VOAL

VOAL

Fred Abrahams: Më 1997 si i rrahën Edi Ramën dhe Ndre Legisin, si e lanë në gjak Tritan Shehun

December 7, 2015
1 Comments
  • author avatar
    Ali 8 years ago Reply

    Kaluan 20 vjet dhe Tritani qe na ate kohe nuk dinte te futej nga revolta e njerezve per firmat piramidale te ngritura nga ai e Berisha, tani bleu Universitet me ato paret e marra. O popull zgjohu!

Komentet

KUSH  MENDOI  PER  SHQIPNI?! Pjesa III- Nga Fritz RADOVANI

 

PAPA GJON PALI II TAKON NANEN TEREZA N’SHKODER

FESTË E MADHE !

Janë rreshtue katunde e qytete, asht rreshtue Kruja, Kurbini, Mati, Sapa, Zadrima, Troshani e Lezha e Misionarëve Fishta e Mjeda, Fushat e Nënshkodrës, Trushi, qendra e Argjipeshkvit të Shkodrës, Shirqi, e deri në Velipojë, me të gjitha ngjyrat ku janë ma të bukrat e kostumit kombëtar, me fëtyrat e qeshuna e të zbukurueme nën rizën Zadrimore dhe të Bregut të Bunës, lidhë dora-dorës me malësorët e Mbishkodrës e deri tek xhubletat e ruejtuna ndër shekuj për këte ditë, të shoqnueme nga çakçirët e burrave të Kelmêndit, Hotit, Grudës, Rrafshit të Dukagjinit e shka merr syni prej Majës së Hekrave e në Fushë të Kosovës, tue fluturue nga Prishtina, Shkupi, Brukseli, Mynihu, Zvicrra, Detroidi, Washingtoni, New Yorku e ku ka Shqiptarë, sot janë të gjithë së bashku lidhë një bese nën një Flamur, në Kryeqytetin e vjetër të Ilirisë…. Janë në zemrën e tyne të dishrueme përsa dekada sot gjerdan rreth qafës së Rozafës, që kryet ka ngritë naltë e në kreni të gjakut derdhun me trimni nga Martirët e Kombit të Saj, me sy të përlotun gëzimi e përmallimi vështron nga gërmadhat e thëmelëve të vjetra të mbytuna nga rrjellat shekullore të Drinazës, përzi me shkumben e përgjakun të Kirit që sjellë prej Dukagjinasve lajmin që kushtrim ndër male sot kanë lëshue, tue plasë me duhinë e tyne murët e vjetra të kalasë Drishtit plak e, tue rrokollisë shkambijë prej majës së Cukalit e Maranajt, këtu mblidhuni bre Burra, kushtrim!

Në qiellin pranveror që shndritë ma fort se kurrë asht shpalosë Veli i Papërlymë i Nanës së gjithë Botës, asht Nanë Tereza, prej Lindjes së largët që me duerte e Saja të bashkueme e të vizatuna sot lutët për né:

“O Zot, hiqi mallkimin tand Shqipnisë!”

Tallaz përzi asht Liqeni i Shkodrës, Buna, Kiri, Drinaza, që në gjiun  e vet shtërngojnë për parzëm Eshtnat e tretuna nga barbarët ndër rrjellat e tyne të kullueme, mbushë me brilante të ruejtuna ndër fletët e krahëve të hapun të Shqipës Dykrenare që me madhështinë e Sajë, Ajo sot rrokë për gjoks një Burrë:

Asht Papa Gjon Pali II…

Edhe ngjyra e bukur drandofille që sot ka stolisë pamjën Burrnore të Tij, tregon freskinë e fisnikinë e Shpirtit të thithun nga ngjeshja e buzëve për Tokën Arbënore, të thame si Nana për të Birin e vet tue pritë këte ditë që në vitin 1464.

Dy duert e bekueme të mbështetuna për Té e tërheqin me forcë për mos me e lëshue ma këte Trim…. Jo, jo, kurrma s’përsëritët historia…

U realizue andrra e shekujve të shkuem!

Plot gati mbas 530 vjetësh në Shqipni asht Papa Gjon Pali II.

Një Kunorë Lavdije të Martirëve të Kombit që ranë për Fé e Atdhe, ka krah’ e qafë dhe në dorë mban Palmën e Paqës.

Ecë, mbi gurët e gërmadhave të Tokës së braktisun… Vetem tue i Bekue!

Tue Bekue Atë Popull që nuk e ka pa njëditë të mirë deri sot!

Vazhdon PJESA IV.

            Melbourne, 18 Prill 2025.

Dokumentari që po trondit Europën: Klani i Ramës qëndron mbi shtetin! Drejtësia e re kontrollohet nga kryeministri! Qeveritarët zhvatin fondet e BE-së

“Beetz Brother” është një kompani që prodhon dokumentarët investagativë më të mirë në Europë.

Këtë herë, në vëmendjen e tyre ka qenë shteti i Edi Rramës, të cilin ata e etiketojnë si një strukturë mafioze.

Dokumentari i tyre “Drogë, dollarë, diplomaci: Vallëzimi i Shqipërisë me BE-në” është transmetuar nga dhjetëra media, nga Gjermania, në Francë, nga Holanda në Belgjikë e deri në Suedi.

Jo vetëm ARD, ZDF dhe Arte, ky dokumentar mund të shihet edhe në gazetat austriake.

Në dokumentar, Edi Rama cilësohet si një autokrat që godet opozitën.

Jo vetëm kaq, por narkoshteti i tij denoncohet fort nga grupi i gazetarëve të “Beetz Brothers”.

Duke u ndalur gjerësisht tek Edi Rama, në dokumentar thuhet se: “Fakt është se gjatë viteve të fundit, ai e ka kthyer Shqipërinë me kokë poshtë për të krijuar një sistem që i përshtatet plotësisht atij”.

“Që kur Edi Rama erdhi në pushtet, aparati shtetëror është më shumë se dyfishuar. Shumë prej këtyre punonjësve të ri, duhet ta shprehin mirënjohjen e tyre me ndihmë politike”, vijon më tej dokumentari.

Sipas tyre, Rama tashmë kontrollon plotësisht drejtësinë dhe klani i tij mbetet i paprekshëm.

“Kontrollorët e lartë të sistemit të ri të drejtësisë janë të afërm të ngushtë të ministrave të Ramës. Një autoritet i ri mbikëqyrës i drejtësisë së re drejtohet nga motra e zëvendëskryeministres së Edi Ramës, Belinda Balluku. Rama reagon duke thënë se kjo ishte dëshirë e Europës, por zbatimi ngre pikëpyetje. 

Kundërshtarët politikë, por edhe miqtë e Ramës dalin njëherë në disa javë përpara gjykatës, por rrethi i ngushtë i Ramës mbetet i paprekur. Sipas traditës shqiptare, ku një klan qëndron më lart se shteti, biznesi apo feja”.

Në dokumentar, gazetarët ndalen gjerësisht edhe tek çështja e kampit të refugjatëve në Lezhë.

“Shqetësimi më i ri është një kamp refugjatësh jashtë BE, në këtë mënyrë kryeministri autokrat Edi Rama bëhet gjithmonë i domosdoshëm për Europën”.

Po ashtu, gazetarët kanë intervistuar edhe politikanë europianë, që shprehin shqetësim për mënyrën se si përdoren fondet e BE në Shqipërinë që aspiron të anëtarësohet në bllok.

“Që tani shumë para nga Brukseli rrjedhin për projekte infrastrukturore në Shqipëri. Vetëm në vitin 2022, 33 milionë euro, të cilat ishin parashikuar për bujqësinë, u përvetësuan nga politikanët lokalë. Më shumë se dyfishi në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor së bashku”, thekson dokumentari.

Në fund thuhet se Shqipëria mund të jetë jo një shans, por një problem për Europën.

“Shqipëria është pjesë e Europës. Në këtë pikë bashkohen të gjitha partitë politike dhe qytetarët. Zor se ka një vend tjetër ku miratimi për BE-në është kaq i lartë. Zor se ka një vend tjetër ku refuzimi i të shkuarës të jetë kaq i madh. Por ndërsa popullata duket gati për Europën, të fuqishmit e vendit mbeten në struktura klanore. Nga të gjitha anët. Nëse Shqipëria nuk e tejkalon ekonominë klanore, ajo do jetë më shumë një problem për Europën, sesa një shans për të”.

 

 

“Komisioni i Urbanizimit, ka vendosur nxjerrjen jashtë Tirane…”- Dokumenti i Komitetit Ekzekutiv me listën e 500 personave që do internoheshin në tetor 1946

Ndër krimet e spikatura të komunistëve në fillimet e pushtetit të tyre, por që është vërejtur edhe në vitet e tjera si dukuri, është procesi i spastrimit të qyteteve nga “reaksionarët”. Ky proces politiko-grabitqar, që shoqërohej gjithnjë me përzënie nga shtëpia, ishte një nga mjetet më të thjeshta në kuadër të goditjes së klasave të vjetra dhe krijimit në Tiranë dhe qytete të tjera, të shtresës pro regjimit. Shtresa që dëbohej nga Tirana me vendime urbanizimi, ishte ajo që kishte ndërtuar shtetin shqiptar, deri këtë kohë.

Sekretari i përgjithshëm i Kryeministrisë, Mihal Prifti, njoftonte gjithë ministritë, Prokurorinë e Përgjithshme, Komisionin e Planit, Komisionin e Kontrollit të Shtetit, Drejtorinë e Radio-Tiranës, Agjencinë Telegrafike Shqiptare, Qendrën e Kryqit të Kuq, sekretariatin e Frontit Demokratik, sekretariatin e Rinisë Popullore Shqiptare, sekretariatin e Bashkimit të Grave Antifashiste Shqiptare, sekretariatin e Bashkimit të Përgjithshëm Sindikal Shqiptar, në lidhje me mosmarrjen në shërbim të “elementëve që do të qiten jashtë Tiranës”, shkruan ai.

Në letrën e datës 7.11.1946, thuhej: “Duke patur si shkak se shumë persona që janë caktuar për të dalë jashtë Tirane, kërkojnë punë, me qëllim që të mbeten, bashkëlidhur po jua dërgojmë listën e familjeve që Komisioni i Rregullimit të Urbanizimit, pranë Komitetit Ekzekutiv të Prefekturës së Tiranës, me vendimin nr. 2, datë 21.10.1946, ka vendosur qitjen jashtë Tirane për në vendet e tyre, me porosi që të kihet kujdes që të mos merret në shërbim prej jush, asnjë anëtar i familjeve të përmendura në listë.

Për këtë gjë, për çdo element që do ju drejtohet për punë, më parë duhet të mos figurojë emri i tij ose i familjes, në listën e përmendur. Shtojmë se mbi sa më sipër, të lajmëroni edhe gjithë entet e varura prej jush.

Në rast të kundër, ju bien përgjegjësi”.

Lista e vendimit nr.2, datë 21.10.1946

1 – Dhimitër Kacimbra, 2 persona
2 – Qirjako Dilo, 6
3 – Familja Ndue Pali, 7
4 – Muhamet Karagjozi, 5
5 – Familja e Jonuz Shijakut, 9
6 – Qani Sevrani, 3
7 – Spiro Koço, 3
8 – Familja Munir Halimi, 4
9 – Familja Fuat Halimi, 4
10 – Hajdar Starova, 7
11 – Menduh Vrioni, 7
12 – Familja Muntaz Vrioni, 4
13 – Qemal Karagjozi, 5
14 – Nurxhet Karagjozi, 5
15 – Sami Karagjozi, 3
16 – Pertef Karagjozi, 4
17 – Urani Koxhomani, 3
18 – Familja e Bilal Nivicës, 3
19 – Hasan Alizoti, 5
20 – Familja Xhafer Shkëmbi, 5
21 – Vasil Avrami, 5
22 – Safet Libohova, 8
23 – Ifet Vila, 1
24 – Hysni Peja, 4
25 – Tushe Maloku, 2
26 – Niazi Çaço, 3
27 – Sadet Rusi, 4
28 – Koço Zako, 5
29 – Jovan Dimitresku, 6
30 – Fehim Leskoviku, 3
31 – Qamile Hajro, 1
32 – Sajde Shehu, 3
33 – Familja Bashkim Coberi, 5
34 – Rabije Koculi, 1
35 – Myrvete Koprencka, 2
36 – Zef Shoshi, 2
37 – Marije Rrok Kolaj, 3
38 – Ikbale Zenel Prodani, 7
39 – Abdurrahman Selfo, 6
40 – Nurije Cani, 1
41 – Meleqe Irfan Ohri, 4
42 – Loni Gjika, 3
43 – Aleme Shtino, (?)
44 – Llazar Kume, 7
45 – Muhamet Qibini, 1
46 – Kristika Duka, 4
47 – Fehim Glina, 2
48 – Mediha Poda, 4
49 – Mihane Çarçani, 7
50 – Shahin Poda, 4
51 – Shano Ziso, 5
52 – Muke Vërtiniku, 3
53 – Mark Shani, 1
54 – Hysen Jaupi, 1
55 – Kol Naraçi, 2
56 – Afërdita Sokrat Dodbiba, 1
57 – Drita Xhilaga, 3
58 – Hedije Q.Prodani, 3
59 – Bahri Skënderi, 3
60 – Hilmije Biçaku, 5
61 – Ferit Përmetit, 2
62 – Firdes Mehmet Hurshiti, 8
63 – Ikbal Javer Hurshiti, 3
64 – Familja e Cole Toles, 4
65 – Familja Nikolla Mole, 3,
66 – Qazim Kripa, 9
67 – Abaz Deliallisi, 10
68 – Bajram Beja, 7
69 – Merzije Peshkëpia, 6
70 – Ramiz Kaça, 4
71 – Rasim Sokoli, 6
72 – Aziz Vrioni, 4
73 – Qazim Plasa, 4

Mikkelin Sanomat (1939) “A është e vërtetë që Madhëria juaj ka me vete një qese me tokë shqiptare?” — Intervista ekskluzive me Mbretin Zog në Oslo

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 7 Prill 2025

Gazeta finlandeze “Mikkelin Sanomat” ka botuar, të enjten e 3 gushtit 1939, në faqen n°3, intervistën ekskluzive asokohe me mbretin Zog në Oslo, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Një qese me tokë shqiptare është më e çmuar se ari për Mbretin Zog.

Kur mbërrita në Stokholm të mërkurën e javës së kaluar, mbreti shqiptar në ekzil, Zogu, kishte sosur tashmë atje nga Polonia një ditë më parë dhe po qëndronte në Grand Hotel. Të nesërmen ai kishte pritur përfaqësues të shtypit suedez, të cilëve u kishte thënë në një intervistë, ndër të tjera, se si mbretëritë e vogla, si Finlanda, duhet të ruajnë pavarësinë e tyre dhe se zhvillimi botëror nuk duhet të drejtohet në drejtimin që mbretëritë e mëdha të gllabërojnë dhe të thithin mbretëritë e vogla. Gazetat e Stokholmit raportuan se si Mbreti Zog dhe familja e tij ishin objekt i vazhdueshëm i vëmendjes mes njerëzve të Stokholmit dhe se si mijëra njerëz qëndronin përpara Grand Hotel për të kapur qoftë edhe një paraqitje të shkurtër të mbretit Zog ose një anëtari të familjes së tij.

Kur Mbreti Zog dhe familja e tij udhëtuan nga Stokholmi në Oslo të dielën e kaluar me trenin ekspres që nisej në orën 12:40, mijëra spektatorë kishin mbërritur në stacion pavarësisht shiut të dendur. Policisë iu desht të përdorte një kordon për të bllokuar kalimin e mbretit Zog në hollin dhe sallën e stacionit. Thuhej se thesaret e famshme të mbretit pothuajse nuk mbetën në Stokholm për shkak të turmave.

Nga Stokholmi vazhdova udhëtimin për në Oslo një ditë më vonë. Kur pashë në gazetat e mbrëmjes në Oslo se Mbreti Zog nuk kishte pritur për disa arsye përfaqësuesit e gazetave të Oslos të martën, por kishte njoftuar se e kishte shtyrë pritjen për të mërkurën, në orën 10:30, vendosa të shkoj në Grand Hotel në atë orë, ku Mbreti Zog kishte marrë me qira katin e tretë për vete dhe shoqëruesit e tij.

Të mërkurën, pas orës 10:00 hyra në hollin e Grand Hotel. Pasi pyeta se ku po prisnin gazetarët për pritjen e mbretit, më drejtuan në katin e tretë të hotelit. Kur arrita në katin e përmendur, një shqiptar me lëkurë të errët më tregoi një karrige. Pasi u ula në të, vura re se suita e mbretit Zog ishte relativisht e madhe. Një korridor i ngushtë të çonte nga hyrja në tre drejtime. Korridori përballë meje të çonte në dhomën e mbretit, që ndodhej në cep të ndërtesës së hotelit, ku ishin gjithmonë të paktën dy truproja shqiptare. Në tavolinën e pritjes në fund të korridorit që të çonte djathtas punonin tre kamerierë flokëbardhë të hotelit, dhe në mes të korridorit pas meje, që të çon drejt fasadës së ndërtesës së hotelit, ishte ulur një truprojë shqiptar me pamje të ashpër, shumë të errët, që nuk shkëmbente asnjë fjalë me askënd.

Stafi i hotelit nuk u lejua të hynte në dhomën e mbretit. Kështu, kamarierët e hotelit mundën t’ua dorëzonin tryezën e servirjes, mbi të cilën ishte shtruar mëngjesi, shërbëtorëve shqiptarë në fund të korridorit në hyrje të banesës së mbretit. E njëjta gjë ndodhi me shërbëtorin e kafesë.

Ndërsa isha ulur në holl, vura re se ata që jetonin mbi katin e tretë të hotelit përdornin shkallët për të zbritur për të parë anëtarët e familjes mbretërore. Ashensori përdorej vetëm për ta.

Ndërsa ora e takimit po afrohej dhe nuk kishte gazetarë në horizont, unë zbrita në hollin e hotelit. Gradualisht, fotografë, gazetarë dhe kineastë mbërritën atje. Në orën 10:35 mbërriti sekretari i Mbretit Zog, i cili njoftoi se mbreti ishte në pritje të intervistuesve.

— Ju lutem ! thërret kreu i përfaqësuesve të gazetës Oslo, pas së cilit një grup prej 15 gazetarësh dhe një fotograf, të udhëhequr nga një sekretar, ngjiten në katin e tretë. Dy nga intervistuesit janë gra. Truprojat shqiptare qëndrojnë në pozicione nderi në të dyja anët e korridorit të pallatit të mbretit. Pasi i lëmë kapelet në paradhomën e vogël, na çojnë në një dhomë në cep relativisht të madhe, ku qëndron mbreti me sekretarin e tij të dytë. Në tavolinat e dhomës ka shumë lule, duke përfshirë karafila, gladiolë dhe zymbylë. Mbreti Zog përshëndeti çdo gazetar dhe fotograf duke u shtrunguar dorën dhe qëndroi në tryezën e tij gjatë gjithë diskutimit, duke mbështetur dorën e djathtë në karrige dhe duke mbajtur dorën tjetër në xhepin e xhaketës. Ai kishte veshur një kostum me ngjyrë të çelur, një këmishë të kuqe të lehtë me një jakë të vogël që i përshtatej mirë lëkurës së tij, një kravatë me vija kafe dhe këpucë të lehta që i përshtateshin kostumit. Mbreti Zog ishte mishërimi i një njeriu të madh.

Kishin shkruar dhe thënë paraprakisht se Mbreti Zog nuk do të buzëqeshte më dhe se një melankoli e zymtë mbretëronte mes tij dhe rrethit të tij, por kjo nuk rezultoi e vërtetë. Ai buzëqeshi disa herë gjatë intervistës. Truprojat e tij shqiptarë kishin gjithashtu një vezullim miqësor në sytë e tyre teksa qëndronin jashtë në korridor, me duart e djathta të ngritura mbi gjoks në përshëndetjen shqiptare.

Mbreti Zog foli shqip. Zëri i tij ishte i ulët dhe i qetë. Gjuha shqipe dukej e këndshme për veshin, me një nuancë të lehtë ruse. Sekretari përktheu fjalimin e tij.

