VOAL

VOAL

Frenkie de Jong në Barcelonë për 75 milionë euro

January 9, 2019

Komentet

Dita e Demollarit, legjenda e futbollit shqiptar feston 60-vjetorin

 

Një nga legjendat e futbollit shqiptar, Sulejman Demollari feston 60-vjetorin e tij të lindjes.


Ai është një nga ikonat e Dinamos dhe konsiderohet si një nga lojtarët më të mirë të të gjitha kohërave.

Demollari e nisi karrierën që në moshën 15-vjeçare kur u grumbullua nga ekipi i Dinamos.

Vite të tëra kushtuar “Bluve”, ku me grintën, qetësinë, karakterin, shpejtësinë dhe driblimet ia doli të kthehej në një element kyç të kësaj skuadre.

Po jo vetëm kaq, ai është një ikonë e kombëtares shqiptare, i cili aktualisht vazhdon të jetë pjesë e pandarë e kuqezinjve, teksa jep kontributin në FSHF për spikatjen e brezave të rinj.

PANORAMASPORT.AL

EURO 2024/ Shqipëri – Itali, FSHF fton në stadium të gjithë ish-futbollistët e Kombëtares shqiptare

Federata Shqiptare e Futbollit ka ndërmarrë një iniciativë shumë të veçantë për ndeshjen e parë të Kombëtares shqiptare në Kampionatin Europian “Gjermani 2024”.

Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se në stadiumin e Dortmundit, aty ku edhe do të luhet takimi i parë i kuqezinjve ndaj Italisë janë rezervuar vende për të gjithë ish-futbollistët e ekipit kombëtar që kanë luajtur qoftë edhe një minutë të vetme me fanellën shqiptare.

Të gjitha kostot e udhëtimit, qëndrimit dhe biletat e ndeshjes do të mbulohen nga FSHF, që dëshiron që të vlerësojë në këtë mënyrë të gjithë ata futbollistë dhe emra të mëdhenj të futbollit shqiptar, të cilët kanë përfaqësuar dhe kanë dhënë gjithçka për fanellën e Kombit në të kaluarën.

Shqipëria do të luajë ndeshjen e parë ndaj Italisë në Kampionatin Europian “Gjermani 2024” më 15 qershor në ora 21:00 dhe mes mijëra tifozëve shqptarë, do të jenë të pranishëm edhe shumë emra të mëdhenj të futbollit shqiptar dhe që kanë lënë gjurmë me ekipin kombëtar.bw

“Zjarr”, UEFA publikon këngën e “Euro2024” (VIDEO)

Pak më shumë se një muaj, përpara startit të “Euro2024”, UEFA ka bërë publike kolonën zanore, zyrtare, të këtij evenimenti.
“Zjarr”, quhet kënga e cila do të shoqërojë tifozët gjatë “Euro2024”, një këngë e krijuar nga producentët italianë të Meduza, nga grupi pop-rock amerikan OneRepublic dhe nga kantautori Leony.bw

Goli që shtangu ‘Uemblin’, kur Demollarit i anulohej një perlë 35 vite më parë. Flet legjenda: Nuk fjeta gjithë natën- Nga UVIL ZAJMI

Nga UVIL ZAJMI
Janë dy data, 26 dhe 27 prill pak ndryshe për legjendën e futbollit shqiptar, Sulejman Demollari. Shumë të afërta dhe që lidhen ngushtë me karrierën e tij, kryesisht atë me fanellën kuqezi të Kombëtares.

“Kam debutuar me përfaqësuesen kur isha 19 vjeç, në Belfast më 27 prill të 1983-shit kundër Irlandës së Veriut. Trajneri Shyqyri Rreli më aktivizoi që nga minuta e parë. Humbëm 0-1”, kujton Demollari për “Panorama Sport”. Ndërsa e para, ka një tjetër histori. Ndonëse nga ai 26 prill i 1989-ës kanë kaluar 35 vjet, pikërisht atë mbrëmje, në stadiumin e famshëm “Uembli” të kryeqytetit britanik, Londër, do të zhvillohet një ndeshje krejt e veçantë. Angli-Shqipëri është e vlefshme për eliminatoret e Kampionatit Botëror “Italia ’90″.

