VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Kadare fiton çmimin e madh Prozart 2020, vlerësohet për kontributin e dhënë në Ballkan

By | June 14, 2020
blank

Komentet

blank

Festo gjakprishur! – Poezi nga NEKI LULAJ

 

 

Sonte siç me lidhët  si lak  rreth qafe

Si kullë ëndrrash me qerpiç

I rëndë ky dyshim

Në orët e kësaj nate

Futë e zezë, pa gjumë, trishtim.

 

Mërmërimë e mëngjesit

Rreth autobusit ulën hijet e qirinjve

Krah korbash sillen rreth bregut te detit.

E Brenda vetes dëgjoj tundjet e tërmetit.

 

Yjet korrin shkëmbinjtë e zhveshur

Mjegulla  nga zalli gjëmon.

I lagur rrokulliset dielli i mëngjesit

Nga qafa e malit në rrënojë.

 

Tragjedija pabesisht i përbiu gërnaçat

Gëzohet gjakprishuri që i ofendoi

Mërgimtarët lulët e shpresës.

Këtu në këtë mëngjes jju këputën rrugët e jetës.

 

Sot i ke dhjetë me pak që të të urrejnë

Se ata patën dashuri me u kthye nga mërgimi

I djegi malli si hekurinë në furrën e nxehtë

Vdekja pabesisht shtegun  ua mbylli.

 

Ishin të malluar për aromën e djersës së prindërve.

Dy vite pa  ua prekur as faqen, as ballin.

Shumë ëndrra thurën deri te kjo nisje

Çuditërisht u hapën retë e gjëmoi tufani.

 

 

Shpirtërat  ua përpiu autobusi që vrapin ndali

Rruga e këputur  në dysh.

Feneri i shpirtërave u derdh në  vesëm  e barit

Malli e  dhembja e dashuria u bënë lumë

Ku të marrim forcën gropa -gropa me rrebesh

Se sot veç  Valon  gjakprishuri e bën festë.

blank

HELLO  HEMINGWAY – Tregim nga Konstandin Dhamo

 

Ja,më në fund edhe në Tiranë u hap një Hemingway Bar ! Ishte përuruar thuajse një muaj më pare,por ai shkrimtari SK,tashmë gjashtëdhjetenjëvjeçar,sa ç’ishte Hemi pasi iku nga kjo botë,nuk kishte marrë vesh gjë.

E kush se,SK që e kishte Ernestin shkrimtarin e tij kult !

Por ja që kështu rrjedh e vjen jeta dhe,ti punon e me çfarë nuk merresh,e megjithatë,pikërisht ca gjëra që t’iteresojnë t’i mësosh  sa më parë,ndodh që i merr vesh me vonesë,e madje krejt rastësisht.

Epo mirë,ja tani e dinte : Hemingway Bar ishte hapur te një ndërtesë e vjetër dykatëshe,e cila ndodhej ndanë një sheshi të vogël,i rrethuar ende nga disa ngrehina të kaherëshme,të cilat,me gjasë nuk do të shiheshin edhe për shumë vite të tjerë,sepse,veç kur t’i rrafshonin e në vend të tyre të ngrinin pallate shumëkatësh të ngjeshur pas njeri – tjetrit,si kudo në Tiranë.Aq më tepër që ky shesh i lakmuar,ndonëse i mbyllur dhe intim,ndodhet veçse pesëdhjetë metra larg nga Rruga e Durrësit dhe,nga krahu tjetër ,ndoshta po kaq larg edhe nga Rruga e Kavajës,pa dyshim dy nga akset kryesorë të kryeqytetit,që gumëzhinin pa ndërprerje prej trafikut të potershëm e të katrahurshëm të makinave.

Po në ç’orë çelej ky Bar ? Aha,që më nëntëmbëdhjetë…

Do të shkonte,do të shkonte dhe do të përhumbej atje gjer më të gdhirë !

Dikur i binte rruga shpesh drejt këtij sheshi,të cilin e përshkonte mes për mes,për t’u hedhur ca më tutje,te zyrat e një shtëpie botuese,e mbyllur sakaq…

Nuk priti të ngrysej,për më tepër që ishte një pasdite e flladitur fundgushti dhe,u nis nga shtëpia e tij,drejt te Hemingway Bar. Çfarë kënaqësie !

Do ta këqyrte barin një herë nga përjashta e pastaj nga brenda dhe, do të kthehej e do të ulej aty,ndoshta nga shtategjysma,kur të hapej për klientët,që më së shumti duhej të ishin anëtarët e tij të përhershëm ; atë interval kohe do ta shfrytëzonte për t’u hedhur gjer të Biblioteka Kombëtare,ku do të shfletonte koleksionin e një gazete të Viteve Tridhjetë,në numrat e së cilës do të lexonte për të mësuar mbi jetën mondane ( siç guxonin ta konsideronin ) të tri princeshave,motrave të vogla të Mbretit Zog,për të cilat po shkruante një roman t’ëmbëlsuar me romantizëm…

Te Rruga e Kavajës kaloi përpara godinës,e cila për disa dekada rresht kishte qenë selia e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë,e tashmë pale për çfarë i shërbente qeverisë,u hodh pastaj te trotuari me drurë dekorativë i Hotel Kalifornia-s me fasadë të bardhë lëbyrëse dhe,ja ku u gjend përballë Hemingway Bar !

Përgjatë trotuarit ishin vendosur stola të lartë ,teksa xhamat e njërës dritare i mbulonte fotoja e Hemit,ndërsa të tjetrës,në krah,një luan me krifën e verdhë të kërleshur vullkanisht.

Aha,por në katin e dytë,saktësisht te dera e hapur e një ballkoni gjysmërrethor,parmaku i të cilit mbahej nga ca kolonëza që të kujtonin ushtarët e lojës së shahut,ishte vendosur një fotografi e madhe bardh e zi e Heminguejit,i cili me dorën mbi sy,si për t’u mbrojtur nga dielli i fortë, të vështronte dhe përnjëmend të ftonte për të pirë së bashku ! Çfarë instalacioni i goditur ! E ku se,në një ndërtesë të vjetër ngjyrokër dhe me suva të rënë vende – vende.

I tillë duhej i gjithë ai sfond ; po të suvatohej mirë e bukur ajo ndërtesë,e t’i viheshin ca dyer e ca dritare prej duralumini të shpifur,asqë do t’i nevojitej më këtij bari. Kështu siç paraqitej,shkrimtarit nostalgjik gjatëdhjetenjëvjeçar,i ndërmendi siç edhe dëshironte,Kubën,atë Kubë të dikurshme të kazinove gjithë dalldi tropikale…

Eh Heminguej,shkrimtari kult i tij,kaloi njëzet vitet e tij të fundit,në brigjet e këtij ishulli !