— Jam jashtëzakonisht i lumtur që njoha Norvegjinë, tha Mbreti Zog. Është një vend me të cilin jam njohur tashmë përmes veprave të Ibsenit, veçanërisht Per Gynt-it. Është gjithashtu një vend, njerëzit dhe kulturën e të cilit e kam admiruar. E megjithatë, gjithçka që kam parë këtu ka qenë madhështore. Më vjen keq që nuk do të mund të ndryshoj planet e mia të udhëtimit dhe të udhëtoj në Vestland (një provincë norvegjeze), por do të kthehem pas disa muajsh për të parë fjordet.

— Ajo që më ka frymëzuar gjithashtu, vazhdon mbreti, janë traditat e vjetra që mbizotërojnë në këtë vend. Dhe më e bukura më duket muzika e Grieg.

— A është e vërtetë që Madhëria juaj ka ndërmend të vendoset në Francë në kështjellën që keni blerë ?

— Nuk e kam blerë, por vetëm e kam marrë me qira. Unë jam duke planifikuar të udhëtoj nga këtu në Angli.

— A është e vërtetë që Madhëria juaj ka me vete një qese me tokë shqiptare ?

— Po, është e vërtetë. Kjo tokë është për mua më e çmuar se çdo flori, sepse është kujtimi i kombit tim.

Takimi mbaroi. Gjatë asaj kohe, kamerat filmonin pa ndalim dhe rreth e rrotull. Mbreti përsëri i përshëndet të gjithë me një shtrëngim duarsh miqësor. Dhoma boshatiset. Një rast solemn, i paharrueshëm ka kaluar në radhët e kujtimeve të bukura.

Teksa përshëndes, i kërkoj sekretarit autografin e mbretit në kartolinën që kam me vete. Në një moment sekretari do të ma sjellë në korridor.

Zhgënjimi për çdo intervistues ishte se Mbretëresha nuk u shfaq. Sekretari informon fotografët se Mbretëresha do t’i presë të nesërmen në të njëjtën orë dhe se më pas do të marrin autografin e Mbretëreshës Geraldinë në kartolinën e tyre. Megjithatë, Mbretëresha nuk ishte në gjendje të priste fotografë për shkak të sëmundjes së saj, por i nënshkruara megjithatë mori autografin e saj në të njëjtën kartolinë në të cilën burri i saj kishte shkruar emrin e tij atë ditë.

Së fundi, dua të përmend se banorët e Oslos qëndrojnë dhe ulen me orë të tëra çdo ditë përballë Grand Hotel për të parë Mbretin Zog ose Mbretëreshën Geraldinë kur bëjnë një xhiro me makinë në Oslo.

Oslo, 28 korrik 1939.

A. A. T.

“Sa u larguan gjermanët, xhenierët italianë dolën fshehtas natën nga shtëpia e Vehbi Bushatit dhe shkuan te depua e municionit…”- Si shpëtoi Shkodra më’44?!

Pas ndryshimit të flamurit në 1944 me shtimin e yllit komunist, Shkodra u transformua në një qendër rezistence kundër regjimit, duke paguar një çmim të lirë për traditën e saj të lirisë. Në prill të 1945, studentët e liceut, tashmë të ndjerë të tradhtuar nga premtimet e luftës, u mblodhën për të kundërshtuar terrorin e ri që burgoste dhe vriste njerëz të pafajshëm. Komunizmi e shndërroi Kosovën në një provincë të Jugosllavisë, ndërsa Shkodrën e dënoi për “fajin” e saj historik – qëndrimin e saj kundër pushtuesve. “Lëvizja e Postribës” u bë mjet për të shtypur çdo kundërshtim, duke e çuar qytetin në një spirale vuajtjesh të papara: burgje, ekzekutime dhe shkatërrim i familjeve. Studentët e liceut, bashkë me qytetarë, u bënë simbol të rezistencës, ndërsa disa “të rinj komunistë” u shndërruan në vegla të Sigurimit të Shtetit, duke shkaktuar përjashtime nga shkollat dhe burgosje e internime.

Katër herë, Shkodra u ngrit në kryengritje të armatosura, por historia i harroi këto beteja. Libri shkruhet për të kujtuar të burgosurit e panumërt, të torturuarit dhe të vrarët, si dhe prindët që vuajtën në heshtje. Është një paralajmërim kundër diktaturës dhe një kërkesë që brezat e ardhshëm të mos harrojnë sakrificat e bëra për lirinë.

Në Gjurmët e një ditari

Shkodra në vitet e para nën komunizëm

Vigjilje e turbullt në Shkodër, largohen kundërshtarët e regjimit të ardhshëm!

Qysh në muejin tetor e gjatë gjithë muejit nandor të 1944-ës, Shkodra, edhe pse pa aksidente të dukshme, në fakt po përjetonte nji gjendje të vërtetë kaosi dhe anarkie. Derisa në qytetin e Shkodrës t’mos ishin futë brigadat partizane, ajo do të vazhdonte të ziente nga turma të shumta nacionalistësh të armatosun, të mbledhun këtu në Shkodër nga të gjitha viset e Shqipnisë, sidomos nga ato të Jugut, pushkëve të të cilëve vazhdonte t’u vinte ende era barot, nga lufta vëllavrasëse që ata kishin zhvillue deri ditët e fundit me komunistët e tyne.

Megjithatë, jeta në qytetin tonë duhet thanë se vazhdonte të rridhte disi e qetë, përderisa njerëzit vazhdojshin të jetojshin si ma parë, të visheshin mirë e t’i mbushshin kafet e qytetit, e po ashtu edhe të shëtitshin si përherë në pjacën e tyne të dashtun, në kohë që edhe tregu gjithashtu vazhdonte të ishte plot me mallna e blerës të shumtë. Të gjitha këto ndodhshin në Shkodër atëherë, pavarësisht atmosferës së randë politike, që u pasqyronte heshtazi në ndërgjegjen e çdo qytetari.

Ishte ajo kohë dhe ajo gjendje kur Shkodra do t’i ngjiste nji stacioni të madh për të gjithë ata që me të kishin lidhë fatin e largimit të tyne nga Shqipnia, tue pasë të përbashkët të gjithë ata burra, pushkët dhe automatikët që vazhdojshin me i mbajtë mbi supe, trishtimin e rreziqet që kishin lanë ndër shtëpijat e tyne të mjerueme, si dhe fatin që “ata” dhe “ato” i priste. Tue përjashtue ata, të cilëve detyra e ashpër e luftës u kishte pasë veshë që me kohë rroben e blertë të ushtarit, ndër ato ditë syni do të të zinte vazhdimisht njerëz që për nga veshjet karakteristike të viseve prej kah vijshin, paraqitshin nji mozaik të vërtetë veshjesh, tue spikatë ma së shumti ato të leshtat e murme të toskëve të dhimbshëm, me kapicat e tyne të bardha mbi krena.

Xhandarmënia nën komandën e ushtarakëve legaliste, Llesh Marashit e Shaban Elezit, vazhdonte ta kryente detyrën e saj në ruejtje të rendit, po si ma parë. Kishte dhe kategori tjera policësh e xhandarësh, si ata me rroba të errëta që u quejshin të Mato Muratit, – simbas emnit të kuestorit të tyne – që po shtyjshin me shqetësim, por pa probleme, ditët e fundit të karrierës së tyne të shkurtë. Kategori tjetër xhandarësh, do të ishin edhe ata që u quejshin të Hasan Isufit, të mbledhun nga katundet e Anës së Malit, katunde të juridiksjonit shqiptar që në atë kohë u zgjaste deri në rrethinat e Ulqinit e Tivarit. Kishte po ashtu mirditas, që t’veshun me do rroba ushtarake ngjyrë mjaltë, përshkojshin tash e parë rrugët e qytetit në grupe të çrregullt e, që u quejshin të Gjonit Marka Gjonit. Kishte së fundi postrribas e grupe të vegjël malcorësh të tjerë, sikurse edhe dibranë etj., që u shkojshin mbrapa krenëve të ndryeshëm.

Ditët kalojshin me shpejtësi e rrëmujë, dhe u besonte nga të gjithë, se si të tilla, duhet të ishin të numrueme. Gjithçka rreth e rrotull do të të dukej sikur koha kishte ndalue në vend e humbë çdo pikë durimi, që mund të shpërthente nga çasti në çast. Të ngjallshin ndjenja mëshire e dhimbjeje, pamjet serioze dhe të pezmatueme të shumë prej komandantëve e krenëve të ndryeshëm, si dhe të besnikëve të tyne të fundit që u shkojshin përmbrapa.

Tek i shifshe ashtu të trishtueme fytyrat e tyne, përnjiherë të shkonte mendja te ndamja e fundit që ata duhet të kishin pasë me vendet e familjet e tyne të pikllueme, tue të ngjallë kështu njifarë respekti e dhimbje të vërtetë për fatin e tyne, për luftën që kishin ba, e ndoshta ma shumë, për humbjen e saj, e natyrisht, ende pa dijtë si duhej, se ç’fat po u rezervonte komunizmi barbar familjeve të tyne për ma vonë. Po ndërkaq, natyrisht që kishte nji masë të konsiderueshmë populli, që në mbarim të luftës, priste të merrte frymë lirisht, gja që siç dihet, s’do të ndodhte asnjiherë, sepse shumë shpejt shpresat ma të ndirtshme të luftës, do të mbyteshin me masakër e tirani.

Në javën e fundit të nandorit, ata me radhë, nisën ta zbrazshin Shkodrën në mënyrën ma të dhimbëshme. Nji pjesë e tyne po u largonte tue u tërheqë përmbas autokolonash gjermane përgjatë territorit jugosllav, me peripeci të shumta luftash e nën nji dimën jashtzakonisht të ashpër. Të tjerë, mes të cilëve edhe Mit’hat Frashëri, Sali Efendi Myftia, Hasan Dosti etj., që, tue u pasë besue do barkave të vjetra ulqinakësh, muejtën me përshkue në mënyrë aventuroze, por me sukses, Adriatikun e minuem prej forcave aleate e, me dalë shëndosh e mirë në brigjet e lira të Italisë. Mbas nji a dy ditësh tjera, në gjurmë të tyne, nji grup tjetër i madh, – por që tue mos pasë ma fatin e pararendësve të tyne – do t’u bllokojshin prej grykave të mitralozave të forcave partizane të porsa ardhuna nga Jugu, që msheftas, kishin qenë vendosë me kohë në ato pika ku dy brigjet e lumit Buna, u afrojshin ma shumë mes tyne.

Këta fatkqij, të ramë befasisht robë ndër duert e partizanëve komuniste, mbas nji ose dy muejsh, do të ishin ndër viktimat ma të para të famëkqijve “Gjyqe të Popullit”, përfundue në plumb ose litar, disa prej të cilëve tue pasë njeni prej dy grupeve ma të fundit që po e linte Shkodrën, do të ishte ai që muer rrugët e vështira të Dukagjinit, mes të cilëve edhe trimi me fletë, profesor Alush Lleshanaku, me shpresë që të kapshin Kosovën, por ku ishte folë se në bashkëveprim me vëllaznit kosovarë, ata do të realizojshin atë rezistencë të madhe, e cila do të bante të mundun mbajtjen e nji zone të lirë nga juridiksioni serb e komunist, derisa atje të vijshin aleatët, simbas premtimit që këta të fundit u kishin ba vetë me anë të nji misioni të tyne në Kosovë, fare pak ditë ma parë.

Qenë të shumtë ata burra që nuk pranuen t’u largojshin nga Shqipnia për arësye moshe, si edhe për mentalitetin se “nuk duhet lëshue vendi”. Kishte të tjerë që s’u larguen prej Shkodret, të bindun se komunistët nuk do ta kishin “të gjatë”, sikurse do të kishte edhe asi trimash, që si Kazazët e do të tjerë, që nuk do t’u largojshin prej saj, si detyrë që ia kishin pasë vue vetes, për me ba në vend qëndresën e armatosun.

Të gjithë ata burra që me atë rast qenë largue nga Shqipnia, nuk do të kishin fatin kurrë me e pa ma vendin e tyne e, të mbetshin për jetë në dhë të huej me kujtimin e mallit e të lotëve që kishin pasë marrë me vete atë ditë të fundit, kur ata ishin pasë nda përgjithnji nga njerëzit e nga ajo tokë e tyne e namun. Si nuk duhet ta kishin besue ma parë, ata, të shpërndamë gjithandej nëpër botë si ç’do të ishin, do të shkojshin nji jetë të tanë, jo vetëm me mallin e njohun të mërgimtarëve, por edhe të vuejshin, bashkë me fatin e familjeve të tyne, edhe mundimin e nji zhgënjimi të thellë, dhe të pangushlluem vazhdimisht prej fatit, të mbyllshin nji ditë sytë përfundimisht në vetmi.

Ma të shumtët e nacionalistëve që patën mbetë mbrenda vendit, ose do t’u vritshin në përpjekje me forcat e “Mbrojtjes Popullore”, që nga ana e tyne do t’i ndiqshin kamba-kambës, ose t’u kapshin deri edhe me tradhëtinë e tyne që si askujt tjetër ua patën besue jetë e nderë, ose-ose, t’u dorëzojshin me rastin e shpalljes së amnistisë, për të kalue vite të shumtë burgu, brenda të cilit, shumë prej tyne edhe do të vdisshin. Mbetet për t’u shënue se në njenë prej atyne ditëve të turbullta, në rrethana enigmatike, do të binte viktimë e kohës Sait Sekiniqi, njeni prej djelmëve ma simpatikë mbrenda nji rrethi shokësh, përgjithësisht universitarë, e nji ndër ma aktivet e entuziastët e të rinjve nacionalistë të Ballit Kombëtar në Shkodër.

Falë guximit dhe sakrificës së disa robëve italianë, Shkodra shpëtoi nga nji katastrofë e sigurtë!

Gjermanët, në vijim të tërheqjes së tyne strategjike, për muej e muej me rradhë, kishin sjellë municion të shumtë në livadhin e njohun në Shkodër me emnin “Livadhi i Sylço begut”, që u ndodhte në anë të lagjes “Perash”, përfund kodrave të lagjes “Draçin”, prej ku mandej u furnizonte me municion ushtria gjermane kudo ku ajo t’u ndodhte nëpër Ballkan. Livadhi në fjalë, përveç sipërfaqes së madhe që kishte, ishte i rethuem me shelg të dendun e të zhvilluem dhe i mbrojtun prej kundërajrorëve gjermanë, të vendosun sipër ndër kodra. Pamvarësisht tërheqjes së herëmbashershme të municionit nga ana e ushtrisë gjermane, sasia e mbetun aty do të ishte gjithmonë shumë e madhe. Shpërthimi i tij ditën kur t’u largojshin gjermanët, qëndronte mbi kryet e qytetarëve shkodranë, si kërcënimi i frikshëm i nji apokalipsi tëe pashmangshëm.

Me atë rast, për të shpëtue prej rrezikut të mundshëm, disa familje lanë qytetin e u nisën drejt katundeve të afërme. Edhe gjermanët nga ana e tyne, do të lajmoshin disa herë popullatën, që në kohën kur t’u hidhte në erë municionin, dyerët e dritaret e të gjitha shtëpive të qytetit, duhet të ishin të hapuna e vetë njerëzit të dalun jashta tyne. Familjarët e shtëpive rreth e rrotull livadhit, ishin lajmue me kohë prej gjermanëve, për braktisjen e domosdoshme të tyne, mbasi shembja e tyne do të ishte e sigurtë. N’anën tjetër gjermanët, nga keqardhja për ça do t’i ndodhte Shkodrës me rastin e shpërthimit të municionit, ftojshin popullatën që të largonte prej livadhit, sa ma shumë municion që të ishte e mundun. Sado që disa qytetarë përditë me rradhë u morën me largim municioni, me anë të nji kamionçini e të ndonji prej atyne karrocave të mëdha që në atë kohë u quejshin “sharabajka”, prapseprap duhet thanë se sasia e hedhun prej tyne në lumin e Bunës, ka qenë fare, fare e papërfillshme.

Kishin qellue njimbëdhetë italianë, ndër të cilët edhe nji me emnin Conti dhe nji tjetër me emnin Bacherino, specialistë të ish-xhenios italiane, të cilët qysh me kapitullimin e Italisë, kishin mbetë rob e në shërbim të ushtrisë gjermane, aty në Livadhin e Sylço begut, ku i gjithë ai municion kishte pasë kalue nëpër duert e tyne. Kishin qenë gjithmonë ata që kishin seleksionue municionin në kohën kur ai ishte shkarkue dhe që e kishin sistemue, e mbrapa, nën mbikqyrjen e gjermanëve, edhe që e kishin minue.

Në orët e vona të nji nate të errët andej kah mesi i nandorit, të njimbëdhetë italianët, me ndihmën e familjes së Xhemil Bushatit, – që me shtëpi u ndodhte ngjite me livadhin – e drejtëpërdrejtë me anë të të birit të saj, Vehbisë, i cili ishte njohë e lidhë prej kohësh me ta, u zhdukën nëpër terr të natës, tue mësye shtëpinë e Hamit Bërdicës, që do t’i strehonte në kullë të sanës, ku ata italianë do të qëndrojshin për disa ditë të mbyllun, me impenjimin e tyne të vendosun, që Shkodrës në prag të rrezikut, t’i ishin të dobishëm. Mbas dy-tri ditësh, po në këtë shtëpi, do t’u strehonte edhe vetë familja e Xhemil Bushatit, mbasi që kishte braktisë të veten, simbas lajmrimit të gjermanëve.

Si kaluan edhe ditët e mbetuna të nandorit dhe pikrisht në mbasditen e fundit para të të ashtuquetunit “çlirim”, pra datë 28 nandor 1944, qytetarët e Shkodrës panë me sytë e tyne se gjermanët po e braktisshin qytetin, se si ata me mjetet e tyne të motorizueme, përfundimisht po merrshin rrugën e Koplikut. Kështu që kur pat ra nata, të gjithë njerëzit besuen se në qytet nuk kishte mbetë kambë gjermani, por natyrisht, pa harrue për anji çast, municionin e minuem atje në livadhin e Sylço begut.

Ajo natë e ngarkueme me frikë e mister, si koha para nji stuhie, kishte ba që njerëzit edhe pse në mungesë të gjermanëve, prej frikës, t’u mbyllshin ndër shtëpija si ma parë, në orën e caktueme të “koprifuokos”. Po ashtu, atë natë, grupe të rinjsh, të nxjerrë nga “Këshillat e lagjeve”, do të lëvizshin si hije kudo nëpër rrugët e errta të qytetit, dhe ndërsa nata ma e heshtun e solemne si asnjiherë tjetër po u shtynte ngadalë-ngadalë, asnji qytetari shkodranë nuk mund t’i shkonte ndër mend, se pikërisht në atë kohë, të njimbëdhetë italianët e mbyllun prej dy javësh në shtëpinë e Hamit Bërdicës, të kishin dalë prej saj si cubat prej guvet, e të primë prej Vehbi Bushatit, si dhe pa u vërejtë prej askujt, të shpejtojshin për te livadhi me municion, ku ishte varë fati i tanë nji Shkodre.

Të bindun se gjermanët nuk do t’u largojshin prej Shkodrës pa hedhë ma parë në erë atë municion, ata italianë, pa hjeke për asnji çast dyshimin për mundësinë e pranisë së ndonji gjermani të mëshehun diku aty në hymje të livadhit, mbas nji ferre të madhe, lanë si roje Vehbinë, kurse vetë, tue u marrë vesht mes tyne me shenja e mimike, u drejtuen për në mbrendësi të livadhit.

Sistemi i ndezjes së municionit ishte i komplikuem. Ai ma së pari u zgjaste nëpër nji rrjet që përshkonte nji pjesë të mirë të perimetrit të livadhit, ende pa pasë kthye në pjesët e tij të mbrendshme, ku u ndodhshin vatrat e mëdha të municionit. Sistemi në fjalë ishte ndërtue në mënyrë që gjermanët, tue përfitue prej intervalit të zgjatun, mes momentit të ndezjes së municionit në periferi të livadhit e, atij të shpërthimit në qendër, në kohën e largimit të tyne prej Shkodret, të mujshin me u ndodhë sa ma larg saj e, pa pësue gja.

