëzim, duke u bërë pjesë e ish-luftëtarit serb, Dushan Panajotoviç.

Problemi i parë që pati me ligjin ishte në vitin 2007, kur Belivuk ishte në krye të kompanisë së sigurimit “Blaywatch”, një klub nate në Beograd. Ai u përfshi në një përplasje të dhunshme me dy të mitur.

Në 2008, prokurorët e akuzuar për tentativë vrasjeje dhe armëmbajtje pa leje, por kur dëshmitarët ndryshuan deklaratat, akuza u ndryshua nga tentativë vrasjeje në plagosje të lehtë. Akuza e armëmbajtjes pa leje u rrëzuan në Mars të vitit 2016-8 vite pas ngjarjes- Belivuk u dënua me pesë muaj e gjysëm në burg, praktikisht duke e lënë të lirë për shkak të kohës që kishte kaluar në paraburgim.

Por deri atëherë, Belivuk ishte shndërruar në një lojtar të madh, kishte marrë në dorë frenat e klubit të futbollit Partizani i Beogradit që në 2013 bashkë me Aleksandër Stankoviç, i njohur si Sale Memeci dhe që do të vritej në vitin 2016.

Në vitin 2013, Belivuk me grupin e tij shkatërruan një lokal në Beograd në pronësi të Aleksandër Vaviç, lideri i tifo-grupit tjetër, i njohur si Alkatraz.

Fillimisht Belivuk ishte pjesë e tifo-grupit Ylli i Kuq, por më pas kishte krijuar grupimin e tij Jeniçerët, i njohur si një ndër më të dhunshmit në Beograd, anëtarët e të cilit operojnë si një bandë kriminale e përfshirë në trafik droge dhe me raste si “muskuj për partitë politike”.

Në vitin 2015, Jeniçerët u punësuan nga klubi i Partizanit për të mbrojtur tribunën VIP në stadiumin e Beogradit. Por më e rëndësishme se mbrojtja e tribunave ishte ruajtja e klubeve të natës. Kush kontrollon derën, kontrollon edhe lëvizjet e drogës në klub.

Trupi pa kokë

blank

Në vitin 2016, u duk se Belivuk e kaloi cakun, kur një video e tij që sulmonte një person tjetër jashtë stadiumit të Beogradit u bë virale dhe emri i tij doli në të gjitha gazetat.

Kur u deklarua fajtor, Belivuk u dënua me një vit në arrest shtëpie, pa asnjë survejim elektronik. Por përpara se të niste gjyqi për këtë çështje, Belivuk u arrestua në lidhje me vrasjen e Vlastimir Millosheviç në janar të 2017. Ai u mbajt për 14 muaj në paraburgim dhe në maj të 2018 u shpall i pafajshëm për vrasjen. Gjyqtari tha se me provat që iu paraqitën kishte vetëm “dyshime të arsyeshme” që ai ishte i përfshirë në vrasje, por ato “nuk mjaftonin për të dhënë dënim”.

Telashet e Belivuk me ligjin, gjithsesi, nuk i ndalën bashkëpuntorët e tij të rekrutoheshin nga partia e Aleksandër Vuçiçit, SNS për të garantuar sigurinë në ceremoninë e inaugurimit të Vuçiçit si president i Serbisë në vitin 2017.

Nga fundi i vitit 2019, fillimi i 202, Jeniçerët ndryshuan emrin në “Princat”: por pavarësisht ndryshimit të emrit, ata ruajtën lidhjet me njerëzit e duhur, përfshirë edhe një shef policie dhe me sekretarin e përgjithshëm të qeverisë së Serbisë. Njëkohësisht edhe aktivitetet e Belivukut në jetën publike ishin në rritje.

Në fillim të viteve 2020, një video doli në rrjetet sociale tregonte Belivuk duke ngacmuar Rade Petroviç, lideri i një tifo-grupi rival të Partizanit. Petroviç dëgjohet të thotë se grupi i tij e kishte tradhëtuar Partizanin dhe se ai vetë ishte një p*dh.

Sado bujë që bëri kjo video, nuk ishte asgjë krahasuar me çfarë po ndodhte në të vertetë. Falë një hetimi nga agjensitë europiane, policia serbe mundi të ketë akses në Sky EEC, një aplikacion që Belivuk dhe bashkëpuntorët e tij e përdornin për të komunikuar me njëri tjetrin për të organizuar aktivitetet e tyre.

Në një nga mesazhet, Belivuk-apo “Soprano” siç emërtohej në komunikimet në Sky- dërgoi foton e trupit pa kokë të një tifozi të Partizanit, Goran Velickovic.

“Shiko zemra, Meksikë në mes të Beogradit hahaha” shkruajti ai duke iu referuar serisë së vrasjeve që përfshinë Meksikën që kur autoritetet i shpallën luftë karteleve të drogës 15 vite më parë.
Mbi trupin e Veliçkoviç ishte gëvishtur një sharje për një person i njohur si Korac. Filip Korac është lideri i bandës së trafikut të drogës në Malin e Zi, Skaljari, që ishte në luftë me një bandë tjetër malazeze Kavac. Sipas raportimeve, edhe Belivuk ishte bërë pjesë e Kavac.

Prokurorët thanë se Veliçkoviç ishte një nga shumë viktimat që ishin dërguar në një shtëpi në periferi të Beogradit, ishin torturuar dhe vrarë. Trupi i tij ishte copëtuar me një grirëse mishi dhe më pas ishte hedhur në lumë. Policia fjeti rreth 100 armë, mes të cilave automatikë, bomba, eksploziv dhe granata.

Banda gjithashtu kishte përdorur një bunker sekret në stadiumin e Partizanit për të fshehur drogë dhe armë. Mbetet e paqartë nëse menaxherët e klubit dinin gjë për këtë.

blank

Miqtë në nivele të larta

Akuza kundër Belivuk dhe bashkëpuntorëve të tij përmbajnë akte të tmerrshme. Por është thuajse asgjë përballë mbrojtjes politike që grupi gëzonte prej vitesh.
Gazetarë investigativë kanë dhënë prova bindëse për lidhjet mes bandës së Belivuk dhe atyre që drejtojnë Serbinë.

Në Korrik, Rrjeti i Raportimit të Krimit dhe të Korrupsionit në Beograd, publikoi pjesë nga rrëfimi i Belivuk për prokurorët, ku ai pranon bashkëpunimin me shtetin.

Belivuk ka thënë se Vuçiç i kishte kërkuar t’i vinte nën kontroll koret kundër presidentit nga tifozeria e Partizanit gjatë ndeshjeve të futbollit, për të intimiduar protestuesit kundër qeverisë dhe të garantonte që një marshim i komunitetit gay të zhvillohej qetësisht.

Belivuk tha se e kishte takuar Vuçiçin personalisht në disa raste, një fakt që presidenti e kishte mohuar.

“Është normale, që kur ke një akuzë kundër teje, kur krimineli e sheh që çfarë po i ndodh, dhe jo vetëm kriminelët, por edhe vrasësit më të këqinj dhe kasapë, ata reagojnë në atë mënyrë që të dalin të palarë duke thënë se gjithçka është politike, për të pasur support politik nga disa media që janë të kapura politikisht” tha Vuçiç.

Krahu i djathtë i Belivuk, Marko Miljkoviç, pretendoi se ka takuar Ministrin e Brendshëm, Aleksandër Vulin, ashtu siç ka takuar edhe Vuçiçin, sipas Adria NeësMax. Edhe Vulin e ka mohuar këtë fakt.

Sipas akuzës, Bojan Hravitn, një bashkëpuntor i Belivuk që është kthyer në një të penduar të drejtësisë tha se Belivuk e kishte përshkruars ish- Ministrin e Brendshëm Nebojsa Stefanoviç si një njeri të rëndësishëm për të ardhmen e grupit.

Hrvatin gjithashtu tregoi edhe një polic si bashkëpuntor të bandës, me mbiemrin Papic, i cili në chatin e përbashkët të bandës mbante pseudonimin Sherifi. Ky dyshohet se është Goran Papiç, ish-shefi departamentit të krimit të organizuar në polici.

Papiç u arrestua në 9 Mars për pengim të hetimeve. Ai u lirua në Prill, ndërsa burimet thanë se ai kishte ndërhyrë gjatë marrjes në pyetje të Miljkovic, sipas urdhrave të Stefanoviç, dikur një aleat i ngushtë i Vuçiçit, deri kur partia në pushtet i kthehu krahët në fillim të këtij viti. Prokurorët e vunë nën akuzë ish shefin e policisë pak ditë më parë.

blank

Birn ka raportuar më parë mbi lidhjet e grupit për një seri zyrtarësh të lartë të policisë. Edhe djali 23-vjeçar i Vuçiçit, Danilo është fotografuar disa herë në shoqërinë e disa prej anëtarëve të grupit Jeniçerët. Kur gazetarët e pyetën Vuçiçin për shokët e djalit të tij, Vuçiç tha se ata ishin thjesht tifozë të futbollit, jo kriminelë.

Por një prej tyre, që ka dalë në një foto bashkë e Danilon në një ndeshje në Rusi gjatë vitit 2018 sot është nën akuzë si bashkëpuntor i Belivuk dhe është dënuar për trafik droge, armëmbajtje pa leje dhe përfshirjen në shkatërrimin e kafenesë së Vaviç në Beograd.

Në 2017, një sindikatë e ushtrisë depozitoi një kallëzim kundër drejtuesve të ushtrisë serbe, në të cilën i akuzoi se persona të dyshimtë, jashtë ushtrisë, mes tyre edhe Belivuk, ishin lejuar të përdornin poligonet e qitjes duke përdorur armë dhe municione ushtarake për disa muaj me radhë gjatë vitit 2016.

Sipas Rrjetit të Raportimit të Krimeve dhe Korrupsionit, mes këtyre personave ishte edhe Nenad Vuçkoviç, një këshilltar special në krye të Xhandarmërisë dhe Novak Nediç, sekretari i përgjithshëm i qeverisë, që ishte edhe një nga anëtarët e bordit të Klubit të futbollit Partizani në vitet 2013-2014. Kallëzimi u rrëzua nga prokuroria.

Emri i Vuçkoviç del edhe në hetimet e sulmit të Belivuk në lokalin e liderit të tifo-grupit Alkatraz, por ai nuk u hetua asnjëherë zyrtarisht për këtë. Vuçkoviç është fotografuar edhe ndërsa përqafohet me Belivuk, në shkallët e stadiumit të Partizanit. Në qershor të këtij viti, Vladimir Vuletiç, ish zv.presidenti i Partizanit publikoi dokumenta sipas të cilave bunkeri që përdorte banda ishte dhënë nga një kompani e quajtur Mitona, e regjistruar në emër të Milorad Pushica, një anëtar i SNS-së, partisë që drejtohet nga Vuçiç.

Më pas në 15 Tetor, pasi gazetat shkruanin me tituj të mëdhenj për lidhjet e bandës së Belivukut me Dijana Hrkaloviç, një anëtare e SNS dhe sekretare e përgjithshme e ministrisë së brendshme, ajo u arrestua. Vuçiç tha se akuzat ndaj saj kishin të bënin me një vrasje për të cilën më herët Belivuk ishte shpallur i pafajshëm.

Burime tha se Hrkalovic e shfrytëzoi postin për të dhënë informacione konfidenciale për bandën për të prishur provat. Avokati tha se ajo ishte thjesht një “kokë turku” dhe sipas tij kishte pasur vetëm disa gabime administrative.

Kur mbaron fati

blank

Belivuk dhe Miljkoviç ju ndalua hyrja në territorin e Malit të Zi për arsye sigurie. Gjithsesi në fillim të këtij viti Belivuk arriti të shkoj në shtetin fshqinj, rruga e tij mesa duket ju sigurua nga disa oficerë policie të arrestuar në tetor me dyshimin për heqjen e ndalimit jashtë kanaleve zyrtare.

Raportet e mediave thonë se ai u takua në Mal të Zi me një burrë të quajtur Radoje Zvicer, një anëtar i rangut të lartë të klanit Kavac. KRIK ka raportuar se Belivuk ishte anëtar i klanit.

Gjatë kthimit të tij nga Mali I Zi në janar, Belivuk u ndalua për disa orë, teksa një numër personash u arrestuan në Mal të Zi me dyshimin se tentuan ta vrisnin.

Disa ditë më vonë, në orët e para të mëngjesit të 4 shkurtit, Belivuk u arrestua në rrugë pas akuzave sepse mund të shkatrronte provat. Deri në atë pikë, ai ishte nën mbikëqyrje për muaj të tërë.
Më 30 korrik, Belivuk dhe 29 bashkëpunëtorë u akuzuan.

Belivuk akuzohet personalisht për pesë akuza për vrasje të rëndë, prodhim I paligjshëm, mbajtje dhe trafik të paligjshëm të armëve dhe lëndëve plasëse, rrëmbim dhe prodhim dhe shpërndarje të paautorizuar të lëndëve narkotike. Prokurorët e krimit të organizuar njoftuan më 19 tetor se ata po hetonin gjithashtu grupin për një vrasje të gjashtë.

Belivuk mbetet në paraburgim./ Ivana Jeremiç për Balkaninsight/ Përshtati Lapsi.al

blank

Më 23 tetor 1944 në kampin nazist të Prishtinës u masakruan 104 shqiptarë

77 vjetori i rënies së 104 dëshmorëve të Popullit shqiptarë në kampin e Prishtinës

JA 104 DËSHMORËT E PRISHTINËS

1. Abdulla Adem Kastrati
2. Abdurahman Duro Abibi
3. Aleksandër Pandeli Jorgoni
4. Anastas Miti Konomi
5. Avni Emin Bejgo
6. Beqir Caca (Cane)
7. Bilal Sherif Gonxholli
8. Cen Cuf Broja
9. Dhimitër Ilo Dunga
10. Dhimitër Koçi
11. Dhimitër Mema
12. Enver Hamit Velaj
13. Enver Trebishti
14. Faik Bajrami
15. Faik Rexhep Pahia
16. Faslli Rexhep Zogu
17. Fiqiri Osman Begeja
18. Foni Thoma Keko
19. GJikë Kol Kuqali
20. Grigor Dunga
21. Haki Selim Shehi (Shehu)
22. Halil Hysen Lapi
23. Hamdi Rrapi
24. Hamza Sali Shehi (Shehu)
25. Harallamb Thanas Papa
26. Hasan Zeneli
27. Hektor Ibrahim Shyti
28. Hysen Haki Beqiri
29. Hysen Mustafa Koxheri
30. Hysen Mustafa Palluqi
31. Ibrahim Fishta
32. Ibrahim H. Ishmi
33. Ibrahim Halil Hasmema
34. Ilia Baulli (Balliu)
35. Ilia Gjylbegu
36. Ilia Thimi Kote
37. Irfan Rifat Tomini
38. Kasem Mahmut Balluku
39. Kiço Kostandin Dukolli
40. Kostantin Pavllo Mema
41. Kozma Filip Andrea
42. Kristaq Andon Boshnjaku
43. Kristaq Pavllo Mema
44. Lame Thoma Koleta
45. Ligor Ilo Dumga (Duka)
46. Ligor Tingo
47. LLukan Dhimitër Stefani
48. Loni Lili Papuçiu
49. Luçi Pilo Gollani
50. Manol Pano Basho
51. Murat Destan Murati (Sulaj)
52. Muhamet Ismail Tufa
53. Muharrem Bajram Lami
54. Muharrem Riza Gjashta
55. Musa Myftar Ceno
56. Musa Zija Agolli
57. Myftar Hysni Sevrani
58. Namik K. Gjergjani
59. Nasho Duro
60. Nevruz Sherifi
61. Niko Lili Avrami
62. Oresti Aristotel Dilo
63. Osman Hasan Muaxhiri
64. Osman Xhiza (Axhika)
65. Panajot Biri (Bitri)
66. Panajot Mança
67. Pandi Dhiogjen Bode
68. Pandi Z. Foti
69. Pilo Polo Noti
70. Qazim Fetah Llazani
71. Ramazan Sadik Shijaku
72. Ramazan Shaban Farka
73. Reshit Rakip Mustafa
74. Sabaudin Minxholli
75. Sadik Murat Petrela
76. Sejfulla Ram Ahmetaj
77. Shaban Ibrahim Jegeni
78. Shaban Kadri Çelaj
79. Shaban Tahir Kurti
80. Shaban Zeneli
81. Shaqir Xhemal Metani
82. Shefqet Sulejman Haxhiaj
83. Shyqyri Isa Toska
84. Shyqyri Xheladin Bushati
85. Shyqyri Xhemal Greblleshi
86. Shyqyri. Qemal. Bilbili
87. Skënder Skëndo
88. Sotir Shani
89. Spiro Postol Velko
90. STefo Sokrat Guraj(Curri
91. Tajar Fejzulla Guranjaku
92. Tajar Maliq Mitarja
93. Tasim Riza Shehi (Shehu)
94. Theodhor Açiçi (Asisi)
95. Vasil. Theodhor Papingji
96. Vasil Ilo Tela
97. Vasil Llambi
98. Venedik Izet Hoxha
99. Vesel Kapinova
100. Vesel Shefik Dyrko
101. Xheladin Sadik Fishta
102. Xhemal Abeshi
103. Xhemal Osman Mema
104. Xhemal Riza Bushati

Por cili kish qenë kalvari dhe qëndresa e tyre deri natën e pushkatimit? – Këtë na e jep në kujtimet e tij Veterani i Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare dhe një nga ish të internuarit në këtë kamp famëkeq, Myfit Poçari.

