VOAL

VOAL

Kalo: Si vrau veten kuzhinieri i Enver Hoxhës, pasi e larguan u hodh nga Pallati i Kulturës

July 25, 2019

Komentet

Instituti i familjes ortodokse Qiriazi: Një Paradigmë Historike dhe Filozofike e Arsimit Kombëtar Nga Rozi Dako

Instituti i familjes ortodokse Qiriazi: Një Paradigmë Historike dhe Filozofike e Arsimit Kombëtar

Në fillim të shekullit XX, Shqipëria po përballej me sfida komplekse në ndërtimin e një identiteti kombëtar dhe në emancipimin social të qytetarëve, veçanërisht të grave. Në këtë kontekst historik, kthimi i familjes ortodokse Dako- Qiriazi nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk ishte një ngjarje e rastësishme. Motivet e tyre ishin thellësisht ideore dhe të lidhura me një vizion kombëtar. Motrat Qiriazi dhe Kristo Dako me dy djemtë e vegjël, u kthyen me një qëllim të qartë: të krijonin një hapësirë arsimore që do të shërbente si laborator i emancipimit dhe i përgatitjes së vajzave për të marrë pjesë aktive në jetën shoqërore dhe kombëtare.

Ky rikthim ishte një akt të ndërgjegjshëm civilizues, një afirmim i idesë se arsimi është jo vetëm e drejtë e natyrshme, por edhe mjet i fuqishëm për ndërtimin e vetëdijes kombëtare. Kjo bindje ishte baza mbi të cilën u themelua Instituti Qiriazi dhe nga ku u zhvillua gjithë veprimtaria e tij pedagogjike, kulturore dhe sociale. Motivet e tyre shtriheshin përtej aspiratave personale; ato ishin të rrënjosura në një bindje të thellë se arsimi i vajzave, një kategori historikisht e përjashtuar nga hapsirat publike, përbënte një imperativ etik dhe politik për konsolidimin e kombit. Ky mision, i interpretueshëm si një ndërthurje mes patriotizmit dhe pedagogjisë humaniste, do të realizohej në formën e Institutit Qiriazi, i cili synonte jo vetëm të edukonte, por edhe të formonte qytetarin e ndërgjegjshëm, të aftë për të ndërvepruar me sfidat sociale dhe kulturore të kohës.

Hapja e dyerve të Institutit më 22 tetor 1922 përfaqëson një ngjarje paradigmatike në historinë e arsimit shqiptar. Shkolla u konceptua si një institucion kombëtar sic thoshte Sevastia që “Qysh në fillim shkolla jonë u bë një shkollë kombëtare…”, u dallua për vizionin e saj progresist: integrimi i vajzave myslimane, katolike dhe ortodokse lindore nuk ishte thjesht një akt tolerance, por një manifest i filozofisë së bashkëjetesës dhe kohezionit social duke përfshirë siç thoshte Sevastia vajza myslimane, katolike dhe ortodokse lindore. Qiriayët dhe Dako nuk kishin imponur asnjëherë përkatësinë e tyre ortodokse sepse feja e Shqiptarit është shqiptaria. Kjo nuk ishte vetëm një strategji, por një deklaratë filozofike dhe kulturore, një Institut arsimor për vajzat nuk ishte thjesht një institucion pedagogjik /edukativ; ishte një projekt i gjatë i familjes i lidhur ngushtë me kauzën kombëtare dhe me sakrificat e brezave të mëparshëm. Qëllimi ishte i qartë: të krijohej një Institut që do të shërbente si model për gjithë Shqipërinë, duke u bazuar në vlera kombëtare dhe respekt për diversitetin. Ky ambient u bë një vend ku vajzat mësonin të bashkëjetonin, të respektonin njëra-tjetrën dhe të kuptonin rëndësinë e solidaritetit për një kauzë më të madhe: arsimin dhe identitetin kombëtar. Vizita e Albert Thomas, drejtori i Zyrës Ndërkombëtare të Punës në Gjenevë, ishte një moment ku u konstatua fuqia e kësaj bashkëjetese. Ai pyeti se cilat vajza ishin myslimane, cilat katolike dhe cilat ortodokse, por u befasua kur mori përgjigjen e Parashqevit: “Të gjitha janë një dhe jetojnë në një bashkësi të vërtetë.” Ky moment simbolizon jo vetëm harmoninë ndërfetare, e vulos misionin kombëtar të Istitutit Qiriazi: ndërtimin e një identiteti shqiptar të përbashkët mbi bazën e dijes, prej themelimin më 1891 në Korçë . Instituti Qiriazi përfaqëson një vazhdimësi, gati 40 vjeçare, prej 1891, ku teoria dhe praktika e edukimit kombëtar dhe emancipatës sociale ndërthureshin në mënyrë të pandashme.

Por nxënëset përballeshin edhe me sfida të përditshme që ilustrojnë qartë përmasën filozofike të këtij misioni. Rrugët e vështira, baltosura dhe të mbuluara me mjegull, ku vajzat përballeshin me motin dhe lodhjen e shpeshtë, nuk ishin thjesht pengesa fizike. Ato përfaqësonin metaforë të qarta për rezistencën ndaj strukturave patriarkale dhe shoqërore që synonin të kufizonin praninë e grave në jetën publike. Çdo hap drejt shkollës ishte një akt afirmimi të autonomisë dhe vetëdijes kombëtare. Ky dimension ekzistencial dhe edukativ i përditshëm tregonte se emancipimi nuk mund të realizohet vetëm përmes teorisë, por kërkon përkushtim, sakrificë dhe përballim aktiv të realitetit.

Mësimi në Institutin Qiriazi ishte i ndërtuar në mënyrë të integruar, duke përfshirë gjuhën shqipe, historinë kombëtare, lëndët praktike dhe aktivitete kulturore. Por më shumë se kaq, ai shërbente si një hapësirë për zhvillimin e mendimit kritik dhe vetëdijes filozofike. Nxënëset përballeshin me pyetje që tejkalonin memorien: si mund të ndërtohet një identitet i fortë kombëtar në një shoqëri të fragmentuar? Çfarë rol luan arsimi në emancipimin gjinor dhe integrimin social? Këto pyetje nuk ishin thjesht akademike, por misionare, duke forcuar lidhjen midis dijes, moralit dhe identitetit kombëtar.

Më 5 mars 1926, mësueset dhe nxënëset marshuan nga Tirana në Kamëz për të filluar punimet e ndërtesës së re. Ky marshim nuk përfaqësonte një ceremonial; ai simbolizonte udhëtimin pedagogjik dhe filozofik të Institutit çdo hap ishte një përpjekje e ndërgjegjshme për të krijuar një hapësirë ku arsimi do të shërbente si mjet emancipimi dhe forcimi i identitetit kombëtar, pavarësisht atij ortodoks të motrave Qiriazi dhe Dakos.

Më tej, vendosja e gurit të themelit më 11 prill 1926 ishte një ngjarje me rëndësi historike dhe simbolike. Ceremonia, megjithëse e thjeshtë, përmbante një ritual ku çdo pjesëmarrës, qoftë përfaqësues i departamentit të arsimit, prifti katolik, apo nxënëset dhe familja Qiriazi, kishte një rol të veçantë. Guri i themelit nuk përfaqësoi vetëm elementin ndërtues, por një simbol i vazhdimësisë historike, i përkushtimit dhe i bashkëpunimit ndërbrezash për realizimin e një misioni kombëtar të familjes ortodokse Qiriazi. Kjo simbolikë filozofike dhe pedagogjike pasqyronte bindjen se ndërtimi i një shkolle nuk përbënte thjesht akt teknik, por një akt moral dhe qytetar që formon ndërgjegjen dhe karakterin e atyre që janë pjesë e saj.

Projekti për ndërtimin e ndërtesës së re të Institutit, nën drejtimin e Kristo Dako, përfaqësonte një moment të rëndësishëm në historinë e përpjekjeve arsimore të familjes Qiriazi. Në thelb, kjo ndërmarrje përveçse një projekt ndërtimi, formatoi një vazhdimësi organike e misionit që kishte filluar dekada më parë me themelimin e shkollës së vajzave nga familja Qiriazi. Që prej vitit 1891, kjo shkollë ishte përfytyruar dhe përjetuar si një “fole kombëtare”, një hapësirë ku arsimi do të ushqente vetëdijen dhe emancipimin e shoqërisë shqiptare. Në këtë kuptim, sfida e çuarjes përpara të një projekti kombëtar nuk mbetej në rrafshin e ideve dhe të programeve pedagogjike; ajo kërkonte edhe ngritjen fizike të një hapësire ku ky ideal të merrte trajtë konkrete.

Kujtimet e Sevasti Qiriazit ofrojnë një dritare të çmuar mbi mënyrën se si ky ideal u materializua përmes punës së përditshme dhe përkushtimit familjar. Ajo kujton se sapo u sigurua tapia për tokën, Kristo Dako nisi menjëherë të projektonte planin e ndërtesës kryesore. Edhe pse pati përparësinë të këshillohej me dy ose tre arkitektë dhe të konsultonte disa libra të specializuar, ai vendosi që projekti të mos ishte një kopje e thjeshtë e modeleve ekzistuese, por një plan i formësuar sipas vizionit të tij. Kjo zgjedhje simbolizonte edhe vetë frymën e nismës: një institucion i menduar për të ardhmen e kombit duhej të kishte një formë që buronte nga përvoja dhe aspiratat e vetë atyre që po e ndërtonin.

Procesi i ndërtimit u shndërrua kështu në një përvojë familjare e kolektive, ku ideali kombëtar dhe puna fizike u ndërthurën në mënyrë të pandashme. Gjatë muajve të verës, siç kujton Sevasti, e gjithë familja u përfshi në transportimin e materialeve të ndërtimit. Motra e saj, Parashqevi Qiriazi, transportonte rërë, zhavorr dhe gurë me një kamion Ford, ndërsa në raste të tjera edhe djemtë mbartnin tulla që prodhoheshin në mjediset e institutit nga një grup romësh të ardhur nga Elbasani. Në këtë mënyrë, hapësira e institutit ishte një bashkëpunim pune ku secili në familje kontribuonte sipas mundësive të veta në ngritjen e Institutit që do të shërbente për brezat e ardhshëm. Ndërkohë, Kristo Dako mbikëqyrte të gjithë procesin e punimeve, duke ndjekur çdo detaj të realizimit praktik dhe duke siguruar që projekti të merrte formën e menduar.

Vetë Sevasti përshkruan një përpjekje të jashtëzakonshme personale në këtë proces. Ajo tregon se bënte vazhdimisht udhëtimin midis Tiranës dhe Durrësit, rreth dyzet kilometra larg, deri në tri herë në ditë, për të ndihmuar në transportin e çimentos, lëndës drusore, hekurit dhe materialeve të tjera ndërtimi të sjella nga importi. Dy udhëtime kryheshin para dreke dhe një tjetër pasdite, me një tjetër kamion Ford, duke e shndërruar këtë rrugë të përditshme në një lloj rituali pune dhe përkushtimi. Në këtë përvojë të përditshme udhëtimi, lodhja fizike përzihej me bindjen se çdo ngarkesë e sjellë dhe çdo material i dorëzuar në kantier përbënte një hap të vogël drejt realizimit të një ideali më të madh.

Kështu, ndërtimi i ndërtesës së Institutit mori një dimension që kapërcente kuptimin e zakonshëm të një projekti arkitektonik. Ai u shndërrua në një akt të ndërgjegjshëm sakrifice dhe solidariteti familjar, ku çdo anëtar i familjes kontribuonte në mënyrën e vet për realizimin e një vizioni të përbashkët. Çdo gur i vendosur dhe çdo tullë e mbartur nuk ishte vetëm pjesë e një strukture ndërtimore, por një shenjë e përkushtimit ndaj arsimit dhe ndaj së ardhmes së kombit. Në këtë mënyrë, “foleja kombëtare” e përfytyruar nga familja ortodokse Dako e motrat Qiriazi nuk u ngrit vetëm mbi plane arkitekturore, por mbi përvojën konkrete të punës, sakrificës dhe në të vetmin besim dhe mision se arsimi ishte një nga themelet më të forta mbi të cilat mund të ndërtohej shoqëria shqiptare.

Trashëgimia e Institutit Qiriazi nuk mund të kuptohet vetëm nga numri i nxënëseve të diplomuara apo madhësia e ndërtesës. Ajo qëndron në ndikimin e saj afatgjatë në shoqëri: promovimin e arsimit të vajzave, afirmimin e identitetit kombëtar dhe demonstrimin e një modeli bashkëjetese fetare dhe sociale. Ky institucion përfaqëson një paradigmë edukative ku arsimi, morali, filozofia dhe qytetaria ndërthuren, duke krijuar një rrugë për emancipim dhe përparim shoqëror që mbetet frymëzuese edhe në kontekstin bashkëkohor.

 

Vetëm kjo shkresë do te mjaftonte per të provuar genocidin dhe Krimet kundër Njerzimit Nga Artan Lleshi Gjomarkaj

Ksisoj ndodhte 80 vite më parë!
Vetëm kjo shkresë do te mjaftonte per të provuar genocidin dhe Krimet kundër Njerzimit ushtruar nga byroja politike dhe partia e punës mbi popullin shqiptar.
Perktheuani francezëve qe ndodheshin ne vilën -enver ose jepuani mediave qe i bëjnë jehone fishekzjarreve si gjoja dhunë mbi muret e diktatures , diktaturë e cila shembi jete , dogj shpirtra e penalizoi pafundesisht nje popull.

Lavdi u qofte martirë te klerit dhe Kombit shqitar.

Artan Lleshi Gjomarkaj

 

 

Le Soir Illustré (1934) Kush është Ekrem Libohova, ambasadori i ri i Shqipërisë në Belgjikë?

 

Ekrem Libohova — Burimi: Le Soir Illustré, 19 maj 1934, faqe n°3.

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 8 Mars 2026

 

Revista belge “Le Soir Illustré” ka botuar, me 19 maj 1934, në faqen n°3, një shkrim asokohe rreth emërimit ambasador të Ekrem Libohovës në Belgjikë, të cilin Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

 

Ekrem Libohova, ministër i Shqipërisë

Burimi: Le Soir Illustré, 19 maj 1934, faqe n°3.

Ministri i ri i Shqipërisë në Belgjikë, Ekrem Libohova, i dorëzoi të martën letrat kredenciale mbretit Leopold.

 

Ekrem Libohova nuk është i panjohur për ne, pasi një pjesë të studimeve të tij i ka kryer në Bruksel.

 

I lindur në vitin 1882 në një fshat të jugut të Shqipërisë, pasi mësoi gjuhën e vendit të tij, ai u kthye në Kostandinopojë. Pasi përfundoi studimet e mesme në liceun e Galata-Serait, u nis për në Belgjikë dhe vazhdoi studimet atje.

 

Pas Luftës Ballkanike që i dha fund sundimit osman në Ballkan, dhe pasi Shqipëria shpalli pavarësinë e saj, Ekrem Libohova zgjodhi të shërbejë për vendin e tij.

 

Shumë i vlerësuar, ai iu përkushtua me zemër Shqipërisë, duke vënë në shërbim të saj njohuritë e tij të shumta. I pajisur me një talent të jashtëzakonshëm, Ekrem Libohova, pas një misioni të rëndësishëm diplomatik në Romë, u thirr nga mbretëria e re dhe u bë një nga përfaqësuesit kryesorë të shtetit shqiptar.

 

Në vitin 1929, Ekrem Libohova u caktua për të përfaqësuar mbretin Zog në Paris. Disa muaj më parë, diplomati i shquar u thirr gjithashtu në postin e rëndësishëm në Bruksel.

 

Vdekja e mbretit Albert e vonoi udhëtimin e Ekrem Libohovës, i cili u detyrua të ndryshonte në Tiranë letrat kredenciale që fillimisht ishte ngarkuar t’ia dorëzonte sovranit tonë të ndjerë.

 

Ministri i ri i Shqipërisë në Belgjikë, me të cilin patëm një bisedë të gjatë, na shprehu gjithë gëzimin e tij që përfaqëson vendin e tij në Bruksel, ku ka ruajtur kaq shumë miq.

 

“Dëshiroj,” na tha ai, “dhe të gjitha përpjekjet e mia do të synojnë këtë qëllim, të zgjeroj marrëdhëniet ekonomike, tregtare dhe kulturore midis dy kombeve. Megjithë distancën që i ndan, Belgjika dhe Shqipëria janë të destinuara të kuptohen mirë me njëra-tjetrën.”

 

Ekrem Libohova na kujton më pas se në vitin 1929 ai erdhi personalisht për t’i dorëzuar mbretit Albert « le Collier d’Albanie », dekoratën më të lartë të vendit të tij.

 

  1. C.

Tradhtarët Enver Hoxha e Ramiz Alia na nxorën nga Europa… – PREJ LIBRIT  FRITZ RADOVANIT: PJESA IV

 

Melbourne 2010

 

 

Ua kushtoj të Parëve të mi,

Ejëllorëve (ose Radovanve) të vjetër,

dhe Gurakuqëve po aq Atdhetarë,

 

që menduen, punuen e u salvuen

për Shqipninë Europjane të

Gjergj Kastriotit – Skenderbeut!

 

                                                     Autori

Melbourne, Gusht 2010.

 

 

Redaktor: Daniel Gàzulli. 2010.

 

 

 

82 VJETË MA PARË…ATËHERË,

                                “KUR PATEN HY KËTA..!”

 

Edhe pse të veshuna me borë e akull si çmos asnjë  vjet, tymnaja e zezë e komunizmit pushtoi edhe majat ma të nalta të Alpeve tona, të pashkeluna kurrë nga pushtuesit shekullorë…

Ra Hoti e Gruda, ra Kelmendi e Dukagjini, ra Dibra, Mirdita e Puka, ra Kosova e Shkupi, ra Korça e Gjinokastra, ra Çamëria, ra Jugu e ra Veriu…Ulqini e Tivari u banë gropa vorrimi për vëllaznit tonë Shqiptarë të Kosovës, të premë në besë… nga “herojt e popullit” Enver Hoxha, Ramiz Alia, Omer Nishani e sa tradhëtarë të tjerë…

Në sfondin e zymtë të tallazit t’ Adriatikut të çuem peshë, Flamuri i Skenderbeut përdhoset me yllin e kuq…

Malësori nuk do të përshëndesë ma “tungjatjeta!”, por do të shkapesë përballë grushtin partizan. Kryet e vendit në sofer do ta zanë serbët, malazezët e sherbëtorët e tyne, bolshevikët tanë, tue ngritë dollitë e tue urue jetë të gjatë Titos e Stalinit. Besa, bujaria e burrnia do t’u lëshojnë vendin tradhëtisë, turpit dhe frikës, që nuk do t’i ndahën Shqiptarit për sa e sa vjet…Portaria e shtëpisë nuk do të mbyllet ma, cilido anmik hyn e del si në shtëpinë e vet.

Lahuta nuk do t’u këndojë ma armëve të lirisë.., por do t’i ulërijnë ariut të Gjeorgjisë…Ja, edhe një popullore nga Jugu: “Enver, Koçi ka parë ëndërr, Shqipërinë nuse, Titon dhëndërr…” – dhe vazhdonte kori partizan eeeeeeeee…Asht ajo kangë që fëmijtë e tyne e këndojnë edhe sot..!

Edhe për një grusht katolikë që mbetën ndër ata Troje, do të vërriste tradhëtari i Atdheut, pikërisht udhëheqësi i Partisë Komuniste Shqiptare, katili gjakatar Enver Hoxha, ai që kurrë s’asht kenë udhëheqës i asaj pjese Katolike të Popullit Shqiptar, por edhe do ta linte të shkrueme: “…meqenëse, katoliçizmi shqiptar, dhe në veçanti kleri, ishin pengesa më e madhe për triumfin e komunizmit në Shqipëri, qeveria nuk do të kursente asnjë përpjekje për t’i shpartalluar ata.” (E.H, V.I, fq. 438, 1974.).

Porosia e Leninit, e lanun që në vitin 1922, ishte: “Duhet të angazhohemi në luftë përfundimtare kundër klerit reaksionarë, të asgjësojmë qëndresën e priftërinjve dhe të murgeshave me një mizori të tillë, që ta mbajnë mend me dekada të tëra.”

Terrori në masë, si mjet qeverisje, kishte fillue që në vitin 1944 në Jug të Shqipnisë dhe, me largimin e trupave të hueja, kjo luftë vëllavrasëse shpartalloi edhe Veriun, tue fillue nga Kryengritja e Prenkë Calit në vitin 1945, rezistenca e “Besëlidhjes së Veriut”, rezistenca e Berdicës dhe Anës së Malit, luftëtarët e shpellave të Dukagjinit, me Heroin Gjergj Vata etj., në Pukë me Mirakajt dhe të pathyeshmit e Mirditës, Mark e Llesh Gjomarkaj. Alush Leshaku do të shkruente me germa t’arta Epopenë e qendresës në Shqipninë e Mesme, me çetën e Sulë Selimes…

Në muejt janar e shkurt të 1945, tradhëtarët Enver Hoxha e Ramiz Alia kishin “vistue” garancitë e tyne tek “shoku” Tito me vrasjen dhe humbjen e ma shumë se 12.000 vëllazënve shqiptarë të Kosovës, vepër për të cilën krimineli i Luftës Ramiz Alia e ka vendin në dhomen e mbetun “bosh” të mikut të tij Millosheviç.

Shqipnia kishte hy në vathën “bolshevike” të Jugosllavisë Titiste e, bashkë me te, nën sundimin stalinist të Rusisë, qysh me 29 nandor 1944…

Enver Hoxha tashti i paisun me “mburojen” e trathtisë së Atdheut dhe i deklaruem zyrtarisht “vasal” i Jugosllavisë, fillon veprimet e tij në drejtim të prishjes së  “urave lidhëse” të Shqipnisë me Europën Perëndimore.

Pa përfundue Lufta e Dytë Botnore, ashtu si pat veprue për lanjen e Kosovës dhe Trojeve Shqiptare nën sundimin e Jugosllavisë, në Mukje, me atë model të instruktuem nga padroni Tito, me 21 Prill 1945, kur delegati apostolik i Vatikanit në Shqipni Imz. Leone G.B. de Nigris, do të shkonte në Romë për konsultime të veta si zakonisht ndër ato situata të krijueme nga Lufta, qeveria provizore “kukull” e Tiranës, i premton Atij: “Liri të plotë të Kishës Katolike dhe marrëdhanje të mira me Vatikanin” (po aty, Prof. Z.Mirdita, fq. 212).

