PJESA E PARE
NOLI SI POET SHQIPTAR
Në një artikull përkujtimor mbi Fan Nolin, shkrimtari e poet Ernest Koliqi, profesor i gjuhës dhe i letërsisë shqipe n’Universitetin e Romës, thotë:
“Si poet, për m’u vû në radhën e Jeronim De Radës, të Naim Frashërit e të Gjergj Fishtës, Ai pajisej me të gjitha kushtet: me frymëzim të fuqishëm, me pregatitje kulturore, me shije letrare të sigurtë, me pasuní e thellësí ndjesísh dhe me nji prirje të vetvetíshme për shprehje të mprehta e të préme.”[1]
Më plotësisht këtë “prirje të vetvetishme për shprehje të mprehta e të préme”, e ka vënë në dukje dhe shprehur mjeshtërisht Mitrush Kuteli (Dhimitër Pasko) në’Vështrimin panoramik’’ të tij, mbi Poetin Fan Noli, ribotuar në Albumin e “Vatrës’’:
“Ç’mund të themi, si përmbledhje, mbi verbin e Fan Nolit? Ja, këto fjalë: Fiziollogjia specifike e vjershës Noliane është jo tuli, po muskla dhe eshtra. Nuk është kontemplativ, pasiv, pritës, po buçitës, sulmonjës, dërmonjës. Vargu i tij nuk është visual, po auditiv. I drejtohet pra veshit, jo syrit. Dhe veshit i drejtohet jo me ondulacione lirike, me shushëllime t’ëmbëla, po me një arsenal bubullimesh e vrungullimesh si një grumbull baruthanash që marrin zjarrë e buçasin njëra më fort se tjatra… Një shtërgatë fjalësh shqiptare ose të shqiptarizuara… ku buçet… ashpërsija Teftane, Krutane dhe Vlonjate, këto kulme heroike të racës Shqiptare.’’2
I prura këto dy të thëna sepse më duket se pasqyrojnë më mirë dhe më saktë karakterin e vjershës noliane. Nuk është epike në sensin e plotë të fjalës vjersha e Nolit; ajo është sulmuese, e vrullëshme,e tmerëshme edhe atje ku duhet të duket, në mos të spikasë, fjala e mëshirëshme dhe e mallëngjyeshme e domosdoshme në gjininë elegjiake. Po kthehem përsëri te Koliqi, për t’ilustruar më mirë këtë pikë. Thotë:
“…Ai na dhuroi trí lirika: Hymnin e Flàmurit, Syrgjyn-vdekur e Shpellën e Dragobís, qi vërviten nalt në qiell të poezís e i rrijnë ngjat vjershave mâ fluturuese të tre poetënve të mëdhenj qi u përmendën sypër (De Rada, Naimi dhe Fishta) … Fytyrat e Luigj Gurakuqit dhe të Bajram Currit dijti t’i gdhêni me premí lapidare në vargje ku çdo fjalë kumbon e shpërthen e mbushun me nji plotní të stërbegatshme ndjesísh e me një peshë madhnore mendimesh…’’3
Në të dyja këto elegji, nuk di t’a shpjegoj pse, na lind në zemër e në shpirt një ndjenjë që është kryekëput në kundërshtim me shuarjen e pasvdekjes së pasioneve dhe ndjesive hakëmarrëse. Me fjalë të tjera: të dy elegjitë marrin frymën e invektivës, e mallkimit për një mizori dhe jo frymën e mallëngjimit ose të së qarës për një hata.
Sidoqoftë, poezinë e Nolit mund t’a analizojmë dhe t’a gjykojmë nga pikëpamja estetike-poetike dhe Nolin vetë nga pikëpamja e vëllimit, sasisë së prodhimit. Në çdo rast nuk mund të mohohet se, megjithëqë ky vëllim nuk është i madh, Noli është një poet antologjik, vjersha e tij është e zgjedhur, të pëlqen e të mahnit si nga cilësia dhe nga vlefta e lartë intriseke e argumentit fisnik të trajtuar (shpirtëror dhe intelektual), si nga mënyra e paraqitjes, e vjershërimit, vargënim i lartësuar në shkallë arti nga mjeshtëria e poetit në përdorimin e ritmit dhe të rimës. Me pak fjalë, vjersha e Nolit është shembëllore në shkallë të parë të çdo antologjie poetike shqipe.