DREJT KAMPIT TË VDEKJES…
Ishte gushti i vitit 1944, kishte filluar kthesa e luftës dhe Gjermanët ishin nën goditjen e forcave aleate jashtë vendit dhe të forcave partizane në të gjithë territorin e vendit tonë. Në kampet famëkeqe të shfarosjes në masë, ata vazhdonin të sillnin robërit e luftës dhe të dënuarit në burgjet e fashizmit. Të udhëhequr nga kjo praktikë më 26 gusht të vitit 1944, gjermanët morën nga burgu i Tiranës 92 të burgosur politikë dhe atdhetarë. Këta iu dorëzuan atyre nga Xhelal Staravecka e Mark Berisha, që ishin përkatësisht, i pari komandant i xhandarmërisë dhe i dyti drejtor i burgut. Këtë veprim gjermanët e bënë pa lënë asnjë dokument zyrtar.
Lajmi për internimin e të burgosurve ishte përhapur me shpejtësi në të gjithë qytetin. Në hyrje të burgut ishin grumbulluar shumë qytetarë, nënat, baballarët, gratë, fëmijët, motrat, vëllezërit, e të afërm të tjerë të të burgosurve, që kishin ardhur për t’i përcjellë ata, ndoshta për të fundit herë. Atmosfera ishte e dhimbshme. Dhimbje që shprehej në fytyrat e fjalët e tyre drejtuar bijve e bijave, që armiku barbar po i shkëpuste tashmë edhe nga gjiri i Atdheut për t’i çuar kushedi se ku, larg tij. Po krahas dhimbjes u manifestuan edhe qëndrime burrërore, si nga të burgosurit ashtu edhe nga qytetarët. Dëgjoheshin parulla të tilla si: Rrofshin djemtë tanë, vdekje fashistëve! Dhe kur u ndezën motorët e makinave, fjalët e fundit ishin: Qëndroni si burrat. U pafshim shëndoshë në Shqipërinë e lirë! Ndërkohë të burgosurit filluan të këndojnë këngë patriotike, këngë, të cilat vazhduan pavarësisht nga sharjet dhe goditjet e gjermanëve.
Të përcjellë me këto fjalë mes duarve që zgjateshin drejt nesh dhe oshtimës së këngëve, autokolona e blinduar me ushtarë e oficerë gjermanë, që ndodheshin në çdo makinë, por edhe në krye e në fund të saj, nisi të lëvizte duke çarë errësirën e natës për në një drejtim të panjohur, diku në Jugosllavi, Gjermani apo Austri.
Lëvizja u krye në itinerarin Tiranë- Shkodër- Vau i Dejës- Pukë- Fushë Arrëz – Kukës- Prizren- Prishtinë. Kjo rrugë u bë për 3 ditë. Ditën e parë mbasi kaluam qytetin e Shkodrës, autokolona u ndalua dhe ne na zbritën e na futën në një kishë që ndodhej pranë rrugës. Zbritja nga makina dhe futja në kishë u shoqërua me sharje dhe goditje me kamxhik, sikur të ishim kafshë. Njërin nga të internuarit kamxhiku e goditi në kokë duke i thyer syzet, fytyra e tij u mbulua me gjak. Shokët që ishin pranë e ngritën dhe duke e mbajtur nga krahët e futën brenda në kishë. Si u siguruan që të gjithë të internuarit ishin brenda, gjermanët na mbyllen derën, por pa pyetur për nevojat tona jetësore.
Më kujtohet se si pas disa orësh, kur sapo kishte filluar të errësohej, një nga të internuarit, për nevoja personale donte të dilte jashtë, por roja gjermane nuk i hapte derën. I internuari ishte fetar dhe e konsideronte mëkat të ndynte në kishë, ndaj me insistim kërkonte të dilte jashtë duke i rënë me force derës. Nga jashtë u dëgjuan të folura në gjuhën gjermane dhe nuk kaloi shumë kohë e dera u hap. I burgosuri u mundua të shpjegohej, por gjermanët e nxorrën atë jashtë dhe e ekzekutuan në vend. Ndërkohë që dy prej tyre e tërhoqën atë zvarrrë, të tjerët duke sharë e mbyllën përsëri derën e kishës.

KAMPI FAMËKEQ.
Në agimin e ditës së tretë autokolona u ndal në qytetin e Prizrenit. Qytetarët na përshëndetnin me duar dhe ne ua kthenim përshëndetjen me duar dhe me fjalët: VDEKJE FASHIZMIT! Me tu ngrysur, autokolona u nis përsëri dhe afër mesnatës ajo u ndal në periferi të një qyteti, dritat e të cilit dallonin nga larg, ishte Prishtina. Kjo ishte ndalesa e fundit, kishim mbërritur në kampin e internimit të Prishtinës. Ky kamp ishte në periferi të qytetit, i rrethuar me disa gardhe telash me gjemba, i organizuar në mënyrë të tillë që çdo tentative për të ikur, të përfundonte me asgjësim të plotë.
Në kamp të internuarit mbaheshin në kapanone prej dërrase të ndërtuara enkas. Kapanonet ishin të ndarë në dhoma, ku në secilën prej tyre mbaheshin 40-50 vetë. Në këtë kamp të internuarit ishin nga nacionalitete të ndryshme, shqiptarë, italianë, jugosllavë, grekë, çifutë etj. Bëheshim mbi 1000 vetë. Regjimi në kamp ishte monoton. Në mëngjes çoheshim nën ulërimat e kujdestarëve e të gjermanëve që nuk u mjaftonte kjo, por përdornin edhe kamxhikun. Më pastaj rreshtimi, gjimnastika, punë, e përsëri punë, sa herë që kishin nevojë gjermanët. Ushqimi ishte sa për të mbajtur frymën gjallë. Pak bukë, në mëngjes lëng tagjie dhe në drekë e në darkë, lëng gruri.

USHQIME DHE CIGARE, “QË BININ NGA QIELLI”, NË RRUGËT E PRISHTINËS
Në një rast mua dhe disa shokë të mi na çuan për të punuar tek stacioni i trenit të Prishtinës. Këtu na futën të punojmë si kuaj, duke na detyruar të tërheqim karrocën. Shkarkohej treni që vinte nga Greqia. Mallrat ishin pako, që oficerët dhe ushtarët gjermanë, nisnin për familjet e tyre në Gjermani. Ato futeshin në disa magazina që ndodheshin larg stacionit. Çdo karrocë tërhiqej nga dy të internuar, atë e shoqëronin ushtarët gjermanë të armatosur, por që mbanin në dorë edhe një kamxhik. Qytetarë e Prishtinës, që kalonin rrugës na shikonin me keqardhje. Ata tinëz vendosnin buzë rrugës diku një copë bukë, diku ndonjë paqetë cigare etj. Ne, në ecje e sipër, afroheshim anës rrugës dhe po tinëz i merrnim këto dhurata, të cilat pastaj i ndanim me shokët në kamp.
Kur gjermanët na pikasnin, na godisnin me kamxhik duke na përcëlluar duart e asgjësuar ushqimet e mara. Më kujtohet një rast, kur unë, ndërkohë që po ju ndaja shokëve cigaret e sjella nga jashtë, u pikasa nga gjermanët. Këta jo vetëm i mblodhën të gjitha cigaret, por vendosën të më ndëshkojnë në mënyrë shembullore. Pasi i rreshtuan shokët e mi, mua më shtrinë në një stol, që ndodhej në oborrin e kampit dhe urdhëruan të më jepnin 100 shkopinj. Ushtari gjerman që godiste, nuk e kursente dorën. Po numëroja me shpirt nëpër dhëmbë çdo goditje. Më kujtohet që arrita të numëroj deri në goditjen e 44-të, më pastaj më kishte rënë të fikët.
Kur erdha në vete, pashë se ndodhesha në kapanon në vendin tim të fjetjes. Mbi krye qëndronte shoku im Ramazan Kruja, i cili mundohej të më qetësonte dhimbjet.

SI STRUKTURUAM BRENDA KAMPIT NJW BATALION
Në kamp ne ishim të organizuar në skuadra, kompani e batalion. Pra, të gatshëm që me shpërthimin e kampit ne të mos ktheheshim në shtëpi, por të vazhdonim luftën kundër gjermanëve e bashkëpunëtorëve të tyre. Komandanti i batalionit tone ishte Luigj Filipi, një djalë energjik nga qyteti i Shkodrës, i cili në këtë kamp ishte së bashku me të vëllanë e tij, Mark Filipin e të fejuarën. Unë kisha detyrën e komisarit të kompanisë së parë.
Kjo kjo strukturë ushtarake brënda kampit, funksiononte duke kryer ato detyra, që lejonte situata konkrete në të cilën ndodheshim. Kështu ajo, nëpërmjet xhandarëve shqiptarë që punonin në kamp, mbante lidhje me njësitet ilegale, që vepronin në qytetin e Prishtinës e rrethinat e tij. Studionte çdo mundësi për daljen e të internuarve nga kampi.

NATA E SHËN BARTOLOMEUT ME 104 TË PUSHKATUAR.
Trupat gjermane, të ndodhur nën goditjen e pandërprerë të forcave partizane e në pamundësi për t’i neutralizuar ato, hakmerreshin ndaj popullsisë së pambrojtur duke bërë reprezalje. Me këtë lidhet edhe ngjarja e 23 Tetorit 1944.
Forcat partizane kishin dhënë goditje të njëpasnjëshme në rrugëkalimin Kukës- Prizren, ku gjermanët kishin pësuar humbje të mëdha. Si hakmarrje ndaj kësaj disfate, komanda gjermane kishte vendosur të pushkatonte 104 të internuar në kampin e Prishtinës.
Dy ditë më parë në fshehtësi, natën, gjermanët morën një grup të internuarish italianë e jugosllavë dhe i dërguan të punonin për të hapur një gropë të madhe pranë kazermave, që ishin në periferi të kampit. Ata kishin dhënë porosi, që për këtë të mos hapej goja. Por me t’u kthyer nga kjo punë, i internuari italian Gildo, fshehurazi e duke rrezikuar veten, erdhi në dhomën tonë e na njoftoi për këtë veprim të gjermanëve, që paralajmëronte diçka të keqe.
Ne u mblodhëm ,e analizuam informacionin dhe porositëm të gjithë shokët që të ndiqnin me kujdes çdo veprim të mëtejshëm të gjermanëve.
Të nesërmen e hapjes së gropës, gjermanët rreshtuan të gjithë të internuarit në oborrin e kampit dhe nën vëzhgimin e forcave, administrata e kampit filloi një apel të pazakontë. Lexohej një emër dhe i internuari që pohonte, nxirrej mënjanë. Kalohej një emër dhe ndonjëherë dy emra pa u lexuar, emri që vinte më pas, lexohej e ky person nxirrej përsëri mënjanë. Kështu vazhdoi derisa u kalua në fund të listës.
Të internuarit e nxjerrë mënjanë u numëruan. Kjo shifër iu raportua hierarkëve, të cilët urdhëruan që apeli të bëhej edhe njëherë nga fillimi, po në të njëjtën mënyrë. Si duket nuk ishte plotësuar akoma shifra 104. Kur kjo shifër u arrit, apeli u ndërpre.
Shokët e ndarë mënjanë, i futën në një kaush të veçantë shumë të vogël, aq sa ata me vështirësi arrinin të ngrinin duart, për të na përshëndetur. Ndërsa ne, na urdhëruan të futeshim aty ku kishim qenë më parë. Menduam se kjo ndarje, do të ishte bërë për t’i çuar ata në ndonjë front pune të ri.
Do të duhej të vinte mesi i natës i asaj dite, që ne të mësonim se shokët tanë i kishin ndarë për t’i pushkatuar. Ajo gropë e hapur një ditë më pare, qe përgatitur për ta.
Pranë kapanonit u bënë dy rreshta me gjermanë dhe në krye të tyre prisnin makinat. Dera e kaushit u hap, gjermanët dy e nga dy rrëmbenin të internuarit dhe pasi i zhvishnin në një dhomë aty pranë, i hipnin në makinën që priste në dalje të kampit.
Ne të gjithë ishim mbërthyer brenda derës së kapanonit tonë dhe nga të çarat e saj, ndiqnim me sy tragjedinë që po ndodhte me shokët tanë, të cilët nuk do t’i takonim më kurrë. Por megjithatë në pamundësi për tu ardhur në ndihmë, filluam të hedhim parulla e të këndonim këngë patriotike për t’i ngritur ata moralisht. Gjithë kampi oshtinte.
Shokëve tanë u takonte të kalonin para derës sonë. Në një moment, njëri prej tyre, duke kaluar lëshoi ngjitur me derën tonë xhaketën, të cilën ata që ishin pranë derës e tërhoqën menjëherë. Në astarin e asaj xhakete ndodhej organizimi i batalionit tonë. Një gjest ky i moralit të lartë të shokut tonë, që edhe në momentet e fundit, kishte forca të mendonte për atë që i ishte besuar.
Të ndodhur përpara një situate të tillë, nga disa të internuar, u mor iniciativa dhe u ça tavani i dhomës ku ishin dhe nëpërmjet tij, u bë kalimi në dhomën tonë. Ky veprim u diktua nga gjermanët, të cilët për një moment i ndërprenë veprimet dhe pasi hapën derën e dhomës sonë, kërkuan me insistim të dilnin të larguarit. Xhandari shqiptar me emrin Veli, që ishte vegël e gjermanëve, përktheu fjalët e kapos gjermane:- Nxirrni të ardhurit, se ndryshe do t’ju vrasim të gjithëve.
Asnjë hap nuk u bë përpara. Gojë më gojë u përhap parrulla, “O të gjithë, o asnjë”! Atëherë gjermanët të vendosur në krimin e tyre, shkuan nga fundi i dhomës dhe morën 3 të internuar, që iu kapi dora. Midis tyre vetëm njëri ishte nga të ardhurit.
I paharruar do të mbetet qëndrimi i shokut tonë të luftës, Musa Agolli, që e përbuzi vdekjen, duke thirrur:- Shokë, lamtumirë, na merrni hakun, luftoni shokë sa të jeni gjallë, copëtojeni fashizmin! Dhe u përlesh me ta derisa oficeri gjerman ,që drejtonte këtë masakër, e qëlloi me automatik në pragun e kapanonit dhe ai ra i vdekur.

