Në mars të ’91-shit, isha studente në vitin e tretë të Akademisë së Arteve. Mbaj mend të shtënat… vrapin, duar që na ndihmonin për t’u ngjitur në anije. Pritja me ankth gjithë natën. Dallgët ishin të larta dhe anija anonte nga pesha e stërmadhe. Atë natë, në Brindisi, filloi etapa e re e jetës sime”. Enkeleida Shkoza është sot një nga artistet më në zë shqiptare në botë. Mezosopranoja ka interpretuar në teatrot më të mëdha të Londrës, Parisit, Italisë, Spanjës, Francës, Portugalisë, madhe deri në Peru, etj, duke fituar edhe njohje e vlerësim mes artistëve ndërkombëtarë. Ndër teatrot kua ajo ka interpretuar, përmendim: Teatro di Regio në Torino, Teatro Donizetti në Bergamo, Teatro Comunale në Bolonja, Teatro San Carlo në Napoli, “Covent Garden” i Londrës, l’Opéra Bastille di Parigi, Staatsoper në Vjenë, ThéÃtre du ChÃtelet, “La Scala” në Milano. Veçse, fillimi ka qenë i vështirë në rrugicat e Tiranës, pranë Pallatit të Pionerëve, ku edhe pse ende fëmijë ndjente persekutimin komunist, kujton ende shtëpinë që konfiskohej, ashtu si dëshirën për të ikur, luftën për t’ia dalë mbanë, matanë detit, ku ju desh të punonte me të sëmurët, por edhe si kujdestare fëmijësh, derisa mundi të gjente rrugën e artit. Shqipëria komuniste i ‘tregoi’ dhëmbët, por as fillimet në Itali nuk qenë të lehta. Sot, ajo ia ka dalë mbanë me sukses. Mezosopranoja Enkeleida Shkoza vjen në “Gazeta Shqiptare” në një rrëfim për familjen dhe karrierën.
Je nga artistet e para që e le Shqipërinë më 1991-in, si e mban mend ikjen?
Në mars të ’91-shit, isha studente në vitin e tretë të Akademisë së Arteve dhe njëkohësisht përgatisja rolin e Azucenës në “Trovatore” të Verdit. Duhej ta debutoja në Teatrin e Operës. Nisja qe shumë rokamboleske. Në ato raste nuk ka kohë për t’u zgjatur në arsyetime. Duhej vendosur aty për aty. Vrulli rinor dhe pesimizmi total ndaj atij realiteti, përshpejtuan marrjen e një vendimi. Mbaj mend të shtënat… vrapin, duar që na ndihmonin për t’u ngjitur në anije. Pritja me ankth gjithë natën, më në fund nisja, thuhej drejt Italisë. Është mrekulli si nuk kemi përfunduar në fund të detit… Dallgët ishin të larta dhe anija anonte, nga pesha e stërmadhe. Rrinim ngjitur me njëri-tjetrin, pa ngrënë e pa pirë. Megjithatë, patëm fat. Shpëtuam dhe pas një pritjeje të pafund në port, na pranuan në territorin italian. Atë natë, në Brindisi, filloi etapa e re e jetës sime.
-Pse e humbe një vit të drejtën e studimit kur ishe në Shqipëri?
Humba një vit, sepse nuk m’u dha e drejta për të konkurruar, për arsye të luftës së klasave. Familja ime ka vuajtur shumë: i është konfiskuar shtëpia me ç’kishte brenda. Gjyshes sime i mbusheshin sytë me lot, kur kujtonte se si nga një ditë në tjetrën u gjend pa asgjë, e detyruar të bënte një mijë sakrifica për të rritur fëmijët. Të gjithëve neve na u mohua e drejta e arsimit të lartë (në fakt, kushërinjtë e mi e kanë mbaruar universitetin mbasi ndërroi regjimi). Mbaj mend kontrollin për çdo gjë që thuhej, bëhej, sikur dy sy monstruozë të ndiqnin kudo.
-Pra ‘marrëdhëniet’ e tua me regjimin komunist ishin problematike. Cila qe përplasja e parë?
