Fatmira Nikolli – Duket se ka një vëmendje të programuar për të legjitimuar edhe hierarkinë e re të traditës. Siç dihet, Fishta, një nga poetët e mëdhenj të vendit dhe i pranuar si poet kombëtar, bashkë me Konicën, po bëhen gati të mënjanohen nga qarkullimi letrar…. Autorët e rinj të kulturës që po shenjohej, nën trysninë e zgjedhur vetë të realizmit socialist, po përvijonin një traditë tjetër dhe po ndërtonin, gjithashtu, një hierarki që do t’i shkonte më për shtat vizionit nacional-romantik të letërsisë që do të ndërtohej në vitet e socializmit shqiptar. Është me interes të vështrohet ky studim i Shuteriqit për Çajupin, sepse aty do të shohim se si nis të përvijohet hierarkia e re e traditës së letërsisë shqiptare. Fishta apo rrethi katolik i Veriut, siç e quante Çabej traditën e letërsisë shqiptare që përbëhej kryesisht nga veprat e priftërinjve katolikë të Veriut me Fishtën në ballë, por edhe me Mjedën e Prenushin, zhvendosen, madje Fishta e Prenushi përjashtohen tërësisht dhe Naimi, i njohur gjerësisht si poet dhe veprimtar i shquar i Rilindjes, ngjitet në krye të hierarkisë dhe shpallet poet kombëtar”. Ky tekst është shkëputur nga libri më i ri studimor me autor Ilir Yzeirin.
Nën titullin “Si erdhi realizmi socialist në Shqipëri”- tekstet që ndërtuan metodën (1947-1951), ai merr në shqyrtim vendimet dhe studimet që ‘krijuan utopitë’ e para 1990-ës, që shndërruan sistemin e vlerave në letërsi dhe që në fund i vunë shkrimtarët para “kontrollorëve të armatosur”. Ky libër i botuar nga Instituti i njohur Çabej, gjendet në libraritë Adrion, Albania e të tjera.
“Shuteriqi, duke u marrë me Çajupin, e zbulon me një frazë peshën që kishte rrethi i letërsisë katolike të Veriut. ‘Në Shqipëri, shkruan ai, poeti (është fjala për Çajupin, – shën. im, I.Y.) nuk njihej sa duhej për së gjalli. Është për t’u kujtuar se rrethi letrar i priftërinjve të Shkodrës, që aso here dominonte në literaturën tonë, sa mezi kish nisur të flasë për Naimin dhe ta futë në gjimnazet e tij”, shkëpusim sa për të grishur drejt studimit të Yzeirit.
STUDIMI
Yzeiri e nis librin e tij duke parashtruar rrethanat në të cilat lindi realizmi socialist. “Nëse ti vihesh përballë një periudhe të tillë, siç ishte ajo e triumfit komunist në Shqipëri, që erdhi menjëherë pas përfundimit të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, atëherë e kupton më mirë se që të shpjegosh procesin letrar që u shtoll fill pas saj, duhet ta ndjekësh atë përmes të gjitha veprimtarive me karakter organizativ në fillim dhe, pastaj, duhet të hetosh se si vendoset hegjemonia e plotë mbi këtë produkt. Rrallë në historinë e popujve mund të jenë bërë eksperimente me përmasa të tilla, ndërsa në historinë e Shqipërisë, periudha e instalimit të komunistëve në pushtet dhe qeverisja e tyre për gati gjysmë shekulli, la gjurmë të pashlyeshme që ndihen edhe sot e gjithë ditën në të gjitha anët e jetës së vendit. Ishte hera e parë që një shtet, një vend dhe një popull, e riformuloi jetën në të tria përmasat e saj, në të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen”, vëren Yzeiri.
Për të, transformime të tilla u ngjajnë kur e kur shndërrimeve biblike, por me ndryshimin që kufijtë e këtyre lëvizjeve të thella janë të mbyllura, dhe areali ku zhvillohet ngjarja i ngjet skenës së teatrit. “E, nëse do të vijonim me parabolën e skenës së teatrit, do të shtyheshim më tej dhe do të na duhej të përfytyronim vendin si një skenë gjigante në të cilën luhen pjesë tragjike, dramatike e komike, recitohen vargje, luhet muzikë e bëhet art me aktorë e artistë të shumëllojtë. Parabola jonë këputet shpejt, sepse, menjëherë na vjen në vështrim një anë tjetër e këtij imazhi. Këtu, autori dhe teksti identifikohen në një të vetëm. Pjesët që luhen në skenë janë variacione të këtij teksti, ndërsa sistemi i shenjueshmërisë me anë të të cilit ndërtohet etosi i ri, përcaktohen prej ideologjisë së autorit dhe ndërtohen duke shkallmr shenjueshmërinë e mëparshme e duke ndërtuar një shenjueshmëri të re, e cila, në themel, kishte atë që në vitin 1932 u quajt metoda e realizmit socialist” vëren studiuesi.