ARRATISJA JONË SPEKTAKOLARE DHE NDIHMA E FAMILJES KOSOVARE
Gjatë gjithë kohës që ne ishim në kampin e Prishtinës, na shoqëronte ideja e shpërthimit të kampit dhe e arratisjes prej tij në mënyrë të organizuar, por edhe individualisht në çdo moment të volitshëm.
Për ca kohë, unë dhe dy shokët e mi u caktuam të punonim në spitalin e kampit. Detyra që kryenim ishte të pastronim dyshemetë dhe ambientet e tjera të spitalit. Ne, duke studiuar situatën, arritëm në përfundimin se atje ekzistonte mundësia për tu arratisur. Kjo për faktin se uji që duhej për larje, mbushej jashtë telave tek shatërvani, ku mbushnin edhe banorët aty afër. Nga ana tjetër, ishin vënë re se, si roja e kullës të vrojtimit, ashtu edhe ushtari gjerman që na shoqëronte, nuk ishin shumë të vëmendshëm.
Kam treguar edhe më sipër, në kamp shërbenin edhe disa xhandarë shqiptarë, midis të cilëve kishte dhe nga ata, që ishim të gatshëm të na ndihmonin. Njëri prej tyre, me porosinë tonë na solli tre qeleshe, që do të na shërbenin për maskim gjatë arratisjes.
Një ditë në drekë, ne morëm vendim që të realizonim arratisjen. Në kohën e drekës rreth orës 13. 00 ne duhej të mbushnim ujë. Morëm bidonin e madh dhe u nisëm drejt shatërvanit, pas na erdhi edhe një shok tjetër, i cili e dinte qëllimin tonë dhe vendosi të përballonte pasojën e kësaj iniciative. Duke mbajtur të tre bidonin ju afruam shatërvanit, roja gjermane na ndiqte me shikim. E vendosëm bidonin nën sylinë dhe ai po mbushej, rreth shatërvanit kishte dhe qytetarë.
Ndërkohë me bisht të syrit shikonim rojën dhe kur për një moment vumë re se ai e humbi vëmendjen drejt nesh, rrëshqitëm nëpër grumbullin e njerëzve dhe u futëm në një rrugicë aty pranë. Akti i arratisjes u realizua. Tani duhej të maskoheshim, të fshiheshim dhe të zhvendoseshim sa më larg kampit. Nga gjiri nxorëm qeleshet dhe i vendosëm në kokë. Tani dukeshim si kosovarë, banorë të lirë të qytetit.
Por shpejt u dëgjuan krismat e automatikut, roja kishte pikasur që ne nuk ishim pranë bidonit dhe kish dhënë alarmin. Përveç krismave të automatikut, u dëgjuan edhe uturimat e triçikëlve gjermanë. Ata u vunë në kërkimin tonë. Një nga triçiklet kaloi në rrugicën ku ishim ne. Ata nuk na vunë re. Qeleshet kishin bërë punën e tyre.
Në këto kushte ne nuk mund të qëndronim gjatë nëpër rrugët e Prishtinës, duhej patjetër të strehoheshim diku. Prandaj vendosëm të futeshim në një shtëpi, të cilin e gjykuam nga jashtë se mund të banohej nga njerëz të mirë e shqiptarë. Vendosëm t’i paraqiteshim drejt se kush ishim dhe se kërkonim besë të shqiptarit. Shtëpia ku u futëm, kishte një avlli të vogël të rrethuar me mure të lartë. Nga avllia hymë direkt e brenda shtëpisë, ku gjetëm dy pleq e një vajzë, ishin shqiptarë.
Ndërkohë që ne po shpjegoheshim se kush ishim dhe se kërkonim besë të shqiptarit, vajza kishte ikur nga sytë tanë e ishte larguar. Kjo na shqetësoi, por prapë nuk u larguam, se na u duk si vendstrehimi më i përshtatshëm. Kur pyetëm pleqtë se për ku duhet të jetë larguar vajza, ata na u përgjigjën se mund të ketë shkuar tek i fejuari i saj, një farmacist nga Elbasani, që kishte ardhur me punë në Prishtinë.
Kishin kaluar mjaft orë nga moment i arratisjes. Mbi Prishtinë po binte nata. Largimin e vajzës po e përjetonim me shqetësim. Mos vallë ka shkuar të na kallëzojë! Por në çast dëgjuam hapa, shikuam njëri tjetrin. Hapat ishin të lehtë, jo këpucë të rënda të milicisë. Nga jashtë dëgjuam zërin e të fejuarit të vajzës, që u drejtohej pleqve të hapnin derën se ishte ai me vajzën e tyre.
U qetësuam dhe pasi u prezantuam me të sapoardhurin, që na u duk njeri i mirë, i treguam se nuk do të qëndronim gjatë, që do të largoheshim po atë natë. Por ai duhet të kërkonte e të takonte mikun tonë, që na kish sjellë qeleshet, i cili do të na nxirrte jashtë qytetit. Farmacisti elbasanas nuk e zgjati shumë, i mori të dy pleqtë e të fejuarën e tij dhe u largua me premtimin, se porosinë do ta kryente.
Orët na dukeshin të gjata, ishim në pritje e mendonim se si do të vepronim për çdo situatë. Pak pas mesnate, në oborr dëgjuam këpucë të rënda. Menduam se do të ishim tradhtuar, por zëri i mikut tonë, që kish ardhur veti i dytë na qetësoi. Ai, pasi u përshëndet me ne dhe shprehu gëzimin që ishim arratisur nga kampi, na tha se nuk kishte kohë për të humbur, por duhej të lëviznim.
Rrugët e Prishtinës natën patrulloheshin nga gjermanët, ne duhej t’i anashkalonim ata, ndryshe ishim të asgjësuar. Filluam lëvizjen.
Miku ynë e kreu deri në fund misionin e tij. U përshëndetëm me të dhe shokun e tij, që tashmë u bë edhe shoku ynë dhe sipas një orientimi të marrë, vazhduam të rrëshqasim nëpër kodrinat për rreth Prishtinës për në shtabin partizan Kosovë- Metohi, për tu bashkuar më pastaj me partizanët e Divizionit të V-te Sulmues të Ushtrisë Nacional- Çlirimtare shqiptare, me komandant Rrahman Parllakun e komisar Ramiz Alinë.
Ky divizion, ku unë mora detyrën e shefit të ndërlidhjes, i ndoqi gjermanët me luftime frontale deri në Novi-Varosh.
Shënim:
Ky material është marrë nga libri: “MYFIT POÇARI KRONIKË E RADIOSTACIONIT TË LIRISË”, me bashkëautor Bujar Poçarin dhe Zenel Anxhakun.

blank

Le Petit Troyen (1913)- Shpërngulja e shqiptarëve nga grekët dhe serbët – Memorandumi i Komitetit kombëtar shqiptar

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 23 Tetor 2021

“Le Petit Troyen” ka botuar, të martën e 11 shkurtit 1913, në ballinë, memorandumin e Komitetit kombëtar shqiptar drejtuar asokohe ambasadorëve të Fuqive të Mëdha në Londër në lidhje me shpërnguljen e bashkëatdhetarëve tanë nga grekët dhe serbët, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

blank
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Romë, 10 shkurt. — Na shkruajnë nga Durrësi :

Komiteti kombëtar shqiptar sapo u ka dërguar një memorandum ambasadorëve të Fuqive në Londër për të tërhequr vëmendjen e tyre ndaj veprimeve të grekëve dhe serbëve; këta dëbojnë manu militari të gjithë popullsinë shqiptare të zonave të përziera për të qenë në gjendje t’i kërkojnë ato, gjatë përcaktimit të kufijve të Shqipërisë. Kështu në Kosovë, në Gjakovë, Prilep, nuk ka më një shqiptar të vetëm; në Manastir, kanë mbetur vetëm disa familje të pasura. Kudo tjetër, shqiptarët janë dëbuar në masë.

blank

“Shoku im bëri vetëvrasje, pasi i dënuan vëllanë, që kishte për grua vajzën e Spiro Kolekës dhe… “- Kujtimet e panjohura të gazetarit të Radio Tiranës

Publikohen kujtimet e gazetarit, publicistit, përkthyesit, studiuesit, shkrimtarit, dramaturgut dhe diplomatit të njohur, Bashkim Trenova, i cili pasi u diplomua në Fakultetin Histori-Filologji të Universitetit Shtetëror të Tiranës, në vitin 1966 u emërua gazetar në Radio-Tirana në Drejtorinë e Jashtme të saj, ku punoi deri në vitin 1975, kur ai u emërua si gazetar dhe shef i redaksisë së jashtme në gazetën ‘Zëri i popullit’, organ i Komitetit Qendror të PPSH-së. Në vitet 1984-1990, ai shërbeu si kryetar i Degës së Botimeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shtetit dhe pas zgjedhjeve të para të lira në Shqipëri, në marsin e vitit 1991, u emërua në gazetën ‘Rilindja Demokratike’, fillimisht si zv/kryeredaktor dhe më pas kryeredaktor i saj, deri në vitin 1994, kur u emërua në Ministrinë e Punëve të Jashtme me detyrën e Drejtorit të Shtypit dhe zëdhënës i asaj ministrie. Në vitin 1997, Trenova u emërua me detyrën e ambasadorit të Shqipërisë në Mbretërinë e Belgjikës dhe në Dukatin e Madh të Luksemburgut. Kujtimet e panjohura të z. Trenova, duke filluar nga periudha e Luftës, fëmijëria e tij, vitet e fakultetit, karriera profesionale si gazetar dhe studiues në Radio Tirana, gazetën ‘Zëri i popullit’ dhe Arkivin Qendror të Shtetit, ku ai shërbeu deri në shembjen e regjimit komunist të Enver Hoxhës, periudhë kohe, kur ai në rrethana të ndryshme u njoh me disa nga ‘familjet reaksionare’ dhe pinjollët e tyre, të cilët me një mjeshtëri të rrallë, i ka përshkruar në një libër me kujtime të publikuar në vitin 2012, me titull ‘Armiqtë e popullit’ dhe tani i sjell për lexuesit e Memorie.al

Vijim

“Armiqtë e popullit”

Në rrugën tonë edhe shtëpia e këngëtarit të njohur, Rudolf Stambolla

Në rrugën “Arkitekt Sinani” ku banoja unë, gjendej edhe shtëpia e Rudolf Stambollës ose Dolfit, siç e thërrisnim. Rudolfi këndonte këngë të muzikës së lehtë. Ai ishte mjaft popullor dhe dëgjohej me mjaft kënaqësi si nga të rinjtë ashtu edhe nga më të rriturit. Këtyre të fundit, me interpretimin e tij të butë, Rudolfi u kujtonte kohën e shkuar të kanconetave italiane. Vetë ai mbahej mjaft elegant, i krehur bukur, mbante një xhaketë së cilës i’a ngrinte jakën përgjysmë, duke krijuar kështu një profil të veçantë e tërheqës.

Rudolfi regjistroi dhe transmetoi mjaft këngë në Radio Tirana. Ai mori pjesë, në mos gaboj, vetëm në një festival të këngës në Radio-Televizion. Ky festival ishte një lloj konkursi i ngjashëm me atë që bëhej e bëhet ende sot në San-Remo në Itali apo në Eurovizion. Përmasat e tij, sigurisht, ishin shumë më modeste. Ky ekspozim fizik i tij, para publikut qe edhe fatal për të si këngëtar. Rudolfin e “sfumuan”. Një ditë pa pritur, atë e larguan nga skena dhe nga mikrofoni. Këngët e interpretuara praj tij, nuk u transmetuan më as nga Radio Tirana, e vetmja radio në Shqipëri. Ç’kishte bërë Dolfi i shkretë, që u ngjit sërish në skenë pa zë dhe gati i përlotur, vetëm pas afro 50 vjetësh, atëherë kur iu afrua të tetëdhjetave, pas përmbysjes së komunizmit?!

Rudolfi ishte i biri i Balto Stambollës. Ky ishte “mëkati” i pafalshëm i tij. Ai nuk duhet të kishte pranuar të kishte lindur nga një baba si Balto! Babai i tij, rreth 40 vjet më parë, kishte vrarë një atdhetar dhe demokrat të shquar, Luigj Gurakuqin. Këtë e kishte bërë sepse Luigji ishte kundërshtar i Monarkisë apo Monarkut, siç ishin më vonë edhe komunistët. Ky është versioni komunist i ngjarjes. Ndoshta përputhet me të vërtetën. Unë nuk kam dëgjuar version tjetër deri tani. E pra, për këtë veprim të babait të tij, para 40 vjetësh, duhet të paguante tani Rudolfi, që as u ngatërrua ndonjëherë në politikë, që donte vajzat dhe këngën.

Për regjimin, kalimi i Dolfit në surdinë duhej bërë për të mos lejuar të birin e Baltos, që vetë s’ekzistonte më, të adhurohej, sidomos nga rinia. I mbërthyer në një fanatizëm politik, ai i vlerësonte duartrokitjet e publikut për Rudolf Stambollën, si një mbështetje për djalin e armikut, pse jo edhe si një kënaqësi, pas vdekjes, për vetë babain e tij, Balton. Në logjikën komuniste armiku duhej të vuante edhe pas vdekjes. Kjo arrihej duke dënuar familjarët e tij, duke mos i lënë të ngrenë kokë, duke mos i lejuar të dallohen si nxënësit më të mirë në shkollë, duke i ndaluar të këndojnë, të recitojnë, të shkruajnë e të botojnë… Astrit Sojlin, Pjerin Shllakun, Krenar Prezën, Ibrahim Bumçin, të gjithë bashkënxënës me mua.

Familja e Shaqir Prezës

Me Krenar Prezën, kemi qenë shokë që në moshën 3-4 vjeçare. Një mur i ndante shtëpitë ku banonim. Në të vërtetë familja ime ishte strehuar në shtëpinë e Shaqir Prezës, djalit të xhaxhait të babait të Krenarit. Babai i Krenarit, Osmani, i prekur rëndë nga një sëmundje kockash, u detyrua të punojë tërë jetën, në ngarkim-shkarkim të kamionëve që transportonin arkat me bukë në njësitë e shitjes. Përse? Regjimi nxorri jasht shtëpisë së tij, në rrugë, Shaqir Prezën, të cilësuar si bashkëpunëtor i pushtuesve. Osmani e strehoi në shtëpinë e tij familjen e Shaqir Prezës. Këtë gjest njerëzor, ai do ta paguante të gjithë jetën, madje jo vetëm ai. Edhe fëmijët e tij, duhet të mos harronin se ishin bijtë e djalit të xhaxhait të Shaqir Prezës. Krenari ishte i ndërgjegjshëm dhe e vuante këtë.

Më 2 qershor të vitit 1961, në përfundim të mësimeve tona si gjimnazistë, ai më shkruante në bllokun tim të shënimeve edhe këto rreshta: “Ti (kohët e fundit), vishje atë pallton, që të paraqiste si diplomat. (Kështu të quaja unë). Sa dëshirë kisha të ishe me të vërtetë ashtu Bashkim, por ja që nuk qenka e thënë të plotësohen të gjitha dëshirat tona, dhe kjo jo për fajin tonë. Por nuk duhet të mos shpresojmë më, shpresa i mban të gjallë njerëzit”. Krenari kishte të drejtë. Unë, komunist dhe nga një familje komuniste, u bëra diplomat, megjithëse për një kohë tepër të shkurtër, pas përmbysjes së komunizmit. Ai, nga një familje me “njollë në biografi”, por me një vullnet dhe inteligjencë për t’u lakmuar, u bë një mjek i njohur, pedagog në Fakultetin e Mjekësisë dhe shef i Rentgonologjisë në Spitalin Civil të Tiranës, që gjatë diktaturës. Asnjëherë nuk i dihet se ç’na rezervon jeta, ku na ka zënë pusinë lumturia apo fatkeqësia! Aksidentet dhe fati shpesh janë të pandarë.

Fati tragjik i inxhinier Shkëlqim Bumçit

Tepër i dhimbshëm është fundi tragjik i Ibrahim Bumçit. Vëllai i tij, Shkëlqim Bumçi, një inxhinier tepër i talentuar, ishte martuar me Najadën, vajzën e Spiro Kolekës, anëtar i Byrosë Politike të Partisë së Punës. Shkëlqimi u divorcua me Najadën. Pas këtij divorci, ai u akuzua si sabotator, u arrestua dhe u dënua, më duket, me 20 vjet burg. Nuk e di si shkoi më tej fati i tij. Di që ai ishte tepër kurajoz e që nuk kishte përtuar t’i kundërvihej edhe sjelljes arrogante dhe prepotente të kryeministrit, Mehmet Shehu. Ai ishte njeri i fortë. Ndryshe ishte Ibrahimi, shoku im i mirë i gjimnazit. Ibrahimi ose Bimi, sikurse e thërrisnim, ishte tepër i brishtë. Pas arrestimit të vëllait, ai kaloi në një depresion të thellë dhe vari veten.

