VOAL

VOAL

Grua – Poezi nga RABINDRANATH TAGORE, NOBELISTI VI 1913 – Përktheu FASLLI HALITI

August 24, 2018
blank

Komentet

blank

NËQËSE IA DALIM – Poezi nga MARTIN CAMAJ

Nëqese ia dalim, or vëllà,

me dallue trupin e blinit t’bardhë

prej currave të bardhë së largu n’mal,

mjaft kemi bâ.

 

Nëqese ia dalim me dallue detin prej qiellës

e vëllaun prej fqinit

e fqinin prej të huejit,

mjaft kemi bâ.

 

Le t’u sillemi edhe vashave

e t’i përzijmë sytë e tyne me syzit e hardhis.

Ato i kemi pà në fundin e shpirtit tonë

si lumej të gjatë, pa skâje e të rrëmbyeshme,

po zemër s’kemi pasë me u thanë:

ju jeni lumej pa skâje e të rrëmbyeshme

pos me u dukë të unshëm për gjithçka.

 

Nëqese ia dalim me dallue syzit e hardhis

prej syve që lypin djelm prej nesh,

mirë e kemi punën.

blank

FLUTURIM NË DREJTIM TË GABUAR Nga Agim Xh. Dëshnica

 

Ngjarje me të papritura dhe shqetësime -shtator 2010
Boston e hënë. Përgatitjet për udhëtim.
Vetëm Elsa e cakton kohën e kthimit në Tiranë. Zakonisht ajo zgjedh shtatorin, megjithatë si përherë pyet Bertin:
– Si thua, a s’është, ky muaj më i mirë?!
– Ashtu vërtetë, për më tepër, mesa di, Qeveria Demokratike po punon pothuaj shumë mirë…
-Ou prapë ti me politikë?- e ndërprehu Elsa.
– Ç’ne politikë! Unë them vetëm, se çfarë ndodh atje. Në vjeshtën e parë, siç thuhet shpesh, dyqanet e supermarketet janë përplot me mallra. Në pazare shiten fruta e zarzavate…
-Po ne ç’patëm atëherë, pse ikëm e jetojmë aq larg këtu?- ia kthehu Elsa.
– Ç’më pyet, si çupë pesë vjeçe, apo bën shaka? Ti e mban mend, më mirë se unë, vitin zi 1997. A mund të jetonim me ato pensione, kur Endri ndodhej për studime në Bukuresht? Ca më keq, kur papritur, iku edhe Adriani me avionin e fundit të Lufthansës për Boston?
Mirëpo, Bertin e ngacmon, edhe një dëshirë tjetër, ndaj bën çmos t’ia mbushë mendjen Elsës për një udhëtim turistik, siç e quan ai, nga Bostoni në Londër me avion, më tej me tren nën La Mansh, për Paris. Stacionet e fundit të jenë Roma e Bari. Pastaj, me traget përmes Adriatikut, drejt e për… Pa mbaruar mirë, këto fjalë fluturake prej babaxhani, Elsa befas iu kthye duke ngrtur zërin ndryshe nga sjellja e saj, thuajse e urtë.
– Ç’janë këto që thua! Kush na pret tek thua ti!? Mos dashke të bredhim brigjeve me anije turistësh milionerë?
– Mos bërtit kështu se po na degjojnë jashtë në rrugë!
-S’na njeh njeri këtu! Fundja, jam në shtëpinë time!
-Çudi me ty! E harrove vajtjen me autobusin turk EL-Izmir nga Tirana në Sofje? Po trenin nga Sofja për Bukuresht? Për pak atje, desh na rrëmbyen valixhet dhe çantën tënde! Vendimin e kishe marrë vetë. E kur, se? Siç të thashë, ishte koha e krismave dhe e maskave.
– E po atëherë na priste Endri. Kishim mall, plot pesë vjet pa e pare. Tani nuk na presin as në Londër, as në Paris, as në Romë, por veç Ada e vogël në Tiranë! Në fund të muajit ajo mbush gjashtë vjeç!
–Po, vërtetë!
Pas pyetjesh e bisedash me mikeshat e saj, sidomos me Zhanin, sipas fjalës së urtë pyet njëqind vetë e bëj si di vetë, edhe kësaj here u bë siç desh ajo. Do të merrnin ajrorin e kompanisë Lufthansa. Në programin e fluturimit, e gjetur në internet, shkruhej: Boston-Frankfurt-Mynih-Tiranë.
– Ç’ne ky fluturim i zgjatur tërkuzë për nga poli i veriut, me ulje e ngritje brenda Gjermanisë, – tha Berti, – kur dihet se Tirana bie nga juglindja! – Kësaj i thonë të shkosh në Pogradec, jo me autobus nga Qafë-Kërraba, por vërdallë me tren: në Durrës, Rrogozhinë, Peqin…
– Mos u ngatërro në punë që s’të takojnë! – ia kthehu Elsa.
– Si s’më takokan! Pa shiko! Sa thjesht është me kompaninë Al-Italia! Boston-Milano, ose Boston-Romë! S’ke ku gjen më mirë! I harrove stjuardesat e shkathta italiane!? Apo s’kuptohesha për bukuri me to! Sikur flisja shqip më dukej!
– Prapë me stjuardesa ti!? E kemi menduar unë dhe djali! Pikë dhe mbaroi! Pastaj, për gjuhën kush është më i zoti se ai? Biletat i pagoi. Edhe shpenzimet e tjera i ka marrë përsipër. Ti shiko se ç’do të marrësh vetë! Të tjerat i dimë ne!
Berti desh të shtonte diçka tjetër, por heshti e u dorëzua para gruas, dikur e urtë si qengj. Gjithsesi, mikeshave të Elsës në telefon apo gjatë vizitave Berti u thoshte, se si amvisë asaj nuk ia kalonte askush, qoftë për shtrimin e tryezës, me qumësht e biskota e pak sheqer në mëngjes; për drekë: me tri pjata, pakëz verë të kuqe dhe ëmbëlsirë me racion; kurse darkën e më të lehtë, duke mos harruar kosin e ilaçet! Të gjitha, sipas këshillave të doktorit Hans Fridrih. Veçse, sikur e tepëron ca me qortime pa vend, kur i kërkon pak mjaltë nga shishja në dollap, apo kur sheh ndonjë njollë mbi bluzën e pastër! Por, si mund të harrojë ajo Bertin në dimër, teksa ai mendon se ç’duhet bërë, pas stuhisë, kur bora mbulon shtëpinë, trotuarin, gardhin, kopshtin dhe shkallë?! Ndërsa Elsa struket në kuzhinë afër stufës me gaz, Berti papërtuar aspak merr lopatën, e hedh borën majtas e djathtas dhe hap rrugica për hyrje e dalje. Dhe shtëpia çlirohet sërisht e lidhet prapë me postën e me botën, më vonë me dyqanet, sepse ushqimet gjatë javës së ftohtë mbarohen shpejt, mbi të gjitha buka.
Para nisjes, të dy vranë mendjen për paratë, për valixhet e çantat, për kapelet e veshjet, këpucët e dhuratat. Ndaj Berti me Elsën panë ç’panë, në mbarim të zënkave, jo aq po kaq, jo unë po ti, u veshën, dolën dhe pritën autobusët urban. Me një prej tyre ndaluan para supermarketeve Big K. Marti, Faj Lins e Off Broduej. Atje blenë dy valixhe me rrota, një të madhe e një të vogël. Vite të shkuar kishin marrë dy të mëdha e dy të vogla ngjyrë blu. Ndërkaq, pas mosmarveshjeve jo fort të zhurmshme, zgjodhën kostume, fustane, funde, këmisha me kravata, këpucë burrash e grash, për vete e të afërmit, veçanërisht për mbeskën në Tiranë. Të gjitha me dollarët e Adrianit dhe u kthyhen në shtëpi.
Si hëngrën drekën, tek po pinin më nge kafetë, Berti tha:
– Po dhurata për miqtë e mi morëm, apo jo?
– Aq shpejt i harrove tri këmishat e bardha dhe ato kravatat!?
– Pse, vetëm tre miq kam unë?
– Pa mendohu pak! Prishëm një tufë me dollarë nga të djalit!
– E po, të paktën, të merrnim edhe disa sende jo aq të shtrenjta!
– Atëherë, bliji me paratë e tua! S’kam ndër mend t’i prish për botën paratë e mia!
– Ashtu!? Mirë, pra! Ika!
– Prit! Merri edhe këto! Janë afro njëzetë dollarë. Përdori për dhurata fëmijësh!
Berti numëroi të vetat dhe ato që mori.
– S’janë aq shumë. Nejse, do të bëj si do të bëj edhe me kaq. Para se të dilte nga shtëpia, u ul të shlodhej pak, në kolltukun që përkundet si djepe. Në ato çaste me çantën në dorë u ndodh në Panairin e Rivier-it, tek një fushë e gjatë dhe e gjerë e rrethuar me gardh druri me dy porta, pranë, kinema -Xhons. Panairi hapet çdo vit në maj, të shtunave e të dielave dhe mbyllet n֝ë nëntor. Në atë shesh me çadra ngjyra-ngjyra shiten sende të përdorur shtëpiake, mallra nga më të ndryshmet nga të moshuar e të rinj. Midis tyre bien në sy kinezë e kineze, me kapele kashte me majë e strehe nga ato që përdoren në orizoret e Kinës. Diku Berti bleu me çmim thuajse falas, një radio dore me bateri, në trajtë kubi sa gjysma e një tulle.. E ngjeshi në fund të çantës pastaj eci më tutje dhe bleu banane e portokalle, por, kur ngriti çantën, i hutuar siç qe pa se bananet e portokollet kishin fluturuar…Ndërkohë i shqetësuar sa s’ka vuri re, se për çudi, edhe çanta qe zhdukur. Brodhi sytë rreth e qark për ndonjë polic. Ishte e kotë Befas u gëzua, kur dëgjoi zërin e Elsës:
– Nisu, ç’pret më! Për dhjetë minuta vjen autobusi 106!
Berti sakaq fërkoi sytë, u ngrit, zbriti shkallët e doli në rrugë. Duke ndërruar pesë autobusë, brodhi dyqan më dyqan, si Famili Dollar, Kristmas Tri, Dollar Dej, Dollar Tri dhe mbushi dëng disa qeska me sende të tilla, si: çamçakiza e mente, stilolapsa e kalendarë xhepi, letra bixhozi e domino, miniradio, orë dore e syze dielli, arusha e mace prej cohe pambuku me ngjyra… Për dreq, të gjitha me etiketa çmimesh nga një në pesë dollarë, me markën Made in China. Pa dalë mirë nga dyqanet, ai i shqiti etiketat dhe kështu vlera e tyre u rrit në çast.
Udhës, ulur në autobus, iu kujtua vizita e një viti më parë në Tiranë. Mbeska me dhuratat ndër duar, sado e qeshur, thoshte se mami fustanet e saj amerikane nuk ia vishte të gjitha, por ua falte Betit e Lolës! Njëra prej kunatave të Elsës, tek shihte Bertin t’u jepte dhurata nipave e mbesave të saj, i pati thënë hapur: “Ç’je lodhur kot me këto çikrima! Ne tashmë jemi velur edhe nga mallrat gjermane, ndërsa italianeve s’ua hedhim sytë, palé kinezeve!” Kurse kunati e pati ngacmuar: “Lëri ato të bukura plaçka, hidh këtu 20.000 dollarë dhe jemi të larë bashkë!” Në vend të përgjigjes, Berti ia kishte kthyer me një shaka rumune: “Në Amerikë nuk punon askush! Dollarët i gjen rrugëve! Një djaloshi nga Bukureshti, tek endej me duart në xhepa nëpër Manhatan, i shkuan sytë te një valixhe në cep të rrugës. Zgjati dorën, e ngriti dhe e hapi. Ç’të shihte! Brenda valixhja qe plot me dollarë. “Sa të jenë, vallë? – mendoi. Dhe, kur u orvat t’i numëronte, tha me vete: – Ç’bëj kështu!? Edhe në Amerikë u dashka të punoj!?”
Kur Berti shkonte në Tiranë për t’u takuar kafeneve me miqtë e vet, disa inxhinere apo diplomatë, ndërsa rrinte përballë tyre, nuk ndihej mirë, tek i shihte krenarë e të veshur për bukuri, me kostume gri e blu, me orë të markave zvicerane. Palé, kur ata i tregonin për udhëtimet e tyre në Romë, Paris, Vienë, Berlin e tutje, në Tajpein e largët! Por, ama, e dëgjonin me vëmendje, kur u tregonte për bukuritë e Bostonit! Teksa tregonte vetëm njëri e mërziti, disa herë duke i folur për vizitat e tij në muzetë e Uashingtonit, për kazinotë në Las Vegas e qiellçarëset e Çikagos.
Gjithsesi, për dhuratat, askush prej tyre, as vetullziu që e nderpreu disa herë nuk i tha Bertit, pse je harxhuar, apo pse je munduar, por i merrte menjëherë, buzëgaz e nuk i quannte çikërima. Më të moshuarit e qerasnin me kafe ekspres, dhe nuk e kundërshtonin, nëse ai ngulte këmbë e i pagonte vetë.
Frenimi befas i autobusit në stacion, ia këputi Bertit fillin e kujtimeve.
Logan Aeroport Boston
Gjer në Logan – Aeroport të Bostonit Berti, Elsa dhe Adriani udhëtuan të tre me dy taksi, përmes rrugëve me disa kalime e me semaforë pa mbarim në çdo kryqëzim, rrugësh që sillen rrotull apo nëpër tunele poshtë qytetit e nën det.
Elsa nuk e pati vrarë mendjen ndonjëherë të mësonte se ç’do të thotë Logan, ndërsa Berti – po. Në kafe Toskana ai kishte dëgjuar Braçen, i cili, megjithëse ekonomist, i ka hyrë çuditërisht gjuhësisë. Një ditë ai u shpjegonte miqve, se emri log vjen nga shqipja, shesh, vend në qendër të fshatit, ku mblidhen fshatarët për gjyqe, a biseda, ose për t’u nisur me kafshë të ngarkuara për qytet. Edhe Toskana e Italisë, Albania e Nju Jorkut dhe Tirana rrjedhin nga shqipja. E para – nga toskëria, e dyta nga Arbëria dhe e treta nga shprehja “te rana”, sepse trualli i kryeqytetit tonë paskësh qenë i pasur me ranë, e, sipas Biblës, pas përmbytjes së madhe qe zhytur thellë nën det. Patën shpëtuar vetëm pak gjallesa me varkën e Noes. Sot ajo laget nga disa lumenj me ranë, zhavor e gurë, tek shihen ende fosile yjesh e guaskash deti. Ndërsa, kur Braçe flet për etimologjinë e emrit Amerikë, ai buzëqesh dhe e shpjegon me shprehjen beratase: “ha, merr dhe ik!” Braçja shtyhet edhe më thellë, kur jo aq shumë i vendosur shpjegon kuptimin e emrit Frankfurt, që sipas tij, ka gjasa se vjen nga shqipja e vjetër. Mirëpo, grekët ia kalojnë Braçes, kur thonë se emrat Tomor, Korça, Konispol, Derviçan, Poliçan, Tropojë, janë toponime greke. Po kështu, profesor Pavllo nga Athina ngul këmbë se Skënderbeu është grek me emrin Jorgos Kastriotis, kurse profesor Jorgaqi në një nga ligjëratat e veta në anglisht për çështje filozofike, politike dhe ekonomike, u tha të pranishmëve në sallë se gjithçka që kishin dëgjuar prej tij rridhte nga një greqishte e pastër! Edhe fjala krizë, tha ai, vjen nga krio, ftohtë! Mirë thotë Braçja nëpër kafenera, se dituritë e profesorit grek për etimologjinë e shumë fjalëve janë ftohur në dy krahët!
Logan Aeroport ndodhet midis ujërash, në një rrafsh të krijuar me tokë të butë e me gurë shkëmborë, të sjellë me kamiona e trena. Udhëtarët mbërrijnë atje nga Bostoni, nga rrethinat dhe qytetet e tjerë, me tren, me metro e me autobusë të zakonshëm, nëpërmjet Silver Lain-it, linjës së argjendtë të qytetit. Krahas tyre, lëvizin drejt atij aeroporti edhe furgonët e hoteleve, taksitë, veturat dhe automjetet e kompanive turistike. Brenda në aeroport lexohen shkronjat A B C D E, për çdo portë, apo gejt. Në katin e dytë shtrihet gjatazi salla e gjerë e zyrave të hapura të biletarisë, me kioska infomacioni e tabela elektronike, ku shkruhet me drita departure (nisje), arrivals (mbërritje) për çdo avion të kompanive Amerikan Erlain, British Erlain, Kanadien Erlain, Frans Erlain, Lufthansa, Al Italia, Sviseri, etj. Salla ndriçohet pak si zbehtë nga llampa të shumta. Udhëtarët, me çanta e valixhe të vogla me rrota, hipin e zbresin me anën e ashensorëve, shkallëve lëvizëse, e me korridoret-konvejer, ku, krahas zyrave, rreshtohen dyqane dhe restorante. Ata, pasi kryejnë veprimet me pasaporta dhe dorëzojnë valixhet e mëdha, kalojnë para kontrollit të zakonshëm doganor dhe presin në sallën, ku ndodhen portat me numër për çdo fluturues të kapur në ndërtesën me tre kate të stacionit.
Elsa e Berti treguan grinkartat dhe Adriani pasaportën. Morën biletat, dorëzuan bagazhet dhe u rreshtuan në rruginën e kufizuar me shirita blu për në hyrjen e parë. Pas pyetjeve e kontrollit elektronik të çantave e valixheve të vogla, hynë në sallën me porta për çdo avion. Atje, u ulën në një nga stolat e gjatë, për të pritur orën e fluturimit. Në kohën e caktuar, u ndez një dritë jeshile me shkronjën A. Udhëtarët për në Frankfurt u ngritën, hodhën çantat në sup, tërhoqën valixhet me rrota dhe u rreshtuan para portës, ku një zonjushe e hijshme shtatlartë me kostum blu dhe e buzëqeshur, pasi vështronte biletat, përshëndeste: “Thenk-Ju! Fluturim të mbarë!”