Po citoj përsëri Koliqin, i cili, në “rromanx’’-in e tij Shija e bukës së mbrûme, i vë në gojë Jorgjit, një mjek shqiptar i mërguar këtu n’Amerikë, këto fjalë, kur shfletëzon Albumin e reciton disa vjersha:
“Kurgjâ tjetër mos me i pasë dhurue letrave shqipe Fanoli veç këtyne dy xhevahireve (dy elegjitë për Currin dhe Gurakuqin) të paçmueshme, ka tagër me pasun mirnjohjen e përjetëshme të Shqiptarve.’’4
NOLI SI POET PERKTHYES
“Korbi” i Edgar Allan Poe
“Veprimtarija e tij (e Nolit) letrare si shqipëronjës mbetet një nga kontributat e tij më të vlefshme në letrat e Shqipes”, thotë Kuteli,5 dhe në vazhdim të kësaj thënie unë mendoj se dy shembëllat më të shkëlqyeshme të Nolit si poet përkthyes janë Rubaitë e Omar Khajamit dhe Korbi i Poe-s. Dua të përmend se në frengjisht veprat në prozë të Poe-s i ka përkthyer shumë bukur Baudelaire, por përkthimi i tij i Korbit duhet të quhet i dështuar. Të njëjtin dështim e gjejmë në përkthimin e symbolistit Mallarmé,6 që mësoi anglishten “vetëm për të lexuar (shijuar) më mirë Poe-n,” sikurse thotë ai vetë. Edhe poeti italian Giovanni Pascoli i u vu përkthimit të Korbit me titullin “Ténebre” (Errësirë), por s’i a dolli dot dhe, pas dy strofave të para, s’vazhdoi më. Këto dy strofa i ka botuar Pio Schinetti n’artikullin e tij “Pagine inedite di G. Pascoli”, në Secolo XX, maggio 1912.
A e tepëroj unë, nëqoftëse thom që s’ka shembëll aq magjepse në shqip si pëkthimi i Korbit? Kush di anglisht dhe shqip mund të vulosë këtë thënie t’ime, sepse magjia që të mbërthen duke kënduar vjershën shqipe të Fan Nolit t’onë është e njëjta me atë që të mbërthen duke kënduar vargjet e Poe-s n’anglisht, Noli është poet i pakapërcyeshëm si shqipëronjës.
Zonjushja amerikane Janet Byron, që ka mësuar gjuhësi shqipe n’Universitetin e Prishtinës, përsa i përket përkthimit të Korbit, më shkruan këtë shënim:
<< Poe shpjegon në veprën e tij Filozofia e kompozicionit, sesi e shkroi poemën Korbi. Ai përshkruan teknikën që përdori, gjithashtu edhe karakteristikat e tiparet që do të shfaqeshin në poemën. Këto janë:”
>>1. Gjatësia: Poe pohon se një poemë duhet të jetë e shkurtë ose e gjatë në një masë sa të lexohet brenda një kohe të caktuar. Prandaj vendosi ta shkruajë Korbin me 100 rreshta (vargje). Në të vërtetë poema përbëhet prej 108 rreshtash. Noli duke përdorur tetërrokshin, që është vargu nga më të përdorurit ndër vjershat popullore shqipe, ka dyfishuar numrin e vargjeve por ka mbajtur ritmin e poezisë origjinale:
Një mes-nate të besdisur
Tek këndonja i zalisur…
………………..