Në vendin tonë arrestimi ose dënimi i një anëtari të familjes, shoqërohej gjithnjë me masa nga më ekstremet, tek të gjithë pjesëtarët e saj. Ibrahimi, sikurse të gjithë ne, e njihte mirë këtë praktikë mesjetare. A nuk e kishte futur në psikiatri forcërisht volejbollistin e talentuar, Asllan Rusi, vetë diktatori sepse ai dashuronte vajzën e tij? A nuk u gjend më pas i vdekur, gjoja i vetë hedhur nga dritarja e një pallati të lartë, vëllai i vetëm i Asllanit, edhe ky i deklaruar më pas nga regjimi si i sëmurë psikik?

Në një bllok të vjetër shënimesh të gjimnazit, në mbarim të tij, Ibrahim Bumçi, më shkruan: “Miqësia e jonë qe e madhe e ndoshta e paharrueshme dhe besoj që vitet s’do të mundin të mbulojnë me pluhur dhe të çojnë në harresë kujtimet më të bukura, të miqësisë sonë”. Ibrahimin e bënë pluhur. Atij i’a vranë jetën në rininë e saj duke vrarë kështu edhe miqësinë tonë. Në një kartolinë urimi që më dërgonte për të më uruar Vitin e Ri 1962, mua “ish romantikut të klasës XI b”, sikurse shkruante ai, Ibrahimi me humor përfundonte: “Meqë s’kam se si të përqafoj, se je shumë i gjatë, të puth dorën. Bimi”. Atë e detyruan të ndahet edhe nga miqtë dhe të puthë dheun. Unë për një kohë relativisht të gjatë, nuk dija gjë për fundin e tij, por edhe po të dija, a do të guxoja të shkoja qoftë edhe sa për t’i hedhur me dorën time një grusht dhe?!

Shokut tim, Rinush Idrizit, i’a vranë rininë!

Edhe Rinush Idrizit, shokun tim të fëmijërisë, ia vranë rininë. Rinushi ishte fqinji më i afërt i Rudolfit. Vetëm një mur i ulët e ndante shtëpinë e tij, me atë të Rudolfit. Një derë e vogël e improvizuar, e vendosur në këtë mur, shërbente për të bërë më të afërt komunikimin midis familjes, Stambolla dhe Idrizi. Ajo lehtësonte sidomos takimet midis Katerinës, nënës së Rudolfit dhe Ruzhdies, nënës së Rinushit. Katerina ishte një grua shtëpiake e shëndoshë, veshur në të zeza e që dilte tek porta buzë rrugës, për të shpërndarë humorin e saj me kalimtarët e njohur. Ruzhdia ka qenë mësuesja ime dhe drejtoreshë e “Kongresit të Lushnjes”, një grua zonjë, tepër e respektuar. Në çdo vjeshtë ajo kishte kujdes të ruante të pakëputura në pemët frutore të kopshtit të saj, një kokërr ftua ose një kokërr shegë për mua.

Shoku im, Rinushi, ka botuar dy monografi për poetët e mëdhenj shqiptarë, Ndre Mjedën dhe Migjenin. Ai shkruante poezi dhe artikuj kritikë për letërsinë, si p. sh., “Nevoja e studimit më të thellë të letërsisë së realizmit socialist dhe të periudhave të zhvillimit të saj”, ose “Figura e Partisë dhe e komunistit ne tri poema”. Ai kishte shumë projekte. Kështu, për shembull, nga një letër që më ka dërguar, më 20 shkurt 1970, lexoj: “Mendoj të shkruaj një artikull me karakter studimor për Petron, me titull “Petro Marko dhe tipikja”. Si të duket”?

Një ditë Rinushi, vjen tek unë në shtëpi. Ishte mjaft i shqetësuar. Më kërkoi që t’i ruaja një tufë poezi të shkruara prej tij. I druhej një kontrolli që mund t’i bëhej në banesë nga Sigurimi. Atij vetë i ishte komunikuar pushimi nga puna si pedagog i letërsisë, në një gjimnaz të Tiranës dhe priste masa të tjera në ditët që do të vinin. Ato nuk vonuan. Rinushi mbeti disa kohë pa punë. Një ditë më tha, se do të shiste orën e dorës, një ‘GUB’ gjermano lindor, për të kontribuar në të ardhurat mujore të familjes. Atij i’u ndalua të botojë poezi, apo çdo gjë tjetër në shtypin e kohës. Ai u degdis në malësitë e thella të Tiranës. Rinushi, poezia dhe emëri i tij, duheshin harruar përgjithnjë. Përse? Do të flas sërish për Rinushin, në një kapitull tjetër.

Tani dua të them, se ai u gjykua si armik në fushën e letërsisë dhe të arteve, nga vetë kryeministri i vendit, Mehmet Shehu. Kryeministri shqiptar njihej si një besnik i tërbuar i ideologjisë komuniste, si një inkuizitor në mbrojtje të saj. Qëndrimet e tij ekstremiste janë të njohura për tërë brezin tonë. Më kujtohet, p. sh., se si ai, gjatë një kalimi të rastësishëm me veturë në qendër të Tiranës, vuri re një të ri që kishte veshur pantallona, paksa të gjëra në fundin e tyre dhe i kishte zgjatur paksa flokët. Me urdhrin e kryeministrit, i riu u ndalua, u shoqërua nga truproja e tij, në godinën e Bashkisë së Tiranës aty pranë. Vetë kryeministri i preu me gërshërë pantallonat e gjëra dhe flokët e të riut. “Ne, tha ai solemnisht, nuk do të lejojmë qafëlesh në Shqipërinë socialiste”.

Po krimi i Rinushit cili ishte?! Ai kishte botuar një artikull në gazetën “Drita”, organ i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Në këtë artikull, Rinushi kishte shprehur një mendim të tijin, jashtë klisheve të kohës, lidhur me trajtimin apo konceptimin e heroit pozitiv, në letërsinë e realizmit socialist. Kështu quhej letërsia e orientuar nga ideologjia komuniste. Vetëm për një artikull u dënua Rinushi. Edhe gruan e tij, Frida Zeqon, që punonte si sekretare e kolegjiumit të gazetës “Drita” e larguan që andej.

Në të vërtetë edhe Rinushi nuk ishte pa “njolla” në biografi. Babai i tij, Fetah Idrizi, ishte lënë pa punë prej regjimit komunist për një kohë të gjatë. Ai u ndëshkua, thjesht sepse nuk kishte pranuar të bënte një dëshmi të rreme në gjygjin komunist, kundër ish drejtorit të tij, Niac Naraçi. Burri i hallës së Rinushit, Beqir Çela, ishte pushkatuar nga komunizmi. Varri i tij nuk u gjend kurrë. Besim Nishani, bashkëshort i njërës prej motrave të gjyshes së tij, gjithashtu ishte dënuar nga regjimi. Në këtë kuadër të errët, ishte mjaft komode për regjimin të vendoste portretin e Rinushit të dënuar.

Unë i mbajta poezitë e Rinushit. Këto poezi të bukura, të ndjera, nuk ishin politike, por ato mund të interpretoheshin politikisht nga “specialistët” në shërbim të verbër të regjimit. Në Shqipërinë komuniste, në të vërtetë, nuk kishte asgjë që t’i shpëtonte vëzhgimit politik dhe në një moment, nëse gjykohej oportune edhe ndëshkimit politik. Siguria absolute nuk ekzistonte për askënd dhe për asgjë, as për atë që qëndronte në majë të kupolës dhe as për një familje të thjeshtë qytetare, apo fshatare, as për intelektualin dhe as për një injorant që një mbrëmje, mund të kishte kthyer një gotë më shumë dhe rrugës së kthimit për në shtëpi i jepte liri, vetes të mallkonte jo tjetër kënd, por veten e tij. Kështu ndodhi, p. sh. me një fqinjin tonë, Enver Murthin.

Burgosja e Enver Murthit, nëna e të cilit punonte në Hotel “Dajti”!

Enver Murthi, banonte përballë shtëpisë së Rinushit dhe Rudolfit, në hyrje të rrugës “Arkitekt Sinani”. Ai jetonte së bashku me të ëmën, Hajrijen dhe dy motrat e dy vëllezërit e tij. Ishin të varfër, aty ku nuk mban më. Hajrija punonte si pastruese në Hotel “Dajti”, një godinë impozante në bulevardin kryesor të kryeqytetit, që për disa dhjetëvjeçarë ishte krenaria e arkitekturës shqiptare. Hotel “Dajti” priste zakonisht të huajt, që vinin për vizitë e për punë në Shqipëri. Aty bënin takimet e tyre apo pinin ndonjë gotë edhe përfaqësues të trupit diplomatik. Shqiptarët e dinin se nuk ishte e këshillueshme të shkoje në këtë Hotel, qoftë edhe për të pirë një kafe.

Ne e dinim se aty gjithçka, ishte nën vëzhgim të rreptë dhe se bisedat regjistroheshin nga Sigurimi i Shtetit. Kështu, kush nuk donte telashe, i shmangej shkallëve të Hotel “Dajtit”. Njerëzit e shërbimit, të çdo niveli dhe sfere, ishin të besuar të regjimit, pra edhe Hajrija. Megjithëkëtë, kjo nuk do ta ndihmonte djalin e saj, Enverin, për t’i shpëtuar burgut.

Enver Murthi, një i mjerë në të gjithë qenien e tij, një gjysmanalfabet, pjesëtar i një familjeje analfabete dhe gjysmanalfabete, u gjykua dhe u dënua me burgim disa vjeçar për krimin e kryer të agjitacionit e të propagandës, kundër pushtetit popullor. E vërteta është se Enveri, për të mbytur mjerimin e tij, një mbrëmje kishte rrokullisur disa gota. Ashtu, i pirë siç ishte, me këmbët që nuk e mbanin, duke u kthyer për në shtëpi, ndalon në një qoshe të errët të një muri, për të urinuar. Duke bërë këtë palo punë, me gjuhën që i ishte trashur filloi të flasë me vete dhe t’i thotë vetes – “O Enver të hëngsha mutin, o Enver më hëngsh mutin”.

Po, por ai nuk ishte Enveri i vetëm në Shqipëri. Ai ishte, ndoshta, më i humburi i Enverëve, por në Shqipëri kishte edhe një Enver që ishte në krye të shtetit, të qeverisë dhe të Partisë së Punës (Komuniste.) Enver Murthi u arrestua dhe u dënua me burgim, sepse ai nuk mundi të bindë gjykatën se atë, me nder mut, e kishte për vete dhe jo për udhëheqësin e madh të Partisë dhe të popullit, shokun Enver Hoxha.

Diçka më larg nga rrugica e jonë, në kryqëzimin e rrugës “Hoxha Tahsim” me rrugën “Faik Trenova”, jetonte një grua e fuqishme, autoritare, së bashku me dy djemtë dhe vajzën e saj. Ajo quhej Durie Spahivogli. Durija, krenohej hapur me të kaluarën e saj aktive antifashiste. Së paku kështu na dukej ne fëmijëve. Ne e shihnim si njëlloj “gardiane”, besnike të Partisë në rrugicën e saj. Për Durien me kishte folur edhe nëna. Kjo grua e rreptë tërhoqi më shumë kuriozitetin tim prej fëmije, kur vajza e saj, Dhurata, erdhi si pedagoge e fizkulturës në shkollën “Kongresi i Lushnjes” dhe më pas në “Shkollën e Kuqe” ku vazhdova mësimet unë. Më vonë, kur do të filloja të ndiqja jetën teatrale të kryeqytetit, Durien, do ta njihja edhe si nënën e aktorit dhe regjisorit tepër të talentuar, shefit të degës së aktrimit dhe njëherësh pedagogut të artit dramatik, pranë Institutit të Lartë të Arteve, Kujtim Spahivogli. Me Kujtimin, fillon edhe fatkeqësia dhe dhimbja, që e shoqëroi deri në vdekje e Durien.

Internimi i Kujtim Spahivoglit

Kujtimi, zë kumbues, me sy blu të qeshur dhe njerëzor, në vitin 1973, do të përjashtohej nga Partia si “liberal”. Atë e larguan nga skena, nga Instituti i Lartë i Arteve. Atë e larguan nga familja. Bashkëshorten e detyruan të divorcohej. Ajo u divorcua për të mbrojtur vajzën e tyre, Ani, njëvjeçare. Kujtimin e dëbuan edhe nga Tirana dhe e dërguan në fshatin, Mbrostar të Fierit, në Jug të Shqipërisë. Aty ai punoi si punëtor krahu, me kazmë e lopatë, për vite të tëra. Dënimi e shkatërroi atë. I sëmurë, ai kthehet në Tiranë, por këtu do ta linin pa punë, për një kohë të gjatë. Në këto kushte ai jetoi vetëm me pensionin e nënës së tij dhe me frutat e kopshtit të shtëpisë. Mbaj mend Durien tek shiste tek dera e shtëpisë, fiq të zinj, të vendosur në një tepsi të madhe. Duhanin e kishte shtuar. Thinjat i ishin shtuar. Nuk ishte më ajo Duria, që s’pushonte se foluri me kalimtarët. Diktatura, megjithëkëtë, ende nuk e kishte thënë fjalën e fundit. Frutat e kopshtit të Duries, po ndihmonin “armikun”!

Më 2 shtator 1982, regjimi rrafshoi shtëpinë e Duries dhe shkatërroi kështu edhe kopshtin e saj. Duria nuk e duroi dot këtë goditje të re. Pas pak kohësh, ajo vdiq duke lënë krejtësisht të vetëm Kujtimin. Më në fund, regjimi vendosi të tregohet “zemërgjerë” dhe e emëroi artistin e madh, të punojë në një Qendër Kulture, të një fshati të largët. Kujtimi, gjithnjë optimist, u gëzua pa masë edhe pse do t’i duhej të bënte përditë disa orë, rrugë vajtje e kthim në këmbë. Ndërkohë shëndeti i tij kishte marrë të tatëpjetën. Më 7 korrik 1987, ai vdiq krejtësisht i vetmuar në moshën 55 vjeçare. Diktatura ende nuk ishte ngopur me hakmarrjen e saj. Ajo refuzoi që trupi i pajetë i Kujtimit, të vendosej në morgun e qytetit. Ai duhej varrosur menjëherë, pa u dhënë mundësi miqve dhe të afërmve të mblidheshin për t’i dhënë lamtumirën e fundit. /Memorie.al

Vijon

blank

Lexova se kishte ngordhë krimineli Aranit Çela… M’u kujtue At Konrrad Gjolaj – Nga Fritz RADOVANI

Lexova se kishte ngordhë krimineli Aranit Çela…

Mu kujtue i Ndjemi At Korrad Gjolaj, kur më pat tregue:

Ishte viti 1993. Porsa kishte ardhë në Shqipni Delegati Apostolik mbas 1945, Imz. Ivan Dias… Ishin mbledhë të gjithë klerikët katolik Shqiptar n’ Argjipeshkvi të Shkodres, dhe Imz. Ivan Dias po njihej me disa klerikë të Shkodres. Ai kishte ndigjue se At Konrrad Gjolaj nuk donte me ia ndigjue as emnin e diktatorit Ever Hoxha… Me ngacmue At Konrradin e thrret dhe e pyet: “At Konrrad, po ba me të ngja Ty dhe, atë ditë kur të ndrrojsh jetë, porsa të shkosh tek dera e Parrizit, aty ke me gjetë Shen Pjetrin dhe, Ai ka me të tregue se para se me vdekë Everi, asht “pendue” dhe tashti e keni këtu në Parriz, shka kishi me ba Ju At Konrrad?”

– At Konrradi, e shikon Delegatin në sy dhe i pergjegjet atyperaty: “Pa i thanë as mir’u pafshim, shkoj fillë e në fund të ferrit dhe jam ma rahat aty, se të pakten nuk ia shof as surratin Ever Hoxhës…”

Edhe unë mendova me vete: Sa Shkodranë sot nga Ata dymijë vetë që janë pushkatue vetem në Shkoder, me firmen e kriminelit Aranit Çela, do të kishin ikë në ferrin e pafund… Vetem mos me pa vrasësin e tyne?!

