“Kthimi i Mbretëreshës Teuta”, e shfaqur në skenën e Teatrit të Kukullave në Zagreb, vjen si shfaqje moderne me frakturë dokumentare
Mitet, legjendat e gojëdhënat kanë kapërthyer ndër shekuj historinë e Mbretëreshës Teuta, duke e mjegulluar të vërtetën për të e për ilirët. Shfaqja “Kthimi i mbretëreshës Teuta”, e shfaqur në Zagreb me kastë aktorësh e balerinësh të njohur kroatë, nën regji të Shenida Bilallit, nuk vjen thjesht si një dramë historike bashkëkohore. Ajo thur të pathënat e ato që u heshtën
Me rastin e “Ditëve të Mbretëreshës Teuta”, në Zagreb, “Teatri Teuta” ka vënë në skenë shfaqjen teatrale që thur rrëfimin për mbretëreshën e madhe ilire, me titull “Kthimi i Mbretëreshës Teuta”, të Shenida Bilallit, skenariste e regjisore e mirënjohur shqiptare në Kroaci.
Premiera u dha më 16 nëntor në skenën e Teatrit të Kukullave në Zagreb.
Drama historike u transmetua drejtpërdrejt në internet me rastin e 16-vjetorit të ngjarjes tradicionale të “Ditëve të Mbretëreshës Teuta”, financuar nga Këshilli për Pakicat Kombëtare të Qeverisë së Republikës së Kroacisë.
Historia 23-shekullore, falë regjisores Bilalli, veprës dramatike dhe dokumentare në këtë shfaqje, ka zbuluar një të vërtetë të re për Teutën, ku thotë: “Për Mbretëreshën Teuta dihet vetëm një histori e shkruar nga romakët: Që Teuta ishte një grua pirate imorale, ku lind një kontradiktë dhe kundërshtim me legjendën për Teutën, e trashëguar nga disa popuj të Mesdheut, të cilit me shekuj e përcjellin atë për mbretëreshën e tyre të fuqishme të mbretërisë legjitime ilire, me forcë të madhe ushtarake dhe status institucional. Teuta trashëgoi mbretërinë ilire pas vdekjes së burrit të saj, mbretit Agron, i cili u vra nga udhëheqësi i tij ushtarak Dhimitri Hvaranin, me qëllim që të merrte Mbretërinë e Ilirisë dhe gruan e tij Teutën”.
Konflikti me Romën – i fshehur nga historiografia
Shqiptarët e ruajnë kujtimin për Teutën si një legjendë për mbretëreshën e bukur, e cila ishte viktimë politike e fuqisë së madhe të grekëve dhe Romës, dhe me shekuj ata ringjallin emrin e saj duke pagëzuar vajzat e tyre me emrin Teuta.
Mbretëria Ilire ishte realitet i historisë antike. Teuta kishte monedhën e saj, flotën, kishte të zhvilluar anije-ndërtimtarinë, tregtinë e fuqishme, përpunimin e arit, argjendit e qelqit. Kësisoj, nuk kishte nevojë për pirateri. Ndërsa romakët thurin historinë për ilirët piratë!
Ekskluzivja e kësaj shfaqjeje është prezantimi i konfliktit midis Romës dhe Teutës, i cili lindi për shkak të taksës ndaj anijeve greke dhe romake që lundronin në detin e ilirëve. Ky informacion u fsheh me shekuj dhe dëshira për zbulimin e së vërtetës ishte arsyeja e realizimit shfaqjes teatrale në Zagreb, ka thënë Bilalli.
Ngjarja e dramës zhvillohet në shekullin III para Krishtit, kur Teuta, mbretëresha e rajonit Ardian, korri fitore të mëdha dhe u zgjerua përgjatë bregdetit të Adriatikut nga ishulli Visi deri në Epir. Pushtimi ilir e shqetësoi Romën, fuqinë më të madhe në Mesdhe, tek shpërtheu lufta iliro-romake.
“Përmbajtja e tekstit bazohet në dokumentacionin historik dhe shkencor, përzgjedhur me kujdes, dhe ilustrohen ngjarjet e 23 shekujve më parë. Nuk ekzistonte asnjë material vizual për ngjarjet reale, kështu që kjo dramë u ilustrua me detaje, simbole dhe kostume nga jeta ilire”, ka thënë Bilalli.
Në dramën moderne historike “Kthimi i Mbretëreshës Teuta” luajtën 16 aktorë, më të njohurit e Kroacisë nga Teatri dhe Baleti Kombëtar Kroat dhe anëtarë të “Teutës”.