Nxori celularin dhe së pari fotografoi Hemin në ballkon,i cili për çudi,kishte një portret melankolik dhe,më pas fotografoi edhe ballin e Barit.

Pastaj u afrua te dera e hapur dhe vështroi brenda.

  • Tungjatjeta ! – i përshëndeti kamerierët që po pastronin mjedisin përreth,po sistemonin tryezat dhe karriget dhe,ndërkohë po merreshin edhe me ekspresin e kafesë.
  • Tungjatjeta shoku,por na falni,bari s’është hapur ende për klientët,n’orën shtatë na keni gati.
  • Po pra,por si fillim thashë t’i hedh një sy brenda këtij barit tuaj,vij për herë të parë.
  • Patjetër t’i hidhni shoku,nuk na pengoni aspak të kryejmë punët ; vështrojeni me nge e do të harroni që jeni në Tiranë ; si fluturova pa kuptuar,do të shpërtheni, gjer në Havanë,apo gjer Në Hava,hahaha…
  • Rrofshi ! Qenkëshit më shkrimtarë se unë ju,po ç’shkrimtarë,ju qenkëshit poetë !

Ndonëse Bari ishte i fshehur në një gjysmerrësirë poroze,shishet e pafundme të shpërndara ngado, xixëllonin ngjyra  – ngjyra,teksa përballë,mbi murin me suva të rrëzuar enkas,siç grisen enkas edhe xhinset,ishte vendosur Hemi,gjithnjë po me mjekër,por këtë herë me një vështrim vëzhgues të një njeriu që do të marrë vesh sesa efekt kanë bërë te miqtë e tij në tryezë,ato çka ai tregoi…

Ja pra,bari i njëqind llojeve të rumit ,siç mëtohej se ishte : pyrat rum,old monk,abuelo,koktejet pastaj me magjitë e tyre përndezëse,për të cilët,të zotët e barit të thonë me gojën plot se,i kanë po aq fantastikë sa edhe ata të bareve të Londrës,Parisit,Milanos…

Xixëllonin e xixëllonin shishet nga të katër anët e në një kënd ishte edhe fotoja e një makine shkrimi,gjithnjë me portretin e Hemit mbi tastierë,një nga macet mutande me gjashtë gishtërinj të Key West- it,e në vazhdim fotoja e një Kadillaku, nga ata të rrugëve të Havanës,të cilët qarkullojnë edhe sot e kësaj dite dhe përfaqësojnë makinat epokale të prodhuara në Detroit,si relikte të viteve të artë pesëdhjetë,gjersa Kuba u mbyll dhe,Hemi u largua prej saj për t’u vetëvrarë në vendlindje…

Klith krilla në Key West…

Eh,ajo vetëvrasje !

Si mund të vdiste ndryshe një këngëtar i vdekjes ,shkroi me cinizëm e mllef të grumbulluar ndaj Heminguejit një kritik n’atë kohë.Pas disa njoftimeve të rreme për vdekjen e shkrimtarit ,vazhdonte më tej kritiku, një herë kur u plagos rëndë në frontin italo – austriak,e një herë tjetër ,kur u tha se vdiq në vend pasi avioni i tij u rrëzua etj,zoti Heminguej nuk pranoi më të mashtrohej e të përqeshej nga vdekja dhe,u  vetëvra…

Ka gjithmonë kritikë e kolegë të tillë ,që mezi ç’presin të zënë vend me opinionin e tyre provokues,por ku ta dish prerazi se çfarë e detyroi Hemin ta ndalte jetën me një plumb në gojë,si për të lënë të kuptohej se,s’kish më se çfarë të thoshte…

Një moment,një moment i vetëm mjafton,kur gjithçka,gjer te fama dhe lavdia,madje edhe vetë të jetuarit,të duket përfundimisht absurde,ashtu i angështuar  nga një taedium vitae ekstreme…

Por Ernest Heminguej kishte kapur sakaq qiejt e pavdekësisë…

Le të rrëmonin e le të hidhnin në pazarin mediatik të tilla histori banale si : Heminguej e detyronte të shoqen ( e tretë,apo të katërtën …) që të këndonte një arie sa kohë ai rruhej përpara pasqyrës,ose : kur isha i vogël,banonim në Havana pranë shtëpisë së Heminguejit,por im atë më porosiste rreptësisht të mos i afrohesha shtëpisë së tij,ngaqë aty,sipas tim eti,banonte një i moshuar i palarë…

Aha,të ndyrët ,si në kuptimin e parë higjenik të fjalës,ashtu edhe në kuptimin moral! Ç’pamdehnin ata se,duke i mëshuar këmbëngulshëm  vogëlimave të tilla, do ta profanonin figurën madhështore të Heminguejit ?

Çfarë është jeta bashkëshortore,një vals parajsor i një çifti engjëjsh ( me seksin e tij secili ) që zgjat pambarimisht ? Hemin ,tek shkonte e vinte nga moloja,mund ta shihnin jo rrallë herë me një kanotierë e me një palë pantallona të shkurtra si brekë prej peshkatari të njëmendtë dhe,zbathur në ditët e nxehta e të thata,tek shkarkonte nga organizmi i tij i alkoolizuar elektricitetin statik,duke kryer një terapi qetësuese…

I përshëndeti kamerierët dhe u largua për t’u kthyer aty rreth orës tetë ; do të shijomte edhe ai një koktej Heminguej e do të llafosej me ata që e frekuentonin  rregullisht këtë bar ; do të llafosej që ç’ke me të dhe,kësisoj do të merrte vesh sa e njihnin në të vërtetë ata Hemin dhe,sa prej tyre e adhuronin. O Zot ; por mos i dilnin ca e ca që s’e kishin lexuar fare dhe,ishin bërë fansa të tij dhe,për rrjedhojë anëtarë të Hemingway Bar- it thjesht për snobizëm dhe për të qenë disi të angazhuar,po themi edhe t’institucionalizuar njëfarësoj.

Po ç’ishte ai kokteji që do të provonte në mbrëmje,kokteji Heminguej ? Po !

Ky koktej ekzistonte tashmë metafizikisht dhe,kjo mjaftonte që ata mjeshtërat e banakut të barit,ta realizonin një natë,ashtu gjithë përzierje trillane, duke pasur në mendjen e trazuar imazhet e luanëve, peshkaqenëve ,atë copë zinxhiri të tankut që kishte në studio Hemi,gjëmimin e armëve të gjahut,gratë e njëpasnjëshme të tij,klithmat e krillave në fund,n’ujërat e rrëqethur në Key West …

Kokteji Heminguej !