REALIZMI SOCIALIST
Për Yzeirin, një nga përpjekjet që bëri në fillim historiografia e komunistëve ishte paraqitja e realizmit socialist si një metodë që i kishte rrënjët në traditën e re të zhvillimit të letërsisë shqiptare, dhe, posaçërisht, në përvojën e artit të angazhuar apo me motive shoqërore që u shfaq në vitet ’30, sidomos. “Tekstet zyrtare të historiografisë letrare të periudhës së komunistëve në pushtet, u shtynë më tej, ato ndërtuan një utopi të tillë që e ndau edhe traditën e letërsisë shqiptare në: të angazhuar dhe në të paangazhuar, duke vlerësuar, kështu, vetëm karakterin utilitar të saj dhe duke e modeluar figurën e shkrimtarit me imazhin e punonjësit të hierarkisë ideologjike, i cili, tash e tutje, do të duhej që të bindte publikun për utopinë e re që do të ndërtohej”,-vëren Yzeiri.
Thekson, se nga viti 1945 e më pas, procesi letrar në Shqipëri ngjet me një tren që nis e ngadalëson shpejtësinë, pastaj ndeshet me kontrollorë të armatosur e të shumtë që nuk e lënë të lëvizë, pastaj e lejojnë të zhvendoset pak duke i treguar stacionin e fundit, atje ku ai do të duhej të ndalonte përfundimisht, sepse rruga do të modifikohej dhe shinat mbi të cilat ai do të ecte do të duhej të vendoseshin mbi një trase të re. “Rruga këputej aty dhe, tash e tutje, do të duhej që të ndërtohej një udhë e re për të vendosur jo më trenin e mëparshëm, por një tren tjetër, të ndryshuar e të revizionuar deri në skaj, që do të ecte mbi një rrugë të drejtë e monotone.
‘Realizmi socialist… përfaqëson shprehjen estetike të konceptimit të ndërgjegjshëm socialist të botës dhe të njeriut, e shkaktuar nga epoka e luftës për vendosjen dhe konsolidimin një shoqërie socialiste. Paraqitja e idealeve të jetës nëpërmjet realizmit socialist përcakton si përmbajtjen, ashtu edhe parimet themelore artistike dhe strukturore të artit…. Metafora e trenit apo parabola e skenës së teatrit nuk janë ende të mjafta për të shpjeguar në mënyrë të plotë procesin letrar që do të niste nën regjimin e hekurt të komunistëve”, sqaron autori i studimit.
PARADOKSE
Ai vëren se ajo që ndodhi realisht në artin e letërsinë shqiptare nga viti 1945 e deri në vitin 1990, është e mbushur me të gjitha paradokset e mundshme dhe me të gjitha kundërshtitë. E identifikuar më së shumti me diktaturën e egër, për shkak të shtypjes që ushtroi mbi një pjesë të popullsisë dhe për shkak të mbytjes së fjalës së lirë dhe izolimit absurd që pësoi gjithë vendi, vitet ’45-’90, me të drejtë, më shumë janë bërë objekt i identifikimit me të keqen sesa mundësi për të hetuar procesin. “Me shumë drojë është tentuar që të rrëfehet apo të tregohet ky proces. Deri tani, në vend të rrëfimit, ka zotëruar gjykimi dhe stili akuzues duke e barazuar shpeshherë letërsinë e kësaj periudhe dhe autorët e saj me përgjegjësit e fatkeqësisë së diktaturës komuniste. Vështirësia tjetër e madhe është metoda, pra në ç’mënyrë do t’i qasemi këtij fenomeni, kësaj dukurie e këtij procesi. Për të interpretuar procesin letrar që nis e përvijohet si sistem në vitet ’45, kam përdorur togfjalëshin ‘Semiopragmatika e realizmit socialist’ që nënkupton sistemin e shenjave letrare e figurative që u futën në përdorim në këtë periudhë dhe që synonin të riformulonin kuptimin për artin e letërsinë, kuptimin për poetin, shkrimtarin e artistin, për produktin letrar e artistik dhe për publikun, gjithashtu”, thotë Yzeiri.