PSE ISHTE UNIKALE
Angli-Shqipëri ishte unikale për gjithçka. E para ndeshje mes dy Kombëtarët, me lojtarët shqiptarë që si asnjëherë më në të kaluarën, por edhe më vonë, do të shkelnin në barin e “Uemblit”, aty ku kanë luajtur legjenda, nga yje të futbollit vendës dhe atij botëror. Në “Uemblin” e rezervuar vetëm për sfida të përfaqësuese angleze, finale kupash europiane për klube, por edhe Europian apo Botëror, si dhe finalet e Kupës së Mbretëreshës. E para herë që një grup i madh me futbollistë, staf, bashkë me ekipin Shpresa, udhëtojnë drejt Anglisë, ndonëse nga ndeshja e marsit në “Qemal Stafa”, nuk do të jenë portieri Mersini, mesfushori Josa dhe sulmuesi Minga.

Dhjetë ditë para ndeshjes, një ngjarje e rëndë kishte goditur Britaninë e Madhe: Më 15 prill, në stadiumin e Shefildit, nga incidentet mes tifozërive, kanë humbur jetën 96 tifozë dhe në nderim të tyre, në “Uembli” para takimit, mbahet një minutë heshtje. Madje, në fushë do të zbresin drejtues të federatave, mes tyre edhe Nimet Cani, kryetari i FSHF-së. Në stadium janë të pranishëm edhe futbollistët e skuadrës Shpresa, që drejtoheshin nga Medin Zhega e Vasil Bici, që një ditë më parë kishin humbur 2-0 në stadiumin e Ipsuiçit.

Ndërkohë, portieri Blendi Nallbani është befasia e madhe për anglezët, nisur nga mosha e tij, 17- vjeç, e para në kombëtare dhe debutim në “Uembli” për të. Impakti i parë me një stadium-tempull, në atë të martë në mbrëmje, kur në të njëjtën orë me atë ndeshje, skuadra kishte zhvilluar stërvitjen zyrtare. Të nesërmen ndeshja Angli-Shqipëri. Skuadrat kanë dalë në fushë, janë rreshtuar dhe pastaj himnet. Të gjithë janë në këmbë dhe në “Uembli” për herë të parë do të ekzekutohet edhe himni shqiptar.

SUPERGOLI DHE ANËSORI
Mbrëmja e 26 prillit ka startuar, por ajo do të jetë pak më ndryshe se të tjerat. Por më shumë, ajo natë londineze nuk do të kujtohet për rezultatin, por për një episod që do të mbetet unikal, për situatën e krijuar, befasinë që përcolli, krejt të rrallë, deri të pabesueshme. Pikërisht ishte goli spektakolar i shënuar nga Sulejman Demollari, por i mohuar dhe anuluar padrejtësish dhe pa asnjë motiv nga një flamur i asistentit të arbitrit norvegjez, Halle. Anglezët janë në avantazh 2-0 dhe teksa luhej minuta e 42-të, mijëra spektatorë të pranishëm në tempullin londinez do të heshtnin. Një pauzë totale kur në tabelën gjigande elektronike do të shkëlqejë fjala “Goal, Goal”, e nga zëri i telekronistit do të dëgjohet: “Demollari… what a terrific goal…”. Por, pas disa sekondash, i befasuar komentatori thotë se është një gol i pavlefshëm me një frymëmarrje të thellë dhe çliruese.

SHIH VIDEON

Aksioni ishte i tillë, kur pas një goditjeje këndi nga Demollari, në krahun e djathtë të sulmit, topi largohet nga mbrojtja vendëse, por për disa çaste janë futbollistët shqiptarë që të vendosur në mesfushën angleze, që e qarkullojnë “sferën”. Janë disa manovrime të gjata, nga Jera, Millo, Zmijani, Demollari dhe Noga që ka zëvendësuar Hasanpapën. Ai (Noga) pason te Demollari dhe me një të majtë fantastike nga jashtë zone, topi shkon në rrjetë.