Kështu, ata italianë, të sigurtë se gjermanët nuk u largojshin pa e pasë hedhë në erë municionin, – që si rregull i tyne, nuk duhet të binte asnjiherë ndër duer të kundërshtarit e n’anë tjetër, që vetë këta italianë të mos u diktojshin prej tyne për punën e mshehët e të rrezikshme që po kryejshin, nuk i prekën fare fijet e rrjetit anësor – ku municioni kishte fuqi shumë ma të paktë se sa në mbrendësi- por u angazhuen me këputjen e fijeve të zonave të mbrendshme, që paraqitshin rrezikshmëni të naltë, tue ba që kështu Shkodra përfundimisht të shpëtonte prej nji katostrofe të sigurtë, gja që edhe vetë gjermanët e kishin parafolë.

Megjithatë, nuk mund të thuhet se Shkodra me atë rast shpëtoi pa u prekë: nuk qe ba ende mesnatë, kur i gjithë qyteti u trondit shumë prej shpërthimit të asaj sasie municioni relativisht të vogël, të cilën specialistët italianë nuk e kishin prekë, me qëllim që t’mos u zbulojshin prej gjermanëve. Sidoqoftë, prej tronditjes së fortë që ndodhi, u thyen xhamat e shumë shtëpive të qytetit, ranë ose u damtuen tavane e sergji dhomash ndër disa shtëpi, kurse ato pranë livadhit, si shtëpitë e mëdha të Bushatlijve, u shembën krejt.

Pak kohë mbas shpërthimit të municionit, Shkodra jo pa tronditje, do të ndigjonte edhe tre shpërthime të tjera të njimbasnjishem: Forcat gjermane, të dislokueme qysh në mbramjen e asaj nate diku mes Shkodrës e Koplikut, ndoshta diku rreth katundit Vrakë, kishin kthye për në Shkodër nji triçikël të tyne, me mision që të hidhte në erë tri urat që lidhshin gytetin me rrugët e jashtme të tij e simbas radhës: atë të Baçallekut, të Bunës e të Kirit.

Mund t’u thonte se mbas gjithë sa ma sipër, ma në fund i gjithë qyteti, disi i lehtësuem, ra të flinte, por që megjithatë, pa pasë ba përsëri gjumë të qetë. Kështu pra, vazhdonte t’ishte nji natë së cilës nuk mund t’iu besonte.

Rreth orës tre mbas mesnate, nji triçikël gjerman ishte fute me shpejtësi e poterë të madhe nga ana e “Rusit”, në rrugën e “Mehallës së Çakajve”, dhe pak pa dalë në rrugë të spitalit, nji njeri që në atë moment kishte përshkue si hije atë rrugë të ngushtë e, zhdukë me të shpejtë mbas derës së nji shtëpije përballë, kishte ba që gjermani të besonte se kishte ra në pritë, e me atë rast të hidhte rufeshëm nji nga ata bombat e tyne të fuqishme, tue vra qytetarin Qamil Berberi, që sapo kishte dalë në derë, për të vërejtë se mos kishte ndonji gja të dyshimtë rreth e rrotull shtëpisë së tij, mbrenda se cilës bujtshin disa partizanë, si në shumë shtëpi të tjera shkodrane ate natë. Bashke me Qamilin, u vra me ate rast edhe e ama, qe i kishte shkue përmbrapa të birit, për t’mos e lanë të vetëm. Nji motër e tij, që në marak për të vëllanë ishte nisë edhe ajo mbas s’amës, kishte mujtë të shpëtonte, por jo pa pasë marr disa plagë të randa në trup.

Ndër ato ditë, do t’u fliste nëpër qytet edhe për dy italianë të tjerë, edhe ata ish- specialistë të xhenios italiane, që falë guximit e shpirtit të tyne human, kishin pasë këputë ato fije të rrezikshme korrenti, që do të hidhshin në erë spitalin e minuem nga gjermanët, si edhe shtëpitë rreth e rrotull tij. Të nesërmen e asaj nate, tue pasë qëllue edhe nji ditë e butë e me diell, qytetarët shkodranë, të shtyem nga kureshtja e ngjarjeve të nji nate ma parë, si dhe për të rejat eventuale të ditës së re, kishin dalë qysh herët prej shtëpive e të mbledhun grupe-grupe ndër qendra lagjesh, do të bisedojshin gjallnisht mes tyne.

Pa qenë në gjendje me tregue se ç’mund të ketë ndodhë në të njajtën kohë ndër lagjet e tjera të qytetit, në ato të “Dudasit” e “Kirasit”, u shquejshin shumëe fytyra të njohuna e të panjohuna partizanësh të armatosun dhe, pikërisht në atë të Dudasit, të gjithë ata që në ato çaste u ndodhën në rrugë, do t’u çuditshin shumë, kur papritmas të shikojshin nji veturë ushtarake gjermane me nji oficer mbrenda.

Për të ardhë deri aty, ajo makinë e guximshme kishte përshkue jo pa rrezik rrugët e ngushta e me dredha të lagjeve “Rus” e “Dërgut”, kishte kalue si në paradë atë të lagjes “Dudas” me popull e partizanë, ishte futë në nji rrugicë e ndalue përfundimisht para shtëpisë së nji qytetari: nuk i kishin ba kambët atij oficer gjerman me vazhdue rrugën bashkë me ushtri, për pa kthye edhe nji herë në qytetin e Shkodrës, ku kishte për t’i kthye nji borh të mbetun kuzhinierit, me emnin Met Matlia. Memorie.al

KUSH  MENDOI  PER  SHQIPNI ?! Pjesa II- Nga Fritz RADOVANI

 

PREJ ROMET N’SHKODER…1993.

 

Si sot kujtoj: Janë këta dy njerëz të mëdhaj per të cilët më kanë rrigue lotët pa e kuptue pse, kur unë kam ndigjue lajmin e vdekjes së Tyne…Për Presidentin amerikan Ronald Reagan, si dhe për Papen Gjon Pali II…

Teologët e mëdhaj të Botës shpesh përsërisin një thanje: “Krishti me 12 Apostuj, ka ndryshue një Epokë”.., dhe Ajo, sot quhet Epoka mbas Krishtit!

Mbas 20 shekujsh janë prap 12 shkronja “Ronald Reagan” që kanë shpetue në Botën mbarë njerzimin nga rrenimi i pandalshëm prej komunizmit barbar, shfarosës e shkatrrimtar!

Edhe kjo quhet “Koha mbas ramjes së komunizmit…”

Ishte viti 1911, kur Shqipnia zgjohej nga gjumi i randë i robnisë turke dhe me 6 Prill 1911, i madhi Dedë Gjo Luli ngrinte Flamurin e Gjergj Kastriotit në Deçiq…

Ishte viti 1911 atëherë kur në Shtetet e Bashkueme të Amerikës, me datën 6 Shkurt, ka le një “meteor” në Tampico, Illionis, dhe askush nuk besoj se mujti me parashikue se çfarë do t’i sillte kjo foshnje mbarë njerzimit! Po shembej një perandori e madhe robnuese otomane, dhe pa i dalë ende shpirti ndër grahmat e fundit mbi germadhat e saj, mbarë Bota u çue me ndertue “selitë”e veta, me emnat e rij plot drita kandilash e vezullime shpatash, bajonetash, helmetash, spaletash e fronesh.., ku “lufta për pushtet personal” në një kohë rekord, arriti e zbuloi diktaturat ma të mnershme që ka mujtë me pa dhe me provue njerëzimi ndër 20 shekuj.

Ishte një Botë që po çthurej, sa moralisht, aq edhe mendsisht. Kujtoni sot sa dritdhanëse ishin ata shtete ku u shfaqen ato diktatura dikur, aq u errësuen e i sollën Botës terror, frikë, pasiguri, vrasje dhe gropa vorrezash të përbashkëta në tri lufta që u zhvilluen prej tyne vetem mbrenda 70 vjetësh, nga viti 1914 e deri.., kur “Muri i Berlinit” .., një nga shemtimet ma të mëdha Europjane të kohës “moderne”, ra me datën 9 Nandor 1989.

Mbas Luftës së Parë dhe asaj të Dytë Botnore, njerëzimi mburrej me “vorrezat” e miljona të vramëve që i sollën “Lirinë”, ndërsa pjesa ma e madhe e tij, bash mbi vorrezat e “dëshmorëve të Lirisë”, vendosi “diktaturën komuniste” të tipit stalinjan sovjetik. Mbas popullit rus në vitin 1917, që humbi përjetësisht madhështinë e tij, në fundin e vitit 1944 e deri në kapitulimin e Japonisë dhe mbas 1949, me triumfin e komunizmit në Kinë, pjesa ma e zhvillueme e dy kontinenteve të Europës dhe të Azisë, u rroposën në humnerën komuniste. Nën krismën e armëve të “fitores” mbi fashizmin dhe nazizmin, në Shkurt të 1945, atëherë kur Rusvelti dhe Stalini përqafoheshin tue i futë njenitjetrit ndër xhepa “copat e letrave” me emnat e shteteve që bane kurban në Jalta, “pa i pa” Çërçilli.., nuk zgjati shumë dhe filloi “Lufta e Ftohët”, e pafund, që ende sot nuk mbërrijë me kuptue këtë epitet kot, që i vuni Bota, gjoja e qytetnueme dhe e lirë! Ajo u nda në dy blloqe…

Në mes të këtyne, ishte “perdja e hekurt”, me të vërtetë “e ftohtë”, që mbështetej mbi “piramidat” kufitare të shteteve që rreshtoheshin mbas saj në dy krahët.

Sejcila anë terhiqte me tela me ferra me sigurue mos ramjen e tyne që ishte ngarkue me miljona kw. Tela me rrymë elektrike në piramidat e shemtueme të ndamjes së shteteve. 

I vetmi vend ku ndërpritej kjo “perde e hekurt” ishte “Muri i Berlinit”, një shëmtim komunist mbi të cilin valvitej “flamuri i marksizem – leninzmit stalinjan fitimtar”, që ishte simboli i “lirisë sovjetike”, me të cilin Nikita Hrushovi, renditi veten diktator “modern” mbas luftave okupuese me tanket e stampueme me drapen e çekan, që marrshuen mbi popujt heroikë të Budapestit e ma vonë të Pragës. Miljona e miljona njerëz zvarriteshin të uritun nën tanket e robnisë komuniste, që parakolonin në paradat e dhunës e të vdekjes para tribunave të diktatorëve.., në ato ditët e “festave të çlirimit”. Shqiptarët, mbasi vrasin e shfarosin njenitjetrin, shpallin edhe një luftë vëllavrasëse, me të cilen diktatori Enver Hoxha siguron përjetsisht atë kolltuk të flliqun, mbi ma shumëse 450.000 viktima të vramë, të zhdukun dhe të masakruem, ndaj të cilëve shpallë edhe “luftën e kllasave” për shfarosjen edhe të mbasardhësve të tyne.., ndoshta krejt e veçantë dhe e pashpirt si në asnjë vend tjetër komunist të Europës Lindore.

Mendja e njeriut vjen dita e ditës tue zvoglue vizionin e saj… Shpresat e Popullit sa vinin e shuheshin…zhduken si mos t’ ishin!

Presidenti Reagan ndër shfaqjet e para të Tija në TV, kujtoj një ide që pat shpjegue në lidhje me rritjen e aftësisë që ShBA, në të ardhmen, duhej të dominonin mbi BS në garën me “Luftën e yjeve”… Kuptohet që për mue ishte dishka krejt e panjohun, por më çuditi mendimi gjenial i Tij, që në opinjonin botnor ky President vinte nga skenat e filmave kaubojës.., dhe, fliste për dishka që shumë kujt i dukej një aventurë e një “artisti” ma shumë sesa projekt i një Presidenti, madje, ishte edhe i SHBA.

Vetem kur i madhi Ronald Reagan ka thanë: “Regjimet që janë mbjellë me bajonetë dhe janë kultivue  vetëm me diktaturë, nuk lëshojnë rrajë!” Atëherë filloi ngjallja e shpnesave tona!

Reagan shpalli menjëherë në programin e Tij idenë e përkryeme: “Objektivi që unë propozoj asht lehtësisht i arritshëm: Inkurajimi i infrastrukturës së demokracisë:

Sistemi i një shtypi të lirë, shoqatave, partive politike, universiteteve, të cilat do të lejojnë njerëzit me zgjedhë lirshëm rrugën e tyne”.

PAPA GJON PALI II N’ SHKODER – 25 Prill 1993.

 

SA MILJON NJERËZ PYESIN SOT:

Sa popuj fituen Lirinë…me 9 Nandor 1989…

Sa njerëz fituen të Drejtën me kenë “njeri”…

Sa piramida nuk lahën ma me gjak Rinije…në kërkim të Lirisë…

Sa kampe shfarosje u shpërthyen njëherë e përgjithmonë…

Sa burgje mbetën vetëm qendra muzeale vuejtjesh e mjerimi…

Sa qendra torturash nuk u lejuen ma me vazhdue shfarosjen….

Sa hetuesë mbetën pa “punë” aty ku u vendos demokracia…

Sa kriminelë mbetën pa vra njerëz për kënaqësi …

Sa familje u çveshën nga rrobat dalluese të “luftës së kllasave”…

Sa mija e mija njerëz filluen me marrë frymë lirisht…

Sa mija e mija njerëz fillue me harrue fjalën “frikë” nga sigurimi…

Sa miljon vetë nuk kanë frikë me lutë Zotin…

Sa miljon njerëz nuk janë ma të interrnuem…

Sa miljon njerëz bijnë me fjetë pa frikë se i troket dera natën…

Sa miljon njerëz filluen me kuptue fjalën “Liri”….

Sa miljon qej ujq nuk shkyejnë ma njerëz…

Sa miljon ml. tel me ferra nuk rrethojnë ma njerëzimin…

Sa miljon vetë nuk mendojnë ma veç me ngranë…

E sa klerikë nga të gjitha besimet mendojnë sot per Shqipni ?!

***

Sa miljon vetë sot adhurojnë emnin RONALD REAGAN…

Miljona e miljona vetë ndër shekuj..,  do të kujtojnë me respekt

“12 shkronjat Ronald Reagan” …Shpëtimtarin e madh të njerëzimit nga “rilindja” e komunizmit barbar e gjakatar …

Ndersa Shqipnia harroi se ku do ta qesin kjo rrugë që ndjekë edhe sot!

E ajo ma e mnershmja ”harresë” asht e ashtuquejtuna “Rilindje”!!

Rikujtoni porositë e Këtyne dy Burrave dhe shikoni ku jeni?

Sa madhshtore ishte Fjala e Papes Gjon Pali i II perballë Skenderbeut!

Kujtoni mirë porositë e Papës Gjon Pali i II per Popullin Shqiptar dhe, kurr mos harroni se Ai edhe sot vazhdon me u Lutë per Shqipni!

Urata e Tij duhet të jetë sot: E ARDHMJA E POPULLIT SHQIPTAR!

            Vazhdon Pjesa e III.

Melbourne, 12 Prill 2025.

“Gladius”, dokumentari që rrëfen gjyqin special dhe fillimin e terrorit komunist! Shkatërrimi i intelektualëve dhe eliminimi i kundërshtarëve politikë! 17 të pushkatuar, 60 të dënuar e 715 vite burg në total

“Gladius” titullohet dokumentari, premiera e të cilit u shfaq mbrëmjen e së mërkurës në “Destil Creative Hub”.


Dokumentari është një rrëfim tronditës mbi gjyqin special të vitit 1945 dhe fillimin e terrorit komunist në Shqipëri. Autorët e tij, Viron Roboçi dhe Besmira Pelushaj sollën një qasje të re mbi një nga ngjarjet më të errëta të pasluftës në Shqipëri.

Për realizimin e këtij dokumentari autorët shfrytëzuan edhe fondin e arkivit të Agjencisë Telegrafike Shqiptare. “Gjyqi (jo) Special” siç është edhe nëntitulli i veprës, eksploron realitetin tronditës të një procesi të orkestruar politikisht, të njohur si “gjyqi special”, i cili u zhvillua në kinema ‘Kosova’, ku sot është godina e Teatrit Popullor menjëherë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. “Gladius” ngre një paralelizëm të fuqishëm mes ndeshjeve te gladiatorëve në Romën e lashtë dhe këtij gjyqi që shërbeu si një spektakël i dhunshëm me dënime të paracaktuara për 60 intelektualë të kohës, me qëllim eliminimin e tyre dhe intimidimin e pjesës tjetër të elitës politike, veprimtarëve dhe çdo individi me influencë. “Gladius” ndërthur materialet arkivore, pamjet autentike dokumentare dhe inskenimet artistike, duke i dhënë zë procesit të shpejtë dhe të padrejtë që çoi në ekzekutimin e 17 personave dhe në ndëshkimin me 715 vite burg në total, për të akuzuarit e tjerë. Asnjë nga 17 të ekzekutuarit nuk ka ende sot një vend varri. Dokumentari u realizua me mbështetjen e “Fondacioni Konrad Adenauer” (KAS Albania) në bashkëpunim me “United Rights Foundation”.

NGJARJA

Gjyqi Special për Kriminelët e Luftës dhe Armiqtë e Popullit, ishte një gjykatë komuniste në pranverën e vitit 1945, në Republikën e sapokrijuar Socialiste të Shqipërisë. Një gjyq farsë, i mbajtur në një sallë kinemaje, i cili zgjati 44 ditë, nga 1 marsi deri në 13 prill 1945, për eliminimin e kundërshtarëve politikë. Dënimet ishin të paracaktuara, të bazuara në dëshmi të rreme dhe prova të sajuara. Synimi? Shkatërrimi i intelektualëve dhe eliminimi i kundërshtarëve politikë. Në përfundim; 17 të pushkatuar, 60 të dënuar dhe 715 vite burg në total. Gjyqi special ndaj 60 ish-funksionarëve u zhvillua në Tiranë më 1 mars deri më 13 prill 1945.

Trupa gjyqësore e konsideronte veten si pjesë të qeverisë dhe mbi emërtesën e saj shënohej fjalia “Qeveria demokratike e Shqipërisë”. Historiku i formimit të gjyqit nisi në kongresin e Përmetit. Me vendimin nr.8, datë 28.5.1944, të Këshillit Nacionalçlirimtar, pranë kryesisë së saj (KANÇit) formohej një komision për “zbulimin dhe vërtetimin e krimeve të luftës dhe kriminelëve të luftës”. Për këtë arsye, sipas “Buletinit të Luftës Nacionalçlirimtare”, datë 16.12.1944 u formua Komisioni qendror për zbulimin e kriminelëve të luftës dhe armiq të popullit” kryetar i të cilit ishte ministër i Drejtësisë Manol Konomi. Gjyqi special u krijua me vendimin nr.26, datë 15.12.1944 të Kryesisë së Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar me synim dënimin e “kriminelëve të luftës”, shqiptarë apo të huaj.

Kriteri i përzgjedhjes së “kriminelëve të luftës” ishte sipas rregullores mbi gjyqet ushtarake (duke e kuptuar këtë gafë, më pas e quajtën “ligji” nr.41, datë 14.1.1945, “Mbi organizimin dhe funksionimin e gjykatave ushtarake”). Me vendimin nr.2, datë 26.1.1945 të Këshillit të Ministrave, u caktuan anëtarët e gjyqi special. Gjyqi special i dha fund punimeve të tij duke shpallur vendimin më 13 prill 1945. Gjykata i akuzonte në bazë të neneve 15, 16 e 18 të ligjit nr.41, datë 23.1.1945 “Mbi organizimin e gjykatave ushtarake” (“ligj” i dalë pas arrestimit të të pandehurve) si “kriminelë lufte” ose “armiq të popullit”. Në vendim, veprimtaria e 60 të pandehurve cilësohej “antikombëtare, antipopullore”, në përputhje me qëllimet e “klikave reaksionare”, para dhe pas 7 prillit 1939.