Trekëndëshi i qarkullimit letrar që përfshin autorin, tekstin dhe publikun u rivlerësua që në fillim dhe të tria kulmet e tij morën kuptim tjetër.
“Përpiqem që të rindërtoj procesin duke shfletuar shtypin letrar e kulturor, sepse kështu mund të preken më mirë, dhe mund të dallohet më qartë shenjueshmëria e re që po lindte për të drejtuar procesin letrar, për ta shpjeguar atë dhe për ta kuptuar, gjithashtu. Duke treguar procesin, nuk e di a do të mundemi të tregojmë historinë e letërsisë së kësaj kohe. Vështirë të thuhet, sepse historia e letërsisë së një periudhe shenjohet nga shumë dukuri e nga shumë problematika. Siç është e ditur, veç atyre që përmenda më lart, historinë e letërsisë së një periudhe kohore të mbyllur, në fillim, e përcakton shenja gjuhësore, pra letërsia e shkruar në gjuhën e atij vendi, më pas autorët dhe veprat e tyre, por edhe idetë, shkollat letrare dhe rrymat artistike, sidomos”, thotë Yzeiri.
SHEJZAT
Yzeiri vëren se gjatë periudhës së socializmit, në shkollat shqiptare studiohej letërsia e krijuar në gjuhën shqipe brenda kufijve shtetërorë të Shqipërisë, por edhe ajo e zhvilluar në Kosovë, letërsia e krijuar nga arbëreshët e Italisë, gjithashtu, dhe ajo në diasporë. Në këtë rast, është me mjaft interes të shihet se edhe studimi apo përfshirja e atyre letërsive në qarkullimin letrar, u nënshtrohej të njëjtave kritere si ato që përcaktonin procesin letrar brenda kufijve të mbyllur të Shqipërisë. “Krijimtaria e atyre autorëve që, politikisht, ishin të papranueshëm nga regjimi, jo vetëm që nuk lejohej të qarkullonte brenda vendit, por, ajo, nëse përmendej ndonjëherë, ishte e dënuar të gjykohej si krijimtari reaksionare dhe ndaj saj përdorej aparati represiv i ligjërimit që përdorej edhe për ata që ishin shpallur armiq. Në këtë vështrim do të duhet të shihet e të gjurmohet një periodik tjetër që dilte në diasporë, përkatësisht në Itali. E kam fjalën për revistën ‘Shejzat’ që doli në vitin 1957 dhe që drejtohej nga Ernest Koliqi e që kishte kryeredaktor Martin Camajn.
Duke ndjekur procesin letrar që shtillej në Shqipërinë e mbyllur përmes organeve letrare, dhe duke ndjekur organin kulturor ‘Shejzat’ që qarkullonte kryesisht për diasporën shqiptare, mund të shohësh sesi procesi i zhvillimit të letërsisë shqiptare ecën në dy rrafshe dhe semiopragmatika e realizmit socialist bëhet kështu vetëm një devijante e semiopragmatikës së letërsisë shqiptare në tërësi”,-thotë studiuesi Ilir Yzeiri.
Ai thotë se nëse do ta përfytyronim gjithë procesin që u shtoll nga viti 1944 deri më 1990 si një tekst të vetëm, dhe nëse do të mbështeteshim përsëri te vepra e Rikërit, atëherë mund të pohonim lirisht se kufiri që vendosëm në fillim të procesit, pra viti 1944, është edhe nisja e intrigës, nëse do të mbanim në vështrim teorinë e Aristotelit mbi intrigën. “Nga viti 1944 kam veçuar ndihmesën e Arshi Pipës dhe Mitrush Kutelit, pra zgjodha dy autorë të një teksti, të një aksioni, dy veprues sipas teorisë së peripecisë së Aristotelit të cilët e përfundojnë tekstin e tyre dhe shenjojnë, gjithashtu, kufirin me një tekst tjetër më të gjerë që rëndom thirret tradita e letërsisë shqiptare para ardhjes së komunistëve në pushtet. Kam vijuar me revistën “Bota e Re” dhe paraqita tri Konferencat për organizmin e Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë, përkatësisht në vitin 1945, ’46 dhe 1949″, thotë ai.