Era frynte që përjashta,
Rrihte perdet e mëndafshta…
>> 2. Toni: Bukuria, domethënë bukuria qiellore, është gjithashtu një parim themelor në veprën e Poe-s. Sipas poetit, toni i shfaqjes, i shprehjes më të lartë të kësaj bukurie është toni i trishtimit. Përmbajtja e poemës e shpreh këtë trishtim, po gjithashtu ky trishtim dhe dëshpërimi i pashpresës, shprehen me anë të teknikës, të përdorimit të materialit gjuhësor. Një element kryesor gjuhësor i përdorur në Korbin për të shprehur idenë e trishtimit, e vetë pocaqisë, është përsëritja e një fjale me kumbim e me kuptim të trishtimit që rrjedh nga humbja e shpresës, nga pa shpresa: Nevermore, që tingëllon më bukur në shqip Kurrë më, përdorur nga Noli. >>
Zonjushja Byron shton se, gjithmonë e marrë nga pikëpamja e tingullit, “u”-ja në shqip e fjalës “kurrë” është më e zezë, më e përshtatëshme për trishtim nga sa është “o”-ja e fjalës “more”, n’anglisht dhe se “rr”-ja është më tingëlluese nga “r”-ja anglese që është pothuaj krejt e shuar. Gjithashtu, një tjetër shenjë të fortë për prerjen dhe humbjen e shpresës që ka dashur të shprehë Poe, e gjejmë në theksin tonik që bie mbi “ë”-në e fjalës “më”.
Unë besoj se dëshmia, pohimi, dua të thom, i Zonjushes Byron duhet të ketë një vleftë më të madhe nga çdo pohim tjetër të asaj natyre dhënë nga një Shqiptar me kulturë angleze. Sido dhe në çdo mënyrë që të merret, gjuha e vatrës që në foshnjëri, e rinisë, gjuha e nënës, mendoj, ka një veti që na bën t’a ndjejmë, më shumë sesa t’a kuptojmë, një fjalë. Dhe në këtë rast, nëqoftëse një Amerikan vihet në gjendje shpirtërore më emocionale me përsëritjen e një fjale të huaj siç është “kurrë më”-ja e Nolit, sesa me përsëritjen e një fjale amtare si “nevermore” të Poe-s, duhet thënë se i Yni ka patur një fat të madh në përdorimin e gjuhës s’onë.
“Rubaitë” e Omar Khajamit
Poeti A. Pipa, për Lasgushin, thotë se përkthimi i Eugjen Onjegin-it në ship bërë nga “mjellma e Poradecit”, është “perkthimi ndofta mâ i bukur në letërsinë shqipe MBAS Rubaive të Nolit.7 (Jam unë që shquaj fjalën “mbas” me shkronja të mëdha.)
Për qejfin t’im personal, për një kuriozitet intelektual, t’a thom, kam krahasuar 75 Rubai të përkthyera nga Fitzgerald-i n’anglisht me ato përkatëse të Nolit, duke patur përpara syve, si një gashtë, përkthimin në frengjisht të poetit persian Etessam-Zadeh.8 A është gjuha amtare që më shtyn të shijoj më thellë Nolin? Apo mos është vallë shpirti i njeriut t’ethnos-it, të gjakut të njëjtë me t’imin që më prek më thellë nga Anglezi dhe nga Irano-Frengu? Noli në “Introduktën” e tij të Rubairavet, akuzon Fitzgerald-in për liri të tepëruar që ka marrë në përkthimin e Khajamit:
“Vepra e Fitzgerald-it (“poet vetë nga më të mëdhenjtë”) ka vetëm një cen: Na tregon vetëm ca aspekte të Kopshtit Khajamian; ca pak nga mania e sistematizatës së ngushtë dhe ca më tepër për arsye artistike, Fitzgerald-i lë mënjanë fare e vë nënë hie ca aspekte të tjera, pa të cilat piktura është e çalë. […] Fitzgeraldi s’ka përkthyer fjalë pas fjale dhe Rubairat e tij largohen shpesh nga persishtet aqë sa munt të quhen si variata originale inglishte, të frymëzuara prej Omar Khajamit.”9
Aplikimit të “sistematizatës” dhe të “arësyes artistike” nuk i shpëton asnjë perëndimor kur përkthen një vepër poetike gjinikuar nga një mendje dhe shpirt orientali. Një perëndimor, qoftë edhe poet, nuk mund të çlirohet kurrë nga racionalizmi; në ligjërimin e tij poetik, qoftë lirik ose epik, qoftë klasik ose modern, qoftë edhe romantik, Italiani, Frengu, Gjermani, Anglezi, bile edhe Spanjoli, ky gjysëm arab mund t’a hedhë në fund të ndjenjës racionalizmin, duke e përbuzur, por kurrë nuk mund t’a zhduki krejtësisht. A u shmanget Noli “sistematizatës” dhe “arsyes artistike”? Më duket se po.