Porsa delegati Nigris kthehet në Tiranë, në ditët e para të majit 1945, Ai nuk lejohet me shkue në selinë e Tij në Shkodër, mbasi cilësohet se asht “persona non grata”, gja e cila e detyron me thirrë Argjipeshkvin e Shkodrës, Imz. Gaspër Thaçin, për me i lanë porositë për t’ ardhmen. Për arësye shëndetësore Argjipeshkvi nuk mundet me shkue në Tiranë, por dergon Famullitarin Don Tomë Laca dhe sekretarin e vet Don Mark Hasi, të cilët shkojnë dhe marrin porositë e Tij. Zv. Delegat të Vatikanit Ai len porosi me kenë Imz. Frano Gjini, deri atëherë Abat i Mirditës. Ky do të vazhdonte derisa Vatikani do të sillte dokumentin e emnimit me shkrim. Përsa i përket marëdhanjeve me shtetin komunist, ishte gjithshka e qartë për të dy palët, mbasi “moslejimi i delegatit L. Nigris me qendrue këtu, tregonte edhe këputjen e marëdhanjeve të qeverisë shqiptare me Shtetin e Vatikanit, ndonse ky veprim binte në kundershtim me vendimin e vet, që qeveria shqiptare i kishte komunikue me datën 21 prill 1945, para se po Ky delegat do të nisej për Vatikan”. Gati mbas 20 ditësh, kur L. Nigris nuk ishte ma në Shqipni, me datën 24 maji 1945, qeveria shqiptare lëshon edhe vendimin me shkrim që i dergohet Vatikanit.

Por E. Hoxha nuk mjaftohet vetëm me premjen e marëdhanjeve diplomatike…Duhej shembë “Ura lidhëse” e Shqipnisë me Europën.

E kjo “urë” shekullore…kishte themele,  “Gurtë’” e të cilit ishin të pathyeshëm, të palëvizëshëm, të qëndrueshëm, të vendosuna mbi Gjakun e Martirëve të Kishës Katolike Shqiptare, Besnike e Përjetëshme e Porosisë së Imz. Pal Engjëllit, që la me shkrim në vitin 1462 e që vazhdonte me kenë e daltueme mbi “Vorrin” e Gjergj Kastriotit – Skenderbeut, Aty, ku asht sot e që Ky Kler, vazhdonte me u betue.., Me u betue mbi Elterin e Shejtë të Atdheut..! Në Janarin e 1945, asht i pari At Mati Prennushi, Provinçial i Françeskanve të Shqipnisë në Kuvendin e Gjuhadolit në Shkodër, që  me rastin e vizitës në atë kuvend të kriminelit Shefqet Peçi, e pak ditë mbas tij të terroristit Mehmet Shehu, ua përplasë ndër sy të dyve, se: “Lidhjet me Papën dhe Vatikanin nuk mund të shkëputën kurrë e për asnjë arësye.”

Ky ishte sinjali i parë gjoja i një “Kishe Katolike Kombëtare” për të cilën nuk u shuen përpjekjet asnjëherë edhe pse Enver Hoxha e Ramiz Alia përdorën Genocidin komunist bolshevik për zhdukjen jo vetëm të Saj, por edhe të të gjithë Atyne Shqiptarëve që ishin të Pagëzuem Katolikë.

Mbas largimit të Delegatit Apostolik nga Shqipnia, shteti komunist fillon haptas masat e veta, tue i kombinue me ato ekonomike, të shfaquna direkt me shtetëzimin e tokave të Kishës dhe marrjen e pronave të tjera të saj.

Reforma tjetër kundër Fesë vazhdon po në Maji të vitit 1945, kur mbyllen shkollat fetare. Asnjë qeveritar nuk pranon në takim Prelatët e Klerit për sqarim problemi. Fillojnë presionet kundër Argjipeshkvit të Durrësit dhe Tiranës, Imz. Vinçenc Prennushit, po në lidhje me shkëputjen nga Vatikani si dhe represionet që i bahen elementit katolik në Shqipni. Vazhdojnë përpjekjet e qeverisë me Imz. Luigj Bumçin, i cili edhe vdes ato ditë, dhe pasojnë me Zv. Delegatin Apostolik, Imz. Frano Gjinin, i cili jo vetëm që nuk pajtohet, por edhe proteston për reprezaljet që komunistët ushtrojnë haptas kundër intelektualëve shqiptarë të Veriut, të cilët përbuzen dhe denigrohen si miq të pjesës së popullsisë katolike, që tashma asht e cilësueme haptas “e padëshrueshme” nga pushteti bolshevik i komunistëve. Në këte kasaphanë përshkohen edhe shumë intelektualë muslimanë e ortodoksë, të cilët nuk pajtohen me veprimet e hapta anadollake e fanatike të udhëheqësit të shtetit bolshevik E. Hoxha me pasuesit e tij.

Në gjyqin e Prof. Filip Fishtës, avokati Kol Dhimitri deklaron: “Filip Fishta ka pasuruar kulturën shqiptare me shkrimet e tij, të cilat janë aq të vlefëshme dhe të çmueshme, sa është e madhe vobegsia jonë letrare. Nga ana tjetër, si mund të bëhët vëgël informator një shkencëtar, që gjithë jetën e tij e ka dedikuar në librat e kulturës, në mbrojtje të idealeve kombëtare. Kërkoj që të merrën si shkaqe lehtësuese veprimet kombëtare.” (Dosja 7842, Arkivi M.Mbrendshme Tiranë 1998.)

Ndersa turma e oficerëve të sigurimit që ka mbushë lozhat e sallës së kinemasë së Tiranës, thërret: “Avokati është tradhëtarë, duhet varur në litar..” E mbas një viti po e njajta ngjarje përsëritet në sallën e kinema “Rozafat” në Shkoder kundrejt avokat Myzafer Pipës, vetëm se asht tue mbrojtë një Klerik antifashist, të cilit Enver Hoxha, me porosi të spijunëve jugosllavë, jo vetëm i jep “plumbin ballit”, por edhe masakron në mënyrë shnjerzore edhe avokatin e tij mbrojtes, i cili vdes tue u torturue ndër duert e kryetarit të degës së mbrendëshme të Shkodrës, Zoji Themeli, poaq kriminel sa prokurori i çashtjes, famëkeqi Aranit Çela. Në fund të vitit 1945, kur sigurimi i shtetit zbulon Organizatën e Parë Antikomuniste “Bashkimi Shqiptar” të formueme nga Mark Çuni, Organizatë me parime të vërteta demokratike, mbasi mendon dhe punon për zgjedhje të lira dhe me parime europjane Perëndimore, por e padëshrueshme nga terroristi E. Hoxha, i cili punonte që më 1941 për terrorizmin shovenist bolshevik stalinjan dhe jo për Shqipni Demokratike, përfundon me shkatrrimin e plotë të organizatës dhe pushkatimin e të gjithë organizatorëve të saj, tue përshi edhe tre Klerikë të pafajshëm, vetëm për përmbushjen e qellimeve të terroristëve jugosllavë kundër Klerit Katolik, që me komunistët bolshevikë, ata me kambngulje kërkojnë shkëputjen e Shqipnisë së robnueme nga Europa.

Dështimi i Lëvizjes së Postribës me 9 Shtator 1946, do të sjelli atë tragjedi, që rrallë herë ka mujtë me pa Populli i Veriut me qendër Shkodrën, ku kishte 26 burgje të mbushuna plot me atdhetarë nga të gjitha shtresat, tue fillue nga fshatarë analfabetë e deri tek studenta e deputetë të Kuvendit Popullor. Pikërisht në këte valë arrestimesh, torturash e vorfnije, pushkatimesh e internimesh, zhdukjesh pa gjyq e me gjyq, dhe përndjekjesh të panumurta në masë, Sigurimi i Shtetit, nën udhëzimet e padronëve jugosllavë, organizon ngjarjën ma të shëmtueme kundër Klerit Katolik Shqiptar, ashtu si kishin veprue “specialistët” e KGB-së sovjetike në Rusi, Poloni, Kroaci, Mal të Zi, dhe tashti në Shqipni, në Kishën Françeskane të Gjuhadolit, në Shkoder, me 16 Nandor 1946; në mengjes herët, pa dalë drita e datës 17, fusin arsenale armësh nën Elterët e Kishës dhe akuzojnë Françeskanët si organizatorë të “një kryengritjes së armatosur kundër Pushtetit Popullor…”. Kuvendi u këthye në burg…, dhe, thirrej “Burgu i Kishës së Fretënve”.

Për masakrat e torturat çnjerëzore të bame mbi ata të mjerë që vuejten në këte hetuesi, vite ma vonë do të dëshmojnë bashvuejtësit e asaj kohë: Adem Bazhdari, Drita Kosturi, Ragip Meta, Elez Troshani, Hafiz Derguti, Hoxhë Xhemal Najpi, Terezina Pali, Viktore Kuka, Ana Daja, etj., që  janë një libër në vedi.

Mija e mija faqe procesh fallse, mija e mija shpifje e trillime, mija e mija orë dite e nate me hetime, tortura, masakra të pashembullta, shpifës e spijunë hetuesë, që errën e çohën tue plotësue dosje të përgatituna nga ky skenar makabër, tue xhirue mija metra film për me kënaqë “druzhe Titon e baba Stalinin..,” me dhunimin që po i bahej Kerit Katolik Shqiptar. Ky ishte roli që luenin komunistët shqiptarë, në forcimin e simpatisë prej jugosllavëve, ky ishte qendrimi i paturp antikatolik, ky ishte kurbani që komunistët e tradhëtarët shqiptarë i dhuronin anmikut shekullor serb, vetëm e vetëm që Enver Hoxha me pasues me sigurue karrigat e veta në pushtetin gjakatar. Seksioni Katolik i Degës së Punëve të Mbrendëshme në Shkodër, nuk i shuente dritat as ditën as natën, ku kriminelat terroristë të Sigurimit të Shtetit ishin lëshue si bishat me shkye njerëzit e veshun me zhgun e veladon e, këta kafshë t’egra ishin  vetëm pjellë e shkollës së krimit të partisë komuniste bolshevike dhe që punonin për sigurimin e kolltukut: Hulusi Hako, Dilaver Sadiku, Zoji Themeli, Spiro Pano, Mestan Ujaniku, Aranit Çela, Misto Bllaci, Dali Ndreu, Qamil Gavoçi, Hysni Ndoja, Lilo Zeneli, Fadil Kapisyzi, Bastri Beqiri, Anastas Koroveshi,  Pjerin Kçira, Ali Xhunga, Dul Rrjolli, Nesti Kopali, Zoji Shkurti, Kasem Troshani, Nexhat Hysejni, Mustafa Iljazi, Thoma Rino, Xhevdet Miloti, Ali Çorri, Nevzat Haznedari, Cuf Lohja, Ndrekë Nallbani, Jonuz Dini, Hamdi Ulqinaku, Namik Qemali, Dulaq Lekiçi, Elez Mesi, etj. etj., që edhe sot rrashtat e tyne vrrasin si qentë e terbuem nga vorret e mermerit: “Plumbin ballit Priftërinjëve Katolikë Shqiptarë dhe inteligjencës përparimtare!…”. Mbas 16 muej përpjekje për me provue akuzat fallse, tue mos mujtë me realizue asnjë nga “gjyqet e popullit” ashtu si donin padronët jugosllavë e sovjetikë, ndër skutat e errta të bodrumeve të hetuesive, pa dije të asnjë vezhguesi apo avokati, u zhvilluen “gjyqet” e mëshefta, dhe u mbyllën dosjet pa i pa njeri fare me sy Ata Herojë, as ditën e egzekutimit.

Hetuesit katilë, edhe pse bajnë njëmijë të zezat mbi trupat e Klerikëve të pafaj, përgjegja asht vetëm një: “Na nuk kemi futë armë në Kishë, as nuk dimë kush i ka vue ato nën Elterë!..”

U arrestuen: Imzot Frano Gjini, Imzot Gjergj Volaj, Imz. Nikollë Deda, At Mati Prennushi, At Çiperian Nika, At Donat Kurti, At Pal Dodaj, At Frano Kiri, At Bernardin Palaj, At Buon Gjeçaj, At Aleks Baqli, At Gjon Karma, At Mëhill Miraj, At Çiril Cani, At Leon Kabashi, At Rrok Gurashi, Don Mark Xhani, Don Tom Laca, Don Anton Muzaj, Don Mark Hasi, Don Nikollë Shelqeti, Fra Ndue Vila, Fra Zef Pëllumbi, etj.

Me datë 11 Mars 1948, në orën 05.00 të mëngjesit, në Zallin e Kirit, pranë Rrëmajt, (në tokën e Zef Sylës) u pushkatuan këta Prelatë të Klerit Katolik Shqiptar: Imzot FRANO PJETER GJINI, Regjent i Delegacionit të Vatikanit në Shqipni, Imzot GJERGJ VOLAJ, Ipeshkëv i Sapës, Imzot NIKOLLË DEDA, Ipeshkëv, At MATI PRENNUSHI OFM, Provinçial i Françeskanëve të Shqipnisë. At ÇIPRIAN NIKA, OFM, Rektor i Françeskanëve të Shkodrës.

Fjala e Tyne e fundit ishte: “Rroftë Krishti Mbret, Rroftë Papa! Po vdesim në krye të detyrës të pafajshem! Rrofshin Katolikët! Rroftë Shqipnia! Ua bajmë hallall gjyqit dhe atyne që do të shtijnë mbi trupat tonë të pafajshëm!” (Dosja 1302/2A. Arkivi M.M.Tiranë.)

Me Këta Martirë u pushkatuen edhe Atdhetarët: CIN SERREQI; Ing. FAHRI RUSI, DULO KALI; GULJELM SUMA; MURAT HYSEN HAXHIJA, BILBIL HAJMI, Mësuesi PJETER P. PALI, GASPER SIMON GASPRI, XHELAL HARDOLLI, ABDULLAH KAZAZI, CAF DRAGUSHA dhe ZEF KOL PRELA.

Ndërsa arrestimet vazhdojnë, projekte të reja vijnë nga Moska stalinjane për vazhdimsi terrori deri në shkëputjen e plotë nga Vatikani.

Stalini dhe Enver Hoxha ma në fund përqafohen dhe puthen tue i shtërngue dorën fort njeni tjetrit në premtimin e ruejtjes së kolltukut të Enver Hoxhës, mbas prishjes formale me Titon, tue i sigurue njenitjetrit “besnikni” komuniste, mbrenda blokut komunist ku tashti janë të gjitha shtetet e “demokracive” popullore e socialiste, satelite të B. S.

Enver Hoxha i siguron se Shqipnia do të vazhdojë luftën për të forcue lidhjet me Lindjen komuniste, simbas porosisë së diktatorit Stalin, mësuesit dhe udhëheqësit shpirtnor të tij, i cili asht i knaqun me të gjitha veprimet që tradhëtari i Popullit shqiptar asht tue ba në favor të padronit të kampit socialist, Stalinit “math”, “shpëtimtarit” të njerëzimit…

Po qendrimi i injorantit Enver Hoxha kundrejt inteligjencës sonë cili ishte? Për këte do të ju paraqes pak rreshta nga procesi kundër një avokati të njohtun në Shqipni në vitin 1946 – 47, kundër av. Paulin Palit:

“Në 1942-43 isha në Kosovë. Mbas 1944 erdha në Shkodër. Për çlirimin e Shqipnisë pa Kosovën, e kam konsiderue nji gja të mangët, se Kosova asht Shqiptare dhe asht marrë padrejtësisht nga shovenistët serb. Me forcë nuk mund ta marrim, por me drejtësi internacionale dhe simbas Bllokut Antifashist do të pyetej populli, dhe kjo mund të zgjidhesh në mënyrë miqësore.

Korça dhe Gjinokastra janë shqiptare dhe i kërkon Greku. Mendimi i em për Kosovë ka kenë arësyeja ekonomike, politike, kombësia. Unë nuk dij nëse populli kosovar rron i lirë apo jo, por minoritetet në vendin tonë rrojnë njësoj, edhe popujt e Maqedonisë e Kosovar rrojnë si këtu, thoni ju, unë s’e dij! Populli shqiptar vllaznohet me shqiptarin. Idetë e mia kanë kenë këto dhe, me ke kam njoftë kam bisedue dy-tre herë, kur më asht paraqitë rasti. Andrra ime ishte nji Kosovë e lirë! Por në konfërenca nuk kam bisedue me popull, se atë liri nuk e kishim mbas shlirimit, por me shokët e mij si: Galip Juka, Adem Bazhdari, Muzafer Pipa, Ragip Meta etj., kam folë. Jam fajtor vetëm për politikën që kam ndjekë kundër gjykatave ushtarake, për Kosovën, dhe politikën kundrejt Bllokut antifashist ndaj vendit tonë, mbasi i konsideroj të padrejta”.

Gjykata e Naltë mblodhi Këshillin e saj me datën 23 mars 1948 dhe me vendimin nr.108, e përbame nga : Kryetar, major Niko Çeta, antarë, kap. I Nexhat Hysejni dhe kap II Mustafa Iljazi, asistent, aspirant Thoma Rino, prokuror ushtarak i Ushtrisë K. Shqiptare, kap. I Nevzat Haznedari, vendosi: “Refuzimin e kërkesës së të pandehurve për falje jete, të dënuar nga Gjykata Ushtarake e Shkodrës  1. PAULIN  PALI   2. KOL  PRELA. Mbetet në fuqi edhe shtetizimi i pasurisë.”(dosja 1333).

Kështu u mbyllë edhe një dosje, po “fjala e fundit” e tyne nuk u dijt kurrë, as vendi ku u egzekutuen këta Burra, as kush ua dha atë të shkretë “plumb mbas koke”…sepse donin “Shqipninë Demokratike”, donin Shqipninë të bashkueme me Kosovën…

Ky “faj” i Tyne nuk falej!

Fillojnë përpjekjet e dyta për shkëputje nga Vatikani nga qeveria shqiptare, mënjëherë mbas pushkatimit të Prelatëve të Kishës Katolike, por edhe këto pa sukses si të parat.  Hartohet nga shteti komunist, me porosi si gjithnjë të Moskës, “Projekti i Statutit të Kishës Katolike Shqiptare”, ku Enver Hoxha nuk do të kursente asgja për aprovimin e tij, me të gjitha mjetet e terrorit dhe të pabesisë karakteristike të tij.

Nga Kleri Katolik ngarkohet Don Kolec Prennushi, i porsa liruem nga hetuesia mbas 11 muej torturash, për shqyrtimin e Projektit të Statutit. Ja konkluzioni i Tij i shpjeguem nga At Kondrad Gjolaj (1995): “Kisha Katolike nuk mund të jetë kurr nacionale, ndonse, Ajo nuk asht kundër nacionalizmit.

Ajo nuk pranon asnjëherë identifikimin e Fesë me Kombin. Në pamjen e tyne kristjane dhe teologjike ky identifikim asht i papranueshem dhe jashta kohe, sepse Feja do të shndrrohej në ideologji, që nuk asht tjetër veçse tjetërsim i Dogmave të Vërteta të Kishës sonë Katolike dhe Apostolike, Dogma, të cilat asnjëherë nuk janë kundër dashnisë që besimtarët shqiptarë kanë tregue për nacionalen e tyne.” Dhe, në shpjegimin e  atyne ngjarjeve, At Kondrad Gjolaj, i pranishëm vetëm ndër dy mbledhjet e para të bame në Argjipeshkvinë e Shkodrës, shkruen:

Don Koleci tha: Këta do të na kërcënojnë se do të mbyllim Kishat tueja, në kjoftë se nuk e aprovoni këte Projekt Statut, kështu si asht këtu. Ky Projekt nuk duhet aprovue prej nesh, se edhe mbas aprovimit të tij këta kanë me i mbyllë Kishat prapseprap. Jam i sigurtë se do t’ na thonë që do t’ ju vrasim, por asht ma mirë me e ba shka kanë ndër mend sot, se ma vonë.

Le të na vrasin ma mirë sot me faqe të bardhë, se me firmue dhe, nesër, prap kanë me na mbytë, por na do të vdesim me faqe të zezë. E nuk duhet me harrue se me këta, na jemi hupë se hupë. Komunistat kështu kanë ba ku kanë marrë pushtetin, në Rusi, Spanjë e kudo. Na nuk jemi të parët që po i njohim se kush janë. Këta janë gjithkund njësoj..!” (fq. 125).

Don Kolec Prennushi me 2 korrik 1950 vdiq si pasojë e torturave dhe mbas një viti, me 30 korrik 1951, Statuti i Kishës Katolike u firmue nga Kleri Katolik, me përjashtim të Don Dedë Malaj, Don Ejëll Kovaçit dhe At Kondrad Gjolaj, fundin e të cilëve e shohim në vitet 1958 – 59.

Ndërsa, Kisha Ortodokse Shqiptare e thëmelueme nga Imz. Noli, e që drejtohej nga Imz. Kristofor Kissi, me seli në Tiranë, vetëm nga idea e shprehun nga At Shtjefen Gjeçovi, se: “Imz. Kissi, Kryeipeshkëv i Beratit asht ma tepër Katolik se Ortodoks” (Prof. Z.M. fq. 209, po aty.), pëson përndjekje nga bolsheviku E. Hoxha, i cili kërkon të kundërten e asaj që i kërkon Kishës Katolike, pra, që të shkombëtarizohet dhe të bashkohet me Patriarkën e Moskës, si mbas një “Projekt Statuti të Kishës Ortodokse” të hartuem “gjoja” në Tiranë, njëherit me Kishën Katolike. Ky Projekt Statut u kundërshtue nga Imz. K. Kissi, i cili në gusht të vitit 1949 shkarkohet dhe egzekutohet nga komunistët. Ja pra, me fakte, Ajo Kishë që ishte ba kombëtare, dhe mund të bahej “urë lidhje” me Europën, duhej shkatrrue!

Me 5 prill 1950 goditja tjetër i bahet Bektashijëve dhe Sunitëve, të cilët, nuk paraqisnin problemet e Katolikëve e Ortodoksëve, mbasi edhe në “veprat” e veta E. Hoxha mundohet me justifikue qendrimin e qeverisë së tij anadollake, se: “Kleri musulman është i pangritur nga ana kulturore dhe nuk paraqet rrezikshmërinë e klerit katolik…”. Ky ishte vlersimi që i bante  injoranti që drejtonte shtetin, E. Hoxha, Klerit Musliman Shqiptar.

Në vitin 1952, diktatori Hoxha organizon në Tiranë “Konferencën e Paqës” me të gjitha besimet në Shqipni. Asht një libër i botuem me të gjitha fjalimet dhe shamjet e paskrupull që “klerikët”, po i themi, por ma shumë spijunët e sigurimit të shtetit, kanë shpreh aty kundër Papës së Romës e Vatikanit. Ajo “konferencë” asht dëshmia e “hedhjes në erë” të urës sonë shekullore me Europën…Edhe pse mbas vitit 1991 kishte ende gjallë nga “ata klerikë” që kanë shpifë në atë “konferencë”, asnjeni nuk ka pasë guximin me tregue të vërtetën sesi u përgatitën fjalimet e tyne, dhe ua dhanë me i lexue “këtyne” papagalave mjeranë.

Shqipnia komuniste bolshevike tashma ishte e “lumtur” se mbrohej nga Stalini i “math” dhe, sigurisht ishte edhe pjesë e “pandarë” e kampit socialist, që “me hapa vigane” marrshonte nga “fitorja në fitorje”, drejt së ardhmës komuniste …bolshevike anti Europjane.