Kur isha pioniere, këndoja në Pallatin e Pionierëve, dhe marrim vesh që kompleksi ynë do të bënte një koncert në Turqi. Zbuloj që emri im nuk ishte mes tyre… Akoma më djegin lotët e derdhur në ato ditë, prindërit që nuk më ndaheshin, duke u munduar të më ngushëllonin në një farë mënyre… Ka qenë një nga thyerjet e para, duke më treguar që nuk ishim të gjithë njëlloj. Por njeriu është i fortë, unë jam shumë këmbëngulëse. Këto ngjarje më kanë pjekur para kohe, duke rritur dëshirën për të çarë përpara, me të vetmen mënyrë që njoh: puna dhe përmirësimi i përhershëm. Në vitin që mbeta në shtëpi, mësova me tim atë italishten, që do më ishte aq e vlefshme më vonë.
-Sa e vështirë ka qenë jetesa në Perëndim derisa arrite emrin që ke?
Fillimi qe goxha i vështirë, sepse ndryshimi ishte radikal. Nga bankat e shkollës, viti i tretë i Akademisë, në një vend të huaj, pa mbështetje, domethënë pa të ardhura. Fillova të bëj ndonjë koncert në Brindisi dhe rrotull, por ose ishin gratis, ose me aq pak saqë nuk siguronin pothuajse asgjë. Fillova punën si asistente në një strukturë ku mjekoheshin të rinj me probleme psikike. E kujtoj si periudhë shumë të zymtë, larg nga ëndrra ime e madhe, kantoja. Pianistja dhe mikesha ime, me të cilën zhvillonim koncertet, një ditë të bukur, më vë përpara fytyrës një fletëpalosje konkursi. Me vrap përgatis ariet që u deshën, në një farë mënyre sajojmë lekët për regjistrimin dhe hotelin, në Salerno. Ishte viti 1992. Mora çmimin e tretë, po ç’ishte më e rëndësishmja, një pjesëtar i jurisë u interesua për jetën dhe projektet e mia për të ardhmen. Më premtoi që po të kisha mundur të transferohesha në Milano, një kolegu i tij do të më jepte leksione falas. Vendimi u mor: shkohet në Milano. Përmes shoqeve, arrij të gjej mikpritje te një zonjë italiane. Fillojnë mësimet. Po ky profesor më fton në një kurs veror perfeksionimi. Unë vetëm atë prisja: studim dhe punë, për mua parajsë.
-Më tej vijnë: Reims, Bolonja, Napoli, Milano-La Scala, Londër- Royal Opera, Madrid, SHBA, Meksikë…. Sa shumë teatro, sa shumë qytete. Si nisi ky rrugëtim nëpër teatro të mëdhenj?
Në Milano u njoha me agjenten e parë. Filluan koncertet, por jo aq sa të lija punën si baby sitter. Ndërkohë diplomohem në Konservatorin “G.Verdi” në Milano (1995). Vit që do ndryshoi jetën time ky! Në shtator, marr pjesë në “Leyla Gencer International Competition” dhe fitoj çmimin e parë. Gëzim pa fund! Vetë pjesëtarët e jurisë, u vunë në punë për të më prezantuar në opera të ndryshme të Europës. Nisin udhëtimet e shpeshta, dhe të shtrenjta. Për fat, këndoj mirë, kështu që vijnë kontratat e para, me opera si Covent Garden, Bastille, Bruxelles, Torino, Pesaro, Viena, Hamburg etj. E kujtoj si periudhë frenetike, gjithmonë duke studiuar role të reja, gjuhë të tjera. Fati qe që hyra nga dera e madhe, por kjo do të thoshte edhe kërkesë të lartë përgjegjësie. Janë teatro që nuk pranojnë mediokritetin, nuk kënaqen vetëm me një standard të mirë. Mundohesha t’i afrohesha përsosmërisë e kjo do të thotë: tension i vazhdueshëm dhe durim. Më tej, ka qenë edhe fati im i madh që këndoja përkrah kolegësh me përvojë, regjisorë dhe dirigjentë të klasit të parë. Ata “të detyrojnë” të kërkosh gjithmonë e më tepër nga vetja. Në fund të fundit, jeta e një artisti është sfida e përditshme me vetveten.