Dramaturgia e mirënjohur kroate e Teatrit Kombëtar Kroat dhe e kësaj shfaqjeje, Sanja Iviq, ka thënë se është e vështirë të gjendet një legjendë në jetë pa hyrë në ekzagjerim.
“Kjo shfaqje u gjet në gjysmë të rrugës dokumentare e disa skenave artistike të cilat u shndërruan nga dokumente historike bazuar në hulumtimet e gjata të regjisores… E gjetëm një masë të duhur në një shfaqje që u pëlqen shikuesve dhe të vërtetës“, ka thënë ajo.
Strukturimi artistik i historisë
Drama zgjat 50 minuta, e përbërë nga pjesë narrative, vallëzim modern dhe pjesë artistike. Në rolin e narratorit është aktori i mirënjohur, artisti kryesor i dramës në TKK-HNK, Dragan Despot.
“Si një narrator romak, paraqes faktet e rëndësishme historike të Mbretëreshës Teuta, mbretërimit të saj dhe situatave kryesore që lidhen me rajonin tonë në atë kohë. Pranova rolin me nxitjen e shoqes sime Shenida Bilalli, të cilën e kam mike dhe kolege të studimeve nga Akademia e Teatrit të Filmit dhe Televizionit. Jam krenar që bashkëpunoj me miken time dhe pakicën shqiptare“, ka thënë ai.
Ekipi artistik i “Kthimit të Mbretëreshës Teuta”, në krye me regjisoren Shenida Bilalli, solli një dramaturgji të re, një guxim me vizion dhe alternativa të reja në shprehjet vizuale, solli mesazhe, dialogë në strukturimin e historisë në formë të artit dhe ruajtjes së etnosit të përbashkët ilir dhe shqiptar, me elemente nga jeta.
Atë lidhshmëri nga kohët e lashta e vërtetojnë tingujt e butë të fyellit, instrumentit të lashtë muzikor të ilirëve dhe shqiptarëve, me kompozimin e mirënjohur “Baresha” të kompozitorit Rexho Mulliqi, interpretuar nga Shaqir Hoti dhe etno-grupi nga Kosova. Fyelli e ndihmoi audiencën të përjetojë më fuqishëm detaje të panjohura nga jeta e Mbretëreshës Teuta. Ndërsa ngjarjet historike u prezantuan nga grupi vallëzues “Ilire“, me 5 balerina profesioniste të baletit modern dhe klasik, me 5 artistë, ushtarë romakë, lajmëtarë, një tambur dhe tri artiste në rolin e tri Teutave, që shpalosën histori të parrëfyera gjer më tani.
Karakteret e dramës vendosen në kohën pas vdekjes së Mbretit Agron, që vjen nëpërmjet komplotit politik të Romës, Greqisë ndaj Ilirisë dhe dashurisë së Mbretëreshës ilire Teuta me gjeneralin e saj të fuqishëm grek, Dhimitri nga Hvari (Isa), i cili lufton për t’i sunduar detet Adriatik dhe Jon.
“Konfliktet në dialog midis Dhimitrit dhe Teutës së re alternohen në mënyrë dramatike, për shkak të dashurisë, tradhtisë dhe prestigjit të pushtetit. Ndërsa skena e Demeterit zbulon në monologët e tij ambiciet e mëdha dhe jo të sinqerta për të pushtuar Ilirinë dhe Teutën“, ka thënë Bilalli.
Kjo tragjedi historike, me idealin së vërtetës, lirisë dhe artit, lufton për status më të mirë gruas në shoqëri, ku marrin pjesë tri aktore, tri Teuta të moshave të ndryshme, duke na udhëhequr nëpër kohëra: Teuta e re është Vini Jurçiq, Teuta është balerina Karolina Shosha dhe Teuta e vërtetë, që shfaqet pas 23 shekujsh, është Barbara Vickoviq.
Midis dashurisë dhe pushtetit
Aktorja kroate Vini Jurçeviq, që luan Teutën e re, paraqet arsyet e kundërshtimit të Romës në skenat dialoguese me Dhimitrin.