“Ndonëse me shpinë nga porta, marrja e topit, goditja me trinë të plotë me kthesë me të majtën fluturimthi pa e parë portën, nga një distancë 17-18 meta pak diagonal, e bëri një gol të jashtëzakonshëm. Pata siguri se nuk do të gaboja, duke ndjekur trajektoren deri kur topi që ndal në rrjetë në gjysmë lartësie në të djathtë të Shiltonit të papërgatitur”, kujton Demollari. Një gol kryevepër, ndërsa “Uembli” në qetësi të plotë. “Në stadium ra heshtja, nuk pati asnjë reagim nga Shilton apo mbrojtësit anglezë. Gëzimi im ishte i madh, emocionet po ashtu. Goli në ‘Uembli’ ishte një ëndërr, aq më tepër t’i shënoje një portieri si Shilton. Gjithçka ishte intuitive. Për një çast, një mijë mendime më erdhën në kokë”, shprehet ish-mesfushori fantastik i kuqezinjve. E ndërsa lojtarët po festojnë, papritur flamuri i asistentit norvegjez sinjalizon për parregullsi. Arbitri kryesor do të vrapojë pranë tij, i rrethuar nga futbollistët shqiptarë që protestojnë. Dhe pasi ka biseduar me të, padrejtësisht goli i Demollarit do të anulohet në mënyrë absurde nga asistenti për një pozicion inekzistent jashtë loje të Ylli Shehut.

REAGIMI PAS ANULIMIT
“Nuk e kam besuar kur kam parë flamurin lart të asistentit, madje isha pranë tij. Qëndronte statik, si i mpirë, nuk fliste, ishin arbitra norvegjezë. Me kapitenin Hodja pastaj të gjithë reaguam ndaj tij dhe pas disa sekondash arbitrit kryesor, që pa asnjë motiv e anuloi. Nuk pati marrje me dorë, asnjë faull nga unë, asnjë lojtar i yni në pozicion të parregullt para portierit. Edhe në pamjet filmike shihet qartë. Jo se ai gol do të ndryshonte fatin e lojës, pasi epërsia e tyre ishte e dukshme. Në konferencën për shtyp pas ndeshjes, kur e pyetën trajnerin Robson, nëse do i anulonin Anglisë një gol të tillë, ai tha: ‘Nuk e di çfarë do të ndodhte’. Pastaj darka zyrtare u organizua në një nga restorantet në mjediset e brendshme të stadiumit”, tregon Demollari.

Nga një shënim në librin e kujtimeve të stadiumit, te kthimi në hotel në orët e vona pas mesnate. “Ajo ishte një tjetër natë e gjatë pa gjumë. Kisha të tjera emocione, ndeshja më shfaqej si një film. Goli i anuluar nuk më ndahej, duke e risjellë të detajuar në vetvete. Kam pritur dhe kam kërkuar ta takoja atë arbitër edhe më vonë, por nuk m’u dha asnjëherë rasti. Kujtoj se në pushim të ndeshjes nuk na doli koha të bënim analizë. Në ‘Uembli’, në pushim, lojtarët anglezë vraponin drejt dhomave të zhveshjes. Kjo, sepse nga fusha deri tek ato është larg. Ne nuk e menduam dhe kur arritëm atje, na priste arbitri për të filluar pjesën e dytë. Në atë ndeshje tipike britanike kam markuar kapitenin Robson, që pas takimit më dhuroi edhe fanellën”, thotë Demollari për ndeshjen kundër Anglisë.

RIKTHIMI NË ANGLI
Vite më vonë, rikthimi në Angli, por këtë herë si trajner i Kombëtares bashkë me Mirel Josën, që ishte ndihmës i tij. Shtator 2001, Angli-Shqipëri 2-0, një përballje që do të zhvillohet në Njukasëll, jo në “Uembli”, pasi anglezët kishin filluar t’i luanin edhe jashtë Londrës sfidat e përfaqësueses. Gjatë konferencës për shtyp, ka reagim nga gazetarët vendës, kur njëri prej tyre do i kujtojnë Demollarit golin e mohuar. “Ishte një gazetar që papritur dhe as që e kisha menduar, madje u ndodha i papërgatitur, kur më pyeti: ‘Demollari, ju kanë anuluar padrejtësisht një gol që keni shënuar në Uembli? Pse?’, më tha gazetari. Nuk kisha çfarë t’i thoja. Me humor iu përgjigja se për këtë duhet të pyesni arbitrat. Por, kuptova se nuk e kishin harruar, iu kishte mbetur në mendje ai gol. Ai është goli më i bukur në karrierë, të tillë e konsideroj, edhe pse nuk u vlerësua i tillë nga arbitrat. Ajo është gjithashtu edhe ndeshja më e veçantë e karrierës, jo më u bukura, por unikale dhe e papërsëritshme”, përfundon Demollari.