Dy janë arsyet që provojnë këtë gjë. E para është fakti se kujdesi më i madh i Nolit është të përkthejë frymën, “sensin”, shpirtin, dua të thom të kalojë në vargun e përkthyer atë element emocional që ka vleftë, që gjendet në vargun origjinal. Mjafton të referohemi te përkthimi i Korbit dhe te të gjitha, përkthimet e tjera të tija, që vetë Noli, mendoj, për të mos u paditur traduttore: traditore, i quan “parafraza”. Do t’a shohim më konkretisht pak më poshtë kur të flasim për përkthimin e A Villequier të Hugoit. E dyta, Fan Noli është një perzierje, harmonioze po të doni, por gjithnjë përzierje, orientale-perëndimore, që, duke patur para syve tekstin origjinal të Omar Khajamit, persian, dhe atë të Fitzgerald-it, anglez, zhytet në shpirtin e Persianit oriental më plotësisht se Anglezi, se çdo tjetër perëndimor. Noli, mos të harrojmë, është një tru e një shpirt klasik-bizantin, është një ndjenjës dhe dijetar humanist-bizantin, dhe kur thom bizantin thom oriental që përmbledh edhe shpirtin persian të kohës helenizante të Avicenës, të Khajamit e më vonë të Hafizit. Më duhet të thom këtu që këtë mejtim të fundit e shfaq me drojtje, me gjysëm zë, me timiditet.
Por konsideracione mbi themën e përkthimit të poezisë, mund të bëhen sa të duash. Sidoqoftë dhe në çdo mënyrë, për letërsinë t’onë të përkthimit, vlen, rëndësi kryesore, fakti se atë poezi të huaj e ka përkthyer një poet, Noli, dhe jo një linguist, ose gramatolog, ose profesor letërsie. S’është rasti këtu të bie shembëlla të shumta të dështimeve të ndryshme të përkthimeve poetike nga një gjuhë përendimore nga një gjuhë tjetër perëndimore. Dua të shquaj vetëm, se kemi përkthyesin që, megjithëse i di dy gjuhët nuk njeh shpirtin e popullit e të vendit që ka pjellur poetin që duhet përkthyer; kemi pastaj profesorin, qoftë edhe dijetar i shkallës universitare, që megjithëse specialist e dy gjuhëve, ndërgjegja e tij profesionale e ndikon nëmos e detyron, t’i mbetet besnik tekstit. Fjalët q’ai përdor janë të sakta por çdo gjë, dhe pikërisht për këtë shkak, më në fund, përkthimi i tij mund të paraqitet si një skelet dhe secili mund t’a marrë me mend se ç’bukuri mund të ketë skeleti i një gruaje sado e kolme të jetë, ose një panoramë magjepse që mund të dalë e përshkruar nga fjalë besnike por të thata të gjuhës përkthyese.