Shenim nga F.Radovani: Vazhdon Pjesa V

Melbourne, 6 Mars 2026.

 

“Shqipëria si kamp përqendrimi”, çfarë paralajmëronte CIA më 1976 për regjimin e Enver Hoxhës! Spastrimet në dosjen sekrete- Nga Prof. dr. ELMAS LECI

Për shtypjen e shfrytëzimin e regjimit të Enver Hoxhës, për despotizmin e tij të shtuar në Shqipëri në periudhën në fjalë, le të evidentojmë këtu më poshtë një analizë të CIA-s, e cila flet se “gjatë javëve të fundit (shkurt 1976) situata në Shqipëri është përkeqësuar ndjeshëm, saqë diplomatët e Tiranës thonë se vendi i ngjan një kampi të madh përqendrimi. Spastrimet masive të muajve të fundit dhe ashpërsimi i propagandës shtetërore kanë shtuar në maksimum kontrollin ideologjik dhe ksenofobinë në vend.

Qytetarët e zakonshëm tashmë kanë frikë edhe të shkëmbejnë një përshëndetje me të huajt. Spastrimi i radhëve të partisë dhe administratës, thuhet se ka nisur rreth një vit e gjysmë më parë dhe mes verës 1974 dhe pranverës 1975, janë larguar kuadrot kryesore të Ministrisë së Mbrojtjes, arsyet për të cilat nuk ka informacion dhe as shpjegim zyrtar nga Tirana. Më pas u shkarkuan dhe tre drejtuesit kryesorë ekonomikë, dy prej të cilëve kanë qenë anëtarë të vjetër të Byrosë Politike. Tashmë duket qartë se të gjithë zyrtarët janë kapur nga vala e parë e spastrimeve kundër “burokracisë” së tepërt. Pjesën më të madhe të goditjes e pësuan stafi i ministrive, qeverisja lokale dhe institucione të tjera si mediat shtetërore. Një tjetër aspekt kritik i spastrimeve, është zbatimi i “rotacionit” si një mjet i rëndësishëm për shërimin e burokracisë, por sigurisht që efektimi i tyre kryesor është krijimi i sensit të përhershëm të mungesës së stabilitetit të burokracisë, për ta bërë sa më të vështirë lindjen e mundshme të çdo lloj opozicioni. Mungesa e besimit ndaj administratës, përçmimi ndaj çdo distancimi nga shoqëria njëklasore e joprofesionistëve në rotacion dhe doktrina mizore e vetëmjaftueshmërisë, janë të gjitha shumë të shtrenjta për Enver Hoxhën. Megjithëse shkarkimet tregojnë se në ushtri, ekonomi e kulturë ekziston disidenca, provat e forta sugjerojnë se të ardhurit duhet të jenë nga radhët e partisë dhe personalisht besnikë ndaj Enver Hoxhës.

Hapat e mëtejshëm në forcimin e kontrollit të brendshëm dhe i krijimit të atmosferës së rrezikut të pushtimit të huaj, duket se kanë si objektiv kryesor Moskën. Është e qartë se Tirana ka një frikë paranojake nga Bashkimi Sovjetik, e cila është rritur shumë pas vitit 1974, kur komunistët prosovjetikë u zbuluan në Jugosllavinë fqinje. Tirana vazhdon të refuzojë ofertat sovjetike për riafrim, edhe pse është e sigurt se Moska ka vullnetin për të ofruar ndihmë ndaj Shqipërisë me qëllim përmirësimin e marrëdhënieve. BRSS ka disa arsye për të dëshiruar rivendosjen e influencës së tij në Shqipëri, siç janë avantazhet strategjike të porteve të Adriatikut që i janë mohuar që prej vitit 1960, apo edhe pse e vogël goditja e kënaqësisë ndaj Pekinit, i cili ka shfrytëzuar armiqësinë e Tiranës me BRSS, për avantazhet e veta. Moska gjithashtu do të fitonte një tjetër pikë presioni ndaj Beogradit, të cilat mund t’i përdorë ndaj Jugosllavisë së epokës post-Tito. Është e paqartë sesa do të ndryshojnë politikat apo doktrina shqiptare në periudhën pas Enver Hoxhës. Indiferenca aktuale e Kinës ndaj problemeve shqiptare, ka përforcuar qëndrimin e tyre izolacionist”.16)

IMITIMI I REVOLUCIONIT KULTUROR, APLIKIM I STËRZGJATUR I USHTRIMIT TË DESPOTIZMIT

Pas ndihmave të mëdha kineze të viteve ’60-të, Enver Hoxha sikur e ndjeu veten “gjallë” dhe nisi atë që ai e ka quajtur reformim të jetës e të shoqërisë shqiptare, që në fakt nuk ishte e tillë. Këto, Enver Hoxha i bëri nën shembullin e Revolucionit të madh kulturor të Kinës dhe nën atë shembull vijoi në Shqipëri si ashpërsimin e luftës së klasave, ashtu edhe luftën kundër zakoneve prapanike dhe bestytnive fetare etj., dhe të gjitha, në kuadrin e aplikimit të despotizmit të shtuar të Enver Hoxhës. Për këtë aspekt të jetës së tij, që në fakt është gjithçkaja e Enver Hoxhës, “është thënë e shkruar duke e analizuar atë kryesisht në marrëdhëniet me demokracinë dhe me të drejtat e njeriut. Kjo është e kuptueshme, e pashmangshme dhe e domosdoshme.

Enver Hoxha-konkludon historiani Pëllumb Xhufi,-i përkiste, qysh në nisje, një bote dhe një ideologjie që e shkelte individin, liritë dhe të drejtat e tij, në emër të rendjes pas një projekti utopik që do t’u sillte të gjithëve, njëherësh e njëlloj, mirëqenien e lumturinë e kërkuar. Kundërshtarët e tij politikë, nga bashkëluftëtarët e bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë e deri te përfaqësuesit e “klasave të përmbysura”, u dënuan me një ashpërsi që nuk e pati shoqen as në Rusinë e Stalinit. Në mënyrë të veçantë, histeria represive e shpërthyer pas vitit 1970, kur pas “kërleshjes” me SHBA dhe BRSS, regjimi bëhej gati t’i hidhte dorashkën edhe Kinës dhe për rrjedhim kishte nevojë më shumë se kurrë për një “paqe të brendshme”, nuk mund të shpjegohen veçse me një degradim politik dhe intelektual të regjimit dhe të vetë Enver Hoxhës”.15) Enver Hoxha, nga viti 1962 deri në vitin 1972, pra një dhjetëvjeçar të tërë, mori herë pas here e në vazhdimësi ndihma dhe kredi të shumta nga Kina dhe me to, për të konsoliduar pushtetin shtoi mbi shqiptarët despotizmin në të gjitha drejtimet. Ishin ndihmat dhe kreditë që i dhanë atij dorë të lirë, të shtonte shtypjen e shfrytëzimin dhe të shtonte represionin e dhunën, që nisnin që me dacibaot (flet rrufetë) e vitit 1967 dhe vazhduan deri me shtimet e arrestimeve e të dënimeve.

Shtimi i këtyre, domosdo që shtoi edhe kërkesat për shtimin e institucioneve të dënimit, të burgjeve dhe të kampeve të përqendrimit e të internimeve. Në se deri në vitin 1962, kishim në Shqipëri vetëm burgje e kampe përqendrimi, pas këtij viti ndryshoi nga regjimi edhe strategjia e dënimit. U shtuan dënimet me internime, jo se u shkurtuan apo mbyllën burgjet, përkundrazi burgjet e kampet e përqendrimit u shtuan me të tjerë si me burgun e tmerrshëm të Spaçit i ndërtuar në vitin 1968 dhe me 14 të tjerë të ngritur në Tiranë, Peshkopi, Burrel, Durrës, Berat, Vlorë, Elbasan, Kavajë, Kukës e Gjirokastër. Por ajo që ndryshoi ishin dënimet me internime, ku qendra të tilla u konsideruan të gjitha fshatrat më të vështira të Shqipërisë. Kjo formë u “shpik” për arsye se me gjithë shtesat e burgjeve e të kampeve të përqendrimit, ato nuk mund t’i nxinin më të dënuarit, ndaj një pjesë e seleksionuar të të dënuarve i internonin, formë që mori përmasa të mëdha në Shqipëri pas viteve 1962 e veçanërisht pas viteve 1970.

KUR I DUHESHIN FAJTORË PËR DËSHTIMET, ENVER HOXHA NXIRRTE NGA GJIRI I TIJ NJË ARMIK

Sa herë që regjimit i duheshin fajtorë për dështimet e politikës së tij ekonomike, apo për të mbytur çdo shenjë të disidencës në vend, Enver Hoxha ndërmerrte vala arrestimesh e dënimesh. As tetë burgje ekzistuese në Shqipëri nuk i përballonin më arrestimet e reja, veçanërisht ato me akuzën e agjitacion propagandës, që kanalizoheshin kryesisht si të burgosur politikë, të cilët përcaktoheshin si “armiq të popullit”. Kishte edhe shtatë të tjerë burgje për të burgosurit që përcaktoheshin si “ordinerë”, ndërsa tre burgje ishin me të dënuar të përzierë.

Me kalimin e viteve, siç e thamë edhe më lart, veçanërisht pas viteve ‘60-të, me urdhrin direkt të Enver Hoxhës u hapën burgje të reja në të gjitha qendrat kryesore të vendit, duke i specifikuar ato për të burgosurit politikë veçan dhe burgje të destinuara për të burgosurit ordinerë. Përveç burgjeve, vijoi edhe shumimi i kampeve të punës, të cilët ishin vende ku dënimi kryhej duke bërë punë të detyruar si ndërtime veprash publike, nxjerrje mineralesh apo bujqësi. Kampe të tilla, në shumicën e rasteve, kanë qenë të përkohshme (të ndërtuara me çadra apo baraka, të rrethuar nga tela me gjemba dhe ushtarë të armatosur), të cilët me kalimin e viteve, numri i kampeve të punës e tejkaloi atë të burgjeve. Njerëzit që jetuan brenda kampeve të përqendrimit anë e kënd Shqipërisë, thuhet se bënë punimet publike më të mëdha në Shqipëri, pasi ishin të detyruar të punonin në këto vepra edhe për të siguruar jetesën. Nga viti 1946 deri 1950 kampet e punës në Shqipëri ishin 20, por në periudhën e viteve 1950-1985 u ndërtuan edhe 90 të tjerë. Në këto të ashtuquajtur kampe pune, jeta ishte shumë e ashpër, siç ishte me e ashpër edhe në burgjet komuniste, ku kryesisht ishin të dënuarit politikë dhe njerëzit që konsideroheshin nga regjimi të rrezikshëm.

Të burgosurit politikë, shpesh të akuzuar edhe mbi baza dëshmish të rreme ose mbi dëshmi të nxjerra përmes torturave nga Sigurimi, nëse nuk dënoheshin me vdekje, e kalonin jetën në ato burgje dhe shpesh vdisnin në to për shkak sëmundjesh, urie ose kushtesh të vështira jetese. Kushtetuta e re shqiptare e regjimit komunist, e cila është quajtur edhe Kushtetuta e dytë e Shqipërisë Socialiste, u miratua në vitin 1976 dhe në aspektin e lirive themelore të njeriut, as që bënte fjalë, përkundrazi ajo ishte një mohuese e plotë dhe një ekzekutuese e gjitha e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut. Përsëri CIA, me rastin e miratimit të Kushtetutës së dytë të Shqipërisë nën Enver Hoxhën, bënte analizën e mëposhtme ku theksonte se “kjo, (Kushtetuta) nuk e lejonte përhapjen e pikëpamjeve opozitare, të cilat konsideroheshin si kërcënim ndaj “pushtetit popullor”. Qëllimi i propagandës së brendshme është ndalimi i përhapjes së ideve kundër regjimit, që mund të çojë në rritjen e rezistencës aktive. Prandaj autoritetet bëjnë një fushatë të vazhdueshme kundër zërave kritikë dhe në mbështetje të programeve të qeverisë. Regjimi angazhohet gjithashtu në fushata të gjera publicitare rreth ngjarjeve si rezultatet e fabrikave, projektet e punës vullnetare, apo arritjen individuale në prodhim.

Punonjësit e agjitacion-propagandës në gazeta e revista pretendojnë suksese të mëdha, dënojnë “parazitët” dhe theksojnë rëndësinë e plotësimit të normave të punës. Në të ashtuquajturin revolucion kulturor në Shqipëri, përfshihen gjithashtu puna vullnetare e intelektualëve urbanë në mbjelljen e tokave të reja apo projekte të tjera ndërtimi e të maskuara me sloganin e “luftës ndaj burokracisë dhe mentalitetit kapitalist”. Por efektiviteti i propagandës së brendshme, është i kufizuar nga disa faktorë, si numri i vogël i megafonave dhe mangësi të tjera teknike. Gjithashtu ekspozimi i vazhdueshëm i popullatës ndaj ekzagjerimeve dhe keqinterpretimeve të propagandës, ka krijuar edhe njëfarë apatie ndaj njoftimeve të regjimit. Mediat kryesore të shpërndarjes së propagandës së brendshme janë shtypi, radio, filmat dhe fjalimet publike. Pas vitit 1961 këto mjete janë përdorur për të kushtëzuar ndarjen me Bashkimin Sovjetik dhe afrimin me Kinën komuniste”, të cilës i bëhet një propagandë marramendëse miqësore e shpëtimtare për Shqipërinë”. 17) E veçanta rezultonte se afrimi dhe konsolidimi i miqësisë me Kinën, e bëri Enver Hoxhën më despot me popullin e tij. Në këndvështrimin e pushtetit personal të Enver Hoxhës, në kohën e marrëdhënieve “miqësore e vëllazërore” me Kinën del pyetja se cilat ishin synimet e politikës së tij të jashtme?

Sipas Enver Hoxhës, në periudhën e marrëdhënieve të mjaltizuara me Kinën, ajo kishte disa synime si, luftën kundër imperializmit e socialimperializmit dhe konsolidimin e marrëdhënieve ideologjike, ekonomike, ushtarake, kulturore etj., vetëm me Kinën. Synime të tjera të asaj periudhe nuk gjejmë në asnjë dokument, qoftë shtetëror qoftë partiak. Këtë e përligj vetë Enver Hoxha, i cili shprehej se “lufta kundër dy superfuqive e aleatëve të tyre është një detyrë imperative, që duhet kryer çdo ditë, çdo orë, në çdo fushë e nga kushdo”. 18) “Buxhetet, kreditë dhe investimet e huaja nuk janë format e vetme të bashkëpunimit ekonomik ndërkombëtar, siç i paraqet borgjezia monopoliste dhe revizioniste”.19) Pra siç shihet, mohohej gjithçka, mohohej baza ekonomike që është themeli i zhvillimit dhe marrëdhëniet ndërkombëtare e politika e jashtme sipas Enver Hoxhës, duhet të shtriheshin vetëm në planin ideologjik, të cilit iu dha përparësi.

Partia dhe shteti shqiptar, domethënë Enver Hoxha, duke zbatuar direktivat e Kongreseve të partisë, vazhdonin të aplikonin një politikë të jashtme të quajtur “parimore” e “konsekuente” në të gjitha drejtimet e për të gjitha problemet. Po për çfarë politike të jashtme parimore mund të bëhet fjalë në atë periudhë, kur në marrëdhëniet ndërshtetërore me të tjerët, përveç Kinës, mohohej gjithçka? Politika dhe diplomacia e Enver Hoxhës pasqyroheshin në të gjitha qëndrimet e quajtura “revolucionare” për problemet e ngjarjet e mëdha ndërkombëtare dhe në marrëdhëniet e shoqërisë me vendet e tjera. Po a kishte çështje “parimore” që i mbronte Shqipëria, veçanërisht për të drejtat dhe liritë themelore të njeriut?! Faktet dhe ngjarjet thonë se jo. Liria e fjalës në Shqipëri ishte e ndaluar me Kushtetutë. Mendimet duhet të ishin konform politikës së partisë, asnjë mendim ndryshe nuk lejohej dhe nëse shfaqej kishte reperkuisione. Mendimet ndryshe ishin dhe dënoheshin si agjitacion e propagandë. Me këto akuza ishin mbushur burgjet, kampet e përqendrimit dhe internimet nëpër fshatra.

Nga ana tjetër, ajo e ligjshmja ishte propaganda në planin ideologjik, si qëndrimi ndaj revizionizmit e imperializmit dhe një nga objeksionet më të mëdha, ishte mbrojtja e çështjes kineze. Enver Hoxha, me “luftën ideologjike” kundër Bashkimit Sovjetik, mbështeti Kinën dhe të ashtuquajturat reforma e qëndrimet e saj si “Revolucionin kulturor proletar” dhe “Të drejtat e Kinës në OKB”, për të cilat Enver Hoxha u shpërblye nga Kina edhe fuqishëm. Në aspektin më të gjerë, Enver Hoxha me politikë “parimore” si edhe kinezët, quante edhe propagandën që bënte për luftën e Vietnamit, atë në Kamboxhia, konfliktin e Lindjes së Mesme apo çështjet e luftës kundër idesë së “Çarmatimit bërthamor e konvencional”, deri te stigmatizimi i nismës dhe procesit të “Sigurimit e Bashkëpunimit Evropian”. Dhe të gjitha këto ishin ajo diplomaci, që mund të quhet e strucit, për të cilën Enver Hoxha nuk e kishte qëllimin te gjërat “parimore” siç shfaqej, por ai e kishte te “mbledhja” e popullit jo në konceptin e mbledhjes si formë, por te përmbajtja e fjalës “mbledhje” dmth., për t’i a mbledhur popullit.

Autori, Drejtor Ekzekutiv Instituti i Sigurisë dhe Mbrojtjes

/Gazeta Panorama 

“Kur Enver Hoxhës i shkuan në vesh fjalët e nënës sonë, se ne kishim 20 napolona ari, ai e thirri dhe…” Dëshmia e rrallë e nipit të Esat Dishnicës

Nga Ahmet Xhavit Delvina/ Nuk kam ndërmend të zgjatem në biografinë e familjes sonë, por dua të përshkruaj vetëm disa aspekte të jetës së babait, Neki Delvina, i cili u sakrifikua si shumë shokë të tij, për të quajturin “Atdheu Mëmë” dhe që i hëngri kokën padrejtësisht. U lind dhe u rrit në Stamboll në lagjen “Gallata Saraj” e si rrjedhim edhe familjarisht gëzonin nënshtetësi turke, që në kohët e hershme.

 

U laurua Doktor në Drejtësi në Fakultetin Juridik të Stambollit. Në vitin 1913 – 1914,  pasi kreu studimet pas – universitare sipas të gjitha rregullave administrative të qeverisë Turke, e emëruan gjyqtar në qytetin turk Kars, por ai aty nuk filloi asnjëherë punë, pasi iu përgjigj thirrjes që i bëri daiu i tij, Fejzi Bej Alizoti, i cili edhe e kishte rritur, sepse i ati i tij Sherif Beu, e kishte lënë të vogël pasi kish ndërruar jetë. Thirrja ishte për të ardhur në Shqipëri, sepse nevojat për të apo profesionin e tij ishin të mëdha, sapo ishte krijuar shteti i ri shqiptar dhe Fejzi Beu mbante postin e Sekretarit të Përgjithshëm të Shtetit.

Për ardhjen e tij në Shqipëri, insistuan edhe djali i hallës tij Faik Konica, bashkë me djemtë e xhaxhallarëve, Sulejman e Namik Delvina, me motivimin se në këtë shtet të ri, duhet që edhe ai të kontribuonte për hedhjen e themeleve të drejtësisë shqiptare. Ky qëndrim apo detyrim që babai ynë kishte për atdheun e tij të vërtetë, nuk duhet që ai ta diskutonte sepse “përziente kockat e të parëve të familjes”, të cilët kishin kontribuar për këtë vend që po ri ngrihej.

Ai u bind plotësisht dhe menjëherë u nis për Shqipëri për të jetuar përgjithmonë. Ai vinte për herë të parë në Shqipëri dhe siç na thoshte vetë e pati të vështirë sa të ambientohej por s’kish ç’të bënte, dashuria për atdhe e kërkonte këtë sakrificë dhe gjithashtu përmbushte pozitivisht traditën e lashtë të një familje patriotike, siç konsiderohej e jona.

Në vitin 1914, fillon detyrën e gjyqtarit pajtues në Skrapar dhe pastaj vijon si prokuror dhe kryetar në rrethe të ndryshme të vendit, si; Lezhë, Elbasan, Berat, Vlorë, Delvinë e Tiranë, dhe pas 12 vitesh punë në këto detyra, emërohet anëtar i Gjykatës së Kasacionit në Degën Penale dhe Civile në Tiranë, deri në vitin 1944, vit që u bë i ashtuquajturi “Çlirim” i vendit dhe që u instalua përfundimisht komunizmi në Shqipëri për më shumë se gjysëm shekulli.

Qeveria komuniste e asaj kohe riemëroi përsëri të njëjtin trup gjykues, por me emërtesë të re; “Gjykata e Lartë”. Riorganizimi i pushtetit gjyqësor nuk bëri asnjë ndryshim në drejtim të personave, sepse dihej botërisht në të gjithë vendin, se ata ishin njerëz jo-politikë dhe të pa-kompromentueshëm, gjithashtu konsideroheshin si pionierët e parë apo themeluesit e Drejtësisë Shqiptare, për të mos folur pastaj për aftësitë e larta profesionale të tyre.

Mirëpo këto konsiderata apo vlerësime, në pushtetin e ri popullor gradualisht apo shumë shpejt ndryshuan, sepse nuk ju interesonte më indiferenca e tyre politike. Ata me kërkesat e reja të cilat ishin konstruktuar edhe me ligj me ngjyrime politike komuniste, kërkonin që të gjithë kuadrot e larta pa përjashtim në strukturat shtetërore, të ishin në radhë të parë njerëz politik dhe ushtarë të bindur të Partisë. Këto rekomandime duhet të zbatoheshin verbërisht, sepse tashmë Partia qëndronte mbi ligjet.

Por kushtet e reja për një pjesë dërrmuese të Kolegjit të Gjykatës së Lartë ishin të papërtypshme sepse, ata nuk mund të thyheshin në karakter pas kaq vitesh punë të ndershme që kishin bërë me përkushtim, nuk kishin si t’i pranonin këto kushte të reja, apo të hynin e të luanin role të pandershme që binin në kundërshtim flagrant me etikën e gjyqtarit, apo rregullat e drejtësisë botërore!

Ata e kishin marrë parasysh se kush do të ishin konsekuencat për këto “kokëfortësira”, por nuk do të bëheshin kurrë vegla qorre të Partisë-Shtet. Incidentet e para për babain tonë filluan menjëherë sapo ai vizitoi me të atin e xhaxhain, shokun dhe mikun e tij të ngushtë në burg, Dr. Sami Visokën, i cili asokohe akuzohej për faje politike, sepse kishte botuar një libër me titull “Nëna Kosovë”, libër i cili nuk përkonte pozitivisht me politikën aktuale Shqipëri – Jugosllavi.

