Rruga drejt Kampionatit Europian 2028 po merr formë, ndërsa më 6 dhjetor, në Belfast, do të hidhet shorti i fazës kualifikuese. Turneu do të organizohet nga Anglia, Skocia, Uellsi dhe Republika e Irlandës, por ndryshe nga praktika e ndjekur në disa edicione të mëparshme, këto katër përfaqësuese nuk do të përfitojnë kualifikim automatik si vende organizatore.
Të gjitha skuadrat pritëse do të marrin pjesë normalisht në eliminatore, njësoj si përfaqësueset e tjera. Megjithatë, UEFA ka parashikuar një mekanizëm sigurie, duke rezervuar dy vende për organizatorët që nuk arrijnë të kualifikohen drejtpërdrejt nëpërmjet rezultateve në grupe.
Në kualifikuese do të marrin pjesë 54 përfaqësuese, të cilat do të ndahen në 12 grupe. Gjashtë grupet e para (A-F) do të kenë nga katër skuadra, ndërsa gjashtë të tjerat (G-L) do të përbëhen nga pesë ekipe.
Kualifikimin e drejtpërdrejtë do ta sigurojnë 12 fituesit e grupeve, si dhe tetë skuadrat më të mira që renditen në vendin e dytë. Për vendet e mbetura do të zhvillohen ndeshje play-off, ku mund të jenë në lojë deri në katër bileta të tjera. Numri i tyre mund të reduktohet në dy, nëse dy nga katër organizatorët nuk arrijnë të kualifikohen përmes rezultateve në grupe.
Një rëndësi të veçantë në përcaktimin e grupeve do të ketë edhe Liga e Kombeve. Skuadrat që do të marrin pjesë në çerekfinalet e këtij kompeticioni ose në ndeshjet e play-off-it për ngjitje dhe rënie mes ligave do të kenë kufizime të veçanta në short. Fituesit e grupeve të Ligës së Kombeve, të cilët do të luajnë çerekfinalet, do të vendosen në grupe me nga katër skuadra. Ndërkohë, grupet me pesë ekipe mund të përmbajnë vetëm një humbës të çerekfinaleve ose një skuadër të përfshirë në play-off.
Shqipëria dhe Kosova në vazon e tretë
Sipas vazove të konfirmuara për shortin, Shqipëria dhe Kosova do të jenë pjesë e vazos së tretë. Kjo do të thotë se të dyja përfaqësueset mund të përballen me kundërshtarë të fortë nga dy vazot e para, ku gjenden emra si Franca, Gjermania, Spanja, Portugalia, Anglia, Italia dhe Holanda, por jo mes tyre.
Vazot për shortin e eliminatoreve të Euro 2028 janë:
– Vazo 1: Belgjika, Kroacia, Danimarka, Anglia, Franca, Gjermania, Greqia, Italia, Holanda, Norvegjia, Portugalia, Spanja.
– Vazo 2: Austria, Bosnjë-Hercegovina, Çekia, Hungaria, Irlanda e Veriut, Republika e Irlandës, Serbia, Sllovenia, Suedia, Zvicra, Turqia, Uellsi.
– Vazo 3: Shqipëria, Gjeorgjia, Islanda, Izraeli, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Polonia, Rumania, Skocia, Sllovakia, Ukraina.
– Vazo 4: Armenia, Bjellorusia, Bullgaria, Qipro, Estonia, Ishujt Faroe, Finlanda, Kazakistani, Letonia, Luksemburgu, Moldavia, San Marino.
– Vazo 5: Andorra, Azerbajxhani, Gjibraltari, Lihtenshtajni, Lituania, Malta.
Një tjetër rregull i rëndësishëm është se katër organizatorët, Anglia, Skocia, Uellsi dhe Republika e Irlandës, do të mbahen të ndarë nga njëri-tjetri në short, për të rritur mundësitë e tyre për kualifikim. Edhe Irlanda e Veriut, megjithëse nuk është organizatore e ndeshjeve të turneut, do të jetë në këtë grup përjashtimesh.
Nëse tri ose katër përfaqësueset organizatore dështojnë të sigurojnë kualifikimin nëpërmjet rezultateve sportive, vetëm dy prej tyre do të përfitojnë nga vendet e rezervuara. Përzgjedhja do të bëhet në bazë të rezultateve më të mira në eliminatore.
Kur fillojnë kualifikueset?
Shorti do të zhvillohet më 6 dhjetor, në Belfast, ndërsa ndeshjet e para do të luhen në mars 2027. Në këtë periudhë do të zbresin në fushë vetëm skuadrat e grupeve me pesë ekipe, të cilat nuk janë të angazhuara në çerekfinalet apo play-off-et e Ligës së Kombeve.
Pjesa tjetër e përfaqësueseve do ta nisë rrugëtimin në shtator 2027. Faza kualifikuese do të përfundojë në nëntor të të njëjtit vit.
Kalendari i ndeshjeve:
– 26-27 mars 2027 – Ndeshja e parë (grupet me pesë skuadra).
– 29-30 mars 2027 – Ndeshja e dytë.
– 11-12 qershor 2027 – Ndeshja e tretë.
– 14-15 qershor 2027 – Ndeshja e katërt.
– 23-25 shtator 2027 – Ndeshja e pestë.
– 26-28 shtator 2027 – Ndeshja e gjashtë.
– 30 shtator-2 tetor 2027 – Ndeshja e shtatë.
– 3-5 tetor 2027 – Ndeshja e tetë.
– 11-13 nëntor 2027 – Ndeshja e nëntë.
– 14-16 nëntor 2027 – Ndeshja e dhjetë.
Për Shqipërinë dhe Kosovën, shorti i 6 dhjetorit do të jetë hapi i parë drejt një objektivi madhor: sigurimi i një vendi në Euro 2028. sn