PANORAMASPORT.AL

Franca stërvit ‘ushtrinë kibernetike’ kundër sulmeve gjatë Olimpiadës së Parisit

Franca pret një rritje të sulmeve kibernetike gjatë garës sportive, veçanërisht nga Rusia.  Një njësi veçanërisht agresive e agjencisë ruse GRU të inteligjencës ushtarake, e quajtur Sandworm konsiderohet shkaktare nga vendet perëndimore për përdorimin e malware të quajtur “Olympic Destroyer” në ceremoninë e hapjes së Lojërave Dimërore 2018 në Korenë e Jugut.

Mbrojtësit e sigurisë kibernetike po përgatiten për Lojërat e ardhshme Olimpike të Parisit. Të ashtuquajturit “cyber-luftëtarë” kanë studiuar dhe analizuar pikat e forta, taktikat dhe dobësitë e hakerëve të mundshëm.

Kërcënimet mund të jenë gjithfarësh, që nga lojërat e adoleshentëve dhe bandat e ransomëare deri te hakerat ushtarakë rusë me një histori sulmesh kibernetike qëllimkeqe, që kërcënojnë të paralizojnë sistemet jetike të Teknologjisë së Informacionit për garën sportive.

Por ndryshe nga 10,500 sportistët olimpikë që do të mblidhen në kryeqytetin e Francës në korrik, inxhinierët e sigurisë kibernetike të këtyre Lojërave shpresojnë të qëndrojnë jashtë vëmendjes.

Për ta, baraz me një medalje do të ishte kalimi i Lojërave Olimpike dhe Paraolimpike pa ndonjë incident të madh.

“Ëndrra ime për Olimpiadën është që teknologjia dhe siguria kibernetike të mos përflitet, sepse kjo do të thotë se nuk kishte problem,” tha Jérémy Couture, i cili drejton qendrën e sigurisë kibernetike të organizatorëve të Lojërave në Paris.

Puna e zbulimit, analizimit dhe reagimit ndaj kërcënimeve kibernetike është kaq e ndjeshme dhe kritike për suksesin e Lojërave, saqë organizatorët e ngjarjeve e mbajnë të fshehtë vendndodhjen e qendrës.

Ndërsa ata që janë përgjegjës për të shmangur sulmet kibernetike gjatë konkursit nuk duan të zbulojnë shumë detaje rreth punës së tyre, nuk ka dyshim se hakerat keqdashës do t’i mbajnë ata të zënë me punë këtë verë.

Objektivat nuk kufizohen vetëm në lojërat, por edhe infrastruktura thelbësore, të tilla si rrjetet e transportit ose zinxhirët e furnizimit.

Mund të jetë e vështirë të dallosh një “aktivist” nga një operator kibernetik i sponsorizuar nga shteti që paraqitet si i tillë.

Ndër kundërshtarët kibernetikë më kërcënues janë vendet që mund të duan të vënë në siklet dhe t’i kushtojnë Francës dhe Komitetit Olimpik Ndërkombëtar. Rusia përmendet si shkak për shqetësim.

Mes luftës së vazhdueshme të Rusisë në Ukrainë, organizatorët olimpikë e kanë ndaluar atë të konkurrojë në garat ekipore në Lojërat e Parisit. Ata do të lejojnë vetëm disa rusë individualisht të konkurrojnë si neutralë

“Disa sulme kibernetike do të jenë serioze”

Image

Një ekspert i sigurisë kibernetike mban një tabletë në stadiumin Yves du Manoir, të premten, 3 maj 2024 në Colombes, jashtë Parisit

Vincent Strubel, i cili drejton agjencinë kombëtare të sigurisë kibernetike të Francës (ANSSI), e quajti të paprecedentë nivelin e kërcënimit kibernetik me të cilin përballet Olimpiada.