Ai që predikonte patriotizëm, konsiderohej tradhtar për më tepër që ne ishim funksion i politikës Jugosllave dhe Kosovën e kishim shitur së fundmi zyrtarisht, në 27 gusht 1944, në Visa të Kroacisë, siç e kam përshkruar më lart. Këtë situatë e rëndoi shumë dhe të qenurit e doktorit në kushte paraburgimi, d.m.th. në kushte hetuesie, por që nuk u ndalua dot nga punonjësit e burgut, kur babai ynë paraqiti dokumentin si Anëtar i Gjykatës së Lartë.

Kjo vizitë u konsiderua si gabim i rëndë politik dhe kundërvënie ndaj situatë e rëndoi shumë dhe të qenurit e doktorit në kushte paraburgimi, d.m.th. në kushte hetuesie, por që nuk u ndalua dot nga punonjësit e burgut, kur babai ynë paraqiti dokumentin si Anëtar i Gjykatës së Lartë. Kjo vizitë u konsiderua si gabim i rëndë politik dhe kundërvënie ndaj rregullave të politikës së re komuniste.

Gabimi i dytë, për babain tonë, por i rëndë, ishte gjykimi i një apelimi të bërë ndaj një gjinekologu të quajtur Dr. Çupishti, kundër vendimit të Gjykatës së Shkallës së I-rë të qarkut Vlorë, që e kishte dënuar rëndë, për faj të pakryer. Sipas interpretimit të babait, ai dënim që i ishte dhënë nuk justifikohej sepse, nuk kishim të bënim me faj të kryer nga doktori e, si rrjedhim, babai e prishi dy herë atë vendim.

Dhe në rastin e dytë, që ai u rigjykua, pikërisht në këtë kohë ndërhyn Ndihmës-Anëtari i Gjykatës Lartë dhe njëkohësisht Sekretar i Organizatës së Partisë të Ministrisë së Drejtësisë – Bilbil Klosi, baxhanak i boshnjakut Ramiz Alia, i cili i sugjeroi babait tonë që të hiqte dorë nga këmbëngulja për pafajësinë e doktorit, sepse ishte rekomandimi i Komitetit të Partisë të Qarkut – Vlorë që ai “reaksionar” duhet të qëndronte në burg sepse paraqiste rrezikshmëri për interesat e Partisë.

“Fatkeqësisht” babai nuk u tregua i gatshëm për të plotësuar “rekomandimin”, ose më shqip urdhrin e Partisë, ai nuk i pranoi, as ndërhyrjet e disa personave me influencë në ministri, për këtë çështje. Pas dy rigjykimesh rresht në Gjykatën e Shkallës së I-rë Vlorë dhe me insistimin e vazhdueshëm të babait, deri për shkelje të të drejtave të njeriut, ai u lirua në sallën e gjyqit dhe për fat të keq tonin, ai me të dalë nga burgu ,shumë shpejt organizon një arratisje me gjithë familjen, nëpërmjet detit.

Pas këtij skandali, babai menjëherë u thirr në raport nga Ministri i Drejtësisë së asaj kohe, mostra Manol Konomi, komunist i lig dhe shumë i poshtër, për t’i shprehur se; “e gjithë kjo çështje që na turpëroi të gjithëve, biles edhe neve si Ministri, lëre pastaj si Organizatë Partie, rrodhi vetëm prej papjekurisë tënde politike, mungesën e besimit te Partia, për të mos thënë që e trajtove çështjen e Dr. Çupishtit, vetëm për të kundërshtuar Partinë me qëllim të keq, unë dëshiroj që të jetë një lapsus, se ‘përndrishe’, ti i di konsekuencat që të presin”.

– “Ti, – ju drejtua Manoli me gisht shumë i revoltuar, – sot e mbrapa duhet të kuptosh njëherë e mirë e përgjithmonë se, sugjerimet e Partisë qëndrojnë mbi ligjet e shkruara dhe mbi çdo gjë tjetër në këtë botë. A e kupton apo Jo”? Babai i shkretë pas këtij takimi me ministrin u çorodit fare, sepse kishte dëgjuar për Manol Konomin dhe Bilbil Klosin, që kishin mbaruar studimet për Drejtësi në Francë dhe mendoi menjëherë se si ishte e mundur të studioje në Perëndim për Drejtësi dhe ta përbuzje atë! “Si është e mundur të biesh aq poshtë”?
“Çudi… – Çudi…”!

Gabimi i tretë dhe i fundit i tij para se ta merrte “Ferra uratën”, ishte refuzimi për të parakaluar përpara tribunës qendrore me rastin e 1 Majit po të atij viti, duke brohoritur me entuziazëm për Partinë dhe shokun Enver. – “Unë mendova, thoshte ai – se si ne, trupi i Gjykatës së Lartë me pankarta e parulla, të parakalojmë përpara Enver Hoxhës, ku me siguri aty do të jenë edhe diplomatë të Përfaqësive të Huaja Diplomatike, duke thirrur ‘Rroftë Partia’, me këto veprime ne do t’ju tregojmë atyre, se jemi totalisht të politizuar, atëherë çfarë drejtësie do të japim”?!

– “Nuk i ‘imagjinoj’ dot këto veprime të jashtëligjshme, pse s’thoni që Drejtësia në Shqipëri ka marrë fund dhe kjo rrugë që po ndjekim, është një tragjedi kombëtare”? Që kur ndodhën këto tre raste, Manol Konomi dhe Bilbil Klosi, e shikonin baban tonë gjithë ironi, nënqeshnin me të dhe kjo donte të thoshte qartë se; “ke për ta parë edhe ti, se ç’ka për të të ndodhur, dhe atëherë do të na njohësh ne”.

Këto gabime të tij në vazhdimësi u konsideruan faje politike shumë të rënda dhe si rrjedhim ai nuk meritonte më të mbante poste të larta në sistemin e drejtësisë, për këtë duhet të mbante përgjegjësi dhe të dënohej, për t’u bërë shembull për të tjerët dhe të gjendeshin burimet nga ishte frymëzuar ai për këto qëndrime armiqësore. Kështu atë, fillimisht e flakën jashtë nga detyra, si i panevojshëm dhe i pandreqshëm për ta futur në rrugën e së ardhmes, që do të ishte ajo e asgjësimit të ngadaltë.

Siç e kam përmendur më lart, Enver Hoxha ishte shumë i njohuri i familjes tonë dhe shkaku i kësaj njohjeje me këtë “pleh”, ishte siç e kemi thënë, daiu ynë, apo kunati i babait, Esat Dishnica, i cili Enverin e konsideronte vëlla “binjak” e, si rrjedhim edhe nëna jonë e cila e idealizonte të vëllanë Esatin, natyrshëm për inerci edhe “mostrën” Enver, e konsideronte vëlla të dytë, kështu edhe babait tonë, nuk i mbetej gjë tjetër, veçse dhe ai ta respektonte “vëllanë e kunatit”.

Pas disa kohësh njohje të hershme me Enverin, marrëdhëniet tona familjare arritën në kufijtë konfidencial, hyrjet, daljet, drekat dhe darkat tek ne, ai i shpeshtoi. Lidhjet e Enverit me Esatin tani e prapa u forcuan edhe më tej, sepse ai u bë menaxheri më kryesor në biznesin e Esatit, në atë të Industrisë së duhan-cigareve dhe të tregtisë së sendeve ushqimore që ai tregtonte me shumicë dhe në këto aktivitete tregtare, fitimet ishin shumë të konsiderueshme.

Një koincidencë tjetër qe se Enveri ishte dhe kunati i Bahri Omarit, i cili veç shoqërisë së madhe që kishte me baban tonë, qëlloi edhe komshi tek katër apartamentet e bardha të italianëve, pas “Shallvareve”, kështu që hyrjet e daljet ndërmjet dy – familjeve u shpeshtuan, të dy motrat e Enverit, Fahrija – gruaja e Bahriut dhe Sanoja, mëngjes e pasdreke ishin bashkë me nënën tonë, duke pirë kafenë nëpër shtëpitë respektive.

Mesa duket nënës tonë për pakujdesi, apo për naivitet në këto ambiente tashmë familjare e miqësore, i kishte shpëtuar goja nëpër biseda, se Hiqmet Delvina, djali i xhaxhait të babait, ish – Kryetar Parlamenti dhe Ministër i Drejtësisë në kohën e Mbretit Zog i I-rë, kur u largua nga Shqipëria në 1939 me eskortën e Mbretit me gjithë familje, duke mos patur siguri për udhëtimin që do bënin për t’u “arratisur”, i lë babait tonë në “besë”, për ruajtje, një sasi të konsiderueshme monedhash ari, 20 – franga, ose siç i thonë “Napolona Ari”, për bela të kokës së tij dhe tonës.

Mesa duket kjo bisedë i shkon në vesh Enverit ekzakt, si ishte e vërteta. Për çudi pa kaluar shumë kohë, ai i thotë nënës tonë – “Dëgjo o Cime (kështu i thërrisnin nënës në familje), – i thuaj ti Neki Beut, që bën mirë të na dëgjojë, se jemi të mirë-informuar, që tradhtari Hiqmet Bej Delvina, i ka lënë një sasi të hollash në flori, të cilat do t’i shërbenin Lëvizjes Nacionalçlirimtare që po organizojmë, kështu po të na i japë ne këto para, ai do të mbetet për mirë në historinë e Kombit që po shkruhet”. Ky mesazh në formë të njëjtë, vazhdoi të na vinte prej tij edhe gjatë kohës kur ata dolën në mal, sepse këto vlera të atij “tradhtari” që ruante babai, do t’i shërbenin shumë luftës.

–“Po ky avaz, – thoshte nëna, – vazhdoi të më vinte edhe pas “çlirimit” prej tij, nëpërmjet motrës, Melit dhe vëllait, Esatit. Unë këtë çështje kur ia zura një herë Nekiut me shumë takt dhe pak si indirekt, biles duke mos e zënë në gojë Enverin, po njerëzit e Lëvizjes, që ‘nuk e di se nga e kanë marr vesh ata, që ne i kemi ato para’, ai reagoi menjëherë me shumë nervozitet kundër kësaj dëshire grabitëse të tyre”. Ai nuk mund ta konceptonte dot se me çfarë të drejte ata ndërhynin në çështje krejt private, të dëgjuara rreth e rrotull dhe për të ky ishte një “Banditizëm” i vërtetë.

Në vitin 1945, vjen i biri i Hiqmet Bej Delvinës, së bashku me nënën e tij, Inajetin, nga Firenze ku jetonin, për të marrë parat e lëna tek ne dhe të ktheheshin nga kishin ardhur. Ky udhëtim i tyre vajtje-ardhje në Itali për atë kohë ishte plotësisht i mundshëm, jo vetëm se këtu në Shqipëri ishin përfaqësuesit e aleatëve anglezë, amerikanë etj., por ne akoma nuk e kishim treguar fytyrën tonë të vërtetë terroriste, kriminale e tërësisht komuniste.

Akoma më të sigurtë e ndjenin veten, se ata tashmë kishin nënshtetësinë italiane dhe ishin pajisur me pasaporta të rregullta italiane, kështu që kurrë nuk e mendonin një ndalim të mundshëm për t’u rikthyer në Itali. Gjithashtu ja u largonte çdo dyshim që mund të mos e realizonin qëllimin e ardhjes, se ata pretendonin se paratë e tyre ishin plotësisht të pastra dhe nuk rridhnin nga ndonjë rrugë kriminale, ato para i takonin një familjeje të pasur e të vjetër dhe me pozita të larta shtetërore, për më tepër që ato i mbante në ruajtje një Anëtar i Gjykatës së Lartë, aktualisht në detyrë.

Kështu ata të mbështetur në logjikën dhe mendimet e mësipërme, erdhën të sigurtë më në fund në Shqipëri, direkt e në shtëpinë tonë. Doktor Dragushi kishte mbaruar për mjekësi në Bolonjë, ishte mjek i formuar por nuk e njihte fare situatën se çfarë kishte ndodhur në Shqipëri, natyrisht edhe e ëma Inajeti.

Ata menjëherë i paraqitën babait tonë dy letra, 1 – njëra autorizonte të dy ata (nënë e bir), të merrnin paratë e lëna te ne, dhe tjetra, 2 – ishte letra që babai ynë i kishte lëshuar Hiqmet Beut, kur i kish marrë paratë prej tij. Kjo letër u gris në prezencë të të tretëve dhe ata pasi numëruan paratë një më një, i lëshuan babait “letrën fatkeqe” të marrjes në dorëzim të shumës së parave, që i përgjigjej asaj letre që grisën. Kështu u mbyll kjo çështje, sipas të gjitha rregullave zyrtare.

Por pikërisht pas kësaj fillon tragjedia për dy familjet, nga pushteti komunist i asaj kohe, si për ata të dy fat-keqët, ashtu edhe për ne. Ngjarjet që vijuan nuk rrodhën sipas logjikës së drejtë njerëzore, por rrodhën sipas politikës komuniste të terrorit. Ata nuk u lejuan më të ktheheshin në Itali, krejt në mënyrë të jashtëligjshme me pretekstin se tashmë kishte ndryshuar situata politike. Memorie.al

“Me urdhër të Enver Hoxhës, gjeneral Dali Ndreu, me 3 korrik 1944, filloi aksionin kundër forcave zogiste”- Historia e panjohur e luftës civile në rrethin e Dibrës

Ukë Ramadan Cami lindi në vitin 1896, në Sepetovë, lagje e Tërbaçit, Komuna e Ostrenit, Dibër. Shtëpia e tij në afërsi të rrugëkalimeve për Strugë, Dibër, Gollobordë,  Grykë të Vogël e të Madhe, ishte gjithnjë e hapur për krerë dhe atdhetarë të lëvizjes kombëtare. Babai i tij, Ramadani, ishte luftëtar i vendosur për konstitucionin dhe ndër luftëtarët e parë për formimin e klubit “Bashkimi” të Dibrës. Si veprimtar i klubit, i mbështetur edhe nga Eqerem Cami, zhvilloi një aktivitet të dendur propagandistik në qytet e në malësi. Camët janë një familje e madhe, pari e Dibrës që shtrihet në fshatrat e Gjoricës, Viçishtit, Golovishtit, Sepetovës dhe në Dibër të Madhe.

KRESHNIKËT VULLNETARË NË “TOKAT E LIRUARA”!

Në Qarkun e Dibrës u formuan gjithsej 4 njësi kreshnike nën udhëheqjen e Ukë Camit, Azis Kaloshit, Ali Maliqit, Ramadan Hoxhës. Fushëveprimi i njësisë vullnetare që udhëhiqej nga Uke Cami, ishte shumë i gjerë, që përfshinte Gollobordën, Zhupën, Drimkollin dhe Galiçnikun. Meqenëse kishte përvojë të madhe ushtarake, me vendim të shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Komandës Kombëtare, Prenk Previzi, ai u avancua nga kapiten i klasit të parë, në gradën e majorit kreshnik

Ashtu sikurse parashihej në program, Qeveria Mitrovica në konsultim me Këshillin e Naltë të Regjencës, formoi një komision ndërministror, me detyrë që të bëj riorganizimin e xhandarmërisë shqiptare dhe formimin, përkatësisht organizimin e forcave ushtarake vullnetare (kreshnike). Rrjedhimisht, Komisioni, në mbledhjen e mbajtur më 7 janar 1944, miratoi projektin për formimin e reparteve vullnetare në Tokat e Liruara. Projekti parashikonte formimin e së paku një reparti vullnetarësh në çdo komunë (eventualisht dy apo tre), varësisht nga madhësia e komunës.

Repartet do të numëronin 100 vullnetarë të ndarë në tetëshe dhe toge. Për çdo repart, përkatësisht njësi do të caktohej nga një komandant, i cili duhej detyrimisht të ishte i drejtë, besnik, atdhetar dhe udhëheqës i mirë. Përveç kësaj, ai duhej të posedonte autoritet tek masat dhe ta kishte fituar besimin e vullnetarëve (kreshnikëve), që do të jenë nën varësinë e tij. Çdo e dyta apo e treta njësi, do të komandohej nga një oficer i lartë dhe me përvojë të mjaftueshme ushtarake. Organizimi i njësive kreshnike parashikohej të kryhej në dy faza: faza e parë organizimi i njësive në afërsi të linjës së demarkacionit, në një distancë prej 25-30 km., dhe; faza e dytë, organizimi i njësive më larg linjës së demarkacionit.

Komanda e Mbrojtjes Kombëtare, përmes një qarkoreje, urdhëronte prefekturat e Tokave të Liruara, përkatësisht atë të Dibrës, Prizrenit, Pejës, Prishtinës, Shkodrës dhe të Korçës, që të fillonin menjëherë me organizimin e njësive vullnetare. Në qarkore, veç tjerash thuhej: “…Në konsekuencë të këtij urdhni, luteni të urdhnohen Bashkitë dhe Komunat, të asaj Prefekture që, brenda datës 15 Fruer 1944, t’i paraqiten kësaj Komande listat emnore të meshkujve 33 deri 55 vjeç (1890-1910) të dallueme për çdo datë-lindje në lista të veçanta. Në listat emnore do të shënohet për çdo 100 vetë nji Kryetar Reparti, 50 veta nji nënkryetar, nji komandat skuadre nër 25 veta, tue zgjedhë ata persona qi kanë influencë e simpati në popullë, gjithashtu në listë do të shënohen armët dhe llojet e numrat e tyre e sasia e municionit si mbas modelit bashkangjitun …”!

Për rrjedhojë, në Qarkun e Dibrës u formuan gjithsej katër njësi kreshnike, nën udhëheqjen e Uke Camit, Azis Kaloshit, Ali Maliqit, Ramadan Hoxhës. Fushëveprimi i njësisë vullnetare që udhëhiqej nga Uke Cami, ishte shumë i gjerë, që përfshinte Gollobordën, Zhupën, Drimkollin dhe Galiçnikun. Meqenëse kishte përvojë të madhe ushtarake, me vendim të shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Komandës Kombëtare, gjeneral Prenk Pervizi, ai u avancua nga kapiten i klasit të parë, në gradën e majorit kreshnik. Ky avancim erdhi me propozim të Hysni Demës dhe Myftar Kaloshit, të cilët e çmonin lartë figurën e Ukes, ndikimi i të cilit, krahas Gollobordës dhe Zhupës, shtrihej edhe në Grykë të Madhe, Grykë të Vogël dhe në vetë qytetin e Dibrës. Përveç kësaj, ai mbante lidhje të ngushta miqësore me Ibrahim Biçakun, Azis Biçakun, Kadri Saliun, Shuaip Kamberi, Xhemë Gostivarin, Aqif Reçanin, Mefail Zajazin, Murat Labënishtin, Mentor Çokun e, me shumë figura tjera të shquara ushtarake e nacionaliste shqiptare të kohës.

Është për t’u theksuar fakti se, në qarkun e Dibrës, paralelisht me organizimin e formacioneve kreshnike, u shkua edhe në organizimin e xhandarmërisë, ku për komandant Qarku u zgjodh Myftar Kaloshi. Ky organizim u bë menjëherë pasi paria e Dibrës u kthye nga Tirana, ku pati takime të rëndësishme me Këshillin e Naltë të Regjencës dhe me kryeministrin Rexhep Mitrovica. Në takimin e zhvilluar me kryeministrin, paria e Dibrës, pasi e përshkroi gjendjen e përgjithshme të sigurisë në atë Qarkë, shprehi dëshirën që krahas njësive kreshnike të bëhet edhe organizimi, i së paku 2.000 xhandarëve shqiptarë, të pajisur me armë më moderne që i posedonte Komanda e Përgjithshme e Xhandarmërisë Shqiptare.

Lidhur me këtë, Rexhep Mitrovica, përmes një shkrese, kërkonte nga ministri i Punëve të Brendshme, Xhafer Deva, që të merret në shqyrtim kërkesa e parisë së Dibrës dhe në bashkëpunim me komandantin e përgjithshëm të xhandarmërisë; “të studiohet mundësia e plotësimit të kësaj kërkese”. Në letrën kthyese të Xhafer Devës, theksohet se regjistrimi i xhandarmërisë në krahinën e Dibrës, ishte paraparë me projektin e hartuar nga gjeneral Prenk Pervizi, dhe se kjo çështje “duhet të rregullohet në mënyrën si asht parashtrua për Shqipnin mbas nji planit”.

ZHVILLIMET USHTARAKE MAJ-GUSHT 1944

Organizimi i njësive kreshnike dhe i xhandarmërisë në Qarkun e Dibrës, mundësoi një stabilitet të përkohshëm, i cili nuk zgjati më shumë se deri nga mesi i muajit mars 1944, kur do të rifillojnë luftimet e ashpra midis forcave vullnetare e të xhandarmërisë shqiptare nga njëra anë dhe atyre komuniste jugosllavo-maqedonase, nga ana tjetër. Komandanti i përgjithshëm i xhandarmërisë shqiptare, kolonel Hysni Dema, në qershor të vitit 1944, i shkruante Prenk Pervizit, se: “Vullnetarët e Dibrës qysh prej tre muaj, janë tue luftue kundra çetave komuniste serbe, malazeze e bullgare, në rajonin e Dibrës, Debërcës e Zhupës, pa as më të voglin shpërblim. Kanë lënë familjet e tyne pa ndonjë ndihmë materiale dhe kanë mbetun zbathur, pse deri më sot nuk u asht dhanë as opinga…”!

Paraprakisht, me insistimin e të deleguarit të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Jugosllavisë, Svetozar Vukmanoviq – Tempo, qe formuar Komiteti Krahinor i Partisë Komuniste të Maqedonisë (PKM-së) për Pollog, Dibër, Rekë e Kërçovë, në të cilin u përfshinë edhe disa komunistë shqiptarë, si vëllezërit Agolli, Hamdi Dema, Lutfi Rusi etj. Në kuadër të atij komiteti vepronin disa aradha partizane maqedonase, të cilat bashkëvepronin me aradhën partizane të Haxhi Lleshit. Natyrisht, ky bashkëveprim, nuk e pati për synim luftën kundër gjermanëve, por asgjësimin e njësive kreshnike shqiptare, që etiketoheshin si “forca reaksionare”. Kjo provohet nga letrat e anëtarit të Shtabit Kryesor të LNÇM-së, Cvetko Uzunovski –Abas, dërguar më 18 maj 1944, Shtabit Kryesor të Ushtrisë Nacional-Çlirimtare të Shqipërisë, ku thuhej shprehimisht:

“Thyemja e reaksionit në Shqipninë e Mesme dhe në terrenin e Dibrës, Kërçovës, Strugës, Tetovës dhe Gostivarit, do të thotë me e izolu okupatorin gjerman dhe me e sulmue kur të duesh dhe si të duesh. Kjo do të thotë edhe më tutje: të krijosh kondita për me zhvillue luftën në Shqipninë e Veriut dhe në Kosovë, dhe lidhjen e Ushtrisë Nacional-Çlirimtare të Shqipnisë me Ushtrinë Nacional-Çlirimtare të Jugosllavisë…”!

