Dje u përhap lajmi se përmes një Zoom-i ambasadat e Republikës së Shqipërisë kishin marrë urdhër nga Edi Rama me e “injoru” Donika Gërvallën pas daljes së saj publike në lidhje me opinionin e përbashkët të Ramës me Vuçiq në FAZ.
Nuk vonoi, lajmi i dekonspiruar në shtypin e Tiranës, nuk mori konfirmimin zyrtar nga kryeministria dhe u mohua kategorikisht nga ministria e jashtëme.
Urdhërat e kryeministrit përmes Zoom a protokollohen? Apo janë urdhëra verbalë, të padokumentuara ?
Sikur kemi parë nga dokumentat e zbuluara të kohës së diktaturës, protokollet zyrtare, në kohën e Enverit mbaheshin me shkrim kundër “armiqve” të regjimit, ndërsa në kohën e Edi Ramës lufta ndaj kundërshtarëve është moderne me Zoom, Podcast dhe sidomos përmes nëntokës ku udhëheqësi jep direktiva pa firmë, pa vulë e pa letër dhe gjëja e gjallë i binden me pëllitje në kor.
Ne kemi parë se sulmet implicite ndaj Donikës, folklorisht të sofistikuara, këtyre kohëve janë prodhuar në studiot televizive të Tiranës, nga ai grup analistësh nga Kosova, që kanë të njëjtin dirigjent dhe emërues të përbashkët ose janë mbeturinat e sigurimit të shtetit ose të stanishiqëve, një atavizëm anakronik historik, i papranueshëm për Shqipërinë vend anëtar i NATO-s dhe Kosovën si vend aspirant i Aleancës Verio-Atlantike .
Duket sikur jemi kthyer në kohën e Dushan Mugoshës dhe Enver Hoxhës! Këtë frymë përçon Edi Rama dhe urdhëri verbal me Zoom Ambasadave për Donikën, me stilin konspirativ të “Mërgatës së Qyqeve”, duhet të zhduket përfundimisht dhe të kyçet në pavionet e çmendinës së historisë, bashkë me reminishencat aktuale.
Në thelb Donika Gërvalla i tha Edi Ramës diçka shumë të natyrshme, se shteti amë dhe ai i Kosovës duhet të kenë të njëjtën ideologji kombëtare vëllazërore, të gjakut, gjuhës dhe aspiratave të përbashkëta Perëndimore dhe se populli i Kosovës nuk ia fal Edi Ramës devijimet, kur Serbia nuk i ndal kërcënimet ndaj Kosovës e qeverisë së saj.
Ja çfarë paralelizmash janë krijuar:
nga njëra anë Serbia kërcënon Kosovën dhe nga ana tjetër Edi Rama Donika Gërvallën, Ministren e Drejtësisë së Kosovës përmes rrugëve të fshehta shtetërore e shpall non grata me injorim, bojkot dhe izolim.
Deklarata publike e Donika Gërvallës e gozhdoi për muri Edi Ramën dhe e la pa gojë. Ai nuk diti si të përgjigjej. As nuk shau dot, as mallkoi dot sikur e bën rëndom, por u çoi haber virtual sekret, shtetëror zarave të tij.
Ai që për nga fjalimet, ia kalon edhe atyre të Fidel Kastros, nuk guxoi të dalë publikisht, sepse nuk kishte si ta mbronte opinionin e FAZ, që e shkruan bashkarisht me Vuçiq, si një jehonë e Open Ballkan, që as atëher dhe as tani as Perëndimi dhe as Kosova nuk e pranoi.
Mospranimin Donika Gërvalla e shprehu hapur publikisht.
Ndryshe nga Edi Rama që për interesin e tij vetjak në simbiozë me Vuçiq paburrërisht shpërdori në mënyrë sekrete shtetin pas shpinës së Donika Gërvallës.
Sepse thjesht, Edi Rama iu tut Donika Gërvallës t’i dilte përballë.