Kemi më së fundi, dhe më drejt, përkthimin e përsosur që nganjëherë mund t’arrijë në sublimitet dhe të merret, e të mbahet, si një krijim origjinal. Këtë punë mund t’a bëjë vetëm një poet. Poeti italian Foscolo, në recensionin e përkthimit n’italisht të dy Këngëve të para të Odisesë, bërë nga Ippolito Pindemonte, thotë: “Përkthimit besnik fjalë për fjalë nuk mund t’i shtrohet veç një gramatolog, […] për një përkthim me shpirt duhet një poet; një poet mbetet gjithmon më besnik sepse poet dhe gramatolog s’mund të pajtohen kurrë aq plotsisht sa një poet me një poet tjetër.”10
Me fjalë të tjera, letërsia shqipe e përkthimit ka patur fat të krijohet nga poet autentikë dhe të lartë. Ka poezi kombëtare, pa dyshim; ka poezi lokale, autoktone e lindur brenda një jete që mund të jetë krejt e izoluar dhe pa kontakte me popuj të tjerë, por poezia si poezi, si këngë, si art i lartë që të bën të dalësh nga jeta reale dhe t’a transformojë këtë, të fisnikojë me verbin hyjnor çdo ndjenjë e mendim, të të rrëmbejë e të çojë lart sa të të merren mendt, të qash e të shkrihesh, ose të të ekzaltojë në kulm, poezia e vërtetë thom, bashkë me fuqinë, bashkë me muzikën e saj, nuk është prerogativë e asaj race ose gjuhe njerëzore, por është prerogativë e Njeriut Poet që mund të lindë si në buzën e Seine-s dhe të Tevere-s, si dhe në stepat e Rurisë dhe në shkretinën e Mongolisë, n’akullnajat e Karibuve e në tokën ekuatorjale të Pygmeve, në Meksikë t’Aztekëve e në ishujt e aborigjenëve t’Oqeanisë. Noli i ynë, në këtë kuptim, është ai Njeriu Poet, “Homo Poeticus.”
NOLI SI POET ALEGORIOK
Dihet se disa nga vjershat origjinale të Nolit, si bie fjala, Moisiu në Mal, Krishti me Kamçikun, Shën Pjetri në Mangall, Marshi i Barabbajt, Marshi i Kryeqësimit…e kanë gjenezën në ngjarjet politike të pas 1924-ës, kur Noli me shokë u shtrenguan nga kundërrevolucioni i atij viti, të mërgohen në dhe të huaj.
Thotë Prof. Pipa: “Arti për art mund t’ishte credo-ja e nji Konice. Formula e Nolit qe gjithmonë Arti për edukatë.”11 dhe Z. Elez Ndreu, në studimin e tij kritik të veprave t’Etëhem Haxhiademit, thotë se ky poet tragjik ka “ambicien” në veprat e tija si Pirrua, Skenderbeu, Aleksandri, Diomedi, t’i japë Shqiptarit vetëm tragjedinë me kuptimin klasik, pa u kujdesuar për qëllimin. Dhe për opozicion flet për veprat e Fishtës dhe të Nolit. Për Fishtën bie si shembëll melodramën Juda Makabé dhe për Nolin Moisiu në Mal dhe Shën Pjetri në Mangall, “të cilat edhe pse janë vjersha me tituj e me simbole biblike, përkah mbrendija janë satirike-politike dhe kanë të bajnë me ngjarjet politike të Qershorit dhe të Dhetorit të vjetit 1924.”12
Noli vetë, në Seminarin e dytë të “Vatrës, në Konferencën e tij, 9 Gusht 1961, ndër të tjera thotë: “Albumi is a collection of original poems and various paraphrases, with a critical analysis by Mitrush Kuteli … Most of the original poems contained in this volume are more or less autobiographical.” (Albumi përmban një kolekcion vjershash origjinale dhe parafraza të ndryshme, me një analizë kritike të Mitrush Kutelit… Më të shumtat e vjershave origjinale të mbledhura n’atë vëllim, janë shumë a pak autobiografike.) – Dielli, 6 Shtator 1961.