“Më pëlqen roli i Teutës. Në fillim të idilit të dashurisë, Mbretëresha Teuta mendon më shumë si një grua e dashuruar dhe më pak si një mbretëreshë. Ajo vazhdimisht lufton mes dashurisë dhe pushtetit. Në mënyrë që të konsolidonte pushtetin dhe të mbrohej nga Roma, ajo kërkoi aleancën me Dhimitrin, gjë që ishte fatale për jetën e saj dhe shkatërrimin e Mbretërisë së Ilirëve“, ka thënë Jurçeviq. “Teuta është një grua e fortë, trime dhe krenare, por akoma e brishtë. Më pëlqeu roli kompleks i Teutës, të cilin e ka parashtruar regjisorja Bilalli. Besoj se me interpretimin tim kam realizuar personalitetin e fortë të Teutës, e cila në fund të tragjedisë argumenton se burri që donte e tradhtoi dhe i shkaktoi dhimbje mbretëreshës, por ishte tepër vonë. E admiroja shumë si person Teutën, por më vjen keq sesi përfundoi”.
Konflikti midis Teutës dhe Dhimitrit ka parashtruar ritëm të posaçëm dhe tension në shfaqje, posaçërisht në skenat ku Teuta lufton pa frikë për Ilirinë dhe përballet me Romën e fuqishme, pa dijeni se armiku i saj më i madh është njeriu që ajo do. Rolin e rëndësishëm të Dhimitrit, grekut, e luan Ivan Colariq, aktori i njohur i Teatrit Kombëtar Kroat.
“Unë shfaqem në disa skena të dialogut me Teutën, të cilat janë vendosur me një mjeshtëri të bukur nga dramaturgia në mes të skenave të vallëzimit e narracionit dhe i japin ritëm të posaçëm dramës tek shpjegon raportet midis Dhimitrit, Teutës, Romës dhe Ilirisë. Dhimitrus është një udhëheqës dinak ushtarak, i cili krenohet që vrau Mbretin Agron. Është joshës dhe pushtues i madh i Mbretëreshës Teuta. Luftëtar i dashuruar që nuk mund t’i kontrollojë ndjenjat për Teutën. Në skenën e fundit është tradhtar i lënë vetëm dhe i përbuzur nga Teuta dhe ilirët. Roli i tij nuk ishte i lehtë, por i dashur për mua. Jam i kënaqur që jam ftuar për këtë rol nga regjisorja Bilalli, për të cilën kam respekt të posaçëm, që ia shpalosi dramën e Teutës publikut kroat dhe më gjerë”, ka thënë Colariq.
Freskia e kësaj shfaqjeje janë katër aktet koreografike nga grupi vallëzues “Ilire”, me kostume jashtëzakonisht të bukura të balerinave dhe aktoreve. Performancat patën rol të rëndësishëm në dramë, pasi shprehnin ngjarje historike, ndjenja, bukurinë dhe qëndrimin e Mbretëreshës Teuta ndaj ilirëve dhe Romës.
Shfaqja është ndarë në skena sipas ngjarjeve dhe ngjyrave. Nis me të bardhën, e cila tregon bukurinë dhe pafajësinë e Teutës, për të vazhduar me të kaltrën për lirinë e saj. E kuqja është për luftën dhe kundërshtimin dhe ngjyra e fundit, ajo vjollcë, prezanton butësinë dhe dashurinë e Teutës.
Në pjesën muzikore “Teuta luftëtare” dominojnë e kuqja dhe ngjyra e arit, si simbole të luftës, dashurisë dhe mbretërisë, shoqëruar me muzikën e “Carmina burana fortuna imperatrix mundi”, që vjen fuqishëm dhe e cila mori duartrokitje të gjata nga audienca, si një konfirmim për një koreografi plot shprehje vizuale, emocionale dhe me pasion.
Sipas Bilallit, balerina e njohur kroate e baletit klasik dhe modern, Karolina Shusha, udhëheqëse e grupit vallëzues “Iliret“, interpreton Mbretëreshën Teuta në tri akte dhe me atë interpretim tërheq shumë vëmendje nga spektatorët dhe kritikët me triptikë në role: si sundimtare, luftëtare dhe si grua e mashtruar.
“Grupi ‘Iliret’ është një pjesë integrale e Klubit të Grave Shqiptare të Kroacisë, ku bëjmë me vite shfaqjen ‘Teuta’ dhe pata nderin që ta luaja Teutën. Ky është një bashkëpunim afatgjatë, i bukur dhe shumë cilësor, që zgjat 15 vjet me mbështetjen e madhe të koreografes dhe regjisores Shenida Bilalli, e cila ndihmon dhe afirmon krijues të rinj“, ka thënë Shusha.
Kulmimi me tradhti dhe rikthimi
Drama kulmon pas tradhtisë së luftëtarëve ilirë në Epir nga komandanti i marinës ilire, Dhimitri, i cili punoi për fuqi të mëdha të Romës dhe Greqisë, ashtu që Teuta u detyrua t’ia dorëzonte pushtetin dhe Mbretërinë e Ilirisë.