E tmershme me e mendue?…

Nuk besoj se ka edhe një shtet në Botë, me vrasës katila “të pafajshem”.., si Shqipnia! E deri kur kështu, o Shqiptar?!

         Melbourne, 22 Tetor 2021. 

blank

Kujtimet e panjohura të gazetarit të Radio-Tiranës: Si shpëtoi nga arrestimi shoku im pasi në mitingun e Fiqret Shehut bërtiti ‘Rroftë Duçja’

Pjesa e katërt
Publikohen kujtimet e gazetarit, publicistit, përkthyesit, studiuesit, shkrimtarit, dramaturgut dhe diplomatit të njohur, Bashkim Trenova, i cili pasi u diplomua në Fakultetin Histori-Filologji të Universitetit Shtetëror të Tiranës, në vitin 1966 u emërua gazetar në Radio-Tirana në Drejtorinë e Jashtme të saj, ku punoi deri në vitin 1975, kur ai u emërua si gazetar dhe shef i redaksisë së jashtme në gazetën ‘Zëri i popullit’, organ i Komitetit Qendror të PPSH-së. Në vitet 1984-1990, ai shërbeu si kryetar i Degës së Botimeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shtetit dhe pas zgjedhjeve të para të lira në Shqipëri, në marsin e vitit 1991, u emërua në gazetën ‘Rilindja Demokratike’, fillimisht si zv/kryeredaktor dhe më pas kryeredaktor i saj, deri në vitin 1994, kur u emërua në Ministrinë e Punëve të Jashtme. me detyrën e Drejtorit të Shtypit dhe zëdhënës i asaj ministrie.

Në vitin 1997, Trenova u emërua me detyrën e ambasadorit të Shqipërisë në Mbretërinë e Belgjikës dhe në Dukatin e Madh të Luksemburgut.  Kujtimet e panjohura të z. Trenova, duke filluar nga periudha e Luftës, fëmijëria e tij, vitet e fakultetit, karriera profesionale si gazetar dhe studiues në Radio Tirana, gazetën ‘Zëri i popullit’ dhe Arkivin Qendror të Shtetit, ku ai shërbeu deri në shembjen e  regjimit komunist të Enver Hoxhës, periudhë kohe, kur ai në rrethana të ndryshme u njoh me disa nga ‘familjet reaksionare’ dhe pinjollët e tyre, të cilët me një mjeshtëri të rrallë, i ka përshkruar në një libër me kujtime të publikuar në vitin 2012, me titull ‘Armiqtë e popullit’ dhe tani i sjell për lexuesit e Memorie.al

Armiqtë e popullit”
 Shoku im i lagjes, Behxhet Agolli, më pas punoi me Haxhi Lleshin!

Nuk e di a e bëri  letrën Behxheti. Nuk e di, nëse e ka bërë, si është pritur ajo, ç’reagim ka patur ndaj saj. Di, ndërkaq, se Behxhet Agolli punoi më pas si jurist në Kuvendin Popullor të Shqipërisë, pra pranë Haxhi Lleshit, deri sa një ditë u grind me të dhe u largua që andej. Me ndryshimet demokratike, Behxheti u afrua me Partinë Republikane, që u formua si parti në opozitë me Partinë e Punës (Komuniste) në pushtet. Kjo Parti doli në mbrojtje të pronarëve të cilëve u ishin sekuestruar, konfiskuar apo shtetëzuar pronat nga komunizmi. Unë punoja në atë kohë në gazetën “Rilindja Demokratike”, gazetë e Partisë Demokratike, që do të mirrte pushtetin pas rrëzimit të komunizmit në Shqipëri.

blank

blank

blank

blank

blank

Një ditë më vjen në redaksi Behxheti dhe më sjell për botim një artikull të shkruar nga vetë ai për dajën e tij, Fiqiri Dinen. Daja i tij kishte hyrë në historinë e Luftës së Dytë Botërore, si një bashkëpunëtor i pushtuesve. Në qershor të vitit 1944, ai kishte qenë kryeministër i qeverisë së njohur si kuislinge. Pas dy muajsh ai dha dorëheqje nga posti dhe më pas, me përfundimin e Luftës, u arratis nga Shqipëria. Behxheti donte të jepte një version pozitiv të veprimtarisë së Fiqiri Dines. Unë nuk i’a mbajta artikullin. I thashë atij se tani nuk është koha për botime të kësaj natyre, të shohim më pas. Behxheti nuk reagoi, heshti. Më pas e botoi atë dikund gjetkë.

Sa “të prekur”, sa “armiq të popullit” kishte në rrugicën tonë të vogël? Këtë pyetje nuk e kisha bërë asnjëherë dhe as më kishte shkuar mendja të numëroj “të prekurit” e saj deri në momentin që vendosa të shkruaj këto radhë dhe kur pashë me njëlloj habie se ata nuk kishin qenë pak!

Dy shtëpi pas asaj të Varvaricave, në fund të rrugicës, gjendej shtëpia e Zeralinjëve. Kjo ishte një shtëpi e bukur, e ngritur disa shkallë, me një oborr të madh përpara. Në qendër të oborrit ishte një man i madh i bardhë, të cilin ne fëmijët, kur na jepej rasti, nuk harronim ta gjuanim me gurë, për t’i rrëzuar kokrrat, njëlloj siç bënim edhe me  manin e Kolaverëve. Në të vërtetë me manin e Zeralinjëve e kishim më të lehtë, sepse muri i oborrit të tyre ishte shembur dhe kështu hynim e dilnim aty si në shtëpinë tonë.

Familja e “prekur” e Zeralinjëve, prej Nanës Mbretneshë!

Familja e Zeralinjëve përbëhej nga prindërit, Fiqiriu dhe Shadia, si edhe nga pesë fëmijët e tyre, midis të cilëve dy djem dhe tri vajza. Ishte një familje e thjeshtë e ardhur nga krahina e Matit nga ishte me origjinë edhe ish-Mbreti i shqiptarëve, Zogu i I-rë. Fiqiriu punonte si punëtor skene në Teatrin Popullor dhe deri sa u rrit djali i madh, Envai, rroga e tij ishte burimi i vetëm i jetesës për familjen.

Edhe Zeralinjtë ishin të “prekur”. Regjimi i futi si qiraxhinj edhe atyre familjen e një kapteri ushtrie, të ardhur në Tiranë nga jugu i Shqipërisë. Familja Dabulla, siç quhej ajo, përbëhej nga katër pjesëtar, prindërit dhe dy fëmijë, djalë dhe vajzë. Ata ishin pra si numër më pak se familja e Zeralinjëve dhe, pavarësisht nga ky fakt, pavarësisht se Zeralinjtë ishin pronarë të shtëpisë, qiraxhinjtë zunë pjesën më të madhe dhe më komode të shtëpisë, pjesën ballore. Zeralinjtë u “kënaqën” me atë që u mbeti, d.m.th. me bodrumet, që i përdorën për të jetuar gjatë ditës dhe një apo dy dhoma sipër tyre, për të fjetur. Ata nuk mund të hynin më në shtëpinë e tyre nga shkallët e përparme, të cilat u rezervuan vetëm për qiraxhinjtë, por nga një korridor i ngushtë rrugor rreth 50 centimetra, në pjesën e pasme të shtëpisë.

Ç’i kishin bërë Zeralinjtë komunizmit apo pushtetit popullor? Asgjë në të kaluarën dhe asgjë në vazhdim. Ç’rrezik mund të paraqiste Fiqiriu si punëtor skene për diktaturën e klasës punëtore në pushtet, sikurse ishte vetë emëruar regjimi i ri i vendosur pas Luftës së Dytë Botërore? Përse duhej dënuar ai dhe familja e tij në kondita të tilla banimi? Këtë mund ta spjegojë vetëm logjika e paranojakut të madh në krye të kupolës së pushtetit dhe e paranojakëve të tjerë që e rrethonin atë dhe që besonin se sa më mizorë të tregoheshin me njerëzit, sa më ç’njerëzishme të silleshin, aq më të mbrojtur ishin.

Në të vërtetë familja e Zeralinjëve kishte një faj dhe ky ishte i vetmi faj i saj. Nëna mbretëreshë kishte një lidhje fisnore me nënën e Fiqiriut. Nëna Mbretëreshë i kishte bërë dhuratë shtëpinë nënës së Fiqiriut. Kaq ishte e mjaftueshme që Zeralinjtë të futeshin tek “të prekurit”, tek ata ndaj të cilëve pushteti nuk mund të rrinte indiferent, pa i ndëshkuar në njërën apo tjetrën mënyrë.

Ne, ndërkohë, vazhdonim të përfitonim nga mani i Zeralinjëve dhe nga oborri i tyre me mur të shembur. Zeralinjtë, kuptohet, nuk kishin mjete financiare për të ri ngritur murin e oborrit të tyre. Neve kjo gjë na shkonte për shtat edhe për “jetën tonë artistike”. Si fëmijë, në disa raste, ne improvizonim një grup teatral si edhe një pjesë teatrale. Si skenë përdornim oborrin pa mure të Zeralinjëve. Si sallë përdornim shkallët e shtëpisë së Pashollëve, që ishin vetëm rreth dy metra larg murit të rrëzuar të Zeralinjëve. Spektatorët nuk na mungonin. Në rrugicën tonë mjaft gra nuk ishin angazhuar në punë në atë kohë.

Ne shkonim e trokisnim derë më derë dhe i ftonim ato si spektatore të «spektaklit» tonë. Ato vinin me gëzim, qoftë për të parë diçka të gëzuar, që i bënte të qeshnin, qoftë edhe me improvizimin tonë fëminor të «spektaklit», qoftë sepse kështu edhe mblidheshin e shkëmbenin ndonjë fjalë midis tyre. Zeralinjtë, edhe pse ne asnjëherë nuk u morëm leje për të përdorur oborrin e tyre si skenë, kurrë nuk na dëbuan nga «skena» si të padëshiruar apo të paftuar. Ndoshta këtu mund të ketë ndikuar edhe fakti se Fiqiriu, punonte si punëtor skene në Teatrin Popullor, pra në një farë mënyre ishte i lidhur me teatrin.

Neve mund të na ketë marrë në «mbrojtje» edhe Envai, që ishte djali më i madh në familje, të cilit i dëgjohej fjala. Envai vetë e kishte pasion teatrin. Ai edhe luajti me mjaft sukses një herë të vetme në skenë. Atij i’u besua roli i Bajram Currit, një prej figurave qendrore të jetës politike në Shqipërinë e viteve ‘20-të të shekullit të kaluar. Duartrokitjet e para ishin edhe të fundit që i’u dhanë atij. Envait, sigurisht me porosi nga mekanizma të pushtetit, nuk i’u ofrua më asnjë rol. Sipas logjikës së pushtetit, nuk mund të lejohej të duartrokitej dhe të admirohej një pinjoll i një familjeje të tillë, si ajo e Zeralinjëve, qoftë edhe në një skenë amatore.

Tentativa ime e dështuar për t’u futur i «maskuar» në Teatrin Popullor!

Për mua këtu, tek oborri i Zeralinjëve, fillon edhe dashuria për skenën dhe teatrin. Si fëmijë nuk na lejohej atëhere të hynim në sallën e Teatrit Popullor. Më kujtohet, një herë ky Teatër organizonte gjatë ditës një shfaqje për gratë, njëlloj si «grupi» ynë ! E dija që nuk do të më lejonin të futesha në sallë. Kam shkuar tek halla ime, Seri, që të më ndihmonte për të gjetur një zgjidhje, mjaftonte që unë të hyja në sallë. Ajo shkoi tek një fqinjë dhe i kërkoi hua çarçafin e saj. Fqinja i’a dha dhe halla ma përcolli mua duke më thënë: «Vishe çarçafin, askush nuk do të kuptojë që je fëmijë dhe djalë. Kështu do të hysh në sallë». Kështu edhe u bë edhe s’u bë. Unë vesha tek shtëpia e hallë Serit çarçafin duke bërë kujdes të fshihja çdo gjë që mund të më tradhtonte. Halla qeshte e kënaqur me pamjen time dhe ndihmesën e saj. Kur mora notën “kalueshëm”, dola nga shtëpia dhe u nisa në këmbë drejt Teatrit Popullor.

Ai gjendej aty ku është edhe sot, në qendër të Tiranës, pranë kompleksit të ndërtesave të ministrive të Brendshme dhe asaj të Mbrojtjes. Duhej të ecja nja 20 minuta dhe gjatë tërë rrugës isha i shqetësuar se mos më njihte ndonjë shok. Ndruhesha se në një rast të tillë, ai me siguri do të tallej me mua sa të ngopej. Ai, madje, do të ngopte edhe të tjerët, të njohurit tanë të përbashkët me “zbulimin” e tij, d.m.th me mbulimin tim. Këtë pjesë të “aksionit” e kreva me sukses. Kur arrita në portat e Teatrit, pashë aty një tufë të çrregullt grash që shtynin me trup dhe me bryla njëra tjetrën për tu futur sa më parë në sallën e spektaklit. U afrova disa here pranë tyre dhe po kaq herë u tërhoqa i trembur, se mund të dilja i humbur keq në betejën e bërrylave.

Shqetësohesha se një bërryl i rrëmbyer dhe i pakujdesshëm do të më zbulonte një pjesë të fytyrës apo të kokës, do të më shqyente fundin e çarçafit. Kështu jo vetëm që do të humbisja spektaklin, por mund të merrja edhe ndonjë shqelm në prapanicë nga Fadili, portieri i mbrapshtë që prej vitesh priste biletat në portën e hyrjes së Teatrit Popullor. Ai nuk i’a përtonte në raste të ngjashme. Si përfundim, zemërprishur, e pashë më të udhës të largohesha, të kthehesha pas.

Në rrugën e kthimit, pata kujdes sërish që të mbulohesha sa më mire që të mos njihesha. Në një moment dyshova se “konspiracioni” im mori fund. Një shok i shkollës, Agim Korbi, po vinte përballë meje dhe fare pranë më hodhi ngultas shikimin e tij. Së paku kështu mu duk mua. Ndoshta e tërhoqi pamja ime disi e veçantë dhe jo konform asaj që ishim mësuar të shihnin tek një grua e mbuluar. Ndoshta më kishin “tradhëtuar” koka ime e rrumbullakët, ecja ime prej djali, këpucët që nuk ishin për vajza apo për gra! Sidoqoftë, Agimi kaloi dhe as të nesërmen në shkollë nuk më la të kuptoj se diçka kishte dyshuar apo, më keq, se më kishte “zbuluar”. Unë nuk provova kurrë më të luaj në jetë “klandestinin.”

Lista e gjatë e “të prekurve” të rrugicës sonë!

Lista e “të prekurve” të rrugicës sonë është e gjatë. Mund të përmend, midis të tjerëve, edhe Timen e Xhepit, sikurse e thërrisnin, apo Fatime Kazazin, me emrin dhe mbiemrin e saj të plotë. Me Timen na ndante muri i pasmë i shtëpisë. Ajo ishte një grua disi në moshë, tipike tiranase, me humor të pafund edhe pse jetonte një tragjedi të pafund. Ne fëmijëve na donte dhe njëkohësisht na frikësonte. “Ajo, për të na kënaqur, hipte në kumbullën e oborrit të saj, mbushte grushtet dhe, duke qeshur, hidhte nga ne kokrrat e këputura, të pjekura ose jo. Ne, gjithsesi, i ishim mirënjohës.

Timja kishte edhe një protezë në gojë. Herë pas here, duke kaluar rrugës, ajo kthehej nga ne, ngrinte me gjuhë dhe e lëvizte protezën e saj. Ajo kështu argëtohej ndërsa ne shqetësoheshim sepse as e kishim idenë se ç’është një protezë dentare. Dhëmbët e lëvizshëm na çonin në një botë të frikshme, kërcënuese. Kjo grua e veshur gjithnjë me të zeza, kishte edhe diçka tjetër të veçantë, që e përdorte me sukses kur ndeshej me paudhësitë tona. Gishti i saj tregues i dorës së djathtë, ishte thyer dhe gjysma e parë e tij shihte lart, përpjetë. Mjaftonte që Timja të tundëte para nesh këtë gisht të saj, për të na bërë të kuptonim se gjendja nuk ishte aq e favorshme dhe se ishte koha për t’u “avulluar”.