Berti, Elsa dhe Adriani kaluan prapa të gjithëve. Mandej ecën përmes një rrugine drejt avionit me motorë të ndezur. Paksa larg nga porta u dukën pesë oficerë të policisë financiare, që i printe një grua e shkurtër me kapele. Ajo mbante me zinxhir në qafë një qen leshtor e laraman. Në vend të Bertit, që ecte përpara, gruaja me kapele ndali vetëm Elsën e trembur nga qeni, që po nuhaste pranë këmbëve çantën e saj të bardhë.
– Iskjuz mi! – i tha dhe e pyeti: – Ç’farë keni në atë çantë?
Elsa u ndal e shqetësuar e iu përgjigj:
– Byrek…
Berti buzëqeshi dhe shtoi:
– Samthing llajk, pica-çiz!
– Okej, no problem!
Pas gruas, iu drejtua Bertit një nga oficerët, paksa i shëndoshë e flokëverdhë:
– Sa dollarë keni me vete, zotni?
Berti rëmoi nëpër xhepa, sepse nga kuleta ai kishte hequr dorë qysh në kohën e autobusëve “Shkodra” në Tiranë, që valëviteshin majtas e djathtas, me bezen me pala plot pluhur. Me ato makina të quajtura nga shkodranët “fizarmonika pa fe muzike”, nëpunësit e punëtorët shkonin në punë, mandej ktheheshin të mbuluar nga djersa, kokë e këmbë, të ngjeshur njëri me tjetrin, aq rreptas, sa u merrej fryma. Në ndalesën e parë te Zogu i Zi, teksa po përpiqej të zbriste, disa duar të fuqishme që s’merrej vesh se të kujt ishin, gati sa s’e mbytën. Në shtëpi në çastin, kur hoqi xhaketën, vuri re i turbulluar se kuleta me rrogën brenda ishte zhdukur. Me këto kujtime tani para oficerit amerikan kërkoi dhe gjeti thellë në xhepin e majtë të pantallonave tre dollarë të harruar dhe ia tregoi.
Ai, vuri buzën në gaz, tundi kokën dhe u drejtua nga Elsa. Ajo hapi kuletën, nxori dollarët e saj dhe tha:
– Janë rreth 500!
Kontrollori i mori në duar dhe i numëroi si letra bixhozi. I dolën 600! Ndërkaq, atij iu afrua Adriani me kreditkartën në dorë. Oficeri i hodhi një vështrim të shpejtë:
-O kej! Thenk-ju! Mund të shkoni! Fluturim të mbarë!
Me kaq policët mbaruan punë dhe u larguan tok me qenin laraman.
Në kohën, kur të tjerët ishin ulur në vendet e tyre, udhëtarët tanë, ende nuk kishin hyrë. Kapitenia zeshkane e shtatgjatë priste në prag.
– Më falni! – tha. – Vende ka vetëm për dy vetë! Të kalojë zonja bashkë me zotninë! – Ju, – iu kthye Ardianit, – merrni avionin për në Mynih! Niset pas dy orësh!
Adriani nuk foli, as u ankua, kurse Elsa, megjithëse njihej si grua trime, nisi të qante si fëmijë, duke e ngritur zërin më shumë se sa duhej:
– Dua djalin! Biletën ai e ka si tonat! Pastaj ne nuk dimë gjermanisht! Do të humbasim nëpër aeroporte!
Kapitenia i foli fytyrëqeshur:
– Ju lutem, qetësohuni! Hyni e zini vendet, sepse ora e nisjes ka kaluar!
Elsa u mendua pak, bëri disa hapa, ktheu kokën dhe e vështroi të birin e trishtuar.
Fluturimi drejt Frankfurtit.
Berti dhe Elsa, teksa fshinte sytë me shami, të shoqëruar nga kapitenia e sjellshme, zunë vend afër dritares djathtas, në qendër të avionit. Pranë tyre qenë ulur një burrë me gruan, të dy flokëbardhë, me revista ndër duar. Asnjë prej tyre nuk u hodhi sytë, as i pyeti se ç’hall kishin, apo përse qante gruaja e panjohur me trupin përkulur mbi çantën e bardhë në tryezën e ngushtë.
– Mjaft me të qara se na plase! Ç’bën kështu!? – u nxeh Berti. – Na lër të marrim vesh se ç’thonë aviatorët!
Dëgjohej zhurma e mbytur e motorëve. Nga dritarja dukej pjesërisht një krah i ajrorit, që po shkëputej ngadalë nga ndërtesa e po drejtohej për në pistën kryesore. Njerëz nga kombësi e shtete të ndryshme nisën të lidhnin rripat e sigurisë. Edhe Elsa, pak nga pak, e mblodhi veten.
– Lidhe rripin edhe ti! – i tha Berti. – Bashkoji dy krahët tek kapsja metalike! Dhe rri urtë tani!
– E di vetë se ç’ bëj!
Dhe ja, pista e gjerë që zgjatej përmes blerimit! Pas disa minutash, u dëgjua uturima e fuqishme e motorëve reaktivë dhe trupi vigan e i bardhë i ajrorit u sul me nxitim përpara. Befas, ai u shkëput nga pista dhe u ngrit mbi ujërat e bregut të Vonderlendit. Tek po largohej mbi ishujt, lart e më lart, Bostoni humbi nën re. Të dy flokëbardhët s’tundeshin nga vendi, ndërsa lexonin pa u ndierë, gruaja një libër, burri një revistë me ngjyra. Motorët tashmë punonin më qetë. Jashtë dritareve vezake lëviznin re të bardha e aty – këtu diçka si në blu të thellë. Flutimin e avionit tani e tregonin vetëm ekranet përballë. Berti u kthye nga Elsa e i tha:
– E ç’trime na qenke ti, kur trembesh nga një qen i vogël policie i lidhur me zinxhir! Palé, na mburresh, se kur ishe mësusese, kaloje lumenj pa frikë dhe ngjiteshe përpjetë malit!
– E po, i riu si veriu! Vërtet, tek ecja shtigjeve, asnjë qen nuk lehte kundër meje. Të gjithë më njihnin. Jo vetëm kaq, se ndonjëri që dilte në rrugë papritur më shoqëronte deri te shkolla, duke vrapuar me përkëdhelje para meje, djathtas e majtas, e më në fund, kthehej me vrap në shtëpinë e tij.
– Kurse unë, si qytetar, s’kam patur punë me qen fshati.
Pas dy orësh, mbi kokat e tyre u duk kapitenia e çelur në fytyrë.
– Kam një lajm të mirë për ju! – tha në anglisht. – Sapo mora një mesazh nga Aeroporti i Loganit. – Djali juaj është nisur drejt Mynihut! Do t’ju presë atje!
Elsa e gëzuar sa s’ka, zgjati krahët drejt saj:
– Thenk ju, veri maç!
– Danke shën! – shtoi Berti.
Ndërkaq, ajrori, duke u ngjitur lart, po largohej nga kontinenti Amerikan. Në atë lartësi, kur motorët punonin shtruar, u shfaqën stjuardesat e shpejta me shall të verdhë rreth qafës, duke shtyrë para e prapa karrot me ushqimet e pijet e darkës. Si gjithë pasagjerët, Berti dhe Elsa me lugë, pirua e thika, për çudi metalike, shijuan gjellët e ngrohta të shoqëruara me ujë Poland, birrë Heiniken e verë Bordo, si gjithmonë. E mbyllën darkën me tortë në kuti të vogla kartoni, në atë restorant të gjerë e të gjatë fluturues.
Në çastet kur ajrori arriti mbi brigjet e Kanadasë, u mënjanua djathtas për nga lindja.
– Shiko në ekran! – tha Berti. – Ajo tokë, që zgjatet nga veriu, është Groendlanda, më tej Islanda e njohur për geizerët e ngrohtë mes akujve dhe borës.
– E di, e di! Kam dhënë mësim për to.
– Veçse nuk ke lexuar një libër tërheqës për një ekspeditë angleze me profesorë e studentë, e cila, që thua ti, e ngriti bazën në jug të Groendlandës, atëherë thuajse të pabanuar. Pas tri ditësh, së andejmi pesë vetë u nisën drejt veriut me slita të ngarkuara me pajisje e ushqime dhe ndaluan në qendër të gadishullit. Në një guvë shkëmbore të mbrojtur nga stuhitë hapën dy çadra për vrojtuesit. Rreth e qark mbi një pllajë vendosën aparatet matëse hidrometeorologjike. Si mbaruan këto punë, katër vetë u larguan. Studenti i mbetur vetëm, gjatë atyre ditëve, në thëllim e tufan, kreu vrojtime sipas programit. Por mbante, edhe ditar për ndodhitë e ditës e të natës Pas dy javësh, në vendin e tij dërguan të shoqëruar një tjetër. Në kthim disa nga studentët, përveç fletoreve të vrojtimeve, dorëzuan edhe ditarët, ku krahas ngjarjeve, lexoheshin edhe sharje të rënda.
– E pse duhej të rrezikohej jeta e studentëve kot më kot?
– E po, shkenca, ti e di, kështu punon. Groendlanda sot banohet në shumë qyteza.
…Dhe ja hapësira e errët e oqeanit! Papritur dritaret u mbyllën dhe ekranet nuk tregonin asgjë. Berti dhe Elsa nisën të trazonin kot së koti revistat. I merrnin në duar dhe shikonin reklamat për televizorë, këpucë e veshje burrash e grash. Pas një fluturimi, që zgjati ndoshta katër orë mbi lartësi e thellësi të panjohura, perdet e dritareve u hapën sërish tok me ekranët. Në vijën, që përshkonte ajrori, u dukën ishuj si miza, kontinenti Europian, Irlanda, Anglia, Franca, Gjermania, dete të kaltër dhe vargmalet e alpeve, lexohej Boston, London, Paris, Frankfurt, Mynih….
Gjatë fluturimit mbi oqean, Berti u ngrit të çmpinte pak këmbët dhe shkoi nga fundit i avionit. Duke ecur me ngadalë, pa dy të njohur, burrë e grua, nga Tirana.
– Zoti Hysen, nga kështu?
– Për Athinë! Masnej kina me u kthye me autobus për Shqipni!
– Shumë gjatë e paskeni marrë udhën!
-E po, ça me ba! Aqé punojnë çuni ene nusja! Po ju?
– Në Tiranë po shkoj, e ku gjetkë!
– Sa mirë! Besoj se kina me u taku’ e me pi ka nji kafe turke ke Kolonat!
– Patjetër! Hajt, pra, mirupafshim!
Pasi eci më tej pa u lëkundur, Berti u ndodh pa e kuptuar në kuzhinë. Një djalë ezmer qëndronte në këmbë pranë një tryeze alumini.
– Ju lutem, pak ujë!
Djali bëri disa hapa për te një arkë, nxori një shishe, mbushi një gotë të bardhë plastike dhe ia dha në dorë.
– Thenk – ju!
– Uellkom, sër!
Tek pinte ujin, Berti vuri re se ezmeri, nga e folmja dhe fytyra, nuk dukej si gjerman, ndaj s’iu durua të merrte vesh se ç’qe. E pyeti:
– Nga jeni?
– Nga Brazili.
– Brazil, hë?
– Jes!
– Kafe famozo, grand Péle! – ia ktheu Berti.
Braziliani qeshi i kënaqur dhe tundi kokën. Po pasagjeri i ngeshëm vazhdoi:
– Kam lexuar në italisht një libër për portugezët në Brazil. Mbaj mend vetëm titullin: “E viva il Portogalo!”
Ezmeri ngriti supet, mblodhi buzët, buzëqeshi pak dhe nuk foli. Muhabetçiu ynë desh të shtonte diçka tjetër, por ai ia la fjalën në grykë:
– Më falni! – i tha i shqetësuar dhe u largua. Mesa merrej vesh, e kishte thirrur dikush për ndonjë shërbim. I mbetur vetëm, Berti e pa me vend të kthehej në vendin e vet pranë Elsës dhe, sa mbërriti tek ajo, nisi t’i fliste si profesor gjeografie:
– A i sheh ato copëra si gurë bojë kafe afër bregut të Anglisë?
– I shoh, qysh jo! Ua, sa të vegjël!
– Që thua ti, ata janë ishuj të Skocisë! Më sipër, duket si luaneshë e përgjumur Anglia. Ngjitur me të – Irlanda e Veriut!
Berti vazhdoi me mësime historie:
– Skocia, që thua ti, sipas një historiani skocez, ngjan me Shqipërinë. Malësorët e saj kanë zakone e veshje të ngjashme me tanët. Gajde kanë ata, gajde kemi ne! Feste – ata, feste – edhe ne! Jelek e fustanella me pala – ata, jelek e fustanella me pala – edhe ne! Shoqëria e tyre ka qenë e ndarë në fise, që shpesh herë luftonin njëri kundër tjetrit, e në çaste rreziku nga pushtuesit e huaj, bashkoheshin dhe e mbronin vendin me vetmohim.
– Si nuk u lodhe duke folur! – ia preu Elsa monologun prej profesori.
– Mbete duke më qortuar, sapo nis të tregoj diçka! Sidomos, kur ulem të ha darkën me grykësen rreth qafës. Për një njollë kosi mbi këmishë e ngre zërin sikur u bë kiameti!
Avioni la prapa Anglinë dhe po kalonte mbi ngushticën e La Manshit.
– Poshtë nesh është deti! – ia nisi prapë Berti si për inat. – Më 1944 aty kaluan anijet luftarake me ushtarë britanikë dhe amerikanë për në Normandi. Të kujtohet filmi “Beteja e Normandisë”, apo “Beteja e Stalingradit”?
– Aman, mos na e kujto luftën! Ti e di, se kur nisin filmat me luftë, unë ngrihem e iki!
– Mirë, atëherë, do të flas për diçka tjetër! Tani ndodhemi afro 3000 metra më lart se maja e Everestit!
– Mjaft! Mos na turbullo me lartësira! I shoh. Kam sy vetë.
– Dëgjo, dëgjo ç’të them! Parisin e lamë prapa! Tani po i afrohemi Frankfurtit!
– Ashtu!? Këtë thuaj, se u lodhëm të mbërthyer në një vend!
Përmes reve dukeshin aty – këtu njolla të errëta. Ndoshta ishin pyje mbi Alpet e Zvicrës e të Italisë. Në ekran vërehej zvogëlimi i shifrave të lartësisë.
Flokëbardhi përbri, me sa kuptohej, kur dëgjoi atë gjuhë me turqizma e latinizma dhe emrat Normandi, La Mansh, Stalingrad, u kthye nga Berti dhe e pyeti:
– Ju rashën or turkish?
– No! Albenien!
– Ah! Jes! Tirana! – Dhe e mbylli me aq. Hodhi prapë sytë nga televizori dhe s’u ndje më.
– Po ky ç’është, gjerman apo francez? – pëshpëriti Elsa.
– Ma do mendja të jetë nga miqtë e vjetër, që na kanë rënë më qafë me librat e kuq.
Stjuardesat me karrot e mëngjesit, filluan të lëviznin përsëri poshtë e lart. Si zakonisht, hëngrën mbi re, duke shijuar diçka të fortë si gur me pak sheqer, që mezi përtypej. Ndërkohë, po i afroheshin kufirit gjerman. Ajrori kaloi nën shtresën e reve. Toka e Gjermanisë po shihej më qartë.
– Ja, ja, si po hapen fushat, si qilim i blertë! – foli Elsa e çliruar paksa nga emocionet e lartësisë. Berti, që ishte më afër dritares, tha:
– Djathtas po duket Frankfurti! Ndërtesat e vjetra atje mirëmbahen me kujdes, krahas atyre moderneve, si në Boston. Në Frankfurt ka lindur poeti e shkrimtari i madh …. Hë, cili?
– E, nga ta di!
– Ama, ke qenë edhe mësuese e letërsisë! Johan Gëte, si s’e kujton!
Aeroplani u mënjanua pak dhe nisi ta humbiste lartësinë. U dëgjua një zë në gjermanisht dhe anglisht:
– Të nderuar pasgjerë! Për 20 minuta zbresim në Flughafen Frankfurt mbi Main! Ju lutemi, lidhni rripat e sigurisë!
Motorët tani punonin më shtruar. Shpejtësia u pakësua ndjeshëm. Nga dritaret dukeshin çati, tarraca, drurë, rrugë dhe fusha e blertë me aeroplanët e bardhë rreshtuar përbri njëri – tjetrit. Befas, goditja e butë në tokë tregonte se rrotat kishin prekur pistën e gjerë. Avioni mori djathtas për nga shtatë kullat e ndërtesës së gjatë gjashtëkatëshe. Në ato minuta A-3 i Lufthansës i ngjante një treni të bardhë ekspres pa sirenë, që po arrinte në stacion. Pas pak, motorët e avionit u fikën. Heshtje.
Flughafen Frankfurt mbi Main
Udhëtarët lanë ndenjëset pa zhurmë, ulën çantat e valixhet me rrota nga raftet dhe ecën drejt daljes.
– Mos luaj nga vendi! – i tha Berti Elsës. – Ulu! Të presim deri sa të mbarojë radha e gjatë!
Pas gjysmë ore, mbi kokat e tyre u duk përsëri kapitenia me një vajzë të re flokëgështenjë e faqebardhë, paksa të shkurtër, me shall të verdhë rreth qafës. Berti dhe Elsa u ngritën në këmbë.
Zonjushe Irma do t’ju shoqërojë deri në avionin, që niset për Mynih! – u foli ajo. Dhe, pasi i përshëndeti, u largua. Vajza zgjati krahët lart dhe zbriti valixhet me rrota, tërhoqi njërën prej tyre dhe u nis përpara. Elsa e ndoqi me çantën e bardhë mbi sup. Berti eci pas Elsës. Ajo treshe, tek lëvizte, ngjante pak a shumë me Borëbardhën e re, me Hirushen e thinjur dhe princin plak. Në dalje, një djalosh i gjatë me kapele të bardhë aviatorësh përshëndeti pasagjerët e vonuar:
– Hauf viterzen!
Vajza e re i priste jashtë me karron elektrike. Ajo u mori bagazhet Bertit dhe Elsës dhe i ndihmoi të uleshin në në dy skajet e kundërt Elsa duke vështruar përpara, ndërsa Berti prapa.Ai mjet i qetë, pa u ndier lëvizi sikur rrëshqiste në akull përmes hollit të gjatë, shtruar me pllaka të shndritshme. Anash shfaqeshin njëra pas tjetrës zyra, kioska dhe vargu i dyqaneve si supermarket, që zgjatej e kthehej djathtas e majtas. Shoferja e re, gruaja me çantë të bardhë dhe burri me barsolinë të kujtonin rosën, patën dhe patokun në çadrën e lojërave. Tek po kalonin para një dritareje, ku dukej një djalosh me uniformë polici, karroca ndaloi.
– Ju lutem, vështroni nga e djathta dhe tregoni pasaportat!
Polici, hapi sytë, tek vuri re dy pasaporta të kuqe. Pasi u mendua pak, u kthye nga vajza dhe i bëri shenjë të afrohej. Ajo zbriti menjëherë, foli me të dhe sakaq u kthye e i shpjegoi çiftit:
-Thotë se duhet të takoni shefin e policisë.
Ç’punë ka me ne policia- pyeti e shqetësuar Elsa
Duro! Ule zërin, të marrim vesh si është puna! – i tha Berti.
Të shoqëruar nga gjermanka me shall të verdhë në qafë, ata hynë pa trokitur në derën me xhama të zyrës së policisë, siç do të hynin në një kafene, apo farmaci. Kur u ndodhën brenda, vunë re në mure një orë ndërmjet disa pikturave klasike. Në njërin krah panë një divan dhe dy kolltukë me lëkurë kafe të errët e një tryezë mbi tapetin me rombe. Jashtë xhamave shihej holli i gjatë e i pastër i aeroportit, ku lëviznin pasagjerët me çanta e valixhe para dyqaneve dhe kioskave, tek punonjësit u përgjigjeshin pyetjeve të ndryshme. Pra, zyra ku hynë, nuk ndryshonte aspak nga sallat e pritjes së një hoteli apo spitali. Vetëm një tavolinë zyre në këndin e majtë, ku rrinte pa lëvizur para ekranit një flokëzi me uniformë policie e me gradat e kapterit në krahë, e prishte atë pamje çlodhëse. Vajza vajti pranë asaj tryeze. U dëgjua një bisedë e shkurtër në gjermanisht. Polici hodhi sytë e zesë nga udhëtarët e u bëri shenjë me dorë të uleshin. Më së fundi, pas përshëndetjes “hauf viterzen!”, vajza faqebardhë e flokgështenjë, me shall të verdhë rreth qafës dhe uniformën blu të Lufthansës, qetë e qetë doli jashtë e s’u pa më.
– Më duket na la në baltë! – tha Berti, teksa shihte me një parandjenjë jo të mirë kapterin e ngrysur përballë, që shqyrtonte pasaportat e kuqe shqiptare dhe kartat jeshile, grinkartat amerikane. Ndërkaq, nënoficeri mori telefonin dhe, duke vështruar çiftin e panjohur, foli me dikë.
Herë pas here në zyrë hynin oficerë me grada nga më të ndryshmet. Duke kaluar para tyre, drejt një dere të brendshme, dëgjohej tek ata flisnin gjermanisht me ata zërat e njohur grykorë, me gud, cvaj, cuq, zhvarc…
– Mesa kuptohet, tani kemi punë me policët! – vazhdoi Berti.
– Pse!? – e pyeti Elsa.
Ai nuk iu përgjigj, por u ngrit dhe desh të dilte jashtë në holl. Pa mbërritur te dera, dëgjoi zërin aspak miqësor në anglisht me theks gjerman të kapterit:
– Prapa! Uluni dhe mos lëvizni nga vendi!
– Dua të shkoj në tualet…
Kaçurrelsi zijosh u mendua pak, pastaj tha:
– Shkoni dhe kthehuni menjëherë këtu! Mos u endni poshtë e lart!
Berti nxitoi për në banjë, pastaj te një bufe bleu një shishe me ujë “Polad”, mori dy gota plastike dhe u kthye.
Tek prisnin me padurim si në paraburgim, prej derës së brendshme hyri dhe ndaloi para tyre një toger gjatosh pa kapele, flokëverdhë e sykaltër. Berti u ngrit në këmbë.
– Keni shkelur kufirin gjerman pa dokumente! – tha ai, pa i përshendetur. – Jeni në kundërshtim edhe me ligjin Shengen!
– Kemi grinkartat amerikane dhe pasaportën shqiptare.
– Dokumentet tuaja, zotni, nuk vlejnë këtu!
– Zoti toger…
– Herman Shulce!
– Ne nuk kemi faj!
– Po kush e ka fajin? Ju që keni shkelur kufirin, apo ne që ju kapëm?
– Zotni Shulce, deri në Frankfurt, apo më saktë brenda kësaj ndërtese të rrethuar me policë e kontrollorë, kemi fluturuar për qiell me avionin gjerman e me bileta të Lufthansës dhe jo fshehurazi nëpër tokë. Duam të kthehemi në atdhe! S’kemi asnjë punë dhe asnjeri në Frankfurt e në qytetet e tjerë të Gjermanisë!
Togeri u çel pak në fytyrë. Tundi kokën në shenjë pohimi, lëvizi nga vendi dhe u ndal në tryzën e kapterit. Mandej, me duart prapa, u kthye nga udhëtarët dhe tha:
– Keni të drejtë! Fajin e ka Lufthansa! Megjithatë, çështja juaj nuk është kaq e thjeshtë. Duhet kohë për të vendosur se ç’duhet të bëjmë me ju. Do të prisni rreth dy orë! – Me këto fjalë, pa pritur përgjigjen, ai hapi derën nga kishte hyrë dhe u zhduk.
– Eh, dreqo punë! Avioni për Mynih po niset! Na polli groshi! – tha Berti, tek po shihte me zili lëvizjen e shpejtë të njerëzve jashtë.
– Çfarë ndryshimi paskan këta me mirësjelljen e nëpunësve dhe të policëve në Boston! – foli Elsa e mërzitur.
Ora rrumbullake me kornizë të bardhë në mur punonte si gjithmonë, por akrepët rreth fushës së blertë ecnin si pleq të ngathët, deri sa kaluan dy orë. Pasi pritën edhe dhjetë minuta, Berti u ngrit, bëri disa hapa poshtë e lart dhe u ndal pranë tryezës së nënoficerit, që ngriti sytë, por nuk foli.
– Dy orët kaluan, zotni! – i tha Berti atij.
Ra zilja e telefonit. Mandej vazhdoi një bisedë e zgjatur në gjermanisht.
Zijoshi i vrenjtur la tryezën dhe foli si të jepte ndonjë urdhër ushtarak:
– Merrni valixhet dhe ejani pas meje! – Dhe shtoi rreptë si një gjykatës: – Do t’ju kthejmë në Boston!
Berti për disa çaste u trondit, kurse Elsa nuk mundi t’i mbante lotët.
– Në Boston!? – thirri ajo me zë të ngjirur. – Atje tani nuk kemi asnjë njeri!
– Pusho! – i tha Berti i zemëruar. – Kush ia var këtij! Askush nuk na ndalon dot të kthehemi tek njerëzit tanë në Tiranë! Fundja, na mbrojnë dy ambasadat tona.
Përmes derës së brendshme, njëri prapa e tjetri para, dolën te një korridor i ngushtë me zyra anash dhe zbritën disa shkallë. Kapteri trokiti te numri 8 dhe hapi derën. Përballë, pas një tryeze ngjyrë kafe disi e gjatë, rrinte në poltronin me mbështetëse të lartë, toger Shulce, me telefonin anash e kompjuterin përpara.
– Mund të shkoni! – i tha zijoshit. – Ju, zonjë e ju, zotni, uluni te ato karriket!
Pas një heshtje aspak të këndshme, Berti e pyeti:
– Si u zgjidh çështja jonë, zoti toger?
– Me nëpunësin kryesor të Lufthansës në Boston nuk munda të lidhesha. Ishte me pushim. Edhe ajo që ju dha biletat mungonte. Po bëj përpjekje të lidhem me administratën në Frankfurt.
Nga këto përgjigje Elsa u qetësua. Ajo nuk dëgjoi të flitej për kthim prapa. Por, të shoqit nuk i pëlqyen aspak ato fjalë të zgjatura prej zyrtarit të fuqishëm mbi poltron, me kompjuter e me telefonin, që e ngrinte dhe e ulte kohë pas kohe, duke mos e çarë kokën se ata udhëtarë të moshuar e të lodhur kishin disa orë pa gjumë.
Pasi patën zbritur nga qielli në Flughafen Frankfurt mbi Main, ata kishin pirë vetëm nga një gotë ujë.
U dëgjua zilja e telefonit, pastaj fjalët e togerit me kokën e mënjanuar pak, “pite, gud, gud ….” Rak-traku i lehtë i dorëzës së receptorit, që u vendos përsëri mbi aparat, tregoi se biseda kishte mbaruar. Togeri u drejtua dhe tha, si të paskësh përpara zotërinj të pasur:
– E para, sipas ligjit, duhet të paguani dyqind dollarë gjobë për shkeljen e kufirit!
– Përsëri po flisni për shkelje!? – ia ktheu Berti i habitur.
– Ne jemi në shërbim të shtetit. Mbrojmë kufirin e vendit tonë nga çdo shkelës. E dyta, nga Lufthansa sapo më njoftuan se duhet të paguani edhe njëqind dollarë për fluturimin nga Frankfurti në Tiranë.
– Asnjë dollar s’do të paguajmë! – e ngriti zërin Berti. – Biletat tona shënojnë Boston – Frankfurt – Mynih – Tiranë!
Oficeri brodhi sytë përsëri mbi biletat, grinkartat dhe mbi pasaportat. Mblodhi vetullat dhe tha:
– Duhet patjetër t’i paguani të gjitha shumat që ju njoftova!
– Paratë, që kemi me vete, na duhen për shpenzime në atdhe. Siç pranuat edhe ju, çdo pagesë duhet t’i ngarkohet Lufthansës!
Togeri u ngrit në këmbë dhe, si një kryetar gjyqi në çastin e vendimit, foli me solemnitet:
– Ndryshe, do t’u kthejmë në Boston!
– Po na kërcënoni?
– Ligji është ligj!
– Sjellja juaj ndaj nesh, zoti toger, ndryshon krejtësisht nga sipampatia, që ne kemi për kulturën gjermane.
– Si!?
– Qysh në rini kemi qenë admirues të Gëtes dhe tifozë të zjarrtë të fubollit tuaj me Bekenbaurin në krye.
– Shumë mirë, por unë zbatoj ligjin.
– Atëherë, kërkojmë avokat dhe përfaqësues nga ambsadat tona!
– Avokat!? Përfaqësues!?
Pllakosi heshtja. Gjatoshi u mendua, la tryezën, eci e doli jashtë.
Dy udhëtarët e shqetësuar mbetën vetëm. Njëri i ngrohur nga një shpresë e vagët, tjetra e tronditur.
– Të paguajmë dhe të marrë fund ky mundim! – iu lut Elsa Bertit.
– Asnjë dysh! Gabimi është i këtyre, jo yni!
Pas gjysmë ore, togeri u kthye. Pa u ulur, tha:
– Kam një lajm të mirë për ju! Biletat i ka paguar djali juaj, që ju pret në Mynih!
Elsa sa s’fluroi nga gëzimi.
– Sa mirë! – thirri ajo.
Toger Shulce vazhdoi:
– Mos harroni kërkesën time për gjobën! Por, po ju bëj një lëshim! Paguani vetëm njëqind dollarë!
Elsa, pa e pyetur të shoqin, nxori nga çanta njëqind dollarët dhe i vendosi mbi tryezë.
Berti nuk u ndje.
– Tani, – tha oficeri, – nënshkruani dy deklaratat! E para, se e pranoni pagesën e gjobës! E dyta, se nuk kërkoni avokat!
Berti mori stilolapsin e oficerit, u përkul pak dhe, pasi kaloi një vështrim të shpejtë mbi dy letrat e holla, hodhi firmën e tij fluturake, ngriti sytë dhe pyeti:
– Kur do të nisemi?
– Bisedova me nëpunësit e Lufthansës. Ka disa mundësi për të arritur në Tiranë: E para, me linjën Frankfurt – Beograd – Prishtinë, ose Mynih. Avioni ju pret në fushë!
Berti u ngrit.
– Ç’punë kemi ne në Beograd? – foli i habitur. – Edhe kjo na mungonte! Të ngatërrohemi atje edhe me policët e doganierët sërbë!?
Shulce vuri buzën në gaz, ngriti telefonin përsëri dhe seç foli sikur po jepte urdhër.
Në zyrën e pritjes, që tashmë kishte marrë pamjen e një dhome paraburgimi, u paraqitën dy policë në moshë të re me uniformë gri.
– Këta, – tha kapteri zijosh, – do t’ju shoqërojnë deri te shkallët avionit, që pas një ore niset për Beograd.
– U pa kjo punë! – psherëtiu Berti. – Të paktën, të ikim prej këtej, se na u mor fryma!
Ai hodhi çantën blu në shpinë, Elsa – të bardhën në krah, tërhoqën valixhet e vogla me rrota, dolën jashtë dhe ecën të shoqëruar nga policët.
Nisën sërish ndalesat në derickat e kontrolleve: shqyrtimi i kartave, i pasaportave e i biletave, hedhja në kosh e shisheve të dyshimta, e tubetave “Colinos”, e i pastave “risa” të rojës… Për pak desh ua rrëmbyen edhe sapunët e bardhë “olay” me pak aromë. Si zbritën disa shkallë, dolën në fushë. Policët ndërruan vendet, njëri eci përpara e tjetri pas. Si bënë afro dyqind metra, u ndalën te shkalla e një avioni të bardhë me shenjat blu të Lufthansës. I pari u ngjit Berti, prapa tij Elsa. Një grua e bëshme, me flokë të zesë e me uniformë, me sa dukej – kapitenia, pa vështruar biletat, tha:
– Vend ka vetëm për një pasagjer!
– Djallo punë! – bërtiti Berti. – Ec të zbresim!
Të katër morën në heshtje udhën e kthimit. Këtë radhë policët ua kapën valixhet me rrota dhe bënë përpara.
Në zyrën e policisë, në vendin e kapterit zijosh, ishte ulur një tjetër. Sa i pa ata njerëz, tek hynë ashtu të këputur, u foli butë:
– Uluni, ju lutem! – Dhe sakaq ai ngriti telefonin.
Nga dera e brendshme u shfaq një oficer me gradat e kapitenit. I gjatë sa Shulce, por me mustaqe spicë, që të kujtonin ushtarakët e kohës së Kajzerit. Eci si i menduar ngadalë dhe qëndroi para tyre, duke u bërë shenjë me dorë që të mos ngriheshin. Pas një heshtjeje, që zgjati disa minuta, tha:
– Do të prisni vetëm ndonjë çerek ore! Do t’ju nisim me aeroplanin e radhës! – Përshëndeti dhe doli jashtë në holl.
Frankfurt – Zyrih
Sapo një avion i vogël me shenjën Lafthansa u shkëput nga toka e u ngrit lart, Elsa pyeti stjuardesën, që u solli nga një shishe me “coca-cola”:
– Kur mbërrijmë në Mynih?
– Jo atje, madamë, por në Zyrih!
– Ç’është kjo!? – u habit Berti.- Ne duhet të zbresim në Mynih! Kështu është shënuar edhe në biletë!
Stjuardesa ngriti supet, seç tha shkurt në gjermanisht dhe u largua.
Pas pak, mbi kokat e tyre u ndal një djalosh.
– Ju lutem, mos u shqetësoni! Me një nga avionët tanë, që do të gjeni atje, do të fluturoni drejt Mynihut!
– Sa kohë do të presim?
– Dy orë, zotni!
– Dy orë!? – Berti u mendua, pastaj u kthye nga Elsa dhe tha: – Bëj hesap! Në vend të njëzetë e shtatë minutave nga Frankfurti në Mynih, do të fluturojmë një orë e një çerek për në Zyrih, shto dy orët e pritjes, bëjnë tre orë e një çerek! Hajde fluturim, hajde!
Gjatë kësaj kohe hëngrën nga një çokollatë të hidhur, sa një kuti shkrepse dhe mbaruan shishen plastike me “coca-cola.” Në aeroport, për të dalë në sallën e madhe, tek rrinin pasagjerët, atyre iu desh të bënin përsëri goxha udhë me këmbë e me konvejer, duke u munduar me vështirësi të mbanin drejtpeshimin.
Të ngujuar diku në ndërtesën e gjatë, e panë Zyrihun vetëm së largu nga dritaret.
– Jemi edhe s’jemi në Zvicër! – tha duke qeshur Berti.
Zyrih – Mynih
Një avion tjetër i ngjashëm me të parin u ngrit drejt Mynihut nga fusha e blertë e ajrorëve në Zyrih. Fluturimi vijoi mbi tokë në lartësinë e helikopterëve. Në ajër ata u kujtuan se pranë kabinës së fundme të kontrollit, kishin harruar kukullën e madhe për mbesën. Ajrori fluturoi afër tokës njëzetë e tri minuta, aq kohë sa stjuardesës iu desh të shpërndante nga një shishe ujë “Poland”. Drurët e pyjeve, ujërat, fushat e qytezat, dukeshin qartë. Pasagjerët, pa i ngrohur mirë ndenjëset, u liruan sërish nga rripat e sigurisë dhe zbritën nëpër shkallë drejt e në fushë, ku priste vetëm një autobus.
Më së fundi, nga Mynihu avioni i natës u ul përmes dritave para ndërtesës së aeroportit “Nënë Tereza”. Dhe ja, pas endjeve nëpër qiell, mbi oqean e mbi Europë, mbërritën në Tiranë në 2 shtator 2010.