“Skena e fundit e rënies së Mbretëreshës Teuta, ku luaj rolin e Teutës, u kontribuua nga Dhimitri, i cili fshehurazi e dashuron, duke u përpjekur ta shpëtojë nga legjionet romake që duan të hakmerren dhe ta përdhunojnë. Lut Teutën që të dorëzohet, por ajo nuk ia fal tradhtinë. E lë atë dhe hidhet poshtë në shkëmbin e Risanit. Dhimitri mbetet vetëm dhe i përbuzur nga të gjithë”, tregon balerina Karolina Shusha.
Kur publiku përthekohet prej trishtimit, i thyer me fatin tragjik të Teutës, në fund të shfaqjes vjen një kapërcim i befasishëm. Në skenë, prej mjegullës, shfaqet Mbretëresha Teutë e vërtetë, e cila kthehet pas 23 shekujsh. E bukur dhe e fortë vjen në monologun që shkrin ndjenjat të cilat shpalosen fuqishëm nga aktorja e famshme kroate, Barbara Vickoviq.
“Jam jashtëzakonisht e nderuar që kam marrë këtë rol dhe që bashkëpunoj me regjisoren Bilalli, ku vëmë në skenë Teutën e vjetër, duke u kthyer pas 23 shekujsh, që t’u ndihmoj grave që kanë fatin si ajo dhe luftojnë kundër paragjykimeve ndaj grave të vetmuara dhe për të drejtat e tyre. Në fund, u bëj thirrje të rinjve që të mos largohen nga zona e ilirëve të lashtë. Përmes audiencës më të gjerë në internet, patën mundësinë të shohin fatin e vështirë të Teutës, i cili deri më tani nuk u prezantua”, ka thënë Vickoviq.
Sipas saj, me këtë tragjedi historike është tentuar që Teuta të shfaqet si një heroinë, viktimë e një super-fuqie, figurë e heroinës mitologjike me parime të larta morale, që ndoqi idealet e veta. “Ka krenari, guxim dhe pavarësi… Një grua me fat tragjik që humbi Mbretërinë Ilire për shkak të dashurisë dhe lojërave të superfuqive që përdorën dashurinë dhe dobësinë e gruas, asaj mbretëreshe të vetmuar”.
Drama e Teutës përfundon gjithë trishtim.
“Por, ua hap dyert historianëve dhe hulumtuesve për të kërkuar të vërtetën për Teutën dhe Ilirinë, e vërtetë që është fshirë nga historia, megjithëse çdo ditë shfaqen zona të reja arkeologjike ku kanë jetuar Teuta dhe civilizimi ilir”, ka thënë Bilalli.
Sipas saj, kjo dramë historike po ashtu tregon se ekziston edhe ana tjetër e historisë me porosi.
“E vërteta del në sipërfaqe kurdo, edhe pse historia fshihet e përsëritet në raporte ndaj grave të forta dhe të vetëdijshme, që nuk pranojnë ta luajnë lojën siç duan të tjerët. Kundërshtarët, kur nuk e mundin gruan, e dënojnë, e etiketojnë dhe e poshtërojnë si dhe zhvlerësojnë statusin e saj. Në këtë rast, në fund, përhapin lajmin se është e pamoralshme. Jemi dëshmitarë të historisë tragjike shqiptare gjatë shumë luftërave, ku fati i Teutës përsëritet mbi gra shqiptare si hakmarrje, si dënim dhe zhdukje e një populli“, ka thënë Bilalli. Në fund, krahas porosisë që ka përcjellë me “Kthimin e Mbretëreshës Teuta”, ka pasur edhe një tjetër: “Ne, si artistë, si gazetarë a shkencëtarë dhe si popull, e kemi detyrë ta kujtojmë Teutën çdo vit, e të mos e harrojmë”.
Tri artiste në rolin e tri Teutave, shpalosën histori të parrëfyera gjer më tani: Teuta e re është Vini Jurçiq, Teuta është balerina Karolina Shosha dhe Teuta e vërtetë është Barbara Vickoviq. Në rolin e narratorit është aktori i mirënjohur, Dragan Despot
Ekipi artistik i “Kthimit të Mbretëreshës Teuta”, në krye me regjisoren Shenida Bilalli, solli një dramaturgji të re, një guxim me vizion dhe alternativa të reja në shprehjet vizuale, solli mesazhe, dialogë në strukturimin e historisë në formë të artit dhe ruajtjes së etnosit të përbashkët ilir dhe shqiptar
Komentet