Yzeiri shprehet se në këtë vëllim do të përpiqet të tregojë tekstet që ndërtuan ngrehinën e realizmit socialist, modelin nga u mor kjo mënyrë të menduari dhe trasnformimin tërësor që pësoi kuptimi për autorin, për frymëzimin, për përmbajtjen dhe për traditën, për folklorin dhe për vlerësimin e letërsisë së huaj e kështu me radhë.
VLERËSIME E ZHVLERËSIME
Në kulturën e re që po ndërtonin komunistët, arti dhe letërsia përfilleshin vetëm si veprimtari shoqërore që kanë ndikim të drejtpërdrejtë mbi edukimin e njerëzve vëren Yzeiri. Në kuptimin për artin dhe letërsinë, shenjueshmëria e re e socrealizmit e përjashtonte karakterin ireal të artit dhe të letërsisë. Yzeiri vëren se për sistemin e ri, “Lahuta” e Fishtës, ishte rindërtimi figurativ i epopesë së luftërave mes shqiptarëve e malazezve, kryesisht, për të mbrojtur territoret shqiptare në vitet 1911-1912. “Kur kemi folur për shenjueshmërinë e re të socrealizmit shqiptar, kemi përmendur se instance thënë se në këtë ligjërim është institucioni ideologjik që e shpjegon dhe kupton botën sipas kriterit të luftës klasore dhe internacionalizmit ideologjik e proletar. Naim Frashëri kishte ndërtuar një tekst që kishte vetëm frymëzim romantik dhe projektonte me anë të artit të tij një Shqipëri që nuk ekzistonte, por që duhej të ndërtohej sipas vizionit iluminist që kishte ai. Miti i Shqipërisë së Naimit ndërtohej mbi kuptimin e një Shqipërie të çliruar nga zgjedha turke dhe të frymëzuar nga heroizmi i Skënderbeut, që duhet të ndërtohej me parimet e iluminizmit. Ky mit nuk kishte nevojë të modifikohej. Ashtu i shfaqur, ai ishte frymëzim për imazhin e komunistëve dhe për utopinë që do të ndërtonin ata”,-vëren Yzezieri si për të treguar pse u zgjosh Naim Frashëri si poet Kombëtar e pse u ndalua Fishta. “Natyrisht edhe teksti i Namit u korrektua dhe vizioni i tij për një Shqipëri perëndimore që të frymëzohej ‘andej nga dielli perëndon’, u mor me rezervë. Sa herë që bëhej fjalë për këtë vizion të Naimit, historiografia e socrealizmit shqiptar bënte kujdes që të theksohej iluminizmi, drita kundër errësirës, por jo vlerat e tjera të Perëndimit dhe Lindja identifikohej me Perandorinë Otomane. Ky transferim në kohë dhe kjo zhvendosje semantike e bënin tekstin e Naimit gati si një parathënie të tekstit të ri që po ndërtonin komunistët, në themel të të cilit ishte arti në shërbim të projektit komunist të ndërtimit të një shoqërie të re” nënvizon Yzeiri.
Në studimin e Shuteriqit, që ai i referohet, veç të tjerash, edhe Çajupi përfillet për vlerësimin që kishte ai për Naimin. Por, nëse Naimi shpallet kampion i mitit romantik, Çajupi këtej e tutje do të përfillet si realist. “Nota e re që Çajupi sjell në literaturën tonë është realizmi”, shkruan Shuteriqi. Studimi për Çajupin dhe përqasja e tij shpeshherë me Naimin në pjesën më të madhe, është bërë sipas metodës apo shkollës së kritikës biografike, thotë Yzeiri. “Jemi ende në fillimet e instalimit të socrealizmit shqiptar dhe te Shuteriqi vihen re ndikimet e shkollës frënge të kritikës e cila, për të zbërthyer vlerat dhe kuptimin e veprës së një poeti, ndjek tri rrugë: ose përmes kontekstit, pra rrethanave ideore, filozofike materiale, ose përmes biografisë së poetit, ose përmes tekstit vetë. ‘Shkrimtarët e tjerë të Rilindjes me në krye Naimin, as që do të na flasin për jetën e tyre private’, – shkruan ai më tej. Naimi te ‘Bukuria’ na flet mi dashurinë e tij…pa treguar mirë objektin e saj; te Zonj’ e Fatit, shohim një çast dëshpërimi të tij, po se kuptojmë mirë përse dëshpërohet dhe kërkon vdekjen; nga shëndeti i lik apo nga kundërshtimet e jetës. Si më realist, Çajupi do të na këndojë jetën dhe brengat e tij ashtu siç janë”- thotë në studimin e tij Yzeiri.
Komentet