Edhe në Olimp duhet të ketë patur një ditë, ku në vend të perëndive të ishin hyjneshat këmbë mbi këmbë duke pirë nektarë. 8 Marsi mund të jetë dhe një ditë katarsis për burrat, sikurse dita ku shfaqen poetët lirikë. Një prej të cilëve është dhe Vehbi Skënderi. Në shkurtin e të dashuruarëve, vajza e poetit, Elida Buçpapaj publikon një poezi kushtuar nënës së saj. Vetvetiu m`u krijua një lidhje e rastit dhe s’kish pse ta shkoja dëm: babai i dedikon një poezi gruas, sikurse vajza nënës. Pra, e njëjta heroinë frymëzon babë e bijë. Dëshirën për të shkruar ma nxiti më tej dhe recitimi i Justina Aliaj. Do ndalem pak tek aktorja-këngëtare, e cila njihet me të shoqin tek flimi “Çifti i lumtur”, por tersllëku do i vijë kur të luajë një personazh pozitiv në një tjetër xhirim. Për shkak të biografisë i duhej të luante rol negativ. (Ja shembulli se si bëheshe armik me zor.) “Lumturinë e çiftit” Justina do e arrijë në kohën e Covidit, në një situatë surealiste, në kushtet e intubimit. “Isha në koma. Unë e besoj verbërisht që ka një jetë të përtejme. Po kjo ishte sprovë. Shikoja një dritë tuneli, shikoja vetëm ujë, ujë, ujë, lule ngjyra-ngjyra. Uji ishte i kaltër, si jeshil siç nuk e kam parë kurrë më parë. Isha krejt vetëm, isha shumë e lumtur derisa shkoja te dera, aty më mbyllej dhe nuk shkova më tej.” Kam përshtypjen se poezinë e poetit që ndodhej përtej asaj porte, që, falë zotit ajo s`e kapërceu, poezinë të recituar aq bukur, ka të ngjarë ta ketë marr për vete.
Por cila është grua e poezisë? Vajza më e bukur e Pogradecit nga familja e Gushajve, një kurbetli ky i Amerikës, i cili qe kthyer në vendlindje si tregtar i suksesshëm, mirëpo ziliqarët s`mund të duronin një burrë allafrenga, e fusin në kurth dhe e vrasin në mes të bulevardit të Pogradecit. Vajza e shqiptaro-amerikanit, Lili, bëhet gruaja e partizanit Vehbi Skënderi. Sigurisht që jeta e tij do të kishte qenë ndryshe, nëse s`do ishte poet dhe më e keqja i sukseshëm. “Lilin e çuan punëtore në lavanterinë e komunales në Kombinat. Nuk e kishte problem. Ose ashtu na shtirej. Për të mbijetuar, mami shiste çfarë të ishte e mundur, rrobat e këpucët e saja, mbulesa e komplete të pajës së saj destinuar për mua kur të vinte dita e të bëhesha nuse. Do t’i blej mami edhe më të bukura, më thosh, mos ki merak, duke i mallkuar me rrënjë e farë Manush Myftiun me kompani”, i cili kishte firmosur dëbimin e poetit nga kryeqyteti për në fshat. (Me ç`kam lexuar: për të birin e byroistit flitet mirë, sikurse dhe për të shoqen e tij. Nuk po e them kot këtë fakt.) “Duke mos gjetur dot asnjë zgjidhje, babi kthehet në shtëpi e sapo xhaxhi i hap derën sulet drejt ballkonit, t’i japë fund jetës, por xhaxhi, që atë mëngjes tek ne e kishte sjellë Zoti, e shpëtoi.” Një jetë e shpëtuar për të qenë dëshmimtar i rrënimeve të tjera. Në 1976 kur “i mbyturi” shkon në mortin e nënës “do mbysë” dhe të vëllanë. Kolegët ushtarakë të pranishëm në cermoninë e varrimit do ia zbojnë vëllanë nga ushtria dhe partia. Të dëbuar e të zbuar. I vëllai nis të merrej me mbledhjen e bimëve mjekësore, por, tashmë për poet s`kish ilaç që ta shëronte. Ndonëse nën efektin e qetësuesve, para se t`i linte lamtumirën kësaj bote, gjen forca të përmendet dhe do shqiptojë: “Lili”. (Në listën prej 146 intelektualëve të dënuar nga regjimi komunist, emrin e Vehbi Skënderit, s`ma zuri syri.)
Poeti mban ndër duar një zemër gruaje dhe friket mos po i gërvishet, mos atij po i shket këmba në akull dhe ajo vritet. “Druaj mos vrenjtet qielli e trishtohet,/Mos zemërohet deti e pikëllohet,/Mos bjerë kund tërmeti dhe lëndohet!” Qielli gjëmonte, deti shkumëzonte dhe termetet pasonin njëri-tjetrin?! “Friket se mos ia gjuajnë me gur, mos ia ngrin acari, mos ia fshik bari, mos ia vrasin me fjalën-plumb.” Pse e ka gjithë këtë frikë? Se në përballje me të keqen kish dalë i humbur. Kur lexon vargjet e mëposhtme të duket, sikur dëgjon një monolog të Noes në barkën e shpëtimit:
“Mbaj ndër duar një zemër gruaje.
Mbaj gjithë bisqet e shelgjeve dhe vreshtave (të posaçelur)
Gjithë sythat e lëngët të nyjeve,
Gjithë çerdhet e shkrepave dhe pyjeve
Më bëjnë kaq të ndjeshëm e kaq të pasur!
Kaq të prapë, kaq të metë… e kaq të dashur!
Mbaj një zemër gruaje ndër duar.
Kurrë s’kam mbartur
Thesar më të çmuar.
Sikur mbaj gjithë kristalet dhe brilantet e Orientit!”
Dhe në fund shfaqet silueta e një gruaje, e cila duhet t`i ketë bërë shoqëri deri sa ai të ketë kapërcyer atë portë, që mbyllet pas tej dhe s`hapet kurrë:
“Flokët varur mbi sup, fustanin ngjyrë vishnje,
Ti shkelnje nëpër pluhur a nëpër re barisnje,
Si vetëtimë e bardhë hapësirat përshkëndisnje…
Të pruri udha kot a dole të më prisnje?”
Pikërisht ky imazh i gruas që, babai poet, nuk ia përmend emrin në poezi, e plotëson e bija në vargje ku drama familjare mbyllet me lamtumirën e heroinës së përbashkët:
“ti ishe e bukur si një skulpturë e bardhë
që askush nuk mund të besonte se ishe e sëmurë
me faqet ngjyrë rozë
që unë t’i puthja pa fund
po flije Mam
po flije aq qetë
aq rrejshëm qetësisht
sa unë besova se do të zgjoheshe
të më thoshe atë që nuk ma the dot kurrë
çfarë deshe të mos thoshe Mam.”