Fatime Kazazi, me djalin e arratisur, që thuhej se ishte në Zelandën e Re!

Fatime Kazazi ishte grua e ve, por kishte tre djem ose më mirë të themi kishte një djalë, Shabanin, i njohur si bukëpjekës me emër në Tiranë. Një tjetër i kishte vdekur, ndërsa i fundit nuk dihej ku ishte dhe nëse ishte i gjallë apo i vdekur. Djali i saj i vdekur i kishte lënë pas gruan, Hajdien dhe një djalë, Napolonin apo Lonin, siç e thërrisnim ne, shokët e tij. As i gjalli dhe as i vdekuri quhej Besim. Ai gjatë Luftës kishte marrë pjesë në formacionet partizane. Pas Luftës, një ditë u zhduk pa lënë gjurmë. U tha se Besimi ishte arratisur në Zelandën e Re. Më pas, megjithëse askush nuk kishte ndonjë kontakt me të, u tha se ai ishte martuar atje. U fol edhe se ishte Sigurimi, ai që kishte organizuar arratisjen e Besimit për ta patur si agjent të tijin në botën e kapitalit. Por, përse në Zelandën e Re, kaq larg? Asgjë nuk e lidhte Shqipërinë me një vend si Zelanda e Re në fund të globit. Ndoshta edhe as që kishte shkuar në Zelandën e Re, por kështu u tha. Gjithçka rreth Besimit mbeti deri në fund mister, edhe largimi, edhe harresa e tij!

Arratisja nga Shqipëria, pra kalimi i kufirit shtetëror, pa qenë i autorizuar nga pushteti, vlerësohej nga diktatura komuniste si tradhti ndaj Atdheut, ndaj Partisë dhe popullit, një tradhti e lartë. Timja, si qindra dhe mijëra nëna shqiptare, që me kalimin e viteve patën fatin e Times, u bë kështu nëna e tradhtarit, u trajtua si e tillë nga diktatura. Sigurisht nuk ishte kjo që e kërrusi atë në pleqërinë e saj. Plaga ishte Besimi, të cilin ajo e shihte në ëndërr sikur i ishte kthyer. Plaga ishte aq e thellë, sa ajo besonte dhe tregonte si të vërtetë edhe atë që as kishte ndodhur e as kishte për të ndodhur ndonjëherë. U thoshte prindërve tanë se kishte marrë letër nga Besimi, apo se i kishin thënë se Besimi do të vinte së shpejti në Itali dhe se do të takoheshin atje nënë e bir, se ai do të kthehej. Në vend të Besimit, në shtëpinë e Times erdhi dhe u strehua si qiraxheshë një familje nga jugu i Shqipërisë. U veprua njëlloj si me Kolaverët, Varvaricat, Zeralinjtë.

Ndëshkimi i pushtetit nuk mjaftohej me Timen. Më kujtohet se si u veprua në një rast me nipin e saj, shokun tonë të fëmijërisë, Lonin. Ne kishim filluar shkollën. Ishim nxënës të fillores tek “Kongresi i Lushnjes”. Në vitet e para pas Luftës, ndoshta dhe më pas, në Shqipëri udhëheqësi i Partisë Komuniste, priste në ‘Pallatin e Brigadave’ për Vitin e Ri, nxënësit më të mirë të shkollave të kryeqytetit. Nga shkolla jonë u zgjodh Loni, që të shkonte në ‘Pallatin e Brigadave’. Ne e pamë atë të veshur me kostumin e pionierit, pantallona të shkurtra blu, një këmishë e bardhë dhe shallin e kuq tre cepësh në qafë. Gjithçka ishte gati për të nisur festën kur, papritur, në prag të saj u tha se nuk do të ishte Loni, por një nxënës tjetër që do të festonte Vitin e Ri me udhëheqësin e Partisë. Ky ishte Asim Pregja, shoku dhe fqinji ynë.

Loni ishte nipi i Besimit të arratisur, por edhe nipi i një daje i burgosur politik. Loni dorëzoi kostumin dhe, ndoshta për herë të parë, kuptoi se ai po e fillonte jetën duke u rreshtuar tek “të tjerët”, tek ata që nuk u lejohej të ishin “shokët”, “fëmijët e shokëve”, tek ata që jeta nuk do t’i përkëdhelte, madje do t’i godiste rëndë nëse nuk tregoheshin të kujdesshëm. Ai do të shihte se nuk ishte njëlloj si shoku i tij ose si fqinji i tij, si Asimi edhe pse vetë Asimi, as nuk e kishte kërkuar këtë gjë dhe as ishte përgjegjës për ç’gënjimin e parë të madh të Lonit.

Më vonë kur të dy u burrëruan, Asimi bëri njëlloj karriere në ushtri, u bë edhe Drejtor i Shtëpisë Qendrore të Oficerave. Loni u bë kameraman në televizionin shtetëror. Me fillimin e Lëvizjes Demokratike dhe pas saj, Asimi u bashkua me të majtët, sikurse edhe shumica e ish komunistëve shqiptarë. Loni u bë simpatizant i të djathtëve, i Partisë Demokratike, sikurse një pjesë e ish- komunistëve dhe të gjithë ata që ishin persekutuar nga diktatura.

Familja Pirdeni, që për pak sa nuk u bë e prekur, prej shokut tim, Luanit…”!

Pothuajse përballë shtëpisë ku banoja , më saktë, përballë shtëpisë së Behxhetit jetonte familja Pirdeni, buri Rasimi, gruaja e tij Reti dhe pesë fëmijët e tyre.Ata nuk ishin “të prekur”, por në një rast për pak sa nuk u bënë edhe ata të tillë.

Në një fushatë elektorale për deputetë në Kuvendin Popullor të Shqipërisë, paraqiti kandidaturën e saj edhe Fiqerete Shehu, gruaja e kryeministrit. Ajo bëri takimin me zgjedhësit në oborrin e shkollës “Kongresi i Lushnjes”, i mbushur me këtë rast plot nga banorët e lagjes sonë. Sigurisht që gjithçka ishte formale. Këtë gjë nuk është se e kam kuptuar atëherë. Fiqerete Shehu, përfundoi fjalën e saj me thirrjet: të rrojë Partia, të rrojë udhëheqësi ynë i dashur, shoku Enver Hoxha, etj., etj. Në këtë kohë u dëgjua edhe një thirrje tjetër, që i’u shtua të parave, por që ishte krejt e ndryshme nga ato. Ishte Luani, djali i tretë i familjes Pirdeni dhe shoku im i fëmijërisë që thirri “Rroftë Duçja”! Policët dhe sigurimsat, që shoqëronin Fiqereten, u vunë menjëherë në lëvizje të ethshme për të arrestuar “adhuruesin” e diktatorit fashist, por nuk arritën dot.

Thirrja e Luanit u lëshua nga jashtë oborrit të shkollës. Në portën e jashtme të saj ndodhej një çezmë publike dhe fare pranë saj një ulli. Në drurin e ullirit që shikonte si nga rruga ashtu edhe nga oborri i shkollës, ishin ngjitur Luani dhe Refik Pasholli, një fqinji i ynë. Refiku kishte kokën e madhe dhe ne shokët e tij nuk e thërrisnim në emër, por “Duçe”, ashtu siç ishte thërritur edhe diktatori fashist, Musolini. Kuptohet efekti i kësaj thirrjeje vetëm disa vite pas mbarimit të luftës. Luani brohoriti për “Duçen” e rrugicës tonë, por Partia nuk e dinte se edhe ne fëmijët e rrugicës kishim një “Duçe.” Ne u morëm në pyetje, por nuk i tradhtuam as “Duçen” dhe as brohoritësin e tij. Nuk u treguam as prindërve tanë. Ne kishim dëgjuar shumë për partizanët që nuk i kishin spiunuar shokët as përpara torturave, as përpara vdekjes. As ne nuk mund të spiunonim, të bëheshim spiunë, tradhtarë! Partizanët ishin heronjtë tanë, ‘starët’ e imagjinatës tonë fëmijërore.

Luan Pirdeni dhe familja e tij i shpëtuan kështu “njollës në biografi”, por sa e sa të tjerë me të cilët unë do të takohesha dhe do të punoja në vitet që do të vinin, nuk do të kishin këtë fat. Ne si fëmijë kemi qeshur shumë kohë me këtë ndodhi. Ishte me të vërtetë për të qeshur, por regjimi nuk kishte të njëjtin humor, ai nuk pranonte pa ndëshkuar rëndë dhe për tërë jetën edhe shaka të tilla prej fëmijësh. Ne, sidoqoftë, vazhduam ta thërrasim kështu “Duçe”, shokun tonë edhe për vite të tëra në vazhdim. Ai, i mësuar me këtë emër të dytë, nuk nguronte asnjë herë t’u përgjigjej thirrjeve tona. Gjithçka ndryshoi kur ai u burrërua. Nga “Duçe” ai u bë Refiku, ashtu siç ishte emëruar në ditën e parë të lindjes. Memorie.al

blank

“Shoku im i lagjes, kërkoi të denonconte Haxhi Lleshin te Enveri”- Kujtimet e panjohura të gazetarit të Radio-Tiranës

Pjesa e tretë

Publikohen kujtimet e gazetarit, publicistit, përkthyesit, studiuesit, shkrimtarit, dramaturgut dhe diplomatit të njohur, Bashkim Trenova, i cili pasi u diplomua në Fakultetin Histori-Filologji të Universitetit Shtetëror të Tiranës, në vitin 1966 u emërua gazetar në Radio-Tirana në Drejtorinë e Jashtme të saj, ku punoi deri në vitin 1975, kur ai u emërua si gazetar dhe shef i redaksisë së jashtme në gazetën ‘Zëri i popullit’, organ i Komitetit Qendror të PPSH-së. Në vitet 1984-1990, ai shërbeu si kryetar i Degës së Botimeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shtetit dhe pas zgjedhjeve të para të lira në Shqipëri, në marsin e vitit 1991, u emërua në gazetën ‘Rilindja Demokratike’, fillimisht si zv/kryeredaktor dhe më pas kryeredaktor i saj, deri në vitin 1994, kur u emërua në Ministrinë e Punëve të Jashtme. me detyrën e Drejtorit të Shtypit dhe zëdhënës i asaj ministrie. Në vitin 1997, Trenova u emërua me detyrën e ambasadorit të Shqipërisë në Mbretërinë e Belgjikës dhe në Dukatin e Madh të Luksemburgut.  Kujtimet e panjohura të z. Trenova, duke filluar nga periudha e Luftës, fëmijëria e tij, vitet e fakultetit, karriera profesionale si gazetar dhe studiues në Radio Tirana, gazetën ‘Zëri i popullit’ dhe Arkivin Qendror të Shtetit, ku ai shërbeu deri në shembjen e  regjimit komunist të Enver Hoxhës, periudhë kohe, kur ai në rrethana të ndryshme u njoh me disa nga ‘familjet reaksionare’ dhe pinjollët e tyre, të cilët me një mjeshtëri të rrallë, i ka përshkruar në një libër me kujtime të publikuar në vitin 2012, me titull ‘Armiqtë e popullit’ dhe tani i sjell për lexuesit e Memorie.al             

                                                      “Armiqtë e popullit”

Lirimi nga burgu i babait të Hamitit dhe tragjedia e tij!

Një ditë babai i Hamitit doli nga burgu. Ishte një burrë i fuqishëm fizikisht dhe i qeshur. Dukej sikur burgu nuk i kishte lënë ndonjë gjurmë, ndryshe nga Hamiti që ishte me mjaft temperament, tepër i ndjeshëm dhe delikat si fizik. Dalja e tij nga burgu rastisi në kohë me shtruarjen e tubacionit të ujit të pijshëm në rrugicën tonë. Më parë ujin ne e mbushnim në rrugë në çezma publike, si atë për të pirë edhe për larje, etj. Sigurisht që ishim të gëzuar që ujin do ta kishim tani në oborrin e shtëpisë. Unë, si edhe shokët e mi, muarrëm kazmat dhe filluam të hapim kanalet ku do të shtrohej tubacioni. Duhej që secila familje të hapte vetë kanalin për shtrirjen e tubacionit qendror para shtëpisë së vet. Babai i Hamitit, e bëri këtë gjë me lehtësi jo vetëm për vete, por edhe për banorë të tjerë përkundrejt një pagese. Ai nuk ishte punësuar. Nuk ishte e lehtë për një ish të burgosur të punësohej. Ai ishte i lirë me prangat e papunësisë në grykë.

Dalja e babait nga burgu, normalisht do të duhej të ishte diçka e gëzuar, por për Hamitin kjo vetëm se ia rëndoi edhe më tej jetën. Babait i’u tha nga pushtetarët, se ai nuk mund të banonte në kryeqytet, prandaj duhet të zgjidhte ose fshatrat e Matit, nga ishte me origjinë, ose Beratin nga ku i ishin bërë akuzat, që e kishin përfunduar në burg. Në Berat, një lagje e qytetit ishte për të internuarit e regjimit. Atë, sigurisht, duhej ta ndiqnin pas edhe prindërit, d.m.th., gjyshi dhe gjyshja e Hamitit si edhe vetë Hamiti.

Nuk e di si shkoi më tej jeta e babait të Hamitit. Di se gjyshi dhe gjyshja u detyruan të largohen nga shtëpia e tyre. Shkuan në një fshat diku pranë kryeqytetit, ku u bënë barinj të një tufe bagëtish, të një apo disa familjeje fshatarësh. Atëherë ende nuk ishin ngritur kooperativat bujqësore në të gjitha fshatrat e Shqipërisë, fshatarët kishin ende në pronësi edhe tufa bagëtish. Hamiti vetë ndërkohë kishte mbaruar një kurs shoferësh. Ai u thirr ushtar, u caktua si shofer në një repart ushtarak. Një ditë, duke transportuar disa ushtarë, kamioni i tij bie në një kanal. E dërgojnë në spital pasi kishte marrë disa goditje. Nga ushtarët nuk pati të dëmtuar. Këtu edhe mbyllet tragjedia e tij.

Duke e ndjerë veten si djali i «armikut» ai u tremb se mos e akuzonin se e kish rrëzuar qëllimisht kamionin. Për t’i shpëtuar kësaj akuze, ai filloi t’u kërkojë mjekëve që të mos interesoheshin për plagët fizike të tij, por ta trajtonin si të sëmurë mendor. Kaq këmbëngulëse ishte kërkesa e tij dhe kaq e fortë frika e kalimit të mundshëm para një gjykate ushtarake, sa ai nisi të bindë edhe veten se ishte i sëmurë mendor dhe përfundoi si i tillë. Ai na tregonte se si i ishin dobësuar apo qullosur kockat ku ai, siç kërkonte të na bindëte, mund të fuste apo ngulte si një thikë gishtin e tij pa vështirësi!

Hamiti nuk gëzoi një familje dhe as pati fatin të krijonte një familje. Djalë simpatik ai u dashurua me një vajzë ndërsa shërbente si kuzhinier në kampin e punëtorëve apo të pionierëve në malin e Dajtit, që ngrihet në verilindje të kryeqytetit. Unë e njihja këtë vajzë. Së bashku kemi qenë për disa vite në rrethet artistike të pionierëve në Pallatin e Kulturës “Ali Kelmendi” në Tiranë. Unë isha regjistruar në rrethin e korit, ndërsa ajo në rrethin e baletit. Kërcente shumë bukur. Ishte e thjeshtë, nga një familje e njohur tiranase. Babai i saj ishte oficer i Sigurimit të Shtetit, pra ai kurrsesi nuk mund të pranonte që dashuria e dy të rinjve të kurorëzohej. Komunizmi kishte krijuar kapulet dhe monteguet e tij.

Bëra një udhëtim në Tiranë në vitin 2010. Pyeta shokun tim të fëmijërisë Luan Pirdeni, ish fqinj i imi dhe i Hamitit, nëse dinte gjë për fatin e Hamitit. Më tha se ai vdiq ashtu i harruar dhe i bindur në çmendurinë e tij, të cilën e kishte parë si të vetmen armë mbrojtëse ndaj regjimit.