AKUZAT

Gjykata akuzonte se të pandehurit kishin bërë “vrasje, varje, internime, masakrime dhe plaçkitje”, pavarësisht se nuk kishte mundur të sillte asnjë provë rreth tyre. Por nisur nga fakti se Qemal Vrioni ishte dorëzuar brenda afatit, “përfitonte lehtësime” duke u dënuar me burg të përjetshëm. Po ashtu Tefik Mborja pas largimit nga funksioni qeveritar ishte tërhequr e “kishte simpatizuar lëvizjen”, duke sjellë si pasojë dënimin e tij “lehtësues” me 30 vjet burgim. Dënoheshin me burgim të përjetshëm e punë të detyruar “armiqtë e popullit”: Kostaq Kotta, Xhavit Leskoviku dhe Koço Tasi dhe “kriminelët e luftës Ibrahim Biçakçiu, Xhevat Korça, Refat Begolli, Bajram Pustina, Shuk Gurakuqi. Dënoheshin 30 vjet burgim e punë të detyruar “kriminelët e luftës ose armiqtë e popullit”: Sokrat Dodbiba, Mihal Zallari, Et’hem Cara, Ndoc Naraçi, Anton Kosmaçi, Lazër Radi, Sami Koka, Sulejman Vuçiterni. Dënoheshin 20 vjet burgim e punë të detyruar “armiqtë e popullit”: Mihal Sherko, Fiqri Llagami, Akile Tasi. Dënoheshin 15 vjet burgim e punë të detyruar: “Armiqtë e popullit ose kriminelë lufte” Gjergj Bubani, Rrok Kolaj, Bilal Nivica, Ismet Kryeziu, Jakov Milaj. Dënoheshin 10 vjet burgim e punë të detyruar “armiqtë e popullit”: Rrok Gera, Nedin Kokona, Rifat Tartari, Ih’san Libohova, Vangjel Goxhomani.

Dënoheshin 5 vjet burgim e punë të detyruar “armiqtë e popullit”: Emin Toro, Zef Benusi, Mahmut Golemi, Zija Bejleri, Manush Peshkëpia. Dënoheshin 3 vjet burgim e punë të detyruar “armiqtë e popullit”: Zenel Prodani, Sami Visoka. “Armiku i popullit” Zef Shiroka dënohej me 2 vjet burgim, por meqë ishte tërhequr nga politika dhe meqë ishte sjellë mirë kur ishte ministër, dënimi i pezullohej në 5 vjet dënim me kusht, brenda së cilës duhej të mbante qëndrim të mirë politik. Për “armiqtë e popullit” Dedë Jakova, Abedin Xhiku, jepej dënimi me 1 vit burg, i cili pezullohej në 5 vjet dënim me kusht. Për të pandehurit Abdurrahman Telqiu dhe Luigj Filaj, për mungesë provash u vendos lirimi i tyre e deklarimi i pafajësisë. Për të gjithë të pandehurit, kërkohej heqje e të drejtave civile e politike. Brenda së njëjtës ditë, 17 të ekzekutuarit me vdekje i kanë drejtuar Kryesisë së Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar, kërkesën për faljen e jetës. Kërkesa është e përbashkët, e shkruar me pak rreshta. Ajo nuk ka asnjë shënim. Për ekzekutimin e të dënuarve me vdekje nuk është mbajtur procesverbal. Prokurori Bedri Spahiu (që më pas u bë dhe prokuror i përgjithshëm, e më pas “Armik i popullit!”), lëshoi akuzën vdekjeprurëse duke thënë në mënyrë të prerë dhe me ton ushtarak:

“Të pandehur! Veprimtaria juaj e këtyre viteve ka përbërë tradhti ndaj fateve të popullit dhe atdheut. Ju keni përdhosur cilësitë e larta patriotike të vendit duke e njollosur emrin tuaj me atë të tradhtarit…!” Këtë akuzë ai e bëri duke u drejtuar nga i pandehuri Kol Tromara. Për çudinë e të gjithëve, Kol Tromara jo vetëm s’u frikësua, por me qetësi iu kthye prokurorit: “Se kush është tradhtar, këtë herët a vonë do ta mësojë populli”. (prill 1945)

PROCESI

Në mbledhjen nr.4 të datës 13.4.1945 të Kryesisë së Këshillit Nacionalçlirimtar, u diskutua mbi faljen e jetës së të dënuarve nga gjyqi special. U zhvillua ky diskutim: -Bedri Spahiu kërkon që të mos merret parasysh lutja e tyre, por të dënohen ashtu si ka vendosur gjyqi. – Prof.Gjergj Kokoshi thotë se vendimet janë me vend. Kryetari (Omer Nishani) thotë se refuzimin tonë ta justifikojmë me arsyen se dënimi është dhënë prej një gjyqi, vendimet e të cilit janë të prera. Prof.Sejfulla Malëshova thotë se gjyqi ushtarak vendimet ia dërgon Gjykatës së Lartë Ushtarake dhe ajo ia dërgon Kryesisë. Kjo procedurë duhet të ndiqet edhe në gjyqin special. Manol Konomi shpjegon se kurdoherë të dënuarit kanë të drejtë të luten. “Grace” nuk është rekurs. Spiro Moisiu thotë se po të mos jepet përgjigje, kuptohet se aprovohet vendimi i gjyqit. Prof.Gjergj Kokoshi insiston në faktin se duhet dhënë një përgjigje. Me unanimitet vendet që të refuzohet lutja dhe përgjigja t’i dërgohet prokurorisë së gjyqit special.

Mbledhja mbyllet në orën 20.00. Ky është vendimi i qeverisë së parë komuniste që posa kishte hyrë në Tiranë. Në atë kohë në Shqipëri s’kishte as prokurori dhe as gjykatë, por mjaftoi një vendim qeverie për të ngarkuar si kryetar të këtij procesi të jashtëzakonshëm, Koçi Xoxen (me katër klasë fillore) dhe prokuror të tij, Bedri Spahiun (pa asnjë njohuri jurisprudence!). Ishin plot 60 personalitete: ushtarakë, intelektualë, ministra, gazetarë, ballistë, zogistë dhe të tjerë të akuzuar si “kuislingë”, të cilët u përballën me akuzat e prokurorit Spahiu si tradhtarë të kombit. 17 vetë, mes tyre edhe Bahri Omari, e pritën me gjakftohtësi dënimin me vdekje. 41 prej tyre u dënuan nga 2 deri në 101 vjet burg, ndërsa dy u liruan në sallën e gjyqit.

Me grupin në të cilin do të gjykohej edhe Bahri Omari, nuk ishin më shumë se 7-10 vetë. Ishte fundi i ‘45-ës, kur ata, të arrestuar që prej një viti, do të përballeshin me akuzat e parapërgatitura të prokurorit. Gjyqi do të fillonte në orën 09:00 të paradites, pikërisht në kinema ‘Kosova’, ku sot është godina e Teatrit Popullor.

Prokurori i caktuar për të përfaqësuar akuzën në proceset speciale ndaj njerëzve që vendoseshin në bankë si kuislingë, e kishte disi të vështirë punën, pasi ai nuk mund të nënvleftësonte aftësitë intelektuale të atyre që akuzonte.

KOMISIONI

Me vendimin nr.8, datë 28.5.1944, të Këshillit Nacionalçlirimtar (marrë në kongresin e Përmetit), pranë Kryesisë së saj (KANÇ-it) u formua një komision për “zbulimin dhe vërtetimin e krimeve të luftës dhe kriminelëve të luftës”, në rolin e një njësie eprore qendror të hetimit, i cili do lidhej me organe të tjera në prefektura ose nënprefektura që i konsideronte të varësisë. Emërimi i anëtarëve të komisionit i lihej në dorë qeverisë dhe konsiderohej pjesë e saj. Pra, në gjyq, qeveria përfaqësonte akuzën. Sipas “Buletinit të Luftës Nacionalçlirimtare”, datë 16.12.1944, “Komisioni qendror për zbulimin e kriminelëve të luftës dhe armiq të popullit”, kishte këtë përbërje: Manol Konomi-ministër i Drejtësisë, kryetar, Bedri Spahiu-ministër i Asistencës Sociale, Ali Shtëpani-anëtar i Këshillit të KANÇ-it, Qiriako Haritoanëtar i Këshillit të KANÇit, Nako Spiru-president i Bashkimit të Rinisë Antifashiste Shqiptare (BRASH), Koçi Xoxe -drejtori i Drejtorisë së Mbrojtjes së Popullit (u largua), Faik Shehu – anëtar i Këshillit të KANÇ-it (u largua), Pjetër Deda (u largua), Muharrem Bedini (u largua). Referuar akuzave të paraqitura, komisioni qendror figuron me emrat e M.Konomit, B.Spahiut, Q.Haritos, N.Spirut dhe A.Shtëpanit. Komisioni paraqiste vetëm akuzën dhe përgjithësisht nuk zhvillonte hetime. Komisioni kryesor për gjyqin special (dhe rastet e tjera këtu) ishte ai i Tiranës. Referuar dosjeve të trashëguara të kohës, ai përbëhej nga: Simo Zhupa-kryetar, Delo Balili-anëtar, përfaqësues i ushtrisë, Selim Stërmasi-anëtar, përfaqësues i Frontit Nacionalçlirimtar, Nikolla Profo-anëtar, përfaqësues i Frontit Nacionalçlirimtar. Malo Frashërianëtar, përfaqësues i Këshillit Nacionalçlirimtar të Qarkut. Por praktika tregon se për raste të veçanta si ajo për të pandehurin Bahri Omari, janë zhvilluar edhe hetime të posaçme nga Josif Pashko dhe Selman Brahimi.

ARRESTIMET

Pa mbaruar mirë lufta, në tetor 1944, komunistët nisën arrestimet e kundërshtarëve politikë, sipas përcaktimeve të funksioneve dhe bindjeve politike dhe jo të veprave që ata kishin kryer. Kësisoj gjithë ai gjyq i zhurmshëm, nuk vërtetoi asnjë vrasje personi, çka ishte dështimi më i madh i gjithë procesit. Të pandehurit ishin spikatur në këto kategori për funksionet e tyre të mëparshme: Ushtarakë, drejtues policie, xhandarmërie, politikanë, deputetë, ministra, prefektë, kryetarë bashkish, etj., të administratës së mesme e të lartë, anëtarë ose simpatizantë të organizatave jokomuniste. Fillimisht të pandehurit e mundshëm ishin izoluar në depon e ujësjellësit të Tiranës. Më 20.11. 1945 u hap burgu i ri në Tiranë. Qarkorët e Partisë Komuniste si shtriga, në bazë të listave mbi kundërshtarët e regjimit filluan të bëjnë vrasje, burgosje, arrestime. Shqipëria, një vend i vogël, kurrë nuk kishte pasur kaq nevojë për burgje e vende ku duheshin futur kundërshtarë të regjimit komunist.

Ishte e para herë në historinë e vendit që në burg hynte inteligjencia e në pushtet urdhëronte injoranca. Më 28.12.1944 Komiteti Central i Partisë Komuniste Shqiptare nxori udhëzimin “Për krijimin e komisioneve për zbulimin e kriminelëve të luftës, komisioneve për zbulimin e kriminelëve të luftës, komisioneve të asistencës sociale, komisioneve për shqyrtimin e fitimeve të luftës nga tregtarët dhe në lidhje me punën që duhet të bëjnë këto komisione”. Hetimi nuk pati kurrfarë cilësie. U bë me të shpejtë dhe lidhej kryesisht me funksionin publik të personit. Si “prova” në dosje u vendosën dokumente të zakonshme që përveç cilësisë zyrtare të personit nuk tregonin gjë tjetër që të lidhej me krime lufte, vrasje, dhunime, etj./Gazeta Panorama

“Për Rasim Zenelaj, UDB-ja angazhoi serben bionde, e cila e futi në shtëpi dhe…”- Ekzekutimet nga shërbimi sekret jugosllav në Gjermaninë Perëndimore

Të panjohur vranë tre shtetas jugosllavë afër Heilbronnit. Për autoritetet gjermane të sigurisë, kjo masakër përfaqëson një kulm të ri në luftën e fshehtë midis agjentëve të shërbimeve sekrete jugosllave dhe kundërshtarëve të regjimit të shtetit shumëkombësh në Republikën Federale të Gjermanisë. Pas ekzilit të kroatëve, qeveria e Beogradit tani duket se i ka shpallur luftë të përgjakshme edhe shqiptarëve të ekzilit, nga Republika e Kosovës. BMË-ja e gjelbër 316, po dilte prapa nga garazhi. Shoferi, për shkak të borës, nuk donte të kthehej dhe e drejtoi makinën në marshin e kundërt për 40 metra, deri në një kryqëzim. Kur automjeti u ndal për një moment nën dritën e një llambë rruge, një burrë doli nga një kantier ndërtimi dhe qëlloi nga rreth tre metra largësi, brenda makinës.

Një burrë i dytë gjithashtu qëlloi, pastaj qëndroi pranë makinës për të verifikuar efektin e të shtënave përmes xhamave të thyer të dritareve anësore. Fqinjët, të zgjuar nga zhurma e të shtënave, panë të dy burrat duke ikur. Skena e tmerrshme që banorët e “Habichtshöhe” në komunën Untergruppenbach pranë Heilbronnit panë atë natë në të hënën e kaluar: motori me katër cilindra vazhdonte të punonte me ritëm të lartë, shoferi kishte ende këmbën mbi pedalin e gazit. Pastaj, me sa duket, e lëshoi kuplimin – ai ishte vdekur. Makina filloi të rrotullohej pa kontroll në një gjysmërreth në të majtë dhe u përplas me një derë garazhi të mbyllur. Rrotat lëvizëse u ngulën në borë, motori u fik – dhe u bë heshtje.
Brenda makinës, policia gjeti:

Shoferin Bardhosh Gërvalla, 31 vjeç. Jugosllavi, i goditur nga gjashtë plumba, i varur i vdekur pas timonit.

Ndihmësçodinë Kadri Zeka, 28 vjeç, i vrarë nga dy plumba në pjesën e sipërme të trupit.

Vëllain e shoferit, Jusuf Gervalla, 36 vjeç, i plagosur rëndë nga dy plumba.

“Të tri viktimat u identifikuan shpejt dhe u klasifikuan edhe politikisht: shtetas jugosllavë në ekzil, të prejardhjes shqiptare nga Krahina e Kosovës në jug të shtetit ballkanik, dhe të tre ishin agjitatorë kundër qeverisë së Beogradit. Edhe për autoritetet kompetente gjermane, ekzistuan të dhëna menjëherë. Vetëm në vendin e ngjarjes, Jusuf Gërvalla, i cili më vonë vdiq, i pëshpëriti policëve: ‘Ky ishte i UDB-së’ – shërbimi sekret jugosllav, Sluzba Drzavne Bezbednosti.

Dymbëdhjetë të shtëna nga dy pistoleta – kalibër 7.65 – u gjuajtën kundër tre burrave, dhjetë plumba i goditën në zemër, mushkëri dhe qafë. Një policë në vend tha: ‘E gjitha duket si një ekzekutim’!

Kjo ishte metodë tipike e shërbimeve sekrete, sipas gjuajtësit të saktë nga Shtutgarti dhe instruktorit të policisë, Siegfried Hübner – katër të shtëna duhet të godasin, ‘tre për të fiksuar viktimën ose, nëse qëndron në këmbë, për ta rrëzuar dhe të bëhet i paaftë për luftim, pastaj të shtëna përfundimtare vdekjeprurëse’. Edhe kjo tregonte drejt UDB-së.”

“Për shumë vite, agjentët e shërbimeve sekrete jugosllave dhe kundërshtarët e regjimit kanë zhvilluar përleshje të përgjakshme jashtë vendit. Në shumë raste, jugosllavë militantë në ekzil, kanë sulmuar me dhunë ambasadat, konsullatat dhe përfaqësuesit e vendit të tyre. Beogradi gjithmonë i është përgjigjur vrasjeve dhe terrorit, me të njëjtën monedhë. Skena e këtyre përleshjeve ballkanike, ka qenë vazhdimisht Republika Federale e Gjermanisë, dhe policia deri më tani, ka qenë e paaftë t’i japë fund këtyre veprimeve”!

“Përgjegjësitë janë të dukshme. Beogradi i konsideron grupet e përkushtuara në ekzil, si burim trazirash në shtetin shumëkombësh – dhe i lufton ato. Deri tani, vrasësit e shërbimeve sekrete, kanë drejtuar armët kryesisht kundër kroatëve në ekzil. Në disa raste të vrasjeve të kroatëve në ekzil, përfshirja e Beogradit është provuar qartë”!

“Shembull: Kur kroati Franjo Goreta, vetë një ish-anëtar i shërbimeve sekrete jugosllave, me detyrë vrasjeje në Republikën Federale Gjermane, u shkëput dhe po vriste një oficer udhëheqës, Beogradi dërgoi një komando. Pothuajse sapo Goreta përfundoi dënimin e tij në burg, njerëzit e UDB kryen një tentativë vrasjeje, nga e cila Goreta shpëtoi me pak”!

“Në procesin pasues kundër tre të përfshirëve, gjyqtari shkroi një apel – deri më tani të padëgjuar – në Bonn, në vendimin e tij: ‘Nuk mund të pranohet që në tokën tonë, të ekzekutohen urdhra vrasjesh që janë iniciuar nga shtete të huaja, për të zgjidhur problemet e tyre të brendshme.’”

“Përveç kroatëve, tani edhe shqiptarët në ekzil kanë hyrë në synimet e institucioneve shtetërore jugosllave. Që kur në pranverën e kaluar rezistenca në krahinën shqiptare të Jugosllavisë, Kosovë, u shndërrua në trazira të përgjakshme, Beogradi ka identifikuar manipulatorë të huaj. Sipas politikanëve të Beogradit, konflikti drejtohet nga shteti fqinj shqiptar dhe nga shërbimet komuniste të përkushtuara ndaj Moskës, por gjithashtu në masë të konsiderueshme nga Republika Federale e Gjermanisë”!

“Në fakt, vetëm në Baden-Württemberg jetojnë rreth 2000 shqiptarë-jugosllavë në ekzil, shumica prej tyre me azil politik. Konsullata e Përgjithshme në Shtutgart, shpesh ka pasur ankesa për aktivitetet e tyre”.

“Në pranverën e vitit 1981, për shembull, pati një demonstrim të shqiptarëve që kërkonin ndarjen e Kosovës nga Jugosllavia, i cili përndryshe kaloi pak a shumë i padëgjuar. Kur demonstruesit vunë re se po fotografoheshin nga një shtëpi ku ndodhej një shkollë jugosllave, disa prej tyre hynë brenda dhe, përveç fotografit, gjetën edhe konsullin e përgjithshëm jugosllav Branko Dimitrijeviq. Ata morën filmin, por më vonë u detyruan ta dorëzonin policisë”.

“Kjo mund të ketë shkaktuar një zinxhir aktesh fatale, pasi një nga intriguat, të cilët me siguri u fotografuan në atë film, ishte Bardhosh Gervalla, shoferi i vrarë pranë Heilbronnit”!

“Vëllezërit Gërvalla ishin të njohur në skenën e ekzilit. Vëllai Jusufi, i cili sapo kishte deklaruar në një intervistë për ‘Tageszeitung’, se mbështeste ‘luftën e armatosur’ kundër shtetit jugosllav, sipas të dhënave të policisë, ishte gjithashtu botues i një gazete ekzili, që quhej ‘Zëri i Kosovës’”.

“Bardhosh Gervalla kishte ardhur në Republikën Federale Gjermane, që në vitin 1974. Ai ndoqi një kurs trajnimi në Arbeiterëohlfahrt (Organizatën për Mirëqenien e Punëtorëve) të Ëürttemberg-ut Verior dhe prej kohësh punonte në një qendër kujdesi dhe këshillimi social për punëtorët jugosllavë, në Solitudestraße 44 në Ludëigsburg. Bardhoshi, i martuar me dy fëmijë, ishte aktiv kryesisht në çështjet e sindikatave dhe të drejtave të punës, për bashkatdhetarët e tij”.