“Do të ketë sulme kibernetike gjatë Lojërave dhe Paraolimpike,” tha ai në një konferencë të premten. “Disa nuk do të jenë seriozë. Disa do të jenë serioze, por nuk do të kenë ndikim në Lojërat. Dhe ndoshta do të ketë disa që janë serioze dhe mund të kenë një ndikim në Lojërat.”

Strubel tha se ANSSI është stërvitur “jashtëzakonisht” dhe më shumë se kurrë më parë.

“Unë mendoj se ne kemi arritur të qëndrojmë një hap përpara sulmuesve,” tha ai.

Ndërsa Strubel tha se Rusia po sulmonte kibernetikikisht Francën “në mënyrë të përsëritur”, ai shtoi se nuk ka kuptim të fokusohemi në një aktor në veçanti. “Ne po përgatitemi për gjithçka.”

Një njësi veçanërisht agresive e agjencisë ruse të inteligjencës ushtarake GRU, e quajtur Sandworm konsiderohet shkaktare nga vendet perëndimore për përdorimin e malware të quajtur “Olympic Destroyer” që synonin të prishnin ceremoninë e hapjes së Lojërave Dimërore 2018 në Pyeongchang të Koresë së Jugut.

Është e njëjta njësi e akuzuar për të ashtuquajturat sulme me fshirëse në rrjetin elektrik të Ukrainës dhe virusin NotPetya 2017 që shkaktoi mbi 9 miliardë euro dëme në mbarë botën.

Ekipet e sigurisë kibernetike të Parisit kanë kërkuar të mësojnë nga ato përvoja, duke u konsultuar me teknikë që kanë punuar gjithashtu në Pyeongchang./SYRI.NET

Image

Komitetit Ekzekutiv i UEFA-s ka vendosur të zgjerojë listën e lojtarëve nga 23 në 26 për finalet e Europianit “Gjermani 2024”

Me anë të një komunikate zyrtare UEFA ka bërë me dije vendimin, që i lejon ekipet Kombëtare që do të marrin pjesë në finalet e “Euro 2024” të grumbullojnë deri në 26 lojtarë, nga 23 që ishte e lejuar.

Megjithatë UEFA shton se ky vendim nuk është i detyrueshëm, pasi ekipet finaliste do të kenë mundësi të grumbullojnë nga 23, deri në 26 lojtarë për në finalet e “Euro 2024”, sipas dëshirës së tyre.

Sipas rregullores që UEFA ka vendosur për Kampionatin Europian, lista me lojtarët e grumbulluar duhet të dorëzohet deri më datë 7 qershor 2024.

Shqipëria do ta nisë rrugëtimin në Europian më datë 15 qershor ndaj Italisë. Sfida do të luhet në orën 21:00, në stadiumin “BVB Stadion Dortmund”. Katër ditë më pas, më datë 19 qershor 2024 kuqezinjtë do të luajnë ndeshjen e dytë të Europianit kundër Kroacisë duke nisur nga ora 15:00, në stadiumin “Volksparkstadion Hamburg”. Ndërsa ndeshjen e fundit në Grupin B, Shqipëria do ta luajë ndaj Spanjës më datë 24 qershor 2024 në stadiumin “Dusseldorf Arena” në orën 21:00.

Historiku i përballjeve Bayern-Real, një miqësore e fituar 9-1

Këtë të martë do të fillojë kapitulli i fundit i një prej rivaliteteve më të mëdha që ekziston në futbollin europian.

“Los blancos” dhe bavarezët kanë përjetuar disa nga betejat më epike në kompeticion.

Një rivalitet që u bë i njohur si klasikja evropiane. Por historia e këtij rivaliteti shkon përtej të dhënave, bazohet, mbi të gjitha, në duelet e luajtura nga shumë prej lojtarëve më të mirë në histori, shumë prej tyre në radhët e një Bayerni në të cilin u bënë të njohur si “ogra” (në spanjisht) ose “bisha të zeza” të Madridit.

TORPEDO MYLER DHE NJË I ÇMENDUR – Kapitulli i parë i kësaj historie ndodh në sezonin 1975-1976, kur skuadra e bardhë u takua me Bayernin ndoshta më të mirë në histori në gjysmëfinalet e Kupës së Kampioneve siç quhej asokohe Liga e Kampioneve. Bayerni kishte emra që do të bënin të dridhej çdo skuadër: Bekenbauer, Rumenigge, Hënes, Maier dhe një nga sulmuesit më të lavdishëm në histori, Gerd “Torpedo” Myler. Fati u vendos në Mynih pas ndeshjes së parë në “Bernabéu”, e cila ishte një skandal mbarë botëror.