Siç do të shohim në vazhdim, në ballë të forcave kreshnike shqiptare qëndronte majori kreshnik Uke Cami, i cili për më shumë se pesë muaj, do u bëj ballë forcave të shumta komuniste jugosllave, të cilat si strehë të tyre e kishin rajonin e Debërcës e të Drimiklollit. Prefekti i Dibrës, Abdi Golia, më 15 maj përcjelltë informatën e marrë nga majori kreshnik Uke Cami, i cili vinte në dukje se; “fuqia e tij asht ndeshun me komunistët në katundin Llokmë të N/Prefekturës së Strugës, ku ka mbetun nji i plagosun nga ana e Vullnetarëve tonë. Fuqija e Majorit Z. Uke, – vazhdon informata, – në pamundësi qëndrimi ndaj fuqisë superiore komuniste, asht tërhekun në katundin Selcë. Municjoni ju mungon dhe me shpejti kërkojnë fishekë…”.

Një ditë më pas, Prefektura e Peshkopisë, duke u mbështetur në njoftimin e Komandës së Rrethit, bënte me dije, se; “si mbas urdhrit të Komandës së Operacionit, Majori Kreshnik Z. Uke Cami, me nji fuqi Vullnetare ka shkue e zanë vend në kufinin e Debërcës, si dhe Shaqir Cami prej Trebishti në Malin e Steblevës”, dhe se “çetat (komuniste) mbas informatave që vijnë janë shpartallue e asnjë shenjë diktimi deri sot, nuk ndihet në kët Rreth…”. Luftime të ashpra u zhvilluan edhe në fshatin Galiçnik të Nënprefekturës së Rekës, ku sipas njoftimit të qarkokomandantit të Dibrës, Miftar Kaloshi, ishin vra tre xhandar shqiptarë dhe se fati i të tjerëve nuk dihej.

Nisur nga kjo, Miftar Kaloshi, kërkonte dërgimin e menjëhershëm të municionit, për të mund me ju përballue forcave komuniste jugosllave, pasi, sipas tij, ishte në rrezik edhe qendra e Radastushit. “Në rast se nuk ka me na dërguem municioni me shpejti, – thekson Kaloshi, – kjo Komandë nuk ka me pranue as nji përgjegjësi, mbasi trupat Vullnetare të Komanduem prej Z. Ali Maliqit, Uke Camit dhe Azis Kaloshit, kërkojnë me insistim e urgjencë municion”. Në këto rrethana, prefekti i Dibrës, Abdi Golia, më 16 maj 1944 i shoqëruar prej 150 vullnetarëve nga qyteti i Dibrës, udhëtoi për në Galiçnik dhe Gajre të Nënprefekturës së Rekës. Si rrjedhojë e këtij përforcimi, fuqitë vullnetare shqiptare, më 18 maj, ndërmorën një aksion të furishëm në fshatin Gajre kundër fuqive komuniste jugosllavo-maqedonase, me ç’rast këta të fundit pasi u thyen keqas, qenë detyruar të tërhiqen në drejtim të Karaormanit, rajoni i Debërcës, duke lërë 13 ushtarë të vrarë.

Nga fuqitë vullnetare shqiptare janë vra: Hajdar Spata, Ali Karaj nga fshati Blliçe dhe Met Veseli, Avdi Shini dhe Sadik Shehi, nga fshati Cetush. Ndërkohë, me kërkesën e Qark-komandantit të Dibrës, Miftar Kaloshi, më 4 qershor 1944, togeri i xhandarmërisë shqiptare, Mahmut Previzi, me një fuqi prej 50-60 vetash “gjindarmë e vullnetarë”, u shkoi në ndihmë “fuqive vullnetare të Majorit Uke Camit e tjerë”, duke u futur në veprim për ndjekjen e formacioneve komuniste jugosllavo-maqedonase, në krahun e Koxhaxhikut, rajon i Dibrës së Madhe. Për rrjedhojë, forcat vullnetare shqiptare të udhëhequr nga Uke Cami dhe Mahmut Previzi, arritën ta marrin Koxhaxhikun, duke e detyruar armikun të tërhiqet në drejtim të Debërcës. Lidhur me këtë, prefekti i Dibrës më 9 qershor, shkruante: “Ju parashtrohet se, mbramë fuqia civile e Uke Camit së bashku me detashmentin e Gjindarmeris këtushme dhe atë të Zerqanit, hynë në Koxhaxhik, mbas nji luftimi të shkurtun. – Komunistët që në numër kan qenë afër 50-60 veta, të përbamun krejtësisht prej popullsisë së Debërcës, janë largue në drejtim të brendis së Debërcës tue lirue dhe katundin Novak, pa ndonjë luftim…! Nga fuqia e Uke Camit, ka mbetun i vramë vetëm Sejfo Meta, prej Lladamerice”.

Për dallim nga Koxhaxhiku dhe Gajrja, fuqitë vullnetare shqiptare në fshatin Llokme, nën komandën e Uke Camit, Ali Maliqit, dhe Aziz Kaloshit, siç njoftonte Qark-Komanda e Xhandarmërisë së Dibrës, përkundër përpjekjeve nuk arritën t’u bëjnë ballë njësive të shumta komuniste jugosllavo-maqedonase, duke u detyruar të tërhiqen në drejtim të Dibrës së Madhe. Ndërkohë, luftimet në rajonin e Zhupës, Gollobordës e të Rekës, do të vazhdojnë edhe gjatë muajve korrik-gusht 1944, ku forcat vullnetare shqiptare të Uke Camit, të ndihmuara edhe nga ato të Ali Maliqit dhe Azis Kaloshit, do të zhvillojnë me dhjetëra beteja kundër forcave të shumta komuniste jugosllavo-maqedonase të cilave më vonë do u shkojnë në ndihmë njësitë komuniste shqiptare nën udhëheqjen e Haxhi Lleshit, Mehmet Shehut dhe të Esat Ndreut. Bashkëveprimi i njësive komuniste shqiptare-jugosllave, erdhi në fillim të muajit korrik, përkatësisht menjëherë pasi Enver Hoxha i shkruante SHK të LNÇM-së, se; zhvillimet ushtarake kundër forcave nacionaliste shqiptare në rajonin e Dibrës, Peshkopisë, Librazhdit, Strugës, Kërçovës, Gostivarit e Tetovës, duhet të ishin të kombinuara dhe të përbashkëta.

“Kemi bindjen, – shkruante Hoxha, – se ndërmarrjet e përbashkëta do të japin rezultate të mira, do t’i japin nji hov të ri luftës në atë sektor, do të mobilizojnë popullin e atyre krahinave rreth frontit nacional çlirimtar të Jugosllavisë dhe të Shqipërisë dhe këto veprime të përbashkëta do të kenë reperkusione të thella në Kosovë, ku do të hapen perspektiva lufte të gjëra dhe pjesëmarrje më aktive në luftë të popujve të Kosovës, në frontin nacional çlirimtar tuajin dhe në ushtrinë Glorioze të popujve të Jugosllavisë, e udhëhequr me aq brio prej komandantit t’uaj të madh, Mareshalit Tito”.

ASGJËSIMI I FORCAVE ZOGISTE

Rrjedhimisht, komandanti i Korparmatës së I-rë të UNÇSH-së, Dali Ndreu, me 3 korrik 1944, urdhëronte ndërmerrjen e një aksioni në mbarë krahinën e Dibrës, për, siç do të shprehet, “asgjësimin e forcave zogiste”, përkatësisht, nacionaliste nën udhëheqjen e Hysni Demës, Ismail Demës, Uke Camit etj, duke i goditur të njëjtat nga të tri anët nëpërmjet njësive të Divizionit I-rë Sulmuese të Forcave Nacional-Çlirimtare të Shqipërisë. Po në këtë frymë, shprehet edhe Enver Hoxha, i cili më 6 korrik urdhëroi Mehmet Shehun, që “krerët e Dibrës të goditen me ashpërsi”.

Menjëherë batalioni partizan i Dibrës, nën komandën e Esat Ndreut, me mbështetje edhe të Faik Shehut, po atë ditë sulmoi forcat nacionaliste e ato të xhandarmërisë shqiptare të Homeshit e të Peshkopisë dhe i morën këto qendra, ndërsa forcat e xhandarmërisë, mbas një qëndrese të vogël, u larguan duke lënë mjaftë të vrarë e të plagosur. Ndërmjet të vrarëve e të plagosurve, ishte edhe komandanti i xhandarmërisë së Dibrës së Madhe, Myftar Kaloshi.

Më 4 korrik 1944, Komanda e Xhandarmërisë së Dibrës, njoftonte se një çetë komuniste që përbëhej prej 500-600 vetash, nën udhëheqjen e Mehmet Shehut, Haxhi Lleshit dhe Kadri Hazis Hoxhës, pasi janë detyruar ta lënë Mokrën, futen në fshatin Qarisht dhe lagjen “Kosharisht” të Letmit në rajonin e Librazhdit, duke u ndeshur me forcat e majorit kreshnik, Hazis Biçakut. Më tej në informatë thuhet se forcat komuniste shqiptare, pasi janë thyer keqas, duke lërë shumë të vrarë, plagosur e të zënë rob, detyrohen të tërhiqen në drejtim të fshatit Steblevë, ku bëjnë “nji përpjekje me fuqinë e Postës Klenjës dhe me disa vullnetarë civilë të pakët, mbasi shumica e vullnetarëve, qysh ma para ndodhej në ndjekje në Koxhaxhik të rajonit Rrethit Qendrës Dibër, të bashkuem me Majorin kreshnik Z. Uke Camit, dhe kështu në këtë përpjekje prej ma se dy orë luftimi, kanë mbet të vramë dy Vullnetarë Civila prej Katundit Steblevë, si dhe nji Vullnetar i plagosun, mbasi Komunistët kan qenë ma shumë në numër…”.

Ndërkohë, Qark-Komanda e Xhandarmërisë së Elbasanit, më 13 korrik 1944, informonte Ministrinë e Punëve të Brendshme, se; “nji fuqi komunistë e për bame aproksimativisht prej 3000, vetash, në vendin e quejtun Gryka Ostrenit, jan tue luftue me fuqit Vullnetare të Uke Camit nga Golloborda. Fuqia Vullnetare Nacionaliste nga Lindja e Ostrenit. Luftimet bahen të rrebta”. Duhet theksuar se një pjesë e fuqisë vullnetare të Uke Camit vazhdonte të qëndronte në rajonin e Koxhahikut, duke zhvilluar luftime të përditshme me forcat komuniste jugosllavo-maqedonase. Në fillim të muajit korrik 1944, luftimet midis forcave vullnetare shqiptare dhe atyre komuniste jugosllavo-maqedonase, do të shtriheshin edhe në vetë qytetin e Dibrës.

Lidhur me këtë, komandanti i përgjithshëm i operacionit për Qarkun e Dibrës, kolonel Hysni Dema, më 4 korrik 1944, i raportonte Këshillit të Naltë të Regjencës, Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Komandës së Mbrojtjes Kombëtare, se një ditë para, herët në mëngjes, “nji fuqi Komuniste e përbame prej Bullgarësh, Serbë, Maqedonas e Malazes, mësyen qytetin e Dibrës, duke zbrit prej malit qytetit Dibrës, të ardhun nga Meliçani, Kosovrasiti e Gajre”. Më tej në raport theksohej se numri i asaj fuqie armike, shkonte nga 600 deri më 700 vetë, të cilët “ishin t’armatosun me mitraloza të rënda, mortaja (të lehta e të rënda) e gati të gjithë me pushkë automatike”.

Mirëpo, pas një ndërhyrje të shpejtë të xhandarmërisë shqiptare, e të forcave vullnetare të Ali Maliqit e të Fuat Dines, njësitë komuniste jugosllave u detyruan të tërhiqen në drejtim të Rajçicës, Elevcit dhe Meliçanit, duke lërë mbi 100 të vrarë e, një numër të madh të plagosurve. Nga ana shqiptare pati 31 të vrarë dhe 16 të plagosur. Në mesin e të vrarëve, qe edhe kapiteni i klasit të I-rë, Kadri Shehu, si dhe dhjetë civil.

Është për t’u theksuar se gjatë muajit korrik 1944, qyteti i Peshkopisë herë merrej nga njëra palë e, herë nga pala tjetër. Kështu, më 13 korrik, ajo u mor nga njësitë partizane, ndërsa dy ditë më vonë, pas një kundërsulmi të shpejtë nga njësitë e Halil Alisë, Hysni Demës etj, komunistët shqiptar u detyruan të tërhiqen nga qyteti, për t’u vendosur në Fushë Alie. Përderisa në Dibër të Poshtme zhvilloheshin luftime të ashpra midis njësive nacionaliste shqiptare dhe të FNÇSh-së, në anën tjetër, ShK i LNÇJ-së për Maqedoni, urdhëroi njësitë e Brigadës I-rë maqedonase dhe Brigadës I-rë kosovare, që më datë 19 korrik 1944, sërish ta sulmojnë qytetin e Dibrës. Mirëpo, pas luftimeve të përgjakshme, të cilat zgjatën plot katër orë, njësitë vullnetare shqiptare, të ndihmuar edhe nga xhandarmëria, edhe kësaj radhe arritën ta përballojnë sulmin, dhe pas një kundërsulmi të shpejtë, e detyruan armikun të tërhiqet në drejtim të Karaormanit.

Dështimet e njëpasnjëshme të forcave të koalicionit komunist për marrjen e krahinës së Dibrës, i shtynë udhëheqjet aleate jugosllave-shqiptare, për hartimin e një strategjie të re. Për këtë qëllim, ata krijuan shtabin e përbashkët operativ në përbërje: Video Smilevski – “Bato” (një shqiptar ortodoks i maqedonizuar, nga Reka e Epërme), Petar Brajoviq, të cilët përfaqësonin ShK të LNÇJ-së për Maqedoni, ndërsa ShK të UNÇ-së e përfaqësonin, Dali Ndreu dhe Mehmet Shehu. Pasi u bënë të gjitha parapërgatitjen e nevojshme, më 1 gusht 1944, njësitë e koalicionit në kuadër të së cilës u përfshinë: Brigada I-rë, IV-ët dhe V-të shqiptare, Brigada I-rë maqedonase dhe Brigada I-rë kosovare, sulmuan sërish Dibrën e Madhe, mirëpo pa ndonjë sukses, për arsye se ata hasën në një rezistencë të fuqishme nga njësitë vullnetare nacionaliste e, të xhandarmërisë shqiptare.

Është me rëndësi të theksohet se përkundër qëndresës së madhe të forcave nacionaliste në mbrojtje të Dibrës nga ripushtimi jugosllav, parë në përgjithësi, morali i ushtarëve kreshnik kishte ra dukshëm që nga muaji qershor 1944. Kjo shihet në raportin e Qark-komandës së xhandarmërisë së Dibrës, për muajin qershor 1944, ku thuhet: “Në këto ditë të fundit gjendja politike në përgjithësi shihet si e errët. Aktiviteti politik i popullsisë Katundare Nacionaliste, vjen dita ditës të pakësohet, për arsye se: Çeta Komuniste ç’faqen e lëvizin ndër vende të ndryshme të Prefekturës dhe për mungesë fuqie Ushtarake e vullnetare, nuk ka qen e mundun luftimi i tyne siç dihet, natyrisht si konsekuencë ka shkaktue influencimin e propagandës Komuniste…”! Memorie.al

Tradhtarët Enver Hoxha e Ramiz Alia na nxorën nga Europa…- PREJ LIBRIT  FRITZ RADOVANIT: PJESA III

 

Melbourne 2010

 

Ua kushtoj të Parëve të mi,

Ejëllorëve (ose Radovanve) të vjetër,

dhe Gurakuqëve po aq Atdhetarë,

 

që menduen, punuen e u salvuen

për Shqipninë Europjane të

Gjergj Kastriotit – Skenderbeut!

 

                                                     Autori

Melbourne, Gusht 2010.

 

Redaktor: Daniel Gàzulli. 2010.

 

 

III.BURRI  I  FJALËS  DHE  I  VEPRAVE CAFO  BEG  ULQINI

CAFO BEG ULQINI

Kur veriu i ftohët i Stom Golemit përshkohej nëpër rrugën Rus, apo murrlani i Rrencit vinte e shkapetej tek Dugajtë e Reja të Shkodrës për gjoksin e Burrit të njohun Cafo Begut, gjithënjë kam pasë përshtypjen se të dy kthehëshin mbrapsht…

E njoha të moshuem, aty nga vitet 1961 – 62, kur çeli dyqanin e cigareshitësit. Ishte plotësisht i thijun, me krejt flokët të bardhë, që i jepnin një hijeshi Burri, por trupi i madh sportiv, gjithmonë i mbajtun dhe i kërpitun, i veshun me palldysy ngjyrë qumështi, apo kostume kafe e krem, të tërhiqte në çast vëmendjen. Ishte mjaft i pashëm, me sy shqipojë, gjithmonë vrojtues, nofulla të gjana, që ngërthehëshin kur nxirnin çdo tingull të ambël të fjalës së Tij joshëse. Për pak kohë shihej se edhe klientët që hynin në dyqanin e Tij ishin të zgjedhun…

Cafo Begu kishte një histori interesante të jetës së Tij. Ai jetonte tek disa miqë të tij, dikund kah stadiumi. Nuk kishte familje as të afërm, mbasi ishte detyrue me i lanë në anën e Jugosllavisë, që në ditët e para mbas luftës së Dytë Botnore, kur andej e këndej në pushtet erdhën komunistët. Në Shqipni kërkohej se kishte kenë Anëtar i katërshes së Regjencës në periudhën e pushtimit gjerman, me Maliq Beg Bushatin, At Anton Harapin dhe Lef Nosin. Ndërsa nga jugosllavët paguhej me napolona ar kryet e Tij, mbasi kishte deklarue botnisht se: “Trojet e mija janë Tokë Shqiptare!”.

Kjo deklaratë nuk ishte thjeshtë e një pronari apo çifligari tokash, po ishte: “Një shtytje ma andej e atyne piramidave të vume paderjtsisht në vitit 1913, në Tokën Shqiptare!”

Me largimin e trupave gjermane kishte shkue në trojet e veta dhe aty ishte strehue, madje, edhe ruejtë kryet ndër miqë e besnikë të vet. Kishte provue jetën e shpellave, gropave, të skamit dhe të vuejtjes për disa vite, deri me rastin e amnistisë së bame për faljen e jetës së atyne që dorëzohën në Shqipni, dhe që nuk do të dënoheshin me vdekje nga gjykatat komuniste. Kishte kalue hetuesitë speciale dhe ishte dënue me shumë vite burg, i përfshimë në nenët e “krimeve të luftës”. Mbasi u lirue, erdhi në Shkodër.

Në vitin 1968 u njoha ma afër me Té. Ai më tregoi se kishte njohë edhe babën tim dhe se kishte pasë edhe ky hobi për hipizëm. Kishte disa foto ndër plantacionët e veta me kuaj. Ruente si relike fotografi të grues së vet dhe të vajzave, të para vitit 1945.

Në dhjetorin e vitit 1968, hapi bisedën për At Anton Harapin: “Asht kenë një dhe nuk bahen dy si Ai!”. Në vitin 1944, kur At Antoni, aty nga fundi i nandorit, po këthehej nga Gjermania mbas një takimi me Hitlerin, ishte ndalue në Podgoricë, dhe në një hotel ai asht takue me komandantin e trupave gjermane që po largoheshin nga Shkodra, Komandanti gjerman e kishte njoftue At Antonin për largimin nga Shqipnia dhe e kishte ftue me ikë edhe ky me ata, tue i sigurue që do ta çonin ku do të dëshronte vetë At Antoni, për mos me ra në duert e komunistëve, të cilët, me 28 Nandor do të hynin në Shkodër.

At Antoni nuk ka pranue me u largue nga Shqipnia dhe, po t’ishte nevoja, do të pranonte edhe vdekjen, për të cilën ai vetë nuk dinte shkak. Por kishte kërkue nga gjenerali gjerman, largimin e trupave të fundit të ushtrisë gjermane me datën 29 Nandor 1944, dhe jo me 28, si kishin planifikue ata, mbasi i kishte shpjegue që, “nuk asht mirë me na njollosë  Ditën e Flamurit dhe të Pavarsisë me ditën e pushtimit komunist të Atdheut!”. Komanda gjermane e ka pranue kërkesën e At Antonit dhe ushtarët e fundit gjermanë janë largue nga Shkodra në mengjesin e datës 29 Nandor. Për këtë veprim At Antoni kishte vue në dijeni atë natë edhe Cafo Begun. Të nesërmen ishte nisë për Shkodër, ndonse edhe Cafo Begu e kishte ftue me qendrue aty ku do të strehohej ky vetë, por as Cafo Begut Ai nuk i kishte pranue me qendrue andej mbasi “nesër kanë me thanë, paska shkue At Antoni me ruejtë kryet tek serbët…”.

Cafo Begu e përfundonte bisedën me një konkluzion:

“Shërbimi i At Antonit për mosnjollosjen e Ditës së Madhe të Flamurit, asht shërbimi ma i madh që një Atdhetar si At Anton Harapi mundej me i ba Atdheut të vet. Ka me ardhë një kohë që për këte vepër Ai do të zanë vendin që meriton!”.

Në vitin 1995, këtë fakt historik unë e kam bisedue me At Kondrad Gjolaj, kur ky po më tregonte sesi asht tradhëtue At Antoni nga një kushri i tij shirokas (L.B.), kur ai (L.B.) asht mbajtë në Sigurimin e Shkodrës dhe asht shtërngue nga frika dhe torturat me tregue se ku ishte strehue At Antoni, pse dyshohej që ky mund ta kishte nxjerrë nëpër liqe dhe ta kishte çue aty ku mund t’ishte edhe Cafo Begu, ndër trojet e veta. Atëherë forcat e Ndjekjes kanë shkue në Dukagjin dhe e kanë arrestue At Antonin. Mënyrat tjera At Kondradi nuk i pranonte, madje i quante trillime të Sigurimit.

Edhe At Kondradi e dinte ndryshimin e datës së largimit të trupave gjermane, me 29 Nandor 1944, mbasi ato ditë ky ishte kenë në Kuvendin Françeskan, ku kishte pak ushtarë gjermanë dhe mjaft nga njerëzit e politikës që po kalonin ditët e fundit aty n’atë vend derisa ikën.