“Truri politik i vëllezërve, të cilët në vjeshtën e vitit 1981 kishin marrë shtëpinë në Untergruppenbach, ishte padyshim Jusuf Gervalla. Ishte ai që konsullata jugosllave në Shtutgart e akuzoi zyrtarisht, si anëtar drejtues i ‘Frontit të Kuq’, një organizatë që luftonte kundër qeverisë jugosllave. Deri atëherë, organizata kishte qenë aktive vetëm në Jugosllavi dhe, si grupet e tjera nga Kosova, nuk kishte shfaqur në raportet vjetore të Zyrës së Brendshme dhe të Zyrës Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës”.

“Jusufi, i martuar me tre fëmijë, thuhej se ishte kreu botues i gazetës së ndaluar në Jugosllavi ‘Zëri i Kosovës’, për të cilën punonte nga vendi i tij i banimit. Kadriu, gjithashtu gazetar, ishte bashkëpunëtor kryesor i të njëjtës gazetë”.

“Në murin e jashtëm të shtëpisë së tyre në ‘Auf der Habichtshöhe 40’ javën e kaluar, u vendos me sfidë një flamur i kuq me shqiponjë të dyfishtë dhe një yll me pesë degë në gjysmë masat – ngjyrat e Kosovës dhe njëkohësisht flamuri kombëtar i Shqipërisë”.

“Rëndësia që Beogradi i kushton aktiviteteve të shqiptarëve në ekzil, nuk rrjedh vetëm nga masakra e Heilbronnit. Një operacion i madh, me të cilin shërbimi i sigurisë jugosllave e mori në shënjestër bashkatdhetarin Rasim Zenelaj, në fillim të vitit të kaluar, tregon qartë këtë. Zenelaj ishte anëtar drejtues dhe kryetari i ‘Lidhjes Nacional-Demokratike të Besnikërisë Shqiptare’”.

“Me të shtënat me pistoletë kundër kundërshtarit të regjimit, Zenelaj, i cili mbijetoi me lëndime të rënda më 14 maj të vitit të kaluar, u bë e qartë për herë të parë drejtimi i ri i shërbimit sekret jugosllav”.

“Për të eliminuar Zenelaj, në Beograd thurën plane të ndërlikuara, rekrutuan disa agjentë, madje morën rrezikun që të përfshinin edhe anëtarë zyrtarë të konsullatave në komplotin e vrasjes dhe të ekspozonin ndihmës të tjerë të lartë. Megjithatë, plani dështoi dhe të përfshirit u zbuluan: Në procedimin aktual në Frankfurt, kundër përgjegjësve të tentativës së vrasjes së Zenelajt, përfshirja e institucioneve jugosllave në ndjekjet vrasëse të emigrantëve, u bë edhe një herë tmerrësisht e dukshme.”

“Në fund të viteve ’70-të, një figurë e lartë e shërbimit sekret në qytetin kosovar Uroševac, u ngrit në rang konsullor. Me emrin Salih Salihi, ai shfaq së shpejti në shërbimin diplomatik të vendit të tij në Republikën Federale Gjermane, fillimisht në konsullatën e përgjithshme në Hamburg, pastaj në konsullatën e përgjithshme në Frankfurt. Atje ai u vendos si roje, i pajisur me lejen konsullore gri, nr. 6750. Në Frankfurt vepronte tashmë një koleg tjetër i shërbimit sekret, Svetozar Mirjačić, i quajtur ‘Tozo’, i cili me lejen nr. 6322, vepronte si funksionar i lartë konsullor. Konfident i lartë i këtyre dy agjentëve, ishte Rade Surla, ish-partizan dhe i vendosur në Frankfurt si sipërmarrës ndërtimi”.

“Surla i vizitonte miqtë në konsullatë dhe i informonte për veprimtarinë e njerëzve në ekzil. Një herë, – siç kujton shoferi i tij, – ai vetë mori një vizitë. Mysafiri i errët (Surla i tha shoferit: ‘Duhet të kemi kujdes nga ai’) ishte gjenerali i shërbimeve sekrete, Milan Sašić”.

“Që në mars 1981, menjëherë pas shpërthimit të trazirave në Kosovë, trioja nga Frankfurti, hyri në veprim. Salihi kërkonte të dhëna midis jugosllavëve në ekzil, për zakonet e jetesës së aktivistit shqiptar Rasim Zenelaj dhe i çonte burime të sigurta Tozos. Edhe Surla u aktivizua, kur filluan pranimet konkrete për vrasjen. Gjurmë të ndryshme dhe dëshmitarë të komplotit, kanë treguar qartë se sa të pacipë dhe masiv ishin vepruar agjentët e shërbimeve sekrete”.

“Agjenti i parë që ata vendosën kundër Zenelajt, një kroati në ekzil, i zbuloi porositësit shtetërorë përmes dëshmive në gjykatë. As agjenti i dytë nuk mbajti sekret: Ante Kujundžiq, ishte rekrutuar tashmë nga Tozo si qëllimtar për vrasje, kur ai i tregoi të vërtetën miqve të tij kroatë në ekzil. Shumë shpejt policia gjermane mori vesh, detajet e përgatitjeve për atentat”.

“Organet nuk vepruan shumë me kujdes. Kroati në ekzil Ante Kujundžiq, u akordua në prill 1981 në lagjen e stacionit të Frankfurtut, nga një bashkatdhetar i panjohur. Ai iu kërkua të telefononte urgjentisht një ‘person të rëndësishëm’ dhe të identifikohej si; ‘studenti i muzikës’. Pastaj i panjohuri i dorëzoi një numër telefoni – 217701 – dhe e instruktoi Kujundžiqin, që të shtonte numrin 2 në çdo shifër, kur formonte numrin”.

“Nën numrin 439923, u përgjigj konsullata jugosllave, dhe kështu u krijua kontakti me Tozon. Kujundžiqit iu kërkua fillimisht, të spiunonte shqiptarin në ekzil, Zenelaj. Si shpërblim, Tozo ofroi para, dokumente të reja dhe ndihmë për marrjen e azilit politik në RFGj.”

“Gjatë një takimi të mëvonshëm, Tozo ofroi një pasaportë të rreme, për rastin se partneri do të duhej të largohej shumë shpejt nga vendi, për një çështje të rëndësishme. Kujundžiq: ‘Më bëhej e qartë se ndoshta duhej të vrisja dikë’. Agjenti hoqi dorë dhe informoi autoritetet gjermane. Policia më pas vendosi Zenelajn nën mbrojtje”.

“Për t’ua treguar këtë komplotuesve, policët gjermanë një herë e çuan Zenelajn me qëllim, përpara konsullatës jugosllave. Një herë tjetër, gjatë një shëtitjeje në kopshtin zoologjik, spiunët jugosllavë vëzhguan shqiptarin, së bashku me shoqëruesin zyrtar – dhe vetë u vëzhguan nga gjermanët”!

“Zenelaj erdhi në rrezik, vetëm për shkak të veprimeve të veta: ai tregoi në rrethin e miqve, për një masë tjetër mbrojtëse – policia i kishte vënë një xhaketë të papërshkueshme nga plumbat. Një person që e mori vesh këtë, punonte për sipërmarrësin e ndërtimeve, Surla. Kështu jugosllavët trilluan planin për ta manovruar kundërshtarin e tyre të papërshkueshëm nga plumbat, në një situatë ku ai do të hiqte xhaketën. Një grua do ta bënte këtë dhe më pas do të qëllonte të shtënat vdekjeprurëse”!

“Si ndihmëse u gjet shpejt Serbia bionde, Zorica Aleksić. Ajo jetonte pa të ardhura dhe pa punë afër Darmstadtit dhe u bindë shpejt për planin, përmes kërcënimeve dhe premtimit për një shpërblim prej 2000 markash, për vrasje. U organizua një takim midis gruas dhe viktimës së saj, Rasim Zenelaj, e çoi agjenten në apartamentin e tij. Kur gruaja doli nga banjoja me pistoletë të gatshme për të gjuajtur, ai nuk kishte më veshur xhaketën mbrojtëse. Të goditur nga pesë të shtëna afër zemrës, Zenelaj u rrëzua përtokë”!

“Vrasësja iku dhe u prit në hyrje të ndërtesës nga Surla dhe shoferi i tij. Zorica Aleksić i ktheu armën dhe mori paratë e saj dhe një biletë për në Beograd. Në një ‘Volvo’ gri, të tre u nisën menjëherë për aeroportin e Frankfurtit”.

“Por serbja, nuk arriti të largohej nga vendi. Fqinjët, të alarmuar nga të shtënat, gjetën viktimën dhe thirrën ambulancën e policinë. Rastësisht, një nga policët që ishin caktuar për mbrojtjen e shqiptarit, dëgjoi komunikimet e radios. Një kërkim i shpejtë në rrethin e miqve të viktimës, çoi te Zorica, e cila u arrestua pak më vonë, gjatë kontrollit në aeroport”.

“Punonjësit e konsullatës Tozo dhe Salihi, u kthyen shumë kohë më parë në Jugosllavi. Kontakti Surla, arriti të largohet në mbrëmjen e ditës së atentatit. Një paralajmërim telefonik erdhi, Surla tha vetëm: ‘Në rregull’. Pastaj i kërkoi shoferit të tij, që ishte dëshmitar i telefonatës, ta çonte me nxitim përtej kufirit, në hotelin ‘Holiday Inn’ në Strasburg. Atje gjurma e tij u humb”!

“Dështimi nuk duket se e ka dekurajuar UDB-në. Një konfirmim u gjet më 10 tetor 1981 në Bruksel: atje një shqiptar i quajtur Vehbi Ibrahimi, u vra nga disa sulmues me një pistoletë kalibër 7.65, në një rrugë përpara banesës së tij. Gruaja e tij, që e kishte shoqëruar, u plagos rëndë nga të shtënat. Ibrahimi ishte nënkryetar i Lidhjes së Besnikërisë Shqiptare.”

“Policia gjermane e sigurisë së shtetit, tani u duk e nevojshme që pas atentateve ndaj Zenelajt dhe Ibrahimit, të kujdesej edhe për mbrojtjen e kryetarit të parë të Lidhjes, Emir Fazlija. Ai banonte afër Göppingen dhe midis fqinjëve ishte i njohur vetëm si ‘një burrë i respektuar dhe i moshuar’. Policët e përgjegjshëm shprehën shqetësimin se; ‘do ta vrisnin edhe atë’. Që atëherë Fazlija është i izoluar dhe nuk është më i arritshëm as në telefon”!

“Në luftën kundër luftës ‘nëntokësore’ jugosllave, organet policore gjejnë pak mbështetje politike. Megjithëse ekziston një marrëveshje midis Bonit dhe Beogradit, për të ofruar ndihmë reciproke në rast atentatesh. Herë pas here shkëmbehen edhe të dhëna për origjinën e eksplozivëve dhe kalibrin e armëve”.

“Por sa pak interesa ka në realitet të paktën njëra palë për bashkëpunim, e tregojnë vetë atentatet. Për shembull, për një kohë të gjatë Zyra Federale e Hetimeve Kriminale, vërejti se në atentate kundër kroatëve në ekzil, kur me sa duket ishin të përfshirë anëtarë të UDB-së, përdoreshin pistoleta me tytë katër-pritëse, plumbat e të cilave fluturonin me rrotullim djathtas – shumica e këtyre armëve gjuajnë me rrotullim majtas. Organizatorët e atentateve as nuk e menduan të nevojshme të fshihnin këtë veçori”!

“Kur në vitin 1978, katër anëtarë të RAF-it u kapën nga policia jugosllave, jugosllavët paraqitën një listë me kroatë në ekzil, të kërkuar për një shkëmbim të burgosurve. Autoritetet federale refuzuan, dhe Beogradi i lëshoi të lirë anëtarët e RAF-it”!

“Për sa i përket bashkëpunimit gjerman-jugosllav midis shërbimeve policore, ana gjermane ankohet. Në vend që të ndjeknin fajtorët, jugosllavët shpesh ofronin vetëm këshilla për motivet: ‘Çështje nderi’, ‘pune me gra’, ‘shlyerje llogarie në mjedisin e stacioneve’ ose ‘tregti me armë’, duhet të kishin qenë shkaku i vërtetë”!

“Përfshirjen e shërbimeve të inteligjencës së Beogradit, politikanët jugosllavë e mohojnë kategorikisht para kolegëve të tyre në Bonn. Në këtë frymë, zhvillohen gjithmonë bisedat e rregullta midis posteve të larta të Ministrisë së Brendshme Federale dhe kolegëve të tyre në Beograd. Ministri i Brendshëm, Franjo Herljeviq, një ish-gjeneral partizan dhe shok i rrugës së Titos, gjithmonë mohon dhe pretendon se shërbimet sekrete jugosllave nuk veprojnë në Republikën Federale Gjermane”!

“Deputeti i CDU-së, Fritz Ëittmann, në vjeshtën e vitit 1981, në pyetjen e tij për reagimet e Bonit, ndaj sjelljes së Beogradit, mori vetëm një përgjigje evazive nga Ministria e Jashtme. Bonn, -tha ministrja Hildegard Hamm-Brücher, – shprehet vetëm ‘aty ku ka arsye dhe është e përshtatshme’”!

“Ndërkohë, përveç proceseve të ndryshme gjyqësore, ekzistojnë edhe vetë dëshmi për veprimtarinë e UDB-së. Për shembull, në ambasadën e Jugosllavisë në Bonn, një diplomat ishte bashkëbisedues i shërbimeve policore gjermane, atashe policie Tomo Renac, i cili i dërgonte pyetjet gjithmonë në Beograd, por kurrë nuk u përgjigjej dhe shpesh thjesht ngrinte supet”!

“Arsyen për këtë qëndrim të zvarritjes, gjermanët e kuptuan kur një dokument i Renacit, i dërguar në Beograd, ra në duart e gabuara”!

“Në Renac, ankohej si një agjent i shërbimeve sekrete i fyer: ‘Tani po përpiqen të bëjnë të pamundur veprimtarinë e sigurisë së shtetit jugosllav në Republikën Federale Gjermane, përmes masave penale dhe propagandistike. Në një pritje, kryepolici i Bonit madje theksoi veprimtarinë e spiunazhit të diplomatëve jugosllavë, për të cilën ka prova, dhe shtoi se diplomacia jugosllave në Republikën Federale Gjermane, vepron shumë e koordinuar. Kjo na detyron të konkludojmë se puna e pikave tona në Republikën Federale Gjermane, po bëhet gjithnjë e më e vështirë’”!

“Prandaj hetuesit gjermanë, nuk duan të mbështeten në shërbimet jugosllave për ndihmë reciproke. Kur një prokuror në Frankfurt, kohët e fundit shpalli se në rastin e shqiptarit në ekzil, Rasim Zenelaj, do të kryente ‘dëshmi në Jugosllavi’, specialistët e brendshëm, nuk i dhanë shpresë”! Memorie.al

“Sokolit iu komunikua se nuk i falej jeta. Ai tha: Mos më vrisni nga mbrapa, gropën e hap vetë…”- Ana e panjohur e Revoltës së Qafë Barit

Filloi paraditen e një dite pa emër, pse pa emër, ishte 22 maj dhe quhet “Dita e revoltës së të burgosurve të Qafë-Barit? – po ja, ngaqë ditët në burg janë tepër njëlloj, si uniformat e burgut, me vija, ditët kështu, netët si uniformat e zeza të policëve. Brenda telave me gjemba dukej sikur kishte shenjtorë të sfilitur dhe djaj të marrosur. Brigadat e natës, ndërresa e tretë e të burgosurve, qenë kthyer nga puna, kishin 2-3 orë që prisnin në këmbë dhe s’jepej urdhri të shkonin në fjetore. Gjysma flinte në këmbë. Mbështetur te muri, te shoku, te shkallët, tek telat me gjemba. Vurrata të zeza nëpër fytyra, o nga të palarët, o prej tmerrit që shihnin në atë copëz ëndërr.

Veç bunkerë të rrumbullakët, kupola, gojë të betonta që thërrasin emrat tanë, vjellin zjarr të ftohtë akull. Çfarë, po brohorasin spektatorët e amfiteatrit, kooperativistët e maleve? Turp. Nga hyrjet e bunkerëve po dalin tigrat, panterat, sekretarët e partisë.

Policët dyndeshin mes nesh, tigrat, shqyenin krahë të burgosurish, u çanin barkun me kthetra, vazhdë zorrësh, tjetri shkelte mbi rropullitë e tjetrit, ktheheshin policët për të marrë ç’kishte mbetur nga zhvatja, krahun tjetër, ca brinjë, krisën kafkat, bunkerët, po qiell, s’paska, qenka kupolë betoni, po ulet, u afrua, na u zu fryma, mure të tjera pas mureve, ranë, u shembën. Gërmadha mbi ne. Po japim shpirt. Shpëtuam…!

RËNKIME DHE GJAK

… Rënko(h)-i prapë: oh-h-h-h-ooo-ooh! Një rënkim tjetër, nata, i fundmi i kryengritjes, ngji-iih-ste shka-ah-llë-ëh-t. Rrëzohej, oh, ngrihej, ih, ngadalë, ah, shihte qiellin, plot me gozhdë yjesh, vrima plot, bien rënkime, toka e zezë, me ofshama gropash, lëkundej, ej, of, op, uh, uf. Rënkimet-et pikonin gjak-ak. Llavë… Ra prapë pezmi i rënkimeve, i gjatë, zuri brinjët me dorë, të thyera, dy, tre, yyyyeeeeehhh, shfryu, uh! U rrëzua…

Kishin mbaruar arrestimet të gjitha, të paracaktuarat dhe të rastit, qe lajmëruar me shifër qendra që kryengritja në burgun politik të Qafë-Barit, u shtyp me sukses, fitore e plotë, kur të burgosurit ende ishin në gjunjë dhe një ish-hetues province, tani kuadër i lartë në Ministrinë e Punëve të Brendshme, aq shumë i zellshëm në tortura, ndali hapat dhe pyeti atë që kishte pranë, shefin e policisë a operativin.

– Këtu e keni atë, Nuredin Skraparin, more?
– Po.
– Si sillet?
– Pa probleme. Korrekt.
– Kam qenë unë hetuesi i tij 10-15 vjet më parë. E dënuam sa deshëm. Pinin në një klub, dhe ai, tamam armik, guxoi dhe goditi me shishe shokun Enver.

– Si?…

– Portretin e udhëheqësit tonë të lavdishëm. Nuk do të të ndahem gjithë jetën, – i kam bërtitur. Si nuk e futëm emrin e tij në listën e të arrestuarve…?! Jepini një dru të mirë sa pa ikur unë…! E çuan pas murit…! Zvarrë. Ah! Oh, oh… Hija e rënkimeve u rrëzua prapë. Oh. U shtri… po rënkonte toka, muzgu sipër saj, gulçonte mbi pellgun e gjakut të vet…! “Çohu, i dënuar, – briti polici pas tij. – “Ngjiti shkallët, drejt birucave”. Të burgosurit përreth s’po lëviznin, si në një mallkim. Me rregullore, s’lejohej t’i jepje ndihmë tjetrit. Ah, sikur ta merrja për krahu, brinjët e thyera i dhembnin tmerrësisht, ta mbartja deri te porta e vogël… e birucave të brendshme.

Falmë, bashkëvuajtësi im, s’të ndihmova dot, asgjë s’bëra për ty, ah! Gulçe gjaku të ngrohtë shpërthenin nga goja mes dhëmbëve të thyer…! U-u-u-jë-ë-ëh! Ujë… më digjnin plagët brenda trupit, elektro…oh…vo…zi…sti Agroon Ho…xha, më njomte buzët me një leckë, s’e di ku e gjeti ujin, ndoshta binte shi, po ti… në birucë, unë pashë që policia të ra me dru në kokë… qetësohu, mos fol… Roola(h)nd Too(h)li më mbante kokën të mos më binte përdhe, e paskan arrestuar edhe atë, po ai është i gjatë, ka më shumë vende se unë për plagë… dhe s’po më linte të vdisja… Çojuuu(j)iiii, ujëëëë…!