Prehje pas kthimit në Atdhe.
Berti i këputur nga lodhja, ra në shtrat në dhomën e zgjedhur nga Adriani, që ishte më e rehatshme se në hotelet me shumë yje. Të nesërmen në mëngjes, pas kafes, ai hapi ditarin dhe shënoi:
Tiranë, 3 shtator 2010.
Ajrori vigan i kompanisë Lufthansa, pasi la Bostonin dhe oqeanin Atlantik, duke fluturuar shumë lart sipër shtresave të reve të bardha mbi Irlandë, Skoci, Angli e Francë, u ul butë në aeroportin e Frankfurtit. Atje, dy oficerë gjemanë të kufirit, kundrejt një gjobe prej 100 dollarësh, vendosën të mos na kthenin mbrapsht. Megjithatë, u kënaqëm me atë fluturim fantastik mbi Europë, nga Frankfurti në Zyrih, për pak në Beograd, nga Zyrihu në Mynih e, së fundi, nga Mynihu, pas mesnate, në aeroportin “Nënë Tereza”. Mbi 25 orë fluturim, shqetësim, zënka e lodhje! Përreth fushës së Rinasit shkëlqenin qindra drita. Ishin dritat e dashura të atdheut. Vështrimi i vëmendshëm, emocionet, njëfarë trishtimi, përlotja, buzëqeshja, pothuaj mungesa e fjalëve, viheshin re te mërgimtarët e lodhur, që vinin nga larg. Udhëtari zakonisht provon dy çaste të paharrueshëm, kthimin dhe largimin, të dy me ndiesi të ndryshme, veçse hera – herës me përlotje të befta, në përqafim me njerëzit e dashur, që kanë dalë t’i presin, ose t’i përcjellin. Ky i dyti përshkohet nga hutimi e trishtimi i lamtumirës.
Pas takimeve me miqtë e vjetër nëpër kafe, sidomos në rrugën Hoxha Tahsim, Berti mori sërish stilopsin dhe shkruajti:
Tiranë, 12 shtator 2010.
Përshtypjet e para të udhëtarit të sapoardhur në Tiranë janë rrugët e gjera me disa kalime në periferi, të rënduara nga trafiku, shpejtësia e tepruar e automjeteve, ngrehinat moderne me xhama të firmave private me reklama në gjuhë të huaj, djathtas e majtas, vilat e reja të ngritura larg qendrës në rrethina. Lexohen mbi tarraca emërtime kompanish, si Mercedes-Benz, QTU, CASA Italia, etj. Por duke iu afruar sa më shumë qendrës, vihet re se gjelbërimi ka shkuar drejt pakësimit, i groposur nën themelet e vargut të pallateve shumëkatëshe në krahët e çdo rruge, ku kalon autovetura. Lartësia e tyre mbulon gjithë panoramën e dikurshme me kodra, deri edhe malet që ngrihen në lindje. Pallatet e larta janë nga më të ndërlikuarat, me përzierje banesash, zyrash, dyqanesh, kafenesh, restorante, hotele e banka. Bie në sy vërshimi i të ardhurve nga rrethet, madje edhe nga mërgimi, aq sa popullata e Tiranës e kapërcen tani shifrën një milion. Kur hyn në Rrugën e Durrësit, pas rrotullimitit të sheshit Rilindja, dendësia e autoveturave shtohet. Ato ecin ngadalë, për shkak të problemeve, që janë shfaqur në sheshin Skënderbej. Një udhëtar, që e ka vizituar Tiranën dy vjet më parë, habitet kur shikon se ai shesh i bukur me ministritë klasike, vijon të jetë i shkallmuar. Shtatorja e Skënderbeut qëndron e vetmuar buzë gropës masive. Prapa Sahatit në qendrën historike të Tiranës, ngrihet një karabina e frikshme me 25 kate. Po ashtu, para stadiumit “Qemal Stafa” një ngrehinë tjetër duket si e harruar në shesh.
Në Unazë autobusët e rinj lëvizin ngadalë dhe presin gjatë nëpër stacione, për të mbledhur sa më shumë pasagjerë, kurse autoveturat, shumica Mercedes – Benz, vrapojnë me shpejtësi si në ndonjë garë automobilistike. Drejtuesit e tyre, me gjithë gjobat nga policia rrugore, i ngasin makinat pa kujdes, pa patur asnjë shqetësim e vëmendje për këmbësorët. Rripat e sigurisë shumë prej tyre nuk i lidhin. Kalimtarët presin gjatë nëpër trotuare, për t’u hedhur nga një krah i rrugës në tjetrin. Këto shqetësime i gjen kudo, në Bulevardin e Madh e në rrugët e tjera, madje edhe në kalimet e ngushta midis banesave. Nëpër lagje autoveturat dhe këmbësorët lëvizin me vështirësi, për shkak të furgonëve me mallra gjithfarësh, që ndalen në mes të rrugës. Kurse taksitë shpesh herë lëvizin si në labirinth. Ndërmjet shoferëve gjen shumë djem të shkolluar. Disa janë të heshtur, disa flasin pa u lodhur, sipas bindjeve të tyre politike, dhe shumë pak për sportin, a për artin. Të gjithë krahët e rrugëve janë të ngarkuar me automjete të ndalur, sepse mungojnë sheshet e parkimit. Qytetari i vjetër vë re, se Tirana e sotme është ngjeshur zhurmshëm, pothuaj mbi rrjetin e rrugëve që ka pasur para vitit 1992. Kjo gjendje e rëndë duhet të marrë fund duke ia ndaluar dorën shkatërrimtare Bashkisë dhe Edi Ramës, që jep lejet me firmën e vet makute për shokët e miqtë për ngritje pallatesh të lartë duke rrënuar Tiranën dhe historinë e saj, me betonizimin e shfrenuar, të qytetit, më të bleruarin, që nga vitet 1937- 1940. Kjo çmenduri pallatesh, mesa shihet, s’ka gjasa të ndalet, as në të ardhmen për shkak të etjes për fitim dhe korupsionit në bashki.
Kush përgjigjet për këtë gjendje mjaft shqetësuese të Tiranës? Në shumë gazeta shkruajnë, Bashkia e Tiranës, por disa gazetarë të politizuar thonë Qeveria Demokratike Dihet se sipas sistemit demokratik, sot ajo u është përkushtuar arritjeve brenda e jashtë vendit Ndërsa bashkitë janë përgjegjëse për zhvillimet në një territor të caktuar të vendit. Qeveria harton ligje dhe ndanë mjetet buxhetore për komunat. Ndër shumë detyra të tjera, ajo merret me hapjen e rrugëve të reja, zgjerimin e rindërtimin e të vjetrave, për lidhje nga më të ndryshmet, ndërmjet qyteteve, sidomos, në ndihmë të fermerëve, kudo në fshatra për bujqësinë, tok me pemëtarinë, ullishtat, vreshtat etj. Nje lajm i mirë: Pas kërkesave të qeverisë, pritet vendimi i Këshilli të Ministrave të BE e Parlamentit Europian për liberazimin dhe heqjen e vizave për lëvizjen në vendet e Bashkimit Europian.
Këtë gjendje e shohin qartë ata, që kanë sy në ballë e mend në kokë, madje edhe emigrantët, që kthehen tani në atdhe.
Shumë vetë shpresojnë për zhvillimin e mëtejshëm të ekonomisë për një jetë më tëmirë, por nëse, vjen në fuqi, ndonjë Qeveri, moskurrë, me Edi Ramën në krye,
të edukuar me vese të mbrapshta, nga parardhësit e vet të koruptuar, mjerë Shqipëria!