Dhe ja si e shpjegon në librin “Çinarët”, faqe 70: “Gjermanët, për mos me njollosë festën e Flamurit me ditën e ardhjes së “çlirimtarëve” në Shkoder, lëshuene këtë qytet të fundit me datën 29 Nandor 1944. Partizanët “çlirimtarë” zbritën prej “malëve” të Bardhejve, Shtojt, Postrribës e përbrij Shkodres dhe hynë në qytet në orët e para të mengjesit. …Në drekë morëm vesht se një treçikël me tre gjermanë, rreth orës 11 paradite, kishte kalue nëpër Fushën e Qelës dhe kishte marrë drejtimin e rrugës së Koplikut. Kështu ikën edhe gjermanët e fundit

Në fjalorin enciklopedik të Akademisë së Shkencave të Tiranës, botue në vitin 1980, faqe 197, 262, 1019, 1049 etj. shkruhët: “Dita e çlirimit = 29 Nëntori….”Po ku ishin këta “shokët” akademikë, dr. profesorë e mashtrues të historisë që për gati 50 vjet, njohtën 29 nandorin 1944, ndërsa mbas vitit 1991, “heshtën” sëpse Kuvendi Popullor, tue ndryshue datën e tue e kthye me 28, Kuvendi Popullor po realizonte andrrën e komunistëve…

Sigurisht, tue pasë parashikue se shpejt Populli Shqiptar do të fshinte nga memoria e vet historike këte ditë robnije, i dolën punës para dhe u kthyen tek andrra e vjetër: “me përjetësue ditën e çlirimit” tue njollosë Festën e Flamurit, 28 Nandorin e 1912!…

Ky asht edhe një tjetër turp i pashembullt në fallsifikimin e Historisë së Lavdishme të Popullit Shqiptar.

Fallsifikatorët e historisë së Shqipnisë mbesin bijtë e pandreqshëm të baballarëve të vet! A nuk ju dalin boll miljonat e dollarëve që po mbushni xhepat, po doni me mbushë edhe faqet e historisë me gënjeshtra, shpifje e mashtrime? Deri kur kështu?

Më thonte i ndjeri Cafo Beg: “Kaq shumë kanë rrejtë komunistat, sa vërej tashti në 1974, se tue lexue dokumentat historike të botueme në këta 30 vjet, e tham sinqerisht, nuk gjej asnjë fakt historik të shkruem pa fallsifikime dhe shtremnime, madje, as edhe vetë aktin e Pavarësisë në Vlonë me 28 Nandor 1912, até që kanë botue “këta’…!”.

 

 

 

PARTIA KOMUNISTE SHQIPTARE ASHT TRADHËTARE

E ATDHEUT  DHE  E  POPULLIT SHQIPTAR

Rraja e komunizmit duhet kerkue në idetë e klasikëve të tij.

Një porosi tjetër e Marksit, drejtue Kongresit të Berlinit  në 1878: “Arnautët (Shqiptarët)…përsa i njohim, janë pak të përgatitun për t’ u qytetnue. Primja e tyne grabitqare duhet t’a detyrojë çdo qeveri fqinje t’i mbajë ata nën trysni të rreptë ushtarake, përderisa përparimi industrial në vendet fqinjë të mos u sigurojë punë atyne, si p.sh. dru-prerës dhe ujë-bartës.” Nuk mund të mohohet fakti se gadishullin e quejti “Turqi Europjane”. “…Rivalë të sllavëve janë vetem barbarët arnautë dhe turqit, të cilët prej kohësh quheshin dendur si kundërshtarët ma të egjër të qytetnimit e të përparimit…” (M.Mali, publicistikë, 2010. USA)

Ky mentalitet me të vertet racist i krijuesit të materializmit dialektik zuni vend në trunin e “shokut” Tito, i cili, tue u bazue në teori të Marksit, që Arnautët me kenë se janë me “primje grabitqare” duhen mbajtë nën trysni të rreptë “nga vendet fqinjë”, i vuni detyrë vetës ate që ishte prej kohësh me interes për shovenistët jugosllavë, me mbajtë Popullin Shqiptar “nën trysninë” e tyne. Se ku e kishte gjetë “shoku” Marks të shkrueme se Shqiptarët janë kundershtarë të qytetnimit dhe të përparimit nuk e di… Di vetëm një fakt, se mbi bazen e këtij citati Tito dërgoi emisarët e tij, që me 8 nandor 1941 themeluen Partinë Komuniste Shqiptare, me të gjitha tiparet bolshevike staliniste, tue ruejtë në themel porositë e Marksit. Për me kenë të saktë me parimin e Marksit, se gadishulli i Ballkanit asht edhe “Turqia Europjane”, ata zgjodhën edhe drejtuesin e kësaj partie një injorant anadollak, që do t’ ju shërbente atyne besnikrisht, Enver Hoxhën, që ishte edhe karrierist i pacipë, por edhe terrorist i njohun që në kabaretë e masonistëve francezë. Në formimin e tij ai plotsonte të gjitha kushtet e një drejtuesi të partisë komuniste, tue fillue tek prejardhja e tij, mungesa e kulturës, megallomania, pabesia, karrierizmi, lufta e pamëshirshme për kolltuk, tradhëtia e shokut, plaçkitja e pronës, paburrnia dhe tradhëtia e Atdheut, që për një komunist mbetet parim bazë qysh në organizimin e tij në atë parti. Ajo që një komunist e ban të “pranueshëm” në parti asht përkushtimi i tij në shërbim të sigurimit të shtetit bolshevik, ku jep provat e spijunllekut dhe të kriminalitetit të vet. Të gjitha këta kushte Enver Hoxha i plotësonte dhe mbas një kohe shumë të shkurtë shkon edhe mysafir tek Tito në Beograd e te Stalini në Kremlin. Me siguri, ndër këto vizita, si Tito, si Stalini, duhet të kenë konstatue ndonjë “cilësi” personale të Enver Hoxhës, e mbetun nga e kaluemja e tij “rinore”, mbasi në protokollin e pritjes së Nikita S. Hrushovit, më 1959 në Tiranë, Hrushovi, porsa zbriti nga avioni dhe u afrue tek podi i mikrofonit me përshëndetë popullin që kishte shkue në Rinas me i urue “mirëseardhjen”, i tha: “Nuk po e heqë kapelen, se këtu asht dielli i fortë, mandej tek ju flitet edhe me kapelë në kokë, se ju jeni popull musliman…”. Unë po shkruej ate që kam ndigjue me veshtë e mi se ba me shkrue se çfarë ka shkrue ai në kujtimet e tij…për udhëheqësit e partisë sonë, jam i sigurtë se edhe Marksit nuk i ka shkue mendja se në trupin e kujt do të zanë vend “tesera” e partisë komuniste “marksiste”…

Të gjitha veprimet e Enver Hoxhës përputhen me politikën e të gjitha vendeve komuniste që luftonin në Europë, por e veçanta e partisë komuniste shqiptare ishte se, mbas “fitores” mbi nazizmin, na ishim vendi  i vetëm që nuk u quejtëm Shtet i pavarun “demokratik” etj., epitete të cilat ua vune “demokracive” popullore të vendeve të Lindjes komuniste, ndërsa nga pushtimi fashist e nazist Shqipnia kaloi nën pushtimin e ri komunist bolshevik të Jugosllavisë së Titos, tue ndrrue zgjedhën e robnisë me këte që i kishte mbetë pa provue ndër njëzet shekuj… Historikisht vet Tito e kishte gjetë formulën e pushtimit, mbasi askush nuk mund ta akuzonte se ai ka aneksue një tjetër “republikë të shtatë”, mbasi dihej prej të gjithëve ajo që nuk dihej vetem prej nesh: “Ishte Jalta e shkurtit 1945, ku Ruzvelti i dhuroi Titos, për hir të Stalinit, gjysën e Ballkanit…” Shqipnia e quejti vetën Republikë “demokratike” që ishte e kontrollueme nga Jugosllavia dhe si figurë “drejtuese” e qeverisë ishte Enver Hoxha, që i sherbente ma mire se me ardhë vetë Tito në Tiranë…

Shqipnia ishte ndër të paktat shtete që nuk u çlirue as nga forcat e Aleatëve dhe as nga Ushtria e Kuqe e Stalinit. Asnjë ushtar jugosllav apo grek nuk asht vra për çlirimin e një fshati në Shqipni. Vetë Ruzvelti ka deklarue se çlirimi i Ballkanit “nuk asht detyrë e jona”…Kur Ushtria e Kuqe çliroi edhe Jugosllavinë, forcat gjermane ishin largue nga vendi ynë atëherë, pse Shqipnia, i vetmi vend në Europë që po i themi se u “çlirue” nga vetë shqiptarët, mbas tërheqjes së forcave gjermane, nuk u la si shtet i pavarun, por iu aneksue Jugosllavisë komuniste bolshevike? Edhe një sqarim i nevojshëm duhet theksue, se gjatë pushtimit italian dhe gjerman, asnjë ushtar shqiptar nuk asht kenë pushtues i huej.

Përkundrazi, ushtarët dhe “komandantët” partizanë shqiptarë që janë kenë në Kosovë, apo që kanë kalue në Veri nga Hoti në drejtim të Podgoricës dhe Tivarit, me brigadën e formueme në Shkodër me datën 29 nandor 1944, me qellim me çlirue Tokat Shqiptare e, që në të gjithë tekstet e “historisë” shkruhet: “Kalimi i divizioneve tona në Veri për çlirimin e ‘tokave’ të Jugosllavisë”, tregon qartë marëveshjen e fshehtë të asaj kohë mes Titos dhe Enver Hoxhës, që Tokat Shqiptare për të cilat bahet fjalë ndër tekste, ishin cilësue “toka të Jugosllavisë” pa u “çlirue” ende, kur të gjitha ishin shqiptare dhe të banueme edhe sot nga shqiptarët, dëshmi që e kam edhe nga daja im, Mikel Pjeter Prennushi, ish oficer akademist në Itali, që asht mobilizue nga forcat partizane me shumë oficerë të tjerë të kohës së pushtimit. Ndërsa për veprimtarinë tradhëtare të Ramiz Alisë, Haxhi Lleshit, Fadil Hoxhës, Shefqet Peçit, Rahman Perllakut etj., me forcat çlirimtare të Kosovës, tue i lanë pre në pabesi të forcave jugosllave, tashma dihen nga të gjithë, edhe pse në Kosovë ende kjo tradhëti që u asht ba kosovarve, nuk kërkohet me u shpallë botnisht, kur dihet se mija e mija prej djemëve të tyne u morën në Kukës e nuk mërrijti as gjysa e tyne në Tivar, ku edhe ajo pjesë e vogël kosovarësh që pat teprue rrugës, iu dorzuen “druzhe” Titos me u masakrue dhe me ushqye peshqit e Adriatikut në brigje të Tivarit.

Anglezi A. Glen, shkruen: “… Ato që i përcaktuan ngjarjet kanë qenë armët, të cilat iu dhanë Enver Hoxhës, e partizanëve… Na bëmë shumë pak me u shpërblye besnikrinë miqve tanë (nacionalistëve e Abaz Kupit). Në vend të kësaj, pa qenë nevoja na lejuam që ata të mundëshin dhe disa të tradhëtoheshin.” (“Albania’s National Liberation Struggle” fq. 363).

Besoj se asht thanë e shkrue padoreza e vërteta e atyne viteve të zeza, me të cilat mburreshin “komandantët e brigadave tona partizane”, kur donin me tregue “burrërinë e tyre komuniste”. Asht fatkeqësi e madhe për Popullin Shqiptar, i cili i ka besue dhe vazhdon me i besue tradhëtisë që aleatët i kanë ba jo, vetem gjatë luftës por, edhe mbas luftës. Këte fakt historik sot na e kemi të gjallë me qendrimin që ata mbajnë ndaj komunistëve dhe bijve të tyne, tue ua sigurue edhe “pushtetin” për t’ ardhmen..

Për mue ma i sinqerti asht Lokharti, i cili po aty shkruen: “Shqipëria është në fund të listës për prioritetët tona në Evropë”( fq 68). Aty asht e shkrueme edhe një porosi e dhanun prej tyne në vitin 1943:“Shërbimi më i madh që mund t’i bëni armikut në vendin tuaj, është që të nisni … një luftë civile “. Edhe këte e kemi ba! ..Kjo tradhëti e Enver Hoxhës dhe e Ramiz Alisë, bashkë me të tjerë pasues “heroj të popullit”, ndaj forcave  tona nacionaliste çlirimtare dhe lanja nën robninë komuniste e Trojeve tona në Kosovë, Hot, Grudë, Ulqin dhe Tivar, bashkë me të gjithë Popullin Shqiptar, këndej e andej kufinit, në dorën e neoshovinistëve komunistë jugosllavë të Titos, as kjo nuk asht tradhëti ndaj Atdheut dhe Popullit Shqiptar..?

Veprimet e komunistëve shqiptarë gjithnjë janë pasue me lufta, tradhëti, vrasje, plaçkitje, burgosje, internime ose e thanun ma shqip “me vllavrasje”…e, kjo, sot dëshmohet në të gjitha trojet shqiptare, ku ende sot nuk vendoset as drejtësia, as paqa

As kjo nuk asht tradhëti e Enver Hoxhës dhe Ramiz Alisë, thonë ata..?

 

Shenim F.RADOVANI: Vazhdon Pjesa IV

Melbourne, 1 Mars 2026.

 CAFO BEG ULQINI (1893 – 1977)

“Sabiha, duhet ta qepësh gojën”, këshilla që Nako Spiru i dha para vrasjes! Vendimi i Enver Hoxhës më 1951

Më 26 shkurt 1951, në një nga netët më të errëta të historisë së pasluftës shqiptare, u pushkatua pa gjyq shkencëtarja e shquar shqiptare, Sabiha Kasimati.

 

Ishte vetëm 39 vjeç. E vetmja grua në listën e 22 intelektualëve të dënuar me vdekje pas incidentit të bombës në ambasadën sovjetike në Tiranë. U ekzekutua pranë urës së Beshirit dhe u hodh në një varr të përbashkët, si për t’u zhdukur jo vetëm trupi, por edhe kujtesa. Sot, 75 vjet më pas, emri i saj është rikthyer si simbol i dijes së vrarë dhe i dinjitetit që nuk u përkul. E lindur në Edirne më 1912, vajza e një mjeku shqiptar, Sabiha u rrit në një familje ku kultura shqiptare dhe ajo evropiane bashkëjetonin natyrshëm. Kur familja u kthye në atdhe, ajo u bë vajza e parë që ndoqi Liceu Francez i Korçës, institucionin më elitar të kohës.

Shkëlqeu në mësime, zotëronte disa gjuhë të huaja dhe spikati për karakterin e fortë e mendimin kritik. Në vitin 1936 fitoi bursë për studime në Itali, në Università degli Studi di Torino. U diplomua me rezultate maksimale dhe mbrojti doktoraturën me një temë që do të mbetej themelore për shkencën shqiptare: studimin e faunës së peshqve të ujërave të ëmbla të Shqipërisë. Në një kohë kur prania e grave në shkencë ishte përjashtim, ajo u kthye në atdhe jo për karrierë personale, por për t’i shërbyer dijes kombëtare. Kasimati konsiderohet themeluese e ihtiologjisë shqiptare. Punoi në Institutin e Shkencave, realizoi kërkime në terren, studioi liqenet, lumenjtë dhe biodiversitetin e vendit.

Vepra e saj “Peshku i Shqipërisë” mbetet një gur themeli për studimet e mëvonshme biologjike. Por si shumë intelektualë të formuar në Perëndim, ajo nuk ishte thjesht një studiuese e përkushtuar. Ishte mendje e lirë. Dhe mendja e lirë, në Shqipërinë e fillimviteve ’50, ishte rrezik. Pas shpërthimit të bombës në ambasadën sovjetike në Tiranë, regjimi i Enver Hoxha reagoi me terror. U hartua një listë me 22 intelektualë që do të pushkatoheshin pa gjyq, si “armiq të popullit”. Mes tyre ishte edhe Sabiha Kasimati. Nuk pati proces gjyqësor. Nuk pati mbrojtje. Nuk pati prova. Vetëm një vendim politik për të frikësuar shoqërinë dhe për të dhënë një mesazh: askush nuk ishte i paprekshëm, as shkenca, as gratë, as elita. Natën e 26 shkurtit 1951, ajo u ekzekutua pranë urës së Beshirit. Trupi iu hodh në një varr të përbashkët. Për dekada, familja dhe shoqëria nuk patën as varr ku të vendosnin një tufë lulesh.

KUSH ISHTE SABIHA KASIMATI

Sabiha Kasimati, e bija e doktor Abdurrahman Kasimati, u lind më 15 shtator 1912 në Edirne të Turqisë. Familja zhvendoset në Shkodër ku i ati shërbeu në vitet 1914 – 1915. Në vitet e Luftës së Parë Botërore, familja u vendos në pronat e veta në Verrie të Thesalisë. Pas shkëmbimeve të popullsive mes Greqisë dhe Turqisë, familja u kthye në Shqipëri duke rrezikuar edhe pronat e veta. Më 1927, Sabihaja së bashku me familjen e saj u vendosën në Korçë ku fëmijët vijuan shkollimin, Sabihaja me motrat frekuentuan Liceun Frëng të cilin e mbaroi më 1931, duke qenë vajza e parë që kreu atë lice.

Pas mbarimit të liceut, punoi si mësuese në Normalen Femërore të Korçës, ku dha edukatë morale dhe gjuhë frënge. Më 1933 u emërua në Shkollën Amerikane të Kavajës ku jepte biologji. Verën e 1935 iu akordua një bursë shtetërore për në Itali, ku ajo u regjistrua për të studiuar në Fakultetin e Shkencave Biologjike në Universitetin e Torinos. Kasimati zgjodhi si fushë specializimi ihtiologjinë dhe më 1940 doktoroi me temën “Fauna ittica di acqua dolce d’Albania” (Fauna ihtike në ujërat e ëmbla në Shqipëri). Drejtuesit e Universitetit i ofruan asaj pozitën e asistentit në degën e ihtiologjisë, por propozimin e tyre ajo nuk e pranoi dhe u kthye në atdhe. Me kthimin në atdhe nisi punë në Institutin Pedagogjik Femëror “Donika Kastrioti”. Për shkaqe shëndetësore vajti të kurohej në sanatoriumin antituberkular në Bolzano në Itali, prej ku kthehet më 1945.

Nisi bashkëpunimin me Selaudin Toto, me qëllim të organizimit të Institutit të Shkencave në Tiranë. U emërtua specialiste zoologe, e specializuar në ihtiologji. Bashkëpunoi me disa nga emrat më të njohur të shkencës së atyre viteve si Suad Asllani, apo profesor Stanisllav Zuber (një polak që jetonte dhe punonte në Shqipëri). Ndërsa kryente studime të thelluara dhe botonte libra në fushën e shkencave biologjike, Sabiha Kasimati u bë dëshmitare sesi lufta e klasave po merrte jetët e intelektualëve të vendit që dyshoheshin për qëndrime kundër sistemit komunist që ishte kthyer në një makineri gjakatare. Kasimati shprehej hapur kundër sistemit që në vitet e para kur u ekzekutua grupi i parë i deputetëve. Ajo u trondit veçanërisht nga pushkatimi i drejtorit të saj, shkencëtarit Selaudin Toto, si edhe i intelektualëve opozitarë Gjergj Kokoshi, Suad Asllani, Sulo Klosi, Shefqet Beja, prof. Stanislav Zuberit etj., veçanërisht nga dënimi i shkrimtares së parë shqiptare, Musine Kokalari.

Kështu, Sabihaja filloi të shprehte pakënaqësinë për regjimin dhe për Enver Hoxhën, shokun e saj të klasës në Liceun e Korçës. Këto pakënaqësi të saj, si edhe prejardhja nga një familje e madhe, tërësisht intelektuale dhe demokratike, bënë që emri i Sabihasë të futej në listat e zeza të Sigurimit të Shtetit si “kundërshtare e regjimit”. Duke qenë se Sabihaja kishte mbaruar Liceun Francez bashkë me Enver Hoxhën dhe e njihte mirë, i kërkoi një takim. “Kam ardhur të të them se ti po vret gjithë intelektualët. Dua të të pyes se me cilët ke ndërmend ta ndërtosh Shqipërinë, me teneqexhinjtë apo me këpucarët? Por Enveri iu përgjigj: ‘Boll lexove iluministët francezë, të këshilloj të lexosh Marksin dhe Leninin”. Pas pak ditësh, Nako Spiru, të cilin Sabihaja e kishte shok, e thirri Sabihanë gjatë një bisede mes tyre i tha: “Sabiha, duhet ta qepësh gojën, jo me karficë, por me babushkë”.

VENDIMI PËR ELIMINIMIN

Vendimi për ekzekutimet e 22 intelektualëve u mor në Byronë Politike të PPSH, në mbledhjen e datës 20.02.1951. Mehmet Shehu ishte ministër i Brendshëm, direkt i interesuar për ngjarjen. Ai propozoi në mbledhjen e Byrosë Politike që të pushkatoheshin pa gjyq 10-15 persona dhe byroja ia miratoi njëzëri, bashkë me komandantin (E. Hoxhën), pra, i kishte duart e lira. Pa miratimin e diktatorit, nuk bëhej asgjë. Enver Hoxha i miratoi të gjitha veprimet dhe emrat e viktimave, që ishin përzgjedhur, duke u vënë nga një kryq përpara. Por Enveri shtoi nga ana e tij emrat e Sabiha Kasimatit, Reiz Selfos, Manush Peshkëpisë, Qemal Kasoruhos, të cilët ishin nga treva e Gjirokastrës dhe ai i njihte personalisht. Më 19 shkurt 1951 ndodhi një shpërthim në Ambasadën e ish-Bashkimit Sovjetik në Tiranë. Pas shpërthimit të një kallëpi dinamiti në ishAmbasadën Sovjetike, (që dyshohet se ishte vepër e Sigurimit të Shtetit), u urdhërua arrestimi i rreth 300 personave.

Nga sulmi nuk kishte asnjë të plagosur, por autoritetet shqiptare të asaj kohe si fajtorë konsideronin një grup prej 22 intelektualësh të rinj që punonin asokohe në Tiranë, duke përfshirë edhe Sabiha Kasimatin (si e vetmja grua). Arrestimet që u bënë menjëherë, sipas vendimit të Byrosë Politike më datën 20-23 shkurt 1951, ishin të paligjshme, sepse u kryen pa ndonjë urdhër arrest të prokurorit dhe pa ndonjë vendim gjykate. (Vetëm më vonë u plotësuan urdhër arrestimet dhe procesverbalet e “gjykimit”). Arrestimet u bënë mbi listat e vdekjes, të parapërgatitura nga Sigurimi i Shtetit në Ministrinë e Brendshme.(Arkivi i Ministrisë së Brendshme). Pavarësisht nga mungesa e çdo prove të fajit, Sabihaja u arrestua nga Sigurimi më 20 shkurt 1951 dhe u dënuan me vdekje. Mes të ndaluarve dhunshëm, në mes të natës, ishte edhe Sabiha Kasimati. Për katër ditë u torturua në mënyrën më të egër në Hetuesinë e Tiranës, deri në mbrëmjen e 26 shkurtit. Me një fletë në duar që mbante firmën e Mehmet Shehut, hetuesit shkuan qeli më qeli dhe “përzgjodhën” 22 persona, mes tyre ishte edhe Sabihaja. Vendimi ishte marrë me propozim të Enver Hoxhës dhe miratim nga e gjithë elita e Byrosë Politike e kohës. Ata duhet të ekzekutoheshin pa gjyq, ndërsa familjet e tyre të internoheshin në zona të thella të vendit.