Një tifoz i Madridit u hodh në fushë për të sulmuar gjyqtarin Linemajer dhe vetë Mylerin. Në një “Olympiastadion” “të nxehur” nga shtypi gjerman dhe në të cilin gjermanët Netzer dhe Brajtner, në atë kohë në Madrid, u trajtuan pothuajse si tradhtarë të vendit të tyre, dy golat e Myler mposhtën Madridin (2-0).

“BRIRËT” E AUGENTALERIT – U desh më shumë sesa një dekadë pritje për të përjetuar, një tjetër kryqëzim mes dy klubeve, sërish në gjysmëfinale në sezonin 1986-1987. Bayerni fitoi takimin e parë 4-1 në një duel ku Madridi përfundoi me nëntë lojtarë. Përjashtimi i Huanitos në minutën e 32-të ishte kyç. Gjeniu nga Marbeja e humbi durimin dhe, ndoshta i çmendur nga loja e ashpër e gjermanëve, shkeli Mateusin me këmbë kur ky ishte në tokë.

“Instinkti im kafshëror më ka mposhtur”, deklaronte më vonë ai duke kërkuar falje. Në ndeshjen e kthimit, “Bernabéu” beson në një përmbysje, veçanërisht pas daljes me të kuqe të Augentaler, i cili goditi Hugo Sançezin. “Ai po më shante pa pushim… Më çmendi!”, ka shpjeguar më pas në “AS” qendërmbrojtësi gjerman.

Dalja e tij nga fusha, duke sharë të gjithë stadiumin, përfundoi duke ndezur tribunat. “Ajo ndeshje ishte si një ndeshje me dema. Gjesti ishte produkt tensioni” do të analizonte ai më vonë. E vërteta është se Madridi mund të fitonte vetëm 1- 0, sepse portieri i Bajernit, belgu Pfaf, priti gjithçka.

E KUQJA E RUMENIGES… DHE NJË TROFE I HEDHUR – Ishin kohë rivaliteti të madh. Edhe ndeshjet miqësore mbaheshin mend si beteja gjithëpërfshirëse. Dhe mjerë kush nuk e ka marrë kështu.

Në një miqësore parasezonale në vitin 1980, Bayerni mundi Madridin 9-1! Vujadin Boshkov, trajneri i Realit të Madridit, doli pas takimit i turpëruar me një frazë historike: “Më mirë të humbas një ndeshje me nëntë gola sesa nëntë ndeshje me nga një gol”.

Rivaliteti arriti edhe në “Trofeun Bernabeu”. Rumenige u përjashtua për shkak të gjesteve të turpshme ndaj turmës në minutën e 44-të dhe rrëmuja që u krijua ishte e tillë që arbitri përfundoi duke përjashtuar edhe përkthyesin e ekipit gjerman. Shumë vite më vonë, në vitin 2004, “AS” zbuloi se “Trofeu Bernabéu”, i pari në histori, i fituar rastësisht një vit më parë nga vetë Bajerni, u gjet i hedhur poshtë shkallëve në selinë e klubit bavarez, larg kupave të tjera. Klubi gjerman ndryshoi qasje dhe sot trofeu është në vendin e tij të privilegjuar në vitrinat e trofeve të klubit gjerman.

NJË “BISHË” I QUAJTUR KAHN – Rivaliteti kaloi nga një ngjarje sporadike në një përvojë pothuajse të përvitshme. Dhe kaq shumë fërkime… prishën marrëdhëniet midis lojtarëve bavarez dhe tifozëve madrilenë. Portieri Oliver Kahn dhe karakteri i tij i fortë e bënë atë një nga objektivat e publikut të bardhë. Portieri nuk iu shmang asnjëherë përballjes.