Kryeqytetet në botë.
Dihet nga të gjithë, se shumë kryeqytete në botë janë trajtuar me kujdes, duke i mënjanuar pallatet shumëkatëshe për ruajtjen e trashëgimisë ndërtimore në zona historike. Parqet e blerta mbulojnë anembanë qendrën me ndërtesa zyrtare, hotele, banka e objekte kulturore, kurse në rrethina banesat janë të ulëta e të qeta, mbi një rrjetë të gjerë rrugësh të reja, sheshesh e parkingjesh të shpërndarë kudo…

Nga ditari Tiranë 15 shtator, 2010
Policët në botë janë zakonisht ruajtës të rendit dhe mbrojtës të qytetarëve, por, për faj të rregullave e ligjeve, me nene të ndërlikuar, ndodh shpesh e kundërta. Ata, duke u marrë me çështje kufitare të vështira, në inat e sipër, e humbasin gjykimin dhe gabojnë gjatë kryerjes së detyrës. Kështu, për fluturimin nga Bostoni deri në Singapor mjaftojnë 22 orë, ndërsa për në Tiranë, në vend të 9 orëve dhe 25 minutave, u deshën 25 orë e 30 minuta, por, siç thotë fjala e urtë, çdo e keqe ka të mirën e vet, ashtu si, pas rrebeshit me shi, kthehet dielli i ndritur dhe kaltërsia mbulon gjithçka.