– Je cilësuar si një zë me veçori e ndjeshmëri për veprat e Verdit… Si vjen Verdi te ti?
Verdi vjen tek unë mbas shumë vitesh ‘bel canto’, pra autorë si Donizetti, Bellini, Rossini por edhe kompozitorë francezë si Berlioz, Bizet, Massnet. Nga Verdi, deri para katër vjetësh, kisha kënduar vetëm ‘Rigoleton’ dhe ‘Messa da Requiem’. Për të kënduar mirë Verdin, duhet të kesh një përgatitje teknike të lartë, e gërshetuar kjo me një pjekje personale dhe profesionale. Ideja që është krijuar për Verdin, shpeshherë çon jashtë rrugës së duhur një këngëtar të ri dhe/ose pa përvojë. Si në çdo lloj kompozitori tjetër, edhe te Verdi aplikohet e njëjta bazë e të kënduarit drejt, pa asnjë nevojë për të ‘shtyrë’, pra për të dhënë më shumë sesa është mundësia reale e një zëri. Por, pikërisht kjo arrihet gradualisht, duke eksperimentuar përpara stile dhe kompozitorë të tjerë. Pa harruar pjekjen fiziologjike të një zëri.
-Ka shumë dashamirës të Verdit që e veçojnë atë nga shumë kompozitorë, për atë lloj ‘rrëshqitjeje’ dhe ‘vallëzimi’ që bart muzika e tij. Ju?
Për këto arsye, kam hezituar për vite me radhë të këndoj Verdin. Unë si natyrë jam shumë e matur në përzgjedhjen e repertorit, sepse e di shume mirë ç’do të thotë të jesh e vetme mbi një skenë, vetëm ti përballë me një publik, që me të drejtë pret maksimumin prej teje. Prandaj, para se të pranoj një rol të ri, duhet të jem vetë 1000 herë e sigurt që mund ta bëj dhe mirë, përndryshe pret që t’i vijë radha. Mbi pianon time janë disa opera që më pëlqejn, por nuk vendos t’i këndoj akoma… Atëherë, herë pas here i studioj, derisa të vijë koha e të ‘piqen’. Dhe si për magji, pas kaq vitesh karrierë, ndjej që kur këndoj Verdin, gjithçka shkon në vendin që i përket, zëri përgjigjet pa ashpërsi. Për të mos folur për atë llavë që vlon e pashtershme nëpër faqet e operave të tij, aspak vështirë për mua, falë një temperamenti të fortë, tipik shqiptar.
– Cilat janë rolet tuaja të preferuara? Çfarë ju bën ju ti doni, janë ariet, janë notat, apo janë lidhjet shpirtërore?
Nuk kam vërtet role të preferuara, jetoj e dashurohem me rolin që përgatis. E mendoj ditë e natë (shpeshherë shkak pagjumësie), duke u munduar të zbërthej tekstin e të pasuroj dinamikën (ngjyrat, nuancat në interpretim). Janë ndjenjat universale ato që të tërheqin në një personazh, përkrah një muzike të fuqishme, si në rastin e Verdit, ku gërshetimi i tekstit me muzikën arrin përsosmërinë. Përveç karrierës, kam dashur me forcë familjen, i jam mirënjohëse Zotit që më ka plotësuar këtë dëshirë.
– Cila është familja juaj?
Jam e martuar me Darling Mamaqin. Kemi dy vajza, Joyce dhe Anny. Fakti që nuk jam shumë e pranishme në skenën shqiptare, ka lidhje të drejtpërdrejtë me familjen, fëmijët akoma të vegjël. I privoj shpesh nga prania ime.
Urimet me te mira per Enkeleiden. Histori e dhimshme qe me kujtoj babajn e saj Urimin kolegun tim njeriun e nderuar qe u persekutu nga regjimi komunist dhe nuk arriti te shijoj mundin e djersen qe me perkushtim te madh sakrifikoj gjith jeten e tij per ye rrit e edukuar dy vajzat e.
Enkelejda te uroj me te mirat e mundshme.Suksese kudo dhe ngado.Nostalgji per vitet e arta te liceut qe kemi qene shoqe klase.