Vajzën e dashuruar prej tij kam patur rastin ta shoh shpesh gjatë viteve. Rruga që bëja për në punë kalonte nga shtëpia e saj. Nuk e di a u martua me dikënd tjetër, që i përshtatej edhe babait të saj, apo jo. Sidoqoftë, ajo gjithnjë më dukej sikur transmetonte trishtim dhe dhimbje, një rini të thyer që në dashurinë e parë. Gjithnjë e shikoja të vetme, të pashoqëruar.

 “Armiqtë e popullit” që u strehuan te shtëpia e Kolaverëve

Shkruajta pak më sipër se në shtëpinë e Kolaverëve u futën si qiraxhinj dy familje të tjera dhe më pas edhe një familje ciganësh. Njëra familje ishte ajo e Foto Jankut, futbollist i njohur i Sport-Klub Tiranës. Me djalin e tij, Nikon, u bëmë shpejt miq të mirë. Familja tjetër përbëhej nga dy pleq, burrë e grua. Burri si një top i rrumbullakët me syze optike, që me zor lëviste, quhej Stathi. Gruaja më duket se quhej Joana. Ata nuk kishin fëmijë, apo më mirë kishin patur një djalë, por që ishte pushkatuar.

Nuk i’a mësova kurrë emrin djalit të Stathit dhe të Joanës. Kam hamendësuar se ai mund të quhej: Petro Konomi ose Niko Lezho. Këto dy emra gjenden në listën e 22 intelektualëve, që u pushkatuan nga regjimi në shkurt të vitit 1951 pa u zhvilluar asnjë gjyq, qoftë edhe formal, që të provonte fajësinë e tyre. Stathi dhe Joana ishin nga jugu i Shqipërisë, të besimit ortodoks. Në listën që përmenda vetëm këto dy emra janë gjithashtu nga jugu dhe të besimit ortodoks. Të tjerët janë nga krahina që shtriheshin në tërë territorin e shtetit shqiptar, por edhe në hapësirat e banuara nga shqiptarët si: në Kosovë, në Maqedoninë Perëndimore apo edhe nga Mali i Zi.

Pushkatimi i djalit të Stathit dhe Joanës, për «bombën» në ambasadën sovjetike

Një Gjykatë, që nuk funksionoi asnjëherë, qoftë edhe formalisht, vendosi  në shkurtin e vitit 1951, dënimin e tyre  «me vdekje, me pushkatim». Ky vendim ishte i formës së prerë dhe i ekzekutueshëm menjëherë. Djali i dy pleqve të mjerë, që i shikoja përpara portës së tyre herë të qeshur e herë të hutuar, si edhe  21 të tjerët u dënua për hedhjen e një dinamiti në oborrin e ambasadës sovjetike në Tiranë. Në të vërtetë edhe vetë Sigurimi i Shtetit, nuk i arrestoi dhe as e ngriti një akuzë të tillë ndaj tyre. Ata u dënuan nga Byroja Politike e Partisë Komuniste. Kjo gjë del qartë nga proces-verbali i mbajtur në mbledhjen e kësaj Byroje, lidhur me rastin për të cilin po tregoj. Në këtë proces-verbal, dëshmohet se ish-ministri i Brendshëm i asaj kohe dhe anëtar i Byrosë Politike,  më pas kryeministër, Mehmet Shehu, ka deklaruar: «Meqenëse edhe herë tjetër kemi pushkatuar jashtë ligjeve në fuqi, të arrestojmë rreth 100 apo 150 vetë, nga të cilët 10 apo 15 prej tyre t’i pushkatojmë… ! Ne i kemi përgatitur listat e arrestimeve dhe, po të jeni edhe ju dakord, veprojmë që sonte».

Byroja Politike ishte dakord dhe kështu u muarr vendimi. Dhe, megjithëse të gjithë ata që do t’i nënshtroheshin ekzekutimit u arrestuan dhe u dënuan, siç u cilësua në atë kohë, për «atentatin» në Ambasadën Sovjetike, nga proces-verbali i mbledhjes së Byrosë Politike ku u vendos dënimi i tyre shohim se vetë diktatori, Enver Hoxha, të jetë shprehur: «Motivacioni të mos thuhet për atentat». Ai i dha kështu përgjigje edhe Beqir Ballukut, anëtar i Byrosë Politike, i cili tha në këtë mbledhje: «Po për çështjen e atyre që do të pushkatojmë, ne duhet të gjejmë edhe një motivacion… ». Ironia është se dy-tre dhjetëvjeçarë më pas, vetë Mehmet Shehu dhe Beqir Balluku, si pothuaj të gjithë bashkëpunëtorët më të afërt të diktatorit Enver Hoxha, do të deklarohen prej tij si armiq të Partisë, të popullit dhe të atdheut dhe do të ekzekutohen.

Tentativa e Joanës për të vrarë veten, duke u hedhur në pus!

Shpërthimi i dinamitit në ambasadën sovjetike është diskutuar shumë pas rrëzimit të komunizmit. Janë shprehur edhe mendime se ai është organizuar nga vetë Sigurimi për të përligjur vrasjet dhe spastrimet e mëdha që vijuan më pas. Sidoqoftë, fakt është se nga ky shpërthim, përveç disa xhameve të thyer dhe derës së dëmtuar të garazhit, nuk ndodhi asgjë tjetër. Për këtë u arrestuan 300 vetë dhe u ekzekutuan natën në fshehtësi 22 persona të lidhur me tela me gjemba buzë lumit Erzen në afërsi të kryeqytetit. Ata u varrosën në një varr të përbashkët. Pas shumë vitesh, një buldozerist duke gërmuar bregut lumit, llahtariset kur sheh që buldozeri i tij kishte nxjerrë nga dheu një të varrosur, që siç rezultoi pas ekspertizës, i takonte seksit femër. Ishte Sabiha Kasimati, një intelektuale e arrestuar dhe pushkatuar së bashku me djalin e Stathit e të Joanës dhe 20 intelektualë të tjerë.

Joana, e veshur në të zeza, nuk mundi të durojë dhimbjen. Në oborrin e shtëpisë së Kolaverëve, kishte një man të madh, të cilin ne fëmijët e mëhallës e shkundnim nga trungu ose i gjuanim me gurë për t’i marrë manat. Pranë tij ndodhej edhe një pus uji. Në atë kohë, kur ende ujët nuk ishte futur në familjet shqiptare, çdo shtëpi kishte një pus të vetin ose një pus të ndarë përgjysmë me fqinjin. Sipas rastit, pusi përdorej për të pirë, për larje dhe ndonjëherë edhe si frigorifer ku ruhej mishi ose frutat e perimet. Një ditë Joana u afrua në grykë të pusit dhe desh të hidhej brenda, të përfundonte në thellësinë e tij. Për fatin e saj, të mirë apo edhe të keq, aty u ndodh në moment gjyshja e Hamitit. Gjyshja ishte e moshuar, ndoshta rreth të tetëdhjetave, por ishte një malësore e thatë, mjaft e fortë. Në atë moshë ajo vraponte me mjaft lehtësi pas nesh për të na kapur dhe ndëshkuar kur  bënim ndonjë nga paudhësitë tona që e zemëronin atë. Ajo e kapi Joanën dhe nuk e lejoi që t’i jepte fund jetës, të cilën pa djalin e saj të vetëm, nuk e gjente më si një dhuratë, por si një mallkim.

Rrugica jonë me “familjet e prekura”

Në rrugicën tonë të vogël ku banonim më pak se 100 banorë në rreth 12-13 shtëpi private, flitej për ata që quheshin « të prekurit.» Fëmijë e kam vrarë mjaft mendjen përse « të prekurit » quheshin kështu kur nuk shihja që të ishin prekur konkretisht nga diçka apo nga dikush. Në ato vite në Shqipëri quheshe «i prekur» kur ishe sëmurë nga tuberkulozi. Unë dija, p.sh., se burri i hallës sime, Sulejmani, apo Sula siç i thonin, ishte i prekur, vuante nga tuberkulozi. Në shtëpinë e tij pjatat, lugët dhe pirunjtë që përdorte ai nuk përziheshin me ato të të gjithë familjes. Njëherë, kur ai ishte shumë rëndë, kam parë në shtëpinë e hallës në një tavolinë të vogël edhe një zarf me shirit të zi. Pritej që Sulejmani të ndahej shpejt nga kjo jetë. Nga «të prekurit» e rrugicës sonë, asnjë nuk vuante nga kjo sëmundje vdekjeprurëse për kohën. Ndoshta quheshin të tillë sepse «mushkëritë» e tyre nuk ishin të pastra, sepse për regjimin, ata ishin me hije në biografi, pra jo të pastër dhe se ata i priste i njëjti fat i pashmangshëm si edhe të sëmurët nga tuberkulozi, vuajtje dhe gjak deri në vdekje.

Përmenda më parë se si në shtëpinë e Kolaverëve u futën arbitrarisht si qiraxhinj të tjera familje, midis tyre edhe një familje cigane. Disa metra më larg shtëpisë së Kolaverëve dhe në të djathë të shtëpisë sonë, jetonte familja Varvarica, dy pleq simpatikë, Faiku dhe Idajeti e dy djemtë e tyre. Idajeti ishte tepër e shkathët. Sikurse thoshte vetë duke qeshur, e vogël i kishte hipur gomarit mbrapsht. Ajo ishte më tepër se maniake në pastërti, lante me shkumë sapuni edhe gurët e kalldrëmit të oborrit, që gjithnjë shkëlqente sikur në të nuk kishte shkelur asnjë këmbë milingone. Ajo nuk përtonte të merrte furçën dhe të lyente me gëlqere muret e jashtme të shtëpisë kur shirat, që janë të shpeshtë e të rrëmbyeshëm në Tiranë, linin dikund ndonjë vrazhdë apo njollë. Muret rrethues të shtëpisë së saj, duhet të ishin gjithnjë të bardhë dhe poshtë me një shirit boje të errët, pëlqehej ngjyra kafe ose blu e errët. Faiku ishte një burrë i hollë dhe i thatë. Ai i kushtonte mjaft kujdes paraqitjes së tij, gjithnjë të pastër e të rregullt. Në kokë mbante një feste të zezë. Nuk kishte shumë fjalë. Ne fëmijëve të rrugicës na përshëndeste me një buzëqeshje të kursyer. I pëlqente që ne t’i drejtoheshim duke e thërritur “mixha”. Shkurt, të dy ata, Idajeti dhe Faiku, ishin sikur të kishin dale nga një epruvetë dhe sikur jetonin në një epruvetë. Fatkeqësia e tyre ishte se të dy djemtë nuk patën fëmijë, ishin sterilë. Djali madh, madje, në kërkim të shanseve për të patur një fëmijë, vdiq në llixhat e Peshkopisë, një qytet me ujra termale në Shqipërinë e veriut.

Haxhi Lleshi vizitë tek “familja e prekur”  Varvarica

Sikur nuk mjaftonin fatkeqësitë e tyre, shteti u “kujdes” edhe për Varvaricat. Një ditë të bukur atyre u fusin si qiraxhi një cigan, që punonte si transportues qymyri për familjet e kryeqytetit. Këtë punë ai e bënte duke ngarkuar dy-tri thasë me qymyr në karrocën e tij metalike të dorës, njëlloj karroce që është përdorur gjatë në ndërtim dhe që vazhdon të përdoret në kopshtari. Këto thasë i shkarkonte pastaj në adresën e blerësit të qymyrit, duke u paguar për shërbimin. Kjo ishte puna e tij. Çdo ditë atij i takonte të mbushte me lopatën dhjetëra thasë me qymyr dhe t’i transportonte ato me karrocën e dorës në çdo skaj të qytetit. Qymyri përdorej për kuzhinë dhe ngrohje. Në mbarim të ditës, ai ishte edhe më i zi nga sa ishte në të vërtetë, i mbuluar nga pluhuri i qymyrit, që do ta shkundte në shtëpinë e Varvaricave çdo mbrëmje. Dukej sikur kështu ai kryente një ritual të komanduar, të shoqëruar madje edhe me këngë. Ciganit i pëlqente kënga, madje demonstronte edhe ushtrime fizkulture në dhomën e tij, që ngrihej drejt mbi kuzhinën e Varvaricave. Dritarja e kësaj dhome shihte nga rruga dhe shpesh ishte e hapur. Unë ngjitesha në majën e një pishe të lartë të rritur në oborrin e shtëpisë sonë dhe “kontrolloja” lëvizjet e ciganit, që më dukej disi i veçantë, argëtues, pse jo edhe paksa teatral. Nuk më dukej se bëja diçka të palejueshme. Në fund të fundit perdja (dritarja) ishte e hapur.

Më vonë do të mësoja se ardhja e ciganit në shtëpinë e Varvaricave, lidhej me të qenurit e tyre “të prekur”, d.m.th., edhe ata si Kolaverët apo Joana e Stathi, ishin “me hije”, nuk ishin të pastër në biografi. Ata e “meritonin” pluhurin apo blozën e qymyrit. Përse?

Gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore, papritur, një ditë ishte përhapur lajmi se Mehmet Shehu, atëhere komandant i Brigadës së Parë Sulmuese, një formacion i armatosur antifashist, ishte vrarë në luftime me gjermanët apo me nacionalistët. Faiku, që me sa duket nuk ishte pro komunist, i gëzuar shpërndau karamele për të festuar ndodhinë. Kjo atij nuk i’u fal sikurse nuk i ishte falur edhe diçka tjetër e ngjashme. Fjala është për një nip të largët të tij, Ramiz Varvarica. Ky, djalë i ri plot ëndrra për një botë të re pa tiranë, shkoi vullnetar në radhët e Brigadave Internacionale në Luftën e Spanjës. Faiku nuk e kishte miratuar këtë hap të Ramizit, madje, sikurse thuhej atëhere, e kishte mohuar atë si nip. Kjo gjë vazhdoi për disa vite, pastaj çuditërisht të gjitha u fshinë nga kujtesa. Një tjetër qëndrim nisi ndaj familjes Varvarica. Ç’kishte ndodhur? Asgjë. Diktatura edhe një herë luante me fatin dhe jetën e njerëzve si të dëshironte.

Ramiz Varvarica njihet në historinë e qëndresës antifashiste të Shqipërisë si një nga heronjtë e saj të parë. Ai u vra në betejat kundër frankizmit duke mbrojtur Republikën Spanjolle.  Ai është nderuar me titullin e lartë “Hero i Popullit” dhe regjimi komunist mburrej me aktin e tij. Ramizi ishte me origjinë nga Dibra, qytet i banuar me shumicë shqiptare, i vendosur në kufirin shqiptaro-maqedon, në Republikën e Maqedonisë. Ai, siç duket, nuk kishte familje në Shqipëri, apo nuk kishte të afërm të tjerë në Shqipëri, përveç familjes së Faik Varvaricës. Pa dashur dhe pa e kërkuar, kjo gjë e ndihmoi Faikun.

Regjimi komunist për të nderuar të rënët në luftën kundër nazi-fashizmit kishte shpallur datën 5 Maj si festë kombëtare. Çdo vit në këtë datë funksionarë të lartë të diktaturës shkonin për vizitë në shtëpitë e familjeve të martirëve për të treguar se sakrifica e tyre nuk do të harrohej kurrë, se ishin ata që me gjakun e tyre kishin hedhur themelet e sistemit ekzistues politik. Ishte njëlloj spektakli politik fitimprurës për organizatorët e tij. Familjet e martirëve duhet të shërbenin si dekor i këtij spektakli. Në këtë ceremoni të përvitshme, dikush në udhëheqjen komuniste u kujtua një ditë të bukur se askush, asnjëherë nuk kishte shkuar për 5 Maj në familjen e Ramiz Varvaricës. Duhet të jetë kërkuar familja e tij dhe, meqë nuk kanë gjetur gjurmë të saj, është kërkuar më tej tek Varvaricat. Është arritur kështu deri tek familja e Faik Varvaricës, ku një 5 Maj, nuk më kujtohet viti, vetë Kryetari i Kuvendit Popullor (parlamenti i kohës), Haxhi Lleshi, shkon për vizitë në shtëpinë e Varvaricave, fqinjëve tanë. Haxhi Lleshi e njihte mirë Faik Varvaricën, sepse ishin pothuajse të një moshe dhe të ardhur si refugjatë në Shqipëri nga i njëjti qytet, ai i Dibrës. Protokolli komunist ka qenë rreptësisht i kontrolluar dhe nuk mund të hamendësohet për një gabim në protokoll, apo për një lajthitje të Haxhi Lleshit. Po ta kishte bërë dikush tjetër këtë vizitë, jashtë këtij protokolli, do të paguante “çmimin” e saj të rëndë gjatë të gjithë jetës.