Në momentin e pushkatimit në fshatin Mënik të Tiranës, banorët kujtojnë britmat e Sabiha Kasimatit, pasi e kuptoi se po pushkatoheshin. Dyshohet se plumbat e parë të batareve së armëve nuk e vranë Sabihanë, më pas e goditën me qytat e armëve. Mbi të, edhe 21 trupat e tjerë u hodh një pirg dheu për t’i varrosur masivisht. Diktatori Enver Hoxha nuk vrau vetëm një grua intelektuale dhe shkencëtare në fushën e saj, por zhduku përgjithnjë edhe një dëshmitare që njihte mirë të shkuarën e tij të errët. Emri i saj duhej fshirë përgjithnjë, kjo edhe për një motiv “kryesor”, jo vetëm si e dyshuar për qëndrime antikomuniste, por si një intelektuale që e njihte mirë Enver Hoxhën dhe veprimtarinë e tij në kufijtë e perversitetit. Diktatori Enver Hoxha dhe Sabiha Kasimati kishin studiuar të dy në Liceun Francez në Korçë dhe për më shumë ishin nga Gjirokastra. Më pas secili prej tyre kishte marrë rrugë të tjera deri në ekzekutimin barbar të shkencëtares Sabiha Kasimati.

VJEDHJA E VEPRËS

Tragjedia nuk mbaroi me pushkatimin. Gjatë regjimit komunist, studimet dhe dorëshkrimet e saj u botuan me emra të tjerë. Kontributi i saj u zhvesh nga autorësia. Emri i saj u zhduk nga tekstet, sikur të mos kishte ekzistuar kurrë. Ishte një vrasje e dytë – ajo e kujtesës. Vetëm pas rënies së komunizmit figura e saj nisi të rivlerësohej. Dokumentet dolën në dritë. Emri iu kthye veprës. Në 60-vjetorin e vrasjes, ajo u nderua me titullin “Nderi i Kombit”, një akt simbolik që nuk e zhbën krimin, por e rikthen dinjitetin. 75-vjetori i ekzekutimit të Sabiha Kasimatit nuk është vetëm një datë përkujtimore. Është një pasqyrë për mënyrën si një regjim mund të frikësohet nga dija. Si mund të trembet nga një grua e arsimuar, e pavarur, e pakompromis.

Në historinë shqiptare ka shumë figura të persekutuara, por rasti i saj mbetet i veçantë: një shkencëtare e re, me formim evropian, që zgjodhi të ndërtonte shkencën kombëtare dhe u pushkatua pa gjyq. Sot, kur flasim për barazi gjinore, për fuqizim të grave në shkencë, për integrim evropian, emri i saj duhet të jetë më shumë se një pllakë përkujtimore. Duhet të jetë pjesë e teksteve shkollore, e laboratorëve, e bursave që mbajnë emrin e saj. Sepse historia e Sabiha Kasimatit është historia e një Shqipërie që mund të kishte qenë ndryshe. Diktatura e pushkatoi trupin. Por 75 vjet më pas, emri i saj jeton si kujtesë, si ndërgjegje dhe si sfidë për të mos lejuar kurrë më që dija të shpallet armik.

Ai urdhër i lëshuar nga Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu për pushkatimin e 22 personave si të “akuzuar” për terrorizëm, nuk vrau vetëm ata njerëz, fati i të cilëve ishte i destinuar të fundosej nga armët e regjimit. Sistemi nuk u mori vetëm jetën atyre, por goditi dijen, sulmoi intektualizmin dhe rrënoi klasën e pasur. U gjet si shkak hedhja e një bombe në ish-Ambasadën e Bashkimit Sovjetik për të nisur spastrimin e njerëzve të ditur specialistë në fusha të ndryshme, që dyshoheshin si kundërshtarë të sistemit komunist. Duke analizuar se çfarë personifikonin të pushkatuarit 26 shkurtit 1951, u kuptua qartë se që të gjithë ishin rrethuar nga lapsi i kuq dhe pritej vetëm momenti që t’u dorëzoheshin për pushkatim agjentëve të Sigurimit të Shtetit. Formimi profesional i shumë prej të pushkatuarve tregoi se nuk ishte vetëm një krim i zakonshëm nga dosja e zezë e komunizmit, por plumbat e derdhur mbi trupin e 22 personave synonin të vrisnin frymën antikomuniste.

/Gazeta Panorama 

“Lirojeni Lame Kodrën, pastaj vij unë”, sfida që Fan Noli i bëri Enver Hoxhës! Sejfulla Malëshova, intelektuali që tha “askush s’duhet burgosur” dhe vetë u internua nga diktatura

SEJDO HARKA

-Sejfullai ishte eruditi klasik, që qante dhe qeshte me popullin, luftonte e fitonte me popullin

Ymer Dëshnica

Edhe pse Sejfulla Malëshova nuk jetoi gjatë, bëmat, vuajtjet dhe vepra që ai la pas ka dimensionet e kombit shqiptar. Ai lindi si një fidan i brishtë rrapi, që fati e solli të mbillej në një “vazo lulesh”, rrahur nga tufane e stuhi të ashpra luftërash dhe përndjekjesh të egra. Por, Sejfullai kishte lindur për t’u bërë një rrap madhështor. Prandaj, në sa mund të hidhte rrënjë të thella një fidan i brishtë rrapi, mbjellë në një “vazo”, mes një honi të acartë, që s’e zinte as dielli, aq do të mbijetonte dhe shpirti e mendja e një njeriu me zemër të madhe si Sejfulla Malëshova. Jeta e tij nisi në një ditë marsi të vitit 1900. Jeta e tij ishte sa e vrullshme, aq edhe e trishtë, përmes luftërash e vuajtjesh, kulmesh e rëniesh, përndjekjesh dhe përçmimesh, deri sa dha shpirt në vitin 1971, në një bujtinë të ftohtë të Fierit, i vetmuar dhe në varfëri të plotë, i përcjellë për në banesën e fundit vetëm nga karroca me punëtorët e komunales dhe vështrimi i trishtë i Zenepes, motrës së tij të vetme.

KUSH ËSHTË SEJFULLA MALËSHOVA

Që në vitin 1920, ai shfaqet në Itali si kryetar i Konfederatës Studentore dhe aktivist i shquar i Shoqërisë “Bashkimi”, bashkë me Avni Rustemin, Fan Nolin dhe Luigj Gurakuqin. Kur ai ishte vetëm 24 vjeç, Fan Noli e emëroi kryesekretar të qeverisë së tij. Pas rënies së qeverisë demokratike, ashtu si idhulli i tij, Noli dhe shumë djem të tjerë që nuk mund të pajtoheshin me dhunën e monarkut, edhe Sejfulla Mallëshova mori udhët e mërgimit, për të punuar për Shqipërinë demokratike dhe shqiptarët. Në këto vite të vështira, atë do ta gjejmë veprimtar të shquar të KONARE-së, simpatizant të Luftës së Spanjës, pedagog në Universitetin e Moskës etj.. Ndërsa në vitin 1935, ai kthehet klandestin në Elbasan, si i dërguari i KONARE-së. Më vonë, si pjesëmarrës në lëvizjet revolucionare të kohës, do të dergjej burgjeve të Francës. Në vitin 1943 kthehet në Shqipëri për të marrë pjesë aktive në Luftën Nacionalçlirimtare dhe zgjidhet anëtar i Këshillit të Shtabit Përgjithshëm të Ushtrisë.

Prej Kongresit të Përmetit, Sejfulla Malëshova nisi të luante një rol të madh në shërbim të luftës për çlirimin e plotë të Shqipërisë. Pas çlirimit të vendit në vitin 1945, ai do të kryente detyra të rëndësishme shtetërore e shoqërore si ministër i Kulturës dhe Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Ndërsa në vitin 1956, ai ngarkohet me detyrën e ministrit të Arsimit. Pas Konferencës së Beratit nis, për të rënia dhe kalvari i përndjekjes dhe i persekutimit të tij të egër, i mbetur në vetmi dhe në varfëri të plotë, deri sa u përcoll në banesën e fundit. Edhe pse tërë jetën ia kushtoi lirisë dhe zhvillimit të vendit, ai jo vetëm që nuk u dëgjua kurrë, por dhe u përbuz e u përçmua vetëm se kishte ëndrra të bukura për një Shqipëri demokratike, me një ekonomi të hapur, që t’i ngjante një Zvicre të vogël. E donte atdheun dhe njerëzit e tij, ndaj ulej me ta portë më portë, për të kuvenduar shtruar. I vlerësonte njerëzit që i kishin shërbyer vendit. Ndaj shpesh udhëzonte që, askush të mos hidhte baltë mbi njerëz e shkrimtarë si Fishta dhe Konica, krijimtaria e të cilëve ndrinte si Rubini.

Sejfulla Malëshovën e përndoqën dhe e baltosën, sepse thoshte të vërtetën. Dhe, të thuash të vërtetën, thotë Bjelinski, duhet të kesh guxim dhe fisnikëri. Për Sefulla Malëshovën, askush nuk duhej burgosur, persekutuar e vrarë. Dhe, si për ironi të fatit, Sejfullai u përndoq e u internua, vetëm se dashuronte fjalën dhe mendimin e lirë. Kur Enver Hoxha i kërkoi Nolit të kthehej në Shqipëri, ai i përgjigjet: “Ju e keni Fan Nolin te Lame Kodra, internuar baltrave të Myzeqesë. Liroeni atë dhe më keni mua”. Edhe pse diktatura kishte dashur ta digjte Sejfulla Malëshovën si meteor, ajo nuk mundi ta shuante dot ndriçimin e tij të përjetshëm. Te personaliteti i tij poliedrik janë harmonizuar bukur: figura e kalorësit të demokracisë me njeriun largpamës, figura e poliglotit 14 gjuhësh me shqipëruesin origjinal të veprave të mëdha me famë botërore si “Internacionalja” e Hajnes, “Punëtorët e avëlmendit” e Gëtes, “Mbreti i Tulës” e Pushkinit, “Kënga e Zgalemit” e Gorkit, “Kopshti i qershive” e Çehovit etj.. Por, për ironi të fatit, ai u detyrua të punonte në një magazinë që tregtonte 14 lloj zarzavatesh. Të gjithë e këndonin “Internacionalen” e përkthyer aq bukur nga ai, por askush nuk e përmendi kurrë emrin e shqipëruesit, gjuhëartë, Lame Kodra. Për Ymer Dëshnicën, ai ishte eruditi klasik, që qante dhe qeshte me popullin, këndonte dhe luftonte me popullin, shpresonte dhe fitonte me popullin”.

LAME KODRA DHE ZËRI I TIJ POETIK

-Unë e dua Shqipërinë/ Për një stan në Trebeshinë-

Ajo që e bëri Sefulla Malëshovën, me emrin artistik “Lame Kodra”, të pavdekshëm për kohën që jetoi, është poezia. Ai ishte dhe mbeti një nga poetët më të mirë të letërsisë shqipe të viteve ‘20-‘30. Poezia shqipe e këtyre viteve, thekson kritiku Koço Bihiku, do të ishte e mangët pa emrin e Lame Kodrës. Ndërsa për Nolin, ai ishte poeti popullor, që meriton notën më të lartë. Lame Kodra ishte dhe mbeti poeti rebel dhe i protestës ndaj shtypjes dhe mungesës së lirisë kombëtare e shoqërore.

Pikërisht në këtë aspekt qëndron vlera e padiskutueshme e krijimtarisë së tij poetike, të cilën e kemi bërë objektin kryesor të këtyre shënimeve. Një punë serioze për ribotimin dhe sistemimin e krijimtarisë së Lame Kodrës, ka bërë dhe bën shtëpia botuese “Argeta-LMG” që drejtohet nga Mehmet Gëzhilli, i cili përgatiti dhe botoi serinë e krijimtarisë së tij në 3 vëllime: me poezi, me shqipërime dhe publicistikë, të shoqëruar edhe me mendimet e kritikës dhe studiuesve të krijimtarisë së tij. Po, le të rikthehemi tek vlerat e poezisë së Lame Kodrës, për kohën që ai jetoi. Për Agim Vincën, poezia e tij është shkruar me një gjuhë të kulluar shqipe. Ndërsa Noli, kur lexoi poezitë e para të L. Kodrës, shkruante se, poezitë e tij ishin të frymëzuara nga zjarri i shenjtë. Vargjet e tij të para, shkruar në kohën kur ishte student në Itali, u ngjanin notave të një simfonie të bukur muzikore. Ai hyri në arenën poetike, kur në botën ballkanike dhe shqiptare frynte era e indipedencës dhe lirisë kombëtare. Lame Kodra, duke ardhur nga shtresat e varfra të popullit, e ndjente akoma më të domosdoshme nevojën e lirisë së Atdheut dhe kërkesën për barazi shoqërore. Duke vlerësuar lart natyrën luftarake të poezive të tij, inteligjencën e mprehtë dhe ndjenjat e kulluara patriotike, Noli dhe Konica e quanin Lame Kodrën dishepullin e kohës dhe bashkëpunëtorin e tyre të radhës së parë. Ai ishte i bindur se, vetëm populli shqiptar dhe bijtë e saj do ta bënin Shqipërinë të lirë e demokratike.

TRUMBETË E LUFTËS PËR LIRI

Koha bëri, që poezia e L. Kodrës të kthehej në trumbetë për t’i inspiruar shqiptarët në luftë për liri. Me vargjet e poezisë “Vlora”, shkruar në vitin 1938, që nga Franca, Lame Kodra hidhte kushtrimin për lirinë e Shqipërisë. Kjo poezi është shkruar në kohën kur dukej qartë, se Shqipëria kontrollohej plotësisht nga Italia fashiste. Ndaj, poeti, i syrgjynosur larg atdheut shkruan vargjet: “Me turp e gjak Atdheu po mbulohet/ Po rripet e po shtypet Shqipëria/ Më thoni vëllezër, a durohet/Flamuri dhe liria që të shkelet e poshtërohet?!”. Dhe, pasi merr zemër, hedh kushtrimin: “Kudo filloni luftën për liri/ Rrokni flamurin, prapë dil në ballë!/ Vlorë, o moj Vlorë, sulu përsëri!”. Nëse është pranuar nga të gjithë, se fryma e luftës për lirinë e Shqipërisë erdhi nga Federata e emigrantëve shqiptarë të Francës, një meritë të veçantë pati Sejfulla Malëshova dhe poezia e tij luftarake, e cila u bë shpirti i rebelimit të popullit dhe frymëzuesi i Luftës Nacionalçlirimtare kundër pushtuesve.

HERONJTË E LIRISË

Poeti revolucionar Lame Kodra u inspirua nga gjaku i Avni Rustemit, nga fjala e ngrohtë e Ali Kelmendit dhe shembulli heroik i Qemal Stafës e Vojo Kushit. Ishin këto shembuj heroizmi, që e bënë poezinë e Lame Kodrës të binte erë baruti. Në ato kohëra luftërash, një shkrimtar amerikan shkruante se, në ka vjersha më të mira që i vlejnë drejtpërdrejt luftës për liri, ato janë vjershat e Lame Kodrës.

Nga që ato mbajnë brenda notat e universalitetit, lexohen, ndihen e shijohen në çdo kohë. Kjo ndodh edhe për shkak se poezia e L.Kodrës ecën në gjurmët e gurrës popullore dhe nën shembullin e vjershërimit të Naimit, Çajupit, Asdrenit e Nolit. Ato karakterizohen nga pathosi heroik, muzikaliteti ritmik dhe origjinal. Lame Kodra është një erudit klasik, që di të harmonizojë bukur brendinë me formën. Dëshiron që t’i pasqyrojë njerëzit, jo vetëm ashtu siç janë, por edhe si duhet të jenë. Në brazdat e poezive të tij për luftën trokëllin aksioni, veprimi, shpresa dhe guximi. Një nga poezitë e tij më të bukura është ajo me titullin “Klithma e Dragobisë”, shkruar në vitin 1941. Nga stili, ajo të kujton vjershërimin luftarak të Çajupit.

Ishte koha kur kishte marrë udhë Lufta për çlirim kombëtar. Për t’i frymëzuar më tej luftëtarët e lirisë, Lame Kodra u kujton atyre shembullin e ideatorëve dhe heronjve shqiptarë në luftërat shekullore. Për të treguar këtë, mjafton të citojmë vargjet: “Ja, nga brigjet e Tiranës/ Del Naimi:/ Dyllë i verdhë, syshkëlqyer nga mejtimi”, për t’u tretur si qiriri për Shqipërinë. Ndërsa më poshtë, ai u kujton Bajram Currin, që ka dalë e sokëllin për liri, Selam Salarinë, i cili “del nga Vlora/ Me shark, qylaf të bardhë/Si dëbora”. U kujton Avni Rustemin, zemërluan, Riza Cerovën, i cili nga thellësitë e tokës, ku ka rënë për të mos vdekur kurrë, nxjerr “xixa zjarri”. Poezia tjetër me kolorit të thellë popullor dhe heroik është ajo me titullin tepër poetik “Bilbilenjtë”, kushtuar 13 trimave të Kurveleshit, të cilët, nga që kishin dalë malit kudër pushtuesve turq, të tradhtuar, kapen befasisht, për t’u varur në Janinë. Por ata nuk zbrapsen kurrë, as para litarit. Ndaj poeti Lame Kodra, duke u frymëzuar nga heroizmi shkruan vargjet: “Një nga një te rrapi vjetër/ një mëngjes i Shënëndreut/ Bilbilenjtë trembëdhjetë/ vanë në litare vetë”, duke iu drejtuar vrasësve me fjalët: “Dale bej të dredh mustaqet/ Dale bej të ndez cigarë/Se nuk jam çanak me dhallë, /Po jam bilbili me pallë”. (74)

DASHURIA PËR ATDHEUN DHE VENDLINDJEN

Motivi i dashurisë për atdheun dhe vendlindjen zë një vend të rëndësishëm në poezinë e Lame Kodrës. Vjersha “Fshatit tim”, shkruar në vitin 1920 është një poezi me ngjyrime të thella meditative. Fshatit të tij, ku rrinë shkabat, ai i drejtohet përulësisht nëpërmjet vargut “Unë ty të falem”.

Ai krenohet me të, jo se ka pasuri përrallore, por vetëm, se “ka lisa të mëdhenj e plot forcë”, por veçanërisht, sepse “ka burra trima e vajza bukuroshe”. Prandaj, në fund të kësaj poezie, duke kërkuar ndjesë që ishte larguar prej tij, shkruan premtimin emocional poetik: “Pritmë, o fshat i bardhë/ Aty po vij, aty ku qesh natyra/ Ku zemra ime gjen pushim e qetësi!”. Akoma më e bukur tingëllon në penën e Lame Kodrës poezia me titull “Si e dua Shqipërinë”. Ajo është një himn i bukur kushtuar tokës dhe Atdheut. Në Shqipëri, shkruan poeti, “s’kam as çifligje, as pallate”. Megjithatë, vazhdon ai më poshtë: “Unë e dua Shqipërinë/ Për një stan në Trebeshinë/ Për një shkarpë e për një gur/ Për kasollen mi Selishtë,/ Unë e dua Shqipërinë/ Si bari dhe si fshatar”. Lame Kodra e do Shqipërinë, “Për tërfilin mi lëndinë/ Për një vajzë gjeraqinë”.

Ai e do Shqipërinë/ Për një lule trëndelinë/ Për bilbilin që këndon/ Që nga Shkupi në Janinë”. Në poezinë “Atdheu”, Lame Kodra e thellon më tej motivin e atdhedashurisë, nëpërmjet vargjeve: “Ashtu siç është e dua Shqipërinë/ me shpella e shkalla, buza e gremina”. (100). Në poezinë “Pragu”, shprehet dyzimi shpirtëror i djalërisë shqiptare të atyre viteve të vështira luftërash e mosbesimi. Heroi i kësaj poezie, duke kërkuar të kapërcejë pragun, humbet nëpër humnera e hije të mjegullta. Poezitë e Lame Kodrës, ka raste që ndikohen ndjeshëm nga vjershërimi i Majakovskit, i cili shkruante vargje të tillë, me brendi revolucionare: “Dhe vargu dhe kënga/ është bombë e flamur”. I ndikuar dukshëm prej vjershërimit të tij, poeti rebel Lame Kodra, më vonë do të shkruante vargjet “Vjershë, o vjershë, shko si bombë/ Me tërbim/ Shko përhapu si flamur/ Si kushtrim”, brendia e të cilëve buron nga koha revolucionare dhe qëllimi utilitar për të cilin janë shkruar. Ndërsa vargjet, kushtuar Qemal Stafës kanë zërin e trumbetës dhe ritmin e kushtrimit për liri. Pas asaj trumbete metaforike “rreth e qark, si yje zjarri/ ngrihen shokët e Qemalit për liri”.

Në vëllimin poetik “Vjersha” të Lame Kodrës, duket qartë ndikimi i stilit vjershërues të Naimit, Çajupit, Nolit dhe Lasgushit. Heronjtë kryesorë të poezive të tij janë njerëzit e thjeshtë të popullit, punëtori, fshatari dhe intelektuali i vetëdijshëm e poeti revolucionar, që rebelohet ndaj pushtuesit dhe shtypjes e shfrytëzimit të bejlerëve dhe të agallarëve. Universi poetik i vjerëshrimit të tij ka dimensionet e realitetit politiko-shoqëror shqiptar të kohës. Për poetin Lame Kodra, atdheu, edhe kur duket i ngrysur e i drobitur, është kurdoherë i bukur. Nga atdheu ai nuk kërkon as grada as ofiqe. Ai e do atdheun, ashtu siç është, me shkëmbinj e gremina. Dëshpërohet thellë, kur sheh, se disa djem e braktisin vendin e tyre pa e kthyer kokën mbrapa. Kur e sheh se bijtë e tij janë stepur e ftohur me vendin e tyre, duke parë vetëm interesat e ngushta vetjake, shkruan vargjet: “Mallkuar ata që harrojnë mëmëdhenë/Mallkuar bejlerëve e mbretërve shpirtmizorë/ Mallkuar njerëzve që verbohen nga luksi pa fre” dhe harrojnë mëmëdhenë. Në antitezë me njerëz të tillë, poeti vë heronjtë, që shkëlqejnë si yje zjarri dhe mbetën të përjetshëm si flamuri i lirisë. Për kritikun Razi Brahimin, Lame Kodra është pionier i poezisë revolucionare.

Ai ishte poet i angazhuar, që me poezitë e tij luftarake i priu lëvizjes çlirimtare të vendit nga pushtuesit dhe veglat e tyre. Nuk mund të themi se ai krijoi vjershërimin modern, por me stilin dhe motivet e papërsëritshme, shkroi kohën e vetë të papërsëritshme. Për kritikun letrar Adriatik Kallulli, Lame Kodra është zejtar i poezisë. Poezia e tij ishte e lidhur ngushtë me fatin dhe pulsin e kombit e të atdheut. Shumë poezi të Lame Kodrës janë pasqyrë e shpirtit, vuajtjeve dhe ëndrrave të popullit tone, në situata e kohëra kthesash të rëndësishme politike dhe shoqërore. Poezitë e këtij poeti janë një vazhdimësi e bukur e vjershërimi të Rilindjes Kombëtare.