O,do të kënaqej në mbrëmje,dale dale…

Të nesërmen në mëngjes,aty nga ora nëntë,SK,tashmë gjashtëdhjetenjëvjeçar,aqsa ç’ishte Ernesti,shkrimtari i tij kult,kur e mbylli jetën,u ngrit nga shtrati me kokën plumb të rëndë.

Hello Hemi !

Gjer më dy pas mesnate e kaloi te Hemingway Bar ,i ulur në një tryezë përjashta.

Në fillim ndenji vetëm,ashtu i përmbytur në mendime dhe,kur iu afrua kamerieri kërkoi një Fernet Branca,kishte kohë për koktejet…

  • A keni ? – e pyeti kamerierin.
  • Kemi,zotëri,e çnuk kemi.
  • Një branca atëherë,si fillim.

Më vonë vuri re tre të rinj ,dy femra dhe një djalë që po hapnin sytë të gjenin një vend të lirë.

  • Merrni nga një stol pa ndokend sipër dhe rrini këtu tek unë. – u propozoi SK.- Nuk do t’ju mungojë privatësia.
  • O,asqë e duam privatësinë,së paku në kësi rastesh – ia kthyen të rinjtë .- Falëminderit !

Ato femrat ishin balerinat e një spektakli muzikor,në njërin nga televizionet kombëtarë ,ndërsa ai djali drejtonte një emision mëngjesi në të njëjtin televizion…

O,SK asqë i kishte ndjekur në ekran,sidoqoftë u uroi suksese.

  • Unë e ndez televizorin – i sqaroi – vetëm për të parë filma dokumentarë.Porosisni ndërkohë ç’t’ju shkrepet,do t’ju qeras unë,jeni apo s’jeni te kjo tryeza ime ? Unë ju ftova …

Të dyja femrat, me flokët e zinj blozë,të mbledhuar bisht si shumica e balerinave,ishin gjithë freski dhe tepër sensuale,që nga gjestet ,spërdredhjet e lakueshme të trupit e gjer te përkëdhelja e fjalëve.

Por po tregoheshin edhe të sinqerta.

  • Nuk e njihnim Ernest Heminguejin – thanë – gjersa ky shoku ynë filloi të na sillte te ky bar,por tani sigurisht që dimë diçka për këtë autor : zinte pëshkaqenë, gjuante luanë…
  • Oh,një minutë ! Unë e adhuroj Heminguejin ! – ndërhyri shoku i tyre – Librat e tij i kam të gjithë në një vend të veçantë të bibliotekës së shtëpisë,dhe u kthehem herë pas here për t’i lexuar ,si atyre të përkthyer në shqip,si atyre n’anglisht.Tani së fundi kam lexuar edhe tre librat e tij të botuar pas vdekjes ,eh !

SK .desh t’i thoshte se,qenke i çmendur më keq se unë,por hoqi dorë.

  • Ne të tre – vazhdoi moderatori i mëngjesit – i provojmë me radhë të gjithë koktejet që përgatiten këtu,sonte do të pijmë një që nuk ka as dy net që e kanë krijuar ; je dakord me foljen me kriju që përdora në këtë rast?
  • Si nuk jam dakord ! Ja ç’vlerësim ke ti për koktejin.Edhe unë të njëjtin do të pi.Le të porosisim për të katër,thirreni kamerierin…
  • OK ! Ah,por jeni vetë shkrimtar. Si na u prezantuat shkarazi se quheni ?
  • He he, SK pra ; kam botuar rreth njëzet e pesë libra gjer më sot,romane kryesisht,por dhe tregime .
  • Sa keq që nuk ju kam dëgjuar emrin,pale t’ju kisha lexuar një libër !
  • O,s’ka gjë,jam argasur unë sakaq me indiferencën ndaj letërsisë.Por ja,ti adhuron Heminguejin ,i cili është shkrimtari im kult,djalosh ; më lejo të të quaj djalosh ?
  • Përse jo ?
  • Desha të hapem qëparë,por e lashë,ja e solli rasti prapë.
  • O Zot,kur do të takohemi një natë e të pijmë së bashku për Heminguejin ? E di që do të bëhem llafazan,por ti nuk do të mërzitesh aspak.
  • Ç’thua ? Ka të ngjarë që unë të tregohem më i papërmbajtur se ty.Por dëgjoni ! Jeni më të sinqertë e më të drejtpërdrejtë se brezi ynë. Ne dredhojmë ,zonjusha, – iu drejtua SK balerinave – zor se dikush nga ata të moshës sime do të më thoshte troç si ju se,asqë ta kemi dëgjuar emrin ; do të më thoshin : posi s’ta kemi dëgjuar,madje të kemi lexuar edhe disa tregime nëpër gazetat letrare,posi…
  • Hahaha ; kur do të vish n’emisionin tim të mëngjesit ? Quhet Dit’e Re.
  • Ç’të them ? A i lëmë njëri – tjetrit numrin e celularit ?
  • OK…

Aty rreth orës një pas mesnatës,pranë tyre,dikush ndaloi motoçikletën,një off road,ndoshta mbi 1000 cc,që rrapëllinte shurdhueshëm.Por,kur personi që e ngiste, hoqi kaskën me xham t’errët,doli se mbi motoçikletë paskësh qenë një femër e hajthme me flokë të shkurtër,e cila me ç’u pa,e ngiste hamshorin e saj me një nerv prej mashkulli.

  • Ku jeni,o të poshtër – iu lëshua balerinave dhe djalit që i shoqëronte – pa më hapni një vend !