blank

ZOTESHË – Poezi nga MARTIN CAMAJ

Zoteshë, dy krena gjarpnijsh bdër vllâj

gjij tu, qyshse vetdijse

për hijeshinë tande sadefi

përbuze përvujtninë e vjollcës.

 

Dashnore e lilit të paçelun,

mëkati yt po të mbyt përditë

pse korpin tand të rrezitun

don me e pà në pasqyrën e hanës,

pse don me u bâ sinor mes diellit

dhe njeriut.

blank

EUROPË MASHTRUESE – Poezi nga Neki Lulaj 

Neki Lulaj

 

Çuditërisht

Këtij shekulli po i vje era mashtrim

Ajrit po i vjen era gënjeshtra

Tokës akoma po i vjen era gjak

Arsyes po i vjen era zhgënjim

 

Servilët me thika pas shpine

Koten  e zgërdhihën si qenët

Gulfat e djersës ju rrjedhin laprave rreth qafe

Në llogoret e premtimeve boshe

Në këtë shekull me fërfëllazë, me borë baltë

E tradheti .

 

Demonët e zi me sy gjarpëri

Ngatrruar me kollare

Flejnë mbi harta me gërsherë në dorë.

E mbarë qytetarët e Dardanisë

Në mes ëndrres dhe zhgjëndrrës.

Dridhem

Nga kryeneçësia që mallkon.

 

Po mashtrohem sërish me gënjeshtra shekullore

Ata po e lëmojnë atdheun  me shputa ariu

Me gërshërë leshi.

Më prangat që të mbeten mes dore.

 

Po druajë se do ti mallkojë perendija

Shpirt zinjët e ketij shekulli

Qe i mban shpresa

Shoh zogjtë e atdheut plotë gaz

Dhe pyesin…?

Kur do te rrezeje drita e shpresës

Qe sjellë edhe për ne me shumë dashuri !…

blank

MBURRJE – Poezi nga MARTIN CAMAJ

As toka që shklet nuk âsht e jote,

vetëm lëkura e kambës âsht e jote,

njeri që din me folë me vete.

Shmangu mendimit të tjerve

dhe ec mbi sende lehtas

pa lanë gjurmë në gur,

pa lanë gjurmë në dhé.

Ec e mos ço prej trollit asgjâ

që të ra prej duerve njiherë.

 

Ke me lanë kështu nji trashigim

në sytë e bashkëkohësve të rij

që kanë me thanë: rruga e tij

qe e drejtë si kallmi.

blank

VENUSI I MILOS – Poezi nga GOTTFRIED KELLER – Përktheu SKËNDER BUÇPAPAJ

Ashtu si mjekja dikur na ish,
E gjorë, tani je në modë
Derdhur në porcelan, kallaj e gips
Në tavolinë rri, komo dhe sobë.

Supa valon, shamata zjen,
Klithma fëmijësh, çjerrje;
Mësuar çikërrimash prej nga vjen
Ti shikon çdo gjë në heshtje.

Si përmes shkëlqimi dyersh tempulli
Shihesh tretur larg e ngrata
Dhe sesi në guaskën e veshit
Dëgjon që vërshojnë valët e kaltra!

blank

Në “kopshtin” e tjetrit mos u fut! – Katër poezi nga VIRON KONA

Në “kopshtin” e tjetrit mos u fut!

T`krijosh poezi është e drejt e gjithkujt,
Që shkruan me shpirt, zemër e ndjenjë,
Veçse në “kopshtin” e tjetrit ti mos u fut,
As për një kokërr “ftua”, a për një “shegë”!

Të vjedhësh vargjet e krijuar nga poeti,
Dhe të thuash se ato i ke shkruar ti vet,
S`ke fare ndryshim nga hajduti ordiner,
Që të vjedhë, e sendet e tua ty t`i shet!

Aty mund të fshihet dredhia…!

E bukur kjo nepërka,
Me ngjyra magjepse,
Me luspa dhe me pika,
Eh, sa tërheqëse!

I afrohesh me kureshtje,
E admiron: eh, ç`bukuri!
Por befas ajo të kafshon,
T`lëshon helmin e zi!

Ndaj, o njerëz mos u gaboni,
Vetëm nga pamja e bukuria,
Aty mund t`fshihet mashtrimi,
Aty mund të fshihet dredhia…!

Po mend, kishte ai djalë?

-Uf, moj nënë ç`djalë ishte,
si ai s`kam parë askund,
i gjatë, i shkathët,elegant,
si artist në Hollivud.

Aman sytë kur m`i hodhi,
zemrën seç ma ndezi zjarr,
vështrimin flak vetëtime,
si ai djalë kurrë s`kam parë!

Muskuloz e hundëshkabë,
siç tregohet në përrallë,
si ai s`do gjej dot tjetër,
atë, o nënë s`e lë pa marrë!

-O bijë, po më pëlqeka,
pamja e djalit s`ka të sharë,
veç një pyetja e ka nëna:
po mend, kishte ai djalë?

Dyshimi

Mos u ngut të shkruash e botosh,
diçka që s`je i sigurt dhe dyshon,
ndryshe shërbëtor i dikujt bëhesh,
që për ligësi ty të shfrytëzon.

Gazetarë e vjetër e hiqnin lajmin,
kur për vërtetësinë e tij dyshonin,
më pas e bën “ligj” të pashkruar:
Lajme të dyshimta t`mos botonin.

blank

HIJA E LISIT – Poezi nga MARTIN CAMAJ

Dielli i rà për skithi lisit të madh

e i zbuloi nën hije eshtnat e njérit

si cokla, si dru.

Hija e lisit â e qetë si tis

mëndafshi të zi në faltore.

Gjingallat mbi dega gjimojnë

njiheri në vapë sikur vajtore

me ftyra t’gërvishuna n’gjamë.

 

Kur dielli don me shkue

hija e lisit rritet e kapet për mal

– gjarpën npër rremb:

hija e lisit â e zezë,

hija e lisit na tremb.

blank

“TIRANA” E GJUNJEZUAR NGA DIKTATURA KOMUNISTE – Nga Skifter Këlliçi, ish-komentator sportiv i RTSH (1959-99), shkrimtar

 

Dëshmi dhe përfundime rreth përjashtimit të kesaj skuadre nga kampionati i futbollit, 55 vjet më parë.

 

Edhe tani më kujtohet mirëfilli ajo e martë e datës 27 qershor të vitit 1967, pra 55 vjet më parë, kur shprehnin nën zë dufin pasi kishin lexuar në faqet e “Sportit Popullor’ njoftimin se skuadra e tyre e zemrës, pas ndeshjes së fituar kunder “ Partizanit”, ishte përjashtur nga kampionati, kur thuajse e kishte siguruar plotësisht kurorën e kampiones.
Historia e futbollit botëror njeh shumë skandale që kanë ndodhur brenda dhe jashtë fushave të futbollit-përleshje të futbollistëve në fushë dhe jashtë saj, ndërhyrje të  tifozëve të njërës a tjetrës skuadër, kërcënime dhe joshje të drejtuesve të klubeve ndaj gjyqtarëve, allisheverishe, shfaqje korrupsioni, që kanë sjellë si pasojë përjashtime futbollistësh, trajnerësh, drejtuesish, por kurrë përjashtimin e ndonjë skuadre nga vazhdimi  i kampionatit. Dhe kjo, sepse rregullorja e futbollit  nuk parashikon veprime të tilla.