SALIHAMIXHIÇ, PIZARRO DHE “PALAÇOT” – Ato ndeshje u nxehën shumë nga deklaratat para tyre. Në sezonin 2000-2001, Madridi duhej të dorëzohej, duke humbur të dyja ndeshjet e tyre gjysmëfinale (0-1 dhe 2-1). Por ata u kundërpërgjigjën me një përmbysje në çerekfinalen e sezonit 2001-2002 (humbën 2-1 dhe fituan 2-0), pavarësisht faktit se Salihamixhiç kishte siguruar se Madridi “do ta bënte në brekë” ose mendimin e Kahn, i cili tha për Realin: “Shumë reklama, por nuk luajnë futboll”.

Fitores në raundin e dytë të sezonit 2003-2004 (1-1 dhe 1- 0) i ka paraprirë edhe një deklaratë tjetër nxitëse. “Le t’u japim atyre klounëve një pesëshe” tha peruani Pizarro, i cili nuk mundi ta mbajë premtimin e tij…

“FUCK OFF” NGA VANBOMEL – Reali i Madridit ktheu historinë, por duelet e tyre me Bayernin ishin ende të tensionuara. Në raundin e 1/8 të finaleve në sezonin 2006-2007, të dyja skuadrat do të takoheshin sërish dhe kualifikimi i shkoi bavarezëve ku pati dhe problematika.

Në ndeshjen e parë, Reali udhëhoqi deri në 3-1 në ”Bernabéu” në minutat e fundit. Por goli i Van Bomel (88′) shkurtoi për Bayernin dhe ndezi tribunat. Holandezi, i ardhur nga Barça, shënoi golin dhe shkoi direkt në tribunë, të cilës i dedikoi dy “fuck off” me gjeste, duke bërë që UEFA të hapte procedim ndaj tij. Më vonë ai kërkoi ndjesë për gjestin. sn

Skuadrat shqiptare bëjnë ligjin në Maqedoninë e Veriut, një tjetër ekip siguron ngjitjen në Superligë për sezonin e ri

Edhe një skuadër tjetër shqiptare do t’i shtohet Superligës së Maqedonisë së Veriut në sezonin e ardhshëm. Bëhet fjalë për Besën e Dobërdollit që ka siguruar matematikisht titullin kampion në Ligën e Dytë dhe në sezonin e ri do të jetë pjesë e elitës.

Për ekipin shqiptar kjo është historike, pasi për herë të parë do të jenë pjesë e Superligës së Maqedonisë së Veriut. 

Besa e Dobërdollit në ndeshjen e sotme barazoi pa gola me Pelisterin dhe katër xhiro para fundit ka 67 pikë me diferencë prej 12 pikëve nga vendi i tretë.

Në luftë për mbijetesë në Superligën e Maqedonisë është skuadra shqiptare Voska Sport dhe në rast të sigurimit të mbijetesës, atëherë sezonin e ri do ti shohim 6 skuadra shqiptare në Superligën e Maqedonisë, që nuk kanë qenë asnjëherë në histori në këtë numër. 

Distria Krasniqi shpallet kampione e Europës në xhudo

Distria Krasniqi është shpallur kampione e Evropës në xhudo në kategorinë deri në 52 kilogramë, të Kampionatit Europian të xhudos, i cili po mbahet në Zagreb të Kroacisë.

Kampionia olimpike në finale mposhti xhudisten italiane, Odette Giuffrida me waza-ari.

Krasniqi pati performancë fantastike, duke i fituar një nga një përballjet e saj.

Xhudistja pejane në gjysmëfinale e mposhti spanjollen Ariane Toro Soler për ta siguruar së paku medaljen e argjendtë, por që do ta kërkojë edhe të artën në finale gjithsesi.

Paraprakisht, xhudistja pejane e eliminoi kroaten Ana Viktorija në çerekfinale për t’u plasuar në mesin e katër më të mirave evropiane në kategorinë deri në 52 kilogramë.

“Disi” e kaloi rrethin e parë pa luftë, kurse në atë të dytin e mposhti ukrainasen Anna Borodina.

Ndërkohë, garuesja tjetër kosovare, Flaka Loxha u eliminua qysh në rrethin e dytë, pasi të parin e kaloi pa luftë, pasi u mposht nga kroatja Tihea Topolovec.

Kombëtarja kuqezi me 26 lojtarë në Gjermani, vendoset për zgjerimin e listës së Europianit

Ndryshime të rëndësishme për Euro 2024. Sipas lajmit të publikuar nga Sky Sports News, lista e të ftuarve për kombëtaret që do marrin pjesë në premierën e Europianit zgjerohet nga 23 në 26 futbollistë.