U puthën rrëshqitshëm gjithë përthithje dhe, moderatori i Ditës së Re,bëri prezantimin shpejt e shpejt,në të dyja anët:

  • Kjo zonja beqare ,hehe është Xhilda,mikja jonë e paçmuar,një bohemë sakrificash ,ndërsa ky zotëria është shkrimtari SK.O,do të shkriheni së bashku në muhabet ,sepse unë dhe balerinat do t’ju lëmë sakaq,na presin me padurim në një tjetër vend,ku vajzat do të kërcejnë me një balerin,që s’ka as një javë që ka mbërritur në Shqipëri ; o është azer,buenas noches !
  • Sa mirë bëtë që ikët ! – ua përveshi Xhilda,tek zbërtheu deri poshtë xhuboton e saj prej lëkure.
  • Hemingueji është shkrimtari im kult- i tha SK edhe asaj – e megjithatë stili im nuk përngjan fare me të tijin.Dhe,sa mirë që është kështu ; s’ka më keq se imitimi,mbetesh gjithmonë në prapavijë.
  • Unë – ia ktheu Xhilda,tek ndezi një cigare,pasi e futi te një pipë e gjatë – kam lexuar nga |Ernesti vetëm romanin Për kë bie këmbana .Unë i njoh këtij autori më shumë aventurat sesa librat.Kam qënë në Paris dhe,nëse dëshiron,do të mund të t’i tregoj me radhë vendet ku ka qëndruar Ernesti,që nga Hotel Ritz,bari i të cilit quhet prej kohësh Bar Hemingway…
  • O , e di,kam lexuar gjithçka me hollësi,por gjer më sot nuk e kam gjurmuar Hemin asgjëkundi !
  • Kam qenë në Fossalta di Piave t’Italisë,ku Ernesti u plagos për vdekje,në Spanjë,gjer në Pamplonan e demave ! Po në Kubë ? Po si jo ; gjer dhe te muzeu i Ernestit në Finca Vigia,ndanë Havanës piktoreske dhe ekzotike,por ja,më beso,një çast të vetëm të një pasditeje vezulluese,se ç’më kujtoi Tiranën e Komunizmit,habitesh ?
  • E si të habitem,kur ata janë ende në komunizëm,ndonëse kurrsesi jo si i yni.
  • Megjithatë,s’m’u përqas Tirana e komunizmit nga ngjashmëritë sociale që të afrojnë sistemet ideologjike,jo jo,ishte diçka n’ajër.Ah,por n’Afrikë nuk kam shkelur ende ! Do të hidhem edhe  n’Afrikë.Por s’të përmenda Key – West-in ! Në Key – West sa s’rashë në gjendje shoku ; më kupton,vetëvrasja…
  • Eh,çfarë do të pish ?
  • Unë pi vetëm Delirium,kështu e quaj unë koktejin tim,një përzierje pa ndonjë recetë të përcaktuar; hidh ç’të mundesh në gotën time,i them unë baristit dhe ai,atë bën,hedh nga çdo shishe që i zë dora.Një ditë më tha,ajo gota jote,do të marrë flakë,haha…
  • Po pi edhe unë zjarrin tend,ai kokteji i miqve të tu veçse më gudulisi.
  • Atë pi ,por fillo e mendo për një udhëtim ndërkontinental,që të shkelësh në gjurmët e Ernestit tënd,nuk bën të flashkesh.Çudi si ke duruar gjer më sot!
  • Kam qenë i detyruar të duroj ngaqë me t’ardhurat që siguroja,mezi ia dilja t’ushqehesha .Pas përpjekjeve,të cilat do të rrekesha më kot t’i rrëfeja,e rimorëm pronën e familjes ,një vilë trikatëshe me gjithë atë oborr, te Rruga e Elbasanit të cilën ia lëshuam me qira menjëherë një ambasade.Paret s’tregohen,por bashkë po llafosemi : tashmë marr pesë mijë euro në dorë çdo muaj,kështu që do t’udhëtoj pa e vrarë mendjen sesa do të prish,Xhilda ,që s’mund të quheshe veçse kështu.Jam divorcuar që para dhjetë vitesh dhe,ish gruaja ime e dashur jeton në Suedi së bashku me djalin tonë.
  • Ja që të pa Zoti dhe ty .Na,ndize një cigare,oho,nuk e pi ? Epo, ai Deliriumi nuk vete pa cigare .
  • Ke të drejtë.Nuk solle ndonjë puro nga Havana ,apo solle por ndërkaq të janë mbaruar ?
  • Solla ,por ua dhurova të gjitha miqve të mi,vetë nuk i pi,ndonëse era e tyre më pëlqen si t’ishte e një parfumi ekstra. N’atë udhëtim ,drejt Ernestit,kam qenë bashkë me të dashurin tim,ai madje e pati i pari idenë e këtij lloji turizmi.
  • Pa shih, pa shih,po ç’punë bën ky i dashuri yt ?Nëse është shkrimntar ka shumë gjasa ta njoh.
  • I dashuri im,nuk është më i dashuri im,u rikthye te bashkëshortja e tij pas katër vitesh ndarjeje.Por ti më pyete ç’punë bën ; drejtpërdrejt ndoshta do të më kishe pyetur se ç’e lidh me Ernestin e ç’nevojë shpirtërore kishte të thithte frymën e tij ngado ku ai kishte jetuar,hë ?

O,është ekonomist,por lexon shumë edhe sot e kësaj dite dhe,me Ernest Heminguejin nuk vë asnjë shkrimtar ; ka lënë prej kohësh mjekër ja,krejt si e Ernestit te fotografia pas banakut.

  • Ka shumë adhurues që mbajnë mjekër alla Hemingway,siç po e quajmë ne sonte,por mua ata më shqetësojnë seriozisht,kur i shoh të mbledhur bashkë në ndonjë veprimtari kushtuar shkrimtarit të madh ; më duket,mos o Zot ! sikur është klonuar sakaq vetë Hemingueji. Do t’ishte më dinjitoze e madje edhe më etike,nëse këta adhurues të paraqiteshin secili me portretin e vet.Ah, por çfarë kokteji paskësh qenë ky yti,vërtet delirium…

Si ia ngriti mendjen Xhilda !Ç’femër energjike…

Pale ,por s’e la e s’e la ta qeraste dhe,kur u ngritën t’iknin  ,i tha,por ç’i tha,e urdhëroi të hipte prapa saj në motoçikletë që ta çonte në shtëpi sa hap e mbyll sytë.

Hipi SK dhe u ngjesh pas Xhildës pa një pa dy.Po ç’nerv prej mashkulli ! Ajo u bë njësh me atë motoçikletën ,ashtu e tëra me të zeza dhe, SK iu bë se ishte kapur fort pas një pantere.

Ah,moj Xhilda,murmuriste me vete SK ,aty në ndenjësen mbi skapamenton që  gjëmonte si mitroloz,shpjermë gjallë në shtëpi se,edhe mua më duket se më pret ai udhëtimi yt marramendës : Paris Pamplona Key West Finca Vigia Ketchum …

Por sa të rëndë e kishte kokën në mëngjes !