blank

Nuk përfshihen këtu raste kur janë përdorur makinacione për të favorizuar një skuadër a një tjetër, siç ndodhi në sezonin 2005-06 në Itali,ku, si pasojë e procesit  të ashtuquajtur“calciopoli”, “Juventusit” iu  hoq titulli kampion dhe u dënua të luante në kategorinë e dytë, dhe “Milani”, ”Fiorentina”, ”Lacio”, “Rexhina” etj., u detyruan  ta fillonin kampionatin me disa pikë më pak…
Por ajo që ndodhi më 24  qershor të vitit 1967, pas ndeshjes “17 Nëntori”-“Partizani”, kur të dyja këto skuadra u përjashtuan nga vazhdini i këtij kampionati, është një shëmbull i paparë  dhe unikor në botë.
Deri në kampionatin e vitit 1965-66, kur “Vllaznia” ishte shpallur dy herë radhazi kampione, më 1945 dhe 1946, vetëm dy skuadra kishin fituar kampionatet në vazhdim: Këto ishin “Partizani”, i krijuar më 1946, (11 herë) dhe “Dinamo”, e krijuar më 1950 , (6 herë).
Dhe ja, në ndeshjen e fundit të kampionatit të vitit 1965-66 “17 Nëntori” i Tiranës, duke mundur “Partizanin” 2-0, fitonte për herë të parë në historinë e kampionateve të pas Luftës së Dytë Botërore, titullin kampion.
Ishte me të vërtetë një shuplakë shumë e rëndë që i jepej  këtyre dy skuadrave të privilegjura të udheheqjes komuniste, dy skuadrave, përkatësisht të Ministrisë së Mbrojtes dhe Ministrisë së Brendshme.Thyhej kështu një mith.
Në dukje, këtu nuk kishte agjë të keqe. Madje, po zgjerohej kështu gjeografia e kampionëve. Por udhëheqjes komuniste i pëlqente që kampionatin ta fitonte cilado skuadër, por jo “17 Nëntori”, pra, “Tirana”, shumëherë kampione që nga 1930, kur ishte zhvilluar kampionati i parë…
Urrejta kundër diktaturës komuniste ka qenë e heshtur, sepse  dhuna e saj nëpërmjet armës së kësaj diktature, Sigurimit të Shtetit, ishte shumë e madhe. Kështu kjo urrejte përpiqej të gjente shprehje në mënyra të tërthorta. Dhe një nga këto mënyra u bë futbolli.
Sportdashësit e “17 Nëntorit”, dhe këta nuk ishin vetëm tiranas vendas, por edhe mijëra e mijëra te tjerë në kryqytet e qytete të tjera të vendit, gëzoheshin pa masë kur skuadra e tyre fitonte ndaj “Dinamos” dhe, veçanërisht, ndaj “Partizanit”. Këtë gëzim ata e  shprehnin hapur me thirrjet, “Forca Tirana, (Tirona)!”, sidomos në ndeshjet kundër skuadrave të mësipërme ushtarake.
Ishte një dukuri e përafërt me thirrjet e sportdashësve tiranas në vitet 1942-43, kur “Shprefeja”, skuadër e të rinjve të lagjeve te Tiranës, luante kundër skuadrave fashiste italiane. Kur ushtarakët fashiste thërrsnin:”Forca gli azzurri!”, ata u kundërpërgjigjeshin me thirrjet: “Forca të kuqtë!”, sepse fanellat e “Shprefesë” ishin të kuqe dhe të mbathurat e zeza, pra, si ngjyrat e flamurit kombëtar.
Mirërpo thirrja “Forca Tirana” nuk u tingëllonte mirë në vesh anëtarëve të Byrosë Politike. Me përjashtim të Enver Hoxhës, Mehmet Shehut dhe Hysni Kapos, të gjithë byroistët e tjerë do t’i shihje  çdo të diel në tribunën e stadiumeve. Dhe të  tërë,veç Kadri Hazbiut, ishin  tifozë fanatikë të “Partizanit”. Madje, gjeneral Petrit Dume kishte  raste që në pushime të ndeshjes së “Partizanit” të zbriste në dhomat e zhveshjes dhe  të ndërhynte që të hiqej ky, apo ai futbollist që, sipas tij, nuk po luante mirë.
Një herë, sic dëshmon Miço Ndini, ish-futbollist i njohur i “Partizanit” të viteve 60-të, ky gjeneral, pas një humbjeje të kësaj skuadre me “Skënderbeun”në Korçë, arrinte me  makinën e tij autobusin e “Partizanit”, që udhëtonte për më Tiranë, e ndalte atë dhe fyente futbollistët…
Po të kthehemi të “17 Nëntori”. Pas një fitoreje të skuadrës së tyre kundër ”Besës në Kavajë, në fillim të  dimrit të vitit 1967, tifozët tiranas, me të ardhur në stacionin e trenit, nuk u shpërndanë, por u drejtuan në Klubin e Shtëpisë së Oficerëve, (sot godina e MTKRS-së),  dhe atje vazhduan me thirrjet: “Tirona, Tirona!”. Dhe të mos harrojmë se na ato çaste në klub ndodhej  pikërisht gjeneral Petrit Dume, bashkë me jerarkë të tjerë të diktaturës, të cilët, s’do mend, mbetën të tromaksur.
Që ky ishte një provokim i hapur, për këtë nuk kishte dyshim, Por, a mund të arrestohej ndokush, kur fare mirë ai mund të përgjigjej: “Nuk bëra asgjë, veçse thira më shokët e mi: “Forca “Tirana”!”? Sigurisht që jo.
Byroistëve nuk u pëlqente dhe fakti tjetër që sportdashësit tiranas e quanin skuadrën e tyre me emrin e e vjetër, “Tirana”, dhe jo “17 Nëntori”, siç u quajt ky klub pas ardhjes se komunisteve në fuqi, për nder të çlirimit të kryeqytetit.
Ja, pra, në këtë atmosferë zhvillohej kampionati i vitit 1967. Kasta e kuqe nuk mund të gëlltiste një fitore të dytë të “17 Nëntorit” në këtë kampionat, aq më tepër pas fitores së një viti më parë.
Duke parë që kjo skuadër po shkëputej nga “Partizani” e “Dinamo”, paria e Ministrisë së Mbrojtjes filloi të përdorte   makinacione nga më absurdet. Pikërisht në  këtë periudhe, futbollistët e “17 Nëntorit”, Ali Mema dhe Gëzim Kasmi, të dy pedagogë të kultures fizike, u dërguan, i pari në Shkodër, (gjashtë muaj) dhe i dyti në Skparar, (18 muaj), që të kryenin… zborin usharak. I tërë ky makinacion u krye drejtpërdrejt me urdhër të gjeneral Petrit Dumes. Kështu skuadra tiranase u detyrua të luante gjatë tërë këtij sezoni pa këta dy lojtarë tutullarë.
E, megjithatë, valanga e “Tiranës”, (kështu po vazhdoj ta quaj tani këtë skuadër), ishte e pandalshme. Kishte fituar 3-2 edhe takimin e parë të sezionit 1966-67 kundër “ Partizanit” dhe futej në fushë që të fitonte edhe të dytin…
Dhe, ja, erdhi 24 qershori i vitit 1967. Ditë e shtunë. Përse kjo ndeshje të shtunën dhe jo të dielën, sipas kalendarit? Edhe këtu kishte një dredhi: të dielën “Vllaznia” priste në Shkodër “Dinamon”. Deri atë javë “Tirana” kryesonte me 33 pikë, ”Dinamo” kishte 31 dhe “Partizani” 25, jashtë çdo lufte për t’u bërë kampion.Por duhej pra, me doemos që “Tirana” të mos përsëriste suksesin e një viti më parë.
Duhej pa tjetër që “Partizani” të fitonte kundër “Tiranës”. Dhe atëherë të bëhej ç’është e mundur, madje, të ushtrohej në një mënyrë a një tjetër, trysni ndaj “Vllaznisë”, edhe ajo pa pretendime për titull, që “Dinamo” të fitonte.
Në këtë mënyrë, si “Tirana”, ashtu edhe “Dinamo”, barazoheshin me pikë e, kësisoj, krijohej mundësia që kampionatin ta fitonte kjo e fundit, me fjalë të tjera, një tjetër skuadër ushtarake, por  këtë radhë e Ministrisë së Brendshme.
E vertëta është se kjo dëshirë e udhëheqjes komuniste nuk ishte kaq e lehte të realizohej, sepse në tri takimet e fundit të kampionatit “Tirana” do të ndeshej me “Tomorin ” e Beratit, ”Lokomotivën” e Durrësit dhe “Traktorin”e Lushnjës, që ndodheshin në shkallët e fundit të renditjes së kampionatit. Mirëpo tiranasit shpartalluan çdo hamendësim të parisë së kupolës së kuqe: ata mposhtën në sy të saj “Partizanin” me rezultatin 2-1.
Të dyja skuadrat aktivizuan në atë sezon këta futbollistë:
“Tirana”:Tafaj, Elini, Frashëri, Dhales, Gjoni,Bytyçi, O.Mema, Xhaçka, Bukoviku, Hyka, Kazanxhi, Ishka, (trajnerë, M.Alla dhe E,Shehu).
“Partizani”: Janku, Jozja, M.Gjika, S.Gjika, Dingu, Rragami, Shule, Karriqi, Shllaku, Dani,Rudi Pano, Jashari, Shaqiri, (trajnerë, R.Resmja e M.Ndini.)
Nuk po trajtoj kronikën e ndeshjes, e cila për turp, as nuk është pasqyruar në faqet e gazetës “Sporti Popullor”. Por nga fundi i pjesës së dytë, pati raste të një loje të rëndë, të shkaktuar  nga lojtarë  të  të dyja palëve. Kjo atmosferë e nderë vazhdoi edhe pas përfundimit të takimit, para dhomave të zhveshjes. Por nuk pati përleshje, nuk pati, për më tepër, as  ndërhyrje  të shikuesve tifozë të njerës, a tjetrës palë në fushë.
Gjyqtari mund të kishte përjashtuar futbollistë nga të dyja skuadrat, deri aq sa lejon rregullorja. Edhe lojtarët që shkaktuan përleshje, mund të ishim përjashtuar për kaq, ose aq ndeshje…Të gjitha këto mund të kishin ndodhur, përsëri duke u zbatuar rregullorja e futbollit.
(Ndërkohë, “Dinamo” nuk mundi të arrinte veçse një barazim në Shkodër dhe kështu mbeti tri pikë larg “Tiranës”, e cila, duke pasur, siç e thashë edhe më sipër, ndeshje më të lehta, tashmë po çimentonte rrugën për të fituar për të dytën herë radhazi  titullin kampion).
Si pasojë, pas përfundimit të ndeshjes “Tirana”-”Partizani”, në stadium shpërthyen sërishmi brohoritjet hovëzuese ,”Tirona,Tirona!”, të cilat, si gjithnjë, u vrisnin veshin byroistëve. Ndaj ata u larguan të vrenjtur nga stadiumi dhe ua hipën makinave të tyre të zeza, për t’u zhdukur në Bllokun e Udhehëqësve. Megjithatë, duke shestuar diçka të ligë…

blank

Vendimi mizor!..