Në këto kushte, me gjasë, trajneri i Kombëtares, Sylnvinho do të ketë më shumë mundësi zgjedhje-je dhe më pak “dhimbje koke”. Kujtojmë se tekniku kuqezi, ishte një nga dy trajnerët (së bashku me Deschamps), që ishte kundër kësaj ide-je, pasi grupi sipas tij mund të menaxhohet më mirë me 23 lojtarë.

Sugjerimi për këtë ndryshim u bë fillimisht gjatë një takimi të trajnerëve në Dusseldorf dy javë më parë, por në një takim të komitetit kombëtar të garave të UEFA-s të hënën, Sky Sports News mësoi se delegatët votuan në favor të ndryshimit të rregullave për Euro 2024, duke kaluar nga një limit prej 23 lojtarësh në 26. bw

George Mallory- 100 vjet pas zhdukjes së tij në mal, publikohet letra e alpinistit drejtuar partneres

Së fundmi, letrat e një prej alpinistëve dhe eksploruesve më të famshëm dhe fatkeq të Britanisë së Madhe janë publikuar në internet.

 

Letrat nga George Mallory i cili u zhduk në malin Everest në vitin 1924, drejtuar gruas së tij Ruth, janë publikuar nga kolegji Magdalena i Universitetit të Kembrixhit.

Bëhet e ditur se ai ishte 37 vjeç kur së bashku me partnerin e tij në eksplorim Andre Irwine u zhdukën në majën e malit më të lartë në botë.

75 vjet më vonë trupi i tij u gjet edhe pse ende nuk dihet nëse ka arritur deri në majën e malit.

E letrat janë publikuar për 100 vjetorin e zhdukjes së tij, shkruan skynews.

“E dashur, të uroj më të mirën, uroj që ankthi yt të marrë fund. Është 50 me 1 kundër nesh, por ne do të jemi krenarë”, thuhet në letrën e fundit të Malloryt.

Letrat e tij përshkruajnë gjithashtu edhe misionin e parë të zbulimit në Everest në vitin 1921 dhe ekspeditën e dytë një vit më vonë. Me anë të shkrimeve, ai ka përshkruar edhe shërbimin e tij gjatë Luftës së Parë Botërore.

Por, përveç letrave të Malloryt, është publikuar edhe letra e gruas së tij, e vetmja e mbijetuar nga ajo periudhë.

“Mendoj se e dua shoqërinë tënde edhe më shumë se dikur”, thuhet në shkrimin e saj.

Ndryshe, letrat e Malloryt janë falas për t’u parë në faqen e internetit të kolegjit Magdalene.

Maja e parë e dokumentuar e Everestit ishte në vitin 1953 nga alpinisti i Zelandës së Re Edmund Hillary dhe alpinisti tibetian Tenzian Norgay. gsh

Milano “vishet” zikaltër, tifozët në delit, festojnë titullin në “Duomo”, në shesh edhe një traktor (VIDEO)

Një titull në derbi nuk është kurrë një titull normal, por është pa diskutim një titull unik që sjell festë në popullin zikaltër. Ylli i dytë në fanellë, i ardhur kur rivalëve të përjetshëm, ka një shije të veçantë, për këtë arsye rreth 15 mijë tifozë zbarkuan në “Duomo” duke vijuar festimet pavarësisht se temperaturat ishin 6 gradë dhe binte shi. Jo vetëm në sheshin e qytetit, tifozët zikaltër ishin shpërndarë në çdo cep të Milanos duke festuar së bashku për këtë titull të paharruar.

Mes tifozëvë të shumtë, që mbanin flakadanë dhe flamuj në duar, krejt papritur u shfaq edhe një traktor i cili iu bashku turmës për të festuar titullin në Serie A. Policia lokale nuk njoftoi për dëme apo probleme specifike, por festa nuk pritet të ndalet këtu, një festë akoma më e madhe parashikohet në momentin që lojtarët dhe trajneri Inzaghi do të bëjnë paradën e tyre në “Duomo” pasi të kenë marrë në duar trofeun e vërtetë, të 20 në Serie A.

(BalkanWeb)


Send this to a friend