Pas kësaj vizite, që mund të shihet edhe si një rehabilitim tepër i vonuar i familjes Varvarica, pra një fshirje e saj nga lista e “të prekurve”, kam takuar në rrugicën e fëmijërisë Behxhet Agollin. Ai vazhdonte të jetonte gjithnjë aty, pa ndryshuar adresë, pra gjithnjë fqinj edhe i Faik Varvaricës. Behxheti më ndaloi dhe filloi të flasë i revoltuar ndaj Haxhi Lleshit. Ai ishte mos aprovues ndaj vizitës së tij tek shtëpia e Varvaricave, duke më përmendur se cilët ishin Varvaricat, pra Haxhi Lleshi kishte nderuar ata që kishin qenë në krahun tjetër gjatë Luftës! Në të vërtetë nga familja e Behxhetit, të gjithë ishin angazhuar në radhët e qëndresës së armatosur antifashiste.

Të tre vëllezërit e tij dhe Sadoshi, gruaja e vëllait të madh, Nabiut, kishin qenë në njësitet partizane. Nëna, Fahria, kishte ndihmuar në mënyrë aktive qëndresën antifashiste. Të gjithë gjatë jetës së tyre nuk u mburrën asnjëherë për trimërinë që kishin treguar dhe as i dëgjuam ndonjëherë të flisnin me zjarr e fanatizëm. Këtë e bënte, në një far mënyre, Behxheti, i vetmi nga familja që, (mund të thuhet për shkak të moshës), nuk kishte marrë pjesë në luftë. Kjo nuk e pengonte atë. Ai më kërkoi që t’i shkruajmë një letër Komitetit Qendror të Partisë, apo vetë Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë, shokut Enver Hoxha, ku të denonconim këtë vizitë dhe të shprehnim mospajtimin tonë. Behxheti vazhdonte po me atë retorikë, si në vitet e fëmijërisë sonë tek furra e Isuf Larushkut. Memorie.al

blank

Mitro Çela: Koço Devole u kap me drogë në Rimini, por s’e dinte se çfarë kishte në makinë, si u angazhuan Berisha dhe Meta për ta liruar

Gazetari Mitro Çela ka publikuar detaje interesante nga jeta e aktorit të njohur të humorit, Koço Devole, i cili u nda nga jeta pas betejës me COVID-19.

Çela për herë të parë ka zbuluar prapaskenat, se si angazhoi Sali Berisha avokatin e Berluskonit dhe interesimin e Ilir Metës për të liruar Koço Devolen nga arrestimi në Itali.

“Për arsye të mos arsyes Koço u arrestua në Itali. Politikanët bënë sehir?- e pyes
unë dhe Filipi më thotë: -Përkundrazi. Sali Berisha më thirri në Parlament. Më tha se në Itali kishte mik një avokat të njohur. “Zoti Biondi ka qenë edhe ministër i drejtësisë në qeverinë e Berluskonit. Do flas me avokatin. Ai do bëjë të pamundurën për ta nxjerrë të  pafajshëm. Nuk ka mundësi që një humorist kaq i madh si Koço Devole të merret me drogë.”, thekson ai.

Gazetari ka publikuar librin me kujtime në ndër të Koço Devolës, teksa e trajton në formë bisedë me gazetarin tjetër të njohur, Filip Çakulli.

“-Shkove në Itali? -Po. Dy herë. Së pari me Gjergj Lucën. Koçoja ishte i burgosur në Rimini. Takuam avokatin. Dorëzuan dokumentat. Herën e dytë shkova me një përkthyese. E takuam Koçon në burg. Ishte me humor. “Kam trajtim ekstra,” -tha Koço.-“Biruca ime është si një dhomë në hotel me pesë yje. Bëja humor me karabinierët, por nuk kuptonin. I detyrova të mësojnë shqip. Tani u tregoj dhe qesh vetë. Por unë jam i pafajshëm. Më zunë në një makinë. Unë mbaja në duar, si lodër, një vegël. Nuk e dija çfarë ishte. Na kapën karabinierët. Shtypën një sumbull nga vegla që mbaja unë në dorë, diçka kërciti dhe u hap një kuti me drogë. Por unë isha pasagjer. Nuk dija gjë. Isha viktimë. Por do dali e vërteta.

”U bë gjyqi. U mbyll gjyqi. Koço doli i pastër! Por u trishtova me politikën ditën që Koço Devole u nda nga jeta. Ministria e Kulturës duhet të organizonte homazhe. Po kështu qeveria duhet të hapte sallën e “Pallatit të Kongreseve” për t’i dhënë lamtumirën humoristit të madh. Atë që la mangunt qeveria, e bëra bashkë me Agron Llakën. Folëm me drejtorin e Policisë së Qarkullimit Rrugor dhe ai dërgoi dy motoçiklistë që shoqëruan kortezhin”, shkruan Mitro Çela.

NGA MITRO ÇELA

KUR QAU FILIP ÇAKULI

-Bisedë e Filipit me Mitron-

E pyeta Filipin: -Kaloi një javë pa Koçon. Të mungon?
-Ndjehem si peshku pa ujë! -ma ktheu ai. -Ishte njeriu im më i afërt. 42 vjet bashkë. U njohëm te revista “Hosteni”. Unë djalë. Ai humorist i madh. Vazhduam  bashkë në koncerte. Hartuam bashkë skenare dhe skeçe. Bashkë te “Fiks Fare”, bashkë me pushime në Sarandë. Ai ishte pjesa ime e dytë ose isha unë pjesa e dytë e Koços.
-A mund të qajë Filip Çakuli?

-Kam ndjerë dhimbje të madhe, por nuk kam derdhur lotë as për humbjen e mamasë e as për vdekjen e babait. Si ndodhi që më rrodhën lotët? U futa në zyrën e Koços… Bosh… Gazetarët kishin vendosur mbi tavolinën e punës së tij një tufë me lule. Pashë dy palë syze(njëra e dëmtuar),kompjuterin ,një cigare të lënë përgjysmë, letra, disa karikatura… Ngriva. U ula në karrige. Ndenja ca minuta, fshiva sytë dhe pa i folur askujt u futa në zyrën time.

-Të ngushëlluan? -vazhdova të këmbëngul me pyetje unë.
-Si asnjëherë. Mbi 1000 telefonata. Mesazhe pa fund.
-Koço Devole në skenë ishte aktor i madh, por jashtë skene ishte i heshtur, i
mbyllur, dukej si i bezdisur nga njerëzit.
-E ke gabim, -ma ktheu Filipi. -Ai ishte shumë popullor, në skenë dhe jashtë saj. Ishte humoristi më i madh i Shqipërisë. Qe aktor, regjizor, bënte karikatura me ide. Qe skenarist. Ai, si humorist, mund të krahasohet me Qamil Buxhelin. Kur ecnim rrugës me Koçon, gjenim belanë. E ndalonin qytetarët: “Bëjmë një foto? Dua një foto tjetër me djalin”.

Kishte të tjerë që kërkonin autograf. Mua më kërkonin të ndërhyja te Koço që të shkonte të luante në estradat e Shkodrës, Fierit, Vlorës,Tiranës. Me Koçon donte të dilte në skenë Skënder Sollaku, Zef Deda, parodistët e Vlorës, Aleko Prodani, Fadil Hasa. Nuk gjen regjizor që nuk donte ta kishte aktor në filmat e Kinostudios ose në telenovelat e televizioneve. Po koncertet në Pallatin e Sportit, në estradën e Tiranës, në Pallatin e Kongresit a mund të më
gjesh njeri që mund t’i bënte si Koçoja? Jo dhe jo. Po pse? Sepse ai ishte si magjistar. I mblidheshin aktorët e këngëtarët, që nga Vaçe Zela, Tonin Tërshana, Liljana Kondakçi, Luan Zhegu, Parashqevi Simaku, Aleksandër Gjoka e të tjerë.

Nuk mund të gjesh mes aktorëve njeri punëtor, iniciator, fantazist si ai. I palodhur dhe i rreptë në punë, por i dashur dhe i respektuar pas punës. Unë bëhem kurioz dhe e pyes: -Koçon e mbaje për vete apo ishte edhe pjesë e familjes?

-Kur jetonim në Lushnje, Koço hynte dhe dilte te ne si në shtëpinë e tij. Bënte humor me Vasilikën, luante me dy djemtë e mi, Zhanin dhe Orestin. Ata qeshnin me lot, sepse ai ishte aktor jo vetëm në skenë, por edhe mes fëmijëve.
-A ka ardhur Koço në Dërmisht?
-Sa herë që shkonim në Sarandë, ngjiteshim në fshat, -thotë Filipi.
-Dhe çdo herë që shkonim babai bënte festë. Mamaja gatuante pulën që therte babai. Bënte pita. Mbi tavolinë shtrohej raki e verë. Ndërkohë hapej fjala në fshat.
Shkonim në klub, tavolinat plot. Dikush qeraste me një gotë verë, dikush me raki, një tjetër me kafe.  Koço bënte humor: tregonte barcaleta. Njerëzit qeshnin me lot. Bënin shaka. Largoheshin të lumtur. Babai mburrej dhe krekosej se kishte mik shtëpije të madhin Koço Devole! Pa ikur mirë nga fshati më pyeste se kur do vinim përsëri…

Për dy-tre vjet nuk vimë, ia ktheja unë. U harxhojmë ju dhe fshatin. “Lëri këto! Koçoja bie në shtëpi dhe në fshat humor. Nuk i sheh sa të gëzuar janë njerëzit?!”-më thoshte babai.
-Kam mendimin se humori i madh bëhet vetëm në vatan,-them unë përsëri.-Pse
mori arratinë Koçoja përtej oqeanit?!
-Ai iku në Amerikë me familjen në vitin 1998. Kishte arsye. Vendi ishte sketerrë. Bandat qeverisnin vendin. Estradat u mbyllën. Humoristët luani tavëll ose me letra. Biznesi u tha. Nuk kishte para për sposorizime. Arti nuk bëhet nga shtëpija. Një ditë më mori në telefon dhe më tha: “Filip! Po të ra rruga nga Amerika, të pres në shtëpi. ”Pas disa muajsh një biszesmen më pagoi biletat. Na dha edhe ca para xhepie bashkë me gazetarin Genc Tirana hipëm në avion. Vizitën e parë në Nju Jork e bëmë në shtëpinë e Koços. Jetonte në mes të pyllit. Shtëpi e bukur. Pronar ishte dhëndri, djalë i zoti, nga Kosova. Ishte bizesmen. Kishin dy vajza. E pyeta një ditë Koçon: “Çfarë bën në Amerikë?”
-“Dy vjet më parë jepja koncerte për emigrantë. Qytet më qytet. Bashkë me Pëllumb Kullën, Agim Krajkën, Xhevahir Zenelin, Anita Bitrin etj. Por u lodha. U mërzita, u bezdisa. Tani nuk bëj asgjë. Jetoj si i vdekur. Dal për peshk. Rrallë për gjah. Fle. Ëndërroj për humorin.
-Pse nuk vjen në Tiranë?
-Të tund derën apo të mas rrugët?
-Jo. Hajde të punojmë bashkë në Top Channel!
-Por te Top Channel-i ka zot hauri. Pa ftesën e Tanit, nuk e lë Amerikën”…
-U ktheva në Tiranë. I thashë Tanit: “Sikur të marrim në punë Koço Devolen?!”
-Bën shaka! Ai jeton në Amerikë? Vjen të punojë me ne? Unë e kam adhuruar Koçon që fëmijë. Mes shokëve tregonim batutat e tij. Në çdo kohë derën e Topit e ka të hapur.”

LIbri per Koco Devolen

-Pas disa ditëve Koço mbërriti në Tiranë. Biletën e avionit ia preu Tani. Pimë kafe të tre. Më i lumturi ishte Tani.
E pyes Filipin: -“Fiks Fare” në vitet 2000 ishte një risi në televizion dhe në humor.
U përshtat Koçoja?
-Ai kishte lindur për të bërë çdo gjë. Bënte skenare. Dilte në skenë. Imitonte, shkruante. Solli në jetë shumë personazhe. Bënte monitorimet me Doktorin, Palomën, Fonin. Improvizonte. Shumë miq e shokë më thoshnin se jam me fat që punoj me Koçon. Kur mungonte ndonjë ditë në ekran, kërciste telefoni: “Ku është Koçoja?!”

-Për arsye të mos arsyes Koço u arrestua në Itali. Politikanët bënë sehir?- e pyes
unë dhe Filipi më thotë:
-Përkundrazi. Sali Berisha më thirri në Parlament. Më tha se në Itali kishte mik një avokat të njohur. “Zoti Biondi ka qenë edhe ministër i drejtësisë në qeverinë e Berluskonit. Do flas me avokatin. Ai do bëjë të pamundurën për ta nxjerrë të  pafajshëm. Nuk ka mundësi që një humorist kaq i madh si Koço Devole të merret me drogë.”

Më thirri edhe Ilir Meta. Në atë mot ishte ministër i Jashtëm. Më tha se do bënin të pamundurën në rrugë diplomatike për Koçon. “Do bëjmë disa shkresa zyrtare ku do të tregojmë se cili është për shqiptarët Koçoja.”Ndërkohë Gjergj Luca dhe Agron Duka u treguan të gatshëm për të ndihmuar Koçon nga ana finaciare.
-Shkove në Itali?
-Po. Dy herë. Së pari me Gjergj Lucën. Koçoja ishte i burgosur në Rimini. Takuam avokatin. Dorëzuan dokumentat. Herën e dytë shkova me një përkthyese. E takuam Koçon në burg. Ishte me humor. “Kam trajtim ekstra,” -tha Koço.-“Biruca ime është si një dhomë në hotel me pesë yje. Bëja humor me karabinierët, por nuk kuptonin. I detyrova të mësojnë shqip. Tani u tregoj dhe qesh vetë. Por unë jam i pafajshëm. Më zunë në një makinë. Unë mbaja në duar, si lodër, një vegël. Nuk e dija çfarë ishte. Na kapën karabinierët. Shtypën një sumbull nga vegla që mbaja unë në dorë, diçka kërciti dhe u hap një kuti me drogë. Por unë isha pasagjer. Nuk dija gjë. Isha viktimë. Por do dali e vërteta.

”U bë gjyqi. U mbyll gjyqi. Koço doli i pastër! Por u trishtova me politikën ditën që Koço Devole u nda nga jeta. Ministria e Kulturës duhet të organizonte homazhe. Po kështu qeveria duhet të hapte sallën e “Pallatit të Kongreseve” për t’i dhënë lamtumirën humoristit të madh. Atë që la mangunt qeveria, e bëra bashkë me Agron Llakën. Folëm me drejtorin e Policisë së Qarkullimit Rrugor dhe ai dërgoi dy motoçiklistë që shoqëruan kortezhin.
-Të la ndonjë amanet Koçoja?
-Po… Një ditë, si shumë herë të tjera, u ulëm për drekë. Ishim vetëm të dy. Ai më tha se kishte merak djalin dhe mbesën. Djali kishte ardhur nga Italia dhe jetonte  bashkë me të. A kishte zanat? Vetëm shofer. Ndërsa mbesa, Sindi, ishte studente në Itali. Çdo muaj i dërgonte 300 euro. I duhej edhe një vit që të mbaronte masterin. Pasi Koçoja u largua nga kjo jetë, e rregulluam djalin shofer në spitalin Gjerman. Më pas takova Sindin. E pyeta se kur e mbaronte masterin. I duheshin edhe katër muaj…E plotësova edhe amanetin e dytë të Koços…
Në fund e pyes Filipin: -E ka pasuruar biografinë tënde Koçoja?
-Kam punuar 42 vjet si gazetar. Kam botuar 10 libra. Kam shkruar qindra artikuj. Le të harrohen të gjitha. Mjafton të mbetet në biografinë time fakti që kam punuar, kam jetuar, kam bashkëpunuar dhe kam bërë humor me Koço Devolen./Panorama


blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
Send this to a friend