Dhe ja ligësia skandaloze: në gazetën “Sporti Popullor”, të datës 27 qershor të vitit 1967 u botua vendimi  i Federatës Shqiptare të Futbollit, sipas të cilit të  dyja skuadrat përjashtoheshin nga kampionat i vitit 1966-67 për shfaqje te theksuara antisportive.
Ku vendim absurd  ra si bombë në opinonim sportiv shqiptar.Si ishte e mundur që FSHF-ja të guxonte të  merrte një vendim të tillë dhe mbi çfarë faktesh, kur vetëm  disa futbollistë  u grindën  me njeri-tjetrin?.
Vite më pas, kur jam marrë më këtë ngjarje tmerrësisht dramatike, kam pyetur ish-drejtues të FSH të Futbollit, madje të Komitetit Shtetëror  të Kulturës Fizike dhe Sporteve. Por, për fat të keq, të tërë kanë ngritur supat, duke më shpjeguar se nuk mbanin… mend hollësi të këtij vendimi. Atëherë jam drejtuar në Drejtorinë e Përgjithme të Arkivave të Shtetit dhe kam hapur dosjet përkatëse të këtij institucioni të lartë shtetëror. Mjerisht, nuk kam gjetur as ndonjë procesverbal të ndonjë mbledhjeje të  FSHS-së për këtë ndeshje, asnjë vendim, asgjë…
Atëherë lind pyetja: Kush e mori këtë vendim? Kryesia e F.SH. të Futbollit?
Por cili nga anëtarët, duke përfshirë këtu edhe kryetarin e saj, a kryesinë  e Komitetit të Kulturës Fizike dhe Sporteve, do të  kishte marrë guximin të ndërmerrte një hap të tillë, për të përjashtuar dy skuadra nga vazhdimi i kampionatiti, aq më tepër kur njera prej tyre nuk ishte as më shumë e as më pak, por “Partizani” i Ministrisë së Mbrojtjes, skuadër e zgjedhur e Kupolës së Kuqe?…
Eshtë e qartë që u ky vendim u diktua nga vetë Byroja Politike. Dhe më mirë se kushdo tjetër, këtë e dinte Ramiz Alia, shefi i propagandës në Byronë Politike, ai që nuk mungonte kurrë  jo vetëm në ndeshjet e “Partizanit”, por edhe të skuadrave të tjera. Madje që nga Amerika ku jetoj, i kam dërgur email vetë atij , (ra-alia@yahoo.com), për të ma zbuluar këtë të vërtetë përvëluese, por nuk kam marrë përgjigje.
Motivi ështe shumë i qartë: duke përjashtuar “Tiranën”, “de jure”, kampione,“de facto ” kampione të bëhej “Dinamo”, pra, në fund të fundit, një tjetër skuadër e diktaturës. Dhe në opinon krijohej ideja: ”Ja,bashkë me “Tiranën, përjashtohet edhe “Partizani”, pra dënimi është i barabartë për të dyja skuadrat”.
Por harrohej, ose bëhej sikur harrohej, se kështu “Tiranës” iu mohua titulli kampion  në një kampionat thuajse të fituar tri javë para mbylljes së tij.
Kjo ishte një goditje shumë e fortë që iu dha kësaj skuadre dhe spordashësve të saj. Ishte një luftë e filluar që në shtator të vitit 1963. Dhe ja se si:
Atëherë futbollisti i njohur i Tiranës, Skënder Halili, një nga qendërmbrojësit më të mëdhej të futbollit shqiptar të të gjithë kohëve, pas shërbimit ushtarak të kryer në radhët e “Dinamos”, nuk pranoi propozimin e drejtuesve të Ministrisë së Brendshme që të vazhdonte të luante në radhët e kësaj skuadre, edhepse iu afruan kushte të mira pune e jetese. Ai u kthye te “Tirana” e tij e shtrenjtë, te shokët e skuadrës, te sportdashësit  që e pritën krahëhapur.
Por drejtuesit e Ministrisë së Brendshme ia mbajtën vath në vesh këtë refuzim. Dhe ja, u gjet një shkak për ta shkatërruar përfundimisht. Befas në shtator të vitit 1966, para se  “Tirana” të nisej për  një ndeshje  jashtë vendit, ai u burgos..Urdhëri u dha drejtpërdrejt nga vetë ministri, Kadri Hazbiu, sepse atij iu gjetën …ca dollarë amerikanë dhe, si pasojë, u dënua me disa vjet burgim.
Kështu në moshën 24-vjeçare u mbyll jeta sportive e këtij futbollisti që do t’i kishte dhënë aq shumë futbollit shqiptar. Por dikaturës aq i interesonte. Rëndësi kishte që një  “armik” të asgjësohej. Vdekja e tij e parakohshme më 1982 dhe varrimi i tij, ku, me gjithë kohën e keqe, morën pjesë qindra e qindra spotdashës, ishte një shfaqje e heshtur proteste ndaj dikaturës. Pastaj, kjo luftë, siç e pamë,vazhdoi me… “kryerjen” zborit ushatark jashtë Tiranës  të Ali Memës dhe Gëzim Kasmit.
Sidoqoftë, një akt i tillë i mbrashtë dhe mizor, nuk e mposhti “Tiranën”. Që  ishte skuadra më mirë e atyre viteve, ajo e dëshmoi këtë duke  fitur kampionatet e vitive 1968, 68-69 dhe 1969-70, duke shënuar kështu një nga faqet më të lavdishme jo vetëm të këtij klubi , por edhe të futbollit shqiptar.
Vite më pas kam pasur rast të bisedoj me Skënder Jarecin, ish-futbollist dhe pastaj edhe trajner i “Dinamos”. Duke rikujtuar përjashtimin e “Tiranës” nga kampionati i sezonit 1966-67, ai ma pati thënë:”Në ceremoninë e përfundimit të këtij kampionati i këshillova futbollistët e mi të mos bënin të ashtuquajturin rrotullim rreth fushës me kupën në duar që nuk e meritonim. Ajo kupë dhe ai rrotullim i takonte “17 Nëntorit ” dhe vetëm atij”. Dhe kështu ndodhi…Për çudi, askush nga drejtuesit e Ministrisë Brendshme nuk më kritikoi”.
I nxitur nga kjo dramë e madhe sportive, më 1997 nisa të shkruaja romanin me titull “Tirana”, dy orë para dënimit”. M’u desh të bisedoja me futbollistë të asaj kohe, portierin Elini, mbrojtësit Frashëri, Osman Mema, vëllai i Ali Memës, me portierin e “Partizanit” Janku, me Panajot Panon legjendar…Por edhe me trajnerin e “Partizanit” të atyre viteve, Refik Resmja.
“Përjashtimi i Tiranës”,- më tha Resmja atëherë,- qe një akt i shëmtuar i diktaturës.
Unë u indinjova së tepërmi, ndonëse nuk më erdhi mirë që ne e humbëm atë ditë  ndeshjen me të Por “Tirana”  e meritoi fitoren, siç  do të meritonte dhe fitoren e atij kampionati.”

blank

RRUGA BRI LUMIT – Poezi nga MARTIN CAMAJ

Gjithkund bri lumit ngjitet

rruga për kambsorë.

Udhtimi nji herë npër të nuk pritet

as kur bjen shi e borë.

Me vjet kam vû oroe nga shpija në derë

rreshtin e gjindëve ngarkue

si thënegla nepër pluhën n’verë

e mes zhurmës s’ujit natën ndigjova

patkojt e kalit në gur

e nji “hajt” mes terri.

Npër gjumë ndigjova heret, n’agim,

ndoj zâ të përvajshëm berri,

krizmën e kangën e populit n’udhtim.

 

Rruga bri lumit âsht e ngushtë, e gjatë

sa ftyra e saj npër ujë,

me njerz që shkojnë e vijnë tue e matë

me hapa të lodhun, çdo ditë, çdo muej.

blank

Libri i Anna Kohen Flower of Vlora në anglisht mund të porositet paraprakisht në Amazon në tre variante

Lulja e Vlorës – Flower of Vlora, libri i Anna Kohen në anglisht mund të blihet paraprakisht në Amazon në tre variante, Botimin elektronik, si libër xhepi dhe libër i lidhur.

Flower of Vlora është historia e rritjes të një vajze hebreje në Shqipërinë komuniste (histori të vërteta nga të mbijetuarit e Holokaustit nga Lufta e Dytë Botërore).

Historia e Flower of Vlora nis në vitin 1938 deri në ditët e sotme. Lulja e Vlorës është një rrëfim me skena plot humor por edhe të tensionuara të familjes romaniote-hebreje të Anna Kohen në Shqipëri dhe se si ata u shpëtuan prej Nazistëve nga shqiptarët myslimanë. Me të mbërritur në Vlorën piktoreske, Shqipëri, pak para Luftës së Dytë Botërore, familja e saj u bashkua me një komunitet të vogël tregtarësh Greko-Romaniote-Hebre. Ata shisnin pëlhura dhe kishin një dyqan ngjyrosje.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, ata u strehuan në familje myslimane. Për t’u fshehur nga nazistët, ata morën emra myslimanë, duke u shtirur se ishin myslimanë. Familja e Anna Kohen që mbeti në Greqi u vra e gjitha në kampet e vdekjes.

Lulja e Vlorës përqendrohet më pas në traditat Romaniote të familjes së Dr. Kohen, të cilat ata duhej t’i kremtonin në fshehtësi për shkak të shtypjes së fesë nga diktaturës shqiptare.

Të mbetur pa shtetësi, pasi nuk kishin asnjë dokument dhe nuk dëshironin të anëtarësoheshin në Partinë Komuniste, familja kishte një skemë të guximshme për t’u larguar nga Shqipëria për në Perëndim, pikërisht nën sytë e policisë sekrete. 

The Flower of Vlora, botimi në anglisht mund të blihet paraprakisht menjëherë në Amazonë në tre variantet nëse klikoni këtu: dhe librin e keni të garantuar dhe do ta merrni më 6 shtator.

Ndërsa botimi në shqip do të bëhet më vonë nga Instituti Shqiptar i Studimeve ndërkombëtare.

blank

 

Mbi autoren:

Dr. Anna Kohen, DDS (Doctor of Dental Surgery), lindi në Vlorë, Shqipëri, menjëherë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore dhe u rrit në një vend të vogël, në komunitetin e hebrenjve romaniotë që shqiptarët myslimanë e kishin shpëtuar nga nazistët. Familja e saj atëherë përjetoi vështirësitë e diktaturës komuniste. Arriti të largohej nga Shqipëria me familjen e saj në vitin 1966, përmes një planifikimit të kujdesshëm, ku u vendosën fillimisht në Greqi, vend ku kreu studimet për stomatologji në Shkollën Dentare të Universitetit Ethnikon dhe Kapodistriakon të Athinës. Në vitin 1971 emigron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku edhe kryen studimet në Shkollën Dentare të Universitetit të Nju Jorkut dhe mori një DDS Diplomë stomatologjike në vitin 1976. Pas diplomimit u emërua Asistente Profesore Klinike e Stomatologji restauruese në Shkollën Dentare të NYU ku punoi për 10 vite. Ajo ushtroi profesionin e saj si stomatologe në klinikën e saj në Manhattan deri në daljen në pension në vitin 2013 në Sarasota, Florida.

Në vitin 1990, me ndihmën e disa organizatave hebraike, Dr. Kohen mundësoi vendosjen e 37 hebrej-shqiptarëve të afërm të saj në SHBA, ku edhe i ka ndihmuar në procesin e integrimit. Në vitin 1991, ajo u ftua në Shqipëri për të marrë pjesë në themelimin e Shoqërisë Shqiptare Izraelite, ku edhe është zgjedhur Anëtare Nderi. Në 2004, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Alfred Moisiu, i akordoi Dr. Kohen Medaljen e Meritës për, “Kontribute të çmuara në ndihmë të shqiptarëve gjatë krizës humanitare të Kosovës; për Ndihma e çmuar e dhënë për emigrantët e rinj shqiptarë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.”

Librin e Anna Kohen Flower of Vlora  në tre variante (Botimi elektronik, libër xhepi dhe libër i lidhur) mund ta porosisni menjëherë në Amazon këtu: dhe do ta keni të garantuar më 6 shtator.

 

 

blank

Ndale Zot zemrimin ktu…. Nga Ervina Toptani

Si s’u lodhëm asnji ditë
tuj hedh zjerm e tuj bërtit
tuj mat rrugët me pëllambë
tuj nejt krrusun, kurrë drejt n’kambë

Do po flasin e do po heshtin
përmas gishtit mshehin pleshtin
do po knaqen e gajasen
t’tjerë po vdesin, zemrat plasen

S’ka me le kurrë diell i ri
s’ka me pas as kurrë liri
kanë me ardh “shqiptar” afrike
do kineze prej Amerike

Që Shqipninë ta shpëtojnë
e prej gjumi t’vdekunit t’zgjojnë
n’amnezi ky vend ka ra
S’ka ma burra, veç do gra

E s’po din t’ngratat me kja
Ma mirë pushkën t’marrin n’krah
Se po vdiq nana e motra
Dro kujtohen burrat n’votra

Dro kujtohen vllazën t’mi
se lirinë s’ta fal njeri
me kujtue njato varre
që nuk shiten për do pare

Se u bleka dhe burrnia
kyt s’e pritsha ka Shqipnia
se me u ba dhe gjaku ujë
pak e kemi drun’ e huej

Shkruej un’ e flas me vedi
ka ardh ora e rrëmetit
kur me shkja po lidhim besën
e Shqipnisë i kem’ vu fshesën

Ndale Zot zemrimin ktu’
boll nji shekull jem’ turpnu
falna sot burrni e nder
dro po zgjohena njiherë

Ervina Toptani


Send this to a friend