Hashim Thaçi ka deklaruar herët se i ka bërë ftesë Nikoliçit në ceremoninë ku ai do të kurorëzohej president. Në kushte dialogu normal, të arritjeve reciproke midis dy vendeve, do të ishte normale ftesa që kryetari i shtetit të Kosovës do t’i bënte homologut të tij serb. Dhe homologu serb kishte për t’ia pranuar ftesën.
Përmirësimi i marrëdhënieve midis dy vendeve do të ishte në të mirë të qytetarëve, pavarësisht përkatësisë shqiptare apo serbe. Dialogu në Bruksel këtë duhej të nxiste, kështu duhej të ishte i kushtëzuar nga BE-ja, barazi dhe reciprocitet midis dy vendeve që aspirojnë të vazhdojnë jetën si dy fqinjë europianë.
Por BE s’ka patur asnjë ndikim tek Serbia, përkundrazi, ka rënë nën ndikimin e Serbisë dhe dialogu është kthyer në antidialog, duke shërbyer për një afrim “spiritual” të Thaçit me palën serbe.
Hashim Thaçi ky politikan me profil shumë kontravers dhe me një dosje të përgatitur nga Këshilli i Europës, ku pretendohet se ka kryer krime, po luan kartën e fundit, duke iu nënshtruar Beogradit, për t’i shpëtuar drejtësisë dhe për të qendruar në pushtet. Thënë më shkurt, Hashim Thaçi po e shet Kosovën për të shpëtuar lëkurën.
Nuk ka ndonjë dyshim që Gjykata Kushtetuese ta deklarojë të paligjshëm diktatorin e fundëm të Kosovës, me profil uzurpatori, i inkriminuar, injorant, i pasuksesshëm, i papërfillur nga faktori ndërkombëtar, pa asnjë sukses si ministër i jashtëm, pa asnjë njohje prej 2014 për Kosovën, pa asnjë arritje si njeri, pa integritet, veç i sukseshëm si urith dhe njeri i nëntokës.
Përveç rrezikut të leopardizimit të Kosovës sipas modelit famëkeq të Bosnjes, tash Serbia ka deklaruar se është “pronare” edhe e Trepçes. Vizita e 3 prillit e Vuçiçit tek miniera që shihet si motori kryesor për ekonominë e shtetit të pavarur të Kosovës është një kthim prapa.
Me këtë udhëheqje të degraduar politike që ka Kosova me në krye Hashim Thaçin, Serbia kujton se mund t’i arrijë të gjitha objektivat që synonte Milosheviçi. Kësaj here edhe përmes “dialogut” të kryesuar nga BE !
Pretendimet territoriale të Serbisë ndaj Kosovës nuk i shërbejnë stabilitetit dhe sigurisë afatgjate në rajon, ato nuk i shërbejnë as integrimeve europiane të dy vendeve sepse zgjasin stanjacionin, nuk i shërbejnë as pajtimit midis dy popujve, as bashkëpunimit me interes bilateral e reciprok, por Serbia harron kryesoren, sepse, nëse i hedh një sy statusit të shqiptarëve, megjithë varfërinë dhe papunësinë, përsëri ata janë 180 gradë ndryshe nga sa ishin në vitin 1998, shqiptarët e Kosovës tash janë një popull i çliruar, me Murin e Berlinit midis vedi të shembur, ndërsa barriera të tipit të Hashim Thaçit i bëjnë shqiptarët e Kosovës edhe më syçelë. Hashim Thaçi është politikani më i dalë boje!
Në kolltukun e presidentit kukull të Kosovës, i zgjedhur nga një Serbi që s’ka ndryshuar asnjë qëndrim në raport prej kohës së Milosheviçit, veç ka ndryshuar stilin dhe metodën, duke përdorur dialogun farsë dhe diplomacinë e Brukselit.
Kosovës nuk i duhet një president i nëntokës, as BE-së, as SHBA. As Serbisë që ka mbetur me mentalitetin e shekullit që lamë pas, duke i forcuar lidhjet me një Rusi që synon gjithkund të jetë e pranishme, jo si aleate apo partnere e SHBA dhe Europës por konkretisht si një partnere fetare me Beogradin.
Nikoliç që vizitoi para pak kohësh Moskën i shprehu mirënjohjen direkt Putinit, për rolin që ka luajtuar Rusia kundër integrimeve të Kosovës në UNESCO etj.
Ndërsa Hashim Thaçi krenohet se ka bërë 400 orë takime me Daçiçin, (për shtypin thotë 200 por në fakt janë 400), Daçiçi sot nga Moska i shprehu mirënjohjen Lavrovit për rolin që ka luajtur Rusia pro interesave të Serbisë dhe kundër integrimeve të Kosovës në organizmat ndërkombëtare.
Po populli i Kosovës nuk vuan nga sindromi i Stokholmit, që ndërsa Serbia nuk ndalet së vepruari kundër interesave të Kosovës, ky të kënaqet kur Hashim Thaçi i bën ftesë Nikoliçit, i cili nga ana e tij ftesën e Thaçit e hedh në koshin plehrave.
Hashim Thaçi e ka ftuar Nikoliçin nga pozitat e të gjunjëzuarit. Sepse nëse Hashim Thaçi do të kishte prifilin e një lideri të vërtetë demokrat, që synon paqen dhe sigurinë afatgjatë në rajon, do të vepronte si presidentja e Kroacisë. Kolinda Grabar-Kitarović ka deklaruar se Kroacia nuk pranon Nikoliçin në Zagreb, nëse Serbia nuk i ka përmbushur pesë kushte.
Kështu ka raportuar gazeta serbe “Blic” në shkurt të këtij viti se, “nëse presidenti i Serbisë Tomislav Nikoliç dëshiron ta vizitojë Kroacinë, Serbia duhet të zgjidhë të paktën njërën nga çështjet e hapura, siç janë të pagjeturit dhe çështja e kthimit të pasurisë.” Kështu i është thënë “Blic”-it serb nga kabineti i presidentes kroate Kolinda Grabar Kitaroviq. Dhe pikë. Kështu zhvillohen raportet midis dy vendeve, respekt reciprok, përmbushje detyrimesh në mënyrë bilaterale dhe reciproke.
Nikoliçi dëshiron që ta takojë Kolinda Grabar Kitaroviçin, por kjo i thotë “përmbush detyrimet, pastaj”, ndërsa Hashim Thaçi e fton Nikoliçin, kur Serbia i deklaron luftë diplomatike Kosovës, sepse Beogradi nuk e le Kosovën as të integrohet dhe as të njihet si shtet i pavarur, dhe po ashtu nuk ndërmerr asnjë hap në interes të përmirësimit të marrëdhënive midis dy vendeve.
Prandaj Kosovës nuk i duhet një president kukull si Hashim Thaçi, por një presidente me formatin e Kolinda Grabar Kitarovic. Dhe në Kosovë ka burime njerëzore që në krye të institucioneve të shtetit të vihen njerëz të denjë. Kjo edhe për të mirën e Serbisë, që të përditësohet me realitetin që përfaqëson sot Kosova me moton e njohur se kthim mbrapa më nuk ka.
Komentet