I GJALLË NË ARKIVOL

Duhet të jem ca gjallë… dhe ca i vdekur. Ndoshta kështu janë të gjithë. Po ku jam kështu? Asgjë s’lëviz, s’ka gumëzhima, zhurma rrotash, puls, duhet të na kenë shkarkuar nga makina ku na hodhën njëri mbi tjetrin të lidhur. Qenkam vetëm, prapë më paskan futur në arkivol të gjallë? Ç’duan tani nga unë, do të më çojnë në gjyq, përsëri në grupin armiqësor të ushtarakëve, po a u pushkatuam një herë? Jo, jo, Zhabolli, ty të lamë gjallë, shih sa je dobësuar, zhapë të bëmë, as krahun s’e ngre dot, por të bëmë kryetar të zyrës së riedukimit në Qafë-Bar. Po pse jam me kaskë dhe me pranga, si ata që do të pushkatohen?! Do të ta heqim kaskën dhe do të fillojmë torturën kineze, një pikëz uji mbi kokë do të bjerë vazhdimisht, në të njëjtin vend, por ajo e bën vrimë kafkën, e çan fare.

Do të flesh mbi një bambu, ajo rritet 7 cm. në ditë dhe e shpon trupin tënd. Ka ca dhembje! Ti kujton se kemi marrë nga Kina vetëm makineri fabrikash, po veglat e torturave, po marifetet, llojet e torturave? Kemi marrë dhe një specialist kinez që ka specializuar dhe një djalë tonin, ata bëjnë dokumente të vjetra, si të vërteta fare, dhe ne i lëmë dosjet në rregull, jo tuajat, jo, kush çan kokë për to, firmosni ose jo ju, s’ka fare rëndësi, them për historinë, e bëjmë si të duam, në rregull fare, ngjarjet kanë ndodhur ashtu siç duam ne, ja dokumenti, e bën kinezi ynë, më mirë se të vërtetin. Po ku jam? Brenda në arkivol.

Dëgjo, t’i do të firmosësh listën me 36 emra, të grupit që udhëhoqi revoltën politike të Qafë-Barit. Unë s’e di që revolta ishte politike dhe s’di të ketë pasur ndonjë organizim a grup. Dalip, e kupton ç’po thua? E dimë ne që ishte ashtu. Asgjë nuk na kushton, t’i vëmë kapakun arkivolit, 5-6 gozhdë. Të pëlqen të varrosesh i gjallë? Pra, firmos këtë letër, ja dhe tjetra, vendimi që do të lirohesh. Zgjidh mes dy letrave…! S’janë kocka që thyhen. Ia thyem brinjët atij skraparliut, por edhe Xhike Baxhinos…vetëm një këmbë, Drago Vujosheviçit… malazezit, të zi fare e bëmë.

Hë, hë, po Sandër Sokoli? Ai vdiq rrugës, në makinë, atij i qenë thyer të gjitha kockat, kudo, kudo, qe bërë fërtele. (Vdiq dhe Partia.) Po miku im Dine Fratari? E hoqëm, e flakëm në një tjetër burg, shumë e kanë rrahur edhe atë, dhe Lekë Mirakajn, dhe… po ti firmos, të thamë, kam porosi nga ministri. Nuk të pres shumë, mund ta kthejmë dhe ndryshe. Ç’bëhet kështu, hetuesí është kjo brenda në arkivol? Është ai, arkivoli i kampit, që na e bëtë peshqesh, s’duhet më për të vdekurit, por për të gjallët…! Vijnë zëra nga brenda vetes. Nuk do të firmosësh? Vërini kapakun arkivolit. Mos u duhet arkivoli për të tjerë të gjallë. Ku i ka shenjat? Mos jam nën dhé?

DËNIMI I REVOLTËS

Ra çanga, hekur mbi kokë. Na mblodhën në mensë prapë. Ai myzeqari aty, ku e kishim lënë, i palëvizur, kështu dukej. Mos duan të përsëritim rebelimin? Prapë erdhi ai oficeri nga Jugu, zëvendës-komisari a, ç’dreqin ishte, që iu rrokullis kapela me yll e iu ngatërrua nëpër këmbë si mace, si ideologjia e vet, thuaj. Policët me shenja plagësh. Gjysma kokësh të lidhura me fasha, copa krahësh të thyer. Komunikim. Zëri i komisarit donte të ngjante i fortë, i patundur dhe vetë po rrinte drejt si ato tabelat e qitjeve. Batare armësh. Diktatura e proletariatit e shtypi revoltën e armiqve… dhe… gjyqi i popullit…! Heshti. Uli sytë mbi letër, pa syze…!

Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, pasi shqyrtoi dosjen në ngarkim të të pandehurve… na u mor fryma, emra, emra… vendosi këto dënime: Sokol Sokoli, me vdekje, pushkatim; Tom Ndoja, me vdekje, pushkatim… Sokol Progri, me 25 vjet burg, Vllasi Koçi, me 25 vjet burg, Martin Leka me 16 vjet burg, Haxhi Baxhonovski, me 21 vjet burg, Bajram Vuthi, me 15 vjet burg, Ndue Pisha, me 25 vjet burg, Lush Bushgjoka, me 12 vjet burg, Kostandin Gjordeni, me 10 vjet burg, Lazër Shkëmbi, me 12 vjet burg dhe Hysen Tabaku, me 11 vjet burg. Për të gjithë vuajtja e dënimit fillonte më 22 maj… po e të pushkatuarve? E Sandër Sokoli… me kokën që i varej supeve, e hodhën mbi të tjerët në makinë, kufomë, kockathyer dhe të lidhur… firmat e tre gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, Pukë, më 3.06…!

Në Spaç ridënuan mbi 100 veta. Ditët e fitimit u hiqen. Nuk u quhen më. Po s’janë ditë, janë jetë…! Koha s’është jona, por jashtë nesh si sendet… e grabitura. I vranë… Të gjithë të burgosurit i lidhën me zinxhirë dy e nga dy dhe i ulën përdhe. Dënuan me pushkatim dhe qenin e burgut, sepse mori hapur anën e të burgosurve, jo vetëm që u lehte policëve, por u hidhej te këmbët, i kafshonte. Dhe iu bë gjyq i vërtetë. A nuk i ngjan burgu ynë një koloseu natyral, – po thoshte Gëzim Çela, -shkallët zbresin me vërtik teposhtë, nën ato shkallë janë zgafellat e galerive të zeza.

Rrokullisen shkallët dhe ndalen në arenë, sheshet e rrethuara me tela me gjemba. Muret e këtij koloseu ngjiten përpjetë…! Asgjë s’po dëgjoja dot. Breshëri plumbash gjëmonin dhe mbulonin zërat. Dhe duartrokitjet e stuhishme, brohoritjet për Partinë dhe shokun Enver, nëpër salla kinemaje, kur gjyqtari jepte vendimin e dënimit, me pushkatim… binte dhé mbi supet e mia. Pas murit ranë dhe një herë miqtë e mi të vrarë, trinia llahtarisht e shenjtë e kokëve të tyre me rrëke gjaku dhe vargu i skllevërve, i të lidhurve me zinxhirë, të porsadënuar…!

Në revoltën e Spaçit pushkatuan katër: Pal Zefin, Skënder Dajën, Dervish Bejkon, Hajri Pashain. Duke konfiskuar pjesën e tyre, nga pasuria në familje. Çfarë, karriget, lugët? Dhe me heqjen e së drejtës elektorale 5 vjet pas dënimit. Pas vdekjes? E tmerrshme, cinike. Ngaqë votuesit këtu janë të vdekur…! Ballë për ballë ishin vënë dëshira për jetë dhe etja për krim, rënkonte Shefqet Gjana. Shih në qiell Arushën e Madhe, si dridhet, janë shpirtrat e tyre, katër të pushkatuarit e Spaçit dhe tre të Qafë-Barit.

Po flisnim me vete. Jo, me të vrarët tanë… në shqipen e vjetër, me kumte të lashta, zjarre, britma, shenja të tjera, tym. Shpesh njeriu e ushqen vetë robërinë e vet. Po ne e thyem teknologjinë e saj dhe pamë se këtu ka lëndë të lirisë. Kjo është fitorja dhe jo vetëm jona. Nën batanije dëgjoheshin mërmërima, lutje të burgosura Zotit, përsëriteshin lutjet, Bibla, Kurani, përziheshin gjuhët, Babilonia nën batanije burgu, kurse kafka e një polici e ngulur mbi një hu, me dhëmbët jashtë, zgërdhihej në errësirë…!

DHE DËNIMI I BURGUT

Pastaj u dha dënimi dhe për vetë vendin e vuajtjes së dënimit, burgun! Ashtu siç qe dënuar dhe Spaçi pas revoltës. E ç’do të bëjnë, do të burgoset dhe burgu? Si? Çfarë, do të shembin ngrehinat, shkallët, do të përmbysin fjetoret? Nëse më thua se do të shtojnë dhunën, asaj s’ke ç’i shton më. Burg i dënuar, çudi! Truallin e tij mos do ta mbushin me tela me gjemba e, do të kalojmë çdo ditë mbi to, zbathur, kur të shkojmë në punë, që do të jetë bërë edhe më e rëndë? Të dënuar malet përreth, uji, ajri.

Gjithçka do të jetë më keq, edhe e keqja. Që nga ushqimi, do të pakësohen kaloritë, megjithëse pak ishin, por familjeve do t’u vënë rregulla, për të mos sjellë gjë më dhe takimet sa më të rralla, dy herë në vit, mbase. Edhe letrat. Mund ta heqin televizorin – mirë do të bëjnë – dhe leximin e librave të Enverit, jo atë do ta shtojnë. S’do të lejohen ecejaket, do t’i largojnë familjet përreth, s’do të ketë më grua të bukur matanë telave me gjemba, s’do…!

I dënuar në një burg të dënuar

Ku di unë tjetër? Diktatura s’ngopet, më keq se në kohërat e vjetra, kur kishte dhe besëtytni, por, të jesh ateist, të mos besosh në asgjë dhe të dënosh edhe kalin e zëvendësministrit tënd të Mbrojtjes pas pushkatimit të tij, ta çosh kafshën e gjorë në komunale, në Kukës, të tërheqë karrocën e plehrave, dhe çfarë kali, i bardhë, mbretëror fare, e kërkoi Kinostudioja për xhirime filmash, në asnjë mënyrë, është kalë me biografi të keqe, thanë. Po pse, veturën e zezë të vetë ministrit të Mbrojtjes, pasi e pushkatuan dhe atë, e çuan në Ersekë. E di ç’i bënë?

E prenë gjysmën e veturës dhe i salduan pas një kazan të madh, e shndërruan në furgon për zarzavatet dhe shoferi s’e lante kurrë makinën, kishte frikë ta fërkonte me ujë. Dhe ngjante si një hibrid përbindëshi. Ashtu, vërtet? Dhe rrezik se qoftë ministri e zëvendësministri i tij – si quhen? Beqir Balluku e Petrit Dume – do të kujtohen nga kali i bardhë që dënuan, dhe vetura e zezë, që e bënë si mos më keq. Vrapojnë varret e paemra… skeletet me pranga të pakalbura…! Ushqimit i hidhej helm i butë…!…Me synim pasojën e vdekjes së ngadaltë… sodë sapuni… helm ordinerësh…!

“…Ushqimi jepej i cilësisë së dobët, krejt jashtë çdo standardi ose cilësie…! Në fund të fundit, kur edhe për repartet ushtarake, restorantet ose popullatën, ishte copë – copë. Por ajo që është e pafalshme, me përmasa kriminale, gjenocidiste, madje është mënyra sistematike e helmimit që është përdorur ndaj të burgosurve… që çonte në dobësim e më pas në vdekje të…!

Dhe, të mendosh që kjo bëhej paralelisht me punën e rëndë që të dënuarit kryenin, me dhunën e përditshme që merrnin si dhe me izolimet e shumta, është vërtet e dhimbshme…! Në një raport të datës 27 gusht… pranohej nga komanda e burgut se ishin ankuar për toksikime… Dhembje barku e të vjella shoqëronin jetën e përditshme të të burgosurve…”!

AKUZA E PROKURORISË

Në dosjen e revoltës së Qafë-Barit: “Qëllimi i kryerjes së kësaj vepre, ka qenë që me anë të hapjes së veprimeve, shpërthimit të galerive, të realizonin arratisjen në mënyrë më të organizuar. Veprat penale të kryera nga të pandehurit paraqesin rrezikshmëri të theksuar shoqërore kundër rendit shoqëror socialist dhe shtetit të diktaturës së proletariatit…”!

“Të dënuarit e kampit të Qafës së Barit, Sokol Zef Sokoli, Sokol Zef Progri, Tom Kol Ndoja, Lush Prel Bushgjoka, Haxhi Shefqet Baxhinovski, Vllasi Llambi Koçi, Kostandin Sotir Gjordeni, Bajram Islam Vuthi, Martin Sokol Leka, Lazër Zef Shkëmbi, Hysen Halil Tabaku dhe Ndue Martin Pisha, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kryer veprën penale të terrorit kundër përfaqësuesit të shtetit, parashikuar nga neni 50/1 e 13 Kodit Penal…!

…I pandehuri Haxhi Baxhinovski shpjegon veprimet që ka kryer: Kur instruktori politik më pa thikën që mbaja në dorë, me tha ta dorëzoja atë, por unë nuk pranova dhe me të në dorë, e sulmova duke e qëlluar në bark. Nuk e di nëse e thera apo jo.…?! Vetëm kur dëgjuan krismat e plumbave të pushkëve, të pandehurit ndien frikën dhe forcën e madhe të diktaturës së proletariatit dhe filluan të tërhiqen…!

PUSHKATIMI

…Të dy të rinj… moshatar me ta jam… nuk flas dot… s’më lënë lotët… i morën nga qelia, natën, të lidhur…! Dhe s’dihet ku i çuan, ku i vranë…! Proces-verbali është nënshkruar nga gjashtë veta…! Përbërja e komisionit të caktuar për zbatimin e vendimit të Gjykatës së Lartë… me 60 karikatorë kallashnikovi… nën drejtimin e shefit të policisë së rrethit….! Skeda më dridhej në dorë:

Sokol Sokoli, i biri i Zefit, datëlindja 1952, nga fshati Gërni i rrethit Tropojë, i dënuar me vendim Nr. 3 datë 3.6.1984 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë me vdekje (Pushkatim), mbasi Presidiumi i Kuvendit Popullor me shkresën Nr.888, datë 7.6.1984 nuk i fali jetën. Tom Ndoja, i biri i Kolës, i datëlindjes 1952, lindur e banues në Kllogjen të rrethit Shkodër, dënuar me vendim Nr.3 datë 3.6.1984 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë me vdekje (Pushkatim), mbasi Presidiumi i Kuvendit Popullor me shkresën Nr. 888, datë 7.6.1984 nuk i fali jetën…!

Mbi dokument janë shënuar me dorë rënkimet e fundit të të dy të dënuarve, pas mesnatës së 9 qershorit, para skuadrës së pushkatimit. Po kush i ka shkruar, pushkatarët? Ja: Para ekzekutimit, të dënuarit Sokol Sokoli, iu komunikua se nuk i falej jeta dhe në fjalën e fundit ai tha: “Mos më vrisni mbrapa. Gropën e hap vet. Presidiumi i Kuvendit Popullor mirë ka ba. Nuk i kemi ba gja kujt”! I dënuari Tomë Ndoja, në fjalën e fundit tha: “Të rrojë drejtësia!” Në fund firmat… 30 rreshta, një faqe gjithsej…!

MASAKRA E SYVE…!

…Shkresa që urdhëronte ekzekutimin e Sokol Sokolit dhe Tom Ndojës, nënshkruar nga ministri Hekuran Isai, 8 qershor 1984, në anë kishte një shënim… e pabesueshme… të drejtorit të Drejtorisë së Zbatim-Vendimeve Penale: “Me porosi të shokut ministër, dy të dënuarve që do të pushkatohen, sytë e tyre t’u jepen Ministrisë së Shëndetësisë për punë shkencore”.

Çfarë?! E lexova prapë. Tmerr! Vura duart mbi ballë si për të mbrojtur sytë nga një shkulje mizore. Ekzekutimi është bërë më 9 qershor, ora 24:00… pa togë pushkatimi, e kanë kryer dy persona…! Cilët janë? Po ja, nga ata, të gjithë…! Dhe pastaj u kanë nxjerrë sytë… si?! Me bajonetë?! Horror! Dhe ia kanë çuar ministrit sytë? Ku? Ia kanë lënë mbi tryezë? Po ai a ka trokitur në zyrën e Enverit, për t’ia treguar? Shikonte diktatori? Vërtet ia dhanë Ministrisë së Shëndetësisë, për punë shkencore?! Kriminale, thuaj. Ministritë e vdekjes!…

Apo kanë dashur retinën a ndonjë nerv, që t’ia vendosnin syve të ngrirë të diktatorit? Si, me ç’mjet? Po ku mundin këta! Apo e kanë provuar njëherë. Dhe zgjodhën sy të guximshëm, nga të maleve…! Po në ata sy të vdekur ka qenë revolta, pushkatimi… mos kanë dashur t’i shohin, t’i kalonin në ndonjë mikrofilm a t’i zhduknin fare…? Po më dhembnin sytë…

E ç’nuk kanë bërë këta, kanë prerë këmbë e krahë nëpër tortura, me sharrë, kanë shkulur thonj, dhëmbë, të brendshmet, rropullitë i kanë derdhur, kanë mbuluar njerëz të gjallë me kokën përjashta mbi tokë, fol, i kanë ulërirë, u kanë prerë gjuhën për të mos folur kurrë. Dhe u paskan shkulur sytë të vrarëve. Jo, ua kanë shkulur para pushkatimit. Ej! U duheshin sy të gjallë…! Mos! Po këta e paskan zhbërë njeriun fare! Memorie.al

Çfarë përmbante testamenti i Mid’hat Frashërit! Gjithë pasurinë e tij pas vdekjes ia dhuroi… Kopja qe u la miqve të tij dhe amaneti

NGA KUJTIM NURO*


Mid’hat Frashëri, një nga pasardhësit e familjes së Frashërllinjve, që i ka dhënë aq shumë historisë dhe kulturës sonë kombëtare, do të mbetet një dijetar me një horizont të gjerë intelektual. Dy pasuri të mëdha të kombit shqiptar, Arkivi Qendror i Shtetit dhe Biblioteka Kombëtare, kanë në fondet e tyre, krahas fondeve te tjera arkivore dhe bibliografike edhe trashëgiminë e madhe që ka lënë Mid’hat Frashëri, të krijuar prej tij në vite. Këtë detyrë ndaj kombit, ai filloi ta kryente që në moshën 16 vjeçare. Me entuziazmin dhe guximin e një të riu, që do ta karakterizojë gjithë jetën, pavarësisht moshës, letërkëmbimi i tij për të marrë përgjegjësitë që duhet të ketë çdo shqiptar ndaj kombit do të nisë për të bashkëpunuar me personalitete të shquara të kohës brenda dhe jashtë vendit. I riu 16 vjeçar, Mid’hat Frashëri, letrën e parë do t’ia drejtojë nga kryeqendra e Perandorisë Osmane, Stambolli, Dr. Ibrahim Temos në Rumani. Kjo letër mban datën 24 nëntor 1896. Ai në këtë letër, ndër të tjera, i thekson nevojën e luftës me penë të patriotëve shqiptarë në gazetat e Evropës për të bindur opinionin ndërkombëtar se Shqipëria është gjallë e ka zot dhe të mos lejohet që ajo të bëhet kafshatë e fqinjëve.

Mid’hat Frashëri, duke vlerësuar rëndësinë e madhe të arkivave dhe bibliotekave, të cilat për nga vlera ishin “sa dhe lufta për të mirë të kombit tonë”, bëri kërkime dhe botoi dokumente në gjuhën shqipe dhe të huaj, vetëm e vetëm për të hedhur dritë mbi historinë e trojeve shqiptare. Kujdesi i madh dhe i pandërprerë që ai tregoi ndaj burimeve të shkruara nuk ishte thjeshtë një dëshirë e tij, por ai e shikonte atë si një kërkesë te nevojshme të kohës. Në revistën “Dituria”, ai shkruan se ”askush nuk mund të mohojë lashtësinë e shkrimeve dhe të studimeve shqiptare për një periudhë katërqind vjeçare”. Dhe për këtë, burimet historike duheshin grumbulluar, ruajtur dhe trashëguar brez pas brezi. Ai nënvizon se “nevoja për të ruajtur kujtimet është e pandarë prej nevojës që ndjen njeriu të ruajë mendimet e tij, t’iu japë një formë duke i fiksuar me anë të shkrimit, është pra një e duhur aq ’e inteligjencës sa edhe e sentimentit”. Dokumentet, kujtimet, kronikat, letërkëmbimi privat, janë për Mid’hat Frashërin, burimet bazë për të shkruar historinë e kombit.