Krahas timbrit ritmik të luftës, në to zënë vend të dukshëm edhe dukuritë natyrore, kataklizmat, metamorfozat dhe ndjesitë, që herë ndëshkojnë e gjymtojnë shpirtra, e herë ngazëllejnë e forcojnë dëshira e ëndrra njerëzish. E tillë është poezia “Shtrëngata”, botuar në vitin 1940, brendia e së cilës lidhet me ngjarjet e tmerrshme të Luftës së Dytë Botërore. Nga ana kompozicionale, ajo i ngjan një pikture të bukur metaforike. Rrapëllima e shtrëngatës në këtë poezi përfshin detin e qiellin, malin e fushën dhe gjithçka që ndodhet përreth. Njeriu, i tmerruar nga kjo rrapëllimë e frikshme shfaqet si një qenie e pafuqishme, që përplaset si një kataklizmë e frikshme, si një dëm i pariparueshëm, si dukuri absurde e mbinatyrshme, që qëndron mbi njeriun. Ndaj njeriu që e pikas i pari këtë dukuri të pafre, përhap tek njerëzit e tjerë klithmën që ata të parapërgatiten për gjëmën e madhe që i kërcënon. Në poezitë e Lame Kodrës, shkruan gjuhëtari Emil Lafe, ndihet edhe ndikimi i poezisë gjermane. Kjo ndodh, sepse edhe Lame Kodra ndjek shembullin e heronjve të Hajnes, siç është Karl Libknehti. Ndaj, nën shembullin e H.Hajnes, në vitin 1924, do të shkruante vargjet: “Njerëz, mjaft duruat/ Ngrehuni/ Ne jemi si furtuna/ Vrullin tonë, askush nuk e ndal”.

Poezitë e L.Kodrës, për Koço Bihikun, janë persiate liriko-filozofike. Ato janë poezi luftarake, joshëse dhe meditative, që bien erë barut, si koha që i solli. Vlera e tyre qëndron tek fakti, që ato fiksojnë një kohë të ashpër luftërash që brezat duhet t’i njohin e përjetojnë, për të mos u përsëritur kurrë. Lame Kodra do të mbetet si një zë i përveçëm i poezisë shqiptare, që i këndoi kaq bukur luftës për liri. Zëri i tij poetik mbeti si një shpuzë e ndezur brenda hirit të një kohe të padrejtë, që donte ta fshihte zjarrin e saj të pashuar. Këtë e shprehin edhe vargjet e Lame Kodrës, shkruar mes territ të barakave të internimit: “Kudo poetit iu vërsul rrëmeti/ në luftë për liri e fitore”. Edhe pse të huajt, poezinë e Lame Kodrës e njohën si një vlerë të rrallë, ne e baltosëm dhe e fshehëm nën hirin e harresës. Por, akoma më e çuditshme është baltosja dhe përbuzja e kësaj figure poliedrike, që gjithçka e bëri për Shqipërinë dhe shqiptarët. Edhe diktatorët e kënduan “Internacionalen” e përkthyer aq bukur prej tij, por askush nuk donte ta dinte, se ato vargje të bukura i kishte shqipëruar mjeshtëri i fjalës, Lame Kodra. Edhe pse ai që në vitin e parë të lirisë kishte botuar 3 vëllime me poezi, gjithçka ia shumëzuan me zero. Megjithatë, emri Sefulla Malëshovës dhe zëri poetik i Lame Kodrës, s’ka për t’u harruar kurrë.

/Gazeta Panorama 

Zbulohen dokumentet sekrete të eksodit të marsit ’91: Në molin e Himarës një peshkarexhë mori disa civilë e nënoficerin e postës kufitare dhe u nisën drejt Italisë me…

Nga DASHNOR KALOÇI/ Plot 35 vite më parë, në mesin e shkurtit të 1991-it, me mijëra shqiptarë të ardhur në qytete dhe rrethe të ndryshme të vendit, u dyndën turma turma në drejtim të porteve të Durrësit, Shëngjinit, Vlorës, Himarës, Sarandës etj., dhe pasi rrëmbyen forcërisht të gjitha mjetet lundruese detare që gjendeshin aty, duke filluar nga më të voglat, si; motoskafët, peshkarexhat, rimorkiatorët etj.,  e deri  te anijet e mëdha të transportit të tonazhit të rëndë, pjesë e Flotës Tregtare Shqiptare dhe të huaja, madje dhe anijet luftarake,  me të cilat udhëtuan në det të hapur drejt brigjeve dhe porteve italiane.

Këto ngjarje të paprecedentë që nuk kishin ndodhur kurrë më parë gjatë gjithë periudhës 45 vjeçare të regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij, Ramiz Alia, asokohe bënë xhiron e botës në pjesën më të madhe të kanaleve televizive, për shkak se mbërritja e tyre në portet e brigjet e gadishullit Apenin, u filmuan dhe u transmetuan direkt nga stacionet kryesore televizive italiane, si RAI, etj., e po kështu më pas edhe nga mediat më prestigjioze të shteteve të ndryshme të Evropës.

Ndërsa mbarë bota po shikonte e habitur nëpërmjet ekranit skena apokaliptike deri në kufijtë e çmendurisë, (njerëzit ishin ngjitur dhe kishin zënë vend në çdo pjesë të anijeve, si bletët në koshere), që nuk ishin parë që nga Lufta e Dytë Botërore, regjimi komunist me në krye Ramiz Alinë, që ishte në agoninë e tij, nuk e pa të arsyeshme t’i transmetonte ato në emisionet e lajmeve në të vetmin kanal televiziv, siç ishte asokohe Radio-Televizioni Shqiptar, duke pasur frikën e drojën se pasqyrimi i atyre lajmeve, do e shtonte më tej eksodin biblik drejt vendit fqinjë.

Të paktën ky ishte “version zyrtar” i përfolur rëndom asokohe dhe më pas, sepse në të vërtetë arsyeja kryesore që nuk u pasqyruan ato ngjarje nga Radio-Televizioni Shqiptar, ishin zgjedhjet parlamentare që do mbaheshin më 31 mars të atij viti! Si dhe fakti tjetër, se krahas mijëra shtetasve që kishin rrëmbyer ato anije, ishin edhe me dhjetëra ushtarakë, si marinarë, oficerë, policë e punonjës civile të ndërmarrjeve dhe objekteve ushtarake, si Pashalimani etj., gjë e cila do e rëndonte pozitën e Partisë së Punës, jo vetëm brenda vendit, por edhe në arenën ndërkombëtare!

Këto ngjarje të cilat që nga ajo kohë e në vazhdim, për gati 35 vite me radhë, janë të njohura rëndom si “eksodi i marsit”, (pasi kjo gjë u përsërit dhe në gusht të atij viti), kanë mbetur pothuaj fare të panjohura dhe sot e kësaj dite askush nuk ka një informacion të saktë, se sa shtetas shqiptarë mundën të largoheshin në drejtim të Italisë, cilat ishin anijet dhe mjetet e tjera lundruese detare që u morën forcërisht prej tyre dhe sa veta humbën jetën e u mbytën në tentativë për të arritur në kuvertat e bordet e tyre dhe cilët ishin personat e arrestuar nga policia e forcat e ushtrisë?

Sa më sipër, të gjitha këto kane mbetur të mbuluara me mister, pasi që nga ajo kohë e deri më sot, me ndonjë përjashtim të rrallë, nuk janë botuar as dokumente arkivore ku të jenë pasqyruar ngjarjet e shkurt-marsit 1991! Nisur edhe nga ky fakt, në këtë shkrim po publikojmë disa dokumente arkivore me siglën “Sekret”, të nxjerra nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, ku ndodhen komunikatat operative të Degës së Përgjithshme pranë Ministrisë së Brendshme të asaj kohe, në të cilat krahas ngjarjeve të tjera të jashtëzakonshme të ndodhura në të gjitha rrethet e vendit, janë pasqyruar edhe ato të “eksodit të anijeve”, të cilat e kanë zanafillën më datën 15 shkurt 1991, me anijet e peshkimit “Hajdar Dushi” dhe “Jonufra”, të cilat ishin të parat që u rrëmbyen nga porti i Vlorës, për të vazhduar më pas me të tjera anije, deri nga data 20 e muajit mars të atij viti. Të gjitha këto e të tjera, Memorie.al po i publikon bashkë me faksimilet përkatëse, në dy shkrime radhazi.

KOMUNIKATA OPERATIVE E MINISTRISË SË BRENDSHME E 7 MARSIT 1991, PËR GRUMBULLIMIN E NJERËZVE NË PORTIN E SHËNGJINIT DHE RRËMBIMIN E TETË ANIJEVE ME TË CILAT U LARGUAN 2000 VETA DREJT ITALISË, SI DHE ANIJES “MIT’HAT DAUTI” NGA PORTI VLORËS

REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISË                          SEKRET

MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME                                  Ekzemplar Nr.1

DEGA E PËRGJITHSHME                                                    Tiranë, më 7.3.1991 

                                          KOMUNIKATË OPERATIVE NR. 55

LEZHA

– Më datën 6.3.1991, në Shëngjin pati grumbullime njerëzish të ardhur nga Shkodra, Laçi, Lezha etj., dhe në 8 anije hipën rreth 2000 veta dhe u larguan për në Itali.

VLORA

– Më datën 6.3.1991, anija e peshkimit “Mit’hat Dauti” ndodhej në gji në afërsi të Orikumit, jashtë gatishmërie. Në ora 17.00, një grup personash e vënë në punë dhe u larguan për në Itali.

PËRGJEGJËSI I GRUPIT TË DREJTIMIT

                                 VANGJEL KASAPI

KOMUNIKATA OPERATIVE E MINISTRISË SË BRENDSHME E 8 MARSIT 1991, LIDHUR ME DY SHTETASIT QË U GJETËN TË MBYTUR NË ORIKUM DHE PORO, SI DHE LARGIMIN DREJT ITALISË TË DISA USHTARAKËVE NGA HIMARA ME ANIJEN QË ERDHI NGA SARANDA

REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISË                         SEKRET

MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME                                 Ekzemplar Nr.1

DEGA E PËRGJITHSHME                                                  Tiranë, më 8.3.1991 

                                       KOMUNIKATË OPERATIVE NR. 56

VLORA

– Më datën 7.3.1991, në sektorin e Jonuftit, deti nxori të mbytur në breg, Robert Hariz Zoto, vjeç 30, banues në Orikum.

– Më datën 7.3.1991, në sektorin e postës kufitare Poro, deti nxori të mbytur në breg, Resmi Cenën nga Vlora, vjeç 34.

– Më datën 7.3.1991, pas grumbullimeve të paradites në portin e Vlorës, në përgjithësi gjendja u qetësua. Në Orikum kanë mbetur 200 veta.

– Më datën 7.3.1991, një peshkarexhë e Sarandës u afrua në molin e Himarës, ku ka marrë disa civilë dhe nënoficerin e postës kufitare, Dëfrim Hoxhën e janë nisur drejt Italisë. Me ta janë edhe komandanti i postës së policisë dhe 3 ushtarë të postës.

– Më datën 7.3.1991, gjendja vazhdon të jetë e tensionuar në port, me gjithë ndërhyrjen e ushtrisë. Anija “Partizani” është mbushur me njerëz, megjithëse është me defekt. Në qytet ka vështirësi për bukë.

Një pjesë e furrxhinjve kanë ikur për në Itali. Pritet të vijë bukë nga rrethet. Deri në orën 9.00, ka ardhur një makinë nga Elbasani.

– Më datën 7.3.1991, të burgosurit e Bardhorit janë ngritur në revoltë, kanë thyer një derë të brendshme, ofenduar dhe qëlluar me gurë. Pas ndërhyrjes së forcave, është vrarë një i burgosur dhe plagosur tre të tjerë.

LEZHA

– Më datën 7.3.1991, pas grumbullimeve të paradites, gjendja është shqetësuese. Pas lajmeve të orës 8, u larguan shumë persona. Kanë mbetur 700 – 800 veta në portin e Shëngjinit.

PËRGJEGJËSI I GRUPIT TË DREJTIMIT

                          ILO MANUSHI

KOMUNIKATA OPERATIVE E MINISTRISË SË BRENDSHME E 8 MARSIT 1991, LIDHUR ME DY SHTETASIT QË U GJETËN TË MBYTUR NË ORIKUM DHE PORO, SI DHE LARGIMIN DREJT ITALISË TË DISA USHTARAKËVE NGA HIMARA ME ANIJEN QË ERDHI NGA SARANDA

REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISË                              SEKRET

MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME                                      Ekzemplar Nr.1

DEGA E PËRGJITHSHME                                                     Tiranë, më 18.3.1991 

                                                          KOMUNIKATË OPERATIVE NR. 64

DURRËSI

– Më datën 16.3.1991, u ndaluan Muharrem Qemal Sirani, vjeç 25, Sokol Besheku, vjeç 18, Artur Zarif Jonuzi, vjeç 30, Muhamet Kiku, Asllan Qemal Gjyra, etj, për arsye se kanë marrë pjesë në grumbullime të paligjshme para portit të Durrësit.

– Më datën 17.3.1991, në kampin e Bardhorit të Kavajës, 32 të dënuar për kalim të paligjshëm të kufirit, kanë filluar grevën e urisë.

– Më datën 17.3.1991, u ndalua Flamur Rangon Balla, vjeç 18, për arsye se ka marrë pjesë në grumbullime të paligjshme.

                   PËRGJEGJËSI I GRUPIT TË DREJTIMIT

JOSIF OGA

KOMUNIKATA OPERATIVE E MINISTRISË SË BRENDSHME E 20 MARSIT 1991, LIDHUR ME ARRESTIMIN E DISA SHTETASVE NË PORTIN E SHËNGJINIT QË KËRKONIN TË LARGOHESHIN DREJT ITALISË, SI DHE PLAGOSJEN E ARRESTIMET E DISA SHTETASVE TË TJERË NË PORTIN E DURRËSIT, KU PATI PËRPLASJE ME POLICINË

REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISË                           SEKRET

MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME                                    Ekzemplar Nr.1

DEGA E PËRGJITHSHME                                                   Tiranë, më 20.3.1991 

                                       KOMUNIKATË OPERATIVE NR. 66

LEZHA

– Më datën 19.3.1991, u ndalua Tonin Pjetër Paloka, vjeç 33, shofer në spital, Kastriot Myftar Zenelaj, vjeç 21, elektricist, Nikoll Gjon Doda, vjeç 32, punëtor në Peshkim, Tonin Likja, vjeç 22, për arsye se kanë tentuar të rrëmbejnë anijet dhe të largohen nëpërmjet detit.

– Më datën 20.3.1991, u gjet i mbytur në afërsi të portit të Shëngjinit, një person i paidentifikuar, mashkull, afërsisht 25 vjeç. Filloi çështja penale.

DURRËSI

– Më datën 25.3.1991, grumbullimeve të një mase të madhe njerëzish nga të gjitha rrethe të ndryshme për në drejtim të portit, është tentuar për të hyrë në port. Forcat e rendit ndërhynë për zmbrapsjen e tyre, ku u plagosën 16 shtetas dhe 12 policë, u dëmtuan 2 makina, u dogj një vagon treni dhe u thyen disa xhama lokalesh. /Memorie.al

PËRGJEGJËSI I GRUPIT TË DREJTIMIT

NERULLA ZEBI

Arkivi i Voal.ch 27.02.2012 DËSHMITARJA E FUNDIT: RRËFEJ VDEKJEN E SABIHA KASIMATIT MES 21 BURRAVE TË PUSHKATUAR PA GJYQ PËR BOMBËN NË AMBASADËN SOVJETIKE

Arkivi i Voal.ch E Hënë, 02.27.2012, 08:41am (GMT+1)

 

 

Diti Biçaku është dëshmitarja e vetme okulare që ka dëshmuar momentet e fundit të shoqes së saj Sabiha Kasimati, që ishte femra e vetme në mes 21 burrave, arrestuar mbrëmjen dhe të pushkatuar pa gjyq më 26 shkurt të vitit 1951 me pretekstin e vënies së bombës në Ambasadën Sovjetike. Në moshë shumë të thyer Diti Biçaku (Maliqi) e kishte të ngulur në kujtesë ngjarjen teksa dëshmon arrestimet në masë, prangosjen, njohjen me akt-akuzën nga vetë Mehmet Shehu. “Kjo ditë dhe ajo natë nuk harrohen. Unë jam arrestuar më 24 shkurt dhe Sabihaja më 23, në orën 12 të natës. Na morën me duar të lidhura. Rrugët ishin të mbushura me plot të arrestuar që po na çonin drejt burgut të madh. Ishte errësirë e madhe. Na futën në birucë dhe u bë një dritë sa një fije shkrepëse, kur pashë edhe Sabihanë…”, kujton ajo. Diti Biçaku, e ulur në mes të sallës “Shekspir” në Teatrin Metropol, me flokët e bardhë borë dhe zërin që i dridhet teksa kthehet pas në kohë, u rrëfen familjarëve të 22 të pushkatuarve, të pranishëm në sallë, çfarë kishte ndodhur atë mbrëmje të ftohtë shkurti ku dëbora binte çika-çika me babanë, motrën, vëllain e gjyshërit e tyre që nuk u kthyen kurrë më. Ndoshta Zoti e shpëtoi që ajo të vinte këtë mbrëmje e të rrëfente jo vetëm historinë e 22 të pushkatuarve, mes tyre dhe shoqja e saj Sabiha Kasimati, por edhe të dhjetëra të arrestuarve të asaj nate.

 

Zonja Diti Biçaku Maliqi, ju jeni dëshmitarja e vetme okulare e arrestimeve, burgosjeve dhe vrasjeve që pasuan me ngjarjen e hedhjes së bombës në Ambasadën Sovjetike. Si e kujtoni atë natë?

Ishte ora 12 e natës kur ra dera e shtëpisë sime. Ishin tre të Sigurimit, të cilët të armatosur hynë brenda. Erdhën dhe më pyetën: Kush je ti? Unë jam Diti Biçaku, iu thashë. Në emër të popullit je arrestuar! Më vunë hekurat. Bënë një kontroll të imët nja një orë e ca në shtëpi, por nuk gjetën asgjë. Ashtu e lidhur u hodha sytë prindërve që po qanin me lot. U thashë të mos kenë gajle se unë isha pa faj e se do kthehesha prapë. Në ato momente nuk e di, por Zoti më dha forcë. Dola bashkë me ata të Sigurimit, të cilët ishin tre veta; njëri më rrinte majtas, tjetri djathtas e i treti përpara. I fola njërit që kisha në krah: Ku po më çoni? Mos fol! më bërtiti.

Thatë se ishte ora 12 e natës. Ku ju çuan?

Drejt e në qendrën e qytetit, ku është Sahati. Pastaj na drejtuan te burgu i ri (kështu i thoshin atëherë). Por kur dolëm te sheshi “Skënderbe” ishte mizëria me të burgosur. Rrugët ishin të mbushura me plot të arrestuar e drejtimi i të gjithëve ishte drejt burgut të madh. Të gjithë të burgosurit shoqëroheshin me nga tre të Sigurimit dhe kështu ne nuk mund të kthenim kokën as majtas, as djathtas që të shihnim njëri-tjetrin. Te burgu i ri pritëm shumë sepse nuk mbaronte radha e të burgosurve. Unë nuk e di në isha e fundit apo e parafundit. Kur më erdhi radha hyra te dera e parë. Një kërcitje e tmerrshme nga pas. Pas saj ishte një tunel shumë i errët që ndriçohej nga një dritë e zbehtë. Kaluam derën e dytë dhe pastaj më futën në një birucë. Biruca ishte pus. Nuk kishte fare dritë. Më lanë aty dhe i vunë llozin derës. Unë nuk e dija ku isha. Në atë moment u ndez një fije shkrepëse në mes të 5-6 vetëve që ishin të gjitha gra. Mes tyre ishte dhe Sabiha Kasimati. Ishte ajo që ndezi fijen e shkrepëses. Kush je?- më tha, se nuk shihej mirë. Jam Diti Biçaku, iu përgjigja. Në vend që të më thoshte “obobo”…se më kishin arrestuar, tha “o shyqyr”, ngaqë i doli një e njohur në atë tmerr. Unë, Sabiha Kasimatin e kam njohur që kur kam qenë në Elbasan.

Sa kohë ju mbajtën në qeli?

Nuk e di, se nuk e kuptoje se kur ishte ditë e kur ishte natë. Ngaqë bënte shumë ftohtë u futa në dyshekun e Sabihasë dhe u mblodhëm të dyja për t’u ngrohur. Ajo ishte me temperaturë. Ndërkohë që po bisedonim kërciti dera. Erdhën ata të Sigurimit. U futën brenda dhe thirrën emrin e Sabiha Kasimatit. Sabihaja dridhej nga të ftohtit se ishte sëmurë. Unë hoqa pallton time të madhe dhe ia hodha në krah. Me atë pallto është pushkatuar. Doli Sabihaja. Pas pak erdhën dhe thirrën edhe emrin tim. Të dyjave bashkë na futën në një dhomë ku ishin dhe disa persona të tjerë. Ishin ata të hetuesisë. Na ulën në një tavolinë që ndriçohej nga një fener. Ishte Mehmet Shehu dhe ca që nuk i njihja atëherë, por tani i njoh. Mehmet Shehu përplaste dorën në tavolinë duke thënë: “Këto janë armike të popullit. Këto deshën të na përmbysnin pushtetin tonë popullor. Nuk duhet të kemi mëshirë për to, por t’u japim dënimin maksimal se e kemi fitu me gjak pushtetin popullor”. Në këtë moment unë dhe Sabihaja i shtrënguam dorën njëra-tjetrës dhe e kuptuam se ishim shumë në rrezik.

Çfarë ndodhi pas kësaj me ju dhe Sabihanë?

Pasi mbaruam aty na larguan nga dhoma. Pas pak dëgjuam zhurmën e një makine të madhe. Ajo makinë vinte gjithmonë aty e mbuluar. Edhe sot e kësaj dite zhurmën e makinës më duket se e dëgjoj. Erdhi makina te dera dhe i futën të gjithë të lidhur. As kokën s’e ngrinin dot. Ne nuk e mendonim kurrë se po i çonin për t’i pushkatuar, por mendonim se ata shpëtuan dhe po i lironin. Ne ishim të gjithë të pafajshëm. Erdhën dhe morën edhe Sabihanë që e hipën në atë makinë. Në atë moment ajo më tërhiqte që të shkoja me të. Unë doja të shkoja me Sabihanë, por një nga gardianët më tërhoqi dhe makina u nis. Me sa duket unë nuk isha në listë për t’u pushkatuar. Nuk e di si shpëtova, por në atë kohë pyesja o Zot, pse nuk shkova dhe unë me Sabihanë, sepse mendoja se atë e kishin liruar.

 

www.voal-online.ch


Send this to a friend