Një e-mail “kërcënues” i mbërritur në adresë të ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, shkaktoi një valë shoqërimesh të personave të dyshuar nga Antiterrori. Mesazhi i dërguar në postën elektronike të kreut të ministrisë së Brendshme një ditë pas sulmeve në Paris, krijoi një situatë paniku.
Por, pas hetimeve dhe shoqërimeve që ka kryer policia dhe prokuroria, është zbuluar se autori i emailit nuk ka lidhje me “Brigadat e Kuqe”, madje ato nuk ekzistojnë në Shqipëri. Dërguesi i e-mailit ka pranuar se ka bërë një “shaka pa kripë”, pas së cilës nuk ka asnjë grup, asnjë formacion apo ideologji.
Ditën e djeshme policia ka shoqëruar shtetasit Klodian M. dhe Valter M. Të dy ata mësohet se janë të rinj nga zona e Kasharit, në Tiranë. Shoqërimi i tyre është bërë pasi specialistët e IT në Policinë e Shtetit arritën të zbulonin dërguesin e e-mailit në adresën e ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.
Dy të rinjve mësohet se u është sekuestruar gjatë shoqërimit edhe një kompjuter lap top dhe dy telefona celularë. Pasi janë shoqëruar në Policinë e Tiranës dhe janë marrë në pyetje, dy të rinjtë janë verifikuar në të shkuarën dhe të tashmen e tyre.
“Nuk rezultoi që dy të rinjtë të kenë ndonjë lidhje me aktivitete ekstremiste. Për këtë arsye u vendos ndjekja penale e tyre në gjendje të lirë”, thanë burimet nga hetimi.
Sipas tyre, Klodian M. ka thënë se kishte hapur një adresë e-maili, të cilën kohët e fundit e ka përdorur shtetasi Valter M., i cili i kishte ndryshuar edhe fjalëkalimin e hyrjes në këtë postë elektronike në platformën “gmail”.
“Nuk e di çfarë ka bërë pasi nuk hyj dot më në atë adresë, por çfarëdo të ketë dërguar, ka qenë shaka”, mësohet të ketë thënë pronari i adresës së e-mailit nga e cila u dërgua mesazhi për ministrin Tahiri.
Komentet