Do të bënte një dush nga ata që besohet se ta marrin lodhjen dhe stepjen me vete dhe,me të ngrënë diçka sa për të thënë,do të hidhej gjer te kafeneja ,prapa Bibliotekës Kombëtare dhe aty përjashta,do të ulej te njëra nga tryezat ndënë bredhat e lartë,mes halave të të cilave ,kumriet pyesnin e pyesnin tek iknin e vinin : ku ku ku…

Do të përcaktonte me nge itinerarin prej mijëra kilometrash dhe,me të futur në xhep vizën amerikane, do të nisej për udhë,ashtu si një pelegrin i vetëmuar ,që e ka kapluar një ndjesi religjioze,ngaqë e dinte se,çdo vend ku kishte kaluar e ndenjur një farë kohe shkrimtari i tij kult,do të kishte për të një hije me peshë tempullore,paçka se,asgjëkundi nuk do të rrethohej nga ndonjë kolonadë dhe,nuk do të ndizte qirinj amshimi e as do të lutej…

Por,sa mendonte se do të zgjaste pelegrinazhi i tij ? O,ndoshta edhe dy muaj fillim – mbarim,pa intervale kthimi në Shqipëri.

Megjithatë, ç’mendjelehtësi është të besosh se,teksa vizitoje, ashtu mes turmës së ndërkryer të turistëve shtëpinë – muze ,të ngrirë në palëvizshmëri të një shkrimtari të madh,mëson mirëfilli jetën dhe karakterin e tij,tek sheh se në ç’mjedise është vërtitur ai dhe se çfarë shijesh estetike kishte.Ah,sa thellë e sa thellë fshihet shpirti përçdoherë i shqetësuar e madje i vrarë i një shkrimtari !

Sa marketing bëhej me memorien e Heminguejit,me vetë objektet dhe sendet që ai kishte prekur me dorën e tij dhe,i kishte përdorur ! Marketing nëpërmjet rrjeteve sociale : ja grepat e peshkimit ,arma q’u vetëvra,jahti,dorezat e dyerve që hapte e mbyllte,teshat e trupit,librat në rafte…

Por SK ishte ndryshe,së paku nga pjesa dërrmuese e atyre vizitorëve që nguteshin t’i shtonin fotografitë ,të cilat i shkrepnin orë e çast,për t’ua rrëfyer më pas miqve të tyre.

Për shkrimtarin SK,çdo objekt që kishte përdorur Hemi,ishte një fetish më vete i vyer që,më së fundi ai do të kishte fatin t’i prekte ! Çfarë induksioni drithërues do të përcillej nga ato objekte te mollëzat e gishtërinjve të tij ! Ç’mesazhe do t’ia përshkonin trurin e plogështuar paksa vitet e fundit nga pritja e tepruar e suksesit ! Sa nevojë kishte të përftonte fuqinë dhe talentin e Heminguejit,tashmë që ishte gjashtëdhjetë e një vjeç !

Aha, por në këtë moshë,shkrimtari i tij kult vrau veten !

Hello Hemingway…

 

blank

(Letërsi pa sinore) EDHE PASTORËT BIEN NË DASHURI – Tregim nga THANI NAQO

Hap kuletën e shpalos me kujdes çekun e skaduar të pastorit. Edhe se kanë kaluar pesë vite, germat, numrat e llogarisë bankare, por dhe vula e firma e tij, nuk e kanë humbur shkëlqimin e bojës.
“Nëse tempujt e zotit bien në krizë morale e financiare, ky është fundi i botës,” – pohoi pastori ndërkohë që shkruante me fjalë shifrën 1200. Më kujtohet se, para se të firmonte çekun, ai ngriti kokën e më pa drejt në syrin e mirë, sikur donte të dinte në e pranoja pohimin e tij. Pastaj, kur u çua nga karrigia dhe nderi dorën për të më dhënë çekun, pa dashje preka gishtat e tij të butë, të bardhë e të djersitur. Pastori ishte sy gri, “tamam sy magjistari,” – më pati shkuar ndër mend edhe para dhjetë viteve, kur më dha çekun e parë. Më pas, kur e thinjura mbi tëmtha iu përhap e ia zbardhi krejt kokën, fytyra i mori pamje ëngjëllore. Atëherë filloi të më dhimbsej. Mezi e përmbante të qarën në proçesione varrimi.
Megjithëse jam formuar ateist, ditën që mora çekun e fundit prej tij, pata ndjesinë se diçka hyjnore më ishte ngjitur edhe mua. Mbase, “diçka hyjnore” më ishte ngjitur sepse mirëmbaja oborrin e kishës, por, ngandonjëherë, ndihmoja varrmihësit në uljen e arkivoleve e për të sheshuar dheun mbi varre.
“Ajo vjen çdo të martë e të premte në kishë,” – tha pastori dhe nuk e përmendi emrin e të fejuarës time.
“Po, At i Shenjtë, e di.”
“Ajo është e bukur, e çiltër dhe e dhembshur.”
“Po, At i Shenjtë. Jam shumë i lumtur që do bëhet bashkëshortja ime.”
“Je rrëfyer ndonjëherë,”- pyeti befas e më pa drejt në syrin e prishur.
“Jo, At i Shenjtë,” – thashë me sinqeritet.
“Rrëfimi lehtëson shpirtin nga mëkatet.”
“Mëkatar jam, por nuk mund të rrëfehem.”
“Arsyeja?”
“Jam ateist, – u përgjigja dhe u pendova në çast. Me atë përgjigje mund të humbisja njëmijë dollarët e përmuajshme.
“E kam ditur se je ateist, – pohoi pastori dhe psherëtiu. – Kur korre barin e krasite shkurret për herë të parë, nuk bëre kryq.”
Me frymën që kisha thëthirë para se të pohoja “jam ateist”, – shtova me zë e lëvizje duarsh  aktori:
“Problemi im është i ndërlikuar, At i Shenjtë. Nga im atë jam mysliman, kurse nga ime më, i krishterë.”
Atëherë pastori buzëqeshi dhe tha:
“Mirë është të pagëzohesh. Për hatrin e saj, – shtoi e nuk e përmendi emrin e të fejuarës time, – pagëzimin do e bëj falas.”
“Ah, më kanë bërë synet,” – thashë me humor e imitova me dy gishta gërshërën kur pret. Pandeha se pastori do zemërohej me veprimin tim, ndërsa ai qeshi. Qeshi siç qesh edhe unë, pa zë, kur vë në lojë veten time. Për t’u dredhuar syve hetues, kisha hedhur vështrimin përtej dritares të zyrës pastorale. Mbi shkurret, që i kisha krasitur para dy a tre orësh, dallova një degëz trëndafili, me gjethe e gonxhen të thatë. Tani, pas pesë viteve, ndërmendem se, gonxhja që kisha këputur në ëndërr, ishte e thatë dhe pikërisht nga trëndafil i verdhë, përtej dritares të zyrës pastorale. Mbaj mend se isha mbushur fort me frymë, tej i kënaqur, mbasi asaj here pastori më pagoi dyqind dollarë më shumë.
“Me dyqind dollarë blihen rroba e këpucë të mira, – tha pastori. – Ato do t’i veshësh ditën që do të pagëzohesh.”
Në çast kisha llogaritur me mend se, me njëmijë e dyqind dollarë blihej një korrëse e re bari e dy telefona celularë, të markës Samsung. Mirëpo, kur isha mbushur thellë me frymë, flegrat më dhanë sinjal se në hapësirën e zyrës pastorale lëviznin molekulat e aromës së njëjtë me parfumin që përdorte e fejuara ime.
“Mirë u pafshim, at i shenjtë.”
“Mirë u pafshim,” – u përgjigj pastori me zë kumbues dhe qeshi. Qeshi, pasi pastori e kishte vënë re, mbase qyshkuri, se isha edhe tip hutaq dhe i pa djallëzuar. Mirëpo, edhe tani, pas pesë viteve, që e fejuara më ka braktisur, pastorin e përfytyroj duke qeshur. Pavarësisht se asokohe ai i kishte lënë të gjashtëdhjetat, kurse unë sapo pata mbushur të tridhjetë e pesat, u bëra ziliqar për fytyrën e tij simpatike. U bëra ziliqar e për lëkurën e bardhë dhe të ndritshme, por ca më shumë me sistemin e rregullt dhëmbor. E qeshura më ish fikur, jo se dyshova që pastori ishte homoseksual, as pse i thashë vetes, “mos qesh o, idiot!”, porse më pati cimbisur pandehma e hidhur e xhelozisë. Në çastin që tërhoqa derën e zyrës pastorale, kisha kthyer kokën dhe dallova se pastorit i shkëlqenin sytë nga lumturia.
“Ah, dashuria është e ëmbël dhe heroike,” – tha ai i ngazëllyer, por as atë ditë e as tani, nuk e kuptoj nëse vazhdoi të qeshte me pohimin e tij, apo me hutimin tim.
blank