Mid’hat Frashëri, ashtu si do të gëzohej, kur do të shkruante për formimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ku do të shkruante se “ishte mbase hera e parë që lulja e kuptimit të kombësisë po zinte rrënjë në shkrepat e Arbërisë”, ashtu ai do të gëzohej dhe për gjetjen e dokumenteve, në bazë të të cilave, do të shkruhej historia e Shqipërisë. “Sa do të ishim të lumtur, – shkruan Mid’hat Frashëri -, sikur të gjenim sot, gjëkundi fshehurë dhe harruarë, karterat e një shtëpije, e një fëmije ose të një katundi, rrëfimin e ngjarjeve të vogla, një shënim për mënyrën e rrojtjes. Sa dritë do të hidhnim mbi errësirën e kohëve të shkuara, ajo dritë qoftë –qoftë edhe shkëndija të vogla. Të gjitha këto burime historike, të marra së bashku, do të përbënin thesarin e pazëvendësueshëm të shqiptarëve”.

Pushtimet e huaja, fatkeqësitë natyrore, moskujdesja sa duhet, kishte bërë që një pjesë e burimeve dokumentare të ishin zhdukur, grabitur, djegur dhe një pjesë shpërndarë sa andej këndej, dhe disave nuk dihej se ku ndodheshin. Mid’hat Frashëri do të ndërmarrë ekspedita të posaçme për t’i gjurmuar se ku ndodhen dhe do t’i prekë ato. Të rëndësishme ndër këto dokumente për historinë dhe kulturën e kombit shqiptar, ai do të veçonte dorëshkrimet shqip me alfabet arab të Hafez Ali Ulqinakut, të cilat i kishte parë në Shkodër, të Sulejman Ramadanit, Hasan Zyko Kamberit dhe Nezim Frakullës. Një pjesë të këtyre dokumenteve, ai kishte parë në vitin 1913 në Berat, në shtëpinë e Sulo Resulit, të priftit të Mirditës, Zarishtit, ndërruar jetë ky i fundit rreth vitit 1780. Kurse liturgjinë e Theodhor Haxhi Filipit e kishte parë në shtëpinë e Lef Nosit, dorëshkrimet e Tush Pinës në Elbasan dhe ato të Gjergj Pekmezit në Vjenë.

Si një burim i rëndësishëm për të shkruar historinë e Shqipërisë , veçanërisht atë të periudhës kur Shqipëria ndodhej nën administrimin e Perandorisë Otomane, Mid’hat Frashëri do të vlerësonte regjistrat e gjykatave të Beratit, Elbasanit, Gjirokastrës, Janinës, Tiranës, Shkodrës, etj. Këto regjistra mbaheshin nga kadiu në çdo sanxhak, sipas ndarjes administrative të kohës dhe janë një enciklopedi, një ditar i hollësishëm për të gjitha ngjarjet politike administrative, demografike, arsimore, kulturore, fetare etj. që ndodhnin në vilajet dhe më gjerë.

Në Arkivin Qendror të Shtetit, deri në ditët e sotme, kanë arritur të plotë vetëm regjistrat e gjykatës së sanxhakut të Beratit, të cilët fillojnë në vitin 1603. Kurse për sanxhakun e Elbasanit janë ruaj tur kopjet e tyre dhe kjo vetëm në saj të kujdesit të Lef Nosit, i cili paguante në mënyrë private një njohës të mirë të turqishtes së vjetër (osmanishtes) për t’i kopjuar ato.

“ Nga pyetjet e mia personale – shkruan Mid’hat Frashëri, kam mësuar se, në Elbasan , të tillë sixhilate (regjistra-K.N.) kanë qenë komplete të pacenuara prej zjarri ose katastrofe tjatre, dhe mbajtur në 64 defterë të mëdhenj, të lidhur me lëkurë”. “Por, vazhdon më poshtë, – mjerisht në luftë të Ballkanit, më 1912, kur okupuan e për ca kohë serbët qytetin, bashkë me arkivat relativisht tëra regjistrat e kadastrës dhe te finances, hupnë edhe të gjitha kartërat e gjykatores sherie”.

“Prandaj, – nënvizon ai – , do të ishte mirë që një autoritet kompetent t’i jepte rëndësi kësaj pike, se çdo njeri që mejtohet pakë dhe që kujdeset për rrojtjen e këtij vendi të mjerë, dëshiron t’i shohë të mbështjella dhe të vihen në rregull ato pak gjëra, që kanë mundur të shpëtojnë nga zjarri dhe nga armiqësia e njerëzvet, të mos lihen nën mëshirën e brejtjeve ose të lagështirës”. Një pjesë e këtyre burimeve historike janë grabitur dhe nga të huajt, për të cilat Mid’hat Frashëri shpresonte se një ditë do t’i kthehen vendit të tij. Ai, gjithashtu, iu jep rëndësi të madhe dhe kërkimeve dhe grumbullimit gjerësisht të dokumenteve për historinë e Shqipërisë në arkivat e vendeve të tjera, veçanërisht në arkivat e Turqisë, Venedikut, Milanos, Raguzës, Vatikanit, Propogandës së Fides, Mbretërisë së Aragones, të Parisit, Londrës, Vjenës, Petërburgut, Athinës, etj

“Meqenëse nga pushtimi i Kostandinopolit e deri më 1912, vendi ynë mbeti i pushtuar nga Perandoria Osmane, çdo ngjarje në këtë perandori ka ndikimin e vet dhe në Shqipëri, kështu që histori e Turqisë, ose më mirë të themi historianët e Turqisë, – vë në dukje ai, – pa dashur dhe tërthorazi janë dhe historianët tanë”.

Duke ndjekur botimet e studiuesve gjermanë lidhur me këtë periudhë ai vëren se historianët gjermanë për historinë e Perandorisë Osmane, Hammeri dhe Zinkeisen në veprat e tyre, kanë vënë shënimet në fund të faqeve, por nuk kanë mundur të hartojnë një bibliografi të dokumenteve në gjuhën turqishte të vjetër (osmanisht). Një burim i rëndësishëm për studiuesit e kësaj periudhe, – thekson Mid’hat Frashëri, – janë letërkëmbimi, vendimet, dekretet, raportet, regjistrat në të cilat shënoheshin aq sa ngjarjet me rëndësi kryesore, po aq dhe faktet, që japin një tablo besnike të jetës së kohës, material aq shumë i çmueshëm sa nuk gjendet dot vend historie, në librat që emërohen me këtë emër, por që kanë rëndësinë e tyre të veçantë si kronikat dhe dokumentet. Stambolli, është për Mid’hat Frashërin, qendra e arkivave të Turqisë, ku ndodhen një numër i madh dokumentesh lidhur me historinë e Shqipërisë. Njëra është godina pranë Bab-i Alisë (Porta e Lartë), – shkruan Mid’hat Frashëri, – me 350.000 akte dhe tjetra në pallatin e vjetër Top-Kapi, me 600.000 akte. Gjithashtu, ai shton se pranë akteve të Portës së Lartë janë dhe arkivat e Divan-I Humajunit (Dekretet Perandorake) me 1592 volume. Nga këto volume, 185 janë vetëm për Rumelinë, ku përfshihet dhe Shqipëria. Krahas këtyre arkivave, janë dhe arkivat kadastrore (Defter-i Hakani), arkivat e financës, të ushtrisë, të shpenzimeve, të gjykatave etj.

Mid’hat Frashëri një rëndësi të madhe iu jep dhe arkivave të Venedikut. Ai shkruan se ato mbushin 400 dhoma të Manastirit Ferari, të plotësuara këto me inventarë dhe katalogë, ku ”këto lëndë gjigantike na premtojnë një prodhim të paçmueshëm, në të cilën çdokush do të gjejë materialin për të ngrehur një godinë gjithnjë të re dhe çdo ditë me madhështi”. Arkivat e Venedikut janë hulumtuar lidhur me historinë e Shqipërisë nga studiues të huaj të shumtë, veçanërisht gjatë viteve 1812- 1875. Ndërmjet tyre që ka hulumtuar arkivat e Venedikut është dhe emri i dijetares shqiptare Dora D’Istria. Mid’hat Frashëri është një njohës i hollësishëm dhe i arkivit të Manastirit të Ferarit. Në Manastirin e Ferarit kanë shërbyer një numër klerikësh me origjinë shqiptare dhe mendohet se ata aty kanë ruajtur dhe një numër jo të vogël librash, fotografi dhe dokumente të vjetra në gjuhën shqipe. Mid’hat Frashëri jep të dhëna se në manastirin e përmendur më lart ndodhen për Dalmacinë dhe Shqipërinë 1279 regjistra dhe pjesa më e madhe e tyre u përket viteve 1519-1795. Katalogët e tyre përmbajnë rubrikat e klasifikimit: Albania, Butrinti, Korfuz, Durrës, Pragë, More, Prevezë etj.

Vëmendja e Mid’hat Frashërit përqendrohet dhe në hulumtimin dhe grumbullimin e dorëshkrimeve të rralla shqipe. Bibliografinë e hartuar për këto dorëshkrime nga studiuesi francez Mario Roque dhe albanologu Nikolla Jorga, ai nuk e konsideron të përfunduar dhe të plotë. Duke u mbështetur në hulumtimet e tij, monumentet letrare dhe historike të shkruara në gjuhën shqipe në qytetet e Shqipërisë dhe jashtë saj arrijnë numrin 400, pa llogaritur gazetat, të cilat kapërcejnë të 90-ta dhe 100-tat.

Me mjaft vlerë për Historinë e Shqipërisë, ai përfshin dhe dokumentet e kishave, xhamive dhe të teqeve, të cilat e kanë pasur traditë ruajtjen e tyre.

Gjithashtu, Mid’hat Frasheri, duke parë punën e vazhdueshme dhe këmbëngulëse të At Shtjefën Gjeçovit në grumbullimin dhe ruajtjen e thesareve të kombit shqiptar, më 25 tetor 1922, i shkruan për formimin e një shoqërie, e cila do të kishte si detyrë të mblidhte dokumentet për këtë ngjarje. Por, krahas dokumenteve, Mit’hat Frasheri punoi pa ndërprerje edhe për grumbullimin e librave, të cilët shkruanin për Historinë e Shqipërisë.

Libraria e Mid’hat Frashërit, duke qenë mjaft e pasur, pasuronte vazhdimisht edhe Bibliotekën Kombëtare . Vetëm gjatë viteve 1929-1930, kjo bibliotekë mori nga libraria e Mid’hat Frashërit 1127 libra. Në vitin 1937 kjo librari numëronte 6000-7000 libra. Kurse gjithsej, numri i librave të bibliotekës dhe i librarisë së tij, arrinte numrin 18.000, duke përbërë kështu dhe bazën e Antikuarit dhe të Albanologjisë së Bibliotekës Kombëtare mbas sekuestrimit që i bëri regjimi diktatorial. Ekziston dhe një mendim tjetër, se numri i librave të Mid’hat Frashërit arrinte në 40.000. Biblioteka e këtij dijetari, nuk ishte thjesht personale. Ajo ishte e hapur dhe për lexues të tjerë, veçanërisht për nxënësit, të cilët nuk kishin mundësi financiare të blinin libra. Dhe Mid’hat Frashëri i lejonte këta nxënës t’i merrnin këto libra jashtë bibliotekës dhe t’i lexonin në shtëpitë e tyre. Ai, duke treguar një kujdes të posaçëm për ruajtjen e librave, vinte shpallje përpara bibliotekës dhe u dërgonte njoftime shkollave për t’i porositur nxënësit, që kur të merrnin librat dhe katalogët, t’i mbanin pastër dhe të mos i grisnin.

Më 4 prill 1929, Mid’hat Frashëri do të shkojë në Noterinë e Gjykatës së Shkallës së Parë të Tiranës, ku do të nënshkruajë testamentin me nr.163. Me këtë testament, gjithë pasurinë e tij mbas vdekjes ia dhuronte kombit shqiptar. Kopjen e këtij testamenti ai ua dorëzoi dhe bashkëkohësve të tij, tek të cilët kishte besim, të cilët ishin: Njazi Tirana, Sotir Kolea, Dhimitër Berati, Et’hem Fuad Frashëri dhe babai i Teqesë së Frashërit. Mid’hat Frashëri, nëpërmjet këtij testamenti, gjithë pasurinë e tundshme dhe të patundshme, librat, mobiliet i linte për krijimin e një Instituti Albanologjik, të një qendre shkencore për studiuesit shqiptarë, në të cilin do të kryenin studimet e tyre për Historinë e Shqipërisë. Gjithashtu, në këtë testament ai kërkon që biblioteka e tij private të ruhej e plotë, ashtu si i kishte mbetur e trashëguar nga i ati, Abdyl Frashëri dhe të afërmit.

Kurse me shumën e të hollave që ai do të kishte në shtëpi, në ndonjë bankë ose hua, duke i shtuar dhe shumën që do të merrej nga shitja e librave duhet të përdoreshin, gjithashtu, për ngritjen e Institutit Albanologjik. Mid’hat Frashëri, kërkonte njëkohësisht që ky Institut të ishte larg çdo godine tjetër dhe të mos kishte rrezik zjarri. Librave të bibliotekës së tij dëshironte që t’iu vihej vula me nënshkrimin ”Biblioteka Lumo Skëndo, 1897″. Një skicë e vulës ishte përgatitur nga Eshref Frashëri. Personave të lartpërmendur, të cilëve u kishte dhënë kopjen e testamentit, i kishte ngarkuar për ta zbatuar atë dhe për të ngritur Institutin Albanologjik. Në qoftë se ndonjëri do të mungonte, në kohën kur Mid’hat Frashëri do të kishte ndërruar jetë, do të zëvendësohej nga Athanas Shundi, farmacist në Tiranë, dhe Hasan Toptani, biri i Murat Toptanit. Testamentin e tij ai e përfundon duke shkruar këto fjalë: “Nuk di ku do të vendoset Instituti, po, në qoftë se goditet pakëz jashtë qytetit do të donja varri im të jetë në një cep të kopshtit, më të mëngjër, duke hyrë nga porta e rrugës. Mbi këtë varr dua një copë gur të madh dhe një qiparis. Më duket sikur do të jem ruajtësi i Institutit, sikur do të marr edhe unë një pjesë pasjetore në gjallimin e tij”./Gazeta Panorama 

KUSH  MENDOI  PER  SHQIPNI ?!- Nga Fritz RADOVANI (Pjesa I)

 

2 QERSHOR 1985

 

PLOT 40 VJET…Presidenti Ronald REAGAN me 2 Qershor 1985, në Shtëpinë e Bardhë, i dorëzon Nanë Terezës “Medaljen e Lirisë”.

Në vitin 1985 kujtoj një dishka shumë interesante për një President të ShBA, që kam pa në TV. U tregue sesi atëditë Presidenti Reagan dhe zonja e Tij Nensy kishin pritë në shtëpinë e tyne të pushimit Nanë Terezen. Ishte momenti kur Nanë Tereza po delte nga rezidenca e Tij… Erdhi një veturë tek dera e shtëpisë, që kishte dy tri kambë shkalla. Presidenti i dha dorën Nanë Terezës dhe zbriti ato dy kambë shkallë, hapi derën e mbapme të veturës dhe me dorë në dorezën e derës priti derisa zonja Nensy, po perfundonte përshndetjen me Nanë Terezen. Kur Nanë Tereza u nda dhe arriti tek dera e veturës, dera vazhdonte me kenë prap e mbajtun nga Presidenti Reagan, trupi i madh i të cilit ishte përkulë në shenjë nderimi ndaj Shqiptarës Nanë Tereza.., dhe me një buzqeshje të Tij sa dashamirëse aq edhe të sinqertë, i bani nderimin e fundit tue i mbyllë derën dhe tue qendrue gatitu derisa makina iku dhe nuk u pa ma…

Jam i sigurt se Presidenti Reagan në mbrendsinë e vet ndryente dishka misterioze

“Perandoria e së keqes” shkatrrohet simbas porosisë së Presidentit të ri: “Me mediat e lira, shoqni civile, partitë politike dhe intelektuali i mirfilltë. Fjala e Tij historike mbyllej: “Le të nisim përpjekjen finale drejt ma së mirës: Kryqëzatën për Liri”.

Popujt e dikurshëm të Europës plakë mendonin vetëm dy fjalë: “Bukë e Frikë”!

Vetëm Presidenti Ronald Reagan asht Ai Burrë që arriti me njohë të fshehtat e diktaturës komuniste; ishte Ai që mendoi që në vitin 1956 kur ishte artist në Holivud, për Lirinë e këtyne vendeve që ishin nën atë diktaturë barbare e shfarosëse të njerzimit, tue formue “Shoqninë për Lirinë e vendeve të robnueme nga diktatura komuniste”.

Historia e Presidentave amerikanë të mbas Luftës së Dytë ka dy ngjarje të ngjashme dhe shumë interesante, që përkojnë njena me tjetrën. Presidenti i madh Xhon Kenedi, porsa rrezikoi ekzistencen e komunizmit e filloi hapat për eleminimin e tij, me 22 Nandor 1963, vritet me atentat. Historia vazhdon rrugën e saj e nënshkrueme nga Rusvelti në 1945.

Presidenti Reagan, porsa merr postin e Presidentit amerikan me 20 Janar 1981, i 40 –ti i ShBA, plot 69 ditë mbrapa u gjuejt me gjashtë plumba dhe mori një plagë mjaft të randë. Ai shpëtoi për mbrekulli. Mbas pak ditësh ishte në Shtëpinë e Bardhë, në tavolinën e punës… Fëtyra e Tij e zverdhun buzëqeshi …

Bota e marrakotun nga atentati gëzon!

Kjo ngjau pikërisht me dy Presidentët që rrezikonin kenjen e komunizmit në Botë. Ishin dy Presidentët amerikan që nuk u pajtuen asnjëherë me robnimin komunist të Jaltës…E ndoshta, nder të paktit!

            Vazhdon Pjesa e II.

            Melbourne, 4 Prill 2025.

Ana e panjohur e Revoltës së Qafë-Barit: Nga dritarja e komandës një oficer qëlloi me revolver në drejtim të të burgosurve!

Njëri prej tyre ndali, u ul më gjunjë dhe pa gjakun e vet…

Filloi paraditen e një dite pa emër, pse pa emër, ishte 22 maj dhe quhet “Dita e revoltës së të burgosurve të Qafë-Barit? – po ja, ngaqë ditët në burg janë tepër njëlloj, si uniformat e burgut, me vija, ditët kështu, netët si uniformat e zeza të policëve. Brenda telave me gjemba dukej sikur kishte shenjtorë të sfilitur dhe djaj të marrosur. Brigadat e natës, ndërresa e tretë e të burgosurve, qenë kthyer nga puna, kishin 2-3 orë që prisnin në këmbë dhe s’jepej urdhri të shkonin në fjetore. Gjysma flinte në këmbë. Mbështetur te muri, te shoku, te shkallët, tek telat me gjemba. Vurrata të zeza nëpër fytyra, o nga të palarët, o prej tmerrit që shihnin në atë copëz ëndërr.

 

-“Çfarë ka ndodhur, pse na mbajnë? Dy Nduet, Pisha dhe Nikolla, nuk kanë realizuar normën”. -“Po pse”?! – “S’kishte material dhe s’duan të kthehen të minierë, po kundërshtojnë”. E kishin gërryer materialin me lopatë, “asgja s’ka mbetun, s’lamë kokërr minerali, dyshemeja ngjan si e fshime, s’ka ma, doli dhé”! “Jo, – bërtiste policia, – duhet të ktheheni. Urdhër i komandës. Prapë në ndërresën e parë”! “S’kemi pse kthehemi, – këmbëngulnin të burgosurit. – Jemi të lodhur, duam të flemë, të vdesim”! -“S’ju lëmë të vdisni pa bërë normën”! “Në darkë prapë”. “Jo, tani”! “S’ka material, mor zotni, s’ishte faji ynë”! “Po i kujt, yni”? – bërtisnin policët.