Për historinë e çdo vjershe qoftë, për sa u përket origjinës dhe përmbajtjes së kuptimit politik-shoqëror, është e domosdoshme dhe me rëndësi të sqarohet puna, domethënë të caktohet me saktësi nëse vjersha është alegorike dhe personazhet janë marrë të pasqyruar, të përfytyruar me cilësitë më të larta ose me vetitë më të dobëta dhe të ulta të një tjetër njeriu që duhet të nënkuptohet; por për vleftën e vjershës, për bukurinë e vargut, për mjeshtërinë e trajtimit poetik, për poezinë në vetvete kjo s’ka asnjë rëndësi, duke qenë se është vetëm poezia ajo që do të gjykojë formën dhe bukurinë, të dështuara apo të arritura plotësisht, dështimin ose plotësimin e shprehjes emocionale e cila, mund të dalë thom, përkatësisht, e ultë, e kithtë, ose e lartë, e shkëlqyer. Çdo konsideratë tjetër është e huaj për vleftën intrinseke të poezisë si art.13
Duhet të thom se nga kjo pikëpamje, për vargun e Nolit nuk është folur mjaft. Sa thotë Kuteli në këtë drejtim nuk na kënaq plotësisht. Dëshërojmë të lexojmë analiza letrare-estetike më të plota të vargut nolian.
[1] Ernest Koliqi: “Emzot Theofan S. Noli”, në Shêjzat, Romë, Mars-Prill 1965, fq. 79.
2 Albumi, botim i “Vatrës”, Boston, Mass. 1948, fq. 27-Ky Albumi është një ribotim i pjesëshëm i librit të Mitrush Kutelit (Dhimitër Pasko) Mall e Brengë, Tiranë 1943 që është rishtypur në 1963 edhe në Kosovë, në Shtypshkronjën “Rilindja” të Prishtinës, por që, në vend të “Vështrimit Panoramik” të Kutelit, përmban si Parathënie një shkrim të Prof. Hilmi Agait, me një interpretim të vepravet të Nolit krejt arbitrarë, thom ekzkluzivisht dhe jo kryesisht, me frymë partijake marksiste. Botimi i Prishtinës ka titullin Sulm e Lot.
3 Shêjzat, (si nota Nr. 1)
4 HILUSH VILZA: Shija e bukës së mbrûme, Rromanx- Romë 1960, fq. 142.
5 Albumi, fq. 12.
6 Claude Couffon: “Traduire des poèmes…”, në Les Temps Modernes, Paris, Janvier-Févrie 1958, fq. 1495.
7 Arshi Pipa: “Komunizmi dhe shkrimtarët shqiptarë”, në Shqiptari i Lirë, 28 Shkurt 1959.
8 The Quatrains of Abolfat’h Ghia’th-e-din Ebrahim KHAYYAM of Nishapur, published by Tahrir Iran Co.
– Tehran 1955.
9 Rubairat e Omar Khaajmit, Shqipëruar nga Rushit Bilbil Gramshi – Edicje e dytë e ndrequr dhe e plotësuar- Bruxelles 1927, fq. 17. (“Edicja” e parë është e 1924-s)
10 Opere edite e postume di Ugo Foscolo, F. Le Monier Edit. Firenze 1923, V. II, fq. 211.
11 Arshi Pipa: “Bariu i popullit” në Kritika, Tiranë 1944, Nr. 4, ribotuar në Shqiptari i Lirë, 31 Mars 1965.
12 Elez Ndreu: “Etëhem Haxhiademi dhe tragjeditë e tija”, në Shqiptari i Lirë, 31 Maj 1962.
13 Këtë mendim që shpreh këtu dhe që në një farë mënyre mund t’i përshtatet, si të thuash, credo-s “arti për art”, e mbështet në letrarët ekzegjetë perëndimorë si orientalistët A. Bausani, H . Corbin, F. Gabrieli, L. Massingnon, A. R. Nicholson, M. A. Palacios, etj., të cilët, në analizat e tyre të përmbajtjes si esoterike si ekzoterike të vjershave mistike të sufive muslimanë, sidomos persianë, vënë në dritë __ disa Frengj, bile, shquajnë më tepër __ bukurinë e vargut në vetvete me anën e të cilit paraqitet dhe shfaqet lartësia e idesë s’intelektit, dhe thellësia e ndjenjës së shpirtit, pavarësisht nga alegoria dha nga simbolet, të përmbledhura e të përdorura n’ato vjersha mistike.
Komentet