Kur shkruan poezi, Delo Isufi e ngjyen penën në shpirtin e tij të bukur – Nga FRAN GJOKA

 

 

-Mendime për librin “Vajza e Manaferrave” të poetit Delo Isufi-

 

Kur flet shpirti, gjërat bëhen hyjnore dhe jeta të duket një magji, ku gjithçka lulëzon, gjallërohet dhe të falë gëzim. Zakonisht janë poetët ata që krijojnë situata të tilla, që ledhatojnë shpirtërat e njerëzve, që nxitin njeriun drejt zhvillimeve dhe pasqyrimit të ndjenjave të holla e delikate, që lëvizin bashkë me gjakun dhe krijojnë frymëzime dhe mendime të guximshme për jetën. Këto ndjesi i fitojmë edhe duke lexuar libra të mirë poetikë, të frymëzuar, që na emocionojnë thellë dhe na bëjnë më aktivë në veprimet tona.

Ndjesi të tilla krijova edhe unë gjatë leximit të vëllimit poetik “Vajza e Manaferrave”, të poetit Delo Isufi. Është një libër që lexohet me një frymë dhe, pasi e mbaron, ndihesh i mbushur me më shumë dashuri për jetën, për stinën e bukur të pranverës, për mirësinë dhe dashurinë, për marrëdhëniet mes njerëzve, harmoninë dhe ecjen më të sigurtë në jetë, secili në drejtimin, pasionin dhe frymëzimin e  tij. Siç shprehet në një artikull kushtuar këtij poeti, shkrimtari i njohur Viron Kona:  “Shpirti krijues i Delos Isufit është  i lidhur ngushtë dhe i dashuruar me hapësirat e gjera e ku, veçmas, ai ka përjetuar e dashuruar hapësirën e paanë qiellore, qysh atëherë, kur mjaft i ri në moshë pilotonte avionët supersonikë, ditën dhe natën, e ku bashkudhëtarë e shokë të pandarë kishte hënën vezulluese dhe yjet e ndritshëm…”

Autori nuk sjell personazhe të nominuar në poezitë e tij, por ai sjellë “muzikën” e tigullimtë të vargut, harmoninë unifikuese të dashurisë. Ai dashuron me pasion, nuk i trembet dashurisë dhe forcës së saj sublime, sepse prej saj edhe vet jeta gjallërohet dhe fiton impulse, nxitje  e ritme të reja e të vazhdueshme. Lexuesi i vëmendshëm gjen pozitivitet në çdo poezi të Delo Isufit, gjen mrekullinë e ëndërruar, gjen joshjen, pasionin, gjen dritën që ndriçon brenda shpirtit.

“Bashkë kaluam këtë natë, / Zjarr e prush i mbuluam, / s’kish nevojë për dritë e flakë, /  Me puthje qiellin ndriçuam…”.

 

blankblank

Kopertina  e librit                                Poeti Delo Isufi

 

Delo Isufi të përfshin si pakuptuar në melodinë e poezive krejt natyrshëm, saqë, kur fillon t`i lexosh ndjen dëshirën e brendshme t`i recitosh, madje t`i këndosh ato vargje që të falin frymëzim, freski, ngjyrime  dhe dritë. Libri e ka si një specifikë të vetën ndezjen e ndjenjave të dashurisë, “punët” dhe “lojërat” e shpirtit e të zemrave dashurore, përjetimet e thella që zgjon dashuria. Ndihet në këtë libër poetik edhe forca e brendshme shpërthyese, që e bënë të magjishme poezinë, metafora, mbretëresha e figurave aristike, e, krahas saj, vargjet sjellin te lexuesi bukurinë e krahasimeve mbresëlënëse, metonimive, simboleve, epiteteve, si dhe një kanistër plot me figura të tjera poetike, që e bëjnë vëllimin krejt origjinal: “Pritmë, mike, në pranverë, / T`jesh e bindur, aty jam, / Do të sjell lule me erë, / do t’i mbjell në fustan.”