“Po i kujt? Juaji”! – ia kthenin të burgosurit.

Fytyrë më fytyrë. Kthetër më kthetër. U avitën dy Sokolat, ai me mbiemrin Sokoli prapë dhe Progri. Çfarë doni? Ju çfarë doni? Normën! S’ka. Po plas më duket. Erdhën Tom Ndoja, Martin Leka, Kostandin Gjordeni, Lush Bushgjoka. Të tjerë pas tyre. Po aty ishim. Ikni. Ikni ju. Shtrëngim dhëmbësh, nofullash. Uli duart…!

Bamb një hekur – kumboi kafka? – me një hekur nisi revolta e Spaçit, e rrëmbeu një i burgosur dhe doli nga birucat. Po i binin çangës, për t’u mbledhur të gjithë në mensë. Shqeva sytë mbi çangën, sikur të mos e kisha parë kurrë, një predhë topi e varur. Bosh është apo ka eksploziv brenda, mund të shpërthejë, kur, kur? Pse po na mbyllin? Mos duan të rrahin në praninë e të gjithëve ata që kundërshtuan? – “Po vunë dorë, do t’u përgjigjemi”, – mërmëriti dikush pranë meje. – Gati jemi. Atë që do ta bënim më vonë, ta bëjmë tani…”!

U drodha i tëri. Të jetë themeluar vërtet parti në burg? Si…gur…isht… Çfarë do të bënim më vonë, kryengritje? Vdekjen, vdekjen. Po shtoheshin policët. Dyndjet e tyre të zeza si shpesh po i shihnim këto kohët e fundit. Vazhdonte futja jonë një nga një në mensë. Një si kënetë e ngritur lart në qiell. Ajo e ferrit, e tharë, plot me skelete të burgosurish. Si shi do të bjerë mbi ne pluhur kockash, do të bien eshtra nga lart, vetëtima të plakura, kafka…!

Mbështeta bërrylat mbi siprinën e pistë të tryezës së gjatë, ende e pafshirë, thërrime buke të ndërresës së parë, lëngje të derdhura, copa kocke. Edhe tryezat e tjera po ashtu. Miza të mëdha, të zeza endeshin me zukatje aspak bezdisëse. Përkundrazi, na nanurisnin vëmendjen nga ajo që do të ndodhte e, s’dihej ç’ishte. Mjafton që jemi bashkë, të gjithë.

U futën nja 10-15 policë. U përhapën në krye. Pastaj u futën policë të tjerë me të burgosur të tjerë me pranga në duar, ose të lidhur me tel, veshur me leckat e punës, me fytyra të nxira, aq sa s’njiheshin. Ata…! Ra heshtje barbare, e cila u ça kur hyri brenda oficeri i rojës. Si zakonisht, nuk përshëndeti, s’kishte pse.

“Ce s’e betë normën (j) uve, të dënuar? Ë, ce? Ce na hapni punë pa punë, apo s’u rri bytha rehat uve? Me uve po flas. Këtu ju mbajmë për punë dhe jo për istorira. Në galeri, marrsh, kush të dëgjojë emrin! Maskarenj, pisa”!

“Pisat e sat ëme”, – mërmëriti një zë pas meje. Zëri i oficerit të rojës binte erë groshë ushtrie, të djegura, përzier me dhjamë derri e partishmëri idiote komuniste. – “Ce, ë”? – pyeste, pa e pasur mendjen te pyetja. Sikur shkulte gozhdë të ndryshkura me sqepar, ngjirnin ato “ce”-të e tij të fëlliqura. Pu, sa fjalor i paktë, shumica fjalë banale, me dialekt Jugu e Veriu.

U bë gati të përgjigjej andej nga kreu një i burgosur nofull-shtrënguar, i lidhur me tel, prandaj dhe i spikaste vertikaliteti i leckosur. “Mos fol, – iu hakërrua polici. – Po flet oficeri i rojës. Je dhe përsëritës”! “Në çfarë”? – pyeti gjëmshëm i burgosuri. “Në faj. Në krim, – bërtiti oficeri i rojës. – Kush e hodhi dyshekun e shtetit nga dritarja, ushtari im apo ti, armiku”? Kashtë heshtjeje u përhap nëpër ajër. Oficer “Ce”-ja tha: “Zbatoni porosinë, veproni”! Goja iu hap dhe iu mbyll si të ishte lyer me graso armësh.

Policët lëvizën. Filloi rrahja. Përballë nesh. Të burgosurit e lidhur mundoheshin t’u shmangeshin goditjeve, mënjanoheshin, por shkelmi me çizme, sa të mëdha, staliniste, ua dërrmonte kërcinjtë e zhveshur, uleshin pak sa për vetëmbrojtje, por grushti s’kuptohej nga vinte, rënkime, gjak. Paloseshin më dysh për të pakësuar vetveten, por grushte të shumta, shkopinj gome binin mbi ta, derisa binin edhe vetë mbi dysheme.

“U-u-u-u-u-u-u-u-u”, – u ngrit një ulërimë e kudoshme. U kreshpërua. Hera e parë që e ngrinim zërin së bashku. Qenkësh i fortë. Policët e lanë për një hop spektaklin e tyre barbar, sikur djalli t’ua kishte ndërprerë korrentin. Oficeri i rojës urdhëroi: vazhdoni, le të hungërijnë armiqtë! Rrahja rinisi më me zell e zërat tanë të përzier buçitën: “Eeeeejjjj, ç’bëëëëëniiiii”?! Po na jepte kurajë britma jonë, po i besonim asaj.

– “Mjaaaft, s’keni tuuuurp”? – thirrën zërat më të guximshëm. “Kri-mi-ne-lë! Hapu, – dëgjova një gulç pranë, – çohuni”! Stoli i gjatë u shkul, u ngrit lart, u shty dorë më dorë dhe hop u hodh drejt e mbi kokët e policëve duke dërrmuar ç’gjeti përpara, kapela me yll, qafa e shpatulla, tabela, xhama. Grupi ushtarak s’pati kohë ta mblidhte veten.

Oficeri i rojës u pataks i pari dhe tregoi me gisht nga salla që po dallgëzohej. Policët u vërsulën mbi rreshtat e parë, që të goditnin, por u goditën ata nga stola të tjerë, me fshesa e pjata. Kjo po ndodhte në krye.

Të burgosurit nga fundi hipën mbi tryeza për të parë ç’bëhej. Pluhur, britma dhe shqyerje dërrasash, pastaj krahësh. Të guximshëm të tjerë, më të krisurit, po çanin përpara, duke hipur mbi kurrize e kokë, drejt betejës. Një tryezë u ngrit lart dhe u hodh me rrapëllimë andej ku policët dhe oficeri i rojës nuk po iknin dot. Të tjera tryeza u ngritën havadan. Dera qe bllokuar nga të burgosur.

Po fluturonin stola si zhgaba druri, rrapëllima, thyerje xhamash. Sportelet, ai i bukës dhe i supës, hapeshin, ndonjë nga kuzhinierët zgjaste kokën për këtej, ia shkulnin skufjen e bardhë ose garuzhdën, pastaj tjetërkush ia mbyllte me tërsëllëm sportelin nga brenda. “Mos shiko, – u ndie një çjerrje, – ç’të duhet të dalësh dëshmitar?” Gota të mbetura alumini, pjata të tjera, sende të pakuptueshme vërviteshin sa andej-këndej në ajër, përplaseshin mureve sikur një shtrëngatë burgu të qe marrosur, as ikte e as pushonte. Epilepsi.

Krrrraaaaauuuu bënin mes zhurmave të çliruara të të gjallëve tryezat që shqyheshin. Shumë të burgosur tani ishin me dru në dorë dhe kërkonin të mbërrinin ku ishte përleshja më e madhe, shtyhuni, hapu, s’e kam me ty, por me diktaturën, të hidheshin mbi policët, që s’po dinin si të mbroheshin. Qëlloheshin nga të gjitha anët, thërrisnin “mos”!

Oficeri i rojës, ndërsa përpiqej i tulatur të zbuste gjendjen, po e acaronte më tepër. “Hiquani prangat bashkëvuajtësve, ku i latë çelësat, kriminelë”?! Mensa ngjante tepër e vogël për betejën. Të gjithë pengonin njëri-tjetrin. Po të hapje krahun për të goditur dikë, ushtarak natyrisht, do të godisje një tjetër, të burgosur. – “Shqyjeni derën, shtyhuni”, palli një zë. – “Të dalim jashtë dhe të na shohin kush jemi”!

Dera u përmbys e, duke shkelur mbi të, u turrën jashtë policë e të burgosur. Një patericë vringëllinte anekënd. –“Shih, shih, Haxhi Baxhinovski, Bajram Vuthi me leva, ku i gjetën? Po thikat? Janë të mensës. Ia nguli në bark”? “Kujt? Of-icerit…”?! Lazër Shkambi rrokulliste parvazin e një dritareje. “Eviva”! – thirri Vllas Koçi, – “Poshtë Partia e këtyre”! Nëpër këmbë kapela ushtarake me yll të kuq e oficerit të rojës. Rrekej ta merrte, desh ra edhe vetë dhe se kush e nxori nga këmbët e të burgosurve për të mos e shkelur, Petriti m’u duk, e ka nga fshati maskaranë, se kush klithi.

Oficeri i rojës, i çoroditur, s’po kuptonte pse urdhrat e tij s’kishin më vlerë, nuk zbatoheshin, përkundrazi. “Si është e mundur? Ç’po ndodh?! Mosni, – kuisi, – ka pasoja të rënda kjoooo-oh”! Dhe u prapsua teksa shihte të burgosur që hidheshin mbi policët, e të burgosur të tjerë, që mundoheshin të përmbanin shokët e tyre. Po priste i pataksur të hidheshin edhe mbi të, u nëpërmend që revolver s’kishte. Pse s’lejohej ta kishte me vete mes të burgosurve? Veç këllëfi i tij bosh i varej mbi brez pa kuptim.

Më mirë, se do t’ia kishin rrëmbyer armiqtë. Po ç’të bëj? Të rri, të iki, po nga? Ku? Dolën në oborr kacafytje të tjera, të filluara që brenda, vazhdonin me kollotumba e rrapëllimë. Në sallë, pa lëvizur, i vetmuar, po rrinte vetëm Zoi i Myzeqesë. “S’dal, – thoshte, – pa u dhënë urdhri. S’i shkel rregullat unë. Jam kundërshtar si Sokrati. Këtu do të rri, një orë, dy ditë, një javë, derisa të vijë urdhri”. E ngrinte zërin që të kishte dëshmitarë, se kishte thënë pikërisht kështu gjatë gjullurdisë. Punonte te motorët e ajrit, vend pëllumbash për në burg. Pupla në ajër, shkrofëtima.

Oficerit të rojës iu qas një bashkëfshatar i burgosur. – “Çdo ai, ka ndonjë hakmarrje për të kryer”? “Ik, – i tha, – mbathja, shpëto kokën! Nuk e kupton? Kryengritje! S’dihet ku do të dalë. Ik, të thashë…”!? Një urdhër priste, nga kushdo qoftë që ta zbatonte menjëherë. Oficeri i rojës nxitoi nëpër shtegun e thurur me tela me gjemba, më i madh iu duk vetja, u ngut drejt portës, që të nxirrte te dalja në ballë të komandës.

Ndjeu të thirrura, poshtë komunizmi, iu bë se dëgjoi fare afër, s’e paskan me mua, iu duk se mendoi, bo-bo, mori thellë kjo punë, iu duk sikur mendoi prapë mbi mendimin e mëparshëm dhe gurë, shumë gurë mbas shpine, ku u gjetën gurët? – ç’pastrim i keq kështu, iu bë se po e ndiqnin hapa të tjerë, ndoshta policët e tij, mos ishin të burgosurit? – Mos po donin ta kapnin rob, ta mbanin peng, ta linçonin…? – dhe ia dha vrapit me ulërima për t’i dhënë kurajë vetes.

Do të përgjigjej që e la kapelën me yll të kuq, në dorë të armikut. Por s’kthehej dot më. Vërtet po e ndiqnin armiqtë, por ushtari te kulla sipër portës zbrazi automatikun. Ku, ku? Në ajër, pse? Por nga dritarja poshtë e komandës, një tjetër oficer qëlloi me revolver në drejtim të të burgosurve. Njëri prej tyre ndali, u ul më gjunjë dhe vuri dorën mbi shpatull afër qafës. Aty ku i përvëloi. Pa gjakun e vet midis gishtave, s’ndiej ndonjë dhembje të madhe, tha, s’është gjë vdekja, oh!

Plumbi për fat nuk i qe futur thellë në mish. S’duhet të ketë rrezik jete, jo, po thoshin ata që e rrethuan. Rrezik jete apo vdekjeje? Lërmë, shtyhu, të sulmojmë. Kush është plagosur, kush? Ai djali i ri nga Durrësi, Kosta Gjordeni. Një tjetër pranë hoqi këmishën e vet dhe ia vuri mbi të çarën e përgjakur. -“Të dhemb”? – “Jo, më djeg pak”. – “Ta lyejmë me duhan, e ndal gjakun”, tha një malësor dhe shkoqi 4-5 cigare që i kishte dredhur më parë.

– “Mos e lini gjakun të shkojë dëm, ta bëjmë flamur, si në kryengritjen e Spaçit. Pije më mirë, ndonjë i dobët që s’ka gjak”. –“Mjaft, s’është ambulancë këtu, jemi në betejë. Kush do detyra, le të vijë…”! -“Rroftë Flamuri pa yll”! – kishte thirrur Hysen Xhani në Spaç. – “Poshtë qeveria e Tiranës”! – “Ja vdekje, ja liri”! – u dëgjuan thirrje të tjera. – “Nuk punojmë në galeri…”! “Rroftë Bashkimi Europian”! – u ngrit mbi të tjerët zëri i Bedri Çokut. E padëgjuar kjo thirrje, si, po bashkohet Europa, po ne?

-“Ka organizim? Tmerr? P…arti ilegale…”!

Përtej rrethimit, te ndërtesa fshatare e komandës së burgut, shiheshin lëvizje të shqetësuara e dyfishim rojash. Edhe këtej nga ne, brenda telave me gjemba, rrëmuja po qetësohej, ndërkohë dëgjoheshin zëra të alarmuar: “Çdo të bëjmë”? -“T’i mbajmë peng policët? Lirojini robërit, o robër”, se kush thirri.

BASHKIMI I DY REVOLTAVE…!

Policët e mbetur, ashtu të shqyer dhe me vurrata të zeza në fytyrë, pa folur, morën udhën për nga porta e madhe. –“Kush i ka çelësat, kush, t’ua marrim”? –“Jo, jo, as ata s’kanë çelësa, kur futen brenda, por i kanë jashtë te komanda. Të vërsulemi, nuk duroj dot”. Në tarracën e vogël sipër portës u vu edhe një tjetër mitraloz. Tytat e ngrehura për këtej shoqëronin daljen e policëve të fundit. –“Vërtet, s’ka më fare? Çfarë? Policë. Jo, jo…”!

“Të li-rë”!?… Na kapi një ndjenjë e flatërt, mund të fluturonim tani, pa policë, sa bukur, të lirë brenda robërisë sonë, qielli epohej, gati të binte. Shikoi retë. More shikomë nga pas kurrizit, mos po më dalin flatra? Rrëmuja po shqetësohej ndryshe. Pa panik, po as e urtë, herë kalonte andej, herë shpërngulej matanë. Ç’të bëjmë tani? Më të zellshmit, ndezësit e këtij rebelimi, po kërkonin ata të dikurshmit, të mbeturit gjallë nga revolta e Spaçit, rebeluesit e mëdhenj.

-“Ah, ç’revoltë ishte ajo! Ku jeni, pse s’ngjalleni tani? Pse kaq të nemitur? Jo të gjithë, jo”, – kryet e rëndë në heshtje. “Spiro Nasho, fol”! Shihnin me sy si të përqarët dhe enigmatikë. – “Të thashë, jo të gjithë. E dimë ne se çdo të ndodhë”, – dukej sikur thoshin. – “As varrit s’ia rrëfejmë dot, ç’na kanë bërë këta atëherë”. – “Mbushni ujë, le të jetë për çdo rast…” – mërmëriti Spiroja, por kur Napoleoni…! –“O, e di, e di…! Në Spaç derdhnim kazanët me gjellë te këmbët e policëve, si shenjë proteste. Se qeveria, a partia, a ç’dreqin e sundon këtë vend, kundërshtoi Helsinkin, firmosjen e Kartës së Madhe për Bashkimin dhe Sigurimin Europian. E quajti farsë kapitalisto-revizioniste…”!

Natën shkruanim mureve të burgut parulla kundër: “Poshtë komunizmi dhe Enver Hoxha”! “Rroftë liria, Europa, Amerika”! Një kryengritës i ri tundte nga krahët shokët – ngadalë se më shqeve edhe më – të ngremë një barrikadë, thoshte, mbi udhën nga do të vijnë policët dhe oficerët e komandës. –“Të vëmë tryezat e mensës, stolat, dyshekët, barakën e berberit, kazanët e mensës, stendat e emulacionit, bibliotekën të gjithë, trupat tanë”.

Ndodhi ajo që s’do të besohej kurrë. Të burgosurit zbythën një dyndje policësh, donin të hynin në kamp, të paarmatosur ishin; por u plogështuan menjëherë, ndërsa binin mbi ta gurë, pjata, sharje, libra të trashë të Enverit. Policët morën urdhër të prapseshin. Gjendja diku lehtësohej dhe menjëherë rëndohej diku tjetër, si për baraspeshë. Bëheshin dhe zhbëheshin grupe të burgosurish, liria e të cilëve tani dukej sikur kishte përsipër një si rrjetë, tyl të zi… vejushash. –“Poezi do të shkruash ti kështu”? “Ju na i veshët gratë me të zeza”! – u përsërit jehona e kësaj thirrjeje.

Flitej me zë të lartë, na kishte marrë malli për zërat tanë. Ç’shpresë kishte e ç’mund të bëhej? – “Të bëjmë atë që na takon”. – “Çfarë, thuaje”. – “Të çajmë rrethimin, të sulemi tek telat me gjemba. Të gjithëve nuk na vrasin dot…! Ja vdekje, ja liri”! – “Nga erdhi kjo britmë prapë, ç’kryengritës e sollën”? E dija të mbetur nëpër libra, në teatër, në histori e tani buçiti para meje, përbetim i gjallë! – “Ku jemi, në Spaç, në revoltë? Si atje…! Do ta ngremë prapë flamurin”? U gjend dikush që dha një urdhër: “Ti, ti, ti, shkoni me vrap në lavanderi e mensë dhe mbushini me ujë gjithë bidonët, kazanët dhe tenxheret.

T’i kemi gjatë kohës së rrethimit. Do të shkoj dhe unë”,- tha Skënder Tufa, më i riu, por fare i dobët, sa as në galeri nuk duhej ta futnin, ende s’i kishte kaluar të 50 kilet, por ai shtynte vagonë me mua. – “Mezi e kam pritur këtë ditë, prandaj jam dënuar, – tha, – grupi ynë donte të armatoste të burgosurit dhe të sulmonim…! Ata do të presin ujin siç bënë në revoltën e Spaçit, dëgjoheshin zëra. Na lanë pa ujë pesë ditë…! Ti shko merr nën kujdes thikat dhe hanxharët e mensës dhe te berberi, të mos keqpërdoren. Edhe lugët me garuzhdat. Dhe dërrasat e shqyera. Grumbulloni gurë sa të jetë e mundur. Por dhe kurajë. Ia vlen të vdesim si kryengritës, jo si të burgosur…! Di unë ku ka gurë e tulla shumë, shembim murin. Si u bë i plagosuri? Jashtë rrezikut”. Memorie.al Nga Visar ZHITI


Send this to a friend