Fuqishëm shfaqet ndjenja e zjarrtë e dashurisë edhe te vjersha “Mall për miken”, ku vargjet duken sikur shkrihen me hapësirën dhe vijnë te lexuesi të stolisuar plot shije dhe bukuri: “Fustanella fluturonte,/Xixa lëshonin patkonjtë,/Tek jarania labi shkonte,/Që t`i puthte gush` e ftonjtë…

Sigurisht që nuk mund të mos krijosh dhe të mos tërhiqesh drejt një “mikrobote” përjetimesh e ndjenjash të bukura, kur  të rrëmbejnë poezi kaq të këndshme, të cilat sikur  hedhin valle në përfytyrimet e  tua si lexues dhe shpalosin para teje peizazhe të mbushura me cicërima, me “muzikë” burimesh e përrenjsh, me gjelbërim, me freski e me gurgullimë shpirti. Kështu, me ngjyrime, vjen poezia “Piktorja”, ku lirizmi pikon në shpirtin e  poetit dhe ai shkruan:  “Vajzën piktore e takova vetëm një herë,/Gjithë zogjtë e qiellit atë ditë zbritën aty,/Fytyra engjëllore, përherë pranverë,/Katër stinët e viti i reflektoheshin në sy.”

Poeti është kundër tipareve të këqija njerëzore, që shajnë, poshtërojnë, që mezi presin t’i shpallin armiq njerëzit, që mendojnë ndryshe, apo ata ekzemplarë që, iu bën të mira dhe në fund të “shpërblejnë” me mosmirënjohje etj., fenomene negative këto, të njohura në marrëdhëniet dhe botën e rëndomtë, e me të cilat autori nuk pajtohet kurrë.

Libri ka ritëm, çdo poezi sikur është ndërtuar si një kulm më vete, secila është, herë një bisk pranveror, herë një gonxhe e sapoçelur, herë një trëndafil që spërkat me aromë natyrën, duke iu gëzuar rrezeve të ëmbla dhe të ngrohta të diellit apo dritës së Hënës dhe yjeve të ndritshëm. Besnik në erotikën e tij, Deloja shpalos vazhdimisht dashurinë dhe respektin për krijimtarinë popullore, ndërkohë që vargjet e  tij frymëzojnë respekt dhe dashuri për perlat e poezive tona popullore.  Te poezia “Poetja këngëtare”, ai derdh vargjet: “Një indiane e nisi këngën,/Nuk ish këngë po cicërimë,/Unë e ngatërrova me hënën,/Kur ajo shfaqi bukurinë./Pastaj këndova dhe unë,/Në gjuhën tonë perëndie,/  “Vito ç`mu bëre në gjumë”,/Këngë e vjetër dashurie.”

Poeti Isufi, nuk lë mënjanë “burimin” e dashurive të mëdha në jetë, figurën madhështore të nënës, duke e imnizuar figurën e saj të shtrenjtë për të gjithë njerëzit e këtij planeti. “Unë nuk dua asgjë tjetër, / Veç t’më thuash: -Si je nënë? / Se jam ligur, se jam tretur, / Veç t’më thuash: – Si ke qenë? Se jam nënë e mbetëm nënë!”

Për Delo Isufin janë shprehur shumë krijues, mes të cilëve Viron Kona, Agim Bajrami, Kadri Tarelli, Bashkim Saliasi, Sejdo Harka etj., dhe, të gjithë kanë shkruar me respekt  dhe entuziazëm për krijimtarinë e këtij poeti. Me ata bashkoj edhe unë mendimin, duke vlerësuar te Deloja veçanërisht gjuhën e zemrës dhe të shpirti të tij të bukur, botën e tij të pasur me ndjenja, sinqeritetin, simpatinë dhe dëshirën për harmoni  në jetën mes njerëzve dhe natyrës.

 

Leximi librit poetik “Vajza e Manaferrave” të  frymëzon, të sjell paqe, qetësi shpirti dhe freski, ai nxit emancipim dhe dashuri, por edhe na nxit kureshtjen të hulumtojmë pak më shumë edhe për poetin Delo Isufi, për jetën dhe përvojat e tij, për vëllimet e tjera poetike që ai ka shkruar e botuar: Mësojmë se Deloja Delo ka lindur në fshatin Brataj të Vlorës, më 15 korrik të vitit 1944. Pasi mbaroi arsimin e mesëm, ndoqi studimet në Akademinë e Forcave Ushtarake Ajrore, ku u diplomua “Pilot Gjuajtës Bombardues”. Vitet e para si pilot shërbeu pedagog për fluturimin në Akademi, ku mësoi pilotë të ardhshëm në teori dhe praktikë fluturimi. Fluturoi në të gjitha kushtet e kohës dhe të motit, në re, natën, në muzg e agim për 26 vite me aeroplan luftarak rekativ mbizanor, deri në vitin 1992 me detyrën zv.komandant regjimenti apo kopmandant i fluturimeve, me gradën kolonel. Në vitin 1974 mbaroi edhe Fakultetin e Shkencave politike juridike, dega Drejtësi, në Universitetin Shtetëror të Tiranës, ku u diplomua Jurist. Prej vitit 1992 e në vazhdim punon avokat. Nga viti 2002 e deri në vitin 2006, ka qënë Avokat i Avokaturës së Përgjithshme të Shtetit Shqiptar, në periudhën e fundit, edhe Avokat i Përgjithshëm i Shtetit, tani avokat privat.

Deloja ka botuar shtatë libra: Një novelë: “Ndiej tek ikën”, 2008 dhe gjashtë vëllime poetike, që janë: “Magjia e syve”, 1998, “Lulet e zemrës”, 2003, “Kur lahet hëna”, 2006, “Ëndërr e grisur”, 2012, “Tavolina e rezervuar”, 2016, “Vajza e manaferrave”, 2019. Ndërkaq, Delo Isufi ka shqipëruar shumë poezi nga gjuhët Angleze, Ruse e Frënge. Si poet, ka marrë pjesë dy herë në një festival të poetëve nga mbarë bota në Indi. Për tre vite me radhë, poezitë e tij janë botuar në Antologjinë Poetike Internacionale Shumëgjuhëse të Shtetit Andhra Pradesh, Indi.

Dëshiroj ta mbyll këtë artikull me vlerësimin poetik, që i bënë poezive të Delo Isufit, redaktori i librave të tij, shkrimtari Viron Kona, i cili vë në dukje se: “Kur shkruan poezi, Delo Isufi e ngjyen penën në shpirtin e  tij të bukur.”

blank

NISJE – Poezi nga ARSHI PIPA (28 korrik 1920 – 20 korrik 1997)

 

Lamsh na perlane — çka mundëm me rrëmbye
prej teshash vrik — e na stivuen si thasë
ndër kamjona, me shqelma tue na rrasë;
prangat ndër duer, për s’mbrapshti, ashtu mbërthye

sa mishi u-nxi mbas pake e u-fry me plasë;
mandej për kame e gjoks litarin nye
tri herësh na e përshuen, tue u-dërkrye
ma keq mbi ke u-angue a desh t’u flasë.

E mbasi kryen, rrethuen nënkolonelin
qi gjithe at kohe kish ndenjun tue soditun
fetyrat tona t’ajtuna, t’gërdheshna

nën klithmat e pazâ… Ishin djersitun
e fshiheshin me nge. E mbante belin
njeni tue qeshë me llanet e përveshna.

 

blank

PËR TY – Poezi nga PERCY BYSSHE SHELLEY – Shqipëroi ELIDA BUÇPAPAJ

 

Fjala nuk është më fjalë

Nëse unë vlerën sia di,

Ndjenja është e padenjë

Nëse ti e shpërfill;

Shpresa është vetëm dëshpërim

Nëse durimi ka humbur,

Dhe dhembshuria jote më e shtrenjtë

Se e tjetërkujt.

 

Unë sta jap dot atë që tjerët e quajnë dashuri.

Por ti nuk do ta pranosh

Adhurimin që zemra ua bën perëndive

Dhe ato ia pranojnë,-

Dëshira e fluturave të natës për yjet,

Dëshira e natës për të nesërmen,

Përkushtimi i diçkaje të largët

Nga sferat e keqardhjes sonë.

blank

NATËS – Poezi nga PERCY BYSSHE SHELLEY – Shqipëroi ELIDA BUÇPAPAJ

 

I

 

Vrik fluturon mbi valën perëndimore,

O ti Shpirt i Natës!

Jashtë shpellës së mjegullt lindore,

Kur, gjithë ditën e gjatë,

Edhe pse ëndërrat më të regjura të gëzimit dhe frikës,

të cilat të bëjnë ty aq të tmerrëshme dhe aq të dashur,-

Ti fluturimin se ndal!

 

II

 

E pështjell trajtën tënde në një pelerinë gri,

Qëndisur me yje!

I mbyll sytë e Ditës me flokët e tu;

E puth atë derisa e vë në gjumë,

Pastaj endesh mbi qytet, dhe det dhe tokë,

duke prekur gjithçka me dorën tënde përgjumëse-

Eja, e shumëkërkuar kudo!

 

III

 

Kur unë zgjohem dhe agimin shikoj

Psherëtij për ty;

Kur drita pushton botën dhe vesa ikën e shkon,

Dhe mesdita rëndon mbi lule e pemë pa mëshirë,

Dhe Dita e kapitur na e kthen shpinën,

Si një mysafir i vonuar që askush nuk e fton,

Unë për ty psherëtij.

 

III

 

Motra jote Vdekja erdhi, dhe thirri,

Më kërkonte mua ajo?

Djali yt manar Gjumi, symbyllur,

Mërmëriti si një bletë në vapë të mesditës,

A do më marrë ajo mua në prehër?

Po më kërkon mua kudo?

Dhe unë u përgjigja vetë!

Jo, kurrsesi jo!

 

IV

 

Vdekja do të vijë kur ti të kesh vdekur,

Shpejt, menjëherë-

Gjumi do të vijë kur ti të kesh tretur;

Për asnjërin nga ata unë kokën s’do çaj

Vetëm për ty do të pyes Natë e dashur-

I vrullshëm fluturimi yt vërdallës do të jetë-

Eja, eja shpejt!

blank

MUZIKA, KUR ZËRAT E ËMBËL VDESIN – Poezi nga PERCY BYSSHE SHELLEY – Shqipëroi ELIDA BUÇPAPAJ

 

Muzika, kur zërat e ëmbël vdesin

Vazhdojnë të drithërojnë në kujtesën.

Aromat, kur manushaqet vyshken,

Jetojnë në mbresën që lënë te njerëzit.

 

Fletët e trëndafiles, kur trëndafilja ka vdekur

Përdoren për shtratin e të dashuruarve si shtresë;

Ashtu edhe mbi mendimet e tua, kur të jenë tretur,

Dashuria vetë do të bjerë të flejë.

blank

AMOR AETERNUS – Poezi nga PERCY BYSSHE SHELLEY – Shqipëroi ELIDA BUÇPAPAJ

 

Pasuria dhe fisnikëria humbin prore

në detin e madh të drejtësisë e padrejtësisë njerëzore,

kur vjen koha që sundimi ynë mbaron;

por dashuria, edhe pse e futur në rrugë të mbrapshtë,

është nga ato gjëra të pavdekëshme dhe që kapërcejnë

gjithë atë materie të dobët nga e cila jemi

-apo kemi qenë.

blank

SHPIRTËRA BINJAKË – Poezi nga PERCY BYSSHE SHELLEY – Shqipëroi ELIDA BUÇPAPAJ

 

Jam si një shpirt

që në intimitetin e zemrës së vet ka banuar,

dhe ndjesitë e veta ka perceptuar,

dhe mendimet e veta ka medituar,

dhe ka njohur vrullin më të thellë

të shpirtit të vet: atë rrjedhë

të heshtur që vetëm në gjak

është shënuar, kur të gjitha emocionet

në shumëfishmëri përshkruajnë

qetësinë e deteve në muaj e verës.

Unë kam çliruar melodi njerëzore

Nga thellësia e zemrës së tij:

rrahjet e zemrës kam bërë fije fije

dhe jam bërë pjesë e tyre e mirëfilltë.

Bash si një shqiponjë në shiun pas vetëtimës,

shpalos krahët tejetej hapësirës.

blank

DASHURIA ËSHTË UNIVERSI SOT – Poezi nga PERCY BYSSHE SHELLEY – Shqipëroi ELIDA BUÇPAPAJ

 

 

E kush e ndjen tani dhimbjen apo zënkën?

Dashuria sot universi është

Këta janë skllevërit e një të nesërmeje të errët

Të cilët nxijnë rrugën qerthullore të Jetës.

blank

FILOZOFIA E DASHURISË – Poezi nga PERCY BYSSHE SHELLEY – Shqipëroi ELIDA BUÇPAPAJ

Burimet përzihen me lumin

lumenjtë me Oqeanin përzihen

erërat me Qiellin gjithmonë

në lëvizje të ëmbëla shkrihen

asgjë në botë sështë pa çiftin e vet

dhe gjithçka në bazë të ligjit

hyjnor në një forcë të përbashkët

takohet dhe përzihet.

Po unë me ty përse jo vallë?

 

A e shikon se malet puthin kupën

e Qiellit, e se valët njëra me tjetrën

përqafohen. Asnjë lule djalë

nuk do të jetonte

pa të kundërtën

pa lulen femër.

Dhe tokën e përqafon drita e diellit

Dhe rrezet e hënës puthin detin.

Pse e gjithë kjo me kaq përpikmëri u krijua

nëse ti nuk dëshiron të më puthësh mua?


Send this to a friend